Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dy mbretërit ndryshojnë identitetet

Dy mbretërit ndryshojnë identitetet

Kapitulli Katërmbëdhjetë

Dy mbretërit ndryshojnë identitetet

1, 2. (a) Ç’gjë e bëri Antiokun IV të përkulej para kërkesave të Romës? (b) Kur u bë provincë romake Siria?

MONARKU sirian Antioku IV pushton Egjiptin dhe vetëkurorëzohet si mbret i tij. Me kërkesë të mbretit egjiptian Ptolemeu VI, Roma dërgon në Egjipt ambasadorin Kajus Popilius Linas. Ai ka me vete një flotë madhështore dhe urdhra nga Senati i Romës, që Antioku IV të heqë dorë nga mbretërimi i tij në Egjipt dhe të largohet nga vendi. Në Eleusis, periferi e Aleksandrisë, mbreti sirian dhe ambasadori romak ndeshen ballë për ballë. Antioku IV kërkon kohë që të konsultohet me këshilltarët e vet, por me bastunin e tij Linasi bën një rreth përqark mbretit dhe i thotë t’i kthejë përgjigje përpara se të dalë jashtë rrethit. I poshtëruar, Antioku IV u bindet kërkesave të Romës dhe në vitin 168 p.e.s. kthehet në Siri. Kështu merr fund konflikti mes mbretit sirian të veriut dhe mbretit egjiptian të jugut.

2 Duke luajtur një rol sundues në çështjet e Lindjes së Mesme, Roma vazhdon të ushtrojë diktatin e saj mbi Sirinë. Kështu, edhe pse pas vdekjes së Antiokut IV në vitin 163 p.e.s. në Siri sundojnë mbretër të tjerë nga dinastia e Seleukajve, ata nuk zënë vendin e «mbretit të veriut». (Danieli 11:15) Në vitin 64 p.e.s, Siria bëhet më në fund një provincë e Romës.

3. Kur dhe si e fitoi Roma epërsinë mbi Egjiptin?

3 Dinastia e Ptolemejve në Egjipt vazhdon të mbajë pozitën e «mbretit të jugut» për pak më shumë se 130 vjet pas vdekjes së Antiokut IV. (Danieli 11:14) Gjatë betejës së Aktiumit, në vitin 31 p.e.s., sundimtari romak Oktavian mund forcat e bashkuara të mbretëreshës së fundit të Ptolemejve, Kleopatra VII dhe të dashnorit të saj romak, Mark Antonit. Pas vetëvrasjes së Kleopatrës në vitin që pason, edhe Egjipti bëhet një provincë romake dhe nuk luan më rolin e mbretit të jugut. Rreth vitit 30 p.e.s., Roma ka epërsi si mbi Sirinë, ashtu edhe mbi Egjiptin. A duhet të presim tani që sundime të tjera të luajnë rolin e mbretit të veriut dhe të jugut?

NJË MBRET I RI DËRGON «NJË TAGRAMBLEDHËS»

4. Pse duhet të presim që identitetin e mbretit të veriut ta merrte një entitet tjetër sundues?

4 Në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «Kur t’ju zënë sytë gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, siç u tha nëpërmjet profetit Daniel, duke qëndruar në një vend të shenjtë, . . . atëherë ata në Judë le të fillojnë të ikin në male.» (Mateu 24:15, 16) Duke cituar nga Danieli 11:31, Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij për një ‘gjë të ardhme të neveritshme, që do të shkaktonte shkretim’. Kjo profeci që kishte të bënte me mbretin e veriut ishte dhënë rreth 195 vjet pas vdekjes së Antiokut IV, mbretit të fundit sirian në atë rol. Sigurisht, një entitet tjetër sundues do të duhej të merrte identitetin e mbretit të veriut. Kush do të ishte ky?

5. Kush u ngrit si mbreti i veriut, duke zënë vendin që dikur e zinte Antioku IV?

5 Engjëlli i Perëndisë Jehova paratha: «Në vend të tij [të Antiokut IV] do të dalë dikush që do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë, por brenda pak ditëve ai do të zhduket, por jo në zemërim a në betejë.» (Danieli 11:20, Dio) Ai që ‘doli’ në këtë mënyrë qe perandori i parë romak, Oktaviani, i cili njihej si Cezari August.—Shiko «Njëri i nderuar, tjetri i përbuzur», në faqen 248.

6. (a) Kur u dha urdhri që nëpër «mbretëri» të kalonte «një tagrambledhës» dhe cila qe rëndësia e kësaj? (b) Pse mund të thuhet se Augusti nuk vdiq ‘as në zemërim, as në betejë’? (c) Cili ndryshim i ndodhi identitetit të mbretit të veriut?

6 ‘Mbretëria’ e Augustit përfshinte «vendin e Stolisë», provincën romake të Judës. (Danieli 11:16) Në vitin 2 p.e.s. Augusti dërgoi «një tagrambledhës», duke urdhëruar që të bëhej një regjistrim i popullsisë, ndoshta që të merrte vesh numrin e popullsisë për qëllime tatimi dhe rekrutimi ushtarak. Për shkak të këtij dekreti, Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem që të regjistroheshin, gjë që çoi në lindjen e Jezuit në atë vend të parathënë. (Mikea 5:2; Mateu 2:1-12) Në gusht të vitit 14 të e.s., «brenda pak ditëve» ose jo shumë kohë pas dekretimit të regjistrimit, Augusti vdiq në moshën 76 vjeçare, as «në zemërim» nga duart e ndonjë vrasësi, as «në betejë», por për shkak të një sëmundjeje. Mbreti i veriut kishte ndryshuar vërtet identitetin! Tashmë ky mbret ishte bërë Perandoria Romake e mishëruar te perandorët e saj.

«I PËRBUZURI NGRIHET»

7, 8. (a) Kush u ngrit në vend të Augustit si mbreti i veriut? (b) Pse pasuesit të August Cezarit iu dha pa dëshirë «dinjiteti i mbretërisë»?

7 Në vazhdim të profecisë, engjëlli tha: «Në vendin e tij [të Augustit] duhet të ngrihet një që është për t’u përbuzur dhe ata me siguri nuk do të vendosin mbi të dinjitetin e mbretërisë dhe ai do të hyjë në fakt gjatë një kohe pa shqetësime dhe do ta rrokë mbretërinë me anë të lajkave. Dhe për sa u përket krahëve të përmbytjes, do të përmbyten për shkak të tij dhe do të thyhen; si edhe Udhëheqësi i besëlidhjes.»—Danieli 11:21, 22.

8 Ai «që është për t’u përbuzur» ishte Tiber Cezari, i biri i Livias, gruas së tretë të Augustit. (Shiko «Njëri i nderuar, tjetri i përbuzur», në faqen 248.) Augusti e urrente këtë djalë të gruas së tij, për shkak të karakteristikave të këqija që kishte dhe nuk dëshironte që ai të bëhej Cezari pasues. «Dinjiteti i mbretërisë» iu dha pa dëshirë atij, vetëm pasi kishin vdekur të gjithë pasuesit e mundshëm. Augusti e adoptoi Tiberin në vitin 4 të e.s. dhe e bëri trashëgimtar të fronit. Pas vdekjes së Augustit, Tiberi 56-vjeçar, i përbuzuri, ‘u ngrit’ duke marrë pushtetin si perandori i Romës dhe mbreti i veriut.

9. Si ‘e rroku mbretërinë me anë të lajkave’ Tiberi?

9 «Tiberi,—thotë The New Encyclopædia Britannica,—e manipuloi me shkathtësi Senatin dhe nuk e lejoi që ta emëronte atë perandor për pothuajse një muaj [pas vdekjes së Augustit].» Ai i tha Senatit se askush tjetër përveç Augustit nuk ishte në gjendje ta mbante barrën e sundimit të Perandorisë Romake dhe u kërkoi senatorëve të rivendosnin republikën, duke ia besuar këtë autoritet një grupi njerëzish në vend se një njeriu të vetëm. «Duke mos guxuar ta zinte në fjalë,—shkroi historiani Uill Durant,—Senati dhe ai u përkulën disa herë para njëri-tjetrit, derisa më në fund ai pranoi pushtetin.» Durant shtoi: «Të dyja palët e luajtën mirë pjesën. Tiberi donte pushtetin mbi principatën, përndryshe do të gjente ndonjë mënyrë për t’iu shmangur Senatit; Senati e kishte frikë dhe e urrente Tiberin, por nuk ia mbante të rivendoste një republikë që, ashtu si ajo e vjetra, të bazohej në asambletë teorikisht sovrane.» Kështu, Tiberi ‘e rroku mbretërinë me anë të lajkave’.

10. Si ‘u thyen krahët e përmbytjes’?

10 «Për sa u përket krahëve të përmbytjes», forcave ushtarake të mbretërive përreth, engjëlli tha: ‘Ato do të përmbyten dhe do të thyhen.’ Kur Tiberi u bë mbreti i veriut, nipi i tij, Gjermanik Cezari, ishte komandant i trupave romake mbi lumin Rin. Në vitin 15 të e.s., Gjermaniku i drejtoi forcat e tij kundër heroit gjerman Herman dhe arriti njëfarë suksesi. Megjithatë, fitoret e pakta kishin pasur kosto të lartë dhe prandaj Tiberi u dha fund operacioneve ushtarake në Gjermani. Në vend të kësaj, duke nxitur luftën civile, ai u përpoq të pengonte bashkimin e fiseve gjermane. Në përgjithësi, Tiberi favorizoi politikën e jashtme mbrojtëse dhe u përqendrua në forcimin e kufijve. Kjo politikë qe mjaft e suksesshme. Në këtë mënyrë, ‘krahët e përmbytjes’ u vunë nën kontroll dhe u ‘thyen’.

11. Si ‘u thye Udhëheqësi i besëlidhjes’?

11 Edhe «Udhëheqësi i besëlidhjes» që kishte bërë Perëndia Jehova me Abrahamin për bekimin e të gjitha familjeve të tokës, ‘u thye’. Jezu Krishti ishte Fara e Abrahamit që u premtua në atë besëlidhje. (Zanafilla 22:18; Galatasve 3:16) Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui doli përpara Ponc Pilatit në pallatin e guvernatorit romak në Jerusalem. Priftërinjtë judenj e kishin akuzuar Jezuin për tradhti kundër perandorit. Por Jezui i tha Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. . . . Mbretëria ime nuk është prej këtij burimi.» Me qëllimin që guvernatori romak të mos e lironte Jezuin e pafajshëm, judenjtë thirrën: «Nëse ti e liron këtë njeri, nuk je mik i Cezarit. Çdo njeri që e bën veten mbret, flet kundër Cezarit.» Pasi kërkuan ekzekutimin e Jezuit, ata thanë: «Ne s’kemi mbret përveç Cezarit.» Sipas ligjit për «madhërinë e fyer», të cilin Tiberi e kishte zgjeruar aq sa përfshinte pothuajse çdo fyerje drejtuar Cezarit, Pilati e dorëzoi Jezuin që të ‘thyhej’ ose të gozhdohej në një shtyllë mundimesh.—Gjoni 18:36; 19:12-16; Marku 15:14-20.

NJË TIRAN ‘KURDIS INTRIGAT E TIJ’

12. (a) Cilët bënë aleancë me Tiberin? (b) Si ‘u bë i fuqishëm me anë të një kombi të vogël’ Tiberi?

12 Duke profetizuar akoma për Tiberin, engjëlli tha: «Meqenëse kanë lidhur aleancë me të, ai do të praktikojë mashtrimin dhe do të ngrihet në fakt dhe do të bëhet i fuqishëm me anë të një kombi të vogël.» (Danieli 11:23) Disa anëtarë të Senatit të Romës, me anë të kushtetutës, kishin «lidhur aleancë» me Tiberin, kështu që formalisht ai varej prej tyre. Por ai ishte mashtrues, duke u bërë në fakt «i fuqishëm me anë të një kombi të vogël». Ky komb i vogël ishte Garda Pretoriane Romake, që fushonte pranë mureve të Romës. Prania e saj aq afër e frikësonte Senatin dhe e ndihmonte Tiberin që të mbante nën kontroll çdo kryengritje të popullatës kundër autoritetit të tij. Prandaj, me anë të rreth 10.000 rojeve, Tiberi mbeti i fuqishëm.

13. Në ç’aspekt ua kaloi Tiberi pararendësve të tij?

13 Në mënyrë profetike, engjëlli shtoi: «Gjatë një kohe pa shqetësime, ai do të hyjë madje në pjesën e majmur të rajonit të juridiksionit dhe do të bëjë në fakt atë që nuk kanë bërë etërit e tij dhe etërit e etërve të tij. Do të shpërndajë mes tyre pre, plaçkë dhe të mira dhe kundër vendeve të fortifikuara do të kurdisë intrigat e tij, por vetëm deri në njëfarë kohe.» (Danieli 11:24) Tiberi ishte jashtëzakonisht dyshues dhe mbretëria e tij ishte plot me vrasës të porositur. Në një masë të madhe për shkak të ndikimit të Sejanusit, komandantit të Gardës Pretoriane, pjesa e fundit e mbretërimit të tij u dallua për terrorin e ushtruar. Së fundi, vetë Sejanusi u konsiderua i dyshimtë dhe u ekzekutua. Me tiranizimin që i bënte popullit, Tiberi i tejkaloi pararendësit e tij.

14. (a) Si shpërndau Tiberi «pre, plaçkë dhe të mira» në mbarë provincat romake? (b) Si konsiderohej Tiberi në kohën kur vdiq?

14 Megjithatë, Tiberi e shpërndau «prenë, plaçkën dhe të mirat» në mbarë provincat romake. Në kohën kur vdiq ai, të gjithë popujt e nënshtruar gëzonin mbarësi. Taksat nuk ishin të rënda dhe Tiberi mundi të tregohej bujar me ata që ndodheshin në zona me kushte të këqija. Nëse gjatë trajtimit të problemeve ushtarët a zyrtarët shtypnin dikë ose nxitnin çrregullimin, i priste hakmarrja perandorake. Kapja fort pas pushtetit ruajti sigurinë publike, ndërsa sistemi i përmirësuar i komunikacionit ndihmoi tregtinë. Tiberi u sigurua që çdo gjë të administrohej me paanshmëri dhe rregullisht si brenda, ashtu edhe jashtë Romës. Ligjet u përmirësuan dhe rregullat shoqërore e morale u shtuan si rezultat i çuarjes përpara të reformave të vendosura nga August Cezari. Megjithatë, Tiberi ‘kurdisi intrigat e tij’, kështu që historiani romak Taciti e përshkroi atë si një njeri hipokrit, i aftë për t’u shtirur. Në kohën kur vdiq, në mars të vitit 37 të e.s., Tiberi konsiderohej një tiran.

15. Në ç’gjendje ishte Roma në fundin e shekullit të parë dhe fillimin e shekullit të dytë të e.s.?

15 Pasuesit e Tiberit që luajtën rolin e mbretit të veriut, përfshinin Gaj Cezarin (Kaligula), Klaudin I, Neronin, Vespasianin, Titin, Domicianin, Nervën, Trajanin dhe Adrianin. «Në pjesën më të madhe,—thotë The New Encyclopædia Britannica,—pasuesit e Augustit vazhduan politikat e tij administrative dhe programet e ndërtimit, megjithëse me më pak novacion dhe me më shumë pompozitet.» E njëjta vepër referimi, më tej nxjerr në pah: «Nga fundi i shekullit I dhe fillimi i shekullit II, Roma ishte në kulm të madhështisë dhe të popullimit të saj.» Megjithëse gjatë kësaj kohe Roma pati ndonjë trazirë në kufijtë perandorakë, përplasja e saj e parë e parathënë me mbretin e jugut nuk ndodhi përpara shekullit të tretë të e.s.

ZGJOHET KUNDËR MBRETIT TË JUGUT

16, 17. (a) Kush e mori rolin e mbretit të veriut, për të cilin flitet në Danielin 11:25? (b) Kush arriti të zinte vendin e mbretit të jugut dhe si ndodhi kjo?

16 Engjëlli i Perëndisë vazhdoi me profecinë, duke thënë: «Ai [mbreti i veriut] do të zgjojë fuqinë e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut me forca të mëdha ushtarake dhe mbreti i jugut nga ana e tij, do të gjallërohet për luftën me forca ushtarake jashtëzakonisht të mëdha e të fuqishme. Dhe ai [mbreti i veriut] nuk do të qëndrojë, sepse ata do të kurdisin kundër tij intriga. Dhe pikërisht ata që hanë ushqimet e tij të zgjedhura do të sjellin shembjen e tij. Dhe sa për forcat e tij ushtarake, ato do të përmbyten dhe shumë do të bien me siguri të vrarë.»—Danieli 11:25, 26.

17 Rreth 300 vjet pasi Oktaviani e kishte bërë Egjiptin provincë romake, perandori romak Aurelian, luajti rolin e mbretit të veriut. Ndërkaq, mbretëresha Septimia Zenobia e kolonisë romake të Palmirës zuri vendin e mbretit të jugut. * (Shiko «Zenobia: Mbretëresha luftarake e Palmirës», në faqen 252.) Ushtria palmiriane e pushtoi Egjiptin në vitin 269 të e.s., nën pretekstin e ruajtjes së pushtetit të Romës mbi të. Zenobia dëshironte ta bënte Palmirën qytetin mbizotërues në lindje dhe dëshironte të sundonte mbi provincat lindore të Romës. I alarmuar nga ambicia e saj, Aureliani zgjoi «fuqinë e tij dhe zemrën e tij», që të dilte kundër Zenobisë.

18. Cili ishte rezultati i konfliktit mes perandorit Aurelian, mbretit të veriut, dhe mbretëreshës Zenobia, mbretit të jugut?

18 Si entiteti sundues i drejtuar nga Zenobia, mbreti i jugut ‘u gjallërua’ për luftë kundër mbretit të veriut «me forca ushtarake jashtëzakonisht të mëdha dhe të fuqishme» nën drejtimin e dy gjeneralëve, Zabadi dhe Zabai. Por Aureliani e shtiu në dorë Egjiptin dhe pastaj dërgoi një ekspeditë ushtarake në Azinë e Vogël dhe në Siri. Zenobia u mund në Emesa (tani Homs) dhe më pas u tërhoq në Palmira. Kur Aureliani e rrethoi këtë qytet, Zenobia e mbrojti trimërisht, por pa sukses. Ajo dhe i biri ikën drejt Persisë, vetëm për t’u zënë robër nga romakët në lumin Eufrat. Palmirianët e dorëzuan qytetin e tyre në vitin 272 të e.s. Aureliani e kurseu Zenobinë, duke e bërë atë trofe në procesionin e tij triumfues nëpër Romë në vitin 274 të e.s. Pjesën tjetër të jetës ajo e kaloi si një zonjë e rëndë romake.

19. Si ra Aureliani ‘për shkak të intrigave kundër tij’?

19 Vetë Aureliani ‘nuk qëndroi për shkak të intrigave kundër tij’. Në vitin 275 të e.s., ai dërgoi një ekspeditë kundër persëve. Ndërkohë që priste në Trakë mundësinë për të kaluar ngushticën që të hynte në Azinë e Vogël, ata që ‘hëngrën ushqimin e tij’ kurdisën intriga kundër tij dhe sollën «shembjen» e tij. Ai po bëhej gati t’i kërkonte llogari për çrregullimet sekretarit të tij, Erosit. Erosi, megjithatë, hartoi një listë me emrat e disa zyrtarëve të caktuar për t’u vrarë. Kur e panë këtë listë, zyrtarët u shtynë të komplotonin vrasjen e Aurelianit dhe ta vrisnin.

20. Si ‘u përmbytën forcat ushtarake’ të mbretit të veriut?

20 Karriera e mbretit të veriut nuk mori fund me vdekjen e perandorit Aurelian. Ai u pasua nga sundimtarë të tjerë romakë. Për njëfarë kohe, kishte një perandor për perëndimin dhe një për lindjen. Nën drejtimin e këtyre burrave, «forcat ushtarake» të mbretit të veriut u «përmbytën» ose u «shpërndanë» * dhe shumë veta ‘ranë të vrarë’, për shkak të pushtimeve nga fiset gjermane të veriut. Gotët depërtuan në kufirin romak në shekullin e katërt të e.s. Pushtimet vazhduan njëri pas tjetrit. Në vitin 476 të e.s., udhëheqësi gjerman Odoaker hoqi nga Roma perandorin e fundit që sundonte. Aty nga fillimi i shekullit të gjashtë, Perandoria Romake në perëndim ishte copëtuar dhe në Britani, Gali, Itali, Afrikën e Veriut dhe në Spanjë sundonin mbretër gjermanë. Pjesa lindore e perandorisë zgjati deri në shekullin e 15-të.

NJË PERANDORI MADHËSHTORE PËRÇAHET

21, 22. Cilat ndryshime solli Kostandini në shekullin e katërt të e.s.?

21 Pa dhënë hollësi të panevojshme mbi shembjen e Perandorisë Romake, e cila vazhdoi për shekuj të tërë, engjëlli i Jehovait vazhdoi të parathotë bëma të tjera të mbretit të veriut dhe të mbretit të jugut. Megjithatë, një rishikim i shkurtër i disa zhvillimeve në Perandorinë Romake, do të na ndihmojë të identifikojmë dy mbretërit rivalë në kohët e mëvonshme.

22 Në shekullin e katërt, perandori romak Kostandini i dha krishterimit apostat njohjen nga ana e shtetit. Madje, ai mblodhi dhe drejtoi personalisht një këshill kishtar në Nice të Azisë së Vogël, në vitin 325 të e.s. Më vonë, Kostandini e transferoi rezidencën perandorake nga Roma në Bizant ose Kostandinopojë, duke e bërë këtë qytet kryeqytetin e tij të ri. Perandoria Romake vazhdoi të ishte nën sundimin e një perandori të vetëm derisa vdiq perandori Teodosi I, më 17 janar të vitit 395 të e.s.

23. (a) Cila ndarje e Perandorisë Romake ndodhi pas vdekjes së Teodosit? (b) Kur mori fund Perandoria e Lindjes? (c) Kush sundonte në Egjipt rreth vitit 1517?

23 Pas vdekjes së Teodosit, Perandoria Romake u nda mes bijve të tij. Honori mori pjesën perëndimore, ndërsa Arkadi atë lindore, bashkë me Kostandinopojën si kryeqytet të tij. Britania, Galia, Italia, Spanja dhe Afrika e Veriut ishin mes provincave të ndarjes perëndimore. Maqedonia, Traka, Azia e Vogël, Siria dhe Egjipti ishin provinca të ndarjes lindore. Në vitin 642 të e.s., kryeqyteti egjiptian, Aleksandria, ra në duart e sarakenëve (arabëve) dhe Egjipti u bë provincë e kalifëve. Në janar të vitit 1449, Kostandini XI u bë perandori i fundit i lindjes. Më 29 maj 1453, turqit otomanë nën drejtimin e Sulltan Mehmetit II pushtuan Kostandinopojën, duke i dhënë kështu fund Perandorisë Romake të Lindjes. Në vitin 1517 Egjipti u bë një provincë turke. Por me kalimin e kohës, ky vend i mbretit të lashtë të jugut do të vihej nën kontrollin e një perandorie tjetër të pjesës perëndimore.

24, 25. (a) Sipas disa historianëve, ç’gjë shënoi fillimin e Perandorisë së Shenjtë Romake? (b) Ç’gjë i ndodhi së fundi titullit «perandor» të Perandorisë së Shenjtë Romake?

24 Në krahun perëndimor të Perandorisë Romake u ngrit peshkopati katolik i Romës, veçanërisht Papa Leo I, i cili njihej për shpalljen e autoritetit papnor në shekullin e pestë të e.s. Me kalimin e kohës, papa mori përsipër pa asnjë justifikim kurorëzimin e perandorit të pjesës perëndimore. Kjo ndodhi në Romë ditën e Krishtlindjeve, në vitin 800 të e.s., kur Papa Leo III e kurorëzoi mbretin frank Karl (Karli i Madh) perandor të Perandorisë së re Romake të Perëndimit. Ky kurorëzim e rigjallëroi sundimin perandorak në Romë dhe, sipas disa historianëve, shënoi fillimin e Perandorisë së Shenjtë Romake. Që prej asaj kohe, ekzistojnë Perandoria e Lindjes dhe Perandoria e Shenjtë Romake në perëndim e që të dyja pretendojnë se janë të krishtere.

25 Ndërsa kalonte koha, pasuesit e Karlit të Madh provuan se ishin sundimtarë të pazotë. Madje për njëfarë kohe posti i perandorit mbeti bosh. Ndërkohë, mbreti gjerman Oto I kishte vënë nën kontroll pjesën më të madhe të Italisë Veriore dhe Qendrore. Ai u vetëshpall mbret i Italisë. Më 2 shkurt të vitit 962 të e.s., Papa Gjoni XII e kurorëzoi Oton I perandor të Perandorisë së Shenjtë Romake. Kryeqyteti i saj ishte në Gjermani dhe perandorët ishin gjermanë, ashtu siç ishte edhe shumica e nënshtetasve të tyre. Pesë shekuj më vonë, shtëpia austriake e Hapsburgut mori titullin e «perandorit» dhe e mbajti atë gjatë pjesës më të madhe të viteve që i mbetën Perandorisë së Shenjtë Romake.

DY MBRETËRIT IDENTIFIKOHEN PËRSËRI QARTË

26. (a) Ç’mund të thuhet për fundin e Perandorisë së Shenjtë Romake? (b) Kush doli si mbreti i veriut?

26 Napoleoni I i dha një goditje vdekjeprurëse Perandorisë së Shenjtë Romake, kur refuzoi ta njihte ekzistencën e saj pas fitoreve të tij në Gjermani gjatë vitit 1805. Duke mos qenë në gjendje ta mbronte kurorën, perandori Franci II dha dorëheqjen nga statusi perandorak romak më 6 gusht 1806 dhe u tërhoq në qeverinë e tij kombëtare si perandor i Austrisë. Pas 1.006 vjetësh, Perandoria e Shenjtë Romake e themeluar nga Leo III, papë katolik romak, dhe nga Karli i Madh, një mbret frank, mori fund. Në vitin 1870, Roma u bë kryeqyteti i mbretërisë së Italisë, e pavarur nga Vatikani. Vitin që pasoi, filloi një perandori gjermane me Vilhelmin I, që u quajt cezar ose kaiser. Kështu, mbreti i veriut i ditëve moderne, Gjermania, doli në skenën botërore.

27 Por, cili ishte identiteti i mbretit të jugut në kohët moderne? Historia tregon se Britania e mori pushtetin perandorak në shekullin e 17-të. Me dëshirën për të prishur rrugët e tregtisë britanike, Napoleoni I pushtoi Egjiptin në vitin 1798. Pasoi lufta dhe një aleancë britaniko-otomane i detyroi forcat franceze të tërhiqeshin nga Egjipti, i identifikuar si mbreti i jugut në fillim të konfliktit. Gjatë shekullit që pasoi, influenca britanike në Egjipt u rrit. Pas vitit 1882, Egjipti ishte në fakt në vartësi të Britanisë. Në vitin 1914, kur shpërtheu Lufta I Botërore, Egjipti i përkiste Turqisë dhe ishte nën sundimin e një kedivi ose mëkëmbësi të mbretit. Megjithatë, pasi Turqia mori pjesë përkrah Gjermanisë në këtë luftë, Britania hoqi kedivin dhe e shpalli Egjiptin protektorat britanik. Duke formuar gradualisht lidhje të ngushta, Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë fuqia botërore anglo-amerikane. Së bashku, ato u vunë në vendin e mbretit të jugut.

[Shënimet]

^ par. 17 Përderisa përcaktimet «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» janë tituj, ato mund t’i referohen cilitdo entitet sundues, përfshirë një mbret, mbretëreshë ose bllok kombesh.

^ par. 20 Shiko shënimin në Danielin 11:26, në Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re, me referime, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Cili perandor romak u ngrit në fillim si mbreti i veriut dhe kur dërgoi ai «një tagrambledhës»?

• Kush e zuri vendin e mbretit të veriut pas Augustit dhe si ‘u thye Udhëheqësi i besëlidhjes’?

• Cili ishte rezultati i konfliktit mes Aurelianit si mbreti i veriut dhe Zenobisë si mbreti i jugut?

• Ç’u bë me Perandorinë Romake dhe cilat fuqi zunë vendet e dy mbretërve nga fundi i shekullit të 19-të?

[Pyetjet]

27. (a) Si u bë Egjipti protektorat britanik? (b) Kush u vu në vendin e mbretit të jugut?

[Kutia dhe figura në faqet 248-251]

NJËRI I NDERUAR, TJETRI I PËRBUZUR

NJËRI e transformoi një republikë të dërrmuar nga konfliktet në një perandori botërore. Tjetri, brenda 23 vjetësh e njëzetfishoi pasurinë e saj. Kur vdiqën, njëri u nderua, ndërsa tjetri u përbuz. Mbretërimet e këtyre dy perandorëve të Romës përfshinë jetën dhe shërbimin e Jezuit. Cilët ishin ata? Pse njëri u nderua, ndërsa tjetri jo?

AI «E GJETI ROMËN ME TULLA DHE E LA ME MERMER»

Në vitin 44 p.e.s., kur Jul Cezari u vra, nipi i motrës së tij, Gaj Oktaviani, s’ishte veçse 18 vjeç. Meqenëse ishte bir i adoptuar i Jul Cezarit dhe trashëgimtari i tij kryesor personal, Oktaviani i ri u nis menjëherë për në Romë që të kërkonte trashëgiminë e tij. Atje ai ndeshi një kundërshtar të tmerrshëm: kryetogerin e Cezarit, Mark Antonin, i cili priste të ishte trashëgimtari kryesor. Intriga politike dhe lufta për pushtet që pasoi, zgjati 13 vjet.

Vetëm pasi mundi forcat e bashkuara të mbretëreshës egjiptiane Kleopatra dhe të dashnorit të saj Mark Antoni (në vitin 31 p.e.s.), Oktaviani u ngrit si sundimtari i padiskutueshëm i Perandorisë Romake. Vitin që pasoi, Antoni dhe Kleopatra vranë veten dhe Oktaviani aneksoi Egjiptin. Kështu u hoq gjurma e fundit e Perandorisë Greke dhe Roma u bë fuqia botërore.

Duke mos harruar që despotizmi i Jul Cezarit kishte çuar në vrasjen e tij, Oktaviani tregoi kujdes që të mos përsëriste të njëjtin gabim. Që të mos ofendonte ndjenjat e romakëve në favor të republikës, ai e maskoi monarkinë e tij nën petkun republikan. Ai i refuzoi titujt «mbret» dhe «diktator». Duke bërë një hap më tej, ai bëri të njohur qëllimin e tij për t’ia dorëzuar kontrollin e të gjitha provincave Senatit të Romës dhe propozoi të jepte dorëheqjen nga postet që mbante. Kjo taktikë bëri punë. Senati mirënjohës e nxiti Oktavianin të mbante pozitat e tij dhe të vazhdonte të mbante nën kontroll disa prej provincave.

Veç kësaj, më 16 janar të vitit 27 p.e.s., Senati i dha Oktavianit titullin «August», që do të thotë «i lartësuar, i shenjtëruar». Oktaviani jo vetëm që e pranoi titullin, por i vuri edhe emrin e vet një muaji, si dhe mori një ditë nga shkurti që gushti të kishte aq ditë sa kishte korriku, muaj që e kishte marrë emrin nga Jul Cezari. Kështu, Oktaviani u bë perandori i parë i Romës dhe pas kësaj u bë i njohur si Cezari August ose «Augusti I». Më vonë, ai mori edhe titullin «pontifex maximus» (kryeprift) dhe në vitin 2 p.e.s., viti i lindjes së Jezuit, Senati i dha titullin Pater Patriae, «Ati i vendit të tij».

Po atë vit, «nga Cezari August doli një dekret që të regjistrohej e gjithë toka e banuar; . . . dhe të gjithë njerëzit udhëtuan për t’u regjistruar, secili në qytetin e vet». (Luka 2:1-3) Si rezultat i këtij dekreti, Jezui lindi në Bethlehem në përmbushje të profecisë biblike.—Danieli 11:20; Mikea 5:2.

Qeveria nën Augustin dallohej për një shkallë ndershmërie dhe për një qarkullim monetar të qëndrueshëm. Augusti ngriti edhe një sistem të efektshëm postar, si dhe ndërtoi rrugë dhe ura. Ai riorganizoi ushtrinë, krijoi një flotë të përhershme dhe formoi një grup të zgjedhur truprojash perandorake, i njohur si Garda Pretoriane. (Filipianëve 1:13) Nën mbrojtjen e tij, shkrimtarë të tillë si Virgjili dhe Horaci ecën përpara, ndërsa skulptorët krijuan vepra të bukura në atë që tani quhet stil klasik. Augusti përfundoi ndërtesat që kishte lënë pa mbaruar Jul Cezari dhe restauroi shumë tempuj. Pax Romana («Paqja romake») që vendosi ai, zgjati më shumë se 200 vjet. Më 19 gusht të vitit 14 të e.s., në moshën 76-vjeçare, Augusti vdiq dhe më pas u hyjnizua.

Augusti u mburr se e kishte «gjetur Romën me tulla dhe e la me mermer». Duke mos dashur që Roma t’u rikthehej ditëve të mbushura me konflikte të ish-republikës, ai kishte ndër mend të stërviste perandorin tjetër. Por në lidhje me pasuesin, ai kishte pak mundësi zgjedhjeje. Nipi i tij, dy stërnipërit, një dhëndër dhe një djalë nga gruaja kishin vdekur, duke lënë kështu vetëm Tiberin, djalin nga gruaja, që të merrte pushtetin.

«AI QË ËSHTË PËR T’U PËRBUZUR»

Më pak se një muaj pas vdekjes së Augustit, Senati i Romës e emëroi si perandor Tiberin 56-vjeçar. Tiberi jetoi dhe sundoi deri në mars të vitit 37 të e.s. Pra, ai ishte perandori i Romës gjatë kohës së shërbimit publik të Jezuit.

Si perandor, Tiberi kishte si virtyte, ashtu edhe vese. Një prej virtyteve ishte që nuk donte të shpenzonte para për luks. Si rezultat, perandoria lulëzoi dhe ai pati fonde për të ndihmuar në rimëkëmbjen nga katastrofat dhe kohët e këqija. Gjë pozitive ishte edhe se Tiberi e konsideroi veten një njeri të thjeshtë, refuzoi shumë tituj nderi dhe në përgjithësi e drejtoi adhurimin e perandorit tek Augusti në vend se te vetja. Ai nuk ia dha emrin e vet një muaji kalendarik, siç kishin bërë August dhe Jul Cezari dhe as nuk i lejoi të tjerët ta nderonin në këtë mënyrë.

Megjithatë, veset e Tiberit i kalonin virtytet e tij. Ai ishte jashtëzakonisht dyshues dhe hipokrit në marrëdhëniet me të tjerët dhe mbretëria e tij ishte plot me vrasje të porositura, shumë prej viktimave të të cilave qenë ish-miqtë e tij. Ai e zgjeroi ligjin e lèse-majesté (madhërisë së fyer) aq sa të përfshinte veç akteve kryengritëse edhe thjesht fjalë shpifëse kundër atij si person. Me sa duket, të bazuar në forcën e këtij ligji, judenjtë e shtynë guvernatorin romak Ponc Pilatin që të urdhëronte vrasjen e Jezuit.—Gjoni 19:12-16.

Tiberi e përqendroi Gardën Pretoriane në afërsitë e Romës, duke ndërtuar kazerma të fortifikuara në veri të mureve të qytetit. Prania e Gardës e frikësoi Senatin e Romës, i cili përbënte një kërcënim për pushtetin e tij dhe mbajti nën kontroll çdo trazirë të popullit. Tiberi favorizoi, gjithashtu, sistemin e spiunazhit dhe pjesa e fundit e sundimit të tij u karakterizua nga terrori.

Kur vdiq, Tiberi u konsiderua si një tiran. Vdekja e tij i gëzoi romakët dhe Senati refuzoi ta hyjnizonte. Për këto arsye dhe për të tjera, ne shohim te Tiberi një përmbushje të profecisë që thotë se «ai që është për t’u përbuzur» do të ngrihej si «mbreti i veriut».—Danieli 11:15, 21.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Si arriti Oktaviani të ishte perandori i parë i Romës?

• Ç’mund të thuhet për arritjet e qeverisë së Augustit?

• Cilat ishin virtytet dhe veset e Tiberit?

• Si u përmbush në Tiberin profecia në lidhje me «atë që është për t’u përbuzur»?

[Figura]

Tiberi

[Kutia dhe figurat në faqet 252-255]

ZENOBIA: MBRETËRESHA LUFTARAKE E PALMIRËS

«AJO ishte zeshkane . . . Dhëmbët e saj kishin bardhësinë e perlave, ndërsa sytë e zinj të mëdhenj shndrisnin me një një ndriçim të pazakontë të zbutur nga ëmbëlsia më tërheqëse. Zëri i saj ishte i fortë dhe i harmonishëm. Gjykimi i saj burrëror ishte forcuar dhe stolisur me anë të studimit. Ajo dinte latinisht, por zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën greke, siriake dhe egjiptiane.» Të tilla ishin lavdet që historiani Eduard Gibon i thuri Zenobisë, mbretëreshës luftarake të qytetit sirian të Palmirës.

Burri i Zenobisë ishte fisniku palmirian Odenathi, të cilit në vitin 258 të e.s. i ishte dhënë posti i konsullit të Romës, sepse kishte drejtuar me sukses fushatën kundër Persisë në emër të Perandorisë Romake. Dy vjet më vonë, Odenathi mori nga perandori romak Galineu titullin corrector totius Orientis (guvernator i të gjithë Lindjes). Kjo u bë në shenjë vlerësimi për fitoren e tij mbi mbretin Shapur të Persisë. Së fundi, Odenathi i dha vetes titullin «mbret i mbretërve». Këto suksese të Odenathit mund t’i atribuohen në një masë të madhe kurajës dhe maturisë së Zenobisë.

ZENOBIA ASPIRON TË KRIJOJË NJË PERANDORI

Në vitin 267 të e.s., në kulmin e karrierës së tij, Odenathi dhe trashëgimtari i tij u vranë. Zenobia zuri vendin e të shoqit, sepse i biri ishte tepër i ri për ta bërë këtë. E bukur, ambicioze, e aftë si administratore, e mësuar për të marrë pjesë nëpër fushata bashkë me burrin, si dhe me gjuhët që i fliste rrjedhshëm, ajo ia doli të fitonte respektin dhe përkrahjen e nënshtetasve të saj. Zenobisë i pëlqente shumë të mësonte dhe mbante rreth vetes intelektualë. Njëri prej këshilltarëve të saj ishte filozofi dhe oratori Kasius Longinus, për të cilin thuhej se ishte «një bibliotekë e gjallë dhe një muze lëvizës». Në librin Palmira dhe perandoria e saj: Revolta e Zenobisë kundër Romës, autori Riçard Stonmën vëren: «Gjatë pesë vjetëve pas vdekjes së Odenathit . . . , Zenobia e kishte rrënjosur veten në mendjen e popullit të saj si padronia e Lindjes.»

Në njërën anë të zotërimit të Zenobisë ndodhej Persia, të cilën e kishin dobësuar ajo dhe burri i saj, ndërsa në anën tjetër ndodhej Roma që po binte. Në lidhje me kushtet që ekzistonin në atë kohë në Perandorinë Romake, historiani J. M. Roberts thotë: «Shekulli i tretë ishte . . . për Romën një periudhë e tmerrshme si në kufijtë lindorë, ashtu edhe në ata perëndimorë, ndërkohë që brendapërbrenda kishte filluar një periudhë e re lufte civile dhe grindjesh për të trashëguar fronin. Njëzet e dy perandorë erdhën dhe ikën (pa përfshirë pretendentët).» Padronia siriane, nga ana tjetër, ishte një monarke absolute me rrënjë të forta në mbretërinë e saj. «Duke kontrolluar drejtpeshimin e dy perandorive [Perse dhe Romake],—vëren Stonmën,—ajo mund të aspironte të krijonte një perandori të tretë që do t’i sundonte të dyja këto.»

Zenobisë iu krijua një mundësi për të shtrirë pushtetin e saj mbretëror në vitin 269 të e.s., kur në Egjipt u shfaq një pretendent që doli kundër sundimit romak. Ushtria e Zenobisë marshoi me shpejtësi dhe hyri në Egjipt, shtypi rebelin dhe shtiu në dorë vendin. Duke u vetëshpallur mbretëreshë e Egjiptit, ajo preu monedha me emrin e vet. Tani mbretëria e saj u shtri nga lumi Nil deri në lumin Eufrat. Ky ishte momenti kur Zenobia arriti të zinte vendin e «mbretit të jugut».—Danieli 11:25, 26.

KRYEQYTETI I ZENOBISË

Zenobia e forcoi dhe e zbukuroi kryeqytetin e saj, Palmirën, në një masë të tillë që ajo renditej mes qyteteve më të mëdha të botës romake. Popullsia e përllogaritur e saj arrinte në mbi 150.000 banorë. Ndërtesa madhështore publike, tempuj, kopshte, shtylla dhe monumente mbushnin Palmirën, një qytet i rrethuar nga mure, që thuhet se kishin një perimetër prej 21 kilometrash. Një portik shtyllash mbi 15 metra të larta të stilit korintas, rreth 1.500 të tilla, rreshtoheshin në bulevardin kryesor. Qyteti kishte një bollëk statujash dhe bustesh të heronjve e të bamirësve të pasur. Në vitin 271 të e.s., Zenobia ngriti statuja për veten dhe për burrin e saj, që kishte vdekur para pak kohësh.

Tempulli i Diellit ishte një prej strukturave më fantastike në Palmira dhe pa dyshim që mbizotëronte në skenën fetare të qytetit. Vetë Zenobia mund të ketë adhuruar një hyjni që kishte të bënte me perëndinë-diell. Megjithatë, Siria e shekullit të tretë ishte një vend me shumë fe. Në zotërimin e Zenobisë gjendeshin të krishterë të vetëshpallur, judenj dhe adhurues të diellit e të hënës. Çfarë qëndrimi mbante ajo ndaj këtyre formave të ndryshme të adhurimit? Autori Stonmën vëren: «Një sundimtare e mençur nuk do të linte pas dore asnjë zakon që duket se është i përshtatshëm për popullin e saj. . . . Shpresohej që . . . perënditë të ishin vënë në anën e Palmirës». Me sa duket, Zenobia ishte toleruese nga ana fetare.

Me personalitetin e saj plot gjallëri, Zenobia fitoi admirimin e shumë vetave. Një domethënie shumë të madhe kishte roli i saj në përfaqësimin e një entiteti politik të parathënë në profecinë e Danielit. Megjithatë, mbretërimi i saj nuk zgjati më shumë se pesë vjet. Perandori romak Aureliani e mundi Zenobinë në vitin 272 të e.s. dhe më pas plaçkiti Palmirën pa i lënë mundësi për rimëkëmbje. Zenobisë iu tregua mëshirë. Thuhet se ajo u martua me një senator romak dhe mendohet se pjesën tjetër të jetës e kaloi në Itali.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Si është përshkruar personaliteti i Zenobisë?

• Cilat ishin disa prej bëmave të Zenobisë?

• Cili ishte qëndrimi i Zenobisë ndaj fesë?

[Figura]

Mbretëresha Zenobia duke iu drejtuar ushtarëve të saj

[Tabela dhe figurat në faqen 246]

MBRETËRIT NË DANIELIN 11:20-26

Mbreti i veriut Mbreti i jugut

Danieli 11:20 Augusti

Danieli 11:21-24 Tiberi

Danieli 11:25, 26 Aureliani Mbretëresha Zenobia

Shembja Perandoria Britania,

e parathënë Gjermane e pasuar nga

e Perandorisë fuqia botërore

Romake çoi në anglo-amerikane

formimin e

[Figura]

Tiberi

[Figura]

Aureliani

[Figura]

Statujë e vogël e Karlit të Madh

[Figura]

Augusti

[Figura]

Anije britanike lufte e shekullit të 17-të

[Figura që zë gjithë faqen 230]

[Figura në faqen 233]

Augusti

[Figura në faqen 234]

Tiberi

[Figura në faqen 235]

Për shkak të dekretit të Augustit, Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem

[Figura në faqen 237]

Siç ishte parathënë, me vdekjen e tij Jezui ‘u thye’

[Figurat në faqen 245]

1. Karli i Madh 2. Napoleoni I 3. Vilhelmi I 4. Ushtarë gjermanë, Lufta I Botërore