Kalo te përmbajtja

Gëzo jetën familjare

Gëzo jetën familjare

Gëzo jetën familjare

A mund të jenë familjet me të vërtetë të lumtura?

Si është e mundur kjo?

A njeh ndonjë familje që të jetë e bashkuar dhe e lumtur si këto që sheh në këtë fletushkë? Gjithandej familjet po shkatërrohen plotësisht. Divorci, mungesa e sigurimit të punës, dilemat e familjes me një prind, zhgënjimi—të gjitha këto i kontribuojnë krizës. Një ekspert në jetën familjare është ankuar: «Tashmë parashikimet e zhdukjes së familjes janë krejtësisht të njohura.»

Përse familjet sot janë të bombarduara me probleme të tilla serioze? Si mund ta gëzojmë jetën familjare?

Si ka filluar familja?

Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të dimë origjinën e martesës dhe të familjes. Pasi këto e kanë një Nismëtar, një Krijues, anëtarët e familjes duhet të kërkojnë prej tij udhëheqje, sepse me siguri ai e di më mirë se si mund ta gëzojmë plotësisht jetën familjare.

Është interesant se shumica beson që rregullimi familjar nuk ka një Nismëtar. Enciklopedia Amerikane (The Encyclopedia Americana) thotë: «Disa studiues janë të prirur ta gjejnë origjinën e martesës në organizimin e çifteve te kafshët më të ulta se njeriu.» Megjithatë, Jezu Krishti ka folur për krijimin e burrit e të gruas. Ai ka përmendur si autoritet shkrimin e hershëm biblik dhe ka thënë: «Atë që Perëndia e ka lidhur së bashku në një zgjedhë, le të mos e ndajë asnjë njeri.»​—Mateu 19:4-6.

Kështu, Jezu Krishti ka të drejtë. Perëndia i mençur i krijoi njerëzit e parë dhe i përgatiti për një jetë të lumtur familjare. Perëndia e bashkoi në martesë çiftin e parë dhe tha se burri «do të ngjitet pas gruas së tij dhe do të bëhen një mish». (Zanafilla 2:22-24) Prandaj, a ka mundësi që problemet e sotme familjare të jenë pasojë e ndjekjes së një mënyre jetese që dhunon normat e vëna nga Krijuesi në Fjalën e vet, Biblën?

Si mund të arrihet suksesi?

Padyshim, që je i vetëdijshëm se bota e sotme e përkrah egoizmin dhe vetëkënaqësinë. «Lakmia është e shëndetshme,—u tha një financier studentëve që diplomoheshin në një shkollë të lartë në Shtetet e Bashkuara.—Mund të jeni lakmitarë dhe ende ta ndjeni veten mirë.» Por, ndjekja e pasurisë materiale nuk të çon drejt suksesit. Materializmi, në të vërtetë, është një nga kërcënimet më të mëdha të jetës familjare, sepse pengon marrëdhëniet njerëzore dhe u harxhon njerëzve kohën dhe paratë. Në kundërshtim me këtë, shiko me kujdes vetëm dy proverba biblikë që na ndihmojnë të shohim se ç’është e rëndësishme për lumturinë:

«Më mirë të hash perime me njerëzit që do sesa të hash mishin më të mirë aty ku ka urrejtje.»

«Më mirë të hash një kore buke të thatë me paqe mendore sesa të bësh një banket në një shtëpi plot trazira.»

Proverbat (Fjalët e urta) 15:17; 17:1, “Today’s English Version.”

A nuk janë të fuqishme? Merre me mend se sa e ndryshme do të dukej bota sikur çdo familje t’i mbante parasysh këto përparësi! Bibla, gjithashtu, siguron udhëheqje të vlefshme në lidhje me atë se si duhet të sillen anëtarët e familjes ndaj njëri-tjetrit. Shqyrto vetëm disa udhëzime që jep ajo.

Burra: ‘T’i doni gratë tuaja si vetë trupat tuaj.’​—Efesianëve 5:28-30.

Thjesht, por shumë praktike! Bibla, gjithashtu, e udhëzon bashkëshortin që «t’i tregojë nderim bashkëshortes së vet». (1. Pjetrit 3:7) Ai e bën këtë duke i treguar asaj kujdes të veçantë, duke përfshirë edhe butësinë, kuptueshmërinë dhe sigurinë. Ai, gjithashtu, i çmon mendimet e saj dhe e dëgjon atë. (Krahaso Zanafillën 21:12.) A nuk je dakord se çdo familje do të përfitojë, nëse bashkëshorti sillet me kujdes ndaj bashkëshortes së tij, ashtu si ai vetë do të dëshironte të trajtohej?​—Mateu 7:12.

Gra: ‘Të keni respekt të thellë për burrat tuaj.’​—Efesianëve 5:33.

Bashkëshortja i kontribuon lumturisë familjare duke e ndihmuar bashkëshortin e saj në plotësimin e përgjegjësive të veta të vështira. Kjo ka qenë e parashikuar, pasi Perëndia e ka dhënë gruan si një «ndihmëse, si një plotësuese të tij». (Zanafilla 2:18) A mund ta kuptosh bekimin e jetës familjare, kur bashkëshortja tregon respekt ndaj bashkëshortit të vet, duke përkrahur vendimet e tij dhe duke bashkëpunuar me të në arritjen e pikësynimeve të familjes?

Bashkëshortë: «Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet t’i jenë besnikë njëri-tjetrit.»​—Hebrenjve 13:4, TEV. 

Kur ata janë besnikë, kjo me siguri është në dobi të jetës familjare. Kurorëshkelja shpeshherë e shkatërron familjen. (Proverbat 6:27-29, 32) Prandaj, Bibla me mençuri nxit: «Bëhu i lumtur me bashkëshorten tënde dhe gjeje gëzimin tënd me vajzën që je martuar . . . Përse t’ia japësh dashurinë tënde ndonjë gruaje tjetër?» (Proverbat 5:18-20, TEV)

Prindër: ‘Stërviti [fëmijët] sipas rrugës për [ta].’​—Proverbat (Fjalët e urta) 22:6.

Kur prindërit u kushtojnë kohë dhe kujdes fëmijëve, jeta familjare me siguri përmirësohet. Kështu, Bibla i nxit prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet e drejta «kur janë të ulur në shtëpi dhe kur ecin rrugës, dhe kur shtrihen, dhe kur ngrihen». (Ligji i përtërirë 11:19) Bibla, gjithashtu, thotë se prindërit duhet t’u tregojnë fëmijëve dashurinë e tyre duke i disiplinuar.​—Efesianëve 6:4

Fëmijë: «Fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve tuaj në unitet me Zotërinë.»​—Efesianëve 6:1.

Vërtet, në këtë botë të paligjshmërisë, nuk është gjithmonë e lehtë t’u bindesh prindërve. Mirëpo, a nuk je dakord se është e mençur të bëhet ajo që thotë Nismëtari i familjes? Ai e di se ç’është më e mira për ta bërë jetën tonë familjare më të lumtur. Prandaj, përpiqu fort t’u bindesh prindërve të tu. Ji i vendosur që t’u shmangesh joshjeve të shumta të botës për të bërë atë që është e ligë.​—Proverbat 1:10-19.

Në atë masë që anëtarët e familjes do t’i zbatojnë këshillat biblike, do të përfitojë edhe jeta familjare. Familja jo vetëm që do të gëzojë jetë më të mirë tani, por do të ketë perspektivën e një të ardhmeje të mrekullueshme në botën e re të premtuar nga Perëndia. (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Prandaj, bëje shprehi familjare studimin e Biblës së bashku! Me miliona familje në mbarë botën kanë parë se udhëheqja e dhënë në librin Sekreti i lumturisë familjare, është vërtet i dobishëm.