Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burimi i vetëm i mençurisë më të lartë

Burimi i vetëm i mençurisë më të lartë

Pjesa 3

Burimi i vetëm i mençurisë më të lartë

1, 2. Përse duhet të shqyrtojmë Biblën?

1 A është Bibla dokumenti i kësaj mençurie më të lartë? A mund t’u përgjigjet në të vërtetë pyetjeve lidhur me qëllimin e jetës?

2 Sigurisht, Bibla meriton shqyrtimin tonë. Njërën prej arsyeve e gjejmë në faktin se është libri më i pazakonshëm që është hartuar, shumë i ndryshëm nga çdo libër tjetër. Shqyrto faktet që vijojnë.

Më i vjetri dhe më i përhapuri

3, 4. Sa e vjetër është Bibla?

3 Bibla është libri më i vjetër që është shkruar. Disa pjesë të saj u shkruan rreth 3.500 vjet më parë. Bibla është libri më i vjetër në krahasim me çdo libër tjetër që mbahet si i shenjtë. I pari nga të 66 librat që e përbëjnë atë, u shkrua rreth një mijë vjet para Budës dhe Konfucit dhe dy mijë vjet përpara Muhametit.

4 Historia e regjistruar në Bibël kthehet prapa deri në fillimin e familjes njerëzore dhe shpjegon se si kemi ardhur këtu në tokë. Madje na çon prapa deri në kohën para krijimit të njeriut, duke na dhënë fakte mbi formimin e tokës.

5. Sa dorëshkrime të hershme biblike ekzistojnë, në krahasim me shkrimet e lashta shekullore?

5 Libra të tjerë fetarë dhe jofetarë, kanë vetëm pak kopje të dorëshkrimeve të tyre që akoma ekzistojnë. Ekzistojnë rreth 13.000 kopje të Biblës apo të pjesëve të saj të shkruara në hebraisht dhe greqisht, disa prej të cilave janë afër kohës së shkrimeve origjinale. Edhe pse kanë pësuar sulmet me të tërbuara e të përqendruara që mund të përfytyrojmë për të shkatërruar Biblën, ato kanë mbijetuar.

6. Çfarë shpërndarje të gjerë ka pasur Bibla?

6 Gjithashtu, me një diferencë të madhe, Bibla është libri më i shpërndarë gjatë historisë. Rreth tre miliardë Bibla apo pjesë të saj janë shpërndarë në dy mijë gjuhë. Thuhet se 98 përqind e familjes njerëzore e kanë Biblën në gjuhën e vet. Asnjë libër tjetër nuk i afrohet këtij tirazhi.

7. Çfarë mund të thuhet për saktësinë e Biblës?

7 Veç kësaj, asnjë libër tjetër i vjetër nuk krahasohet me Biblën për saktësi. Shkencëtarë, historianë, arkeologë, gjeografë, gjuhëtarë dhe të tjerë vërtetojnë vazhdimisht historitë e Biblës.

Saktësi shkencore

8. Sa e saktë është Bibla në çështjet shkencore?

8 Për shembull, edhe pse Bibla nuk u shkrua si një libër shkencor, ajo përputhet me shkencën e vërtetë kur trajton çështje shkencore. Por, libra të tjerë të vjetër që mbahen si të shenjtë përmbajnë mite shkencore, pasaktësi dhe gënjeshtra në kuptimin e vërtetë të fjalës. Vërej vetëm katër prej shembujve të shumtë të saktësisë shkencore të Biblës.

9, 10. Në vend se të pasqyronte idetë antishkencore të kohës së saj, çfarë thoshte Bibla për mbështetjen e tokës?

9 Si mbahet toka në hapësirë. Në kohë të lashta, kur Bibla po shkruhej, kishte mjaft hamendje mbi mënyrën se si qëndronte toka në hapësirë. Disa besonin se toka mbahej nga katër elefantë që qëndronin mbi një breshkë të madhe deti. Aristoteli, një filozof dhe shkencëtar grek i shekullit të katërt p.e.s., mësonte se toka nuk mund të varej kurrë në hapësirë boshe. Përkundrazi, ai mësonte se trupat qiellore gjendeshin të fiksuar mbi sipërfaqen e disa sferave të forta të tejdukshme, ku secila sferë ndodhej brenda sferës tjetër, toka gjendej në sferën më të brendshme dhe sfera më e jashtme mbante yjet.

10 Megjithatë, në vend se të pasqyronte idetë imagjinare dhe antishkencore që ekzistonin në kohën kur u shkrua, Bibla në mënyrë të thjeshtë deklaroi (rreth vitit 1473 p.e.s.): «[Perëndia] e var tokën mbi asgjë.» (Jobi 26:7, BR) Në hebraishten origjinale, fjala «asgjë» e përdorur këtu, do të thotë «asnjë gjë» dhe është e vetmja herë ku ndodhet në Bibël. Kuadri i një toke të rrethuar nga hapësira boshe, që ajo paraqet, pranohet nga dijetarët si një parashikim i shquar për kohën e saj. Libri i fjalëve teologjike të Besëlidhjes së Vjetër (The Theological Wordbook of the Old Testament) thotë: «Jobi 26:7 paraqet në mënyrë të habitshme botën e njohur në atë kohë si të varur në hapësirë, duke i paraprirë zbulimit të ardhshëm shkencor.»

11, 12. Kur e kuptuan njerëzit vërtetësinë e fjalëve të shkruara tek Jobi 26:7?

11 Deklarata e saktë e Biblës u bë më shumë se 1.100 vjet para Aristotelit. Megjithatë, pikëpamjet e Aristotelit vazhduan të mësoheshin si fakte për 2.000 vjet pas vdekjes së tij! Më në fund, në vitin 1687 të e.s., Isak Njutoni botoi zbulimet e tij se toka mbahej në hapësirë nga forca e gravitetit në lidhje me trupa të tjerë qiellorë. Por, kjo ndodhi gati 3.200 vjet pasi Bibla kishte deklaruar me thjeshtësi elegante se toka varet «mbi asgjë.»

12 Po, ka gati 3.500 vjet që Bibla tha saktësisht se toka s’ka asnjë mbështetje të dukshme, një fakt që përputhet me ligjet e gravitetit dhe të lëvizjes që u kuptuan kohët e fundit. «Si e dinte të vërtetën Jobi,—tha një dijetar,—është një pyetje që nuk zgjidhet lehtë prej atyre që mohojnë frymëzimin e Shkrimeve të Shenjta.»

13. Çfarë mendonin njerëzit në lidhje me formën e tokës shekuj më parë dhe çfarë i bëri ata të ndryshojnë mendimin?

13 Forma e tokës. Enciklopedia Amerikane (The American Encyclopedia) thotë: «Përfytyrimi më i vjetër që njihej prej njerëzve është që toka ishte një platformë e sheshtë dhe e ngurtë në qendër të universit. . . . Koncepti i një toke sferike nuk u pranua gjerësisht deri në periudhën e Rilindjes [evropiane].» Disa lundërtarë të vjetër kishin frikë madje se mos lundronin përtej buzës së tokës së sheshtë. Por më vonë, futja e busullës dhe përparime të tjera bënë të mundur udhëtime më të gjata oqeanike. Këto «udhëtime zbulimi,—shpjegon një tjetër enciklopedi,—treguan se toka ishte e rrumbullakët dhe jo e sheshtë, siç besonte shumica e njerëzve».

14. Si e përshkruante Bibla formën e tokës dhe kur?

14 Megjithatë, shumë më parë se këto udhëtime, rreth 2.700 vjet më parë, Bibla thoshte: «Është Dikush që banon mbi rrethin e tokës.» (Isaia 40:22, BR) Fjala hebreje e përkthyer këtu «rreth», mund të nënkuptojë edhe «sferë», siç tregojnë vepra të ndryshme referimi. Prandaj, versione të tjera të Biblës e përkthejnë «globi i tokës» (Douay Version) dhe «toka e rrumbullakët».—Moffat.

15. Përse Bibla nuk u ndikua nga idetë antishkencore në lidhje me tokën?

15 Kështu, Bibla nuk pësoi ndikime prej ideve antishkencore të zakonshme për atë kohë, në lidhje me mbështetjen e tokës dhe formën e saj. Arsyeja është e thjeshtë: Autori i Biblës është Krijuesi i universit. Ai e krijoi tokën, prandaj duhet të dijë se ku varet dhe çfarë forme ka. Prandaj, pasi e frymëzoi Biblën, bëri të mundur që aty të mos hynte asnjë mendim antishkencor, edhe pse mund të ishte një besim i zakonshëm në atë kohë.

16. Në ç’mënyrë ndërtimi i organizmave të gjalla përputhet me deklaratën e Biblës?

16 Përbërja e gjallesave. Zanafilla 2:7 deklaron: «Perëndia Jehova vazhdoi të formonte njeriun prej pluhurit të tokës» (BR). The World Book Encyclopedia thotë: «Të gjithë elementet kimike që janë përbërëse të gjallesave janë të pranishëm gjithashtu, edhe në substancat jo të gjalla.» Pra, të gjithë përbërësit themelorë kimikë të organizmave të gjallë, duke përfshirë edhe njeriun, gjenden edhe në tokë. Kjo përputhet me deklaratën biblike që identifikon substancën e përdorur nga Perëndia në krijmin e njerëzve dhe të gjitha gjallesave të tjera.

17. Si qëndron e vërteta në lidhje me mënyrën se si organizmat e gjallë erdhën në ekzistencë?

17 «Sipas llojeve të tyre.» Bibla pohon se Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor dhe prej tyre rrodhën të gjithë njerëzit e tjerë. (Zanafilla 1:26-28; 3:20) Ajo thotë se me të gjitha gjallesat e tjera si peshqit, zogjtë dhe gjitarët, ndodhi e njëjta gjë, rrodhën «sipas llojeve të tyre.» (Zanafilla 1:11, 12, 21, 24, 25) Pikërisht, këtë gjë kanë zbuluar edhe shkencëtarët në krijesat natyrore, që çdo gjë e gjallë rrjedh prej një prindi të të njëjtit lloj. Nuk ka asnjë përjashtim. Në lidhje me këtë, fizikanti Rajmo vëren: «Jeta bën jetë; kjo ndodh gjithnjë në çdo qelizë. Por, si filloi jeta nga diçka pa jetë? Kjo është një nga pyetjet më të mëdha të pazgjidhura të biologjisë dhe deri tani biologët mund të ofrojnë vetëm hamendje të trilluara. Në një mënyrë a në një tjetër, substanca e pajetë arriti të krijohej në mënyrë të gjallë. . . . Autori i Zanafillës, në fund të fundit, mund të ketë të drejtë.»

Saktësi historike

18. Çfarë tha një avokat në lidhje me saktësinë historike të Biblës?

18 Për më tepër, mes gjithë librave ekzistues, Bibla përmban historinë e vjetër më të saktë. Libri Një avokat shqyrton Biblën (A Lawyer Examines the Bible) e nënvizon saktësinë historike kështu: «Ndërsa romanet, legjendat dhe dëshmitë e rreme vendosin me kujdes ngjarje të lidhura në ndonjë vend të largët dhe në kohë të pacaktuar, duke shkelur kështu ligjet e para që ne avokatët i mësojmë si mbrojtje të mirë, sipas të cilave ‛deklarata duhet të japë kohën dhe vendin’, historitë e Biblës na japin datën dhe vendin e gjërave të lidhura më përpikmërinë më të madhe.»

19. Si i komentoi një burim hollësirat historike të Biblës?

19 Fjalori i ri i Biblës (The New Bible Dictionary) komenton: «[Shkrimtari i Veprave] vendos historinë e tij në kuadrin e historisë bashkëkohore; faqet e librit të tij janë plot me referime për gjykatës qytetesh, qeveritarë provincash, mbretër dhe gjëra të ngjashme dhe këto referime herë pas here provojnë se janë të drejta për vendin dhe kohën në fjalë.»

20, 21. Çfarë tha një dijetar për historitë e Biblës?

20 Duke shkruar në The Union Bible Companion, Austin Allibone tha: «Isak Njutoni . . . ishte një kritik i shquar i shkrimeve të vjetra dhe shqyrtoi me kujdes të madh Shkrimet e Shenjta. Cili është gjykimi i tij në këtë pikë? ‛Unë,—tha ai,—gjej shenja më të sigurta në Besëlidhjen e Re, sesa në çfarëdo lloj histori tjetër botërore.’ Dr. Johnson thotë se kemi më tepër prova që Jezu Krishti vdiq mbi Kalvar, siç pohojnë Ungjijtë, se për Jul Çesarin që vdiq në Kampidolio. Në të vërtetë kemi shumë më tepër.»

21 Po ky burim shton: «Pyesni cilindo që pohon se dyshon në vërtetësinë e historisë së Ungjijve, se çfarë arsye ka për të besuar që Çesari ka vdekur në Kampidolio ose që në vitin 800 Karli i Madh është kurorëzuar perandor i Perëndimit nga Papa Leone III. Si e dini se një njeri i quajtur Karli I [i Anglisë] ka jetuar, se i është prerë koka dhe se në vend të tij u ngjit në pushtet Oliver Kromuelli? . . . Isak Njutonit i njihet zbulimi i ligjit të gravitetit . . . Të gjitha pohimeve të sapo bëra mbi këta njerëz u besojmë; u besojmë sepse kemi dëshmi historike të vërtetësisë së tyre. . . . Nëse dikush, përballë provave të këtij lloji nuk do të besonte akoma, do ta linim, duke e gjykuar si një njeri marrëzisht këmbëngulës dhe injorant të pandreqshëm.»

22. Përse disa nuk pranojnë të njohin autentitetin e Biblës?

22 Prandaj ky burim përfundon, duke thënë: «Ç’duhet të themi, pra, për ata që me gjithë provat e bollshme që janë paraqitur tashmë mbi vërtetësinë e Shkrimeve të Shenjta, vazhdojnë të jenë skeptikë? . . . Sigurisht, kemi të drejtë të nxjerrim përfundimin se fajin e ka më shumë zemra sesa mendja; nuk duan t’i besojnë asaj që përul krenarinë e tyre dhe që do t’i detyronte të bënin një jetë të ndryshme.»

Harmoni e brendshme dhe sinqeritet

23, 24. Përse është kaq e pazakontë harmonia e brendshme e Biblës?

23 Ta zëmë se shkrimi i një libri ka filluar në kohën e Perandorisë Romake, se ka vazhduar gjatë gjithë mesjetës dhe se ka përfunduar në shekullin e 20-të me bashkëpunimin e shumë autorëve të ndryshëm. Çfarë rezultati do të prisje nëse shkrimtarët do të kishin bërë punë kaq të ndryshme si ushtar, mbret, prift, peshkatar, bari dhe mjek? A do të pretendoje që libri të kishte harmoni dhe koherencë? «Si zor është!»—mund të thuash. Ja pra, Bibla ishte shkruar në këto kushte. Megjithatë, është në harmoni nga fillimi deri në fund, jo vetëm në konceptet e përgjithshme, por gjithashtu edhe në gjërat më të hollësishme.

24 Bibla është një koleksion prej 66 librash që u shkruan në një periudhë prej 1.600 vitesh, nga 40 shkrimtarë të ndryshëm, duke filluar në vitin 1513 p.e.s. dhe duke përfunduar në vitin 98 e.s. Shkrimtarët vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe shumica e tyre nuk pati lidhje me shkrimtarët e tjerë. Megjithatë, libri ndjek nga fillimi në fund një temë qendrore, koherente, si të ishte shkruar nga një mendje e vetme. Dhe në kundërshtim me besimet e disave, Bibla nuk është vepër e civilizimit perëndimor, por është shkruar nga orientalët.

25. Cilin pohim të shkrimtarëve të Biblës mbështet ndershmëria e Biblës?

25 Ndërkohë që shumica e shkrimtarëve të lashtë raportonin vetëm sukseset dhe meritat e tyre, shkrimtarët e Biblës në mënyrë të hapur pohuan vetë gabimet e tyre, si edhe të metat e mbretërve dhe udhëheqësve të tyre. Numrat 20:1-13 dhe Ligji i përtërirë 32:50-52 shënojnë të metat e Moisiut, i cili vetë i shkroi këto libra. Në Jonai 1:1-3 dhe 4:1 lexojmë për të metat e Jonës, i cili vetë i shkroi këto tregime. Në Mateun 17:18-20; 18:1-6; 20:20-28 dhe 26:56 tregohen cilësitë e dobëta të treguara nga dishepujt e Jezuit. Kështu, ndershmëria dhe sinqeriteti i shkrimtarëve të Biblës mbështet pohimin e tyre se janë të frymëzuar nga Perëndia.

Tipari i saj më i dallueshëm

26, 27. Përse Bibla është kaq e saktë në lidhje me shkencën dhe me çështje të tjera?

26 Vetë Bibla zbulon arsyet se përse është kaq e saktë në aspektin shkencor, historik e në shumë aspekte të tjera dhe se përse është kaq e harmonishme dhe e ndershme. Ajo tregon se Autor i Biblës është Qenia Supreme, Perëndia i gjithëfuqishëm, Krijuesi i universit. Njerëzit ishin thjesht mjeti që ai përdori për të shkruar Biblën, duke i shtyrë me frymën e tij, me forcën e tij vepruese, të hidhnin me shkrim atë që ai i frymëzoi të shkruanin.

27 Në Bibël, apostulli Pavël tha: «I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, qortuar, ndrequr, për të disiplinuar në drejtësi, me qëllim që njeriu i Perëndisë të jetë plotësisht i aftë, tërësisht i përgatitur për çdo vepër të mirë.» (BR) Apostulli Pavël, gjithashtu tha: «Kur e morët fjalën e Perëndisë, që dëgjuat prej nesh, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.»—2. Timoteut 3:16, 17; 1. Selanikasve 2:13 (BR).

28. Nga ka ardhur atëherë Bibla?

28 Kështu, Bibla ka ardhur nga mendja e një Autori—Perëndisë. Dhe duke marrë parasysh fuqinë e tij të pakrahasueshme ishte e thjeshtë për të që të bënte një gjë të tillë, në mënyrë që integriteti i asaj që ishte shkruar të ruhej deri në ditët e sotme. Për këtë, Frederik Kenyon, një autoritet kryesor i dorëshkrimeve të Biblës, në 1940-ën tha: «Themeli i fundit për çdo dyshim se Shkrimet janë ruajtur fuqimisht siç i shkruan ata, tashmë është eliminuar.»

29. Si mund ta ilustrojmë aftësinë e Perëndisë për të komunikuar?

29 Njerëzit janë të aftë për të dërguar sinjalet e radios dhe të televizorit nga mijëra kilometra largësi, bile edhe nga hëna. Sondat kozmike kanë dërguar në tokë informacione dhe pamje nga planetet që janë rreth qindra milionë kilometra larg saj. Sigurisht Krijuesi i njeriut, Krijuesi i valëve të radios mund të bënte të paktën kaq. Në të vërtetë ishte diçka e thjeshtë për të që të përdorte fuqinë e tij për të transmetuar fjalët dhe vizionet në mendjet e atyre që ai zgjodhi për të shkruar Biblën.

30. A dëshiron Perëndia që njerëzit ta zbulojnë qëllimin e tij për ta?

30 Përveç kësaj, flitet për shumë gjëra mbi tokën dhe jetën në të, që dëshmojnë për interesin e Perëndisë për njerëzimin. Prandaj, është e kuptueshme se ai dëshiron t’i ndihmojë njerëzit për të kuptuar kush është ai dhe cili është qëllimi i tij për ta, duke i shprehur qartë këto gjëra në një libër—në një dokument të përhershëm.

31. Përse një mesazh i frymëzuar që është regjistruar, ka një epërsi më të madhe sesa ai që kalon brez pas brezi gojarisht?

31 Mendo gjithashtu edhe epërsinë e një libri, Autor i të cilit është Perëndia, të krahasuar me informacione të transmetuara gojarisht nga njerëzit. Një lajm i transmetuar gojarisht nuk mund të jetë i besueshëm, sepse njerëzit mund ta interpretojnë ndryshe dhe pas një kohe kuptimi i tij do të shtrembërohej. Ata mund ta ritransmetojnë informacionin me fjalë të thëna sipas pikëpamjes së tyre. Megjithatë, frymëzimi hyjnor i përhershëm, i shkruar, ka shumë më pak mundësi për të pasur gabime. Gjithashtu, një libër mund të ribotohet dhe të përkthehet, në mënyrë që njerëzit që flasin gjuhë të ndryshme të mund të përfitojnë prej tij. Pra, a nuk është e arsyeshme që Krijuesi ynë ka përdorur mënyra të tilla për të siguruar informacionet e duhura? Në të vërtetë, është shumë e arsyeshme përderisa Krijuesi thotë se kjo është ajo që ka bërë.

Profeci të përmbushura

32-34. Ç’gjë përmban Bibla që nuk e kanë librat e tjerë?

32 Përveç kësaj, Bibla ka shenjën e veçantë të frymëzimit hyjnor në një mënyrë të dukshme: Ajo është një libër me profeci, të cilat janë përmbushur dhe vazhdojnë të përmbushen në mënyrë të pagabueshme.

33 Për shembull, shkatërrimi i Tirit të lashtë, rënia e Babilonisë, rindërtimi i Jeruzalemit si dhe ngritja dhe rënia e mbretërve medo-persë dhe atyre grekë qenë parathënë nga Bibla vite më parë në mënyrë shumë të hollësishme. Profecitë ishin kaq të sakta, sa disa kritikë pa dobi u përpoqën të thonin se ishin shkruar pas plotësimit të tyre.—Isaia 13:17-19; 44:27—45:1; Ezekieli 26:3-6; Danieli 8:1-7, 20-22.

34 Profecitë e Jezuit mbi shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 të e.s., u plotësuan me saktësi. (Luka 19:41-44; 21:20, 21) Edhe profecitë mbi «ditët e fundit», të thëna prej Jezuit dhe apostullit Pavël, po plotësohen në hollësirat më të vogla, pikërisht në kohën tonë.—Mateu 24; Marku 13; Luka 21; 2. Timoteut 3:1-5, 13.

35. Përse profecia biblike mund të vijë vetëm nga Krijuesi?

35 Asnjë mendje njerëzore inteligjente nuk mund të parathoshte ngjarje të ardhshme me kaq saktësi. Vetëm mendja e Krijuesit të gjithëfuqishëm dhe të gjithëditur të universit, mund t’i parathoshte, siç lexojmë në 2. Pjetrit 1:20, 21: «Asnjë profeci e Shkrimeve nuk lindi nga një interpretim privat. Sepse profecia nuk erdhi kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit folën prej Perëndisë, ndërsa shtyheshin nga fryma e shenjtë.»

Ajo të jep përgjigje

36. Çfarë na tregon Bibla?

36 Kështu, në shumë mënyra, Bibla dëshmon se është Fjala e frymëzuar e Qenies Supreme. Si e tillë, ajo na tregon përse njerëzit janë mbi tokë, përse ka kaq shumë vuajtje, për ku jemi drejtuar dhe se si kushtet do të ndryshojnë për mirë. Ajo na bën të ditur se ekziston një Perëndi i fuqishëm i cili i krijoi njerëzit dhe tokën për një qëllim dhe se qëllimi i tij do të plotësohet. (Isaia 14:24) Gjithashtu, Bibla na bën të ditur se cila është feja e vërtetë dhe si mund ta gjejmë atë. Për këtë arsye, ajo është burimi i vetëm i mençurisë hyjnore që mund të na thotë të vërtetën mbi pikëpyetje të mëdha të jetës.—Psalmi 146:3; Proverbat 3:5; Isaia 2:2-4.

37. Çfarë duhet të kërkojmë në lidhjë me krishterimin?

37 Edhe pse ekzistojnë prova të mjaftueshme të vërtetësisë dhe të autentitetit të Biblës, a i ndjekin mësimet e saj të gjithë ata që e pranojnë atë? Shqyrto, për shembull, kombet që pohojnë se praktikojnë krishterimin dhe që njihen si të ashtuquajtur të krishterë. Për shekuj me radhë ata e kanë pasur Biblën. Por, mënyrat e tyre të të menduarit dhe veprat e tyre, a e pasqyrojnë me të vërtetë diturinë superiore të Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 11]

Isaak Newton besonte se toka mbahej në hapësirë në lidhje me objektet e tjera në saje të gravitetit

Përshkrimi që paraqet Bibla për një tokë të rrethuar nga një hapësirë e zbrazët, njihet nga dijetarët si një parashikim i shquar për atë kohë

[Figura në faqen 12]

Disa lundërtarë kishin frikë se mos drejtonin anijen në buzë të tokës së rrafshët

[Figura në faqen 13]

Ekzistojnë më shumë prova për ekzistencën e Jezu Krishtit sesa për atë të Jul Çesarit, Perandorit Karli i Madh, Papa Leones III apo Oliver Kromuellit

[Figura në faqen 15]

Plotësimi i profecisë që Jezui dha për shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 e.s. u përforcua më vonë nga Harku i Titit në Romë