Të lëmë dritën të shkëlqejë
Të lëmë dritën të shkëlqejë
Një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë, Fari i Aleksandrisë, ngrihet kryelartë mbi ishullin e Faros, në portin e Aleksandrisë në Egjipt. Për rreth 1.500 vjet, ky burim drite drejtoi detarët në shpëtim.
Megjithatë, një burim drite shumë më i rëndësishëm u identifikua kur Jezu Krishti tha: «Unë jam drita e botës.» (Gjoni 8:12) Duke u siguruar ndriçimin frymor në lidhje me qëllimet e Perëndisë, ai i mësoi njerëzit se si të jetojnë dhe të fitojnë jetën e përhershme dhe ajo që ai mësoi vazhdon të jetë një ndikim i fuqishëm dhe dobiprurës deri në ditët tona. Më tej ai i mësoi dishepujt e tij në lidhje me përgjegjësinë e tyre, duke u thënë: «Ju jeni drita e botës.» A duhej ta shpërndanin dritën frymore vetëm duke u folur të tjerëve? Jezui shtoi: «Lini që të shndritë drita juaj para njerëzve, që të mund të shohin veprat tuaja të shkëlqyera e t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»—Mat. 5:14-16.
Shumë persona i njohin Dëshmitarët e Jehovait si njerëz që i binden ligjit, të dhënë pas familjes, që kanë standarde të larta morale dhe etike dhe që janë predikues aktivë të mesazhit të Fjalës së Perëndisë. Megjithatë, ka edhe njerëz që e kundërshtojnë veprën tonë dhe që bëjnë ç’është e mundur për të njollosur reputacionin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për të na penguar në përpjekjet për të lënë dritën që të shkëlqejë. Ata e bëjnë, këtë duke i furnizuar nëpunësit e qeverisë dhe median me informacion të pasaktë, të gënjeshtërt dhe njollosës mbi Dëshmitarët e Jehovait. Në përpjekje për të korrigjuar këtë keqprezantim, në shkurt të vitit 1997, Trupi Udhëheqës miratoi strukturën e një Zyre të Punëve Publike, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Shkrimeve. Një shërbim i ngjashëm informacioni është në funksion në degët e Shoqatës.
Veprat e shkëlqyera bëhen të dukshme
Synimi i këtij organizimi është që t’u paraprijë problemeve, nevojave apo ndryshimeve të ardhshme duke i pajisur nëpunësit e qeverisë, median, akademikët, si edhe publikun në përgjithësi, me një pamje të saktë të besimeve dhe aktiviteteve tona. Ky nuk është një rregullim me anë të të cilit Dëshmitarët e Jehovait mburrin veten. Ata nderojnë Jehovain; dhe e bëjnë këtë duke i lënë njerëzit në njëfarë mase, që të shohin veprat e tyre të shkëlqyera, të cilat pasqyrojnë standardet e larta të Jehovait.—1. Kor. 1:31.
Duke qenë se ndjekin parimet e Biblës, populli i Jehovait, individualisht dhe si një grup, është një pasuri për bashkësinë ku jeton. Aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait përfshijnë më shumë se veprën tonë të mirënjohur të predikimit shtëpi më shtëpi. Kur profesionistët apo organizatat i njohin më mirë veprat tona të shkëlqyera, ka mundësi që të kenë një qëndrim më pozitiv kur takohen në shërbimin në fushë.
Ndihmë në kohë katastrofash
Një mënyrë me anë të së cilës shfaqim publikisht vullnetin e mirë ndaj të afërmve tanë, është me anë të përfshirjes sonë aktive në përpjekjet për ndihmë në kohës katastrofash. Për shembull, në vitin 1997, një skuadër ku të gjithë janë Dëshmitarë të Jehovait, organizoi ndihma humanitare për njerëzit që jetojnë në Republikën Demokratike të Kongos (ish-Zaireja). Me ndihmën e mijëra Dëshmitarëve të Jehovait nga Belgjika, Franca dhe Zvicra, për refugjatët u siguruan tonelata me ushqime, veshje, produkte me përmbajtje vitaminash dhe ilaçe, si edhe 18.500 palë këpucë dhe 1.000 batanije, e të gjitha u dërguan me aeroplan për në Afrikë. Vlefta e furnizimeve të siguruara arrinte totalin prej afro 1 milion dollarësh. Këto furnizime iu dërguan kryesisht si dhuratë Dëshmitarëve të Jehovait, por u ndanë edhe me të tjerët.—Gal. 6:10.
Dega e Francës u ndihmua në përgatitjen e një broshure që përmbante hollësi rreth këtij aktiviteti. Broshura iu shpërnda nëpunësve të qeverisë dhe gazetarëve, duke i njohur ata me shembuj të asaj që po bënin Dëshmitarët e Jehovait në mënyrë pozitive e praktike, për t’u siguruar ndihmë njerëzve që kishin nevojë. Një numër nëpunësish shprehën vlerësim të sinqertë për këtë informacion. Atyre u la mbresa veçanërisht ajo që ishte bërë për t’u siguruar se furnizimet do të merreshin nga ata që kishin nevojë e se do të ndaheshin në mënyrë të barabartë.
Të përmirësojmë jetën familjare
Prishja e jetës familjare vë një barrë të rëndë mbi entet qeveritare dhe i shqetëson nëpunësit e marrëdhënieve publike. Para shpërndarjes së madhe të librit Sekreti i lumturisë familjare, Dëshmitarët e Jehovait në Finlandë bënë një përpjekje të bashkuar për të kontaktuar personalisht guvernatorët e rajoneve administrative, kryetarët e bashkive, punonjësit e shërbimeve shoqërore dhe botuesit e gazetave, për të shpjeguar çfarë po bëjnë Dëshmitarët e Jehovait dhe si mund t’i ndihmojë familjet libri Sekreti i lumturisë familjare. Si rezultat, afro 120 gazeta shkruan artikuj pozitivë rreth kësaj çështjeje. Afërsisht të gjithë kryetarët e bashkive dhe zyrtarët e tjerë pranuan një kopje të librit dhe premtuan se do ta shqyrtonin.
Në një qytet në Lituani, ku ka vetëm një grup të vogël lajmëtarësh, Dëshmitarët vizituan kryetarin e bashkisë së qytetit, për t’i paraqitur librin dhe për t’i shpjeguar veprën tonë. Kryetarit të bashkisë i bëri shumë përshtypje kjo dhe i pyeti vëllezërit nëse mbanin rregullisht mbledhje në qytet, pasi mendonte që një informacion i tillë është i rëndësishëm për njerëzit. Kur vëllezërit i shpjeguan se ishin pak në numër dhe nuk kishin një sallë, ai i inkurajoi t’i fillonin sidoqoftë mbledhjet. Për shkak të këtij inkurajimi nga kryetari i bashkisë, Dëshmitarët filluan të organizonin rregullisht mbledhje në Skuodes.
Fakte rreth olokaustit
Vitet e fundit, ngjarjet e lidhura me epokën naziste dhe me olokaustin kanë tërhequr përsëri vëmendjen e zyrtarëve shtetërorë, të historianëve dhe të mësuesve. Dëshmitarët e Jehovait ishin një nga pak grupet që vazhdimisht kanë folur hapur kundër mizorive që ishin kryer nga regjimi i Hitlerit. Historia e këtij qëndrimi ka tërhequr interesin e rrethit akademik. Për t’i ndihmuar mësuesit që të flasin për ngjarjet që kanë të bëjnë me olokaustin, janë përgatitur një manual studimi dhe një version 28-minutësh i videos Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist. Këto mjete theksojnë çështjet etike e morale që ngre kjo tragjedi. Ato do t’u bëjnë të mundur mësuesve t’u paraqesin studentëve të tyre një shembull pozitiv të një grupi që përballoi drejtpërdrejt çështjet e presionit nga bashkëmoshatarët, të intolerancës dhe të ndërgjegjes. Mësuesit që japin mësim në klasat mes shkollës 8-vjeçare e deri në universitet kanë shprehur një dëshirë të madhe për të pasur një material të tillë.
Videoja Qëndrojnë të patundur u shfaq për herë të parë në muzeun e kampit të përqendrimit në Ravensbruk, që gjendet 60 km në veri të Berlinit, Gjermani. Ishin të pranishëm zyrtarë qeveritarë dhe autoritete të shquara, bashkë me historianë dhe të mbijetuar nga persekutimi nazist. Shfaqja premierë pati një reklamim pozitiv. Nëntëdhjetë e nëntë gazeta, si edhe dy stacione kryesore radiofonike e përfshinë historinë e tyre. Videoja Qëndrojnë të patundur po shfaqet në mbi 150 qytete të Gjermanisë dhe po tregohet shumë interes nga publiku.
Në maj 1997, në Moskë, Rusi, dy vëllezër morën pjesë në një simpozium ndërkombëtar studiuesish mbi olokaustin. Ata folën për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në epokën naziste, duke theksuar faktin se Dëshmitarët ishin të mësuar t’i konsideronin të gjithë njerëzit me paanshmëri.—Veprat 10:34, 35.
Në një ngjarje tjetër, dhjetë Dëshmitarë të mbijetuar nga Rusia, Ukraina dhe Gjermania mbajtën një konferencë shtypi dhe një shfaqje premierë në Moskë për videon në gjuhën ruse Qëndruan të patundur. Dy të mbijetuar nga kampi i Shtuthofit, një nga Gjermania dhe tjetri nga Ukraina, kanë mbajtur lidhjet me letra që nga lirimi i tyre në maj 1945. Në Moskë ata u ribashkuan pas 52 viteve! Pas konferencës së shtypit, reporterët qarkulluan mes vëllezërve, duke bërë fotografi e duke marrë intervista. Videoja Qëndruan të patundur u prit me lot dhe me duartrokitje të zgjatura. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e medias dhe të rrethit mësimor. Gazetarët rusë, që në të kaluarën në përgjithësi kishin qenë negativë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, thanë gjëra pozitive si rreth historisë sonë, ashtu edhe rreth veprës sonë. Një gazetë tha: «Shumë prej tyre u arrestuan, u dërguan në kampe përqendrimi dhe u ekzekutuan. Por guximi njerëzor, i mbështetur nga besimi në Perëndinë, sidoqoftë e tregoi veten se ishte më i fortë. Është për t’u lavdëruar që për të bërë këtë film u gjetën njerëz të kualifikuar e në këtë mënyrë i hapën botës një faqe pak të njohur në historinë e kundërshtimit ndaj nazizmit. Ne i falënderojmë ata.»
Duke marrë iniciativën
Gazetarë të përgjegjshëm shpesh raportojnë ndershmërisht dhe me saktësi nëse kanë bashkëpunimin dhe informacionin. Prandaj, kur një turmë fetare sulmoi një Sallë Mbretërie në Izrael, përpjekjet u bashkërenduan për të njoftuar median mbi incidentin. Gazetat dhe një stacion televiziv folën për punën e riparimit që u bë nga 15 Dëshmitarë të Jehovait, që po bënin një vizitë me traget. Këta artikuj treguan kontrastin e thellë mes njerëzve që thjesht pohojnë se besojnë në Perëndinë dhe njerëzve që vërtet jetojnë sipas mësimeve të Perëndisë.
Në Zambia një gazetar shkroi një artikull gazete që i lidhte Dëshmitarët e Jehovait me satanizmin. Zyra e degës u ndihmua me udhëzime se si ta kontaktonte redaktorin e gazetës dhe u sigurua një ekzemplar «letër drejtuar redaktorit». Redaktorit iu paraqit një kopje e librit Njohuria dhe broshura Shpirtrat e të vdekurve. Ai premtoi se do ta zgjidhte çështjen. Po mëngjesin vijues, nën titullin «Dëshmitarët e Jehovait kundër satanizmit» letra drejtuar redaktorit u botua pa asnjë ndryshim.
Për shkak të deklaratave të gënjeshtërta dhe të informacioneve të shtrembëra, disa vende evropiane gabimisht i kanë lidhur Dëshmitarët e Jehovait me kulte të rrezikshme. Degët janë ndihmuar për përgatitjen e përgjigjeve që qartësojnë aktivitetet tona si organizatë dhe që largojnë të gjithë frikën që qeveria mund të ketë për ne.
Në kontrast me errësirën frymore në botë, drita e së vërtetës vazhdon të ndriçojë në mënyrë të shkëlqyeshme. Sa të përshtatshme janë fjalët e apostullit Pavël në Filipianëve 2:15: «Ju po shkëlqeni si ndriçues në botë!» Ne lutemi për drejtimin dhe bekimin e Jehovait mbi përpjekjet që po bëhen për të korrigjuar paragjykimet dhe konceptet e këqija rreth organizatës dhe aktivitetit të Dëshmitarëve të Jehovait. Shpresojmë që duke vazhduar ‘ta lëmë dritën tonë të ndriçojë’ në këtë mënyrë, lavdi e mëtejshme do t’i jepet Jehovait, drita e të cilit ndriçon shtegun tonë.—Psal. 36:9.