Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbretërit ndërluftues i afrohen fundit të tyre

Mbretërit ndërluftues i afrohen fundit të tyre

Kapitulli Gjashtëmbëdhjetë

Mbretërit ndërluftues i afrohen fundit të tyre

1, 2. Si ndryshoi identiteti i mbretit të veriut pas Luftës së Dytë Botërore?

DUKE reflektuar mbi klimën politike të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, në vitin 1835 filozofi dhe historiani francez Aleks dë Tokëvil shkroi: «Si mjet kryesor veprimi njëri ka lirinë, ndërsa tjetri skllavërinë. Rrugët . . . e tyre [janë] të ndryshme, megjithatë duket sikur secili është thirrur me ndonjë qëllim sekret nga Perëndia, që një ditë të mbajë në duart e veta fatet e gjysmës së botës.» Sa i saktë doli ky parashikim menjëherë pas Luftës II Botërore? Historiani J. M. Roberts shkruan: «Në fund të një Lufte të Dytë Botërore u duk vërtet sikur më në fund fatet e botës do të zotëroheshin nga dy sisteme të mëdha dhe shumë të ndryshme pushteti: njëri i bazuar në atë që kishte qenë Rusia, ndërsa tjetri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.»

2 Gjatë dy luftërave botërore, Gjermania kishte qenë armiku kryesor i mbretit të jugut, fuqisë botërore anglo-amerikane, dhe kishte zënë vendin e mbretit të veriut. Megjithatë, pas Luftës II Botërore, ky komb mbeti i ndarë. Gjermania Perëndimore u bë aleate e mbretit të jugut, ndërsa Gjermania Lindore bëri aleancë me një entitet tjetër të fuqishëm, me bllokun komunist të kombeve, të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik. Ky bllok ose entitet politik u ngrit si mbreti i veriut, në opozitë të fortë me aleancën anglo-amerikane. Rivaliteti mes dy mbretërve u bë një Luftë e Ftohtë që zgjati nga viti 1948 deri në vitin 1989. Më parë, mbreti gjerman i veriut kishte vepruar «kundër besëlidhjes së shenjtë». (Danieli 11:28, 30) Si do të vepronte blloku komunist për sa i përket besëlidhjes?

TË KRISHTERËT E VËRTETË PENGOHEN, POR TRIUMFOJNË

3, 4. Cilët janë ata që «veprojnë me ligësi kundër besëlidhjes» dhe çfarë marrëdhënieje kanë pasur ata me mbretin e veriut?

3 «Ata që veprojnë me ligësi kundër besëlidhjes,—tha engjëlli i Perëndisë,—ai [mbreti i veriut] do t’i çojë në apostazi me anë të fjalëve lajkatuese.» Engjëlli shtoi: «Por për sa i përket popullit që njeh Perëndinë e tij, ai do të triumfojë dhe do të veprojë me efektshmëri. Dhe për sa u përket atyre që kanë mendjehollësi mes popullit, ata do t’u japin kuptueshmëri shumë njerëzve. Dhe me siguri do të pengohen me anë të shpatës dhe me anë të flakës, me anë të robërisë dhe me anë të presë, për disa ditë.»—Danieli 11:32, 33.

4 Ata që «veprojnë me ligësi kundër besëlidhjes» mund të jenë vetëm krerët e të ashtuquajturit krishterim, që deklarojnë se janë të krishterë, por me veprat e tyre përdhosin vetë emrin e krishterimit. Në librin e tij Feja në Bashkimin Sovjetik (Religion in the Soviet Union), Valter Kolars thotë: «[Gjatë Luftës së Dytë Botërore] qeveria sovjetike u përpoq të siguronte ndihmën materiale dhe morale të kishave për mbrojtjen e mëmëdheut.» Pas luftës, krerët e kishave u përpoqën ta ruanin këtë miqësi, pavarësisht nga politika ateiste e fuqisë që tani ishte mbreti i veriut. Në këtë mënyrë, i ashtuquajturi krishterim u bë më shumë se kurrë pjesë e kësaj bote, një apostazi e neveritshme në sytë e Jehovait.—Gjoni 17:16; Jakovit 4:4.

5, 6. Kush ishte ‘populli që e njeh Perëndinë e tij’ dhe si ia bëri ai kur ndodhej nën mbretin e veriut?

5 Por, ç’të themi për të krishterët e vërtetë, ‘popullin që e njeh Perëndinë e tij’ dhe ‘ata që kanë mendjehollësi’? Megjithëse ‘u nënshtroheshin siç duhet autoriteteve të larta’, të krishterët që jetonin nën sundimin e mbretit të veriut nuk ishin pjesë e kësaj bote. (Romakëve 13:1; Gjoni 18:36) Të kujdesshëm për t’i paguar «Cezarit gjërat e Cezarit», ata i jepnin edhe «Perëndisë, gjërat e Perëndisë». (Mateu 22:21) Për shkak të kësaj, integritetit të tyre iu vunë përpara sfida.—2. Timoteut 3:12.

6 Si rezultat, të krishterët e vërtetë ‘u penguan’, por edhe ‘triumfuan’. U penguan në kuptimin që vuajtën nga një persekutim intensiv, madje disa u vranë. Por triumfuan në kuptimin që pjesa më e madhe e tyre mbetën besnikë. Ata e mundën botën, ashtu siç e mundi edhe Jezui. (Gjoni 16:33) Për më tepër, ata nuk e ndalën kurrë predikimin, madje edhe kur u ndodhën nëpër burgje ose në kampe përqendrimi. Duke vepruar kështu, ata ‘u dhanë mendjehollësi shumë vetave’. Me gjithë persekutimin në shumë vende ku sundonte mbreti i veriut, numri i Dëshmitarëve të Jehovait u rrit. Falë besnikërisë së «atyre që kanë mendjehollësi», në këto vende u shfaq një pjesë që sa vinte e shtohej e «shumicës së madhe».—Zbulesa 7:9-14.

POPULLI I JEHOVAIT RAFINOHET

7. Cilën «ndihmë të vogël» morën të krishterët e mirosur që jetonin nën mbretin e veriut?

7 «Kur ata [populli i Jehovait] të pengohen, do të ndihmohen me një ndihmë të vogël»,—tha engjëlli. (Danieli 11:34a) Triumfi i mbretit të jugut në Luftën e Dytë Botërore kishte sjellë si rezultat njëfarë lehtësimi për të krishterët që jetonin nën mbretin rival. (Krahaso Zbulesën 12:15, 16.) Ngjashëm, herë pas here ata që u persekutuan nga mbreti pasues përjetuan lehtësim. Ndërsa Lufta e Ftohtë shkonte drejt fundit, shumë udhëheqës arritën të kuptonin se të krishterët besnikë nuk përbëjnë një kërcënim, prandaj u dhanë atyre njohjen ligjore. Ndihma erdhi edhe nga numri në rritje i shumicës së madhe, e cila iu përgjigj predikimit besnik të të mirosurve dhe i ndihmoi ata.—Mateu 25:34-40.

8. Si u bashkuan disa veta me popullin e Perëndisë, «me anë të lajkave»?

8 Jo të gjithë ata që pohuan se kishin interes për shërbimin e Perëndisë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë kishin motive të mira. Engjëlli kishte paralajmëruar: «Shumë do të bashkohen me siguri me ta me anë të lajkatimit.» (Danieli 11:34b) Një numër i konsiderueshëm treguan interes për të vërtetën, por nuk qenë të gatshëm t’i dedikoheshin Perëndisë. Të tjerë akoma, që u duk sikur e pranuan lajmin e mirë, ishin në të vërtetë spiunë të autoriteteve. Në një raport nga një vend thuhet: «Disa prej këtyre individëve të paskrupullt ishin komunistë të betuar, që kishin depërtuar tinëzisht në organizatën e Zotërisë, që shfaqnin me të madh zellin e tyre dhe ishin caktuar madje në pozita shërbimi me përgjegjësi.»

9. Pse Jehovai i lejoi disa të krishterë besnikë ‘të pengoheshin’, për shkak të atyre që kishin depërtuar në organizatë?

9 Engjëlli vazhdoi: «Dhe disa prej atyre që kanë mendjehollësi do të pengohen, që të bëjnë një punë rafinuese për shkak të tyre, për të bërë një pastrim dhe për të bërë një zbardhje deri në kohën e fundit, sepse është ende për kohën e caktuar.» (Danieli 11:35) Ata që kishin depërtuar bënë që disa shërbëtorë besnikë të binin në duart e autoriteteve. Jehovai lejoi që të ndodhnin këto gjëra, me qëllim që populli i tij të rafinohej e të pastrohej. Ashtu si Jezui «mësoi bindjen nga gjërat që vuajti», kështu këta besnikë mësuan qëndrueshmërinë nga sprovimi i besimit të tyre. (Hebrenjve 5:8; Jakovit 1:2, 3; krahaso Malakinë 3:3.) Në këtë mënyrë, ata ‘u rafinuan, u pastruan dhe u zbardhën’.

10. Ç’domethënie ka shprehja «deri në kohën e fundit»?

10 Populli i Jehovait do të pengohej dhe do të rafinohej «deri në kohën e fundit». Sigurisht, ata presin të persekutohen deri në fund të këtij sistemi të lig gjërash. Megjithatë, pastrimi dhe zbardhja e popullit të Perëndisë si rezultat i kësaj ndërfutjeje të shkaktuar nga mbreti i veriut, ishte «për kohën e caktuar». Pra, në Danielin 11:35, ‘koha e fundit’ duhet të ketë lidhje me fundin e periudhës së kohës që nevojitej për rafinimin e popullit të Perëndisë, ndërsa duronte sulmin e mbretit të veriut. Duket se pengimi mori fund në kohën e caktuar nga Jehovai.

MBRETI MADHËSHTON VETEN

11. Çfarë tha engjëlli në lidhje me qëndrimin e mbretit të veriut ndaj sovranitetit të Jehovait?

11 Në lidhje me mbretin e veriut, engjëlli shtoi: «Mbreti do të veprojë në fakt sipas vullnetit të tij, do të lartësojë veten dhe do të madhështojë veten mbi çdo perëndi; dhe [duke refuzuar të pranojë sovranitetin e Jehovait] kundër Perëndisë së perëndive do të flasë gjëra të habitshme. Dhe me siguri do të ketë sukses derisa mallkimi të ketë arritur përfundimin, sepse gjëja e vendosur duhet të ndodhë. Dhe ai nuk do të marrë në konsideratë Perëndinë e etërve të tij dhe nuk do të marrë në konsideratë dëshirën e grave dhe nuk do të marrë në konsideratë asnjë perëndi tjetër, por do ta madhështojë veten mbi këdo.»—Danieli 11:36, 37.

12, 13. (a) Në ç’mënyrë e hodhi poshtë mbreti i veriut «Perëndinë e etërve të tij»? (b) Cilat ishin ‘gratë’, «dëshirën» e të cilave mbreti i veriut nuk e mori në konsideratë? (c) Cilës «perëndi» ia dha lavdinë mbreti i veriut?

12 Në përmbushje të këtyre fjalëve profetike, mbreti i veriut hodhi poshtë «Perëndinë e etërve të tij», të tillë si hyjninë Trinitare të të ashtuquajturit krishterim. Blloku komunist i dha shtysë ateizmit të plotë. Në këtë mënyrë, mbreti i veriut e bëri veten perëndi, ‘duke u madhështuar mbi këdo’. Duke mos marrë në konsideratë «dëshirën e grave», vendet e varura, të tilla si Vietnami i Veriut, të cilat shërbenin si shërbëtore të regjimit të tij, mbreti veproi «sipas vullnetit të tij».

13 Duke vazhduar me profecinë, engjëlli tha: «Në pozitën e tij, ai do t’i japë lavdi perëndisë së fortesave; dhe një perëndie që etërit e tij nuk e njihnin do t’i japë lavdi me anë të arit, me anë të argjendit, me anë të gurit të çmuar dhe me anë të gjërave të dëshirueshme.» (Danieli 11:38) Në fakt, mbreti i veriut, i zuri besë militarizmit shkencor modern, «perëndisë së fortesave». Ai e kërkoi shpëtimin nëpërmjet kësaj «perëndie», duke flijuar në altarin e saj një pasuri të stërmadhe.

14. Si veproi «me efektshmëri» mbreti i veriut?

14 «Ai do të veprojë me efektshmëri kundër kalave më të fortifikuara, bashkë me një perëndi të huaj. Këdo që e ka pranuar, do ta bëjë të ketë lavdi me bollëk dhe do t’i bëjë në fakt të sundojnë mes shumë vetave, dhe dheun do ta ndajë për një çmim.» (Danieli 11:39) Duke i zënë besë ‘perëndisë së tij të huaj militariste’, mbreti i veriut veproi me shumë «efektshmëri», duke treguar se ishte një fuqi ushtarake e tmerrshme e «ditëve të fundit». (2. Timoteut 3:1) Ata që e përkrahën ideologjinë e tij, u shpërblyen me mbështetjen politike, financiare dhe disa herë ushtarake.

«NJË SHTYTJE» NË KOHËN E FUNDIT

15. Si u angazhua mbreti i jugut me mbretin e veriut «në një shtytje»?

15 «Në kohën e fundit, mbreti i jugut do të angazhohet me të në një shtytje»,—i tha engjëlli Danielit. (Danieli 11:40a) A e ka ‘shtyrë’ mbreti i jugut mbretin e veriut gjatë ‘kohës së fundit’? (Danieli 12:4, 9.) Në fakt, po. Pas Luftës së Parë Botërore, traktati ndëshkues i paqes që iu vu për zbatim mbretit të atëhershëm të veriut, Gjermanisë, ishte sigurisht «një shtytje», një nxitje për shpagim. Pas fitores në Luftën e Dytë Botërore, mbreti i jugut e vuri rivalin e tij në shënjestrën e armëve të frikshme bërthamore dhe organizoi kundër tij një aleancë të fuqishme ushtarake, Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO). Në lidhje me funksionin e NATO-s, një historian britanik thotë: «Ai ishte mjeti kryesor për ‘frenimin’ e BRSS-së, e cila tani konsiderohej si kërcënimi kryesor për paqen evropiane. Misioni i saj zgjati për 40 vjet dhe u përmbush me një sukses të padiskutueshëm.» Ndërsa vitet e Luftës së Ftohtë kalonin, «shtytja» nga ana e mbretit të jugut përfshiu spiunazhin me teknologji të lartë, si dhe ofensivat diplomatike dhe ushtarake.

16. Si reagoi mbreti i veriut ndaj shtytjes që i bëri mbreti i jugut?

16 Si reagoi mbreti i veriut? «Kundër tij mbreti i veriut do të vijë si stuhi me qerre, me kalorës e me shumë anije dhe me siguri do të hyjë në vendet, do të përmbytë e do të kalojë përmes.» (Danieli 11:40b) Historia e ditëve të fundit është karakterizuar nga ekspansionizmi i mbretit të veriut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, «mbreti» nazist u derdh jashtë kufijve të tij dhe përmbyti vendet që e rrethonin. Në fund të kësaj lufte, «mbreti» që e pasoi ndërtoi një perandori të fuqishme. Gjatë Luftës së Ftohtë, mbreti i veriut luftoi me anë të kombeve përfaqësuese kundër rivalit të tij nëpër luftëra dhe kryengritje në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Ai persekutoi të krishterët e vërtetë, duke e vështirësuar, por në asnjë mënyrë duke e ndalur aktivitetin e tyre. Ofensivat e tij ushtarake dhe politike vunë nën kontrollin e tij shumë vende. Kjo është tamam ajo që kishte profetizuar engjëlli: «Ai do të hyjë në fakt edhe në vendin e Stolisë [gjendja frymore e popullit të Jehovait] dhe do të ketë shumë vende që do të pengohen.»—Danieli 11:41a.

17. Cilët kufij ekzistonin për ekspansionizmin e mbretit të veriut?

17 Megjithatë, mbreti i veriut nuk arriti ta pushtonte gjithë botën. Engjëlli paratha: «Këta janë ata që do t’i shpëtojnë dorës së tij, Edomi, Moabi dhe pjesa kryesore e bijve të Amonit.» (Danieli 11:41b) Në kohët e lashta, Edomi, Moabi dhe Amoni ndodheshin mes zotërimeve të mbretit egjiptian të jugut dhe mbretit sirian të veriut. Në ditët e sotme, ato përfaqësojnë kombet dhe organizatat që vuri në shënjestër mbreti i veriut, por që nuk qe në gjendje t’i vinte nën influencën e tij.

EGJIPTI NUK SHPËTON

18, 19. Në cilat aspekte e ndjeu mbreti i jugut influencën e rivalit të tij?

18 Engjëlli i Jehovait vazhdoi: «Ai [mbreti i veriut] do të vazhdojë ta shtrijë dorën e tij kundër vendeve dhe për sa i përket vendit të Egjiptit, ai nuk do të jetë një i shpëtuar. Dhe ai do të sundojë në fakt mbi gjithë thesaret e fshehura të arit dhe të argjendit dhe mbi të gjitha gjërat e dëshirueshme të Egjiptit. Dhe libanezët dhe etiopasit do të jenë në hapat e tij.» (Danieli 11:42, 43) Edhe mbreti i jugut, «Egjipti», nuk u shpëtoi pasojave të politikave ekspansioniste të mbretit të veriut. Për shembull, në Vietnam, mbreti i jugut pësoi një disfatë të rëndë. Po ç’të themi për «libanezët dhe etiopasit»? Këta fqinj të Egjiptit të lashtë, simbolikisht mund të paraqesin fare mirë kombet që, duke folur në aspektin gjeografik, janë fqinjë të «Egjiptit» modern (mbretit të jugut). Ndonjëherë, ata kanë qenë ithtarë të ose ‘në hapat e’ mbretit të veriut.

19 A ka sunduar mbreti i veriut mbi ‘thesaret e fshehura të Egjiptit’? Ai ka pasur vërtet një ndikim të fuqishëm në mënyrën se si i ka përdorur mbreti i jugut burimet e tij financiare. Nga frika prej rivalit të tij, mbreti i jugut i kushtoi shuma të stërmëdha mbajtjes së një ushtrie, flote ushtarake dhe force ajrore të tmerrshme. Deri në këtë masë ‘sundoi mbi’ ose e kontrolloi mbreti i veriut shfrytëzimin e pasurive të mbretit të jugut.

FUSHATA PËRFUNDIMTARE

20. Si e përshkruan engjëlli fushatën përfundimtare të mbretit të veriut?

20 Rivaliteti mes mbretit të veriut dhe mbretit të jugut, qoftë me anë të mjeteve ushtarake, ekonomike apo të ndonjë lloji tjetër, po i afrohet fundit. Duke zbuluar hollësitë e një konflikti që ende duhet të ndodhë, engjëlli i Jehovait tha: «Do të ketë raporte që do ta shqetësojnë atë [mbretin e veriut], nga lindja e diellit dhe nga veriu dhe ai me siguri do të dalë me një tërbim të madh, që t’i asgjësojë dhe t’ia kushtojë shumë veta shkatërrimit. Dhe do t’i ngulë tendat e tij si pallate ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë dhe do t’i duhet të vijë deri në fundin e tij dhe për të nuk do të ketë ndihmues.»—Danieli 11:44, 45.

21. Çfarë duhet të mësojmë akoma rreth mbretit të veriut?

21 Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991, mbreti i veriut pësoi një sprapsje serioze. Kush do të jetë ky mbret, kur të përmbushet Danieli 11:44, 45? A do të identifikohet ai si një prej shteteve që ishin pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik? Apo do ta ndryshojë krejtësisht identitetin, siç ka bërë disa herë më parë? A do të rezultojë zhvillimi i armëve bërthamore nga kombe të tjera në një garë të re armatimi dhe a do të ketë kjo ndonjë ndikim mbi identitetin e atij mbreti? Këtyre pyetjeve do t’u japë përgjigje vetëm koha. Nuk është gjë e mençur të hamendemi në lidhje me këtë. Kur mbreti i veriut të nisë fushatën e tij përfundimtare, përmbushja e profecisë do të dallohet qartë nga të gjithë ata që kanë një mendjehollësi të bazuar në Bibël.—Shiko «Mbretërit në kapitullin 11 të Danielit», në faqen 284.

22. Cilat pyetje ngrihen rreth sulmit përfundimtar nga ana e mbretit të veriut?

22 Megjithatë, ne e dimë se cilin veprim do të ndërmarrë së shpejti mbreti i veriut. I nxitur prej raporteve «nga lindja e diellit dhe nga veriu», ai do të drejtojë një fushatë ‘që të asgjësojë shumë veta’. Kundër kujt drejtohet kjo fushatë? Cilat «raporte» do të bëjnë që të shpërthejë një sulm i tillë?

I ALARMUAR NGA RAPORTE SHQETËSUESE

23. (a) Cila ngjarje e jashtëzakonshme duhet të ndodhë përpara Harmagedonit? (b) Kush janë «mbretërit nga lindja e diellit»?

23 Shqyrto atë që thotë libri i Zbulesës për fundin e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Përpara «luftës së ditës madhështore të Perëndisë së Plotfuqishëm», Harmagedonit, ky armik i madh i adhurimit të vërtetë «do të digjet krejtësisht me zjarr». (Zbulesa 16:14, 16; 18:2-8) Shkatërrimi i saj simbolizohet nga derdhja e kupës së gjashtë të zemërimit të Perëndisë në lumin simbolik Eufrat. Lumi është tharë, që «të përgatitet rruga për mbretërit nga lindja e diellit». (Zbulesa 16:12) Kush janë këta mbretër? Askush tjetër veç Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit!—Krahaso Isainë 41:2; 46:10, 11.

24. Cili akt i Jehovait mund ta shqetësojë mbretin e veriut?

24 Shkatërrimi i Babilonisë së Madhe përshkruhet në mënyrë të gjallë në librin e Zbulesës, ku thuhet: «Të dhjetë brirët që pe [mbretërit që sundojnë në kohën e fundit] dhe bisha e egër [Kombet e Bashkuara], këto do ta urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretuar dhe lakuriq, do t’i përlajnë pjesët e saj mishore dhe do ta djegin krejtësisht me zjarr.» (Zbulesa 17:16) Pse do ta shkatërrojnë sundimtarët Babiloninë e Madhe? Sepse ‘Perëndia e vuri në zemrën e tyre që të kryejnë mendimin e tij’. (Zbulesa 17:17) Mes këtyre sundimtarëve përfshihet edhe mbreti i veriut. Ajo që dëgjoi ai «nga lindja e diellit», mund t’i referohet fare mirë këtij veprimi të Jehovait, kur ai vë në zemrat e udhëheqësve njerëzorë asgjësimin e lavires së madhe fetare.

LAJMI NGA VERIU

25. (a) Cila është shënjestra e veçantë e mbretit të veriut? (b) Ku «i mbjell tendat e tij si pallate» mbreti i veriut?

25 Por për zemërimin e mbretit të veriut ekziston një shënjestër e veçantë. Ai do t’i «ngulë tendat e tij si pallate ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë»,—thotë engjëlli. Në kohën e Danielit, deti i madh ishte Mesdheu, ndërsa mali i shenjtë ishte Sioni, dikur vendi ku ndodhej tempulli i Perëndisë. Kështu që, në përmbushjen e profecisë, mbreti i tërbuar i veriut drejton një fushatë kundër popullit të Perëndisë. Në kuptimin frymor, vendi «mes detit të madh dhe malit të shenjtë» përfaqëson gjendjen frymore të shërbëtorëve të mirosur të Jehovait. Ata kanë dalë nga «deti» i njerëzimit të larguar prej Perëndisë dhe kanë shpresën që të sundojnë në malin qiellor të Sionit bashkë me Jezu Krishtin.—Isaia 57:20; Hebrenjve 12:22; Zbulesa 14:1.

26. Siç tregohet nga profecia e Ezekielit, cili mund të jetë burimi i lajmit «nga veriu»?

26 Edhe Ezekieli, një bashkëkohës i Danielit, profetizoi për një sulm mbi popullin e Perëndisë «në pjesën përfundimtare të ditëve». Ai tha se veprimet luftarake do të filloheshin nga Gogu i Magogut, domethënë nga Satana Djalli. (Ezekieli 38:14, 16) Nga cili drejtim, duke folur simbolikisht, vjen Gogu? «Nga pjesët më të largëta të veriut»,—thotë Jehovai, nëpërmjet Ezekielit. (Ezekieli 38:15) Sado i egër të jetë ky sulm, nuk ka për ta shkatërruar popullin e Jehovait. Kjo ndeshje dramatike do të jetë rezultat i një manovre strategjike nga ana e Jehovait, për të asgjësuar forcat e Gogut. Kështu, Jehovai i thotë Satanait: «Me siguri do të . . . vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr.» «Do të të . . . bëj të dalësh nga pjesët më të largëta të veriut dhe do të të sjell mbi malet e Izraelit.» (Ezekieli 38:4; 39:2) Prandaj, lajmi «nga veriu» që tërbon mbretin e veriut duhet ta ketë burimin nga Jehovai. Por se çfarë do të përmbajë së fundi raporti «nga lindja e diellit dhe nga veriu» mund ta përcaktojë vetëm Perëndia dhe vetëm koha do ta tregojë.

27. (a) Pse do t’i nxitë Gogu kombet, përfshirë edhe mbretin e veriut, që të sulmojnë popullin e Jehovait? (b) Cili do të jetë rezultati i sulmit të Gogut?

27 Sa për Gogun, ai organizon sulmin e tij total për shkak të begatisë së «Izraelit të Perëndisë», që bashkë me «shumicën e madhe» të «deleve të tjera» nuk janë më pjesë e botës. (Galatasve 6:16; Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16; 17:15, 16; 1. Gjonit 5:19) Gogu shikon me sy të keq «një popull të mbledhur së bashku nga kombet, një popull që po akumulon pasuri dhe prona [frymore]». (Ezekieli 38:12) Duke e konsideruar gjendjen frymore të të krishterëve si një «vend fshatar të hapur», që mund të pushtohet lehtë, Gogu bën një përpjekje maksimale për ta fshirë nga faqja e dheut këtë pengesë që nuk e lejon të ketë kontroll të plotë mbi njerëzimin. Por ai dështon. (Ezekieli 38:11, 18; 39:4) Kur mbretërit e tokës, përfshirë edhe mbretin e veriut, të sulmojnë popullin e Jehovait, do të ‘shkojnë deri në fundin e tyre’.

‘MBRETI DO TË SHKOJË DERI NË FUNDIN E TIJ’

28. Çfarë dimë rreth të ardhmes së mbretit të veriut dhe mbretit të jugut?

28 Fushata përfundimtare e mbretit të veriut nuk drejtohet kundër mbretit të jugut. Prandaj, mbretit të veriut nuk i vjen fundi nga duart e rivalit të tij të madh. Ngjashëm, mbreti i jugut nuk shkatërrohet nga mbreti i veriut. Mbreti i jugut shkatërrohet, «jo nga dorë [njerëzore]», me anë të Mbretërisë së Perëndisë. * (Danieli 8:25) Në fakt, në betejën e Harmagedonit, të gjithë mbretërit tokësorë do të hiqen me anë të Mbretërisë së Perëndisë dhe me sa duket kjo është ajo që i ndodh mbretit të veriut. (Danieli 2:44) Danieli 11:44, 45 përshkruan disa ngjarje që çojnë në këtë betejë përfundimtare. S’është për t’u habitur që kur mbreti i veriut të ndodhet përballë fundit të tij, «nuk do të ketë asnjë ndihmues»!

[Shënimet]

^ par. 28 Shiko kapitullin 10 të këtij libri.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Si ndryshoi identiteti i mbretit të veriut pas Luftës së Dytë Botërore?

• Çfarë duhet të mësojmë ende rreth veprimtarive të ardhshme të mbretit të veriut?

• Si ke nxjerrë dobi, duke i kushtuar vëmendje profecisë së Danielit rreth rivalitetit mes dy mbretërve?

[Pyetjet]

[Tabela dhe figura në faqen 284]

MBRETËRIT NË KAPITULLIN 11 TË DANIELIT

Mbreti i veriut Mbreti i jugut

Danieli 11:5 Seleuku I Nikator Ptolemeu I

Danieli 11:6 Antioku II Ptolemeu II

(gruaja Laodicea) (e bija Bernike)

Danieli 11:7-9 Seleuku II Ptolemeu III

Danieli 11:10-12 Antioku III Ptolemeu IV

Danieli 11:13-19 Antioku III Ptolemeu V

(e bija Kleopatra I) Pasuesi: Ptolemeu VI

Pasuesit:

Seleuku IV dhe

Antioku IV

Danieli 11:20 Augusti

Danieli 11:21-24 Tiberi

Danieli 11:25, 26 Aureliani Mbretëresha Zenobia

Perandoria Romake

shembet

Danieli 11:27-30a Perandoria Gjermane Britania, e pasuar

(Lufta I Botërore) nga fuqia botërore

anglo-amerikane

Danieli 11:30b, 31 Rajhu i Tretë Fuqia botërore

i Hitlerit anglo-amerikane

(Lufta II Botërore)

Danieli 11:32-43 Blloku komunist Fuqia botërore

(Lufta e Ftohtë) anglo-amerikane

Danieli 11:44, 45 Ende për t’u ngritur * Fuqia botërore

anglo-amerikane

[Shënimi]

^ par. 87 Profecia në kapitullin 11 të Danielit nuk parathotë emrat e entiteteve politike, që në kohë të ndryshme zënë vendin e mbretit të veriut dhe të mbretit të jugut. Identiteti i tyre bëhet i njohur vetëm pasi fillojnë të ndodhin ngjarjet. Veç kësaj, përderisa konflikti ndodh me episode, ka periudha pa konflikt, kur njëri mbret është në pushtet, ndërsa tjetri qëndron joaktiv.

[Figura që zë gjithë faqen 271]

[Figurat në faqen 279]

«Shtytja» nga ana e mbretit të jugut ka përfshirë spiunazhin me teknologji të lartë dhe kërcënimet me anë të veprimeve ushtarake