Një letër nga Trupi Udhëheqës
Një letër nga Trupi Udhëheqës
SIÇ SHKRUHET në 1. Selanikasve 5:18, apostulli Pavël nxiti: «Në lidhje me gjithçka jepni falënderime.» (BR) Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, ka pasur sigurime të bollshme nga dora bujare e Jehovait, për të cilat të gjithë ne kemi arsye të japim falënderime. Sipas premtimit të tij, Jehovai i hapi ‘kataraktet e qiejve dhe derdhi mbi ne bekime të bollshme’ që, në mënyrë të përsëritur, na shkaktuan shumë lotë gëzimi dhe mirënjohje.—Mal. 3:10, BR; Psal. 33:1.
Siç pasqyrohet në Raportin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën për vitin 1998, në faqet 32-39, një brohoritje gjëmuese triumfi u dëgjua në mbarë tokën! Një maksimum i ri prej 5.888.650 lajmëtarësh i bashkuan zërat e tyre në lavdi të Jehovait. (Psal. 66:1, 8) Këtu përfshiheshin 316.092 të rinj që u pagëzuan. Perspektiva që miliona të tjerë të mund të thërrasin emrin e Jehovait tregohet nga 13.896.312 të pranishmit në Përkujtim. E falënderojmë Jehovain për këtë grumbullim.—Psal. 30:4.
Në fillim të vitit të shërbimit, lajmëtarët në mbarë botën gjetën kënaqësi në shpërndarjen e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35. Duke mbështetur me besnikëri dhe me zell fushatën, ata gëzuan përvoja të shkëlqyera dhe shumë bekime. (Prov. 10:22; 28:20) Pak pas kësaj, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës nxorën dobi nga Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Ata u ripërtërinë tërësisht dhe e vlerësuan shumë stërvitjen. U theksuan vepra baritore, mësimdhënia, ungjillëzimi dhe të punuarit së bashku në unitet. Letrat që pasqyronin mirënjohje ndaj Jehovait treguan se sa rëndësi pati kjo stërvitje për ta.
Në maj filluan të mbaheshin kongreset krahinore dhe ndërkombëtare. Delegatë nga 160 vende ishin të pranishëm në nëntë kongreset ndërkombëtare të mbajtura në Amerikën e Veriut. Në program ishin të pranishëm dhe u përfshinë, të diplomuar të Galaadit e të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, shërbëtorë ndërkombëtarë, bethelitë që shërbejnë në një vend të huaj, si dhe të tjerë me status misionari. Shumë prej tyre shprehën çmueshmërinë për kontributet bujare që u bënë të mundur pjesëmarrjen në një kongres në vendin e tyre.
Mijëra delegatë vizitorë nga i gjithë globi u sistemuan në shtëpitë e vëllezërve të tyre të krishterë dhe morën pjesë në jetën e tyre familjare. Kjo shërbeu për të thelluar dashurinë e madhe që bashkon vëllazërinë mbarëbotërore të shërbëtorëve të Jehovait. (1 Pjet. 4:8; 5:9) Dashuria dhe mikpritja mbizotëroi në një masë të papërjetuar ndonjëherë më parë në kongreset ndërkombëtare. Shumë letra përshkruanin skena prekëse, të mikpritësve që, me lotë gëzimi dhe duke iu mbledhur si lak në fyt, prezantoheshin me mysafirët vizitues, të cilët reagonin po njëlloj. Një mikpritës shkroi: «Faleminderit për përvojën më të mrekullueshme të jetës sonë.» Ndërsa një delegat nga Afrika e Jugut shkroi: «Pritja që na u bë . . . ishte një përvojë që nuk do ta harrojmë kurrë. . . . Ajo do ta pasurojë gjithmonë çmueshmërinë tonë për vëllazërinë mbarëbotërore, një dhuratë e mrekullueshme nga Ati ynë qiellor, Jehovai.»
Delegatët e kongreseve në Britani, Gjermani dhe Greqi i përshkonte e njëjta frymë. Këta u entuziazmuan nga programi i kongresit, nga shoqërimi me Dëshmitarë të vendeve të tjera dhe nga vizita në ndërtesat e degës së shoqatës. Shumë dërguan letra mirënjohjeje dhe falënderimesh për atë që kishin përjetuar.
Kongreset dhanë një dëshmi të jashtëzakonshme. Publiku e kuptoi se kishte diçka domethënëse prapa temës «Udha hyjnore e jetës», e cila theksohej në kapakun e programit dhe njoftohej edhe në distinktivat që mbanin vëllezërit tanë.
Rezoluta e prezantuar nëpër kongrese këtë vit shprehu vendosmërinë tonë për të ndjekur këtë mënyrë jetese tani e në vazhdim dhe për ta treguar këtë vendosmëri plotësisht në çdo gjë që bëjmë, në jetën tonë private, brenda rrethit familjar, si pjesë e kongregacionit të krishterë dhe si shoqëri vëllazërore në mbarë botën.—Titit 2:11, 12; 1. Pjet. 2:17.
Vendimi ynë për të ndjekur këtë mënyrë jetese na vendos në një pozitë tepër të favorshme. Nuk ka asnjë fije dyshimi mbi kontrastin që bie në sy midis gjendjes frymore të popullit të Perëndisë sot dhe asaj të apostatëve ose të të tjerëve që pretendojnë se e adhurojnë Perëndinë, por e mohojnë me veprat e tyre. (Titit 1:16) Fjalët e frymëzuara që gjenden në Isainë 65:13, 14, na bëjnë të vetëdijshëm për këtë ndryshim: «Ja! Shërbëtorët e mi do të hanë, . . . do të pinë, . . . do të gëzojnë, . . . do të thërrasin plot gëzim, për shkak të gjendjes së mirë të zemrës, por ju [apostatë] do të lëshoni klithma, për shkak të dhembjes së zemrës dhe do të ulërini për shkak të shembjes totale të frymës.» (BR) Çfarë trashëgimie që kemi ne! Qofshim gjithmonë mirënjohës për gjithçka që Jehovai po bën për popullin e tij në këtë kohë.
Disa nga vëllezërit tanë kanë kaluar vuajtje të konsiderueshme për shkak të vështirësive ekonomike, persekutimit, terrorizmit dhe luftrave. Shumë kanë qenë viktima të katastrofave, të tilla si: përmbytjet, stuhitë dhe shpërthimet vullkanike. Por shpresa e tyre nuk është mpakur. Jehovai i ka mbështetur në të gjitha vuajtjet e tyre, kështu që ata ngazëllojnë në udhët e tij dhe kanë mundësi të qëndrojnë në një gjendje të aprovuar para tij.—Rom. 5:3-5.
Pavarësisht se përjetojmë vështirësi në këto kohë sprovuese, ne jemi një popull i bekuar e i lumtur. (Psal. 3:8; 144:15b) Ndërsa shohim drejt së ardhmes, dëshira jonë është që të ndihmojmë edhe shumë të tjerë të nxjerrin dobi nga udha hyjnore e jetës siç kemi bërë edhe ne. Ndonëse bëjnë një jetë plot aktivitet, për ta ka ende kohë që të mësojnë udhën e Jehovait dhe të nxjerrin dobi nga durimi i tij, siç tregon shkrimi i vitit 1999, marrë nga 2. Korintasve 6:2: «Ja! Tani është dita e shpëtimit.» Po, tani është koha për të vepruar! Qofshim mirënjohës për privilegjin që kemi për t’ua bërë këtë të njohur të gjithë atyre që do të dëgjojnë!
Të bashkuar me ju ndjekim me gëzim udhën hyjnore të jetës.
Bashkëshërbëtorët tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait