Pika kulmore të vitit të kaluar
Pika kulmore të vitit të kaluar
Midis ngjarjeve emocionuese të vitit të kaluar spikatën kongreset ndërkombëtare «Udha hyjnore e jetës». Këto dhanë një dëshmi të qartë se adhuruesit e Jehovait janë bërë me të vërtetë një «shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët», të cilët Jehovai po i përgatit për të jetuar në botën e tij të re. (Zbul. 7:9, 10, BR) Pasi mori pjesë në një nga këto kongrese, një Dëshmitar nga Guadalupa tha se tani, për herë të parë, mundi me të vërtetë të ‘çmonte në zemrën e tij’ realitetin e kësaj gjëje.
Kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë kongresistë ndërkombëtarë në udhëtim. Dhjetëra mijëra delegatë shkuan në vende të tjera, madje në kontinente të tjera, për të qenë të pranishëm në këto kongrese. Ndërsa bënin kështu, fakti që ata janë vërtet pjesë e një familjeje ndërkombëtare ishte plotësisht i dukshëm.
Nga fundi i majit deri në gusht, kongreset ndërkombëtare «Udha hyjnore e jetës» u mbajtën në disa qytete të Sheteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Britanisë, të ndjekur nga të tjerë në Gjermani dhe Greqi. Anëtarët e Trupit Udhëheqës folën në secilin prej këtyre kongreseve, shpesh me përkthyes. Në të njëjtën kohë, qindra kongrese krahinore u mbajtën në të gjithë Amerikën e Veriut dhe Evropën.
Kur u hap kongresi i parë ndërkombëtar në San Diego të Kalifornisë, më 22 maj, kongresistët ishin të lumtur që kishin mes tyre 45 misionarë nga 14 vende. Dy javë më vonë, Dëshmitarët që flasin spanjisht u mblodhën në të njëjtin stadium. Nga 25.181 të pranishmit në këtë kongres, më shumë se 3.100 ishin delegatë që vinin nga jashtë. Ndërsa në program morën pjesë oratorë nga Argjentina, Kili, Kosta Rika, El Salvadori, Meksika, Peruja, Spanja dhe Uruguaji, auditorit iu desh t’u përshtatej thekseve të veçanta. Çfarë auditori i lumtur dhe entuziast që ishte!
Një javë më pas, në Pontiak të Miçiganit, madhësia e auditorit të kongresit u rrit në 42.763 dhe numri i vendeve të përfaqësuara arriti me shpejtësi të paktën në 44. Delegacione prej më shumë se 300 personash kishin ardhur nga Britania, Republika Çeke dhe Afrika e Jugut. Kongresistët kishin ardhur nga 14 vende të Evropës, 8 të Afrikës, 20 të Amerikave dhe 2 të Azisë. Në disa raste, familje të plota e madje kongregacione të tëra, ndihmuan për shenzimet, në mënyrë që të paktën një nga gjiri i tyre të mund të merrte pjesë. Prania e kaq shumë delegatëve nga vendet e tjera u duk se e elektrizoi auditorin. Fjalimet e mbajtura nga anëtarët e Trupit Udhëheqës, vëllezërit Schroeder, Barr dhe Sydlik, i prekën thellë zemrat e tyre. Ajo që ndodhi ishte, siç tha një Dëshmitar, ‘diçka që do t’ua tregonin brezave të ardhshëm dhe ndoshta edhe atyre të shkuar kur të ringjallen’!—Krahaso Psalmin 48:1, 12-14.
Ndërsa kongresi në Pontiak ishte duke u zhvilluar, katër të tjera po mbaheshin në Montreal dhe Kuebek të Kanadasë. Këto ishin në frëngjisht, portugalisht, greqisht dhe arabisht. Vëllezërit u prekën thellë nga ajo që anëtarët e Trupit Udhëheqës kishin bërë për t’u shërbyer të gjithëve, ndonëse disa prej tyre janë të shkuar në moshë. Numri i të pranishmëve arriti në 33.242, prej të cilëve 4.071 ishin delegatë nga vende të tjera. Një numër i madh kishte ardhur nga Franca dhe Brazili, shumë nga Belgjika, Guadalupa dhe Martinika. Trembëdhjetë vende afrikane kishin përfaqësuesit e tyre. Midis delegatëve ishte një pionier prej një kohe të gjatë, nga Mali në Afrikën Perëndimore, që ishte atje falë mirësisë së një biznesmeneje, së cilës i çon rregullisht revistat. Një çift brazilian që kishte shitur makinën për të financuar udhëtimin tha: «Ishte investimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë.»
Gjatë dy fundjavëve të tjera, në qershor, u mbajtën dy kongrese në Vankuver, në bregun perëndimor të Kanadasë. Gjithsej të pranishmit ishin 22.273, përfshirë një numër të madh delegatësh nga vende aq të largëta si Azia Juglindore dhe Evropa Veriore. Njëkohësisht me kongresin e fundit në Vankuver, po mbahej një tjetër në Toronto, Ontario. Përveç kanadezëve kishin ardhur delegatë nga Gjermania, Polonia, Finlanda, Austria dhe nga shumë vende të tjera të Evropës dhe të Afrikës. Numri i të pranishmëve arriti në 41.381. Gjithsej, në kongreset e Kanadasë, kishte të pranishëm delegatë nga 52 vende të huaja, vërtet një shumicë ndërkombëtare!
Në Shtetet e Bashkuara, nga 3 deri në 5 korrik, pranë bregut të Paqësorit në Long Beach, Kaliforni, u mbajtën njëkohësisht shtatë kongrese. Këto ishin në gjuhën kineze (kantoneze dhe mandarin), angleze, italiane, japoneze, koreane, tagaloge dhe vietnameze, të gjitha të mbajtura në ndërtesa të ndryshme të Qendrës së Kongreseve në Long Beach. Të pranishmit varionin nga 552 për gjuhën vietnameze në 12.659 për atë angleze. Delegacionet e mëdha nga Lindja dhe Italia gëzuan shoqërinë e atyre që kishin ardhur nga Amerikat, Evropa Lindore dhe Afrika. Midis tyre ishin disa që kishin bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të qenë të pranishëm. Ndërmjet sesioneve, delegatët me veshjet e vendit të tyre shkonin nga një grup gjuhe në një tjetër, duke shtrënguar duart, duke u përqafuar me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer adresat e duke bërë fotografi. Një vëlla i përfshirë në rregullimet e këtij kongresi shkroi: «Të gjitha kongreset janë të mira. Të gjitha kanë një efekt dallgëzues, që ndihet për muaj të tërë më pas. Por ky kongres i ngjante më shumë një dallge oqeanike cunami. Ishte i fuqishëm dhe pati një ndikim jashtë mase të madh në zemrat e delegatëve.»
Fundjava me shumë kongrese në Long Beach u pasua nga një kongres tjetër në spanjisht, kësaj radhe në Hjuston të Teksasit. Auditori prej 34.257 personash përfshinte 2.820 delegatë nga 14 vende të huaja që u sistemuan në 1.217 shtëpi të Dëshmitarëve lokalë, të cilët në mënyrë mikpritëse u hapën zemrat këtyre vizitorëve.
Një nga gjërat që u la përshtypje më të thellë delegatëve ishte pritja e ngrohtë që iu bë, dashuria vëllazërore që u derdh mbi ta nga bashkë të krishterët që nuk i kishin takuar kurrë më parë. Ata kishin lexuar për vëllazërinë ndërkombëtare. E dinin se Jehovai e mëson popullin e tij që të tregojë një dashuri të tillë. (Hebr. 13:1, 2; 3. Gjon. 5-8) Por tani po e përjetonin atë personalisht në mënyra që nuk e kishin përjetuar kurrë më parë. Në aeroporte, delegatëve iu dha një mirëseardhje entuziaste nga vëllezërit dhe motrat, të rinj e të vjetër. Gjithashtu, u bënë rregullime që delegatët nga vendet e tjera të strehoheshin në shtëpitë e Dëshmitarëve. Çfarë bekimi doli kjo gjë!
Në Teksas, qindra autobusë me delegatë nga vendet e tjera u çuan në Sallën e Asambleve në Rozenberg për t’u takuar me ata që do t’i mikpritnin. Atje, një shumicë prej afro 500 Dëshmitarësh brohoritën dhe duartrokitën në momentin e mbërritjes së delegatëve. Në Belevil të Miçiganit, në çdo orë të ditës dhe të natës, qindra Dëshmitarë ishin të pranishëm për t’u dhënë mirëseardhjen delegatëve të lodhur që vinin me autobus. Ndërsa hynin në Sallën e Asambleve, atyre u jepej mirëseardhja nga shumë zëra që këndonin «Mijëra e mijëra vëllezër» dhe «Jemi Dëshmitarë të Jehovait»! Në Sallën e Asambleve Mira Loma të Kalifornisë, shumë flisnin dy gjuhë, kështu që, në anglisht dhe spanjisht, këndonin të alternuara vargjet e këngës «Të Falënderojmë o Jehova». Ishte një pamje shumë e bukur dhe ishte e vështirë të gjeje fytyra të thata për shkak të lotëve të gëzimit!
Në Miçigan, Dëshmitarët ofruan dy herë më shumë vende strehimi nga sa nevojiteshin. Shumë telefonuan për t’u lutur që të kishin privilegjin të kujdeseshin për ndonjë nga vëllezërit vizitues. Ata që nuk patën mundësi të strehonin delegatë ndihmuan në lidhje me ushqimin dhe transportin. Disa delegatë panë se përveç pritjes në shtëpitë e tyre, ata që i mikpritën po u jepnin shtretërit e tyre, ndërsa vetë flinin në dysheme. Gjatë mbrëmjeve dhe pas kongreseve, grupe familjesh të Dëshmitarëve dhe madje kongregacione të tëra, mblidheshin së bashku për të ngrënë ose për një piknik me delegatët. Ata këndonin, kërcenin valle popullore dhe tregonin përvoja. Ishte me të vërtetë një festë! Ndonëse shumë delegatë nuk mund ta flisnin gjuhën e atyre që i kishin mikpritur ose shumë shumë mund të flisnin ndonjë fjalë, ata gjetën mënyra për të komunikuar. Kur erdhi momenti për t’u nisur, ajo që e vështirësoi komunikimin nuk ishte vetëm ndryshimi i gjuhës. Ata ishin të mbytur nga emocionet. Ishte hedhur një themel për miqësi jetëgjata.
Delegatët vizitues nuk ishin të vetmit që nxorën dobi nga rregullimi i strehimit në shtëpitë e vëllezërve lokalë. Një çift në Kanada që u hapi shtëpinë delegatëve shkroi: «Të gjithë ne pyesnim veten se si do t’ia kalonim me njerëz të panjohur që do të qëndronin me ne për një javë të tërë. Kuptuam se një javë nuk ishte e mjaftueshme!» Një prind i vetëm shkroi: «Pata privilegjin e madh të mikprisja një çift nga Franca dhe për mua e për fëmijët e mi ishte shumë pasuruese. Mund të them vetëm se ishte një përvojë e mrekullueshme, e këndshme dhe e paharrueshme.» Një familje tjetër që pati një mysafir nga Togo, shkroi: «Nuk mund ta përshkruajmë gëzimin dhe dashurinë që përjetuam . . . Çfarë thesari! Jehovai na dha gjithçka që mund të dëshironim.»
Për delegatët e 87 vendeve, itinerari i vizitës përfshinte edhe Selinë Botërore të organizatës së dukshme të Jehovait, me ndarjet kryesore të funksioneve të saj në shtetin e Nju Jorkut, në Bruklin, në Uollkill (115 km nga Bruklini) dhe në Paterson (112 km nga Bruklini). Nga 28 maji deri në 20 korrik, erdhën gjithsej më shumë se 14.500 vizitues! Ishte siç e përshkruan shumë delegatë, «një ëndërr që u realizua». Duke shprehur se si ndiheshin, një grup udhëtues që vizitonte Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson u ulën në dhomën e ngrënies pas vaktit të drekës dhe kënduan bukur me katër zëra këngën numër 42, «Kjo është udha». Të prekur thellë nga ajo që panë dhe nga dashuria e mikpritja e përjetuar, shumë kishin lotë në sy, ndërsa falënderonin vëllezërit dhe motrat që shërbyen si shoqërues. Por jo vetëm vizitorëve u ishin ngjallur emocione. Edhe anëtarët e familjes Bethel thanë se ato ditë nuk do t’i harronin kurrë!
Grupet që ishin të pranishme në kongreset ndërkombëtare në Evropë përjetuan emocione të njëjta. Gjatë korrikut, delegatët filluan të mbërrinin në Britani. Nga 24 deri në 26 korrik, atje u mbajtën kongrese në nëntë qytete njëkohësisht. Qoftë në gjuhën angleze, franceze, spanjolle, qoftë në atë punjabi, ato patën të njëjtin program. Për fjalimet e mbajtura nga anëtarët e Trupit Udhëheqës, vendet e kongreseve u lidhën në mënyrë elektronike. Ishin mbledhur së bashku delegatë nga më shumë se 60 vende.
Një pikë kulmore e programit ishin intervistat e misionarëve dhe të shërbëtorëve ndërkombëtarë që kishin ardhur nga 45 vende. Ata i treguan auditorit gëzimet dhe sfidat e shërbimit në një vend të huaj. Suzana Sneith, nga Afrika Perëndimore, pranoi: «Sidomos gjatë muajve të parë pas transferimit në një caktim të ri, mund të ndiesh shumë mall për shtëpinë, prandaj dijenia se prindërit të mbështetin dhe të inkurajojnë mund të të ndihmojë me të vërtetë për të qëndruar në caktimin tënd.» Dorin Kilgour, një misionare prej shumë kohësh në Afrikën e Jugut, tha: «Çështja është të duash njerëzit. Nëse me të vërtetë i do njerëzit dhe i ndihmon të duan Jehovain e të ecin në udhën e tij, kjo të ndihmon të qëndrosh në caktimin tënd.» Mirna Sims, nga Ekuadori, shtoi: «Mos u përqendroni mbi gjërat që keni lënë pas, por në punën që keni përpara. Mos shikoni gjërat negative. Shikoni përtej tyre dhe kujtoni se kemi një vepër për të bërë!» Ana Krudës, nga Liberia e shkatërruar prej luftës, tha: «Nga ne pritet që t’i inkurajojmë vëllezërit dhe motrat vendas, por faktikisht, ne jemi inkurajuar shumë prej tyre. Kemi parë zellin, besimin dhe guximin e tyre gjatë luftës, kujdesin që kishin për njëri-tjetrin dhe vënien në rrezik të jetës për njëri-tjetrin. . . . Ne e kemi përjetuar personalisht dashurinë dhe kujdesin e vëllezërve. Deri tani jemi shpërngulur katër herë nga caktimet tona, . . . dhe kur kemi qenë refugjatë, vëllezërit tanë kanë qenë kaq të shqetësuar për ndjenjat tona dhe për gjendjen tonë frymore saqë na kanë shkruar letra shumë të bukura e ndërtuese. . . . Të gjitha këto bekime na e kanë bërë të lehtë kthimin në Liberi, edhe kur kushtet atje ishin të paqëndrueshme.»
Disa ditë pas përfundimit të kongreseve në Britani, të tjera filluan në Gjermani. Dëshmitarët në qytetet mikpritëse i bënë ftesa publikut. Kjo dha mundësinë për t’i shpjeguar njerëzve se kongreset ndërkombëtare, pesë prej të cilave ishin programuar për Gjermaninë, janë pjesë e programit tonë global të arsimimit biblik. I tërë programi u prezantua në 13 gjuhë. Për pjesët kyçe të programit, të pesta qytetet ku bëheshin kongreset (Berlini, Nurembergu, Mynihu, Dortmundi dhe Shtutgarti) u lidhën së bashku. Maksimumi i të pranishmëve arriti shifrën e jashtëzakonshme 217.472, prej të cilëve afro 45.000 kishin ardhur nga jashtë vendit. Shumë kishin ardhur nga Evropa Lindore. Midis kongresistëve ishin të paktën 150 misionarë, shërbëtorë ndërkombëtarë dhe bethelitë në caktime në vende të huaja.
Nga 21 deri në 23 gusht, përpara se të mbaronte viti i shërbimit, një tjetër kongres ndërkombëtar historik u mbajt në Athinë të Greqisë. Pavarësisht nga kundërshtimet e egra të klerit të Kishës Ortodokse Greke u mblodhën 39.324 kongresistë nga 21 vende. Kudo që shkuan kongresistët, si në Athinë, ashtu edhe në vendet e tjera anekënd vendit, u dha një dëshmi e shkëlqyer, me anë të sjelljes së tyre, me anë të veshjes e krehjes, si dhe me anë të predikimit e literaturës së shpërndarë. Mikpritja me gjithë zemër që u ofrua nga Dëshmitarët grekë ishte e tillë saqë, ndonëse populli i Jehovait është mësuar të përjetojë dashurinë e krishterë, shumë u mallëngjyen dhe shpërthyen në lot gëzimi. Shihje grekë e turq që përqafonin e puthnin njëri-tjetrin me lot në sy dhe ofronin e pranonin mikpritje. E pra, kjo është një mrekulli që vetëm Jehovai mund ta bëjë!
Tani jemi në një vit të ri shërbimi dhe kongrese të tjera ndërkombëtare po mbahen, në Afrikë, në Amerikën Latine, në Kore dhe në Australi.
Shpërndarja e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë
Shërbimi në fushë është, padyshim, një nga aktivitetet tona më të rëndësishme. Është një vepër që na është caktuar nga Perëndia Jehova përmes Birit të tij. Mesazhi që shpallim është ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë në mënyrë të jashtëzakonshme. (Isa. 43:10-12; Mat. 24:14) Gjatë vitit të kaluar në këtë vepër morën pjesë 5.888.650 lajmëtarë, të cilët i dedikuan 1.186.666.708 orë shërbimit në fushë. Çfarë grumbulli i shkëlqyer dëshmie! Një aspekt emocionues i atij shërbimi gjatë vitit të kaluar të shërbimit ishte shpërndarja e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35, e cila nxirrte në pah pyetjen: «A do ta duan njëri-tjetrin të gjithë njerëzit ndonjëherë?» Sa e përshtatshme ishte t’u bëhej thirrje njerëzve në bazë të dëshirës për t’u dashur nga të tjerët, një dëshirë që Perëndia e ka mbjellë tek njeriu! Mesazhi ishte i fuqishëm dhe shumë njerëz të sinqertë u përgjigjën pozitivisht ndaj tij.
U shtypën afro 400.000.000 kopje të asaj fletushke në 166 gjuhë. Nga ato gjuhë, 27 u shpërndanë në Rusi dhe në dhjetë prej këtyre nuk kishim pasur literaturë kurrë më parë. Shumë degë, të vetëdijshme për shumëllojshmërinë etnike në territorin e tyre, morën masa për shpërndarjen e fletushkës në 10, 20 e madje në 30 gjuhë.
Kur një Dëshmitare në Ganë po shpërndante fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nga ferma në fermë, takoi rastësisht një burrë dhe gruan e tij që po grindeshin ashpër. Dëshmitarja nxori menjëherë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35 para syve të tyre, me titullin e saj tërheqës: «A do ta duan njëri-tjetrin të gjithë njerëzit ndonjëherë?» Menjëherë çifti u qetësua. Motra jonë mori kohë për të trajtuar fletushkën me ta, duke përdorur Biblën e saj për t’u treguar arsyet e grindjeve dhe se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për njerëzimin. Në fund të trajtimit, burri tha: «Sigurisht ishte Perëndia ai që të dërgoi këtu me këtë fletushkë.» Të dy e pranuan me gatishmëri ofertën për një studim biblik në shtëpi. Në degën e Ganës, 1.850 të tjerë dërguan me postë kërkesën për një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Në Malavi u morën 1.900 kërkesa të tilla nga lexuesit, në Zimbabve 2.717, në Poloni 1.346 dhe në Shtetet e Bashkuara 2.525. Në Rusi, 7.100 lexues i shkruan degës për të kërkuar dikë që të drejtonte një studim biblik me ta.
Kapaku tërheqës, titulli që të nxit mendime dhe ngrohtësia e informacionit të fletushkës ishte tamam ajo që nevojitej në Sri-Lankën e shkatërruar nga luftrat. Qindra kupona iu dërguan degës me kërkesën për një broshurë dhe një pjesë e madhe prej tyre edhe me kërkesën për një studim biblik në shtëpi. Shumë nga ata që kërkuan një studim tani janë lajmëtarë të lajmit të mirë dhe disa madje janë pagëzuar.
Tridhjetë lajmëtarë në Kamerun morën me qira një autobus për t’i shpërndarë fletushkat në një territor rreth 70 km larg sallës së tyre në Garoua. Gjatë mëngjesit ata predikuan në të gjithë territorin me fletushka dhe në mbrëmje shfaqën videon Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit para një auditori prej 182 personash. Në fund, shumë kërkuan literaturë tjetër. U filluan disa studime biblike dhe kongregacioni dërgoi një pionier për të ndjekur interesin.
Kur fletushka Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35 u shpërnda në Republikën Demokratike të Kongos, shumë njerëz e pranuan atë me gatishmëri; të tjerët, të mpirë nga vështirësitë e jetës, e pranuan me ngurrim. Ndërsa po rivizitonin një nga këta të fundit, lajmëtarët kuptuan se gruaja ishte shumë e sëmurë dhe nuk kishte para për të blerë ilaçin që i nevojitej. Lajmëtarët ia blenë ilaçin. Kjo ia preku zemrën dhe çoi në një studim me të dhe me katër fëmijët e saj. Në një rast tjetër, një i ri që mori fletushkën mendoi se Dëshmitarët po mburrnin veten. Më vonë ai ishte në një autobus që u sulmua nga grabitësit e rrugëve. I mbetur natën pa para në një zonë që nuk njihte njeri, ai e bëri rrugën me një Dëshmitar, i cili, gjithashtu, kishte qenë në autobus dhe e kishin grabitur. Ata gjetën shtëpinë e një Dëshmitari, ku u mirëpritën, u strehuan gjatë natës dhe u ndihmuan për t’u nisur mëngjesin tjetër. Kur u kthye në shtëpi, i riu ua tregoi historinë shokëve të tij dhe u tha: «Dëshmitarët e Jehovait nuk janë mburracakë. Ata kanë midis tyre dashuri të vërtetë dhe e duan të afërmin.» Po atë ditë me të u fillua një studim biblik.
Një kongregacion në Kilin verior i inkurajoi lajmëtarët t’ia jepnin fletushkën kujtdo dhe kudo. Një lajmëtar vizitoi stacionin lokal të radios. Spikerit i bëri kaq përshtypje mesazhi saqë e ndërpreu programin e mëngjesit dhe ia lexoi të gjithë mesazhin e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35 dëgjuesve të radios.
Në Itali, dhënia e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë një murgeshe që po priste autobusin çoi në studime të përditshme të Biblës prej 10-15 minutash në stacionin e autobusit. Pas një muaji e gjysmë, çmueshmëria për të vërtetën biblike e shtyu murgeshën të largohej nga manastiri. Ajo ishte e lumtur të mësonte se me anë të Mbretërisë së Perëndisë, toka do të bëhet një vend ku njerëzit do ta duan me të vërtetë njëri-tjetrin, pa pengesa raciale ose gjuhësore. Ajo u kthye në vendin e saj, në Guatemalë, ku e vazhdoi studimin me motrën e saj të gjakut, e cila ishte tashmë një Dëshmitare e Jehovait.
Qendra e Arsimimit Watchtower
Qendra e Arsimimit Watchtower në Paterson të Nju Jorkut luan një rol domethënës në veprën globale të dhënies së dëshmisë mbi Mbretërinë e Perëndisë.
Në vitin 1994, puna e ndërtimit në Paterson kishte arritur në një pikë që ishte e mundur të fillohej transferimi i disa reparteve kryesore të Shoqatës në Qendrën e Arsimimit Watchtower. Brenda një periudhe prej disa muajsh u transferuan: një pjesë e Repartit të Inxhinierisë, Reparti i Shërbimit, seksioni i korrespondencës në Repartin e Shkrimit, Shërbimi i Përkthimit (që aktualisht punon me skuadrat e përkthimit në 116 vende), Reparti Ligjor (që merret me nevojat ligjore në mbështetje të aktivitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën) dhe Reparti i Artit (që përpunon hollësitë për paraqitjen vizive të librave, revistave, broshurave e kështu me radhë) bashkë me të gjitha shërbimet e nevojshme ndihmëse.
Në mars të vitit 1995, Shkolla e Galaadit u transferua nga Wollkill në ndërtesat e reja në Paterson. Që nga ajo kohë, të diplomuarit e Shkollës së Galaadit janë dërguar në 51 vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore, të Afrikës, të Evropës Lindore, të Lindjes dhe të ishujve. Veç kësaj, shkolla për anëtarët e Komiteteve të Degëve ka siguruar stërvitje të specializuar për 336 vëllezër që erdhën nga degët e Shoqatës të 106 vendeve ku edhe u kthyen përsëri.
Tani, në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson ka përfunduar një ndërtesë e re e pajisur me ambiente audio/video. Transferimi i zyrave dhe i pajisjeve në këtë ndërtesë të re të shkëlqyer filloi në 20 prill 1998. Ndërtesat që janë përgatitur do të na japin mundësi të bëjmë një përdorim më të efektshëm të potencialit në fushën audiovizive.
Sigurisht, hapja e kësaj ndërtese nuk shënon fillimin e veprës së Shoqatës në këtë fushë. Përveç asaj që po bëhet në Selinë Botërore, rreth 30 degë tashmë bëjnë disa regjistrime për audiokaseta. Këto mund të përfshijnë Biblën ose revista në gjuhën lokale, broshura dhe drama të kongreseve. Disa audiokaseta tani janë në dispozicion në 61 gjuhë. Në disa gjuhë, regjistrimet në kaseta kanë një shpërndarje mbarëbotërore. Janë prodhuar, gjithashtu, kompakt disqe (CD) që përmbajnë kombinime të ndryshme të këngëve tona të Mbretërisë dhe në nëntë gjuhë ka CD që përmbajnë materiale për kërkime (Biblioteka Watchtower).
Programet në videokaseta prodhohen në 41 gjuhë. Tekstet përgatiten në Selinë Botërore dhe është grumbulluar një bibliotekë prej më shumë se 2.100 videokasetash burimore, prej të cilave mund të merret material. Aktualisht, regjistrimi i videokasetave nuk bëhet vetëm në Paterson, por edhe në shumë pjesë të tjera të botës. Përgatitja e videokasetave origjinale model si dhe prodhimi në anglisht, tani bëhet në ndërtesat e reja audio/video të Shoqatës në Paterson. Në studion e Shoqatës në Holandë, përgatiten për regjistrim programet në gjuhët e tjera. Regjistrimi i rrëfimit bëhet në disa degë që mund bëjnë regjistrim zanor dhe më pas kjo dërgohet në Holandë për t’u bashkuar me muzikën e programit, me efektet zanore si dhe për t’i shtuar tekstin e nevojshëm viziv, duke kompletuar kështu videokasetën model të regjistrimit për secilën gjuhë. Japonia bën një pjesë të kësaj pune për Lindjen.
Përdorimi i videokasetave për gjuhën e shenjave është rritur me shpejtësi. Pjesërisht, kjo ka ardhur si rezultat i vlerësimit të faktit që gjuhët e shenjave janë të veçanta dhe nuk janë thjesht një paraqitje vizive e gjuhëve të folura. Kur filluan të merrnin videokasetat në gjuhën e shenjave, disa të shurdhër i konsideruan ato si dëshmi e faktit që Jehovai nuk i ka harruar, por që kujdeset edhe për të shurdhërit. Shoqata prodhon video, ku prezantimeve ekzistuese audiovizive u shtohet një interpretim në gjuhën e shenjave. Gjithashtu, ka videokaseta që sigurojnë një përkthim të plotë viziv të përmbajtjes së botimeve ekzistuese Watch Tower të shtypura. Në shumicën e rasteve, këto përdoren për të drejtuar studime biblike me njerëzit që janë të shurdhër, prandaj përmbajnë pyetje studimi, gjë që bën të mundur përdorimin e këtyre videove për një komunikim reciprok. Veç kësaj, në videokaseta janë regjistruar edhe këngë në gjuhën e shenjave dhe këto përdoren për të drejtuar auditorin ndërsa shprehet në këngë. Shoqata do të sigurojë mbështetje për videoregjistrimin e projekteve në gjuhën e shenjave në ndërtesat e saj në Shtetet e Bashkuara, në Meksikë, në Brazil, në Japoni, në Danimarkë dhe në Holandë. Në shumicën e këtyre degëve do të bëhet edhe prodhimi i programeve në gjuhën e shenjave.
Dhënia e dëshmisë në gjuhën e shenjave është rritur shumë vitet e fundit. Në Kore, ku i është kushtuar një vëmendje e veçantë kësaj nevoje për disa vjet, ekzistojnë 17 kongregacione që flasin gjuhën e shenjave. Nëntëmbëdhjetë kongregacione të tilla funksionojnë në Shtetet e Bashkuara. Rusia ka 1 kongregacion dhe 43 grupe më të vegjël. Edhe vende të tjera shfaqin një reagim të mirë ndaj vëmendjes që u kushtohet nevojave të veçanta të njerëzve të shurdhër. Në gjithë botën ekzistojnë rreth 80 kongregacione të tilla dhe shumë më tepër grupe të vogla. Ashtu siç është e vërtetë për shërbëtorët e Jehovait që flasin gjuhë të dëgjueshme edhe vëllezërit dhe motrat e tyre të shurdhër presin me padurim kohën kur ndryshimet gjuhësore qoftë zanore, qoftë pamore nuk do të jenë më një pengesë për komunikimin e lirë. Por edhe tani që përdorim shumë gjuhë, të gjithë ne flasim «gjuhën e pastër» e kështu kemi privilegjin që së bashku të bëjmë të njohur mirësinë e Jehovait.—Sof. 3:9.
Dëshmitarë okularë të veprave të shkëlqyera
Zelli i shërbëtorëve të Jehovait ndërsa ndajnë lajmin e mirë të Mbretërisë me të tjerët e gëzon zemrën e Jehovait. Nga ana tjetër, sjellja shembullore dhe veprat e tyre të shkëlqyera shpesh kalojnë pa u vënë re nga të tjerët dhe mjerisht ndonjëherë keqkuptohen. A ka mënyra të efektshme për të informuar dhe për të mësuar individët e arsyeshëm, por të keqinformuar në lidhje me këto gjëra?—1. Pjet. 2:12.
Nën drejtimin e Komitetit të Shkrimit, Zyra e Çështjeve Publike përpiqet të largojë çdo keqinformim në lidhje me shërbëtorët e Jehovait, në mënyrë që njerëzit të jenë më të prirur për ta pranuar mesazhin e Mbretërisë. Për këtë qëllim, kjo zyrë përpiqet ta ndihmojë publikun që t’i kuptojnë Dëshmitarët e Jehovait, duke siguruar informacion pozitiv që mund t’u dërgohet mjeteve të informacionit, edukatorëve dhe profesionistëve të tjerë.
Dhuna e egër etnike dhe sektare përbën një problem tronditës për komunitetin botëror. Që të ndihmojnë të rinjtë të flakin tej paragjykimet dhe sjelljen e dhunshme, edukatorët po kërkojnë mënyra për t’u mësuar studentëve të tyre vlerat etike. Ç’ndihmë mund t’u japin Dëshmitarët e Jehovait? Një Dëshmitar në Suedi i dërgoi një zyrtari të njohur videokasetën Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist. Si rezultat, përfaqësuesit e qeverisë i ftuan Dëshmitarët të merrnin pjesë në një projekt informimi mbarëkombëtar në lidhje me Holokaustin, të quajtur Histori e Gjallë. Ata u kërkuan vëllezërve tanë të informonin fëmijët e shkollave dhe njerëzit në përgjithësi rreth Dëshmitarëve të Jehovait gjatë epokës naziste. Pastaj, i inkurajuan mësuesit që t’i ftonin Dëshmitarët e Jehovait për të dhënë në klasë leksione mbi etikën dhe moralin bazuar mbi përvojat gjatë Holokaustit.
Në vende të tjera, përdorimi i videokasetës Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit ka dalë e efektshme. Në Bregun e Fildishtë, pas shfaqjes së saj në televizionin kombëtar, shumë njerëz treguan një vlerësim më të madh për Dëshmitarët e Jehovait dhe për organizatën e tyre.
Disa kundërshtarë janë përpjekur të përdorin ide të gabuara në lidhje me përdorimin e gjakut si një pretekst për të kufizuar aktivitetin tonë në Rusi. (Vep. 15:28, 29) Vetë sistemi shëndetësor rus po përjeton probleme në lidhje me furnizimin me gjak dhe do të nxirrte dobi nga informacionet mbi trajtimet alternative. Shumë mjekë që do të ishin dakord t’i trajtonin pacientët pa përdorur gjak kanë nevojë për më shumë njohuri dhe stërvitje në këtë fushë. Meqenëse u përmbahen standardeve të Biblës për jetën dhe gjakun, Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur mundësi të sigurojnë informacion në lidhje me fushat e shkencës, mjekësisë dhe të drejtave të pacientit, të cilat janë me vlerë për rrethet mjekësore dhe për publikun në përgjithësi.
Zyra e Çështjeve Publike së bashku me Shërbimin e Informacioneve Shëndetësore planifikuan një seri vizitash të shkurtra prezantuese në spitalet e S. Pjetrogradit dhe të Moskës. Mjekë të mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa që bashkëpunojnë me Dëshmitarët e Jehovait në vendimin e tyre për t’u përmbajtur nga përdorimi i gjakut ishin ftuar për të folur në këto ngjarje në pranverë të vitit 1998. Shefi i Repartit të Anesteziologjisë dhe Mjekimit për Rastet Kritike në një spital të SHBA-së, në të cilin ka një qendër ku nuk përdoret gjak shpjegoi: «Përvoja jonë tregon se kirurgjia pa gjak zvogëlon shpenzimet e kujdesit për shëndetin ndërkohë që përmirëson kurimin e pacientit.» Ai i tha një grupi prej 400 mjekësh rusë: «Gjaku është konsideruar si jetëshpëtues, por gjithnjë e më shumë po shikojmë disa nga efektet më shkatërrimtare të tij mbi pacientët.» Rëndësisë së këtyre simpoziumeve iu bë goxha publicitet në shtyp. Të pranishëm ishin specialistë rusë të mirënjohur si dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë e të komiteteve shëndetësore. Pak kohë më vonë, raportet në mjetet e informacionit citonin pohime të bëra nga njerëz të respektuar në rrethet mjekësore mbi rrezikun e përdorimit të gjakut, duke pranuar që vendimi për të refuzuar një transfuzion gjaku nuk duhet konsideruar si i paarsyeshëm.
Veç kësaj, gjatë vitit të kaluar, në disa vende të zgjedhura u bënë përpjekje të bashkërenduara për të kontaktuar individë dhe organizata që interesohen veçanërisht për problemin e prishjes së familjeve. Atyre iu ofrua libri Sekreti i lumturisë familjare. Cili ishte reagimi?
Në një shkollë të zgjedhur katolike në Madrid të Spanjës, drejtori porositi 90 libra Familja, një për secilin anëtar të personelit të shkollës. Drejtori i një shtëpie për të rinjtë problematikë në Roterdam të Holandës kërkoi nga një libër për drejtuesit e çdo grupi në shtëpi, sepse mendoi se ata mund ta përdornin informacionin për të ndihmuar të rinjtë. Në Ukrahinë, gazetat, radioja dhe TV raportuan mbi fushatën e drejtuar prej Dëshmitarëve të Jehovait për të forcuar familjet. Drejtuesit e 256 organizatave dhe institucioneve i ftuan Dëshmitarët t’u jepnin leksione punonjësve të tyre mbi forcimin e familjes. (Efes. 5:22–6:4) Si rezultat i fushatës, disa mësues filluan të vijnë në mbledhjet e kongregacionit.
Një çështje tjetër nga e cila u drejtua vëmendja gjatë vitit ishte roli i gruas. Artikulli i revistës Zgjohuni! 8 prill 1998 paraqiste serinë «Gratë: Çfarë rezervon e ardhmja për to?» Ajo trajtonte diskriminimin që u bëhet grave, vlerën që ka puna e tyre në shoqëri dhe pikëpamjen pozitive që gjendet në Bibël në lidhje me to. (Prov. 31:10-31; 1. Tim. 5:1, 2) Një përpjekje e veçantë u bë për t’ua shpërndarë këtë informacion grupeve dhe organizatave që interesohen për çështjet që kanë të bëjnë me gruan. Kush veç Dëshmitarëve të Jehovait mund të sigurojë një informacion të tillë dhe në më shumë se 230 vende?
Vëllezërit në degën e Japonisë u dërguan një letër shpjeguese, një komunikatë për shtyp dhe një kopje të revistës Zgjohuni! më shumë se 3.000 organizatave të gruas. Në Porto Riko njerëz të interesuar, midis të cilëve disa punonjës socialë dhe një profesor universiteti, i telefonuan degës për të kërkuar kopje të artikullit special të revistës Zgjohuni! Një anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të organit legjislativ e lexoi revistën dhe i bëri kaq përshtypje programi botëror edukativ i Dëshmitarëve të Jehovait dhe interesi i tyre i sinqertë për njerëzit, saqë i ftoi Dëshmitarët në zyrën e saj. Në një qytet, ndihmësi ekzekutiv i kryetarit të bashkisë ishte kaq i interesuar për materialin, saqë kërkoi 100 kopje për pesë departamentet e pushtetit lokal.
Ne nuk mund ta ndryshojmë pikëpamjen negative që kanë për ne shumë njerëz në këtë botë. Por besojmë se Jehovai do të vazhdojë t’i bekojë aktivitetet që rezultojnë në shenjtërimin e emrit të tij të madh. Duke qenë dëshmitarë okularë të veprave tona të shkëlqyera, ata që janë «të prirur në mënyrë të drejtë për jetën e përhershme» shohin arsye për të qenë midis atyre që lavdërojnë Perëndinë.—Vep. 13:48, BR.
‘Zgjaten litarët e tendës’
Shumë kohë më parë, në mënyrë profetike, Jehovai i tha organizatës së tij: «Bëje vendin e tendës tënde më të gjerë. . . . Mos u përmbaj. Zgjati litarët e tendës tënde dhe bëji të forta ato kunja të tendës sate.» (Isa. 54:2, BR) Tani, në përmbushje të Zbulesës 7:9, miliona që presin me padurim jetën e përhershme mbi tokë nën Mbretërinë Mesianike po shoqërohen me organizatën teokratike. Nevojitet vend edhe për ta.
Për të siguruar vende të përshtatshme për arsimimin Biblik, në shumë vende i është dhënë një përparësi e madhe ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Në Ganë një shqyrtim tregoi se aktualisht ka 237 Salla Mbretërie dhe se 275 të tjera janë në ndërtim e sipër. Ukrahina raporton se kanë përfunduar 84 Salla Mbretërie dhe po ndërtohen edhe 61 të tjera. Në Afrikën e Jugut vëllezërit që punojnë me një Komitet Rajonal Ndërtimi i ndihmojnë vëllezërit lokalë të hedhin themelin e Sallës së tyre të Mbretërisë dhe pastaj u lënë një makinë për bërjen e blloqeve. Dëshmitarët vendas, kryesisht motra, i bëjnë blloqet dhe i vënë stivë për t’u tharë. Kur blloqet janë gati, vullnetarët që punojnë me Komitetin Rajonal të Ndërtimit rikthehen dhe ngrenë shpejt sallën. Ky sistem u jep mundësi të ndërtojnë salla të mira me një kosto minimale.
Pasja e Sallave të Mbretërisë të përshtatshme ndihmon në përshpejtimin e veprës së grumbullimit. Në Madagaskar u ngrit një Sallë Mbretërie për t’u përdorur nga dy kongregacione. Brenda pak muajsh, në të njëjtën zonë u formuan dy kongregacione të tjera dhe ekziston mundësia edhe për një tjetër. Por një vend në Afrikë që raporton mbi 28.000 lajmëtarë ka vetëm një Sallë Mbretërie për çdo 10 kongregacione; një tjetër me 38.000 lajmëtarë, ka një Sallë Mbretërie për çdo 26 kongregacione. Një zyrë dege në Evropën Lindore që raporton mbi 100.000 lajmëtarë thotë se ka vetëm një Sallë Mbretërie për çdo 13 kongregacione. Disa vende tregojnë një defiçit prej mbi 1.000, madje mbi 2.500 Sallash Mbretërie. Kështu, ndërsa mbaronte viti i shërbimit, u morën masa që vullnetarë ndërkombëtarë të ndihmonin në ngritjen e 8.000 ose më shumë Sallave të tjera të Mbretërisë që nevojiteshin urgjentisht në vende specifike, ku vëllezërit vendas nuk kanë mjaft aftësi ndërtuese dhe burime materiale për të siguruar vende mbledhjeje për njerëzit e shumtë që po vërshojnë në organizatën e Jehovait.
Ndërsa numri i lajmëtarëve rritet dhe 316.092 të tjerë u pagëzuan vitin e kaluar, del nevoja edhe për ndërtesa degësh të tjera. Aktualisht, 17.781 vëllezër e motra në familjet Bethel përreth tokës kryejnë shërbim si anëtarë të Urdhërit të Shërbëtorëve Specialë të Plotkohorë.
KENIA: Në 25 tetor 1997, në Kenia u dedikuan ndërtesa të reja për degën. I pranishëm ishte Milton Henschel, i Trupit Udhëheqës si dhe të tjerë që morën pjesë në veprën në Kenia në fillimet e saj. Nga e gjithë Afrika Lindore, Dëshmitarë entuziastë, disa prej të cilëve më këmbë, erdhën për të marrë pjesë në programin special të përgatitur për atë fundjavë.
Kjo degë mbikëqyr veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve në një zonë të Afrikës Lindore, ku gjithsej janë aktivë më shumë se 29.000 lajmëtarë. Pionierë të guximshëm nga Afrika e Jugut filluan të dëshmonin fillimisht në Kenia në fillim të viteve 30. Megjithatë, nuk u dha një dëshmi e vazhdueshme deri në vitin 1949, kur nga Anglia mbërriti Meri Uitington, e cila sapo ishte pagëzuar. Misionarët e parë të stërvitur në Galaad, William dhe Mjuriël Nizbet, mbërritën në vitin 1956. Vëllezërit e vëllait Nizbet, Roberti dhe Xhorxhi, ishin midis pionierëve të parë që kishin dhënë dëshmi në Kenia në vitet 30. Shumë misionarë të tjerë, pionierë specialë nga Zambia e Tanzania dhe vëllezër të tjerë që shërbejnë ku ka më shumë nevojë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e veprës në Kenia. U deshën 41 vjet që të arrihej shifra 1.000 lajmëtarë në Kenia, por tani më shumë se 1.000 veta pagëzohen çdo vit!
FRANCË: Në fundjavën e 15-16 nëntorit 1997, Dëshmitarët e Jehovait në Francë dedikuan në Luvier, 100 km në perëndim të Parisit, ndërtesa të reja për degën. Vëllezër e motra nga 42 degë kishin ardhur për programin e dedikimit, i cili përfshinte fjalime nga Lloyd Barry dhe Daniel Sydlik, prej Trupit Udhëheqës. Sa drithëruese ishte të shihje ditën vijuese një turmë prej 95.888 pjesëmarrësish për programin special të mbajtur në Qendrën e Panaireve Vilpënt, në veri të Parisit! Kjo ishte mbledhja më e madhe që ishte mbajtur ndonjëherë në Francë nga Dëshmitarët e Jehovait.
Rritja prej 50 për qind e numrit të lajmëtarëve gjatë viteve 80 rezultoi në një nevojë urgjente për më shumë hapësirë në Bethel. Megjithatë, u deshën dhjetë vjet për ta përfunduar këtë projekt. Përpjekjet e para për të ndërtuar në afërsi të ndërtesave tona ekzistuese hasën një kundërshtim të ashpër. Kundërshtarët vazhdojnë të përpiqen për ta penguar aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Megjithatë, të 121.000 Dëshmitarët në këtë vend nuk e ulin ritmin e përhapjes së lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, të sigurt se shumë të tjerë prej 100 milionë njerëzve në mbarë botën që flasin frëngjisht do ta pranojnë me mirënjohje ftesën për të «marrë falas ujin e jetës».—Zbul. 22:17, BR.
SPANJË: Edhe në këtë vend, shumë persona me zemër të sinqertë po reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Që nga koha kur u dedikua kompleksi i degës jashtë Madridit në vitin 1983, numri i Dëshmitarëve në Spanjë është rritur nga 53.000 në më shumë se 103.000. Gjithashtu, shtypja e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për Spanjën e Portugalinë është rritur me shpejtësi, nga 6.500.000 kopje në vit në pothuajse 23.000.000. «Me 150 punëtorë në Bethel që jetonin disa kilometra larg, kishim një nevojë të jashtëzakonshme për vende strehimi,—shpjegon Xhon Haidelberg, mbikëqyrësi i shtëpisë,—dhe po kështu edhe një nevojë akute për ndërtesa të mjaftueshme për grumbullimin dhe transportimin e literaturës.»
Dedikimi i ndërtesave të zgjeruara të degës në 28 mars 1998, ishte pika kulmore e pesë viteve të një pune të madhe, në të cilën bashkëpunuan mbi 25.000 vullnetarë, kryesisht nga Spanja dhe disa nga jashtë. Në programin e dedikimit morën pjesë Uilliam Malefont dhe Gerrit Losh, të dy nga personeli i selisë së Bruklinit. Ndonëse mundësitë për pjesëmarrje në program ishin të kufizuara, ditën vijuese 65.775 veta u mblodhën në Madrid dhe në Barcelonë për të shijuar një program tjetër të shkëlqyer.
RUMANI: Dëshmitarët e Jehovait e kanë kryer shërbimin e tyre publik në Rumani për më shumë se 80 vjet. Në vitin 1990, kur ndalimi 43 vjeçar i aktivitetit të tyre u hoq, ishin afërisht 19.000 lajmëtarë. Tani atje ka mbi 37.000 lajmëtarë dhe në Përkujtim në vitin 1998 ishin të pranishëm më shumë se 82.000 persona. Në Rumani nevojitej një zyrë dege e përshtatshme. Kështu, një nga pikat kulmore të vitit ishte dedikimi i degës së tyre të re në 2 maj 1998. Për të marrë pjesë me ta në atë rast të gëzueshëm, ishin të pranishëm vëllezër nga 19 vende, përfshirë Gerrit Losh nga Trupi Udhëheqës.
Ndërsa viti i shërbimit 1998 po i afrohej fundit, 397 shërbëtorë ndërkombëtarë me përvojë dhe 150 vullnetarë ndërkombëtarë po punonin bashkë me Dëshmitarët lokalë në projekte të ndryshme ndërtimi. Këtu përfshiheshin ndërtime të mëdha në 38 vende dhe projekte më të vogla në 23 vende të tjera. Tani, listës së tyre të ndërtimit do t’i shtohen mijëra Salla Mbretërie. Vërtet, në shumë mënyra po bëhet shumë për ta bërë tendën figurative «më të gjerë» dhe për të «zgjatur litarët e tendës».
[Figurat në faqen 6]
Anëtarët e Trupit Udhëheqës folën në çdo kongres ndërkombëtar
[Figurat në faqen 11]
Raportet e misionarëve ishin një pikë kulmore
[Figurat në faqet 12-14]
Kongresistët shfaqën dashuri dhe gëzim të jashtëzakonshëm
[Figurat në faqen 1]
Pajisjet Audio/video në Paterson
[Figurat në faqen 1]
Ndërtesat e degës që u dedikuan: (1) në Spanjë, (2) në Kenia, (3) në Francë