Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Martinika

Martinika

Martinika

NJERËZVE në shumë pjesë të tokës, emri Martinika u kujton diçka. Mund të sjellë në mend një imazh të diellit, të plazheve të bardha dhe të detit të kaltër. Mund ta bëjë një njeri të mendojë për gjëra kaq të ëmbla të jetës si: kallamsheqerin dhe bananet, si edhe për rumin. Imazhi mund të përfshijë, gjithashtu, vendasit me lëkurë kafe ose të zezë me buzëqeshje miqësore, që në shenjë mirëseardhjeje u ofrojnë vizitorëve tabaka me fruta ekzotike. Të tjerëve, Martinika u sjell në mend shpërthimin e Malit Pele në vitin 1902 dhe shkatërrimin e plotë të qytetit Shën Pierre, i cili atëherë ishte kryeqyteti ekonomik dhe kulturor i vendit.

Ky ishull, duke folur relativisht, është vetëm një kokërrizë e parëndësishme pluhuri. Është vetëm 80km e gjatë dhe 35km e gjerë. Megjithatë, ka zënë një rol të gjerë në mënyrë të shpërpjestuar në çështjet ndërkombëtare. Këtu, mes shekullit të 17⁠-⁠të dhe 19⁠-⁠të, perandoritë koloniale luftuan pa mëshirë për supremaci në Amerikë dhe Karaibe. Santo Domingo (Haiti), Guadalupa, Martinika dhe ishuj të tjerë të Indive Perëndimore ndryshonin pronarë sipas përfundimit të betejave.

Për shumë dekada, Martinika, megjithëse vetëm një ishull i vogël, ishte një pikë kyçe për tregëtinë e skllevërve në Karaibe. Nuk mund të flasësh për popullsinë e Martinikës pa iu referuar zinxhirëve të skllavërisë që kanë vendosur të kaluarën e saj dhe që shpjegojnë shumë gjëra rreth kushteve të tanishme të njerëzve.

Po flasim për një popull i cili, duke qenë se ka qenë i skllavëruar për një kohë të gjatë, është krenar të jetë i lirë. Është një popull që karakterizohet nga paradokse të çuditshme. Është xheloz për emancipimin e tij dhe do që kjo të njihet. Në të njëjtën kohë, pajtohen me kulturën franceze, e cila iu ishte imponuar nga kolonializmi. Kjo është një kulturë, vlerat dhe pasuria e së cilës, në shumë aspekte, çmohet nga shumica. Njerëzit deklarojnë si të vetën një fe: katolicizmin, që iu është imponuar atyre nga sunduesit kolonialë shtypës. Bashkë me këtë iu është mësuar të adhurojnë një Perëndi që ata e njohin shumë pak. Ai ju është prezantuar atyre si Perëndia që përkrah skllavërinë e zezakëve, sepse pretendohet që ai e ka mallkuar këtë racë. Thuhet se atributet e këtij Perëndie janë dashuria dhe drejtësia, por këto cilësi duken se janë në mënyrë të çuditshme të fshehura. Feja e tyre bazohet tërësisht në rite dhe tradita, ku bindjet e sakta dhe analizat teologjike nuk kanë shumë rëndësi. (Në një mënyrë të ngjashme, mund të vini re se në ishullin e afërt të Barbados deklarojnë fenë anglikane, sepse ishte kolonializuar nga Britania.)

Ndërsa ky shekull i afrohet fundit, shumica e njerëzve në Martinikë, edhe pse preferojnë të konsiderohen të lirë, vuajnë nën zinxhirat e skllavërisë së dy pronarëve. Nga njëra anë janë të rënduar nga një sistem fetar ritesh dhe traditash që nuk kënaq urinë e vërtetë frymore. Kurse nga ana tjetër, ata punojnë më kot për të plotësuar dëshirat e pafundme, të kultivuara nga influenca shtypëse e mënyrës së jetuarit materialiste të civilizimit perëndimor.​—⁠Ek 5:⁠10.

Mesazhi i lirisë së paçmueshme

Në këtë ishull tropikal, gjatë gjysmës së shekullit të kaluar, është shpallur me një intesitet në rritje një mesazh lirie. Kjo është liria, të cilës Jezu Krishti iu referua kur tha: «Ju da njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:​32, BR) Kjo është një liri nga skllavëria ndaj falsitetit, liri nga varësia ndaj një sistemi ekonomik që shfrytëzon mizorisht njerëzit dhe liri nga mëkati e vdekja.

Farat e kësaj të vërtete filluan të mbilleshin në vitin 1946, kur Zhorzh Mustash, nga Guadelupa, kaloi dy javë në Fort⁠-⁠de⁠-⁠France dhe në Shën Pierre. Tre vjet më vonë, më 9 gusht 1946, katër misionarë (një çift dhe dy motra të reja), të diplomuar në Shkollën e Galaadit, zbritën në brigjet e ishullit. Ata ishin Davidi e Silia Homer, Meri Lolo dhe Franses Beili. Ata ishin nga Shtetet e Bashkuara dhe flisnin frëngjisht, edhe pse jo shumë mirë. Megjithatë, gjatë një viti e gjysmë, ata arritën të ndanin 631 libra dhe më shumë se 200 broshura që shpjegonin Biblën dhe filluan 32 studime biblike me individë dhe familje. Por, kleri katolik, akoma me shumë influencë në atë kohë dhe aspak i gatshëm për të vënë atoritetin e vet në dyshim, përdori influencën e tij për të përzënë misionarët nga ishulli në Janar 1951. Për më shumë se tre vjet, predikimi i lajmit të mirë në Martinikë u ndalua.

Vepra fillon përsëri

Më 10 korrik 1954, Gzavio dhe Sara Noll arritën nga Marseja e Francës. Që të dy ishin shërbëtorë në shërbim të plotë kohor dhe Gzavio kishte shërbyer si një mbikëqyrës kongregacioni në Marsejë.

Ata e kujtojnë akoma mbërritjen e tyre në këtë ishull që ju dukej se ishte në anën tjetër të botës, 7.000 km nga vendi i tyre. Ata nuk e kanë harruar përshtypjen e parë që ju ka bërë i nxehti dhe lagështira. Nuk kanë harruar as atmosferën gazmore, mikpritjen dhe mënyrën e sjellshme të njerëzve.

Që në ditët e para, ata mësuan se si të jetonin me minimumin e komoditeteve. Pasi u strehuan për pak ditë tek një burrë që ishte në favor të Dëshmitarëve të Jehovait, ata gjetën një shtëpi të re prej druri, që thjesht do të thotë se ishte një shtëpi me mure dhe dysheme druri. Çatia ishte ndërtuar me llamarinë të valëzuar. Nuk kishte as tavan dhe as pajisje sanitare. Kur ngrysej, vëllai Noll kishte për detyrë të boshatiste kovën «sanitare» në një përroskë. Udhëtimin e tij të parë me kovën, e bëri më 14 korrik, ditën e festës kombëtare të Francës. Duhet të kalonte një shesh publik të quajtur Stalingrad, e cila ishte gjallëruar nga aktivitetet lidhur me festën. Ndërsa po e kalonte këtë shesh, me kovën e tij të ekspozuar ndaj vështrimeve argëtuese të grupeve të njerëzve, të cilët kishin dalë për t’u shplodhur dhe për të thithur pak ajër të freskët, ata u gajasën së qeshuri. Ishte një shfaqje e vërtetë! Ata nuk kishin parë kurrë më parë një të bardhë të bënte një punë të tillë!

Një mirëseardhje surprizë

Herët, atë ditë, vëllai Noll kishte sistemuar për orë të tëra librat dhe broshurat që misionarët kishin lënë, kur i kishin përzënë. Shumë prej tyre ishin dëmtuar nga insektet, por kishte një sasi të mjaftueshme në gjendje të mirë, për t’u përdorur nga çifti Nolls në dëshminë e tyre publike që do ta fillonin të nesërmen në mëngjes.

Ja disa kujtime të vëllait Noll për atë ditë të parë shërbimi: «Duke dalë për herë të parë në veprën e predikimit këtu, gruaja ime dhe unë mezi prisnim të takonim njerëzit, t’i njihnim ata, të dinim se çfarë lloj mirëseardhje do të na jepnin. Realiteti ia kaloi çdo parashikimi tonit. Ne filluam të dëshmonim në qendër të qytetit, e cila në atë kohë kishte një popullësi prej 60.000 banorësh. Atë mëngjes, gruaja ime dhe unë u takuam dy herë, ndërsa po ktheheshim në shtëpi për të mbushur çantat tona me librat «E vërteta do t’ju bëjë të lirë» dhe «Mbretëria është afruar» si edhe me broshura të tilla si «Princi i paqes».

Të zotët e shtëpisë thonin shpesh: «Do ta marr librin tuaj si kujtim nga ju» ose «Në qoftë se flet për Zotin do ta marr». Gjatë këtyre dy javëve të para u lanë pothuajse 200 libra dhe qindra broshura. Ishte e lehtë të filloje bisedën, sepse njerëzit ishin kuriozë dhe ishin të gatshëm t’u jepnin mirëseardhjen të huajve. Ishte një inkurajim të mikpriteshim me aq bujari!

Vëllai dhe motra Noll pyesin veten nëse do të ishin në gjendje të studionin me aq shumë njerëz! Megjithatë, mësuan shpejtë se duhet të bënin një dallim ndërmjet atyre që tregonin thjesht një bujari për zakon dhe atyre të cilëve kishin një dëshirë të vërtetë për të njohur dhe vënë në praktikë të vërtetën që vinte nga Perëndia. Kishte disa që donin të mësonin. Vëllai Noll kujton: «Personi që na takoi me të mbërritur në Martinikë na prezantoi me disa punëtorë dhe çirakë që punonin në punishten e tij të mobilerisë. Filluam një studim po atë natë dhe dy të tjera gjatë javës së parë.»

Një prej këtyre studimeve bëhej me një çift të ri, Pol dhe Nikol Zhaklin. Ata po studionin tri herë në javë dhe po bënin progres të mirë. Shpejtë filluan të merrnin pjesë me çiftin Nolls në veprën nga shtëpia në shtëpi. Me këta lajmëtarë të rinj, vepra e predikimit filloi të marrë ngjyrim vendas.

«To - To - To»

Kur i afroheshe një shtëpie duhet të thërrisje «To - to - to, a ka njeri?» Nga brenda shumë shpesh një zë përgjigjej: «Për çfarë?» Pasi lajmëtari bërtiste prapë për të prezantuar veten, i zoti i shtëpisë do të përgjigjej «Hyr, ulu». Pasonin biseda interesante.

Në shumicën e rasteve njerëzit ishin të gatshëm të bisedonin. Stresi ishte i panjohur në atë kohë në Martinikë. Dëgjonim rrallë të thonin atë që dëgjojmë vazhdimisht të thonë sot: «Nuk kam kohë.» Megjithatë, përfundimi shpesh ishte: «Unë e kuptoj të gjithë ç’po thoni por, nuk kam ndër mend të lë fenë e prindërve dhe gjyshërve të mi.» Edhe kur dukej se kishte ndonjë interes dhe lajmëtarët pyesnin «A mund t’ju shohim përsëri së shpejti?», përgjigjja shpesh ishte: «Nëse do Zoti.»

Në përgjithësi, njerëzit shprehnin një respekt të madh për Biblën. Tani, vetëm pak prej tyre e kanë këtë respekt. Kleri katolik bëri çmos për të ndaluar njerëzit që të kishin ndonjë kontakt me Biblën. Prapëseprapë, disa njerëz mundën të gjenin përkthimin protestant francez të Luis Segon. Disa e kishin siguruar nga ata që shisnin nëpër rrugë, të tjerë nga komshinjtë që ishin adventistë të Ditës së Shtatë dhe të tjerë akoma, më rrallë, nga evangjelistët.

Martesë, jo thjesht bashkëjetesë

Disa prej dokeve afrikane i mbijetuan skllavërisë dhe u pranuan nga Kisha Katolike me kusht që pjesëmarrësit do të bënin edhe ritet katolike. Në këtë atmosferë, bashkëjetesa ndërmjet njerëzve të pamartuar me njëri tjetrin ishte një dukuri e përhapur. Kur motra Noll shkonte në shërbim, njerëzit e pyesnin atë: «A ke fëmijë?» Pasi ajo i përgjigjej «Jo», ata e pyesnin «Po burri yt?» Nuk ishte e pazakontë të gjeje burra të cilët kishin fëmijë me gra të tjera përveç atyre që kishin me gruan ligjore. Ata që donin të bëheshin të krishterë të vërtetë duhet të braktisnin praktika të tilla jo biblike. -- He 13: 4.

Personi i parë që përballoi këtë vendim ishte një grua që kishte gjashtë fëmijë nga tre burra të ndryshëm dhe që kur filloi të studionte Biblën jetonte me babain e fëmijës më të vogël. Margarit Lislet e kuptoi menjëherë se duhet të bënte një ndryshim shumë të madh nëse donte t’i pëlqente Jehovait. (1Ko 6: 9 - 11) Ajo i kërkoi burrit me të cilin bashkëjetonte që të ndaheshin dhe pavarësisht nga problemet shëndetësore, përballoi me guxim vështirësitë financiare për t’u kujdesur për gjashtë fëmijët e saj. Ajo u pagëzua në vitin 1956. Më vonë ajo u bë pionierja e parë speciale në Martinikë.

Gjithashtu, Zhan Maksimin, e cila kishte fëmijë me burrin që bashkëjetonte, donte të pagëzohej. Shumë herë ai i kishte premtuar asaj se para asamblesë që do të vinte do ta ligjëronte marrëdhënin e tyre, por nuk e mbajti asnjëherë premtimin. Përfundimisht, në vitin 1959, kur asambleja tjetër po afrohej, ajo përfitoi nga mungesa e tij dhe iku nga shtëpia. Kur u kthye, çfarë surprize ishte për të kur pa që ajo kishte ikur dhe shumë prej pajisjeve shtëpiake mungonin! Fqinjtë nuk ngurruan t’i tregonin se ku ishte ajo. Ai insistoi që ajo të kthehej në shtëpi dhe i premtoi se do të martoheshin brenda dy javësh, kohë që i duhej për të bërë rregullimet e nevojshme. Përgjigjja e saj ishte e qartë: «Do të kthehem ditën që do të martohemi dhe jo më parë.» Rregullimet e nevojshme u bënë dhe ata u martuan ligjërisht brenda dhjetë ditësh. Shumë prej motrave tona kanë pasur përvoja të ngjashme.

Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar reputacionin se praktikojnë një fe në të cilën martesa trajtohet si një institucion hyjnor. Një punonjëse e zyrës civile të fshatit Le Voklan u habit kur pa se brenda një kohe të shkurtër Zhak dhe Piereta Nelson, pionierë specialë vendas, ishin si dëshmitarë në martesat e dy çifteve të cilët kishin jetuar bashkë për shumë vjet pa u martuar. Kjo punonjëse e kishte tashmë librin Si ta bëjmë të lumtur jetën familjare, por në këtë rast premtoi se do ta lexonte përsëri, sepse situata e saj ishte e njëjtë me atë të çifteve që ajo sapo kishte martuar. Para se të përfundonin bisedën e tyre, ajo i tha me një ton të qetë dy dëshmitarëve tanë: «Jamais deux sans trois» («Nëse ka dy, do të ketë edhe një të tretë.») Kjo u vërtetua në këtë rast, sepse jo shumë kohë pas kësaj, pionierët ishin përsëri para saj si dëshmitarë për një çift të tretë me të cilët ata kishin studiuar.

Të çliruar nga abuzimi i alkoolit

Martinika është e njohur për rumin e saj. Kjo pije alkoolike që prodhohet nga kallamsheqeri, mund të gjendet kudo në ishull. Pëlqehet nga shumë njerëz, por mund të jetë shumë i dëmshëm nëse përdoret tepër. Më 1950 një person mund të shkonte në një bar dhe të merrte një gotë plot e përplot me rum vetëm për 50 centime (rreth 9 lekë). Një shishe rumi, një shishe shurup kallamsheqeri dhe ca feta limoni jeshil vendas viheshin para klientit dhe ai lejohej ta përziente vetë pijen.

A mund t’i ndihmojë e vërteta biblike njerëzit që abuzojnë rregullisht me rumin? Sigurisht, po! (1Pj 4: 3) E para ishte një grua, e cila pinte rregullisht deri në atë pikë sa ishte e pamundur t’i uleshe përkashi dhe të flisje me të. Përveç kësaj, ajo jetonte me një burrë, me të cilin nuk ishte martuar dhe që ishte skllav i alkoolit sa edhe ajo. Në pak muaj, si rezultat i asaj që mësoi nga studimi biblik në shtëpi, ajo i dha fund të pirit dhe e la burrin me të cilën bashkëjetonte. Të gjithë ata që e njihnin i vunë re ndryshimet. Shëndeti i saj mori për mirë. Jeta e saj profesionale u përmirësua dhe pati një vend të përhershëm si punonjëse në shtet. Kur ajo mori një shumë parash si rrogë të prapambetur, i përdori për të marrë pjesë në Asamblenë Ndërkombëtare Vullneti Hyjnor të Dëshmitarëve të Jehovait, në Nju Jork më 1958. Akoma sot, megjithëse Elisa Lafin është 90 vjeç, merr pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Ajo është, gjithashtu, një shembull i sjelljes së shkëlqyer të krishtere. Fjala e Perëndisë mund ta çlirojë me të vërtetë një njeri nga skllavëria e alkoolit.

Fryte nga zemra e vendit

Duke parë hartën e Martinikës, ishulli duket i përdredhur përreth gjirit të Fort - de - France. Pa asnjë dyshim, këtu gjendet zemra e territorit të predikimit. Përgjatë pjesës veriore të gjirit ka tri qytete fqinje: Fort - de - Franc, Shoelsher dhe Lë Lamentin. Pothuajse gjysma e popullësisë së Martinikës jeton në këtë rajon. Me përjashtim të agrikulturës, shumica e aktiviteteve të ishullit janë përqendruar këtu. Këtu kishte filluar për herë të parë vepra e predikimit të lajmit të mirë dhe vetëm me ca përjashtime, lajmëtarët e parë dolën prej këtej.

Që në vitin 1955, vëllai dhe motra Noll filluan të udhëtonin jashtë kryeqytetit për të përhapur mesazhin e Mbretërisë. Ata e kalonin gjithë ditën duke predikuar dhe ktheheshin në shtëpi në mbrëmje. Një javë, të premten, ata do shkonin në Lë Lamentin. Javën tjetër, e kishte rradhën fshati Lë Fransua, afër bregdetit lindor. Pak nga pak njerëzit filluan të pranonin të vërtetën. Mes të parëve që pranuan të vërtetën në Lë Lamentin ishin Zhan Maria - Anae, Suzana Geto, Liljana Neral dhe Polet Zhan - Lui. Në Lë Fransua, ishin familjet Godar dhe Kadas si edhe Pier Luazo. Disa kohë më vonë në Lë Lamentin u dërguan pionierë specialë. Mes tyre ishin Valentin Karel dhe Nikola Rënel. (Vëllai Rënel më vonë u bë anëtar i Komitetit të degës.) Tani në këto komunitete dhe ato të afërme të jugut ka shtatë kongregacione.

Disa persona u dukën se filluan mirë por më vonë e lanë rrugën e ngushtë. Ata u mposhtën nga ankthet e jetës, materializmi dhe imoraliteti. Disa të tjerë e morën fjalën e Mbretërisë për zemër dhe provuan se ishin si toka e mirë, e cila do të jepte fryte për shumë vite. (Mt 13: 18 - 23) Shumica më e madhe e atyre që kanë përqafuar adhurimin e vërtetë në fillim po i shërbejnë akoma me besnikëri Jehovait. Mes këtyre janë vëllezërit që u pagëzuan në Martinikë rreth 30 vjet më parë: Leon dhe Kristian Bela, Zhuel Nuebuel, Zherman Bertolo, Vinsent Muler, Rozha Rozamon, Alber Zabo, Vinsent Nelson dhe Filip Dordon. Ata të gjithë treguan një dashuri të madhe për Jehovain, ndërsa dhanë rininë e tyre në shërbim. Ata nuk janë më të rinj, por që të gjithë vazhdojnë të shërbejnë si pleq në kongregacione. Të tjerë kanë vdekur, mes tyre Tusan Lada, i cili nga të moshuarit mbahet mend për temperamentin e tij të qetë dhe buzëqeshjen e ngrohtë. Ka shumë të tjerë që mund t’i shtohen listës së veteranëve, të cilët ishin apo akoma janë shembuj të shkëlqyer besimi dhe zelli. Brezi i ri është duke ndjekur hapat e tyre dhe për ata që janë të kaluar në moshë kjo gjë është një burim gëzimi i madh.

Gratë shpallin besnikërisht lajmin e mirë

Në fillim, disa motra të cilat ishin mësuese të Ministrisë së Arsimit Kombëtar, po bënin një punë të shkëlqyer edhe si mësuese të Fjalës së Perëndisë. Mes tyre ishte Stela Nelze. Ajo ishte e para e grupit që u pagëzua dhe vazhdoi të jetë e zellshme në shërbim edhe kur i duhej të kujdesej për nënën e saj të moshuar, e cila vdiq 102 vjeç. Ishin edhe Andra Zozor, e cila ishte një drejtoreshë shkolle dhe që, gjithashtu, mbrojti në mënyrë të efektshme të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe motra Viktore Fus (tani Lazeman), e cila mbeti e patundur pavarësisht nga kundërshtimi i fortë i familjes. Shembulli i shkëlqyer i motrës Fus pati një ndikim të mirë mbi fëmijët e saj. Si rezultat, një nga djemtë e saj shërben si plak nga shumë vite dhe vajza Marlena është një misionare në Mali.

Të tjerë e kanë mbaruar garën e tyre të krishtere për shkak të moshës apo të sëmundjes. Kjo i ndodhi Leonida Popankur, e cila kishte dalë në pension para kohe dhe shërbeu si pioniere për 16 vjet. Megjithëse motra Popankur vdiq në vitin 1990, vajza e saj Zhaklina shërben si misionare në Guajanën Franceze. Edhe Ema Ursule ka lënë një shembull në shkëlqyer në mbrojtjen e së vërtetës biblike dhe ajo është përpjekur veçanërisht të ndihmojë fëmijët e saj të ecin në rrugët e Jehovait. Tri nga vajzat e saj kanë ndërrmarë shërbimin si pioniere dhe djali i saj Henri shërben si anëtar i Komitetit të Degës në Martinikë.

Sara Noll, e cila erdhi si pioniere speciale në Martinikë 43 vjet më parë, megjithëse 82 vjeç, është akoma e zellshme në shërbimin e plotë kohor. Edhe pse territori është punuar shpesh, ajo vazhdon të ketë sukses të dukshëm në shpërndarjen e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Duke praktikuar sugjerimet e Shoqatës, përsa i përket dëshmisë në territoret e bisnesit, ka arritur të ketë leje për t’u futur në shumicën e zyrave shtetërore. Ajo ka një itinerar revistash që përfshin bashkinë, rajonet e policisë, Ministrinë e Punës dhe shumë zyra të tjera. Për disa muaj ajo ka dhënë jo më pak se 500 revista. Gjatë viteve që ka kaluar në Martinikë ajo ka dhënë më shumë se 110.000 revista.

Uji zbret nga malet

Martinika ka shumë male. Thuhet se një admiral anglez, i cili donte t’i jepte një ide mbretit Xhorxh II në lidhje me paraqitjen e vendit, mori një fije letër, e bëri shuk dhe e hodhi mbi tavolinë. «Sër, -- tha ai, -- kjo është Martinika.» Ka një proverb kreol që thotë se «D’lo pa ka monté morne» («Uji nuk mund të ngjitet në male.») Por në Martinikë, ka ujë që ngjitet në male. Qyteti i vjetër i Fort - de - France ndodhet në nivelin e detit, por shtrihet edhe në këmbët e shumë kodrave. Uji i së vërtetës biblike është ngjitur në këto kodra. -- Zb 22: 17.

Më 1956, megjithëse në ishull ishin vetëm shtatë lajmëtarë dhe tre pionierë, u dhanë 5.000 libra, mbi 9.000 revista dhe shumë broshura. Pjesa më e madhe e kësaj literature iu shpërnda pasagjerëve në stacionet e autobusëve, që vinin e iknin në të gjitha pjesët e ishullit. Vëllai dhe motra Noll shkonin edhe në tregjet e peshkut e të perimeve dhe predikonin në baret e shumta që ishin afër tyre. Në këtë mënyrë, fshatarët ktheheshin në shtëpitë e tyre, sipër në kodra dhe më tej, me literaturë të çmueshme biblike në çantat e tyre.

«Mos braktisni të mbledhurit bashkë»

Vetëm pak javë pas mbërritjes në Martinikë, vëllai dhe motra Noll filluan të inkurajonin ata që studionin që të merrnin pjesë në mbledhje. (He 10: 23 - 25) Si rezultat, disa prej tyre mblidheshin në dhomën e ndenjjes të një shtëpie të thjeshtë prej druri në Morn Pishevan, në Fort - de - France. Dhoma mund të nxinte vetëm rreth dhjetë persona. Kur çifti Noll shkonte në shërbim, njerëzit i pyesnin shpesh nëse kishte një vend mbledhje në të cilën mund të shkonin. Misionarët dëshironin me gjithë shpirt diçka më të përshtatshme.

Pastaj, një administrator hoteli në Fort - de - France, i cili i mbante akoma mend misionarët e parë Dëshmitarë (të cilët kishin ndenjur për pak kohë në bujtinën e tij), u ofroi të përdornin sallën e ngrënies së restorantit të tij për të dielën mbasdite, duke qenë se restoranti ishte i mbyllur atë ditë. Ndodhej në rrugën Shoeler, emër që i është vënë për nder të politikanit francez i cili përgatiti dekretin e 27 prillit 1848, që përcaktonte kushtet për heqjen e skllavërisë. Katedralja ndodhej në të njëjtën rrugë. Tani që kishin një vend tjetër më të mirë mbledhjeje, Dëshmitarët mendonin se do të vinin shumë njerëz. Por për ca kohë, vinin vetëm 5 deri në 10 veta, në një sallë që mund nxinte më shumë se 100 persona. Kur ata i ftonin të tjerët që të vinin, në përgjithësi përgjigjja ishte: «Do të vij nëse do Zoti.» Por, mund të gjeje me të vërtetë rrallë një person që mendonte seriozisht se çfarë thoshte Bibla në lidhje me vullnetin e Perëndisë për këtë çështje.

Megjithatë, Zonja Marso, një mësuese në pension merrte pjesë në fillim në shërbimet kishtare në katedrale dhe pastaj, rregullisht, vinte të dëgjonte mesazhin e Biblës. Alis Lasus, e cila pastronte në katedrale, merrte, gjithashtu, pjesë në këto mbledhje. Që të dyja u bënë Dëshmitare besnike të Jehovait. Megjithatë, Dëshmitarëve ju duhej me të vërtetë një vend mbledhjeje, që të ishte më i përshtatshëm për madhësinë e grupit.

Pas ca muajsh, ata i transferuan mbledhjet e tyre në Villa Ma Fleur de Mai (Vila Lulja Ime e Majit), në Kleryer, në Fort - de - France, e cila pastaj u përdor si shtëpi misionare. Stela Nelzi, e cila filloi të merrte pjesë në mbledhje, u habit nga një vrojtim që u bë në një rast. Ajo më vonë kujtoi: «Drejtuesi tha: ‘Kjo është shtëpia më e rëndësishme në të gjithë Martinikën.’» Por ajo shtoi: «Shpejt, paskëtaj, e kuptova që ai kishte të drejtë. Shtëpia kishte një pamje modeste dhe ishte pajisur me stola të bërë me dërrasa që më parë ishin përdorur për ambalazhim, mbi të cilat ishte vënë karton. Megjithatë, në këtë shtëpi një njeri mësonte në lidhje me qëllimin e mrekullueshëm, vullnetin dhe personalitetin e pashoq të Perëndisë Jehova dhe për birin e tij Jezu Krishtin. Po, me të vërtetë ishte shtëpia më e rëndësishme!»

Më 1960 numri i lajmëtarëve u rrit në 47 vetë. Ishte prapë e nevojshme të gjendej një vend tjetër mbledhjesh me hapësirë të mjaftueshme. Adrien Rudya na ofroi dy dhoma në katin përdhes të shtëpisë së saj në Belvue. Dy vjet më vonë na propozoi që ta rrëzonim murin që kishte mbetur, për ta zgjeruar vendin e mbledhjes dhe ajo u transferua në katin e sipërm. Në dy vjet numri i lajmëtarëve u dyfishua. Tani ishin 94 dhe mbaheshin 177 studime biblike në shtëpi. Duke qenë se disa lajmëtarë banonin në anën tjetër të Fort - de - France, u duk e mençur që të formohej një grup i dytë. Ky grup mblidhej në shtëpinë e Inoer Pueze në Shën Tereza, një komunitet i vogël në pjesën jugore të Fort - de - France.

Rritja vazhdon. Nga viti 1964 ne kishim një mesatare prej 157 lajmëtarësh. Për t’u bërë vend atyre që merrnin pjesë në mbledhje, u ble një shtëpi në zonën e Belvuesë të Fort - de - France dhe u kthye në një Sallë Mbretërie. Pesë vjet më vonë, në anën tjetër të qytetit, u ndërtua një Sallë e re Mbretërie. Sesar dhe Elvira Kazima, me dashuri, vunë në dispozicion tarracën e shtëpisë së tyre dhe sipër saj u ndërtua një Sallë Mbretërie.

Kur asambletë ishin të vogla

Asambleja e parë u mbajt më 1955. U mblodh në shtëpinë e vëllait dhe motrës Noll. Për të inkurajuar 5 Dëshmitarët në Martinikë nga Guadalupa erdhën 17 vetë. Numri total i të pranishmëve nuk ishte as 40 vetë. Por programi i asamblesë siguroi një ushqim frymor të bollshëm. Çfarë gëzimi ishte të ishim bashkë në një atmosferë frymore dhe vëllazërore!

Në ato kohë ishte e vështirë që mbledhjet të fillonin në orarin e caktuar. Nganjëherë, kur njerëzit vinin vonë, krijoheshin situata komike. Gjatë një asambleje në vitin 1956, një demonstrim tregonte një prift me veshjen tipike që shkonte në shtëpinë e dikujt për ta shkurajuar që të lexonte literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait. Një vëlla, që normalisht në atë kohë mbante mjekër, veshi një veladon për të luajtur rolin e priftit. Një person i interesuar, që erdhi me vonesë, nuk e kuptoi që ishte vetëm një demonstrim. Pas mbledhjes ai tha me një lloj ndjenje: «Nuk jam dakort me atë që bëri prifti. Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në katedrale për të shqetësuar, prandaj edhe prifti nuk duhet të vijë këtu për të na shqetësuar!»

Mesazh lirie bregdetit verilindor

Me kohë, u bë e nevojshme që, pjesëve të ishullit të cilat ishin larg nga kryeqyteti, t’u kushtohej më shumë kujdes. Bregdeti perëndimor i Martinikës laget nga Deti i Karaibeve dhe bregdeti lindor nga Oqeani Atlantik. Si rezultat, bregdeti lindor rrihet direkt nga erërat alizej, duke shkaktuar shira të forta dhe lagështirë të madhe. Në ato kodra dhe rrafshnalta të ujitura mirë të kësaj zone, rritet çdo gjë: kallamsheqeri, perime jeshile, banane dhe fruta të tjera. Fshatrat e mëdhej, të cilat në pjesën më të madhe janë vendosur përgjatë bregdetit, jetojnë edhe me peshk.

Kjo është, gjithashtu, një zonë, historia e së cilës tregon për tregtinë e skllevërve dhe për emancipimin e tyre. Në fshatin e Lë Loran, emrat e disa zonave të sjellin ndër mend atë kohë, për shembull, Fon⁠-⁠Zhan⁠-⁠Libre (Lugina e njerëzve të lirë) dhe Fon⁠-⁠Masakr (Lugina e Masakrës). Pavarësisht nga heqja e skllavërisë, kur Dëshmitarët e Jehovait sollën mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë në këtë zonë, ata gjetën njerëz që akoma kishin nevojë të liroheshin. Njerëzit duhet të liroheshin nga feja e rreme dhe besëtytnitë, gjë që bëhej e mundur vetëm duke përqafuar të vërtetën biblike.

Imazhe të thyera dhe të hedhura në rrugë

Më 1 nëntor 1954, misionarët bënë eskursionin e tyre të parë në Bas⁠-⁠Puant, në veri të bregdetit, 50 km larg Fort⁠-⁠de⁠-⁠France. Rruga për të shkuar në këtë fshat, që merrej me peshkim dhe bujqësi, ishte e rrëpirët. Ishte në një gjendje të keqe, veçanërisht pas sezonit të shirave dhe në disa vende misionarët duhet të zbritnin nga biçikletat e tyre të motorizuara dhe t’i shtynin.

Ata shpresonin t’i bënin vizitë një drejtoreshe shkolle të fshatit. Më përpara ajo kishte qenë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në Francë dhe kishte një pajtim për revistën Zgjohuni!, por, tani pajtimit të saj i kishte mbaruar afati. Vizita doli shumë e dobishme. Gruaja tha se megjithëse ajo kishte qenë në fenë katekiste, nuk shkonte më në kishë pasi prifti kishte folur pa respekt për institucionin e martesës. Ajo tregoi interes për atë që thotë Bibla në lidhje me shpirtin dhe jetën e përhershme në një tokë parajsore. Pak kohë pas kësaj, ajo u kthye në Francë dhe atje iu dedikua Jehovait dhe u pagëzua.

Në Martinikë, ajo shihej si një person i rëndësishëm në komunitet dhe njihej si një katolike e devotshme. Imagjinoni trazirën pasi ajo kthehet në Martinikë, kur fillon të thyejë idhujt e saj, të vegjël e të mëdhej dhe copat i hedh përballë shtëpisë së saj që t’i merrnin ata që duhet të mblidhnin plehrat. (Krahaso Ligji i përtërirë 9:​16, 21) Prifti u tërbua, kështu përgatiti dhe mbajti ca fjalime të flakta për të dënuar sjelljen e kësaj ish-katolikeje. Si rezultat, çdonjeri fliste në lidhje me atë që ata e quanin feja e zonjës Kresan. Tashmë, nga 42 vjet si një Dëshmitare e Jehovait, Gabriela Kresan, e cila tani është 88 vjeç, është dhënë e tëra për të përmbushur dëshirën e saj më të flaktë: «Qoftë çdo rrahje e zemrës sime për të lavdëruar Jehovain.»

Një grua tjetër katolike, një fqinjë që e kishte dëgjuar priftin të fliste në një mënyrë aq helmuese kundër motrës Kresan, vendosi ta pyesë atë për këtë. Kjo ishte Leoni Duektel, nënë e 11 fëmijëve dhe gruaja e postierit të vendit. E bindur se ajo që po mësonte nga motra Kresan ishte e vërteta, ajo filloi të studionte Biblën me fëmijët e vet. Gjatë viteve që pasuan, ajo si edhe nëntë prej fëmijëve të saj u bënë Dëshmitarë të dedikuar dhe të pagëzuar. Disa vjet më vonë, njëra nga vajzat e saj, Edgara, u martua me Zherar Trivini, i cili më pas u bë anëtar i Komitetit të Degës.

Dhjetë vjet para se Leon Dyktai të mësonte të vërtetën me ndihmën e motrës Kresan, njëri prej fqinjëve të tyre, Jorjet Zhozef, kishte dëgjuar emrin e Jehovait në një himn që këndohej gjatë një ceremonie në kishën Adventiste. Emri kishte tërhequr vëmendjen e saj dhe tani një fqinj, zonja Dyktai po i thoshte se një grua sapo i kishte shpjeguar asaj Fjalën e Jehovait. Menjëherë ajo donte të dinte më shumë. Ajo, tetë fëmijët e saj dhe burri u bënë më vonë Dëshmitarë të Jehovait.

Këto pak familje formuan bërthamën e adhuruesve të vërtetë në bregun verior të anës së ishullit që lagej nga Atlantiku. Nga Bas Puant, në vitet që pasuan, farat e së vërtetës u mbollën në qytetet dhe fshatrat përgjatë Bregdetit Atlantik. Këto fara u rritën dhe lulëzuan në Lë Loren, Marigo, Shën Mari, Trinite dhe Lë Rober si edhe në Azhupa⁠-⁠Byjon, Ver Pre dhe Gro Morn, në brendësi të vendit.

Pionierë të zellshëm kontribuan për përhapjen e së vërtetës përgjatë bregdetit lindor. Osman Lendri, një e ve, u transferua në Shën Mari më 1965 dhe e la shtëpinë e saj në dispozicion për mbledhjet. Arkade Belvye dhe Mariza Mansuela, pioniere speciale nga Guadalupa mbërritën në Lë Rober në dhjetor të vitit 1967 dhe ngulmuan pavarësisht nga kundërshtimi i priftit katolik vendas. Më 1970, Alena Adelaide dhe Zhaklin Popinkurt filluan predikimin në Lë Loren, ku Alena pati mundësi të përdorë Shkrimet për të ndihmuar një ish praktikuese të magjisë që të çlirohej nga kontrolli i demonëve. Tre vjet më vonë me to u bashkuan edhe tri të tjera, Mishel e Zhani Uersuele dhe Zhozet Merin. Këto pioniere në Lë Loren kishin lënë punën e tyre si mësuese shkolle për të marrë pjesë në veprën më të rëndësishme të edukimit, në veprën e mësimit të së vërtetës që çon në jetën e përhershme.

Përse e donte prifti librin E vërteta?

Zhani Uersuele tregon: «Në vitin 1974 Shoqata na dërgoi një letër prej dikujt që banonte në Lë Loren. Burri kishte treguar një interes të gjallë për të marrë botimet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe veçanërisht librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme, të cilin e kishte parë në shtëpinë e dikujt. Të nesërmen në mëngjes u nisëm për të kërkuar këtë burrë. Emri i tij nuk ishte i njohur për ne, kështu që na u desh të pyetnim postierin se kush ishte. Sa u habitëm kur zbuluam se letra i ishte dërguar Shoqatës nga prifti i famullisë!

«Duke pyetur veten se ç’lloj mirëseardhje do të na jepej, shkuam në qelë. Burri u prezantua dhe na tha ftohtë se nuk ishte i interesuar që të fliste me ne, por se ishte i interesuar vetëm për literaturën. Ne u shtangëm. Megjithatë, ca kohë më pas asaj vizite, njerëz në komunitet na thonin shpesh se prifti i kishte shpjeguar disa gjëra njëlloj siç i shpjegonim ne. Kështu ne nxorrëm si përfundim se ai, pa dyshim, po përdorte literaturën tonë për të përgatitur fjalimet e tij.»

Kërkojnë Perëndinë me tahmin dhe e gjejnë me të vërtetë atë

Më 1967, katër pionierë të tjerë specialë, Okatv Talez e gruaja e tij Alvina dhe Eli e Lueset Regalad, filluan atë që u bë Kongregacioni Trinite. Një ditë pas mbërritjes, Eli Regalad shkoi në predikim. Ku filloi ai? Duke i kapërcyer shtëpitë në të majtë e në të djathtë, ai shkoi drejt e te shtëpia e zonjës Motusami dhe trokiti në derë. Ai nuk e kishte takuar atë kurrë më parë dhe asnjeri nuk i kishte thënë emrin e saj. Por le t’ia lemë asaj ta tregojë këtë histori:

«Që nga fëmijëria isha shumë e lidhur me fenë time katolike. Kam punuar për shumë vjet në një qendër asistence që drejtohej nga priftërinjtë. Por isha e zhgënjyer nga hipokrizia në kishë. Lidhja ime me të po bëhej çdo ditë edhe më e dobët. Kur erdhi koha që të regjistroja dy djemtë e mi më të mëdhenj për mësimin katolik, isha e ndarë mes këmbënguljes së të afërmve katolikë, kundërshtimit të burrit tim komunist dhe ndikimit të motrës sime adventiste. Nuk dija çfarë të bëja. E kalova pjesën më të madhe të natës duke iu lutur Perëndisë që të më ndihmonte për të gjetur një zgjidhje. Të nesërmen në mëngjes vëllai Regalad trokiti në derën time duke u prezantuar si Dëshmitar i Jehovait. Ai kishte ardhur direkt në shtëpinë time. Unë isha personi i parë në Trinite që ai i fliste.»

Lizit Motusami, si edhe burri i saj ish-komunist u pagëzuan tetë muaj më vonë. Sot, më shumë se 30 vjet më vonë, ata vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me të gjithë familjen e tyre. Tre prej djemve të tyre shërbejnë si pleq. Vërtet, kur njerëzit me gjithë shpirt kërkojnë me tahmin Perëndinë e vërtetë, ata do ta gjejnë atë, ashtu siç thotë Bibla.​—⁠Ve 17:​26, 27.

Territori tregoi se ishte i frytshëm dhe u zhvilluan kongregacione. Një në Trinite dhe nga ky u zhvilluan gjashtë të tjerë, dy në Lë Rober, një në Shën Mari, një në Gro Morn, një në Ver Pre dhe një tjetër në Trinite. Të gjitha këto kongregacione vazhdojnë të rriten, duke i sjellë nderim Jehovait.

Kleri kalon në ofensivë

Kudo në Martinikë, rënia e kontrollit të klerit mbi popullësinë, të cilën ata e kishin mbajtur në injorancë, ishte burim zemërimi për ta. Më 1956, në Bas Puant një famullitar e shprehu tërbimin e tij, kur takoi dy vajza të reja, të cilat po vizitonin kushurinjtë e një komshiu të vdekur. Duke ditur që vajzat po studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ai i denoncoi ato si apostate dhe i kërcënoi me ferrin e zjarrtë, sepse nuk merrnin pjesë më në Meshë. Kur njëra prej vajzave iu përgjigj shumë e vendosur, me gjithë fuqinë që kishte, ai i dha një shpullë asaj dhe i tërbuar hipi në xhipin e tij e iku.

Në Lë Rober, pas mbërritjes së dy pioniereve speciale më 1967, prifti i ndaloi anëtarët e famullisë së tij që t’i hapnin dyert atyre. Një ditë, i çmendur nga zemërimi ai desh i shtypi me makinën e tij. Në traktet e famullisë paralajmërimet e hidhura e zemëruese shtoheshin dhe nga amvona lëshoheshin mallkime thumbuese kundër atyre që ata i përshkruanin si «agjentë të Satanait që kishin ardhur për të trazuar paqen e katolikëve».

Grupet e tjera fetare u bashkuan me këtë sulm. Veçanërisht, fetë evangjeliste na akuzonin në mënyrë të rremë se nuk besonim në Jezu Krishtin. Adventistët na denoncuan se nuk respektonim Sabatin, ndërsa pjesa më e madhe e tyre e respektonin vetëm me fjalë. Për një kohë vëllezërit lejuan që të përfshiheshin në diskutimet e pafund me pastorët e këtyre feve. Shpesh diskutimet mbaronin vonë natën dhe nuk kishin aspak dobi. Gradualisht ne mësuam, me ndihmën e skllavit të besueshëm dhe të matur, që ta përdornim kohën tonë për të kërkuar dhe për të gjetur personat ngjashëm deleve, të cilët gjenin kënaqësi në dëgjimin e zërit të Bariut të Shkëlqyer.

Megjithatë, ato diskutime hapën sytë e disa personave ngjashëm deleve. Kështu ndodhi në rastin e Jules Nubul në Fort⁠-⁠de⁠-⁠France. Ai vuri re se pastori bënte gjoja sikur citonte Biblën, por në të vërtetë i sajonte fragmentet, në përpjekje për të mbështetur mësimin se të krishterët duhet ta mbanin Sabatin. (Krahaso Romakëve 10:4; Kolosianëve 2:​13⁠-⁠16.) Tani vëllai Nubuk është një plak mes Dëshmitarëve të Jehovait. Zhertryd Byval nga Trinite, e cila ishte një Adventiste e Ditës së Shtatë, pa pandershmërinë e pastorit të saj gjatë një diskutimi me Oktav Thelise, i cili bashkë me gruan e tij Alvina, po shërbenin si pionierë specialë. Vite më vonë, pavarësisht nga mosha e thyer dhe shëndeti i dobët, motra Byval qëndroi besnikërisht e lidhur me organizatën e Jehovait.

Në këmbët e vullkanit, a do të dëgjonin ata?

Në pjesën veriperëndimore të ishullit, qytetet e Shën Pierre, Lë Preshur, Lë Karbe dhe Lë Morn Ruzh ndodhen të gjithë djathtas përreth Malit Pele, i cili mjerisht u bë i famshëm nga shkatërrimi i Shën Pierre dhe 30.000 banorëve të tij më 1902.

Në lidhje me shpërthimin më 8 maj të atij viti, njerëzit kujtojnë në radhë të parë që banorët e Shën Pierre i shpërfillën paralajmërimet dhe refuzuan të largoheshin. Për një muaj vullkani kishte nxjerrë tym, hi dhe copa gurësh. Shën Pierre u mbulua me hi. Njëzetëepesë njerëz u vranë nga një rrjedhje balte. Njerëzit kishin frikë po prapë nuk ja mbathnin. Pjesërisht, kjo ndodhte për shkak të qëndrimit të tyre fatalist; një pjesë tjetër për arsye se udhëheqësit e popullit, duke përfshirë klerin, i nxitën ata të qëndronin. Këto faktorë të ngjashëm influencojnë reagimin e shumë personave ndaj paralajmërimit të ditës së afërme të frikshme të Jehovait.​—⁠Joeli 2:​31, 32.

Shumë njerëz në Martinika janë fatalistë dhe kur hasin vështirësi ata ngrenë supet dhe thonë: «Është vullneti i Zotit.» Shpesh ne përpiqemi t’i ndihmojmë të arsyetojnë në lidhje me këtë çështje, duke diskutuar se çfarë ndodhi në kohën e shpërthimit të Malit Pele. «Nëse ngjarje të tilla janë ‘vullneti i Zotit’,​—⁠i pyesim ne ata,​—⁠përse i vetmi që shpëtoi nga kjo katastrofë ishte një i burgosur, i cili ishte i izoluar i vetëm në një birucë të burgut, kurse të gjithë ‘të krishterët e mirë’ dhe kishat me ‘shenjtorët’ e tyre u shkatërruan?»

Në fillim të viteve 60, lajmëtarët nga Fort⁠-⁠de⁠-⁠France filluan të udhëtonin mjaft rregullisht në komunitetet në afërsi të vullkanit, për t’i çuar atyre mesazhin e Mbretërisë. Megjithatë, njerëzit ishin tepër të influencuar nga frika. Ata pyesnin veten «Çfarë do të thonë njerëzit?». Duke qenë se kishin frikë se mos komshinjtë nuk i pranonin, asnjëri prej tyre nuk donte ta indentifikonte veten me Dëshmitarët e Jehovait. Më 1962, familja Sharpantya, nga Franca, erdhën të jetonin në Lë Morn Ruzh, pikërisht në verilindje të Shën Pierre. Gruaja, Madlen, ishte pioniere speciale. Për shumë vjet, ajo dhe burri i saj, Rëne, mbollën farat e së vërtetës së Mbretërisë në këtë zonë.

Megjithatë, influenca e kishës është akoma e fortë në pjesën veriore të ishullit. Ka disa plantacione të mëdha që administrohen nga pronarë tokash të pasur, pasardhës të kolonëve të parë dhe ata jetojnë krah për krahë me klerin katolik. Në të gjithë Martinikën, numri i këtyre të bardhëve vendas, të cilët kanë pranuar të vërtetën, mund të numërohet me gishta.

Të çliruar nga frika e njeriut

Megjithëse popullsia, në përgjithësi, nuk donte të indentifikohej me Dëshmitarët e Jehovait, në mes të viteve 60 një burrë dhe gruaja e tij, Yolan e Bernadet Ortans, filluan të ndiheshin thellësisht të motivuar nga dashuria për Jehovain dhe nga Fjala e tij. Çfarë sprovash besimi përballuan ata? Ata tregojnë: «Duke qenë se ishim të parët që pranuam ‘fenë e re’, u gjetëm të lënë mënjanë nga shoqëria. Kaluam një periudhë me vështirësi. Brenda një viti ne humbëm dy fëmijët nga një aksident, gjë e cila bëri që njerëzit të thonin se Perëndia po na ndëshkonte, sepse kishim braktisur fenë katolike. Por ajo ç’ka tashmë kishim mësuar për Jehovain na ndihmoi të qëndronim të patundur.»

Mbas gjithë asaj që ndodhi, punëdhënësi i Yolan, një béké (i bardhë vendas), nën influencën e një prifti e kërcënoi se do ta pushonte atë nga puna nëse ai nuk do të kthehej në kishë. Megjithatë, Yolan qëndroi i patundur dhe duke qenë se vëllai ynë ishte një punëtor i ndërgjegjshëm, punëdhënësi i tij nuk e çoi deri në fund kërcënimin e tij. Megjithëse vëllai dhe motra Hortanc kanë kaluar periudha të tjera të vështira, ata vazhdojnë të jenë shërbëtorë besnikë të Jehovait.

Më 1968 familja Palver u transferua nga Fort⁠-⁠de⁠-⁠France në Lë Morn Ruzh. Gradualisht, të tjerë përqafuan adhurimin e vërtetë. Sot, në Lë Morn Ruzh ka një kongregacion me 60 lajmëtarë.

Ndihmë e mëtejshme në afërsi të vullkanit

Duke filluar më 1972, dy motra pioniere speciale, Ana Mari Birba dhe Arlet Zherondan, punuan me guxim për të ndihmuar njerëzit e Shën Pierre, Lë Karbet dhe Lë Preker. Megjithëse ato sollën një mesazh paqeje, nganjëherë njerëzit i goditnin me gurë dhe i rrihnin me fshesa. Në atë zonë shumë gra që pranuan të vërtetën vuajtën kundërshtime të ashpra nga burrat e tyre, por si pasojë e sjelljes së mirë të grave të tyre, pak nga pak burrat, në përgjithësi, u bënë më tolerantë.​—⁠1Pj 3:​1,2.

Një Dëshmitar i moshuar, Jules Martinon, ishte një shembull i këmbënguljes, duke shërbyer në Shën Pierre për rreth 20 vjet. Gjatë viteve 60 dhe 70, mbledhjet në këtë zonë mbaheshin në ambiente që ishin mezi të pranueshme. Megjithatë, vëllezër të devotshëm si Xhon Shavinye dhe pastaj më vonë familjet Limuan e Papaya ndihmuan për të zhvilluar një kongregacion të shkëlqyer në Shën Pierre. Një Sallë e bukur Mbretërie që mund të mbajë 200 persona është një dëshmi se Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë fort në këmbët e vullkanit.

Një natë mbi pemën mango

Mesazhi i Mbretërisë kishte mbërritur në Le Lamentin që në vitin 1955, por ata që donin të adhuronin Perëndinë Jehova vazhdonin të ndeshnin prova të ashpra. Kjo gjë nuk ndodhte gjithmonë për shkak të klerit. Burrat martinikas, në përgjithësi janë krenarë për burrërinë e tyre dhe shumë prej tyre janë mjaft autoritarë ndaj grave të tyre. Kur një grua donte të adhuronte Jehovain, shpesh duhej të përballonte dhunën e të shoqit.

Një nga motrat tona në Le Lamentin tregon: «Në vitin 1972 mesazhi i Mbretërisë u soll në shtëpinë time dhe plotësoi dëshirën time të madhe frymorer. Por im shoq më ndaloi që të studioja. Megjithatë, vazhdova të studioja fshehtas. Kur e zbuloi këtë, më dogji Biblën, librin me të cilin studioja dhe më rrahu. Vendosi që të transferoheshim, duke shpresuar se kjo gjë do t’i jepte fund interesit tim për Biblën.

Kur fillova të ndiqja mbledhjet, e bëri zakon të më linte jashtë. Shpesh më duhej të flija nën verandë. Më pas, ai shkatërroi çdo gjë që mund të shërbente si strehë për mua, madje edhe kotecin e pulave. Ai më rrihte shpesh dhe shumë herë mbetesha pa ngrënë. Një herë, ai më ndoqi pas në mes të natës me një satër. Për të shpëtuar prej tij, m’u desh të vrapoja përmes kaçubeve dhe u ngjita në një pemë mango me shpejtësinë më të madhe që ishte e mundur. Shpëtova, por vetëm sepse elektriku i tij i dorës pushoi së funksionuari. Më kërkoi për orë të tëra, duke kaluar afër vendit ku isha fshehur, e mbledhur në pemë, duke u lutur. Gjithë atë natë e kalova mbi mango.» Megjithatë, në vitin 1977 ajo u pagëzua. Më vonë, edhe vajza e saj u radhit në anën e Jehovait.

Liria nga besëtytnia dhe quimbois

Ndërsa njerëzit studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe e zbatojnë atë që mësojnë, përjetojnë liri në mënyra të ndryshme. Shumë prej besimeve dhe zakoneve të martinikasve i kanë rrënjët në ritet dhe besëtytnitë e sjella nga Afrika e më pas të mbjella në territorin mikpritës të katolicizmit. Ata që u bënë Dëshmitarë të Jehovait vite më parë, akoma i kujtojnë besëtytnitë prej të cilave u liruan.

Ata kujtojnë se të Premten e Zezë, përpara se të bënte diçka tjetër, një person duhej të puthte kryqin. Atë ditë, ndalohej rreptësisht të përdorje gozhdë ose çekiçë, në kujtim të Krishtit. Gjithashtu, ishte e ndaluar të gërrmoje tokën me një lopatë, ose shat, sepse sipas asaj që kishin mësuar «toka do të kullonte gjak». Mendohej se të nesërmen, të shtunën në mëngjes, rënia e këmbanave të kishës, përbënte një bekim për të gjithë. Që të përfitonin, pas rënies së këmbanave, duhej që njerëzit të zhyteshin në ujë, lumë apo det. Ata do të lanin edhe fëmijët e sëmurë, duke i tundur ata të prekur nga rakitizmi, për t’u siguruar se edhe ata do të përfitonin.

Të tjerë kujtojnë «vallëzimin e përmortshëm» në të cilin ishte zakon të merrje pjesë kur vdiste dikush. Ishte një përgjim i zhurmshëm gjatë të cilit binin daullet, vallëzohej, këndohej si edhe tregoheshin legjenda kreole. Njerëzit besonin se kjo gjë do ta pengonte shpirtin e të vdekurit që të qëndronte dhe të endej nëpër shtëpi.

Megjithëse njerëzit e lexonin rrallë Biblën, shumica e konsideronin atë si diçka të shenjtë. Ata e mbanin në shtëpi të hapur në një psalm të veçantë me një palë gërshërë sipër. Mendohej se kjo gjë do ta mbronte shtëpinë nga frymërat e liga.

Nuk kanë harruar as barërat e përgatitura nga magjistarët. Quimbois është një fjalë kreole që sipas disave vjen nga shprehja franceze «Tyan, bua»! («Urdhëro, pije!») Ky është një aluzion i faktit se magjistarët u japin shpesh klientëve të tyre barëra magjikë për të pirë. Megjithëse barërat në të vërtetë nuk kanë fuqi magjike, shumë magjistarë bëhen të pasur duke i shpërndarë ato. Përqafimi i adhurimit të vërtetë ka nënkuptuar lirimin nga të gjitha këto lloj besëtytnish.

Vëmendje ndaj jugut të ishullit

Përreth skajit më jugor të ishullit gjenden fshatrat bregdetare të Lë Maran, Sant An dhe Lë Voklan dhe pak më në brendësi, fshati Rëvyer Pelot. Këto vende kanë bërë që vizitorët ta shohin Martinikën si një ishull me plazhe me rërë të bardhë dhe me detëra të kaltër të mbushur me korale. Gjithashtu, ato janë zona që kanë nxjerrë edhe lavdërues për Jehovain.

I pari prej fshatrave që mori dëshmi ishte Rëvyer Pelot. Si ndodhi kjo? Mjekja Magë Prudan sapo kishte mbaruar studimet për mjekësi në Francë. Përpara se të kthehej në Martinika, Dëshmitarët e Jehovait i folën në lidhje me qëllimin e dashur të Perëndisë për njerëzimin. Kështu, kur mbërriti në Martinika u vu në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait dhe Sara Noll drejtoi një studim biblik me të. Në vitin 1959 u pagëzua. Për shkak të profesionit të saj si mjeke, motra Prudan kontaktonte me një numër të madh njerëzish, edhe me ata të fshatrave përreth dhe ndante me ta të vërtetat që kishte mësuar nga Fjala e Perëndisë.

Edhe lajmëtarë nga Fort-de-France vinin në zonë për të dhënë dëshmi. Në ato kohë, shumë pak dëshmitarë kishin makina, kështu që ata merrnin me qira një «bidon» (autobus i vogël), që quhej kështu sepse nga forma të kujtonte një calik vaji. Ata e fillonin aktivitetin e tyre, që zgjaste gjithë ditën, duke u dëshmuar njerëzve në fshat dhe më pas shkonin tek ata që banonin në pjesën e rrëpirët të kodrave. Aktiviteti i ditës përfundonte me studimin e Kullës së Rojës nën hijen e një peme mango.

Më vonë, në këtë territor u dërguan pionierë specialë. Midis tyre ishte edhe 70⁠-⁠vjeçarja Mare Dama nga Franca. Guximi dhe sensi i humorit që kishte, u bënë një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur nga të rinjtë. Në vitin 1963, Safora Martenon dhe Georgete Sharl, pioniere speciale, erdhën që të ndihmonin ata pak lajmëtarë që ishin. Por vetëm në vitet 70, pionierët specialë të fshatrave fqinje Lë Voklan, Lë Maran dhe Sant An, filluan të korrnin frytet e punës së tyre të palodhur dhe kjo, pas vitesh të tëra mbjelljeje dhe kultivimi. Midis këtyre pionierëve ishin Stefani Vektor dhe Monek e Euxhenia Kutenar në Lë Voklan. Për t’u përmendur është guximi i treguar nga Euxhenia, e cila mbeti e paaftë fizikisht pas një operacioni të gjerë. Ecte me paterica dhe fliste me shumë vështirësi, megjithatë, vazhdoi të shërbente si pioniere e rregullt.

Në vitin 1966, në Riviere Pilote u dërguan dy pioniere speciale Ana Maria Birba dhe Arlete Girondin. Brenda dy vjetësh, atje u formua një kongregacion. Në vitin 1970 në Lë Maran u dërguan dy të tjera, Helen Paraze dhe Tereza Padra. Deri në vitin 1975, ata pak vëllezër e motra që ishin në këtë zonë, duhej të shkonin deri në Rivière Pilote për të ndjekur mbledhjet. Jehovai e bekoi veprën dhe në vazhdim u formuan kongregacione në Lë Maran në vitin 1979, në Lë Voklan në vitin 1984, në Sant Luce në vitin 1993 dhe në Sant An në vitin 1977. Vëllezërit në të gjitha këto fshatra tani mblidhen në Salla të bukura Mbretërie. Kongregacionet në lulëzim kujdesen për nevojat frymore të njerëzve në këto zona.

Vende të përshtatshme për asamble më të mëdha

Shpejt u bë e nevojshme që të ketë një vend më të përshtatshëm për asambletë qarkore dhe kongreset krahinore. Sallat e mëdha që përdoreshin në atë kohë, ishin salla vallëzimi që quheshin paillotes (kasolle kashte) sepse rrethoheshin nga degë palmash kokosi të thurura. Veteranët kujtojnë sallat e vallëzimit në Kerlë dhe Në Serzh Rush, ku mbaheshin për shumë vite kongreset krahinore. Por me kalimin e kohës, këto lloj sallash nuk ishin më të përshtatshme.

Vëllezërit tanë ndërtuan një strukturë çeliku të lëvizshme dhe më këtë ishte e mundur të mbaheshin asambletë në të katër anët e ishullit. Çdo fshat ka fushën e tij të futbollit. Kështu prej vitesh, në kohën e asambleve qarkore, e ndërtonim Sallën tonë të lëvizshme të Mbretërisë në fusha të ndryshme loje të ishullit. Çfarë dëshmie e shkëlqyer jepej! Dhe sa inkurajuese ishte kjo gjë për Dëshmitarët e fshatrave ku mbaheshin asambletë.

Për kongreset krahinore përdornim komplekset e mbyllura sportive të Stadiumit Luë Ashel në Fort⁠-⁠de⁠-⁠Francë. Akoma e kujtojmë kongresin ndërkombëtar «Besim Fitimtar» të vitit 1978, ku u nderuam duke pasur si orator kryesor vëllain John C. Booth, anëtar i Trupit Udhëheqës. Në një nga fjalimet e tij, vëllai Booth deklaroi: «Nuk kemi asnjë arsye për të humbur besimin tonë në organizatën e Jehovait​—⁠dhe shtoi,​—⁠Besimi ynë i palëkundshëm do të shpërblehet kur të triumfojmë në mënyrë fitimtare. Jehovai nuk do t’i zhgënjejë kurrë shërbëtorët e tij besnikë.» Të 2.886 të pranishmit u inkurajuan shumë nga ky program.

Dramat biblike tërheqin vëmendjen

Drama e parë e vënë në skenë në vitin 1966, bëri një përshtypje që vazhdoi gjatë. Nuk ekzistonin riprodhues kasetash për të transmetuar regjistrimet e dramës. Pjesëmarrësit duhej t’i mësonin pjesët përmendësh dhe t’i thonin. Ajo dramë mbi Jereminë zgjati pothuaj dy orë. Ne duhej të sinkronizonim lëvizjet e personazheve të ndryshme me mikrofonët e shumtë të cilët ndodheshin secili në mbajtësen e vet. Përveç kësaj, për shkak të numrit të kufizuar të Dëshmitarëve në Martinika në atë kohë, disa duhej të luanin role të ndryshme, duke ndryshuar kostumet ndërmjet skenave sipas personazheve që prezantoheshin. Çfarë pune! Por publiku ishte i përpirë nga entuziazmi.

Pastaj ishin efektet e zhurmës. Prapa skenës, një vëlla godiste një fletë llamarine të valëzuar për të imituar bubullimën. Nga sipër skenës, ndërsa dritat në sallë fikeshin, një vëlla tjetër përdorte fleshin e një makine fotografike për të imituar vetëtimat. Në një ishull lajmet përhapen me shpejtësi. Kur publiku mësoi rreth dramave biblike që kishim përgatitur, stacioni televiziv dërgoi përfaqësues për të filmuar provat tona. Ky transmetim nga ana e tyre i bëri një publicitet të shkëlqyer asambleve.

Shembet por edhe ndërtohet

Përtej çdo dyshimi, e vërteta e Fjalës së Jehovait shembi shumë kështjella besëtytnish dhe falsiteti në Martinika. Shërbëtorët e mirosur të Jehovait, ashtu si dhe profeti Jeremia, janë dërguar me detyrë nga Perëndia «që të çrrënjosin, të rrëzojnë, të shkatërrojnë dhe të shembin», dhe gjithashtu «të ndërtojnë e të mbjellin». (Jer. 1:10) Në fakt, përveç se nxjerrin në shesh atë që Fjala e Perëndisë e dënon, Dëshmitarët e Jehovait e përdorin këtë Fjalë për të ndihmuar të përulurit që «të veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri.»​—⁠Efes. 4:24.

Ndërsa numri i njerëzve që i përgjigjeshin me çmueshmëri Fjalës së Perëndisë rritej, kërkohej edhe një lloj tjetër vepre ndërtuese. Numri i Dëshmitarëve të Jehovait në Martinika po rritej: nga 1.000 në vitin 1975 në 1.500 në vitin 1984 dhe më pas në 2.000 në vitin 1986. Numri i pjesëmarrësve në mbledhjet e kongregacionit ishte shpesh sa dyfishi i numrit të lajmëtarëve, ndërsa në Përkujtimin e përvitshëm shumë më tepër. Për të siguruar vend për të pranishmit në mbledhje, nevojiteshin më shumë Salla Mbretërie. U ndërtuan njëzetë dhe secila me një numër vendesh ndërmjet 250 dhe 300. Nevojiteshin edhe ndërtesa të përshtatshme për zyrën e degës.

Një hap i rëndësishëm

Pas vitesh kërkimesh të zellshme vëllezërit gjetën tokë mbi njërën prej kodrave nga ku shihej qendra e qytetit Fort⁠-⁠de⁠-⁠Franc dhe ku sigurohej një pamje e shkëlqyer e gjirit të detit. Për Martinikën po fillonte një përvojë e jashtëzakonshme.

Numri i punëtorëve të kualifikuar midis vëllezërve vendas që mund të ishin në dispozicion në kohë të plotë ishte i kufizuar. Prandaj, Trupi Udhëheqës autorizoi që të bëhej një organizim për të marrë ndihmë nga Dëshmitarët e kualifikuar të vendeve të tjera. I pari që mbërriti në shkurt të vitit 1982 ishte Rober Vinzepflën nga Franca. Pak ditë më vonë, nga Kanadaja erdhi Selvan Taberzh për të mbikëqyrur kantierin e ndërtimit. Skuadra u përfundua disa javë më vonë me mbërritjen e rreth 20 vëllezërve e motrave nga Kanadaja dhe të disa vullnetarëve nga Martinika. Vëllezërit vendas e mbështetën këtë projekt ndërtimi jo vetëm me punën e tyre të devotshme, por edhe me kontributet e tyre bujare, secili sipas mundësive të tij, disa madje duke ofruar edhe stolitë e tyre prej ari. Çfarë dëshmie e shkëlqyer u dha si rezultat i zellit, unitetit dhe dashurisë së treguar në lidhje me këtë projekt!

Mos vallë e pakësuan predikimin publik të lajmit të mirë në Martinika, të gjitha përpjekjet e bëra në atë kohë në lidhje me ndërtimin? Aspak! Përkundrazi, pati një rritje të shkëlqyer. Në mars të vitit 1982 kishte 1.267 lajmëtarë aktivë në fushë, 19 prej të cilëve ishin pionierë të rregullt dhe 190 të tjerë ishin pionierë ndihmës. Afër fundit të projektit, në vitin 1984, numri i lajmëtarëve u rrit në 1.635 me 491 pionierë ndihmës në prill. Dukej se Jehovai po i bekonte përpjekjet tona.

Por progresi nuk ndaloi. Në programin e dedikimit që u mbajt më 22 gusht, 1984, John Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës, foli mbi temën «Të ecim përpara me organizatën e Jehovait». Ai i përshkroi zyrat e reja katër⁠-⁠katëshe të degës si «një instrument i mrekullueshëm për të përballuar rritjen dhe për t’i shërbyer edhe më mirë deleve të Jehovait». Midis publikut ndërkombëtar, të pranishëm për programin ishin katër misionarët që ishin përzënë rreth 34 vjet më parë dhe që gëzonin këtë provë të dukshme të bekimeve të Jehovait mbi shërbëtorët e tij në këtë ishull të vogël karaibesh.

Ndihmë e vlefshme nga burra frymorë

Sigurisht, ndihma e siguruar përfshiu më shumë se vetëm ndërtimin. U ofrua, gjithashtu, edhe një mbikëqyrje e dashur. Për shumë kohë, deri në vitin 1977, vepra e predikimit në Martinika kishte qenë nën mbikëqyrjen e degës së Guadalupës. Gjatë kësaj periudhe, mbikëqyrësit udhëtues, barinj frymorë, dërgoheshin nga ky ishull fqinjë. Më të vjetrit kujtojnë Pyer Jankë dhe Nekola Brezar. Më pas, duke filluar në vitin 1963 ishte Arman Faustene që vizitonte rregullisht kongregacionet.

Pas tyre, të tjerë mbikëqyrës udhëtues, me metoda dhe personalitete të ndryshme, i kontribuan ndërtimit frymor të kongregacioneve. Xavier Noll e zhvilloi këtë shërbim për shumë vjet. Ishin edhe Zhan⁠-⁠Pier Viesek me gruan e tij, Zhanen. David Moro me gruan e tij Marelan, vizitonte, gjthashtu, kongregacionet si këtu, ashtu edhe në Guajanën Franceze, që në atë kohë ishte nën mbikëqyrjen e degës së Martinikës. Kur u vendos një degë në Guajanën Franceze, vëllai Moro, që ishte stërvitur në degën e Martinikës, u emërua koordinator i Komitetit të Degës në Guajanën Franceze. Klod Lavenjë dhe gruaja e tij Roz Mare, po shërbenin si misionarë në Kuru, në Guajanën Franceze kur morën caktimin për të zhvilluar veprën qarkore në Martinika, ndërsa tani shërbejnë si misionarë në Republikën e Guineas. Të tjerë shërbyen, gjithashtu, për periudha të shkurtra në veprën qarkore, por që të gjithë kujtohen me dashuri për punën e tyre të palodhur dhe për frymën besnike. Për ata që ishin të martuar, gratë ishin shoqëruese të çmuara dhe një shembull i mirë për motrat në kongregacione. Aktualisht, Alan Kastelno dhe Moez Belay, të shoqëruar nga gratë e tyre, po vizitojnë kongregacionet në dy qarqe, ku secili kongregacion ka mesatarisht, rreth pesë pleq dhe shtatë shërbëtorë ndihmës.

Megjithëse Martinika është vetëm një ishull i vogël, anëtarët e Trupit Udhëheqës, kanë siguruar një mbikëqyrje të dashur për shërbëtorët e Jehovait në këtë vend. Këtu kanë ardhur Ewart C. Chite, Daniel Sydlik, Karl Klein, William K. Jackson, Lloyd Barry dhe Milton Henschel, bashkë me mbikëqyrës të tjerë të zonës. Të 12 vëllezërit dhe motrat që jetojnë dhe punojnë në shtëpinë Bethel, si edhe pjesa tjetër e Dëshmitarëve të Jehovait në Martinika, i çmojnë shumë këto vizita.

‘Jehovai shikon të përulurit’

Psalmisti David shkroi: «Jehovai është i lartë e megjithatë ai i shikon të përulurit.» (Ps 138:⁠6) Edhe dishepulli Jakov shtoi se Perëndia «u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve». (Jak. 4:⁠6) Ka një dëshmi të bollshme për këtë midis atyre që Jehovai i ka tërhequr drejt vetes në Martinikë.

Krestian Belay dhe gruaja e tij Loret, që në atë kohë jetonin në Fort⁠-⁠de⁠-⁠Franc, e përjetuan këtë dashamirësi të pamerituar. Ata ishin të ngatërruar nga moria e feve të ndryshme që ishin në Martinika. Cila ishte e aprovuar nga Perëndia? Kur Krestian Belay lexoi Zbulesën 22:​18, 19 kuptoi se kishte gjetur një çelës për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Cila fe as i shton dhe as i heq ndonjë gjë Fjalës së Perëndisë? Pas shqyrtimit të fakteve, u bind se është ajo e Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, e kuptoi se duhej të zbatonte të njëjtin rregull në jetën e tij, as të shtonte, as të hiqte duke hedhur poshtë ose flakur diçka nga Fjala e Perëndisë. Deri në atë kohë ai bashkëjetonte me Loret pa qenë i martuar ligjërisht, por në vitin 1956 e ligjëroi marrëdhënien e tij me të. Fjalimi i martesës i mbajtur me këtë rast, ishte i pari në Martinika që trajtohej nga një Dëshmitar. Vitin pasues ata u pagëzuan në lumin mȧdȧm në Fort-de-Francë. Vëllai i tij Laon, babai dhe nëna e tij si edhe vëllai i Loretës Aleksandre, pranuan të vërtetën. Moïse Belay, Një prej bijve të Krestian dhe Loret, tani shërben si mbikëqyrës qarkor. Çfarë bollëku të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait ka përjetuar kjo familje!

Vepra të thjeshta dashamirësie ndaj shërbëtorëve të Jehovait, mund të hapin rrugën që personat me zemër të mirë të marrin bekime. (Mat. 10:42) Kjo gjë ndodhi me Ernest Lasus, i cili kishte një dyqan bizhuterie në Fort⁠-⁠de⁠-⁠Francë. Ai e pranonte rregullisht revistën Zgjohuni!, jo sepse ishte personalisht i interesuar, por më tepër për mirësjellje. Një ditë, Dëshmitari që i sillte revistat i tha se vetëm Jezu Krishti, Princi i Paqes do të bëjë që drejtësia të mbizotërojë mbi tokë. Kjo ishte ajo që donte Ernest Lasus. Ai pranoi që Dëshmitari ta vizitonte në shtëpi. U fillua një studim biblik. «Tani,​—⁠thotë ai,​—⁠kam gjithçka që mund të doja. Shumica e fëmijëve të mi janë në të vërtetën; njëra nga vajzat e mia zhvillon shërbimin e pionierit, një djalë që është pionier, është edhe plak dhe një djalë tjetër më i madh, është anëtar i familjes Bethel në Martinika.»

I vendosur për t’i shërbyer Jehovait

Është inkurajuese të shohësh të rinjtë që kthehen te Jehovai dhe tregojnë çmueshmërinë e tyre për udhëheqjen e tij të dashur. Shumë prej tyre ishin të hallakatur për shkak të mungesës së një udhëheqjeje të vlefshme në botë. Por, Fjala e Perëndisë po i ndihmon që të mësojnë qëllimin e vërtetë të jetës. (Ekl. 12:13) Ndërsa mësojnë atë që përmban Bibla, fillojnë të dallojnë dobinë e vërtetë që vjen kur i kushtohet vëmendje këshillës së dhënë në Isainë 30:​21, që thotë: «Vetë veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që thotë se ‘kjo është udha. Ecni në të ju njerëz’.»

Njëra prej tyre, një vajzë 10⁠-⁠vjeçare e quajtur Klaudia, i bënte shumë pyetje Dëshmitares që e vizitonte në familje. Për shkak të sëmundjes së babait, studimi me nënën u bë i parregullt, por vajza vazhdoi të studionte e të zbatonte këshillat biblike që kishte mësuar. Ajo dogji librin e katekizmit dhe të lutjeve dhe shkatërroi shëmbëlltyrat e saj fetare. Pas vdekjes së babait refuzoi të vishej me të zeza dhe u predikoi atyre që donin të luteshin për shpirtin e të atit. Duke treguar një frymë si ajo e vajzës izraelite, që ishte shërbëtore e gruas së Naamanit, e inkurajoi të ëmën që të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. (2. Mbret. 5:​2⁠-⁠4) Në Sallën e Mbretërisë, vajza u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Shpejt filloi të merrte pjesë në shërbimin në fushë dhe në vitin 1985, në moshën 12⁠-⁠vjeçare, u bagëzua bashkë me nënën e saj. Nëna e saj e pranon hapur se e bija kishte kontribuar shumë në progresin e saj frymor.

Disa të rinj, shfrytëzojnë pa frikë mundësinë për të dhënë dëshmi në shkollë. Një mësuese franceze në Lë François, u caktoi nxënësve të saj që të bënin kërkime në lidhje me fetë e ndryshme në Martinika. Rozlen, në atë kohë 18 vjeç bashkë me një nxënëse tjetër, patën mundësinë që të jepnin një dëshmi të mirë duke përdorur librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë. Ata u shpërndanë rreth 20 libra nxënësve si edhe mësueses.

Edhe pse çështjet e trajtuara në shkollë janë konsideruar shumë të diskutueshme, të rinjtë Dëshmitarë këtu në Martinika kanë folur për t’i bërë të qarta parimet e larta të Fjalës së Jehovait. Mare Suezon Monzhinë, tregon përvojën e saj: «Një ditë ndërsa trajtonim problemet lidhur me mbipopullimin, mësuesi përmendi metodat moderne të kontrollimit të lindjes. Lindi pyetja mbi abortin dhe menjëherë iu hap rruga një diskutimi të zjarrtë. I kërkova mësuesit që të më lejonte të prezantoja një lloj materiali të nesërmen për të paraqitur pikëpamjen time mbi këtë temë. Ai pranoi dhe për pothuaj dy orë, e gjithë klasa diskutoi në lidhje me këtë.» Materiali ishte marrë nga revista Zgjohuni!, botim frances i 22 gushtit, 1980, që përfshinte «Ditari i një fëmije të palindur». Rezultati ishte një qëndrim i përmirësuar nga ana e klasës ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.

Martinika ka një popullsi të re. Të rinjtë në përgjithësi, janë thithur të pashpresë në boshllëkun e një sistemi ekonomik që vë një theks të paarsyeshëm mbi të mirat materiale. Por të rinjtë Dëshmitarë kanë mësuar të çmojnë vlerat frymore. Të ngrohet zemra kur sheh Sallat e Mbretërisë në Martinika të mbushura me të rinj, që duan të njohin Jehovain dhe udhët e tij.

Të liruar nga skllavëria e drogës

Sikurse edhe në vende të tjera ku materializmi i ka shtypur vlerat frymore, shumë të rinj në Martinika e kanë shkatërruar shëndetin e tyre dhe e kanë dëmtuar jetën e tyre duke përdorur krak dhe narkotikë të tjerë skllavërues. Megjithatë, krishterimi i vërtetë i ka shkatërruar disa nga këto praktika shkatërruese. Pol⁠-⁠Anrë dhe Daniel nga Fort⁠-⁠de⁠-⁠Francë, bënin pjesë në bashkësinë rastafarian, ku përdorej lirshëm marijuana. Rastafarianët kishin shpjegimin e tyre në lidhje me atë që thotë Zbulesa mbi ‘gjethet për kurimin e kombeve’. Por edhe nuk përpiqeshin që të shpjegonin pjesën tjetër të atij libri biblik. Por Pol⁠-⁠Anrë dhe Daniel donin që ta kuptonin. Dëshmitarët e Jehovait iu afruan që t’i ndihmonin.

Pol⁠-⁠Anrë dhe Daniel thonë: «Ngurronim t’i ndiqnim mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, duke iu frikësuar një pritjeje jomiqësore, për shkak të paraqitjes sonë fizike e cila ishte disi e neveritshme.» Por kur shkuan, u habitën nga dashamirësia, ngrohtësia dhe modestia e atyre që takuan në Sallën e Mbretërisë. Javën tjetër prenë flokët dhe filluan të vishen në një mënyrë më të këndshme. Brenda një kohe të shkurtër lanë duhanin. Shpejt filluan, gjithashtu, të ndanin lajmin e mirë me të tjerët.

Pol⁠-⁠Anrë shton: «Një ditë, ndërsa po bëja shërbim në rrugë, një inspektor policie me të cilin më parë kisha probleme për shkak të përdorimit të drogës bërtiti i shtangur: ‘Po ky është Grodazormo!’ Nxora nga çanta, jo drogë, por Biblën time dhe revistat, të cilat i pranoi me gëzim, duke më uruar dhe inkurajuar që të vazhdoja. Pikërisht këtë bëra. U pagëzova në vitin 1984 dhe në vitin 1985, iu bashkova radhëve të pionierëve. Sot, i martuar dhe një kryefamiljar, shërbej si plak në kongregacionin lokal. Edhe shoku im Daniel, bëri të njëjtin progres në të vërtetën.»

Nuk janë vetëm të rinjtë që kërkojnë përgjigje për problemet e jetës. Edhe të rriturit. Me qëllimin për të ndihmuar të gjithë ata që kanë një zemër të hapur për të mësuar, midis prillit dhe majit të vitit 1995, dega vuri në dispozicion për të shpërndarë 250.000 kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë me titull «Përse jeta ka kaq shumë probleme?» Pasi ishulli kishte vetëm 330.000 banorë, do të thotë, se çdo i rritur si edhe shumë të rinj do të kenë mundur të përftojnë nga ky mesazh i rëndësishëm. Kjo gjë i hapi rrugën shumë diskutimeve të frytshme.

Një mbikëqyrës qarkor raportoi se një grua nga fshati, pas leximit të fletushkës ishte përpjekur t’i telefononte degës së Shoqatës. Nga nxitimi ngatërroi numrin, por prapëseprapë ai numër doli se ishte i mirë. Zilja ra në Sallën e Mbretërisë. Pikërisht në atë moment, lajmëtarët po përgatiteshin të dilnin në shërbim me mbikëqyrësin qarkor. Ajo kërkoi: «Ju lutem më dërgoni sa më shpejt që është e mundur një prej Dëshmitarëve të Jehovait. Dua të studioj Biblën.» Ditën tjetër filloi të merrte ndihmën që dëshironte.