Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjermani

Gjermani

Gjermani

GJERMANIA është një qendër e aktivitetit ndërkombëtar. Mesatarisht rreth 15.000.000 njerëz vijnë çdo vit si turistë nga jashtë vendit. Shumë prej tyre i kalojnë pushimet në Alpet e Bavarisë, në Pyllin e Zi, përgjatë lumit piktoresk Ren, ose vizitojnë qendrat kulturore nëpër qytete. Të tjerë që udhëtojnë për në Gjermani mund ta bëjnë këtë për arsye tregtare. Gjermania është një nga kombet kryesore tregtare të botës, me lidhje biznesi në të gjithë globin. Për disa vite, ekonomia e begatë e vendit tërhoqi kaq shumë punëtorë nga vendet e tjera, saqë kjo gjë ndikoi në një mënyrë të dukshme në përbërjen e popullsisë së qyteteve më të mëdha. Kjo gjë ndikoi edhe në shërbimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani.

Shërbimi i tyre u ndikua më tej nga ngjarjet që ndodhën gjatë dhe në përfundim të Luftës II Botërore. Nën diktaturën e Adolf Hitlerit, Dëshmitarët ishin objekt i një sulmi të egër dhe të vazhdueshëm. Me bekimin e klerit katolik dhe atij protestant, Hitleri u betua se do t’i shfaroste Ernstë Bibëlforshër, (Studentët e Zellshëm të Biblës), siç njiheshin në atë kohë në Gjermani Dëshmitarët e Jehovait. Por Dëshmitarët e Jehovait nuk bënë kompromis me besimin e tyre. Ata qëndruan të patundur përballë sulmit të pamëshirshëm.

Pas dymbëdhjetë vjetësh që Dëshmitarët ishin të ndaluar në Gjermani, Hitleri dhe partia e tij politike ra. Dëshmitarët e Jehovait, përkundrazi, ishin të zënë duke u folur njerëzve rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe se çfarë do të thotë ajo për njerëzimin. Faktet e dokumentuara mbi atë që përjetuan gjatë periudhës së nazizmit dhe se si e përballuan atë, vazhdojnë të sigurojnë bazën për një dëshmi: tani për mbarë botën.

Ç’gjë bëri të mundur që Dëshmitarët të dilnin fitimtarë? Jo ndonjë farë zgjuarsie nga ana e tyre. Sigurisht, as numri i tyre. Kur nisi Lufta II Botërore, ata ishin më pak se 20.000 në të gjithë Gjermaninë, në kontrast me regjimin e fuqishëm nazist. Shpjegimi gjendet në atë që tha kohë më parë Gamalieli, një mësues i mençur, siç tregohet në Bibël: «Nëse ky projekt ose kjo vepër është prej njerëzve, do të përmbyset, por nëse është prej Perëndisë, ju nuk do të jeni në gjendje t’i përmbysni ata.» (Veprat 5:34-39, BR) Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani provuan se ishin besnikë ndaj Perëndisë edhe nën kërcënimin e vdekjes, ndërsa Jehovai përmbushi premtimin e tij se ‘nuk do t’i linte besnikët e tij’.—Psal. 37:28, BR.

Duke përdorur mirë mundësitë e tyre të pasluftës

Ata që mbijetuan ngjarjet e viteve të luftës, mund të shihnin se kishte punë për të bërë. Ata sapo kishin përjetuar ngjarje që ishin pjesë e një përmbushjeje të qartë të asaj që Jezu Krishti kishte parathënë se do të shënonte shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit të gjërave. Ata kishin qenë në mes të një lufte që ishte e një shkalle pa precedent në histori. Provuan se ç’do të thotë t’i dorëzohesh mjerimit, të tradhëtohesh, të jesh objekt i urrejtjes së kombeve dhe të vritesh. Ata qenë në mes të mungesës së parathënë të ushqimit. Njerëzve u duhej treguar domethënia e këtyre ngjarjeve. Edhe në kampet e përqendrimit, Dëshmitarët e Jehovait nuk e kishin ndërprerë kurrë predikimin. Por e dinin që Jezui kishte parathënë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mat. 24:3-14, BR) Kishte akoma shumë për të bërë dhe ata mezi pritnin të vazhdonin veprën e predikimit.

Menjëherë pas luftës, Dëshmitarët në Gjermani riorganizuan veprën e shpalljes së Mbretërisë. Erik Frost, i liruar pas nëntë vjetësh burgimi, mori menjëherë masa që vëllezërit e pjekur të vizitonin, të riorganizonin dhe të forconin kongregacionet. Disa prej Dëshmitarëve ishin kaq të dobët nga urija, saqë u binte të fikët gjatë mbledhjeve, por ishin të vendosur të merrnin pjesë në to që të nxirrnin dobi nga ushqimi frymor. Ditën e parë pasi u lirua, Gertrud Poetsingër, eci gjithë ditën drejt Mynihut, duke shpresuar të gjente atje të shoqin. Por në mbrëmje, kur disa persona të përzemërt i siguruan me dashuri ushqim dhe strehë, ajo qëndroi deri pas mesnatës, duke u dëshmuar atyre rreth qëllimeve të Jehovait. Konrat Frankë, kur u lirua filloi menjëherë shërbimin si pionier, megjithëse në fillim kishte për të veshur vetëm rrobën me viza të burgut.

Në vitin 1947, në Gjermani kishte 15.856 Dëshmitarë, që po merrnin pjesë përsëri publikisht në shërbimin në fushë, duke bërë të njohur me guxim se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për paqe dhe siguri të përhershme. Jehovai e bekoi shërbimin e tyre të zellshëm dhe në maj të vitit 1975, tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, në Gjermaninë Perëndimore kishte 100.351 lajmëtarë aktivë të Mbretërisë.

Gjatë atyre viteve, nuk ishte vetëm territori gjerman që po merrte dëshmi. Dëshmitarët e zellshëm në Gjermani panë se shërbimi i tyre po ndikonte mbi njerëzit e shumë kombeve. Si?

Një fushë misionare në prag të derës

Nga mesi i viteve 50, për të plotësuar nevojat e ekonomisë së saj në lulëzim, Gjermania filloi të punësonte gastarbitër, «punëtorë të ftuar» nga vendet e tjera. Një numër i madh erdhën nga Greqia, Italia, Portugalia, Spanja, Turqia dhe ish-Jugosllavia. Aty nga viti 1972, krahu i punës nga jashtë vendit, kishte arritur në mbi 2,1 milionë.

Pas valës së punëtorëve të ftuar në periudhën e viteve 50 deri 70, Gjermania u përfshi nga një valë refugjatësh të ardhur nga Afrika dhe Azia në vitet 80. Në vitet 90, atyre iu bashkuan refugjatët nga Evropa Lindore dhe Ballkani. Për shkak se në atë kohë ligjet liberale ofronin strehim politik, Gjermania arriti të kishte numrin më të lartë të banorëve të lindur jashtë vendit se çdo komb tjetër në Evropë. Dëshmitarët e Jehovait e konsideruan këtë si një territor të shkëlqyer misionar që u kishte ardhur mu në derë. Përderisa «Perëndia nuk është i anshëm» dhe meqë njerëzve të shpërngulur nga atdheu i tyre u nevojitej me siguri ngushëllimi që vetëm Fjala e Perëndisë mund ta japë, Dëshmitarët e Jehovait ndiheshin thellësisht të detyruar që t’u predikonin lajmin e mirë këtyre njerëzve. (Vep. 10:34, 35; 2. Kor. 1:3, 4) Por t’u predikoje 7.500.000 të huajve në Gjermani në gjuhën e tyre, nuk ishte një punë e lehtë.

Për të ndarë të vërtetën biblike në një mënyrë më të efektshme me këta të ardhur nga jashtë vendit, shumë Dëshmitarë gjermanë mësuan një gjuhë të re. Çfarë dëshmie e shkëlqyer e faktit se me të vërtetë e duan të afërmin e tyre, në harmoni me atë që Jezui u mësoi ithtarëve të tij! (Mat. 22:39) Edhe pse shumica e këtyre Dëshmitarëve nuk kishin mundësi të shkonin si misionarë jashtë vendit, ata ishin të etur të shfrytëzonin plotësisht mundësitë brenda vendit të tyre. Kështu, në gusht të vitit 1998, më shumë se 23.600 lajmëtarë predikonin lajmin e mirë në 371 kongregacione të gjuhës së huaj dhe në 219 grupe lajmëtarësh. Natyrisht, kongregacionet e gjuhës së huaj nuk janë formuar për të veçuar racat, por, përkundrazi, për t’ua bërë më të lehtë njerëzve që nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi gjuhën gjermane që ta mësojnë të vërtetën në gjuhën e nënës. Shumë lajmëtarë e kanë kuptuar se një gjuhë e dytë mund të arrijë mendjen, por shpesh kërkohet gjuha e nënës për të arritur zemrën.

Megjithëse të huajt janë fyer apo keqtrajtuar nga disa grupe në Gjermani, mes popullit të Jehovait ata janë mirëpritur me një dashuri të sinqertë të krishterë. Mes 24 gjuhëve, përveç asaj gjermane, në të cilat Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend po mbajnë sot mbledhjet janë gjuha amharike, arabe, hungareze, indiane, japoneze, kineze, perse, rumune, shqipe, tamile, tigrinia dhe vietnameze. Në kongreset krahinore «Mësimi hyjnor» të mbajtura në Gjermani në vitin 1993, afërsisht 10 përqind e 194.751 personave që morën pjesë ishin të kongreseve në gjuhë të huaj. Gjithashtu, numri i të pagëzuarve në këto asamble përbënte pothuaj 14 përqind të numrit të përgjithshëm të të pagëzuarve.

Mes atyre që iu përgjigjën me çmueshmëri mesazhit të Mbretërisë është një familje indiane, e cila u largua nga Sri Lanka në vitin 1983, për shkak të luftës në këtë vend dhe sepse shpresonte të gjente një trajtim mjekësor për djalin e tyre 6-vjeçar. Mjerisht ai vdiq. Por familja ka arritur të njohë Jehovain, i cili do t’i ringjallë të vdekurit dhe do t’u japë mundësinë që të jetojnë përgjithmonë. (Vep. 24:15) Gjithashtu, është edhe një nigeriane, e cila në moshën e adoleshencës kishte luftuar në luftën civile midis Nigerisë dhe Biafranit. Pasi u transferua në Gjermani, jeta e saj ndryshoi kur mësoi se çfarë po u mësonte Jehovai njerëzve në lidhje me mundësinë e të jetuarit së bashku në paqe.—Isa. 2:3, 4.

Midis italianëve që u bënë Dëshmitarë të Jehovait ndërsa ishin në Gjermani, është diçka e zakonshme të dëgjosh proverbin, «Jo çdo e keqe vjen për të dëmtuar». Ç’fjalë me vend! Shumë prej atyre italianëve, sikurse edhe njerëzit e vendeve të tjera, erdhën në Gjermani për t’u shpëtuar problemeve ekonomike, por gjetën diçka më me vlerë se të mirat materiale: të vërtetën rreth Perëndisë dhe qëllimeve të tij.

Aktiviteti i zellshëm i Dëshmitarëve midis këtyre njerëzve është vënë re nga të tjerët. Kongregacioni në Halberstad mori këtë letër: «Ne jemi kampi qendror për ata që kërkojnë strehë dhe kujdesemi rregullisht për njerëzit e ardhur nga më shumë se 40 kombe. . . . Këtyre njerëzve që vijnë nga një llojshmëri kulturash të ndryshme, u është dashur të lënë pas anëtarët e familjes, atdheun, gjuhën dhe traditën e tyre. Shpeshherë kanë pasur përvoja traumatike dhe ndodhen përballë një të ardhmeje të pasigurt. . . . Ja pse shumë prej tyre i drejtohen fesë për të gjetur mbështetje dhe shpresë. Ju jemi mirënjohës për dhuratën tuaj bujare [të Biblës në gjuhë të ndryshme] që u jep mundësi këtyre njerëzve që të gjejnë ngushëllim dhe siguri nëpërmjet leximit të Biblës në gjuhën e tyre.»

Disa prej grupeve në gjuhë të huaj

ANGLEZ: Nga vepra e kongregacioneve të gjuhës angleze nxjerrin dobi refugjatët e ardhur nga Nigeria, Gana, Sri Lanka, India apo ndonjë vend tjetër. Stivën Kuaki nga Gana është një prej atyre që nxorën dobi nga kjo vepër. Në Gjermani, kur një i ri nga Bangladeshi i tha se po përpiqej t’i shmangte Dëshmitarët, Stivën i tha që ishte më mirë t’ia dërgonte atij. Kur Stivën ishte i ri, i kishte folur një Dëshmitar në Gana. Tani, larg nga presionet e të afërmve të tij, Stivën donte të mësonte më shumë. Ai sot është një plak i krishterë dhe familja e tij merr pjesë bashkë me të në shërbimin ndaj Jehovait.

TURK: Gruaja dhe fëmijët e Rasimit ishin prej më shumë se dhjetë vjetësh Dëshmitarë të Jehovait, megjithëse Rasimi vetë vazhdonte me fenë islamike. Megjithatë, ai mori vesh se interpretimi i Kuranit ndryshonte kaq shumë nga njëra xhami në tjetrën, saqë disa myslimanë nuk shkonin në ndonjë xhami tjetër përveçse në të tyren. Gjatë një vizite në Turqi, ai shkoi si në xhami, ashtu edhe në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Në xhami dëgjoi interpretime mbi islamizmin që ishin të ndryshme nga ato që mësoi në Gjermani. Mungonte uniteti. Por, sapo u kthye në Gjermani tha: «Në Sallën e Mbretërisë këtu, mund të gjendet e njëjta dashuri dhe i njëjti program si në Sallën e Mbretërisë në Turqi. Kjo është e vërteta.»

INDIAN: Në vitin 1985, dy Dëshmitarë trokitën në derën e Sharda Agëval, pikërisht pasi ajo ishte lutur që të gjente një perëndi të cilit mund t’i zbraste zemrën. Burri i saj kishte kancer në mushkëri. Ajo ishte e dëshpëruar sepse mendonte që perënditë hinduiste po i shpërfillnin lutjet e saj. Ajo i pyeti Dëshmitarët nëse Jezui ishte Perëndi. Shpjegimet e tyre e bindën se lutjes së saj i qe dhënë përgjigje. Jehovai iu duk ai lloj perëndie rreth të cilit donte të mësonte. Megjithëse në fillim ngurronte t’u kthente shpinën perëndive të saj hinduiste nga frika se mos i mërziste ata, shpejt i flaku tej shëmbëlltyrat e tyre dhe pranoi Jehovain si Perëndinë e vërtetë. U pagëzua në vitin 1987. Sot është një pioniere e rregullt, mirënjohëse faktit që i shërben një Perëndie që ekziston si person të cilit mund t’i besojë. Burri dhe djali i saj janë që të dy shërbëtorë ndihmës.—Psal. 62:8.

POLAK: Në vitin 1992, në Berlin u formua një kongregacion i gjuhës polake dhe po në këtë vit u mbajt një asamble speciale njëditore në polonisht. Edhe pse ajo u mbajt në një zonë të Gjermanisë ku ka shumë njerëz me prejardhje polake, askush nuk e priste të shihte Sallën e Mbretërisë, Sallën fqinje të Mbretërisë si edhe kafe-restorantin të mbushur plot. Erdhën një numër gati i pabesueshëm prej 2.523 personash! Disa prej tyre ishin Dëshmitarë polakë që po shoqëroheshin me kongregacionet gjermane, por ishin të kënaqur tek shihnin veprën e predikimit të Mbretërisë duke u hapur në fushën polake dhe ata vetë ishin mirënjohës që mund t’i dëgjonin të vërtetat biblike në gjuhën e nënës.

Edhe në gjuhën ruse, serbo-kroate dhe kineze!

RUSE: Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shumë njerëz që ishin rritur në Rusi dhe që flitnin rusisht, por që stërgjyshërit i kishin gjermanë, u rikthyen në vendin e paraardhësve të tyre. Kishte edhe anëtarë të forcave të armatosura sovietike që shërbenin në atë që në atë kohë ishte Gjermania Lindore, bashkë me vartësit e tyre. Të gjithë njerëzit kanë lindur me një nevojë frymore dhe në këtë aspekt nevojat e tyre nuk ishin plotësuar.

Anëtarët e familjes Shlegel janë gjermanë etnik, që në vitin 1992 u transferuan nga gadishulli Krimean në Ukrainë, në tokën e stërgjyshërve të tyre. Atje ranë në kontakt me një prej Dëshmitareve të Jehovait që ishte me origjinë nga Uzbekistani dhe ishte bërë një Dëshmitare në Gjermani. Pas studimit të Biblës e gjithë familja u pagëzua.

Sergej dhe gruaja e tij Zhenia ishin ateistë. Por kur iu treguan me anë të Biblës përgjigjet e pyetjeve të tyre, veçanërisht në lidhje me të ardhmen, mbetën të habitur. Me përulësi zhvilluan besimin te Jehovai dhe bënë rregullime në jetën e tyre, edhe pse për Sergej kjo do të thoshte të ndryshonte punën dhe të hiqte dorë nga e drejta për një pension që do të fillonte të merrte së shpejti.

Marina, një infermiere në një spital ushtarak po kërkonte qëllimin e jetës. Kur mori librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, e lexoi menjëherë dhe shpejt kuptoi se kishte gjetur atë që po kërkonte. Kur u rikthye në Rusi, vizitoi personat e tjerë që kishin studiuar me Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani për t’i inkurajuar. Shpejt, filloi të ndiqte qëllimin e saj të jetës si pioniere.

Nga gushti i vitit 1998, kishte 31 kongregacione ruse dhe 63 grupe më të vogla me 2.119 lajmëtarë gjithsej, një rritje me 27 përqind në krahasim me vitin e kaluar.

SERBO-KROATE: Johan Shtrekër, mbikëqyrës udhëtues në fushën serbo-kroate, pohon se në ish-Jugosllavi jetonin të paktën 16 kombësi të ndryshme. Ai thotë: «Është e mrekullueshme të shohësh se si i bashkon tani e vërteta.» Kur Munib, një mysliman që kishte shërbyer në ushtrinë jugosllave për tetë vjet, u ftua në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, pa kroatë, serbë dhe njerëz me prejardhje myslimane, të mbledhur paqësisht së bashku. Për të kjo gjë ishte pothuajse e paimagjinueshme! Për një muaj ai vetëm vëzhgoi. Kur u bind se paqja dhe uniteti mes Dëshmitarëve është diçka reale, pranoi të fillonte të studionte Biblën. Në vitin 1994 u pagëzua.

Rosanda, një katolike romake nga Kroacia, që kishte kaluar disa vjet në një manastir, shkoi të vizitonte të afërmit që ishin bërë Dëshmitarë në Gjermani. Pasi ndoqi me ta Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit, pranoi: «Ju keni të vërtetën. Gjithmonë e pyesja veten se si e predikonin ungjillin të krishterët e shekullit të parë. Kur pashë dy motrat në podium, mënyrën se si njëra i predikonte tjetrës, në mendje më shkrepi mendimi: ‘Tamam kjo duhet të jetë mënyra se si predikonin të krishterët e parë.’» Sot, ajo është një pioniere, duke ndjekur kështu shembullin e të krishterëve të hershëm.

Disa prej Dëshmitarëve gjermanë që mësuan gjuhët e këtyre grupeve për t’u dëshmuar atyre, faktikisht më vonë u transferuan në këto vende për të shërbyer atje, kur kjo gjë u bë e mundur.

KINEZE: Vepra në fushën kineze nuk ka shumë kohë që ka filluar në Gjermani. «Shumica e njerëzve nga Kina nuk kanë dëgjuar kurrë për ne e aq më pak të kenë lexuar ndonjëherë Biblën»,—shpjegon Egidius Ryhël, një ish-misionar në Taivan. Ai shton: «Meqenëse shumica e kinezëve janë të etur të mësojnë, ata e thithin njohurinë ashtu si një sfungjer i thatë thith ujin.»

Kur në tetor të vitit 1996, filloi klasa e 12-të e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në familjen Bethel në Zeltër, ishte një kënaqësi e madhe të takoje studentin e parë kinez që ndiqte këtë shkollë në Gjermani. Ai e kishte mësuar të vërtetën në Gjermani. Ai nga ana e vet, i kishte dëshmuar një profesoreshe kineze të gjeologjisë dhe i kishte dhënë asaj librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Ajo e lexoi të tërë librin brenda një jave. Tani, në vend se t’u mësonte të tjerëve evolucionin, ajo drejton studime biblike në shtëpi, 16 prej tyre në mbarim të vitit 1996.

Të etur për të ndarë me të tjerët atë që mësuan

Janë vërtet qindra banorët e huaj që e kanë mësuar të vërtetën në Gjermani gjatë viteve dhe janë kthyer më pas në vendlindjen e tyre për të vazhduar predikimin e lajmit të mirë. Shumë prej tyre tani shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës apo në pozita të tjera me përgjegjësi. Petros Karakaris është anëtar i familjes Bethel në Greqi; Mamadu Ketë shërben si misionar në Mali dhe Paulin Kangala, i njohur nga shumë veta si Pepe, është misionar në Republikën e Afrikës Qendrore bashkë me gruan e tij Anke.

Që nga fillimi i viteve 90, mbi 1.500 lajmëtarë që flasin greqisht janë kthyer në Greqi, disa prej tyre si pleq të kualifikuar. Të tjerë janë transferuar në Suedi, Belgjikë, Angli dhe Kanada për të çuar më tej veprën e Mbretërisë midis popullsisë që flet greqisht në këto vende. E megjithatë duket se në asnjë vend tjetër të botës, përveç vetë Greqisë, nuk ka aq shumë lajmëtarë që flasin greqisht sa në Gjermani.

Çfarë po ndodhte në Gjermaninë Lindore?

Në fund të Luftës II Botërore, Gjermania u pushtua nga ushtritë e Britanisë, Francës, ato të Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara. Kombi i mundur u nda në katër zona pushtimi; secila prej katër fuqive pushtuese mori pushtetin mbi një zonë. (Edhe kryeqyteti, Berlini, u nda në katër sektorë pushtimi.) Meqenëse zona e pushtuar nga rusët ishte pjesa lindore e vendit, shpejt u bë e njohur si Zona e Lindjes. Në vitin 1949, kësaj pjese të Gjermanisë iu dha pavarësia dhe ajo u bë Republika Demokratike Gjermane. Por, në të vërtetë, termi «Zona e Lindjes», thjesht ia la vendin emrit Gjermania Lindore. Në vitin 1955, kur të tri zonat e mbetura të pushtuara u bënë Republika Federale e Gjermanisë atëherë, në përputhje me përdorimin e përhapur, ajo u bë e njohur si Gjermania Perëndimore.

Pas përmbysjes së shtetit nazist, Dëshmitarët e Jehovait që jetonin në Zonën e Lindjes përfituan menjëherë nga mundësia për t’i mbajtur mbledhjet publikisht dhe për të marrë pjesë me zell në shërbimin në fushë. Nga mesi i vitit 1949, më shumë se 17.000 lajmëtarë raportonin shërbimin në fushë në Gjermaninë Lindore. Por lehtësimi që ndjenë pas rënies së regjimit nazist ishte jetëshkurtër. Mbledhjet e kongregacionit u ndërprenë përsëri nga policia. Literatura u konfiskua. Rrugët u bllokuan për t’i penguar Dëshmitarët që të mbanin kongresin. Vëllezërit u arrestuan. Më 31 gusht 1950 u vu ndalimi zyrtar. Dëshmitarët në Gjermaninë Lindore u detyruan përsëri që të vepronin fshehurazi, këtë herë nga një regjim komunist, pa dalë hapur për pothuaj 40 vjet.

Persekutimi në Gjermaninë Lindore ishte shumë i ashpër në fillim të ndalimit. Në vitin 1990, gazeta gjermane Berliner Morgenpost raportonte: «Nga viti 1950 deri në vitin 1961 [kur u ndërtua Muri], zyrtarët e Gjermanisë Lindore arrestuan 2.891 Dëshmitarë të Jehovait; 2.202 prej tyre, përfshirë 674 gra, u çuan në gjyq dhe u dënuan gjithsej me 12.013 vjet burgim. Gjatë burgimit, vdiqën 37 burra dhe 13 gra për shkak të keqtrajtimit, sëmundjes, të ushqyerit të keq apo moshës së vjetër. Gjykata i dënoi 12 burra me burgim të përjetshëm, por më vonë e reduktoi dënimin e tyre në 15 vjet.»

Sigurisht, ky ishte vetëm fillimi. Ndalimi zgjati për katër dekada. Kishte periudha kur dukej se presioni mbi Dëshmitarët binte. Më pas shtëpitë bastiseshin dhe shumë vetë arrestoheshin. Megjithëse ka njëfarë pasigurie për sa i përket numrit të saktë, dokumentet historike të vetë Shoqatës, tregojnë se gjatë viteve të ndalimit, në Gjermaninë Lindore u burgosën 4.940 Dëshmitarë në 231 vende të ndryshme.

Të mbledhur në fshehtësi

Edhe nën këto kushte të vështira, Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi gjetën një mënyrë që të merrnin literaturë biblike për të studiuar. Qindra vëllezër dhe motra të guximshme, vunë në rrezik lirinë e tyre, disa herë edhe jetën që të kujdeseshin për nevojat frymore. Shpesh motrat luanin një rol kyç. Përpara se të ngrihej Muri i Berlinit në vitin 1961, ato udhëtonin brenda sektorit perëndimor të Berlinit, siguronin literaturë nga zyra e Shoqatës në këtë vend dhe e merrnin me vete. Kur spiunët e Gjermanisë Lindore filluan të përgjonin zyrën për të parë se kush merrte literaturë, disa prej korrierëve u arrestuan. Prandaj u përdorën taktika të tjera. Motrat që vepronin si korriere e merrnin literaturën në shtëpitë e Dëshmitarëve të tjerë në Berlin dhe ktheheshin në shtëpinë e tyre. Pavarësisht nga fakti që disa u arrestuan, u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burgim, rrjedha e furnizimeve frymore kurrë nuk u tha krejtësisht.

A ishte e mundur për ta që t’i mbanin mbledhjet e krishtere nën këto rrethana? Natyrisht, disa patën një çikë ankth në fillim. Por e kuptuan se të mbledhurit me të krishterët e tjerë ishte i rëndësishëm nëse donin të qëndronin të fortë frymësisht. (Hebr. 10:23-25) Ata morën masa që ta bënin këtë në fshehtësi, në grupe të vogla. Për arsye sigurie, ata e thërritnin njëri-tjetrin vetëm me emër. Në përgjithësi, mbledhjet mbaheshin pasi errësohej, në vende të ndryshme dhe në ditë të ndryshme. Gjatë verës mbledhjet nuk mund të mbaheshin përpara orës 22.00. Megjithatë, vëllezërit e morën me qetësi këtë gjë.

Mgjithëse Sallat e Mbretërisë nuk mund të përdoreshin, një fermer miqësor në Sakson ofroi që të përdorej koçeku i tij. Ai kishte një derë të pasme, e cila të nxirrte në një shteg që ishte i fshehur nga shkurret. Për një dimër të tërë, ai koçek mirëpriti një grup prej rreth 20 Dëshmitarësh që mblidheshin nën dritën e qiriut. Pas pak kohësh, edhe fermeri u bë një Dëshmitar.

Mbi të gjitha, ata morën masa që të kremtonin darkën e Zotërisë. Manfred Tamë kujton një rast kur ai u siguroi disa vëllezërve të burgosur emblemat e Përkujtimit: «Mbusha një shishe toniku flokësh me verë dhe kërkova që t’ia jepnin një vëllai të burgosur. Nëpunësi hapi shishen, i mori erë dhe tha: ‘Kjo gjoja t’i ruan flokët që të mos bien?’—‘Të paktën kështu thotë’,—iu përgjigja. I vuri përsëri tapën dhe ia dorëzoi shishen vëllait për të cilin ishte caktuar.»

Mësohet të dëshmohet në kushtet e ndalimit

Vepra e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë nuk u ndal në Gjermaninë Lindore. Bibla nuk u ndalua, kështu që shpeshherë vëllezërit i nisnin bisedat thjesht duke iu referuar Biblës. Meqenëse kishin pak ose aspak literaturë për të ofruar, ata i zhvillonin diskutimet biblike mbi bazën e një vargu shkrimesh të lidhura me njëra-tjetrën mbi tema të ndryshme. Sigurisht, ishte e rrezikshme të predikoje. Secila ditë në shërbim mund të ishte dita e fundit e lirisë. Dëshmitarët e bënë lutjen «shokun të tyre të përhershëm», siç u shpreh njëri prej tyre, duke shtuar: «Kjo gjë na jepte paqe mendore dhe qetësi. Nuk ndiheshim kurrë vetëm. Megjithatë, vigjilenca e vazhdueshme ishte e detyrueshme.»

Me gjithë përpjekjet për të qenë të kujdesshëm, kishte raste kur ndesheshin ballë për ballë me policinë. Një herë, kur Herman dhe Margit Laube po vizitonin shtëpitë e rekomanduara nga njerëz që tashmë i njihnin, panë një uniformë polici në varësen e rrobave prapa burrit që doli në derë. Margit u zbeh; Hermanit filloi t’i rrahë zemra me forcë. Bënë një lutje në heshtje. Kjo do të thoshte me siguri burgim! «Kush jeni ju?»—pyeti prerazi burri. Ajo që u përgjigj ishte Margit. «Jam e sigurt që ju kam parë diku, por vetëm nuk po kujtoj se ku. Po, ju jeni polic. Duhet t’ju kem parë gjatë punës.» Me një ton disi më miqësor, ai u përgjigj: «Jeni ju të Jehovait?» «Po,—u përgjigj Herman,—ne jemi dhe duhet ta dish se kërkohet guxim nga ana jonë që të trokasim në derën tuaj. Neve na interesoni ju personalisht.» U ftuan brenda. Pas një numri vizitash u fillua një studim biblik. Me kalimin e kohës, ai u bë një vëlla i krishterë.

Një pjesë e veprës së dëshmisë bëhej pikërisht në burgje. Volfgang Maizë, ishte në burgun e Valtʹhimit. Një ditë, ai mori një letër nga gruaja e tij që i thoshte se kishte qenë «në Berlin dhe kishte shijuar ca supë Knorr». (Knorr është emri i markës së një supe të njohur në Gjermani.) Volfgang përfitoi nga rasti për t’i shpjeguar një të burgosuri tjetër që kjo do të thoshte se në Berlin ka pasur një kongres dhe se atje ka folur N. H. Knorr, presidenti i Shoqatës Watch Tower. Burri nuk e harroi kurrë vezullimin në sytë e Volfgangut që pasqyronin gëzimin që ndiente, ndërsa i shpjegonte atij letrën e së shoqes. Rreth 14 vjet më vonë, pasi u transferua në Gjermaninë Perëndimore, burri filloi të studionte Biblën dhe dy vjet më vonë u pagëzua në Vuertsʹburg.

Hildgart Zeligër, që tashmë kishte kaluar shumë vjet në kampet naziste të përqendrimit, u dënua nga një gjykatë komuniste në Laipcig me dhjetë vjet të tjerë. Më vonë, një gardiane në burgun e Halles, i tha motrës Hildgart se ajo konsiderohej veçanërisht e rrezikshme për shkak se ‘fliste gjithë ditën rreth Biblës’.

Një rritje e vazhdueshme pavarësisht nga ndalimi

Zelli i treguar nga vëllezërit solli fryte të mira. Horst Shram raporton se në fillim të viteve 50, në kongregacionin Konigs Vustërhauzën kishte 25 lajmëtarë, por kur ra Muri i Berlinit numri i tyre arriti në 161. Megjithatë, 43 lajmëtarë ishin transferuar në Perëndim dhe disa të tjerë kishin vdekur. Faktikisht, në disa kongregacione, më shumë se 70 përqind e Dëshmitarëve që janë sot aktivë, e mësuan të vërtetën kur vepra ishte e ndaluar.

Le të marrim, për shembull, familjen Kemʹnits. Bernt dhe Valtraut e mësuan të vërtetën dhe u pagëzuan ndërsa ishin akoma mjaft të rinj, kur ndalimi sapo kishte filluar. Pasi u martuan dhe krijuan familje, nuk lejuan që ndalimi t’i pengonte t’i rritnin fëmijët në atë mënyrë që të bëheshin shërbëtorë të Jehovait. Në vitet 80, ndërsa vepra ishte ende e ndaluar, Andrea, Gabriela, Ruben dhe Ester, ndoqën shembullin e prindërve të tyre, ia dedikuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan. Vetëm Matias, më i vogli, u pagëzua pasi u hoq ndalimi. Jehovai e bekoi në mënyrë të pasur vendosmërinë e këtij çifti përballë kundërshtimit. Çfarë shpërblimi është për ta që sot, të pestë fëmijët e tyre janë anëtarë të familjes Bethel në Zeltërs!

Një plak që ndihmonte në përpilimin e raporteve mujore të shërbimit në fushë për Shoqatën thotë: «Në të 40 vjetët e ndalimit nuk pati as edhe një muaj të vetëm ku të mos raportohej ndonjë pagëzim.» Më pas ai jep disa hollësi: «Në përgjithësi, gjatë pagëzimit nuk kishte shumë të pranishëm dhe ai bëhej në shtëpi private. Pas një fjalimi, kandidatët për pagëzim zhyteshin në një vaskë banje. Shpesh, problemi ishte mbulimi krejtësisht i tyre. Pavarësisht nga këto vëshirësi të vogla, secili prej tyre e kujton akoma me gëzim ditën kur u pagëzua.»

Kur u dha edhe një herë mundësia që të botoheshin raportet e shërbimit në fushë për Gjermaninë Lindore, ç’gëzim ishte të mësoje se gjatë viteve 80, në atë zonë ka pasur afro 20.704 lajmëtarë aktiv! Tani, sigurisht, nuk është më e nevojshme të bëhen raporte të ndara. Gjatë vitit 1990, numri i lajmëtarëve në Gjermaninë e ribashkuar u rrit në 154.108.

Riorganizimi për të forcuar vëllazërinë

Gjatë periudhës kur sunduesit komunistë përpiqeshin t’i mbanin Dëshmitarët në atë pjesë të botës të ndarë nga vëllezërit e tyre të krishterë në vendet e tjera, në mbarë botën, në vetë organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait po bëheshin ndryshime domethënëse. Këto ndryshime të bëra në përpjekje për t’iu përmbajtur më ngushtësisht asaj që thotë Bibla në lidhje me kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, shërbyen për të forcuar vëllazërinë ndërkombëtare dhe e përgatitën organizatën për një rritje të shpejtë në vitet e ardhshme.—Krahaso Veprat 20:17, 28.

Kështu, duke filluar në tetor të vitit 1972, kongregacionet nuk mbikëqyreshin më nga një individ i vetëm, që njihej si shërbëtori i kongregacionit, i cili kujdesej për veprën e nevojshme me ndihmën e asistentëve. Në vend të kësaj, për të mbikëqyrur çdo kongregacion, u emërua një trup pleqsh. Në vitin 1975, rezultatet e shkëlqyera nga ky ndryshim, tashmë po bëheshin të dukshme.

Megjithatë, Ervin Hertsik, që shërbeu si mbikëqyrës udhëtues për një kohë të gjatë, kujton se ky ndryshim nuk u mirëprit nga të gjithë. Ai thotë se ky ndryshim shërbeu për të zbuluar «gjendjen e zemrës së disa shërbëtorëve të kongregacionit». Megjithëse shumica kishte një zemër besnike, ndryshimet spastruan disa që ishin ambiciozë dhe që më shumë dëshironin «të ishin numri një» sesa t’u shërbenin vëllezërve të tyre.

Edhe më shumë ndryshime shtriheshin përpara. Gjatë viteve 70, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait u zgjerua dhe më pas riorganizoi punën e tij duke e ndarë ndërmjet gjashtë komiteteve që filluan të funksiononin më 1 janar 1976. Një muaj më vonë, duke filluar nga 1 shkurti 1976, u rregullua mbikëqyrja e zyrave të degëve në të gjithë botën. Një degë nuk vepronte më nën autoritetin e një shërbëtori të vetëm të degës. Në vend të kësaj, secila degë mbikëqyrej nga një Komitet Dege i emëruar nga Trupi Udhëheqës.

Vëllezërit Frost, Franke dhe Kelsi kishin shërbyer më parë për periudha të ndryshme si shërbëtorë të degës në Gjermani. Vëllai Frost e kishte parë të nevojshme ta linte Bethelin për arsye shëndetësore. (Ai vdiq në vitin 1987, në moshën 86-vjeçare. Tregimi i jetës së tij gjendet në Kullën e Rojës, 15 prill 1961, angl.) Kur në vitin 1976, në Gjermani u vu një Komitet Dege prej pesë anëtarësh, ai përfshinte si Konrad Franken (që ishte burgosur shpeshherë gjatë periudhës së nazizmit), ashtu edhe Riçard Kelsin (i diplomuar në Shkollën e Galaadit, i cili nga ky moment kishte shërbyer në Gjermani për 25 vjet). Gjithashtu, përfshiheshin edhe Vili Pol (një i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit dhe që kishte ndjekur klasën e 15-të të Galaadit), Guntër Kunz (i diplomuar në klasën e 37-të të Galaadit) dhe Vernër Rutke (një ish-mbikëqyrës udhëtues).

Këta vëllezër, me përjashtim të vëllait Franke, i cili vdiq në vitin 1983, shërbejnë akoma në Komitetin e Degës. (Tregimi i jetës së vëllait Konrad Franke jepet në Kullën e Rojës, 15 mars 1963, angl.) Dy vëllezër të tjerë shërbyen për njëfarë kohe përpara se të vdisnin: Egon Petër, nga viti 1978 deri në vitin 1989 dhe Volfgang Krolop, nga viti 1989 deri në vitin 1992.

Sot, Komiteti i Degës ka tetë anëtarë. Përveç atyre tashmë të përmendur, janë Edmunt Anshtat (që nga viti 1978), Petër Mitrega (që nga viti 1989) si edhe Ebërhart Fabian dhe Ramon Tempëlton (që nga viti 1992).

Kur filloi rregullimi i ri lidhur me mbikëqyrjen e degës në vitin 1976, në familjen Bethel në Visbaden të Gjermanisë Perëndimore kishte vetëm 187 vetë. Që nga ajo kohë, numri i personelit është rritur në 1.134 veta, duke përfshirë individë nga 30 kombe. Kjo gjë pasqyron në njëfarë mase aspektet ndërkombëtare të veprës ku dega ka privilegjin të marrë pjesë.

Ndërtesat e shtypjes për të përballuar nevojat në rritje

Në mesin e viteve 70, ndërtesat e degës në Gjermani ishin vendosur në një pjesë të Visbaden e njohur si Kolhek, njëherë e një kohë një rrethinë e qetë në buzë të një pylli, ndërsa tani një pjesë qyteti me një rritje të shpejtë. Tashmë, Shoqata i kishte zmadhuar 13 herë pronat e saj në këtë zonë. Por numri i lajmëtarëve në Gjermaninë Lindore ishte rritur në reth 100.000 vetë. Nevojitej një zyrë më e madhe për të mbikqyrur fushën. Kërkohej një tipografi edhe më ekstensive për të siguruar literaturë biblike. Sigurimi i pronave shtesë për arsye zgjerimi po bëhej shumë i vështirë. Si do të zgjidhej problemi? Komiteti i Degës u lut për drejtimin e Jehovait.

Nga fundi i vitit 1977, anëtarët e sapoemëruar të Komitetit të Degës filluan të konsideronin mundësinë e ndërtimit të një shtëpie të re Bethel në një zonë tjetër. Por, a nevojitej me të vërtetë kjo gjë? Mendimi i përgjithshëm ishte se fundi i sistemit të vjetër duhej të ishte shumë afër. Por, duhej konsideruar edhe një faktor tjetër. Metodat e shtypjes po ndryshonin dhe Shoqata ishte nën presion për t’i adoptuar ato në mënyrë që shtypja në një shkallë të gjerë të vazhdonte gjatë çfarëdo periudhe që mund të mbetej për sistemin e vjetër. Në mënyrë interesante, përvoja e fituar në përballimin e situatës në Gjermaninë Lindore gjatë ndalimit të veprës së Dëshmitarëve të Jehovait në këtë vend, e bëri më të lehtë për vëllezërit në Visbaden që të bënin ndryshime, kur këto u bënë të nevojshme. Si ndodhi kjo?

Vendimi për të përdorur shtypjen ofset

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1961, furnizimi me literaturë i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë Lindore, u bë gjithnjë e më i vështirë. Për ta bërë më të lehtë këtë gjë, për ta u përgatit një botim i veçantë i Kullës së Rojës, në një format më të vogël. Ai përmbante vetëm artikujt e studimit. Prodhimi i këtij lloj botimi kërkonte radhitjen për herë të dytë të artikujve. Shtypja në fletë tepër të holla ishte e vështirë dhe palosja e fletëve të shtypura ishte, gjithashtu, një sfidë. Kur vëllezërit gjetën një makinë palosëse automatike që mund ta bënte këtë punë, zbuluan se ajo ishte prodhuar në Lajpcig të Gjermanisë Lindore, çuditërisht aty ku Dëshmitarët e Jehovait u ndaluan dhe tamam në vendin për të cilin ishte bërë ky botim i Kullës së Rojës, që nuk binte shumë në sy.

Për të thjeshtuar punën, një vëlla që kishte mësuar të bënte shtypje ofset përpara se të vinte në Bethel, sugjeroi riprodhimin e revistave me këtë mënyrë. Artikujt e studimit mund të fotografoheshin, t’u zvogëloheshin përmasat dhe më pas të ekspozoheshin mbi një pllakë ofseti. Një makinë e vogël ofseti me fletë u vu në dispozicion të degës si një dhuratë. Me kalimin e kohës, u bë e mundur të botoheshin jo vetëm artikujt e studimit por e gjithë revista, në fillim bardhë e zi dhe më pas me ngjyra. Në të njëjtën mënyrë u prodhuan edhe libra me format të vogël.

Kur Nathan Knorr, në atë kohë president i Shoqatës Watch Tower, vizitoi në vitin 1975 Visbaden⁠-⁠in, vështroi me kujdes operacionin e punës. «Jo keq»,​—⁠tha ai, pasi shqyrtoi materialin e shtypur. Kur iu shpjegua se ky ishte një botim i veçantë për Gjermaninë Lindore dhe se ishim të kënaqur me metodën e re të prodhimit të tij, vëllai Knorr u përgjigj: «Vëllezërit që po heqin kaq shumë, meritojnë më të mirën që mund t’u japim.» Ai dha menjëherë lejen që të bliheshin makina të tjera për të kryer punën.

Kështu, kur Grant Suiter, anëtar i Trupit Udhëheqës, vizitoi Gjermaninë në vitin 1977 dhe përmendi se prej kohësh Shoqata i kishte kushtuar një vëmendje serioze kalimit në shtypjen ofset dhe se tani kishte vendosur ta bënte këtë në një shkallë të madhe, vëllezërit në Visbaden tashmë kishin njëfarë përvoje në këtë drejtim. Në mënyrë të tërthortë, ndalimi i veprës në Gjermaninë Lindore i kishte përgatitur ata për këtë ndryshim.

Megjithatë, këtu përfshihej më shumë se sa thjesht pranimi i idesë që ishte i nevojshëm një ndryshim në metodat e shtypjes. Vëllai Suitër shpjegoi se do të nevojiteshin makina shtypi më të mëdha e më të rënda. Po ku mund të vendoseshin ato? Të ëndërroje një varg makinash shtypi ofset me ngjyra ishte një gjë dhe ta bëje këtë ëndërr një realitet ishte diçka krejt tjetër. Po shqyrtoheshin disa mundësi për një zgjerim të mëtejshëm në Kolhek, por gjithçka doli e vështirë. Ç’duhej bërë?

Kompleksi i ri i degës

Filloi kërkimi për gjetjen e tokës në një zonë tjetër. Më 30 korrik 1978, rreth 50.000 Dëshmitarë të mbledhur për kongresin në Dyseldorf dhe një shumicë prej pothuaj 60.000 vetësh e mbledhur në Mynih, u njoftuan, për habinë e tyre, se po bëheshin planet për të blerë një tokë mbi të cilën mund të ndërtohej një kompleks dege krejt i ri.

Për gati një vit u shqyrtuan 123 vende. Më në fund u zgjodh toka që gjendej mbi një kodër, nga ku shihej fshati Zeltërs. Me aprovimin e Trupit Udhëheqës, blerja u bë më 9 mars 1979. Bisedimet e mëtejshme me 18 pronarë tokash, bënë të mundur marrjen e 65 parcelave të tjera në tokën aty afër, duke siguruar kështu 30 ha tokë për ndërtime të tjera. I ndodhur rreth 40 km në veri të Visbadenit, Zeltërs ofron lehtësi për transportin. Aeroporti ndërkombëtar Rin⁠-⁠Main i Frankfurtit ndodhej më pak se 65 km larg tij.

Po fillonte projekti më i madh i ndërtimit në historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. A ishim në gjendje ta bënim atë punë? Rolf Noifert, anëtar i Komitetit të Ndërtimit kujton: «Asnjë, përveç vëllait që ishte arkitekti ynë, nuk kishte punuar ndonjëherë në një projekt kaq të madh. Është vështirë të imagjinohet vështirësia e punës. Normalisht, një projekt kaq i madh dhe i ndërlikuar, do të ndërmerrej vetëm nga një zyrë me vite të tëra përvoje dhe me të gjithë ekspertët e nevojshëm.» Por, vëllezërit arsyetuan se nëse Jehovai donte që ta ndërtonin, ai do ta bekonte edhe rezultatin e ndërtimit.

Duheshin marrë dyzetë leje të ndryshme ndërtimi, por nëpunësit e zonës bashkëpunuan me kënaqësi dhe kjo gjë u vlerësua shumë. Vërtet që pati njëfarë kundërshtimi në fillim, por ky erdhi kryesisht nga kleri, i cili organizoi mbledhje për të nxitur kundërshtimin, por më kot.

Dëshmitarë nga i gjithë vendi u ofruan vullnetarisht për të ndihmuar në punën e ndërtimit. Fryma që treguan ishte e jashtëzakonshme. Çdo ditë, në vendin e ndërtimit kishte mesatarisht 400 punëtorë që vinin rregullisht, bashkë me afërsisht 200 punëtorë të tjerë, që vinin në çfarëdo periudhe, duke përdorur pushimet e tyre për të ndihmuar në veprën e ndërtimit. Gjatë katër vjetëve të ndërtimit, 15.000 a më shumë Dëshmitarë ofruan vullnetarisht punën e tyre.

Një vëlla kujton: «Pavarësisht nga moti, pavarësisht nga vështirësitë, ishte ngrohtë ose ftohtë apo madje një i ftohtë i akullt, puna ecte përpara. Nganjëherë, kur të tjerët e mbyllnin punën e tyre, ne sapo e nisnim.»

Ndihma erdhi edhe nga vende të tjera. Madje edhe udhëtimi prej mijëra kilometrash, nuk u duk aq i largët për Xhek dhe Nora Smith, bashkë me vajzën e tyre 15-vjeçare Beki, të cilët erdhën nga Oregon i Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar. Ata ishin në kongresin ndërkombëtar në Mynih kur u bë njoftimi se Shoqata po planifikonte të ngrinte ndërtesat e reja të degës në Gjermani. «Ç’privilegj duhet të jetë të punosh në ndërtimin e një Betheli të ri!»​—⁠thanë ata. Njoftuan se ishin në dispozicion. Xhek kujton: «Ndërsa po merresha me punën për përgatitjen e kongresit në vitin 1979, morëm një kërkesë dhe një ftesë për të ardhur sa më shpejt që ishte e mundur. Ishim kaq të emocionuar, saqë me vështirësi mundëm të përqendroheshim mbi punën apo asamblenë që kishim.»

Për të strehuar punëtorët e ndërtimit, duheshin rimodeluar ndërtesat që tashmë ishin brenda tokës që kishim marrë. Aty nga dimri i vitit 1979/80, ishte kompletuar shtëpia e parë. Në shtator të vitit 1980, u hodh themeli për një shtëpi të re Bethel. Filloi edhe puna për fabrikën e shtypjes dhe kjo tamam në kohë. Makina rotative ofset, 27 metra e gjatë, e porositur në janar të vitit 1978, duhej të dërgohej në fillim të vitit 1982. Deri në atë kohë duhej që shtypshkronja, të paktën pjesërisht, të kishte përfunduar.

Kishte mundësi që shumicën e punës ta bënim vetë. Një vëlla thotë akoma i habitur: «Asnjëri prej nesh nuk kishte pasur ndonjë përvojë pune në një projekt kaq të madh, me një ekip pune që ndryshonte vazhdimisht. Shpesh mendonim se në një aspekt ose një tjetër do të ndaleshim, sepse për disa punë nuk i kishim specialistët e nevojshëm. Por shumë herë, tamam në minutën e fundit, mbërrinte papritur kërkesa nga një vëlla i kualifikuar. Sa herë që dilte nevoja për vëllezër të tillë, ata shfaqeshin.» Ata falenderonin Jehovain për drejtimin dhe bekimin e tij.

Transferimi në Zeltër

Kërkohej një punë e madhe për të transferuar orenditë dhe gjërat personale të rreth 200 anëtarëve të shtëpisë Bethel, për të mos përmendur të gjitha makinat dhe pajisjet e nevojshme për punën e tyre. Ishte një punë shumë e madhe për t’u bërë njëherësh. Gradualisht, çdo herë nga një repart dhe pa ndërprerë punën e ndërtimit, familja Bethel u transferua në Zeltërs.

Ndër të parët që do të transferoheshin ishin ata të repartit të shtypshkronjës, pasi ajo ishte pjesa e parë e përfunduar e kompleksit. Pak nga pak, makinat në Visbaden u çmontuan dhe u çuan në Zeltërs. Ndërkohë, më 19 shkurt 1982, në Zeltërs filloi shtypja me ngjyra, në makinën e re rotative ofset. Çfarë rasti për t’u festuar! Në maj, shtypshkronja në Visbaden heshti. Pas 34 vjetësh, shtypja në Visbaden mori fund.

Puna e parë e madhe për makinën e re ofset ishte shtypja e librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Ishte planifikuar që ky botim i ri të prezantohej në kongresin krahinor të vitit 1982 dhe Gjermanisë i ishte kërkuar që ta prodhonte atë në shtatë gjuhë. Problemi ishte se libralidhësja ndodhej akoma në Visbaden. Në fakt, kaloi më shumë se një vit para se ajo të çohej në Zeltërs. Kështu, pasi një pjesë e librit shtypej në Zeltërs, dërgohej me kamionin e Shoqatës për t’u lidhur në Visbaden. Me gjithë punën shtesë që kërkonte kjo gjë, vëllezërit ia dolën që të shtypnin dhe të lidhnin 485.365 kopje përpara fillimit të kongreseve nga 1.348.582 kopje të bëra në shtypjen e parë, duke u dhënë kështu mundësinë turmave ndërkombëtare në kongreset e mbajtura në vende të ndryshme, që të gëzonin për këtë prezantim të ri.

Kuptohet, pati një përzierje emocionesh në lidhje me transferimin. Për disa anëtarë të familjes Bethel, Visbaden kishte qenë shtëpia e tyre për gati 35 vjet. Por pas pak kohësh, kompleksi i Bethelit në Visbaden u nda dhe iu shit personave të ndryshëm. Vetëm një pjesë e vogël e ish- repartit të libralidhjes u mbajt dhe u rimodelua për t’u bërë një Sallë Mbretërie. Tipike e unitetit të popullit të Jehovait, kjo sallë sot mirëpret katër kongregacione, dy gjermanë, një anglez dhe një rus.

Dita e dedikimit

Pasi kompleksit të Bethelit në Zeltër iu dha dora e fundit, më 21 prill 1984 u mbajt një program dedikimi. Të gjithë ata që kishin marrë pjesë në projekt e ndjenë fort se dora e Jehovait kishte qenë me ta. Ata i ishin drejtuar atij për udhëheqje dhe e kishin falënderuar kur pengesa në dukje të pakapërcyeshme ishin hequr nga rruga. Tani panë dëshmi të qartë të bekimit të tij në këto ndërtesa të përfunduara, që tashmë po përdoreshin për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. (Psal. 127:⁠1) Vërtetë, kjo ishte një kohë gëzimi të veçantë.

Që në fillim të javës, kompleksi ua hapi dyert e tij vizitorëve. Zyrtarë të ndryshëm me të cilët Shoqata kishte pasur lidhje, u ftuan për të vizituar godinat. Të mirëpritur ishin edhe fqinjët. Një vizitor tregoi se kishte ardhur për shkak të pastorit të tij. Ai shpjegoi se vitet e fundit, pastori kishte shfryrë kaq shpesh kundër Dëshmitarëve, saqë i gjithë kongregacioni ishte lodhur së dëgjuari. Të dielën e kaluar, ai i kishte sulmuar ashpër Dëshmitarët, duke e paralajmëruar tufën e tij që të mos e pranonte ftesën e Dëshmitarëve për të shkuar dhe për të vizituar godinat. «Unë isha në dijeni të ftesës suaj,​—⁠shpjegoi vizitori,​—⁠por kisha harruar datën. Nëse pastori nuk do ta kishte përmendur atë të dielën e fundit, me siguri që do të mbetesha pa ardhur.»

Pas vizitave paraprake më në fund erdhi dita e programit të dedikimit. Kur programi filloi me muzikë në orën 9.20 paradite, ç’gëzim qe të merrje vesh se nga 14 anëtarët e Trupit Udhëheqës që ishin në atë kohë, 13 kishin pasur mundësi ta pranonin ftesën për të qenë të pranishëm! Meqenëse ishte e pamundur që të gjithë ata që kishin kontribuar në një mënyrë apo një tjetër në suksesin e projektit të ishin personalisht të pranishëm, u morën masa për t’u lidhur me telefon me 11 vende të tjera në të gjithë shtetin. Në këtë mënyrë një grup prej 97.562 personash mundën të gëzonin programin e shkëlqyer.

Midis të pranishmëve në Zeltërs atë ditë të paharrueshme, ndodheshin shumë nga ata që e kishin provuar besimin e tyre gjatë burgimit në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës II Botërore, bashkë me disa që ishin liruar para pak kohësh pas burgimit në Gjermaninë Lindore. Mes tyre ndodheshin Ërnst dhe Hildegard Seliger. Vëllai Seliger e kishte filluar karrierën e tij në shërbim të plotëkohor tamam 60 vjet më parë dhe bashkë me gruan e tij kanë kaluar më shumë se 40 vjet nëpër burgje dhe kampe përqendrimi nën regjimin nazist dhe atë komunist. Pasi ndoqën programin e dedikimit ata shkruan: «A mund ta imagjinoni se si u ndiem që na u dha mundësia për të ndjekur këtë banket të mrekullueshëm frymor në parajsën tonë frymore? Nga fillimi në fund, ndërsa dëgjoje programin e mrekullueshëm ishte sikur dëgjoje një simfoni hyjnore të unitetit dhe harmonisë teokratike.» (Për hollësira lidhur me provat e besimit që kaluan, shiko Kullën e Rojës, 15 korrik 1975, angl.)

‘Shtëpi për emrin e Jehovait’

Shpesh njerëzit habiten tek i shohin Dëshmitarët e Jehovait që ndërtojnë Salla Mbretërie brenda pak javësh ose ndoshta ditësh, tek ndërtojnë Salla të mëdha Asamblesh me punë vullnetare dhe financojnë me anë të kontributeve vullnetare ndërtimin e komplekseve të Bethelit që kushtojnë miliona dollarë. Banorët e Gjermanisë kanë pasur shumë raste t’i shohin drejtpërdrejtë të gjitha këto aktivitete.

Salla e parë e Asamblesë në Gjermaninë Perëndimore u dedikua në Berlinin Perëndimor, në fillim të viteve 70. Të tjera e pasuan, kështu që aty nga viti 1986, të gjitha asambletë qarkore në Gjermaninë Perëndimore po mbaheshin në salla të pronësuara nga Dëshmitarët.

Ndërsa vëllezërit punonin në këto projekte, bekimi i Jehovait ka qenë i dukshëm. Në Mynih, si rezultat i bashkëpunimit të zyrtarëve të qytetit, toka për një Sallë Asambleje u mor me çmimin më të arsyeshëm që ishte e mundur, në anën tjetër të autostradës, përballë Stadiumit gjigant Olimpik, në kufi me Parkun Olimpik me pamjen e tij të bukur.

U bënë mjaft përpjekje për t’i mbajtur në minimum shpenzimet për pajisjet dhe ndërtimin. Meqenëse një stacion i fuqishëm elektrik po instalohej në një vend tjetër dhe kabinat e çelësave elektrik bashkë me një central telefonik ishin nxjerrë për shitje, vëllezërit mundën t’i blinin ato me një çmim që përbënte më pak se pesë përqind të çmimit fillestar. Shembja e një kompleksi ndërtesash tamam në momentin e duhur, bëri të mundur marrjen e lavamanëve, wc⁠-⁠ve, dyerve dritareve të nevojshme dhe të qindra sahatëve të ujit, kontaktorëve të gazit dhe të tubave të ventilimit me një çmim të arsyeshëm. Pati kursime të mëtejshme sepse bënë vetë karriget dhe tryezat. Për t’iu përmbajtur politikës së zbukurimit të qytetit, vëllezërve iu desh të mbillnin 27 pemë bliri në tokën ku ndodhej Salla e Asambleve. Një fidanishte që po mbyllej kishte tamam numrin e kërkuar të pemëve; secila pemë kishte tamam lartësinë e kërkuar dhe këto u blenë me një të dhjetën e çmimit normal. Pasi Mynihu përfundoi shtrimin e pjesës më të madhe të rrugëve të tij me kalldrëm, tonelata gurësh kalldrëmi u vunë në dispozicion me një çmim shumë të ulët dhe këta u përdorën për të shtruar vendkalimin përreth sallës dhe truallin e parkingut aty afër.

Histori të ngjashme mund të tregohen rreth Sallave të tjera të Asambleve në Gjermani, secila e projektuar në një mënyrë të veçantë dhe me bukurinë e vet. Secila prej tyre është me të vërtetë ashtu siç e përshkroi tempullin në Jerusalem mbreti Solomon mbi 3.000 vjet më parë, «një shtëpi për emrin e Jehovait».​—⁠1. Mbret. 5:⁠5, BR.

Veç kësaj, ndërtimi i Sallave të Mbretërisë përparon me shpejtësi për t’u kujdesur për nevojat e 2.083 kongregacioneve në Gjermani. Tani ka 17 Komitete Rajonale Ndërtimi. Përpara se të formohej komiteti i parë në vitin 1984, Dëshmitarët kishin pronësuar vetëm 230 Salla Mbretërie në të gjithë Gjermaninë. Që nga ajo kohë, deri në gusht të vitit 1998, janë ndërtuar çdo vit mesatarisht 58 salla të reja, më shumë se 1 në javë për 12 vjetët e kaluar.

Edhe në çështjet e ndërtimit, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani shohin përtej kufijve kombëtarë. Ata janë pjesë e një familjeje globale. Më shumë se 40 Dëshmitarë nga Gjermania kanë shërbyer si shërbëtorë ndërkombëtarë, të gatshëm për të marrë pjesë në veprën e ndërtimit, kudo që t’i dërgojë Shoqata dhe për aq kohë sa nevojitet. 242 të tjerë kanë shërbyer në vende të tjera për periudha të ndryshme kohe në projekte të tilla.

Mbikëqyrësit udhëtues kullotin tufën

Një faktor i rëndësishëm në gjendjen frymore të organizatës ka qenë vepra e bërë nga mbikëqyrësit udhëtues. Këta burra janë me të vërtetë kullotës të tufës së Perëndisë. (1. Pjet. 5:​1⁠-⁠3) Ata janë ashtu siç i përshkroi apostulli Pavël, «dhurata në njerëz».​—⁠Efes. 4:⁠8, BR.

Pas Luftës II Botërore, mbikëqyrësit udhëtues i vizitonin kongregacionet, i ndërtonin dhe punonin bashkë me to në shërbimin në fushë. Këtu përfshiheshin vëllezër si Gerhart Oltmans, Zhozef Sharnër dhe Paul Vrobël, të gjithë të pagëzuar në vitin 1925. Gjithashtu, ishin edhe Oto Vule e Maks Zantnër, që ishin pagëzuar gjatë viteve 30.

Kur kishte nevojë, listës së mbikëqyrësve udhëtues i shtoheshin vëllezër të tjerë. Që nga fundi i Luftës II Botërore e deri më sot, në veprën udhëtuese në Gjermaninë Perëndimore kanë marrë pjesë më shumë se 290 vëllezër dhe më shumë se 40 të tjerë në Gjermaninë Lindore. Ata kanë dhënë me të vërtetë aftësitë dhe forcën e tyre për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Për disa kjo do të thoshte që të mos i shihnin shpesh fëmijët e tyre të rritur apo nipërit e tyre. Të tjerët, ndërsa kujdeseshin për caktimet e tyre, planifikonin, gjithashtu, që të kalonin kohë rregullisht me prindërit e tyre të moshuar ose të sëmurë.

Disa prej këtyre shërbëtorëve udhëtues kanë shërbyer në këtë vepër të lodhshme, por shpërblyese për dekada. Për shembull, Horst dhe Gertrud Kretshmër kanë qenë në veprën udhëtuese në të gjithë Gjermaninë, që nga mesi i viteve 50. Vëllai Kretshmër, akoma kujton se kur ishte për një qëndrim të shkurtër në Bethelin në Visbaden, në vitin 1950, Erik Frost i vuri me dashuri dorën mbi sup dhe i tha: «Horst, kurrë mos u shqetëso. Nëse i qëndron besnik Jehovait, ai do të kujdeset për ty. Unë e kam provuar këtë gjë; edhe ti do ta provosh. Mjaft që të jesh besnik.»

Që nga viti 1998, në Gjermani ka 125 vëllezër që po shërbejnë si mbikëqyrës qarkorë ose krahinorë. Këta janë burra të pjekur, të cilët kanë mesatarisht 30 vjet që i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë. Edhe gratë e tyre janë të zellshme në shërbim dhe janë një inkurajim i veçantë për motrat në kongregacionet që vizitojnë.

Mbikëqyrësi udhëtues shkon në Bruklin

Martin dhe Gertrud Poetzinger ishin mjaft të njohur mes popullit të Jehovait në Gjermani. Që të dy i kishin shërbyer me besnikëri Jehovait përpara, gjatë dhe pas regjimit nazist. Pas lirimit nga burgu nazist, kishin rifilluar menjëherë aktivitetin e plotkohor. Për më shumë se 30 vjet, kishin qenë në veprën udhëtuese, duke u shërbyer qarqeve në të gjithë Gjermaninë. Ata kishin fituar dashurinë dhe respektin e mijëra Dëshmitarëve.

Në vitin 1959, vëllai Poetzinger ndoqi klasën e 32⁠-⁠të të Galaadit. Gertrud që nuk dinte anglisht, nuk e shoqëroi por, megjithatë, u gëzua bashkua me të për privilegjin e tij. Të qenët e ndarë nga burri i saj nuk ishte diçka e re. Persekutimi nazist i kishte ndarë ata me forcë për nëntë vjet dhe kjo pas vetëm disa muajsh martese. Tani, kur organizata e Jehovait po u kërkonte që të ndaheshin vullnetarisht për hir të aktivitetit teokratik, ata nuk ngurruan e sigurisht as edhe u ankuan.

Asnjëri nuk i kishte shërbyer ndonjëherë Jehovait për përfitim personal. Ata i kishin pranuar gjithmonë me gatishmëri caktimet teokratike. Megjithatë, për ta qe një surprizë kur në vitin 1977, u ftuan që të bëheshin anëtarë të familjes Bethel në qendrën botërore në Bruklin, Nju Jork, SHBA. Vëllai Poetzinger duhej të bëhej anëtar i Trupit Udhëheqës!

Ata u udhëzuan që të qëndronin në Bethelin në Visbaden, derisa të merrnin dokumentet amerikane. Pritja u doli më e gjatë seç e pritnin, duke u zgjatur për disa muaj. Ndërsa Martini freskonte anglishten e tij, edhe gruaja e tij energjike, Gertrud, e studionte atë. Mësimi i një gjuhe të re nuk ishte një punë e lehtë për një grua në mes të të gjashtëdhjetave. Por të gjithë këtë e bënte për hir të shërbimit ndaj Jehovait!

Disa anëtarë të familjes Bethel në Visbaden që flitnin anglisht, ishin shumë të kënaqur që mund të ndihmonin Martin dhe Gertrud në lidhje me gjuhën. Sa herë që Gertrud ndihej shumë e mërzitur ndërsa studionte anglishten, i shoqi me dashamirësi e këshillonte: «Merre shtruar Gertrud, merre shtruar.» Por, Gertrud nuk arrinte kurrë që «ta merrte shtruar». E gjithë jeta e saj në shërbim të Jehovait ishte karakterizuar nga një angazhim dhe vendosmëri me gjithë shpirt. Me të njëjtën frymë ajo iu kushtua mësimit të gjuhës dhe në nëntor të vitit 1978, sapo u morën vizat me hyrje të përhershme, shoqëroi burrin e saj për në Bruklin.

Megjithëse pati një sërë emocionesh për shkak të nisjes së tyre, vëllezërit në Gjermani u gëzuan bashkë me ta për privilegjin e tyre të ri të shërbimit. Gjithashtu, ishin thellësisht të prekur, kur rreth një dekadë më vonë dëgjuan se më 16 qershor 1988, në moshën 83⁠-⁠vjeçare, Martin e kishte përfunduar rrugën e tij tokësore.

Pas vdekjes së burrit të saj, Gertrud u rikthye në Gjermani, ku shërben si anëtare e familjes Bethel. Ajo akoma nuk «e merr shtruar». Dhe duket se as që do ta marrë ndonjëherë. Përveçse kujdeset për caktimin në Bethel, shpesh Gertrud i harxhon pushimet e saj për të shërbyer si pioniere ndihmëse. (Për më shumë informacion rreth familjes Poetzinger shiko Kullën e Rojës, numrat 1 dhjetor 1969; 1 gusht 1984 dhe 15 shtator 1988.)

Shkollat e veçanta ndihmojnë në përmbushjen e nevojave ndërkombëtare

Që nga viti 1978, pak kohë para se çifti Poetzinger të largohej për në Bruklin, Shkolla e Shërbimit për Pionierë, një kurs dhjetëditor për stërvitje praktike, ka shërbyer për të forcuar pionierët në Gjermani. Çdo vit, shkolla mbahet në qarqet e të gjithë vendit. Ftohen të gjithë ata që kanë shërbyer për të paktën një vit si pionierë të rregullt dhe që nuk e kanë ndjekur më parë këtë kurs. Në fillim të vitit 1998, ishin 16.812 pionierë që e kishin ndjekur shkollën. Përveçse në gjermanisht, sesionet e mësimit janë mbajtur edhe në anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, polonisht, portugalisht, rusisht, serbo⁠-⁠kroatisht, spanjisht dhe turqisht.

Disa që e ndoqën Shkollën e Shërbimit për Pionierë, e bënë këtë pavarësisht nga rrethanat shumë të vështira. Pak më shumë se një javë para se Kristina Amos të ndiqte shkollën, biri i saj u vra në një aksident automobilistik, ndërsa kthehej nga mbledhja për në shtëpi. Nën këto rrethana, a do të nxirrte ajo dobi nga shkolla? Si do t’ia dilte i shoqi, nëse do të lihej vetëm në shtëpi gjatë kësaj periudhe? Ata vendosën që ajo duhej të shkonte në shkollë; angazhimi i mendjes me gjëra frymore do të ishte një bekim. I shoqi u ftua që të punonte në Bethel gjatë kësaj periudhe. Pak pas kësaj, që të dy u ftuan në Zeltërs për të marrë pjesë në veprën e ndërtimit. Kur puna atje përfundoi, ata gëzuan pjesëmarrjen në projektet e ndërtimit në Greqi, Spanjë dhe Zimbabve. Dhe tani, shërbejnë përsëri si pionierë në Gjermani.

Midis atyre që kanë ndjekur Shkollën e Shërbimit për Pionierë, janë disa që kanë arritur ta bëjnë shërbimin e pionierit një karrierë, gjë që ata e konsiderojnë si diçka që i nxit vazhdimisht dhe që u jep kënaqësi të thellë. Ingë Kort, një pioniere që nga viti 1958, thotë: «Shërbimi i plotkohor më ofron një mundësi të veçantë për të treguar çdo ditë dashurinë dhe mirënjohjen time të thellë ndaj Jehovait.» Valtraut Gan që filloi si pioniere në vitin 1959 shton: «Shërbimi si pionier është një mbrojtje në këtë sistem të lig. Fakti që ndjen dorën e Jehovait të sjell lumturi të vërtetë dhe një kënaqësi të brendshme. Vlerat materiale nuk mund të krahasohen me këtë.» Martina Shaks, që shërben si pioniere bashkë me të shoqin, shton: «Shërbimi si pionier është një ‘shkollë për jetën’, pasi më ndihmon që të zhvilloj disa cilësi, të tilla si vetëkontrolli dhe durimi. Si pioniere ndihem shumë afër Jehovait dhe organizatës së tij.» Për të tjerët, shërbimi si pionier doli se ishte një gur kalimi për në shërbimin në Bethel, në veprën misionare ose veprën qarkore.

Për të ndihmuar në plotësimin e nevojave urgjente për më shumë misionarë, në Gjermani, në vitin 1981, u hap një Filial i Shkollës së Galaadit, për ta bërë të mundshëm këtë kurs të shkëlqyer për pionierët që flasin gjermanisht. Pasi kompleksi i ri i Bethelit në Zeltërs nuk kishte përfunduar akoma, dy klasat e para u mbajtën në Visbaden. Pas transferimit në Zeltërs, në këtë vend u mbajtën tri klasa të tjera. Këto pesë klasa, përveç 100 studentëve nga Gjermania, i ndoqën edhe studentë që flitnin gjermanisht nga Luksemburgu, Zvicra dhe Hollanda. Pas diplomimit, studentët u shpërndanë gjithsej në 24 vende të tjera, duke përfshirë vendet në Afrikë, në Amerikën Latine, Evropën Lindore dhe në Paqësor.

Aty nga mesi i viteve 70, kishte 183 shërbëtorë në kohë të plotë nga Gjermania, që kishin ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Nga fundi i vitit 1996, falë Filialit të Shkollës së Galaadit, ky numër arriti në 368. Ç’kënaqësi të dimë se deri në janar të vitit 1997, rreth gjysma e këtyre studentëve, ishin akoma duke shërbyer si misionarë në caktime të huaja! Midis këtyre janë Pol Englër, i cili ka qenë në Tailandë që nga viti 1954; Gynter Bushbek, i cili shërbente në Spanjë nga viti 1962 derisa u caktua në Austri në vitin 1980; Karl Zomish i cili shërbente në Indonezi dhe në Lindjen e Mesme përpara se të transferohej në Kenia; Manfred Tonak, të cilit pas shërbimit në Kenia iu kërkua që të plotësonte nevojën që kishte në Degën e Etiopisë dhe Margaritë Konigër, të cilën shërbimi si misionare gjatë 32 vjetëve të kaluar e çoi në Madagaskar, Kenia, Benin dhe Burkina Faso.

Një tjetër shkollë akoma siguron udhëzim për pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës të pamartuar, Shkolla e Stërvitjes për Shërbëtorë, e cila është mbajtur rregullisht në Gjermani që nga viti 1991. Vëllezër që flasin gjermanisht nga Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Hungaria, Luksemburgu, Hollanda dhe Zvicra, u janë bashkuar atyre nga Gjermania, për të gëzuar stërvitjen e shkëlqyer që ofron shkolla. Pas diplomimit, disa nga studentët kanë marrë përsipër përgjegjësi shtesë, duke u dërguar në Afrikë, Evopën Lindore dhe zona të tjera që kanë nevoja të veçanta.

Në fakt, vetë Shtëpia Bethel dhe shtypshkronja në Zeltërs, dolën, gjithashtu, se ishin një «shkollë» ku vëllezërit u pajisën për të plotësuar nevojat që lindën me hapjen e veprës në Evropën Lindore. Jeta në Bethel u mësoi atyre që të punojnë me të gjitha llojet e njerëzve dhe të kuptojnë se për të kryer punën e tij, Jehovai përdor njerëz të të gjitha llojeve, pavarësisht nga papërsosmëria njerëzore. Vëllezërit që punonin në Repartin e Shërbimit, arritën të vlerësonin se problemet mund të zgjidheshin duke zbatuar vazhdimisht parimet biblike dhe duke ndjekur me kujdes udhëzimet e Trupit Udhëheqës. Ata u mësuan nga vëllezër që edhe nën presione të mëdha, vazhduan të shfaqin frytet e frymës, të tregojnë një qëndrim të ekuilibruar dhe të kenë besim absolut në Jehovain. Çfarë mësimesh të vlefshme për t’u ndarë me vëllezërit e tyre në degët e tjera!

Kapërcimi i një pengese me anë të arsimimit dhe dashurisë

Gjatë dekadës së kaluar, u krye një program mbarëbotëror arsimimi për të forcuar pozitën e Dëshmitarëve të Jehovait lidhur me vendosmërinë e tyre për t’iu bindur ndalimit biblik mbi përdorimin e gjakut. (Vep. 15:​28, 29) Kjo gjë përfshiu kapërcimin e një muri paragjykimesh dhe keqinformimesh. Në lidhje me këtë program, Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore, kishte nisur në Gjermani në vitin 1990. Në nëntor të atij viti, në Gjermani u ndoq një seminar nga 427 vëllezër, shumë prej të cilëve ishin nga Gjermania, ndërsa pjesa tjetër nga nëntë vende të tjera. Kjo gjë e forcoi lidhjen ndërkombëtare. Pleqtë ishin shumë mirënjohës për ndihmën që morën. Një plak nga Manheim vërejti: «Ne u pajisëm për ta bërë të qartë pikëpamjen tonë me vendosmëri dhe me respektin e duhur, por pa u frenuar nga frika.» Një plak që ishte i pranishëm nga Austria tha: «Nuk kam ndjekur kurrë një seminar ku të trajtohej një fushë kaq e gjerë informacioni, në një mënyrë kaq të thjeshtë e të lehtë.»

Që nga ajo kohë janë mbajtur disa seminare të tjera për të udhëzuar të 55 Komitetet e Lidhjes me Spitalet, që janë formuar ndërkohë në Gjermani për t’u shërbyer nevojave të Dëshmitarëve në lidhje me trajtimin mjekësor pa gjak. Puna e bërë nga këto Komitete ka sjellë fryte të mira. Në gusht të vitit 1998, mbi 3.560 mjekë në të gjithë Gjermaninë shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në trajtimin pa gjak të Dëshmitarëve. Në këtë numër përfshiheshin një e katërta e mjekëve që revista Fokus disa vjet më parë i quajti «1.000 mjekët më të mirë në Gjermani».

Në janar të vitit 1996, Komitetet e Lidhjes me Spitalet filluan shpërndarjen e një manuali të bërë posaçërisht për këtë qëllim, Familja dhe shëndeti; Informacion mjeko-ligjor mbi Dëshmitarët e Jehovait. (Ky manual plot dinjitet që është bërë për një përdorim të veçantë nga personeli mjekësor dhe zyrtarët, përmban informacione rreth alternativave të mundshme mjekësore pa gjak. Është bërë një përpjekje e përbashkët që ky libër t’u bjerë në dorë, gjykatësve, punonjësve socialë, mjekëve obstetër dhe pediatër.) Shumica e gjykatësve shprehën çmueshmëri, duke komentuar shpesh rreth cilësisë së lartë të manualit dhe vlerës së tij praktike. Shumë u habitën kur mësuan mbi trajtimet e shumta të mundshme pa gjak, që janë në dispozicion për njerëzit që refuzojnë të bëjnë transfuzione gjaku. Një gjykatës në Nortlingën tha: «Kjo është pikërisht ajo që më duhet.» Një profesor jurisprudence në Universitetin në Zarlend, e përdori materialin e manualit si bazën e një diskutimi dhe provimi me shkrim, për një grup që po bënte një kurs të përparuar në ligjin civil.

Pasi Komitetet e Lidhjes me Spitalet tani veprojnë në të gjithë botën, bashkëpunimi ndërkombëtar për rastet urgjente është bërë i mundur. Në situatat kur disa medikamente rekomandoheshin nga një mjek, por nuk gjendeshin në vendin ku ndodhej i sëmuri, rrjeti ynë ndërkombëtar ndihmonte në gjetjen e tyre dhe i postonte nga Gjermania. Gjithashtu, janë bërë rregullime për vëllezër e motra nga më shumë se një duzinë vendesh që të vihen në kontakt me mjekë bashkëpunues në Gjermani, me synimin për të përcaktuar rregullimet për një trajtim të tillë brenda mundësive të tyre.

Natyrisht, edhe vëllezërit që banojnë në Gjermani përfitojnë nga ky bashkëpunim ndërkombëtar. Në vitin 1995, gjatë një udhëtimi për në Norvegji, një motër pati një aksident dhe u shtrua në spital. Kur mori njoftimin, i biri në Gjermani, kërkoi menjëherë ndihmën e Shërbimit të Informacioneve Shëndetësore. Ata njoftuan zyrën e degës së Norvegjisë. Ditën tjetër, motra u vizitua nga një Dëshmitar norvegjez, i cili për të ndihmuar edhe më shumë, kishte bërë 130 km me makinë, për të marrë një person të interesuar që fliste gjermanisht. Më vonë djali i kësaj motre shprehu çmueshmërinë e tij, duke shkruar: «Çfarë organizimi! Çfarë dashurie! . . . Shpesh fjalët nuk arrijnë të shprehin atë që ndjen një person. Një gjë e tillë është me të vërtetë diçka e rrallë.»

Kështu, me anë të arsimimit dhe dashurisë, është bërë një progres i madh për të kapërcyer një pengesë dikur të vështirë. Tamam para kësaj u hoq edhe një pengesë tjetër.

Papritur, Muri i Berlinit bie!

Befasia e ngjarjes çuditi botën! Njerëzit përreth botës shikonin televizorin. Në Berlin, mijëra vetë festonin me zhurmë të madhe. Pengesa midis Lindjes dhe Perëndimit ishte hequr. Ishte 9 nëntor 1989.

Më shumë se 25 vjet më parë, qytetarët e Berlinit kishin shtangur kur kishin vërejtur zyrtarët e Berlinit Lindor duke ndërtuar në orët e mëngjesit të 13 gushtit 1961, një mur që ndante pjesën nën kontrollin komunist nga pjesa tjetër e qytetit. Berlini po ndahej fizikisht në Berlinin e lindjes dhe atë të perëndimit, duke pasqyruar kështu situatën e kombeve të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Ndoshta më dramatikisht se çdo gjë tjetër, Muri i Berlinit u bë simbol i luftës midis dy superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë.

Më pas, më 12 qershor 1987, tamam më shumë se dy vjet para ngjarjeve të habitshme të vitit 1989, presidenti i SHBA⁠-⁠së, Ronald Regan, tek fliste duke pasur përballë Portën e Brandenburgut dhe pas shpine Murin e Berlinit, kërkoi: «Z. Gorbaçov, hape këtë portë. Z. Gorbaçov, rrëzoje këtë Mur.» Por a kishte ndonjë shenjë se kjo kërkesë do të plotësohej? A ishte kjo diçka më shumë se retorika e Luftës së Ftohtë? Në të vërtetë jo? Jo më vonë se fillimi i vitit 1989, Erik Honeker, kreu i regjimit të Gjermanisë Lindore, tha sikur po i jepte përgjigje kësaj kërkese, se Muri «do të vazhdojë të ekzistojë edhe për 50 apo 100 vjet të tjerë».

Megjithatë, me një befasi të papritur, Porta e Brandenburgut u hap dhe Muri i Berlinit u bë pluhur e hi. Një anëtar i familjes Bethel në Zeltërs kujton se kur u kthye në shtëpi nga mbledhja e kongregacionit, mbrëmjen e së mërkurës më 9 nëntor, ndezi televizorin dhe u ul të shikonte lajmet e fundit të mbrëmjes. Pa iu besuar syve, ndiqte raportet ku thuhej se ishte hapur kufiri midis Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor. Për herë të parë, pas 27 vjetësh, qytetarët e Berlinit Lindor po hynin lirisht në Berlinin Perëndimor! Ai mezi e besonte atë që shihte: makina duke kaluar kufirin, buritë e tyre binin si për festë, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë të Berlinit Perëndimor, disa të ngritur nga shtrati, ecnin drejt kufirit për të formuar vargun dhe zgjateshin për të përqafuar vizitorët e tyre të papritur. Lotët shkonin rrëke. Muri kishte rënë vërtet brenda një nate!

Gjatë 24 orëve të tjera, njerëzit në të gjithë botën e kishin të vështirë të shkëputeshin nga televizori. Këto ishin ngjarje të rëndësishme dhe domethënëse që do të ndikonin mbi të ardhmen. Po ç’do të thoshte e gjithë kjo për Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani? Çfarë do të thoshte për Dëshmitarët në të gjithë botën?

Një Trabi vjen të na vizitojë

Mëngjesin e së shtunës vijuese, pak para orës tetë, ndërsa një vëlla i Bethelit po shkonte të punonte në Zeltërs, takoi një anëtar tjetër të familjes Bethel, Karlhins Hartkopf, që tani shërben në Hungari. I entuziazmuar vëllai tha: «Jam i sigurt se nuk do të kalojë shumë para se vëllezërit e parë nga Gjermania Lindore të mbërrijnë këtu në Zeltërs!» Vëllai Hartkopf, me natyrën e tij zakonisht të qetë e praktike, u përgjigj: «Tashmë janë këtu.» Në fakt, në orët e para të mëngjesit, dy vëllezër kishin mbërritur me makinën e tyre Trabi të Gjermanisë Lindore, me motor dykohësh dhe kishin parkuar jashtë portës së Bethelit, duke pritur që të fillonte dita e punës.

Lajmi u përhap me shpejtësi në të gjithë Bethelin. Por, përpara se të gjithë të arrinin të paktën t’i shihnin dhe përshëndetnin këta vizitorë të papritur, por të mirëpritur, tashmë ata ishin duke u kthyer në Gjermaninë Lindore me makinën e mbushur plot me literaturë. Megjithëse atje literatura ishte akoma zyrtarisht e ndaluar, sikurse dhe vepra e Dëshmitarëve të Jehovait, entuziazmi i momentit ua shtoi guximin vëllezërve. «Duhet të kthehemi për mbledhjen që kemi nesër në mëngjes»,​—⁠shpjeguan ata. Imagjino gëzimin e kongregacionit kur mbërritën këta vëllezër me kutitë e literaturës, që kishte qenë aq e paktë për një kohë kaq të gjatë!

Për disa javë me radhë, mijëra qytetarë të Gjermanisë Lindore vërshuan përtej kufirit për në Gjermaninë Perëndimore, shumë prej të cilëve për herë të parë në jetën e tyre. Dukej qartë se po gëzonin një liri lëvizjeje që nuk e kishin provuar prej shumë kohësh. Në kufi ata ndesheshin me valën e qytetarëve të Gjermanisë Perëndimore. Edhe Dëshmitarët e Jehovait ishin atje, por, duke i përshëndetur vizitorët me diçka më të rëndësishme se vetëm një shfaqje e jashtme e emocionit. Ata u shpërndanin bujarisht literaturë biblike këtyre vizitorëve nga Lindja.

Në disa qytete kufitare, kongregacionet bënë përpjekje të veçanta për të arritur vizitorët nga Gjermania Lindore. Pasi literatura e Dëshmiarëve të Jehovait kishte qenë e ndaluar për dekada, shumë veta dinin pak ose aspak rreth saj. Në vend të aktivitetit shtëpi më shtëpi, filloi të përhapej shërbimi «Trabi më Trabi». Njerëzit ishin të etur të shqyrtonin çdo gjë të re, duke përfshirë edhe fenë. Në disa raste lajmëtarët thjesht thoshin: «Ndoshta nuk i ke lexuar kurrë këto dy revista, sepse ato ishin të ndaluara në vendin tënd për gati 40 vjet.» Përgjigjja që dëgjohej shpesh ishte: «Atëherë, nëse kanë qenë të ndaluara, duhet të jenë të mira. M’i jep.» Dy lajmëtarë, në qytetin kufitar Hof, shpërndanin secili deri 1.000 revista në muaj. Siç mund të pritej, kongregacionet e zonës si edhe ata fqinj, e zbrazën shpejt mallin e mbetur në magazinën e tyre.

Ndërkohë, vëllezërit në Gjermaninë Lindore po gëzonin lirinë e tyre të sapogjetur, megjithëse në fillim disi në mënyrë të matur. Vilfrit Shrotër, i cili e mësoi të vërtetën në periudhën e ndalimit në vitin 1972, kujton: «Gjatë ditëve të para pas rënies së murit, ishte e natyrshme të kishim një çikë frikë se çdo gjë mund të përmbysej papritur.» Më pak se dy muaj më vonë, ai ndoqi një asamble në Sallën e Asamblesë në Berlin. Në lidhje me atë asamble, më vonë ai tregoi: «Isha thellësisht i prekur nga fakti që kisha mundësinë të shoqërohesha me kaq shumë vëllezër. Si edhe shumë të tjerëve, sytë më mbusheshin me lot kur këndonim këngët tona të Mbretërisë. Gëzimi i përjetimit të një ‘asambleje drejtpërdrejtë’ ishte i jashtëzakonshëm.»

Një shprehje e ngjashme çmueshmërie vjen nga Manfret Tamë. Gjatë ndalimit, mbledhjet ishin të vogla dhe nuk kishte nevojë për mikrofona ose altoparlantë. Por tani ai thotë: «Megjithëse kam qenë pionier special për më shumë se 30 vjet, për herë të parë në jetën time po flisja me mikrofon. Më kujtohet akoma se sa u tmerrova kur dëgjova zërin tim që dilte nga altoparlantët.» Megjithatë, thotë ai, «ishte diçka e mrekullueshme të mblidheshe papritur me të gjithë kongregacionin në një sallë të marrë me qira».

Dhe ishte diçka shpërblyese të dëgjoje zëra të tjerë, si ai që dëgjoi Manfret disa muaj më vonë. Ai raporton: «Në janar të vitit 1990, isha në një banjë avulli për trajtim mjekësor. Atje takova ish⁠-⁠përfaqësuesin e ngarkuar me detyrë pranë Forcave të Policisë Kombëtare. Gjatë një bisede miqësore ai tha: ‘Manfred, tani e kuptoj se po luftonim ata që s’duhej.’»

Ushqim frymor me bollëk!

«Njeriu duhet të jetojë, jo vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» Dëshmitarët e Jehovait kudo që janë, e njohin mirë këtë të vërtetë themelore që citoi Jezu Krishti nga Shkrimet e frymëzuara Hebraike. (Mat. 4:​4, BR; Ligj. 8:⁠3) Edhe gjatë viteve të ndalimit, me ndihmën e dashur të vëllazërisë ndërkombëtare, Dëshmitarët në Gjermaninë Lindore merrnin ushqim frymor, por në sasi të kufizuar. Sa dëshironin të kishin bollëkun frymor që po gëzonin vëllezërit e tyre në vendet e tjera!

Sapo ra Muri i Berlinit, disa Dëshmitarë si individë filluan të merrnin me vete sasi literature për në Lindje. Rreth katër muaj më vonë, më 14 mars 1990, Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Demokratike Gjermane iu dha njohja ligjore. Tani Shoqata mund të bënte transportime të drejtpërdrejta të literaturës. Më 30 mars, një kamion që përmbante 25 tonë ushqim frymor u nis nga kompleksi Zeltërs për në lindje. Libri Britanika i Vitit 1991 më pas vërente: «Vetëm brenda dy muajsh, zyra e degës së Shoqatës Watchtower në Gjermaninë Perëndimore transportoi 275 tonë literaturë të bazuar në Bibël, duke përfshirë 115.000 Bibla, vetëm për Gjermaninë Lindore.»

Në atë periudhë, një vëlla nga Lajpcig i shkroi një Dëshmitari tjetër në Gjermaninë Perëndimore: «Një javë përpara po importonim akoma në fshehtësi ushqim frymor në sasi të vogla; shpejt do të shkarkojmë një kamion me katër tonë ushqim frymor!»

«Ngarkesa e parë me literaturë erdhi kaq shpejt,​—⁠kujton Hins Gorlak nga Kemnic,​—⁠saqë mezi u përgatitëm. Pasi mbërriti ngarkesa e parë, me vështirësi arrija të shkoja te krevati, pasi e gjithë dhoma ime e gjumit ishte plot me kuti. Më dukej sikur po flija në një dhomë thesari.»

Edhe vëllezërit në Zeltërs po përjetonin në një farë mënyre atë që do të thoshte situata e re për ata që kishin qenë të ndarë për një kohë kaq të gjatë nga ato gjëra që Dëshmitarët me liri veprimi shpesh i konsideronin si diçka normale. Një mbikëqyrës në repartin e shtypjes tregon: «Një vëlla i moshuar i veshur thjesht qëndroi duke vështruar një nga makinat tona të shtypit. Grupi i tij tashmë kishte vazhduar më tej, por ai qëndroi aty, ende i zhytur në mendime, duke vështruar revistat që vërshonin jashtë makinës me shpejtësi të madhe. Me lot në sy, iu afrua njërit prej vëllezërve; dukej se ishte i prekur thellë. Duke u përpjekur të thoshte diçka me një gjermanishte të çalë, zëri iu mek. Por ne kuptuam buzëqeshjen e tij ndërsa nxori disa fletë letre nga xhepi i brendshëm i xhaketës, të cilat na i dha ne dhe u largua me të shpejtë. Çfarë na kishte dhënë? Një Kullë Roje në rusisht, pothuaj e palexueshme, që ishte kopjuar mbi fletët e një fletoreje shkolle. Sa kohë ishte dashur për ta bërë këtë kopje të revistës? Nuk kishim si ta dinim, por sigurisht qindra herë më shumë se një fraksion sekonde që na duhej neve për të prodhuar një revistë me makinën e shtypit.»

Dëshmitarëve në çdo grup studimi nuk u duhej më të rregulloheshin me ca revista me format të vogël apo të shkruara me dorë, të cilat mund t’i mbanin vetëm për pak ditë. Tani, secili kishte kopjen e tij personale, me ilustrime me ngjyra, përveç kopjeve të tjera që do t’i përdornin në shërbimin në fushë.

Përshtatja ndaj adhurimit hapur

Liria më e madhe paraqiste sfida në vetvete. Predikimi nën ndalimin qeveritar kërkonte guxim. Gjithashtu, ai i mësoi ata që predikonin nën këto kushte të mbështeteshin plotësisht te Jehovai. Megjithatë, pasi u hoq ndalimi, Ralf Shvarts, një plak i krishterë në Limbak⁠-⁠Obërfronë tha: «Ne duhet të jemi më të kujdesshëm që të mos na bëjnë të devijojmë materializmi dhe ankthet e jetës.» Në disa raste, pasi Gjermania Lindore u përfshi në Republikën Federale, në tetor të vitit 1990, familje Dëshmitarësh në Lindje, transferoheshin në lagje me një mënyrë jetese më të thjeshtë, që të mund të paguanin qiranë pa qenë nevoja për të punuar me orar të zgjatur dhe humbur mbledhjet kur qiratë rriteshin.​—⁠Mat. 6:​22, 24.

Edhe gjatë viteve të vështira nën sundimin komunist, vëllezërit kishin vazhduar të merrnin pjesë në shërbimin në fushë. Madje shkonin edhe nga shtëpia në shtëpi, por me maturi, ndoshta duke vizituar një shtëpi në një bllok e pastaj duke shkuar në një tjetër bllok për të vizituar një shtëpi tjetër. Disa e bënë këtë edhe kur rreziku i burgimit ishte në shkallën më të lartë. Martin Jan, i cili s’ishte veçse 11 vjeç kur u vendos ndalimi, shpjegoi disa prej sfidave që po hasnin tani: «Territoret duheshin ribërë të gjithë, në mënyrë që tani lajmëtarët të punonin krejt zonat me shtëpi. Ne ishim mësuar gjatë sistemit të vjetër që të punonim vetëm një numër të caktuar shtëpish ose disa kate. Kjo kishte qenë mënyra normale e të vepruarit për aq kohë sa duhej të ishim të duruar me ata që e kishin të vështirë të përshtateshin. Fakti që literatura nuk jepej më hua, por përkundrazi lihej, ishte diçka e re si për lajmëtarët ashtu edhe për personat e interesuar. Pasi ishim mësuar që ta bënim ndryshe këtë gjë, disa herë lajmëtarët përfundonin me më shumë literaturë në çantat e tyre pas shërbimit se sa kishin në fillim të tij.»

Kishte ndryshime edhe në qëndrimet e njerëzve. Gjatë viteve të ndalimit, shumë njerëz i kishin konsideruar Dëshmitarët e Jehovait si heronj, sepse Dëshmitarët patën guximin që t’i mbronin bindjet e tyre. Kjo gjë bëri që ata të fitonin respektin e tyre. Me fitimin e një lirie më të madhe, shumë veta i mirëpritën Dëshmitarët me njëfarë entuziazmi. Por, brenda disa viteve gjërat ndryshuan. Njerëzit u përpinë nga një mënyrë jetese që është e zakonshme në një ekonomi tregu. Disa prej tyre filluan t’i shihnin vizitat e Dëshmitarëve si diçka që u prishte paqen dhe qetësinë, madje edhe si të mërzitshme.

Dëshmitarët në kohën e ndalimit kishin fituar kurajo. Përshtatja me situatën e re nuk kërkonte më pak vendosmëri. Në fakt, shumë Dëshmitarë janë dakord me atë që ishte thënë nga një mbikëqyrës në një vend të Evropës Perëndimore, ku vepra kishte qenë e ndaluar për një kohë të gjatë, domethënë: «Është më e lehtë të veprohet në kohë ndalimi se në kohë lirie.»

Kundërshtimi nuk arrin ta ngadalësojë veprën

Megjithëse predikimi i lajmit të mirë në Gjermaninë Lindore filloi me forca të përtërira, kleri i të ashtuquajturit krishterim në fillim nuk u bë merak për këtë gjë. Por, kur u bë e dukshme se njerëzit po i dëgjonin me të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait, shqetësimi i tij u rrit. Sipas dȯitʹshës algëmiʹnës sȯnʹtagsblat, një ministër nga Dresden që e konsideronte veten si ekspert në fushën e feve pohoi se «Dëshmitarët e Jehovait janë si Partia Komuniste». Kështu që tani, në vend se tani të thoshin se Dëshmitarët ishin spiunë amerikanë kundër komunizmit, sikurse kishte bërë kleri gjatë viteve 50, po përpiqeshin t’i lidhnin Dëshmitarët me komunistët. Sigurisht, njerëzit që e dinin se Dëshmitarët kishin qenë të ndaluar për 40 vjet nga qeveria komuniste, e kuptonin se kjo ishte një paraqitje e shtrembëruar trashanike.

Cili ishte objektivi? Kleri shpresonte që Dëshmitarët e Jehovait të ndaloheshin përsëri, ashtu siç kishte ndodhur në kohën e nazizmit e më pas nën sundimin komunist. Megjithëse disa elementë fetarë, të përkrahur nga forcat apostate, u orvatën t’i pengonin Dëshmitarët e Jehovait që të gëzonin liritë e mbrojtura me kushtetutë, Dëshmitarët po shfrytëzonin plotësisht të gjitha mundësitë për të dhënë dëshmi, ashtu si kishte urdhëruar Jezu Krishti.​—⁠Marku 13:⁠10

Disa nga ata që përqafuan të vërtetën

Midis atyre që iu përgjigjën mesazhit të Mbretërisë, ishin disa që kishin qenë zhytur thellë në sistemin e vjetër. Për 38 vjet, Egon kishte qenë polic në Gjermaninë Lindore. Ai nuk ishte aspak i kënaqur kur gruaja e tij filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, atij i bëri përshtypje sjellja e tyre miqësore, me dashuri dhe disiplinë, si edhe artikujt në kohën e duhur të revistës Zgjohuni!, që ata sillnin shpesh në shtëpinë e tij. Kur ndoqi një asamble speciale njëditore me gruan e tij, shtangu kur u gjend ballë për ballë me një vëlla që ai dikur e kishte arrestuar. Mund të merret lehtë me mend që u ndie në siklet, po, madje fajtor. Por, pavarësisht nga e kaluara, midis të dyve u zhvillua miqësia. Tani, si Egon, ashtu dhe gruaja e tij, janë Dëshmitarë të pagëzuar.

Për 19 vjet, Gunter kishte qenë anëtar i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit dhe ishte ngritur në rangun e majorit. I mërzitur dhe i zhgënjyer pas rënies së sistemit për të cilin kishte punuar kaq kohë, takoi Dëshmitarët për herë të parë në vitin 1991. Atij i bëri përshtypje sjellja e tyre dhe kuptueshmëria që treguan ndaj tij dhe problemeve të tij. U fillua një studim biblik dhe megjithëse ishte ateist, më në fund u bind se Perëndia ekziston. Aty nga viti 1993 ishte gati për t’u pagëzuar. Sot është i lumtur ndërsa punon në përkrahje të Mbretërisë së Perëndisë.

Një burrë tjetër, që nuk besonte në Perëndinë dhe që ishte plotësisht i bindur se komunizmi ishte shpresa e vetme për njerëzimin, pa e vrarë fare ndërgjegjja kishte depërtuar në organizatën e Jehovait, me qëllim që t’i jepte Shërbimit të Sigurimit të Shtetit informacione rreth aktivitetit të tyre. Pas «pagëzimit» në vitin 1978, bëri një jetë të dyfishtë për dhjetë vjet. Por tani pranon: «Sjellja e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilën e përjetova drejtpërdrejt dhe një studim i librave Krijimi dhe Kulmi i Zbulesës, më bindën se shumë nga ato që thonë armiqtë rreth Dëshmitarëve nuk janë të vërteta. Provat e ekzistencës së një Krijuesi janë të fuqishme.» Pak para rënies së Murit të Berlinit, ai u ndodh përballë një vendimi të vështirë: ose të gjente një justifikim për t’u larguar nga populli i Jehovait dhe të vazhdonte të mbështeste një sistem tek i cili nuk besonte më, ose të pranonte se kishte qenë një tradhëtar e më pas të bëhej një shërbëtor i vërtetë i Jehovait. Ai zgjodhi këtë të fundit. Pendimi i tij i sinqertë çoi në një studim biblik dhe në një pagëzim të dytë, këtë herë të bazuar në njohurinë e saktë dhe në një dedikim të vërtetë.

Tani ata mund të tregonin për këtë

Pas heqjes së ndalimit, Dëshmitarët nga Lindja mund të flisnin më lirisht rreth përvojave të tyre nën sundimin komunist. Gjatë ceremonisë së dedikimit të një ndërtese administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Berlin, më 7 dhjetor të vitit 1996, disa pleq që kishin luajtur një rol jetësor për ta mbajtur të fortëe tufën në Gjermaninë Lindore të fortë frymësisht, sollën ndër mend të kaluarën.

Volfgang Mize, Dëshmitar prej 50 vjetësh, kujton se çfarë kishte ndodhur në qershor të vitit 1951, kur ai ishte 20 vjeç. Në një gjyq të hapur publik, ai u dënua me katër vjet burg. Ndërsa atë dhe disa vëllezër të tjerë të shpallur fajtorë po i shoqëronin jashtë sallës së gjyqit, rreth 150 Dëshmitarë që ishin, gjithashtu, të pranishëm në proces, i rrethuan ata, lidhën duart dhe filluan të këndonin një këngë Mbretërie. Njerëzit fusnin kokën nëpër dritaret e sallës së gjyqit, duke u përpjekur të shihnin se ç’po ndodhte. Nuk ishte kjo mbresa që autoritetet donin të linin në mendjen e publikut. Me këtë iu dha fund këtyre gjyqeve⁠-⁠shfaqje për Dëshmitarët.

Egon Ring kujton se gjatë ditëve të para të ndalimit, artikuj të veçantë të Kullës së Rojës shtypeshin me gjashtë deri nëntë letra kopjative. «Për të pajisur kongregacionet me ushqim frymor, një vëlla nga Berlini Perëndimor, që ishte shofer kamioni dhe që bënte rrugën vajtje-ardhje nga Berlini Perëndimor në Gjermaninë Lindore, u vu në dispozicionin tonë. ‘Ushqimi’ transportohej me shpejtësi, brenda vetëm tri ose katër sekondash, kohë gjatë së cilës dy arinj pellushi me të njëjtën madhësi transportoheshin, gjithashtu, nga njëri automjet në tjetrin. Me të mbërritur në shtëpi, ‘u boshatisej’ stomaku për të zbuluar mesazhet e rëndësishme dhe informacionin rreth takimeve të reja.»​—⁠Krahaso Ezekielin 3:⁠3.

U treguan përvoja lidhur me guximin e treguar nga korrierët që merrnin literaturë në Berlinin Perëndimor dhe e futnin atë kontrabandë në Gjermaninë Lindore, përpara se të ndërtohej muri. Sigurisht, ekzistonte mundësia që një ditë hyrja në Berlinin Perëndimor të ndalohej. Për të diskutuar pikërisht mbi këtë mundësi, në një mbledhje që do të mbahej më 25 dhjetor 1960, u ftuan një numër vëllezërish nga Gjermania Lindore. Vëllai Maizë deklaroi: «Dukej që kjo gjë u bë nën drejtimin e Jehovait, pasi më 13 gusht 1961, kur muri u ndërtua papritur, organizata jonë ishte e përgatitur.»

Herman Laube tregoi se për herë të parë kishte rënë në kontakt me të vërtetën, kur ishte rob lufte në Skoci. Kur u kthye në shtëpi në Gjermaninë Lindore, pasi ndalimi kishte hyrë në fuqi, kuptoi nevojën e furnizimit të vëllezërve me sa më shumë ushqim frymor që ishte e mundur. Kështu, Dëshmitarët ndërmorën aktivitetin e tyre të shtypjes, duke përdorur një makinë shtypi të improvizuar. «Por pa letër edhe makina më e mirë s’ka vlerë»​—⁠vërejti vëllai Laube, duke kujtuar ditën kur i thanë se kishte letër edhe sa për tre numra të tjerë. Po tani?

Vëllai Laube vazhdoi: «Disa ditë më vonë, dëgjuam dikë që i binte ullukut të çatisë së shtëpisë. Ishte një vëlla nga Bautzen, i cili tha: «Ti je tipograf. Disa rrotulla letre gazete ndodhen në një vend mbeturinash në Bautzen; janë rrotulla që kanë mbetur nga një shtypshkronjë gazetash, të cilat kanë ndërmend t’i groposin. A mund t’i përdorni ato?’»

Vëllezërit nuk humbën kohë. «Që atë natë u bëmë një grup dhe u nisëm për në Bautzen. Jo, nuk ishin vetëm disa rrotulla, por pothuajse dy tonë letër! Dukej gati e pabesueshme që makinat tona rrangalle të mund ta transportonin letrën, por kjo gjë u bë brenda një kohe të shkurtër. Tani kishim mjaft letër për të vazhduar punën, derisa Shoqata të na pajiste me botimet me format të vogël, për shtypjen e të cilave përdorej letër e hollë.»

Rrethanat kërkonin kujdesin më të madh për të mbajtur të fshehtë identitetin e anëtarëve të tufës. Ralf Hintërmië kujtonte: «Njëherë, pasi kisha takuar vëllezërit, më kapën dhe më çuan në një ndërtesë për të më marrë në pyetje. Me vete kisha disa pusulla që përmbanin adresa dhe informacione të tjera. Sapo mbërritëm, na u desh të ngjitnim një shkallë me dredha. Kjo gjë më dha mundësinë që t’i gëlltitja pusullat. Por, pasi ishin shumë, kërkohej njëfarë kohe për ta bërë këtë. Në majë të shkallëve, nëpunësit e kuptuan se ç’po bëja dhe më zynë për fyti. Edhe unë i vura duart mbi grykë dhe belbëzova: ‘Ja, më në fund i kapërdiva.’ Kur dëgjuan këtë më liruan, gjë që më dha mundësinë për të mbaruar me të vërtetë gëlltitjen e tyre, duke qenë se tani ishin më të vogla dhe të njomura.»

Horst Shloisnër hyri në të vërtetën nga mesi i viteve 50, kur persekutimi ishte në kulmin e tij, prandaj e dinte se për çfarë fliste kur tha: «Pa dyshim, Perëndia Jehova i mbrojti me dashuri shërbëtorët e tij gjatë ndalimit, që zgjati pothuajse 40 vjet.»

Festimi i fitores në Berlin

Pas asaj periudhe të shtypjes komuniste që kaluan, ishte me vend që vëllezërit të festonin. Mbi të gjitha, ata dëshironin me zjarr që në një asamble publike t’i shprehnin Jehovait mirënjohjen e tyre që tani u ishte dhënë mundësia për t’i shërbyer atij me një liri më të madhe.

Sapo ra Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989, Trupi Udhëheqës dha udhëzime që të fillonte bërja planeve për mbajtjen e një kongresi ndërkombëtar në Berlin. Menjëherë u krijua një grup për organizimin e kongresit. Grupi planifikoi që të mblidhej mbrëmjen e 14 marsit 1990, për të diskutuar lidhur me rregullimet që duheshin bërë për kongresin. Helmut Martin kujton akoma kur mbikëqyrësi i emëruar i kongresit, Ditrih Forster, i kërkoi që t’i njoftonte vëllezërit e mbledhur se mëngjesin e asaj dite, Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë Lindore u ishte dhënë njohja ligjore. Po, ndalimi ishte hequr zyrtarisht!

Pasi kongresi po planifikohej në këtë datë pak a shumë të vonshme, Stadiumi Olimpik nuk ishte më në dispozicion gjatë ndonjë fundjave. Kështu, kongresi u planifikua për të martën deri të premten, nga 24 deri më 27 korrik. Kur erdhi koha për të hyrë, vëllezërit kishin vetëm një ditë kohë për të përgatitur ambientin dhe vetëm disa orë për të çmontuar gjithçka pas Kongresit.

Kështu, të martën më 23 korrik, qindra vullnetarë ishin tashmë në stadium në orën pesë të mëngjesit. Grigor Rikart, anëtar i familjes Bethel në Zeltërs kujton se «ata nga Gjermania Lindore iu futën punës me entuziazëm, thua se po e bënin këtë gjë prej vitesh». Një nëpunës i stadiumit më vonë tha se ishte i kënaqur që «për herë të parë, stadiumit iu bë një pastrim i plotë».

Gati 9.500 gjermano⁠-⁠lindorë udhëtuan për të shkuar në kongres, hipur nëpër 13 trena të marrë me qira. Të tjerët erdhën me 200 autobusë të marrë me qira. Një plak kongregacioni tregon se kur po bënte rregullimet për një nga trenat e marrë me qira, i tha nëpunësit të hekurudhës se tre po planifikoheshin vetëm nga zona Dresden. Nëpunësi hapi sytë me habi, ndërsa pyeste: «A ka me të vërtetë kaq shumë Dëshmitarë të Jehovait në Gjermaninë Lindore?

Për ata që udhëtuan me trenat e marrë me qira, kongresi filloi kur s’kishin mbërritur akoma në Berlin. «Ne u mblodhëm në stacionin hekurudhor në Kemnic, për të hipur në trenin e rezervuar për ne»,​—⁠kujton Haralt Pasler, një plak nga Limbak⁠-⁠Oberfrona. «Udhëtimi për në Berlin ishte i paharrueshëm. Pas shumë vitesh ndalimi, gjatë të cilave e vazhduam aktivitetin tonë fshehurazi në grupe të vogla, u bë papritur e mundur të shihnim kaq shumë vëllezër njëherësh. Gjatë gjithë udhëtimit, shkonim nëpër dhoma të ndryshme të trenit, duke folur me vëllezërit që nuk i kishim parë prej vitesh, po, madje prej dekadash. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm ribashkimi. Të gjithë, tani ishin disa vjet më të mëdhenj, por kishin qëndruar me besnikëri. Ne përshëndeteshim në stacionin në Berlin⁠-⁠Liktenberg dhe drejtoheshim nga altoparlantët në pika të ndryshme grumbullimi, ku na pritnin vëllezërit tanë të Berlinit me tabela të mëdha. Çfarë përvoje krejtësisht e re kjo dalje nga gjendja anonime! Personalisht provuam atë që deri në atë moment e kishim lexuar apo dëgjuar: Me të vërtetë jemi një vëllazëri e madhe ndërkombëtare!»

Në fakt, për shumë Dëshmitarë ky ishte kongresi i tyre i parë. «Ishim të gjithë të emocionuar kur morëm ftesën»,​—⁠kujton Vilfrid Shrodër. Meqenëse ai u dedikua në vitin 1972, kur vepra ishte e ndaluar, mund t’i kuptojmë ndjenjat e tij. «Ne prisnim në mënyrë të ethshme javë më përpara. Kurrë nuk kisha përjetuar diçka të tillë, ashtu si edhe shumë vëllezër të tjerë. Ishte krejtësisht e pabesueshme që të shihnim një vëllazëri ndërkombëtare të mbledhur së bashku në një stadium të stërmadh.»

Sa shpesh kishin dashur vëllezërit që jetonin në Berlinin Lindor, të udhëtonin disa kilometra përtej qytetit , për të shkuar aty ku mblidheshin në kongres vëllezërit e tyre! Tani së fundi, mundnin!

Ishin të pranishëm gati 45.000 vetë nga 64 vende. Midis tyre ishin shtatë anëtarë të Trupit Udhëheqës. Ata kishin ardhur të gëzoheshin me vëllezërit e tyre të krishterë, të ardhur nga Gjermania Lindore, në këtë rast shumë të rëndësishëmmadhështor. Pikërisht në këtë stadim, Rajhu i Tretë ishte përpjekur t’i përdorte Lojërat Olimpike në vitin 1936 për t’i bërë përshtypje botës me arritjet e tyre. Tani, stadiumi kumboi edhe një herë nga një duartrokitje e stuhishme, por këtë herë jo më në lavdi të atletëve apo nga krenaria kombëtare. Këta ishin anëtarë të një familjeje me të vërtetë të lumtur ndërkombëtare të popullit të Jehovait dhe duartrokitja e tyre ishte në shenjë mirënjohjeje ndaj Jehovait dhe në shenjë çmueshmërie për të vërtetat e çmuara në Fjalën e tij. Në këtë rast, 1.018 vetë u paraqitën për t’u zhytur në ujë, shumica e tyre njerëz që e kishin mësuar të vërtetën në Gjermaninë Lindore gjatë ndalimit.

Ndër të pranishmit, ata që ndoshta mund t’i kuptonin më mirë ndjenjat e vëllezërve nga Gjermania Lindore, ishin gati 4.500 delegatët entuziastë nga Polonia, një vend fqinj i Gjermanisë Lindore. Edhe ata kishin duruar shumë vite ndalimi dhe vetëm kohët e fundit kishin përjetuar kongresin e tyre të parë të madh pas shumë vitesh. Një Dëshmitar polak, më vonë shkroi: «Vëllezërit nga Polonia e çmojnë shumë frymën e sakrificës së fqinjëve të tyre, Dëshmitarëve të Gjermanisë Perëndimore, të cilët u siguruan atyre strehim, ushqim dhe transport falas për të shkuar dhe për të ardhur në vendin e kongresit, pa të cilat do të kishte qenë e pamundur për shumë prej nesh që të vinim.»

Vëllezërit nga Gjermania Perëndimore, për të cilët ishte i zakonshëm gëzimi i kongreseve në kohë lirie, ishin megjithatë thellësisht të prekur. «Të ngrohej zemra të shihje disa nga vëllezërit tanë besnikë të moshuar, disa prej të cilëve të persekutuar jo vetëm gjatë 40 vjetëve të sundimit komunist, por edhe gjatë Rajhut të Tretë, të ulur në vendet e rezervuara ku dikur uleshin Adolf Hitler dhe personalitetet e tjera naziste»,​—⁠komentoi Klaus Feige i familjes Bethel në Zeltërs. Kjo pjesë e zgjedhur e stadiumit ishte rezervuar me dashuri për personat e moshuar dhe të paaftë fizikisht. Ç’simbol i goditur i Mbretërisë së Perëndisë, tani triumfuese mbi forcat politike që kishin komplotuar ta ndalonin marshimin e saj drejt fitores përfundimtare.

Sigurimi i vendeve për t’u mbledhur

Menjëherë pas heqjes së ndalimit në Gjermaninë Lindore, u morën masa që vëllezërit në këtë vend të përfitonin nga programi i rregullt i asambleve që gëzonin shërbëtorët e Jehovait në të gjithë botën. Madje, përpara se qarqet të riorganizoheshin plotësisht, kongregacionet u ftuan që të ndiqnin në Gjermaninë Perëndimore asambletë speciale njëditore dhe asambletë qarkore. Në fillim, lajmëtarët që ishin të pranishëm u ndanë në mënyrë të barabartë midis atyre nga Gjermania Perëndimore dhe atyre nga Gjermania Lindore. Kjo gjë e forcoi lidhjen vëllazërore dhe u dha mundësi edhe vëllezërve të Gjermanisë Lindore që të mësonin procedurat e kongresit duke bashkëpunuar me vëllezërit e tyre nga Gjermania Perëndimore.

Ndërsa qarqet merrnin formë, ata të Lindjes u ftuan të përdornin Sallat e Asambleve që tashmë ekzistonin në Gjermaninë Perëndimore. Pesë prej tyre që gjendeshin në Berlin, Mynih, Bukënbah, Molbergen dhe Trapënkamp ishin afër kufirit të mëparshëm, gjë që e bënte të mundshme përdorimin e tyre. Megjithatë, puna për një Sallë Asambleje në Gjermaninë Lindore filloi menjëherë. Kjo sallë që gjendet në Glaukau, pranë Dresdenit, u dedikua më 13 gusht 1994 dhe sot është Salla më e madhe e Asamblesë së Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, me 4.000 vende.

Vëmendje iu kushtua edhe ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Këto nuk lejoheshin në Republikën Demokratike Gjermane, por tani nevojiteshin për t’u kujdesur për më shumë se 20.000 Dëshmitarë në këtë zonë. Mënyra se si u bë vepra e ndërtimit, i bëri të tjerët që të habiten.

Në lidhje me ndërtimin e Sallës së Mbretërisë në Stavënhagën, një gazetë shkroi: «Mënyra dhe shpejtësia me të cilën po ngrihej ndërtesa, tashmë i kanë lënë të habitur një numër shikuesish kuriozë. . . . Ndërtesa u ngrit nga rreth 240 ndërtues të kualifikuar me 35 zanate, të gjithë vullnetarë dhe Dëshmitarë të Jehovait. Të gjithë pa pagesë, në fund të javës.»

Një gazetë tjetër shkroi lidhur me ndërtimin e një salle në ishullin Rugën të Detit Balltik, në qytetin Zagart: «Gati 50 burra dhe gra, plot gjallëri si bletët, po përgatitin themelin e ndërtesës. Por gjërat nuk janë tensionuese. Atmosfera është jashtëzakonisht e qetë dhe miqësore. Pavarësisht nga shpejtësia e dukshme me të cilën punojnë, asnjë nuk duket nervoz apo nuk i flet ashpër punëtorit tjetër, siç ndodh në shumicën e vendeve të ndërtimit.»

Nga fundi i vitit 1992, ishin ndërtuar shtatë Salla Mbretërie dhe po përdoreshin nga 16 kongregacione. Rreth tridhjetë të tjera ishin në fazën e planifikimit. Në vitin 1998, më shumë se 70 përqind e kongregacioneve në ish-Gjermaninë Lindore po mblidheshin tashmë në Sallat e tyre të Mbretërisë.

Kongrese entuziazmuese ndërkombëtare

Ndërsa kufizimet qeveritare në Evropën Lindore po hiqeshin nga njëri vend në tjetrin, Trupi Udhëheqës mori masa që në këto vende të mbaheshin kongrese. Këto ishin raste ndërtimi frymor, raste ku jepej inkurajim për të mbajtur mirë në qendër të vëmendjes veprën që Perëndia u ka caktuar për të kryer shërbëtorëve të tij. (Mat. 6:​19⁠-⁠24, 31⁠-⁠33; 24:14) Meqenëse shumë prej Dëshmitarëve në këto vende, për vite të tëra ishin mbledhur vetëm në grupe të vogla, këto kongrese u dhanë mundësi që të njihnin Dëshmitarë të tjerë dhe të inkurajoheshin nga fakti që Jehovai e kishte bekuar qëndrueshmërinë e tyre besnike. Ishin ftuar edhe delegatë nga vendet e tjera, kështu që vëllezërit mundën të përjetonin në masën më të plotë vëllazërinë ndërkombëtare ku bëjnë pjesë edhe vetë. Midis këtyre delegatëve kishte shumë nga Gjermania. Një numër i madh prej tyre morën pjesë në kongreset ndërkombëtare që u mbajtën nga viti 1989 deri në vitin 1993 në Poloni, Hungari, Çekosllovaki dhe në ish⁠-⁠Bashkimin Sovjetik.

Një ditë para kongresit ndërkombëtar të vitit 1991 «Dashurues të lirisë hyjnore», mbajtur në Pragë, që sot është Republika Çeke, gazeta Lidovë novini, raportoi mbi punën e shkëlqyer të bërë nga një skuadër prej rreth 40 Dëshmitarësh, për të instaluar «pajisjet e akustikës që ua kishin dhënë hua ‘vëllezërit e tyre gjermanë’». Këta vëllezër jo vetëm që u dhanë hua mikrofonat dhe altoparlantët, por morën pjesë edhe në skuadrën që i instaloi ato. Ata ishin të lumtur që në këtë mënyrë mund të ndanin me vëllezërit e tyre çekë, atë përvojë që kishin fituar gjatë zhvillimit për dekada të kongreseve. Ndonëse numri i delegatëve gjermanë në kongreset ndërkombëtare, në shumicën e rasteve kufizohej në disa qindra vetë, në këtë kongres mbajtur në Pragë ishin ftuar 30.000 delegatë. Ç’kongres i mrekullueshëm që ishte!

Ditër Kabus, që kishte shërbyer si mbikëqyrës krahinor në Çekosllovaki në vitin 1955 dhe që ishte i pranishëm në këtë kongres si delegat nga Gjermania, shkroi: «Kur u prezantua Përkthimi Bota e Re [tani i shtypur në shtypshkronjën e Shoqatës], i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe shpërtheu në një duartrokitje që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Të gjithë përqafoheshim me njëri⁠-⁠tjetrin; mijëra veta derdhnin lot gëzimi pa pasur fare turp. Ne kujtuam kohën në burg, kur 16 vëllezër kishim vetëm një Bibël. Shumë vetë qëndruan një orë apo më shumë pas përfundimit të programit, duke kënduar këngë dhe duke gëzuar shoqërinë e mrekullueshme.»

Një vit më pas, në 1992⁠-⁠shin, delegatët gjermanë ishin të pranishëm edhe në kongresin ndërkombëtar që u bë në S. Pjetrograd, Rusi. Disa delegatë mund të sjellin ndërmend se jo çdo gjë shkoi vaj, të paktën në lidhje me strehimin e delegatëve gjermanë. Por edhe kjo gjë rezultoi në një dëshmi. Kur lindi nevoja që një grup delegatësh të transferoheshin nga një hotel në një tjetër pas një njoftimi të papritur, përkthyesit rus 50⁠-⁠vjeçar të grupit i bëri kaq përshtypje sjellja e Dëshmitarëve, saqë bërtiti: «Ju nuk jeni normalë; ju as bërtisni e as mërziteni!» Por, ajo që u interesonte më shumë këtyre delegatëve, ishte fryma e treguar nga vëllezërit dhe motrat e tyre të dashur rusë. Pas kongresit, një delegat gjerman shkroi: «Nuk mund të përshkruhet me fjalë se sa e çmuan vëllezërit programin. Pa Bibla, pa librat e këngëve [në atë kohë, që të dyja këto ishin në një sasi të kufizuar në Rusi], ata dëgjonin gjithë sy e veshë atë që Jehovai kishte për t’u thënë.»

Një vit më pas, mbi 1.200 Dëshmitarë gjermanë ndoqën kongreset ndërkombëtare në Moskë, Rusi dhe në Kiev, Ukrainë. Sa gjëra emocionuese kishin për të treguar kur të ktheheshin në shtëpi! Midis delegatëve ishte Titi Toibnër, një mbikëqyrës udhëtues që nga viti 1950, i cili tha: «I kisha premtuar gruas sime se nëse vepra do të hapej ndonjëherë në Lindje, do të isha midis atyre që do të ndiqnin kongresin e parë në Moskë.» Pasi e bëri vërtet këtë në vitin 1993, tha: «Dukej pothuaj një mrekulli që mund të shpërndaja revista mbi qeverinë hyjnore në Sheshin e Kuq.» Një delegate, shkroi: «Ne e ndoqëm këtë kongres për të inkurajuar vëllezërit tanë rus dhe sigurisht e bëmë këtë. Por nga ana tjetër, edhe vëllezërit tanë rus na inkurajuan në mënyrë të mrekullueshme me anë të shembullit të tyre të dashurisë, mirënjohjes, besnikërisë dhe çmueshmërisë.»

Anëtarët e familjes Bethel në Zeltërs, nuk mund të mos ishin mirënjohës për privilegjin që kishin për t’u shërbyer këtyre vëllezërve dhe motrave besnikë. Çmueshmëria për këtë privilegj u thellua më shumë kur ata dëgjuan raporte nga kamionistët e Bethelit, që u kthyen pas shpërndarjes së literaturës në vendet e tjera dhe që treguan për padurimin me të cilin i kishin pritur, për gëzimin e vëllezërve që patën mundësinë të merrnin pjesë në shkarkimin e pajisjeve, edhe pse natën vonë dhe për lutjet në grup të ofruara nga vëllezërit përpara se t’i përshëndetnin me dorë kur po largoheshin.

Më shumë ndërtesa: Për të përmbushur nevojat urgjente

Në Evropën Lindore ndalimi po hiqej nga njëri vend në tjetrin. Po mbaheshin kongrese të mëdha. Predikimi i lajmit të mirë po përshpejtohej. Kërkesa për literaturë biblike që të plotësoheshin nevojat në këtë pjesë të fushës, po rritej me shpejtësi. Si mund të plotësohej ajo? Dega në Gjermani u ftua që të luante një rol të mëtejshëm.

Tashmë, në vitin 1988, përpara se të binte Muri i Berlinit, Trupi Udhëheqës autorizoi një zgjerim prej 50 përqind të ndërtesave të degës në Gjermani. Në fillim, Komiteti i Degës e pati të vështirë të kuptonte se përse nevojitej një zgjerim i tillë. Një kompleks i madh krejt i ri ishte dedikuar vetëm katër vjet më parë. Megjithatë, vëllezërit i bënë kërkesën nëpunësve të qeverisë lokale. Vëllai Rutke kujton: «Kur paraqitëm planet tona, drejtuesi i komisionit të ndërtimit për Zeltërsin më tha gati si me përshpërimë: «Ju këshilloj ta ndërtoni sa më të madhe që është e mundur, sepse autoritetet nuk do t’ju japin kurrë më leje për të zgjeruar përsëri.’ Kjo na bëri të mendonim.» Lumturisht, brenda pak muajsh u mor leja nga të gjitha zyrat e qeverisë dhe zgjerimi i propozuar fillimisht u rrit nga 50 përqind në 120 përqind!

Ndërtesa e sotme filloi të ndërtohej në janar të vitit 1991. Por, me sa dukej, jo të gjithë vëllezërit dhe motrat ishin të bindur për këtë nevojë, gjë që u duk nga një përgjigje e ngadalshme ndaj njoftimeve mbi nevojën për punëtorë të kualifikuar si dhe nga një mbështetje e kufizuar financiare. Ç’mund të bëhej?

Dukej se vëllezërit kishin thjesht nevojë të informoheshin më mirë, prandaj, më 3 tetor 1991, u mbajtën mbledhje speciale me pleq të zgjedhur në të gjitha Sallat e Asambleve në Gjermani. U shpjegua se gjatë dekadës së kaluar, prodhimi i librave në degën e Gjermanisë pothuaj ishte trefishuar. Ndalimi ishte hequr në Poloni, Hungari, Gjermaninë Lindore, Rumani, Bullgari, Ukrainë dhe Bashkimin Sovjetik. Po sigurohej literaturë për vendet përtej kufijve gjermanë. Lajmëtarët në këto vende po luteshin me zjarr për literaturë. Degës në Zeltërs i ishte kërkuar që të luante një rol kryesor në sigurimin e saj. Sapo e kuptuan qartë nevojën, vëllezërit u përgjigjën me bujari.

Në fakt, mungesa e përgjigjes në fillim, rezultoi në një bekim. Në ç’mënyrë? Në vend se të mbështetej vetëm në vullnetarë nga Gjermania, dega vendosi të përdorte masën e marrë nga Trupi Udhëheqës në vitin 1985. Në atë kohë ishte nisur një program për ndërtimin vullnetar ndërkombëtar. Gjatë punës për ndërtimin e degës së Gjermanisë, bashkë me familjen Bethel kishin shërbyer 331 vullnetarë nga 19 vende të ndryshme.

Pati dhe shumë Dëshmitarë nga Gjermania që ndihmuan në këtë ndërtim; shumica e tyre përdorën pushimet e tyre për të punuar. Në ta përfshiheshin gati 2.000 lajmëtarë nga ish⁠-⁠Gjermania Lindore, shumica e të cilëve gjatë ndalimit ndoshta as e mendonin se një ditë do të punonin në Bethel.

Fundjava e dedikimit

Qoftë me anë të mbështetjes fizike apo financiare ose me anë të lutjeve, të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani, morën pjesë në këtë projekt ndërtimi. Zeltërs ishte Betheli i tyre, një kompleks ndërtesash mjaft i zgjeruar që tani donin t’ia dedikonin Jehovait. Prandaj, kohë përpara se të mbaronte ndërtimi, u morën masa që e gjithë vëllazëria në Gjermani, si edhe shumë mysafirë nga jashtë vendit të mblidheshin për të kremtuar.

Programi filloi të shtunën në mëngjes, më 14 maj 1994, duke tërhequr vëmendjen në «derën e madhe që çon në aktivitet», hapur në Evropën Lindore. (1. Kor. 16:⁠9) Të forcohej besimi të dëgjoje vëllezërit e këtyre vendeve tek raportonin mbi rritjen e shkëlqyer që tashmë gëzonin dhe mbi perspektivat për një rritje të mëtejshme në të ardhmen. Entuziazmi që provuan atë ditë të 3.658 të pranishmit në Zeltërs vazhdoi dhe të dielën. Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani, u ftuan që të mblidheshin në gjashtë stadiume të marra me qira për atë rast: Bremen, Këln, Gelsenkirshen, Lajpcig, Nuremberg dhe Shtutgart.

Ndërsa dhjetëra mijë persona prisnin në qetësi, programi filloi njëherësh në të gjashtë stadiumet. Pas një rishikimi të shkurtër të programit të dedikimit që u mbajt të shtunën në Zeltërs, pati raporte të tjera që të ngrohnin zemrën nga delegatë të huaj. Pika kulmore ishin fjalimet e mbajtura në Gelsenkirshen, Lajpcig dhe Shtutgart, secili nga një anëtar i Trupit Udhëheqës që ishte i pranishëm. Për dobinë e dëgjuesve, në të tri lokalet e tjera, këto fjalime u transmetuan nëpërmjet linjës telefonike. Të 177.902 të pranishmit u inkurajuan që të qëndronin të fortë në besim dhe t’i rezistonin çdo përpjekjeje për t’i ngadalësuar ata. Tani ishte koha për të vepruar! Jehovai kishte hapur papritur derën për ta shtrirë veprën edhe në Evropën Lindore dhe asgjë nuk duhej lejuar që të pengonte kryerjen e kësaj vepre. Përpara se të ulnin kokën për të falënderuar në lutje Jehovain, kënduan së bashku: «Mijëra e mijëra vëllezër/ Në krahun tim qëndrojn’/ Integritetin ruajn’/ Besnik ata vazhdojn’.» Rrallëherë ka pasur një manifestim më të madh të unitetit dhe vendosmërisë, që janë diçka karakteristike për popullin e Jehovait.

Megjithëse fundjava e lavdishme e dedikimit kishte mbaruar, zgjerimi vazhdonte. Të nesërmen, herët në mëngjes, punëtorët e ndërtimit ishin përsëri të zënë me punë. Një rregullim i ri për magazinimin e literaturës në shumë gjuhë të ndryshme, vendosur para pak kohësh nga Shoqata për të shmangur punën dhe shpenzimet e kota të dyfishta, kërkonte një hapësirë shtesë transporti në Zeltërs.

Në vitin 1975, dega e Gjermanisë prodhoi 5.838.095 libra dhe 25.289.120 revista. Dy dekada më vonë, gjatë vitit të shërbimit 1998, prodhimi u rrit në 12.330.998 libra, 199.668.630 revista dhe 2.656.184 audiokaseta. Kjo rritje e jashtëzakonshme ndodhi kryesisht për shkak të kërkesës së bërë nga vendet e Evropës Lindore.

Ndërsa ndalimi hiqej nga njëri vend në tjetrin, Zeltërs filloi të transportonte literaturë në vende të tjera të Evropës Lindore. Në fakt, 68 përqind e prodhimit të literaturës në Zeltërs, nga maji i vitit 1989 deri në gusht të vitit 1998, domethënë 58.793 ton literaturë, u dërgua në 21 vende të Evropës Lindore dhe Azisë. Kjo shumë është e barabartë me një varg prej 2.529 kamionësh, ngarkuar secili me 23 ton literaturë.

Duke ndërtuar, por edhe duke predikuar

Që nga viti 1975, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë goxha ndërtime. Por, ashtu si Noeja, i cili përveçse ndërtues ishte edhe «një predikues i drejtësisë», Dëshmitarët përpiqen t’i ekuilibrojnë përgjegjësitë e tyre. (2. Pjet. 2:⁠5, BR) Ata e kuptojnë se aktiviteti i ndërtimit është një element i rëndësishëm për adhurimin e vërtetë sot. Por nga ana tjetër, i mbajnë sytë të përqendruar mirë në rëndësinë dhe urgjencën e predikimit të lajmit të mirë.

Në fakt, Reparti i Shërbimit vëren se aktiviteti shtesë lidhur me punën e ndërtimit në Zeltërs, çoi në të vërtetë në një rritje të kohës së harxhuar në shërbimin në fushë. Dhe sigurisht, vendosja e strukturave teokratike ishte një dëshmi në vetvete. Ndërtimi i shpejtë i Sallave të Mbretërisë dhe i Sallave të Asambleve, i ka habitur vazhdimisht vëzhguesit. Si rrjedhim, ndërtimi i bërë me zell e devocion nga Dëshmitarët e Jehovait ndihmon për ta drejtuar vëmendjen te lajmi i mirë që ata predikojnë. Njerëzit e ndershëm janë kuriozë të dinë se cila është fuqia që i nxit Dëshmitarët e Jehovait në një mënyrë që nuk vihet re në asnjë grup tjetër fetar.

Çfarë ndodhi në Magdëburg?

Një nga Sallat e Mbretërisë të dedikuara gjatë kësaj periudhe, ndodhej në Magdëburg. Dikur, në vitin 1923, Shoqata e kishte transferuar zyrën e saj në Gjermani nga Barmen në Magdëburg. Në vitet 1927⁠-⁠1928, atje u ndërtua një sallë dinjitoze asamblesh rreth 800 vendëshe. Për shkak të çmueshmërisë që kishin për librin e Shoqatës Watch Tower, Harpa e Perëndisë, vëllezërit e quanin atë Salla e Harpës. Muri i saj i pasmë u zbukurua me një gdhendje që paraqiste mbretin David duke luajtur në harpë.

Në qershor të vitit 1933, nazistët konfiskuan ndërtesën e Shoqatës në Magdëburg, mbyllën fabrikën dhe vendosën kryqin e thyer sipër godinave. Pas Luftës II Botërore, ndërtesa iu rikthye Dëshmitarëve, por për pak kohë. Në gusht të vitit 1950, ajo u shpronësua nga zyrtarët komunistë.

Në vitin 1993, pas ribashkimit të Gjermanisë, Shoqatës iu kthye një pjesë e madhe e pronës dhe iu dhanë paratë për shumicën e pjesës tjetër. Në pjesën e kthyer, përfshihej edhe ish⁠-⁠Salla e Harpës. Pas disa muajsh restaurimi, Magdëburg kishte Sallën e përshtatshme dhe të nevojshme të Mbretërisë.

«Është hera e tretë që dedikohen këto godina; në fillim në vitet 20, më pas në vitin 1948 dhe tani përsëri në vitin 1995»,​—⁠shpjegoi Pitër Konshak gjatë ceremonisë së dedikimit. Vili Pol, përfaqësues i Komitetit të Degës së Gjermanisë, mbajti fjalimin e dedikimit. Kur ishte i ri, kishte shërbyer në Bethelin e Magdëburg⁠-⁠ut. Në fakt, në vitin 1947, kur Hedën Këvington nga selia botërore vizitoi dhe u foli vëllezërve pikërisht në këtë sallë, vëllai Pol ishte si përkthyesi i tij. «Mund ta imagjinoni se si ndihem duke mbajtur këtë fjalim»,​—⁠u hapi zemrëm ai 450 mysafirëve të ftuar.

Sot, kongregacionet e Magdëburg-ut që mblidhen rregullisht në ish⁠-⁠Sallën e Harpës, janë provë e gjallë e vërtetësisë së fjalëve të Jehovait drejtuar shërbëtorëve të tij, siç shkroi Isaia mbi 2.700 vjet më parë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» Ose, siç u kujtoi njëherë mbreti Hezekia njerëzve të tij: «Me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.»​—⁠Isa. 54:17; 2. Kron. 32:⁠8.

Një zyrë përkthimi

Një aspekt domethënës i punës që bëhet në degën e Gjermanisë është përkthimi. Në vitin 1956, reparti gjerman i përkthimit ishte transferuar nga Bern i Zvicrës në Visbaden. Në atë kohë, ai përbëhej vetëm nga katër persona. Alis Bernër dhe Erika Surbër, që ishin në atë grup, shërbyen në këtë repart me besnikëri deri në vdekje. Ana Surbër, një nga katër të parët, shërben akoma në këtë repart. Me kalimin e viteve ai është rritur, kështu që tani, në shumicën e rasteve, Dëshmitarët gjermanë kanë marrë në gjuhën e tyre, në të njëjtën kohë që ato kanë dalë në anglisht, jo vetëm revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, por edhe libra.

Që prej viteve 60, është bërë njëfarë pune për të përkthyer jo vetëm në gjermanisht, por edhe në rusisht dhe polonisht. Kjo ka qenë nën kujdesin e Repartit të Shërbimit për të Huajt, i cili kujdesej për veprën në disa vende ku ajo ishte e ndaluar, duke përfshirë Gjermaninë Lindore, Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik.

Sapo u krijua mundësia, në Zeltërs u ftuan disa përkthyes me përvojë nga Polonia dhe një numër përkthyesish të ardhshëm nga Bashkimi Sovjetik. Këtu ata kishin pajisjet e nevojshme si dhe një ambient të rehatshëm për t’u stërvitur më tej për punën e tyre. Gjithashtu, këtu mund të përfitonin edhe nga përvoja e përkthyesve gjermanë, të cilët u ofronin sugjerime ndihmëse se si të trajtonin problemet e zakonshme për të gjithë përkthyesit, pavarësisht nga gjuha. Këta përkthyes u bënë shpejt shumë të dashur për anëtarët e familjes Bethel në Zeltërs.

Natyrisht, kjo masë e marrë për stërvitje ishte e përkohshme. Me kalimin e kohës, përkthyesit duhej të ktheheshin në vendet e tyre. Kështu, pas dedikimit në vitin 1992 të kompleksit të ri të Bethelit pranë Varshavës në Poloni dhe pasi përkthyesit kishin përfunduar një projekt të madh, përkthyesit polakë në Gjermani iu bashkuan pjesës tjetër të skuadrës së përkthyesve polakë në Poloni.

Por, përpara se të largoheshin, filluan të vinin për t’u stërvitur përkthyes të tjerë të ardhshëm nga Rusia dhe Ukraina. Pesë të parët mbërritën në Zeltërs më 27 shtator 1991, ndërsa të tjerët më vonë. Të gjithë së bashku, ishin më shumë se 30 veta.

Në janar të vitit 1994, përkthyesit rusë u larguan për t’u vendosur me banim në Bethel, që po ndërtohej në atë kohë në fshatin Solnjeçnoje, afër S. Pjetrogradit. Nga ana tjetër përkthyesit ukrainas, tani po presin të transferohen së shpejti në një shtëpi të re Bethel të planifikuar për Ukrainën. Herë pas here, në Zeltërs kanë punuar edhe skuadra të tjera përkthimi, të cilat kanë përfituar nga ndihma që u është dhënë. E gjitha kjo shërben si një përkujtues i vazhdueshëm i qëllimit të Jehovait për të mbledhur njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» me synimin për të formuar me ta «një tokë të re», themelin e një shoqërie njerëzore kushtuar shërbimit të të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait.​—⁠Zbul. 7:​9, 10; 2. Pjet. 3:⁠13.

Një vend për seminare ndërkombëtare

Vendi i volitshëm ku ndodhet dega e Gjermanisë ka tërhequr shumë vizitorë. Frankfurti pretendon se ka portën më të madhe të hyrjes së pasagjerëve në Evropën kontinentale, e cila është Aeroporti Rin⁠-⁠Main. Meqenëse Zeltërs ndodhet më pak se 60 km larg aeroportit të Frankfurtit, shumë Dëshmitarë, edhe pse janë duke udhëtuar për në një vend tjetër, e konsiderojnë si diçka freskuese që të bëjnë një vizitë të shkurtër për të parë ndërtesat e Bethelit dhe për të gëzuar për pak kohë mikpritjen e familjes së degës.

Gjithashtu, Zeltërs ka dalë se është një vend i volitshëm për seminare ndërkombëtare dhe për mbledhje ku përfaqësues të degëve të ndryshme mund të konsultohen me njëri-tjetrin. Kështu, në vitin 1992, Komiteti i Botimit të Trupit Udhëheqës, mori masa që përfaqësues nga 16 degë të Evropës të takoheshin për katër ditë me vëllezërit nga Bruklini. Synimi i tyre ishte që bashkërenditnin punën, me qëllim që të siguroheshin se do të kishte një furnizim të bollshëm me ushqim frymor për të gjitha degët në Evropë, duke përfshirë edhe ato në vendet e varfra ekonomikisht.

Edhe përpara kësaj, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani u ofronin literaturë biblike pa pagesë të gjithë njerëzve që ishin të interesuar ta lexonin atë. Kjo gjë sigurisht e hedh poshtë akuzën e bërë nga kundërshtarët se Shoqata Watch Tower shet literaturë për të fituar para.

Pas seminarit në Zeltërs, ky rregullim u shtri në të gjithë Evropën. Kjo gjë qe veçanërisht e dobishme në Evropën Lindore, ku një numër i madh njerëzish duket se janë të uritur për gjërat frymore, por që nga një këndvështrim ekonomik janë shpesh nën presion. Atëherë, si janë mbuluar shpenzimet për veprën mbarëbotërore të Mbretërisë? Nga kontributet pa kushte të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të personave të tjerë që e çmojnë veprën. Dhe përse i japin ata këto kontribute? Disa e bëjnë sepse e kuptojnë se sa e vlefshme është t’i japësh nëse është e mundur secilit mundësinë për të mësuar se si zbatimi i parimeve biblike mund ta përmirësojë që tani jetën e tij. (Isa. 48:17; 1. Tim. 4:⁠8) Të tjerë janë nxitur nga dëshira për të bërë dhe ata pjesën e tyre që lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë të arrijë njerëzit e çdo vendi, përpara se Perëndia t’i japë fund sistemit të tanishëm të lig të gjërave.​—⁠Mat. 24:⁠14.

Seminari i dytë, i mbajtur më vonë në vitin 1992, u përqendrua në propozimin që dega e Gjermanisë t’ua dërgonte literaturën drejtpërdrejt kongregacioneve të veçanta brenda vendeve evropiane, në vend se t’ua linte për të bërë një ritransportim zyrave të degëve, siç ishte bërë deri në atë kohë. Në një seminar të tretë, mbajtur në prill të vitit 1993, u morën masa që në këtë rregullim të përfshiheshin edhe gjashtë vende të Evropës Qendrore. Në shkurt të vitit 1994, u mbajt një seminar në Vienë, Austri, për vendet e Evropës Lindore dhe u bënë rregullime që të përfitonin kongregacione në 19 vende të tjera.

Përparësitë e këtij rregullimi janë të dukshme. Shpenzimet janë ulur, sepse nuk është më e nevojshme që literatura të magazinohet në çdo degë. Në këtë mënyrë, nuk nevojiten më reparte të mëdha transporti në çdo vend. Në disa vende, ky rregullim e ka eliminuar nevojën për të zgjeruar ndërtesat ekzistuese të Bethelit. Gjithashtu, kur ndërtohen shtëpi të reja Bethel, nuk bëhen më dhe aq të mëdha, pasi për magazinimin, ambalazhimin dhe transportimin e literaturës kujdeset dega e Gjermanisë.

Ndërkohë që në vitin 1989 dega e Gjermanisë prodhoi rreth 2.000 botime në 59 gjuhë, në vitin 1998 ajo kishte 8.900 botime në 226 gjuhë. Nga prilli i vitit 1998, dega e Gjermanisë në Zeltërs, po plotësonte nevojat për literaturë të 742.144 lajmëtarëve në 8.857 kongregacione të 32 vendeve.

Urrejtja për të krishterët e vërtetë: jo vetëm në të kaluarën

Natën e fundit para se të vdiste, Jezu Krishti u tha apostujve të tij: «Sepse nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë arsye bota ju urren. . . . Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:​19, 20, BR) Prandaj, pritej që pas rënies së Rajhut të Tretë të Hitlerit, persekutimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani të mos ndalej krejtësisht. Ngjashëm, kur u hoq ndalimi i vënë nga regjimet komuniste, edhe pse në përgjithësi njerëzit kishin më shumë liri personale, persekutimi i Dëshmitarëve të Jehovait nuk u ndërpre. Ai thjesht mori forma të tjera.​—⁠2. Tim. 3:⁠12.

Tani, duke zëvendësuar persekutuesit e mëparshëm të popullit të Jehovait, apostatët iu përveshën punës për të goditur ish-shokët e tyre të krishterë. (Mat. 24:​48⁠-⁠51) Nga fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve 90, këta apostatë u bënë më të zhurmshëm, akuzat e tyre të rreme u shtuan më shumë dhe u bënë më helmuese. Realizuesit e disa programeve televizive, i paraqitnin apostatët si të ishin «ekspertë» në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Por, disa njerëz të ndershëm e vunë në dyshim mençurinë e gjykimit të Dëshmitarëve mbi bazën e pohimeve të këtyre ish⁠-⁠anëtarëve të pakënaqur. Pas një programi të tillë televiziv, një i ri i telefonoi zyrës së Shoqatës në Zeltërs dhe shpjegoi se para disa vitesh ai kishte studiuar Biblën me ish⁠-⁠Dëshmitarin që ishte intervistuar. Për arsye personale ky i ri e kishte ndërprerë studimin e tij. Por sapo kishte parë programin dhe kishte njohur ish⁠-⁠mësuesin e tij, ishte inatosur. Ai pyeti: «Si mund t’i thotë këto gjëra? Ai e di se ajo që po thotë për Dëshmitarët nuk është e vërtetë.» Si rezultat, i riu rifilloi studimin e tij të Biblës, këtë herë me një plak në kongregacionin lokal.

Natyrisht, ka shumë njerëz që nuk e vënë në dyshim atë që dëgjojnë në televizor apo që lexojnë nëpër gazeta. Për shkak të sulmeve të shpeshta të medias kundër Dëshmitarëve të Jehovait, Shoqata përgatiti një broshurë 32⁠-⁠faqëshe, për të kundërvepruar veçanërisht ndaj vërshimit të kësaj propagande çorientuese. Ajo titullohet: Fqinjët tuaj, Dëshmitarët e Jehovait​—⁠Kush janë ata?

Broshura përmban informacion të bazuar në faktet të nxjerra nga një anketë që u bë në vitin 1994, ku morën pjesë afërsisht 146.000 Dëshmitarë të Gjermanisë. Rezultatet e anketës hidhnin poshtë në mënyrë të qartë shumë prej ideve të gabuara që kishin njerëzit rreth Dëshmitarëve të Jehovait. Një fe për gratë e moshuara? Katër në çdo dhjetë Dëshmitarë në Gjermani janë meshkuj dhe mosha mesatare e Dëshmitarëve është 44 vjeç. Një fe e përbërë nga njerëz të cilëve u është bërë shpëlarje truri që nga fëmijëria? Pesëdhjetë e dy për qind e të gjithë Dëshmitarëve janë bërë Dëshmitarë në një moshë të rritur. Një fe që shkatërron familjet? Nëntëmbëdhjetë për qind e Dëshmitarëve janë të pamartuar, 68 përqind të martuar, 9 përqind të ve dhe vetëm 4 përqind të divorcuar, një pjesë e mirë e të cilëve ishin divorcuar përpara se të bëheshin Dëshmitarë. Një fe kundër pasjes së fëmijëve? Pothuajse katër të pestat e të martuarve janë prindër. E përbërë nga njerëz me aftësi mendore nën atë mesatare? Një e treta e Dëshmitarëve flasin të paktën një gjuhë të huaj dhe 69 përqind janë në dijeni të ngjarjeve aktuale. Një fe që i pengon anëtarët e saj të gëzojnë jetën? Në një javë, çdo Dëshmitar harxhon 14.2 orë në forma të ndryshme çlodhjeje. Në të njëjtën kohë, ai u jep përparësi aktiviteteve frymore, duke harxhuar mesatarisht 17.5 orë në javë për aktivitetet fetare.

Në broshurë i kushtohej vëmendje e veçantë një çështjeje që kishte të bënte me «Oliverin e vogël». Pak pas lindjes së tij në vitin 1991, mjekët i dalluan një vrimë të vogël në zemër. Në kohën e duhur, nëna e Oliverit mori masat për një operacion dhe në harmoni me bindjet e saj fetare ajo gjeti mjekë që ishin të gatshëm ta operonin pa gjak. Por kundërshtarët, në përpjekje për të diskredituar Dëshmitarët e Jehovait, e shtrembëruan ngjarjen. Edhe pasi operacioni ishte kryer me sukses pa bërë ndonjë transfuzion gjaku, një gazetë shkroi për këtë rast në kryeartikullin e saj, duke lënë të kuptohej se Oliveri, pavarësisht nga kundërshtimi i nënës së tij «fanatike», kishte shpëtuar sepse i qe dhënë ‘gjak jetëshpëtues’. Kjo broshurë e hidhte poshtë këtë gënjeshtër trashanike.

Në fillim, broshura ishte bërë vetëm për njerëzit që kishin pyetje rreth akuzave të rreme kundër Dëshmitarëve. Por, në vitin 1996, kopertina e saj u përpunua, duke vendosur në pjesën e pasme të saj një ofertë për të mbajtur studime biblike pa pagesë në shtëpi dhe numri i kopjeve që u shpërndanë në të gjithë Gjermaninë ishte 1.800.000.

Pajisja e medias me informacion të bazuar në fakte

Megjithatë, po atë vit, u ndërmor një tjetër hap për përballimin e përpjekjeve këmbëngulëse të kundërshtarëve për ta përdorur median si mjet për t’u bërë një portret të shtrembëruar Dëshmitarëve të Jehovait. Valter Kobe, që u caktua drejtues i një komiteti për Shërbimet e Informacionit, shpjegon: «Fushata masive e filluar nga kundërshtarët na forcoi që të japim një përgjigje të përgatitur mirë, duke e bërë informacionin më të arritshëm.» U caktuan individë që ishin të efektshëm përsa u përket lidhjeve me publikun. U mbajtën seminare për stërvitjen e tyre. Vendi u nda në 22 rajone të përshtatshme dhe në vitin 1998 kishte qindra punëtorë të stërvitur të shërbimit informativ, që kujdeseshin për nevojat në këto zona. Ata i kushtuan një vëmendje të veçantë kontaktit personal me redaktorë dhe gazetarë.

Në lidhje me punën e këtij reparti, u morën, gjithashtu, masa për të shfaqur në publik videon Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të palëkundur kundër sulmit nazist. Premiera botërore e prodhimit në gjermanisht të kësaj videoje u shfaq më 6 nëntor 1996, me rastin e përkujtimit të kampit të përqendrimit në Ravensbruk, ku ishin burgosur shumë prej Dëshmitarëve të Jehovait. Ishin të pranishëm anëtarë të shtypit dhe historianë të njohur.

Nga 1 shtatori i vitit 1998, të 331 shfaqjet publike të kësaj videoje u ndoqën gjithsej nga më shumë se 269.000 persona. Të pranishmit nuk ishin vetëm Dëshmitarë të Jehovait, por edhe përfaqësues të shtypit, zyrtarë qeveritarë dhe njerëz të thjeshtë. 176 prezantime të këtyre videove paraqitnin edhe persekutimin nazist mbi Dëshmitarët e Jehovait.

Në një masë gjithnjë e më të madhe se kurrë ndonjëherë, përfaqësuesit e mjeteve të informacionit masiv po bashkohen me ndjenjat e gazetarit që në nëntor të vitit 1993 shkroi në Meisner Zeitung: «Ata që mendojnë se Dëshmitarët e Jehovait ndjekin verbërisht dhe në mënyrë naive një mësim jorealist biblik, do të habiten kur të zbulojnë se me sa saktësi e kanë identifikuar Shembullin e tyre, Jezu Krishtin dhe se si e kthejnë këtë njohuri në një jetë të qëllimshme.»

Pas një gjysmë shekulli, akoma qëndrojnë të palëkundur

Ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli nga koha kur Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani u liruan nga kampet e përqendrimit. Por faktet e dokumetuara rreth integritetit të tyre kanë mbetur në histori. Nëpërmjet tyre, botës po i jepet ende një dëshmi e fuqishme. Disa që ishin në kampet e përqendrimit për shkak të besimit të tyre të pakompromentueshëm, janë akoma gjallë sot dhe janë po aq të zellshëm për shërbimin e Jehovait sa në atë kohë. Qëndrimi i tyre i guximshëm provon se Jehovai mund t’i ruajë shërbëtorët e tij. Dëgjo se ç’thonë disa nga ata që mbijetuan në kampet e përqendrimit, duke folur për qindra si ata, dhe vëre moshën e tyre (në fillim të vitit 1998), siç tregohet në kllapa:

Henrik Dikman (95 vjeç): «Në Saksenhauzën më detyruan të shikoja vëllain tim më të vogël August, ndërsa e ekzekutonin përpara gjithë kampit. Kisha rastin të lirohesha menjëherë nëse e mohoja besimin. Meqenëse refuzova të bëja kompromis, komandanti i kampit më tha: ‘Mendohu mirë, dhe ke për ta parë sa ke për të jetuar akoma.’ Pesë muaj më vonë, vdiq ai dhe jo unë. Motoja ime ishte dhe është akoma: ‘Beso në Jehovain me gjithë zemër.’»

Ana Dikman (89 vjeç): «Përvojën në kampin e përqendrimit e konsideroj si diçka që më stërviti për të ruajtur integritetin ndaj Krijuesit të madh dhe Dhënësit të Jetës, Jehovait. Të gjitha përvojat që pata e pasuruan jetën time dhe më afruan edhe më shumë me Perëndinë. Besimi dhe dashuria për Perëndinë është ajo që më ka motivuar gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk kam qenë kurrë e detyruar.»

Jozef Revald (86 vjeç): «E kujtoj me kënaqësi këtë kohë të vështirë sprove, sepse përballë presionit dhe vuajtjes e ruajta besimin dhe asnjanësinë e krishterë. Jam i bindur se mbijetova vetëm falë ndihmës së Perëndisë së Plotfuqishëm, Jehovait! Tani, bindja ime e krishterë është edhe më e fortë se në atë kohë dhe dëshira ime është që të vazhdoj të qëndroj në mënyrë të pakompromentueshme në anën e Perëndisë.»

Elfrida Loer (87 vjeç): «Kur kujtoj gjërat që përjetova gjatë tetë vjetëve burgim nën thundrën e Hitlerit, duhet të them se asgjë nuk ishte e papritur. Ishte e qartë se nga njëra anë, rruga e besimit do të thotë luftë dhe persekutim por, nga ana tjetër, gëzim dhe fitore. Nuk e konsideroj të shkuar kot ose të padobishme atë kohë.»

Maria Hombak (97 vjeç): «Ngazëllohem për faktin se pata privilegjin e pashoq për t’i provuar dashurinë dhe mirënjohjen time Jehovait nën rrethanat më mizore. Askush nuk më detyroi për këtë! Përkundrazi, ata që u përpoqën me anë të kërcënimeve të na detyronin t’i bindeshim Hitlerit më shumë se Perëndisë, ishin armiqtë tanë. Por pa sukses! Duke pasur një ndërgjegje të mirë, isha e lumtur edhe pse brenda mureve të burgut.»

Gertrud Poetzinger (86 vjeç): «U dënova me tre vjet e gjysmë izolim. Ndërsa më çonin në qeli pas dhënies së dënimit, oficeri tha: ‘Faleminderit. Më ke inkurajuar që të besoj përsëri te Perëndia. Qëndro e guximshme siç je dhe nuk do ta kesh të vështirë t’i kalosh këta tre vjet e gjysmë.’ Sa e vërtetë doli kjo! Pikërisht, ndërsa isha në izolim, përjetova në një mënyrë të veçantë dashurinë e Jehovait dhe forcën që jep ai.»

Po, të mbijetuarit nga kampi i përqendrimit vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur. Tani, më shumë se një gjysmë shekulli pas lirimit të tyre, rruga e integritetit të këtyre Dëshmitarëve po shërben akoma si një dëshmi për botën dhe një lavdi për Jehovain. Çfarë inkurajimi për të gjithë shërbëtorët e Jehovait.

Predikimi i lajmit të mirë nuk ka mbaruar akoma në Gjermani. Që nga fundi i Luftës II Botërore, janë kushtuar më shumë se 800.000.000 orë për t’u folur njerëzve rreth Mbretërisë së Perëndisë. Ndërkohë, shërbimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani ka ndikuar në jetën e njerëzve të shumë vendeve të tjera. Ata e shohin veten jo si një grup i veçuar kombëtar, por si pjesë e një familjeje globale të përbërë nga adhurues të Jehovait.

Një dëshmi e qartë e këtij uniteti ndërkombëtar u vu re në vitin 1998, kur 217.472 persona ndoqën të pesë kongreset ndërkombëtare «Udha hyjnore e jetës» të mbajtura në Gjermani. Erdhën delegatë nga shumë vende; i gjithë programi u prezantua në 13 gjuhë. Kongreset vunë theksin mbi nevojën për të vazhduar me besnikëri dhe për të ngulmuar në predikimin e lajmit të mirë. Me ndihmën e Jehovait, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani janë të vendosur të vazhdojnë të ndjekin me besnikëri Udhën hyjnore të jetës.

[Harta në faqen 79]

GJERMANIA PERËNDIMORE

Visbaden

Zeltërs

Frankfurt

Hamburg

Mekënheim

Reitlingen

Munih

GJERMANIA LINDORE

Berlin

Magdenburg

Glaukau

[Figura që zë gjithe faqen 66]

[Figura në faqen 69]

Asambleja ndërkombëtare «Mbretëri triumfuese», Nuremberg, 1955

[Figurat në faqen 73]

Dëshmitarët gjermanë kanë ndihmuar shumë emigrantë që të kenë dobi nga e vërteta biblike

[Figura në faqen 88]

Kompleksi i Bethelit në Visbaden, 1980

[Figura në faqen 90]

Komiteti i Degës (nga e majta në të djathtë). Përpara: Gynter Kynz, Edmund Anshtad, Ramon Templeton, Uilli Pol. Pas: Eberhard Fabian, Riçard Kelsei, Verner Rudke, Piter Mitrega

[Figurat në faqen 95]

Disa prej dhjetë Sallave e Asambleve në Gjermani

1. Glaukau

2. Roitlingen

3. Munih

4. Mekenheim

5. Berlin

[Figura në faqen 99]

Martin dhe Gertrud Poetzinger

[Figurat në faqen 100]

Ndërtesat e Degës në Zeltërs

[Figurat në faqen 102]

Disa nga Gjermania në shërbimin misionar jashtë: (1) Manfred Tonak, (2)Margarita Kyniger, (3) Paul Engler, (4) Karl Zomish, (5) Gynter Bushbek

[Figurat në faqen 110]

Pasi u hoq ndalimi, ngarkesa të mëdha me literaturë u dërguan në Evropën Lindore

[Figurat në faqen 118]

Kongresi i Berlinit, 1990

[Figurat në faqen 124]

Salla e parë e Mbretërisë e ndërtuar në ish-Gjermaninë Lindore

[Figurat në faqet 132, 133]

Programi i dedikimit: në Zeltërs (poshtë), pastaj në gjashtë stadiume në të gjithë Gjermaninë

[Figura në faqen 139]

Mjetet për të kundërvepruar ndaj vërshimit të propagandës keqinformuese

[Figurat në faqet 140, 141]

Megjithëse të mbyllur në kampet e përqendrimit (ku Dëshmitarët e Jehovait identifikoheshin nga një trekëndësh vjollcë), këta të krishterë besnikë (këtu janë në Brandenburg in vitin 1995) qëndruan të palëkundur në besim

[Figurat në faqen 147]

Në faqen përbri, sipas drejtimit të akrepave të orës: Henrik Dikmann, Ana Dickma, Gertrud Poetzinger, Maria Hombak, Josef Revald, Elfrida Loer