Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mikronezia

Mikronezia

Mikronezia

Parajsë. Kjo fjalë mund t’ju bëjë të mendoni për një ishull tropikal të harlisur, qiej të kaltër vezullues, palma që valëviten nga flladi i lehtë, bregdete të bardha me rërë, ujëra të tejdukshëm oqeani me peshq të shumëngjyrshëm në një perëndim spektakular të diellit. Mikronezia i korespondon këtij përshkrimi të parajsës. Bukuria e saj të lë pa frymë.

Por ka edhe gjëra të tjera këtu, që ju nuk do t’i lidhnit asnjëherë me parajsën. Këto ishuj mbajnë shenjën e shëmtuar të betejave brutale gjatë Luftës II Botërore dhe sot populli i Mikronezisë ndeshet kundër problemeve ekonomike, kriminalitetit dhe sëmundjeve. Një numër gjithnjë në rritje njerëzish po kuptojnë se problemet e rrënjosura thellë të njerëzimit duhet të zgjidhen para se kjo të jetë me të vërtetë një parajsë.

Shumëllojshmëria i jep shije jetës në Mikronezi

Mikronezia përfshin brenda saj disa grupe ishujsh, secili i ndryshëm për nga paraqitja dhe kultura. Në mënyrë të habitshme, secili nga këto ka gjuhën e vet të veçantë, e cila nuk kuptohet madje as nga banorët e grupeve të ishujve që janë afër. Nuk ekziston në të vërtetë një ishull tipik mikronezian. Disa ishuj janë të pasur, disa të tjerë të varfër. Ishuj shkëmborë vullkanikë si Pompei arrijnë një lartësi mbi 900 metra, ndërsa ishuj të tjerë koralorë delikatë janë kaq të sheshtë saqë nuk ngrihen më shumë se 1 metër mbi nivelin e detit. Majuro në ishujt Marshall është një ishull koralor i tillë. Gjatë stuhive, dallgët disa herë përmbysin pjesë të tëra të këtyre ishujve koralorë. Mikronezianët janë njerëz miqësorë dhe tërheqës. Shumë prej tyre jetojnë me rezervat nga deti dhe toka. Ata nxjerrin ushqimet bazë nga toka e tyre, ndoshta rrisin disa pula ose derra dhe kapin peshq në oqean. Mendohet se këta ishuj të izoluar u kolonizuan fillimisht nga lundërtarë prej lindjes nga Azia dhe prej Perëndimit nga Melanezià, por eksploratorët spanjollë të shekullit të 16-të ishin Perëndimorët e parë që arritën në Mikronezi. Ata sollën me vete fenë e tyre. Sot Kisha Katolike e Romës është e gërshetuar thellë në shumicën e ishujve bashkë me një formë të përgjithshme të besimit protestant që u vendos nga misionarët e të ashtuquajturit krishterim në fund të shekullit të 19.

GUAMI: Qendra e aktivitetit të ishujve

Mikronezia, që do të thotë «ishuj të vegjël», përfshin gati 2.000 ishuj të shpërndarë, ku rreth 125 prej të cilëve janë të banuar. Këto janë shpërndarë mbi një pjesë të globit që është e madhe gati sa kontinenti i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ishujt janë kaq të vegjël saqë të gjithë së bashku përbëjnë një sipërfaqe toke prej vetëm 3.100 kilometrash katrorë, jo shumë më e madhe se ishulli i Rodit, shteti më i vogël i Shteteve të Bashkuara. Hyrja për në Mikronezi është Guami, ku nisen shumë fluturime ajrore nëpër shumë ishuj të tjerë. Nga 470.000 banorët e Mikronezisë, 150.000 gjenden në Guam. Me një gjatësi prej 51 kilometrash, Guami është ishulli më i madh i Mikronezisë. Është, gjithashtu, edhe më i zhvilluari. Rrugë të mbushura plot e përplot dhe një stil jetese i ethshëm, e dallojnë nga ishujt e tjerë, që kanë një ritëm më të ngadaltë. I kërkuar shumë nga fuqitë ushtarake si një vend me pozicion strategjik në Paqësor, Guami është në kohën e tashme një kala amerikane. Më shumë se një e treta e vendit kontrollohet nga ushtria amerikane. Megjithatë, Guami është edhe një vend strategjik për shpërndarjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower, materiali i përdorur për arsimimin biblik shtypet në 11 gjuhë për t’u shpërndarë në gjithë Mikronezinë.

E vërteta e Mbretërisë arrin në një nga ‘kufijtë e fundit’

Gjatë fjalimit të tij në dedikimin e ndërtesës së degës në Guam në prill 1980, Milton Henshel nga Trupi Udhëheqës, e përshkroi Mikronezinë si «një nga kufijtë e fundit» në veprën e predikimit të Mbretërisë. Për faktin që Mikronezia është e përbërë nga shumë ishuj të veçuar dhe se aty flitet një shumëllojshmëri e madhe gjuhësh, ky ‘kufi i fundit’ tropikal ka qenë një sfidë e vërtetë. Për 40 vjet misionarë besimplotë kanë përballuar atë sfidë me punë të rëndë dhe me aftësi. Gjatë atyre viteve, të paktën 175 misionarë kanë shërbyer në Mikronezi dhe ky ka qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e 26 kongregacioneve dhe rreth 1.300 Dëshmitarë që janë aktivë tani nëpër ishuj. Vetëm disa nga 63 misionarët që shërbejnë aktualisht në Mikronezi kanë ndjekur Shkollën e Galaadit (Watch Tower Bible School of Gilead). Shumica janë pionierë nga Filipinet dhe nga Havai, të cilët u ftuan për të ndërmarrë shërbimin misionar. Për shumë nga këta kjo donte të thoshte të ndërronin rehatitë e një shtëpie për një stil jetese më primitiv. Në disa ishuj ka vetëm pak rrugë për të qenë, pa elektricitet dhe pa ujë të rrjedhshëm. Misionarët janë të ekspozuar ndaj shumë sëmundjeve; ata duhet të durojnë një klimë të nxehtë, të lagësht dhe disa herë me ndryshime të dhunshme. Tufanë shkatërrues kërcënojnë vendin gati gjithë vitin. Por misionarët kanë parë frytin e kënaqshëm të punës së tyre. E vërteta biblike ka hedhur rrënjë në secilin nga ishujt më të mëdhenj. Midis të parëve që përqafuan mesazhin e Mbretërisë ishin disa ishullorë me influencë. Në Pompei për shembull, ishte Karl Danis një anëtar i asamblesë legjislative të Pompeit. Në Kosrae një nga Dëshmitarët e parë ishte Fredi Èdvin, i cili fliste shtatë gjuhë dhe që kishte lidhje gjaku me mbretin. Augustin Kastro, i cili kishte studiuar më parë për t’u bërë prift, ndihmoi në formimin e një kongregacioni në Saipan. Dhe në Guam, ish-boksieri Toni Salsedo e përdori popullaritetin e tij për t’u dhënë njerëzve një mesazh që mund t’i ndihmonte ata të gëzonin një paqe, që ai ishull tërheqës nuk u kishte dhënë kurrë.

Si arriti lajmi i mirë në Guam

Toni Salsedo nuk ishte i vetmi Dëshmitar që erdhi në Mikronezi. Në fakt ai nuk ishte një Dëshmitar kur mbërriti në Mikronezi. Ai erdhi në Guam nga Filipinet në 1948-tën me një kontratë pune për një rindërtim të pasluftës. Disa nga shokët e tij të punës ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe ata filluan t’i mësonin Biblën Tonit. Këta vëllezër të zellshëm organizuan kongregacionin e parë në Mikronezi në dhjetor 1951, por në vitin 1954 të gjithë ata përveç Tonit u detyruan të largoheshin nga Guami kur firma u mbyll. Toni, i cili kishte hequr dorë nga boksi, u lejua të qëndronte, sepse ishte martuar me një vajzë nga Guami. Mes viteve ‘50 mbledhjet mbaheshin në shtëpinë e Salsedos dhe kongregacioni u rrit deri në 12 pjesëtarë. Territori i tyre i predikimit përfshinte të gjithë ishullin. «Çdo të shtunë, shkonim në shërbimin në fushë gjithë ditën dhe shpejt njerëzit në të gjitha fshatrat na njihnin se kush ishim»​—⁠thotë Toni.

I prisnin kushte të vështira

Në atë kohë Guami as që i ngjante ishullit të pushimit plot turistë, siç është sot. Sem dhe Virxhi̇̀nia Uiger, misionarët e parë të caktuar në Guam e mbajnë mend mirë mbërritjen e tyre në vitin 1954.

«Në atë kohë Guami ishte vetëm një bazë ushtarake»​—⁠thotë Semi. «Ishulli ishte shkatërruar nga lufta; bomba të paplasura dhe municione të tjera gjendeshin kudo, pajisjet ushtarake po ndryshkeshin dhe gjendeshin dhe arrestoheshin akoma snajperë japonezë. Unë dhe gruaja ime morëm me qera një barakë që nuk kishte frigorifer, ajër të kondicionuar, krevat apo mobilje të tjera. Flinim në barela ushtarake prej pëlhure të mbuluar nga rrjeta kundër mushkonjave.»

Përpjekjet për të predikuar që bëri çifti Uiger ishin kaq të suksesshme saqë shpejt kishte nevojë për një vend më të madh për të mbajtur mbledhjet, kështu që kongregacioni mori me qera një mensë ushtarake të zbrazët dhe i dha një pastrim me themel. Ndërtesa ishte e vendosur përballë rrugës për në kishën katolike. Kur vëllezërit tanë vendosën tabelën e Sallës së Mbretërisë, prifti protestoi.

Pastaj ndodhi që ra një rrufè. Gjatë një stuhie të rrallë e të jashtëzakonshme, një vetëtimë rrëzoi kambanën e kishës dhe bëri copë-copë disa shëmbëlltyra. «Prifti u tha famullitarëve të tij se Perëndia kishte pasur për qëllim të godiste Sallën e Mbretërisë, por nuk kishte goditur dot në shenjë»​—⁠tha Uiger. «Kur njerëzit nuk i besuan atij shpjegimi, prifti shpiku një histori tjetër. Ai tha se Perëndia e shkatërroi kishën, sepse ata kishin nevojë për një më të madhe e më të mirë.»

Në territoret nën administrimin e besuar

Kur çifti Uiger u caktua në Japoni si misionarë, përgjegjësi të tjera ranë mbi Merli Laumaster, një vëlla i gjatë, i cili buzëqeshte shpesh, por ishte serioz kur bëhej fjalë për të vërtetën. Në vitin 1960 Shoqata Watch Tower i kërkoi Merlit të bënte një udhëtim eksplorimi përmes Mikronezisë.Për shkak se ishujt ishin nën territorin që i ishte besuar Shteteve të Bashkuara, atij i duhej një leje udhëtimi nga komisioneri i lartë, një burrë i sigurt e që nuk donte bashkëpunim, i cili i tha vëllait Loumaster: «Nëpër atë territor ti mund të shkosh vetëm po të kalosh sipër trupit tim të vdekur.»

Megjithatë, vdekja e tij nuk ishte e nevojshme. Vetëm tre muaj më vonë, u caktua një komisioner tjetër i lartë dhe Merli morri lejen e tij të udhëtimit. Kështu që ndodhi që ai të ishte personi i parë që foli mesazhin e Mbretërisë në ishujt Saipan, Çuk, Pompei, Belau dhe Jap.

Ndihmë personale nga presidenti i Shoqatës

Tragjedia goditi Guamin në nëntor të vitit 1962, kur tajfuni Karen u përplas duke hedhur mbi ishullin erëra që frynin me 320 kilometra në orë, duke vrarë nëntë persona dhe duke shkaktuar dëme me vlerë prej miliona dollarësh. Lumturisht, asnjë nga vëllezërit nuk humbi jetën, por humbën Sallën e tyre të Mbretërisë. Ndërkohë që dukej se nuk kishte asnjë shpresë për të pasur një ndërtesë të re një motër e pagëzuar kohët e fundit erdhi në ndihmë duke kontribuar me bujari një terren toke. Atje u ndërtua, në vitin 1964, një Sallë e madhe Mbretërie, e cila u përfundua në kohë për vizitën e zonës nga Natan Knorr, atëherë president i Shoqatës Watch Tower.

Me synim për të dhënë një dëshmi të plotë në këtë pjesë të tokës së banuar, vëllai Knorr caktoi gjashtë misionarë që sapo kishin mbërritur për të punuar në pjesë të ndryshme të Mikronezisë. Ai u tha atyre: «Edhe pse këto zona mund t’ju duken të huaja, mbani në mend se ju jeni gjithmonë në shtëpinë tuaj në planetin Tokë. Misionari i vetëm që ishte vërtet i huaj ishte Krishti, sepse ai la qiejt për të shërbyer këtu. Qëndroni në caktimet tuaja deri sa vepra të jetë kryer!»

Gjatë disa viteve para kësaj, mbikëqyrësit udhëtues kishin bërë një udhëtim përmes ishujve një herë në vit me anije transporti. Ata vizitonin ata pak Dëshmitarë që ishin në ishuj, dëshmonin nëpër portet ku qëndronte anija dhe i ofronin inkurajim të mëtejshëm të gjithë atyre që kishin treguar interes në vizitat e mëparshme. Vëllai Knorr sugjeroi që udhëtimi i qarkut të bëhej dy herë në vit me aeroplan.

Mbikëqyrësit udhëtues kontribuojnë në rritjen

Duke filluar në vitin 1968, ky udhëtim me aeroplan për në Mikronezi u bë nga Natan Miler, një mbikëqyrës udhëtues nga Havai. Meqenëse shumë mikronezianë të moshuar flisnin japonisht dhe Miler kishte qenë më parë misionar në Japoni, ishte logjike të zgjidhnin atë për këtë detyrë të lodhshme. Përse e lodhshme? «Udhëtimi me aeroplen vajtje-ardhje nga Honolùlu bashkë me udhëtimin rreth këtyre ishujve përfshinte 14.000 kilometra»​—⁠kujton Miler.

Kur mbërriti në Guam, ai gjeti një kongregacion të shkurajuar. Nuk kishte rritje dhe territori nuk po përshkohej rregullisht. Miler rekomandoi që edhe katër misionarë të tjerë të dërgoheshin në Guam me një shtëpi të dytë misionare në ekstremitetin jugor të ishullit.

Në vitin 1969, Guami dhe territoret e Mikronezisë iu caktuan degës së Havait. Duke filluar nga viti 1970, edhe Robert Kavasaki senior, koordinatori i Komitetit të Degës së Havait bëri vizita në Mikronezi, duke shërbyer nëpër asambletë qarkore, kongreset krahinore dhe duke vizituar shtëpitë misionare një herë në vit.

Rezultatet e këtij kujdesi personal nga ana e barinjve frymorë u bënë shpejt të dukshme. Asambleja Krahinore e Guamit «Njerëz me vullnet të mirë» në 1970-n pati një maksimum me 291 të pranishëm e me gazetat, radion dhe televizionin që folën, që të gjitha çdo ditë për të. Megjithatë, kishte patjetër vend për më shumë punëtorë në këtë pjesë të fushës. Nga do të vinin ata?

Robert dhe Mildred Fuxhiuara ishin pionierë të rregullt që kishin një farmaci në Havai, por ata dëshironin shumë të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë. Ata e plotësuan ëndrrën e tyre në vitin 1970, duke u transferuar në Guam me tre fëmijë të moshës midis 8 dhe 16 vjeç. A ishte një transferim i tillë i mirë për ata dhe për fëmijët e tyre? Të gjithë fëmijët e tyre tani janë rritur e janë martuar dhe të gjithë ata janë shërbëtorë të zellshëm të Jehovait. Dy nga fëmijët po shërbejnë në degën e Guamit dhe një tjetër është pionier. Kur mbërriti çifti Fuxhiuara në Guam, aty kishte vetëm një kongregacion. Ata kanë pasur gëzimin që të merrnin pjesë në vepër ndërsa numri i kongregacioneve u rrit në nëntë. bashkë me një grup tjetër. Këto janë organizuar për t’u kujdesur për gjashtë grupe gjuhësore të ndryshme. Në vitet ‘70 dhe ‘80 erdhën, gjithashtu, për të ndihmuar edhe disa familje të tjera.

Adresa e degës është e lehtë për t’u mbajtur mend

Në vitin 1976, tajfuni Pamela rrëzoi përtokë Sallën e Mbretërisë së Guamit, që ishte ndërtuar në 1964-n dhe ishte zgjeruar në 1969-n. «Dukej sikur mbi ishullin e Guamit kishte kaluar një rul»​—⁠tha një vëlla.

Në vend se të rindërtonin një vend modest për mbajtjen e mbledhjeve, u ndërtua një godinë dege në formë L-je, që përbëhej nga një zyrë, një tipografi, gjashtë dhoma dhe një Sallë e gjerë Mbretërie me 400 vende, e cila do të përdorej edhe për asambletë. Për t’i bërë ballë tajfuneve, u ndërtua me mure prej betonarmeje, me një trashësi prej 20 centimetrash. Një vëlla, i cili ishte transferuar nga Havai komentoi: «Ishte kaq e madhe saqë menduam se nuk do ta mbushnim kurrë. Në të gjithë ishullin kishte vetëm 120 Dëshmitarë dhe ne vërtiteshim nëpër sallë sikur të ishim zare në një kuti këpucësh.» Vetëm pak vite më vonë, ajo Sallë e pamatë Mbretërie mezi mbante të pranishmit në asamble.

Vëlla Miler, i dalluar për shtrëngimin e fuqishëm të dorës dhe për mënyrën e veçantë të të qeshurit, u bë koordinatori i parë i Komitetit të Degës së Guamit. Dy vëllezër me përvojë u bashkuan me të si pjesë e komitetit​—⁠Robert Savazh, i cili kishte qenë mbikëqyrës dege në Vietnam dhe Hideo Sumida, i cili kishte shërbyer në Komitetin e Degës së Havait.

Kur u ndërtua fillimisht dega, posta tërhiqej në kutinë e zyrës postare. Megjithatë, një ditë erdhi një nëpunës qeveritar dhe shpjegoi se ai po shënonte adresat e rrugëve në mënyrë që posta të mund të shpërndahej në shtëpi. Ndërsa po shënonte me bojë numrin «143» te ndërtesa, Miler e pyeti se si do të quhej rruga e tyre. Burri tha: «Nuk e di. Përse të mos shohim hartën e ta zbulojmë?» Për habinë e Milerit, qeveria e kishte quajtur atë Rruga Jehova.

Projekte ndërtimi amatore

Kishte nevojë që të bëhej akoma punë ndërtimi. Në fillim të viteve ‘80, Xhim Persinger në Shtetet e Bashkuara, nxorri si përfundim se fabrika e çimentos që kishte i merrte shumë kohë, kështu që ai dhe gruaja e tij Xheni, vendosën ta thjeshtonin jetën e tyre. Ata ndërtuan një anije me vela me një skaf prej çimentoje, të gjatë 15 metra që e quajtën Petra dhe u nisën në lundrim për në Guam. Anija e çiftit Presinger doli e vlefshme për projektet e ndërtimit.

Ndërmjet viteve 1982 dhe 1991 u ndërtuan shtëpi misionare dhe Salla Mbretërie në gjashtë nga ishujt mikronezianë. Mungesa e materialeve e bëri ndërtimin një sfidë. Në disa projekte ndërtimi, vëllezërve iu desh t’i bënin me dorë blloqet e betonit. Ata e hidhnin çimenton në një formë të vogël dhe e linin të ngurtësohej. Zhavorrin e bënin duke shkërmoqur koralin dhe u duhej ta gjenin vetë rërën. Për të transportuar furnizimet dhe punëtorët nga njëri ishull në tjetrin, shpesh përdorej Petra. «Kur po ndërtonim Sallën e Mbretërisë në Çuuk, nuk mund ta blinim rërën në ishull.»​—⁠shpjegon Xhim Persinger​—⁠«kështu që lundronim deri në një ishull të vogël të pabanuar, gërmonim rërën dhe e hidhnim nëpër çanta. Pastaj i ngarkonim në anije dhe ktheheshim në kantier.»

Rei Sholz, i cili kishte përvojë si inxhinier ushtarak, ishte mbikëqyrës për shumicën e projekteve të ndërtimit në Mikronezi. Në bërthamë të grupit të tij të punës ishin Kalvin Arei, Averi Tipëll dhe Majls Inoje, të cilët kishin ardhur nga Havai për të ndihmuar në ndërtimin e degës së re dhe pastaj e kishin bërë Guamin shtëpinë e tyre. Së bashku ata shpesh improvizonin për ta çuar deri në fund një punë.

Më shumë rritje nën mbikëqyrjen e re

Vëllai Miler u largua nga Guami në vitin 1987 kur mësoi se gruaja e tij ishte e sëmurë për vdekje. Vendin e tij si koordinator e mori Artur Uait, i gjatë dhe energjik, i cili kishte shërbyer në Komitetet e Degës së Havait dhe Guamit dhe kishte udhëtuar përmes Mikronezisë si mbikëqyrës krahinor që nga viti 1981. Nën mbikëqyrjen e tij në degën e Guamit, kanë ndodhur shumë ndryshime.Kompleksit të degës iu shtuan dy Salla Mbretërie dhe një projekt ndërtimi i përfunduar në vitin 1995 siguroi hapësirën jashtëzakonisht të nevojshme për zyra dhe fabrika bashkë me dhoma të reja banimi.

Me të në Komitetin e Degës shërbejnë Julian Aki dhe Salvador Soriano, misionarë nga një kohë e gjatë në Mikronezi. Mjerisht, Hideo Sumida, një nga anëtarët e parë të komitetit vdiq pasi kishte kontribuar për disa vite në vendosjen e degës në Guam.

Të flasësh në gjuhë të huaj

Me zhvillimin e ishullit të Guamit është rritur dhe popullsia e tij e huaj. Janë shtuar edhe misionarët për të kultivuar fushat tagaloge, iloko, koreane dhe kineze.

Për 14 vjet, Ernesto dhe Gloria Gàbriel kanë dhënë dëshmi në komunitetin filipin, i cili numëron një të katërtën e popullsisë së Guamit. Së bashku, kongregacionet tagaloge dhe iloko janë më të mëdhenj se çdonjëri prej pesë kongregacioneve angleze të ishullit.

Misionari korean Jung-Sung Çung mbërriti në 1985-n. «Klima ishte kaq e nxehtë dhe e lagësht»​—⁠kujton ai​—⁠«saqë unë dhe gruaja ime duhej të bënim dush disa herë në ditë për të hequr djersën nga trupi.» Megjithatë, ata predikonin për orë të tëra nën vapë dhe shëmbulli i vendosmërisë së tyre ndihmoi për të vendosur një kongregacion të vogël, por të fortë.

Një dëshmi intensive po u jepet banorëve të Guamit. Mesatarisht, aty ka një Dëshmitar për çdo 262 banorë.

KIRIBATI: Na njohin si Te Koaua

Megjithëse e vërteta e Mbretërisë ka ardhur së pari në Guam nga Filipinet, në Kiribati (atëherë njihej si Ishujt Gilbert) ajo u çua nga Zelanda e Re. Ishujt ishin një koloni britanike dhe predikimi ynë ishte i kufizuar, por në vitin 1959 Huia Pakston mori leje për të hyrë meqenëse ishte farmacist dhe qëndroi atje deri në vitin 1967. Gjeti një grumbull të bukur ishujsh koralorë​—⁠shpesh shumë të vegjël, gjithnjë të nxehtë e të lagësht​—⁠që gjendeshin tamam në ekuator.

Vepra e Huias përfshinte gjithë ishujt Gilbert ku ai, gruaja e tij Beril dhe dy djemtë e tij të rinj kërkuan çdo mundësi për të folur rreth Biblës. Në një piknik, një grua pyeti djalin e tyre pesë vjeçar, Stiven nëse Perëndia ka një emër. «Po. Emri i tij është Jehova»​—⁠u përgjigj Stiven. Përgjigjja e tij i bëri shumë të tjerë që të pyesnin. Jo shumë kohë pas kësaj, çifti Pakston po drejtonte një studim biblik me një grup të madh çdo të diel.

Para se të ktheheshin në Zelandën e Re, çifti Pakston rregulloi për një mbledhje të veçantë mbi një ishull koralor të pabanuar. Atë ditë u mbajt një fjalim pagëzimi dhe pesë veta nga ishujt Gilbert simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait me anë të zhytjes në ujë në lagunë. Mjerisht, zelli që ata ishullorë kishin shfaqur në fillim humbi pak nga pak.

Më vonë një burrë nga ishujt Gilbert që quhej Nariki Kautu shkoi në Australi për të ndjekur shkollën për ekonomi. Ndërsa ishte atje, ai studioi, gjithashtu, Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzua. «Kur u ktheva në vitin 1978 bashkë me familjen time, ne filluam të pyesnim ku kishte Dëshmitarë të tjerë të Jehovait në Kiribati»​—⁠kujton vëlla Kautu. Ai kuptoi shpejt se Dëshmitarët e Jehovait aktualisht nuk ishin të njohur në ishujt e vendlindjes së tij. «Gjetëm një çift të moshuar dhe një burrë tjetër me fëmijët e tij, por ata nuk organizonin mbledhje dhe asnjë nga botimet e Shoqatës nuk ishte në dispozicion në gjuhën gilberteze»​—⁠thotë ai. «Filluam të mblidheshim çdo të diel. Luteshim, lexonim nga Bibla dhe, meqë unë isha i vetmi që mund të lexonte anglisht, i shpjegoja ndonjë gjë nga botimet e Shoqatës.»

Salla e Mbretërisë, më shumë se vetëm një ndërtesë

Në vitin 1982 grupi i vogël në Kiribati mori forca me mbërritjen e Paul dhe Marina Tabunigao, misionarë që ishin caktuar atje. Mbledhjet u mbajtën në shtëpinë misionare dhe më vonë u transferuan në një klasë shkolle, por Dëshmitarët e Jehovait nuk u konsideruan si «fe më vete» deri sa u ndërtua Salla e tyre e Mbretërisë në 1991-shin. Vullnetarët ndërkombëtarë bënë më të shumtën e punës dhe personat vendas u mrekulluan që «të huajt» ofronin kohën dhe paratë e tyre për të ndihmuar me ndërtimin. Në këtë mënyrë, Salla e Mbretërisë u bë një dëshmi e dukshme e unitetit të dashur midis popullit të Jehovait.

Si rezultat i kësaj shumë njerëz u tërhoqën për nga e vërteta. Një motër, e cila u pagëzua pak kohë pas përfundimit të projektit tha: «Isha e prekur thellësisht nga fakti që ky kongregacion i vogël po ndihmohej nga vizitorë përtej detit.» Ai kongregacion «i vogël» është rritur nga 28 lajmëtarë në vitin 1990 në rreth 70 sot, duke e bërë kështu një nga kongregacionet që rriten më shpejt në Mikronezi.

Librat e Shoqatës çmohen shumë

Megjithëse kishte në dispozicion disa fletushka dhe broshura, vendasit nuk mund të lexonin asnjë libër të Shoqatës në gjuhën e tyre, deri sa në 1994-n mbërriti libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. «Ka vetëm disa botime të çdo lloji në gjuhën gilberteze»​—⁠thotë Edi Posamai, një misionar që shërben plot besim bashkë me gruan e tij​—⁠«dhe sigurisht asnjë nuk i afrohet cilësisë së këtij libri.»

Libri Ti mund të jetosh është botuar tani në gjashtë gjuhë mikroneziane dhe botimi në gjuhën gilberteze ka pasur një ndikim të madh. Ky libër ka shtyrë shumë ishullorë që të studiojnë Biblën. Disa janë parë madje duke e marrë librin Ti mund të jetosh, me vete në kishë.

Njerëzit në Kiribati kanë shpikur nofka, që i vënë me dashuri për të përshkruar fetë që ekzistojnë në ishujt e tyre. Për shkak se protestantët mbyllin sytë kur luten, ata njihen si Kamatu, që do të thotë «Të bëjnë të flesh». Adventistët e ditës së shtatë i quajnë Itibongs, ose «Shtatë ditët». Si i thërrasin ata Dëshmitarët e Jehovait? Te Koaua që do të thotë thjesht «e vërteta».

ISHUJT MARSHALL: Mundësi të reja për shërbim

Dëshmitarët ishin tashmë në Guam nga disa dekada kur një çift aventuroz amerikan e çoi lajmin e mirë në Ishujt Marshall, gati 3.200 kilometra në juglindje të Guamit. Pauel Mikelsen dhe gruaja e tij Nioma, kishin ndër mend të shkonin në Bahamat për të shërbyer atje ku nevoja ishte më e madhe dhe për këtë qëllim kishin blerë një jaht të gjatë 10 metra, të cilin e kishin quajtur Integriteti. Megjithatë, para se ata ta vinin në përdorim, Pauelit iu ofrua një punë; duhej të mbikëqyrte ndërtimin e një elektrocentrali të madh në Ishujt Marshall. Shoqata Watch Tower e nxiti që të pranonte atë punë. Në atë kohë, për shkak të kufizimeve ligjore mbi hyrjen e të huajve, në Ishujt Marshall nuk kishte Dëshmitarë.

Ndërkohë që vëlla Mikelsen kujdesej për përgjegjësitë e tij në lidhje me ndërtimin e elektrocentralit, ai dhe gruaja e tij bënë gjithçka që kishin në dorë për t’i ndihmuar ishullorët frymësisht. Ata arritën në ishullin koralor Kuajalein në 1960-n dhe më pas hodhën spirancën në ishullin koralor Majuro, ku edhe mësuan të flisnin gjuhën marshalleze. Kur ata jepnin dëshmi, ishullorët dashamirës rrallëherë refuzonin të dëgjonin dhe në vitin 1964 Pouel dhe Nioma drejtonin 12 studime biblike, duke përfshirë një studim me Iroj Lap Lap (mbretin e lartë) të Majuros.

Julian Aki dhe Melvin Aju, që të dy misionarë, u bashkuan me çiftin Mikelsen në vitin 1965 dhe vetëm në disa muaj, këta vëllezër entuziastë kishin mësuar mjaft në gjuhën marshalleze sa për të prezantuar një fjalim të thjeshtë dhe kishin ndërtuar, gjithashtu, një shtëpi misionare në formë A-je.

Për të siguruar një vend për mbledhjet, u ndërtua një Sallë e përkohshme Mbretërie, duke varur velin e majstrës të anijes Integriteti mbi disa shtylla prej pandani që ishin vendosur për tokë. «Ndërsa turma sa vinte e rritej, ne shtonim vela të tjera»​—⁠thotë vëlla Mikelsen. «Pastaj i erdhi radha velit të mexanës, pak më vonë u përdor edhe floku. Kur nuk kishim më vela, menduam se kishte ardhur koha për të ndërtuar një Sallë Mbretërie «prej vërteti».

Ishullorëve u bëjnë përshtypje misionarët e rinj

Për të filluar vitin e shërbimit 1966, Aki dhe Aju vendosën se kishte ardhur koha të njiheshin më mirë me territorin e tyre, kështu që hipën në një anije transporti me trup prej hekuri që bënte ndalesa deri në ishujt koralorë më të largët të Ishujve Marshall. Në bordin e anijes për këtë udhëtim 24 ditor ishte dhe një shërbëtor protestant i sapomartuar që gjendej në ishuj nga tre vjet. Lajmërime në radio njoftonin çdo ishull koralor për mbërritjen e «reverendit» dhe gruas së tij. Sa të zhgënjyer mbetën ishullorët, kur panë se shërbëtori fliste me anë të një përkthyesi! Ai nuk ishte merakosur asnjëherë për të mësuar gjuhën marshalleze.

Kur ky shërbëtor i paralajmëroi dëgjuesit që të shmangnin «dy barinjtë e rremë» që ishin në anije, njerëzit u bënë edhe më shumë kuriozë për të parë Dëshmitarët e Jehovait, të cilët flisnin gjuhën marshalleze dhe tregonin gjëra të mrekullueshme nga Bibla. Disa herë ata iu lutën: «Qëndroni këtu dhe na mësoni Biblën. Ne do të kujdesemi për nevojat tuaja. Vetëm qëndroni me ne deri sa të vijë anija tjetër!»

Tronditje kulturore për mbikëqyrësin qarkor

Kur Natan Miler udhëtoi me avion nga Havai për të bërë udhëtimin e tij të parë në qark përmes Mikronezisë, në vitin 1968, etapa e parë e udhëtimit e çoi në Majuro. «Më kujtohet pamja e parë e ishujve koralorë të Ishujve Marshall»​—⁠kujton ai. «Avioni DC-9 u bë gati për t’u ulur, por në vend të kësaj, u ngrit përsëri dhe i ra rreth e qark aeroportit. Duke parë poshtë, munda të shihja burra që vraponin pas një tufe derrash për t’i nxjerrë jashtë nga pista, për ta liruar që avioni të bënte uljen. Një pengesë tjetër ishte një makinë e parkuar mbi pistë. Një grup burrash e ngritën dhe e hoqën që andej, duke e mbajtur në krahë.»

Për dikë që vinte nga Honolùlu, kjo gjë ishte tronditje kulturore. Aeroporti i Majuros kishte një stacion në vend të hapur, të ndërtuar me trungje palmash kokosi dhe një pistë të bërë me korale. «Nuk isha i mësuar me idenë që pjesë të koralit të godisnin trupin e aeroplanit ndërsa ai ulej»​—⁠tha Miler. Pasi zbritën në tokë, ai dhe valixhet e tij u rrasën pas një kamioni të vogël dhe u transportuan në shtëpinë misionare nëpër një rrugë gropa-gropa. të paasfaltuar.

Salla e Mbretërisë në atë kohë kishte një çati teneqeje, pa mure dhe vetëm dhè të shtypur si dysheme. «Gjatë vizitës sime të parë, i fola, me ndihmën e një përkthyesi një grupi të vogël prej 20 vetash»​—⁠tregon Miler. «Fjalimi u ndërpre nga një derr i madh që hyri në Sallën e Mbretërisë!»

Ku janë në të vërtetë të vdekurit?

Kishat marshalleze nxitin disa besime shumë të pazakonta. Një ditë, Uilliam Medison, një dhjak protestant, pyeti Julian Akin: «Në Filipianëve, Pavli shkroi se ‘çdo gju do t’i përulej Krishtit, ata në qiej, në tokë edhe nën dhè.’ Pyetja ime është​—⁠‘Kush janë ata nën dhè?’» (Filip. 2:10) Kur vëlla Aki i shpjegoi se ata ishin të vdekurit që do të ringjalleshin, Uilliam u ngazëllye. Ai ishte i turbulluar nga mësimi i kishës së tij se ata «nën dhè» ishin ri menanui (njerëzit e vegjël), të cilët, sipas legjendës marshalleze dilnin mbi tokë vetëm në mes të natës.

Uilliam rregulloi menjëherë që ai dhe familja e tij të studionin Biblën me vëlla Akin dhe ai bashkë me gruan e tij, Alminën u pagëzuan në 1966-n. Ai ka shërbyer si plak që nga viti 1983 dhe ajo ka qenë një pioniere e rregullt për 28 vjet, më gjatë se çdokush tjetër në Mikronezi.

Kishat marshalleze mësojnë, gjithashtu, se ferri është një kazan i madh prej hekuri në qiell ku hidhen mëkatarët, që të ziejnë në ujë të valuar. Sailas Andraik, ashtu si shumica, e besonte këtë doktrinë të «të vdekurve në qiell». Megjithatë, kur iu tregua nga Bibla se të vdekurit kthehen në pluhur, Sailas pranoi të vërtetën dhe u pagëzua në vitin 1969. (Zan. 3:19) Ai dha një ndihmë të madhe në kërkimin për të gjetur tokën për një Sallë Mbretërie dhe u bë, gjithashtu, i pari përkthyes i gjuhës marshalleze. Në Majuro u formua një kongregacion në vitin 1967. Me vëllezër të tillë vendas si Uilliam dhe Sailas që merrnin përgjegjësinë, Julian Aki dhe Donald Barges, një misionar i sapoardhur, patën mundësi për t’u transferuar në Ebeje, një ishull koralor në veri të Ishujve Marshall.

Me një madhësi gati sa katër lagje qyteti, Ebeje ishte banuar vetëm nga disa qindra ishullorë marshallezë, deri sa punësimet fitimprurëse në ushtrinë amerikane në ishullin fqinjë koralor Kuajalein e çuan popullsinë deri në 8.000. Çdo ditë, ishullorët shkojnë me traget deri në bazën ushtarake në Kuajalein për të punuar.

Transmetime në radio për marshallezët

Radioja është përdorur si një mjet për predikim anembanë Mikronezisë, por më me efektshmëri në Ishujt Marshall. Stacioni i radios USZO, i njohur si Zëri i Artë i Ishujve Marshall, u ofron dëgjuesve diçka edhe më të vlefshme sesa àri. Që nga viti 1970, pleqtë në kongregacionin e Majuros kanë programuar një fjalim 15 minutësh në radio në gjuhën marshalleze, i caktuar veçanërisht për të arritur njerëzit në ishujt më të largët koralorë. Misionarët nuk mund të përmbahen e të mos buzëqeshin kur dëgjojnë njerëz të feve të tjera që vërshëllejnë siglën hapëse të këtij programi në radio, këngën «Jemi Dëshmitarë të Jehovait!»

Ata që janë pak bëhen shumë

Vëllezërit marshallezë janë një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë dhe i zellit. Robert Savazh, i cili vizitoi Ishujt Marshall si mbikëqyrës udhëtues në fund të viteve ‘70, kujton pritjen që i bëhej atij dhe gruas së tij në Sallën e Mbretërisë. Ai thotë: «Më shumë se njëqind vëllezër e motra rreshtoheshin në një rreth dhe secili na shtrëngonte duart dhe na uronte mirëseardhjen. Dhe mënyra me të cilën këndonin këngët e Mbretërisë ishte absolutisht e bukur! Pa shoqërimin e muzikës, vëllezërit dhe motrat harmonizonin zërat e tyre, duke prodhuar një melodi të mrekullueshme.»

Klement dhe Eunis Areniego, misionarë nga 28 vjet, kanë shërbyer në Ishujt Marshall që nga viti 1977 dhe kanë parë rritjen e jashtëzakonshme gjatë asaj kohe. Kur Julian dhe Lorein Kanamu mbërritën në Majuro si misionarë, në vitin 1982, të pranishmit në fjalimin publik ishin mesatarisht 85. Tani, atje ka dy kongregacione dhe mesatarja e të pranishmëve është rreth 320 persona. Përse vepra ka lulëzuar kaq shumë? «Këta ishuj janë shumë larg parajsës»​—⁠shpjegon vëlla Kanamu. «Problemet e zemrës, sifilisi dhe diabeti janë sëmundje të zakonshme dhe vdekshmëria foshnjore ka goditur ishujt. Edhe SIDA ka kapur tashmë disa njerëz. Njerëzit janë të pakënaqur dhe ata po kthehen drejt së vërtetës.»

SAIPAN: Përballimi i sfidës

E vërteta po lulëzon edhe në Saipan, por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Misionarët e hershëm atje, ditën u dredhonin gurëve që u hidhnin dhe natën flinin në një shtëpi të pushtuar nga «frymërat». Në fund, u desh një tajfun që e vërteta të depërtonte në këtë territor të vështirë.

Kur Ernest dhe Kei Menion shkuan në Saipan në vitin 1962, ata gjetën një ishull të kontrolluar nga Kisha Katolike. Kjo ishte feja e vetme që vendasit kishin njohur ndonjëherë dhe për ta mbajtur ashtu, kryeprifti shkatërroi edhe ato pak Bibla që kishin disa anëtarë të kishës së vet. Si rezultat, njerëzit në përgjithësi nuk besonin në Bibël dhe mjerisht, shumë pak prej tyre kishin parë ndonjë Bibël.

Territori ishte kaq i vështirë saqë kur çifti Menion e pa të nevojshme të largohej nga Saipani në 1966-n, ata kishin vetëm një rivizitë premtuese. Por Robert dhe Sheron Livingston e vazhduan veprën aty ku e kishin lënë çifti Menion.

«Shumë herë, ndërsa i afroheshim një rruge, të gjitha dyert dhe qepenat mbylleshin, kështu që mund të punonim gjithë mëngjesin pa na u përgjigjur asnjeri tek dera»​—⁠kujton vëlla Livingston. «Djem të rinj na hidhnin gurë nga një farë distance dhe Sheron ishte shpesh objekt i gjesteve dhe shprehjeve të ndyra. Disa njerëz na lëshonin qentë dhe disa gra të moshuara bëninshenjën e kryqit, ndërsa ne ishim duke kaluar aty afër, ndoshta për të mbrojtur veten nga e liga.»

A duhet ta braktisnin misionarët ishullin?

Spiritizmi është mbizotërues në gjithë Mikronezinë dhe në Saipan, shtëpia misionare që ishte e marrë me qera, gjendej në një zonë të veçuar ku natën ndodhnin gjëra të çuditshme. Misionarët u transferuan që andej dhe sot, shtëpia misionare gjendet në një vend ideal, afër oqeanit, ngjitur me rrugën kryesore.

Pasi lajmi i mirë ishte predikuar në Saipan për pesë vjet, u transmetua në publik një film me diapozitivë i Shoqatës. I pranishëm ishte vetëm një person​—⁠një grua që kishte studiuar aty këtu për katër vjet dhe ndonjëherë i evitonte misionarët. Ata kishin harxhuar dy vjet në caktimin e tyre dhe rallë kishin arritur të flisnin me ndonjë. A duhet ‘të shkundnin pluhurin nga këmbët e tyre’ dhe të largoheshin nga Saipani?​—⁠Mat. 10:⁠14

Tajfuni i bind njerëzit që të dëgjojnë

Tamam atëherë kur misionarëve iu duk se asnjeri nuk do të dëgjonte kurrë, në vitin 1968 një tajfun i tmerrshëm i bindi njerëzit që t’i vinin veshin asaj që po thoshin Dëshmitarët e Jehovait. Tajfuni Zhan u përplas mbi Saipanin me erëra mbi 320 kilometra në orë dhe shkatërroi 90 për qind të ndërtesave në ishull. «Mendova se ishte Harmagedoni»​—⁠tha një student jo i rregullt biblik.

«Kujtoj si tani se si u mblodha nën tryezën e kuzhinës»​—⁠tha vëlla Livingston. «Vështronim të mahnitur çatinë dhe muret që harkoheshin jashtë dhe brenda nën shtytjen e erës. Zhurma ishte e ngjashme me atë të një avioni gati për nisje bashkuar me uturimën e një treni mallrash. Iu luta Jehovait që të shtrinte tendën e tij mbrojtëse mbi ne. Megjithatë, që Sheron ta dëgjonte lutjen duhej të bërtisja me gjithë zërin që kisha, duke vënë gojën gati brenda veshit të saj.»

A u dëgjua lutja? Megjithëse një kishë dhe shkolla që ishin afër u shkatërruan plotësisht, shtëpia e vjetër misionare prej druri e Dëshmitarëve mbeti në këmbë. Tajfuni kaloi mbi ishull në mëngjes dhe në mbrëmjen e po asaj dite u mbajt Përkujtimi vjetor ose Darka e Zotërisë. I gjthë ishulli ishte rrëmujë, por në shtëpinë misionare, katër persona u mblodhën qetësisht nën dritën e një llampe me vajgur. Shumë njerëz në Saipan filluan të pyesnin veten nëse Perëndia e kishte sjellë stuhinë për t’i ndëshkuar ata.

Këmbëngulja shpërblehet

Gruaja që kishte studiuar për katër vjet më në fund mori një qëndrim për nga e vërteta dhe u pagëzua në 4 korrik 1970. Atë ditë u pagëzuan edhe Augustin (Gus) dhe Taeko Kastro. Më parë Gus kishte studiuar për t’u bërë një prift katolik, por Taeko ishte ajo që kërkoi për të gjetur të vërtetën. Kur e gjeti atë, ajo filloi menjëherë të ndiqte mbledhjet.

Gus, një kamòro i qetë dhe me një pamje të veçantë, nuk u bind kaq shpejt. «Çdo të diel, më ftonin në mbledhje, por unë refuzoja për shkak të frikës së njeriut»​—⁠tha ai. «Nuk doja që të më shihnin në mbledhje. Isha shumë mik me priftërinjtë dhe të afërmit e mi ishin katolikë të devotshëm. Ata do të mendonin se kisha humbur gjykimin.»

Situata e vështirë u zgjidh, të paktën ashtu mendonte Gus, kur ai u dërgua në Havai për gjashtë muaj specializim nga puna e tij. Megjithatë, një ditë ai gjeti një shënim poshtë derës që e ftonte t’i telefononte një pionieri special. Misionarët e Saipanit i kishin shkruar miqve të tyre në Havai, duke kërkuar që ndonjë ta kontaktonte atë. Gus hodhi poshtë disa oferta për të filluar një studim biblik, por vëllai pionier ishte këmbëngulës. Ai tha se në qoftë se një orë në javë ishte shumë, ata mund të studionin për 30 minuta.

«Më në fund pranova të studioja 15 minuta në javë»​—⁠kujton Gus. «Por jo sepse doja të mësoja Biblën. Qëllimi im ishte të gjeja sikur edhe një gabim të vetëm dhe t’i jepja fund studimit». Plani që bëri u kthye kundër tij. Studimi doli kaq interesant saqë shpejt Gus kërkoi që studimi të zgjaste një orë dhe të bëhej dy herë në javë.

Vëlla Kastro ka shërbyer si plak në kongregacionin Saipan për shumë vjet. Djali i tij i parë kaloi tre vjet në Bethelin e Bruklinit dhe vajza e tij më e madhe u diplomua në Shkollën e Galaadit në vitin 1990 për t’u bërë misionare. Një djalë tjetër sot shërben si plak dhe një vajzë tjetër është pioniere.

Hipokrizia fetare i kthen disa drejt së vërtetës

Faktorë të ndryshëm kanë shkaktuar që territori i Saipanit të zbutej. Për së pari, ka filluar të çmohej këmbëngulja e Dëshmitarëve të Jehovait. Vite më parë një zyrtar i territorit të lënë në besim vërejti se vepra e predikimit të Dëshmitarëve po shkaktonte gati një potere në ishull dhe ai pyeti një vëlla se sa veta ishin në kongregacion. Kur vëllai i tha se ishin 12, zyrtari u përgjigj: «Dymbëdhjetë! Nga mënyra se si flasin njerëzit në Saipan, unë mendova se do të ishit gati njëqind prej jush!»

Edhe hipokrizia në kishën katolike ka shkaktuar që njerëzit t’i kushtojnë vëmendje mesazhit të Mbretërisë. Një kohë priftërinjtë u mësonin njerëzve se «protestantët ishin po aq të këqinj sa edhe Djalli». Më vonë priftërinjtë u thanë famullitarëve se Dëshmitarët e Jehovait ishin «më keq se sa protestantët», duke shtyrë personat me zemër të sinqertë të pyesin: «Si mund të jetë diçka më e keqe sesa Djalli?»

Qëndrimi i njerëzve drejt së vërtetës ka ndryshuar në mënyrë kaq drastike saqë sot, Saipani ka raportin lajmëtar/popullsi nga më të mirët në Mikronezi​—⁠1 me 276. Në vitin 1991 u përfundua një Sallë Mbretërie prej betoni 350 vendëshe dhe aty tani bëjnë mbledhjet dy kongregacione të mëdha, një në gjuhën angleze dhe një në tagaloge.

Lajmi i mirë shpërthen në Tinian

Nga Saipani, lajmi i mirë arriti në Tinian, një ishull i vogël më pak se tetë kilometra larg. Kush e njeh historinë e Luftës II Botërore e di se bombarduesi amerikan B-29 Enola Gei që hodhi bombën atomike në Hiroshima, Japoni në vitin 1945, u nis nga Tiniani. Duke filluar nga viti 1970, Dëshmitarët nga Saipani shkuan periodikisht çdo fundjavë në Tinian për të shpërndarë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Këto shpjegonin se, sipas vendimit të Jehovait, kishte ardhur koha që dashuruesit e drejtësisë në të gjitha kombet të kthenin shpatat e tyre në plugje dhe të mos mësonin më luftën.​—⁠Isa. 2:4

Megjithatë, deri në kohën kur Robert dhe Li Mòroks, që më parë kishin shërbyer në Irlandë, mbërritën në prill 1992, në Tinian nuk banonte asnjë Dëshmitar. Por farat ishin mbjellë.

Djali i kryetarit të bashkisë, Xhozef Manglona, familja e fuqishme politikisht e të cilit përfshinte edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë në Tinian, e çmoi vlerën e asaj që lexonte në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!, kuptoi se kishte gjetur të vërtetën dhe filloi t’u fliste të tjerëve për këtë. Për ta shkurajuar që të mos pagëzohej, të afërmit e tij i ofruan një pozitë politike me pagë të lartë që do të mund të plotësonte dëshirat e gruas dhe dy fëmijëve të tij. Por Xhozef u përgjigj: «Qeveria juaj së shpejti do të shkatërrohet nga Perëndia Jehova. Përse do të doja ndonjë pjesë të saj?» Qëndrimi i tij i palëkundur ka shtyrë, që nga ajo kohë disa nga të afërmit e tij që të bashkohen me të në shërbimin e Jehovait.

Pasi iu dha ndihmë e rregullt personale personave të interesuar, u deshën vetëm dy vjet për të vendosur një kongregacion që lulëzon, prej 24 lajmëtarësh. Sot në Tinian ka një shtëpi misionare dhe një Sallë Mbretërie.

ÇUUK: Fillohet në një kasolle

Pas Saipanit, një tjetër që përfitoi nga shërbimi i rregullt i misionarëve Watch Tower ishin ishujt Çuuk (ish Truk). Merli Loumaster i kishte vizituar ato shkurtimisht në vitin 1961, por në 1965-n Paul dhe Lilian Uilliams u vendosën në Çuuk​—⁠të parët nga më shumë se 30 misionarët që u adoptuan me kushtet primitive që ishin këtu.

Kur ata mbërritën në ishullin kryesor të Moenit në 1965-n, intoleranca fetare e bëri të vështirë sigurimin e strehimit për misionarët. Më në fund pronari i një dyqani ofroi që t’u jepte me qera atyre gjysmën e kasolles së tij. Kjo gjë i inatosi kaq shumë priftërinjtë katolikë saqë ata shkuan drejt e te kryeplaku i fshatit dhe i kërkuan që Dëshmitarët e Jehovait të dëboheshin nga ishujt. Kryeprifti u përgjigj: «Ju erdhët këtu vite më parë duke na thënë të donim njëri-tjetrin, prandaj përse tani na thoni që të urrejmë?» Priftërinjtë nuk dinin si të përgjigjeshin. Misionarët qëndruan.

Interesi u gjet menjëherë dhe shpejt po drejtoheshin 30 studime biblike në këto ishuj, të cilët më parë kishin shërbyer si bazat kryesore detare të Japonisë në Luftën II Botërore. Bombarduesit amerikanë shkatërruan një pjesë të madhe të flotës japoneze që gjendej këtu dhe sot, zhytësit dhe polumbarët nga e gjithë bota vijnë në lagunën e Çuukut për të eksploruar varrezën nënujore me anije dhe aeroplanë të fundosur. Ata që marrin kohë për të njohur njerëzit këtu, mbeten të mahnitur edhe nga gjëra të tjera. Ata mund të zbaviten me larminë e emrave. Aty mund të takosh ndonjë që quhet Birra, Pëshpërima, Dryni dhe Borëbardha. Një burrë i kishte quajtur tre djemtë e tij Sardele, Ton dhe Spam (një lloj konserve mishi).

Një nga ishullorët e parë të Çuukut që studiuan me çiftin Uilliams ishte gruaja e pronarit të dyqanit, Kijomi Shirai, një protestante e devotshme dhe drejtuese e Shoqërisë Kristiane të të Rejave (YWCA). Burri i saj nuk donte që ajo të ndryshonte fenë e saj dhe u nda prej saj kur ajo u pagëzua si një nga Dëshmitarët e Jehovait. Pagëzimi i Kijomit ishte për një kohë objekt bisede në gjithë ishullin, pjesërisht për shkak se ajo ishte pagëzuar në oqean ku të gjithë mund ta shihnin. Edhe sot, pagëzimet në disa nga ishujt e Mikronezisë bëhen akoma në oqean.

Kur e la burri i saj, Kijomi u transferua në Dublon, një ishull fqinj në grumbullin e ishujve Çuuk. Ajo dëshmoi me zell dhe shpejt e kishte predikuar të gjithë ishullin përveç një shtëpie që gjendej në majën e një kodre. Ajo i ishte shmangur asaj shtëpie, sepse pronarja e saj, një grua e moshuar, dihej se ishte një medium frymor. Megjithatë, një ditë diçka e shtyu Kijomin që të bënte atë hap, duke u ngjitur në kodër. Për habinë e saj, gruaja e moshuar, Amiko Kata e mirëpriti mesazhin e Biblës dhe me kalimin e kohës edhe ajo u bë një pioniere e zellshme.

Shumë motra, por pak vëllezër

Ekziston një sfidë e veçantë që u paraqitet Dëshmitarëve në Çuuk. Vëllezërit, veçanërisht ata beqarë, janë jashtëzakonisht të rrallë! Ka vetëm dy vëllezër trukezë të pagëzuar​—⁠dhe që të dy janë të martuar. Këta ishuj kanë një shoqëri matriarkale dhe shumica e burrave kanë një reputacion si pijanecë, të gatshëm për t’u përleshur dhe imoralë. Kjo shpjegon se përse edhe sot në kongregacionet e vogla në tre ishuj të ndarë​—⁠Moen, Dublon dhe Tol​—⁠të vetmit pleq janë pesë misionarë. Në fakt, para se të mbërrinte ndihma e misionarëve, kongregacioni Moen për një farë kohe përbëhej vetëm nga 23 gra.

«Kjo mund të jetë një provë e vërtetë për motrat tona»​—⁠thotë Devid Fister, një nga misionarët. «Të rejat rriten me mendimin për të pasur shumë fëmijë, por deri më sot nuk ka djem të rinj në kongregacionin tonë me të cilët ato mund të martohen. Disa nga motrat tona kanë dashuri të thellë për Jehovain dhe e respektojnë këshillën e Biblës për ‘t’u martuar vetëm në Zotërinë’. (1. Kor. 7:39) Për të tjera, kjo është një gjë që i pengon t’i shërbejnë Jehovait.»

Salvador Soriano, tani një anëtar i Komitetit të Degës së Guamit, kaloi 14 vjet si misionar në Dublon, ku ishte i vetmi vëlla. Ai thotë: «Kjo më kujtoi Psalmin 68:​11, që thotë se gratë që lajmërojnë lajmin e mirë janë një ushtri e madhe.»

Një mjet i pazakontë për të shkuar në Sallën e Mbretërisë

Misionarët nëpër të gjithë Mikronezinë zakonisht përdorin makinat apo kamionët e tyre të vegjël për të ndihmuar njerëzit që të shkonin në mbledhje, por ka edhe një mjet transporti që ndoshta vetëm Barak Bouman e ka provuar. Kur shëndeti i dobët e pengoi një motër 70 vjeçare, pak e rëndë në peshë që të bënte tre kilometra në këmbë për të shkuar në Sallën e Mbretërisë, Barak u përpoq të gjente një mënyrë për ta ndihmuar. «Do të doja të vija të të merrja për në mbledhje»​—⁠tha ai,​—⁠«por unë kam vetëm një karrocë dore që mund ta përdor.» Për habinë e tij ajo u përgjigj: «O.K për mua nuk ka asnjë problem.»

Ju mund ta imagjinoni skenën, ndërsa ata përshkonin rrugën për të shkuar në mbledhje​—⁠gjithashtu, përpjekjet që duheshin nga ana e Barakut. Ai duhej të dilte nga shtëpia në orën 7 në mëngjes me një karrocë dore bosh dhe të mbërrinte në sallë me motrën brenda karrocës në orën 930 tamam në orar për fillimin e programit.

Zelli i Dëshmitarëve të Jehovait për shërbimin dhe çmueshmëria e tyre për mbledhjet kanë dhënë rezultate të mira. Në fakt, për vitin 1995 prania në Përkujtim ishte më shumë se dhjetë herë më e madhe se numri i Dëshmitarëve në Çuuk!

POMPEI: Kultivohen frytet frymore

Uilliam dhe Adela Jap nuk ishin Dëshmitarët e parë që vunë këmbë në Ponape (tani Pompei), një nga ishujt më të mëdhenj në Paqësorin qendror. Merli Loumaster kishte bërë pak dëshmi këtu në vitin 1961 dhe në fillim të vitit 1965 ai kishte ndenjur aq sa për të marrë me qera një dyqan të braktisur, i cili mund të përdorej si shtëpi misionare. Megjithatë, kur mbërriti çifti Jap, ata panë se për të hyrë në ndërtesë do t’u duhej të përdornin hanxharët. «Na u deshën disa ditë për të prerë bimësinë e harlisur që ishte rritur atje, brenda gjashtë viteve»​—⁠thotë Uilliams​—⁠«asnjë nuk ishte kujdesur për ta mbajtur të pastër vendin, kështu që ndërtesa ishte bërë foleja e çdo lloji që mund të imagjinonim me insekte dhe kafshë zvarritëse.»

Çifti Jap ishte një çift energjik, i cili fitoi menjëherë respekt si predikues këmbëngulës dhe të palodhur. Midis atyre të cilëve u predikuan ishte guvernatori i ishullit. Ata i dhanë një kopje të Përkthimit Bota e Re. Atij i pëlqeu qartësia e përkthimit, por ishte pak i prirur ta gjykonte Librin e Shenjtë nga kopertina e tij. Siç tha ai vetë, kopertina e gjelbër nuk i shkonte një Bible, prandaj çifti Jap në vend të Biblës së gjelbër i dhanë një Bibël luksi me kopertinë të zezë dhe me anë të shndritshme. Kjo e kënaqi kaq shumë guvernatorin saqë e përdori Biblën e tij të re kur duhej t’i vinte njerëzit të betoheshin apo kur celebronte martesat.

Nga «kisha e kuzhinës» në Sallë Mbretërie

Në vitin 1966, Karl Danis, një ish parlamentar i Pompeit, dhuroi gjysmën e tokës së tij për të siguruar një vend për Sallën e parë të Mbretërisë në Pompei. Karl ishte një udhëheqës inteligjent dhe i admiruar nga të gjithë, një burrë i shkurtër me tipare brune dhe me sy miqësorë me një ngjyrë të kaltër të thellë. Gruaja e tij, Rilka, ishte vajza e mbretit të fundit të ishullit Mokil. Ky çift nga Pompei studionte Biblën disa mbrëmje në javë nën dritën e llampës me vajgur dhe përparuan shpejt deri në pikën e pagëzimit.

Deri sa të mund të ndërtohej Salla e Mbretërisë, të pesta mbledhjet e kongregacionit, të drejtuara në anglisht, mbaheshin në dhomën e kuzhinës së çiftit Danis, duke shtyrë disa njerëz të lagjes t’i referoheshin këtij grupi të vogël Dëshmitarësh si «kisha e kuzhinës». Më pak se dhjetë veta ndiqnin mbledhjet. Kur ata këndonin këngën «Nga shtëpia në shtëpi», të cilën e kishin përkthyer në gjuhën ponapeze, fqinjët thoshin me qesëndi: «Po dëgjohet zhurma e milingonave që këndojnë.»

Misionarët arritën të kishin një ide se sa i fuqishëm ishte territori i tyre kur kryetari i bashkisë u dha lejen të përdornin fushën e bejzbollit të fshatit për të shfaqur një film rreth asamblesë ndërkombëtare të vitit 1958 në Nju Jork Siti. Për disa javë njoftimet në radio i bënë publicitet filmit dhe kur erdhi koha njerëzit u mblodhën në turma në stadiumin e vogël. Një çarçaf i ngrirë me niseshte ishte tendosur në të dy skajet dhe shërbeu si një ekran , ku njerëzit ishin në gjendje të shihnin filmin në të dy anët e çarçafit. Sa veta ishin të pranishëm? Rreth 2.000, një e gjashta e popullsisë së ishullit!

Që nga ajo kohë «zhurma e milingonave» është intensifikuar dhe tani më shumë se 130 persona mblidhen bashkë çdo të diel në një Sallë të rehatshme Mbretërie.

BELAU: Ishujt e saj të shumtë

Edhe një nga grupet e ishujve që vizitoi Merli Loumaster në udhëtimin e tij eksplorues që ai e filloi në vitin 1961 ishte Palau (tani republika e Belaut). Në vitin 1967, Amos dhe Xheri Daniels, të diplomuar të shkollës së Galaadit, u dërguan atje si misionarë. Ata menduan se ishin dërguar në pjesën më të largët të tokës. «Kur aeroplani arriti në Palau»​—⁠kujton Amos​—⁠«pasi na la në tokë u kthye prapa dhe të shkoi përsëri në Guam. Nuk shkonte përtej Palaut në vende akoma më të largëta.»

Ata panë se Belau përbëhej nga 300 ishuj që të kënaqnin syrin, duke përfshirë një grup unik të quajtur Ishujt Rok, një tërheqje shumë e preferuar nga turistët. Të mbuluar me një bimësi të dendur tropikale, këta ishuj të vegjël dukeshin si kërpudha të gjelbëra që mbinin nga deti.

Banorët e fshatrave shkojnë derë më derë

Ndërsa përpiqeshin për të mësuar gjuhën palauàne, vëlla dhe motër Daniels filluan të predikonin shtëpi më shtëpi. Për habinë e tyre, banorët e fshatit i ndiqnin nga pas me kuriozitet dhe dëgjonin bisadat që ata bënin me fqinjët e tyre.

Një nga studimet e tyre të para ishte me djalin e një kryeplaku, i cili jetonte në ishullin më të largët të Ngiualit. Sa herë që gjente një mundësi, ai udhëtonte për në Koror, ishulli ku jetonin misionarët. Por ai vazhdonte t’i nxiste ata që të vizitonin ishullin e tij dhe të flisnin me njerëzit atje. Vëlla dhe motër Daniels nuk kishin shumë dëshirë të bënin atë udhëtim. «Mënyra e vetme për të shkuar atje ishte përmes ujërave të mbushur me krokodilë»​—⁠tregon Amos​—⁠«por kur mbikëqyrësi qarkor bëri vizitën e tij, më në fund na u dha mundësia për të shkuar atje, sepse një person tjetër me të cilin studionim, pranoi të na çonte deri atje me varkë.» Ata shkuan nga shtëpia në shtëpi për t’iu dëshmuar banorëve të fshatit dhe kur mbajtën një fjalim publik, kishte 114 të pranishëm.

Një dhjake shpall me këmbëngulje emrin e Jehovait

Òbasang Mad, një dhjake e devotshme e Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë në Belau, u kontaktua nga misionarët Dëshmitarë në 1968-n. Pavarësisht nga kundërshtimi prej burrit të saj dhe nga drejtuesit e kishës, Òbasang e kapi shpejt të vërtetën rreth emrit të Perëndisë, Trinitetit dhe ringjalljes.

«Një ditë më thirrën në kishë për të drejtuar kongregacionin në lutje»​—⁠thotë Òbasang​—⁠«Megjithëse e dija se do të kritikohesha ashpër nga adventistët e tjerë, unë iu luta Jehovait. Shpejt e lashë kishën dhe u bashkova me misionarët në veprën e predikimit.»

Tani afro të 70-tave, Òbasang ka qenë pioniere për 21 vjet, me gjithë shqetësimet fizike dhe humbjes së burrit të saj dhe dy fëmijëve në vdekje. E dashur dhe e shpejtë në buzëqeshje, ajo ka qenë një shtyllë e forcimit frymor.

Predikimi me varkë mund të jetë një aventurë

Amos dhe Xheri Daniels donin të dëshmonin në ishullin fqinjë të Babeltuapit (i njohur nga vendasit si Babeldaop), por nuk kishte asnjë rrugë që lidhte fshatrat bregdetarë, ku mund të shkoje vetëm nëpërmjet detit. Një vëlla lokal me dashamirësi u ndërtoi atyre një varkë, por ata nuk kishin motor që t’ia vinin. Rreth asaj kohe Amos dhe Xheri ndoqën një asamble në Guam. Atje, ata takuan një vëlla nga Shtetet e Bashkuara, i cili kishte njohje me drejtuesin e ekipit të një fabrike për motorë varkash. Shpejt, ata kishin një motor të ri fringo të vendosur jashtë bordit të varkës. «Jehovai siguron gjithnjë»​—⁠vërejti Amos.

Nëpër gjithë Mikronezinë, dëshmia me varkë në ishujt më të largët kërkon një ditë të tërë me udhëtim. Kërkohet një përgatitje e kujdesshme. Duhen pasur parasysh baticat dhe zbaticat. «Ne nisemi gjithnjë dy orë para baticës dhe kthehemi dy orë pas baticës tjetër (gati 14 orë më vonë), për të shmangur dëmtimin e helikës dhe për të mos ngecur në rërë»​—⁠thotë një misionar. Ushqimi, bashkë me literaturën e mjaftueshme dhe rrobat për t’u ndërruar, përgatiten që më parë dhe çdo gjë vendoset në qese plastike për t’u mbrojtur. Në ishujt ku nuk ka limane, misionarët duhet të futen në ujë për të hipur në varkë. Dhe nëse nuk janë të lagur tashmë, ata do të spërkaten nga stërkalat e oqeanit ose do të sulmohen nga ndonjë dallgë gjatë lundrimit. Para se të nisen ata bëjnë gjithnjë një lutje dhe kur oqeani është i trazuar, brenda varkës thuhen shumë herë, lutje në heshtje.

Përgjatë viteve, misionarët që kanë shërbyer në Mikronezi kanë mësuar të lundrojnë në ujërat e lagunave, në kushte atmosferike të çdo lloji dhe janë bërë ekspertë në ndërtimin e varkave dhe në riparimin e motorëve jashtë bordit.

Ecje të gjata, mikpritje e ngrohtë

Meqë në disa fshatra nuk mund të shkohet as me makinë as me varkë, misionarët mund të kalojnë orë të tëra duke ecur përgjatë shtigjeve të bukura të xhunglës të rrethuara me palma arrash kokosi për të arritur njerëzit e përulur. Për shkak se klima është e nxehtë dhe e lagësht, vëllezërit këtu nuk vënë kravata kur dalin në shërbim dhe si këpucë shpeshherë shërbejnë shapka llastiku (të quajtura zori).

Herri Deni, i cili ka qenë misionar në Belau për 21 vjet, tha: «Ne gjejmë gjithnjë veshë të gatshëm për të dëgjuar të vërtetën. Shpeshherë për të treguar mikpritjen e tyre, këta njerëz të izoluar hipin mbi një pemë arrash kokosi, këputin një arrë kokosi, e presin në majë me një hanxhar dhe të ofrojnë një pije direkt nga ‘mbajtësja origjinale.’»

Herri dhe gruaja e tij Rëne, e ndajnë shtëpinë e tyre misionare me Zhanet Sènas dhe Roxher Kòno, misionarë beqarë, të cilët kanë qenë në caktimet e tyre nga 24 vjet secili. Së bashku, këta katër misionarë besimplotë kanë ndihmuar kongregacionin Belau të rritej deri në 60 lajmëtarë dhe studimet e librit të kongregacionit po drejtohen tani në tre gjuhë​—⁠palauàne, tagaloge dhe angleze.

JAP: Sytë e Jehovait janë mbi të

Një vit pasi misionarët e stërvitur në Galaad filluan të shërbenin në Belau, Xhek dhe Aurelia Uatson mbërritën në Jap. Edhe dy misionarë të tjerë erdhën vitin që pasoi. Megjithëse Jap është i vogël​—⁠i panjohur për shumicën e njerëzimit​—⁠Jehovai i njeh këto ishuj dhe tregon kujdes të dashur për banorët e tyre. Bëhet fjalë për katër ishuj të vegjël të grupuar e të lidhur bashkë me anë të urave, por të lidhur, gjithashtu, shumë fort me anë të traditave të lashta. Jap ka një gjuhë që nuk flitet në asnjë vend tjetër të botës, parà që bëhen nga copa gurësh dhe njerëz që ndikohen shumë pak nga kultura Perëndimore. Madje edhe sot midis 10.500 banorëve të Japit, ka burra me veshje shumëngjyrëshe deri te kërbishtja dhe gra me funde prej kashte, disa herë pa asnjë rrobë në pjesën e sipërme të trupit.

Merli Loumaster kishte dëshmuar pak këtu në 1964-n, por Xhek dhe Aurelia Uatson shpresonin që të mund të qëndronin atje. Megjithatë, nuk ishte e lehtë për ta, të mësonin gjuhën japeze. I vetmi material i shkruar që mund të gjendej, përbëhej nga disa broshura me rregullore të qeverisë dhe një katekizëm katolik. Çifti Uatson përpiqej të dëgjonte njerëzit dhe të imitonte atë që dëgjonte. Vitin tjetër, një i ri nga Japi, i cili po tregonte interes në të vërtetën u tregua i gatshëm, gjithashtu, për t’u dhënë mësim në atë gjuhë. Misionarët e kaluan muajin e parë duke u përpjekur t’i mësonin të kuptonte anglishten, e cila ishte gjuha e tyre, në mënyrë që ai pastaj të ishte në gjendje t’u mësonte gjuhën japeze.

Mbledhje në ‘bankë’

Prifti katolik vendas dhe një shërbëtor luteran, që më parë ishin armiq, tani bashkuan forcat e tyre për të vënë në qarkullim një broshurë, e cila dënonte Dëshmitarët. Prifti përdori, gjithashtu, ndikimin e tij për t’i nxjerrë misionarët nga shtëpia e tyre dhe gjetja e një shtëpie tjetër dukej e pamundur. Prifti i kishte paralajmëruar tashmë pronarët e tokave që të mos u jepnin asgjë me qera misionarëve, kështu që vëllezërit transferuan gratë e tyre në një hotel përkohësisht, ndërkohë që ata qëndronin në një barakë me përmasa 4 me 3.5 metra e me dysheme të shembur.

Japi është i njohur mirë për paratë e tij shekullore prej guri, rrotulla të rënda prej gëlqereje të quajtura rai, diametri i të cilave sillet nga 60 centimetra deri në 3 metra e gjysmë. Megjithëse nuk përdoren më për të blerë terrene apo për të shlyer borxhet, paratë prej guri vlerësohen shumë për domethënien e tyre historike. Edhe vëllezërit panë se ato janë me vlerë edhe në mënyra të tjera po aq mirë. Kur humbën shtëpinë e tyre misionare, për një farë kohe mbledhjet u mbajtën nën një pemë të madhe ku ishin ekspozuar këto parà prej guri. Meqë paratë prej guri në këtë ‘bankë’ të fshatit qëndronin në një pozicion të drejtë, ato përbënin shpinore të rehatshme për të pranishmit, ndërsa një bidon pothuajse 190 litërsh shërbente si legjio.

Por ata nuk kishin gjetur akoma një vend për të jetuar. «Dukej sikur vepra do të ndërpritej»​—⁠vëren Uatson. «Por Jehovai na erdhi në ndihmë». Një natë para se misionarët të niseshin për të ndjekur një asamble në Guam, një burrë i pyeti nëse ata do të dëshironin të merrnin me qera një shtëpi. Ishte ndoshta ndërtesa më ideale në Jap​—⁠një ndërtesë prej betoni që i rezistonte tajfunëve, me hapësirë të mjaftueshme e të përshtatshme si për mbledhje ashtu edhe për të jetuar.

Japin dëshmi të besimit të tyre

Në vitin 1970 mbërritën edhe dy misionarë të tjerë, Plàçido dhe Marsha Ballestèros. Përparimi ishte i ngadaltë. «Kishte raste kur të pranishëm në mbledhjet, që mbaheshin në sallonin tonë, ishim vetëm ne katër misionarët»​—⁠kujton Plàçido.

Pastaj progresi erdhi, ndërkohë që vëllezërit lokalë bënë përparim frymor. Njëri prej tyre, Xhon Ralad, përballoi një situatë të vështirë. Kur Xhoni filloi të studionte Biblën, firma e ndërtimit që kishte ai, po punonte në projektin e një kishe. Me gjithë presionet nga të gjitha anët, Xhoni vendosi se ndërgjegjja e tij nuk do t’i lejonte që të përfundonte kishën. Sot, ai shërben si plak kongregacioni.

Edhe Jou Nifmed duhej të bënte një zgjedhje serioze. Kur u kontaktua për herë të parë nga Dëshmitarët, në 1970-n, ai kishte dy gra. Për t’u konformuar me kërkesat e Jehovait, atij i duhej ta rregullonte nga e para jetën e tij. Sot, vëlla Nifmed dhe gruaja e tij e vetme i shërbejnë që të dy me gëzim Jehovait. Ai shërben si plak. Kur shkon në mbledhje, ai nget kamionin e tij të vogël, të ngarkuar me 15 të afërmit e tij.

Populli i Jehovait është me të vërtetë kudo

«Nga një pikëpamje njerëzore, Japi është vetëm një copëz e vogël toke në gjithë globin dhe ata pak mijëra njerëz që jetojnë atje janë të papërfillshëm kur krahasohen me miliardat e gjithë njerëzimit»​—⁠tha njëherë Plàçido Ballestèros. «E megjithatë, Jehovai i ka në mend këta njerëz. Kur erdha këtu në fillim, as nuk e ëndërroja se do të vinte një ditë kur një numër i përmuajshëm i Kullës së Rojës do të botohej në gjuhën japeze dhe se ne do të shpërndanim libra shtëpi më shtëpi në gjuhën japeze.»

Një përvojë tërheqëse tregon se deri në çfarë pike po bëhet i njohur emri i Jehovait. Një ditë, Plàçido takoi një turist që ishte ulur buzë një lumi, e që ishte disa kilometra larg nga qendrat më të afërta turistike e madje nga një largësi e konsiderueshme prej ku mbaronte rruga. Kur u pyet nëse kishte humbur rrugën, ai u përgjigj: «Jo, unë doja vetëm të shkoja aq larg sa të gjeja një vend të qetë për t’u menduar.» Kur turisti e pyeti se përse ndodhej aty, Plàçido i shpjegoi se ai ishte një misionar nga Dëshmitarët e Jehovait. «Oh, jo!»​—⁠bërtiti turisti. «Unë jam nga Bruklini, jo shumë larg qendrës suaj botërore. Është e pamundur të lirohesh nga ju!»

KOSRAE: Edhe këtu emri i Jehovait është i njohur

Pasi ndoqi asamblenë ndërkombëtare «Paqe në tokë» në vitin 1969 në Havai, një familje e zellshme nga Pompei kuptoi se ata mund të ishin të parët që do të predikonin në ishullin e bukur të Kosraes paqen, që vetëm Mbretëria e Perëndisë mund ta sjellë. I frymëzuar nga asambleja, Fredi Edvin e transferoi familjen e tij në këtë pikë të vogël e të veçuar të oqeanit, gati 600 kilometra larg, që gjatë shekullit të 19-të kishte qenë një port i njohur për gjuajtëset e balenave. Ishte një transferim i natyrshëm për familjen Edvin, meqë gruaja e Fredit, Lilian ishte vajza e mbretit të Kosraes dhe gjuha e Kosraes ishte një nga shtatë gjuhët që Fredi ishte në gjendje të fliste.

Para se të bëhej një Dëshmitar i Jehovait, Fredi Edvin ishte anëtar i komitetit protestant që kishte përkthyer Biblën në gjuhën ponape. Pasi u transferua në Kosrae, aftësitë e tij në përkthim shërbyen për t’i vënë në dispozicion botimet Watch Tower në gjuhën e Kosraes. Pjesëtarë të tjerë të familjes së tij kanë qenë, gjithashtu të zënë në shpalljen e mesazhit të Mbretërisë. Vajza e tij, Desina refuzoi një bursë studimesh në universitet për t’u bërë një pioniere speciale, e para në Mikronezi. Një vajzë tjetër, Mildred, ka shërbyer si pioniere e rregullt dhe gruaja e Fredit ka shërbyer shpesh si pioniere ndihmëse.

Mbërrin ndihma për të ndërtuar Sallën e Mbretërisë

Zakarias Poli, me origjinë nga ishujt Çuuk, ishte mikroneziani i parë që u bë një misionar. Ai pati një pjesë në formimin e kongregacionit në Kosrae dhe në 1977-n ndihmoi edhe në ndërtimin e Sallës së Mbretërisë dhe të shtëpisë misionare atje.

Salla e Mbretërisë nuk u ndërtua brenda një fundjave. Fakti është se çdo të diel ky ishull, ku mbizotërojnë protestantët, bëhet tmerrësisht i qetë, sepse një ligj i «Sabatit» ndalon blerjen, shitjen, pirjen, peshkimin, punën madje edhe lojrat. Pavarësisht nga kjo, Salla e Mbretërisë u ndërtua aq shpejt sa i mahniti vendasit. Vëllezërit përdorën çfarëdo gjëje që ishte në dispozicion në ishull për të parafabrikuar sa më shumë që të ishte e mundur. Materialet e tjera u blenë në Pompei dhe u dërguan me anije. Kur ngarkesat e fundit arritën në Kosrae, të shoqëruara me punëtorë vullnetarë nga Pompei, ndërtesa mori formë me shpejtësi. Salla e Mbretërisë vazhdon të përdoret dhe sot e kësaj dite, jo vetëm për mbledhjet javore por edhe për asamble.

Një kongregacion i largët lavdëron Jehovain

Kur në vitin 1976 në Kosrae u vendos një kongregacion, ai gjendej kaq larg degës saqë raportet mujore të shërbimit në fushë dërgoheshin në Pompei nga një radioamator. Shërbimi tregëtar ajror filloi të ishte në Kosrae vetëm në vitin 1979. Meqë posta vinte me anë të anijeve nga një ishull në tjetrin, dorëzimi mund të merrte ndonjëherë deri në gjashtë muaj.

Sot të gjitha aeroportet në Mikronezi kanë pista të asfaltuara ku mund të ulen avionët e linjës, por gjatë fillimit të viteve ‘80, të fluturoje për në Kosrae do të thoshte një fluturim aventuroz me një aeroplan shtatë vendësh. «Në një udhëtim me avion që unë dhe gruaja ime bëmë për në Kosrae, u ndeshëm me një stuhi të fortë dhe u duk sikur kishim humbur»​—⁠kujton Artur Uait. «Piloti po e ngiste avionin rreth 30 metra sipër oqeanit dhe po kërkonte të gjente ishullin. Gruaja në sediljen pas nesh filloi të lutej me zë të lartë. Ne e dinim se, nëse piloti nuk e gjente Kosraen kishte mundësi të humbisnim në det, Por më në fund na u shfaq ishulli dhe patëm mundësi të uleshim​—⁠mbi një rrugë të ngushtë të shtruar me zhavor që ata e përdornin si pistë për uljen e avionëve.»

Xhejms Tamura kaloi 17 vjet si misionar në Pompei dhe Kosrae. Ai shprehu ndjenjat që kishin edhe shumë të tjerë kur tha: «Unë provoj gëzim kur shoh se vepra rritet dhe duke parë që emri i Jehovait bëhet i njohur në këto ishuj të largët të Paqësorit.»

ROTA: Një rekord qëndrueshmërie

Mbi ishullin e vogël të Rotas, i cili mezi shihet nga Guami, njoftimet disa herë bëhen me anë të një sistemi të radio përhapjes me ritransmetim. Një ditë, në 1970-n nga altoparlantët erdhi zëri i kryetarit të bashkisë, i cili informonte banorët e Rotas se Dëshmitarët e Jehovait ishin në ishull dhe se do të vinin në shtëpitë e tyre. «Ju lutem, hapuani derën atyre»​—⁠deklaroi kryetari i bashkisë​—⁠«dhe mirëpriteni vizitën e tyre.»

Augustin Kastro ishte njëri prej tre vëllezërve që predikuan në Rota atë ditë. Ai i la disa libra kryetarit të bashkisë të Rotas, të cilin e kishte njohur përmes punës që bënte më parë në qeverinë e Saipanit. Kjo gjë e shtyu kryetarin që të bënte njoftimin në publik. Brenda dy orëve vëllezërit që vizitonin kishin lënë gjithë literaturën që kishin nëpër çanta. Por në të njëjtën kohë, kundërshtimi i klerit po merrte formë.

Kleri ndërhyn në veprën e predikimit

«Dikush duhet ta ketë informuar priftin katolik për ne»​—⁠tregon Gus. «Ne ishim në një stacion shërbimi. Një i ri ishte duke pranuar librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme kur ai vështroi përreth dhe pa priftin. Ai hezitoi dhe i nervozuar na tha: ‘Do të doja t’ia tregoja librin priftit për të parë nëse është në rregull.’ Ne po shikonim priftin ndërsa ai shfletonte fletët e librit. Ai më njihte shumë mirë, sepse unë kisha studiuar më parë për t’u bërë prift. Më në fund ai i tha të riut: «Mund ta pranosh librin . . .për aq kohë sa nuk ndryshon fenë tënde.’»

Kundërshtimi u intensifikua pasi Huan dhe Meri Taitano u caktuan si pionierë specialë në 1981-shin në këtë ishull ku mbizotërojnë katolikët. «Prifti lokal na ndiqte derë më derë dhe u thoshte njerëzve se Jehova është vetëm një emër tjetër për Satanain»​—⁠kujton Huani. «Ai vuri një shenjë në gati çdo shtëpi, ku lexohej: ‘Kjo është një shtëpi katolike. Ju lutem respektoni fenë tonë.’ Ai dërgonte, gjithashtu, djem të cilët u merrnin literaturën që ua linim njerëzve dhe e digjnin.»

Urrejtja dhe frika i zënë vendasit

Çifti Taitano ishte me origjinë kamòro ashtu si njerëzit e ishullit të Rotas dhe dinin të flisnin gjuhën kamòro, por megjithatë edhe ata ishin objekt urrejtjeje.

«Një herë një pronar shtëpie më kërcënoi, duke më thënë se ‘do të merrte një shkop bejzbolli dhe do të thyente të gjitha kockat e trupit tim»​—⁠tha Huani​—⁠«Ditën tjetër, ai burrë pati një aksident automobilistik ku theu këmbët dhe një krah. Banorët e fshatit thanë se Perëndia e kishte ndëshkuar atë për atë që kishte thënë dhe kjo i frikësoi ata nga Dëshmitarët e Jehovait.»

Qëndrim pozitiv me gjithë rezultatet negative

Gjatë çerek shekullit të kaluar, misionarët kanë shpenzuar shumë orë duke u predikuar popullit të Rotas. Pas gjithë kësaj përpjekjeje, midis një popullsie prej 2.500 banorësh ka vetëm tetë lajmëtarë të Mbretërisë dhe ky numër përfshin dhe çiftin e pionierëve specialë. Pavarësisht nga kjo, Dëshmitarët besimplotë vazhdojnë të përbëjnë një shembull të shkëlqyer të qëndrueshmërisë, duke refuzuar shkurajimin.

«Rota është një territor i vështirë, kjo nuk diskutohet»​—⁠tha misionari Geri Anderson. «Por edhe situata më e keqe nuk do të vazhdojë përgjithmonë. Rota do të ndryshojë. Asgjë nuk është e pamundur me mbështetjen e Jehovait.»

NAURU: Duke gjetur pasurinë e vërtetë

Republika e Naurut, me një popullsi prej rreth 7.000 banorësh konsiderohej më parë si një nga vendet më të pasura në botë, por edhe atje njerëzit kishin nevojë të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë. Shumë nga pasuria e tyre erdhi si rezultat i gërmimit nëpër tunele të fosfatit që ka shkretuar një pjesë të mirë të ishullit. Është larg nga të qenët një parajsë e vërtetë. Dhe tani edhe ky ishull ka probleme të rënda financiare.

Megjithatë, përpjekjet e para për ta shpënë mesazhin e Mbretërisë në Nauru u refuzuan. Kur një vizitor misionar nga Ishujt Marshall hodhi farat e së vërtetës në Nauru në 1979-n, ai u largua prej andej me avion i shoqëruar nga tre policë.

Megjithatë, para se të largohej, ai studioi Biblën me Hamfrei Tatum. Hamfrei vazhdoi të studionte vetë dhe kur Net Miler, si mbikëqyrës udhëtues, ndaloi në Nauru, Hamfrei kërkoi që të pagëzohej. «Meqë vepra jonë konsiderohej si e paligjshme»​—⁠kujton Miler​—⁠«ne pritëm deri sa u errësua. Notuam bashkë në Oqeanin Paqësor për rreth 30 metra, kështu që ai u zhyt pa u vërejtur nga sytë e njerëzve.»

Para vitit 1995, aktiviteti i predikimit derë më derë ishte i ndaluar në Nauru. Të huajt nuk lejohen akoma të ndërmarin predikimin shtëpi më shtëpi, por qeveria tani i lejon banorët e Naurut të predikojnë lirisht, duke bërë të mundur kështu që një grup i vogël Dëshmitarësh të pagëzuar të flasin hapur rreth Biblës.

Deri në vdekjen e tij në 1995-n, vëllai Tatum shërbeu si plak në kongregacionin e vogël të Naurut. Ai shërbeu edhe si përkthyes nauruan, duke vënë në dispozicion të Dëshmitarëve të tjerë fletushkat dhe ftesat për Përkujtimin. Megjithëse janë të paktë në numër, Dëshmitarët e Jehovait në Nauru po përpiqen ta drejtojnë vëmendjen e fqinjëve të tyre nga vlera e pasurive frymore, ai lloj që të çon në jetën e përhershme.(Prov. 3:​1, 2, 13-18)

Ishujt e Paqësorit kanë një reputacion se janë ishuj parajsorë, por pas atij peisazhi romantik shtrihet një realitet i ashpër​—⁠shumë mikronezianë po luftojnë për të mbijetuar. Stili i tyre i jetës dikur i thjeshtë, është korruptuar nga rreziqet e civilizimit​—⁠televizioni, kriminaliteti, droga dhe sëmundjet ngjitëse, për të përmendur vetëm disa gjëra. Gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë se mesazhi i Mbretërisë që po predikohet nga Dëshmitarët e Jehovait është e vetmja zgjidhje për problemet e tyre të shumta.

Dega e Guamit, e cila drejton përpjekjet e predikimit në Mikronezi, mbikëqyr më pak lajmëtarë se secila prej 103 degëve të Shoqatës, megjithatë territori i saj është një nga më të mëdhenjtë në botë. Edhe pse vëllezërit dhe motrat tona në këto ishuj të largët janë të ndarë nga kanale të gjerë oqeani, ata përjetojnë akoma afërsinë e organizatës së Jehovait. Literatura biblike e siguruar rregullisht në gjuhën e tyre lokale, asambletë e rregullta dhe vizitat e rregullta nga mbikëqyrësit qarkorë i bëjnë ata shumë të vetëdijshëm se janë pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare.

Misionarët që shërbejnë në caktime të tilla të izoluara marrin, gjithashtu, përkujtues të dashurisë që ekziston midis popullit të Jehovait. Çdo verë, bëhen rregullime që ata të udhëtojnë për në Guam që të ndjekin një kongres krahinor, i cili është mbajtur shpesh me rastin e vizitës së mbikëqyrësit të zonës. Rodni Ajimine, një misionar për më shumë se 20 vjet, i cili ka shërbyer edhe si mbikëqyrës udhëtues në Mikronezi, një herë shpjegoi rëndësinë e atij udhëtimi çdo vit për në Guam. «Ai i mbledh të gjithë misionarët në ishujt e ndryshëm së bashku»​—⁠tha ai. «Kjo gjë na ndihmon për të qëndruar.»

Ka edhe masa të tjera që ndihmojnë vëllezërit tanë në këto ishuj të shpërndarë. Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, në vitin 1993 Shërbimi i Informacionit të Spitaleve u vendos në degën e Guamit dhe që atëherë ka organizuar Komitete të Lidhjes me Spitalet për secilin prej grumbujve ishullorë të Mikronezisë. Çdo vit bëhet Shkolla e Shërbimit për Pionierë për ata që janë në shërbimin e plotë kohor dhe Shkollat e Shërbimit të Mbretërisë mbahen periodikisht për të stërvitur mbikëqyrësit e kongregacioneve. Gjithashtu, në vitin 1994 dega e Guamit formoi një Repart Ndërtimi për të koordinuar planifikimin dhe ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të shtëpive misionare në Mikronezi.

Përpjekjet e papushuara të misionarëve dhe të lajmëtarëve gjatë katër dekadave të kaluara kanë ndihmuar shumë ishullorë që të njohin dhe të duan Jehovain. Tani, disa nga këta ishullorë po marrin drejtimin në kongregacionet lokale dhe po punojnë shumë për të shpallur qëllimin e Perëndisë, që e gjithë toka do të bëhet një parajsë.

Ka akoma shumë punë për t’u bërë në Mikronezi, por falë mbrojtjes së dashur dhe udhëheqjes së organizatës së Jehovait profecia e Isaisë 51:5 po bëhet e vërtetë: «Në mua [Jehovain] ishujt vetë do të shpresojnë dhe ata do të presin për krahun tim.»