Një letër nga Trupi Udhëheqës
Një letër nga Trupi Udhëheqës
Kur të 70-tët «u kthyen me gëzim» për t’i raportuar Jezuit mbi suksesin e fushatës së tyre të predikimit, ai vetë «u gëzua jashtë mase në frymën e shenjtë». Duke falënderuar Jehovain ai tha: «Unë të lartësoj publikisht, Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti ua ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve dhe intelektualëve dhe ua ke zbuluar ato foshnjave.»—Luka 10:17, 21, BR.
Si Jezui, a nuk gëzohemi jashtë mase kur shohim raportin vjetor për vitin 1996? Edhe ne jemi si foshnja të ushqyera nga fryma e Jehovait, por të mençurit dhe intelektualët e kësaj bote nuk mund të fillojnë t’i afrohen asaj që Jehovai ka përmbushur me anë të popullit të tij. Gjatë gjithë vitit të kaluar të shërbimit ne e ushtruam veten për «t’u bërë bërës të fjalës». (Jak. 1:22, BR) Si rezultat, Jehovai ka ‘hapur kataraktet e qiejve’ dhe ka shtuar një bekim vërshues.—Mal. 3:10.
Një arsye e mëtejshme për këtë bekim është se ne e kemi ‘veshur veten me dashuri, lidhjen e përsosur të bashkimit’. (Kolos. 3:14, BR) Kjo gjë pasqyrohet në unitetin e dallueshëm të aktivitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën. Ashtu si ushtria e karkalecave të profecisë së Joelit, ushtria e fuqishme e Dëshmitarëve të Jehovait, tani prej 5.413.769 vetash, vazhdon ta mbushë tokën me dëshminë e saj.—Joeli 1:1-4; 2:7, 9-11.
Po, viti 1996 ka sjellë një të korrë të jashtëzakonshme me frytet e Mbretërisë, mbi një miliard orë në shërbimin në fushë, një maksimum të ri prej 366.579 vëllezërish të rinj dhe motrash të reja të pagëzuar dhe shumën tronditëse të 543.667.923 revista të shpërndara. Sidoqoftë, këta numra janë vetëm një pasqyrim i asaj që po ndodh në zemrën dhe në jetën e miliona njerëzve që po grumbullohen në organizatën mbarëbotërore të Jehovait. (Isa. 2:2-4; 60:8-11) Asnjëherë më parë fjalët e Jezuit nuk kanë pasur një zbatim më të madh: «Ja! Unë ju them, ngrijini sytë dhe shikoni fushat, ato janë të bardha për t’u korrur.»—Gjoni 4:35, BR.
Kur korr sot frytet e Mbretërisë, Zotëria Jezu është i interesuar në mbledhjen e njerëzve të pastër, të cilët do të ndjekin modelin e siguruar nga vëllezërit e tij të mirosur në kërkimin e shenjtërisë së vërtetë në tokë. (Isa. 35:8-10; Rom. 6:19, 22, 23) Të gjithë këta persona, jo vetëm që i dedikojnë jetën e tyre Jehovait, por kultivojnë, gjithashtu, «frytet e frymës», duke zhvilluar «personalitetin e ri». Ata ‘i lajnë rrobat e tyre dhe i bëjnë të bardha në gjakun e Qengjit’.—Gal. 5:22, 23; Efes. 4:23, 24; Zbul. 7:9, 14; 14:15, 16.
Kështu, në korrjen e fryteve të Mbretërisë, Jezui është i interesuar, jo vetëm në sasinë, numrin e atyre që janë mbledhur, por edhe në cilësinë. Ai po kërkon shërbëtorë besnikë, të cilët do të të jenë në lartësinë e standardeve të drejtësisë së Jehovait, duke i bërë interesat e Mbretërisë përparësinë e tyre numër një në jetë. A tregon një shqyrtim personal i shërbimit tënd në fushë dhe i pranisë në mbledhje se interesat e Mbretërisë vijnë të parat në jetën tënde? Siç e theksoi Davidi në lutjen që i bëri Jehovait: «Me dikë besnik ti do të veprosh me besnikëri.»—Psal. 18:25; Mat. 6:31-33.
Jezui e bëri të qartë se «e ngushtë është dera dhe e ngushtuar është rruga që të çon në jetë dhe pak janë ata që e gjejnë atë». (Mat. 7:13, 14, BR) Ne duhet t’i vëmë veshin këtij paralajmërimi! Nëse dëshirojmë të kualifikohemi për jetën e përjetshme, ne duhet ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë me gjithë zemër në jetën tonë. (Gjoni 17:3) Kjo do të përfshijë t’i kushtojmë shumë vëmendje shkrimit të vitit për 1997-n, që thotë: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.» (Psal. 143:10, BR) Po, rregullisht, ditë për ditë dhe çdo javë ne duhet të përdorim të gjitha furnizimet dhe mjetet që Jehovai ka vënë në dispozicion për të na mësuar. Ato janë për mbrojtjen tonë.—Isa. 50:4, 5; 54:13, 14.
Bota e Satanait po zhytet gjithnjë e më tej në llucën e fëlliqësisë, në paligjshmërinë dhe në dhunën e frymëzuar nga demonët, si edhe në urrejtjen mes njëri-tjetrit dhe ndaj autoritetit. Kërkon të tërheqë pas vetes të gjithë njerëzimin. Pikërisht këtu është një rrezik i madh për popullin e Perëndisë. Zbavitja e botës është e mbushur me shthurje, imoralitet, «melodi» shurdhuese dhe tekste këngësh korruptuese. Ne duhet ta shmangim këtë propagandë satanike, këto «të papastra . . . shprehje të frymëzuara nga demonët», të cilat do t’i çojnë, jo vetëm sunduesit, por edhe gjithë të tjerët që e bëjnë veten «pjesë e botës», në shkatërrim në Harmagedon.—Zbul. 16:13-16; Gjoni 15:19; 17:14, 16; 18:36.
Po, shpërqendrimet e botës; shoqëritë e saj, presioni i saj nga bashkëmoshatarët, krenaria e saj, dëshirat e saj materialiste, të gjitha do të zhduken krejtësisht në të ardhmen e afërt. (1. Kor. 15:33; 1. Tim. 6:9, 10) Apostulli i moshuar Gjon, pohoi me mençuri: «Mos e doni as botën, as gjërat në botë. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe shfaqja e bujshme e mjeteve të jetesës, nuk e kanë origjinën nga Ati, por e kanë origjinën nga bota. Për më tepër, bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1. Gjon. 2:15-17, BR.
Ndërsa gëzojmë sepse jemi «bërë bërës të fjalës» gjatë vitit 1996, lutjet dhe veprat tona qofshin në harmoni me shkrimin e viti për 1997-n: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.»—Psal. 143:10, BR.
Me dashurinë më të ngrohtë të krishterë bashkëpunëtorëve tanë ndërkombëtarë,
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait