Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I forcuar nga një lajmëtar i Perëndisë

I forcuar nga një lajmëtar i Perëndisë

Kapitulli Dymbëdhjetë

I forcuar nga një lajmëtar i Perëndisë

1. Si u bekua Danieli për interesimin e thellë që tregoi në lidhje me realizimin e qëllimit të Jehovait?

INTERESIMI i thellë i Danielit për realizimin e qëllimit të Jehovait u shpërblye së tepërmi. Atij iu dha profecia entuziazmuese e 70 javëve në lidhje me kohën e shfaqjes së Mesisë. Danieli u bekua edhe sepse e pa mbetjen besnike të popullit të tij të kthehej në atdheun e vet. Kjo ndodhi në vitin 537 p.e.s., nga fundi i «vitit të parë të Kirit, mbretit të Persisë».—Ezdra 1:1-4.

2, 3. Pse Danieli mund të mos jetë kthyer në vendin e Judës bashkë me mbetjen e judenjve?

2 Danieli nuk ndodhej mes atyre që u kthyen në vendin e Judës. Në moshën e tij të thyer, udhëtimi mund të ishte diçka e vështirë. Sidoqoftë, Perëndia kishte ende ndër mend një shërbim tjetër për të në Babiloni. Kaluan dy vjet. Atëherë, tregimi na thotë: «Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një çështje iu zbulua Danielit, i cili thirrej me emrin Beltshazar dhe çështja ishte e vërtetë dhe ishte një shërbim i madh ushtarak. Dhe ai e kuptoi çështjen dhe pati kuptueshmëri në gjënë e shikuar.»—Danieli 10:1.

3 «Viti i tretë i Kirit» do të korrespondonte me vitin 536 apo 535 p.e.s. Që nga koha kur Danieli u çua në Babiloni bashkë me pasardhjen mbretërore dhe të rinjtë fisnikë të Judës, kishin kaluar më shumë se 80 vjet. (Danieli 1:3) Nëse kur mbërriti në Babiloni ishte në fillimet e adoleshencës, tani Danieli duhej të ishte gati 100 vjeç. Ç’histori të mrekullueshme shërbimi besnik kishte ai!

4. Me gjithë moshën e thyer, cilin rol domethënës do të luante ende Danieli në shërbimin e Jehovait?

4 Megjithatë, pavarësisht nga mosha e tij e thyer, roli i Danielit në shërbimin e Jehovait nuk kishte përfunduar. Nëpërmjet tij, Perëndia do të shpallte ende një mesazh profetik që kishte një domethënie me shtrirje të madhe. Ajo duhej të ishte një profeci që do të shtrihej deri në ditët tona e më tej. Që ta përgatiste Danielin për këtë detyrë të re, Jehovai e pa me vend të vepronte për ta ndihmuar, që ta forconte për shërbimin që e priste.

SHKAK ANKTHI

5. Cilat raporte ka të ngjarë të kenë qenë shkaqe ankthi për Danielin?

5 Megjithëse Danieli nuk u kthye në vendin e Judës me mbetjen judaike, ai ishte tepër i interesuar për atë që po ndodhte në vendlindjen e tij të dashur. Nga raportet që i mbërritën, Danieli mori vesh se punët atje nuk po shkonin mirë. Në Jerusalem ishte rivendosur altari dhe ishin hedhur themelet e tempullit. (Ezdra, kapitulli 3) Por kombet fqinje ishin kundër projektit të rindërtimit dhe po kurdisnin një poshtërsi kundër judenjve të kthyer. (Ezdra 4:1-5) Në fakt, Danieli mund të ishte fare mirë në ankth për shumë gjëra.

6. Pse kushtet e Jerusalemit e shqetësonin Danielin?

6 Danieli e njihte mirë profecinë e Jeremisë. (Danieli 9:2) Ai e dinte se rindërtimi i tempullit në Jerusalem dhe rivendosja e adhurimit të vërtetë atje, ishin të lidhura ngushtë me qëllimin e Jehovait për sa i përket popullit të Tij dhe se e gjithë kjo do të paraprinte shfaqjen e Mesisë së premtuar. Në fakt, Danieli ishte shumë i privilegjuar që kishte marrë nga Jehovai profecinë e «shtatëdhjetë javëve». Nga kjo profeci ai kuptoi se Mesia do të vinte 69 «javë» pas daljes së fjalës për rivendosjen dhe rindërtimin e Jerusalemit. (Danieli 9:24-27) Megjithatë, duke pasur parasysh gjendjen e shkretuar të Jerusalemit dhe vonesën në ndërtimin e tempullit, është e lehtë ta kuptojmë se përse Danieli mund të jetë ndier i shkurajuar, i brengosur dhe i dërrmuar shpirtërisht.

7. Çfarë bëri Danieli për tri javë?

7 «Në ato ditë, unë vetë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota,—thotë tregimi.—Nuk hëngra bukë të shijshme dhe në gojën time nuk hyri as mish, as verë dhe nuk u leva aspak me vaj deri në plotësimin e tri javëve të plota.» (Danieli 10:2, 3) «Tri javë të plota» ose 21 ditë duke mbajtur zi dhe agjëruar, ishin një periudhë e pazakontë për nga kohëzgjatja. Duket se kjo periudhë mori fund «ditën e njëzetekatërt të muajit të parë». (Danieli 10:4) Kështu, periudha e agjërimit të Danielit përfshinte Pashkën, që kremtohej ditën e 14-të të muajit të parë, nisanit, dhe festën shtatëditëshe të bukës pa maja, që e pasonte atë ditë.

8. Në cilin rast të mëparshëm kishte kërkuar me zell Danieli udhëheqjen e Jehovait dhe cili kishte qenë rezultati?

8 Një përvojë të ngjashme Danieli e kishte pasur edhe në një rast tjetër. Në atë kohë, ai ndihej i hutuar në lidhje me përmbushjen e profecisë së Jehovait për shkretimin 70-vjeçar të Jerusalemit. Ç’bëri atëherë Danieli? «E ktheva fytyrën time nga Jehovai, Perëndia i vërtetë,—tha Danieli,—që ta kërkoja me lutje dhe përgjërime, me agjërime, thes dhe hi.» Jehovai iu përgjigj lutjes së Danielit duke i dërguar engjëllin Gabriel me një mesazh që e inkurajoi shumë atë. (Danieli 9:3, 21, 22) Po tani, a do të vepronte në mënyrë të ngjashme Jehovai, duke i dhënë Danielit inkurajimin që i nevojitej aq shumë?

NJË VIZION FRIKËSUES

9, 10. (a) Ku ndodhej Danieli kur i erdhi një vizion? (b) Përshkruaj atë që pa Danieli në këtë vizion?

9 Danieli nuk zhgënjehet. Ai vazhdon të na tregojë atë që ndodh më pas, duke thënë: «Ndërsa ndodhesha në bregun e lumit të madh, domethënë të Hidekelit, ngrita sytë dhe pashë dhe ja, njëfarë burri i veshur me li, me ijet të ngjeshura me arin e Uphazit.» (Danieli 10:4, 5) Hidekeli ishte një prej katër lumenjve që e kishin burimin e tyre në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 2:10-14) Në persishten e vjetër, Hidekeli njihej si Tigra, prej të cilit erdhi emri grek Tigris. Me kalimin e kohës, rajoni midis tij dhe Eufratit u quajt Mesopotami, që do të thotë: «Toka midis lumenjve». Kjo vërteton faktin që kur mori këtë vizion, Danieli ishte ende në tokën e Babilonisë, megjithëse ndoshta jo në qytetin e Babilonisë.

10 Ç’vizion mori Danieli! Është e qartë që kur ngriti sytë, ai nuk pa një njeri të zakonshëm. Danieli bëri këtë përshkrim të gjallë: «Trupi i tij ishte si krizolit dhe fytyra e tij si pamja e vetëtimës dhe sytë e tij si pishtarë të zjarrtë dhe krahët dhe vendi i këmbëve të tij ishin si pamja e bakrit të lëmuar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si tingulli i një turme.»—Danieli 10:6.

11. Çfarë efekti pati vizioni te Danieli dhe te burrat që ishin me të?

11 Me gjithë shkëlqimin e vizionit, ‘burrat që ishin me mua nuk e panë shfaqjen’, tha Danieli. Për ndonjë arsye të pashpjeguar, «mbi ta ra një dridhje e madhe, aq sa vrapuan për t’u fshehur». Kështu, Danieli mbeti krejt i vetëm në breg të lumit. Pamja e «kësaj shfaqjeje madhështore» pati një fuqi kaq goditëse, saqë Danieli pohoi: «Te mua nuk u la të qëndronte asnjë fuqi dhe dinjiteti im u ndryshua mbi mua në rrënim dhe nuk ruajta asnjë fuqi.»—Danieli 10:7, 8.

12, 13. Çfarë tregonte për lajmëtarin (a) veshja e tij? (b) pamja e tij?

12 Le ta shqyrtojmë më me vëmendje këtë lajmëtar të habitshëm që e frikësoi kaq shumë Danielin. Ai ishte «i veshur me li, me ijet të ngjeshura me arin e Uphazit». Në Izraelin e lashtë, brezi i kryepriftit, efodi dhe pektorali i tij, si edhe veshjet e priftërinjve të tjerë, bëheshin me li të hollë të përdredhur dhe zbukuroheshin me ar. (Dalja 28:4-8; 39:27-29) Pra, veshja e lajmëtarit tregon shenjtëri dhe dinjitet posti.

13 Danieli u tremb edhe nga pamja e lajmëtarit: shkëlqimi i ndritshëm i trupit të tij si xhevahir, rrezatimi verbues i fytyrës së shndritshme, fuqia depërtuese e syve të zjarrtë dhe vezullimi i krahëve dhe këmbëve të tij të fuqishme. Madje edhe zëri i tij urdhërues ishte frikësues. E gjithë kjo tregon qartë se ai ishte mbinjerëzor. Ky «burrë i veshur me li» s’ishte askush tjetër veçse një engjëll i rangut të lartë, një engjëll që shërbente në praninë e shenjtë të Jehovait, prej së cilës erdhi me një mesazh. *

NJË «NJERI SHUMË I DËSHIRUESHËM» FORCOHET

14. Çfarë ndihme i nevojitej Danielit që të merrte mesazhin engjëllor?

14 Mesazhi që kishte engjëlli i Jehovait për Danielin ishte me peshë dhe kompleks. Përpara se ta merrte atë, Danieli kishte nevojë për ndihmë, që të merrte veten nga gjendja e tij e rëndë fizike dhe mendore. Me sa duket, i vetëdijshëm për këtë, engjëlli i dha me dashuri Danielit ndihmë dhe inkurajim personal. Le të ndjekim tregimin e vetë Danielit për atë që ndodhi.

15. Çfarë bëri engjëlli për ta ndihmuar Danielin?

15 «Ndërsa dëgjoja tingullin e fjalëve të tij, unë vetë rashë, gjithashtu, në gjumë të thellë mbi fytyrën time, me fytyrën përtokë.» Ka të ngjarë që frika dhe ankthi ta kenë bërë Danielin të bjerë në një gjendje të trullosur. Çfarë bëri engjëlli për ta ndihmuar? «Ja,—tha Danieli,—një dorë më preku dhe gradualisht më shkundi nga gjumi që të ngrihesha mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve të mia.» Veç kësaj, engjëlli e inkurajoi profetin me këto fjalë: «O Daniel, ti njeri shumë i dëshirueshëm, ki kuptueshmëri në fjalët që po të them dhe ngrihu në këmbë në vendin ku po qëndroje, sepse tani jam dërguar te ti.» Dora që e ndihmoi dhe fjalët ngushëlluese e rigjallëruan Danielin. Megjithëse ishte «duke u drithëruar», Danieli ‘u ngrit në këmbë’.—Danieli 10:9-11.

16. (a) Si mund të shihet se Jehovai u përgjigjet shpejt lutjeve të shërbëtorëve të tij? (b) Pse vonoi engjëlli për t’i ardhur në ndihmë Danielit? (Përfshi kutinë.) (c) Cilin mesazh kishte engjëlli për Danielin?

16 Engjëlli vuri në dukje se kishte ardhur posaçërisht për të forcuar Danielin. «Mos ki frikë, o Daniel,—tha engjëlli,—sepse që prej ditës së parë që ia dhe zemrën tënde kuptueshmërisë dhe u përule përpara Perëndisë tënd, fjalët e tua janë dëgjuar dhe unë vetë kam ardhur për shkak të fjalëve të tua.» Pastaj engjëlli shpjegoi se përse ishte vonuar. Ai tha: «Por princi i sferës mbretërore të Persisë më qëndroi kundër për njëzet e një ditë dhe ja, Mikaeli, një prej princave të parë, erdhi të më ndihmonte dhe unë, nga ana ime, mbeta atje pranë mbretërve të Persisë.» Me ndihmën e Mikaelit, engjëlli ishte në gjendje ta përmbushte misionin e tij, duke ardhur te Danieli me këtë mesazh shumë urgjent: «Kam ardhur për të të bërë të shquash atë që do t’i ndodhë popullit tënd në pjesën përfundimtare të ditëve, sepse është një vizion ende për ditët që do të vijnë.»—Danieli 10:12-14.

17, 18. Si u ndihmua Danieli për herë të dytë dhe çfarë i mundësoi kjo të bënte?

17 Në vend që të përmendej nga mundësia për të marrë një mesazh kaq tërheqës, duket se te Danieli gjërat që dëgjoi patën efektin e kundërt. Tregimi thotë: «Tani, kur foli me mua, duke më thënë fjalë të tilla, e kisha vënë fytyrën përtokë dhe isha bërë i pagojë.» Por lajmëtari engjëllor ishte i gatshëm për ta ndihmuar përsëri me dashuri: për herë të dytë. Danieli tha: «Ja, një i ngjashëm me ngjashmërinë e bijve të njerëzimit më preku buzët e mia dhe unë fillova ta hapja gojën time, të flitja.» *Danieli 10:15, 16a.

18 Danieli u forcua kur engjëlli i preku buzët. (Krahaso Isainë 6:7.) Meqenëse iu kthye aftësia për të folur, Danieli ishte në gjendje t’i shpjegonte lajmëtarit engjëllor vuajtjet që po kalonte. Danieli tha: «O zotëria im, për shkak të shfaqjes, përpëlitjet e mia u kthyen brenda meje dhe nuk ruajta asnjë fuqi. Kështu që, si mundi të fliste shërbëtori i këtij zotërisë tim me këtë zotërinë tim? Dhe sa për mua, deri tani vazhdon të mos qëndrojë në mua asnjë fuqi dhe nuk mbeti në mua asnjë frymë.»—Danieli 10:16b, 17.

19. Si u ndihmua për herë të tretë Danieli dhe me çfarë rezultati?

19 Danieli nuk po shprehte ndonjë ankim dhe as po justifikohej. Ai thjesht po pohonte gjendjen e tij të vështirë dhe engjëlli e pranoi këtë pohim. Kështu, për herë të tretë, Danieli u ndihmua nga lajmëtari engjëllor. «Ai si shfaqja e një njeriu tokësor më preku përsëri dhe më forcoi»,—tha profeti. Lajmëtari e pasoi atë prekje gjallëruese me këto fjalë ngushëlluese: «Mos ki frikë, o njeri shumë i dëshirueshëm. Paç paqe! Ji i fortë, po, ji i fortë.» Kjo prekje e dashur dhe këto fjalë ndërtuese u duk se ishin tamam ato për të cilat kishte nevojë Danieli. Rezultati? Danieli deklaroi: «Sapo ai foli me mua, ushtrova forcën time dhe më në fund thashë: ‘Le të flasë zotëria im, sepse më ke forcuar.’» Tani Danieli ishte gati për një caktim tjetër sfidues.—Danieli 10:18, 19.

20. Pse kërkoheshin përpjekje që lajmëtari engjëllor të përmbushte caktimin e tij?

20 Pasi e forcoi Danielin dhe pasi e ndihmoi të rifitonte aftësitë e tij fizike dhe mendore, engjëlli ripohoi qëllimin e misionit të tij. Ai tha: «A e di me të vërtetë pse kam ardhur te ti? Dhe tani do të kthehem të luftoj me princin e Persisë. Kur të dal, ja, po vjen edhe princi i Greqisë. Megjithatë, do të të tregoj gjërat e shënuara në shkrimin e së vërtetës dhe nuk ka asnjë që mbahet fort me mua në këto gjëra veç Mikaelit, princi i popullit tuaj.»—Danieli 10:20, 21.

21, 22. (a) Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Danielit për mënyrën se si vepron Jehovai me shërbëtorët e vet? (b) Për çfarë ishte i forcuar tani Danieli?

21 Çfarë dashurie dhe kujdesi nga ana e Jehovait! Me shërbëtorët e tij ai vepron gjithmonë sipas aftësive dhe kufizimeve të tyre. Nga njëra anë, ai u jep atyre caktime sipas asaj që e di se mund ta kryejnë, edhe pse hera-herës ata mund të mendojnë të kundërtën. Nga ana tjetër, ai është i gatshëm t’i dëgjojë dhe t’u sigurojë atë që nevojitet për t’i ndihmuar që të përmbushin caktimet e tyre. Le të imitojmë gjithmonë Atin tonë qiellor, Jehovain, duke inkurajuar dhe forcuar me dashuri bashkadhuruesit tanë!—Hebrenjve 10:24.

22 Mesazhi ngushëllues i engjëllit e inkurajoi shumë Danielin. Me gjithë moshën e tij të thyer, tani Danieli ishte i forcuar dhe i përgatitur për të marrë e për të dokumentuar një profeci tjetër të jashtëzakonshme për dobinë tonë.

[Shënimet]

^ par. 13 Megjithëse ky engjëll është anonim, duket se është po ai engjëll, zëri i të cilit u dëgjua tek e drejtonte Gabrielin që ta ndihmonte Danielin për një vizion që sapo kishte parë. (Krahaso Danielin 8:2, 15, 16 me Dn 12:7, 8.) Më tej, Danieli 10:13 tregon se Mikaeli, «një prej princave të parë», erdhi për ta ndihmuar këtë engjëll. Kështu, ky engjëll anonim duhet të ketë qenë i kënaqur për privilegjin e bashkëpunimit ngushtë me Gabrielin dhe me Mikaelin.

^ par. 17 Megjithëse Danielit mund t’ia ketë prekur buzët dhe ta ketë rigjallëruar i njëjti engjëll që po fliste me të, formulimi këtu lë vend për mundësinë që këtë e bëri një engjëll tjetër, ndoshta Gabrieli. Sidoqoftë, Danieli u forcua nga një lajmëtar engjëllor.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Pse engjëlli i Jehovait u vonua, kur ishte duke i ardhur në ndihmë Danielit në vitin 536 apo 535 p.e.s.?

• Çfarë tregonin për lajmëtarin engjëllor të Perëndisë veshja dhe pamja e tij?

• Për çfarë ndihme kishte nevojë Danieli dhe si ia siguroi atë engjëlli?

• Cilin mesazh kishte engjëlli për Danielin?

[Pyetjet]

[Kutia në faqet 204, 205]

Mbrojtës engjëllorë apo sundimtarë demonikë?

NE MUND të mësojmë shumë nga ajo që thotë libri i Danielit për engjëjt. Ai na flet për rolin që luajnë ata në përmbushjen e fjalës së Jehovait dhe për përpjekjet që bëjnë për të kryer caktimet e tyre.

Engjëlli i Perëndisë tha se gjatë rrugës që bëri për t’i folur Danielit, u pengua nga «princi i sferës mbretërore të Persisë». Pasi luftoi me të për 21 ditë, lajmëtari engjëllor qe në gjendje të vazhdonte vetëm me ndihmën e «Mikaelit, një prej princave të parë». Engjëlli tha, gjithashtu, se do t’i duhej përsëri të ndeshej me atë armik e ndoshta edhe me «princin e Greqisë». (Danieli 10:13, 20) Një detyrë aspak e lehtë, madje edhe për një engjëll! Por, kush ishin këta princa të Persisë dhe të Greqisë?

Para së gjithash, vërejmë se Mikaeli u quajt «një prej princave të parë» dhe «princi i popullit tuaj». Më vonë, për Mikaelin flitet si për «princin e madh që qëndron në favor të bijve të popullit [të Danielit]». (Danieli 10:21; 12:1) Kjo gjë e tregon qartë Mikaelin si engjëllin e caktuar nga Jehovai për t’i udhëhequr izraelitët nëpër shkretëtirë.—Dalja 23:20-23; 32:34; 33:2.

Një pohim që e mbështet këtë përfundim është ai i dishepullit Judë, se «Mikaeli, kryeengjëlli, pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe po debatonte për trupin e Moisiut». (Juda 9) Pozita, fuqia dhe autoriteti i tij e bën vërtet Mikaelin «kryeengjëllin», që do të thotë «kreun e engjëjve» ose «engjëllin kryesor». Është shumë e përshtatshme që këtë pozitë të lartë të mos e ketë askush tjetër veç Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, para dhe pas jetës së tij në tokë.—1. Selanikasve 4:16; Zbulesa 12:7-9.

A do të thotë kjo se Jehovai emëroi engjëj edhe mbi kombe të tilla si Persia dhe Greqia, me qëllim që t’i udhëhiqnin për çështjet e tyre? E pra, Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, deklaroi hapur: «Sundimtari i botës . . . nuk ka zotërim mbi mua.» Jezui tha, gjithashtu: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote . . . mbretëria ime nuk është nga ky burim.» (Gjoni 14:30; 18:36) Apostulli Gjon deklaroi se «e gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut». (1. Gjonit 5:19) Është e qartë se kombet e botës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë as tani nën udhëheqjen a sundimin e Perëndisë ose të Krishtit. Megjithëse Jehovai i lejon «autoritetet e larta» të ekzistojnë dhe të mbajnë kontrollin e çështjeve qeveritare tokësore, ai nuk emëron mbi to engjëjt e tij. (Romakëve 13:1-7) Çdo «princ» ose «sundimtar» mbi to mund të vendosej atje vetëm nga «sundimtari i botës», Satana Djalli. Ata do të ishin sundimtarë demonikë, në vend se mbrojtës engjëllorë. Pra, prapa sundimtarëve të dukshëm ndodhen forca demonike të padukshme ose «princa» dhe konfliktet ndërkombëtare përfshijnë më shumë sesa thjesht qeniet njerëzore.

[Figura që zë gjithë faqen 199]

[Figura që zë gjithë faqen 207]