Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Libri i Danielit dhe ti

Libri i Danielit dhe ti

Kapitulli një

Libri i Danielit dhe ti

1, 2. (a) Cilat janë disa prej situatave të pazakonta që paraqiten në librin biblik të Danielit? (b) Në kohët tona moderne, cilat pyetje lindin në lidhje me librin e Danielit?

NJË mbret i fuqishëm kërcënon se do të ekzekutojë të mençurit e tij, pasi nuk janë në gjendje ta zbulojnë dhe interpretojnë ëndrrën e tij enigmatike. Tre të rinj që refuzojnë të adhurojnë një shëmbëlltyrë shumë të lartë, i hedhin në një furrë tejet të nxehur, por megjithatë mbijetojnë. Në mes të një kremtimi festiv, qindra veta shohin një dorë që shkruan fjalë të mistershme mbi murin e një pallati. Komplotistë të ligj kanë bërë që një të moshuar ta flakin në një gropë luanësh, por ai del prej saj pa gërvishtjen më të vogël. Një profet i Perëndisë shikon në një vizion katër bisha, domethënia e të cilave përfshin mijëvjeçarë të tërë të së ardhmes.

2 Këto janë vetëm disa prej tregimeve që gjenden në librin biblik të Danielit. A meritojnë ato një shqyrtim serioz? Ç’lidhje mund të ketë ky libër i lashtë me ditët tona? Pse duhet të na interesojnë ngjarjet që kanë ndodhur rreth 2.600 vjet më parë?

DANIELI: NJË LIBËR I LASHTË PËR KOHËT MODERNE

3, 4. Pse shumë njerëz shqetësohen me të drejtë për të ardhmen e njerëzimit?

3 Një pjesë e madhe e librit të Danielit përqendrohet në temën e sundimit botëror, një çështje që sot është me interes të dorës së parë. Thuajse kushdo është dakord që jetojmë në kohë të vështira. Ditë për ditë, lajmet na bombardojnë me njoftime të zymta, të cilat na kujtojnë se shoqëria njerëzore po zhytet në një batak problemesh të koklavitura. Dhe e gjithë kjo, pavarësisht nga arritjet e jashtëzakonshme në shkencë dhe teknologji.

4 Vëre këtë fakt: njeriu ka ecur në hënë, por në shumë vende nuk mund të shëtisë pa frikë nëpër rrugët e planetit të vet. Ai mund ta mbushë shtëpinë me çdo lloj pajisjeje moderne, por nuk mund të frenojë valën e familjeve të prishura. Mund të sjellë edhe epokën e informacionit, por nuk mund t’u mësojë njerëzve se si të jetojnë së bashku në paqe. Hug Tomas, profesor historie, dikur shkroi: «Përhapja e njohurisë dhe e arsimit i ka mësuar njerëzimit pak për vetëkontrollin dhe akoma më pak për artin e të jetuarit bashkë me njerëz të tjerë.»

5. Në pjesën më të madhe, cili ka qenë rezultati i sundimit të njeriut?

5 Në përpjekje për të vendosur njëfarë rregulli në shoqëri, njerëzit janë vënë nën drejtimin e një shumëllojshmërie të madhe qeverish. Por asnjëra prej tyre nuk ka bërë përjashtim nga vërtetësia e asaj që vërejti mbreti Solomon: «Njeriu ka mbizotëruar njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 4:1; 8:9) Sigurisht, disa sundimtarë kanë pasur ideale fisnike. Megjithatë, asnjë mbret, president ose diktator nuk mund të shkulë me gjithë rrënjë sëmundjet dhe vdekjen. Asnjë njeri nuk mund ta kthejë tokën tonë në atë Parajsë që Perëndia pati si qëllim të ishte.

6. Pse Jehovai nuk ka nevojë për bashkëpunimin e sundimeve njerëzore që të kryejë vullnetin e vet?

6 Por, Krijuesi është si i gatshëm, ashtu edhe në gjendje të bëjë gjëra të tilla. Që të realizojë qëllimin e tij, ai nuk ka nevojë për lejen e qeverive njerëzore, pasi për të «kombet janë si një pikë nga një kovë dhe janë konsideruar si shtresa e hollë e pluhurit mbi peshoren». (Isaia 40:15) Po, Jehovai është Sundimtari Sovran i universit. Si i tillë, autoriteti i tij qëndron shumë më lart se ai i qeverive njerëzore. Është Mbretëria e Perëndisë ajo që do të zëvendësojë të gjitha sundimet njerëzore, duke i sjellë kështu njerëzimit një bekim të përjetshëm. Ndoshta kjo gjë nuk është bërë asgjëkundi më e qartë sesa në librin biblik të Danielit.

DANIELI: SHUMË I DASHUR PËR PERËNDINË

7. Kush ishte Danieli dhe si e konsideronte atë Jehovai?

7 Perëndia Jehova kishte një dashuri të madhe për Danielin, i cili shërbeu si profet i tij për shumë vite. Në fakt, engjëlli i Perëndisë e përshkroi Danielin si «dikush shumë i dëshirueshëm». (Danieli 9:23) Termi origjinal hebraik i përkthyer «dikush shumë i dëshirueshëm» mund të ketë domethënien «shumë i dashur», «shumë i vlerësuar», madje «i preferuar». Danieli ishte veçanërisht i çmuar në sytë e Perëndisë.

8. Si ndodhi që Danieli gjendej në Babiloni?

8 Le të shqyrtojmë shkurtimisht rrethanat e veçanta të këtij profeti të dashur. Në vitin 618 p.e.s., mbreti babilonas Nabukodonosor rrethoi Jerusalemin. (Danieli 1:1) Pak pas kësaj, disa të rinj judenj të arsimuar mirë, u morën me forcë në mërgim në Babiloni. Mes tyre ishte edhe Danieli. Në atë kohë ai ishte ndoshta adoleshent.

9. Për çfarë i stërvitën Danielin dhe shokët e tij hebrenj?

9 Danieli dhe shokët e tij, Hanania, Mishaeli dhe Azaria, ndodheshin mes hebrenjve, të cilët u zgjodhën që t’u bëhej një stërvitje trivjeçare në «shkrimin dhe gjuhën e kaldeasve». (Danieli 1:3, 4) Disa studiues vërejnë se ka të ngjarë që kjo të ishte më shumë sesa thjesht një kurs gjuhe. Për shembull, profesori C. F. Keil pohon: «Danieli dhe shokët e tij duhej të arsimoheshin në mençurinë e priftërinjve dhe të eruditëve kaldeas, mençuri që mësohej nëpër shkollat e Babilonisë.» Pra, Danielin dhe shokët e tij po i stërvitnin veçanërisht për shërbime qeveritare.

10, 11. Cilat sfida hasën Danieli e shokët e tij dhe çfarë ndihme u dha Jehovai?

10 Ç’ndryshim drastik rrethanash për Danielin dhe shokët e tij! Në Judë, ata kishin jetuar mes adhuruesve të Jehovait. Tani, i rrethonte një popull që adhuronte perëndi dhe perëndesha mitologjike. Megjithatë, të rinjtë Daniel, Hanania, Mishael dhe Azaria nuk u frikësuan. Me gjithë këtë situatë që sfidonte besimin e tyre, ata ishin të vendosur të mbaheshin fort pas adhurimit të vërtetë.

11 Kjo s’do të ishte e lehtë. Mbreti Nabukodonosor i ishte përkushtuar me zell Mardukut, hyjnisë kryesore të Babilonisë. Hera-herës, kërkesat e mbretit ishin krejtësisht të papranueshme për një adhurues të Jehovait. (Për shembull, shiko Danielin 3:1-7.) Por Danieli dhe shokët e tij kishin udhëheqjen e padështueshme të Jehovait. Gjatë tre vjetëve të stërvitjes së tyre, Perëndia i bekoi me «njohuri dhe mendjehollësi për të gjithë shkrimin dhe mençurinë». Veç kësaj, Danielit iu dha aftësia për të kuptuar domethënien e vizioneve dhe të ëndrrave. Më vonë, kur i mori në shqyrtim të katër të rinjtë, mbreti vërejti se ishin «dhjetë herë më të mirë sesa të gjithë priftërinjtë që praktikonin magjinë dhe se magjistarët që ndodheshin në të gjithë sferën e tij mbretërore».—Danieli 1:17, 20.

SHPALLI MESAZHET E PERËNDISË

12. Cili qe caktimi i veçantë i Danielit?

12 Gjatë viteve të shumta që kaloi në Babiloni, Danieli shërbeu si lajmëtar i Perëndisë për njerëz të tillë si mbretërit Nabukodonosor dhe Belshazar. Caktimi që i ishte dhënë Danielit ishte kritik. Jehovai e kishte lejuar Nabukodonosorin të shkatërronte Jerusalemin, duke e përdorur kështu si instrumentin e Tij. Me kalimin e kohës do të shkatërrohej edhe Babilonia. Vërtet, libri i Danielit e madhështon Perëndinë Jehova si Më të Lartin dhe si Sundimtar në «mbretërinë e njerëzimit».—Danieli 4:17.

13, 14. Çfarë i ndodhi Danielit pas rënies së Babilonisë?

13 Danieli vazhdoi të shërbente në oborrin e mbretit për rreth shtatë dekada, derisa ra Babilonia. Ai jetoi mjaft gjatë sa të shihte shumë judenj që u kthyen në mëmëdheun e tyre në vitin 537 p.e.s., megjithëse Bibla nuk thotë se ai i shoqëroi ata. Ai qe shumë aktiv, të paktën deri në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Kir, themeluesit të Perandorisë Perse. Në atë kohë, Danieli duhet të ketë qenë afër të 100-ave.

14 Pas rënies së Babilonisë, Danieli hodhi me shkrim ngjarjet më domethënëse të jetës së vet. Dokumenti i tij është tani pjesë e spikatur e Biblës së Shenjtë dhe njihet si libri i Danielit. Po pse duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij libri të lashtë?

DY LINJA, NJË MESAZH

15. (a) Cilat janë dy linjat që përshkojnë librin biblik të Danielit? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga fragmentet tregimtare të Danielit?

15 Libri unik i Danielit përshkohet nga dy linja shumë të ndryshme: njëra është tregimtare, tjetra profetike. Të dyja këto aspekte të librit të Danielit mund ta ndërtojnë besimin tonë. Si? Fragmentet tregimtare, ndër më të gjallat në Bibël, na tregojnë se Perëndia Jehova do t’i bekojë dhe do të kujdeset për ata që mbajnë integritetin ndaj tij. Përballë sprovave që u kërcënuan jetën, Danieli dhe tre shokët e tij qëndruan të palëkundur. Sot, të gjithë ata që dëshirojnë t’i qëndrojnë besnikë Jehovait, do të forcohen nga një shqyrtim i vëmendshëm i shembullit të tyre.

16. Cilin mësim nxjerrim nga fragmentet profetike të Danielit?

16 Fragmentet profetike të Danielit e ndërtojnë besimin, duke treguar se Jehovai e di rrjedhën e historisë shekuj, madje mijëvjeçarë më parë. Për shembull, Danieli jep hollësi në lidhje me ngritjen dhe rënien e fuqive botërore që prej kohës së Babilonisë së lashtë e deri në «kohën e fundit». (Danieli 12:4) Danieli e drejton vëmendjen tonë te Mbretëria e Perëndisë në duart e Mbretit të Tij të emëruar dhe të «të shenjtëve» mbretër, duke e identifikuar qartë atë si qeverinë që do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo qeveri do të realizojë plotësisht qëllimin e Jehovait për tokën tonë dhe do të çojë në bekimin e të gjithë atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë.—Danieli 2:44; 7:13, 14, 22.

17, 18. (a) Si do të forcohet besimi ynë nga një shqyrtim i vëmendshëm i librit të Danielit? (b) Cila çështje duhet trajtuar, përpara se t’i hyjmë studimit të këtij libri profetik të Biblës?

17 Ia dimë për faleminderit Jehovait që këtë njohuri mbi ngjarjet e së ardhmes nuk e mban për vete. Përkundrazi, është ‘Zbuluesi i sekreteve’. (Danieli 2:28) Ndërsa marrim në shqyrtim përmbushjen e profecive të dokumentuara në librin e Danielit, besimi ynë te premtimet e Perëndisë do të forcohet. Do të ndihemi edhe më të bindur që Jehovai do ta realizojë qëllimin e tij në kohën e përpiktë dhe në mënyrën e saktë që zgjedh ai.

18 Të gjithëve atyre që librin biblik të Danielit e studiojnë me një zemër të ndjeshme, do t’u rritet besimi. Por, përpara se t’i hyjmë shqyrtimit në thellësi të këtij libri, duhet të shohim me kujdes dëshmitë në lidhje me faktin nëse ky libër është vërtet autentik apo jo. Disa kritikë e kanë sulmuar librin e Danielit, duke thënë se profecitë e tij u shkruan faktikisht pas përmbushjes së tyre. A janë të justifikuara deklaratat e skeptikëve? Kjo çështje do të trajtohet në kapitullin vijues.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Pse libri i Danielit është një libër për kohët moderne?

• Si ndodhi që Danieli dhe shokët e tij hynë në shërbimin qeveritar të Babilonisë?

• Cili qe caktimi i veçantë i Danielit në Babiloni?

• Pse duhet t’u kushtojmë vëmendje profecive të Danielit?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 4]

[Figura që zë gjithë faqen 11]