Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi?

Përse kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi?

Pjesa 6

Përse kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi?

1, 2. Në bazë të përvojave njerëzore, cilat pyetje mund të bëhen?

1 Por, nëse Qenia Supreme ka për qëllim që njerëzit e përsosur të jetojnë në tokë përgjithmonë në kushte parajsore dhe nëse ky është akoma qëllimi i tij, përse tani nuk ka parajsë? Në vend të kësaj, përse njerëzimi përjetoi kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi për shekuj me radhë?

2 Pa dyshim, historia njerëzore është plot fatkeqësi të shkaktuara nga luftërat, pushtimet imperialiste, shfrytëzimi, padrejtësia, varfëria, katastrofat, sëmundjet dhe vdekja. Përse u kanë ndodhur kaq shumë gjëra të liga këtyre viktimave të panumërta të pafajshme? Nëse Perëndia është i gjithëfuqishëm, përse ka lejuar këtë masë kaq të madhe vuajtjesh për mijëra vjet? Përderisa Perëndia projektoi dhe rregulloi kaq mirë gjithësinë, përse duhej të lejonte çrregullimin dhe shkatërrimin në tokë?

Një shembull

3-5. (a) Cili ilustrim mund të na ndihmojë për të kuptuar se përse një Perëndi i rregullit duhej të lejonte çrregullin mbi tokë? (b) Cila nga disa alternativa i përshtatet gjendjes në tokë?

3 Le të bëjmë një shembull për të ilustruar se përse Perëndia i rregullit lejoi çrregullimin në tokë. Përfytyro sikur ecën në një pyll dhe duke vazhduar përpara ndesh një shtëpi. Nëse shikon me kujdes shtëpinë, vëren se ajo është e çrregullt. Dritaret janë të thyera, çatia është dëmtuar seriozisht, dera e jashtme prej druri është tërë vrima, dera varet në një menteshë dhe pajisjet hidraulike nuk funksionojnë.

4 Përballë këtyre defekteve, a do të nxirrje si përfundim se kjo shtëpi është projektuar nga një dezenjator pak inteligjent? A do t’ju bindte çrregullsia se vetëm rastësia mund ta ketë ndërtuar shtëpinë? Ose, nëse do të nxirrje si përfundim se dikush e ka projektuar dhe ndërtuar atë, a do të mendoje se ky njeri ka qenë i pakualifikuar dhe i pakujdesshëm?

5 Kur shqyrton më me kujdes ndërtesën, shikon se ajo fillimisht ishte e ndërtuar mirë dhe dëshmon për një punë shumë të kujdesshme. Por, tani ajo është tërësisht e shkatërruar dhe po rrënohet. Çfarë mund të tregojnë defektet dhe problemet? Ato të sjellin ndër mend se (1) pronari ka vdekur; (2) ai është një ndërtues i zoti, por nuk interesohet gjatë për shtëpinë; ose (3) mbase përkohësisht ia ka lënë me qira pronën e tij një qiramarrësi që nuk e vlerëson atë. Hipoteza e fundit është e ngjashme me atë që i ka ndodhur tokës.

Çfarë nuk shkoi mirë

6, 7. Çfarë i ndodhi Adamit dhe Evës kur shkelën ligjin e Perëndisë?

6 Që nga fillimi i tregimit biblik, mësojmë se Perëndia nuk kishte për qëllim që njerëzit të vuanin apo të vdisnin. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, vdiqën vetëm sepse nuk iu bindën Perëndisë. (Zanafilla, kapitujt 2 dhe 3) Kur ata nuk iu bindën, nuk plotësuan më dëshirën e Perëndisë. Iu larguan kujdesit të tij. Në fakt, ata u shkëputën nga Perëndia, «burimi i jetës».—Psalmi 36:9.

7 Ngjashëm një makine që ngadalëson shpejtësinë dhe ndalon kur shkëput lidhjen me burimin e fuqisë, edhe trupat dhe mendjet e tyre bënë të njëjtën gjë. Si rezultat gjendja shëndetësore e tyre u keqësua, u mplakën dhe përfundimisht vdiqën. Çfarë ndodhi më pas? Ata u kthyen në vendin nga ku kishin ardhur: «Pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» Ashtu siç i lajmëroi Perëndia, vdekja ishte pasoja për mosbindjen ndaj ligjeve të tij: «Me siguri do të vdisni.»—Zanafilla 2:17; 3:19.

8. Si ndikoi mbi familjen njerëzore mëkati i prindërve tanë të parë?

8 Nuk vdiqën vetëm prindërit tanë të parë, por edhe të gjithë pasardhësit e tyre, mbarë raca njerëzore iu nënshtrua vdekjes. Përse? Sepse sipas ligjeve të gjenetikës, fëmijët trashëgojnë karakteristikat e prindërve. Dhe ajo që pasardhësit e prindërve tanë të parë trashëguan ishte papërsosmëria dhe vdekja. Romakëve 5:12 thotë: «Përmes një njeriu [Adamit, stërgjyshit të njerëzimit] hyri mëkati në botë dhe vdekja përmes mëkatit, dhe kështu vdekja u përhap ndër të gjithë njerëzit sepse të gjithë këshin mëkatuar [duke trashëguar papërsosmërinë, d.m.th. tendencat mëkatare].» (BR) Dhe përderisa mëkati, papërsosmëria dhe vdekja janë gjërat e vetme që njerëzit njohin, disa i konsiderojnë ato si të natyrshme dhe të paevitueshme. Megjithatë, njerëzit e parë u krijuan me aftësinë dhe dëshirën për të jetuar përgjithmonë. Ja, përse pjesës më të madhe të njerëzve u duket diçka zhgënjyese të shqyrtojnë se jeta e tyre merr fund me vdekjen.

Përse kaq gjatë?

9. Përse Perëndia lejoi që vuajtjet të vazhdonin kaq gjatë?

9 Përse Perëndia i lejoi njerëzit që të ndiqnin në mënyrë të pavarur drejtimin e tyre për një kohë kaq të gjatë? Përse ka lejuar që vuajtjet të ekzistojnë për kaq shumë shekuj? Një arsye themelore është se u ngrit një pyetje e diskutueshme shumë e rëndësishme: Kush ka të drejtë të sundojë? Duhet të jetë Perëndia Sunduesi i njerëzve apo ata mund të drejtojnë veten në mënyrë të suksesshme pa të?

10. Cila aftësi u është dhënë njerëzve dhe me cilën përgjegjësi?

10 Njerëzit u krijuan me dëshirën e lirë, pra, me aftësinë për të zgjedhur. Ata nuk ishin krijuar ngjashëm robotëve apo ngjashëm kafshëve të cilët drejtohen kryesisht nga instikti. Pra, njerëzit mund të zgjidhnin se kujt do t’i shërbenin. (Ligji i përtërirë 30:19; 2. Korintasve 3:17) Kështu, Fjala e Perëndisë na këshillon: «Jini si njerëz të lirë dhe mbajeni lirinë tuaj jo si mbulesë për gabimet, por si skllevër të Perëndisë.» (1. Pjetrit 2:16, BR) Megjithatë, meqenëse njerëzit kanë dhuratën e mrekullueshme të zgjedhjes së lirë, duhet të pranojnë pasojat e zgjedhjes së tyre.

11. Cila do të ishte mënyra e vetme për të zbuluar nëse sundimi njerëzor i pavarur nga Perëndia mund të kishte sukses?

11 Prindërit tanë të parë bënë një zgjedhje të gabuar. Ata vendosën të ishin të pavarur nga Perëndia. Vërtet, Perëndia mund t’i kishte shkaktuar vdekjen këtij çifti rebel menjëherë pasi ata shpërdoruan zgjedhjen e lirë. Por, kjo nuk do të kishte zgjidhur pyetjen në lidhje me të drejtën e Perëndisë për të sunduar mbi njerëzit. Meqë çifti i parë dëshiroi pavarësi nga Perëndia, duhej dhënë përgjigjja për pyetjen: A mund të përfundonte në një jetë të gëzuar dhe të suksesshme ky drejtim? Mënyra e vetme për të zbuluar këtë, ishte që të lejoheshin prindërit tanë të parë dhe pasardhësit e tyre të vazhdonin në rrugën e tyre, që ata vetë kishin zgjedhur. Koha do të tregonte nëse njerëzit u krijuan për të pasur sukses, duke qenë të pavarur nga Krijuesi i tyre.

12. Si e vlerësoi Jeremia sundimin njerëzor dhe përse është ashtu?

12 Shkrimtari i Biblës, Jeremia, e dinte se çfarë rezultati do të kishte. I drejtuar nga fryma e shenjtë e fuqishme e Perëndisë apo forca aktive e tij, ai shkroi: «Unë mirë e di, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket rruga e tij. Nuk i përket njeriut i cili ecën, madje të drejtojë hapat e tij. Më ndreq, o Jehova.» (Jeremia 10:23, 24, BR) Ai e dinte se njerëzve u nevojitej udhëheqja e mençurisë së Perëndisë. Përse? Thjesht, sepse Perëndia nuk i krijoi ata për të qenë të suksesshëm pa udhëheqjen e tij.

13. Çfarë kanë treguar rezultatet e mijëra viteve të sundimit njerëzor përtej dyshimit?

13 Rezultatet e mijëra viteve të sundimit të njeriut, tregojnë përtej çdo dyshimi se nuk u takon njerëzve të drejtojnë vetë punët e tyre pa udhëheqjen e Perëndisë. Duke provuar, ata vetëm kanë fajësuar veten për rezultatet katastrofike. Bibla e bën të qartë këtë: «Shkëmbi [Perëndia], i përsosur është në veprën e tij, sepse të gjitha rrugët e tij janë drejtësi. Një Perëndi besnik, me të cilin nuk ka padrejtësi; i drejtë dhe i ndershëm është ai. Nga ana e tyre ata vepruan në mënyrë shkatërruese; ata nuk janë fëmijët e tij, të metat janë të vetë atyre.»—Ligji i përtërirë 32:4, 5, BR.

Perëndia do të ndërhyjë së shpejti

14. Përse Perëndia nuk do të vonojë më ndërhyrjen e tij në punët e njerëzimit?

14 Duke lejuar një provë të mjaftueshme të dështimit të sundimit njerëzor për shumë shekuj, Perëndia tani mund të ndërhyjë në punët e njerëzimit dhe të ndalojë vuajtjet, pikëllimet, sëmundjet dhe vdekjen. Duke lejuar njerëzimin të shkojë drejt kulmit të arritjeve të tyre në shkencë, industri, mjekësi dhe në fusha të tjera, nuk ka më nevojë që Perëndia të lejojë më shumë shekuj, që njerëzit e pavarur ndaj tij të tregojnë nëse mund të sjellin një botë paqësore dhe parajsore. Deri tani nuk e kanë sjellë dhe as nuk mund ta sjellin. Pavarësia nga Perëndia ka përfunduar në një botë plot me neveri, urrejtje dhe vdekje.

15. Cilën këshillë biblike duhet të ndjekim?

15 Edhe pse kanë qenë sundimtarë të sinqertë të cilët kanë dëshiruar të ndihmojnë njerëzimin, përpjekjet e tyre nuk kanë pasur sukses. Kudo, sot, duket një rënie e sundimit njerëzor. Prandaj, Bibla na këshillon: «Mos besoni tek fisnikët, as edhe tek biri i njeriut tokësor, të cilit nuk i përket asnjë shpëtim.»—Psalmi 146:3, BR.

[Pyetje]

[Figura në faqet 24, 25]

Edhe sunduesit e sinqertë të botës nuk kanë mundur të sjellin një botë paqësore dhe parajsore