Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krishterimi ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën

Krishterimi ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën

Pjesa 4

Krishterimi ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën

1, 2. Përse disa njerëz kanë humbur respektin për Biblën, por çfarë do të thotë kjo?

1 Në shumë vende njerëzit i shmangen Biblës dhe nuk kanë respekt për të, për shkak të sjelljes së keqe të atyre që pohojnë se e besojnë atë. Në shumë vende thuhet se Bibla është një libër që nxit luftën, se është një libër për të bardhët dhe se është një libër që mbështet kolonializmin. Por, të gjitha janë mendime të gabuara.

2 Bibla, e shkruar në Lindjen e Mesme, nuk i miraton luftërat koloniale dhe shfrytëzimin lakmitar, të kryer për shumë shekuj në emër të fesë së krishterë. Përkundrazi, duke lexuar Biblën dhe duke marrë njohuri mbi mësimet biblike të krishterimit të vërtetë të mësuara nga Jezui, do të kuptosh se Bibla e dënon me forcë luftën, imoralitetin dhe shfrytëzimin e të tjerëve. Fajin e kanë njerëzit lakmitarë dhe jo Bibla. (1. Korintasve 13:1-6; Jakovi 4:1-3; 5:1-6; 1. Gjonit 4:7, 8) Prandaj, mos lejo që sjellja e keqe e njerëzve egoistë, të cilët jetojnë në kundërshtim me këshillat e mira të Biblës, të të pengojë për të përfituar nga thesaret e saj.

3. Çfarë tregojnë faktet historike për krishterimin?

3 Midis atyre që nuk jetojnë në përputhje me këshillat biblike janë edhe popujt dhe kombet e krishterimit. Me termin «krishterim» përcaktohet ajo pjesë e botës ku mbizotëron feja e krishterë. Është pjesa më e madhe e botës perëndimore me sistemet e saj kishtare, të cilat u dalluan që nga shekulli i katërt i e.s. Krishterimi e ka Biblën prej shekujsh dhe kleri i tij pohon se mëson atë dhe se përfaqëson Perëndinë. Por, a mësojnë të vërtetën kleri dhe misionarët e krishterimit? A përfaqësojnë me të vërtetë Perëndinë dhe Biblën veprimet e tyre? Jo. Që në shekullin e katërt, kur feja e tyre erdhi në qendër të veprimtarisë, krishterimi ka treguar se është një armik i Perëndisë dhe i Biblës. Po, faktet historike tregojnë se krishterimi e ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën.

Doktrina jobiblike

4, 5. Cilat doktrina jobiblike janë mësuar nga kishat?

4 Doktrinat themelore të krishterimit nuk bazohen në Bibël, por në mite të lashta—greke, egjiptiane, babilonase dhe të vendeve të tjera. Doktrina të tilla si: pavdekshmëria e shpirtit të njeriut, mundimet e përhershme në zjarrin e ferrit, purgatori dhe Triniteti (tre persona në një kokë-perëndi) nuk gjenden në Bibël.

5 Për shembull, shqyrto njërën prej këtyre doktrinave, atë që njerëzit e këqij do të torturohen përgjithmonë në zjarrin e ferrit. Si të duket një mendim i tillë? Shumë njerëzve u duket i pështirë. Atyre u duket e paarsyeshme që Perëndia mund të torturojë njerëzit përgjithmonë, duke i detyruar ata të përballojnë dhimbje të mundimshme. Një ide e tillë djallëzore është në kundërshtim me mësimin hyjnor, sepse «Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8) Bibla thotë qartë se një mësim i tillë «nuk gjendej në zemrën» e Perëndisë së Gjithëpushtetshëm.—Jeremia 7:31; 19:5; 32:35.

6. Në ç’mënyrë Bibla hedh poshtë doktrinën e pavdekësisë së shpirtit?

6 Sot, shumë fe, duke përfshirë edhe kishat e krishterimit, mësojnë se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm, i cili pas vdekjes shkon në qiell ose në ferr. Ky nuk është një mësim biblik. Përkundrazi, në vend të kësaj Bibla thotë në mënyrë të qartë: «Të gjallët e dinë se do të vdesin; por, sa për të vdekurit ata nuk dinë asgjë, . . . sepse nuk ka as punë, as qëllim, as njohuri dhe as mençuri në Sheol (varri), vendi në të cilin po shkon.» (Eklisiastiu 9:5, 10, BR) Edhe psalmisti tha se në vdekje njeriu «kthehet përsëri në dhè; në këtë ditë mbarojnë mendimet e tij».—Psalmi 146:4, BR.

7. Cili ishte ndëshkimi i Adamit dhe Evës për shkeljen e ligjit të Perëndisë?

7 Kujto, gjithashtu, se kur Adami dhe Eva shkelën ligjin e Perëndisë, ndëshkimi për atë që bënë nuk ishte pavdekësia. Një gjë e tillë do të kishte qenë një shpërblim dhe jo një ndëshkim! Në vend të kësaj, atyre u tha se «do të ktheheshin në dhè, pasi nga dhèu [ata] ishin marrë». Perëndia i bëri të qartë Adamit: «Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19, BR) Prandaj, mësimi i pavdekësisë së shpirtit nuk gjendet në Bibël, por krishterimi e ka huazuar atë nga popujt jo të krishterë që jetuan më përpara.

8. Në ç’mënyrë Bibla e hedh poshtë doktrinën e Trinitetit të mësuar nga krishterimi?

8 Gjithashtu, doktrina e krishterimit mbi Trinitetin e paraqet Perëndinë si një Perëndi misterioz, tre persona në një. Por, edhe një mësim i tillë nuk gjendet në Bibël. Për shembull, tek Isaia 40:25, Perëndia thotë qartë: «Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?» (Dio) Përgjigjja është e qartë: askush nuk mund të jetë baras me të. Gjithashtu, Psalmi 83:18, thjesht thotë: «Ti, emri i të cilit është Jehova, vetëm ti je Më i Larti mbi të gjithë tokën.»—Shiko gjithashtu Isaia 45:5; 46:9; Gjoni 5:19; 6:38; 7:16.

9. Çfarë mund të themi për mësimet e Biblës dhe për ato të kishave të krishterimit?

9 Mësimet e Biblës për Perëndinë dhe qëllimet e tij janë të qarta, të lehta për t’u kuptuar dhe të arsyeshme. Ndërsa, mësimet e kishave të krishterimit nuk janë të tilla. Më keq akoma, ato janë në kundërshtim me Biblën.

Vepra që nuk janë hyjnore

10, 11. Në cilat mënyra mësimet biblike janë në kundërshtim me ato të kishave të krishterimit?

10 Përveç mësimit të doktrinave të rreme, krishterimi e ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën me anë të veprave të tij. Ajo që kleri dhe kishat kanë bërë në shekujt e kaluar dhe që ende vazhdojnë të bëjnë, është e kundërta e asaj që kërkon Perëndia i Biblës, është e kundërta e asaj që mësoi dhe veproi Themeluesi i Fesë së Krishterë, Jezu Krishti.

11 Për shembull, Jezui u mësoi ithtarëve të vet që të mos përziheshin në punët politike të kësaj bote dhe as në luftërat e saj. Gjithashtu, ai u mësoi atyre të ishin paqedashës, të zbatonin ligjin, të kishin ndaj të tjerëve një dashuri pa asnjë paragjykim, madje të ishin të gatshëm të sakrifikonin vetë jetën e tyre në vend se t’u merrnin jetën të tjerëve.—Gjoni 15:13; Veprat 10:34, 35; 1. Gjonit 4:20, 21

12. Sipas Jezuit, si mund t’i identifikojmë të krishterët e vërtetë?

12 Në të vërtetë, Jezui mësoi se dashuria për të tjerët do të ishte shenja për të dalluar të krishterët e vërtetë nga ata të rremë, të cilët hiqen si të krishterë. Ai u tha atyre që do ta ndiqnin: «Po ju jap një urdhër të ri, atë të dashurisë për njëri-tjetrin; ashtu siç ju desha unë, ju duhet të doni njëri-tjetrin. Nga kjo të gjithë do të njohin se jeni dishepujt e mi, nëse do të keni dashuri mes jush.»—Gjoni 13:34, 35; 15:12, BR.

13, 14. Ç ’gjë tregon se kishat e krishterimit nuk paraqesin Perëndinë?

13 Megjithatë, nga njëri shekull në tjetrin, kleri i krishterimit është përzier në politikë dhe ka mbështetur luftërat e kombeve. Madje ka mbështetur edhe palët pjesëmarrëse në luftërat e zhvilluara brenda krishterimit, si dhe në dy luftërat botërore të këtij shekulli. Në këto konflikte priftërinjtë e secilës palë luteshin për fitoren e palës së tyre, ndërsa ithtarët e fesë së tyre në një vend vrisnin ithtarët e së njëjtës fe të një vendi tjetër. Por, Bibla thotë se ata që veprojnë kështu janë bijtë e Satanait dhe jo të Perëndisë. (1. Gjonit 3:10-12, 15) Pra, ndërkohë që kleri dhe ithtarët e tij pohojnë se janë të krishterë, ata kundërshtojnë mësimet e Jezu Krishtit, i cili tha: «Ktheje shpatën në vend.»—Mateu 26:51, 52.

14 Për shekuj me radhë, kishat kanë bashkëpunuar me fuqitë politike të krishterimit, kur këto kombe kanë pushtuar, skllavëruar dhe poshtëruar popuj të tjerë gjatë periudhës së imperializmit. Kjo ka ndodhur për shekuj me radhë në Afrikë. Kina, gjithashtu, përjetoi një gjë të tillë, kur vendet perëndimore krijuan sfera ndikimi me anë të forcës, të tilla si p.sh. gjatë luftërave të opiumit dhe rebelimit të Boxer-ëve.

15. Çfarë dëmesh janë bërë nga krishterimi?

15 Veç kësaj, fetë e krishterimit kanë pasur një rol të dorës së parë në përndjekjen, torturimin dhe madje vrasjen e atyre që nuk ishin dakort me të, gjatë atyre shekujve që historia i quan Epoka e Errët. Në periudhën e inkuizicionit që zgjati me shekuj, praktika djallëzore si tortura dhe vrasja ishin autorizuar dhe praktikuar kundër njerëzve të thjeshtë dhe të pafajshëm. Kriminelët ishin kleri dhe ithtarët e tij, të gjithë ata që pohonin se ishin të krishterë. U përpoqën madje, të zhduknin dhe Biblën, në mënyrë që njerëzit e thjeshtë të mos e lexonin.

Nuk janë të krishtere

16, 17. Përse mund të themi se kishat nuk janë të krishtere?

16 Jo, kombet dhe kishat e krishterimit nuk kanë qenë dhe nuk janë të krishtere. Nuk janë shërbëtorë të Perëndisë. Fjala e tij e frymëzuar thotë për ta: «Në mënyrë publike deklarojnë se e njohin Perëndinë, por e mohojnë me veprat e tyre, sepse janë të ndyrë, të pabindur dhe të pamiratuar për çdo lloj vepre të mirë.»—Titit 1:16, BR.

17 Jezui tha se feja e rreme mund të identifikohet nga ajo që prodhon, nga frytet e saj. Ai tha: «Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë. Do t’i njihni prej fryteve të tyre. . . . Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija. Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Kështu, pra, do t’i njihni profetët [profetët e rremë, BR] prej veprave të tyre.»—Mateu 7:15-20, DSF.

18. Çfarë ka rezultuar nga mësimet dhe veprat e krishterimit?

18 Kështu, nëpërmjet asaj që kanë mësuar dhe kanë bërë, fetë e krishterimit kanë treguar që pohimet e tyre se besojnë në Bibël, se i frikësohen Perëndisë dhe se janë të krishterë, janë gënjeshtra. Ata kanë tradhtuar Perëndinë dhe Biblën. Duke bërë kështu, ata u kanë shkaktuar neveri miliona njerëzve dhe kanë bërë që ata të mos besojnë më në një Qenie Supreme.

19. A do të thotë dështimi i krishterimit se kanë dështuar Perëndia dhe Bibla?

19 Megjithatë, dështimi i klerit dhe i kishave të krishterimit, si dhe dështimi i feve të tjera që nuk bëjnë pjesë në krishterim, nuk do të thotë se ka dështuar Bibla. Nuk do të thotë gjithashtu, se Perëndia ka dështuar. Përkundrazi, Bibla na thotë se Qenia Supreme ekziston dhe se kujdeset për ne dhe për të ardhmen tonë. Ajo tregon se si do t’i shpërblejë njerëzit e ndershëm që duan të bëjnë atë që është e drejtë, që duan të shikojnë mbi mbarë tokën sundimin e drejtësisë dhe paqes. Tregon, gjithashtu, se përse Perëndia i ka lejuar hidhërimet dhe vuajtjet dhe se si do ta lirojë tokën prej atyre që dëmtojnë të afërmin e tyre, duke përfshirë ata që pohojnë se i shërbejnë atij, por në të vërtetë nuk e bëjnë një gjë të tillë.

[Pyetje]

[Figura në faqen 17]

«Ferri» i Dantes

[Burimi]

Paraqitja e mashtruesve nga Doré’—Giampolo për Komedinë Hynore të Dantes

[Figura në faqen 17]

Triniteti i krishterimit

[Figura në faqen 17]

Triniteti hindus

[Burimi]

Me nderim nga Museu Britanik

[Figura në faqen 17]

Triniteti egjiptian

[Burimi]

Muzeu egjiptian, Torino

[Figurat në faqen 18]

Në kundërshtim me mësimet e Jezuit, në shumë vende kleri ka përkrahur luftërat.

[Burimi]

Foto e ushtrisë së: SH.B.