Pse duhet lexuar Bibla?
Kapitulli 1
Pse duhet lexuar Bibla?
Jetojmë në një botë ku problemet s’kanë të sosur e që zor se gjejnë zgjidhje. Miliona veta vuajnë nga uria ditë pas dite. Gjithnjë e më shumë njerëz bëhen skllevër të drogës. Numri i familjeve që prishen është në rritje. Incesti dhe dhuna në familje zënë vendin kryesor në lajme. Ajri që thithim dhe uji që pimë, po helmohen dalëngadalë. Ndërkohë, rritet numri i viktimave të krimit. A mendon se probleme të tilla do të zgjidhen ndonjëherë?
1. (Përfshi hyrjen.) Cilat probleme në ditët tona tregojnë se njerëzimi ka nevojë për drejtim?
POR jo vetëm kaq! Jetojmë në një epokë kur nuk është e lehtë të zgjedhësh. Për shembull, mjaft njerëz i kundërvihen me forcë abortit, duke e quajtur vrasje të fëmijës së palindur. Të tjerë janë po aq të bindur se gratë kanë të drejtë të vendosin për trupin e vet dhe se fjala e fundit u takon vetëm atyre. Shumë veta i shohin homoseksualizmin, tradhtinë bashkëshortore dhe marrëdhëniet seksuale paramartesore si imoralitet të rëndë. Kurse të tjerë mendojnë se këto janë zgjedhje personale. Kush duhet të thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar?
2, 3. Si e shohin Biblën sot shumë njerëz?
2 Bibla siguron drejtim për çështjet e moralit dhe tregon zgjidhjen e vërtetë për problemet e krimit, të urisë dhe të ndotjes. Mirëpo, problemi është se shumica e njerëzve nuk e shohin më
Biblën si autoritet në çështje të tilla. Dikur, të paktën në botën perëndimore, Bibla ishte një libër që respektohej. Ndonëse u shkrua nga njerëzit, në të kaluarën krishterimi në përgjithësi e pranonte atë si Fjalën e Perëndisë, si një libër me përmbajtje të frymëzuar nga vetë Perëndia.3 Kurse sot është në modë të jesh skeptik për gjithçka: për zakonet, idetë, moralin, madje edhe për ekzistencën e Perëndisë. Sidomos kur bëhet fjalë për vlerën e Biblës, njerëzit i tregojnë hapur dyshimet e tyre. Duket që shumë veta mendojnë se i ka ikur koha dhe s’hyn më në punë. Në kohën tonë janë të paktë intelektualët që e shohin si Fjalën e Perëndisë. Pjesa dërrmuese e njerëzve janë në një mendje me studiuesin Xhejms Bar, i cili shkroi: «Jam i mendimit se tradita biblike është fryt i punës njerëzore. Ajo është shpallja që njeriu u bën bindjeve të tij.»1
4, 5. Pse ka shumë rëndësi të dimë nëse Bibla është frymëzuar nga Perëndia apo jo? Cili është qëllimi i këtij botimi?
4 A mendon edhe ti kështu? Sipas teje, Bibla është fjala e Perëndisë apo e njerëzve? Sido që t’i
përgjigjesh kësaj pyetjeje, mbaj parasysh një gjë: nëse Bibla nuk është fjala e Perëndisë, atëherë logjikisht s’ka zgjidhje për problemet e njerëzimit. Njerëzve s’u mbetet gjë tjetër, veçse të përçapen t’ia dalin mbanë si të munden, me shpresën që të mos vetëshkatërrohen nga helmimi ose nga një luftë bërthamore. Por, nëse Bibla është Fjala e Perëndisë, pikërisht ajo na nevojitet që t’ia dalim mbanë në këto kohë të vështira.5 Ky botim do të paraqitë prova se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë. Si botues, shpresojmë që, pasi t’i shqyrtojë ato, lexuesi të kuptojë se vetëm Bibla ofron zgjidhje të vërtetë për problemet e njerëzimit. Por si fillim, duam të paraqitim disa fakte që në vetvete e bëjnë Biblën një libër që meriton të shqyrtohet.
Libri më i shitur i të gjitha kohërave
6, 7. Cilat fakte të pazakonta rreth Biblës meritojnë vëmendjen tonë?
6 Duhet thënë që në fillim se Bibla është libri më i shitur dhe më i përhapur në gjithë historinë. Sipas përllogaritjeve më të fundit, janë shtypur mbi 4 miliardë Bibla ose pjesë të saj. Është një shifër marramendëse, së cilës nuk i është afruar asnjë libër tjetër në histori.
7 Veç kësaj, Bibla është libri më i përkthyer. Tani ajo mund të lexohet e plotë ose pjesërisht në mbi 2.287 gjuhë. Sipas Shoqërisë Biblike Amerikane, atë mund ta ketë rreth 90 për qind e popullsisë së globit. Mendo ç’përpjekje të jashtëzakonshme janë dashur për të nxjerrë kaq shumë përkthime! A ka libër tjetër që t’i jetë kushtuar një vëmendje e tillë?
Një libër që ndikon
8, 9. Si janë shprehur disa për të treguar ndikimin që ka Bibla?
8 Një enciklopedi e quan Biblën «përmbledhjen e librave që ndoshta ka ndikuar më shumë në historinë njerëzore».2 (The New Encyclopædia Britannica) Hajnrih Hajne, poet gjerman i shekullit të 19-të, pranoi: «Ndriçimin e mendjes sime ia detyroj thjesht një libri . . . Biblës. Me të drejtë quhet Shkrimet e Shenjta. Kush e ka humbur Perëndinë e tij, mund ta rigjejë në këtë libër.»3 Në të njëjtin shekull, Uilliam Sjuërdi, përkrahës i luftës kundër skllavërisë, u shpreh: «Të gjitha shpresat për përparimin e njeriut varen nga ndikimi përherë e më i madh që ushtron Bibla.»4
9 Abraham Linkolni, presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara, e quajti Biblën «dhurata më e mirë që Perëndia i ka bërë njeriut . . . Pa të nuk do të dallonim dot të mirën nga e keqja».5 Sër Uilliam Blekstouni, jurist britanik, nënvizoi ndikimin që ka Bibla kur tha: «Të gjitha ligjet njerëzore mbështeten në këto dy themele: në ligjin e natyrës dhe në ligjin e zbulesës [Biblës]; kjo do të thotë se asnjë ligj njerëzor s’duhet lejuar të bjerë ndesh me to.»6
E dashur dhe e urryer
10. Ç’forma mori kundërshtimi ndaj Biblës?
10 Në të njëjtën kohë duhet theksuar se asnjë libër tjetër nuk ka qenë shënjestër e një kundërshtimi kaq të egër dhe e një urrejtjeje kaq të madhe përgjatë historisë. Nga Mesjeta deri në shekullin e 20-të, nëpër vende publike janë djegur togje me Bibla. Kush lexonte ose shpërndante Bibla gjobitej dhe burgosej, e kjo vazhdon të ndodhë edhe në ditët tona. Gjatë shekujve të kaluar,
ata që kryenin «krime» të tilla, shpesh i torturonin dhe i vritnin.11, 12. Si e tregoi Tindali dashurinë e tij për Biblën?
11 Njëherazi, ndonëse përballë kësaj klime armiqësore, Bibla nxiti përkushtim te njerëzit. Ishin të shumtë ata që vazhduan ta lexonin, pavarësisht nga përndjekja çnjerëzore. Kështu ndodhi me Uilliam Tindalin, një anglez i shekullit të 16-të, që ndoqi studimet në Universitetin e Oksfordit dhe u bë një pedagog i respektuar në Universitetin e Kembrixhit.
12 Tindali ishte i dashuruar me Biblën. Por në ditët e tij, autoritetet fetare këmbëngulnin që Bibla të mbetej në latinisht, tashmë një gjuhë e vdekur. Kështu, ai vendosi ta përkthente në anglisht, me qëllim që bashkatdhetarët e tij të mund ta lexonin. Meqenëse kjo ishte e kundërligjshme, Tindalit iu desh të hiqte dorë nga karriera e rehatshme akademike dhe t’ia mbathte nga ishulli britanik drejt kontinentit. Ai bëri një jetë të vështirë prej të arratisuri, gjatë së cilës përktheu në gjuhën e vet Shkrimet Greke («Besëlidhja e Re») dhe disa pjesë nga Shkrimet Hebraike («Besëlidhja e Vjetër»). Megjithatë, në fund e arrestuan, e dënuan për herezi dhe e mbytën, kurse trupin ia dogjën.
13. Çfarë e bën Biblën vërtet të veçantë?
13 Tindali është vetëm një ndër gjithë ata njerëz që hoqën dorë nga gjithçka, veç të lexonin Biblën ose t’ua vinin në dispozicion të tjerëve. Asnjë libër tjetër nuk u ka dhënë një guxim të tillë kaq shumë njerëzve të thjeshtë. Në këtë kuptim, Bibla është vërtet një libër i pashoq.
Pohojnë se është Fjala e Perëndisë
14, 15. Cilin pohim kanë bërë shpeshherë shkrimtarët e Biblës?
14 Gjithashtu, Biblën e bën të veçantë edhe pohimi i shumë shkrimtarëve të saj. Mbretër, barinj, peshkatarë, nëpunës, priftërinj, të paktën një gjeneral dhe një mjek—40 burra—shkruan libra të ndryshëm të Biblës. Herë pas here ata pohuan të njëjtën gjë: nuk po shkruanin mendimet e tyre, por ato të Perëndisë.
15 Ja pse në Bibël shpesh lexojmë shprehje si: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time» ose «Kështu thotë Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive». (2 Samuelit 23:2; Isaia 22:15) Në një letër drejtuar një shokut të tij, ungjillëzues si ai, apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2 Timoteut 3:16, 17.
16. Cilave pyetje u përgjigjet Bibla?
16 Përderisa Bibla thotë se është Fjala e Perëndisë dhe jo e njerëzve, ajo u jep përgjigje pyetjeve që vetëm Perëndia mund t’u përgjigjet. Për shembull, shpjegon pse qeveritë njerëzore nuk kanë mundur të sjellin paqe të qëndrueshme; si mund të gjejmë
kënaqësi më të madhe në jetë dhe ç’e ardhme e pret tokën dhe njerëzimin. Mbase pyetje të tilla dhe të tjera si këto i ke çuar nëpër mend shumë herë. Atëherë pse të mos marrësh parasysh mundësinë që Bibla është Fjala e Perëndisë dhe se vetëm ajo mund të japë përgjigje të besueshme?17, 18. (a) Ç’akuza të bëra kundër Biblës trajtohen në këtë libër? (b) Për çfarë tjetër do të flitet?
17 Të nxitim t’i shqyrtosh me kujdes provat e paraqitura në këtë libër. Në disa kapituj do të trajtohen kritikat e bëra shpesh për Biblën. A bie ndesh Bibla me shkencën? A është kontradiktore? A përmban histori të vërteta apo vetëm mite? A kanë ndodhur vërtet mrekullitë që lexojmë në Bibël? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, paraqiten prova të logjikshme. Më pas trajtohen prova bindëse që tregojnë se Bibla ka ardhur nga një burim hyjnor. Ndër to janë profecitë, mençuria e saj e thellë dhe ndikimi i madh që ka në jetën e njerëzve. Në fund, do të shohim ç’ndikim mund të ketë Bibla në jetën tënde.
18 Por, si erdhi Bibla? Pikërisht këtë do të trajtojmë në fillim. Edhe vetë historiku i këtij libri të mahnitshëm provon se nuk ka ardhur aspak nga njerëzit.
[Pyetjet]
[Figuar që zë gjithë faqen 4]
[Figura në faqen 6]
Bibla është libri më i përkthyer dhe më i përhapur në gjithë historinë
[Figura në faqen 9]
Siç tregohet edhe në këtë gravurë të shekullit të 15-të, shumë njerëz u dogjën të gjallë se kishin kryer «krim» duke lexuar Biblën
[Figura në faqen 11]
Shkrimtarët e Biblës pohuan se ishin frymëzuar nga Perëndia