Kalo te përmbajtja

Jeta në një botë të re paqësore

Jeta në një botë të re paqësore

Jeta në një botë të re paqësore

Çfarë ndien kur shikon ilustrimin në këtë fletushkë? A nuk ka mall zemra jote për paqen, lumturinë dhe mirëqenien që shikon aty? Sigurisht që ka. Por, a është vetëm një ëndërr ose fantazi të besosh që këto kushte do të ekzistojnë ndonjëherë mbi tokë?

Shumë njerëz ndoshta mendojnë kështu. Realiteti i sotëm është luftë, krime, uri, sëmundje dhe plakje, për të përmendur vetëm disa. Megjithatë ka arsye për të shpresuar. Në lidhje me të ardhmen, Bibla thotë: «Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.»​—2 Pjetrit 3:13; Isaia 65:17.

Këta «qiej të rinj» dhe kjo «tokë e re», sipas Biblës, nuk janë qiej të rinj materialë ose tokë e re në kuptimin e mirëfilltë. Toka dhe qiejt fizikë janë krijuar të përsosur dhe Bibla tregon se do të qëndrojnë përgjithmonë. (Psalmi 89:36, 37; 104:5) «Toka e re» do të jetë një shoqëri e drejtë me njerëz që do të jetojnë në tokë dhe «qiejt e rinj» do të jenë një mbretëri ose qeveri e përsosur qiellore që do të sundojë mbi këtë shoqëri tokësore njerëzish. Por, a është realiste të besohet që «toka e re» ose bota e re e lavdishme, një ditë mund të bëhet realitet?

Mirë, konsidero faktin që kushte të tilla ideale ishin pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë për tokën. Ai e vendosi çiftin e parë njerëzor në Parajsën tokësore të Edenit dhe u dha atyre një caktim të mrekullueshëm: «Jini të frytshëm dhe bëhuni shumë, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni.» (Zanafilla 1:28, BR) Po, qëllimi i Perëndisë ishte që ata të kishin fëmijë dhe ta përhapnin parajsën në mbarë tokën. Edhe pse më vonë ata zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë, duke u treguar kështu të padenjë për të jetuar përgjithmonë, qëllimi fillestar i Perëndisë nuk ka ndryshuar. Dhe duhet të plotësohet në një botë të re!​—Isaia 55:11.

Në fakt, kur bën lutjen e Zotërisë ose Ati ynë, duke kërkuar ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, ti po lutesh që qeveria e tij qiellore ta çlirojë tokën nga ligësia dhe të qeverisë këtë botë të re. (Mateu 6:9, 10) Dhe ne mund të jemi të bindur se Perëndia do t’i përgjigjet asaj lutjeje, sepse Fjala e tij premton: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:29.

Jeta në botën e re të Perëndisë

Mbretëria e Perëndisë do të sjellë dobi të pakrahasueshme tokësore, duke përmbushur çdo gjë që Perëndia kishte si qëllim në fillim për njerëzit, që të gëzonin në tokë. Urrejtjet dhe paragjykimet nuk do të ekzistojnë më dhe së fundi çdo njeri në tokë do të jetë një mik i vërtetë me të gjithë të tjerët. Në Bibël, Perëndia premton se ai do të bëjë që «të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës». «Një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»​—Psalmi 46:9; Isaia 2:4.

E gjithë toka do të shndërrohet përfundimisht në një kopsht parajsor. Bibla thotë: «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të hidhen nga gëzimi dhe fusha e shkretë do të gëzojë e do të lulëzojë si shafrani. . . . Sepse në shkretëtirë do të kenë buruar ujërat dhe rrëke në fushën e shkretë. Dhe dheu i ashpër do të jetë bërë si një kënetë e mbushur me kallama dhe dheu i etur si burime uji.»​—Isaia 35:1, 6, 7, BR.

Në tokën parajsore njerëzit do të kenë çdo arsye për të qenë të lumtur. Kurrë më s’do të ketë njerëz të uritur nga mungesa e ushqimit. «Toka do të prodhojë frytin e vet»,—thotë Bibla. (Psalmi 67:6; 72:16) Të gjithë do të gëzojnë frytet e duarve të tyre, siç premton Krijuesi ynë: «Do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. . . . Nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër.»​—Isaia 65:21, 22.

Në botën e re të Perëndisë, njerëzit nuk do të banojnë më të ngjeshur në pallate gjigande ose nëpër baraka të rrënuara, sepse Perëndia ka vendosur: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to . . . Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër.» Bibla, gjithashtu, premton: «Nuk do të lodhen më kot.» (Isaia 65:21-23) Kështu njerëzit do të kenë punë të kënaqshme e frytdhënëse. Jeta nuk do të jetë e mërzitshme.

Me kohë, Mbretëria e Perëndisë do të rivendosë, gjithashtu, marrëdhëniet paqësore që ekzistonin në kopshtin e Edenit mes kafshëve, si edhe ndërmjet kafshëve e njerëzve. Bibla thotë: «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.»​—Isaia 11:6-9; Hozea 2:18.

Dhe mendo, në tokën parajsore të gjitha sëmundjet dhe dobësitë fizike do të shërohen! Fjala e Perëndisë na siguron: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24, BR) «Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

Çfarë duhet të bësh?

Sigurisht, zemra jote duhet të jetë prekur nga premtimet e Perëndisë në lidhje me botën e tij të re të drejtësisë. Edhe pse dikush mund ta konsiderojë realizimin e bekimeve të tilla një gjë tepër të bukur për të qenë e vërtetë, këto gjëra janë plotësisht të mundura sepse do të vijnë nga dora e Krijuesit tonë të dashur.​—Psalmi 145:16; Mikea 4:4.

Natyrisht, nëse duam të jetojmë përgjithmonë në Parajsën e ardhshme duhet të plotësojmë disa kërkesa. Jezui përmendi një nga më kryesoret, duke i thënë në lutje Perëndisë: «Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.»​—Gjoni 17:3.

Prandaj, nëse duam me të vërtetë të jetojmë në botën e re të Perëndisë, më parë duhet të mësojmë se cili është vullneti i Perëndisë dhe pastaj ta vëmë në praktikë. Është një fakt: «Bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë», për të gëzuar përjetësisht bekimet që Krijuesi ynë i dashur do të derdhë mbi ne.​—1 Gjonit 2:17.