Kalo te përmbajtja

Kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

Kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

Kush janë Dëshmitarët e Jehovait?

Çfarë di për Dëshmitarët e Jehovait? Disa njerëz i kanë quajtur propagandistë të krishterë, një kult i ri i krishterë, një sekt i krishterë i ndikuar nga judaizmi ose fanatikë që nuk e pranojnë trajtimin mjekësor. Në të vërtetë, Dëshmitarët nuk janë asnjë nga këto. Përse disa njerëz mendojnë këto gjëra rreth tyre? Kryesisht, sepse këtyre njerëzve u është dhënë informacion i gabuar.

Siç tregon vetë emri i tyre, Dëshmitarët e Jehovait janë Dëshmitarë për Jehovain. Kush është Jehovai? Jehova është emri me të cilin quan veten Perëndia i Plotfuqishëm në faqet e Biblës. * Është një emër personal, jo një titull si për shembull Perëndi ose Zot. Në kuptim të përgjithshëm, gjatë gjithë historisë, kushdo që ka dhënë dëshmi për lavdinë e Perëndisë mund të quhet një dëshmitar i Jehovait.​—Dalja 3:13, 15; Isaia 43:10.

Kështu, kur Bibla jep një listë të gjatë me emrat e besnikëve të lashtësisë, duke filluar me Abelin, i quan ata ‘një re kaq e madhe dëshmitarësh’. (Hebrenjve 11:4; 12:1) Individë të shquar, si: Noeja, Abrahami, Isaku, Jakobi, Jozefi, Moisiu dhe Davidi radhiten si dëshmitarë të Perëndisë​—dëshmitarë të Jehovait. Jezu Krishti quhet «dëshmitari i besueshëm dhe i vërtetë».​—Zbulesa 3:14.

Përse nevojiten dëshmitarë?

Bibla thotë se njeriu u krijua i përsosur dhe u vendos në një parajsë. Krijuesi e bëri atë me mundësinë për të jetuar përgjithmonë, për të pasur fëmijë dhe për t’i shtrirë kufijtë e shtëpisë së tij parajsore në mbarë botën. Në atë kohë njeriu e njihte Perëndinë e tij dhe nuk kishte nevojë për dëshmitarë.​—Zanafilla 1:27, 28.

Perëndia e pajisi njeriun me vullnet të lirë, por prindërit tanë të parë morën një vendim të gabuar. Ata zgjodhën të jenë të pavarur prej tij. Kështu, ndërsa Perëndia mbeti i përsosur, i drejtë dhe i pastër, njerëzimi mbi tokë u bë mëkatar dhe i padrejtë. Megjithatë, Perëndia ynë i shenjtë do të lejojë që mëkati dhe ligësitë të vazhdojnë vetëm për një periudhë të kufizuar kohe. Bibla tregon se jemi afër fundit të periudhës kohore të lejuar nga Perëndia. Prandaj, që njerëzimi të mund t’i dijë këto gjëra, Ai e ka ruajtur Fjalën e Tij​—Torën, Psalmet dhe Ungjillin—​deri në ditët tona.

Duke qenë se shumica e njerëzimit nuk e njeh Perëndinë, ai i ka urdhëruar njerëzit besnikë që të japin dëshmi për të. Këtyre besnikëve ai u thotë: «Dëshmitarët e mi jeni ju.» (Isaia 43:10) Ndërsa në lidhje me veprën që ata kryejnë, thotë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

Sot, Fjalën e Perëndisë po e shqyrtojnë me ndershmëri më shumë njerëz se kurrë më parë, nga çdo racë, gjuhë dhe komb. Ata kanë kuptuar se shumë zakone fetare kanë origjinë pagane dhe nuk i pëlqejnë Perëndisë.

Siç mund ta dish, disa e kanë përdorur fenë për qëllime tregtare. Të tjerë e kanë përdorur për të çuar më tej qëllimet e tyre politike ose për t’u pasuruar në kurriz të të varfërve. Si mendoni se përgjigjen këta përfitues fetarë kur u jepet dëshmi e vërtetë për Perëndinë? Qartë, ndihen të kërcënuar. Ja një arsye përse mund t’i dëgjosh disa të flasin keq për Dëshmitarët e Jehovait.

Sado që t’u kushtojë, Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen ngushtësisht Biblës. Ata nuk kanë shpikur një fe të re. Thjesht, ndjekin atë që është shkruar te Tora, Psalmet dhe Ungjilli, të cilët janë themeli i fesë së vërtetë. Atëherë, çfarë besojnë ata? Më poshtë renditen disa nga mësimet e tyre. Lexo dhe vëre nëse këto e kanë ose jo tingullin e së vërtetës.

Triniteti nuk ekziston

Bibla nuk e mëson doktrinën e trinitetit. Përkundrazi, ajo thotë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë dhe të përjetshëm. «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» (Ligji i përtërirë 6:4, Përkthimi Bota e Re) Ai është Krijuesi​—i përjetshëm, i plotfuqishëm, unik. Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Jezui jetoi në tokë si njeri i përsosur dhe vdiq për njerëzimin e papërsosur. Perëndia e pranoi me dashuri jetën e Jezuit si një shpërblesë, e kështu, nëpërmjet tij, është siguruar shpëtimi për besnikët. Ky është vullneti i Perëndisë.​—Luka 22:42; Romakëve 5:12.

Nuk ka shpirt të pavdekshëm

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.» (Predikuesi 9:5) Njeriu nuk ka një shpirt të pavdekshëm. Njerëzit që mendojnë se po flasin me të vdekurit, në të vërtetë, po komunikojnë me demonët. Ngjashëm, lutjet për të vdekurit nuk i sjellin dobi askujt tjetër, përveç klerit që është paguar për t’i thënë ato.

Ringjallja

Shpresa e vërtetë për njeriun është ringjallja, pra, rikthimi në jetë i të vdekurve në një tokë ku janë rivendosur kushtet parajsore. Ata që i kanë shërbyer Perëndisë do të bekohen për besnikërinë e tyre. Ata që kanë vdekur pa e njohur Perëndinë do ta kenë këtë mundësi në atë kohë. Kështu, «do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Vetëm ata që Perëndia i gjykon si të padenjë nuk do të ringjallen.

Ferri nuk ekziston

Një Perëndi i dashur nuk do të krijonte një vend ku të vdekurit të vuanin përjetësisht. Perëndia vetë e përshkruan djegien dhe torturimin e njerëzve si një «gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje».​—Jeremia 7:31.

Fati nuk ekziston

Perëndia nuk shkruan asgjë në ballin e njerëzve. Nuk ka një fat që përcakton të ardhmen tonë përpara se të lindim. Ne jemi përgjegjës për atë që bëjmë dhe për vendimet që zgjedhim të marrim. «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»​—Romakëve 14:12.

Nuk ka klasë kleri

Të gjithë ata që i dedikohen Perëndisë janë të barabartë në sytë e tij. Adhuruesit e vërtetë janë të gjithë vëllezër dhe motra. Perëndia nuk emëroi një klasë kleri të lartë. Jezui tha: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por ai që e përul veten, do të lartësohet.» (Luka 18:14) Perëndia do t’i gjykojë në mënyrë të pafavorshme ata që nëpërmjet fesë e lartojnë veten mbi të tjerët.​—Mateu 23:4-12.

Idhujtaria është e gabuar

«Perëndia është frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Adhuruesit e vërtetë nuk përdorin idhuj.

Asnjanës në çështjet politike

Jezui tha që ithtarët e tij ‘nuk do të jenë pjesë e botës’. (Gjoni 17:16) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen me çështjet politike në nivel kombëtar ose lokal. Për më tepër, ata janë njerëz që i binden ligjit.​—Romakëve 13:1, 5-7.

Norma të larta morale

Jezui tregoi se si t’i njohim adhuruesit e vërtetë kur tha: «Ky është urdhërimi im: Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» (Gjoni 15:12, 13) Një varg tjetër në Bibël thotë: «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» (Galatasve 5:22, 23) Ata që i shfaqin këto cilësi nuk gënjejnë, nuk vjedhin, nuk luajnë bixhoz, nuk abuzojnë me drogat ose nuk kryejnë imoralitet seksual. (Efesianëve 4:25-28) Ata e duan Perëndinë, prandaj nuk bëjnë gjërat që Perëndia i urren. Këto parime udhëheqin jetën e Dëshmitarëve të Jehovait.

Fundi i kësaj bote po afrohet

Çfarë e bën kohën tonë të ndryshme nga kohët e tjera? Përmbushja e profecisë tregon se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi. (Danieli 2:44) Sot çështja është: gjërat që bëjmë, a i pëlqejnë Perëndisë? Perëndia është një dhe mund të ketë vetëm një fe të vërtetë. Kjo fe, nuk mund të mos përputhet me Torën, Psalmet dhe Ungjillin. Prandaj, duhet ta shqyrtojmë këtë Fjalë.

Kjo është ajo që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait. Çfarëdo feje që të kesh, duhet të veprosh po njësoj. Askush nuk mund të marrë një vendim për ty në lidhje me këtë. Mos harro: «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»

Asnjë individ nuk lind Dëshmitar i Jehovait. Çdo Dëshmitar merr një vendim personal. Pasi bën një shqyrtim të ndershëm të Fjalës së Perëndisë, shqyrtuesi dallon të vërtetën dhe në bazë të kësaj i dedikohet Perëndisë së vërtetë, emri i të cilit është Jehova. Nëse do të doje të bëje një shqyrtim të ngjashëm, të lutemi të shkruash në njërën nga adresat më poshtë.

[Shënimi]

^ par. 3 Në botën islame, Bibla përbëhet nga librat që njihen si Tora, Psalmet dhe Ungjilli. Të paktën 64 vargje të Kuranit i quajnë këto libra si Fjala e Perëndisë dhe theksojnë nevojën për t’i lexuar dhe për të zbatuar urdhërimet e tyre. Disa pohojnë se Tora, Psalmet dhe Ungjilli kanë ndryshuar. Megjithatë, të thuash diçka të tillë është si të shpërfillësh fjalët e Kuranit dhe të thuash që Perëndia nuk mund ta ruajë Fjalën e tij.