Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush mund të na tregojë?

Kush mund të na tregojë?

Pjesa 2

Kush mund të na tregojë?

1, 2. Cila është mënyra më e mirë për të zbuluar qëllimin e një projekti?

1 Kush mund të na tregojë qëllimin e vërtetë të jetës? Nëse do të vizitoje një projektues makinash dhe do e shikoje që ai po punon me një pjesë të ndërlikuar makine të cilën ti nuk e njeh, si do të mund të zbuloje se për çfarë shërben? Mënyra më e mirë do të ishte të pyesje projektuesin.

2 Çfarë mund të themi, pra, për projektin e mrekullueshëm që shohim gjithkund në tokë përreth nesh, si për shembull në të gjithë organizmat e gjallë deri në qelizën e gjallë më të vogël? Madje, edhe molekulat shumë të vogla dhe atomet brenda qelizës janë bërë me plan dhe të rregulluara në mënyrë të mrekullueshme. Gjithashtu, ç’mund të themi për mendjen njerëzore të planifikuar në mënyrë habitëse? Po për sistemin diellor, galaktikën tonë Udha e Qumështit dhe universin? A nuk kërkojnë të gjitha këto projekte një Projektues? Sigurisht, vetëm ai mund të na thoshte përse i ka projektuar gjëra të tilla.

A lindi jeta rastësisht?

3, 4. Sa mundësi ka që jeta të ketë lindur rastësisht?

3 Enciklopedia amerikane (The Encyclopedia Americana) vëzhgoi «nivelin e kompleksitetit të jashtëzakonshëm dhe të organizimit në krijesat e gjalla» dhe tha: «Një shqyrtim i hollësishëm i luleve, i insekteve apo i gjitarëve tregon një ndërtim të përpiktë, gati të pabesueshëm të pjesëve». Kështu, astronomi anglez Sir Bernard Lovell, duke përmendur përbërjen kimike të organizmave të gjallë, shkroi: «Mundësia . . . e një ngjarjeje të rastësishme që çon në formimin e molekulës më të vogël të proteinës, është në mënyrë të papërfytyrueshme e vogël. . . . Efektivisht është zero.»

4 Ngjashëm, astronomi Fred Hoyle, tha: «E tërë struktura e biologjisë tradicionale akoma është e mendimit se jeta lindi rastësisht. Por, ndërsa biokimistët zbulojnë gjithnjë e më tepër mbi kompleksitetin e jetës, është e dukshme se mundësitë e fillimit të saj të rastësishëm janë kaq të vogla, saqë mund të eliminohen plotësisht. Jeta nuk mund të ketë lindur rastësisht.»

5-7. Si e vërteton biologjia molekulare se gjallesat nuk lindën rastësisht?

5 Biologjia molekulare, një prej fushave më të reja shkencore, merret me studimin e qenieve të gjalla në nivelin e gjeneve, molekulave dhe atomeve. Biologu molekular, Michael Denton komenton për atë që u zbulua: «Kompleksiteti i llojit më të thjeshtë të qelizës që njohim është aq i madh, saqë është e pamundur të pranojmë se një objekt i tillë mund të bëhet papritmas si rrjedhojë e një ngjarjeje tekanjoze, tërësisht e pamundshme.» «Por, nuk është vetëm kompleksiteti i sistemeve të gjalla që paraqet një sfidë kaq të madhe, por edhe mendjehollësia e pabesueshme që shpesh tregohet në ndërtimin e tyre.» «Në nivelin molekular . . . gjenia e ndërtimit biologjik dhe përsosmëria e pikësynimeve të arritura janë më të theksuara.»

6 Dentoni thotë më tej: «Kudo që shohim, në çdo thellësi, zbulojmë një elegancë dhe një mendjeshkathtësi të një cilësie tejkalimi absolut që dobëson idenë e rastit. Në të vërtetë, a është e besueshme që proceset e rastësishme të mund të kenë ndërtuar një realitet, komponenti më i vogël i të cilit—një proteinë funksionuese apo një gjen—është i ndërlikuar më tej se aftësitë tona krijuese, një realitet që është antiteza e vërtetë e rastit, që lë prapa në çdo kuptim, çdo gjë të prodhuar nga inteligjenca e njeriut?» Gjithashtu, ai deklaron: «Midis një qelize të gjallë dhe sistemit jobiologjik më të rregullt, siç është një kristal apo një flok dëbore, ekziston humnera më e madhe dhe më absolute që mund të imagjinojmë.» Dhe një profesor fizike, Chet Raymo thotë: «Më ka bërë përshtypje të thellë . . . Çdo molekulë duket se është shpikur në mënyrë të mrekullueshme për të kryer funksionin e saj.»

7 Biologu molekular Denton përfundon se «ata që akoma mbështesin në mënyrë dogmatike se i gjithë ky realitet është thjesht rezultat i një rasti», besojnë një përrallë. Në fakt ai e quan besimin Darvinian, për lindjen e gjërave të gjalla nga rasti, «mitin e madh kosmogonik të shekullit të njëzetë».

Projekti kërkon një projektues

8, 9. Jep një shembull që tregon se çdo gjë e projektuar duhet të ketë një projektues.

8 Ideja që një material jo i gjallë mund të vijë në jetë nga një aksident i rastësishëm, është aq e largët, saqë është e pamundur. Jo, të gjitha gjërat e gjalla të projektuara në mënyrë të shkëlqyer në tokë nuk mund të kenë ndodhur rastësisht, pasi çdo gjë që projektohet duhet të ketë një projektues. A di ndonjë përjashtim? S’ka asnjë. Dhe sa më i ndërlikuar të jetë projekti, aq më i aftë duhet të jetë projektuesi.

9 Mund ta ilustrojmë çështjen në këtë mënyrë: Kur shikojmë një pikturë, e pranojmë si provë që ekziston një piktor. Kur lexojmë një libër, e pranojmë që ekziston një autor. Kur shikojmë një shtëpi, e pranojmë që ekziston një ndërtues. Kur shikojmë një semafor, e dimë se ekziston një trup ligjvënës. Të gjitha këto gjëra u bënë për një qëllim prej atyre që i krijuan. Edhe pse ndoshta nuk kuptojmë gjithçka për njerëzit që i projektuan, nuk dyshojmë që këta njerëz ekzistojnë.

10. Cilën provë të një Projektuesi Suprem mund të shohim?

10 Në mënyrë të ngjashme, prova e ekzistencës së një Projektuesi Suprem mund të shihet në projektimin, rregullimin dhe kompleksitetin e gjallesave në tokë. Të gjitha këto tregojnë gjurmët e një Inteligjence Supreme. Kjo është e vërtetë edhe për projektimin, rregullimin dhe kompleksitetin e universit me miliarda galaktika, ku secila prej tyre përmban miliarda yje. Dhe të gjithë trupat qiellorë kontrollohen nga ligje të përpikta, si ligji i lëvizjes, i ngrohjes, i dritës, i tingullit, i elektromagnetizimit dhe i gravitetit. A mund të ekzistojnë ligjet pa një ligjvënës? Shkencëtari në fushën e anijeve kozmike, Dr. Wernher von Braun deklaroi: «Ligjet natyrore të gjithësisë janë aq të përpikta, sa nuk e kemi të vështirë të ndërtojmë një anije kozmike për të fluturuar deri në hënë dhe të mund të matim kohën e fluturimit me përpikmërinë e një fragmenti të sekondës. Këto ligje duhet t’i ketë vendosur dikush.»

11. Përse nuk duhet të mohojmë ekzistencën e një Projektuesi Suprem vetëm sepse nuk mund ta shohim?

11 Vërtet, nuk mund ta shohim me sytë natyrorë Projektuesin dhe Ligjvënësin Suprem. Por, a mund të mohojmë ekzistencën e dukurive si graviteti, fusha magnetike, elektriciteti apo valët e radios vetëm sepse nuk mund t’i shohim? Jo, sepse mund të vërejmë pasojat e tyre. Atëherë, pasi mund të vërejmë rezultatet e punëve të habitshme të tij, përse duhet të mohojmë ekzistencën e një Projektuesi dhe Ligjëdhënësi Suprem vetëm sepse nuk mund ta shohim?

12, 13. Ç ’thotë prova për ekzistencën e Krijuesit?

12 Një profesor i fizikës, Paul Davies, nxori si përfundim se ekzistenca e njeriut nuk është një trill i fatit. Ai thotë: «Me të vërtetë, jemi këtu për një qëllim.» Ndërsa në lidhje me gjithësinë thotë: «Gjatë punës sime shkencore, po besoj gjithnjë më shumë se gjithësia fizike u rregullua me një aftësi krijuese aq të habitshme, sa nuk mund ta pranoj si një fakt pa arsye. Më duket se duhet të ketë një nivel shpjegimi më të thellë.»

13 Pra, provat na tregojnë se gjithësia, Toka dhe gjallesat mbi të, nuk mund të kenë ardhur rastësisht. Të gjitha japin dëshminë e heshtur të ekzistencës së një Krijuesi të mençur e të fuqishëm.

Çfarë thotë Bibla

14. Tek cili përfundim mbi Krijuesin arrin Bibla?

14 Edhe libri më i vjetër i njerëzimit, Bibla, nxjerr të njëjtin përfundim. Për shembull, në librin biblik të Hebrenjve, të shkruar nga apostulli Pavël, thuhet: «Dhe njëmend, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Hyu.» (Hebrenjve 3:4, DSF) Libri i fundit i Biblës, i shkruar nga apostulli Gjon, gjithashtu, thotë: «I denjë je, o Jehova, Perëndia ynë për të marrë lavdinë, nderin dhe fuqinë, sepse ti krijove të gjitha gjërat dhe për shkak të vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11, BR.

15. Si mund të zbulojmë disa prej cilësive të Perëndisë?

15 Edhe pse Perëndia nuk mund të shihet, Bibla tregon se ai mund të përcaktohet çfarë lloj perëndie është nga ato që ka bërë. Ajo thotë: «Vetitë e tij [të Krijuesit] të padukshme, d.m.th., fuqia dhe hyjnia e tij e përhershme, kanë qenë të dukshme qysh nga fillimi i botës, në mënyrë të arsyeshme, nga gjërat që ai ka bërë.»—Romakëve 1:20, The New English Bible.

16. Përse duhet të jemi të lumtur që njerëzit nuk mund ta shohin Perëndinë?

16 Kështu, Bibla na çon nga shkaku deri tek pasoja. Pasoja—gjërat e mrekullueshme të krijuara—është prova e Shkakut të mençur, të fuqishëm: Perëndisë. Gjithashtu, mund të jemi mirënjohës që ai është i padukshëm, sepse si Krijues i gjithësisë, padyshim, ai ka fuqi aq të madhe, sa njerëzit prej mishi e gjaku nuk mund të pretendojnë ta shohin dhe të mbijetojnë. Po kështu, thotë edhe Bibla: «Asnjeri nuk mund ta shohë [Perëndinë] dhe të vazhdojë të jetojë.»—Të Dalët 33:20, BR.

17, 18. Përse koncepti i një Krijuesi duhet të jetë i rëndësishëm për ne?

17 Koncepti se ekziston një Projektues i Madh, një Qenie Supreme—Perëndia—duhet të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Nëse një Krijues na ka krijuar, atëherë sigurisht ai duhet të ketë pasur një arsye, një qëllim kur na krijoi. Nëse u krijuam për të pasur një qëllim në jetë, atëherë është e arsyeshme të shpresojmë që gjërat do të përmirësohen në të ardhmen. Përndryshe, vetëm do të jetonim dhe vdisnim pa shpresë. Pra, është shumë e rëndësishme të zbulojmë qëllimin e Perëndisë në lidhje me ne. Atëherë mund të zgjedhim nëse duam të jetojmë në përputhje më të apo jo.

18 Gjithashtu, Bibla deklaron se Krijuesi është një Perëndi i dashur që kujdeset shumë për ne. Apostulli Pjetër tha: «Ai kujdeset për ju.» (1. Pjetrit 5:7, BR; shiko gjithashtu Gjoni 3:16 dhe 1. Gjonit 4:8, 16.) Mund të shikojmë se sa kujdeset Perëndia për ne nga mënyra në të cilën ai ka bërë mendjen dhe trupin tonë.

«Të krijuar në mënyrë të mrekullueshme»

19. Cilën të vërtetë na sjell ndër mend psalmisti?

19 Në Bibël, psalmisti pranoi: «Në mënyrë të frikshme, jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme.» (Psalmi 139:14, BR) Sigurisht, kjo është e vërtetë, sepse truri dhe trupi i njeriut u projektuan në mënyrë të mrekullueshme prej Projektuesit Suprem.

20. Si përshkruhet truri njerëzor në një enciklopedi?

20 Për shembull, truri yt është shumë më i ndërlikuar, se çdo kompjuter. Enciklopedia e re britanike (The New Encyclopædia Britannica) vëren: «Transmetimi i informacioneve brenda sistemit nervor është më i komplikuar se lidhja më e ndërlikuar telefonike; aftësia e trurit njerëzor për të zgjidhur probleme e tejkalon shumë kapacitetin e kompjuterëve më të fuqishëm.»

21. Kur shikojmë atë që bën truri, në çfarë përfundimi duhet të arrijmë?

21 Në trurin tënd, ke depozituar qindra miliarda fakte dhe përfytyrime mendore, por ai nuk është vetëm një depo faktesh. Me të, mund të mësosh si të vërshëllesh, të pjekësh bukë, të flasësh gjuhë të huaja, të përdorësh kompjuterin apo të ngasësh një aeroplan. Mund të përfytyrosh si do t’i kalosh pushimet apo sa i shijshëm do të ishte një fryt. Mund të shqyrtosh dhe të bësh gjëra. Mund të planifikosh, të vlerësosh, të duash, të lidhësh mendimet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pasi ne njerëzit nuk mund të projektojmë një gjë të ngjashme me trurin e mrekullueshëm njerëzor, atëherë është e qartë se Ai që e projektoi ka mençuri dhe aftësi më shumë sesa çdo njeri.

22. Ç’pranojnë shkencëtarët mbi trurin njerëzor?

22 Në lidhje me trurin, shkencëtarët pranojnë: «Se si i kryen këto funksione kjo makinë e projektuar në mënyrë të mahnitshme, e organizuar dhe e ndërlikuar në mënyrë të mrekullueshme është diçka shumë e pakuptueshme. . . . Ka mundësi që njerëzit nuk do t’i zgjidhin kurrë të gjitha faqet e enigmave që paraqet truri.» (Scientific American) Profesori i fizikës, Rajmo, thotë: «Nëse duhet të flasim me ndershmëri, akoma nuk dimë shumë për mënyrën me të cilën truri depoziton informacionin apo si mund të nxjerrë kujtimet pikërisht kur dëshiron. . . . Ka njëqind miliardë qeliza nervore në trurin njerëzor. Çdo qelizë komunikon nëpërmjet një radhitjeje sinapsesh me mijëra qeliza të tjera. Mundësitë e ndërlidhjes janë të koklavitura në mënyrë marramendëse.»

23, 24. Përmend disa pjesë të trupit të projektuara në mënyrë të mrekullueshme dhe çfarë komenti bëri një inxhinier?

23 Sytë e tu janë më të saktë dhe të adaptueshëm sesa çfarëdo lloj kamere; faktikisht, ata janë kamera plotësisht automatike, që fokusojnë me ngjyra. Veshët mund të kapin shumë tinguj dhe të të japin ndjenjën e drejtimit dhe të ekuilibrit. Zemra është një pompë me aftësi që inxhinierët më të mirë s’kanë mundur t’i kopjojnë. Për të përmendur vetëm disa pjesë të tjera të trupit, hunda, gjuha, duart, aparati tretës dhe ai i qarkullimit të gjakut, gjithashtu janë të mahnitshme.

24 Prandaj, një inxhinier që u caktua për të projektuar dhe për të ndërtuar një kompjuter të madh, arsyetoi: «Nëse kërkohej një projektues për të bërë kompjuterin tim, sa më shumë duhet për atë makinë të ndërlikuar fizike, kimike dhe biologjike, që është trupi im—i cili është vetëm një pjesë shumë e vogël e kozmosit krejtësisht të pafundëm?»

25, 26. Çfarë është në gjendje të na thotë Projektuesi i Madh?

25 Ashtu si njerëzit kanë një qëllim në mendje kur bëjnë aeroplanë, kompjuterë, biçikleta dhe aparate të tjera, edhe Projektuesi i trurit dhe i trupit njerëzor duhet të ketë pasur një qëllim kur na projektoi. Pasi askush nga ne njerëzit nuk mund të kopjojë projektet e tij, ky Projektues duhet të këtë një mençuri më të madhe se njerëzit. Është e llogjikshme pra, se është Ai që mund të na thotë përse na ka projektuar, përse na ka vendosur në tokë dhe ku po shkojmë.

26 Kur i mësojmë këto gjëra, atëherë truri dhe trupi i mrekullueshëm që Perëndia na ka dhuruar mund të përdoren për të plotësuar qëllimin tonë në jetë. Por, ku mund të mësojmë mbi qëllimet e tij? Ku na jepet ky informacion?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 7]

Mënyra më e mirë për të zbuluar se përse është projektuar diçka, është që të pyesim projektuesin

[Figura në faqen 8]

Kompleksiteti dhe projektimi i gjallesave mund të shihet në molekulën e ADN-së

[Figura në faqen 9]

«Një tru njerëzor e tejkalon shumë kapacitetin e kompjuterëve më të fuqishëm»