Kalo te përmbajtja

Jehovai: Kush është Ai?

Jehovai: Kush është Ai?

Jehovai: Kush është Ai?

DUKE çarë rrugën përmes xhunglës në Kamboxhia, Henri Muo, një eksplorues francez i shekullit të 19-të, mbërriti pranë një hendeku të gjerë ujor që rrethonte një tempull. Ishte Angkor Uat, monumenti fetar më i madh në tokë. Sa e pa, Muo mundi të thoshte se struktura e mbuluar me myshk ishte vepër e duarve të njeriut. «I ngritur nga ndonjë Mikelanxhelo i lashtë,—shkroi ai,—ky monument është më i madh se çdo gjë që na është lënë nga Greqia ose Roma.» Megjithëse tempulli ishte braktisur dhe lënë pas dore për shekuj të tërë, Muo nuk dyshoi aspak se pas strukturës komplekse ndodhej një projektues.

Është interesante që një libër mençurie i shkruar shekuj më parë, përdori një arsyetim të ngjashëm, duke deklaruar: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Por disa mund të thonë: ‘Vepra e natyrës është ndryshe nga ajo e dorës së njeriut.’ Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët janë dakord me këtë kundërshtim.

Pasi pranon se «sistemet biokimike nuk janë objekte pa jetë», Majkëll Bihi, profesor biokimie në Universitetin Lihaj, Pensilvani, SHBA, pyet: «A mund të jenë projektuar me inteligjencë sistemet e gjalla biokimike?» Ai vazhdon të tregojë se tani shkencëtarët po projektojnë ndryshime bazë në organizmat e gjalla, nëpërmjet metodave të tilla, si inxhinieria gjenetike. Po, si gjërat me jetë, ashtu edhe ato pa jetë, mund të «ndërtohen»! Duke shqyrtuar botën mikroskopike të qelizave të gjalla, Bihi vërejti sisteme me një kompleksitet mahnitës, të formuara nga përbërës që, për të funksionuar, varen nga njëri-tjetri. Përfundimi i tij: «Rezultati i këtyre përpjekjeve që sa vijnë e shtohen për të hetuar qelizën, për të hetuar jetën në nivel molekular, është një thirrje e fortë, e qartë dhe e mprehtë: ‘Projektim!’»

Kush, pra, është Projektuesi pas gjithë këtyre sistemeve komplekse?

Kush është Projektuesi?

Përgjigjja gjendet në atë libër të lashtë mençurie, të përmendur më lart: Bibla. Në fjalët e saj hapëse, Bibla i përgjigjet me një thjeshtësi dhe qartësi të jashtëzakonshme pyetjes se kush i projektoi të gjitha gjërat: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»​—Zanafilla 1:1.

Megjithatë, duke e dalluar veten nga të tjerët, që thuhet se janë Perëndi, Krijuesi vetidentifikohet me anë të një emri unik: «Kjo është ajo që ka thënë Perëndia i vërtetë, Jehovai, Krijuesi i qiejve . .  , Ai që shtron tokën dhe prodhimin e saj, Ai që u jep frymë njerëzve në të.» (Isaia 42:5, 8, BR) Jehova është emri i Perëndisë, i cili projektoi universin dhe bëri burrin e gruan në tokë. Po kush është Jehovai? Ç’lloj Perëndie është ai? Pse duhet ta dëgjosh ti?

Domethënia e emrit të Tij

Para së gjithash, çfarë kuptimi ka emri i Krijuesit, Jehova? Emri hyjnor shkruhet me katër shkronja hebraike (יהוה) dhe shfaqet afërsisht 7.000 herë në pjesën hebraike të Biblës. Ky emër konsiderohet si forma shkakore e foljes hebraike hawahʹ («të bëhesh») dhe kështu do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Me fjalë të tjera, për të realizuar qëllimet e tij, Jehovai me mençuri shkakton që ai vetë të bëhet çfarëdo që nevojitet të jetë. Ai bëhet Krijues, Gjykatës, Shpëtimtar, Mbështetës i jetës dhe kështu me radhë, me qëllim që të përmbushë premtimet e tij. Për më tepër, folja hebraike merr formën gramatikore që përcakton një veprim në procesin e përmbushjes së tij. Kjo tregon se Jehovai është ende duke shkaktuar që ai vetë të bëhet përmbushësi i premtimeve të veta. Po, ai është një Perëndi i gjallë!

Cilësitë mbizotëruese të Jehovait

Bibla tregon se ky Krijues dhe përmbushës i premtimeve të tij, është një person shumë tërheqës. Vetë Jehovai i zbuloi cilësitë e tij dalluese dhe tha: «Jehova, Jehova, Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur dhe në të vërtetë, që ruan dashamirësi të dashur për mijëra, që shfajëson gabimin, shkeljen dhe mëkatin.» (Eksodi 34:6, 7, BR) Jehovai është përshkruar si Perëndi dashamirësie të dashur. Fjala hebraike e përdorur këtu mund të përkthehet edhe «dashuri besnike». Në realizimin e qëllimit të tij të përhershëm, me besnikëri Jehovai vazhdon t’u tregojë dashuri krijesave të tij. A nuk do ta kishe për zemër një dashuri të tillë?

Jehovai është, gjithashtu, i ngadalshëm në zemërim dhe i shpejtë për të falur gabimet tona. Të ngrohet zemra të ndodhesh pranë një personi, i cili nuk është gjetës të metash, por që është i gatshëm të na falë. Por megjithatë, kjo nuk do të thotë se Jehovai mbyll sytë para keqbërjes. Ai deklaroi: «Unë jam Zoti që e dua të drejtën, që e urrej cubninë dhe paudhërinë.» (Isaia 61:8, DSF) Si Perëndia i drejtësisë, ai nuk i toleron përgjithmonë mëkatarët e pacipë që vazhdojnë në ligësinë e tyre. Kështu, mund të jemi të sigurt se në kohën e duhur sipas tij, Jehovai do të ndreqë padrejtësinë në botën përreth nesh.

Për të mbajtur një drejtpeshim të përsosur mes cilësisë së dashurisë dhe asaj të drejtësisë, kërkohet mençuri. Në mënyrën se si vepron me ne, Jehovai i drejtpeshon këto dy cilësi në mënyrë të mrekullueshme. (Romakëve 11:33-36) Sigurisht, mençuria e tij mund të shihet kudo. Mrekullitë e natyrës dëshmojnë për të.​—Psalmi 104:24; Fjalët e urta 3:19.

Por, mençuria nuk mjafton. Që të realizojë plotësisht atë që i vjen ndër mend, Krijuesi duhet të ketë edhe fuqi të plotë. Bibla tregon se ai është një Perëndi i tillë: «Ngrini sytë tuaj lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që nxjerr ushtrinë e tyre, madje me numër . . . Falë bollëkut të energjisë dinamike, . . . nuk mungon asnjë prej tyre.» (Isaia 40:26, BR) Në të vërtetë, Jehovai ka nën komandë një «bollëk energjie dinamike», që të kryejë vullnetin e tij. A nuk të tërheqin drejt Jehovait cilësi të tilla?

Dobitë e njohjes së Jehovait

Tokën Jehovai «s’e krijoi të jetë e shkretë», por «e krijoi që të banohet» nga njerëzit që kanë një marrëdhënie kuptimplotë me të. (Isaia 45:18, DSF; Zanafilla 1:28) Ai kujdeset për krijesat e tij tokësore. Ai i dha njerëzimit një nisje të përsosur në një shtëpi si kopsht, një parajsë. Njerëzit, nga ana e tyre, po e rrënojnë atë, duke i shkaktuar një pakënaqësi të madhe Jehovait. Megjithatë, në përputhje me atë që tregon emri i tij, Jehovai do ta plotësojë qëllimin e tij origjinal për njerëzimin dhe tokën. (Psalmi 115:16; Zbulesa 11:18) Ai do ta rivendosë Parajsën në tokë për ata që janë të gatshëm t’i binden si fëmijë të tij.​—Fjalët e urta 8:17; Mateu 5:5.

Libri i fundit i Biblës përshkruan cilësinë e jetës që ti mund të gëzosh në atë Parajsë: «Ai (Perëndia) do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4) Kjo është jeta e vërtetë që Jehovai dëshiron të gëzosh. Ç’Atë mirëdashës është ai! A je i gatshëm të mësosh më shumë për të dhe për atë që kërkohet prej teje, për të jetuar në Parajsë?

Nëse nuk tregohet ndryshe, citimet e Shkrimeve Greke janë marrë nga Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re, kurse citimet e Shkrimeve Hebraike janë marrë nga Bibla, Dhjata e vjetër dhe Dhjata e Re, Diodati i Ri, Përkthimi 1991-94.