Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zgjidhja e misterit të pemës madhështore

Zgjidhja e misterit të pemës madhështore

Kapitulli Gjashtë

Zgjidhja e misterit të pemës madhështore

1. Çfarë i ndodhi mbretit Nabukodonosor dhe cilat pyetje ngriti kjo?

JEHOVAI lejoi që mbreti Nabukodonosor të bëhej sundimtar i botës. Si monarku i Babilonisë, ai pati pasuri të madhe, ushqim fantastik, pallat të madh, pra, çdo gjë që dëshironte në aspektin material. Por papritur, u poshtërua. I çmendur, Nabukodonosori veproi si bishë! I përzënë nga tryeza mbretërore dhe rezidenca perandorake, ai jetoi nëpër fusha dhe hëngri bar si demat. Ç’gjë çoi në këtë katastrofë? Pse duhet të na interesojë kjo neve?—Krahaso Jobin 12:17-19; Eklisiastiu 6:1, 2.

MBRETI MADHËSHTON MË TË LARTIN

2, 3. Çfarë dëshironte mbreti i Babilonisë për nënshtetasit e tij dhe si e konsideronte ai Perëndinë Më të Lartë?

2 Pak kohë pasi e mori veten nga ai shkatërrim i plotë mendor, Nabukodonosori dërgoi në mbarë mbretërinë e tij një raport të veçantë për atë që kishte ndodhur. Jehovai e frymëzoi profetin Daniel që të ruante një dokumentim të saktë të këtyre ngjarjeve. Ky dokumentim fillon me këto fjalë: «Nabukodonosori, mbreti, të gjithë popujve, grupeve kombëtare dhe gjuhëve që banojnë në të gjithë tokën: Paqja juaj u rrittë jashtë mase! Shenjat dhe veprat e mrekullueshme që Perëndia më i Lartë ka kryer ndaj meje, m’u duk mirë t’i deklaroj. Sa të mëdha janë shenjat e tij dhe sa të fuqishme janë veprat e tij të mrekullueshme! Mbretëria e tij është një mbretëri deri në kohë të pacaktuar dhe sundimi i tij është brez pas brezi.»—Danieli 4:1-3.

3 Nënshtetasit e Nabukodonosorit «banonin në të gjithë tokën», sepse perandoria e tij përfshinte pjesën më të madhe të vendeve të botës për të cilat flitet në Bibël. Në lidhje me Perëndinë e Danielit, mbreti tha: «Mbretëria e tij është një mbretëri deri në kohë të pacaktuar.» Sa e madhështuan këto fjalë Jehovain, anembanë Perandorisë Babilonase! Për më tepër, kjo ishte hera e dytë që Nabukodonosorit i ishte treguar se vetëm Mbretëria e Perëndisë është e përjetshme, se qëndron «deri në kohë të pacaktuara».—Danieli 2:44.

4. Në lidhje me Nabukodonosorin, si filluan «shenjat dhe veprat e mrekullueshme» të Jehovait?

4 Cilat «shenja dhe vepra të mrekullueshme» kreu «Perëndia Më i Lartë»? Këto filluan me atë që përjetoi vetë mbreti, e cila tregohet nga këto fjalë: «Unë, Nabukodonosori, isha rehat në shtëpinë time dhe kisha mbarësi në pallatin tim. Pashë një ëndërr dhe ajo filloi të më fuste frikën. Dhe imazhet mendore mbi shtratin tim dhe vizionet e kokës sime filluan të më frikësonin.» (Danieli 4:4, 5) Ç’bëri mbreti babilonas në lidhje me këtë ëndërr shqetësuese?

5. Si e konsideronte Nabukodonosori Danielin dhe pse?

5 Nabukodonosori mblodhi të mençurit e Babilonisë dhe u tregoi ëndrrën. Sa i madh qe dështimi i tyre! Ata ishin krejtësisht të paaftë ta interpretonin. Tregimi shtonte: «Në fund, përpara meje erdhi Danieli, emri i të cilit është Beltshazar, sipas emrit të perëndisë tim e në të cilin ndodhet fryma e perëndive të shenjtë dhe përpara tij thashë se cila ishte ëndrra.» (Danieli 4:6-8) Emri që mbante Danieli në oborrin e mbretit ishte Beltshazar, ndërsa hyjnia e rremë që mbreti e quajti «perëndia im» mund të ketë qenë Beli, Nebo ose Marduku. Meqenëse ishte politeist, Nabukodonosori e konsideronte Danielin si një njeri tek i cili ndodhej «fryma e perëndive të shenjtë». Gjithashtu, për shkak të pozitës së Danielit si prefekt mbi të gjithë të mençurit e Babilonisë, mbreti i referohej atij si «kreut të priftërinjve që praktikojnë magjinë». (Danieli 2:48; 4:9; krahaso Danielin 1:20.) Sigurisht, Danieli besimplotë nuk e braktisi kurrë adhurimin e Jehovait për të praktikuar magjinë.—Levitiku 19:26; Ligji i përtërirë 18:10-12.

NJË PEMË TEJET E MADHE

6, 7. Si do ta përshkruaje atë që pa në ëndërr Nabukodonosori?

6 Cila ishte përmbajtja e ëndrrës së frikshme të mbretit babilonas? «Tani, unë po shikoja vizionet e kokës sime mbi shtratin tim,—tha Nabukodonosori,—dhe ja, një pemë në mes të tokës, lartësia e së cilës ishte tejet e madhe. Pema u rrit dhe u bë e fortë dhe vetë lartësia e saj arriti së fundi qiejtë dhe ishte e dukshme deri në skajin e tërë tokës. Gjethnaja e saj ishte e bukur dhe fruti i saj ishte i bollshëm dhe mbi të kishte ushqim për të gjithë. Nën të kërkonte hije bisha e fushës dhe mbi degët e saj banonin zogjtë e qiejve dhe prej saj ushqehej çdo mish.» (Danieli 4:10-12) Thuhet se Nabukodonosori i donte shumë cedrat madhështorë të Libanit, kishte shkuar për t’i parë dhe disa prej tyre i kishin sjellë si lëndë druri në Babiloni. Por kurrë s’kishte parë diçka si pema e ëndrrës së tij. Ajo pemë zinte një vend të dukshëm «në mes të tokës», dukej në mbarë tokën dhe jepte kaq shumë frut, saqë siguronte ushqim për çdo mish.

7 Nabukodonosori pa në ëndërr edhe shumë gjëra të tjera, sepse shtoi: «Unë vazhdova të shihja në vizionet e kokës sime mbi shtratin tim dhe ja, një vigjilues, madje një i shenjtë, zbriste nga vetë qiejtë. Ai thërriste me zë të lartë dhe thoshte këtë: ‘Priteni pemën dhe këputini degët e saj. Shkundeni gjethnajën e saj dhe shpërndajeni frutin e saj. Le të ikë bisha nga poshtë saj dhe zogjtë prej degëve të saj. Megjithatë, lëreni vetë cungun me rrënjët e saj në tokë, madje me rrathë prej hekuri e prej bakri, mes barit të fushës dhe le të laget me vesën e qiejve, dhe me bishën le të jetë pjesa e saj mes bimësisë së tokës.’»—Danieli 4:13-15.

8. Kush ishte «vigjiluesi»?

8 Babilonasit kishin konceptin e tyre fetar për krijesat e mira dhe të liga frymore. Por kush ishte ky «vigjilues» apo roje nga qielli? I quajtur «i shenjtë», ai ishte një engjëll i drejtë që përfaqësonte Perëndinë. (Krahaso Psalmin 103:20, 21.) Imagjino se ç’pyetje duhet ta kenë mbytur Nabukodonosorin! Pse duhej të rrëzohej kjo pemë? Ç’vlerë ka cungu me rrënjët që është shtrënguar me rrathët prej hekuri dhe prej bakri? Cilit qëllim i shërben, në fakt, thjesht një trung i prerë?

9. Çfarë tha në thelb vigjiluesi dhe cilat pyetje ngrihen?

9 Nabukodonosori duhet të ketë mbetur krejtësisht i hutuar kur ka dëgjuar fjalët e tjera të vrojtuesit: «Zemra e saj le të ndryshohet nga ajo e njerëzimit dhe le t’i jepet zemra e një bishe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë. Me dekret të vigjiluesve është gjëja dhe me thënien e të shenjtëve është kërkesa, me qëllimin që njerëzit që jetojnë ta dinë se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzimit dhe se ia jep atë kujt të dojë dhe vendos mbi të madje më të përulurin mes njerëzimit.» (Danieli 4:16, 17) Cungu me rrënjë i një peme nuk ka zemër njerëzore që t’i rrahë brenda. E pastaj, si mund t’i jepet cungut me rrënjë të një peme zemra e një bishe? Çfarë janë «shtatë kohët»? Dhe si lidhet e gjithë kjo me sundimin në «mbretërinë e njerëzimit»? Sigurisht që Nabukodonosori dëshironte të dinte.

LAJM I KEQ PËR MBRETIN

10. (a) Duke folur nga pikëpamja biblike, çfarë mund të simbolizojnë pemët? (b) Çfarë përfaqëson pema madhështore?

10 Sapo dëgjoi ëndrrën, Danieli mbeti për një çast i shtangur, pastaj u frikësua. I nxitur nga Nabukodonosori për t’ia shpjeguar ëndrrën, profeti tha: «O zotëria im, ëndrra iu zbatoftë atyre që të urrejnë dhe interpretimi i saj kundërshtarëve të tu! Pema që pe, që u bë madhështore dhe u bë e fortë . . . je ti, o mbret, sepse ti je bërë i madh e je bërë i fortë dhe madhështia jote është bërë e madhe e ka arritur deri në qiejtë, dhe sundimi yt deri në skaj të tokës.» (Danieli 4:18-22) Në Shkrimet, pemët mund të simbolizojnë individë, sundimtarë dhe mbretëri. (Psalmi 1:3; Jeremia 17:7, 8; Ezekieli, kapitulli 31) Ashtu si pema tejet e madhe e ëndrrës së tij, Nabukodonosori ishte «bërë i madh dhe ishte bërë i fortë» si kreu i një fuqie botërore. Por «sundimi deri në skajin e tokës», i cili përfshinte tërë mbretërinë e njerëzimit, përfaqësohet nga pema madhështore. Prandaj, ajo simbolizon sovranitetin universal të Jehovait, sidomos në lidhje me tokën.—Danieli 4:17.

11. Si e tregoi ëndrra e mbretit se ai do të përjetonte një ndryshim poshtërues?

11 Nabukodonosorit i ishte rezervuar një ndryshim poshtërues. Duke treguar qartë se si do të zhvillohej ky ndryshim, Danieli shtoi: «Sepse mbreti pa një vigjilues, madje një të shenjtë, që zbriste nga qiejtë, i cili thoshte edhe: ‘Rrëzojeni pemën dhe rrënojeni. Megjithatë, lëreni vetë cungun me rrënjët e saj në tokë, por me rrathët prej hekuri e prej bakri, mes barit të fushës dhe le të laget me vesën e qiejve, dhe le të jetë pjesa e saj me bishat e fushës, derisa mbi të të kalojnë vetë shtatë kohë’, ky është interpretimi, o mbret, dhe dekreti i Më të Lartit është ai që duhet t’i ndodhë zotërisë tim, mbretit.» (Danieli 4:23, 24) Sa kurajë duhej për t’i dhënë mbretit të fuqishëm atë mesazh!

12. Çfarë do t’i ndodhte Nabukodonosorit?

12 Çfarë do t’i ndodhte Nabukodonosorit? Imagjino reagimin e tij, kur Danieli shtoi: «Ty do të të dëbojnë nga njerëzit dhe banesa jote do të jetë me bishat e fushës e do të të japin të hash bimësi edhe ty, ashtu si demave dhe ti vetë do të lagesh me vesën e qiejve, dhe mbi ty do të kalojnë shtatë kohë, derisa ta dish se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzimit dhe se ia jep atë kujt të dojë.» (Danieli 4:25) Me sa duket, Nabukodonosorin do ta ‘dëbonin nga njerëzit’ edhe zyrtarët e oborrit. Por, a do të kujdeseshin për të çobanët ose barinjtë e dhembshur? Jo, sepse Perëndia kishte dekretuar që Nabukodonosori do të banonte me «bishat e fushës», duke ngrënë bimësi.

13. Çfarë tregoi ëndrra e pemës se do t’i ndodhte pozitës së Nabukodonosorit si sundimtar i botës?

13 Ashtu siç u pre pema, ashtu do të rrëzohej Nabukodonosori nga sundimi botëror, por vetëm për një farë kohe. Danieli shpjegoi: «Sepse thanë të linte cungun me rrënjët e pemës, mbretëria jote do të të sigurohet pasi të dish se sundojnë qiejtë.» (Danieli 4:26) Në ëndrrën e Nabukodonosorit, cungu me rrënjët e pemës apo trungu i pemës së rrëzuar u la të qëndronte, megjithëse nuk do të rritej sepse ishte i lidhur. Ngjashëm, «cungu me rrënjët» i mbretit të Babilonisë do të qëndronte, megjithëse për «shtatë kohë» nuk do të lulëzonte sepse ishte i lidhur me rrathë. Pozita e tij si sundimtar botëror do të ishte si trungu i lidhur me rrathë i pemës së rrëzuar. Ajo do të ruhej e siguruar derisa mbi të të kalonin shtatë kohë. Jehovai do të kujdesej që gjatë asaj periudhe askush të mos e zinte vendin e Nabukodonosorit si sundimtari i vetëm i Babilonisë, megjithëse djali i tij, që quhej Evil-merodak mund të ketë vazhduar në vend të tij si sundimtar i përkohshëm.

14. Çfarë e nxiti Danieli Nabukodonosorin të bënte?

14 Duke pasur parasysh atë që ishte thënë për Nabukodonosorin, me kurajë Danieli e nxiti: «Prandaj, o mbret, këshilla ime t’u duktë e mirë dhe hiqi mëkatet e tua me anë të drejtësisë dhe poshtërsitë e tua duke u treguar mëshirë të varfërve! Ndoshta do të ndodhë një zgjatje e mbarësisë sate.» (Danieli 4:27) Nëse Nabukodonosori do të largohej nga rruga e tij mëkatare e shtypjes dhe e krenarisë, ndoshta gjërat do të ndryshonin për të. Në fund të fundit, rreth dy shekuj më parë, Jehovai kishte vendosur ta shkatërronte popullin e Ninevisë, kryeqytetit të Asirisë, por nuk e bëri sepse mbreti dhe nënshtetasit e saj u penduan. (Jonai 3:4, 10; Luka 11:32) Ç’do të bëhej me Nabukodonosorin krenar? A do të ndërronte rrugë ai?

PËRMBUSHJA FILLESTARE E ËNDRRËS

15. (a) Cilin qëndrim vazhdoi të shfaqte Nabukodonosori? (b) Çfarë zbulojnë mbishkrimet në lidhje me aktivitetet e Nabukodonosorit?

15 Nabukodonosori mbeti krenar. Duke shëtitur në tarracën e pallatit 12 muaj pas ëndrrës me pemën, ai mburrej: «A nuk është kjo Babilonia e Madhe që unë vetë kam ndërtuar për shtëpinë mbretërore me forcën e fuqisë sime dhe për dinjitetin e madhërisë sime?» (Danieli 4:28-30) Babiloninë (Babelin) e kishte themeluar Nimrodi, por Nabukodonosori i dha asaj madhështinë. (Zanafilla 10:8-10) Në njërin prej mbishkrimeve të tij kuneiforme, ai mburret: «Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, restauruesi i Esagilës dhe i Ezidës, biri i Nabopolasarit jam unë. . . . Forcova fortifikatat e Esagilës dhe të Babilonisë dhe vendosa përgjithmonë emrin e mbretërisë sime.» (Archaeology and the Bible, nga Xhorxh A. Barton, 1949, faqet 478-479) Një mbishkrim tjetër u referohet rreth 20 tempujve që rinovoi apo rindërtoi ai. «Nën sundimin e Nabukodonosorit,—thotë The World Book Encyclopedia,—Babilonia u bë një prej qyteteve më madhështore të botës së lashtë. Në dokumentimet e veta, ai i ka përmendur rrallë aktivitetet ushtarake, por ka shkruar për projektet e tij të ndërtimit dhe për vëmendjen që u kushtonte perëndive të Babilonisë. Ka mundësi që Nabukodonosori të ketë ndërtuar Kopshtet e Varura të Babilonisë, një prej Shtatë Mrekullive të botës së lashtë.»

16. Si do të poshtërohej Nabukodonosori?

16 Megjithëse mburrej, pas pak Nabukodonosori krenar do të poshtërohej. Tregimi i frymëzuar thotë: «Ndërsa fjala ishte ende në gojën e mbretit, një zë ra nga qiejtë: “Ty të thuhet, o Nabukodonosor, mbreti: ‘Vetë mbretëria ka ikur prej teje dhe prej njerëzimit po të dëbojnë edhe ty, dhe me bishat e fushës do të jetë banesa jote. Do të të japin të hash bimësi edhe ty, ashtu si demave, dhe mbi ty do të kalojnë shtatë kohë, derisa ta dish se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzimit dhe se ia jep atë kujt të dojë.’”»—Danieli 4:31, 32.

17. Çfarë i ndodhi Nabukodonosorit krenar dhe në cilat rrethana u gjend shpejt ai?

17 Menjëherë, Nabukodonosori humbi arsyen. I dëbuar nga njerëzimi, ai hëngri bimësi ‘ashtu si demat’. Jashtë, mes bishave të fushës, patjetër që ai nuk ulej me nge në barin e një parajse të vërtetë, duke u kënaqur përditë me puhitë freskuese. Në Irakun e sotëm, ku ndodhen rrënojat e Babilonisë, temperaturat shkojnë nga 50 gradë celsius në muajt e verës deri në disa gradë nën zero gjatë dimrit. Pa dikë që t’i shërbente dhe i ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë, flokët e gjatë dhe të pleksur të Nabukodonosorit dukeshin si pendë shqiponjash, ndërsa thonjtë e paprerë të duarve dhe të këmbëve u bënë si kthetra zogjsh. (Danieli 4:33) Ç’poshtërim për këtë sundimtar krenar të botës!

18. Çfarë ndodhi gjatë shtatë kohëve, për sa i përket fronit të Babilonisë?

18 Në ëndrrën e Nabukodonosorit, pema madhështore u rrëzua, ndërsa cungu i saj u lidh me rrathë që për shtatë kohë të pengohej rritja e tij e mëtejshme. Ngjashëm,Nabukodonosori «u rrëzua nga froni i mbretërisë së tij», kur Jehovai e goditi me sëmundjen e çmendurisë. (Danieli 5:20) Në të vërtetë, kjo e ndryshoi zemrën e mbretit nga zemër njeriu në zemër demi. Por megjithatë, Perëndia ia rezervoi fronin Nabukodonosorit derisa përfunduan shtatë kohët. Ndërkohë që Evil-merodaku ka mundësi të ketë bërë punën e kryetarit të përkohshëm të qeverisë, Danieli shërbeu si «sundimtari mbi gjithë rajonin e juridiksionit të Babilonisë dhe kryeprefekti mbi të gjithë të mençurit e Babilonisë». Tre shokët e tij hebrenj vazhduan të merrnin pjesë në administrimin e çështjeve të rajonit. (Danieli 1:11-19; 2:48, 49; 3:30) Katër të mërguarit pritën rivendosjen në fron të Nabukodonosorit, si mbret me gjendje mendore normale, i cili kishte mësuar se «Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzimit dhe se ia jep atë kujt të dojë».

RIVENDOSJA E NABUKODONOSORIT

19. Pasi Jehovai i ktheu Nabukodonosorit shëndetin mendor, çfarë arriti të kuptonte mbreti babilonas?

19 Jehovai ia ktheu Nabukodonosorit gjendjen normale mendore në fund të shtatë kohëve. Pastaj, duke pranuar Perëndinë Më të Lartë, mbreti tha: «Në fund të ditëve, unë, Nabukodonosori, ngrita sytë e mi drejt qiejve dhe filloi të më kthehej kuptueshmëria ime, dhe bekova vetë Më të Lartin, dhe lavdërova e lëvdova Atë që jeton deri në kohë të pacaktuar, sepse sundimi i tij është një sundim deri në kohë të pacaktuar dhe mbretëria e tij është brez pas brezi. Dhe të gjithë banorët e tokës konsiderohen thjesht si asgjë dhe ai bën sipas vullnetit të tij mes ushtrisë së qiejve dhe banorëve të tokës. Dhe nuk ekziston askush që mund t’ia ndalë dorën ose që mund t’i thotë: ‘Ç’po bën?’» (Danieli 4:34, 35) Po, Nabukodonosori arriti ta kuptonte se Më i Larti është me të vërtetë Sundimtari Sovran në mbretërinë e njerëzimit.

20, 21. (a) Si gjendet një paralele mes heqjes së rrathëve prej metali përreth cungut të pemës dhe asaj që i ndodhi Nabukodonosorit? (b) Çfarë pranoi Nabukodonosori, por a e bëri kjo një adhurues të Jehovait?

20 Kur Nabukodonosori u kthye në fronin e tij, ishte njësoj si të ishin hequr rrathët metalikë përreth cungut të pemës së ëndrrës. Për sa i përket rivendosjes së tij, ai tha: «Në të njëjtën kohë filloi të më kthehej vetë kuptueshmëria ime dhe për dinjitetin e mbretërisë sime filluan të më kthehen vetë madhëria ime dhe shkëlqimi im, madje edhe zyrtarët e mi të lartë mbretërorë dhe të mëdhenjtë e mi filluan të më kërkonin me zell, dhe unë u rivendosa mbi mbretërinë time, dhe m’u shtua madhështi e jashtëzakonshme.» (Danieli 4:36) Në qoftë se disa zyrtarë të oborrit e kishin përçmuar mbretin e çmendur, tani ishin «duke e kërkuar me zell» plotësisht të varur prej tij.

21 Ç’«shenja dhe vepra të mrekullueshme» kishte kryer Perëndia Më i Lartë! Nuk duhet të habitemi që mbreti i rivendosur babilonas tha: «Tani unë, Nabukodonosori, lavdëroj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiejve, sepse të gjitha veprat e tij janë e vërtetë dhe udhët e tij janë drejtësi dhe sepse ai është në gjendje t’i poshtërojë ata që ecin në krenari.» (Danieli 4:2, 37) Megjithatë, fakti që e pranoi një gjë të tillë nuk e bëri Nabukodonosorin një adhurues johebre të Jehovait.

A KA DËSHMI JOFETARE?

22. Me cilin çrregullim e kanë lidhur disa njerëz marrëzinë e Nabukodonosorit, por çfarë duhet të kuptojmë në lidhje me shkakun e gjendjes së tij të çmendur?

22 Disa e kanë lidhur çmendurinë e Nabukodonosorit me likantropinë. Një fjalor mjekësie thotë: «LIKANTROPI . . . nga [lyʹkos], lupus, ujk; [anʹthropos], homo, njeri. Ky emër iu dha sëmundjes së njerëzve që mendojnë se shndërrohen në një kafshë dhe që imitojnë tingujt apo ulërimat, tiparet ose sjelljet e asaj kafshe. Zakonisht këta individë e imagjinojnë veten të transformuar në ujk, qen ose mace, hera-herës edhe në dem, si në rastin e Nabukodonosorit.» (Dictionnaire des sciences médicales, par une société de médicins et de chirurgiens, Paris, 1818, Vëllimi 29, faqe 246) Simptomat e likantropisë janë të ngjashme me ato të çmendurisë së Nabukodonosorit. Megjithatë, përderisa sëmundja e tij mendore ishte dekretuar në mënyrë hyjnore, ajo nuk mund të lidhet në mënyrë specifike me një çrregullim të njohur.

23. Çfarë dëshmie jofetare ekziston në lidhje me çmendurinë e Nabukodonosorit?

23 Studiuesi Xhon E. Goldingej citon disa paralele me çmendurinë dhe rivendosjen e Nabukodonosorit. Për shembull, ai pohon: «Duket se një tekst fragmentar kuneiform i referohet ndonjë çrregullimi mendor të Nabukodonosorit dhe ndoshta faktit që ai e la pas dore Babiloninë dhe u largua prej saj.» Goldingej citon një dokument të quajtur «Jobi babilonas» dhe thotë se ky dokument «dëshmon për ndëshkimin prej Perëndisë, sëmundjen, poshtërimin, kërkimin e interpretimit të një ëndrre të tmerrshme, faktin që u rrëzua si një pemë, u la jashtë, hëngri bar, humbi kuptueshmërinë, u bë si dem, u lag nga shiu prej Mardukut, thonjtë iu shëmtuan, flokët iu rritën e u lidh me zinxhirë dhe pastaj për rivendosjen, për të cilën lavdëron perëndinë».

SHTATË KOHË QË NDIKOJNË MBI NE

24. (a) Çfarë simbolizon pema madhështore e ëndrrës? (b) Çfarë u pengua për shtatë kohë dhe si ndodhi kjo?

24 Siç përfaqësohej nga pema madhështore, Nabukodonosori simbolizonte sundimin botëror. Por mos harro: pema përfaqëson një sundim dhe sovranitet shumë më të madh se ai i mbretit të Babilonisë. Ajo simbolizon sovranitetin universal të Jehovait, «Mbretit të qiejve», sidomos për sa i përket tokës. Përpara shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit, mbretëria me qendër në atë qytet, me Davidin dhe trashëgimtarët e tij të ulur në «fronin e Jehovait», përfaqësonte sovranitetin e Perëndisë për sa i përket tokës. (1. Kronikave 29:23) Vetë Perëndia e kishte rrëzuar dhe e kishte lidhur me rrathë këtë sovranitet në vitin 607 p.e.s., kur përdori Nabukodonosorin për të shkatërruar Jerusalemin. Ushtrimi i sovranitetit hyjnor ndaj tokës me anë të një mbretërie në linjën e Davidit, ishte penguar për shtatë kohë. Sa të gjata ishin këto shtatë kohë? Kur filluan dhe ç’gjë shënoi fundin e tyre?

25, 26. (a) Sa të gjata ishin «shtatë kohët» në rastin e Nabukodonosorit dhe pse përgjigjesh kështu? (b) Në përmbushjen më të madhe, kur dhe si filluan «shtatë kohët»?

25 Gjatë marrëzisë së Nabukodonosorit, «vetë flokët e tij u bënë të gjatë, ashtu si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e zogjve». (Danieli 4:33) Kjo zgjati më shumë sesa shtatë ditë ose shtatë javë. Në përkthime të ndryshme lexohet «shtatë kohë» dhe alternativat janë «kohët e caktuara (e përcaktuara)» ose «periudha kohore». (Danieli 4:16, 23, 25, 32) Në një variant në greqishten e vjetër (Septuaginta) lexohet «shtatë vjet». Nga historiani jude i shekullit të parë, Jozefi, «shtatë kohët» konsideroheshin si «shtatë vjet». (Antiquities of the Jews, libri 10, kapitulli 10, paragrafi 6) Edhe disa studiues hebrenj i kanë konsideruar këto «kohë» si «vite». Përkthimi që bëhet në An American Translation, Today’s English Version dhe në një përkthim të Xhejms Mofatit është «shtatë vjet».

26 Me sa duket, «shtatë kohët» e Nabukodonosorit përfshinin shtatë vjet. Në profeci, një vit zgjat mesatarisht 360 ditë ose 12 muaj me nga 30 ditë secili. (Krahaso Zbulesën 12:6, 14.) Kështu që «shtatë kohët» e mbretit apo shtatë vjetët, ishin 360 ditë të shumëzuara për 7 ose 2.520 ditë. Por ç’të themi për përmbushjen më të madhe të ëndrrës së tij? «Shtatë kohët» profetike zgjatën shumë më tepër sesa 2.520 ditë. Kjo u tregua nga fjalët e Jezuit: «Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa të plotësohen kohët e caktuara të kombeve.» (Luka 21:24) Kjo ‘shkelje’ filloi në vitin 607 p.e.s., kur Jerusalemi u shkatërrua dhe mbretëria tipike e Perëndisë në Judë pushoi së funksionuari. Kur do të merrte fund kjo shkelje? Në «kohët e rivendosjes së të gjitha gjërave», kur sovraniteti hyjnor të manifestohej përsëri ndaj tokës nëpërmjet Jerusalemit simbolik, Mbretërisë së Perëndisë.—Veprat 3:21.

27. Pse do të thoshe se «shtatë kohët» që filluan në vitin 607 p.e.s. nuk përfunduan 2.520 ditë të mirëfillta më vonë?

27 Nëse do të numëronim 2.520 ditë të mirëfillta që prej shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., kjo do të na çonte deri te viti 600 p.e.s., vit që nuk ka asnjë domethënie biblike. Madje edhe në vitin 537 p.e.s., kur judenjtë e çliruar u kthyen në Judë, sovraniteti i Jehovait nuk ishte manifestuar në tokë. Ndodhi vërtet kështu, sepse Zorobabeli, trashëgimtari i fronit të Davidit, nuk u bë mbret, por vetëm guvernator i provincës perse të Judës.

28. (a) Cili rregull duhet të zbatohet për 2.520 ditët e «shtatë kohëve» profetike? (b) Sa të gjata ishin «shtatë kohët» profetike dhe cilat data shënojnë fillimin dhe fundin e tyre?

28 Përderisa «shtatë kohët» janë profetike, duhet që për 2.520 ditët të zbatojmë rregullin biblik: «Një ditë për një vit.» Ky rregull është paraqitur në një profeci që ka të bëjë me rrethimin babilonas të Jerusalemit. (Ezekieli 4:6, 7; krahaso Numrat 14:34.) Prandaj, «shtatë kohët» e sundimit të tokës nga fuqitë johebreje, pa ndërhyrjen e Mbretërisë së Perëndisë, zgjatën 2.520 vjet. Ato filluan me shkretimin e Judës dhe të Jerusalemit në muajin e shtatë hënor (15 tishër) të vitit 607 p.e.s. (2. Mbretërve 25:8, 9, 25, 26). Nga ky moment deri në vitin 1 p.e.s. janë 606 vjet. Të 1.914 vjetët që mbeten shtrihen nga ky vit deri në vitin 1914 të e.s. Kështu, «shtatë kohët» apo 2.520 vitet, përfunduan diku nga 15 tishri ose 4 apo 5 tetori i vitit 1914 të e.s.

29. Kush është «më i përuluri i njerëzimit» dhe çfarë bëri Jehovai për ta hipur në fron atë?

29 Në atë vit u plotësuan «kohët e caktuara të kombeve» dhe Perëndia ia dha sundimin «më të përulurit të njerëzimit», Jezu Krishtit, të cilin armiqtë e tij e kishin konsideruar kaq të përbuzur, saqë e kishin gozhduar në shtyllë. (Danieli 4:17) Për të hipur në fron Mbretin Mesianik, Jehovai liroi rrathët simbolikë prej hekuri dhe bakri që ishin përreth «cungut me rrënjë» të sovranitetit të atij vetë. Kështu, Perëndia Më i Lartë lejoi që prej tij të rritej një «filiz» mbretëror, si shfaqje e sovranitetit hyjnor ndaj tokës me anë të Mbretërisë qiellore në duart e Trashëgimtarit më të madh të Davidit, Jezu Krishtit. (Isaia 11:1, 2; Jobi 14:7-9; Ezekieli 21:27) Sa shumë e falënderojmë Jehovain për këtë kthesë të bekuar që morën ngjarjet dhe për zbulimin e misterit të pemës madhështore!

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Çfarë simbolizonte pema madhështore në ëndrrën e Nabukodonosorit?

• Çfarë i ndodhi Nabukodonosorit në përmbushjen fillestare të ëndrrës së tij me pemën?

• Pasi përjetoi përmbushjen e ëndrrës së tij, ç’gjë pranoi Nabukodonosori?

• Në përmbushjen më të madhe të ëndrrës profetike me pemën, sa të gjata ishin «shtatë kohët» dhe kur filluan e mbaruan ato?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 83]

[Figura që zë gjithë faqen 91]