Brazil
Brazil
Në vitin 1500, Pero Vaz de Kamina i shkroi mbretit të Portugalisë për Brazilin, ku eksploruesit portugezë sapo kishin zbarkuar. Ai pohoi: «Fryti më i mirë që mund të nxirret prej tij..do të jetë të shpëtojmë popullin e tij [indianët]». Këto fjalë zbulojnë një nga arsyet kryesore të përhapjes përtej detit të Portugalisë në shekujt 15 dhe 16. Kjo arsye ishte të përhapnin mësimet fetare të të ashtuquajturit krishterim në toka të tjera.
Megjithatë, jo shumë kohë pas kësaj, Fjala e Perëndisë, Bibla u bë e arritshme për banorët e Brazilit, në mënyrë që ata të mund ta shihnin vetë çfarë mëson ajo. Bibla e plotë në gjuhën portugeze u vu në fillim në dispozicion në vitin 1751 (një pjesë në Evropë dhe një pjesë në Indinë jugore). Kaluan edhe 125 vjet para se ndonjë pjesë e Biblës të shtypej në gjuhën portugeze që flitej në Brazil. Dhe, tashmë kishin hyrë në shekullin e 20-të para se vetëm një pjesë e Biblës të botohej në ndonjë nga gjuhët e fiseve indiane në Brazil.
Brazili është një nga pak vendet e Amerikës së Jugut, ku gjuha spanjolle nuk është gjuha mbizotëruese. Aty flitet më shumë portugalisht. Duke zënë gati gjysmën e Amerikës së Jugut dhe duke qenë rrethuar nga të gjitha vendet e tjera amerikano-jugore përveç Kilit dhe Ekuadorit, Brazili është një tokë me një shumëllojshmëri të madhe. Banorët e tij janë entuziastë dhe miqësorë dhe janë të interesuar për çështjet frymore. Pjesa më e madhe (rreth 85 për qind e 161 milionë banorëve) praktikojnë katoliçizmin dhe një përqindje e madhe e këtyre priren drejt spiritizmit. Në vitet e fundit ka pasur, gjithashtu, një rritje të dukshme në numrin e aderuesve në fetë evangjeliste.
Arsimimi i vërtetë biblik nis udhën
Vullneti i Perëndisë është që «të gjitha llojet e njerëzve duhet të shpëtojnë dhe të vijnë në njohjen e saktë të së vërtetës». (1. Tim. 2:3, 4) Kjo lloj njohurie filloi të përhapej në Brazil nga fundi i shekullit të 19-të. Në vitin 1899 Sarah Bellona Ferguson nga San Paulo mori së pari disa nga botimet e Watch Tower Society me anë të postës nga Shtetet e Bashkuara. Pasi mësoi të vërtetat e çmuara të Biblës ajo bëri sa mundi për t’i ndarë këto të vërteta me të tjerët. Kur u paraqit rasti pas 25 vjetësh, ajo u pagëzua.
Në të njëjtën kohë, tetë marinarë të rinj brazilianë duke u nisur nga anija e tyre në Nju Jork Siti u tërhoqën nga mbledhjet e Studentëve Biblikë (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) Atje ata blenë një Bibël në gjuhën portugeze. Morën, gjithashtu, edhe ndihmë për ta kuptuar atë. Kur u kthyen në Brazil në mars të vitit 1920, pas disa muaj shoqërimi me Studentët Biblikë në Nju Jork, ata vazhduan të mblidheshin bashkë dhe t’u flisnin të tjerëve rreth asaj që kishin mësuar. Në fillim, ata përdorën botimet e Watch Tower në spanjisht si ndihmës studimi sepse nuk kishte asgjë tjetër në dispozicion në gjuhën portugeze. Megjithatë, disa vite më vonë në Brazil u dërgua Xhorxh Jang dhe u bënë rregullime për të përkthyer literaturën në gjuhën portugeze dhe për ta botuar atë. Në vitin 1923 një degë e Watch Tower Bible and Tract Society u vendos në Rio de Zhaneiro për të përkrahur arsimimin biblik në këtë vend me shtrirje të madhe.
Mbërrin më shumë ndihmë
Me gjithë këtë fillim të mirë, përparimi ishte i ngadaltë. Kështu, me ftesën e J. F. Radhërford, i cili ishte presidenti i Watch Tower Society, Alston Juli mbërriti në Brazil në vitin 1936 për të ndihmuar Dëshmitarët e atjeshëm që të nxirrnin dobi në mënyrë më të plotë nga furnizimet frymore që po bënte Jehovai përmes organizatës së tij të dukshme. Bashkë me të ishte edhe e shoqja, Màud si dhe Antonio Pires de Andrade, një bashkëpunëtor i cili, të paktën në fillim, shërbeu edhe si përkthyesi i tij. Tre vjet më vonë, Oto Estelman dhe Erik Katner u dërguan nga Evropa për të shërbyer si pionierë, duke u përkushtuar për të predikuar në shtëpitë e njerëzve, për t’i treguar atyre se si do të përfitonin nga e vërteta biblike. Pastaj, në vitin 1945 erdhën dy misionarë nga klasa e parë e Shkollës së Galaadit: Çarls D. Litko dhe Hari Blek.
Jehovai e bekoi punën e këtyre dhe të shumë lajmëtarëve të tjerë të zellshëm të Mbretërisë dhe në vitin 1948 në Brazil kishte 1.000 Dëshmitarë të Jehovait që ndanin me të tjerët të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë. Grupi u rrit me hapa të shpejtë; 10.000 në vitin 1957 dhe 50.000 në vitin 1968. Në të njëjtën kohë, shtëpia Bethel dhe fabrika duheshin zgjeruar dhe në vitin 1968 zyra e degës u transferua nga Rio de Zhaneiro në ndërtesa më të mëdha në San Paulo. (Për më shumë informacion mbi veprën në Brazil nga viti 1920 deri në vitin 1972, shiko Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1973, faqet 33-88.)
Duke vënë në dispozicion vetë Fjalën e Perëndisë
Gati 50 vjet më parë, anëtarët e Kishës Katolike të Romës në Brazil shkonin gjithmonë në meshë, i luteshin gjithmonë Marisë, i bindeshin gjithmonë priftit por nuk kishin lexuar asnjëherë Biblën. Përse? Për një arsye të vetme; priftërinjtë i ndalonin tufave të tyre të kishin një Bibël që i mungonte autorizimi nga Kisha Katolike e Romës. Në të njëjtën kohë, të gjitha këto Bibla të lejuara nga Kisha kishin etiketa çmimesh shumë të larta, të paarritshme për njerëzit e kishës. Nuk është çudi, pra, që Dëshmitarët në atë kohë takonin shpesh katolikë që nuk kishin parë asnjëherë një Bibël!
«Zakonisht unë u lexoja Lutjen e Zotërisë këtyre njerëzve»,—kujton Fern, një misionar nga shumë kohë. «Katolikët e dinin atë lutje përmendësh por mbeteshin të habitur kur e lexonin në Bibël». Në shumë raste, habia çonte në interes dhe interesi në kërkesën: «A mund të më gjeni një Bibël?» Dëshmitarët do të merrnin me gëzim një përkthim të Biblës që mund të blihej lirë nga Shoqëria Braziliane e Biblës.
Të dhjetë misionarët që ishin në atë kohë në San Paulo ishin vizitues të shpeshtë të agjencisë së Shoqatës biblike në atë qytet. Shitësit protestantë të agjencisë nuk ishin të kënaqur që e gjithë sasia e Traduçao Brasileira—një përkthim i Biblës që përmbante emrin e Jehovait—po lëvizte nga magazinat e tyre në çantat e librave të misionarëve. Një ditë, një shitëse u tha misionarëve se ajo nuk do t’u jepte më asnjë Bibël atyre. Pak pas kësaj ngjarje, Traduçao Brasileira nuk u shtyp më. Pa u habitur nga kjo, Dëshmitarët prisnin një ndryshim. Në vitin 1963, në kongreset ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara kishte rreth 57 delegatë nga Brazili, kur u prezantua Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën portugeze. Katër vjet më vonë, kur Përkthimi Bota e Re i të gjithë Biblës u vu në dispozicion, ditët e shpërndarjes së Biblave me kursim kishin marrë fund.
Gjatë tre dekadave të kaluara, miliona kopje të Përkthimit Bota e Re kanë vërshuar në vend nga shtypshkronjat e Shoqatës dhe kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Në vitin 1987, Veja, gazeta kryesore e përjavshme e Brazilit, e përshkruante Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta—Me Referime si «përkthimin më të plotë të Shkrimeve» në vend. Dëshmitarët e Jehovait brazilianë (tani më shumë se 430.000) janë dakord dhe janë të bindur se, si rezultat i fushatës së tyre të shpërndarjes së Biblës, shumë brazilianë nëpër qytete të mëdha e të vogla si dhe në fshatra kanë mundësi më në fund të shfletojnë me mirënjohje fletët e kopjes së tyre personale të Fjalës së Perëndisë.
Studim personal në të vërtetën biblike
Të lexosh Biblën është një gjë, por të kuptosh atë që lexon dhe ta zbatosh atë është një gjë tjetër. Kjo kërkon një program studimi biblik personal. Në vitin 1968, një vit pas prezantimit të Përkthimit Bota e Re të plotë në gjuhën portugeze, të 50.000 Dëshmitarët në Brazil morën librin E Vërteta që të çon në jetën e përhershme, i cili do t’i ndihmonte ata për të studiuar Biblën.
Pasi lexoi librin, një pioniere me përvojë thirri: «Ky libër ka për të ndihmuar miliona persona për të mësuar të vërtetën!» Dhe ajo kishte të drejtë. Lënia vjetore e librave u rrit më tepër se trefishin. Numri i studimeve biblike u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme. Ruta nga Brazili jugor na flet në emër të të gjithë atyre që studiuan, duke thënë: «Kur studiova librin E Vërteta ndjeva mirënjohje dhe zemërim. Mirënjohëse që mësova gjendjen e vërtetë të të vdekurve dhe shpresën për një parajsë dhe e zemëruar që Kisha Katolike më kishte gënjyer gjatë gjithë jetës sime.»
Pastaj, në vitin 1983, Dëshmitarët mirëpritën një ndihmë të re për studimin biblik, botimin në gjuhën portugeze të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Ky libër ka arritur zemrat e akoma më shumë personave në të gjitha fushat e jetës. Në fillim të vitit 1996, më shumë se 500.000 persona po nxirrnin dobi nga arsimimi biblik, shumica prej tyre përmes studimit të bazuar në këtë mjet të efektshëm arsimimi.
Ndërsa teksti i librit Ti mund të jetosh po prekte publikun lexues të Brazilit, ilustrimet në broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! po u mësonin të vërtetat biblike shumë prej 28 milionë brazilianëve që nuk dinin të lexonin. Mbi gjashtë milion broshura të tilla janë shtypur në gjuhën portugeze në 13 vjetët e fundit. A janë duke i kuptuar mësimet e Biblës personat analfabetë? Patjetër që po! Të konsiderojmë rastin e Marias, një grua e moshuar. Me ndihmën e broshurës, ajo mësoi se emri i Perëndisë është Jehova dhe jo Senior (zotëri), ashtu si emri i saj është Maria dhe jo Seniora (zonjë). Megjithëse nuk e kishte dëgjuar asnjëherë më parë emrin e Perëndisë, ajo e pranoi me mirënjohe këtë të vërtetë të re gjatë studimit të saj të parë të Biblës. Kur Dëshmitarja që e mësonte atë po largohej, Maria e përshëndeti: «Jehovai qoftë me ty!» Dëshira e sinqertë e Marias ka dalë me siguri e vërtetë. Me bekimin e Jehovait, arsimimi biblik në Brazil po ecën përpara.
Hapet mundësia për të shtypur përsëri
Në vitin 1971, tre vjet pasi zyra e degës u vendos në San Paulo, numri i Dëshmitarëve aktivë e kaloi shifrën 70.000. Atë vit, në mbarë vendin kishte 1.202 kongregacione; Dëshmitarët e Jehovait kushtuan mbi 11.000.000 orë në shërbimin e tyre publik dhe ishin duke drejtuar mesatarisht 58.902 studime biblike në shtëpi. Për të siguruar drejtimin dhe pajisjet e nevojshme për këtë program arsimimi, ishte e dukshme që ndërtesat e degës duheshin zgjeruar përsëri. Duke i kërkuar Jehovait drejtim, vëllezërit i kushtuan kësaj nevoje gjithë vëmendjen e tyre.
Për shumë vjet botimi në gjuhën portugeze i Kullës së Rojës ishte shtypur në Brazil me një shaptilograf të vjetër. Por në vitin 1957 për shkak të kërkesave në rritje, problemeve me tipografinë (e cila ishte ndërtuar që në vitin 1918) dhe furnizimi i pamjaftueshëm me letër, kjo shtypje ishte transferuar në Nju Jork. Tani, duke gjetur zgjidhjen për problemet e tipografisë dhe letrës, vëllezërit kishin mundësi të rifillonin shtypjen e literaturës në Brazil.
Me qëllim që të furnizonin hapësirën e nevojshme për të shtypur, filloi puna në një shtesë të ndërtesës së degës. Në të njëjtën kohë u bënë rregullime për të importuar një makinë shtypi rotative me shpejtësi të lartë. Për shkak të karakterit arsimor të revistave, u bë një përpjekje për të siguruar përjashtimin nga taksat e importit për makinën e shtypit. Por disa herë, organizatat fetare, të cilave iu ishte lejuar përjashtimi nga këto lloj taksash për mjete të ndryshme, i kishin shitur këto mjete më vonë për një shumë të madhe. Në mënyrë të qartë pra, disa autoritete nuk ishin të favorshëm ndaj lejimit të përjashtimeve nga taksat për grupet e ndryshme fetare. Megjithatë, ndihma erdhi nga një burim që nuk e prisnin—një zyrtar qeverie i cili ishte agnosticist. Ai tregoi interes në kërkesën tonë për përjashtim dhe tregoi se si duhet të procedonim. Në nëntor të vitit 1972, vetëm pas katër muajsh u lejua përjashtimi nga taksat. Augusto Makado, i cili po punonte në zyrën e Shoqatës, kujton: «Ne filluam nga hiçi, duke mos ditur praktikisht asgjë; por me besimin tek Jehovai dhe duke bërë plotësisht detyrat tona, ne morëm atë që dëshironim. Jehovai me të vërtetë i drejton shërbëtorët e tij.»
Kishte shumë për të mësuar
Perspektiva për të shtypur në një makinë shtypi rotative me fletë metalike paraqiti sfida të reja. Makina e shtypit, plotësisht e çmontuar mbërriti në dhjetor të vitit 1972, e paketuar në 47 arka të mëdha, disa prej të cilave peshonin deri në gjashtë ton. Milan Miler ishte dërguar nga qendra botërore për të parë nëse do të montohej në mënyrë të përshtatshme. Ai koordinoi punën e një grupi prej nëntë vëllezërish për të instaluar makinën e shtypit dhe më pas i mësoi se si ta përdornin atë. Pjesëmarrja në instalimin e makinës së shtypit i ndihmoi vëllezërit për të kuptuar se si ta mirëmbanin atë. Shumica prej tyre ishin vëllezër të rinj, të cilët deri atëherë kishin patur pak ose aspak përvojë në punën e tipografisë. Karl Ric, i cili mori pjesë në atë projekt instalimi, ishte mbikëqyrësi i fabrikës dhe ai vazhdon të shërbejë në atë përgjegjësi edhe tani.
Gati në të njëjtën kohë mbërriti letra që ishte importuar për të shtypur revistat. «Ngarkesa e parë ishte 150 ton letër» kujtoi Euklides Justino, i cili u dërgua nga Betheli në port për ta marrë atë. «Ne rregulluam që ta bënim transportin me kamionë nga porti në Santos deri në Bethel në San Paulo. Por ne nuk e morëm me mend që, vinçi i portit vetëm sa i ngrinte rrotullat e letrës dhe i hidhte mbi kamion, prandaj atyre u duheshin burra të fortë për të sistemuar ato rrotulla të rëndë në kamion. Kështu, vëlla Makado dhe unë u ngjitëm në kamiona dhe filluam t’i kthejmë rrotullat, secila peshonte 400 kilogram, dhe t’i rrokullisnim ato në vendin e tyre. Hamenjtë e portit u shkrinë së qeshuri duke parë dy burra me kravata që luftonin me rrotullat e letrës. Lumturisht, ishte pothuajse koha e drekës, kështu që e lamë punën për të ngrënë. Gjatë orës së drekës pajtuam disa burra për të mbaruar punën.» Por gradualisht vëllezërit po mësonin rreth punës që përfshihej në shtypjen me makinë shtypi rotative me fletë metalike.
Në vitin 1973 mbërriti një tjetër makinë shtypi rotative me fletë metalike, me kapacitet shtypjeje të ngjashëm me të parën: 12.500 revista në orë. Që atëherë, janë instaluar edhe makineri të tjera, një nga këto me kapacitet katër-ngjyrash. Kështu, përgjatë viteve kemi pasur mundësi të ecim krahas me kërkesat për literaturë biblike.
Dedikimi i shtesës së re të Bethelit
Rreth katër muaj para se të mbërrinte makina e dytë e shtypit, ishte programuar të mbahej dedikimi i shtesës së re të Bethelit. Disa shprehën dyshime se mos puna e ndërtimit nuk do të mbarohej dot në kohë. Por përgjigja e Fred Uillson, mbikëqyrës i degës, ishte: «Ju nuk i njihni vëllezërit tanë.» Ata iu vunë me gjithë zemër punës, duke qëndruar deri natën vonë, gjithashtu dhe të shtunave e të dielave. Në 17 mars, 1973, dita e dedikimit, ata ishin duke dhënë dorën e fundit në ndonjë pjesë që kishte mbetur. Pasdite gjithçka ishte gati! Ngarkesa e fundit me mbeturinat e ndërtimit kaloi nga ana e pasme ndërsa vizitorët filluan të hynin në ndërtesë!
Natan H. Knorr, atëherë presidenti i Shoqatës Watch Tower dhe Maks Larson, mbikëqyrësi i fabrikës në Bruklin, ishin aty për këtë rast. Vëllai Knorr mbajti fjalimin e dedikimit. Ditën tjetër, kishte një program special prej tre orësh ku kishte një turmë me më shumë se 28.000 të pranishëm, të cilët mbushën plot stadiumin Ibirapuera. Në atë rast, pasi foli për rëndësinë e shqyrtimit rregullisht të shkrimit të ditës, vëllai Knorr prezantoi Librin vjetor për vitin 1973, të botuar për herë të parë në gjuhën portugeze. (Më parë, materiali për t’u përdorur si bazë për shqyrtimin e shkrimit të ditës ishte ekspozuar në Kullën e Rojës.) Leximi dhe shqyrtimi i përditshëm i një pjese të Fjalës së Perëndisë është i rëndësishëm në jetën e popullit të Jehovait, në përputhje me atë që tha vetë Jezu Krishti: «Njeriu duhet të jetojë, jo vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.»—Mat. 4:4
Kongresi Ndërkombëtar «Fitorja hyjnore»
Viti 1973 u mbyll me kongresin më të madh që është mbajtur ndonjëherë në Brazil nga populli i Jehovait, në stadiumin Pakaèmbu në San Paulo, nga 26 deri në 30 dhjetor. Një balonë shumë e madhe që bënte të ditur temën «Fitorja Hyjnore» fluturonte mbi stadium. Programi forcoi bindjen e të pranishmëve, se fitorja hyjnore e Mbretërisë së Perëndisë do të sillte me të vërtetë bekimet më të mëdha për racën njerëzore. Edhe gjatë vetë asamblesë ata panë dëshmi se arsimimi në lidhje me vullnetin e Perëndisë siç është shkruar në Bibël tashmë kishte ndryshuar jetën e dhjetëra mijëra personave në Brazil. 28 vjet më parë, vëlla Knorr kishte folur para një auditori prej 765 personash në një palestër afër stadiumit. Në atë rast, duke i hedhur një vështrim atij stadiumi të stërmadh, vëllai kishte pyetur me zë të lartë nëse Dëshmitarët e Jehovait në Brazil do ta mbushnin ndonjëherë atë ndërtesë. Ajo ide u bë realitet në vitin 1973, kur vëllai Knorr foli përpara një auditori prej 94.586 personash që mbushnin plot e përplot po atë stadium! Një ditë më parë ishin pagëzuar 3.187 shërbëtorë të rinj. Ai kongres pesëditor ishte në vetvete një dëshmi e fitores hyjnore!
Në atë rast ishin të pranishëm delegatë nga të gjitha anët e vendit. Nga Manausi, kryeqyteti i shtetit të Amazonave, rreth 3750 kilometra larg, erdhën tre autobusë dhe katër makina me delegatë, grupi i parë që kishte udhëtuar ndonjëherë përmes rrugës kryesore Trans-Amazon që nuk ishte shumë e sigurt. Një grup tjetër udhëtoi për 2700 kilometra nga Belèmi, në bregun verior dhe një tren special bashkë me 180 autobusë sollën delegatë të gëzuar, nga Rio de Zhaneiro. Kaq e madhe ishte buja saqë guvernatori i shtetit të San Paulos dhe kryetari i bashkisë së qytetit vizituan vendin ku do të mbahej kongresi.
Sigurimi i strehimit për këta mijëra delegatë ishte një sfidë, sepse shumë prej tyre nuk kishin mundësitë për të paguar një dhomë hoteli. Reparti i Strehimit trajtoi rreth 21.000 kërkesa për strehim. Në përputhje me këshillën e Biblës për «të ushtruar mikpritjen», Dëshmitarët dhe persona të tjerë u vunë në dispozicion për strehim në shtëpitë e tyre. (Rom. 12:13) Më shumë se 6.000 delegatë u vendosën nëpër Salla Mbretërie. Delegatët nga Amazona u strehuan të gjithë në një fabrikë të ofruar nga burri i një motre. Dyshekët u siguruan nga Dëshmitarët dhe personat e interesuar.
Dy muaj më vonë i njëjti program kongresi u përsërit në Salvador, Bahia me 32.348 persona të pranishëm.
«Ju duhet të tregoheni të shenjtë»
Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait nuk e kishin parë me sy të mirë përdorimin e duhanit, serioziteti i çështjes nuk ishte kuptuar mirë deri në vitin 1973. Kështu, disa Dëshmitarë vazhduan të pinin duhan edhe pasi u pagëzuan. Megjithatë, në këtë kohë të duhur, Jehovai i ndihmoi shërbëtorët e tij të kuptonin parimet e Biblës që kishin lidhje me qëndrimin e tyre ndaj atij zakoni. (2. Kor. 7:1; Gal. 5:19-21, shënimi) Kulla e Rojës e 1 dhjetorit, 1973 (portugalisht) theksoi se, që këtej e tutje të gjithë ata që dëshironin të pagëzoheshin duhet të liroheshin nga përdorimi i duhanit. Atyre që ishin tashmë të pagëzuar dhe vazhdonin të pinin duhan, iu dhanë gjashtë muaj kohë për të lënë atë zakon nëse donin të mbeteshin pjesë e kongregacionit.
Duke qenë të nxitur në mënyrën e duhur, shumica e njerëzve qenë në gjendje të liroheshin nga ai ves i pistë. Një vëlla, i cili vazhdonte të pinte duhan në atë kohë, edhe pse ishte pagëzuar që në vitin 1964 arsyetoi se, nëse të tjerët do të linin duhanin për arsye shëndetësore, aq më shumë ai duhet të ishte në gjendje ta linte duhanin që të mund të vazhdonte t’i shërbente Jehovait. Është e vërtetë se disa u përjashtuan, por një numër i tyre më në fund patën një ndryshim të mendjes dhe të zemrës së tyre, lanë duhanin dhe u rivendosën në kongregacion. Në këtë mënyrë populli i Jehovait vazhdoi të ndreqej për t’iu përshtatur normave të larta të shenjtërisë së Perëndisë.—Lev. 19:2; 1. Pjet. 1:16
A po mbaron koha?
Me synimin për të ndihmuar njerëzit që të shinin nevojën urgjente për të marrë një qëndrim në anën e Jehovait në çështjen e soranitetit, gjatë viteve ‘70 u ndërmor një shpërndarje intensive e fletushkave Lajmërim i Mbretërisë. A po mbaron koha për njerëzimin? ishte titulli i Lajmërimit të Mbretërisë Nr.16. Amaro Santos, i cili ka shërbyer në Bethel 25 vjetët e kaluar, shpjegoi: «Shoqata i dërgoi çdo kongregacioni sasinë e 100 fletushkave për lajmëtar, që të shpërndaheshin falas brenda dhjetë ditëve, nga 22 deri në 31 mars të vitit 1974. Fletushka u shtyp me një stil tërheqës që preku madje edhe vëmendjen e atyre që zakonisht ishin indiferentë ndaj mesazhit të Mbretërisë. Më shumë se 7.000 lajmëtarë të rinj u bashkuan me Dëshmitarët e tjerë në shpërndarjen e tetë milion fletushkave.»
Disa nga ata që morën fletushkën vepruan menjëherë sipas asaj që mësuan. Kjo është e vërtetë në rastin e një studenti kolegji 22-vjeçar në San Paulo. I prekur nga urgjenca e situatës, ai pranoi një studim biblik me ndihmën e librit E Vërteta që të çon në Jetën e Përhershme. Shpejt ai filloi t’u flasë të tjerëve në kolegj rreth asaj që po mësonte dhe tre muaj më vonë, ai vetë mori pjesë në shpërndarjen speciale të një fletushke tjetër.
U bënë përpjekje të zellshme për të arritur madje edhe njerëzit në zonat e thella. Në të morën pjesë me gëzim edhe lajmëtarë të rinj. Në lidhje me atë që bënë dy nga këta të rinj në shtetin e Rio Grande do Sul, Belarmino Kola, i cili atëherë ishte vetëm 15 vjeç tregon: «U nisëm nga shtëpia në orën 600 të mëngjesit dhe pasi na u zhdukën nga sytë shtëpitë, nuk takuam asnjeri deri në orën 1000 paradite. Disa herë na duhej të ecnim në këmbë sepse ishte e pamundur të ecje me kalë nëpër shtigje. Punuam deri në orën 830 pasdite dhe e kaluam natën tek një person i interesuar. Në orën shtatë, mëngjesin tjetër filluam përsëri të punonim deri në orën 300 pasdite dhe atëherë u drejtuam për në shtëpi, ku mbërritëm në mesnatë. Në dy ditë kishim udhëtuar 90 kilometra dhe kishim lënë vetëm 30 fletushka.» Këta lajmëtarë të Mbretërisë kuptuan se mesazhi që ata po shpërndanin vuri para njerëzve një mundësi, që mund të nënkuptonte jetë të përhershme dhe që miliona njerëz në Brazil kishin nevojë të përfitonin prej kësaj mundësie. Ata ndjenë urgjencën e treguar në titullin e asaj fletushke, Nr.16.
‘E pamundur t’u largohesh Dëshmitarëve’
Në vitin 1974, Edivaldo Gil da Silva dhe gruaja e tij, Marli, të cilët ishin pionierë specialë në atë kohë, rregulluan të studionin Biblën dy herë në muaj me një zonjë që jetonte në një fermë larg nga rruga në Ribeirào Preto, në shtetin e San Paulos. Për të shkuar atje, ata duhet të bënin një udhëtim mbi një kamion qumështi në orën 400 në mëngjes dhe pastaj të ecnin në këmbë për 9 kilometra. Studimi shkoi mirë për disa muaj derisa burri filloi të kundërshtonte. Ai arriti deri aty sa ndërroi shtëpi pa lënë adresën e re.
Në një kongres krahinor tetë vjet më vonë, një çift shkoi tek Edivaldo dhe Marli dhe i pyeti: «A na mbani mend? Ne jemi ai çifti që ju vizitonit në fermë.» Burri shpjegoi se ai kishte ndërruar shtëpi për t’u larguar nga Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, kur ata arritën në shtëpinë e tyre të re dhe madje para se të shkarkonin plaçkat nga kamioni, u shfaqën dy Dëshmitarë dhe u folën rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Kjo e bëri të mendohej burrin. Ai pranoi një studim biblik dhe bëri një përparim të mirë; muaj më vonë ai dhe e shoqja u pagëzuan.
Një vizitë freskuese frymësisht
Në shtator të vitit 1974, vëllezërit në San Paulo gëzuan një banket të veçantë. Çfarë ishte ky? Një vizitë nga Frederik W. Franc, që atëherë ishte zëvendës-president i Shoqatës Watch Tower. Kjo nuk ishte vizita e tij e parë në Brazil. Bashkë me vëlla Knorr ai kishte shërbyer në një program kongresi në San Paulo në vitin 1945. Megjithatë, këtë radhë ai ishte i shoqëruar nga Karl Klein, i cili pak kohë më pas filloi të shërbente bashkë me të në Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata do të kalonin tre ditë në San Paulo për pushime, por gjetën, gjithashtu, kënaqësi duke u komunikuar «disa dhurata frymore» vëllezërve të tyre të krishterë. (Rom. 1:11, 12) Çfarë do të ishte më e kënaqshme sesa një bisedë mbi çështjet frymore? Menjëherë u bënë rregullime për një mbledhje speciale në një teatër. Të pranishëm ishin një total prej 2.000 personash.
Masàsu Kikuta, i cili ka qenë anëtar i personelit të degës që nga viti 1967, kujton: «Vëllai Franc i habiti të gjithë, duke e mbajtur fjalimin e tij rrjedhshëm në gjuhën portugeze. Pa përdorur një Bibël apo ndonjë shënim (shikimi i tij ishte dobësuar tashmë), ai citoi dhe shpjegoi gjithë Psalmin 91, varg për varg, për më shumë se dy orë megjithëse ishte në moshën 80-vjeçare.» Më vonë u mësua se ai kishte bërë të njëjtën gjë në spanjisht për vëllezërit në Paraguai!
Njëmbëdhjetë jetimë mësojnë të vërtetën
Rreth kësaj kohe, një familje në shtetin e Goiàsit kishte nevojë urgjente për ndihmë, për të kuptuar arsyen e vuajtjeve njerëzore dhe qëllimin e vërtetë të jetës. Babai i tyre, i dëshpëruar nga problemet e rënda financiare, kishte kryer vetëvrasje dhe disa muaj më vonë, mamaja e tyre kishte vdekur nga një infarkt në zemër. Pjesëtarët e mbijetuar të familjes Vinàl, që ishin 11 fëmijë, kishin mbetur jetimë. Kur katastrofa goditi familjen e tyre në atë mënyrë në vitin 1974, fëmija më i madh ishte 17 vjeç dhe më i vogli vetëm 40 ditësh. Me vendosmëri dhe punë të rëndë nga ana e tyre, ishte e mundur që pesë prej tyre të jetonin së bashku, por gjashtë fëmijët më të vegjël duheshin dërguar të jetonin tek të afërmit. Duke u përpjekur për t’i ngushëlluar ata, disa njerëz thanë se tragjedia e tyre ishte vullneti i Perëndisë. Kjo, patjetër, vetëm sa i bëri ata më të pikëlluar.
Më e madhja prej tyre, Maria Luçia kishte pyetje serioze mbi Perëndinë dhe mbi Kishën Katolike. Kur dëgjoi një Dëshmitare që po i ofronte një studim biblik pa pagesë njërës prej shoqeve të saj të punës, asaj i lindi interesi. Duke parë interesin e saj, një shoqe e punës i dhuroi librin E Vërteta që të çon në jetën e përhershme. Kur Maria Luçia e pa përsëri ditën tjetër Dëshmitaren, ajo i kërkoi menjëherë një studim biblik pa pagesë, të cilin Dëshmitarja ia kishte ofruar shoqes së saj të punës. Shpresa për ringjallje që shfaqet në fjalët e Jezuit, të regjistruara në Gjonin 5:28, 29, e mbushi atë me shpresë. Mësimi i asaj që thotë Bibla mbi faktin se përse i lejon Perëndia gjërat e liga e ndihmoi atë të kuptonte se ai nuk i kishte harruar ata. Me kalimin e kohës, të gjithë përveç fëmijës më të vogël patën mundësi të jetonin bashkë, përsëri si një familje. Ata inkurajuan njëri-tjetrin frymësisht. Të 11-të fëmijët studiuan Biblën dhe u pagëzuan. Nga Bibla ata mësuan parimet e sjelljes së krishterë. Në kuptim frymor nuk ishin më jetimë, tashmë ata kishin «vëllezër, motra dhe nëna» njëqindfish. (Marku 10:29, 30) Sot, njëra nga motrat është pioniere speciale, një tjetër është misionare në Paraguai dhe Paulo e gruaja e tij shërbejnë në Bethelin e Brazilit.
100.000 lajmëtarë
Përgjatë viteve ka pasur një rritje të rregullt në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë. Viti i shërbimit 1959 tregoi një rritje prej 23 për qind mbi vitin e mëparshëm. Gjatë dekadës që pasoi, përqindja e rritjes zbriti, duke lëvizur nga 9 në 14 për qind. Pastaj, në vitin 1975, numri i personave të pagëzuar u ngrit në 16.789 dhe për herën e parë, numri i lajmëtarëve kaloi nivelin e 100.000 personave, me një rritje prej 17 për qind mbi vitin e mëparshëm. Gjithashtu, për herë të parë numri i pionierëve specialë në fushë e kaloi shifrën 1.000, ndërsa vihej më shumë theksi mbi veprën në territoret e izoluara dhe në ato të punuara rrallë. Megjithëse shkalla e rritjes u zvogëlua në dekadën që pasoi, vepra e predikimit po shkonte përpara. Dhe më shumë rritje ishte duke ardhur.
Në atë kohë, Brazili kishte më shumë se 100 milionë banorë dhe rreth 20 për qind e tyre nuk arrihej rregullisht me lajmin e mirë. Shumë nga këta jetonin në provinca të vogla, pak larg qyteteve të mëdha. Në një përpjekje për të arritur këta njerëz dhe për të programuar mbledhje atje ku kishte interes të mjaftueshëm, Trupi Udhëheqës dha aprovimin për caktimin e pionierëve të përkohshëm specialë përveç 1.000 personave që tashmë ishin duke shërbyer si pionierë specialë. Në fillim, disa u caktuan për tre muaj, më vonë kjo periudhë u zgjat. Të parët nga këta pionierë të përkohshëm specialë u caktuan në nëntor të vitit 1985, kur 128 prej tyre u dërguan në 113 provinca të ndryshme. Rezultatet ishin shumë inkurajuese.
Në një provincë në Goiàs, kur pionierët i bënë një rivizitë një zonje që kishte kërkuar një kopje të Përkthimit Bota e Re, e gjetën atë duke qarë. Përse? Asaj i kishin thënë se nuk duhet ta lexonte atë Bibël ngaqë përmbante një emër të ndryshëm për Perëndinë—Jehova. Por kur u ndihmua për ta parë më thellë çështjen, ajo dhe miqtë e saj mësuan se emri Jehova shfaqej edhe në disa vende në vetë Biblën e tyre. Ajo u zemërua shumë me priftin e kishës së saj. Si rezultat u filluan 45 studime të reja biblike!
Në shtetin e Piaui̇̀t, u gjet një burrë i cili ishte i etur për ujërat e së vërtetës. Para se të kontaktohej nga pionierët ai kishte lexuar pjesë nga një kopje e marrë hua e librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Ai u entuziazmua kaq shumë nga ajo që po lexonte, saqë ishte i vendosur ta kopjonte të gjithë librin me dorë. Kur e kontaktuan pionierët ai kishte kopjuar tashmë 21 kapituj. Sa i lumtur ishte ai kur mori kopjen e vet personale të shtypur të librit dhe kur filloi një studim të rregullt biblik me të!
Dy motra pioniere që shërbenin në shtetin e Sergi̇̀pit hasën shumë kundërshtim nga dhjaku i një kishe, i cili po shërbente si zëvendës i priftit. Cili ishte rezultati? Dhjaku shpalli publikisht me anë të një altoparlanti se, Jehova nuk është emri i Perëndisë por ai ishte shpikur nga një sekt amerikan. Kjo gjë vetëm sa zgjoi interesin e shumë anëtarëve të kishës dhe brenda një kohe të shkurtër pionieret po drejtonin 67 studime biblike në shtëpi!
Në Rio Grande do Norte, pionieret filluan një studim me një zonjë, së cilës i pëlqeu kaq shumë studimi i saj i parë saqë ftoi dhe fqinjët e saj të vinin në studimin tjetër. Duke u përgatitur ajo mori hua pesë banka nga një shkollë. Të pranishëm ishin 30 persona, por edhe më shumë donin të vinin, kështu që studimet u vazhduan në një klasë shkolle.
Në një provincë të vogël në Mato Groso do Sul, një mjek dhe gruaja e tij studiuan Biblën dhe me kalimin e kohës filluan të merrnin pjesë në shërbimin në fushë. Pamja e një mjeku që shkonte nga shtëpia në shtëpi për të folur rreth Biblës shkaktoi gati një trazirë në atë provincë. Kur pionierët që kishin studiuar me këtë çift e panë të nevojshme të largoheshin, mjeku dhe gruaja e tij ishin të vetmit Dëshmitarë aktivë që gjendeshin atje. Ata shërbyen si pionierë ndihmës dhe më vonë si pionierë të rregullt. Në fillim, ata i mbanin të gjitha mbledhjet vetëm, por me kohë u formua një kongregacion prej dhjetë lajmëtarësh. Ky çift tani shërben në Bethelin e Brazilit.
Sallat e para të asambleve
Ndërsa numri i Dëshmitarëve të Jehovait rritej anembanë vendit, u bë gjithnjë e më e vështirë gjetja e vendeve të përshtatshme për të mbajtur asambletë. Përpjekja e parë për të pasur një vend tonin u bë në Salvador, Bahi̇̀a, ku ka një klimë të butë tropikale gjatë gjithë vitit. Në vitin 1975 u ndërtua një amfiteatër pjesërisht i mbuluar, me rreshta stolash prej betoni, të mjaftueshme për 4.000 persona, në shpatin e pjerrët të një lugine. Ky u quajt Parku i Asambleve. Më vonë po atë vit, filloi ndërtimi i një Salle asamblesh në një zonë të bukur pyjore në Ribeirào Pires, San Paulo rreth 37.5 kilometra larg qytetit të San Paulos. Vite më vonë u ndërtua një sallë tjetër anash sallës së parë dhe u lidh me të parën me një qark të mbyllur televiziv. Të dyja së bashku kanë një kapacitet prej 3.300 vendesh. Në 1979, filloi ndërtimi i një Salle të dytë Asamblesh, në Dukè de Kasi̇̀as afër Rio de Zhaneiros.
Ata që punuan në ndërtimin e këtyre Sallave të Asambleve treguan një frymë entuziaste. Kjo frymë e shkëlqyer kompensoi përvojën e paktë të disave dhe mungesën e makinerive dhe pajisjeve të përshtatshme. Për shembull, në Ribeirào Pires duhej gërmuar një gropë me thellësi 7 metra për të arritur tokën e qëndrueshme për bazamentin e themeleve. U përdor një ekskavator, por ai mund të përdorej vetëm për të hapur gjysmën e thellësisë së kërkuar. Pjesa tjetër duhej bërë me kazma dhe lopata. Duheshin gërmuar më shumë se 20 gropa të tilla.
Po për sa i përket gatimit dhe derdhjes së betonit? Për projektin në Ribeirào Pires nuk kishte as fabrikë çimentoje dhe as auto-përzjerëse betoni. Nàtal Bàtulviçins, një pjesëtar i familjes Bethel, kujton: «Betoni gatuhej në dy përzjerëse të vjetra çimentoje që manovroheshin me dorë dhe merrej me karroca dore për t’u çuar në zonën që po betonohej. Kishte radhë me 20 deri në 30 vëllezër vullnetarë që shtynin karrocat e dorës. Për zonat e larta dhe ato të vështira për t’u arritur kishte një person të dytë, që ndihmonte duke e tërhequr karrocën me kanxha. Për të shtruar dyshemenë në disa zona, të gjithë vullnetarët, duke përfshirë ata në shërbimet administrative, morën pjesë në punë, që disa herë merrte 24 orë.»
Një administratë e re
Për Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, viti 1976 shënoi një ndryshim domethënës në strukturën e organizimit të degëve. Në 1 shkurt të atij viti, u vu në zbatim rregullimi për Komitetet e Degës. Në vend se të kishin vetëm një mbikëqyrës, u caktua një komitet me vëllezër të pjekur fymësisht që përfaqësonin Trupin Udhëheqës, të cilët do të mbikëqyrnin veprën në vendin ku ishin. Të gjithë këta janë burra pleq frymësisht, barinj të tufës së Perëndisë.
Në Brazil, fillimisht komiteti ishte i përbërë nga shtatë anëtarë: Masàsu Kikuta, Xhon Kushnir, Augusto Makado, Karl Ric, Amaro Santos, Henri Selbert dhe Fred Uilson. Në vitet që pasuan, vëllait Selbert iu desh të largohej nga Brazili për shkak të përgjegjësive familjare dhe vëlla Kushnir vdiq në vitin 1988. Të tjerët vazhdojnë të shërbejnë në komitet dhe në vitin 1995 Osten Gustavson u caktua për të qenë anëtari i gjashtë i komitetit. Nga fundi i vitit 1976 disa anëtarë të Komitetit të Degës së Brazilit bashkë me përfaqësues të tjerë të degëve rreth botës, morën pjesë në mbledhjet e mbajtura në Nju Jork nga Trupi Udhëheqës. Mbledhjet shërbyen për t’i njohur anëtarët e komiteteve në mënyrë më të plotë me përgjegjësitë e tyre, me pjesëtarët e Trupit Udhëheqës dhe me qendrën botërore.
Duke marrë më shumë dobi nga Kongreset
Po në vitin 1976 filloi t’i kushtohej vëmendje nevojës për të përmirësuar sistemet e akustikës që përdoreshin në kongrese. Më përpara ishin përdorur amplifikatorë, altoparlantë dhe megafonë të projektuar për hapësira të vogla. Disa herë përdoreshin modele të ndryshme, disa prej tyre shumë të vjetra, sipas rastit që u jepej. Cili ishte rezultati? Riprodhim i pamjaftueshëm i zërit dhe ndërprerje të shpeshta të programit.
U deshën vite me radhë pune dhe shumë pajisje të reja për të përmirësuar këtë situatë. Tani, në shumicën e kongreseve, të gjithë të pranishmit mund të dëgjojnë qartë dhe të gëzojnë programin frymor. Kjo është e rëndësishme kur mësojmë se për vitin 1995, u mbajtën 158 kongrese krahinore në 82 qytete të ndryshme dhe se 724.849 personat që ishin të pranishëm në to harxhuan shumë kohë, energji dhe para për të qenë të pranishëm. Ata meritonin më të mirën për sa i përket akustikës, që të mund të përfitonin plotësisht nga programi. I lumtur me rezultatet, një mbikëqyrës qarkor në Rio Grande do Norte shkroi në vitin 1994: «Është një kënaqësi për mua t’ju informoj se në kongresin tonë akustika ishte e shkëlqyer dhe si rezultat, vëllezërit ishin shumë të vëmendshëm dhe mbajtën shumë shënime.»
Por çfarë mund të themi për cilësinë e akustikës në Sallat e Mbretërisë anembanë vendit? Në vitin 1993, u mbajtën më shumë se 100 programe speciale në mbarë vendin për të dhënë sugjerimë praktike se si mund të përmirësohej cilësia e akustikës për mbledhjet e kongregacionit. Më shumë se 9.000 vëllezër ishin të pranishëm në këto fjalime dhe një instruktor tregoi: «Fjalimi në Floriano, Piàui u mbajt gjatë një periudhe me thatësirë të madhe dhe vëllezërit ishin në gjendje të vështirë nga ana financiare. Por pavarësisht nga këto, të gjithë ata që ishin ftuar ishin të pranishëm. Disa kishin udhëtuar më shumë se 12 orë për të qenëtë pranishëm.»
Ndërpritet liria në Kashoejras dej Makaku
Disa herë janë ngritur disa pengesa si rezultat i keqkuptimeve nga ana e zyrtarëve. Të dielën në 13 qershor, 1976, policia mbylli Sallën e Mbretërisë në Kashoejras dej Makaku, në shtetin e Rio de Zhaneiros për shkak të një urdhëri të dhënë nga një gjykatës atje. Në atë bashki u ndalua edhe gjithë predikimi i Mbretërisë. Për cilën arsye?
Dy ditë më parë, një i ri 17-vjeçar kishte plagosur veten aksidentalisht me një armë zjarri. E çuan menjëherë në spital me hemorragji të brendshme dhe anemi akute. Babai i tij i kërkoi mjekut që të bënte gjithçka ishte e mundur për ta shpëtuar djalin e tij, por pa iu drejtuar transfuzioneve të gjakut. Mjerisht, i riu vdiq gjatë operacionit edhe pse iu bë transfuzion gjaku, në kundërshtim me vullnetin e shprehur nga i ati. U bë një hetim gjyqësor për të përcaktuar se kush ishte përgjegjës për këtë. Raporte lajmesh të shtrembëruara ndikuan mbi vendimin dhe rezultati ishte një urdhër për të mbyllur Sallën e Mbretërisë. Me ndihmën e katër avokatëve, Ladislau Leki̇̀, mbikëqyrësi i kongregacionit lokal, bëri kërkesë për një vendim gjyqësor. Më në fund kjo kërkesë u dëgjua në 26 tetor. Vëlla Orlando do N. Paula, një nga avokatët, përdori këtë mundësi të vlefshme që u paraqit për të bërë një paraqitje gojore të çështjes. Gjykatësit dhanë njëzëri një vendim gjyqësor, duke anulluar kështu urdhërin e mëparshëm dhe duke bërë të mundur përdorimin e Sallës së Mbretërisë përsëri dhe vazhdimin e veprës së predikimit të Mbretërisë. Liria fetare ishte rikonfirmuar!
Në kongreset krahinore «Punëtorë të gëzuar» vitin që pasoi, u mbajt një fjalim që theksoi edhe një herë kërkesën e Jehovait që gjaku të trajtohej si diçka e shenjtë. (Lev. 17:10, 11; Vep. 15:28, 29) Në atë rast, u prezantua broshura Dëshmitarët e Jehovait dhe çështja e gjakut dhe gjatë muajve prill dhe maj 1978 u ndërmor një fushatë për t’ua dhënë në dorë gjykatësve, avokatëve, mjekëve, infermiereve dhe administratorëve të spitaleve, duke u përpjekur t’i ndihmonin ata që të kuptonin dhe të respektonin pozicionin që mbanin Dëshmitarët e Jehovait. Vëllezërit u inkurajuan t’i jepnin një kopje të broshurës mjekut të familjes së tyre. Përveç kësaj u caktuan, gjithashtu, vëllezër që t’ua shpërndanin broshurën bashkë me një letër shpjeguese mjekëve dhe profesionistëve të tjerë, të cilët mund të mos kontaktoheshin nga lajmëtarët individualisht. Në Brazil kishte më shumë se 70.000 mjekë. Ishte një projekt shumë i madh dhe u plotësua me sukses, por duhej bërë më shumë punë. Edhe më vonë, kësaj çështjeje do t’i jepej akoma vëmendje.
Përgatitje për më shumë rritje
Pritej një rritje e mëtejshme e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë si dhe një zgjerim i veprës së tyre të dëshmisë, kështu që për këto duheshin bërë përgatitje. (Krahaso Isainë 54:1-3.) Për të prodhuar literaturën e duhur, u bë i nevojshëm zëvendësimi i pajisjeve të makinës së shtypit rotative me makina shtypi ofset, më moderne dhe më të shpejta. Kërkohej një hapësirë e madhe për të punuar. Në një përpjekje të përkohshme për të plotësuar këtë nevojë u ndërtua një shtesë në Sallën e Asambleve në Ribeirào Pires në vitin 1975. Kjo siguroi vend magazinimi për një sasi letre. Megjithatë, ishte e qartë se duhet të gjenim një pronë më të madhe për të zgjeruar shtëpinë Bethel si dhe zyrën e degës dhe shtypshkronjën.
U shqyrtua mundësia e blerjes së një prone shtesë afër ndërtesave ekzistuese në San Paulo, por ligjet e asaj zone dhe kostoja e lartë e pronës e bënë jo praktike. Alternativa ishte të lëvizim degën në një vend tërësisht të ri. Trupi Udhëheqës rekomandoi që të kërkonim një pronë jashtë qytetit të San Paulos. Pasi u shqyrtuan disa mundësi, në gusht të vitit 1977 u ble një pronë prej 114 hektarësh në bashkinë e Çezario Lange, San Paulo. rreth 135 kilometra larg qytetit të San Paulos.
‘Ju nuk po tregoheni largpamës’
Menjëherë pasi blemë pronën, u bë një ftesë për vullnetarë që të ndihmonin në përgatitjen e vendit për ndërtimin. Propozimet për ndërtimin iu dërguan, gjithashtu, Trupit Udhëheqës. Ne mendonim se projektet tona përfshinin hapësirë të gjerë që të plotësonte në një kohë të gjatë nevojat e zgjerimit. Në fakt, ne mendonim se mund ta kishim projektuar ndërtesën shumë të madhe. Megjithatë, përgjigjja e Trupit Udhëheqës na çuditi të gjithëve: ‘Ju nuk po tregoheni largpamës! Ju duhet ta ndërtoni dy herë më të madhe se sa e keni projektuar!’
Rezultati ishte një projekt që kërkonte një hapësirë pesë herë më të madhe, për banesa, fabrika e zyra, se ajo që kishim në San Paulo. A ishte e nevojshme? Mirë pra, që nga viti 1977 numri i Dëshmitarëve në Brazil është katërfishuar dhe numri i orëve që dedikohen në shërbim çdo vit është gjashtë herë më i madh se ç’ishte atëherë.
U bënë rregullime që një firmë ndërtimi të ngrinte ndërtesat e reja të degës. Por edhe vëllezërit tanë u kujdesën për aspekte të nevojshme të punës. Paulo Tinoko Karnèiro, një Dëshmitar që është një inxhinier me përvojë, u transferua bashkë me familjen e tij nga qyteti i Salvadorit në një vend afër kantierit të ndërtimit. Rreth 150 Dëshmitarë të tjerë, duke përfshirë disa pjesëtarë të familjes Bethel, siguruan shërbimet mbështetëse, si bërjen e kornizave prej alumini për dritaret, përgatitjen e ushqimeve për punëtorët si dhe mirëmbajtjen dhe pastrimin. Në pikën kulminante të ndërtimit të tre vaktet e ditës u shërbeheshin më shumë se 1.000 punëtorëve. Nuk ishte një përpjekje e vogël!
Numri i madh i burrave të punësuar nga shoqëria e ndërtimit përbënte një territor të shkëlqyer për veprën e predikimit gjatë mbrëmjeve ose në fundjavë. Në një muaj një vëlla u shpërndau punëtorëve më shumë se 80 kopje të librit Libri im i tregimeve biblike. U filluan studime biblike dhe gjashtë punëtorë përparuan deri në pikën e pagëzimit. Njëri nga ata shërben tani si pjesëtar i familjes Bethel të Brazilit.
Mbështetja e përgjegjësive të shtuara
Ndërtimi i godinave të reja të degës solli edhe përgjegjësi në rritje. Maks Larson, nga qendra botërore, foli për këtë gjatë një vizite në Brazil në vitin 1980. Në një fjalim nxitës që mbajti në stadiumin Pakèmbu, në San Paulo, ai theksoi nevojën që të gjithë vëllezërit në çdo vend të financonin veprën e predikimit dhe ndërtimin e shtypshkronjave dhe shtëpive Bethel në territoret përkatëse. A do të ishte e mundur që vëllezërit në Brazil të merrnin përsipër këtë përgjegjësi? Brazili po kalonte një krizë të rëndë ekonomike, me një shkallë të lartë inflacioni dhe papunësie. Pavarësisht nga kjo, përgjigjja ishte e shkëlqyer. Kongregacionet dhe individët kontribuan vullnetarisht dhe rregullisht, kështu që u përfundua ndërtimi dhe u instaluan pajisjet e nevojshme. Bujaria e treguar na sjell ndër mend një rast nga fryma e shfaqur në Izraelin e lashtë kur, në kohën e mbretit David po bëheshin projekte për të ndërtuar tempullin në Jerusalem.—1. Kron. 29:3-9.
Transferimi i 225 pjesëtarëve të familjes Bethel dhe gjithë pajisjeve të shtypshkronjës, nga San Paulo në Çezario Lange, filloi në gusht 1980. U deshën më shumë se 160 kamionë për të bërë transferimin. Pastaj u bë instalimi i pajisjeve dhe rregullimi i ambjentit të ri.
Në 21 mars 1981 u mbajt një program dedikimi. Llojd Berri, një anëtar i Trupit Udhëheqës, ishte i pranishëm në atë rast për të mbajtur fjalimin e dedikimit. Duke cituar fjalët e mrekullueshme të mbretit Solomon në kohën e përurimit të tempullit në Jerusalem, vëlla Berri bëri të qartë se i gjithë nderimi dhe lavdia për ndërtesat e shkëlqyera të Bethelit i takonin Perëndisë Jehova. Pastaj, ai përfundoi duke thënë: ‘Shkak për ndërtimin e këtyre godinave ishte rritja e veprës së predikimit. Kështu që, vepra e predikimit meriton vëmendje të përqendruar nga ju të gjithë.’
Gjatë muajve që pasuan, grupe Dëshmitarësh nga të gjitha anët e vendit erdhën për të vizituar Bethelin. Vetëm në një ditë pushimi, erdhën 12.000 vizitorë në 300 autobusë dhe duzina me makina.
Ata mundën të shihnin se në degë po ndodhte më shumë se vetëm lëvizja në ndërtesa të reja. Po bëheshin hapa të rëndësishëm përpara në fushën e shtypjes së literaturës biblike. Në vitin 1981, në Brazil filluan të shtypeshin botimet në spanjisht të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! për t’u transportuar në vendet fqinjë ku flitej spanjisht si: Bolivi, Paraguai dhe Uruguai. Përveç shtypjes së revistave, dega e Brazilit filloi të shtypte e të lidhte, gjithashtu, libra për studimin e Biblës. Kjo kërkonte shumë pajisje të reja dhe mësimin e aftësive të reja. Në vitin 1981 filloi të funksiononte linja e re e libralidhjes së fabrikës dhe botimi i parë i prodhuar ishte Libri Vjetor për vitin 1982 në portugalisht. Shpejt pas kësaj, u bë shtypja dhe lidhja e të parit nga katër volumet e librit Ndihmë për kuptueshmërinë biblike. Dhe, duke filluar nga viti 1987, libri më i rëndësishëm nga të gjithë kaloi nga ai repart libralidhjeje—Bibla, botimi në portugalisht i Përkthimit Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta.
Shpërndarja me kamionët e Shoqatës
Me qëllim që të reduktoheshin shpenzimet e transportit të literaturës dhe për të siguruar mbërritjen e tyre nëpër kongregacione, në vitin 1982 u zgjerua sistemi i shpërndarjes duke përdorur automjetet e Shoqatës. Ky rregullim kishte qenë në veprim që nga viti 1974, por tani ai do të përfshinte kongregacionet në verilindje—disa prej tyre ishin rreth 2800 kilometra larg.
Tani, kamionët e Shoqatës bëjnë 463 shpërndarje çdo tre javë, duke përshkuar më shumë se 30.000 kilometra. Nën këtë rregullim u shërbehet më shumë se 4.600 kongregacioneve rregullisht. Kamionët përshkojnë 12 rrugë, ku më e gjata zgjat 15 ditë dhe mbulon mbi 6.000 kilometra. Shoferët janë pjesëtarë të familjes Bethel. Dëshmitarët në kongregacione të ndryshme përgjatë rrugës, duke treguar mikpritjen i strehojnë shoferët në shtëpitë e tyre dhe, kur u duhet të ndalojnë për të kaluar natën, shoferët janë të pranishëm në mbledhjet e kongregacionit me vëllezërit lokalë.
Të arrijmë territoret e izoluara
Predikimi i lajmit të mirë vazhdoi të arrinte në zona ku më parë ishte dhënë pak ose aspak dëshmi. Në vitin 1976, Fransi̇̀sko Albukerk dhe gruaja e tij shërbyen si pionierë specialë në Tefè, në rajonin e Amazonave. Ata përfituan nga rastet e festave për t’u predikuar njerëzve që vinin në qytet me varka. Një ditë, Fransi̇̀sko i la një kopje të librit E vërteta që çon në jetën e përhershme një të riu, që ishte një shitës udhëtues dhe i shpjegoi atij se si ta studionte. Kur ata u takuan më në fund pas dy vjetësh, Fransisko pa se i riu e kishte studiuar librin dhe me mprehtësi kishte nënvizuar përgjigjet. Me të u fillua një studim biblik i përjavshëm. Meqenëse duheshin dy orë udhëtim me varkë deri atje ku banonte i riu, Fransi̇̀sko do të shkonte në shtëpinë e të riut dy herë dhe pastaj, dy javët e tjera do të shkonte i riu te shtëpia e Fransi̇̀skos. Brenda një kohe të shkurtër, ky i ri bashkë me katër burra të tjerë u pagëzuan. I riu e transformoi një dhomë të shtëpisë së tij në Sallë Mbretërie dhe shpejt pas kësaj u formua një kongregacion.
Në vitin 1977, disa pionierë që dëshmonin në qytetet e vogla dhe zonat e thella në pjesën qendrore të vendit, përdornin një rulotë si shtëpi. Një nga këta pionierë, Zher Paivà Ferèira, i cili tani është një pjesëtar i familjes Bethel, tregoi: «Ne do ta parkonim rulotën në një qytet të madh në qendër të zonës dhe do të niseshim që andej me makinë për të dëshmuar. Ngriheshim shumë herët dhe pas një mëngjesi të mirë, ishim në territor në orën 800. Pasi punonim gjithë ditën, do të gjenim një vend afër një lumi, të bënim një banjë dhe pastaj të hanim darkë. Flinim në makinë, të ndërprerë vetëm nga zhurma e erës dhe e bulkthave. Ishte shumë e këndshme të zgjoheshim dhe të shihnim llojet e ndryshme të papagallëve që fluturonin afër nesh. Sa për njerëzit në territor, na ngrohej zemra kur shihnim etjen e tyre për të vërtetën. Disa prej tyre morën nga një kopje të çdo libri që kishim me vete. Në një ditë unë shpërndava 48 libra dhe në një muaj bëra 109 rivizita, e megjithatë, akoma nuk ia kisha dalë mbanë t’i vizitoja përsëri të gjithë personat e interesuar. U filluan shumë studime dhe megjithëse shumë njerëz kishin vështirësi për të lexuar, një numër i madh prej tyre erdhën në të vërtetën.»
Martesa—e nderuar para Perëndisë dhe njerëzve
Përveç mungesës së arsimimit bazë për të lexuar dhe për të shkruar, një pengesë tjetër që i ndaloi shumë persona ta bënin të tyren të vërtetën ishte gjendja e tyre martesore. Disa nuk kishin pasur mundësi të paguanin një celebrim zyrtar të martesës apo një celebrim fetar, kështu që kishin zgjedhur të prisnin për më vonë dhe kjo nuk kishte një vlerë ligjore. Sigurisht, kur persona të tillë studiojnë Biblën ata mësojnë që është e nevojshme ta ligjërojnë lidhjen e tyre martesore.—Heb. 13:4, 18.
Në Uberlandia, Minas Gerais, ishte një zonjë që ndodhej në këtë situatë. Ajo ishte «martuar» me një ceremoni katolike shtatë vjet më parë dhe shoku i saj nuk e shihte të nevojshëm ligjërimin e lidhjes së tyre. Çfarë do të bënte ajo? Ndërkohë që përparoi në kuptueshmërinë e Biblës, ajo i tha atij se, nëse nuk do ta ligjëronin lidhjen e tyre, asaj do t’i duhej ta linte, megjithëse nuk donte të vepronte ashtu. Duke kuptuar se ajo po fliste seriozisht për këtë çështje, më në fund ai pranoi. Pas martesës së tyre ajo u pagëzua menjëherë. Deri në vitin 1977, në Brazil nuk kishte një ligj për divorcin. Kështu që, kushdo, që kishte qenë martuar dhe më pas e kishte lënë burrin apo gruan e vet dhe kishte filluar një marrëdhënie me një partner tjetër, nuk kishte asnjë mundësi për ta ligjëruar këtë lidhje. Disa kishin madje edhe nipër nga lidhja e tyre e dytë. Në harmoni me vetë shembullin e Jehovait, që fal mëkatet e bëra në të kaluarën për shkak të padijes, Trupi Udhëheqës bëri një lëshim për studentët biblikë që ishin në atë situatë. Ata mund të pagëzoheshin nëse do të firmosnin një deklaratë, duke u betuar për besnikëri ndaj bashkëshortit/bashkëshortes dhe duke premtuar se do ta ligjëronin bashkimin e tyre sapo kjo gjë të bëhej e mundur. (Veprat 17:30; Rom. 3:25) Një herë e një kohë, në dokumentet e Shoqatës kishte një numër të konsiderueshëm deklaratash të tilla.
Një rast përfshinte një nënë të 13 fëmijëve. Ajo kishte studiuar Biblën për tetë vjet por nuk kishte pasur mundësi të ligjëronte gjendjen e saj martesore. Pastaj, ajo firmosi një deklaratë dhe u pranua për t’u pagëzuar. Kur fëmijët e saj mësuan se çfarë ishte përfshirë në kualifikimin e saj për t’u pagëzuar, tetë prej tyre studiuan, gjithashtu, Biblën dhe më vonë pesë prej tyre u pagëzuan dhe të tjerët filluan të ishin të pranishëm në mbledhje.
Më në fund, u vendos një ligj mbi divorcin dhe, megjithëse ai parashikonte një periudhë pritjeje prej tre vjetësh nga ndarja ligjore deri në divorc, u bë e mundur zgjidhja e shumicës së rasteve të atyre që kishin firmosur deklaratat. Në vitin 1988 qeveria e reduktoi periudhën e pritjes në një vit.
Shkollim i veçantë për shërbimin
Në vitin 1978 iu kushtua vëmendje e mëtejshme stërvitjes së pleqve të kongregacionit. Që nga viti 1959, Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë kishte siguruar stërvitje të veçantë për ata që ishin caktuar si mbikëqyrës. Megjithatë, në vitin 1978 të gjithë pleqtë në Brazil, si ata që kishin marrë pjesë më parë në shkollë edhe të tjerët, u ftuan të përfitonin nga një program special shkollimi dyditor. Gjatë asaj periudhe ata shqyrtuan nga Bibla se si të përmirësoheshin si barinj dhe mësues të tufës, mënyrat me të cilat duhet të merrnin drejtimin në veprën e ungjillëzimit, si t’i mbanin kongregacionet të pastër moralisht dhe frymësisht dhe si të punonin bashkë si trupat e pleqve. Ishin të pranishëm gati 7.000 pleq. Që nga ajo kohë, janë mbajtur periodikisht klasa të mëtejshme, freskuese në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë.
Nuk u harruan edhe shërbëtorët ndihmës. Në Brazil, duke filluar nga viti 1985 u organizuan, gjithashtu, klasa të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë edhe për ta. Dhe, që nga viti 1988 është bërë i mundur përdorimi i Sallave të Asambleve përveç Sallave të Mbretërisë për shkollën, duke u dhënë mundësi kështu një numri të madh pleqsh dhe shërbëtorësh ndihmës që të marrin pjesë bashkë në shkollë. Shkolla e fundit, në vitin 1995, u ndoq nga 22.092 pleq dhe 27.544 shërbëtorë ndihmës. Ç‘trup i shkëlqyer burrash, të cilët janë të zellshëm dhe të kualifikuar nga ana shkrimore për t’u besuar përgjegjësi në kongregacione!
Në vitin 1978, në Brazil filloi të vepronte edhe një shkollë tjetër—Shkolla e Shërbimit të Pionierit. Klasa e parë, që zgjati dy javë, u mbajt në Fortaleza, Searà. Synimi i kësaj shkolle është që të forcojë marrëdhënien e pionierëve me Jehovain, t’i ndihmojë ata të ecin në mënyrë më të plotë në hapat e Jezu Krishtit dhe të përmirësojnë efektshmërinë e tyre në shërbim.
Regjistrimet e Shoqatës tregojnë se gjatë 18 viteve të kaluara, në Brazil janë mbajtur 1.650 klasa dhe 39.649 pionierë të rregullt kanë përfituar prej këtij furnizimi të mrekullueshëm. Vetëm në vitin 1994, në përpjekje për të ndihmuar pionierët anembanë vendit, janë mbajtur 187 klasa në 107 qytete dhe provinca të ndryshme.
E denjë për t’u përmendur është përpjekja që bënë disa pionierë për të qenë të pranishëm në shkollë. Një motër me burrë jobesimtar, ngrihej në orën 500 në mëngjes çdo ditë për të bërë punët e shtëpisë para se të shkonte në klasë dhe më pas ikte menjëherë pas klasës për të marrë fëmijët që dilnin nga shkolla. Një motër tjetër donte të ndryshonte datën e pushimeve të saj që të mund të merrte pjesë në shkollë. Punëdhënësi i saj nuk ishte dakord me këtë, por ajo vazhdoi të provonte ta bindte. Përgjigjja ishte gjithnjë e njëjta: «E pamundur!» Më në fund, pasi i ishte lutur Jehovait ajo i tha punëdhënësit të saj se do ta linte punën. Përse? Ajo duhej patjetër të merrte pjesë në atë shkollë. I prekur nga sinqeriteti i saj, ai më në fund pranoi të ndryshonte datën e pushimeve të saj.
Paulo Azevedo, instruktori i klasës së parë, pohoi në një intervistë: «Shkolla e Shërbimit të Pionierit i ndihmon pionierët ta shohin territorin e tyre nën një dritë të re duke theksuar nevojën që të tregojmë interes personal ndaj të zotit të shtëpisë, duke marrë parasysh problemet e tij apo të saj, rrethanat, konceptet dhe bindjet e tyre. Pionierët që e mbajnë këtë në mendje pranojnë se është njësoj sikur të kishin një territor të ri për të punuar.»
Misionarë për Brazilin
Misionarët kanë bërë një shërbim të paçmueshëm në vendosjen e një strukture të fortë organizative. Dy misionarët e parë, të diplomuar të klasës së parë të Shkollës së Galaadit, mbërritën në Brazil në vitin 1945. Në vitin 1967 numri i të diplomuarve të Galaadit ishte rritur në 76 dhe arriti maksimumin me 117 në vitin 1974. Disa shërbyen për dekada në veprën qarkore dhe krahinore, siç bënë Riçard e Ruth Vutke dhe Erik e Kristina Briten. Përgjatë viteve, këtu kanë shërbyer rreth 250 misionarë nga 11 vende.
Duke folur në përgjithësi, njerëzit në Brazil tregojnë respekt për të huajt. Megjithë këtë, përshtatja në një vend të ri me klimë, ushqim, gjuhë dhe zakone të ndryshme kërkon vendosmëri dhe një ndjenjë të mirë humori. Silvia Gustavson, një misionare nga Suedia, kujton: «Rivizita e parë që bëmë unë dhe burri im Osten në Brazil, ishte me një çift të martuar në Belo Horixonte, Minas Gerais. Pasi folëm me ta për rreth një orë, u thamë se duhet të largoheshim. ‘Është shpejt. Rrini edhe pak!’—ishte përgjigja e tyre. Duke menduar se ishin vërtet të interesuar, u ulëm përsëri dhe vazhduam vizitën. Gjysmë ore më vonë i përsëritëm se duhej të iknim tani. ‘Po është shpejt. Rrini edhe pak!’—thanë ata përsëri. Kjo gjë ndodhi tre herë dhe më në fund ne u larguam kur ishte gati mesnatë! Kjo skenë u përsërit edhe në vizitat që pasuan deri sa mësuam se shprehja—‘Është shpejt. Rrini edhe pak!’—ishte vetëm një mënyrë e sjellshme për të shprehur vlerësimin për vizitën pa dashur të thotë medoemos se një person duhet të rrijë më gjatë. Lumturisht, interesi i atij çifti ishte i sinqertë!»
Misionarë nga Brazili për në vende të tjera
Duke pasur parasysh ndihmën e shkëlqyer që kishim marrë nga misionarët që kishin ardhur në Brazil, sa të lumtur ishim kur mësuam në vitin 1982 se vëllezër nga Brazili do të ftoheshin për të shërbyer si misionarë në vende të tjera! Nga fundi i vitit, tre çifte të martuara ishin caktuar në Bolivi dhe që atëherë, 90 vëllezër dhe motra nga Brazili janë ftuar për të shërbyer si misionarë në Angola, Bolivi, Mozambik dhe Paraguai.
Edhe vetë disa nga këta misionarë brazilianë kanë qenë ndihmuar për të mësuar të vërtetën nga misionarë të tjerë. Ky ishte rasti i Àtila Karneiros, nga Belemi. Ai ishte i pakënaqur me fenë. Kur u kontaktua nga misionarja Delfina Munguja, ai tregoi interes në të vërtetën dhe filloi të merrte revistat rregullisht prej saj. Pas një farë kohe, ajo rregulloi që ai të studionte Biblën tre herë në javë me një vëlla misionar. Duke ndjekur studimin e tij të dytë, Àtila filloi t’u fliste të tjerëve rreth asaj që po mësonte dhe madje para se të pagëzohej ai po drejtonte tre studime biblike! Pas pagëzimit, ai shërbeu si pionier i rregullt dhe më pas si pionier special. Tani ai dhe gruaja e tij janë misionarë në Mozambik.
Benjamin Silva dhe gruaja e tij, Jolanda janë, gjithashtu, midis misionarëve brazilianë që shërbejnë në Mozambik. Për shumë vite ata kanë qenë pionierë në Brazilin verior. Ata ia dolën mbanë të mbanin dy përgjegjësi të mëdha, të shërbenin si pionierë dhe të rrisnin një fëmijë. Kur vajza e tyre Marta u martua, prindërit e saj u vunë në dispozicion për të shërbyer si misionarë. Marta vazhdon si pioniere dhe bekimi i Jehovait është i dukshëm tek ata të tre.
Përmbytje në Jug
Gjithnjë, që nga shekulli i parë, të krishterët kanë siguruar ndihmë materiale për vëllezërit e tyre në kohë vështirësish të mëdha. (Veprat 11:29, 30) Në vitin 1983, disa shtete jugorë si Paranà, Santa Katerina dhe Rio Grande do Sul ishin shkatërruar nga përmbytje të mëdha. Në Blumeno, Santa Katerina, ujërat e lumit Itajai̇̀-Açu u ngritën gati 16,5 metra mbi nivel, duke përmbytur praktikisht gjithë qytetin. Në harmoni me shembullin e lënë nga të krishterët e shekullit të parë, Dëshmitarët në vende të tjera kontribuan me ndihma lehtësuese: 43 ton ushqime dhe 41 ton veshje.
Dëshira për të ndihmuar u ilustrua nga Zhoào Visentim Karèr, një plak në Kampo Grande në shtetin e Mato Groso do Sul, 1305 kilometra larg. Kur ai pa një lajm në televizion rreth përmbytjes, i telefonoi zyrës së Shoqatës dhe pyeti se në ç’mënyrë mund të ndihmonte. Bashkë me pleq të tjerë, ai mblodhi tre ton ushqime, veshje, këpucë dhe ilaçe të siguruara nga kongregacionet në atë qytet. Po atë ditë, ai bashkë me të birin ishin në rrugë për në Blumeno me ndihmat për vëllezërit.
Luiz Bonjar, një plak në Bumeno i cili mori pjesë në shpërndarjen e materialeve që iu dërguan, shkroi: «Me ndihmën e vëllezërve ne përshtatëm një varkë me hekura shtesë, në mënyrë që të mund të lëvizte edhe në ujë, por edhe në ngritjet e vogla të tokës që dilnin mbi ujë. Pastaj u vumë të kërkonim vëllezërit e izoluar. Në disa vende, për shkak të lartësisë së ujit, na u desh të prisnim telat e energjisë elektrike për të kaluar. Dy djemtë e mi, 10 dhe 12 vjeç secili, erdhën me mua. Ata ishin notarë të mirë. Unë e dija, gjithashtu, se varkat me fëmijë brenda respektoheshin më shumë se të tjerat.»
Në një nga shtëpitë, ata gjetën 16 persona që kishin mbetur pa shtëpi prej dhjetë ditësh dhe rezervat ushqimore të tyre ishin mbaruar. Tamam para mbërritjes së varkës, kur ata kishin shqyrtuar shkrimin e ditës, një nga vëllezërit kishte komentuar se Jehovai do të plotësonte nevojat e tyre në kohën e Tij të duhur. Dhe kjo tamam kishte ndodhur. Në një shtëpi tjetër, kishte 22 persona të cilët ishin izoluar në katin e sipërm dhe në papafingo për një javë. Kur ata dëgjuan zhurmën e një varke që afrohej, në fillim menduan se mund të ishin hajdutët, por më pas dëgjuan dikë që thërriste: «Vëlla Valter Germer!» Këta ishin vëllezërit që po sillnin ndihma. «Kjo qe një dëshmi e mirë për fqinjët që nuk ishin Dëshmitarë.»—kujton Zhanis Duvè, një prej atyre që kishin mbetur në atë shtëpi dhe që tani është anëtare e familjes Bethel në Brazil. Ajo që u sigurua ishte shumë më tepër sesa u nevojitej atyre për një ditë apo dy. «Kaluan muaj të tërë para se të na duhej të blinim përsëri ndonjë ushqim që nuk prishej shpejt»,—tha ajo.
Fryma ngjitëse e shërbimit si pionier
Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait e ndihmojnë njëri-tjetrin materialisht kur dalin situata urgjente, aktiviteti i tyre kryesor është predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ata e dinë se vetëm ajo do të zgjidhë një herë e përgjithmonë problemet e panumërta të njerëzimit. Duke vënë theksin mbi këtë vepër, zyra e Shoqatës i dërgoi një letër në vitin 1984 çdo lajmëtari të pagëzuar në Brazil. Ajo fillonte me fjalët: «Ne po ju shkruajmë në këtë kohë për t’ju bërë një ftesë që të merrni pjesë në shërbimin si pionierë ndihmës për muajin prill.» Kjo do të thoshte t’i dedikonin të paktën 60 orë gjatë muajit ndarjes së të vërtetës biblike me të tjerët. A u pranua ftesa? Maksimumi i mëparshëm i pionierëve ndihmës kishte qenë 8.000 në prill 1983, por në përgjigje të kësaj letre, morën pjesë më shumë se 33.000—21 për qind e numrit të përgjithshëm të lajmëtarëve! Dhe çfarë muaji i lumtur i shërbimit teokratik që ishte!
Kërkoheshin përpjekje të zellshme. Një Dëshmitar, i cili ishte shofer kamioni dhe një tjetër që ishte murator rregulluan që të ishin në shërbimin në fushë rregullisht nga ora 630 deri në orën 830 në mbrëmje, pasi të kishin mbaruar punën e tyre të përditshme. Një motër që punonte si rrobaqepëse në shtëpi, ngrihej shpejt për të bërë punën e saj para se të dilte në shërbimin në fushë. Një nënë e tetë fëmijëve—më i madhi 12 vjeç dhe më i vogli 5 muajsh—u ndihmua nga familja e saj, fëmijët më të mëdhenj që kujdeseshin për më të vegjlit dhe nga burri i saj që përgatiste darkën. Midis 12 lajmëtarëve në një kongregacion, 5 shërbyen si pionierë ndihmës. Këtu ishin përfshirë dy kryefamiljarë, njëri me 10 dhe tjetri me 14 fëmijë. Që të dy jetonin rreth 15 kilometra larg nga qyteti. Ata udhëtonin deri në qytet dy herë në javë që të merrnin pjesë në shërbimin në fushë për nëntë orë çdo ditë. Një motër tjetër, që nuk mud të ecte, ulej në një karrige në trotuarin përballë shtëpisë së saj ku ajo kontaktonte kalimtarët.
Duke provuar gëzimin e këtij shërbimi, shumë prej atyre që shërbyen si pionierë ndihmës gjatë atij muaji bënë kërkesë për shërbimin si pionierë të rregullt. (Ps 34:8) Në prill 1984, në listë ishin 3.500 pionierë të rregullt. Gjashtë muaj më vonë kishte 4.200 të tjerë dhe një vit më vonë shifra ishte 5.400. Tani, në vend ka mbi 22.500 pionierë të rregullt. Dhe çfarë gëzimi ndiejnë ata ndërsa marrin pjesë në një mënyrë kaq të plotë në veprën më të rëndësishme që po kryhet sot në tokë!
Botim i njëkohshëm
Para vitit 1984 materiali në revistat tona në gjuhën portugeze botohej gjashtë muaj pasi dilte në gjuhën angleze. Megjithatë, në atë vit, në Brazil u instaluan dy makina shtypi rotative si dhe sistemi MEPS (Sistemi shumëgjuhësh për fotoradhimin elektronik, i zhvilluar nga vëllezërit në qendrën botërore në Nju Jork). Materiali i përkthyer futej drejtpërdrejt në kompjuter dhe programet MEPS e shpejtonin shumë procesin e kompozimit të faqeve. Paul Bauer, Erik Katner dhe Franc Shredl u stërvitën në Nju Jork për vënien në veprim dhe mirëmbajtjen e MEPS-it. Kështu që nga viti 1984 materiali i botuar në anglisht filloi të shtypej njëkohësisht në portugalisht.
Makinat e shtypit rotative ofset, ku secila prej tyre mund të shtypte 32.000 revista në orë, u dhuruan nga vëllezërit në Shtetet e Bashkuara. Hari Xhonson nga familja Bethel në Brùklin mbikëqyri instalimin. Në fillim u bë botimi i njëkohshëm. Pak kohë pas kësaj, shtypja bëhej në katër ngjyra dhe mbi një letër me cilësi më të mirë. Rezultatet ishin të shkëlqyera! Kurrë më parë nuk kishte pasur kaq shumë pajtime për revista të marra në një muaj—50.000 në qershor 1987. Numri i pajtimeve u rrit me rregullsi, duke arritur maksimumin e 87.238 pajtimeve në prill 1994. Çdo muaj ne shtypim tani një mesatare prej 3.500.000 revista në portugalisht dhe në spanjisht.
Mbajtësit e integritetit mblidhen në numër rekord
Një ngjarje tjetër e jashtëzakonshme në vitin 1985 ishte përdorimi i njëkohshëm i dy stadiumeve më të mëdhenj në Brazil—stadiumi Morubi në San Paulo dhe stadiumi Marakanà në Rio de Zhaneiro—për kongreset tona krahinore «Mbajtësit e integritetit». Në këto kongrese të mbajtura në 23-25 gusht 1985, ishin të pranishëm delegatë nga 11 vende. Ishin, gjithashtu, të pranishëm dy pjesëtarë të Trupit Udhëheqës, Xhon Barr dhe Lajman Suingëll.
Falimi publik «Kohët dhe stinët e Perëndisë—Çfarë tregojnë ato?» u prezantua nga Xhon Kushnir para një auditori prej 162.941 persona në San Paulo dhe nga Augusto Makado para 86.410 personave në Rio de Zhaneiro—një total prej afro 250.000 persona! Kjo është pothuaj njësoj me numrin e të pranishmëve në Nju Jork në vitin 1958, kur delegatë nga 123 vende u mblodhën njëkohësisht në dy stadiume atje. Megjithatë, kjo nuk ishte shtrirja e plotë e kongreseve në Brazil në vitin 1985.
Përveç këtyre dy kongreseve ndërkombëtare, u mbajtën 23 të tjerë në pjesë të ndryshme të vendit, me një total prej 144.000 personash të pranishëm dhe me 1.192 persona që u pagëzuan. Midis të pagëzuarve ishte një zonjë nga San Leopoldo, Rio Grande do Sul, e cila kohët e fundit kishte humbur një fëmijë në një aksident dhe si rezultat ishte kthyer drejt spiritizmit. Megjithatë, ajo lexoi broshurën Frymërat e të vdekurve—A mund t’ju ndihmojnë apo t’ju bëjnë dëm! dhe ishte kaq e prekur nga ajo që lexoi, saqë filloi të kërkonte Sallën e Mbretërisë. Atje, ajo pranoi ofertën për një studim biblik dhe përparoi frymësisht me shpejtësi deri në pikën e pagëzimit. Sot, ajo, burri i saj dhe një nga mbesat i shërbejnë Jehovait.
‘Mblidhen bashkë’ pavarësisht nga largësia
Vëllezërit tanë dhe motrat tona të krishtere në Brazil e çmojnë me të vërtetë këshillën e Biblës, që të mos braktisin të mbledhurit bashkë dhe aq më shumë ndërsa shohin ditën e Jehovait që po afrohet. (Heb. 10:24, 25) Disa herë kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme nga ana e tyre. Një vëlla në kongregacionin e Fazenda Takuari, Bahia megjithëse çalon dhe është në moshën 70-vjeçare, ecën 7.5 kilometra për të shkuar në Sallën e Mbretërisë. Vëllezërit në kongregacionin e Olindi̇̀nas, Bahia, ecin 15 kilometra, duke mbajtur një çantë plastike me veshje, që të ndërrojnë rrobat që lagen kur ata kalojnë një lumë. Në Parà, familje të tëra ecin 6 kilometra përmes një pylli ku ata shohin shpesh gjurmë jaguari. Gjithashtu, në kongregacionin në Repuzo do Amatàri, në Amazona, dy familje, që së bashku përbëhen nga 15 persona ecin përmes xhunglës me një të rritur në krye, që godet pemët dhe tokën me një shkop për të larguar gjarpërinjtë.
Një motër shtatzënë, me një fëmijë në krahë, ecte 15 kilometra në këmbë për në Sallën e Mbretërisë në një provincë të vogël në Aksiksa, Tokantins, sa herë që nuk mund të udhëtonte me ndonjë kamion. Që të mund t’i merrte fëmijët e saj të vegjël me vete në Sallën e Mbretërisë, një motër në Bahia i vendoste ata në dy shporta të mëdha, duke i varur në dy anët e gomarit që kishte me vete.
Në kohën e asamblesë qarkore në Kruzèiro do Sul, Akre, nga kongregacioni në Rio Badejo, në Amazona, ishin të pranishëm 37 persona, megjithëse kongregacioni raportonte vetëm 9 lajmëtarë. Grupi eci për tetë orë që të mund të ishte i pranishëm. Midis tyre ishte një motër me tetë fëmijë, më i vogli prej të cilëve ishte pesë vjeç. Gjithashtu, dhjetë vëllezër udhëtuan 93 kilometra me biçikletë për të qenë të pranishëm në asamblenë e tyre në Floriano, Piaui̇̀. Ata janë me të vërtetë mirënjohës për furnizimet frymore që bën Jehovai.
Barinj vetësakrifikues të kopesë
Rritja e shpejtë në numrin e lajmëtarëve ka çuar në shtimin e nevojës për më shumë barinj frymorë që të kujdesen për kopenë e Perëndisë. (Vep. 20:28; 1 Pjet. 5:2) Ekziston një nevojë, jo vetëm për pleq që të kujdesen për kongregacionet e veçanta, por edhe për mbikëqyrës të kualifikuar, të cilët mund të rregullojnë që të udhëtojnë për t’u siguruar mbikëqyrje të dashur qarqeve dhe krahinave. Një numër vëllezërish kanë dhënë prej vetvetes si mbikëqyrës udhëtues për më shumë se 30 vjet. Çdo vit janë formuar dymbëdhjetë qarqe të reja mesatarisht dhe tani, në fushën e Brazilit ka 326 mbikëqyrës qarkorë dhe 21 mbikëqyrës krahinorë. Këta vëllezër shfaqin një frymë të shkëlqyer, duke qenë të gatshëm për të shërbyer kudo, pavarësisht nga kushtet që janë atje.
Çfarë mund të përfshijë kjo? Disa kanë lënë pas shtëpi të rehatshme dhe tani pranojnë me gëzim strehim, me kushtet e ndryshme në të cilat jetojnë vëllezërit tanë. Meqenëse klima është tropikale, ata duhet të luftojnë me mizat dhe insekte të tjera. Për shkak të nxehtësisë, disa flenë në shtretër të varur në vend se në krevate. Disa shtëpi kanë çati, po nuk kanë mure. Në zonat e thella, transporti mund të bëhet me varkë, hipur mbi kalë, me një autobus të shkatërruar ose në këmbë.Hozè Vertemati, i cili shërbeu në vitet 1970 si mbikëqyrës qarkor në Maraniào, shkroi: «Për të shkuar në kongregacionet në Si̇̀tio Searà dhe në Guimaràes, unë dhe gruaja ime Mazolina, duhet të udhëtonim dy orë me varkë pastaj të prisnim çfarëdo lloj mjeti transporti që do të dilte, meqenëse nuk kishte linjë autobusash. Disa herë shkonim me kamion: Mazolina në kabinë dhe unë në majë të karrocerisë, e cila përfshinte derra, pula edhe dhi apo thasë me miell, oriz dhe bathë. Kur kamioni ngecte në baltë, ne duhet të zbrisnim e ta shtynim. Nëse gjithçka shkonte mirë, kjo pjesë e udhëtimit zgjaste rreth pesë orë. Pastaj ne ecnim edhe katër orë të tjera për të arritur në Sallën e Mbretërisë.» Dëshmitarët vendas i çmonin shumë këto vizita.
Për të ndjekur mbledhjet në Sallën e Mbretërisë në Guimaràes, disa vëllezër duhet të ecnin rreth 30 kilometra çdo javë, gjë që zinte pesë apo gjashtë orë. Gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor, ata do të qëndronin në qytet gjithë javën që të nxirrnin plotësisht dobi nga vizita e tij.
Ka qarqe që mbulojnë zona shumë të mëdha, me popullsi të rrallë. Gjatë viteve 1980, për shembull, një qark përfshinte shtetet e Akres, Rondoni̇̀as dhe disa pjesë të Mato Groso do Sul e të Amazonave, një zonë që ishte baraz me sipërfaqen e Spanjës. Në kohën që ishte në atë qark, Adenir Almeida vizitoi kongregacionin në Làbrea, Amazonat, një qytet ku shumë njerëz vuanin nga sëmundja e Hansenit ose lepra. Për të shkuar atje, ai udhëtoi katër orë me autobus, kaloi natën në një pension dhe në mëngjes hipi, bashkë me tetë pasagjerë të tjerë, pas një kamioni të ngarkuar me shishe pijesh alkoolike. Pas disa orësh udhëtimi nëpër vapë, të gjithë kishin shumë etje. I vetmi lëng në dispozicion gjendej në ato shishe. Vëlla Almeida pranon se, nën ato rrethana ishte e vështirë t’i rezistoje ofertës së të tjerëve për të ndarë bashkë shishet që ata vidhnin nga ngarkesa. Pasi kishin udhëtuar dhjetë orë nën një diell përvëlues, me shumë pluhur dhe pastaj shi, më në fund ata arritën në Làbrea. Atje kishte dalë i gjithë kongregacioni për ta takuar: dy pionierë specialë dhe dy lajmëtarë të papagëzuar! Të dielën, ai pati kënaqësinë të pagëzonte dy lajmëtarët.
Për Vladimir Aleksandruk, një vëlla beqar i cili ka shërbyer si mbikëqyrës udhëtues për afro 30 vjet, strehimi për të fjetur ka përfshirë edhe burgun lokal. Ishte viti 1972 dhe ai po vizitonte një lajmëtare të izoluar, burri i së cilës ishte një jobesimtar. Provinca ishte e vogël dhe nuk kishte hotel, kështu që mbikëqyrësi qarkor rregulloi që të flinte në burgun vendas. Duke qeshur ai kujton: «Të gjithë më morën për shefin e ri të policisë, meqenëse më panë që hyja e dilja nga burgu sipas dëshirës dhe meqë isha veshur me kostum e kollare. Në fillim isha i vetmi bujtës, por ditën e dytë isha në shoqërinë e një burri që kishte vjedhur një derr. Kështu pata mundësi t’i dëshmoja atij.»
Këta mbikëqyrës vetësakrifikues pranojnë menjëherë se çdo mungesë rehatie apo privaciteti është më shumë se e kompensuar nga dashuria e ngrohtë dhe zelli i sinqertë që tregojnë vëllezërit.
Duke u drejtuar nga Perëndimi
Gjatë viteve 1980, shumë familje nga jugu i vunë veshin thirrjes «Të rinj, shkoni drejt perëndimit!» Ata u transferuan në Brazilin perëndimor, veçanërisht në Rondònia, duke kërkuar një tokë të përshtatshme për kultivim. Qeveria e ofronte këtë mundësi falas. Mes pyjeve u hapën rrugë të gjata 31 kilometra që quheshin «linja» dhe toka përgjatë këtyre «linjave» u hap për kolonët. Kjo siguroi territor të shkëlqyer për të dëshmuar!
Në Pimenta Bueno, Rondònia, një berber i cili i përkiste një feje evangjeliste ndërtoi një kishë. Megjithatë, ai u zemërua kur vërejti konfliktet midis priftërinjve të fesë së tij, ku secili prej tyre donte të shkonte në një kishë ku mblidheshin më shumë të holla. Ai nuk kishte dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait. Por një ditë, ndërsa shikonte pionierët specialë duke ecur pëgjatë rrugës, shumë të lumtur, ai pyeti veten: «Nëse unë kam të vërtetën përse jam kaq i zemëruar? Dhe nëse ata janë ‘profetë të rremë’ përse janë kaq të lumtur?» Ai u bëri një vizitë pionierëve natën, që të tjerët mos ta shihnin dhe pranoi një studim biblik. I prekur nga ajo që po mësonte, ai i ftoi pionierët, Xhonas dhe Robson Barboza de Souza, që t’u predikonin 30 anëtarëve të kishës së tij. Disa prej tyre pranuan të vërtetën dhe me kalimin e kohës kisha u mbyll. Pak kohë pas kësaj, edhe kisha katolike në atë zonë u braktis, meqë burri që bënte shërbesat dhe familja e tij u bënë edhe ata Dëshmitarë të Jehovait.
Në kohën e vizitës së parë të mbikëqyrësit qarkor në atë kongregacion kishte tashmë 49 lajmëtarë dhe 280 persona ishin të pranishëm në fjalimin publik. Territori ishte i vogël dhe në një kohë të shkurtër, të gjithë banorët ose ishin Dëshmitarë, ose po studionin me ta. Kështu që, lajmëtarëve iu desh të shkonin me kamion për të predikuar në kolonitë fqinjë. Ata përdorën, gjithashtu, kamionin (me mbulesë sipër) për të shkuar në kongreset në qytetin më të afërt, Porto Veli̇̀o, gati 560 kilometra larg.
Rajoni i Amazonave
Dëshmia në rajonin e Amazonave paraqet sfida të veçanta, por nevojat frymore të njerëzve që jetojnë atje nuk po lihen pas dore. Kjo është një zonë më e madhe se Evropa Lindore. Pjesa braziliane e pyllit zë gati gjysmën e të gjithë vendit, por ka vetëm 9.000.000 banorë, rreth 6 për qind të popullsisë të Brazilit. Disa pjesë të lumenjve në këtë zonë janë me të vërtetë ngjashëm deteve. Për shembull, lumi Negro, një nga furnizuesit më të mëdhenj të lumit Amazona, është 16.5 kilometra i gjerë afër Manàusit, kryeqytetit të shtetit dhe gryka e kanalit kryesor të lumit Amazona është 46.5 kilometra e gjatë. Midis lumenjve të botës, Amazona shihet në shumicën e aspekteve si mbret.
Në këtë rajon nuk është e pazakontë të udhëtosh për ditë me radhë me varkë për të shkuar nga një qytet tek tjetri. Dy pionierë specialë të caktuar në Eirunepè, Amazonat, një qytet me 20.000 banorë, shkruan: «Udhëtimi deri në caktimin tonë zgjati 13 ditë me varkë. E konsideruam varkën si pjesë të territorit tonë. Ndërkohë që ishim në varkë lamë botime të ndryshme dhe filluam tetë studime biblike, të cilat i bënim dy herë në ditë.» Në Amazona ka 213 pionierë specialë të zënë duke ndihmuar njerëzit për të nxjerrë dobi nga Fjala e Perëndisë.
Në bordin e anijeve të Shoqatës
Që nga viti 1991 disa nga pionierët tanë specialë kanë përdorur anijet si pjesë të pajisjeve të tyre të rregullta në shërbim. Në atë vit Shoqata siguroi dy anije për këtë përdorim. Është Boas Novas (Lajmi i Mirë) që lundron në lumenjtë Negro, Purus, Madeira dhe Solimoes. Proclamator das Boas Novas (Lajmëtar i Lajmit të Mirë) përshkon ishullin e Marajos, në madhësinë e Hollandës, në grykën e lumit Amazona.
Për çdo anije janë caktuar pesë pionierë specialë. Ndërkohë që dy çifte pionierësh janë në shërbim, një pionier qëndron në anije për të përgatitur ushqimin, për të pastruar si edhe për ta ruajtur nga ndonjë vjedhje e mundshme. Objektivi kryesor është të arrijnë banorët e fshatrave të vogla në brigjet e lumenjve dhe të tjerë që jetojnë në kasolle të ndërtuara mbi shtylla apo në shtëpi lundruese.
«Hyrë!» është mirëseardhja që dëgjojnë pionierët gati gjithmonë ndërsa trokasin nëpër shtëpi. Kjo ndiqet nga 40 minuta apo më shumë, dëshmi. Pionierët qëndrojnë për gati dy muaj në kolonitë më të mëdha, duke drejtuar studime biblike me personat e interesuar, zakonisht disa herë në javë. Fjalimet publike dhe studimi i Kullës së Rojës mbahen zakonisht në një shkollë apo në shtëpi private. Mbledhjet e tjera mbahen në anije. Nëse personat tregojnë interes të sinqertë për t’i shërbyer Jehovait, aty caktohen pionierë specialë të qëndrojnë dhe të zhvillojnë interesin.
Rreth tre orë me anije nga Manausi, në afërsi të Zhanauakës, gjendet Salla e vetme e Mbretërisë e ndërtuar nga vëllezërit vendas. Këtu nuk ka problem për strehimin e atyre që vijnë nga larg për në asamble. Shumë jetojnë në shtëpi lundruese, kështu që ata vetëm sa e tërheqin shtëpinë me anije deri në Sallën e Mbretërisë, e cila është ndërtuar mbi një ishull, e «parkojnë» shtëpinë e tyre dhe zbresin në breg për asamblenë. Megjithëse kongregacionet e afërta kanë më pak se 100 lajmëtarë, prania në asamble arrin gati shifrën 250.
Indianët ndihmohen për të mësuar të vërtetën
Indianët, të cilët zakonisht trajtohen pa respekt nga njerëzit në përgjithësi, janë prekur kur Dëshmitarët e Jehovait i trajtojnë ata me respekt. Një numër prej tyre kanë përparuar frymësisht deri në pikën e pagëzimit.—Veprat 10:34, 35.
Hamilton Vieira, i cili shërbeu si mbikëqyrës qarkor në një zonë ku jetonin indianët, kujton një përvojë që pati me ta. Në një fjalim, ai citoi Lukën 21:34-36, e cila paralajmëron kundër «të llupurit dhe të dehurit». Në fillim ai foli mbi «të llupurit». Kur auditori i tij pati vështirësi për të kuptuar atë që donte të thoshte, ai shpjegoi. Indianët u habitën dhe pastaj filluan të qeshnin. Idea e të llupurit ishte plotësisht absurde për ta. Si pjesë të jetës së tyre, indianët mund të pjekin ndonjë peshk buzë një lumi, por do të gjuanin vetëm aq sa mjaftonte për të kënaqur nevojat e tyre imediate dhe jo më shumë. Por çfarë mund të themi për «të dehurit»?
Mjerisht, konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike është një gjë e zakonshme midis popullsisë indiane. Abuzimi me alkoolin është inkurajuar nga ata që blinin pije për ta dhe që e konsiderojnë si zbavitje kur shohin mënyrën qesharake të të vepruarit kur dehen. Vëlla Vieira pati mundësi të shpjegonte se ashtu si është budallallëk të hash shumë, po aq absurde është të pish shumë.
Në këtë rajon, një vizitor disa herë duhet të ecë nëpër shtigje të ngushta përmes pyllit dhe të mësojë të mbajë ekuilibrin ndërsa ecën mbi një trung peme të shtrira si një urë mbi një kanal të vogël lumi. Këto trungje janë zakonisht të lagësht dhe të rrëshqitshëm. «Të ecja mbi to nuk ishte e lehtë për mua», kujton vëlla Vieira. «Vëllezërit vendas nuk kishin probleme, as motrat që kishin madje edhe fëmijë në krahë dhe që më mbanin çantat ndërsa unë luftoja për të mbajtur ekuilibrin, gjë që më vinte në pozitë të vështirë.»
Ndihmë e papritur
Gjatë viteve 1970 dhe 1980, fjalimet publike që përfshinin filmat me diapozitiva, luajtën një rol të rëndësishëm në predikimin e lajmit të mirë. Patai̇̀ba, Bahia kishte vetëm 1500 banorë dhe një kongregacion të vogël, por të pranishëm për filmat me diapozitiva ishin 1572 persona. Si ndodhi një gjë e tillë? Moakir Soares, mbikëqyrësi qarkor shpjegoi: «Meqë Salla e Mbretërisë ishte e vogël, unë u sugjerova pleqve se ata mund të kërkonin leje nga kryetari i bashkisë që të përdornin vendin e tregut që gjendej në sheshin kryesor, përgjatë kishës katolike. Me lejen e tij, ne hoqëm tezgat dhe bëmë vend për auditorin. Ajo javë ishte «Java e Shenjtë» dhe ishte planifikuar një procesion që të nisej nga kisha në orën 1800, koha kur duhej të fillonte fjalimi ynë publik. Ishin ftuar njerëz nga qytetet e afërta dhe meqë në qytet nuk jetonte asnjë prift, duhej të vinte një i tillë nga jashtë për të drejtuar procesionin. Megjithatë, makina e priftit pati një avari dhe nuk arriti dot në kohë. Si rezultat, shumica e njerëzve që kishin ardhur për procesionin, ndoqën në vend të saj fjalimin tonë. Në mënyrë të përshtatshme, tema e fjalimit ishte «Duke sjellë shumë persona në drejtësi në kohën e fundit.»
200.000 lajmëtarë
Në janar 1987, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë e kaloi shifrën 200.000 në Brazil dhe rritja po vazhdonte me hapa të shpejta. Gjatë vitit 1988 ishin formuar 367 kongregacione të reja, në vitin 1989 edhe 370 të tjera, një mesatare prej më shumë se një çdo ditë! Më shumë punëtorë, më shumë lajmëtarë! Kështu që, për të na ndihmuar u dërgua një makinë e tretë shtypi rotative me një kapacitet prej 38.000 revistash në orë. Ishte e nevojshme, gjithashtu, të modernizohej Reparti i transportit që të mund të plotësonte mijëra kërkesat për literaturë nga kongregacionet.
U bënë plane për t’i bërë një shtesë fabrikës ekzistuese, duke rritur kështu sipërfaqen e punës nga afro 90 në afro 140 kilometra katrorë. Ndërtimi filloi në dhjetor 1988 dhe u bë nga një ekip ndërtimi nga Betheli nën drejtimin me përvojë të disa shërbëtorëve ndërkombëtarë, të gjithë vullnetarë.
Ndihma nga shërbëtorët ndërkombëtarë
Ne ishim të lumtur që kishim 35 vëllezër të aftë nga vende të tjera, të cilët ndihmuan në këtë projekt të zgjerimit të fabrikës dhe më vonë punuan në ndërtimin e blloqeve të banimit. Disa nga vëllezërit dhe motrat shërbyen për disa javë, disa për muaj dhe disa të tjerë për më shumë se gjashtë vjet. Prania e tyre ishte shumë inkurajuese, ndërtuese dhe për shkak të përvojës së tyre, shumë produktive.
Disa nga këta shërbëtorë ndërkombëtarë ishin të rinj: të tjerë ishin gjyshër. Keit Koluel dhe gruaja e tij Raeta, ishin të parët që mbërritën në mars 1989 dhe ishin në moshë të thyer. Ata ishin mbi 50 vjeç. Keit thotë: «Nuk ishte e lehtë për ne të ishim larg dy vajzave tona dhe burrave të tyre, katër nipërve, mamasë dhe babait. Disa herë ne mendojmë të shkojmë në shtëpi dhe faktit që jemi ‘gjyshër’, por për aq kohë sa mund të përdoremi dhe që kemi fuqi, do të jemi të lumtur të themi: ‘Ja ku jam! Mua më dërgo.’—Isaia 6:8.»
Darvin Harlei dhe gruaja e tij Shirli shërbyen, gjithashtu, për afro gjashtë vjet në Brazil. Edhe ata mendonin me nostalgji për katër fëmijët e tyre dhe tetë nipërit. Megjithatë, ata ishin të vendosur për të vënë Jehovain në vend të parë në jetën e tyre dhe të vazhdojnë të lënë një shembull në lidhje me këtë për fëmijët e tyre. Kështu që pasi fëmija më i ri i tyre u martua, Darvin dhe Shirli nuk patën dyshime mbi atë se çfarë do të bënin. Ata kërkuan të shërbenin në kohë të pacaktuar si shërbëtorë ndërkombëtarë. Tani, megjithëse janë mbi 60 vjeç, ata thonë me ndjenjë: «Ne i jemi mirënjohës Trupit Udhëheqës, për mundësinë që na dha për t’i shërbyer Jehovait në këtë mënyrë të veçantë.» Kishte shumë sy të përlotur kur familja Bethel duhej t’i thoshte mirupafshim gjithë këtyre shërbëtorëve besnikë nga vendet e tjera. Disa prej tyre u kthyen nëpër shtëpi, ndërsa të tjerët shkuan nëpër caktime të reja.
Një prift mëson të vërtetën
Më kryesorja midis gjërave të mëdha që Jehovai ka bërë në Brazil është lirimi i njerëzve, të cilët ishin përfshirë thellë në fenë e rreme. Një ditë në një autobus një nga Dëshmitarët e Jehovait u ul afër Ademir de Oliveiras, i cili kishte shërbyer për dhjetë vjet si një prift në kishën katolike braziliane. Filloi një bisedë përsa i përket kuptimit të fjalës «ferr». Më vonë, Ademiri meditoi mbi atë bisedë dhe ndërsa lexoi revistat tona, e vërteta u bë e qartë në mendjen e tij.
Ai filloi të mësonte në kishën e tij se Jehovai është Perëndia dhe se përdorimi i shëmbëlltyrave është i gabuar. Por ai kuptoi se edhe ai vetë nuk po i vinte në zbatim ato që po u mësonte të tjerëve, në fund të fundit, kisha i kishte akoma shëmbëlltyrat. Në të njëjtën kohë, kur brenda një periudhe prej dhjetë muajsh i vdiqën nëna dhe babai, ai filloi të mendonte se Perëndia po e ndëshkonte ngaqë kishte menduar të linte kishën katolike. Megjithatë, në rastin e varrimit të nënës së tij, ai kuptoi se Jehovai ishte Ai që mund ta ngrinte përsëri në jetë. Në vitin 1989 ai shkoi në mbledhjen e tij të parë në një Sallë Mbretërie dhe pas kësaj i ndoqi rregullisht ato. Ai la kishën katolike dhe në muajin e tij të parë si lajmëtar Mbretërie raportoi 60 orë dhe la 12 kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Pas pagëzimit të tij ai u bë një pionier i rregullt dhe tani shërben edhe si plak në Jundiai, San Paulo.
Përgjigje për pyetjet që bëjnë të rinjtë
Të rinjtë kanë nevojë për ndihmë që të mund t’i shërbejnë Jehovait në mënyrë të pranueshme. (Pre. Ek 12:1) Seria e Kongreseve Krahinore «Devotshmëria e shenjtë», të mbajtur në vitin 1989 siguroi një mjet të dobishëm për këtë qëllim. Një vajzë 15 vjeçare shkroi: «Në fillim të programit, u njoftua se të gjithë të rinjtë nga mosha 10 deri 19 vjeç duhet të uleshin bashkë në qendër të auditorit. Ne ishim të gjithë shumë të emocionuar, duke pyetur se çfarë do të ndodhte. Në fund të programit pas një fjalimi entuziast, oratori njoftoi se çdo i ri do të merrte një dhuratë, librin që titullohej Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike. Ishte një gjë shumë, shumë rrëqethëse! Doja të qaja, isha kaq e lumtur. Ishte tamam ajo që na duhej. Që atëherë, i jam referuar shumë herë atij libri për këshilla. Me këtë dhuratë të vlefshme nga Jehovai ne jemi të gjithë të pajisur për të përballuar presionet e këtij sistemi.» Më shumë se 70.000 libra iu shpërndanë të rinjve, vëllezër dhe motra në 108 kongreset që u mbajtën në vend.
Është llogaritur se rreth 35 për qind e atyre që ndjekin mbledhjet në Brazil, janë të rinj. Çdo ditë ata ndeshen me ndikimin degradues të botës materialiste, imorale. Ata ndeshen me sfidën për të marrë një arsimim të duhur botëror që i përgatit për jetën si të rritur dhe në të njëjtën kohë për të fituar arsimimin jetësor nga Fjala e Perëndisë që mund t’i përgatisë ata për të mbijetuar në botën e tij të re të drejtësisë. Shumica prej tyre po e përballojnë këtë sfidë. Shumë shërbejnë si pionierë ndihmës edhe ndërsa shkojnë në shkollë dhe pastaj fillojnë si pionierë të rregullt sapo diplomohen. Të tjerë e konsiderojnë shkollën si territorin e tyre personal dhe përfitojnë nga të gjitha mundësitë që u jepen për të dëshmuar atje.
Kur një Dëshmitar në Minas Gerais shkoi në një shkollë dhe bisedoi me një mësues, ky i fundit shpjegoi: «Kisha dy vajza në klasën time, 9 dhe 11 vjeç. Vura re se ato ishin ndryshe nga gjithë studentët e tjerë. Vërejta se gjatë lutjeve tona ato rrinin në qetësi me të tjerët, por nuk përsërisnin lutjet. Kur i pyeta se ndoshta nuk dinin si të luteshin apo ndoshta nuk ndiheshin rehat kur luteshin, më thanë se Perëndia Jehova nuk i dëgjon lutjet e përsëritura dhe se, ndërsa ne luteshim, ato luteshin në heshtje. I pyeta: «Si luteni ju?» Më e madhja më tha: «Ju lutem, uleni kokën» dhe pastaj ajo u lut. Ajo falenderoi Jehovain për prindërit e tyre, ushqimin, mësuesin dhe madje u lut për shëndetin e nënës së tyre, e cila u kishte mësuar të vërtetën nga Bibla. Nuk munda t’i mbaja lotët dhe m’u desh të vrapoja në banjë për të qarë.» Në rivizitën e tij, lajmëtari mësoi se familja e vajzës ishte transferuar nga qyteti ku jepte mësim ai, sepse aty nuk kishte Sallë Mbretërie. «Më merr shumë malli për to»—përfundoi mësuesi.
Fuqia transformuese e së vërtetës
Fjala e Perëndisë mund të ketë një ndikim të fuqishëm, transformues në jetën e njerëzve. Për shembull, po lirohen individë të skllavëruar nga demonët. Kjo ishte e vërtetë në rastin e një djali të ri në San Paulo, familja e të cilit praktikonte spiritizmin. Që kur ishte 13 vjeç, ai kujdesej për një qendër spiritiste (makumba), ku shumë njerëz shkonin për të kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemeve të çdo lloji, në lidhje me familjen, shëndetin, punën dhe problemet e dashurisë. Përveç përdorimit të përzierjeve barishtore, ritualet përfshinin sakrifica në kafshë si: bretkosa, pula dhe dhi, nëpër varreza natën. Disa herë përdoreshin kocka njerëzore të vjedhura nga varrezat. Në vitin 1990, kur ishte 19 vjeç, ai pati kontaktin e tij të parë me Dëshmitarët e Jehovait. Kur ai kuptoi se ajo që po mësonte nga ata ishte e vërteta, ai mblodhi bashkë të 11 mediumet frymore që punonin nën drejtimin e tij dhe u shpjegoi se Bibla nuk i aprovonte praktikat spiritiste. Për ta liruar veten nga sulmet demonike, ai dogji gjithë objektet spiritiste që kishte. Pas pesë muajsh studimi biblik, ai u bë një lajmëtar dhe gjatë muajit të parë të predikimit, raportoi 12 studime biblike. (Vep. 19:19, 20) Shumica prej këtyre studimeve bëhej me njerëz që ishin fqinjë të tij e që e njihnin atë si një makumbèiro (ithtar i makumbas). Pas pagëzimit ai shërbeu si pionier ndihmës, pastaj si pionier i rregullt dhe më vonë si pjesëtar i familjes Bethel të Brazilit.
Edhe jeta e një burri, i cili kishte marrë pjesë aktivisht në karnavalet vjetore për 20 vjet, u ndikua thellësisht. Ai kishte marrë çmime për pjesën e tij në vallzimet e karnavaleve në Rio de Zhaneiro. Mënyra e tij e jetesës kishte përfshirë pirjen e tepërt, bixhozin dhe kontaktin me njerëz që praktikonin të gjitha llojet e imoralitetit. Kur mësoi të vërtetën, ai ndryshoi plotësisht mënyrën e jetesës. Tani ai është një shërbëtor ndihmës dhe përdor talentin e tij për të dekoruar platformën nëpër kongrese.
Një i ri tjetër në Rio de Zhaneiro e kishte bërë futbollin pasionin e tij. Ai bënte pjesë në një grup tifozësh të organizuar nga një klub, të cilët do të sulmonin brutalisht pjesëtarët e tifozëve kundërshtarë të lagjes tjetër. Ishte zakoni i tij të shkonte në stadium i armatosur me pistoletë dhe me bomba dore. Gati në çdo lojë, ai përfshihej në përleshje me grupin kundërshtar dhe me policinë. Megjithatë, një ish shoku i tij i shkollës, një Dëshmitar, filloi një studim biblik me të. Ai filloi të kuptonte se cilët ishin shokët e tij të vërtetë dhe kush ishte armiku i tij më i madh. Ai e lejoi të vërtetën biblike të transformonte personalitetin e tij dhe pastaj u pagëzua.
Pedro, një i ri që jetonte në San Paulo, ishte përfshirë, gjithashtu, në një mënyrë të dhunshme jetese. Ai bënte pjesë në një formë të arteve marciale të quajtur kapoejra (një teknikë sulmi të dhunshëm) dhe i pëlqente të mbante armë zjarri. Mbi 1.85 metra i gjatë, me një fizik madhështor, ai ishte përfshirë vazhdimisht në përleshje. Një ditë, megjithatë, ai pranoi të kishte një studim biblik. Pasi dëgjoi një fjalim biblik në Sallën e Mbretërisë, ai kuptoi se do t’i duhej të bënte ndryshime të mëdha në jetën e tij. Ai shkatërroi armët e tij dhe bëri përparim deri në pikën e pagëzimit. Që atëherë. ai ka ndihmuar dhjetë pjesëtarë të familjes së tij për t’u bashkuar me të në shërbimin ndaj Jehovait.
A mund ta ndihmojë e vërteta një person që të kapërcejë druajtjen? Ajo mundi ta bënte këtë në rastin e një zonje në San Paulo. Kur ajo dëgjoi për herë të parë mesazhin e Biblës, u mrekullua nga ajo që po mësonte. Megjithatë, prania në mbledhje dhe pjesëmarrja në predikimin publik të lajmit të mirë ishin pengesa gjigande për të. Përse? Për shkak të natyrës së saj të druajtur dhe frikës se po i dilte kundër burrit të saj. Por ajo mbajti në mendje shkrime si Mateu 10:37 dhe më në fund gjeti kurajën për të marrë pjesë në shërbimin në fushë. Ajo donte t’i pëlqente Jehovait, por akoma shumë herë do të qante, të luftonte me dëshirën për të lënë gjithçka dhe për të shkuar në shtëpi. Përfundimisht, megjithatë, dëshmia për të u bë më e lehtë dhe e gëzueshme. Si rezultat i qëndrueshmërisë së saj, mamaja, pesë vëllezër dhe burri i saj mësuan të vërtetën.
Ndeshja me inflacionin e lartë
Një nga problemet kryesore në vitet 1980 ishte inflacioni i rëndë. Me gjithë planet e ndryshme ekonomike, inflacioni vazhdoi të rritej derisa arriti shifrën 6,584 për qind për periudhën nga maji 1989 deri në prill 1990. Në disa muaj, çmimet rriteshin afërsisht 3 për qind çdo ditë! Në fund të muajit, një personi i duhej pothuajse dyfishi i parave që kërkohej në fillim të muajit për të blerë të njëjtin produkt. Në përpjekje për të trajtuar këtë situatë, për 18 muaj duke filluar nga marsi 1990 qeveria bllokoi të gjitha llogaritë bankare. Më shumë se një herë, qeverisë iu desh të eliminonte disa zero nga paratë dhe të shtypte bankënota të reja.
Problemi i inflacionit, sigurisht nuk ishte i ri, por ajo që ndodhi në vitin 1990 ishte e tepërt. Lumturisht, ne kishim një gjendje të mirë letre dhe furnizime të tjera në degë për të shtypur. Në atë kohë blemë vetëm ato që ishin absolutisht thelbësore dhe i shtymë për më vonë të tjerat. Familja Bethel e përbërë prej 800 vetash pranoi të bënte pa dhuratën e tyre mujore për disa kohë. Ishte, gjithashtu, inkurajuese që zyra e Shoqatës mori telefonata dhe letra nga vëllezërit që ofronin dhurata dhe hua në mënyrë që gjërat të vazhdonin të bëheshin. Pas disa muajsh, qeveria i lejoi organizatat pa përfitim si e jona që të zhvillonin veprimtaritë normale. Për Shoqatën kriza kishte mbaruar.
Gjatë kësaj periudhe të vështirë, Dëshmitarët vazhduan të ishin aktivë në shërbim. Ata e përdorën kohën e tyre, paratë dhe energjitë me mençuri. Shumë treguan çmueshmëri të vërtetë për këshillën hyjnore që të kërkojmë më parë Mbretërinë. (Mat. 6:33) Si rezultat, gjatë vitit 1990 pati maksimume të reja në lajmëtarë, pionierë dhe lënie literature. Rritja prej 11 për qind në lajmëtarë nuk ishte kapërcyer deri atëherë.
Kur u bllokuan llogaritë bankare, kongregacioni Floresta në Xhoinvill, Santa Katerina, kishte shumën e 100.000 dollarëve në depozitë , të cilat do t’i përdorte në ndërtimin e një Salle Mbretërie. Ata e shtynë për më vonë projektin, por kontributet e marra e bënë të mundur ndërtimin e një salle të re pa përdorur paratë në bankë. Kur fondet në bankë më në fund u shpërndanë, kongregacioni pati mundësi të blinte një parking pas Sallës për të parkuar makinat dhe ndihmoi një kongregacion tjetër për të ndërtuar një Sallë Mbretërie.
Duke mësuar të lexojmë Biblën me kuptueshmëri
Duke përshkruar një njeri të lumtur, psalmisti tha: «Kënaqësia e tij është në ligjin e Jehovait dhe ai lexon në ligjin e tij nën zë ditë e natë.» (Ps 1:2) Por shumë njerëz nuk kanë pasur kurrë mundësinë për të shkuar në shkollë që të mësojnë të lexojnë. A mund të ndihmoheshin ata që të përjetonin gëzimin, të cilit i referohej psalmisti? Duke filluar në 1958-n, në Sallat e Mbretërisë u mbajtën shkolla të veçanta për të ndihmuar ata që nuk dinin të lexonin apo të shkruanin. Në vitin 1970 në këtë program arsimimi u ndërmor një hap i mëtejshëm kur në gjuhën portugeze u botua broshura Të mësojmë të lexojmë e të shkruajmë. Për të përmendur, më shumë se 20.000 persona, duke përfshirë shumë që nuk ishin Dëshmitarë, janë ndihmuar për të mësuar si të lexonin.
Edhe disa që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait kanë vërejtur dobitë që vijnë nga këto shkolla dhe i kanë vlerësuar ato. Në San Paulo një burrë jobesimtar falenderoi kongregacionin lokal për atë që ishte bërë për të ndihmuar gruan e tij që të mësonte të lexonte. Shefi i policisë në Ferros, Minas Gerais, i dërgoi një letër lavdërimi Shoqatës për punën e bërë për të mësuar të burgosurit, duke thënë: «Si nga pikëpamja frymore ashtu edhe nga ajo materiale, Dëshmitarët e Jehovait kanë bashkëpunuar me këtë shef policie, duke mësuar të burgosurit për të lexuar. Ashtu si shiu i imët që bie pa zhurmë, por mund të shkaktojë përmbytjen e lumenjve, ata kanë bërë shumë për t’i integruar të burgosurit në shoqëri.»
Sigurisht, leximi e ka vlerën e tij më të madhe kur një person gjen kënaqësi në Fjalën e Perëndisë dhe e ndan atë me të tjerët. Një Dëshmitare 74 vjeçare në Rio de Zhaneiro, e cila nxorri dobi nga shkolla për shkrim e lexim bëri pikërisht kështu dhe ajo ka qenë në gjendje t’i mësojë të vërtetën shumë njerëzve që jetojnë në atë zonë.
Kur u botua broshura Të mësojmë të lexojmë dhe të shkruajmë, lajmëtarët u inkurajuan ta përdornin për të drejtuar studime me personat e interesuar që kishin nevojë për një ndihmë të tillë. Një ditë, Sonia Springeit, e cila po shërbente si misionare në Kuritiba, Paranà i kërkoi një zonje, të cilës po i dëshmonte, që të lexonte Zbulesën 21:4. Gruaja hezitoi dhe pastaj i tha: «Jo, lexoje ti.» Kur i bëri rivizitë asaj, Sonia kuptoi se gruaja nuk dinte të lexonte. Megjithëse ishte e zënë duke u kujdesur për katër fëmijë, me të u drejtua një studim më ndihmën e broshurës Të mësojmë të lexojmë dhe të shkruajmë. Në fillim, ajo u ndie e shkurajuar, por me inkurajimin që mori ajo këmbënguli dhe brenda një viti ishte në gjendje të lexonte. Sot, ajo dhe burri i saj janë Dëshmitarë të pagëzuar dhe fëmijët po përparojnë në të vërtetën.
Disa që dinin të lexonin kishin nevojë për ndihmë për të përmirësuar kuptueshmërinë e tyre. Për të zgjidhur këtë problem, në vitin 1990 u organizuan disa grupe në disa kongregacione për të marrë ndihmë të mëtejshme në lexim dhe bisedim. Një ndihmë e tillë po i sigurohet tani rreth 6.000 Dëshmitarëve dhe rezultatet janë të favorshme. Kur filloi shkollën, një motre në Rio de Zhaneiro i duheshin rreth dy orë për të lexuar dhe për të kuptuar materialin për Studimin e Librit të Kongregacionit. Pas dy muajsh në shkollë ajo mund ta bënte këtë për 20 minuta.
Shpërndarje speciale e revistave
Në krye të listës së artikujve të leximit për Dëshmitarët e Jehovait është Kulla e Rojës, e cila është projektuar për të ndihmuar njerëzit që e duan të vërtetën për të kuptuar Biblën. Ajo lartëson Perëndinë Jehova si Zotin Sovran të gjithësisë dhe tregon se si Mbretëria e Perëndisë do të zgjidhë problemet e njerëzimit. Shoqja e saj, Zgjohuni! thekson domethënien e vërtetë të ngjarjeve të tashme dhe ndërton besimin në premtimin e Krijuesit për një botë të re paqësore dhe të sigurt. Dëshmitarët e Jehovait janë të etshëm për t’i ndarë këto informacione kaq të vlefshme me të tjerët. Për të rritur shpërndarjen e këtyre revistave dhe për të inkurajuar lajmëtarët e rinj që kualifikohen për të marrë pjesë në shërbim, për 1 majin 1990, që ishte një ditë pushimi, u programua një fushatë speciale për shpërndarjen e revistave. U rekomandua që kongregacionet të organizonin shërbimin në fushë për paraditen, pasditen dhe mbrëmjen dhe që familjet të merrnin pjesë së bashku në shërbim atë ditë.
Përgjigjja ishte e shkëlqyer! Për të marrë një shembull, në Rio de Zhaneiro një kongregacion me 125 lajmëtarë kishte 121 prej tyre në shërbim paradite dhe 118 pasdite. Një maksimum i ri prej 288.107 lajmëtarësh u arrit për gjithë vendin atë muaj dhe për atë ditë u raportua se ishin shpërndarë më shumë se 500.000 revista. Që atëherë, janë rregulluar ditë të tjera speciale për shpërndarje revistash që kanë pasur sukses.
Kongreset Krahinore «Gjuha e pastër»
Kongreset janë momente me rëndësi në jetën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe disa prej tyre kujtohen për një kohë të gjatë nga ata që kanë qenë të pranishëm në to. Një kongres i tillë u mbajt në San Paulo në gusht 1990. Në ditën e fundit më shumë se 134.000 persona—86.186 në stadiumin Morubi dhe 48.220 në stadiumin Pakaembu—dëgjuan një fjalim publik të prezantuar njëkohësisht nga dy oratorë në Kongresin Krahinor «Gjuha e pastër». Ishin të pranishëm C. W, Barber dhe A. D. Shroeder pjesëtarë të Trupit Udhëheqës si edhe 2350 delegatë të huaj nga 14 vende.
Në fund të fjalimit përfundimtar në të dy stadiumet delegatët filluan të valvitin shamitë dhe shallet. Të prekur thellë nga ajo që po shihnin me sytë e tyre, shumë derdhën lotë gëzimi. Sa mirënjohës ishin Dëshmitarët brazilianë që vëllezërit dhe motrat e tyre të krishtere kishin ardhur nga vende të tjera për t’u bashkuar me ta në këtë rast të madh!
Dashuria e jashtëzakonshme që tregohet midis shërbëtorëve të Jehovait është një faktor i madh që ndihmon njerëzit e sinqertë për të identifikuar të vërtetën. (Gjoni 13:35) Ky ishte rasti i një të riu dhe motrës së tij që e kishin kundërshtuar nënën e tyre të ve, e cila po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Një plak vizitoi familjen dhe i ftoi për të qenë të pranishëm në atë kongres në San Paulo, të dielën pasdite. Ai shkoi për t’i marrë ata herët, sepse kishte përgjegjësi për detyrat e tij si vullnetar në stadium. Dy të rinjtë mbetën thellësisht të impresionuar. Ata komentuan mbi rregullin dhe pastërtinë në stadium, mënyrën me të cilën ishin organizuar gjërat dhe patjetër, për vërshimin e dashurisë drejt delegatëve vizitues në përfundim të kongresit. Ata pranuan një studim biblik, bënë një përparim të mirë dhe u pagëzuan bashkë me nënën e tyre. Sot, i riu është një shërbëtor ndihmës.
Komitetet e lidhjes me spitalet
Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait, si ata që sapo janë pagëzuar ashtu dhe ata me më shumë përvojë, e dinë se përmbajtja nga gjaku i çdo lloji është një kërkesë e rëndësishme e krishterë. (Zan. 9:3, 4; Vep. 21:25) Në vitin 1984 u formuan një numër komitetesh me pleq me përvojë për të kontaktuar mjekët dhe për të mbajtur shënim ata që do të respektonin vendimin e një pacienti për të refuzuar transfuzionin e gjakut. Ky rregullim mori forcë në 1991, kur në San Paulo u mbajt një seminar ndërkombëtar i Komiteteve të Lidhjes me Spitalet (KLS-të). Ishin të pranishëm Eugjen Rosam dhe Fred Rask nga Shërbimet për Informacion mbi spitalet në Bruklin, Nju Jork, Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, më shumë se 700 vëllezër ndoqën seminarin, duke përfshirë disa që janë mjekë apo avokatë si edhe anëtarë të këtyre komiteteve.
Seminari tregoi se kishte akoma shumë punë përpara. Komitetet do të riorganizoheshin dhe anëtarët e tyre do të fillonin të prezantoheshin me mjekët dhe ekipet mjekësore, duke qartësuar pozicionin tonë mbi përdorimin e gjakut dhe duke u ofruar artikuj shkencorë mbi trajtimet pa përdorimin e gjakut. Synimi që u vu përpara anëtarëve të komitetit, në marrëdhënien e tyre me mjekët ishte «komunikimi dhe bashkëpunimi, jo konfrontimi.» Pas riorganizimit, numri i komiteteve u reduktua nga 200 me 1200 anëtarë në 64 me rreth 350 anëtarë. Si rezultat kishte më pak komitete, por të pajisura më mirë, në qytete me qendra të mëdha për trajtimin mjekësor.
Në tetor 1992 u paraqit një mundësi për t’u prezantuar para 1300 mjekëve nga më shumë se 100 vende në Kongresin e 22-të Ndërkombëtar mbi transfuzionin e gjakut, në San Paulo. Organizatorët e kësaj ngjarjeje dhanë aprovimin e tyre që motra Zelita da Silva Souza, që ishte mjeke hematologe, të tregonte një listë me 65 alternativa mjekësore ndaj transfuzionit të gjakut. Pedro Katardo dhe Serxho Antao nga Betheli, raportuan: «Në fillim ishim pak të shqetësuar në lidhje me pritjen që do të na bëhej, por reagimi i më shumë se 500 mjekëve që kontaktuam personalisht ishte shumë i favorshëm. Një nga oratorët kryesorë në kongres shqyrtoi me kujdes listën dhe artikujt që shfaqeshin në të. Më vonë, në një fjalim që dha në një auditor më të gjerë, ai shprehu admirimin për informacionin e vlefshëm që mori ‘nga një burim që nuk e priste—Dëshmitarët e Jehovait.’»
Në muajt që pasuan u bënë prezantime në 20 Këshilla Rajonalë të Mjekësisë dhe disa nga ata rekomanduan që kur të ngriheshin probleme lidhur me gjakun, mjekët duhet të kontaktonin Komitetin lokal të lidhjes me spitalet. Në katër vitet e fundit janë bërë më shumë se 600 prezantime të tilla dhe tani ka më shumë se 1.900 mjekë bashkëpunues në listë.
Në mënyrë interesante, një numër mjekësh, të cilët vlerësojnë përparësitë e trajtimeve alternative mjekësore pa gjak kanë nxitur seminarë në Brazil për të diskutuar këtë çështje me të tjerë në profesionin mjekësor. Disa nga vëllezërit tanë, të cilët janë mjekë apo që shërbejnë si anëtarë të Komiteteve janë ftuar në to. Një seminar i tillë u mbajt së pari në Rio de Zhaneiro dhe pastaj në qytetet e tjera. Më vonë, Këshilli Rajonal i Mjekësisë në Rio de Zhaneiro botoi një deklaratë, duke inkurajuar përdorimin e trajtimeve alternative.
«Nuk do ta harroj kurrë atë lutje»
Komitetet e lidhjes u kanë dhënë shumë mbështetje vëllezërve të sëmurë dhe familjeve të tyre. Alaide Defendi, një pioniere speciale, kujton: «Motra ime u dëmtua në një aksident automobilistik në Kuritiba, Paranà në shkurt 1992. Mjeku tha se jeta e saj varej nga marrja e një transfuzioni gjaku. I telefonova Komitetit të lidhjes me spitalet dhe brenda 15 minutave tre vëllezër, të veshur me kostum dhe kollare dhe me çanta në duar mbërritën në spital dhe i prezantuan kartëvizitat e tyre mjekut.»
U bënë rregullime për ta transferuar pacienten në një spital tjetër rreth 40 kilometra larg. Një produkt që pranohet nga disa që refuzojnë transfuzionin e gjakut është eritropojetina, një hormon artificial që stimulon palcën kurrizore për të rritur prodhimin e rruazave të kuqe, por mjeku tha se ky produkt nuk ishte në dispozicion në Brazil. Megjithatë, vëllezërit kontaktuan një anëtar të komitetit të lidhjes me spitalet, të San Paulos që e dërgoi me avion po atë ditë. Motra Defendi përfundoi, duke thënë: «Kur motra ime ishte shumë rëndë, një anëtar i komitetit të lidhjes me spitalet qëndroi në spital gjithë ditën dhe në një moment kritik ai më mori mënjanë dhe tha: ‘T’i bëjmë një lutje Jehovait.’ Nuk do ta harroj kurrë atë lutje.»
Një vizitë në kodrat dhe lagjet e varfëra të Rios
Reputacioni i tyre si njerëz që janë me të vërtetë të devotshëm ndaj Perëndisë u ka dhënë mundësi Dëshmitarëve, të cilët jetojnë në zona ku mbizotëron trafiku i drogës në Rio de Zhaneiro, që të vazhdojnë të kryejnë shërbimin e tyre në këto lagje. Në këto zona ka disa kongregacione dhe siç shpjegon një plak, sa më shumë të predikojnë vëllezërit aq më mirë është. Vëllezërit njihen nga trafikantët e drogës të cilët nuk i bezdisin. Ka kodra me mbi 200.000 banorë që jetojnë në kushte të mjerueshme. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzvenuk është e përfshirë në trafikun e drogës, por për shkak të gjendjes së tyre financiare nuk kanë mundësi të jetojnë diku tjetër.
Një plak që banonte në një pjesë tjetër të qytetit erdhi me makinë në një nga këto lagje për të mbajtur një fjalim publik në një kongregacion. Kur e parkoi makinën para Sallës së Mbretërisë i dolën përpara dy të rinj të armatosur, të cilët e pyetën kush ishte. Kur ai e identifikoi veten si Dëshmitar i Jehovait dhe u tha se kishte ardhur për të mbajtur një fjalim biblik, të rinjtë i thanë të vazhdonte punën pa u shqetësuar për makinën, sepse nuk do ta prekte njeri.
«Në një rast»—tregon Fransisko Duarte, një mbikëqyrës qarkor—«trafikantët erdhën në Sallën e Mbretërisë në fund të mbledhjes për t’i lajmëruar vëllezërit se do të kishte një shkëmbim zjarri. Unë dhe gruaja ime u frikësuam pak, por lajmëtarët vazhduan të bisedonin me njëri-tjetrin sikur të mos kishte ndodhur gjë, pavarësisht nga zhurma e të shtënave. Pas pak, trafikantët u kthyen për të na thënë se mund të dilnim, sepse të shtënat kishin mbaruar.»
Nuk do të jetë e mençur për një person që nuk jeton në atë zonë të lëvizë pa qenë i shoqëruar nga një që banon aty. Përveç kësaj, është e nevojshme një veshje që nuk tërheq vëmendjen e hajdutëve. Vëllai Duarte, edhe pse ishte i shoqëruar nga një lajmëtar vendas, u ndalua nga një burrë, i cili i kërkoi orën. «Në fillim mendova se ishte një grabitje»—kujton vëlla Duarte,—por burri vazhdoi duke thënë: ‘E di që je mbikëqyrësi i ri qarkor, por po të vazhdosh ta pëdorësh atë orë të praruar, ndonjë mund të ta vjedhë, duke menduar se është flori. Përdor orën time dhe vëre tënden në xhep.’ Ishte një vëlla. Pas asaj përvoje kam mësuar të jem më i kujdesshëm.»
Një i ri, i cili i përkiste një bande me trafikantë droge dhe që kishte filluar të studionte Biblën kuptoi se do t’i duhej të ndërronte zanat. Por si? Ai e dinte se në qoftë se ndonjë del nga një bandë, zakonisht ai vritet nga shokët e tij si masë sigurie, kështu që sekretet e bandës nuk do t’u tregohen të tjerëve. Megjithatë, i riu mori kurajë, iu lut Jehovait dhe shkoi të bisedonte me kapobandën. I shpjegoi se ishte duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, i lexoi disa shkrime nga Bibla dhe i tha se nuk mund të vazhdonte të bënte pjesë në bandë. Ai mësoi se edhe vetë drejtuesi i bandës kishte studiuar Biblën në të kaluarën. Kështu që i riu u la i lirë pa raprezalje dhe tani ai është një lajmëtar aktiv në kongregacion.
300.000 lajmëtarë
Meqenëse në kongregacione hynin gjithnjë persona të rinj, kërkohej më shumë literaturë për t’u përdorur në programin e arsimimit biblik. Shtypshkronja jonë ishte zgjeruar tashmë, por ne kishim nevojë për më shumë vend që të strehonim familjen Bethel, ata vullnetarë që punojnë në degë. Disa vëllezër të rinj ishin strehuar në kapanone me nga 20 shtretër secili. Kështu, në vitin 1990 filluam punën për të ndërtuar një godinë për shërbimet dhe tetë ndërtesa të tjera strehimi me një total prej 384 dhomash. U zgjerua edhe dhoma e ngrënies për të mikpritur 1.500 persona.
Për këtë projekt ndërtimi erdhën më shumë se 1.000 vullnetarë nga të gjitha anët e vendit. Pati nga ata që erdhën për disa javë, të tjerë për disa muaj. Shumë ishin profesionistë në zanatin e tyre. (Rreth 130 prej tyre u bënë më vonë pjesëtarë të përhershëm të familjes Bethel.) Nga Feira de Santana, Bahia—me një largësi prej më shumë se 2.000 kilometrash—erdhën 23 vëllezër nga 12 kongregacione të ndryshme. Ata kishin marrë me qera një autobus dhe kishin udhëtuar më shumë se 40 orë për të ndihmuar në ndërtimin për një javë. Erdhën, gjithashtu, 35 vëllezër me përvojë nga vende të tjera për të ndihmuar në veprën. Shumë e vlefshme ishte edhe ndihma që dhanë qindra vëllezër e motra të cilët ishin nga kongregacionet afër Bethelit dhe që ndihmuan në fundjavët.
Gjatë vitit 1991 numri i lajmëtarëve e kaloi shifrën 300.000. Një rritje prej 100.000 lajmëtarësh vetëm në katër vjet! Ndërtesat e zgjeruara të degës ishin në të vërtetë të nevojshme.
«Ju jeni me të vërtetë të shpejtë»
Përparimi i veprës së bërjes së dishepujve kërkonte edhe më shumë vende për të adhuruar. Gjatë viteve të mëparshme ishin ndërtuar Salla Asamblesh në Salvador, Bahia; Dukè de Kasias, Rio de Zhaneiro; Ribeirao Pires, Kozmòpolis dhe Sertaozinio në San Paulo dhe Betim, Minas Gerais. Salla më e madhe e Asambleve gjendet afër Vargem Grande Paulista, në San Paulo: ndërtimi i saj mbaroi në tetor 1992. Pak kohë pas kësaj, u përfundua një sallë tjetër me kapacitet prej 4.000 vendesh në Kueimados, Rio de Zhaneiro. Në shtator 1993, u dedikuan edhe pesë Salla Asamblesh njëkohësisht në Fortaleza, Seara; Itaborai, Rio de Zhaneiro; Kuatro Barras, Paranà; Resifè, Pernambuko dhe Sapusaia do Sul në Rio Grande do Sul. Aktualisht, janë në përdorim 16 Salla Asamblesh dhe 5 të tjera janë në stadin e projektimit.
Në harmoni me urdhërin e Biblës për të mos braktisur të mbledhurit bashkë tonin, nevojiten edhe më shumë Salla Mbretërie për të përballuar vërshimin e madh të personave ngjashëm deleve. (Heb. 10:23-25) Vetëm një e treta e kongregacioneve në Brazil kanë vendin e tyre të mbledhjeve dhe shpejtësia me të cilën po formohen kongregacionet e reja është shumë më e lartë se sa shpejtësia e ndërtimit. Përveç kësaj, për të përfunduar një Sallë Mbretërie duheshin mesatarisht tre vjet. Kështu në vitin 1987 ne filluam të formojmë Komitete Rajonale Ndërtimi, të përbëra nga pleq që kanë përvojë në ndërtim dhe që mund të siguronin ndihmë për trupat e pleqve nëpër kongregacione. Edhe Reparti i projekteve të Bethelit dha sugjerime praktike.
Një hap tjetër domethënës u mor në vitin 1992 kur filloi një program i ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në një periudhë të shkurtër kohore. Ndërtimi i parë u bë në Agudos, San Paulo me 200 vullnetarë dhe një skuadër prej 25 vëllezërish nga Betheli. Projekti mori tre javë, por që atëherë koha e nevojshme për një ndërtesë të tillë është reduktuar në 16 ditë. Gjatë vitit të shërbimit 1995, u përfunduan dhe u dedikuan në shërbim të Jehovait 129 Salla të reja Mbretërie.
Vëzhguesit mbeten gjithmonë të habitur nga shpejtësia me të cilën bëhet ndërtimi. Në fund të javës së parë të ndërtimit në një nga Sallat e Mbretërisë, një punonjës i firmës që duhet të furnizonte me xhamat për dritaret mbeti i habitur kur vëllezërit insistuan që ai të kthehej atë të mërkurë për t’i vënë xhamat. «Ju duhet të jeni gabuar»—tha ai—«Javën tjetër ju nuk do të keni ngritur akoma muret, jo më të jeni gati për të vendosur xhamat.» Ai u kthye të mërkurën, por pa xhamat. Duke parë muret të ngritura dhe të suvatuara, kornizat e dritareve në vendin e tyre dhe çatinë të sistemuar—tëgjitha të bëra në më pak se një javë—iu deshën pesë minuta për të zbritur nga kamioni. Ai pranoi: «Ju jeni më të vërtetë të shpejtë!» Pas kësaj shkoi për të marrë xhamat e dritareve.
Një burrë, i cili jetonte afër vendit ku po ndërtohej një Sallë Mbretërie, i habitur nga shpejtësia e ndërtimit pyeti: «Çfarë duhet të bëj për t’ju ndihmuar?» «Së pari duhet të studioni Biblën me ne»—ishte përgjigjja. Të nesërmen e asaj dite me të u fillua një studim biblik.
Duke dhënë mesazhin me gjuhën e shenjave
Rritja e shpejtë nuk ka bërë që të harrohen të shurdhërit apo të verbërit. Kushtimi i vëmendjes ndaj nevojave të tyre ka pasur rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1992 u botua Gjuha e shenjave një libër me 336 faqe, në portugalisht i cili shërbeu për t’i mësuar gjuhën e shenjave të shurdhërve. Libri ka bashkuar shenjat e përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait në Brazil dhe është përpjekur të eliminojë shenjat e bazuara mbi idetë babilonase. Një nga këto ishte një lëvizje e dorës që imiton spërkatjen dhe natyrisht nuk e jep në mënyrë të qartë idenë e pagëzimit në ujë të krishterë.
Kongregacioni i parë për të shurdhërit dhe për ata me vështirësi dëgjimi u formua në Rio de Zhaneiro në 1982. Tani ka gjashtë kongregacione të tilla dhe 50 grupe më të vogla në qytete të ndryshme. Në vitin 1994 u mbajtën 18 kongrese krahinore me grupet e gjuhës me shenja. Në disa nga këta përkthyesit interpretuan rolet në drama. Në vitin 1996 Dëshmitarët brazilianë që janë të shurdhër, e pritën me buzëqeshje masive të përziera me lot gëzimi një video të prodhuar nga Shoqata, që paraqet në gjuhën e shenjave gjithë broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Sa e dobishme do të jetë, meqë shumë që janë të shurdhër nuk e lexojnë dot, por e kuptojnë gjuhën e shenjave!
E denjë për lavdërim është fryma vullnetare e vëllezërve që shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe pionierë në këto kongregacione. Kërkon kohë, përpjekje dhe këmbëngulje të mësosh gjuhën e shenjave, por rezultatet kanë qenë shpërblyese.
«Ajo më ka inkurajuar pa më parë, dëgjuar apo folur.» Kjo është shprehja e përdorur zakonisht nga ata që njohin Rozmari Varella, një motër e verbër dhe e shurdhër e cila ka shërbyer si pioniere ndihmëse për tre vitet e kaluara. Ajo ka lindur e shurdhër dhe si rezultat nuk ka mësuar të flasë. Pak nga pak humbi dhe shikimin dhe tani është praktikisht e verbër. Arrin të shprehet me anë të gjuhës së shenjave dhe i merr shenjat që bëjnë të tjerët duke prekur duart e tyre.
Rozmari e kishte humbur shikimin para se të mësonte të vërtetën dhe kjo gjë kishte kufizuar jashtëzakonisht komunikimin me burrin e saj. Ishte kaq e dëshpëruar sa që mendonte të vriste veten. Në atë kohë u kontaktua nga Nilca Karvalho, një e re pioniere, e cila dinte gjuhën e shenjave. Kur mësoi mbi premtimin e Perëndisë për të shëruar njerëzit nga të gjitha llojet e sëmundjeve, ajo pranoi një studim biblik. (Isa. 35:5) Shpejt ajo filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit për të shurdhërit në San Paulo. U bënë rregullime që një përkthyes të ulej afër saj në mbledhje për t’i transmetuar me anë të interpretimit me të prekur atë që shprehej nga podiumi. Më vonë burri i saj pranoi, gjithashtu, një studim biblik: ai la duhanin dhe që të dy u pagëzuan në shkurt 1992. Pak kohë pas pagëzimit ata u bënë pionierë ndihmës në kohë të pacaktuar. Rozmari ka drejtuar deri në 20 studime biblike me persona të tjerë të shurdhër, në të njëjtën kohë që kujdesej për detyrat e saj në shtëpi.
Për të ndihmuar ata që u ka humbur shikimi, në vitin 1980 Shoqata filloi të prodhonte botime në gjuhën Braile portugeze (të gradës së parë). Sot, shumë nga botimet e Shoqatës, duke përfshirë Biblën dhe Kullën e Rojës janë në dispozicion në Braile. Bibla e plotë në Brailen portugeze zë 84 volume, jo tamam një botim xhepi! Është prodhuar edhe një manual për të ndihmuar ata që dëshirojnë të mësojnë gjuhën Braile. Statistikat tregojnë se ka më shumë se një milion njerëz në Brazil me probleme të rënda shikimi.
Thatësirë në verilindje
Megjithëse thatësira është një problem kronik në pjesën verilindore të Brazilit, situata ishte veçanërisht e rëndë në vitin 1993. Në disa zona nuk kishte rënë shi për dy vjet me radhë. Ata që ishin prekur më rëndë ishin njerëzit që jetonin në zonat e fshatrave, të cilët vareshin nga të korrat e tyre. Në Mumbaba, Searà njerëzit rrinin në radhë ditë e natë për të marrë ujë nga burimi i vetëm që kishte mbetur. Për shkak të thatësirës në disa qytete u sulmuan merkato dhe qendra tregtare. Për të ndihmuar vëllezërit në atë rajon, kongregacionet e San Paulos, Rio de Zhaneiros dhe Kuritibas, duke treguar një bujari të ngjashme me vëllezërit e krishterë të shekullit të parë në Filipi, dërguan katër kamionë të mëdhenj me 80 ton ushqime, veshje dhe këpucë. Në përgjithësi morën ndihmë vëllezërit në 65 qytete në pesë shtete.—Fil 4:14-17.
Në një postbllok një rojë pyeti shoferin e kamionit se sa fitonte për të bërë një udhëtim kaq të rrezikshëm. Ishte e rrezikshme për shkak të plaçkitjeve. Kur mësoi se shoferi ishte një Dëshmitar i Jehovait, roja tha: «Vetëm një Dëshmitar i Jehovait do ta bënte këtë për asgjë si shpërblim!» Në një postbllok tjetër në autostradë, kur shoferi tha se ishte një Dëshmitar i Jehovait roja i kërkoi që t’i tregonte Deklaratën/Shfajësimin mjekësor si atij dhe shoqëruesit. Pasi i kontrolloi kartelat, ai i tha rojës tjetër: «Ata janë më të vërtetë Dëshmitarë të Jehovait. Mund t’i lejosh që të kalojnë.»
Në shtetin e Parai̇̀bas, duke parë ndihmën e siguruar një burrë komentoi: «Fetë e tjera vetëm flasin, ndërsa ju bëni realisht diçka për të afërmin tuaj.» Megjithëse situata ishte e vështirë, vëllezërit nuk i humbën shpresat, sepse ata besonin që Jehovai do të siguronte nevojat e tyre bazë. Një motër shkroi: «Ju nuk mund të kënaqni dëshirën tonë për shi, as të zgjidhni problemin tonë për mungesën e ujit, por me ndihmat që na keni dërguar keni forcuar besimin dhe sigurinë se nuk jemi vetëm në këtë botë dhe se ka njerëz që mendojnë për ne.»—Jak. 2:14-17
«Duartrokitje për Dëshmitarët e Jehovait»
Kongreset janë veçanërisht momente të lumtura për Dëshmitarët e Jehovait. Por mund të lindin probleme të papritura kur kongreset mbahen në ndërtesa që përdoren për ndeshje sportive. Një situatë e vështirë u krijua në vitin 1992, në kohën e kongresit krahinor «Mbajtësit e dritës» në stadiumin Pakaembu të San Paulos. Kishim bërë kontratë për ta përdorur stadiumin për tre ditë, por në disa vende ndeshjet sportive shihen si më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Kështu, të enjten pasdite—një ditë para fillimit të kongresit—vëllezërit u lajmëruan se të dielën në orën 1800 do të bëhej një ndeshe futbolli midis dy skuadrave më të mira të vendit. Prandaj ne duhet ta boshatisnim stadiumin në orën 1600.
Zhoào Fernandes, mbikëqyrësi i kongresit, kujton: «Nuk kishim asnjë zgjidhje edhe pse ishte firmosur një kontratë. Patëm një mbledhje të premten në darkë me tre vëllezër nga çdo repart, gjithsej 110 vëllezër për të programuar një çmontim me shpejtësinë e dritës të kongresit. Do të kërkonte bashkëpunimin e ngushtë të të gjithëve, jo vetëm për t’i çmontuar pajisjet, por edhe për t’i transportuar pa penguar daljen e 30.000 personave nga stadiumi. Platforma dhe sistemi i akustikës u çmontuan për disa minuta. Pajisjet e tjera u çuan në ndërtesën e Bethelit të vjetër në San Paulo, ku u pastruan dhe u vunë mënjanë. Në orën 1545, pak më shumë se një orë pas mbarimit të kongresit, çdo gjë ishte në vendin e vet.»
Gjatë javës së kongresit, disa komentues të televizionit thanë se Dëshmitarët e Jehovait nuk do të ishin në gjendje ta lironin stadiumin në kohë për mbërritjen e tifozëve të futbollit. Të dielën, gjatë një rubrike sportive, një komentues në një stadium tjetër pyeti kolegun e tij në stadiumin Pakaembu: «Në cilat kushte është stadiumi? A e përmbushën premtimin e tyre ata njerëzit fetarë, duke e liruar stadiumin në kohë?» Përgjigjja ishte: «Po, sigurisht! Jo vetëm që e liruan stadiumin në kohë, por çdo gjë ishte e pastër. Është një kënaqësi të shohim jo vetëm banjot të pastruara, por edhe tribunat të fshira. Duartrokitje për Dëshmitarët e Jehovait!»
Minikongrese në vende të izoluara
Në rajonin e Amazonave ka disa grupe të izoluara dhe familje individuale, për të cilat, largësia deri në qytetet ku bëhen kongreset është shumë e madhe. Të vetmet mjete udhëtimi për ta janë: aeroplani që është shumë i kushtueshëm, ose varka që është shumë e ngadalshme. Kështu që, këta lajmëtarë, në përgjithësi nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në kongrese dhe asamble. Kjo u ka ndodhur vëllezërve në Tabatinga, në Amazona, rreth 1.600 kilometra larg nga qyteti më i afërt ku bëhej një kongres, Manausi.
Duke pasur parasysh këtë problem, në vitin 1990 u bënë rregullime që programi i kongresit krahinor të prezantohej në mënyrë të shkurtuar gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Ky rregullim vazhdon për vëllezërit në pesë qytete, në tre qarqe të ndryshme. Grupe me ndoshta 50 apo mundësisht edhe 180 persona mblidhen në Sallën e Mbretërisë, nëse grupi ka një të tillë, apo edhe në një sallë të çfarëdoshme.
«Tani mund të jem një pionier, apo jo?»
Çmueshmëria për gjërat frymore, e treguar nga disa që e paraqitën veten e tyre për t’u pagëzuar, të ngroh me të vërtetë zemrën. Në vitin 1993, në një asamble të vogël në Tefè në rajonin e Amazonave, Pùblio Kavalkànte, një mbikëqyrës qarkor, vuri re se një nga ata që ishin ulur në zonën e rezervuar për kandidatët për pagëzim ishte një i ri, të cilin ai nuk e kishte parë kurrë. Meqenëse në atë zonë ka kaq pak vëllezër, zakonisht mbikëqyrësi qarkor i njeh të gjithë personalisht. Ai pyeti pleqtë se mos i riu ishte ulur atje gabimisht. Ata shpjeguan: ‘Jo. Ai jeton gati 35 deri 40 orë me varkë që këtu. E mësoi të vërtetën nga një korrespondencë me letra. Çdo gjashtë muaj, një pionier special e vizitonte atë—në Jurua—dhe qëndronte me të për rreth një muaj.’
Më vonë, mbikëqyrësi qarkor shkoi të fliste me të riun dhe gjatë bisedës e pyeti nëse kishte drejtuar ndonjëherë një studim biblik. ‘Po, unë kam 11 studime. Ja ku është një nga studentët e mi biblikë’—u përgjigj ai, duke treguar një të ri tjetër të ulur në auditor. Duke vazhduar bisedën, ai tregoi dy të rinj të tjerë që po studionin me të. Këta studentë kishin paguar shpenzimet e udhëtimit të tyre, që zgjati 35 orë për të ndjekur kongresin dhe për të qenë të pranishëm në pagëzimin e mikut të tyre. Pasi u pagëzua atë ditë, i riu pyeti pionierin special: «Tani mund të jem një pionier, apo jo?» Deri tani në atë zonë nuk mbahet asnjë mbledhje, por tani që ky lajmëtar është pagëzuar, pionieri special ka planifikuar ta stërvitë për të drejtuar mbledhjet.
Predikim në zonat e punuara rrallë
Dëshmitarët e Jehovait nuk mendojnë që për sa kohë që ata marrin pjesë në një farë mase në shërbimin në fushë, nuk është e nevojshme të bëhet më shumë. Ata kuptojnë se çdonjëri ka nevojë për një mundësi për të dëgjuar lajmin e mirë. Ka shumë provinca në Brazil që nuk i janë caktuar ndonjë kongregacioni dhe të tjera që janë punuar rrallë. Në përgjithësi, këto janë provinca të vogla, të izoluara dhe që arrihen me vështirësi. Një shqyrtim i bërë në vitin 1990 tregoi se kishte 4.000.000 njerëz që jetonin në territor të pacaktuar dhe 9.000.000 që jetonin në territoret e tjera të punuara rrallë. Atë vit u ndërmor një fushatë speciale për të kontaktuar disa nga ata njerëz. Morën pjesë më shumë se 2.000 lajmëtarë duke punuar në 177 provinca që më parë nuk i ishin caktuar asnjë kongregacioni. Më vonë, rreth 30 familje u transferuan në disa nga këto provinca që të siguronin një bërthamë për kongregacione të reja.
Burimet e kufizuara financiare nuk janë një pengesë e pakapërcyeshme për Dëshmitarët, kur bëhet fjalë për të marrë pjesë në një vepër të tillë. Pleqtë e katër kongregacioneve në Sobral, Searà, një nga rajonet më të varfëra dhe më të thata të Brazilit, u mblodhën në shtator 1993 për të vendosur se si të punonin disa provinca të caktuara mbi një bazë të rregullt. Kishte dhjetë provinca që u ishin caktuar atyre e që deri atëherë ishin punuar vetëm me raste. Oraret e autobusave për në këto vende e bënin udhëtimin gati të pamundur për lajmëtarët.
Provincat gjenden në një rreze gati 130 kilometra larg nga Sobrali, kështu që pleqtë vendosën të blinin një furgon të përdorur, që i lejonte lajmëtarët të udhëtonin për në territor çdo ditë. Ata mund të niseshin në mëngjes dhe të ktheheshin në mbrëmje. Kur u informuan për këtë vendim, kongregacionet dërguan kontribute vullnetare për blerjen e furgonit. «Blerja e atij mjeti të transportit nuk ishte rezultati i një kontributi të madh lokal, por i përpjekjeve të të gjithëve.»—shkroi Uilson Diaz, një nga pleqtë. Një vëlla tjetër shkroi: «Kongregacionet kontribuan një shifër prej 2.000 dollarësh, një vëlla nga Anglia kontribuoi të njëjtën shifër dhe pjesa tjetër u pagua me këste.»
Më shumë se 50 lajmëtarë dhe pionierë marrin pjesë në këtë rregullim, duke udhëtuar secili një ditë të caktuar të javës. Në këtë mënyrë, ata arrijnë të kontaktojnë një popullsi me rreth 110.000 banorë. Ata kanë qenë në gjendje të ndihmojnë një numër individësh për t’u bërë lajmëtarë të Mbretërisë dhe kanë riaktivizuar të tjerë. Tani, mbledhjet mbahen rregullisht në katër nga provincat.
Në fillim të vitit 1995 u sugjerua një rregullim tjetër nga zyra e degës së Brazilit, për të arritur dhe për t’u kujdesur për njerëzit që jetojnë në territore të pacaktuara apo të largëta. Disa kongregacione kanë rregulluar që të paguajnë shpenzimet e pionierëve të rregullt, që do të ishin të gatshëm të shërbenin për gjashtë muaj në zona të tilla. Edhe kongregacione të tjera kanë ndjekur drejtimin e tyre dhe rezultatet kanë qenë shumë inkurajuese. Për të përmendur, më shumë se 340 pionierë të rregullt janë caktuar për të shërbyer në 350 provinca, ku ata kanë ndihmuar tashmë më shumë se 300 persona për t’u bërë lajmëtarë.
Në të njëjtën kohë, shumë punë e mirë po bëhet nga 1.400 pionierë specialë të përhershëm e të përkohshëm. Shumë prej tyre janë caktuar për të punuar me kongregacionet ku ka mungesa në vëllezër me përvojë. Për shembull, në Rio Branko, Akre, një nga kongregacionet ka vetëm një plak lokal, përveç pionierit special, për t’u kujdesur për nevojat e 90 lajmëtarëve. Megjithatë, shumica e pionierëve specialë po shërbejnë në provinca të vogla ku nuk ka kongregacione dhe është e kënaqshme të shohim punën e shkëlqyer që po bëjnë.
Edhe vëllezërit nga qytetet e mëdha kanë bërë pjesën e tyre, duke punuar në territoret e largëta e të punuara rrallë. Për nëntë vjet me radhë, në Rio de Zhaneiro janë organizuar grupe për të punuar në këto territore për disa javë. Kohët e fundit, një grup prej 68 vëllezërish dhe motrash kanë punuar në 20 qytete në Paranà, duke udhëtuar për më shumë se 2.500 kilometra në 17 ditë. Gjëja e vetme për të cilën ndjejnë keqardhje, thotë Xhorxh Gazi një nga organizatorët e grupit, është që këto udhëtime dëshmie nuk kanë filluar më parë.
Pallate lluksoze
Njerëzit që jetojnë në territore të pacaktuara nuk janë të vetmit që arrihen me vështirësi. Ka shumë njerëz në qytetet më të mëdha, të cilët preferojnë të jetojnë në zona lluksoze, në pallate të mëdha, dhe në apartamente ndërtesash që ofrojnë një siguri kundër kriminalitetit. T’u afrohesh këtyre personave është e vështirë, por jo e pamundur. Një çift i martuar, që kishin qenë në shërbimin e plotë kohor për një farë kohe gjatë viteve ‘80 u transferua në një nga këto pallate afër San Paulos. Ata e konsideruan atë si territorin e tyre personal. «Kur shkoja për të bërë pazarin apo në bankë ose kur shkoja të merrja fëmijët nga shkolla»—kujton mamaja—«isha gjithnjë e përgatitur për të kontaktuar fqinjët tanë.» Më vonë ajo me kujdes fillonte t’i vizitonte sistematikisht.
Në një mbledhje me prindërit e nxënësve, një nënë i tha motrës sonë se djali i saj kishte vështirësi për t’u përqendruar. Motra i dha një kopje të një artikulli të revistës Zgjohuni! që trajtonte këtë problem dhe kjo çoi në një studim biblik. Përfundimisht kjo zonjë dhe dy vajzat e saj u pagëzuan. Një fqinjë tjetër e pyeti motrën tonë, nëse do të dëshironte të bashkëpunonte me të në mbledhjen e ushqimeve për personat që kishin nevojë. Motra i tha se ajo ishte tashmë e përfshirë duke ndihmuar njerëzit në lagjen e saj dhe i shpjegoi rregullimin për studimet biblike në shtëpi. Zonja, burri dhe djali i saj 18 vjeçar filluan të studionin dhe përfundimisht u pagëzuan.
Një zonjë tjetër dhe tre vajzat e saj adoleshente pranuan një studim biblik. Burri kundërshtoi edhe pse e mbante veten për një person fetar. Njëra nga vajzat i sugjeroi që të ndiqte një mbledhje për ta shqyrtuar vetë çështjen dhe ai pranoi. Disa ditë më vonë, motra jonë i ftoi familjarisht për një drekë në shtëpinë e saj dhe ata pranuan. Për habinë e të gjithëve, burri komentoi mbi mbledhjen që kishte ndjekur. Më vonë, ai pranoi një studim biblik dhe sot e gjithë familja i shërben Jehovait.
Edhe persona të tjerë kanë studiuar. Si rezultat, në nëntor 1991 u formua një kongregacion që ishte përbërë plotësisht nga persona që jetonin në atë pallat të madh. Aty ka 46 lajmëtarë dhe në Përkujtim, në vitin 1995, ishin të pranishëm 80 persona. Kështu, e vërteta e Fjalës së Perëndisë mund të depërtojë edhe në ato zona që janë të vështira për t’u arritur.
400.000 lajmëtarë dhe priten të tjerë akoma
Gati një shekull më parë, farat e së vërtetës arritën në fillim në Brazil me anë të postës. Pas rreth 25 vitesh u bënë rregullime për të përkthyer botimet Watch Tower në portugalisht mbi një bazë të rregullt në Brazil dhe për t’i shtypur në Rio de Zhaneiro. Gjatë 25 viteve të tjera, rreth 1.000 persona në Brazil u bënë Dëshmitarë të Jehovait dhe filluan të merrnin pjesë rregullisht në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë tek të tjerët. Por në prill 1995 ky numër ishte rritur deri në më shumë se 400.000 lajmëtarë të Mbretërisë! A kishte akoma punë për të bërë? Jezu Krishti paratha se mesazhi i Mbretërisë do të predikohej «në të gjithë tokën e banuar» para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Deri në çfarë mase është kryer kjo gjë në Brazil? Mbledhjet e hershme të mbajtura në Brazil nga Dëshmitarët e Jehovait (atëherë të njohur si Studentët e Biblës) përfshinin ata në San Paulo dhe në Rio de Zhaneiro. Në ato zona, sot ka shumë kongregacione që po mbushen me njerëz që e duan dhe i shërbejnë Jehovait. Në zonën kryeqytetase të San Paulos ka tani 837 kongregacione; në Rio de Zhaneiro ka 539 dhe në Salvador ka 276. Në të gjithë vendin ka mbi 6.650 kongregacione, të përbëra nga Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait. Njerëzit në shumë qytete kanë mundësinë për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë shpesh—në disa zona kjo bëhet çdo javë. Në provincat e vogla dhe në zonat e thella nuk vizitohen të gjithë njerëzit kaq shpesh. Ka rreth 350 provinca të vogla (me një popullsi totale të llogaritur prej 1.500.000 banorësh) si edhe zona të gjera rurale që nuk i janë caktuar ndonjë territori. Në këto zona nuk bëhet një dëshmi e rregullt, megjithëse janë bërë përpjekje për t’i arritur ata të paktën një herë çdo gjashtë muaj. A mund të ndihmoheshin më shumë persona, si në qytetet më të mëdha ashtu edhe në zonat e thella, për të çmuar vlerën e mesazhit të Biblës? Në një përpjekje për të arritur zemrat e tyre, gjatë prillit dhe majit 1995, u bë një sforcim i veçantë për të kontaktuar personalisht sa më shumë njerëz që ishte e mundur dhe për t’u dhënë atyre fletushkën Përse jeta është plot me probleme? Ishin shtypur më shumë se 34.000.000 kopje dhe u ishin dërguar kongregacioneve për shpërndarje. Kur mori një kopje, një burrë tha: ‘I bëra vetes të njëjtën pyetje këtë mëngjes dhe fola me të tjerët rreth saj.’ Një zonjë tha: ‘E kam pyetur veten për shumë vite rreth kësaj, por nuk kisha imagjinuar asnjëherë se do të kishte një përgjigje për të.’ Një tjetër i shkroi Shoqatës: «Më pëlqeu kaq shumë fletushka saqë po ju kërkoj një studim biblik. Faleminderit shumë.»
Dëshmitarët e Jehovait në Brazil nuk mendojnë se vepra e tyre ka mbaruar dhe se nuk mund të bëhet më asgjë për t’iu bindur urdhërit profetik të Jezuit, për të dhënë dëshmi në lidhje me Mbretërinë. Edhe në zonat e punuara shpesh nga Dëshmitarët, ata kuptojnë se shumë njerëz nuk gjenden në shtëpi. Njerëzit mund të jenë duke bërë pazarin, duke punuar, duke vizituar miqtë apo duke fjetur deri vonë për të kompensuar energjitë për javën tjetër. Dëshmitarët tregojnë kujdes edhe për këta njerëz. Për të zgjidhur këtë problem një mbikëqyrës qarkor në Porto Alegre, Rio Grande do Sul, adoptoi këtë metodë: Ai e kuptoi se në ditët e ftohta të dimrit, shumë njerëz parapëlqenin të flinin deri vonë, sepse krevati ishte vendi më i ngrohtë për të ndenjur. Mbikëqyrësi dhe shoqëruesi i tij bënin xhiron e lagjes dhe trokisnin vetëm në ato dyer ku kishte shenjë jete. Ata i ranë rreth e qark një lagjeje nëntë herë dhe çdo herë gjetën më shumë njerëz që ishin ngritur nga gjumi. Ata patën mundësi të linin literaturën në çdo shtëpi, duke hapur kështu rrugën për rivizita. Në Brazil ka shumë njerëz që tregojnë interes në Fjalën e Perëndisë dhe Dëshmitarët e Jehovait janë të etshëm t’i ndihmojnë për ta kuptuar atë dhe t’i mësojnë si ta zbatojnë në jetën e përditshme. Aktualisht, Dëshmitarët drejtojnë rregullisht mbi 500.000 studime biblike në shtëpi me individë dhe grupe familjare. Dhe, që nga viti 1995, duke përdorur librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, Dëshmitarët e Jehovait ndërmorën një program që është përgatitur për të ndihmuar personat e prirur të mësojnë mësimet bazë biblike më shpejt se më parë. Përveç atyre që pranojnë një ndihmë të tillë, miliona të tjerë anembanë vendit pranojnë me kënaqësi literaturën biblike të shpërndarë nga Dëshmitarët, gjë që e tregon fakti se gjatë vitit të shërbimit 1996 u lanë 2.334.630 libra, 21.168.979 revista dhe 2.787.032 broshura. Fusha e interesave teokratike për vëllezërit dhe motrat tona nga Brazili, shtrihet shumë më tej kufirit brazilian. Shumë pionierë nga ky vend, janë transferuar për të shërbyer atje ku nevoja është më e madhe, në vende ku dëshmia nuk ka qenë akoma kaq e zgjeruar. Nga dega në Çezario Lange, furnizohen me literaturë biblike për përdorimin në predikimin e lajmit të mirë jo vetëm Brazili, por edhe Angola, Argjentina, Bolivia, Gjermania, Mozambiku, Paraguai, Portugalia dhe Uruguai. Me gjithë punën e bërë në të kaluarën, duket se ritmi vazhdon të shpejtohet nga viti në vit.
Çfarë gëzimi ka qenë!
Sigurisht që, për të dhënë dëshmi në të gjithë Brazilin është dashur shumë punë. Por ka qenë një punë e gëzueshme! Patjetër, përveç momenteve të mira ka pasur edhe kohë të vështira. Por zemrat tona janë ngrohur, ndërsa kemi parë me sytë tanë dëshminë e bekimit të Jehovait mbi aktivitetin e shërbëtorëve të tij besnikë. Erik Katner kujton akoma që në vitet 1939 dhe 1940, ndërsa ai dëshmonte në zonat e thella të Brazilit i duhej shpesh të flinte përjashta, duke përdorur çantën e tij të literaturës si jastëk. Atëherë në të gjithë vendin kishte vetëm disa qindra Dëshmitarë. Shumë pak nga ata që kontaktoi nëpër shtëpi kishin një Bibël. Për të blerë Bibla që t’ua shpërndante personave të interesuar, ai duhet të shkonte në magazinën e Shoqërisë biblike lokale, por pas një farë kohe ata nuk i shisnin më Bibla atij. Megjithatë ai pohon: «Kam pasur emocionin dhe privilegjin për të ndjekur asamblenë «Lajmi i mirë i përjetshëm», në Nju Jork Siti në 1963, kur Përkthimi Bota e Re i shkrimeve të krishtere greke u prezantua në gjashtë gjuhë, duke përfshirë gjuhën portugeze. Isha veçanërisht mirënjohës ndaaj Jehovait për këtë botim në portugalisht, sepse do të kisha mundësi ta përdorja në caktimin tim në Brazil.» Që nga viti 1967 botimi i plotë i Përkthimit Bota e Re nga Zanafilla deri tek Zbulesa, ka qenë në dispozicion në portugalisht. Çfarë lehtësimi ka qenë ky për veprën e arsimimit biblik në Brazil! Numri i lavdëruesve aktivë të Jehovait në Brazil është rritur nga 30.118 në vitin 1963 në më shumë se 436.000 në vitin 1996. Augusto Makado është mirënjohës për ndihmën që i është dhënë nga njëri prej misionarëve të parë që u dërguan në Brazil. Ai kujton, gjithashtu, kongresin e parë të Dëshmitarëve të Jehovait, në të cilin ishte i pranishëm. Ky u mbajt në Rio de Zhaneiro. Ishin të pranishëm nga Nju Jorku Natan Knorr dhe Milton Henshel. Të pranishëm ishin vetëm 1.064 persona. Një nga fjalimet ishte titulluar «Mënyra më e shkëlqyer e dashurisë.» «Më pas në vitin 1958»—thotë vëlla Makado—«pata privilegjin të isha mes 253.922 personave që ndoqën kongresin ndërkombëtar tetë ditor në Nju Jork. E njëjta frymë dashurie përshkonte të dy kongreset. . .U ktheva nga Nju Jorku më i bindur se kurrë që populli i Jehovait, duke qenë i lirë nga ndarjet fisnore dhe raciale, po bën një vepër arsimore biblike mbarëbotërore, e cila nuk ka paralele në histori.» Në vitin 1985 ai pa provat e dukshme të veprës së arsimimit biblik që po kryhet në Brazil. Ai pati privilegjin të fliste në një kongres ndërkombëtar që po mbahej njëkohësisht në San Paulo dhe në Rio de Zhaneiro. Të pranishmit arritën shifrën totale prej afro 250.000 personave, shumica prej të cilëve ishin nga Brazili. Dhe një dekadë më vonë, kur kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë Brazilit u mblodhën për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, ishin të pranishëm më shumë se 1.144.000 persona. Të gjithë shërbëtorët e dedikuar të Jehovait sot kanë shumë arsye për të qenë të gëzuar pavarësisht nga kohët e vështira në të cilat jetojmë. Zemrat tona janë të prekura thellë kur meditojmë mbi atë që Perëndia ka bërë tashmë dhe mbi atë që ka premtuar për të ardhmen. Nga të gjitha kombet, duke përfshirë Brazilin «gjërat e dëshirueshme» po mblidhen në shtëpinë e tij frymore të adhurimit. (Hag. 2:7) Siç pohon me të vërtetë Psalmi 144:15: «I lumtur është populli, Perëndi i të cilit është Jehovai!»