Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I çliruar nga dhëmbët e luanëve!

I çliruar nga dhëmbët e luanëve!

Kapitulli Tetë

I çliruar nga dhëmbët e luanëve!

1, 2. (a) Si e organizoi medi Dar perandorinë e tij me shtrirje të madhe? (b) Përshkruaj detyrat dhe autoritetin e satrapëve.

BABILONIA kishte rënë! Shkëlqimi i saj shekullor si fuqi botërore ishte shuar vetëm brenda pak orësh. Po fillonte një epokë e re: ajo e medëve dhe e persëve. Si pasues në fronin e Belshazarit, medi Dar ndodhej tani përballë sfidës së organizimit të perandorisë së tij me shtrirje të madhe.

2 Një prej punëve të para të ndërmarra nga Dari ishte emërimi i 120 satrapëve. Mendohet se disa herë, ata që shërbenin me këtë funksion i zgjidhnin nga të afërmit e mbretit. Sido që të ishte, çdo satrap qeveriste një rajon të madh ose një nëndarje më të vogël të perandorisë. (Danieli 6:1) Detyrat e tij përfshinin mbledhjen e taksave dhe pagimin e haraçeve oborrit mbretëror. Megjithëse kontrollohej periodikisht nga një përfaqësues vizitues i mbretit, satrapi kishte autoritet të konsiderueshëm. Titulli i tij do të thoshte «mbrojtës i mbretërisë». Në provincën e tij, satrapi konsiderohej si mbret vasal që kishte gjithçka, përveç pushtetit sovran.

3, 4. Përse e favorizoi Dari Danielin dhe në cilën pozitë e emëroi atë mbreti?

3 Ç’rol do të luante Danieli në këtë organizim të ri? A do ta nxirrte në pension medi Dar këtë profet të moshuar jude, i cili tani ishte te të nëntëdhjetat? Në asnjë mënyrë! Pa dyshim që Dari e kuptoi se Danieli kishte parathënë me saktësi rënien e Babilonisë dhe se që të parathoshe diçka të tillë kërkohej një aftësi shquese mbinjerëzore. Përveç kësaj, Danieli kishte dekada të tëra përvoje në marrëdhëniet me komunitete të ndryshme robërish në Babiloni. Dari kishte ndër mend të mbante marrëdhënie paqësore me nënshtetasit e tij që sapo kishte vënë nën sundim. Prandaj, ai do të donte me siguri që pranë fronit të kishte dikë me mençurinë dhe përvojën e Danielit. Me ç’funksion?

4 Do të ishte mjaft e çuditshme sikur Dari ta emëronte Danielin, të mërguarin jude, satrap. Por vetëm imagjino trazirën që u krijua kur Dari shpalli vendimin e tij për ta bërë Danielin një prej tre zyrtarëve të lartë që do të mbikëqyrnin satrapët! Dhe jo vetëm kaq, por Danieli «dallohej vazhdimisht», duke treguar kështu epërsinë e tij mbi zyrtarët e tjerë të lartë. Në të vërtetë, në të gjendej «një frymë e jashtëzakonshme». Madje Dari kishte ndër mend t’i jepte pozitën e kryeministrit.—Danieli 6:2, 3.

5. Si duhet të kenë reaguar zyrtarët e tjerë të lartë dhe satrapët për emërimin e Danielit dhe pse?

5 Zyrtarët e tjerë të lartë dhe satrapët duhet të jenë tërbuar nga inati. E pra, ata nuk mund ta duronin idenë që Danieli, i cili s’ishte as med, as pers, as anëtar i familjes mbretërore, të ishte në një pozitë autoriteti mbi ta! Si mundej Dari ta ngrinte një të huaj në një pozitë të tillë me peshë, duke lënë mënjanë bashkatdhetarët e vet, madje edhe familjen e vet? Një manovër e tillë mund të jetë dukur e padrejtë. Për më tepër, me sa duket satrapët e konsideronin integritetin e Danielit si një kufizim jo të mirëpritur për praktikat e tyre të rryshfeteve dhe të korrupsionit. Por megjithatë, zyrtarët e lartë dhe satrapët nuk guxuan t’i flitnin Darit rreth kësaj çështjeje. Në fund të fundit, Dari e vlerësonte shumë Danielin.

6. Si u përpoqën zyrtarët e lartë dhe satrapët ta diskreditonin Danielin dhe pse shkuan më kot këto përpjekje?

6 Kështu, këta politikanë ziliqarë komplotuan mes tyre. Ata u përpoqën «të gjenin ndonjë pretekst kundër Danielit në lidhje me mbretërinë». A mund të kishte ndonjë gjë që nuk shkonte në mënyrën se si i plotësonte përgjegjësitë e tij? A ishte i pandershëm? Zyrtarët e lartë dhe satrapët nuk mundën të gjenin asnjë shkujdesje ose korruptim të çfarëdoshëm në mënyrën se si i kryente detyrat e tij Danieli. «Te ky Daniel nuk do të gjejmë asnjë pretekst,—arsyetuan ata,—veç nëse e gjejmë kundër tij në ligjin e Perëndisë së tij.» Dhe kështu ndodhi që këta burra të djallëzuar kurdisën një komplot. Ata menduan se në këtë mënyrë, Danieli do të merrte fund njëherë e përgjithmonë.—Danieli 6:4, 5.

NJË KOMPLOT VRASTAR VIHET NË LËVIZJE

7. Çfarë propozimi i bënë mbretit zyrtarët e lartë dhe satrapët dhe në ç’mënyrë e bënë këtë?

7 Darit iu afrua një grup zyrtarësh të lartë dhe satrapësh, që «hynë si një mizëri». Shprehja aramaike e përdorur këtu mbart idenë e një trazire buçitëse. Me sa duket, këta burra krijuan përshtypjen se duhej t’i parashtronin Darit një çështje shumë urgjente. Ata mund të kenë arsyetuar se në qoftë se e paraqitnin propozimin e tyre me bindje dhe si diçka që kërkonte veprim të menjëhershëm, kishte më pak të ngjarë që ai të vihej në diskutim. Prandaj hynë drejt e në temë, duke thënë: «Të gjithë zyrtarët e lartë të mbretërisë, prefektët dhe satrapët, zyrtarët e lartë mbretërorë dhe qeveritarët, janë këshilluar së bashku për të vendosur një statut mbretëror dhe për të vënë në fuqi një ndalim, që kushdo që për tridhjetë ditë i bën kërkesë një perëndie a njeriu përveçse ty, o mbret, duhet të flaket në gropën e luanëve.» *Danieli 6:6, 7.

8. (a) Pse Darit do t’i jetë dukur tërheqës ligji i propozuar? (b) Cili ishte motivi i vërtetë i zyrtarëve të lartë dhe i satrapëve?

8 Dokumentet historike vërtetojnë se ishte e zakonshme që mbretërit e Mesopotamisë të konsideroheshin dhe të adhuroheshin si hyjnorë. Kështu që pa dyshim, Darit iu bë qejfi nga ky propozim. Ai mund të ketë parë edhe anën praktike të tij. Mos harro se për ata që jetonin në Babiloni, Dari ishte një i huaj dhe i sapoardhur. Ky ligj i ri do të shërbente për të përforcuar pozitën e tij si mbret dhe do t’i nxiste njerëzit e shumtë që jetonin në Babiloni t’i ishin besnikë regjimit të ri dhe ta mbështetnin atë. Megjithatë, kur propozuan dekretin, zyrtarëve të lartë dhe satrapëve as që u bëhej vonë për të mirën e mbretit. Motivi i tyre i vërtetë ishte të zinin në grackë Danielin, sepse e dinin që ai e kishte zakon t’i lutej Perëndisë tri herë në ditë përpara dritareve të hapura të dhomës së tij në çati.

9. Pse ligji i ri nuk do të përbënte një problem për shumicën e jojudenjve?

9 A do të krijonte ndonjë problem ky kufizim në lidhje me lutjen, për të gjitha bashkësitë e tjera fetare në Babiloni? Jo medoemos, veçanërisht meqenëse ndalimi do të zgjaste vetëm një muaj. Për më tepër, të paktë ishin jojudenjtë, të cilët do ta konsideronin kompromis faktin që për njëfarë kohe do t’ia drejtonin adhurimin e tyre një njeriu. Një studiues i Biblës vëren: «Adhurimi i mbretit nuk kërkonte gjëra të çuditshme nga kombi më idhujtar; prandaj babilonasit, kur iu kërkua t’i jepnin pushtuesit, medit Dar, nderimin që i takon një perëndie, iu bindën menjëherë kërkesës. Vetëm ai jude u pezmatua nga një kërkesë e tillë.»

10. Si e konsideronin medët dhe persët një ligj të vendosur nga mbreti i tyre?

10 Sidoqoftë, ata që kishin shkuar te Dari e nxitën atë të ‘vendoste statutin dhe të nënshkruante shkresën, që të mos ndryshohej, sipas ligjit të medëve dhe të persëve, i cili nuk anulohej’. (Danieli 6:8) Në Lindjen e lashtë, vullneti i mbretit konsiderohej shpesh si absolut. Kjo gjë përjetësonte nocionin se ai ishte i pagabueshëm. Madje edhe një ligj që mund të shkaktonte vdekjen e njerëzve të pafajshëm, duhej të mbetej në fuqi!

11. Si do të prekej Danieli nga dekreti i Darit?

11 Pa i shkuar mendja te Danieli, Dari e nënshkroi dekretin. (Danieli 6:9) Duke vepruar kështu, pa e ditur ai nënshkroi dënimin me vdekje të zyrtarit të tij më të çmuar. Po, Danieli do të prekej patjetër nga ky dekret.

DARI I DETYRUAR TË JAPË GJYKIM TË PAFAVORSHËM

12. (a) Çfarë bëri Danieli sapo mori vesh ligjin e ri? (b) Cilët po e vëzhgonin Danielin dhe pse?

12 Shpejt, Danieli u vu në dijeni të ligjit që kufizonte lutjen. Menjëherë, hyri në shtëpinë e tij dhe shkoi në dhomën në çati, dritaret e së cilës ishin hapur në drejtim të Jerusalemit. * Atje Danieli filloi t’i lutej Perëndisë «siç kishte bërë rregullisht përpara kësaj». Danieli mund të ketë menduar se ishte vetëm, por komplotuesit po e vëzhgonin. Papritur, ata «hynë si turmë», pa dyshim në të njëjtën mënyrë të furishme siç i ishin afruar Darit. Tani po e shikonin me sytë e tyre: Danieli ishte «duke kërkuar dhe duke lypur favor përpara Perëndisë së tij». (Danieli 6:10, 11) Zyrtarët e lartë dhe satrapët kishin të gjitha provat që u nevojiteshin për ta akuzuar Danielin përpara mbretit.

13. Çfarë i raportuan mbretit armiqtë e Danielit?

13 Armiqtë e Danielit e pyetën tinëzisht Darin: «A nuk ke nënshkruar një ndalim që kushdo që për tridhjetë ditë i bën kërkesë një perëndie a njeriu, përveçse ty, o mbret, duhet të flaket në gropën e luanëve?» Dari u përgjigj: «Çështja është vendosur më së miri sipas ligjit të medëve dhe të persëve, i cili nuk anulohet.» Tani, komplotistët goditën menjëherë në shenjë. «Danieli, i cili është prej të mërguarve të Judës, nuk të ka përfillur ty, o mbret, as ndalimin që nënshkrove, por bën tri herë në ditë kërkesën e tij.»—Danieli 6:12, 13.

14. Me sa duket, pse zyrtarët e lartë dhe satrapët iu referuan Danielit si njërit «prej të mërguarve të Judës»?

14 Është domethënës fakti që zyrtarët e lartë dhe satrapët iu referuan Danielit si njërit «prej të mërguarve të Judës». Me sa duket, donin të nxirrnin në pah faktin që ky Daniel, të cilin Dari e kishte ngritur në një pozitë të tillë, nuk ishte në fakt asgjë më tepër sesa një skllav jude. Ata mendonin se si i tillë, me siguri që nuk ishte mbi ligjin, pavarësisht se çfarë mendonte për të mbreti!

15. (a) Si reagoi Dari ndaj lajmit që i çuan zyrtarët e lartë dhe satrapët? (b) Si e treguan më tej përbuzjen e tyre për Danielin zyrtarët e lartë dhe satrapët?

15 Ndoshta zyrtarët e lartë dhe satrapët pritnin që mbreti t’i shpërblente për punën e tyre detektive dinake. Nëse ishte kështu, i priste një surprizë. Dari u turbullua së tepërmi nga lajmi që i çuan. Në vend që të zemërohej me Danielin ose ta dorëzonte menjëherë në gropën e luanëve, Dari e kaloi gjithë ditën duke u përpjekur ta çlironte. Por përpjekjet e tij shkuan kot. S’kaloi shumë kohë e komplotuesit u kthyen dhe me paturpësi kërkuan gjakun e Danielit.—Danieli 6:14, 15.

16. (a) Pse Dari e respektonte Perëndinë e Danielit? (b) Çfarë shprese kishte Dari në lidhje me Danielin?

16 Dari e kuptoi se s’kishte asnjë rrugëdalje. Ligji nuk mund të anulohej dhe «shkelja» e Danielit nuk mund të falej. E gjithë ajo që Dari mund t’i thoshte Danielit ishte: «Perëndia yt, të cilit i shërben me qëndrueshmëri, ai vetë do të të çlirojë.» Dukej se Dari e respektonte Perëndinë e Danielit. Ishte Jehovai ai që i kishte dhënë Danielit aftësinë për të parathënë rënien e Babilonisë. Perëndia i kishte dhënë Danielit edhe «një frymë të jashtëzakonshme» që e dallonte nga zyrtarët e tjerë të lartë. Ndoshta Dari e dinte se dekada më parë, po ky Perëndi kishte çliruar tre të rinj hebrenj nga një furrë e zjarrtë. Ka të ngjarë që mbreti të shpresonte se përderisa ai vetë nuk mundej ta anulonte ligjin që kishte nënshkruar, tani Danielin do ta çlironte Jehovai. Kështu, Danielin e flakën në gropën e luanëve. * Pastaj, «sollën një gur dhe e vunë mbi grykën e gropës dhe mbreti e vulosi me unazën e tij me vulë dhe me unazën me vulë të të mëdhenjve të tij, që asgjë të mos ndryshohej në rastin e Danielit».—Danieli 6:16, 17.

KTHESË DRAMATIKE E NGJARJEVE

17, 18. (a) Ç’gjë tregon se Dari ishte shumë i shqetësuar për situatën e Danielit? (b) Çfarë ndodhi kur mbreti u kthye mëngjesin tjetër te gropa e luanëve?

17 I brengosur, Dari u kthye në pallatin e tij. Përpara tij nuk çuan asnjë muzikant, sepse s’ia kishte fare qejfi të zbavitej. Përkundrazi, Dari nuk mbylli sy tërë natën dhe agjëroi. «Vetë gjumi i tij i iku.» Kur agoi dita, Dari nxitoi për te gropa e luanëve. Me zë të trishtuar, thirri: «O Daniel, shërbëtor i Perëndisë së gjallë, a ka mundur të të çlirojë nga luanët Perëndia yt, të cilit i shërben me qëndrueshmëri?» (Danieli 6:18-20) Për çudinë dhe lehtësimin e tij të plotë, u dëgjua një përgjigje!

18 «O mbret, jetofsh deri në kohë të pacaktuara!» Me këtë përshëndetje plot respekt, Danieli tregoi se nuk ushqente ndjenja armiqësie ndaj mbretit. Ai e kuptonte se burimi i vërtetë i persekutimit të tij nuk ishte Dari, por zyrtarët e lartë dhe satrapët ziliqarë. (Krahaso Mateun 5:44; Veprat 7:60.) Danieli vazhdoi: «Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe mbylli gojën e luanëve dhe ata nuk më kanë çuar në rrënim, përderisa përpara tij u gjend në mua vetë pafajësia dhe, gjithashtu, përpara teje, o mbret, unë nuk kam bërë asnjë akt të dëmshëm.»—Danieli 6:21, 22.

19. Si ishte mashtruar dhe manipuluar Dari nga zyrtarët e lartë dhe satrapët?

19 Sa duhet ta kenë lënduar ndërgjegjen e Darit këto fjalë! Ai e dinte fare mirë se Danieli nuk kishte bërë asgjë që të meritonte flakjen në gropën e luanëve. Dari ishte më se i vetëdijshëm se zyrtarët e lartë dhe satrapët kishin komplotuar për ta dënuar Danielin me vdekje dhe se e kishin manipuluar mbretin që të arrinin qëllimet e tyre egoiste. Me këmbënguljen e tyre se «të gjithë zyrtarët e lartë të mbretërisë» kishin rekomanduar miratimin e dekretit, ata kishin lënë të nënkuptohej se për këtë gjë ishin konsultuar edhe me Danielin. Me këta njerëz hileqarë Dari do të merrej më vonë. Megjithatë, në fillim dha urdhrin që Danieli të nxirrej nga gropa e luanëve. Një mrekulli: Danieli nuk kishte as edhe një gërvishtje!—Danieli 6:23.

20. Çfarë u ndodhi armiqve keqdashës të Danielit?

20 Tani që Danieli ishte jashtë rrezikut, Dari kishte tjetër gjë për të bërë. «Mbreti urdhëroi dhe ata i sollën këta burra truplidhur që e kishin akuzuar Danielin dhe ata, bijtë e tyre dhe gratë e tyre i flakën në gropën e luanëve dhe nuk kishin arritur fundin e gropës kur luanët u bënë zotër mbi ta e thërrmuan të gjitha kockat e tyre.» *Danieli 6:24.

21. Në lidhje me trajtimin e pjesëtarëve të familjes së keqbërësve, cili kontrast ekzistonte mes Ligjit të Moisiut dhe ligjeve të disa kulturave të lashta?

21 Dënimi me vdekje jo vetëm i komplotistëve, por edhe i grave dhe i fëmijëve të tyre, mund të duket si një ashpërsi e paarsyeshme. Në kontrast me këtë, Ligji që dha Perëndia nëpërmjet profetit Moisi thoshte: «Etërit nuk duhen dënuar me vdekje për hir të fëmijëve dhe fëmijët nuk duhen dënuar me vdekje për hir të etërve. Secili duhet dënuar me vdekje për mëkatin e vet.» (Ligji i përtërirë 24:16) Megjithatë, në disa kultura të lashta, nuk ishte diçka e pazakontë që në rastin e një krimi të rëndë pjesëtarët e familjes të ekzekutoheshin bashkë me keqbërësin. Kjo bëhej ndoshta që pjesëtarët e familjes të mos kishin mundësi të hakmerreshin më vonë. Megjithatë, ky akt kundër familjeve të zyrtarëve të lartë dhe të satrapëve nuk ishte aspak vepër e Danielit. Ka të ngjarë që ai të jetë pikëlluar për këtë gjëmë që u kishin shkaktuar familjeve të veta këta burra të ligj.

22. Cila ishte shpallja e re që nxori Dari?

22 Zyrtarët e lartë dhe satrapët intrigues kishin marrë fund. Dari nxori një shpallje, që thoshte: «Prej meje ka dalë një urdhër që, në çdo zotërim të mbretërisë sime, njerëzit duhet të dridhen dhe të druhen përpara Perëndisë së Danielit. Sepse ai është Perëndia i gjallë dhe Ai që qëndron deri në kohë të pacaktuara dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do të shkojë në rrënim dhe zotërimi i tij është përgjithmonë. Ai çliron, liron dhe kryen shenja e vepra të mrekullueshme në qiejtë dhe mbi tokë, sepse ai ka çliruar Danielin nga panxha e luanëve.»—Danieli 6:25-27.

SHËRBEJI PERËNDISË ME VAZHDIMËSI

23. Çfarë shembulli la Danieli në lidhje me punën e tij jofetare dhe si mund të jemi si ai?

23 Danieli la një shembull të shkëlqyer për të gjithë shërbëtorët e sotëm të Perëndisë. Sjellja e tij ishte gjithmonë e paqortueshme. Në punën e tij jofetare, Danieli «ishte i denjë për besim dhe në të nuk gjendej asnjë shkujdesje ose gjë e korruptuar». (Danieli 6:4) Në mënyrë të ngjashme, një i krishterë duhet të jetë i palodhur për sa i përket punës që bën. Kjo nuk do të thotë të jesh biznesmen i pamëshirshëm që rend i etur pas pasurive materiale apo që shkel të tjerët për të ngjitur shkallët e karrierës. (1. Timoteut 6:10) Shkrimet kërkojnë që një i krishterë t’i përmbushë me ndershmëri dhe me gjithë shpirt detyrimet e tij në botë, «si për Jehovain».—Kolosianëve 3:22, 23; Titit 2:7, 8; Hebrenjve 13:18.

24. Si e tregoi Danieli se ishte i pakompromentueshëm në lidhje me adhurimin?

24 Në adhurimin e tij, Danieli ishte i pakompromentueshëm. Zakoni i tij për t’u lutur ishte diçka që dihej nga të gjithë. Për më tepër, zyrtarët e lartë dhe satrapët e dinin mirë se Danieli e merrte seriozisht adhurimin e tij. Në të vërtetë, ata ishin të bindur se ai do t’i përmbahej kësaj rutine edhe sikur të ishte e ndaluar me ligj. Ç’shembull i shkëlqyer për të krishterët e sotëm! Edhe ata njihen si persona që vënë në vend të parë adhurimin e Perëndisë. (Mateu 6:33) Kjo duhet t’u bjerë menjëherë në sy personave që nuk janë Dëshmitarë, sepse Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:16.

25, 26. (a) Ç’përfundim mund të nxjerrin disa njerëz në lidhje me mënyrën se si veproi Danieli? (b) Pse Danieli e konsideronte tamam si kompromis një ndryshim në rutinën e tij?

25 Disa mund të thonë se nëse gjatë periudhës 30 ditore do t’i ishte lutur në fshehtësi Perëndisë, Danieli mund ta kishte shmangur persekutimin. Në fund të fundit, që të të dëgjojë Perëndia nuk kërkohet as ndonjë pozicion i veçantë i trupit dhe as ndonjë ambient i veçantë. Ai mund të shquajë madje edhe meditimet e zemrës. (Psalmi 19:14) Megjithatë, çdo ndryshim në rutinën e tij Danieli e konsideronte tamam si një kompromis. Pse?

26 Përderisa të tjerët e dinin shumë mirë se Danieli e kishte zakon të lutej, ç’mesazh do të përcillej nëse papritur e ndërpriste këtë zakon? Ata që e vëzhgonin mund të nxirrnin fare mirë përfundimin se Danieli kishte frikë nga njerëzit dhe se dekreti i mbretit qëndronte mbi ligjin e Jehovait. (Psalmi 118:6) Por me anë të veprimeve të tij, Danieli tregoi se devocionin e tij ekskluziv e merrte Jehovai. (Ligji i përtërirë 6:14, 15; Isaia 42:8) Sigurisht, duke vepruar kështu, Danieli nuk shpërfilli pa respekt ligjin e mbretit. Por as nuk u struk, duke bërë kështu kompromis. Danieli thjesht vazhdoi të lutej në dhomën e tij në çati, «siç kishte bërë rregullisht» përpara se të dilte dekreti i mbretit.

27. Në ç’mënyrë shërbëtorët e Perëndisë sot mund të jenë si Danieli në lidhje me (a) nënshtrimin ndaj autoriteteve të larta? (b) bindjen ndaj Perëndisë si sundimtar në vend se njerëzve? (c) përpjekjet për të jetuar në paqe me të gjithë njerëzit?

27 Sot, shërbëtorët e Perëndisë mund të nxjerrin mësime nga shembulli i Danielit. Ata qëndrojnë «të nënshtruar ndaj autoriteteve të larta», duke iu bindur ligjeve të vendit ku jetojnë. (Romakëve 13:1) Por, kur ligjet e njeriut bien ndesh me ato të Perëndisë, populli i Jehovait bën të tijin qëndrimin e mbajtur nga apostujt e Jezuit, të cilët deklaruan me guxim: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, në vend se njerëzve.» (Veprat 5:29) Me këtë qëndrim, të krishterët nuk përkrahin kryengritjen apo revoltën. Përkundrazi, synimi i tyre është thjesht të jetojnë në paqe me të gjithë njerëzit, që «të vazhdojnë të bëjnë një jetë të shtruar e të qetë, me devocion të plotë hyjnor».—1. Timoteut 2:1, 2; Romakëve 12:18.

28. Në ç’mënyrë i shërbeu Danieli Jehovait «me vazhdimësi»?

28 Në dy raste, Dari tha se Danieli po i shërbente Perëndisë «me vazhdimësi». (Danieli 6:16, 20) Rrënja aramaike për fjalën e përkthyer «vazhdimësi» do të thotë «të lëvizësh në një rreth». Ajo jep idenë e një cikli të vazhdueshëm ose të diçkaje që është e pandërprerë. Integriteti i Danielit ishte i tillë. Ky integritet ndoqi një rrugë të parashikueshme. As që kishte dyshim se ç’do të bënte Danieli kur të ndodhej përballë sprovave, të mëdha apo të vogla. Ai do të vazhdonte të ndiqte drejtimin që tashmë e kishte përcaktuar dekada më parë: atë të besnikërisë dhe të besueshmërisë ndaj Jehovait.

29 Shërbëtorët e sotëm të Perëndisë dëshirojnë të ndjekin drejtimin që ndoqi Danieli. Në të vërtetë, apostulli Pavël i inkurajoi të gjithë të krishterët të shqyrtonin shembullin e burrave të kohëve të lashta, të cilët druanin Perëndinë. Nëpërmjet besimit, ata «kryen drejtësinë, morën premtime» dhe, me sa duket duke iu referuar Danielit, «mbyllën gojët e luanëve». Si shërbëtorë të Jehovait sot, le të shfaqim besimin dhe vazhdimësinë që tregoi Danieli dhe të «vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara»!—Hebrenjve 11:32, 33; 12:1.

[Shënimet]

^ par. 7 Ekzistenca e një «grope luanësh» në Babiloni mbështetet nga dëshmia e mbishkrimeve të lashta që tregojnë se shpesh, sundimtarët e Lindjes mbanin kopshte zoologjike me kafshë të egra.

^ par. 12 Dhoma në çati ishte një dhomë private ku dikush mund të tërhiqej në vetmi, kur nuk donte ta shqetësonin.

^ par. 16 Ka mundësi që gropa e luanëve të ketë qenë një dhomë nëntokësore që kishte lart një të hapur. Ka të ngjarë që ajo të ketë pasur edhe dyer ose hekura, që mund të ngriheshin për të lejuar hyrjen e kafshëve.

^ par. 20 Fjala «akuzuar» është përkthimi i një shprehjeje aramaike që mund të përkthehet edhe «shpifur». Kjo nxjerr në pah qëllimin dashakeq të armiqve të Danielit.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Pse medi Dar vendosi ta përdorte Danielin në një pozitë të lartë?

• Çfarë komploti dinak kurdisën zyrtarët e lartë dhe satrapët? Si e çliroi Jehovai Danielin?

• Çfarë mësimesh ke nxjerrë duke i kushtuar vëmendje shembullit besnik të Danielit?

[Pyetjet]

29. Si mund të nxjerrin dobi sot shërbëtorët e Jehovait nga rruga besnike që ndoqi Danieli?

[Figura që zë gjithë faqen 114]

[Figura që zë gjithë faqen 121]

[Figura në faqen 127]

Danieli i shërbeu Jehovait «me vazhdimësi». Po ti?