Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një profeci nga Bibla që e shohim të përmbushet

Një profeci nga Bibla që e shohim të përmbushet

Kapitulli 10

Një profeci nga Bibla që e shohim të përmbushet

A e ke pyetur ndonjëherë veten pse sot gjërat janë kaq ndryshe në krahasim me 100 vjet më parë? Disa gjëra janë më mirë se ç’kanë qenë. Në shumë vende sëmundjet që dikur ishin vdekjeprurëse, tani janë më se të shërueshme; një njeri i zakonshëm gëzon një nivel jetese që stërgjyshërit e tyre as në ëndërr s’e kishin parë. Mirëpo nga ana tjetër, shekulli që lamë pas përjetoi luftërat më të tmerrshme dhe disa nga mizoritë më të mëdha në gjithë historinë. Mirëqenia e njerëzimit, në mos vetë mbijetesa e tij, kërcënohet nga shtimi i vrullshëm i popullsisë, ndotja e ambientit dhe arsenali i madh ndërkombëtar i armëve bërthamore, biologjike e kimike. Pse shekulli i 20-të ndryshon kaq shumë nga shekujt e mëparshëm?

1. (Përfshi hyrjen.) (a) Si ndryshon shekulli i 20-të nga shekujt e mëparshëm? (b) Çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë pse ndryshon koha në të cilën jetojmë?

PËRGJIGJJA e kësaj pyetjeje gjendet në një profeci të rëndësishme të Biblës, përmbushjen e së cilës po e shohim me sytë tanë. Përveçse provon që Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, përmbushja e kësaj profecie të thënë nga vetë Jezui, tregon se jetojmë shumë pranë kohës kur në skenën botërore do të ndodhin ndryshime tejet të mëdha. Cila është kjo profeci dhe si e dimë se po përmbushet?

Profecia e rëndësishme e Jezuit

2, 3. Cilën pyetje i bënë dishepujt Jezuit, dhe ku e gjejmë përgjigjen e tij?

2 Bibla thotë se pak para se Jezui të vdiste, dishepujt e tij po flitnin gjithë admirim për ndërtesat e mëdha të tempullit në Jerusalem. U bënte përshtypje sa i madh dhe i fortë dukej. Por Jezui u tha: «A i shihni gjithë këto gjëra? Vërtet po ju them: këtu nuk do të mbetet gur pa u rrëzuar.»—Mateu 24:1, 2.

3 Dishepujt e Jezuit duhet të jenë habitur nga fjalët e tij, prandaj më vonë e pyetën: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Përgjigjja e Jezuit gjendet më poshtë në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut, si edhe në kapitullin 13 të Markut dhe në kapitullin 21 të Lukës. Pa dyshim, kjo ishte profecia më e rëndësishme që tha Jezui gjatë jetës së tij në tokë.

4. Për çfarë e pyetën dishepujt Jezuin?

4 Në të vërtetë, dishepujt e Jezuit nuk pyetën vetëm për një gjë. Në fillim ata donin të dinin ‘kur do të ndodhnin këto gjëra’, domethënë kur do të shkatërrohej Jerusalemi dhe tempulli që gjendej atje. Donin të dinin edhe shenjën që do të tregonte kur do të fillonte prania e Jezuit si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë dhe kur do të ishte afër fundi i këtij sistemi.

5. (a) Si u përmbush fillimisht profecia e Jezuit? Kur do të përmbusheshin plotësisht fjalët e tij? (b) Me cilat fjalë nisi t’u përgjigjej Jezui dishepujve?

5 Në përgjigjen e tij, Jezui i mori parasysh të dyja pyetjet. Shumë nga fjalët e tij u përmbushën që në shekullin e 1-rë, gjatë viteve që i paraprinë shkatërrimit të tmerrshëm të Jerusalemit në vitin 70 të e.s. (Mateu 24:4-22) Megjithatë, profecia e tij duhej të kishte një domethënie edhe më të madhe në të ardhmen, më saktësisht, në kohën tonë. Çfarë tha Jezui? Ai filloi me fjalët që gjejmë në vargjet 7 dhe 8: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.»

6. Cilën profeci paralele na kujtojnë fjalët e Jezuit te Mateu 24:7, 8?

6 Është më se e qartë se prania e Jezuit si Mbret qiellor do të shoqërohej me trazira të mëdha në tokë. Kjo vërtetohet nga vegimi i katër kalorësve të Apokalipsit, një profeci paralele që e gjejmë në librin e Zbulesës. (Zbulesa 6:1-8) Kalorësi i parë paraqit vetë Jezuin si Mbret fitimtar. Kalorësit e tjerë dhe kuajt e tyre paraqitin ngjarjet që do të ndodhin në tokë kur Jezui të fillojë të mbretërojë: luftën, zinë e bukës dhe vdekjen e parakohshme nga shkaqe të ndryshme. A e shohim me sytë tanë si po përmbushen këto dy profeci në kohën tonë?

Luftë

7. Çfarë paraqit në kuptimin profetik kalorësi i dytë i Apokalipsit?

7 Le t’i shohim më nga afër. Së pari, Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» Kjo profeci parathoshte se do të kishte luftë. Po ashtu, i dyti nga katër kalorësit e Apokalipsit paraqiste luftën. Ja çfarë thotë libri i Zbulesës: «Doli një kalë tjetër me ngjyrë të kuqe zjarr. Atij që rrinte mbi të, iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të thereshin me njëri-tjetrin, dhe iu dha një shpatë e madhe.» (Zbulesa 6:4) Tani, derisa njerëzit kanë luftuar mes tyre për mijëra vjet, pse themi që këto fjalë lidhen veçanërisht me ditët tona?

8. Pse mund të presim që lufta të jetë një aspekt i qartë i shenjës?

8 Të mos harrojmë se lufta në vetvete nuk është shenja e pranisë së Jezuit. Shenja përbëhej nga të gjitha aspektet e profecisë së Jezuit që do të dukeshin qartë në të njëjtën periudhë. Lufta është e para që përmendet, prandaj pritet që ky aspekt të përmbushet në mënyrë aq të qartë sa të na tërheqë vëmendjen. Çdokush duhet ta pranojë se luftërat e shekullit që lamë pas, kanë qenë të papara deri atëherë.

9, 10. Si filluan të përmbusheshin profecitë për luftën?

9 Për shembull, asnjë nga luftërat e mëparshme, sado mizore e shkatërrimtare të ketë qenë, nuk iu afrua dy luftërave botërore të shekullit të 20-të. Lufta e Parë Botërore shkaktoi rreth 14 milionë viktima, një shifër kjo shumë më e lartë se popullsia e mjaft vendeve. Vërtet, këtij kalorësi «iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të thereshin me njëri-tjetrin».

10 Sipas profecisë, kalorësit të dytë të Apokalipsit «iu dha një shpatë e madhe». Çfarë nënkupton kjo? Që armatimet luftarake u bënë edhe më vdekjeprurëse. Tani, nëpërmjet tankut, avionit, gazit helmues vdekjeprurës, nëndetëseve dhe artilerisë që mund të hedhë predha disa kilometra larg, njeriu u bë edhe më i aftë të vriste njeriun. Që nga Lufta e Parë Botërore ‘shpata e madhe’ është bërë edhe më shkatërrimtare falë radiondërlidhjes, radarëve, pushkëve me precizion të lartë, armëve kimike e bakteriologjike, flakëhedhëseve, napalmit, llojeve të reja të bombave, raketave balistike ndërkontinentale, nëndetëseve bërthamore, avionëve të sofistikuar dhe luftanijeve të stërmëdha.

«Fillimi i dhembjeve të lindjes»

11, 12. Pse themi që Lufta e Parë Botërore ishte thjesht «fillimi i dhembjeve të lindjes»?

11 Vargjet e para të profecisë së Jezuit përfundojnë me fjalët: «Këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» Kjo ishte shumë e vërtetë në rastin e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 ajo përfundoi, por paqja nuk zgjati shumë kohë. Shumë shpejt pasuan veprime ushtarake të kufizuara, por të egra në Etiopi, Libi, Spanjë, Rusi, Indi dhe vende të tjera. Këto i lanë vendin Luftës së Dytë Botërore, që ishte një nga më të tmerrshmet, dhe shkaktoi rreth 50 milionë viktima në radhët e ushtarëve dhe civilëve.

12 Por s’mbaroi me kaq. Njerëzimi është ende në luftë, paçka se aty-këtu janë bërë disa marrëveshje për paqe dhe është vendosur armëpushimi. Në vitin 1987 raportohej se që nga viti 1960, ishin zhvilluar luftërat më të mëdha që u kishin marrë jetën 12.555.000 burrave, grave dhe fëmijëve. Viti 1987 pa më shumë luftëra se çdo vit i mëparshëm në histori.1 Veç kësaj, përgatitjet dhe shpenzimet ushtarake, që sot arrijnë në gati 1.000 miliardë dollarë në vit, rëndojnë mbi ekonominë e botës.2 Profecia e Jezuit se «do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie» është e qartë që vazhdon të përmbushet. Kali i kuq i luftës ende kalëron me egërsi nëpër të gjithë tokën. Por, si po përmbushet aspekti i dytë i shenjës?

Mungesë ushqimi

13. Cilat ngjarje të rënda paratha Jezui? Si e mbështet profecinë e tij vegimi i kalorësit të tretë të Apokalipsit?

13 Jezui paratha: «Do të ketë mungesë ushqimi . . . nga njëri vend në tjetrin.» Shih si përkojnë këto fjalë me kalërimin e kalorësit të tretë të Apokalipsit. Ja çfarë thuhet për të: «Ja, pashë një kalë të zi, dhe ai që rrinte mbi të, kishte në dorë një peshore. Dëgjova një zë mes katër krijesave të gjalla, që thoshte: ‘Një kenik grurë për një denar dhe tre kenikë elb për një denar. Mos e ço dëm vajin e ullirit dhe verën.’» (Zbulesa 6:5, 6) Po, mungesë ushqimi e theksuar!

14. Cilat zi buke të mëdha që nga viti 1914 kanë përmbushur profecinë e Jezuit?

14 Si ka mundësi që kjo profeci po përmbushet sot ndërkohë që disa vende kanë arritur një nivel jetese mjaft të lartë? Po t’i hedhim një sy tërë botës, na largohet çdo dyshim. Historikisht zia e bukës është shkaktuar nga luftërat dhe katastrofat natyrore. Pra, s’është çudi që shekulli i kaluar, që ka parë tepër luftëra e katastrofa, është pllakosur vazhdimisht nga zia e bukës. Shumë pjesë të botës kanë përjetuar katastrofa të tilla duke filluar nga viti 1914. Që nga ky vit janë raportuar mbi 60 zi buke të mëdha në vende kaq të largëta nga njëri-tjetri, si Greqia, Holanda, ish-Bashkimi Sovjetik, Nigeria, Çadi, Kili, Peruja, Bangladeshi, Bengali, Kamboxhia, Etiopia dhe Japonia.3 Disa prej tyre kanë zgjatur me vite dhe kanë shkaktuar miliona të vdekur.

15, 16. Cila zi tjetër buke po bën kërdinë sot?

15 Zakonisht zitë e mëdha të bukës bëjnë mjaft bujë, por pas njëfarë kohe marrin fund dhe të mbijetuarit i kthehen dalëngadalë një jete pak a shumë normale. Mirëpo, gjatë shekullit të 20-të, është shfaqur një lloj tjetër zie buke edhe më kërcënuese. Bie më pak në sy, ndaj shpesh shpërfillet. Por vazhdon vit pas viti. E kemi fjalën për kequshqyerjen. Kjo plagë e rëndë prek rreth 800 milionë njerëz dhe shkakton më shumë se gjysmën e afro 12 milionë vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç që vdesin çdo vit në vendet në zhvillim.4

16 Gjatë shekullit të 20-të, kjo lloj mungese ushqimi çdo dy ditë vrau po aq njerëz sa vrau bomba atomike në Hiroshimë. Vërtet, çdo dy vjet, uria vret më tepër njerëz sesa ushtarë vranë të dyja Luftërat Botërore të marra së bashku. A ka pasur ‘mungesa ushqimi . . . nga njëri vend në tjetrin’ që nga 1914-a? Po, pa kurrfarë dyshimi!

Tërmetet

17. Cili tërmet shkatërrimtar ndodhi menjëherë pas vitit 1914?

17 Më 13 janar 1915, kur Lufta e Parë Botërore s’kish vetëm pak muaj që kishte filluar, një tërmet shkundi zonën e Abrucos në Itali dhe mori 32.610 jetë njerëzish. Kjo katastrofë e tmerrshme na kujton se luftërat dhe mungesat e ushqimit gjatë pranisë së Jezuit do të shoqëroheshin edhe nga diçka tjetër: «Do të ketë . . . tërmete nga njëri vend në tjetrin.» Njësoj si me luftën dhe zinë e bukës, tërmeti në Abruco ishte vetëm «fillimi i dhembjeve të lindjes». *

18. Si është përmbushur profecia e Jezuit për tërmetet?

18 Shekulli i 20-të ka qenë shekulli i tërmeteve dhe falë zhvillimit të medias, tërë njerëzimi i njeh mjaft mirë pasojat shkatërrimtare që kanë sjellë. Ja disa prej tyre: në 1920-n vdiqën 200.000 njerëz nga një tërmet në Kinë; në 1923-shin rreth 140.000 njerëz vdiqën ose u zhdukën nga një tërmet në Japoni; në 1935-n, një tjetër tërmet shkaktoi 25.000 viktima atje ku sot gjendet Pakistani dhe në 1939-n, 32.700 njerëz vdiqën në Turqi. Në 1970-n, një tërmet në Peru u mori jetën 66.800 njerëzve. Në 1976-n, rreth 240.000 njerëz (ose 800.000 sipas disa burimeve) vdiqën në Tangshan, Kinë.6 Kohët e fundit, në 2004-n, një tërmet 9 ballësh ra në bregun e Sumatrës, në Indonezi, duke shkaktuar tsuname që morën mbi 220.000 jetë. * Po, «tërmete nga njëri vend në tjetrin»!7

«Plagë vdekjeprurëse»

19. Cili është aspekti tjetër i shenjës që paratha Jezui dhe që paraqitet nga kalorësi i katërt i Apokalipsit?

19 Profecia e Jezuit përmban edhe një aspekt tjetër: sëmundjet. Në Ungjillin e tij, Luka thotë se Jezui profetizoi që do të kishte «murtaja . . . nga njëri vend në tjetrin». (Luka 21:11) Edhe këto fjalë përputhen me vegimin profetik të katër kalorësve të Apokalipsit. Kalorësi i katërt quhet Vdekje, dhe paraqit vdekjet e parakohshme nga shkaqe të ndryshme, madje edhe nga ‘plagët vdekjeprurëse dhe bishat e tokës’.—Zbulesa 6:8.

20. Cila epidemi e tmerrshme përmbushi pjesërisht profecinë e Jezuit për murtajat?

20 Në 1918-n dhe 1919-n, mbi 1 miliard njerëz u prekën nga gripi spanjoll dhe më shumë se 20 milionë vdiqën. Sëmundja mori më shumë jetë njerëzish se vetë Lufta e Parë Botërore, që ishte aq e tmerrshme.8 «Plagë vdekjeprurëse» ose «murtaja» vazhdojnë të godasin edhe këtë brez, paçka se janë bërë përparime të jashtëzakonshme në fushën mjekësore. Por lind pyetja: pse? Një nga arsyet është se vendet më të varfra nuk përfitojnë gjithnjë nga përparimi në fushën shkencore. Të varfrit vuajnë dhe vdesin nga sëmundje të shërueshme, vetëm ngaqë s’kanë para.

21, 22. Si vuajnë njerëzit qoftë në vende të pasura, qoftë në vende të varfra nga «plagë vdekjeprurëse»?

21 Kështu, më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga malaria. Rreth 200 milionë janë prekur nga ethet parazitare (skistosomiaza). Sëmundja e Çagasit godet gati 20 milionë njerëz. Rreth 126 milionë të tjerë rrezikohen nga verbimi i lumit. Diarreja akute u merr jetën miliona fëmijëve çdo vit.9 Turberkulozi dhe lebra janë ende një problem shëndetësor shqetësues. Duket qartë se të varfrit vuajnë nga ‘murtaja nga njëri vend në tjetrin’.

22 Mirëpo edhe të pasurit s’janë të mbrojtur. Për shembull, gripi prek të pasur e të varfër. Në vitin 1957, një grip shkaktoi 70.000 të vdekur vetëm në Shtetet e Bashkuara. Ishte përllogaritur se në Gjermani, 1 në 6 veta do të prekej nga kanceri.10 Sëmundjet që transmetohen në rrugë seksuale, prekin si të varfrit edhe të pasurit. Gonorrea, sëmundja ngjitëse që raportohet më shpesh në Shtetet e Bashkuara, prek deri në 18,9 për qind të popullsisë në disa pjesë të Afrikës.11 Sifilizi, herpesi gjenital dhe sëmundje të tjera veneriane janë disa nga ‘murtajat’ e transmetuara në rrugë seksuale, që kanë arritur përmasat e një pandemie.

23. Cila «plagë vdekjeprurëse» ka zënë titujt kryesorë të gazetave?

23 Në listën e ‘murtajave’ renditet edhe ‘plaga vdekjeprurëse’ e SIDA-s, një sëmundje e tmerrshme, pasi deri në momentin kur u shkrua ky libër, nuk dukej asnjë kurë përfundimtare në horizont. Mbartësit e virusit HIV vetëm mund të mbahen gjallë duke përdorur mjekime shumë të shtrenjta. Sot rreth 42 milionë njerëz në mbarë botën bashkëjetojnë me virusin HIV që shkakton sëmundjen e SIDA-s. UNAIDS raporton: «Në 45 vendet më të prekura, pritet që gjatë periudhës 2000-2020, 68 milionë veta të vdesin para kohe nga SIDA.»12 Vërtet «plagë vdekjeprurëse»! Por, si po përmbushet aspekti tjetër i profecisë që lidhet me vdekjen nga bishat?

«Bishat e tokës»

24, 25. (a) Për ç’lloj ‘bishash’ foli profeti Ezekiel? (b) Çfarë tha Jezui për ‘bishat’ që do të silleshin vërdallë në tokë gjatë pranisë së tij?

24 Ç’është e vërteta, bishat përmenden sot nëpër gazeta vetëm për të njoftuar se disa lloje janë në rrezik ose gati në zhdukje. Më shumë kërcënohen «bishat e tokës» nga njeriu, se njeriu nga bishat. Sidoqoftë, në disa vende, kafshët e egra, si tigrat në Indi, u shkaktojnë vdekjen shumë njerëzve.

25 Por, Bibla na e tërheq vëmendjen drejt një tjetër lloji bishe, që vitet e fundit ka ngjallur vërtet frikë. Profeti Ezekiel i krahasoi njerëzit e dhunshëm me bishat kur tha: «Princat janë si ujqër që shqyejnë gjahun, kur derdhin gjak, kur shkatërrojnë shpirtra, që të nxjerrin fitim të padrejtë.» (Ezekieli 22:27) Kur paratha ‘rritjen e paligjshmërisë’, Jezui po thoshte se këto ‘bisha’ do të silleshin vërdallë në tokë gjatë pranisë së tij. (Mateu 24:12) Shkrimtari i Biblës, Pavli, shtoi se në «ditët e fundit» njerëzit do të ishin «të dashuruar pas parave . . . pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë». (2 Timoteut 3:1-3) A ka qenë vërtet kështu që nga viti 1914?

26-28. Cilat raporte nga mbarë bota tregojnë se në tokë sillen vërdallë ‘bisha’?

26 Kjo është më se e sigurt. Në çfarëdo qyteti të madh të jetosh, mund ta vësh re fare lehtë këtë gjë. Nëse nuk je i sigurt, shiko çfarë shkruhej në disa gazeta. Kolumbi: «Vitin e fundit policia regjistroi . . . rreth 10.000 vrasje dhe 25.000 grabitje me armë.» Viktoria, Australi: «Krimet e rënda rriten me shpejtësi.» Në Shtetet e Bashkuara mesatarja e vrasjeve të kryera nga adoleshentët u trefishua gjatë një periudhe tetëvjeçare. Për më shumë se 500 vrasjet e kryera kohët e fundit në Los Anxhelos, Kaliforni, «policia tha se 75 për qind kishin lidhje me bandat».

27 Zimbabve: «Vrasjet e fëmijëve kanë arritur përmasa alarmante.» Brazil: «Këtu armët janë sheshit dhe kriminaliteti është aq i përhapur, sa lajmet për dhunën nuk të bëjnë më përshtypje.» Zelandë e Re: «Sulmet seksuale dhe krimet e dhunshme vazhdojnë të jenë shqetësimi kryesor për policinë.» «Dhuna mes neozelandezëve s’mund të përshkruhet tjetër, veçse si barbarizëm.» Spanjë: «Spanja lufton me kriminalitetin në rritje.» Itali: «Pas një tërheqjeje, mafia siciliane rizgjohet me një valë të re vrasjesh.»

28 Këto janë vetëm pak raporte që u dhanë nëpër gazeta, pak para botimit të këtij libri. Është e qartë se sot në tokë sillen vërdallë ‘bisha’ që ngjallin veç frikë dhe pasiguri.

Predikimi i lajmit të mirë

29, 30. Si po përmbushet profecia e Jezuit për gjendjen fetare të «krishterimit»?

29 Cila do të ishte gjendja e fesë gjatë kohës së trazuar të pranisë së Jezuit? Jezui paratha një rritje të aktiviteteve fetare: «Do të dalin shumë profetë të rremë, që do të mashtrojnë shumë veta.» (Mateu 24:11) Por nga ana tjetër, ai paratha se, në tërësi, interesi i krishterimit për Perëndinë do të ishte përtokë. «Dashuria e shumicës do të ftohet.»—Mateu 24:12.

30 Këto fjalë përshkruajnë atë që po ndodh vërtet sot brenda «krishterimit». Nga njëra anë, kishat kryesore ngado kanë marrë teposhtën, kanë mbetur bosh. Në vendet e Evropës Veriore dhe në Angli, që e mbanin veten për shumë protestantë, feja ka marrë fund. Në të njëjtën kohë, Kisha Katolike vuan nga mungesa e priftërinjve dhe e besimtarëve. Nga ana tjetër, kanë lindur mjaft grupe të vogla fetare. Kultet e bazuara në fetë lindore lulëzojnë, kurse predikuesit lakmitarë që shfaqen nëpër televizione, zhvatin miliona dollarë.

31. Cila profeci e Jezuit na ndihmon të identifikojmë krishterimin e vërtetë sot?

31 Por ç’mund të themi për krishterimin e vërtetë, fenë që themeloi Jezui dhe predikuan apostujt e tij? Ajo do të ekzistonte gjatë pranisë së Jezuit, por si do ta njihnin? Falë disa karakteristikave të krishterimit të vërtetë, njëra nga të cilat përmendet në profecinë e rëndësishme të Jezuit. Të krishterët e vërtetë do të kryenin një vepër mbarëbotërore predikimi. Ja çfarë profetizoi Jezui: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

32. Cili është i vetmi grup që ka përmbushur profecinë e Jezuit te Mateu 24:14?

32 Në kohën tonë ky predikim ka arritur përmasa të jashtëzakonshme. Sot grupi fetar i quajtur Dëshmitarët e Jehovait i është kushtuar veprës më të vrullshme të predikimit në historinë e krishterimit të vërtetë. (Isaia 43:10, 12) Në 1919-n, kur fetë kryesore të «krishterimit» të politizuar mbështetën Lidhjen e Kombeve, e destinuar të dështonte, Dëshmitarët e Jehovait përgatiteshin për këtë fushatë predikimi mbarëbotërore.

33, 34. Deri në ç’masë është predikuar lajmi i mirë për Mbretërinë në mbarë botën?

33 Në atë kohë ishin vetëm 10.000 Dëshmitarë, por e dinin mjaft mirë punën që kishin përpara dhe me guxim iu futën veprës së predikimit. Ata e kuptuan se ishte kundër urdhërimeve të Biblës dhe të modelit apostolik të bëhej ndarje mes klerikëve dhe laikëve. Ndaj të gjithë pa përjashtim mësuan t’u flitnin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Kështu, u bënë një organizatë predikuesish.

34 Me kalimin e kohës, atyre iu desh t’i bënin ballë një kundërshtimi mjaft të egër. Në Evropë u bënë objekt i sulmeve të regjimeve të ndryshme totalitare. Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada zhvilluan beteja ligjore dhe u gjendën përballë turmave të egërsuara. Në vende të tjera kapërcyen paragjykimin fanatik fetar dhe përndjekjen mizore nga diktatorë tiranë. Vitet e fundit u është dashur të përballen edhe me njerëz skeptikë e të dhënë pas rehatisë së tyre. Megjithatë, kanë treguar qëndrueshmëri, aq sa sot janë më shumë se 6 milionë e gjysmë në 235 vende. Kurrë më parë lajmi i mirë për Mbretërinë nuk është predikuar kaq shumë. A nuk është kjo një përmbushje e jashtëzakonshme e këtij aspekti të shenjës?!

Ç’do të thotë e gjithë kjo?

35. (a) Si na ndihmon përmbushja e profecive sot të tregojmë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia? (b) Ç’do të thotë për kohën tonë përmbushja e shenjës që dha Jezui?

35 Ne jemi pa dyshim dëshmitarë të përmbushjes së shenjës së rëndësishme që dha Jezui. Kjo dëshmon edhe më shumë se Bibla është vërtet e frymëzuar nga Perëndia. Asnjë njeri s’mund të parathoshte aq kohë më parë ngjarje që do të ndodhnin shumë e shumë shekuj më pas. Për më tepër, përmbushja e shenjës tregon se po jetojmë në kohën e pranisë së Jezuit dhe të përfundimit të këtij sistemi. (Mateu 24:3) Ç’do të thotë e gjithë kjo? Çfarë nënkupton prania e Jezuit? Cilit sistem po i vjen fundi? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të shqyrtojmë një provë tjetër bindëse të frymëzimit të Biblës: harmoninë e brendshme të saj, që është e jashtëzakonshme. Këtë do ta shqyrtojmë në kapitullin tjetër dhe do të shohim se si ajo që përbën temën kryesore të Biblës tani po i afrohet një kulmi madhështor.

[Shënimet]

^ par. 17 Nga viti 1914 deri në vitin 1918, janë regjistruar të paktën pesë tërmete më të fuqishme se ai i Abrucos, që kanë arritur ose kanë kaluar 8 ballë të shkallës Rihter. Megjithatë, ngaqë ishin në zona të largëta të globit, nuk bënë aq shumë bujë sa tërmeti në Itali.5

^ par. 18 Për disa nga këto katastrofa janë dhënë raporte të ndryshme për numrin e viktimave. Megjithatë, të gjitha ishin jashtëzakonisht shkatërrimtare.

[Pyetjet]