Benin
Benin
Ishte prilli i 1976-s. Ushtarë me automatikë përplasën dyert e Shtëpisë Bethel. «Dilni jashtë dhe bashkohuni me të tjerët në ceremoninë e ngritjes së flamurit!»—urdhëroi oficeri i komandës. Një turmë e zemëruar njerëzish hidhte slogane politike.
Brenda misionarët vazhdonin trajtimin e shkrimit biblik të ditës, ashtu siç e kishin zakon. «Fuqitë e qiejve do të tronditen» ishte shkrimi që po shqyrtohej. (Mat. 24:29) Ç’burim fuqie qe ky shkrim për misionarët atë mëngjes. Jashtë ushtarët ngritën flamurin në rrethinat e zyrës së degës. Ata kishin shtënë në dorë pronën!
Pa kaluar shumë kohë, ushtarët i urdhëruan misionarët të dilnin të gjithë jashtë. U lejuan të merrnin me vete vetëm ato gjëra personale që mund të merreshin në valixhe. Pa vonesë, misionarët u hipën në furgonin e Shoqatës, për t’u përcjellë jashtë vendit.
Ndërsa furgoni linte rrethinat e Bethelit, një vëlla i ri i ndoqi nga pas me biçikletë. «Çfarë po ngjet? Ku po ju çojnë?»—i pyeti ai. Misionarët i bënin shenjë me dorë që të largohej nga frika se mos e arrestonin edhe atë.
Ç’gjë çoi në ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Benin? Si qëndruan Dëshmitarët lokalë të fortë frymësisht gjatë asaj periudhe të vështirë 14-vjeçare? A u kthyen më misionarët? Pasi u hoqën përfundimisht kufizimet, si e përdorën Dëshmitarët e Jehovait në Benin lirinë e sapomarrë?
Ky është Benini
Një vend në formën e vrimës së çelësit, i futur në mes nga Togo dhe Nigeria në bregdetin e Afrikës Perëndimore. Ky është Benini. Ndoshta mund ta njohësh me emrin e tij të mëparshëm, Dahomei. Njerëzit këtu janë të ngrohtë e miqësorë dhe klima është e këndshme. Ndonëse fliten më shumë se 50 gjuhë lokale nga rreth 60 grupe etnike, gjuha kombëtare është frëngjishtja.
Benini është streha e kështjellave në miniaturë dhe mbretërimeve të lashta afrikane. Në një lagunë të kaltër shtrihet Ganvi, një fshat pluskues, i quajtur nga disa Venecia e Afrikës. Rrugë atje janë lumenjtë dhe taksi janë varkat shumëngjyrëshe apo lundrat prej druri. Dy parqet kombëtare, Pendjari dhe W gjenden në veri të vendit, ku luanët, elefantët, majmunët, hipopotamët dhe kafshë të tjera vërtiten të lira në savanë. Në jug, palmat vallëzojnë sipas muzikës së erërave të oqeanit.
Por jeta ka qenë disa herë e hidhur për njerëzit në këtë vend. Në fillim të shekullit 17, Kpasse, sunduesi i mbretërisë së Houedës hyri në marrëdhënie tregtie me tregëtarë skllevërish nga Franca, Anglia dhe Portugalia. Në këmbim të xhinglave dhe të armëve, ky mbret i pamëshirshëm shiti vëllezërit e tij. Këta hipeshin në anije nga Glehoue, që tani quhet Ouidah dhe transportoheshin në Haiti, Antilet hollandeze dhe në Amerikë. Tregtia e skllevërve vazhdoi nga shekulli 17 deri në pjesën e parë të shekullit 19. Atëherë, më në fund, kjo tregti u hoq në shumë vende.
Megjithatë, vetëm në fillim të shekullit 20 banorët e Beninit filluan të kishin mundësinë për të qenë të lirë nga prangat e një lloji shumë më mizor skllavërie, skllavëria e fesë së rreme me të gjitha format e saj të fshehura. Në Benin kjo përfshin edhe vuduizmin.
Vendlindja e vuduizmit
Animizmi është feja tradicionale dhe midis animistëve, perëndia që shihet si suprem është Mahou. Ai është përfaqësuar nga një numër i madh perëndish dytësorë, apo vudush, të cilëve u ofrohen sakrifica në disa ditë festash. Për shembull, Hebiozo është perëndia i bubullimës dhe perëndia Zangbeto, sipas të thënave, mbron fushat e fermerëve natën. Më poshtë se këta vudu ka nën-perëndi, të cilët besohet se janë frymërat e njerëzve të vdekur. Kështu, praktikohet adhurimi i të parëve. Në më shumë se një shtëpi, ju do të gjeni një asen, një lloj çadre e vogël e bërë me hekur të farkëtuar, të zbukuruara me simbole në kujtim të një personi të dashur që ka vdekur.
Lidhja me këto perëndi kërkon një ndërmjetës, një prift fetishist, qoftë mashkull apo femër. Pasi të ketë kaluar tre vjet në një manastir fetishist, prifti quhet i kualifikuar për të komunikuar me perënditë dhe frymërat e tjera. Kjo hierarki e fuqishme ka një ndikim shumë të madh në jetën e beninasve që u përmbahen atyre.
Ata që praktikojnë këtë formë adhurimi besojnë se pasi një person vdes, ai mund të kthehet përsëri në një formë frymore dhe të vrasë pjesëtarët e tjerë të familjes. Shumë njerëz mund të shesin gjithë gjërat që kanë apo mund të futen thellë në borxhe për të paguar për sakrifica në kafshë dhe ceremoni të tepërta për të qetësuar të afërmit e vdekur. Si rezultat, familja mund të lihet në varfëri. Frika bestytnore e shkaktuar nga këto besime i mban njerëzit në skllavëri.
Fetë e ashtuquajtura të krishtere janë, gjithashtu, të pranishme këtu dhe në shumicën e rasteve ato praktikohen bashkë me animizmin. Përzierja e të dyja formave të adhurimit nuk shihet me sy të keq zakonisht nga njerëzit, por mosmarrja pjesë në traditat animiste konsiderohet një mëkat i rëndë. Megjithatë, shumë kanë vepruar kështu.
Vitet e hershme
E vërteta biblike, e cila mund të lirojë me të vërtetë njerëzit nga frika bestytnore, arriti në Dahomei në vitin 1929. Vëllai Janada, i cili e kishte mësuar këtë të vërtetë në Ibadan, Nigeri, u kthye për të mësuar anëtarët e tjerë të fisit, pasi ai ishte nga fisi Gun. Ai mblodhi një grup prej gjashtë vetash në qytetin e tij të lindjes Porto-Novo, që ishte dhe kryeqyteti dhe filloi të studionte Biblën me ta. Nga ky grup, Daniel Afeniji, me origjinë nga Nigeria u kap fort pas të vërtetës dhe u pagëzua në vitin 1935. Por persekutimi nga kleri lokal e shtyu vëllain Janada të kthehej në Nigeri dhe i sapopagëzuari Daniel Afeniji u detyrua të kthehej në fshatin e tij, Dagbe. Kur katër Dëshmitarë të tjerë nigerianë filluan të predikonin në Porto-Novo, ata u arrestuan dhe u internuan aty për aty.
Në vitin 1938, dymbëdhjetë vëllezër nga fisi Ibo në Nigeri u caktuan të shërbenin në Porto-Novo. Për zhgënjimin e klerit protestan, shumë njerëz e çmuan atë që Dëshmitarët po u mësonin nga Bibla. Një prej tyre ishte Moise Akinoko, një tregtar nga fisi Joruba. Ai kishte qenë një metodist, i cili kishte praktikuar edhe adhurimin e të parëve. Si rezultat i presioneit të klerit mbi autoritet lokale, Dëshmitarët e Jehovait u detyruan përsëri të largoheshin nga Porto-Novo. Por kur flakët e persekutimit u bënë më intensive për vëllezërit Ibo, vëlla Akino u qëndroi afër dhe tha: «Nëse qeveria do të vrasë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait, unë jam gati». Ai vazhdoi i palëkundur në besim deri në vdekjen e tij në vitin 1950.
Gjatë Luftës së dytë Botërore, Dëshmitarëve nigerianë u ishte ndaluar të hynin në Benin. Megjithatë, farërat e së vërtetës ishin mbjellë dhe më vonë, me pak ujitje dhe kultivim, ato u rritën me shpejtësi. Kjo mundësi erdhi menjëherë pas luftës. Norou Akintonde, një vendas nga Benini, ishte bërë Dëshmitar i Jehovait ndërsa ishte në Nigeri. Në vitin 1948, ai u kthye në vendlindjen e tij si pionier, duke shpenzuar pjesën më të madhe të kohës së tij për t’u dëshmuar të tjerëve mbi Jehovain dhe qëllimin e tij ashtu si zbulohej në Bibël. Rezultatet tejkaluan të gjitha pritjet e arsyeshme.
Në maj të vitit 1948, raporti i shërbimit në fushë pohonte: «Është me të vërtetë rrëqethëse të dërgosh një raport për një vend të ri. Lajmi i mirë vërshoi në Dahomenë franceze [Benin] dhe njerëzit me vullnet të mirë po mblidhen për ‘sinjalin e kombeve’».-Isa. 11:12
Po atë muaj, guvernatorit të Dahomesë iu bë një kërkesë për njohjen zyrtare të Shoqatës. Kjo iu përcoll përfaqësuesit të lartë në Dakar, Senegal. Megjithatë, pas një vonese prej më shumë se një viti, autorizimi u refuzua. Pa marrë parasysh këtë, vepra vazhdoi të zgjerohej. Uilfred Guç, mbikëqyrësi i degës në atë kohë në Nigeri, më vonë shkroi: «Kaq shumë interes të fshehtë kishte atje, saqë brenda gjashtë javësh 105 persona ishin bashkuar me pionierin [vëlla Akintonde] në shërbimin në fushë. Gjatë pak muajve që pasuan, ky pionier vazhdoi të përhapte lajmin e mirë në qytetet përreth dhe vazhdoi të kishte një rritje të shkëlqyer. Në korrik 1948 u arrit një maksimum prej 301 lajmëtarësh të Mbretërisë».
Predikimi i lajmit të mirë shtrihet më tej
Nga Porto-Novo predikimi i lajmit të mirë u shtri në qytetet dhe fshatrat e largëta. Vëlla Akintonde mori me vete disa persona të sapointeresuar për të dëshmuar në vende të tilla si Lokogbo dhe Kotonou. Ata do të qëndronin në një fshat për disa ditë, ku do të mikpriteshin nga të sapointeresuarit. Në këtë kohë, personat e interesuar filluan të predikonin me vëllezërit vizitues menjëherë pas kontaktit të tyre fillestar.
Më pak se katër muaj pasi vëlla Akintonde u kthye në Benin, në Porto-Novo u mbajt një kongres tre-ditor. Në dispozicion ishin Braun, Entoni Etud dhe Ernest Moreton nga dega e Nigerisë. Në atë rast u pagëzuan tridhjetë persona dhe kjo i egërsoi shumë misionarët protestantë. Ata bënë gjithçka mundën për t’i ndryshuar mendjen të sapointeresuarve, por ata qëndruan të vendosur. Një nga personat e pagëzuar në këtë kongres pohoi: «Nëse ju i keni shqyrtuar të gjitha gjërat dhe keni gjetur se diçka nuk është e mirë, ju përket juve të vendosni. Sa për mua, unë kam parë se kjo është shumë e mirë». Shumë më tepër persona shqyrtuan, gjithashtu, atë që mësonin Dëshmitarët e Jehovait dhe panë se ajo ishte «shumë e mirë». Që nga janari i vitit 1949, në Benin kishte tre kongregacione: Porto-Novo, Lokogbo dhe Kotonou.
Një poligamist gjen të vërtetën
Ndonëse në këtë vend, aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait nuk njihej ligjërisht, në janar të 1949-s na u dha leja për të mbajtur një asamble në Kotonou. Për të njoftuar në lidhje me programin, u përdorën makina me altoparlantë dhe në fjalimin publik «Qeveria e paqes», ishin të pranishëm mbi 1.000 persona.
Njëri prej atyre që ishin të pranishëm në këtë asamble, ishte Surou Huenou, i cili qe noter, gjykatës, si dhe kreu i Revenantëve, një grup i përfshirë në adhurimin e të parëve. Ai kishte katër gra. A do të ishte vallë në gjendje të bënte ndryshimet e nevojshme, për të ecur në gjurmët e Jezu Krishtit? Ai u largua nga adhurimi i të parëve dhe gjërat spiritiste të lidhura me të. E bëri këtë në përputhje me deklaratën e Jezuit: «Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Edhe në lidhje me martesën, ai i rregulloi çështjet në përputhje me normat e krishtere. Edhe pse kishte një karrierë që në sistemin e tanishëm është e çmuar, ashtu si Sauli nga Tarsi përpara se të bëhej apostulli Pavël,ai e konsideroi atë «si humbje» dhe hoqi dorë prej saj. (Filip. 3:8) Me qëllim që të ishte i lirë për interesat e Mbretërisë, la pozitën e tij si noter dhe gjykatës dhe ndërmori shërbimin e plotë kohor.
Kongregacioni i Kotonout mblidhej rregullisht në shtëpinë e vëllait Houenou, në rajonin Misebo të qytetit. Një herë, krerët katolikë nxitën një turmë fëmijësh që ta prishte mbledhjen. Ndërsa po mbahej fjalimi publik brenda oborrit të rrethuar me mur të shtëpisë së vëllait Houenou, një djalosh u ngjit në një pemë dhe filloi të hidhte sharje dhe të gjuante me gurë në drejtim të oratorit. Me sa duket qe një qëllim i paarritshëm, sepse asnjëri prej gurëve nuk e goditi oratorin. Përkundrazi, njëri prej atyre gurëve gaboi rrugë dhe e goditi aq fort njërin prej djemve të atij grupi, sa iu desh të shtrohej në spital! Të gjithë fëmijët vrapuan të frikësuar, duke menduar se ky qe një dënim nga Perëndia. Mbledhja vazhdoi pa asnjë incident tjetër.
Vuduizmi kundër Jehovait
Dogbo-Tinde Ogoudina ishte duke vëzhguar nga një farë distance atë që po ndodhte. Ajo ishte një tregëtare rrobash, që e kishte dyqanin përballë rrugës ku e kishte shtëpinë vëlla Houenou. Ajo ishte, gjithashtu, sekretare në manastirin fetishist në Porto-Novo. Megjithatë, ajo ishte e prekur në një mënyrë kaq të favorshme nga sjellja e Dëshmitarëve përballë këtij kundërshtimi saqë u bë e interesuar ndaj mesazhit të Mbretërisë. Shpejt edhe ajo vetë u bë objekt i një kundërshtimi të zjarrtë nga priftërinjtë fetishistë. Kryeprifti fetishist deklaroi se ajo do të vdiste brenda shtatë ditëve sepse po qëndronte me Dëshmitarët! Ai përdori edhe magjinë duke u përpjekur për ta bërë të vërtetë parashikimin e tij.
Megjithëse disa janë vrarë nga frymërat e liga, motër Ogoudina ishte e guximshme. Ajo tha: «Nëse është fetishi që ka bërë Jehovain unë do të vdes, por nëse Jehovai është Perëndia Më i Lartë, ai do të mposhtë fetishin». Natën e ditës së gjashtë, priftërinjtë fetishistë ofruan sakrifica në cjepë dhe bënë rituale për perëndinë e tyre fetish-Gbelokon. Ata prenë një bimë bananeje, e veshën me rroba të bardha dhe e tërhoqën zvarrë për tokë duke simbolizuar vdekjen e saj. Pas kësaj, ata ishin kaq të sigurt për përfundimin saqë shpallën publikisht se motra Ogoudina kishte vdekur tashmë. Por çfarë ndodhi mëngjesin që pasoi?
Motra Ogoudina ishte po aty ku kishte qenë pothuajse çdo mëngjes, duke shitur rroba në dyqan. Ajo nuk kishte vdekur, përkundrazi ishte shëndoshë e mirë! Menjëherë, u dërgua një delegacion tek kryeprifti fetishist në Porto-Novo për ta informuar mbi atë që kishte ndodhur, apo më mirë mbi atë që nuk kishte ndodhur. Ai ishte i tërbuar që magjia e tij nuk kishte pasur efekt. Duke ditur se kjo gjë do të minonte ndikimin e tij mbi popullin, ai u largua nga Porto-Novo për në Kotonou me një qëllim në mendje: për të gjetur motër Ogoudinën dhe për ta vrarë atë. Vëllezërit lokalë e dinin se po përgatitej një trazirë, prandaj e ndihmuan motrën ta mbyllte dyqanin e saj të vogël dhe e çuan në një vend të sigurt. Pasi e mbajtën motër Ogoudinën të fshehur për një javë, vëlla Houneou mori me qera një makinë dhe e shëtiti nëpër të gjithë Porto-Novon kështu që të gjithë mund të shihnin se ajo ishte gjallë. Në vitin 1949 makinat ishin akoma të rralla në Afrikë, kështu që ishin të paktë ata që kaluan pa e vënë re. Vëlla Houenou u sigurua që atë ta shihnin sa më shumë njerëz që ishte e mundur; pastaj e mbaruan udhëtimin e tyre tek dera e ish-manastirit fetishist ku ajo ishte më parë. Ajo doli nga makina dhe shpalli publikisht që të gjithë të mund ta dëgjonin se, megjithëse kryeprifti fetishist kishte hedhur një mallkim për vdekjen e saj, Jehovai, Perëndia i saj ishte ai që fitoi! Ai kishte provuar se ishte «një kullë e fortë» për të. (Prov. 18:10) Pavarësisht nga shëndeti i saj i dobët, ajo vazhdoi t’i shërbente Jehovait plot besim deri në fund të jetës së saj. Qëndrimi i saj i guximshëm ndihmoi adhurues të tjerë fetishistë për t’u çliruar nga skllavëria e spiritizmit.
Kundërshtimi intensifikohet
Afër kohës së Përkujtimit në vitin 1949, u bënë rregullime që të mbahej një fjalim special në Porto-Novo. Ishin të pranishëm mbi 1.500 të interesuar. Megjithatë, ky lajm nuk u mirëprit nga kleri. Edhe një herë tjetër, ata nxitën autoritetet kundër vëllezërve dhe ata arrestuan dhjetë prej tyre.
Më vonë një vëlla raportoi: «Vëllezërit u mbajtën në arrest për disa ditë dhe u liruan pasi iu dha një paralajmërim i fortë që të mos ‘mësonin apo predikonin në atë emër’. Një kundërshtim i tillë u dha mundësi vëllezërve për të shfrytëzuar rastin që të dëshmonin përpara ‘mbretërve dhe sunduesve’ dhe t’u jepnin atyre një arsye për shpresën që është në ta». -Krahaso Veprat 4:17
Atë vit, Përkujtimi u mbajt në mënyrë të fshehtë, me 134 të pranishëm, duke përfshirë edhe pesë që morën emblemat. Kur u mbajt një pagëzim, u bë natën, në lagunën e Porto-Novos. Vendet e mbledhjeve ndryshoheshin vazhdimisht dhe një vëlla qëndronte gjithmonë rojë. Përpara çdo mbledhjeje, shtrohej një tryezë me ushqime; nëse vinte dikush, vëllezërit me shpejtësi uleshin në tryezë dhe bënin sikur ishin duke ngrënë një vakt së bashku të gëzuar. Dhe në të vërtetë ata ishin duke gëzuar një vakt-me ushqim të shkëlqyer frymor.
Vëllezërit duhet të ishin të kujdesshëm në çdo kohë, siç tha Jezui «të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe megjithatë të pafajshëm si pëllumbat». (Mateu 10:16) Autoritetet vazhdimisht ishin në kërkim të vëllait Akintonde, të cilin ata e mendonin si kryebanditin e Dëshmitarëve. Një ditë një polic u dërgua për ta kërkuar. Meqë nuk dinte se ku banonte vëllai Akitonde oficeri pyeti një zotëri që ta drejtonte për në shtëpinë e zotit Akitonde. Në përputhje me zakonin e mikpritjes beninase, burri e drejtoi aty. Por burri që i dha këtë drejtim ishte vetë vëlla Akitonde! Polici nuk e njihte atë. Kur arritën në shtëpi, s’ishte çudi që vëlla Akitonde nuk ishte në shtëpi! Megjithatë, më në fund, në qershor të vitit 1949, kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua zyrtarisht, vëlla Akitonde u kthye në vendin e tij, në Nigeri.
Në gusht të vitit 1949, qeveria botoi një paralajmërim kundër literaturës së Kullës së Rojës, duke caktuar një dënim me dy vjet burgim dhe një shumë prej 1.000 dollarësh për atë që kapej duke shpërndarë një literaturë të tillë në ndonjë gjuhë. Revista Kulla e Rojës dhe libri «Le të jetë Perëndia i vërtetë» ishin veçanërisht në shënjestër. Vëllezërit nuk u shkurajuan nga kjo kthesë e ngjarjeve. Ata e dinin mirë se Jezu Krishti kishte thënë: «Një shërbëtor nuk është më i madh se zotëria e tij. Nëse ata më kanë persekutuar mua do t’ju persekutojnë edhe ju». -Gjoni 15:20
Gjatë asaj kohe, Kpoje Aladinkpovi, një nga të parët që pranuan të vërtetën në këtë vend, bëri një përdorim të mirë të veshjes tradicionale për burrat beninas, që e ndihmoi atë në shërbim. Veshja me mëngë shumë të gjera që mbajnë ata, e quajtur bubu, ka një xhep të madh e të bollshëm në brendësi. Kur vëlla Aladinkpovi ishte i sigurt se kishte gjetur dikë, që ishte me të vërtetë i interesuar, ai fuste dorën në veshjen e tij dhe nxirrte nga xhepi një libër ose një broshurë. Ai gjithnjë thoshte se kjo ishte e fundit, por dukej se gjente gjithmonë një kopje tjetër kur gjente përsëri ndonjë që ishte i uritur për të vërtetën.
Të shpërndarë, por vazhduan të dëshmonin
«Prediko fjalën, jepu pas saj urgjentisht në kohë të favorshme dhe në kohë me telashe». (2 Tim. 4:2) Kjo këshillë, e shkruar nga apostulli Pavël u mor për zemër nga Dëshmitarët e Jehovait në Benin dhe vepra e dëshmisë lulëzoi edhe në «kohë me telashe». Gjatë pjesës së fundit të vitit 1949, një nga pionierët beninas të sapocaktuar, Albert Jedenou Ligan shkoi në Zinvie, një fshat i vogël në veri të Kotonout. Që ditën e parë që ishte atje ai takoi Joze dhe Maria Maholikponto. Shpejt, ata njohën tingullin e së vërtetës në mësimet biblike që dëgjuan. Megjithëse ishte protestant, Joze praktikonte adhurimin e të parëve, kishte dy gra dhe ishte kryeprift fetishist i perëndisë Zangbeto. Po atë muaj që kontaktuan të vërtetën, ata hoqën dorë nga të gjitha këto praktika. Besimi i ri që kishin gjetur nuk u prit mirë nga familjarët e tyre, të cilët i kundërshtuan hidhur, madje duke i dëbuar nga shtëpia e familjes dhe duke shkatërruar pronat e tyre.
Çifti Maholikponto u largua nga fshati për të shpëtuar jetën dhe u vendos në Dekin, një nga fshatrat që shtrihen mbi liqen. Ky transferim shërbeu për të përhapur të vërtetën në një zonë të re. Kryetari i fshatit në Dekin ishte i pari që pranoi të vërtetën. Brenda dy vjetësh, 16 persona në këtë zonë përqafuan adhurimin e vërtetë, edhe pse autoritetet i arrestuan dhe i rrahën ata dhe shkatërruan gjithë literaturën, duke përfshirë Biblat e tyre.
Në vitin 1950, ndërsa ishte duke dëshmuar në një fshat, një pionier takoi një burrë që i tha se aty ishte një zotëri i moshuar, i cili mësonte të njëjtat gjëra nga Bibla si dhe pionieri. Ky zotëri i moshuar doli se ishte vëlla Afeniji, i cili ishte një nga grupi i parë që kishte mësuar të vërtetën në këtë vend dhe që ishte pagëzuar në vitin 1935. Megjithëse kishte qenë i izoluar, vëlla Afeniji nuk ishte harruar nga Jehovai, as nuk kishte harruar gëzimin që pati përjetuar kur ishte çliruar nga besimet jobiblike të fesë së tij të mëparshme protestante. Gruaja e tij nuk e përqafoi asnjëherë të vërtetën dhe vuduizmi ishte i rrënjosur thellë në fshatin ku ai predikonte, por, megjithatë vëlla Afeniji nuk hoqi dorë. Për vite me radhë mund ta shihje duke u mësuar me besim të plotë Biblën të tjerëve. Ai vdiq në moshën 80 vjeçare, pasi i kishte shërbyer Jehovait plot besim për më shumë se 42 vjet.
Në fillim të vitit 1950, valët e persekutimit vazhduan të binin kundër Dëshmitarëve. Në zonën e Koutit, një punonjës policie gjeti një grup vëllezërish që ishin duke studiuar shkrimin e ditës. Disa u arrestuan, u lidhën me litar dhe u sollën para komandantit apo policit të rajonit. Ata u lëshuan më vonë me një paralajmërim të rreptë që të mos predikonin apo të mbanin më mbledhje. Prapëseprapë, populli i Jehovait e çmoi rëndësinë e vazhdimësisë së të mbledhurit rregullisht së bashku për të studiuar Fjalën e Perëndisë, duke bërë kështu dhe në fshehtësi kur ishte e nevojshme. Një nga pleqtë lokalë shkroi: «Tani, e vetmja mundësi për vëllezërit lokalë që të mblidhen së bashku është duke u zgjuar herët në mëngjes për të studiuar. Ata që kanë biçikleta shkojnë në vendet e largëta për të dëshmuar... Për ta, edhe të mbajnë Biblën e tyre është e rrezikshme. Pavarësisht nga këto vështirësi ne duhet të vazhdojmë të predikojmë fjalën deri sa të vijë fundi». Në mars të vitit 1950, ata u mblodhën me besim të plotë për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Ata nuk po ‘tërhiqeshin prapa’ nga frika. (Heb. 10:38) Në fillim të vitit 1951, ishin raportuar shtatë kongregacione dhe 36 nga 247 lajmëtarët e raportuar, ishin rregjistruar si pionierë.
Ai ktheu mbrapsht sendet fetare
Në fillim të viteve ‘50, shumë nga vëllezërit tanë nuk mund të lexonin mirë; por ata bënin gjithçka mundnin për të dhënë një dëshmi dhe Jehovai bekoi përpjekjet e tyre. Një ditë, dy vëllezër po përpiqeshin t’i shpjegonin të vërtetën biblike një personi të tretë kur Samuel Ogungbe kaloi andej. Më vonë ai tha: «Unë nuk e dija atëherë, por këta burra ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe nuk po binin dakord me njëri-tjetrin sepse nuk mund të lexonin dot Biblat e tyre në gjuhën Gun. Unë u bashkova në bisedë dhe isha në gjendje t’i ndihmoja meqë kisha mësuar të lexoja Biblën në gjuhën Gun. Tani, Samuel Ogungbe ishte ruajtësi i thesarit dhe anëtar i këshillit të kishës së Serafinit dhe Kerubinit. Anëtarët e kësaj feje njihen me lehtësi; ata vishen me veshje të bardha, të gjata dhe kësula të bardha sepse besojnë se janë nusja e Krishtit. Por me gjithë lidhjet e tij fetare, Samuel Ogungbes iu duk interesante biseda me Dëshmitarët e Jehovait. U la një takim për të vazhduar bisedën, ditën e shtunë, vetëm katër ditë më vonë. Megjithatë, para asaj dite ndodhi diçka që e frikësoi atë.
«Kisha, së cilës i përkisja, përdor teologët dhe parashikuesit e fatit bashkë me artet magjike», shpjegoi ai. «Një ditë pas takimit tim të parë me Dëshmitarët e Jehovait, shkova në kishë siç e kisha zakon. Menjëherë, u paralajmërova nga pjesëtarët e tjerë të kishës që ishin konsultuar me frymërat, se duhej të matja hapat e mia për dy arsye: së pari, megjithëse kisha një pozitë të lartë në kishë, isha në rrezikun e ‘dezertimit’ dhe së dyti, shpejt do të kisha probleme me stomakun, që do të dilnin vdekjeprurëse nëse nuk ndiqja këshillën e dhënë nga frymërat. Ata thanë se unë duhet të blija shtatë qirinj bashkë me temjan dhe mirrë për një ceremoni të veçantë me lutje me zë të lartë dhe të mbaja kreshmë për shtatë ditë. Nëse nuk do të bindesha kjo do të thoshte vdekje për mua.»
Më vonë ai pranoi sinqerisht: «Kur shkova në shtëpi, natën e së enjtes, isha i frikësuar. Të premten në mëngjes fillova të lutesha dhe të mbaja kreshmë, duke e ditur se së shpejti duhet të vendosja nëse do ta vazhdoja bisedën me Dëshmitarët e Jehovait apo jo. Gati sa e humba takimin me ta, por në momentin e fundit vendosa të shkoja. Ne biseduam për shumë gjëra dhe ata më ftuan në mbledhjen e tyre, ditën e diel. Ndryshimet erdhën shpejt. Anëtarët e kishës me të cilët Samuel Ogungbe ishte shoqëruar u përpoqën t’ia kthenin mendjen, por ai ishte i bindur se kishte gjetur të vërtetën. Ai i ktheu mbrapsht të gjitha sendet e tij fetare dhe, po atë muaj, filloi të merrte pjesë në shërbimin në fushë. Brenda gjashtë muajve u pagëzua në simbol të dedikimit të tij ndaj Jehovait. Meqë ra fjala, vëlla Ogungbe nuk vdiq për shkak të besimit të ri që kishte gjetur. Ai i shërbeu Jehovait plot besim për më shumë se 40 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1996.
Vihet theksi mbi shkollat për shkrim e këndim
Një person mund të jetë në gjendje për të dëshmuar edhe pa ditur shkrim e këndim, megjithatë leximi i Fjalës së Perëndisë mund ta ndihmojë për të fituar forcë që të dijë si të përballojë situata të vështira. Të jesh i aftë për të lexuar është edhe një faktor i rëndësishëm për të mësuar me efektshmëri. Megjithatë, në vitet e kaluara, shumë njerëz në Benin, duke përfshirë vëllezërit tanë, nuk dinin të lexonin; kështu që Shoqata inkurajoi vëllezërit të organizonin shkolla për shkrim e këndim. Në fillim, ky mësim jepej personalisht një për një. Më pas, në vitet 1960, shkollat për shkrim e këndim u vendosën nëpër kongregacione.
Edhe në kohën e tashme, në shumë nga kongregacionet e Beninit vazhdojnë të mbahen shkolla për shkrim e këndim. Përveç kësaj, shumë njerëz po ndihmohen individualisht. Por sa më tepër që janë vënë në dispozicion shkollat publike, nevoja për një ndihmë të tillë ka ardhur duke u zvogëluar. Kur individët mësojnë të kapin kuptimin e asaj që është në faqen e shtypur, ata janë të aftë ta zbatojnë atë në mënyrë më të plotë në jetën e tyre dhe mund të përdorin Fjalën e Perëndisë në mënyrë më të efektshme për të mësuar të tjerët. -Ef 6:14-17.
Priftërinjtë katolikë dhe juju bashkojnë forcat
Të paaftë për të hedhur poshtë të vërtetën që mësonin Dëshmitarët e Jehovait nga Bibla, shpesh kleri përdorte autoritetet botërore duke u përpjekur për të ndaluar veprën e popullit të Jehovait. Në një rast, një prift katolik dhe një prift juju bashkuan forcat për të çliruar zonën e Dekinit nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata ngritën akuza para autoriteteve, duke përzjerë gjysmë të vërtetat me mashtrime të hapura tërësisht, duke pretenduar se Dëshmitarët po nxitnin popullin në revoltë kundër qeverisë, se ata po parathonin një luftë botërore, se ata po predikonin fundin e botës dhe se ata refuzonin të paguanin taksat! Prifti juju i tha shefit të rajonit se për shkak të Dëshmitarëve, frymërat nuk donin të jepnin shiun dhe se për këtë arsye, zia e bukës kërcënonte vendin. Prifti katolik tha se Dëshmitarët ishin përgjegjës për faktin që lutjet dhe meshat e tij nuk po dëgjoheshin nga Perëndia.
Personat me zemër të sinqertë i kuptuan këto sulme ashtu siç ishin në të vërtetë; një shenjë frike nga ana e krerëve fetarë. Ata kishin frikë se vepra e Dëshmitarëve të Jehovait po merrte një qëndrim të fortë midis njerëzve. Sulme të tilla shërbyen vetëm për të forcuar besimin e vëllezërve në Jehovain. Një raport i shkruar në atë kohë pohonte: «Vëllezërit me të vërtetë ‘po qëndrojnë të patundur në një frymë, me një shpirt duke u përpjekur krah për krah për besimin e lajmit të mirë,’ dhe Jehovai po i bekon përpjekjet e tyre me rritje. (Filip. 1:27) Ne kemi besim se ai do të vazhdojë të bëjë kështu.» A vazhdoi t’i bekonte Jehovai përpjekjet e tyre të vendosura? Jemi të sigurt se po! Megjithë kundërshtimin dhe persekutimin e ashpër, numri i atyre që kanë marrë pjesë në dhënien e dëshmisë mbi emrin dhe Mbretërinë e Perëndisë, është rritur nga 301 në vitin 1948 në 1.426 në vitin 1958! Disa herë, megjithatë, kjo dëshmi bëhej në burg.
Dhënia e një dëshmie të plotë në burg
Kur David Denòn nga Porto-Novo u arrestua sepse nuk ndërpriste shërbimin e tij ndaj Jehovait, ai e trajtoi burgun si territorin e tij. Dhe me të vërtetë ai pati një auditor që ishte i detyruar ta dëgjonte! Por predikimi i tij nuk i pëlqeu mbikëqyrësit të burgut, i cili e transferoi në një burg tjetër. Megjithatë, këtu ai u trajtua më mirë dhe ishte në gjendje t’u predikonte të burgosurve të tjerë pa pengesa. Edhe vetë kryembikëqyrësi ishte i interesuar dhe dy të burgosur të tjerë pranuan të vërtetën dhe u bashkuan me vëlla Denòn në predikimen e territorit të tyre-brenda mureve të burgut.
Gjatë ditës, vëlla Denòn, të cilit i besonin, dërgohej jashtë burgut për të punuar si marangoz në shtëpinë e mbikëqyrësit të policisë. Edhe ky burrë doli se ishte i interesuar në mesazhin e Biblës, madje duke e lejuar vëlla Denòn të shkonte në shtëpi për t’i marrë atij literaturë, të njëjtën literaturë për të cilën vëlla Denòn ishte burgosur!
Shumë shpejt erdhi më shumë ndihmë për të mbuluar këtë territor të pazakontë. Në vitin 1955, edhe pesëdhjetë lajmëtarë nigerianë erdhën në Benin për të ndihmuar në çuarjen e lajmit të mirë në pjesët e izoluara të vendit. I gjithë grupi u grumbullua dhe u çua në burgun lokal. Mjerisht, nuk kishte kaq vend sa për të mbajtur të gjithë, kështu që të gjitha motrat dhe disa vëllezër u dërguan në shtëpi. Njëzet e shtatë vëllezër, nën akuzën se shpërndanin «literaturë të ndaluar», u transferuan në një burg në brendësi të vendit për të pritur procesin gjyqësor. Ndërsa rrinin atje, ata nuk humbën kohë. Vërtet që ky nuk ishte territori që ata kishin në mendje kur erdhën nga Nigeria, por edhe këtu kishte njerëz që kishin nevojë të dëgjonin lajmin e mirë. Si rezultat i aktivitetit të tyre, të paktën 18 persona treguan interes, duke përfshirë gardianët dhe mjekun e burgut.
Në fund të gushtit, këta Dëshmitarë u çuan në gjyq. Të rejat mbi këtë çështje ishin përhapur kudo, kështu që të pranishëm në proces ishin më shumë se 1.600 persona. Priftërinjtë katolikë erdhën nga shumë anë të vendit dhe u thanë shumë se vëllezërit do të merrnin një dënim prej 12 vjetësh secili dhe kjo para se të fillonte seanca gjyqësore!
Megjithatë, gjykatësi ishte nga ana e vëllezërve dhe i lejoi ata të jepnin një dëshmi të mirë në gjyq. Ai i krahasoi Dëshmitarët me Jezu Krishtin, të cilin e kishin çuar në gjyq megjithëse ai nuk kishte kryer asnjëherë ndonjë shkelje të ligjit. Gjykatësi shprehu keqardhjen e tij që duhej të jepte një dënim prej tre muajsh për shumicën e vëllezërve. Megjithatë, dënimi do të fillonte nga koha e arrestimit të tyre, gjë që kishte ndodhur pothuajse tre muaj më parë. Vëllezërit bënë një përdorim të mirë të kohës që u kishte ngelur për të kaluar në burg. Gjatë muajit gusht ata raportuan më shumë se 100 orë secili në predikimin e mesazhit të Mbretërisë brenda mureve të burgut! E gjithë kjo ngjarje e bëri të dukshme veprën e Dëshmitarëve të Jehovait para publikut në një mënyrë mahnitëse.
Botime biblike në gjuhën Gun
Pasja e literaturës në gjuhën e njerëzve të thjeshtë është një ndihmë e madhe për t’u mësuar atyre të vërtetën e Biblës. Gjuha Gun është gjerësisht e folur në këtë vend. Sa të lumtur ishin vëllezërit kur, në vitin 1955 ata morën në gjuhën Gun fletushkën Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait? Kjo u ndoq, në vitin 1957, nga Shërbimi Ynë i Mbretërisë, i cili ndihmoi vëllezërit për të organizuar Mbledhjen e Shërbimit dhe aktivitetin e shërbimit në fushë më me efektshmëri. Gjithashtu, një shoqëri biblike filloi të shtypte Biblën e plotë në gjuhën Gun.
Botimi tjetër ishte broshura «Ky lajm i mirë i Mbretërisë». Kur mbërritën kopjet e para u bënë rregullime për ta studiuar në të gjitha studimet e librit të kongregacionit. Në fillim të vitit që pasoi u bë e mundur të shpërndahej në publik. Efekti ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Njerëzit e përulur në këtë vend pranuan me gëzim shpjegimin e saj të qartë të së vërtetës biblike. Në prill të vitit 1958 ishte arritur një maksimum i ri prej 1.426 lajmëtarësh, 84 për qind më shumë se mesatarja e vitit të mëparshëm.
Kaq inkurajues ishte pranimi në masë të gjerë i këtyre botimeve në gjuhën Gun, saqë shpejt filloi puna për përkthimin e librit «Le të jetë Perëndia i vërtetë». U vunë në përdorim, gjithashtu, kopje të shaptilografuara të Kullës së Rojës në gjuhën Gun, duke filluar me numrin e 1 dhjetorit, 1960. Të gjitha këto botime i ndihmuan vëllezërit për të rritur çmueshmërinë ndaj së vërtetës dhe për të ndihmuar të tjerët të çliroheshin nga skllavëria e fesë së rreme.
Disa provojnë se ‘nuk janë të llojit tonë’
Kur një person mëson se i janë thënë gënjeshtra, ai mund të braktisë shpejt fenë e tij të mëparshme dhe të fillojë të adhurojë Jehovain. Por, që të vazhdosh të praktikosh adhurimin e pastër kërkohet përulësi dhe dashuri e çiltër për Jehovain, një gatishmëri për të përparuar drejt pjekurisë së krishterë dhe për të zbatuar Fjalën e Perëndisë në çdo fushë të jetës. Edhe në Benin, jo të gjithë ata që filluan me aq entuziazëm të predikonin, vazhduan të ndiqnin këtë drejtim. Disa provuan se ‘nuk ishin të llojit tonë’—1. Gjonit 2:19.
Kur një mbikëqyrës në kongregacionin e Gbogbotës u largua nga e vërteta, ai u përpoq t’i kthente mendjen Koadinou Toviodit për të bërë po ashtu. Vëlla Toviodi i kujtoi atij me takt se, kur ai kishte qenë një shërbëtor i Jehovait u kishte thënë të tjerëve se dashuria e disave për të vërtetën do të ftohej. (Mat. 24:12) Pastaj vëlla Toviodi shtoi se, meqenëse vetë dashuria e mbikëqyrësit ishte ftohur, ai tani mund të shihte se ajo që Bibla kishte thënë ishte e vërtetë. Me mençuri, vëlla Toviodi nuk e ndoqi atë por i qëndroi besnik Jehovait.
Megjithatë, jo të gjithë vëllezërit e kuptuan qartë se si duhet të vepronin me ata që nuk donin të ndiqnin më parimet e drejta të Perëndisë. Ata kishin nevojë për ndihmë. Në vitin 1959, Theofilus Idovu, një mbikëqyrës qarkor nigerian, u caktua në qytetin e Porto-Novos për të ndërtuar vëllezërit. Ata ishin të lumtur ta takonin, por u shkurajuan pak kur mësuan se vëllai nuk e dinte gjuhën e tyre. Për fjalimet e tij dhe për bisedat me pleqtë kishte nevojë për përkthyes. Vëlla Idovu kuptoi se në kongregacion kishte disa probleme të cilat duheshin trajtuar. Por meqë nuk ishte në gjendje ta fliste atë gjuhë, ai ishte i kufizuar në atë që mund të bënte. Kjo e shqetësoi atë, kështu që vuri si synim të mësonte gjuhën Gun. Ai bëri një përparim të shpejtë dhe shpejt ishte në gjendje të ndihmonte vëllezërit madje edhe në situata të vështira. Gradualisht, problemet u zgjidhën. Ata që zgjodhën një mënyrë jetese të papastër nga ana morale dhe që u dhanë pas saj, u përjashtuan nga kongregacioni.
Një nga dobësitë kryesore vazhdoi të mbetej mungesa e kuptueshmërisë nga ana e personave të rinj, të cilët nuk dinin të lexonin e të shkruanin. Megjithatë, ata që e kuptuan të vërtetën në mënyrë të qartë dhe e ngulitën atë në zemrat e tyre, bënë ndryshime të thella në jetën e tyre. German Adomahu ishte një prej këtyre personave.
Një poligamist gjen një rrugë më të mirë
Babai i German Adomahut kishte 12 gra. Por edhe përpara se të bëhej një Dëshmitar, German kishte vendosur të martohej vetëm me një grua. Ai mund të shihte se, megjithëse pasja e shumë grave ishte një shenjë pasurie dhe ndikim mbi të tjerët, midis grave të atit të tij kishte debate të hidhura dhe xhelozi. Por, pasi German u martua, gruaja e tij nuk mund të bënte fëmijë dhe ky ishte një çnderim midis disa afrikanëve. Megjithë qëllimet e mira që kishte në fillim, shpejt ai mori dhe dy gra të tjera. Më vonë ai mori përsëri dy gra, duke pasur kështu pesë gra. Nuk zgjati shumë dhe në shtëpinë e tij u zhvilluan rivalitetet dhe xhelozia. Duke u përpjekur të harronte këto probleme, ai u kthye nga gra të tjera që nuk ishin gratë e tij. Shtëpia e tij ishte bërë si ajo e babait të tij të cilën ai e kishte urryer kaq shumë.
Megjithëse ishte një adhurues fetishist ai kërkoi ngushëllim dhe këshilla nga një prift katolik, i cili i tha se për të shkuar në qiell ai duhej të pagëzohej. Nuk u tha asgjë për besimin e tij fetishist, pesë gratë e tij, apo mbi atë që thotë Bibla rreth pasjes së marrëdhënieve me gra, me të cilat një burrë nuk është i martuar. German u pagëzua nga kisha dhe vazhdoi me besimin e tij fetishist dhe poligaminë. Asgjë nuk kishte ndryshuar në të vërtetë. Më pas në vitin 1947 atij i ra në dorë libri «E vërteta do t’ju bëjë të lirë». Pasi e lexoi, ai u lirua nga kisha katolike dhe nga feja e tij fetishiste. Megjithatë, poligamia dhe një mënyrë jetese imorale e mbanin akoma zemrën e tij në pranga. Ai e kuptoi se për t’u bërë një pjesëtar i popullit të Jehovait ai duhet të hiqte dorë nga të gjitha këto. Pastaj, një ditë gjërat ndryshuan.
Disa nga kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Abomei ishin arrestuar dhe futur në burg. Ky lajm u përhap në të gjithë fshatin. German nuk kishte parë asnjëherë njerëz që i përkisnin feve të tjera të trajtoheshin në këtë mënyrë. Ai u prek thellësisht nga gatishmëria e Dëshmitarëve të Jehovait për të duruar persekutimin në mënyrë që të mund të predikonin mesazhin e Biblës. Tashmë ishte i bindur se Dëshmitarët e Jehovait ishin të krishterë të vërtetë. (2. Tim. 3:12) Ai e mblodhi mendjen për këtë. I dha fund stilit poligamist të jetës, u përputh me normat e Biblës dhe i dedikoi jetën e tij Perëndisë Jehova.
Megjithatë, besimi i ri që kishte gjetur nuk i lejonte thjesht të braktiste gratë që kishte pasur. Megjithëse ai nuk jetonte më me to, ai u kujdes për nevojat e tyre si materiale ashtu dhe frymore, derisa ato u martuan. Dy nga gratë e tij të mëparshme më vonë u bënë shërbëtore të dedikuara të Jehovait; më e reja prej tyre u martua me një shërbëtor në kohë të plotë dhe më vonë shërbeu me burrin e saj në veprën e qarkut. Shumë nga fëmijët e lindur nga martesat e tij poligame mësuan, gjithashtu, të vërtetën.
Dëshira e fundit e një burri
Edhe persona të tjerë ishin, gjithashtu, të etur për të vërtetën. Amos Diagun ishte udhëheqësi i kishës metodiste në Kilibo, një fshat në veri të Beninit dhe Silas Fagbohon ishte një nga anëtarët e rëndësishëm të saj. Por, kur një nga Dëshmitarët e Jehovait trokiti në shtëpinë e Silas Fagbohonit, ai pohoi sinqerisht se ai vetë dhe shumë të tjerë ishin të pakënaqur nga rrëmuja në kishën e tyre dhe se ata e dinin se mes tyre lejoheshin praktikat e gabuara. Ai vetë kishte dy gra dhe një numër konkubinash, duke përfshirë edhe gruan e njërit prej predikuesve kryesorë të caktuar në kishën e tij.
Pasi Dëshmitarët vizituan Amos Diagun, ai mblodhi bashkë shumë anëtarë të kishës që ai e dinte se ishin të uritur për të vërtetën. Mbikëqyrësi qarkor, i cili po bënte vizita në atë kohë, u tregoi atyre si të studionin Biblën me ndihmën e librit «Le të jetë Perëndia i vërtetë» dhe të broshurës «Ky lajm i mirë i Mbretërisë». Ai u tregoi, gjithashtu, si të bënin një përdorim të mirë të shkrimit të ditës. Shumë prej tyre, duke përfshirë Amos Diagun dhe Silas Fagbohon, i pranuan me gëzim të madh gjërat që mësuan.
Sigurisht që Silas Fagbohon dëshironte që gruaja dhe fëmijët e tij të pranonin besimin e tij të ri, por dukej se kishte pak shpresa për këtë. Natën para se të vdiste, në qershor të vitit 1963, Silas thirri djalin e tij më të madh, Jozefin, afër krevatit dhe i tha: «Më vjen keq që deri tani nuk ke marrë një qëndrim të vendosur për fenë e vërtetë. Dije se ajo që tani ti po hedh poshtë është e vërteta që të çon në jetën e përhershme. Lutem që Jehovai të jetë me ty në detyrën e vështirë që po të ngarkoj; që këtej e tutje ti je përgjegjës për të gjithë vëllezërit e tu. Kujdesu për ta nga ana materiale dhe veçanërisht për anën frymore.» A do të plotësohej dëshira e fundit e vëlla Fagbohonit?
Jozefi dukej se ishte i vendosur në pikëpamjet e tij. Me kohë, ai u regjistrua në një shkollë të mesme protestante në Kotonou. Ndërsa ishte atje, një ditë ai pati një diskutim rreth Shkrimeve me kapelanin para një klase me 80 nxënës. Përgjigja e kapelanit për shumicën e pyetjeve ishte,—«Kjo mbetet një mister hyjnor». Me ndihmën e librit «Le të jetë Perëndia i vërtetë», Jozefi ishte në gjendje t’i jepte përgjigje të kënaqshme nga Bibla për shumë pyetje. Me kërkesën e fundit të të atit që i jehonte në vesh, Jozefi kërkoi publikisht, para gjithë klasës dhe kapelanit, që emri i tij të hiqej nga lista e anëtarësisë në protestantizëm. Ai ishte i lirë! U pagëzua në korrik të vitit 1964 dhe ndërmori shërbimin e pionierit të rregullt në 1969.
Megjithëse ishte një grua shumë e këndshme dhe me zemër të mirë, gruaja e vëllait Fagbohon, Lidia, nuk e pa të nevojshme të ndryshonte fenë e saj. Ajo besonte se do të kishte jetën e përhershme dhe mbeti akoma një protestante. Megjithatë, sytë e saj u hapën kur një prift më i vjetër në kishën e saj i kërkoi të kishin marrëdhënie seksuale, që të mund ta ngushëllonte meqë kishte mbetur vejushë. Ajo nuk shkeli më kurrë në atë kishë. Me inkurajimin nga djali i saj dhe me ndihmën nga një pionier special, ajo filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait. Me kalimin e kohës, jo vetëm që u pagëzua vetë por edhe pothuaj të gjithë fëmijët e saj e bënë tyren të vërtetën.
Mbërrijnë misionarë të stërvitur në Galaad
Sa u gëzuan vëllezërit kur mbërritën në 3 shkurt, 1963 misionarët nga Shkolla e Galaadit! Kejt dhe Kerol Robins ishin të diplomuar të klasës së 37-të të Galaadit. Ata morën me qera një shtëpi dhe filluan të mësonin gjuhën Gun. Vëllezërit u inkurajuan shumë nga prania e këtyre Dëshmitarëve të tjerë, të cilët ishin me ngjyrë të bardhë, një dëshmi e unitetit të vëllazërisë së tyre mbarëbotërore. Duke udhëtuar me biçikletë, misionarët jo vetëm që vizituan kongregacionet në zonat e stepave, por edhe stërvitën ata që ishin caktuar për të bërë këtë vepër. Kur ata e panë të nevojshme të ktheheshin në vendin e tyre në Kanada për t’u kujdesur për përgjegjësitë familjare, vëllezërit lokalë ndjenë një humbje të madhe.
Në muajt që pasuan, dy misionarë të tjerë kanadezë u caktuan në Benin: Luis dhe Eleonor Karbonò. Ata dinin frëngjisht, kështu që në Kotonou u ngrit një kongregacion në gjuhën franceze pak kohë pasi mbërritën ata. Fakti që në gjuhën franceze kishte në dispozicion shumë literaturë për të studiuar, kontribuoi në rritjen e shpejtë frymore që u bë në atë grup.
Vëlla Karbonò ishte drejtuesi i asamblesë krahinore «Frytet e frymës» që u mbajt në Abomei, në nëntor të vitit 1964. Policët ishin rreth e rrotull sipas zakonit të tyre për grumbullimet e mëdha. Ata nuk gjetën asnjë gabim; në fakt ata ishin shumë miqësorë ndaj vëllezërve dhe dëgjuan me kënaqësi fjalimet biblike. Ata u mrekulluan edhe kur panë 1.442 persona, disa nga veriu dhe disa nga jugu, që përziheshin bashkë me njëri-tjetrin si vëllezër. Kjo gjë ishte kaq e dukshme sepse në atë kohë po ndodhnin trazira midis jugorëve dhe veriorëve.
Në Benin kanë shërbyer edhe misionarë të tjerë, disa për një kohë të shkurtër, por të tjerë erdhën atje me dëshirën për ta bërë shtëpinë e tyre atë vend. Në fillim të vitit 1966, pas disa vonesave për shkak të ndryshimeve të mëdha të menjëhershme politike në Benin, mbërritën Don e Virxhinia Uard dhe Karlos e Meri Proser. Pak kohë pas mbërritjes së tyre, në mars të vitit 1966 u vendos një zyrë dege në Kotonou për të mbikëqyrur predikimin e lajmit të mirë në këtë vend. Që nga viti 1948, Dëshmitarët e Jehovait ishin duke kërkuar njohjen zyrtare të veprës së tyre të arsimimit biblik në Benin, por kjo kërkesë ishte refuzuar gjithnjë. Prandaj, çfarë gëzimi qe kur ata panë emrin Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania në gazetën zyrtare të Beninit me lajmin se Dëshmitarët e Jehovait mund të mësonin Biblën nga shtëpia në shtëpi në të gjitha anët e vendit dhe se misionarët do të lejoheshin të kryenin aktivitetin e tyre pa pengesa.
Koha për t’u martuar
Përpara vitit 1966, nuk kishte pasur asnjë klauzolë nga qeveria për regjistrimin ligjor të martesave. Të gjitha martesat ishin kremtuar në mënyrën tradicionale, por vëllezërit duhet t’i dërgonin një deklaratë të firmosur zyrës së degës. Megjithatë, në vitin 1966 qeveria bëri një klauzolë për regjistrimin ligjor të martesave, megjithëse kjo nuk ishte e detyrueshme. Misionarët i treguan Dëshmitarëve lokalë se ishte e rëndësishme që të regjistronin martesën e tyre, në përputhje me këtë klauzolë ligjore.
Kjo paraqiti probleme të ndryshme për vëllezërit. Së pari, duheshin parà për të bërë regjistrimin ligjor, të cilat ishin shumë të vështira për t’u gjetur. Së dyti, për të sapomartuarit duheshin shënuar datat e lindjes. Por këto nuk diheshin gjithnjë, meqë regjistrimet e sakta mbaheshin rrallë. Më gjithë këto pengesa, populli i Jehovait ishte i vendosur për të pasur martesa që ishin ‘të nderuara’ në sytë e Perëndisë.—Heb. 13:4.
Dëshmitarët në Hetin, një fshat ku mbizotërojnë shtëpitë e ndërtuara mbi shtylla, vendosën se do të ishte me më pak shpenzime të rregullonin që të vinte punonjësi i regjistrimeve të martesave në fshat, në vend se të shkonin 25 çifte tek ai. Meqenëse ishin kaq shumë, punonjësi pranoi. Më në fund kur ai arriti në fshat, gjeti 60 çifte që po prisnin për të regjistruar martesat e tyre! Çfarë kishte ndodhur? Ndërsa bëheshin rregullimet për këtë ceremoni martesash në masë, fshatrat e tjera përreth kishin dëgjuar për këtë gjë. Meqë drejtuesit e kishave të tyre nuk po u ofronin asnjë ndihmë për të regjistruar martesat e tyre, ata pyetën Dëshmitarët nëse mund të përfitonin nga shërbimi që do të bënte punonjësi shtetëror i regjistrimeve kur të vinte tek ata. Në një periudhë prej gati katër muajsh, përmasat e kongregacionit ndryshuan nga 69 në 90 lajmëtarë.
Sigurimi i ndërtesës së përshtatshme të degës
Në mënyrë që zyra e degës të punonte si duhej, nevojitej një ndërtesë e përshtatshme. Don Uard kishte qenë murator para se të ndërmerrte shërbimin e plotë kohor. Gjatë vitit 1968, ai e përdori këtë përvojë në lidhje me ndërtimin e një kombinimi të zyrës së degës me shtëpinë misionare në Kotonou. Me ndihmën e 16 pionierëve dhe të shumë Dëshmitarëve të tjerë lokalë, puna e ndërtimit zgjati vetëm tetë muaj. Në katin e poshtëm të ndërtesës kishte një Sallë shumë të mirë Mbretërie, edhe hapësirë për zyrat, një dhomë ngrënieje dhe një hapësirë për transportimin e gjërave të degës. Në katin e sipërm, gjashtë dhoma gjumi vështronin nga një kopsht i madh i mbushur me palma.
12 janari i vitit 1969 do të kujtohet si një ditë e veçantë në historinë teokratike të Beninit. Në atë ditë u bë dedikimi ndaj Jehovait i ndërtesës së zyrës së degës dhe të shtëpisë misionare. Vëllezërit e kuptuan se një ndërtesë e tillë e shkëlqyer ishte në të vërtetë dëshmi e bekimit të Jehovait mbi veprën e tyre. Megjithatë, akoma me më shumë vlerë se ajo ndërtesë, ishin personalitetet e krishtere që po ndërtoheshin me cilësi hyjnore.
Ndershmëria: Rruga e drejtë
Daniel Ainadu, i cili punonte në një nga hotelet e kategorisë më të lartë, një ditë kaloi një vënie në sprovë të cilësisë së personalitetit të tij të krishterë. Ndërsa po çonte një palë pantallona të një klienti të hotelit në lavanderi, ai gjeti një shumë prej 1.600 dollarësh në një nga xhepat e pantallonave. Kjo sasi përbënte pagën që ai merrte në dy vjet punë. Çfarë do të bënte? Ai ishte aty, me një pasuri në duart e tij dhe nuk kishte asnjeri përreth.
Vëllai ishte pagëzuar vetëm para pak kohe, por kohët e fundit kishte studiuar në Kullën e Rojës një artikull mbi ndershmërinë. Ai ishte i vendosur për të mos e mërzitur Jehovain duke pranuar para të fituara në rrugë të pandershme. Ai njoftoi për paràtë recepsionistin në hyrjen kryesore. Por kur recepsionisti pa gjithë ato para, ai e mori vëllain tonë mënjanë dhe i tha: «Le t’i mbajmë paratë dhe ta mbajmë këtë një sekretin tonë të vogël». «Unë nuk mund ta bëj këtë», tha vëllai ynë. «Unë jam i krishterë dhe një nga Dëshmitarët e Jehovait.» «Edhe unë jam i krishterë», protestoi nëpunësi. «Unë shkoj në kishën katolike rregullisht. Dhe nuk shoh asgjë të keqe në mbajtjen e këtyre parave. Në fund të fundit, ai burrë i humbi ato apo jo?» I paepur, vëllai ynë i çoi paratë tek pronari i hotelit, i cili i vuri në një vend të sigurt.
Disa kohë më vonë, klienti u kthye në dhomën e tij dhe kërkoi si i tërbuar për të gjetur paratë: nën krevat, në dollap, prapa karrigeve. Por ato nuk gjendeshin asgjëkundi. Me shqetësim të madh, ai shkoi te pronari i hotelit, i cili e siguroi se paratë nuk i kishin humbur por ishin të sigurta në hotel. Duke mësuar se një nga punonjësit e hotelit i kishte gjetur dhe dorëzuar ato, klienti kërkoi të takonte këtë person të ndershëm. Shumë i prekur ai tha: «Unë e di se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të mirë. Kur të kthehem në Francë, me siguri do të shkoj t’i kërkoj sepse dua të di më shumë rreth tyre». Edhe vetë pronari i hotelit, i cili më parë kishte pak kohë për Dëshmitarët e Jehovait, tani tha se do të ishte i lumtur që ata të punonin për të.
Kjo ngjarje nuk u harrua përnjëherë. Pak kohë më vonë, një klient tjetër humbi një shumë të vogël parash dhe akuzoi vëllain Ainadu se i kishte vjedhur ato. Kur pronari i hotelit dëgjoi për këtë ngjarje, ai doli menjëherë në mbrojtje të vëllait tonë dhe tregoi përvojën e mëparshme.
Në vitet që pasuan, në Benin u raportuan rritje të rregullta në numrin e Dëshmitarëve aktivë. Në vitin 1971, njëzetë e dy misionarë shërbyen në fushë dhe në zyrën e degës në Benin. Deri në vitin 1975 kishte 2.381 lajmëtarë aktivë në shërbimin në fushë, në krahasim me maksimumin e 290 lajmëtarëve në vitin 1950. Jehovai po i bekonte me siguri personat me zemër të sinqertë, të cilët po liroheshin nga zinxhirët e fesë së rreme. Megjithatë, kjo rritje nuk i pëlqeu të gjithëve. Në horizont filluan të shfaqeshin më shumë re të zeza persekutimi.
Ndryshime në qeveri
—«A je gati për revolucion?»— «Gati!» Këto ishin përshëndetjet e zakonshme që dëgjoheshin në rrugët e Beninit kur regjimi marksist-leninist mori pushtetin në fillim të vitit 1975. Në fund të çdo letre që dërgohej nga zyrat e qeverisë gjendeshin fjalët,— «Gati për revolucion, lufta vazhdon!»
Pjesëtarët e popullit të Jehovait janë të njohur në të gjithë botën për neutralitetin e tyre në lidhje me çështjet politike dhe ndërgjegjja e tyre e stërvitur me anë të Biblës nuk i lejon të përsërisin slogane të tilla. (Gjoni 15:19; 18:36) Kjo gjë u solli atyre shumë armiqësi.
Nëntor, 1975: ndodh një arrestim
Pjer Vorou ishte i angazhuar në shërbim në nëntor kur takoi një burrë, i cili e përshëndeti me një slogan politik. Kur vëlla Vorou nuk iu përgjigj po ashtu, u çua menjëherë në rajonin e policisë. Policia u përpoq ta bënte që të përsëriste sloganet, por ai refuzoi. E detyruan të hiqej zvarrë në gjunjë dhe bërryla për orë të tëra. Vëlla Vorou qëndroi i palëkundur.
Më në fund disa vëllezër folën me oficerët përgjegjës të policisë dhe meqë ishte e diel, ata pranuan ta lironin vëllain në fund të ditës. Ajo që kishte ndodhur i vuri vëllezërit në gatishmëri për gjërat që akoma duhet të ndodhnin.
Dhjetor, 1975: Paralajmërime në radio dhe gazeta
Gjatë dhjetorit, stacioni qeveritar i radios, «Zëri i revolucionit» sulmoi fenë e organizuar në përgjithësi. Sipas raporteve, grupe të rinjsh plaçkitën disa kisha. Shumë revolucionarë i paralajmëruan Dëshmitarët që të pushonin së predikuari. Në 14 janar, 1976, dëshmia publike ishte bllokuar nga autoritetet në një numër vendesh. Sallat e Mbretërisë ishin mbyllur në gjashtë vende dhe mbledhjet ishin ndaluar në tre shtëpi private. Në Hetin, Salla e Mbretërisë ishte shtënë në dorë dhe ishte përdorur për mbledhje politike. Megjithatë, në disa nga qendrat më të mëdha, pionierët dhe misionarët ishin akoma në gjendje të vazhdonin në shërbim pa shumë ndërhyrje.
Mars, 1976: Kufizimet shtohen
Në 24 mars, 1976, dega në Benin i raportoi Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait: «Autoritetet në pjesë të ndryshme të vendit vazhdojnë të kufizojnë aktivitetet fetare në mënyra të ndryshme. Shumë ceremoni fetishiste dhe ceremoni të tjera fetare janë ndaluar në shumë pjesë të vendit. Edhe predikimi nga shtëpia në shtëpi është ndaluar, gjithashtu, në lagje të ndryshme të qyteteve dhe fshatrave.»
Dy javë më vonë, dega i raportoi më tej Trupit Udhëheqës: «Në një zonë në veri të vendit (Gouka) i gjithë kongregacioni i vëllezërve (por jo motrat) u arrestua dhe u mbajt për 72 orë. Kjo u bë për t’i paralajmëruar ata ndaj veprës së predikimit dhe për t’i detyruar që të përsërisnin slogane politike, gjë që ata refuzuan ta bënin.. Vëllezërve iu tha se ata mund të vazhdonin të mblidheshin në Sallën e tyre të Mbretërisë për sa kohë të kishin vënë një flamur në hyrje të Sallës dhe, si para ashtu dhe pas mbledhjeve, ata duhet të organizonin një kohë me këngë dhe slogane politike. Vëllezërit e dinin se ata nuk do ta bënin këtë, kështu që u detyruan të vazhdonin mbledhjet e tyre në shtëpitë e vëllezërve.»
Prill, 1976: Arrestohen vëllezërit në Kotonou
Tensioni politik vazhdoi të rritej në mbarë vendin. Në fillim të prillit shumë fronte pune kishin një kohë të caktuar në javë, për të studiuar slogane politike, ceremonitë e flamurit, himnin kombëtar dhe kurset «ideologjike». Ata që nuk merrnin pjesë në këto mbledhje, raportoheshin para autoriteteve. Një mbledhje e tillë u bë në një zonë të Kotonout, ku punonin tre vëllezër dhe një motër. Vëllezërit refuzuan të ishin të pranishëm në mbledhje; motra shkoi por refuzoi të merrte pjesë. Kur ata u paraqitën për punë, të hënën që pasoi, së pari motra dhe më pas vëllezërit u detyruan të vraponin nëpër rrugë, të ndjekur nga një makinë policie deri në degën e policisë, një distancë prej gati pesë kilometrash. Motra ishte shtatzënë prej katër muajsh në atë kohë. Në rajonin e policisë pozicioni i tyre nuk ndryshoi; ata refuzuan të përsërisnin slogane politike. Megjithëse u rrahën keq, ata qëndruan të fortë. Goditjet fizike nuk e thyen dot besimin e tyre.
Karlos Proser, që përfaqësonte Komitetin e Degës së Beninit, i shkroi Trupit Udhëheqës në 7 prill, 1976: «Tamam në kohën që po shkruaj këtë letër, shefi i rajonit me rojën dhe sekretarin e tij erdhën të më bëjnë një vizitë. Ai ngriti pyetje mbi sloganet, nderimin e flamurit etj.. dhe unë isha në gjendje për të biseduar me të mbi disa nga këto pika. Ai përmendi, gjithashtu, se disa nga njerëzit tanë ishin arrestuar sepse refuzonin të merrnin pjesë në këto gjëra dhe përmendi një listë me emra që po përgatiste. Vizita ishte gati miqësore, por edhe e vendosur në disa pika, për shembull, duke thënë se nuk do të lejoheshim më të predikonim në shtëpitë e njerëzve por duhet të qëndronim në «tempullin» tonë. Ne nuk e dimë se çfarë po vendosin të bëjnë këta burra që kanë autoritetin, por një gjë është e sigurt: Dëshmitarët e Jehovait po bëhen më të njohur se kurrë më parë dhe ne lutemi që e gjithë kjo vepër të dalë si një dëshmi. Të gjithë misionarët po fillojnë të pyesin se sa kohë do të qëndrojnë akoma këtu.»
Intensiteti i persekutimit rritet
Në 16 prill, 1976, në një transmetim radioje në vend, ministri i brendshëm kritikoi ashpër Dëshmitarët e Jehovait. Midis gjërave të tjera, ai tha se Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë të marrin pjesë në kurset mbi ideologjinë dhe thonë se nuk mund të përsërisin sloganet politike. Me një gjuhë të ashpër ai pohoi se, nëse Dëshmitarët e Jehovait nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre nga fundi i muajit, të gjithë përfaqësuesit e tyre që janë «agjentë me lishensë të C.I.A-s»—një paraqitje e shtrembëruar e rolit të misionarëve—do të largoheshin me forcë nga vendi!
Komente të tilla u transmetuan për gati dy javë në të gjitha anët e Beninit. Shumë njerëz që nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për Dëshmitarët e Jehovait, filluan të pyesnin: «Kush janë këta njerëz, për të cilët po flitet kaq shumë?» Emisione të tilla provokuan shumë kuriozitet dhe emri i Jehovait u dëgjua në mbarë vendin me një zgjerim të tillë që edhe vetë Dëshmitarët nuk ishin në gjendje të arrinin me anë të aktivitetit të tyre tashmë të kufizuar të predikimit.
Një tjetër përfaqësues nga zyra e shefit të rajonit erdhi në degë për të marrë të gjithë emrat dhe hollësi të tjera. Ata donin emrat e të gjithë atyre që merrnin drejtimin në vend. Iu dhanë emrat e misionarëve që jetonin në shtëpinë misionare/të degës. Kur ata u larguan, të gjitha regjistrimet e Shoqatës dhe dokumentet u hoqën nga shtëpia dhe u fshehën me kujdes.
Ditën tjetër, në 17 prill 1976, dy policë u kthyen, duke kërkuar të takonin personin që kishte përgjegjësinë. Meqenëse që të dy po pinin duhan, vëlla Proser u tha se ata duhet të hiqnin cigaret para se të hynin. Ata e pranuan kërkesën dhe u ftuan të hynin brenda. Akoma ata kërkonin emrat e vëllezërve përgjegjës të shpërndarë në të gjithë vendin. Por në atë kohë, dokumentet e rëndësishme nuk gjendeshin gjëkundi në degë, madje edhe sikur të kishin vendosur për të bërë kontroll.
Orët e fundit për misionarët
Në 26 prill, 1976, disa vëllezër menduan se do të ishte e mençur të shkonin të takonin shefin e rajonit në Kotonou për t’i shpjeguar çështjet më qartë. Nëse dega do të kishte ditur qëllimet e tyre, nuk do ta kishte inkurajuar një veprim të tillë. Megjithëse disa pleq lokalë u përpoqën t’i kthenin mendjen këtij delegacioni, me qëllime të mira, ata këmbëngulën për të shkuar. Rezultati ishte shkatërrimtar. Pasi foli për pak kohë me ta, shefi i rajonit lëshoi disa slogane politike dhe kur ata nuk u përgjigjën, i arrestoi.
Në këtë pikë, nga 13 misionarët, vetëm 10 ishin akoma në vend. Vëllai dhe motra Mahon po prisnin një fëmijë dhe po përgatiteshin për t’u kthyer në Angli disa javë më vonë. Duke pasur parasysh situatën kërcënuese, dega i kishte inkurajuar të niseshin sa më shpejt të ishte e mundur duke mos i lënë gjërat për në momentin e fundit. Ata kishin vepruar kështu. Merian Devis nga shtëpia misionare e Porto-Novos ishte në Kanada për shkak të sëmundjes së nënës së saj.
Në mbrëmjen e 26 prillit, misionarët që kishin mbetur u «burgosën» në shtëpinë Bethel, ata nuk mund të shkonin jashtë dhe asnjëri nuk mund të hynte brenda. Telefon nuk kishte. Misionarët filluan të përgatisnin gjërat e tyre në rast se do t’u duhej të largoheshin.
27 prill, 1976: Arrestohet koordinatori i Komitetit të degës
Mëngjesin që pasoi, një polic i armatosur erdhi për të marrë vëllain Proser. Ai i tha të hipte në automjetin e Shoqatës dhe të ngiste makinën; gjatë gjithë kësaj kohe, polici mbante një armë të drejtuar nga vëllai. Vëllain Proser e çuan në rajonin e policisë në Akpakpa për ta marrë në pyetje. Megjithëse nuk u abuzua fizikisht, policët u përpoqën ta frikësonin duke abuzuar me fjalë.
«Na jep të gjithë emrat e njerëzve me përgjegjësi!» bërtiti polici. Vëlla Proser u përgjigj: «Unë nuk mund t’ju jap emrat e vëllezërve të mi. Nëse i doni ato, ju mund të vini në Sallën e Mbretërisë dhe t’i shkruani vetë.» Ata pranuan këtë kërkesë. Megjithatë, ai e dinte se nuk kishte asnjë rrezik sepse kishte disa kohë që mbledhjet nuk po mbaheshin më në Sallën e Mbretërisë. Tani, ato mbaheshin në shtëpi private me grupet e studimit të librit të kongregacionit.
«Po për Samuel Hans-Moevin? A nuk e njeh atë? A nuk është ai një nga njerëzit e tu?» Kjo pyetje i erdhi si një goditje vëllait Proser. Në shtëpinë e vëllait Hans-Moevi ishin fshehur dokumentet e Shoqatës në dy valixhe të vjetra dhe të shkatërruara. Këto regjistrime përmbanin emrat e shumë vëllezërve. A i kishte gjetur tashmë policia këto regjistrime? Vëllai Proser arriti të mbante një qetësi në pamjen e jashtme, ndërsa thellë në zemër i lutej Jehovait për drejtim.
Më në fund marrja në pyetje mbaroi. Nuk ishte dhënë asnjë emër dhe vëllai Proser nuk ishte dëmtuar fizikisht. Pastaj ai u lirua i pashoqëruar! Disa vite më vonë, duke menduar thellë mbi atë moment, vëlla Proser tha: «Mendimi im i parë ishte: ‘Çfarë mund të bëj për të ndihmuar vëllezërit?’ Më pas mendova: ‘Kujdes! Ky mund të jetë një kurth. Ata mund të kenë planifikuar të më ndjekin me shpresën se do t’i çoj drejt e te vëllezërit.’»
«Në vend që të shkoja drejt e në shtëpi» kujton vëlla Proser, «kapërceva urën me makinë dhe shkova në qytet për të parë nëse kishte ndonjë letër për mua në postë. Nuk doja të bëja asgjë që mund t’i bënte çështjet të vështira për vëllezërit. Por doja t’i shihja ata medoemos për t’i siguruar se ne ishim mirë dhe për t’u dhënë disa udhëzime për ditët që do të pasonin.»
«U nisa për në shtëpi, duke menduar gjatë gjithë kohës se si do të mund t’i kontaktoja vëllezërit. Papritur, filloi të frynte një erë e fortë dhe më pas, nisi një shi i rrëmbyer. Pa asnjë lajmërim, një motor, me dy njerëz në të, doli përkrah meje. Pyesja veten kush mund të ishin sepse ishte shumë e rrezikshme të kaloje nëpër një urë të ngushtë, e për më tepër në një shi të tillë. Duke kaluar, tani, motori përballë meje, burri që ishte prapa ktheu kokën dhe ngriti kaskën që të mund ta njihja. Për habinë time, ai ishte një nga anëtarët e komitetit të degës. Dhe ai që ngiste motorin ishte një anëtar tjetër! Unë nuk i kisha parë nga disa ditë sepse kishin qenë në arrest në shtëpinë Bethel/misionare.
«Shiu vazhdonte të binte me gjyma dhe shumë njerëz vraponin për të gjetur strehë. Unë vazhdova të ngisja makinën përgjatë urës, kalova rrugën që të çonte në shtëpinë time dhe prita në anë të rrugës.. duke u lutur.. duke pritur.. duke shpresuar të shihja vëllezërit e mi, ndoshta për herë të fundit.»
«M’u duk sikur kaluan shekuj, por më në fund motori me dy vëllezërit ndaloi anash makinës sime. Ishte një kohë ideale për të folur, meqë nuk kishte asnjë njëri rreth e rrotull për shkak të shiut të madh. U thashë vëllezërve se duhet të çonim regjistrimet e Shoqatës në një vend tjetër, duke pasur parasysh atë që kishin thënë policët gjatë marrjes në pyetje. Biseduam, gjithashtu, për çështje që kishin të bënin me pionierët specialë, rregullimet për mbikëqyrës qarkorë që të vizitonin sa më shpejt të gjitha kongregacionet për t’i informuar mbi atë që po ndodhte dhe planet për të vazhduar mbledhjet në grupe të vogla, nëpër shtëpi private. Dukej fare qartë se së shpejti do të kishte një ndalim të veprës.»
Bastiset shtëpia misionare/Bethel
Të martën pasdite, në 27 prill, ushtria rrethoi shtëpinë misionare/Bethel. Ata kishin në duar automatikë. Një ushtar u vendos në hyrje, një tjetër në derën e prapme dhe të tjerë në kopsht. Të gjithë misionarëve iu urdhërua të zbrisnin në dhomën e ngrënies dhe u mbajtën aty me pushkë të drejtuara ndaj tyre. Një nga një, ata i çonin nëpër dhomat e tyre, ku bëhej një kontroll nga ushtarët, të cilët mendonin se do të gjenin patjetër informacione që do të provonin se misionarët ishin spiunë amerikanë apo revolucionarë të huaj. Ushtarët hynë në dhomën e Margarita Koniger dhe filluan të kontrollonin. Aha! Tani ata kishin në duar disa dokumente akuzuese—ose të paktën kështu mendonin. Ata konfiskuan kopjen e testamentit të të atit të Margaritës në gjuhën gjermane! Ata ishin të sigurt se ky ishte një mesazh në kod. Në dhomën e Peter Pomplit ata gjetën atë që mendonin se ishte një formulë sekrete, por që në realitet ishte vetëm një recetë mjekësore për mykun e thonjve të gishtave të këmbës.
Dhoma e Karlos dhe Meri Proser ishte e fundit që u kontrollua. Në një valixhe, ushtarët gjetën një sasi të madhe parash. Ishte tërhequr nga llogaria bankare e Shoqatës vetëm disa ditë më parë, nga frika se mos ndoshta llogaria dëmtohej. Meqë të gjithë misionarët kishin qenë në arrest shtëpie për disa kohë, ata nuk kishin qenë në gendje të nxirrnin paratë jashtë shtëpisë. Për disa arsye, kur ushtarët i gjetën ato para, kishin frikë t’i preknin dhe i vunë përsëri në valixhe. E gjithë shuma u dërgua më pas, e paprekur në degën e Lagosit, në Nigeri.
Motra Proser përshkruan skenën: «Një nga ushtarët më tha: ‘Ti ke qenë këtu për një kohë të gjatë, kështu që patjetër duhet t’i dish emrat e atyre që kanë përgjegjësinë në kongregacionin tuaj’. Unë iu përgjigja: ‘Epo, ti e di si janë punët këtu. Asnjë nuk thirret me emrin e tij të vërtetë. Ne i njohim të gjithë si baba Emanuel apo mama Evgjeni e kështu me radhë. Në të vërtetë unë nuk e di se si e kanë mbiemrin e vërtetë.’ Ushtari që më bëri këtë pyetje nisi të qeshë dhe tha: ‘Ti me të vërtetë që ke qenë këtu për një kohë të gjatë.’»
Motra Proser vazhdon: «Ne vumë re se njëri nga burrat kishte pushuar së kontrolluari dhomën tonë dhe ishte ulur. Oficeri që komandonte e vuri re këtë dhe e urdhëroi të vazhdonte punën. Përgjigjja e tij ishte prekëse, ndërsa ai ngriti sytë dhe tha: «Unë i kam njohur zotin dhe zonjën Proser për shumë vjet dhe ata shpesh kanë biseduar për Biblën në shtëpinë time. Si mund të vij tani dhe të kontrolloj dhomën e tyre?’»
Ushtarët mbaruan së kontrolluari dhomën e Prosërve dhe zbritën poshtë. Ata nuk kishin gjetur asgjë që mund t’i akuzonte. Shumica e misionarëve kishin shpenzuar tashmë një pjesë të mirë të natës, duke hequr emrat nga ndonjë dokument që kishte mbetur në degë. Këto dokumente ishin grisur dhe hedhur në banjë, apo ishin djegur. Gjatë kontrollit, një nga ushtarët vuri re një grumbull hiri në kopsht dhe pyeti për të. «Ah, po, aty ne djegim plehërat tona», u përgjigj vëllai Proser. Si roja dhe vëllai Proser e dinin se aty ishin djegur dokumente të rëndësishme.
«Ej, shikoni këtu!»—bërtiti një nga ushtarët që po kontrollonte zonën e transportit. Ushtarët kishin gjetur kaseta të regjistruara bashkë me skenarin e një drame biblike nga një kongres krahinor. Ata ishin të sigurt se emrat e personazheve të dramës duhet të ishin ato të burrave me përgjegjësi në organizatë. Ata i mblodhën kasetat dhe skenarin plot gëzim si dëshmi.
Në Sigurimin Kombëtar
Ushtarët urdhëruan misionarët të merrnin pasaportat dhe i çuan në Sigurimin Kombëtar, një degë e Ministrisë së Brendshme. U lexuan letrat e dëbimit të tyre: misionarët do të shoqëroheshin deri në kufi dhe do të nxirreshin aty për aty, pa i lënë të ktheheshin në shtëpi për të marrë sendet e tyre personale! Lumturisht, tashmë ishte vonë dhe shumica e policëve kishin shkuar në shtëpi. Meqenëse nuk kishte asnjë që t’i shoqëronte deri në kufi, misionarëve iu urdhërua të ktheheshin në shtëpi dhe të ishin gati për t’u larguar të nesërmen në orën 700 në mëngjes.
«Në kohën që u kthyem në shtëpi», tregon vëlla Proser, «kishte kaluar ora 800 e mbrëmjes. E dinim se do të ishte një natë e vështirë. Mijëra revolucionarë kishin rrethuar shtëpinë tonë dhe po bërtisnin slogane politike, duke urinuar nëpër mure dhe duke i thirrur misionarët me emra poshtërues. Sjellje të tilla vazhduan gjatë gjithë natës. Asnjë nuk fjeti shumë, për të mos thënë se nuk fjetëm fare, sepse nuk e dinim çfarë mund të bënte turma e zemëruar jashtë. Disa pyesnin veten në heshtje nëse do të vdisnin atë natë apo do të ishin gjallë për të parë ditën tjetër. Motrat nuk e lëshuan veten dhe nuk qanë, por u mbajtën të zëna me përgatitjen e valixheve dhe duke inkurajuar njëra-tjetrën. Falë Jehovait, revolucionarët nuk hynë në shtëpi dhe asnjë nuk u dëmtua fizikisht. Por stresi emocional dhe ngacmimi psikologjik ishin një sprovë që misionarët qenë në gjendje ta duronin vetëm me mbështetjen e Jehovait përmes lutjes dhe me inkurajimin e njëri-tjetrit.» Sa e rëndësishme do të ishte të ndihmonin njëri-tjetrin dhe të mbështeteshin në Jehovain në orët që duhet të vinin!
Dita e fundit në Benin
Rrezet e para të diellit të mëngjesit depërtuan midis reve rreth orës 600 të mëngjesit duke lajmëruar fillimin e një dite të re. Ishte 28 prill, një ditë që nuk do të harrohej shpejt. Siç e kishin zakon, misionarët u mblodhën në tryezën e mëngjesit në orën 700 për të shqyrtuar shkrimin e ditës nga Bibla. Ajo ditë sigurisht nuk ishte një ditë kur mund të lihej pas dore studimi i Fjalës së Perëndisë. Të gjithë misionarët e dinin se do t’u duhej forcë e jashtëzakonshme për të kaluar atë ditë.
Theofilus Idovu, një nigerian që kishte mësuar gjuhën Gun disa vite më parë, shërbente si përkthyes në degë, megjithëse nuk jetonte në shtëpinë Bethel. Ai kishte vëzhguar nga afër të gjithë situatën duke qenë jashtë Bethelit. Meqë asnjë nuk mund të hynte apo të dilte, në shtëpinë Bethel nuk kishte bukë atë ditë për misionarët. Vëlla Idovu e dinte këtë, prandaj shkoi në dyqanin e bukës, bleu disa bukë dhe iu paraqit ushtarit në hyrje të Bethelit si ai që sillte bukën. Ai ishte veshur me rroba të vjetra, të grisura me një kapele të rrasur thellë në kokë, kështu që asnjë nga turma, e cila ishte akoma përjashta, nuk mund ta njihte. Roja e lejoi të kalonte. Sa inkurajuese ishte për misionarët të shihnin buzëqeshjen e vëllait të dashur Idovu edhe një herë! Ky gjest i thjeshtë i dha një kuptim të ri lutjes, «Na jep sot bukën për këtë ditë.» (Mat. 6:11) Po, misionarët panë dorën e Jehovait në veprim dhe morën forcë prej kësaj.
«Bam, bam, bam!» Dikush po qëllonte në derën e jashtme. Ndërsa filloi shqyrtimi i shkrimit të ditës, jashtë u dëgjua një rrëmujë e madhe. Oficeri i komandës dhe revolucionarë të tjerë kishin vendosur një shtizë flamuri në rrethinat e degës, një shenjë që ndërtesa tani i përkiste «popullit». Misionarët u urdhëruan të dilnin jashtë për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Ata nuk ishin të sigurt nëse do të merreshin me forcë, por ishin të gjithë të vendosur për të mos marrë pjesë në të. Një nga misionarët, Pol Byron deklaroi: «Atyre do t’u duhet të më tërheqin zvarrë». Komenti i tij shërbeu për të forcuar vendosmërinë e misionarëve të tjerë. Për ndonjë arsye, ndoshta ndërhyrja e Jehovait, ushtarët nuk i detyruan misionarët të dilnin jashtë. Kjo u dha atyre disa minuta më shumë për të mbaruar shkrimin e ditës.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, oficerët ushtarakë i urdhëruan misionarët të sillnin poshtë sendet e tyre personale. Këto u kontrolluan me imtësi. Atyre u lejuan të merrnin vetëm atë që ishte në valixhe. Të gjitha gjërat e tjera që kishin, i lanë atje. Ushtarët e çuan vëllain Proser që të mbyllte me kyç dyert e dhomave të Bethelit dhe i kërkuan t’i mbante ai çelësat. Dega ishte konfiskuar! Me zemër të plagosur vëllezërit vendas e panë të gjithë këtë skenë nga një distancë jashtë mureve të Bethelit, ndërsa misionarët e tyre të dashur i largonin nga shtëpia e tyre, të shoqëruar si kriminelë me roje të armatosura.
Largimi
Misionarët u çuan përsëri në Sigurimin Kombëtar dhe për ta u bënë gati letrat e dëbimit. Të gjithë, përveç Margarita Koniger dhe Xhizela Hofman, u hipën në furgonin e Shoqatës për t’u çuar në kufi me Nigerinë. Motrat Koniger dhe Hofman u çuan më vonë në kufi me Togon.
Roja e armatosur që ngiste makinën me shumicën e misionarëve, ishte me nerva të tendosura. Ai ishte i sigurt se po shoqëronte kriminelë të rrezikshëm deri në kufi. Megjithatë lejoi që furgoni të ndalonte për t’u furnizuar me naftë. I riu që punonte në pikën e furnizimit, i cili njohu automjetin e Shoqatës, pyeti përse po bëhej gjithë kjo rrëmujë. «Ne jemi misionarë që po na nxjerrin jashtë sepse predikojmë Biblën», iu përgjigj misionari i trishtuar. «Mos u merakosni, ju do të ktheheni një ditë», u përgjigj ai. Fjalët e të riut u vërtetuan, por jo menjëherë.
Në ndalim
Gazeta Ehuzu e Beninit, e datës 30 prill 1976, kishte si titull kryesor, «SEKTI I ‘DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT’ NDALOHET NË REPUBLIKËN POPULLORE TË BENINIT». Persekutimi nuk ishte një përvojë e re për popullin e Jehovait në këtë vend. Që në ditët e para, Satanai ka punuar shumë që të pengonte ujin e së vërtetës të rridhte në këtë kështjellë të fesë së rreme.
Në ditët, javët dhe muajt pasi misionarët ishin larguar, shumë vëllezër, mbi 600, u larguan nga vendi i tyre me pak gjëra materiale por me shumë gjëra frymore. Shumë të tjerë që qëndruan, të rinj e të vjetër, u rrahën pa mëshirë. Të tjerë akoma, humbën të gjitha gjërat që kishin bashkë me punën.
Vëllezërit që kishin pozita me rëndësi në punë ishin ata që goditeshin më rëndë, meqë nga ata pritej që të përfundonin çdo letër, të përgjigjeshin në telefon dhe të përshëndesnin njerëzit me slogane politike, të tilla si: «Gati për revolucion?» dhe «Lufta vazhdon!». Apoliner Amusu-Genù kishte nën kujdes një klinikë mjekësore në zonën e Kotonout. Ai refuzoi të merrte pjesë në aktivitete të tilla, sepse ai mbështeste vetëm Mbretërinë e Perëndisë. Pjesëtarët e familjes u përpoqën ta bënin të përsëriste sloganet politike, edhe pse nuk i pranonte në të vërtetë ato që po thoshte. «Mendo për fëmijët e tu» i kujtoi nipi i tij. Ndërsa persekutimi kundër popullit të Jehovait shpërtheu, ai vendosi të largohej nga Benini për në Nigeri.
Nga Nigeria ai shkroi: «Në një kohë relativisht të shkurtër humba çdo gjë nga ana materiale, shtëpinë, makinën dhe punën. Tani po jetoj në një shtëpi, këtu në Nigeri, që është akoma në ndërtim e sipër. Nuk ka dritare apo dyer dhe as çimento në dysheme. Të nëntë fëmijët e mi janë këtu me mua dhe, lumturisht, dy më të mëdhenjtë kanë gjetur punë. Jemi duke luftuar kundër krimbave, mushkonjave, shiut dhe të ftohtit. Një vëlla na ka dhënë një krevat të vogël që e përdorim si djep për fëmijën tonë tre muajsh. Kënaqemi me atë që kemi ndërsa vazhdojmë të shpresojmë në Perëndinë tonë të dashur, Jehovain, i cili së shpejti do të thajë çdo lot nga sytë tanë.» Pasi u vu ndalimi, gjendja e shumë vëllezërve ishte e ngjashme me këtë.
«Të kujdesshëm si gjarpërinjtë»
Kushte të tilla nuk do të mund ta ndalonin fenë e vërtetë. Kishte akoma njerëz që e çmonin shumë lirinë nga skllavëria fetare Mbikëqyrësit qarkorë vazhduan të vizitonin kongregacionet, por shpesh vetëm për dy apo tre ditë çdo herë. Tani, vëllezërit duhet të përdornin kujdes dhe të shmangnin qenien të identifikuar. Shumica e mbikëqyrësve vishnin rroba të vjetra e të pista kur vinin në qytet, zakonisht para muzgut apo pas perëndimit të diellit, kështu që asnjë nuk do të vinte re mbërritjen e tyre. Në rast se ndonjë do të dyshonte se kush ishin, ata ishin gjithnjë gati për të ndryshuar me shpejtësi rrobat. Zakaria Elegbe, tani një nga anëtarët e Komitetit të degës në Benin, kujton kur ai vizitonte kongregacionet si mbikëqyrës qarkor gjatë asaj kohe. «Më kujtohet njëherë kur kam kaluar një ditë të tërë në një silos misri të ndërtuar prej balte, ndërsa autoritetet ishin duke më kërkuar»,—tha ai. «Mund t’i dëgjoja zërat e tyre, por ata asnjëherë nuk menduan të më kërkonin nëpër silos. Më në fund, në përfundim të asaj dite isha në gjendje të vazhdoja rrugën time.»
Për të mbajtur një grumbullim të madh në atë kohë duhet të kërkoje leje në sallën lokale të qytetit. Megjithatë, shërbëtorët e Jehovait e provuan veten se ishin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe megjithatë të pafajshëm si pëllumbat.» (Mat. 10:16) Kur merrej vesh se një çift do të martohej, kërkohej një leje nga autoritetet lokale për një pritje. Zakonisht kjo jepej pa asnjë problem. Drejtuesi do të fillonte programin duke shpjeguar se si do të zhvillohej «pritja dy-ditore». Një pritje dy-ditore? Po. Në fakt pritja ishte në të vërtetë një kongres krahinor në miniaturë! Të sapomartuarit do të uleshin në rreshtin e parë, para oratorëve dhe do të mbaheshin fjalime të bazuara në Bibël për dobinë e të sapomartuarve dhe për auditorin e lumtur. Në një rast të tillë në fshatin Hetin, të pranishëm në «pritje» ishin mbi 600 persona dhe 13 prej tyre u pagëzuan. Shumë nga qytetarët do të veçonin faktin se Dëshmitarët e Jehovait kishin pritje kaq të çuditshme për martesa, veçanërisht kur ata dëgjuan për pagëzimin! Edhe funeralet siguronin, gjithashtu, mundësi për të mbajtur asamble.
Literatura biblike sillej në vend në mënyra të ndryshme: në kanoe, biçikleta, çanta shpine, nëpër shtigjet e stepave apo me ndonjë mjet tjetër që dukej i përshtatshëm në atë kohë. Jo të gjithë ata që kishin autoritet i kundërviheshin me dhunë veprës sonë. Kështu, në vitin 1984, kur dy vëllezër të rinj po kalonin një lumë me kanoe bashkë me një pako me literaturë nga Nigeria, ata u kapën nga dy oficerë dogane në anën e Beninit. A do të konfiskohej literatura, apo do të rriheshin dhe burgoseshin vëllezërit? «Çfarë ka në çanta?»—pyeti një nga oficerët e doganës. «Literaturë biblike», iu përgjigjën vëllezërit. «Pa t’i shohim». Vëllezërit i ofruan secilit prej tyre një kopje të broshurës Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, të cilën ata e pranuan me gatishmëri. «A do të sillni përsëri literaturë për Dëshmitarët e Jehovait?» Vëllezërit shtangën, të pasigurt për atë që do të ndodhte më vonë. «Vazhdoni rrugën tuaj», tha oficeri i doganës. Dy vëllezërit falënderuan Jehovain në heshtje. Shembuj të tillë forcuan sigurinë e vëllezërve se Jehovai po bekonte përpjekjet për t’u sjellë ushqim frymor vëllezërve në «kohën e duhur».—Mat. 24:45.
«Fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga»
Dëshmitarët që ishin akoma në Benin nuk mund të qëndronin pa folur rreth së vërtetës së çmuar që ishte në zemrat e tyre. Kështu, pra një ndryshim erdhi në jetën e Moris Kòdos. Ai ishte një mësues shkolle në Kalavi, një fshat gati 18 kilometra nga Kotonou. Ai kishte menduar se po të ishte një person i mirë, do të shkonte në qiell. Megjithatë, kur takoi Dëshmitarët e Jehovait, ai mësoi nga Bibla se kërkohej më shumë nëse donte aprovimin e Perëndisë. Një kushëri e prezantoi Morisin me një komshi Dëshmitar dhe Dëshmitari, duke parë interesin që tregoi Morisi për Biblën, i ofroi me gatishmëri një studim biblik pa pagesë. Morisi dhe gruaja e tij filluan të studionin Biblën dhe përparuan me shpejtësi. Shumë shpejt, ai donte të merrte pjesë në veprën e predikimit, sepse ishte i bindur se kishte gjetur të vërtetën. Sigurisht, vëllezërit duhet të siguroheshin për sinqeritetin e tij. Të tjerë kishin interes të shtirur, vetëm për t’i tradhëtuar ata. Megjithatë, ky nuk ishte rasti i Moris Kòdos. Ai shfrytëzoi çdo mundësi për të folur rreth së vërtetës me të afërmit e tij, miqtë dhe kolegët.
Pastaj në 11 shkurt, 1982, vëlla dhe motër Kòdo u arrestuan. Ata u burgosën bashkë me vëllain që kishte studiuar fillimisht Biblën me ta dhe me një person të sapointeresuar, që po studionte me vëlla Kòdon. Përse? Ata ishin, ose Dëshmitarë të Jehovait dhe po flisnin me të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë, ose po tregonin interes në atë që mësonin Dëshmitarët. Sipas raportit të hartuar nga autoritetet, fshati i Kalavit po bëhej «një koshere aktiviteti» për Dëshmitarët e Jehovait. Kjo gjë i egërsoi shumë autoritetet.
Të katër ata që ishin arrestuar, duke përfshirë gruan e vëlla Kòdos, u vendosën në një qeli bashkë me kriminelët e llojit më të keq dhe në kushtet më çnjerëzore. Atyre iu tha se do të liroheshin nëse do të bënin vetëm një gjest të thjeshtë: të firmosnin një letër që thoshte se ata nuk ishin më Dëshmitarë të Jehovait. Këtë gjë vëllezërit tanë e refuzuan ta bënin në mënyrë të prerë. Ata nuk mund ta mohonin Perëndinë e tyre, Jehovain. Dedikimi i tyre ndaj tij ishte i pakushtëzuar dhe me të nuk mund të bëhej kompromis. Ky qëndrim i tërboi zyrtarët dhe ata konfiskuan çdo literaturë biblike që vëllezërit kishin me vete në qeli.
Dy fëmijët e vëlla dhe motër Kòdos, Nadinë dhe Xhimi (respektivisht gjashtë dhe tre vjeç), ishin të sëmurë. Motra Kòdo kërkoi nëse mund të kthehej në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e saj të sëmurë. Kjo kërkesë u refuzua, por iu dha leja të kujdesej për fëmijët e saj në burg. Tani u bënë gjashtë persona në burg, duke përfshirë fëmijët
Si do ta kremtonin ata Përkujtimin që ishte afër? Vëllezërve lokalë iu dha mundësia t’u çonin bukë pa maja dhe verë në burg për kremtimin. Vëlla Kòdo kujton: «Ishte e çuditshme. Ndërkohë që ishim duke kremtuar Përkujtimin, mbi burgun ra një qetësi e veçantë, kështu që kremtimi i Përkujtimit nuk u trazua.»
Më në fund, nëpunësi lokal, që ishte përgjegjës për burgosjen e tyre u transferua në një vend tjetër. Ai që e zëvendësoi ishte më i favorshëm ndaj tyre; kështu në 26 maj, tre muaj e gjysmë pas burgimit të tyre, vëllezërit u liruan.
Katër vjet më vonë, vëlla Kodo e pa përsëri veten prapa hekurave të burgut, këtë herë sepse kishte refuzuar të përsëriste sloganet politike. Më vonë ai na tregoi se si e përdori me mençuri këtë kohë: «Unë shërbeva si pionier ndihmës gjatë kohës që isha në burg. Këtë radhë m’u dha mundësia të mbaja një sasi të konsiderueshme literature për ta përdorur në ‘territorin tim personal’. U predikova të burgosurve të tjerë, rojeve dhe policit dhe drejtova shumë studime biblike.» Megjithëse ai ishte në burg, ‘Fjala e Perëndisë nuk u lidh me pranga’.—2 Tim. 2:9.
Duke parë prapa, vëllezërit pranojnë se fshati i Kalavit ishte bërë me të vërtetë atë kohë «një koshere aktiviteti» për popullin e Jehovait. Nga 4 lajmëtarë në vitin 1982, radhët e tyre janë shtuar, kështu që tani dy kongregacione po lulëzojnë atje, me mbi 160 lajmëtarë. Që nga koha e pagëzimit të tij, vëlla Kodo ka patur privilegjin të ndihmojë mbi 30 persona për të fituar lirinë, jo nga zinxhirat e burgut, por nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme.
Nga fundi i viteve ‘80, në qeveri filluan të ndodhnin ndryshime. Asnjë nuk ishte i sigurt se cili do të ishte rezultati. Por erërat e nxehta të persekutimit ndaj Dëshmitarëve të Jehovait filluan të ftoheshin. Ata kishin mundësi të mbanin edhe mbledhje në mënyrë të hapur në disa zona, por jo kudo.
«Unë jam vetëm paralajmëruesi»
Gjatë kësaj kohe ndodhi një përvojë që tregoi se në Benin kishte akoma shumë persona, të cilët do të pranonin me shumë gëzim të vërtetat liruese të Fjalës së Perëndisë. Pier Auanto ishte i dëshpëruar kur shikonte hipokrizinë fetare, dashurinë për para dhe imoralitetin në Kishën e Krishterimit Qiellor (Eglise du Christiaisme Cèleste), ku ai bënte pjesë. Megjithëse kisha praktikonte shërimin me anë të besimit, kjo nuk e shpëtoi fëmijën e tij nga vdekja. ‘Perëndia e ka thirrur birin tënd në qiell’ i tha atij prifti. I pakënaqur me shpjegimin dhe i shqetësuar nga praktikat që lejoheshin në atë kishë, ai u largua prej saj në vitin 1973, me qëllimin për të ndërtuar një fe të tijën. Ai donte një fe të lirë nga hipokrizia dhe praktikat e liga që kishte parë në fetë e tjera.
Më vonë ai u bë një themelues dhe prift i vetëshpallur i Kishës Zemra e Shenjtë (Ayi-Wiwè). Në vitin 1964 ai kishte takuar Dëshmitarët e Jehovait. Ai i admironte ata dhe ishte i sigurt se nëse ndërtonte një kishë të tijën, edhe ai mund të kishte një fe të lirë nga lakmia dhe imoraliteti si ajo e Dëshmitarëve të Jehovait. Brenda një kohe të shkurtër, kisha e tij u rrit me mbi 2.700 ndjekës në 21 kongregacione. Ai vetë gëzoi pushtet dhe pasuri.
Një ditë një burrë erdhi tek ai për t’u shëruar. Ai kishte një sëmundje lëkure që kishte vazhduar për disa kohë. Pier Auanto e shëroi atë dhe burri ishte kaq i kënaqur saqë i dha si shpërblim një shtëpi!
Megjithatë, imoraliteti dhe lakmia, praktikat që e kishin shtyrë Pier Auanton të ndërtonte një fe të tijën, tani po depërtonin dhe në kishën e tij. Ai filloi të kuptonte se, nëse donte një adhurim të pastër, nuk mund të imitonte popullin e Jehovait, ai duhet të bëhej një prej tyre. Ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gradualisht, ai mësoi nga altari ato që kishte mësuar vetë nga studimi i Biblës me Dëshmitarët. Shpesh ai i mbaronte fjalimet e tij me një pohim të çuditshëm: «Unë jam vetëm një paralajmërues. Mbajtësit e vërtetë të së vërtetës do të vijnë më vonë». Shumë nga ata që e dëgjonin pyesnin veten se çfarë donin të thoshin ato fjalë.
Pasi e rriti shpeshtësinë e studimit me Dëshmitarët në dy herë në javë, ai kuptoi se do t’i duhej të merrte një vendim. Mblodhi gjithë priftërinjtë e tij bashkë për një mbledhje. Ishin të pranishëm 28 prej tyre. Duke përdorur Shkrimet, ai shpjegoi dallimin midis fesë së vërtetë dhe asaj të rreme. Në atë mbledhje u mor vendimi që të hiqeshin të gjitha shëmbëlltyrat në kishat e tyre dhe të mos visheshin më rroba të veçanta nga klerikët. Priftërinjtë u udhëzuan që të takonin Dëshmitarët në vendin e tyre për një studim biblik në shtëpi. Priftërinjtë në shumë kisha filluan të bënin atë që kishte bërë dhe Pier Auanto. Të mërkurave, drejtuesit e kishave do të studionin Biblën dhe të dielave do ta bazonin fjalimin e tyre në atë që kishin mësuar. Më vonë, rregullimi i së mërkurës u bë Studimi i Librit të Kongregacionit dhe fjalimi i së dielës u bë fjalimi publik.
Në vitin 1989, Pier Auanto bëri një mbledhje për ndjekësit e tij. Mbi 1.000 persona ishin të pranishëm për atë mbledhje në Porto-Novo. Në atë rast ai u tha atyre: «A e kujtoni kur unë kisha zakon të mbaroja fjalimet e mia duke thënë: ‘Unë jam vetëm paralajmëruesi. Mbajtësit e vërtetë të së vërtetës do të vijnë më vonë?’ Më në fund ata kanë arritur, janë Dëshmitarët e Jehovait!» Ky lajmërim i dha shtytje një sesioni me pyetje dhe përgjigje që zgjati shtatë orë! Jo të gjithë e panë këtë si lajmin e mirë. Disa prej tyre preferuan mënyrën e tyre të jetesës, e cila përfshinte pasjen e shumë grave. Megjithatë, për të pëmendur vetëm në Benin, mbi 75 ish-anëtarë të Kishës Zemra e Shenjtë janë pagëzuar dhe gati 200 të tjerë po studiojnë dhe po përparojnë drejt të njëjtit synim. Shumë nga ky grup po mësojnë edhe të lexojnë dhe të shkruajnë.
Sa për Pier Auanto, ai u pagëzua në qershor të vitit 1991. Tani ai ka shkëputur ligjërisht çdo lidhje me fenë e tij të mëparshme. Tetë prej kishave të tij të mëparshme janë kthyer në Salla Mbretërie. Dhe çfarë mund të themi për shtëpinë që kishte marrë si dhuratë nga ai burrë që kishte shëruar? Vëlla Auanto ia ktheu përsëri atij. Kuptohet që burri mbeti shumë i habitur. Por vëllai ynë i shpjegoi se tani që kishte gjetur të vërtetën, ai e kuptoi se çfarëdo lloj shërimi që ai kishte patur mundësinë të bënte ishte si rezultat i fuqisë që vinte, jo nga Perëndia, por nga demonët.
Sa inkurajuese është të shohësh njerëz, po edhe një numër të madh prej tyre, të lirohen nga gabimet fetare dhe të vijnë në «një njohuri të saktë të së vërtetës»! (1. Tim. 2:4) Dhe kishte ardhur koha kur ata do të kishin mundësi të mblidheshin lirisht për t’u mësuar nga Fjala e Perëndisë.
Një ditë që nuk do të harrohet kurrë!
Në 24 janar, 1990, dy vëllezër nga Benini udhëtuan për në Lagos, Nigeri, me një dokument të rëndësishëm në duar. Ata donin të lajmëronin degën e Nigerisë, e cila merrej me veprën në Benin gjatë këtyre viteve të vështira, se Dekreti Nr. 004, i 23 janarit 1990 deklaronte se dekreti i mëparshëm (Nr. 111 i 27 prillit, 1976) që ndalonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Beninit ishte, që tani e tutje, i pavlefshëm! Dëshmitarët e Jehovait ishin më në fund të lirë të predikonin publikisht dhe të mbanin mbledhjet e krishtere! Si do të informoheshin Dëshmitarët lokalë?
U bënë plane për një mbledhje në Kotonou. Megjithatë, vëllezërit që po e organizonin atë nuk e bënë të njohur më përpara arsyen e mbledhjes. Dëshmitarët lokalë nuk mund të rrinin pa pyetur se përse po ftoheshin që të mblidheshin në një sallë publike në qendër të Kotonout. Kur ata mbërritën, sa të habitur ishin kur panë një parullë të madhe në hyrje që i uronte mirëseardhjen Dëshmitarëve të Jehovait! ‘Si mund të bëhet një gjë e tillë? Ne jemi në ndalim,’ menduan shumë nga vëllezërit. Disa pyetën, ‘Mos është një kurth?’
Mbledhja duhet të fillonte në orën 1000 paradite, por që në orën 900 të gjitha vendet ishin zënë. Brenda sallës kishte dy parulla të mëdha. Në një prej tyre shfaqeshin fjalët e Zbulesës 4:11: «Ti je i denjë, Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë dhe nderimin.» Në tjetrën ishte Psalmi 144:15: «I lumtur është populli, Perëndia i të cilit është Jehovai!»
Kur filloi mbledhja, drejtuesi lajmëroi se, sipas dokumentit që kishte në dorë, «qeveria ka hequr ndalimin mbi veprën tonë!» Vëlla Ouih, një pjesëtar i Komitetit të degës në Nigeri, i cili ishte i pranishëm, tregon: «Duartrokitjet e zjarrta që përshëndetën këtë lajmërim ishin të tilla, saqë nëse ndërtesa nuk do të ishte ndërtuar mirë, do të ishte shembur nën ortekun e brohoritjeve gjëmuese që mblidhej. Pastaj të gjitha duartrokitjet pushuan njëherësh, sikur ata që ishin të pranishëm të donin ta mbanin në mend atë që ishte thënë. Më pas, ata filluan përsëri të duartrokisnin dhe kjo zgjati për pak minta. Drejtuesi përmendi Psalmin 126 por nuk arriti ta lexonte për shkak të duartrokitjeve. Gati të gjithë, duke përfshirë drejtuesin, i kishim sytë të mbushur me lot. Ishte njësoj sikur të ishim dëshmitarë të një skene ringjalljeje, ndërkohë që vëllezërit ktheheshin dhe shikonin njëri-tjetrin e përreth dhe shtrëngonin duart me njëri-tjetrin me mirënjohje dhe gëzim.»
Në fjalimet që pasuan, vëllezërit u përgëzuan për qëndrueshmërinë e tyre gjatë 14 vjetëve të ndalimit. Kjo nuk ishte një kohë për lot të hidhur por një kohë për të ndërtuar, për të përdorur lirinë e tyre të sapogjetur me mençuri, duke ndërmarrë shërbimin e pionierit nëse rrethanat ua lejonin, ose të synonin privilegje të tjera të shërbimit në kongregacion. Do të ishte e rëndësishme të vazhdonin të mbështeteshin tek Jehovai, i cili i kishte dhënë tani fitoren popullit të tij! Mbledhja zgjati për katër orë pa pushim, por atyre që ishin të pranishëm iu dukën vetëm pak minuta.
Oratori i fundit përmendi se vetëm pak ditë më përpara, kur vëllezërit takoheshin nëpër rrugë, ata bënin kujdes se mos binin në sy. Por në këtë rast atyre iu tha se mund të fillonin të fitonin kohën e humbur duke përshëndetur vëllezërit e tyre lirisht. Rreth dy orë pas lutjes përfundimtare të bërë me gjithë zemër, shumë Dëshmitarë ishin akoma para ndërtesës duke përqafuar dhe puthur njëri-tjetrin si dhe duke rinovuar shoqëritë që kishin. Liria fetare kishte me të vërtetë një aromë të këndshme. Por si do ta përdornin vëllezërit këtë liri tani?
Të gëzuar që kishin mundësi për t’u mbledhur për adhurim
Sallat e Mbretërisë kishin nevojë të pastroheshin, të lyheshin dhe të riparoheshin për t’i kthyer në kushte të përshtatshme për t’u përdorur. Vëllezërit dhanë lirisht nga koha dhe burimet e tyre për të bërë këtë punë. U bënë rregullime, gjithashtu, nga Shoqata që mbikëqyrësit qarkorë të vizitonin menjëherë të gjitha kongregacionet, duke kaluar dy apo tre ditë në çdonjërin prej tyre. Ishte duke u bërë një riorganizim.
Çfarë gëzimi ishte të shihje familje që mblidheshin përsëri në Sallat e tyre të Mbretërisë! Prania në mbledhje zakonisht është dy ose tre herë më e madhe se numri i lajmëtarëve. Shumë prej tyre vijnë me biçikleta; disa me motorë apo në kanoe. Të tjerë vijnë në këmbë dhe fakti që duhet të ecin me kilometra të tëra nuk i spraps ata. Nënat i lidhin fëmijët e tyre të vegjël në kurrizin e tyre me një copë pëlhure të lidhur rreth kraharorit. Fëmijët më të rritur ndihmojnë ata më të vegjël. Baballarët zakonisht mbajnë librat e tyre të çmuar që nevojiten për mbledhje: të çmuar sepse me anë të tyre, Jehovai siguron mësimin: të çmuara, gjithashtu, sepse secili prej librave të mëdhenj mund të ketë vlerën e pagës së një dite të tërë pune.
Me kalimin e kohës, të gjitha Sallat e Mbretërisë në të gjithë vendin, shtëpia misionare në Porto-Novo dhe ndërtesa e degës në Kotonou, të cilat ishin konfiskuar gjatë ndalimit, iu kthyen pronarëve me të drejtë. Menjëherë, u bënë ndryshimet themelore në degë dhe në shtëpinë në Porto-Novo dhe në gusht të vitit 1990, më pak se një muaj pasi ishte kthyer prona mbi degën, u mbajt një asamble po në atë pronë të shoqatës, me një prani prej 2.000 personash. Të gjithëve iu bë e ditur se Dëshmitarët e Jehovait ishin duke e përdorur përsëri këtë pronë në lidhje me veprën e tyre të arsimimit biblik.
Dega e Beninit filloi të funksionojë përsëri në shtator të vitit 1991, duke bërë kështu të mundur një kontakt më të ngushtë me vëllezërit dhe një ndihmë më të madhe në kujdesjen për nevojat e tyre frymore.
Të etur për të sjellë dëshmi për të vërtetën
Dëshmitarët e Jehovait në Benin donin të predikonin lajmin e mirë në të njëjtën mënyrë që po predikonin vëllezërit e tyre në vende të tjera. Gjatë ndalimit 14-vjeçar, shumica e dëshmisë ishte bërë në mënyrë joformale. Madje edhe disa nga pleqtë nuk kishin dëshmuar asnjëherë nga shtëpia në shtëpi. Por me pak inkurajim dhe udhëzim, ata filluan të vepronin.
Dëshmia nuk është e vështirë në Benin. Njerëzit në përgjithësi e duan Biblën. Ata zakonisht e ftojnë Dëshmitarin të ulet dhe dëgjojnë me vëmendje. Ndërsa Dëshmitarët shkojnë nga një shtëpi në tjetrën, nuk është e pazakonte që ndonjë person që po kalon me biçikletë t’i thërrasë dhe t’u kërkojë numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!
Zakonisht, ka shumë nga e njëjta familje që banojnë në shtëpi me një oborr të përbashkët. Me respekt, Dëshmitari kërkon të flasë së pari me kryefamiljarin. Pas kësaj, bisedohet me djemtë e tij më të mëdhenj dhe familjet e tyre, shtëpitë e të cilëve gjenden në të njëjtin oborr.
Për të treguar çmueshmërinë e tyre për gjithçka që Jehovai ka bërë për ta, qindra vëllezër ndërmorën shërbimin e pionierit pasi u hoq ndalimi. Në vitin 1989, numri i pionierëve specialë, të rregullt dhe ndihmës ishte 162; në vitin 1996, numri i tyre arriti në 610.
Çfarë reagimi kanë ndeshur tek njerëzit? Një çift pionierësh specialë ishte caktuar në një qytet ku nuk kishte Dëshmitarë. Vetëm në pak muaj, erdhi koha për kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit. Personat e interesuar në atë qytet mësuan se ne zakonisht e mbanim Përkujtimin në një Sallë Mbretërie, por atje nuk kishte një të tillë. Një nga këta qytetarë të interesuar takoi një burrë që kishte një hapësirë të madhe toke dhe i kërkoi nëse mund të pastronin një pjesë të saj për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Burri ishte dashamirës ndaj veprës së Dëshmitarëve, kështu që pranoi. Brenda pak ditësh, dy pionierët specialë dhe persona të tjerë të interesuar kishin pastruar vendin dhe kishin ndërtuar një Sallë të bukur Mbretërie, e cila kishte mure me degë të thurura palmash dhe një çati të mbuluar me kashtë. Në hyrje kishte dy harqe të bëra me degë palmash dhe të zbukuruara me lule. Kur një priftëreshë vudu e zonës u përpoq të nxiste kundërshtim, pleqtë e fshatit i thanë: «Ti nuk e ke pronën tënde tokën e këtij fshati. Ne duam që Dëshmitarët e Jehovait të qëndrojnë. Nëse ata do të ikin, edhe ti do të ikësh prej këtu!» Pas kësaj, ajo nuk shkaktoi më trazira. Për Përkujtimin kishte 110 të pranishëm, mes të cilëve vetëm pionierët specialë ishin Dëshmitarë të pagëzuar.
Ndërtesa e kongresit
Pak kohë pasi ishte hequr ndalimi, në Kalavi, një fshat jo larg Kotonout, u ble një pjesë toke prej pesë hektarësh, së cilës iu shtua më vonë një pjesë prej 4 hektarësh. Ky ishte fshati ku disa nga vëllezërit tanë ishin burgosur për shkak se autoritetet kishin thënë se ajo zonë ishte bërë «koshere aktiviteti» për Dëshmitarët e Jehovait. Sa të vërteta ishin bërë këto fjalë! Në vitin 1990, populli i Jehovait ishte në gjendje të mbante një kongres këtu, në liri dhe në tokën e tyre!
Por si do të ndërtohej një ndërtesë kongresesh, e përshtatshme për të mbajtur 4.000 persona dhe që të ishte brenda mundësive të vëllezërve tanë? Në një mënyrë që është tipike për Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën Perëndimore. Vëllezërit shkuan në pyje dhe prenë pemë bambuje dhe gjethe arrash kokosi. Shtyllat e bambusë shërbenin si stola për t’u ulur. Shtyllat, që dilnin jashtë rreth 50 centimetra, u vunë në tokë në intervale prej 1,25 metrash. Këto do të shërbenin për të vënë këmbët kur uleshin. Dy trungje më të gjata bambuje ishin vendosur përkrah shtyllave të gjata 50 centimetra dhe ishin vendosur në radhë. Ja pra! Vende për t’u ulur për 15 persona bashkë. Trungjet më të gjatë të bambusë ishin përdorur për të mbështetur strukturën e çatisë dhe gjethet ishin thurur dhe përdorur për të mbuluar çatinë. Megjithëse një strukturë e tillë nuk të mbron nga shiu, ajo e mban diellin e nxehtë të Afrikës larg dhe ata që gjenden nën atë çati janë shumë të rehatuar.
Me kalimin e kohës, këtu do të ndërtohen ndërtesa të reja të degës si dhe Salla asambleje të hapura nga një anë, të cilat kanë një strukturë më të qëndrueshme.
Kthimi i misionarëve
Rreth tre muaj pasi u hoq ndalimi, u hartua një dekret i ri i qeverisë. Ky anullonte dekretin e mëparshëm që kishte sjellë si rezultat dëbimin e misionarëve në vitin 1976 dhe deklaronte se Dëshmitarët e Jehovait ishin të lirë të vazhdonin veprën e tyre misionare në Benin.
Në përgjigje të atij veprimi zyrtar, në nëntor të vitit 1990, në Benin u caktuan përsëri misionarë. Tab dhe Zhanisë Honsberger, që kishin shërbyer në Dakar, Senegal, u ricaktuan në Benin. Mishel Myler dhe gruaja e tij, Babeta si dhe Klaud e Mari-Kler Buket, mbërritën në Benin pak ditë më vonë. Ata kishin shërbyer kohët e fundit në Tahiti.
Vëlla Honsberger kujton: «Ne patëm një habi të këndshme nga reagimi i njerëzve që takuam kur filluam të predikonim shtëpi më shtëpi në caktimin tonë të ri. Në të vërtetë ata ishin duke na uruar mirëseardhjen përsëri në Benin! Një burrë tha se, kur misionarët e Dëshmitarëve të Jehovait u larguan vite më parë, vendi filloi të merrte tatëpjetën.» Kujto fjalët e shitësit të ri në pikën e karburantit, që iu thanë misionarëve duke u larguar 14 vjet më parë:—«Mos u merakosni, ju do të ktheheni një ditë». Fjalët e tij ishin vërtetuar, misionarët ishin kthyer!
Vëllai Buket e quan Beninin parajsën e misionarëve sepse shumë beninas kanë një dashuri të thellë për Perëndinë dhe Biblën. Nga më shumë se 50 misionarë që shërbejnë në Benin, shumë prej tyre janë ndaluar në rrugë nga dikush që donte të kërkonte një studim biblik apo përgjigjen e një pyetjeje të thellë mbi Biblën!
Duke përdorur lirinë me mençuri
Vite më parë, populli i Beninit shitej si skllav dhe dërgohej larg vendit. Po aq e tmerrshme sa kjo, një lloj tjetër skllavërie, ajo që vjen nga feja e rreme, vazhdon të ekzistojë akoma në ditët tona. Ajo lidh zemrat dhe mendjet e shumë personave, të cilët mund të mendojnë se janë të lirë. Disa herë, ajo shkakton më shumë frikë sesa kamzhiku i një pronari skllevërish.
Mijëra persona në Benin janë çliruar nga një skllavëri e tillë dhe janë bërë Dëshmitarë të gëzuar të Jehovait. Ata e dinë, gjithashtu, se çfarë do të thotë ‘të mos jenë pjesë e botës’ duke imituar Krishtin. Si rezultat, ata kanë mundësi të gëzojnë lirinë nga skllavëria e «sunduesit të kësaj bote», për të cilin Jezui tha se nuk kishte të bënte me të. (Gjoni 12:31; 14:30; 15:19) Vitet e persekutimit të dendur, të përjetuara nga Dëshmitarët e Jehovait në Benin nuk i çuan ata përsëri në skllavëri. Ata i dinin mirë fjalët e Jezu Krishtit: «Nëse më kanë persekutuar mua, ata do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:20) Dhe ata e dinin se apostulli Pavël kishte shkruar: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë në devotshmëri hyjnore në lidhje me Krishtin Jezu do të persekutohen.» (2. Tim. 3:12) Edhe pse ishin privuar për një farë kohe nga liria për t’u mbledhur hapur për të adhuruar dhe për t’u dëshmuar të tjerëve publikisht, madje disa ishin hedhur edhe në burg, megjithatë, ata vazhduan të kishin liri që asnjë njeri nuk mund t’ua hiqte.
Tani, kanë kaluar rreth shtatë vjet që nga koha kur u hoq ndalimi dhe Dëshmitarëve të Jehovait iu dha përsëri njohja ligjore. A e kanë përdorur me mençuri këtë liri vëllezërit tanë beninas? Pak kohë para se të vendosej ndalimi, në vend kishte vetëm 2.300 lajmëtarë aktivë të Mbretërisë. Tani ka më shumë se dyfishin e atij numri. Sa për ata që po marrin pjesë në shërbimin e plotë kohor, numri i tyre është trefishuar. Shumë njerëz po i përgjigjen ftesës për «të marrë falas ujërat e jetës». (Zbul. 22:17) Kur kongregacionet mblidhen për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, një numër i madh njerëzish të interesuar bashkohen me ta, kështu që prania është katër herë më e madhe se numri i Dëshmitarëve. Duket qartë se ka akoma shumë për të bërë, për të ndihmuar ata persona të interesuar që të çmojnë dhe të zbatojnë të gjitha gjërat që vetë Jezui urdhëroi.—Mat. 28:19, 20.
Ka, gjithashtu, shumë rrethana të vështira me të cilat njerëzit duhet të luftojnë për sa kohë të vazhdojë ky sistem i lig gjërash. Por, pavarësisht nga këto, të ngrohet zemra po të vizitosh kongregacionet e popullit të Jehovait në Benin dhe të vëzhgosh nga afër lirinë që u ka sjellë Fjala e Perëndisë njerëzve në atë vend. Është, për shembull, një person që më parë ishte poligamist në fshatin e Logout, i cili, për shkak të dëshirës së tij për të pasur aprovimin e Jehovait, e liroi veten nga të gjitha traditat lokale jobiblike dhe tani jeton vetëm me një grua. Është edhe një i ri në kongregacionin e Togodo Godomeit, babai i të cilit i ofroi mundësi arsimimi që shumë të tjerë do t’i kishin tërhequr menjëherë dhe i premtoi se në kohën e duhur ai do ta bënte një prift vudu dhe do të trashëgonte shtëpinë dhe gratë e babait të tij, por djali zgjodhi në vend të këtyre gjërave t’i shërbente Jehovait. Është një motër në Tori-Kadà Zoumè, e cila më përpara kaloi shumë vjet në një manastir vudu por që tani është një pioniere e rregullt. Një i ri i cili jetonte duke vjedhur, ka veshur një personalitet të ri dhe tani shërben si pionier special në Kotan. Një ish-ushtarak, i cili më parë persekutonte popullin e Jehovait tani është një pionier i rregullt dhe shërbëtor ndihmës. Këta dhe shumë të tjerë si ata janë të zënë duke ndihmuar personat me zemër të sinqertë të mësojnë se si të fitojnë lirinë nga skllavëria fetare, siç ishin ndihmuar dhe ata më parë. Ata e dinë nga përvoja se «aty ku është fryma e Jehovait, aty është liria.»—2. Kor. 3:17