Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka një qëllim jeta?

A ka një qëllim jeta?

Pjesa 1

A ka një qëllim jeta?

1. Ç ’pyetje bëhet shpesh për qëllimin e jetës dhe ç’komentoi një njeri mbi të?

Herët a vonë, pothuajse gjithkush pyet veten për qëllimin e jetës. A është vallë qëllimi që të punojmë shumë për të përmirësuar kushtet e jetesës, që të kujdesemi për familjen tonë, që të vdesim pas nja 70 apo 80 vjetësh dhe që të mosekzistojmë më përgjithmonë? Një i ri që mendonte kështu, tha se s’ka asnjë qëllim tjetër në jetë, përveç «që të jetojmë, të bëjmë fëmijë, të jemi të lumtur dhe pastaj të vdesim». Por, a është e vërtetë kjo? Dhe a është vdekja fundi i gjithë aktivitetit?

2, 3. Përse grumbullimi i pasurisë materiale nuk mjafton për t’i dhënë një qëllim jetës?

2 Shumë njerëz në vendet e lindjes dhe të perëndimit mendojnë se qëllimi kryesor në jetë është që të grumbullojnë pasuri materiale. Besojnë se kjo mund të shkaktojë një jetë domethënëse dhe të lumtur. Por, si është gjendja e njerëzve që tashmë kanë pasuri materiale? Shkrimtari kanadez, Harry Bruce, tha: «Një numër i çuditshëm njerëzish të pasur këmbëngulin që nuk janë të lumtur.» Ai shtoi: «Analizat nënkuptojnë se një pesimizëm i tmerrshëm ka infektuar Amerikën Veriore . . . A ka ndonjë të lumtur në këtë botë? Nëse po, cili është sekreti?»

3 Ish-presidenti i Sh.B.A., Jimmy Carter deklaroi: «Kemi zbuluar se edhe pse zotërojmë dhe konsumojmë sende, kjo nuk e kënaq dëshirën tonë për të pasur kuptim. . . . Grumbullimi i të mirave materiale nuk mund të mbushë zbrazëtirën e jetërave që s’kanë as besim, as qëllim.» Dhe një udhëheqës tjetër politik tha: «Për shumë vjet po angazhohem në një kërkim intensiv për të vërtetën mbi veten dhe mbi jetën time; edhe shumë njerëz të tjerë që i njoh po bëjnë të njëjtën gjë. Tani më shumë se kurrë, shumë njerëz po pyesin: ‛Kush jemi?’ ‛Cili është qëllimi ynë?’

Kushtet janë më të vështira

4. Përse disa dyshojnë se jeta ka një qëllim?

4 Kur shikojnë se kushtet e jetës janë bërë më të vështira, shumë veta dyshojnë se jeta ka një qëllim. Nëpër botë, më shumë se një miliard veta vuajnë nga sëmundje serioze apo nga të ushqyerit e keq. Vetëm në Afrikë, çdo vit vdesin afro 10 milion fëmijë për shkaqe të tilla. Popullsia e Tokës, që po i afrohet gjashtë miliardëve, vazhdon të rritet me më shumë se 90 milion çdo vit, 90 përqind e tyre janë në vendet në zhvillim. Me rritjen e vazhdueshme të popullsisë shtohen nevojat për ushqim, strehim dhe industri, të cilat dëmtojnë tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja industriale dhe ndotje të tjera.

5. Ç ’po ndodh me bimësinë në tokë?

5 Botimi World Military and Social Expenditures 1991 raporton: «Çdo vit, një zonë pyjore e barabartë me sipërfaqen e [Britanisë së Madhe] shkatërrohet. Me shpejtësinë e sotme (të shpyllëzimit), deri në vitin 2000 do të kemi zhdukur 65 përqind të pyjeve në zonat e lagura tropikale.» Sipas një agjencie të OKB-së, për çdo pemë të mbjellë, priten 10; në Afrikë, përpjesëtimi është 20 me 1. Pra, zonat e shkretuara rriten, ndërsa çdo vit një zonë e barabartë me madhësinë e Belgjikës del jashtë përdorimit bujqësor.

6, 7. Cilat janë disa prej problemeve që udhëheqësit njerëzorë nuk mund t’i zgjidhin dhe cilat pyetje kërkojnë përgjigje?

6 Gjithashtu, në këtë shekull të 20-të, vdekja për shkak të luftërave është katërfishuar në krahasim me 400 vjetët e mëparshëm të marrë së bashku. Kudo ka rritje të krimeve, veçanërisht të krimeve të ashpra. Prishja e familjes, abuzimi i drogave, SIDA, sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale, bashkë me faktorë të tjerë negativë po e bëjnë më të vështirë jetën. Edhe udhëheqësit botërorë nuk kanë mundur t’i zgjidhin problemet e shumta që po plagosin familjen njerëzore. Pra, me të drejtë njerëzit pyesin: «Cili është qëllimi i jetës?»

7 Si i janë përgjigjur kësaj pyetjeje dijetarët dhe udhëheqësit fetarë? A kanë dhënë një përgjigje të kënaqshme pas gjithë këtyre shekujve?

Ajo që thonë ata

8, 9. (a) Çfarë tha një dijetar kinez për qëllimin e jetës? (b) Çfarë deklaroi një i mbijetuar nga kampi nazist i vdekjes?

8 Dijetari konfucist, Tu-Wej-Ming, tha: «Kuptimi themelor i jetës gjendet në ekzistencën tonë njerëzore të zakonshme.» Sipas kësaj pikëpamjeje, njerëzit do të vazhdonin të lindnin, do të luftonin për ekzistencë dhe do të vdisnin. Një perspektivë e tillë nuk ofron shumë shpresë. Madje, a është e vërtetë ajo?

9 Elie Wiesel, që mbijetoi nga kampet naziste të vdekjes, gjatë luftës së dytë botërore, vuri re: «Pyetja më e rëndësishme me të cilën duhet të ballafaqohet një qenie njerëzore është: ‘Përse jemi këtu? ’ . . . Pavarësisht nga vdekjet e pakuptimshme që kam parë, besoj se jeta ka kuptim.» Por, ai nuk mundi të thoshte cili ishte qëllimi i jetës.

10, 11. (a) Si ka treguar një redaktor se njeriu nuk i ka përgjigjet? (b) Përse pikëpamja e një shkencëtari evolucionist nuk na kënaq?

10 Redaktori, Vermont Royster, theksoi: «Duke soditur vetë njeriun, . . . vendin e tij në gjithësi, nuk kemi përparuar shumë qysh nga fillimi i kohës. Akoma mbeten pyetjet se kush jemi, përse jemi dhe ku po shkojmë.»

11 Shkencëtari evolucionist, Stephen Jay Gould, vuri re: «Ndoshta dëshirojmë një përgjigje ‘më të lartë’—por, nuk ekziston asnjë.» Për evolucionistë të tillë, jeta është një luftë për mbijetesën e më të fortëve, vdekja i jep fund çdo gjëje. Edhe në këtë pikëpamje s’ka asnjë shpresë. Dhe përsëri, a është ajo e vërtetë?

12, 13. Cilat janë pikëpamjet e udhëheqësve fetarë dhe a janë ato më të kënaqshme sesa ato të vëzhguesve jofetarë?

12 Shumë udhëheqës fetarë thonë se qëllimi i jetës është që të jetojmë mirë, në mënyrë që pas vdekjes, shpirti i një njeriu të mund të shkojë në qiell dhe të kalojë atje përjetësinë. Alternativa që ofrohet për njerëzit e këqij është tortura e përhershme në zjarrin e ferrit. Megjithatë, sipas këtij besimi, në tokë do të vazhdojë e njëjta ekzistencë e pakënaqshme që ka mbizotëruar gjatë gjithë historisë. Por, nëse qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzit të jetonin në qiell si engjëj, përse nuk i krijoi ashtu fillimisht, siç bëri engjëjt?

13 Edhe klerikët kanë vështirësi në pikëpamje të tilla. Përgjegjësi ish-klerik i Katedrales së Shën Pavlit në Londër, dr. W. R. Inge një herë tha: «Gjatë gjithë jetës sime kam luftuar për të gjetur qëllimin e jetës. Jam përpjekur t’u përgjigjem tri problemeve që gjithnjë më janë dukur themelore: problemit të përjetësisë; problemit të personalitetit njerëzor; dhe problemit të ligësisë. Kam dështuar. S’kam zgjidhur asnjë prej tyre.»

Pasoja

14, 15. Si ndikojnë tek shumë njerëz pikëpamjet kontradiktore?

14 Kush është pasoja e shumë ideve të ndryshme prej dijetarëve dhe udhëheqësve fetarë mbi pyetjen për qëllimin e jetës? Shumëkush përgjigjet si një burrë i moshuar i cili tha: «Gjatë pjesës më të madhe të jetës sime kam pyetur veten përse jam këtu. Edhe nëse ka një qëllim, nuk më intereson më.»

15 Shumë njerëz që vërejnë përhapjen e madhe të pikëpamjeve midis feve të botës, nxjerrin si përfundim se s’ka rëndësi se çfarë beson njeriu. Mendojnë se feja është vetëm një dëfrim mendor, diçka që mund të na sigurojë pak paqe mendore dhe ngushëllim për t’i bërë ballë problemeve të jetës. Të tjerë mendojnë se feja s’është gjë tjetër veçse një bestytni. Mendojnë se për shekuj me radhë spekulimi fetar s’i është përgjigjur pyetjes mbi qëllimin e jetës dhe as e ka përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm. Me të vërtetë, historia tregon se fetë e kësaj bote shpesh e kanë penguar përparimin e njerëzimit dhe kanë shkaktuar urrejtje dhe luftëra.

16. Sa i rëndësishëm mund të jetë zbulimi i qëllimit të jetës?

16 Megjithatë, a është e rëndësishme që të zbulojmë të vërtetën mbi qëllimin e jetës? Viktor Frank, profesionist në fushën e sëmundjeve mendore u përgjigj: «Përpjekja për të gjetur një kuptim në jetë është forca primare motivuese e njeriut. . . . Do të thoshja se s’ka asgjë në botë që mund ta ndihmojë njeriun aq efektivisht për të mbijetuar edhe në kushtet më të vështira, sesa njohuria që jeta e tij ka një kuptim.»

17. Cilat pyetje duhet të bëjmë tani?

17 Meqenëse filozofitë njerëzore dhe fetë nuk kanë shpjeguar në mënyrë të kënaqshme se cili është qëllimi i jetës, ku mund të kthehemi për ta zbuluar? A ka ndonjë burim më të lartë mençurie që mund të na thotë të vërtetën mbi këtë çështje?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 4]

«Çdo vit, një zonë pyjore e barabartë me sipërfaqen e [Britanisë së Madhe] shkatërrohet.»

[Figura në faqen 5]

«Gjatë pjesës më të madhe të jetës sime kam pyetur veten përse jam këtu»