Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

Afrika

Në shkallë globale, mbledhja e njerëzve që janë «të prirur në mënyrë të drejtë për jetën e përhershme» vazhdon me ritme të shpejta. (Vep. 13:48) Në pjesën më të madhe të Afrikës, fluksi i njerëzve që duan të ecin në udhën hyjnore të jetës është veçanërisht i madh. Për të ndihmuar në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar të shërbimit, Përkthimi i Botës së Re i Shkrimeve të shenjta doli në gjuhën Joruba (që flitet nga 23 milionë njerëz) dhe Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën Tsonga (që flitet nga 4 milionë).

Gjatë pesë vjetëve të kaluar, Angola dhe Uganda raportuan një rritje prej më shumë se 70 përqind në numrin e lavdëruesve publikë të Jehovait. Guineja ekuatoriale, Gambia, Mozambiku dhe Ruanda u rritën secila me shumë më tepër se 100 përqind. Guineja Bisau tregon një rritje prej 300 përqind. Nigeria ka një mesatare të vazhdueshme prej më shumë se 200.000 lajmëtarësh. Në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Zambia të marra së bashku, ka më shumë se 100.000 lajmëtarë që po japin një dëshmi të shkëlqyer, shpesh përballë vështirësive të mëdha.

Burkina Faso është një territor ku shumë njerëz mezi presin të mësojnë çfarë përmban Bibla. Brenda një periudhe tremujore gjatë vitit, katër pionierë specialë predikuan 169 fshatra në një rreze prej 140 km nga kryeqyteti, Ugadugu. Në disa zona, rrugët pothuajse nuk ekzistojnë dhe ndërsa shkonin nga fshati në fshat, këta pionierë të zellshëm ecnin 15 kilometra në ditë ose më shumë nën temperatura që arrinin deri në 45 gradë C në hije. Ata folën me njerëz që kurrë nuk kishin dëgjuar për Jehovain ose kishin takuar ndonjë nga Dëshmitarët e tij. Vitet e fundit autoritetet kanë bërë një përpjekje për t’u mësuar njerëzve vendas të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën More, që është gjuha amtare e këtyre njerëzve. Por ka fare pak material për të lexuar. Për të plotësuar këtë nevojë, Shoqata ka botuar një numër botimesh në gjuhën e tyre. Pionierët raportojnë: «Reagimi i popullsisë është shumë prekës dhe kjo na inkurajon. . . . Ne shohim gëzimin e tyre për faktin që më në fund kanë botime në gjuhën e tyre, sidomos botime që flasin për lajmin e mirë të Perëndisë.» Gjatë tre muajve në këtë zonë, lajmëtarët shpërndanë 3.615 libra, 22.228 broshura dhe 368 revista.

Në një qytet në Nigeri, lajmëtarët po shkonin në një zonë ku tensioni po rritej në mënyrë të rrezikshme gjatë një periudhe lufte etnike. Duke ua vënë veshin këshillave, ata filluan të kthehen për në shtëpi. Por një turmë me të rinj të zemëruar e ndaloi makinën e lajmëtarëve dhe kërkuan karburant për të djegur shtëpitë. Vëllezërit u shpjeguan qëndrimin e tyre asnjanës, por të rinjtë nuk donin t’ia dinin. (Gjoni 17:16; Rom. 12:18) Atëherë, lajmëtarët i dhanë secilit pjesëtar të turmës nga një kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35, e cila ngrinte pyetjen: «A do ta duan njëri-tjetrin të gjithë njerëzit ndonjëherë?» Të rinjtë e vlerësuan fletushkën, i lavdëruan vëllezërit dhe i lanë të shkonin në shtëpi në paqe.

Ndërsa po punonte një territor të izoluar në Ruanda vitin e kaluar, një Dëshmitar takoi një burrë që ishte shumë i lumtur të merrte librin Njohuria dhe të fillonte një studim biblik. Që në fillim, burri tregoi çmueshmëri për mbledhjet e kongregacionit. (Hebr. 10:24, 25) Ndonëse nuk e kishte gjysmën e një këmbe, nga gjuri e poshtë, ai kalonte një liqen me një kanoe të gdhendur në trung dhe ecte katër orë për të arritur në vendin e mbledhjeve. Ai shkonte rregullisht, u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe i ndihmoi fëmijët që të mësonin mbi Krijuesin e tyre. Sa shumë gëzohej ai për shpresën që së shpejti do të ishte në gjendje të ecte përsëri me të dyja këmbët!—Isa. 35:6.

Një burrë i quajtur Xhekson studioi me Dëshmitarët e Monrovisë në Liberi, por lufta e detyroi të largohej në një fshat në Bopolu, që ishte krahina e tij. Pas pak kohe dega mori një letër prej tij ku kërkonte të ndihmohej urgjentisht për të ndërtuar një Sallë Mbretërie dhe për të organizuar njerëzit e interesuar. Përse? Ai shpjegonte: «Çdo të diel, nga ora gjashtë e gjysmë e mëngjesit deri në nëntë të darkës, jam i zënë me studime biblike . . . Nuk mund ta përballoj më numrin e njerëzve që kanë nevojë për një studim biblik, kështu kam caktuar katër nga studentët e mi të më ndihmojnë duke drejtuar ata vetë disa nga studimet biblike. . . . Problemi më i madh që po has aktualisht është se si të kujdesem për këtë kongregacion gjithnjë e në rritje. Unë për vete jam një fëmijë dhe kam nevojë për qumësht frymor, si mund të ushqej të tjerët?» Një mbikëqyrës qarkor që vizitoi Bopolun raportoi se Xheksoni po drejtonte studime biblike me 37 njerëz dhe se kishte akoma më shumë që donin të studionin. Mbikëqyrësi qarkor këshilloi se në Bopolu nevojitej urgjentisht një pionier special. Së fundi, vetë Xheksoni u kualifikua për të shërbyer si lajmëtar i papagëzuar.

Klasa për mësimin e shkrimit dhe leximit janë hapur në 372 kongregacione nga 637 të tillë që ka Mozambiku. Aktualisht, këto klasa frekuentohen nga 5.800 studentë dhe 1.525 mësuan të lexonin gjatë vitit të kaluar. Vlen të përmendet se midis Dëshmitarëve të Jehovait në Mozambik, ata që dinë shkrim e lexim përbëjnë 72 përqind. Klasat për mësimin e shkrimit dhe leximit kanë bërë shumë për të ndihmuar njerëzit e këtushëm që të arrijnë një njohuri të saktë të së vërtetës biblike.—1. Tim. 2:3, 4.

Një mëngjes kur dy djem të dy familjeve të ndryshme, njëri katër dhe tjetri pesë vjeç, mbërritën në shkollë në Uind’hok të Namibisë, drejtoresha shpjegoi se në klasë do të festohej një ditëlindje. Ajo kishte lexuar broshurën Shkolla, prandaj pyeti njërin nga prindërit se çfarë duhet të bënte. Motra i shpjegoi qëndrimin tonë, por i tha se fëmijët ishin në gjendje t’i merrnin vetë vendimet.

Kur njëra nga motrat u kthye në fund të ditës për të marrë fëmijën e saj, drejtoresha i tha: «Ju mund të jeni shumë krenare për këta djem! Kur fëmijët kënduan këngën ‘Gëzuar ditëlindjen’, i nxora të dy jashtë klasës. Kur erdhi momenti i ëmbëlsirës, më i vogli pyeti nëse ishte ëmbëlsira e këngës ‘Gëzuar ditëlindjen’. I thashë se po dhe ai u përgjigj: ‘Jo, faleminderit.’ Tjetri tha të njëjtën gjë.» Më pas, njëri nga djemtë e pyeti mësuesen nëse e dinte se kush ishte emri i Perëndisë dhe pastaj i dëshmoi asaj rreth Jehovait. Djali tjetër, me iniciativën e tij, i çoi asaj videokasetën Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Si rezultat i shembullit të tyre të mirë dhe i dëshmisë së guximshme, ajo erdhi në Përkujtim kur iu bë një ftesë e tillë. Njëri nga prindërit filloi me të një studim biblik dhe ajo tha: «Tani jam zotuar t’i bëj gjërat sipas mënyrës së Perëndisë, dhe jam e vendosur të mos lejoj asgjë që të më pengoj.»

Një plak i zellshëm në Zambia përdor me efektshmëri në dëshminë rrugore botimet e Shoqatës në audiokaseta. Si? E parkon makinën në anë të rrugës dhe vë në kasetofon audiokasetën Sekreti i lumturisë familjare. Ai i fton kalimtarët të afrohen e të dëgjojnë atë që po lexohet dhe ata menjëherë pyesin se çfarë është. Vëllai shpjegon se ata kanë dëgjuar një pjesë të librit Familja. Si rezultat, për një muaj ai ka mundur të shpërndajë 29 libra dhe të fillojë dy studime biblike.

Amerikat

Aktualisht, në disa vende e korra është më e madhe se në të tjerat, megjithatë vazhdon të jetë ende e vërtetë se ‘fushat zbardhojnë për korrje’. (Gjoni 4:35) Gjatë pesë vjetëve të kaluar, Brazili ka pasur një rritje prej 33 përqind në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë, Meksika 36 përqind, Kuba 64 përqind dhe Kolumbia 65 përqind. Në Shtetet e Bashkuara, gjatë të njëjtës periudhë, 209.249 persona e simbolizuan dedikimin e tyre me pagëzimin në ujë dhe një maksimum i ri prej 1.040.283 lajmëtarësh mori pjesë në shërbimin në fushë!

Një pionier special që shërben në pjesën jugore të Hondurasit drejtoi një studim që ishte me të vërtetë një gëzim. Kur arritën në kapitullin 12 të librit Njohuria, studenti u bë një lajmëtar i papagëzuar. Brenda dy muajsh tashmë ai po drejtonte dy studime të tijat që po përparonin dhe të dy po merrnin pjesë në mbledhje. Pas tre muajsh e gjysmë, njëri nga këta studentë u bë një lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë. Tre muaj më vonë edhe studenti tjetër u bashkua me ta në dhënien e dëshmisë. Kur studenti i fillimit ishte gati të pagëzohej, po kështu ishte edhe studenti i tij i parë. Edhe tjetri po përparon mirë. Po pastaj? Studenti i fillimit, tani një vëlla, tashmë po drejton një studim tjetër biblik me një çift të martuar. Çfarë gëzimi është vepra e bërjes së dishepujve!

Një përpjekje e zellshme po bëhet për të dhënë një dëshmi të plotë në zonën e lumit Amazona në Brazil. Dega ka caktuar 21 pionierë për të predikuar në atë zonë, duke përdorur katër barka të mëdha. Të gjithë këta pionierë kanë përvojë në lundrim dhe çka është më e rëndësishme, të gjithë ruajnë një frymë gatishmërie e vetësakrifikimi. Barkat veprojnë përgjatë lumenjve Madeirë, Purus, Solimoes dhe Tokantins si dhe në zonën rreth ishullit Marazho. Këta lumenj kanë një shtrirje prej rreth 9.700 km dhe përgjatë brigjeve ose në afërsi të tyre jetojnë pothuajse 370.000 njerëz. Në një letër të kohëve të fundit, dërguar nga pionierët e njërës prej barkave, pjesërisht, thuhet: «Më në fund mbërritëm në qytetin Shavis . . . Mbajtëm një mbledhje publike dhe shfaqëm videon Të bashkuar nga mësimi hyjnor. Ishin të pranishëm shtatëdhjetë persona. Një burrë pranoi librin Të jetosh përgjithmonë dhe gjatë javës që ishim atje e lexoi nga fillimi në fund. Ai na tha: ‘Nëse ngrini një kishë këtu, unë dua të jem një anëtar i saj.’»

Kontaktimi i të tjerëve mund të jetë i vështirë, jo sepse jetojnë në zona të largëta, por sepse shkojnë në këto zona gjatë kohës së pushimeve. Afërsisht një milion prej atyre që shkojnë në Alaskë çdo verë përpiqen të shikojnë malin Mekkinli, 6.194 m të lartë. A mund t’i takonim ata atje me diçka që mund t’i ndihmonte të mendonin mbi Perëndinë dhe mbi qëllimin e tij? Dëshmitarët lokalë morën një leje speciale për të vendosur një tavolinë me literaturë në Parkun Kombëtar Denali. U zgjodhën argumente të përshtatshme nga revista Zgjohuni!, si për shembull «Malet: Kryevepra të krijimit» (8 tetor 1994, angl.), «Kush do t’i shpëtojë kafshët tona?» (8 korrik 1997, angl.), «A mund të shpëtohen pyjet tanë të shiut?» (8 maj 1998, angl.) dhe «Iditarodi: Dhjetë shekuj në proces formimi» (8 tetor 1995, angl.). Si rezultat i kësaj përpjekjeje për të shkuar atje ku janë njerëzit, ata kontaktuan vizitorë nga Australia, Greqia, Kanadaja, Anglia, Gjermania, Italia, Skocia, Suedia, Zvicra, Taivani dhe nga Kina! Ata u dhanë dëshmi edhe shumë personave nga pjesët e tjera të Shteteve të Bashkuara.

Meksikë tani territori po punohet shpesh, çdo një ose dy javë në shumë qytete. Në koloninë e Las Nubes, në shtetin e Çiapas, shumica e banorëve janë Dëshmitarë të Jehovait. Vetëm tri shtëpi nuk janë të Dëshmitarëve. Në Shën Antonio Buenavista, tani ka 8 kongregacione dhe vetëm 64 shtëpi të jo Dëshmitarëve për të vizituar. Atje Dëshmitarët ecin disa orë për të shkuar në territorin ku duhet të predikojnë dhe të drejtojnë studimet biblike.

Në fund të një mbledhjeje në një Sallë Mbretërie në Nikaragua, një Dëshmitare përshëndeti dy të reja. Ajo mendoi se ishin Dëshmitare që kishin ardhur për vizitë nga ndonjë kongregacion tjetër. Kur motra e kuptoi se nuk ishte ashtu, por që kishin ardhur thjesht për kuriozitet, u ofroi një studim biblik. Ato pranuan. Të dyja ato i përkisnin një grupi fetar me emrin Jeta e Re, në të cilin ishin drejtuese rajonale. Njëra prej tyre, Karelia, filloi t’i mësojë grupit të saj gjërat që po mësonte nga studimi i Biblës. Ajo filloi me emrin e Perëndisë. Një nga pastorët e kishës u përpoq ta shkurajonte, duke thënë se emri hyjnor nuk është me të vërtetë Jehova. Karelia iu përgjigj se, nëse ishte ashtu, ai nuk mund të vazhdonte ta përdorte Biblën e tij sepse ajo përmbante emrin Jehova. Ai mbeti pa fjalë. Pas kësaj, Karelia i mësoi grupit të saj të vërtetën mbi trinitetin dhe mbi kryqin. Pas pak kohe, pastorët i hoqën privilegjin të lutej në mbledhjet e tyre sepse ajo i lutej Jehovait në emrin e Jezu Krishtit. Në grumbullimin tjetër të tyre ajo nuk u ftua. Kështu në njërën nga mbledhjet e tyre, ajo lajmëroi se po largohej nga grupi për t’u bërë një Dëshmitare e Jehovait. Ajo e mori këtë vendim pasi kishte studiuar vetëm katër kapitujt e parë të librit Njohuria. Në më pak se shtatë muaj, ajo u pagëzua.

Azia

Edhe vendet e Lindjes po i përgjigjen ftesës: «Lavdëroni Jah, ju njerëz! . . . Çdo gjë që merr frymë le të lavdërojë Jah.» (Ps 150:1, 6, BR) Dëshmitarët e Jehovait e kanë predikuar lajmin e mirë në çdo vend të Azisë dhe dora-dorës që njerëzve u jepet mundësia të dëgjojnë mesazhin, numri i Dëshmitarëve rritet. Në disa vende kjo rritje është e shpejtë. Izraeli, Bangladeshi dhe Makao kanë parë rritje më të mëdha se 100 përqind gjatë pesë vjetëve të kaluar. Nepali, Gjeorgjia dhe Kazakistani raportojnë rritje në një masë shumë më të madhe se 200 përqind. Në Republikën e Koresë, afro 85.000 lajmëtarë marrin pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë. Në Japoni, mbi 222.000 njerëz i shërbejnë Jehovait me besnikëri.

Çfarë gëzimi që pati më 30 prill 1998, kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u njoh ligjërisht në Kirgiztan! Kryetari i komsionit të shtetit, përgjegjës për regjistrimin, mbeti i befasuar kur vëllezërit i prezantuan një kopje të librit Njohuria, i cili tashmë ishte botuar dhe ishte në dispozicion për t’u shpërndarë në gjuhën kirgize.

Ndonëse ende të papagëzuar, fëmijët e vegjël ndonjëherë bëjnë shumë për të tërhequr njerëzit drejt adhurimit të vërtetë. Një djalë tre vjeç e gjysmë i një familjeje Dëshmitarësh në Indi ishte miqësor me fqinjët e tij dhe sillej me ta sikur të ishin vëllai dhe motra e tij më e madhe. Djali e ftonte rregullisht «vëllanë» e tij fqinj në mbledhjet e kongregacionit të ditës së diel. Por fqinji shkonte nëpër kinoteatre në fundjavë. Megjithatë, më në fund u dorëzua dhe pranoi të shkonte në mbledhje. Pastaj djali këmbënguli që fqinji të vishej në mënyrë të përshtatshme për të shkuar në Sallën e Mbretërisë. Kur ai u përoq të nxirrte justifikime, djali e kapi për dore, e çoi në dhomën e tij dhe i tregoi se çfarë do të ishte e përshtatshme për të veshur. Gjatë mbledhjes, i riu u befasua kur pa se po i pëlqente ajo që po dëgjonte. Që nga ajo ditë, ai dhe motra e tij e gjakut nuk kanë munguar në asnjë mbledhje. Më vonë, kur pa se djali i vogël u bindej prindërve, qoftë nëse ishin të pranishëm, qoftë nëse s’ishin, «sepse Jehovai po shikon», i riu mbeti me të vërtetë i habitur. Ai dhe motra e tij mezi prisnin të bëheshin Dëshmitarë të pagëzuar.

Një lajmëtare në Kagoshima të Japonisë, po i përdor mirë videot e Shoqatës. E bindur se këto janë mjete jashtëzakonisht të efektshme për të prekur zemrat e njerëzve, ajo vendosi t’i shikonte të gjitha ato bashkë me burrin e saj jobesimtar. Si fillim ata panë Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Si rezultat, burri i saj pranoi të fillonte një studim biblik. Pastaj videoja Të bashkuar nga mësimi hyjnor i bëri përshtypje me realitetin e vëllazërisë mbarëbotërore dhe ngjalli brenda tij dëshirën për të qenë një Dëshmitar i Jehovait. Megjithatë, për shkak të punës dhe presionit nga të afërmit, mendoi se kjo ishte e pamundur. Por kur pa vëllimet 1 dhe 2 të videos Bibla: Një libër me fakte dhe profeci, ai filloi t’i bënte një zbatim personal parimeve të Biblës. Pas pak kohe doli në shërbimin në fushë si lajmëtar i papagëzuar. Së fundi, videoja Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist nguliti në të faktin që Jehovai e forcon popullin e tij. Tani ishte gati për pagëzim dhe u pagëzua në tetor të vitit 1997.

Valkim, një grua shumë fetare në Mjanma, hyri në Kishën Metodiste. Kur pastori i saj e la atë kishë dhe u bë pastori i një kishe tjetër, ajo e ndoqi sepse nuk po gjente gëzim të vërtetë atje ku ishte. Më vonë pastori bëri një transferim tjetër, u anëtarësua në Kishën Evangjeliste dhe edhe atje u bë një pastor. Përsëri Valkim e ndoqi. Por me kalimin e kohës ajo u ndie tepër e zhgënjyer nga feja, sepse nevojat e saj frymore nuk po plotësoheshin. Jo shumë kohë më pas, brenda tre vjetëve i vdiqën tre fëmijët e saj. Ajo ishte e dëshpëruar. Miqtë e saj i sugjeruan të shikonte video dhe të lexonte romane për të gjetur pak lehtësim, por depresioni nuk u pakësua. Më vonë, një ditë Valkim shkoi për vizitë te një e afërme e saj që ishte bërë Dëshmitare e Jehovait. Ndodhi që, në kohën e vizitës, në atë shtëpi ishte një plak dhe atij i treguan për gjendjen e kësaj gruaje. Ai e ftoi atë në mbledhjet që mbaheshin në Sallën e Mbretërisë dhe i tha se pas mbledhjeve mund të bënte të gjitha pyetjet që dëshironte. Kështu ajo e pranoi ftesën. Kur mori përgjigje nga Shkrimet për gjërat që e ngacmonin atë, më në fund u kënaq. Me gatishmëri pranoi një studim biblik. Përparimi ishte i shpejtë dhe tani ajo është një lajmëtare e pagëzuar.

Shpesh nevojitet durim të arrish të ndash lajmin e mirë përmes pengesave të paragjykimit fetar. Por disa dëgjojnë me kënaqësi dhe e tregojnë mirënjohjen e tyre duke bërë një përpjekje të zellshme për të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e kongregacionit. Natalia, e cila është rreth 60 vjeç, jeton në malet e Kazakistanit. Asaj i duhet të marrë dy autobusë për të arritur në Sallën e Mbretërisë që ndodhet 30 km larg shtëpisë së saj. Autobusi i parë bën 12 kilometra, duke zbritur luginën, ndërsa i dyti 18 kilometrat e tjerë deri në Sallën e Mbretërisë. Në dimër, shpesh autobusi nuk shkon në male, sepse akulli dhe bora e bëjnë të rrezikshme këtë gjë. Por nuk është tepër e rrezikshme për Natalinë, e cila e zbret luginën më këmbë për të marrë autobusin e dytë. Ajo thotë: «Më duhet të shkoj në shtëpi», domethënë në Sallën e Mbretërisë. Ajo shpjegon: «Unë kam dy shtëpi. Njëra shtëpi është ajo ku fle dhe tjetra është Salla e Mbretërisë.»

Popullsia e Izraelit është një përzierje racash, gjuhësh dhe fesh. Dëshmitarët në Izrael shpesh ftohen nëpër shtëpi për të shpjeguar arsyen e vizitës së tyre. Shumë njerëz shprehin çmueshmëri të sinqertë për mesazhin e Mbretërisë. Megjithatë, brenda komunitetit judaik ultraortodoks, ekziston një pakicë e vogël që shqetësohet nga ky reagim gjithnjë e më pozitiv ndaj lajmit të mirë. Në dhjetor të vitit 1997, jashtë asamblesë krahinore në Jafë pranë Tel-Avivit, u organizua një demonstratë ku morën pjesë rreth 300 persona. Shumica e demonstruesve ishin sjellë me autobus nga pjesë të tjera të vendit dhe as nuk e kishin idenë se kundër kujt po demonstronin.

Dhuna e organizuar ka çuar në incidente ku disa motra janë rrahur keq nga një turmë dhe vëllezërve u është zënë pritë, ndërsa bënin rivizita. Kundërshtarët përpiqen të ngjallin urrejtje kundër vëllezërve, duke lëshuar slogane ku na quajnë nazistë dhe thonë se i paguajmë njerëzit që të kthehen në fenë tonë. Ndonëse organizuesit e kësaj fushate urrejtjeje e dinë që kjo nuk është e vërtetë, shumë individë të mashtruar u besojnë këtyre gënjeshtrave dhe janë gati të bëjnë gjithçka që u kërkohet.

Kundërshtimi nuk i ka shkurajuar vëllezërit dhe as nuk i ka penguar të interesuarit që të gjejnë të vërtetën. Pjesa dërrmuese e izraelitëve ndihen të fyer nga një sjellje e tillë e paligjshme. Shumë kalimtarë që shikojnë kundërshtarët fetarë që demonstrojnë përpara Bethelit, ndalojnë për të bërë pyetje dhe janë të kënaqur të dëgjojnë përgjigjet biblike. Të tërhequr nga demonstratat, disa madje kanë filluar të studiojnë me Dëshmitarët e Jehovait dhe të marrin pjesë në mbledhjet e tyre.

Liban një motër e dashur mundi të ndihmonte një vajzë të vogël e cila ishte rritur në shoqëri me Dëshmitarët e Jehovait. Deri në moshën 15 vjeçare ajo merrte pjesë në mbledhje dhe dukej se po shkonte mirë. Pastaj papritur ajo e ndërpreu shoqërimin me kongregacionin e krishterë dhe nuk donte të fliste për të vërtetën biblike. Kaloi gati një vit, gjatë të cilit ajo qëndroi larg kongregacionit. Më në fund, pasi u konsultua me pleqtë dhe u lut, një motër i telefonoi vajzës për ta pyetur nëse do të dëshironte një vizitë. Përgjigjja ishte: «Përse do të më bësh një vizitë? Nëse do të më flasësh për të vërtetën biblike, të lutem mos hajde.» Motra e siguroi se e kishte ndier mungesën e saj dhe se dëshironte t’i fliste mbi udhëtimin e saj të fundit në Evropë. I premtoi se do ta respektonte dëshirën e saj, por shtoi: «Në fakt, kam disa pyetje për të të bërë dhe përgjigjet e tua mund të më jenë të dobishme për të ndihmuar të rinjtë si ti.»

Kur u takuan, motra i foli vajzës mbi udhëtimin në Evropë dhe mbi kongresin ku mori pjesë. Ajo shprehu gëzimin që kishte përjetuar duke qenë midis vëllezërve dhe komentoi mbi dashurinë që ata treguan. Vajza dukej e lumtur që dëgjonte këto gjëra dhe i bënë përshtypje. Pastaj motra i bëri disa pyetje: «Gjatë vitit të kaluar ti ke bërë jetën tënde pa qenë e kufizuar nga e vërteta. Tani, të lutem më thuaj: A ke qenë e lumtur dhe e kënaqur? Çfarë të mungonte në të vërtetën që e gjete në mënyrën e jetesës sipas botës? Po për sa i përket atyre me të cilët je shoqëruar gjatë këtij viti të kaluar: a mendon se kanë qenë më të mirë sesa ata me të cilët shoqëroheshe më parë?» Ajo i kërkoi vajzës që të mendonte rreth pyetjeve dhe t’i jepte një përgjigje më vonë.

Dhjetë ditë më vonë ato u takuan përsëri. Në përgjigje të pyetjeve, midis të tjerave, vajza tha se ishte mërzitur dhe se ishte përpjekur ta kalonte kohën duke bërë punët e shtëpisë, duke dëgjuar muzikë e duke parë TV dhe video, por nuk ishte e lumtur. Gjithashtu, tha se kishte një të dashur dhe se priste që ai të martohej me të. Me durim, motra përdori disa shkrime, disa artikuj «Të rinjtë pyesin» nga revista Zgjohuni!, dhe librin Bëjeni të lumtur jetën tuaj familjare për ta ndihmuar të kuptonte se çfarë është dashuria e vërtetë dhe si mund ta tregojë një djalë, që do me të vërtetë një vajzë, dashurinë dhe interesin e tij për të. Gjatë disa vizitave, ndërkohë që kishin trajtuar së bashku pesë kapitujt e parë të librit Jeta familjare, vajza arriti në përfundimin se i dashuri i saj nuk ishte bashkëshorti që dëshironte.

Me të u fillua përsëri një studim biblik dhe ajo bëri një përparim të vazhdueshëm. Më pas, një i ri tjetër pohoi se interesohej për të dhe për të vërtetën. Edhe pse po studionte, ai nuk bëri përparim. Ajo i preu të gjitha lidhjet me të, pasi e ndau mendjen se donte të martohej me dikë që do t’i shërbente Jehovait me gjithë zemër bashkë me të. Një vit më vonë ajo u pagëzua. Gjeti një punë gjysmëditore dhe hyri në radhët e pionierëve. Në vend që të jetë e mërzitur, tani ajo shërben si një pioniere e lumtur. Gjithashtu, është në gjendje të ndihmojë të rinj të tjerë që mendojnë se bota do t’i bëjë të lumtur, ashtu siç e mendonte edhe ajo dikur.

Si mund të gjenden të gjithë personat ngjashëm deleve midis më shumë se 130.000.000 njerëzve në Pakistan? Vëllezërit tanë bënë pjesën e tyre gjatë këtij viti të kaluar, duke shpërndarë me zell botime të tilla si Lajmëtim i Mbretërisë nr. 35 në gjuhën urdu dhe atë angleze. Megjithatë, edhe disa muaj më pas vazhduan të vinin kërkesa për broshurën Çfarë kërkon dhe për studime biblike, madje edhe nga qytetet ku nuk ka Dëshmitarë. Është e dukshme se engjëlli që fluturon në mes të qiellit, të cilit i referohet Zbulesa 14:6, po luan një rol domethënës në këtë vepër.

Evropa

Kjo është «dita e shpëtimit» e Jehovait. (2. Kor. 6:2, BR) Mundësia për të zgjedhur jetën shtrihet ende përpara njerëzve. Evropa Lindore është një nga zonat ku aktualisht shumë njerëz po e bëjnë këtë zgjedhje të mençur. Që nga viti 1993 ka pasur rritje më të mëdha se 100 përqind në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Estoni, Lituani, Moldavi dhe Ukrainë. Mbi 300 përqind në Letoni dhe Rusi, pavarësisht nga kundërshtimi në rritje prej burimeve të ndryshme. Më shumë se 500 përqind në Bjellorusi. Në Shqipëri, një rritje fantastike prej 830 përqind! Është e dukshme që ka shumë më tepër njerëz, të cilët, kur u jepet inkurajimi i nevojshëm, janë lumtur për mundësinë që të zgjedhin jetën.

Një Dëshmitar në Austri i bëri një vizitë një gruaje që gjithmonë thoshte se nuk kishte kohë. Në vizitën tjetër, Dëshmitari kishte marrë me vete vetëm fletushkën Jeta në një botë të re paqësore dhe para se zonja të thoshte, «Nuk kam kohë», ia dha atë asaj, duke bërë këtë koment të shkurtër: «Flet për të ardhmen e familjes suaj.» Ajo çka lexoi, e shtyu zonjën të kërkonte të dinte më shumë. Kur Dëshmitari u kthye, zonja kërkoi librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, të cilin e kishte parë të ekspozuar jashtë një Salle Mbretërie. Ndërkohë, familja mori një fletushkë ku njoftohej hapja e një klase biblike të sponsorizuar nga kisha lokale. Ajo dhe burri i saj shkuan. Por, kur i bënë pyetje priftit, ai u përgjigj se gjatë këtij kursi duhej të kishte vetëm meditim, jo diskutim. Megjithatë, pyetjet e tyre morën përgjigje kur Dëshmitari u bëri një vizitë tjetër dhe u fillua një studim biblik. Ashtu siç pritej, filluan kundërshtimet. Burri ishte një kishtar dhe anëtar i këshillit të famullisë. Për shkak të presioneve, ai e ndërpreu studimin për njëfarë kohe. U mbajtën lidhje me telefon dhe duke i dërguar revistat. Pas tri muajsh, studimi rifilloi. Ndërsa çmueshmëria e tij për Jehovain rritej, ai u tërhoq nga këshilli i famullisë dhe e ndërpreu shërbimin si kishtar. Ai dhe gruaja e tij, tani janë Dëshmitarë të pagëzuar dhe fëmijët e tyre janë lajmëtarë të papagëzuar.

Shumë evropianë kanë imigruar në Shtetet e Bashkuara për t’u pasuruar. Kështu veproi edhe Aleksandri nga Letonia. Por ai pa se jeta nuk ishte e lehtë në këtë tokë të premtuar; ai u katandis shumë keq nga ana financiare. Megjithatë, gjeti pasuri frymore. Duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ai e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën, diçka më e çmuar sesa ari. Meqë nga natyra ishte entuziast, shpejt ai donte t’i ndante me të tjerët bindjet e sapogjetura. Përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara, ai ishte divorcuar nga gruaja e tij, Inara, duke e lënë të kujdesej për birin e tyre, Kimin. Megjithatë, si rezultat i shumë letrave dhe telefonatave të Aleksanrit, ish-burrit të saj, Inara filloi të studiojë me Dëshmitarët në Letoni. Së fundi, Aleksandri u pagëzua në Nju Jork dhe Inara në Lituani. Pas një mungese prej pesë vjetësh, Aleksandri u kthye në Letoni dhe u rimartua me ish-gruan e tij, gjë që i shkaktoi shumë gëzim Kimit, i cili në atë kohë ishte nëntë vjeç.

Jezui na mësoi të duam madje edhe armiqtë tanë. (Mat. 5:44, 45) Edhe disa prej tyre ndryshojnë rrugë, prandaj mund ta kënaqin Jehovain. Kjo u bë e dukshme kur një plak nga kongregacioni i Taurages në Lituani por rishikonte pyetjet me një kandidate për pagëzim nga qyteti Panevezhis. Gjatë diskutimit, kandidatja, një grua e moshuar, përmendi se e kishte të vështirë të vishte një personalitet të butë për shkak të natyrës së punës që kishte bërë për shumë vjet. Ajo kishte qenë gardiane në burgun e grave në Panevezhis. Kjo ngjalli interesin e plakut. Ai e pyeti nëse kishte punuar atje gjatë viteve 60. Kur ajo tha se po, ai e pyeti: «A njihje në atë kohë ndonjë Dëshmitare të Jehovait që ishte atje dhe ishte burgosur për të vërtetën?» Ajo kujtonte dy ose tre, përfshirë Petruten, motra që kohët e fundit e kishte ndihmuar të mësonte të vërtetën. Gjithashtu, ajo mbante mend një motër që ishte burgosur bashkë me vajzën e saj të mitur. Kur plaku dëgjoi këtë, i emocionuar i tha se po fliste për mamanë e tij që ishte arrestuar sepse predikonte, dhe se tërë fëmijët e saj, përveç të miturës, iu morën me një urdhër gjykate dhe ua dhanë të afërmve. Në atë kohë, plaku ishte tre vjeç. Tani ai po rishikonte pyetjet për pagëzim me ish-gardianen e burgut të mamasë së tij. Sa i lumtur ishte që ajo kishte përqafuar të vërtetën!

Ndonëse numri i përgjithshëm i Dëshmitarëve në Finlandë u rrit shumë pak vitin e kaluar, ata u gëzuan për maksimumin e ri prej 20.103 lajmëtarësh. Në këtë vend ka ende njerëz që po kërkojnë të vërtetën. Për shembull, një çift Dëshmitarësh po planifikonin të njiheshin më mirë me një familje fqinje. Megjithatë, përpara se të vinin në jetë planet, gruaja fqinje erdhi në derën e tyre. Ndërsa po flisnin, biseda kaloi në gjërat frymore dhe motra jonë i ofroi gruas librin Njohuria.

Kur ajo e çoi librin në shtëpi, i shoqi e lexoi brenda dy ditësh, por sa për të kritikuar, sepse kishte paragjykime ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithatë, si përfundim donte të dinte më shumë. Pas pak kohe ata i thanë Dëshmitarëve se prej kohësh po kërkonin një fe që kishte të vërtetën. Kishin hetuar shumë fe. Dëshmitarët e Jehovait i kishin lënë jashtë liste sepse të gjithë flasin kundër tyre. Ata mendonin: «Vështirë që Dëshmitarët e Jehovait ta kenë të vërtetën kur fetë e tjera nuk e kanë.»

Me këtë familje u fillua menjëherë një studim. Çifti tha: «Ndërsa studionim, shumë shkrime të njohura zunë vend te ne në një mënyrë të re. Ndërsa e vërteta qartësohej pak nga pak, ne ndiem sikur përpara nesh ishte hequr një perde mjegulle. Kur pamë ilustrimin e Parajsës në një nga librat, menjëherë menduam: «Ky është vendi ku duam të jemi!»

Pas pak kohe ata filluan të shkojnë në mbledhjet e kongregacionit. Gruaja kujton: «Na përshëndetën shumë ngrohtësisht. Nuk mund ta besoja!» Burrit të saj i bëri përshtypje rregullsia dhe përpikmëria. Djali i tyre 12 vjeçar, po vërente diçka tjetër: «Në familjen tonë vura re se mami dha babi, si rezultat i studimit, u bënë më të mirë dhe atmosfera në shtëpi u bë më e këndshme dhe më e qetë.» Tani, burri kujton me çmueshmëri: «Jehovai ka qenë shpirtmadh me ne. Ai nuk donte që ne të shkatërroheshim, por na çoi në pendim.» Brenda afro shtatë muajsh, e gjithë familja u pagëzua.—Rom. 2:4; 2. Pjet. 3:9.

Një burrë në Zvicër e mësoi të vërtetën në kohën kur ishte kryemekanik në majë të maleve. Ai e donte atë punë, por u kthye për të punuar si punëtor fabrike me një pagë më të ulët, në mënyrë që të mund të merrte pjesë rregullisht në mbledhjet e kongregacionit poshtë në luginë. Ai iu lut Jehovait për ndihmë me qëllim që ta kryente mirë punën me përgjegjësi që i ishte ngarkuar dhe, gjithashtu, t’i kushtonte kujdesin e duhur edhe përgjegjësieve të tjera që kishte.

Në fund të vitit, drejtori e thirri në zyrë dhe i tha se ishin shumë të kënaqur me punën e tij dhe me frymën që kishte shfaqur. Ai pyeste veten se përse vëllai e linte punën çdo ditë në orën 4 pasdite. Kur vëllai iu përgjigj se kishte edhe dy kontrata të tjera për të përmbushur, drejtori e pa i habitur dhe e pyeti se ç’donte të thoshte. «Po ja,—i tha vëllai,—kur u martova, i premtova gruas se do të kujdesesha për të dhe se do të kaloja kohë me të. Përveç punës për të ushqyer familjen ka edhe një aspekt tjetër që kërkon kohë, marrëdhënia ime me Perëndinë. Kështu, këto tri aktivitete duhet të ndërthurren në mënyrë të harmonishme në jetën time të përditshme.» Ai shtoi se faktikisht puna në botë i hante pjesën më të madhe të kohës: nëntë orë në ditë plus kohën e udhëtimit vajtje-ardhje për në fabrikë. Drejtori e kuptoi çështjen dhe e siguroi se mund të vazhdonte ta linte punën në orën 4 pasdite. Kështu, ai mundi t’i japë dëshmi drejtorit dhe, gjithashtu, shfrytëzon rastet që i jepen për të folur edhe me shokët e tjerë të punës, disa prej të cilëve nuk janë kontaktuar më parë.

Për shumë vjet, Fernando kishte pastruar dritaret në një ndërmarrje në Spanjë, ku punon Karlos, një Dëshmitar i Jehovait. Ata kishin bërë biseda të shkurtra, por Fernando nuk kishte treguar ndonjë interes kushedi për të vërtetën. Megjithatë, pas një vizite te kunata e tij në Barcelonë, Fernando kishte disa pyetje. Ai kishte mësuar se një fqinji i saj, dikur pijanec dhe ngatërrestar, që e rrihte gruan vazhdimisht, kishte ndryshuar plotësisht dhe tani ishte një bashkëshort i mirë. Atij i thanë se ky burrë ishte bërë një Dëshmitar i Jehovait. Por si mund të arrihej një ndryshim i tillë? Karlosi i shpjegoi Fernandos se Fjala e Perëndisë mund të bëjë ndryshime të tilla tek njerëzit. (Hebr. 4:12) Tani Fernando filloi të interesohej. Brenda pak kohe, edhe ai po bënte ndryshime në jetën e tij dhe tani është një lajmëtar i lajmit të mirë.

Ishuj të tokës

Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të angazhuar me dëshminë mbi Mbretërinë e Perëndinë edhe në 84 ishuj e grupe ishujsh. Në disa ishuj, për të vërtetën biblike ka pasur një reagim të shkëlqyer. Në Polinezinë Franceze, që ndodhet në Paqësorin Jugor, ka një Dëshmitar për çdo 114 banorë. Guadelupa, në detin e Karaibeve, ka 410.000 banorë, por si rezultat i predikimit ngulmues, mesatarja është 1 Dëshmitar për 52 banorë. Shën Elena, në Atlantikun Jugor, ka një mesatare prej 1 Dëshmitari për 31 banorë.

La Dig, njëri prej grupit të Sejsheleve në Oqeanin Indian, është një ishull i vogël. Aty ka vetëm rreth dy mijë banorë, që do të thotë rreth 500 shtëpi. Por atje po ndodhin gjëra të bukura. Fredi, i cili ka lindur dhe është rritur në ishullin Mahé, mësoi disa gjëra që e ndryshuan rrënjësisht jetën e tij, pas transferimit në La Dig. Ai ishte edukuar si katolik dhe në moshën 18-vjeçare u fut në një shkollë për stërvitjen e priftërinjve. Ai mendoi se atje do të mësonte Biblën, prandaj kërkoi me ngulm një të tillë, por në vend të saj i thanë të mësonte traditat e kishës. Pas disa javësh, krejt i zhgënjyer, ai u largua nga shkolla, për ta kërkuar vetë Perëndinë. Bleu një Bibël dhe fliste për të me këdo që kishte dëshirë të dëgjonte. Megjithatë, mënyra e tij e të jetuarit nuk ishte aq e drejtë, sa qëllimet e tij. Ai ishte i përfshirë në imoralitet, abuzonte me drogën, e tepronte në të pirë dhe merrej me artet marciale.

Më vonë, kur jetonte në La Dig, ai takoi disa misionarë që ishin Dëshmitarë të Jehovait. Me të u fillua shpejt një studim biblik, në disa raste dy ose tre herë në javë. Kur mësoi emrin e Perëndisë, ai u prek me të vërtetë dhe të nesërmen tha: «Sa mirë është që njeriu ta dijë se kujt i lutet dhe të mos i flasë më një të panjohuri. Jam lutur gjithë natën me këtë emër dhe është hera e parë që e ndieva me të vërtetë se Perëndia më dëgjoi.»

Një ditë, ai tha: «Është një djalë që ka shumë interes. E di që nuk keni kohë të studioni me të. Ndoshta ai mund të studiojë me mua, sepse tashmë kam mësuar shumë gjëra.» Misionari e inkurajoi që në fillim të shqyrtonte se në ç’gjendje ishte para Perëndisë. Dy ditë më vonë, Fredi tha: «E kuptoj se që të jem një Dëshmitar për Jehovain, nuk do të thotë thjesht të di këshillat, por t’i zbatoj ato në jetën time. E kuptoj se nuk jam në atë gjendje që duhet për të përfaqësuar Jehovain. Si mund t’u predikoj të tjerëve, kur jeta ime familjare nuk është në rregull?» Kështu që ai u nda nga e dashura e tij, derisa ta bënin të ligjshme lidhjen e tyre. Muajin pasues, u martuan. Kur ndreqi edhe disa gjëra të tjera, Fredi qe i lumtur që më në fund mund të kishte privilegjin për të marrë pjesë në shërbimin në fushë. Që nga ajo kohë, është i pagëzuar.

Elsi, një grua në Mauriki, në qytetin e saj njihej si Gro mama, magjistarja. Të gjithë e kishin frikë. Ajo praktikonte rite të liga në varreza dhe njihej si një frymë shëruese me fuqi të madhe. Si arriti ajo t’i mësonte të vërtetat e Biblës? Me shumë durim, interesim personal dhe dashamirësi të pamerituar nga ana e Perëndisë. Pasi filloi studimin e bija e Elsit, një Dëshmitare shkoi të takonte edhe të ëmën. Dëshmitarja vuri re se nëna e saj jo vetëm që ishte e zhytur në spiritizëm, por nuk dinte as të lexonte, kishte probleme serioze familjare dhe pinte shumë duhan. Megjithatë, u nisën disa biseda biblike, duke përdorur botimin Libri im i tregimeve biblike. Dëshmitarja shkonte tek ajo tri herë në javë, duke e nxitur vazhdimisht: «Beso te Jehovai.»

Ndryshimet nuk u bënë lehtë. Në betejën që bënte për ta lënë duhanin, asaj iu desh të mësonte se Jehovai shikon çdo gjë që bëjmë dhe prej tij s’mund të fshehim asgjë. (Heb. 4:13) Në librin Të jetosh përgjithmonë ajo kishte parë figurën që tregonte të krishterët e hershëm duke i ndjekur librat e tyre mbi artet magjike dhe kishin folur për domethënien e saj, por ajo nuk i la menjëherë ritet e saj demonike. (Vep. 19:19) Megjithatë, pas një përvoje të tmerrshme, ajo mori gjithçka që kishte përdorur në adhurimin e rremë dhe i hodhi në lumë.

Më pas, kur njerëzit vinin tek ajo për shërbimet okulte, ajo u shpjegonte se ajo që bënte më parë nuk i pëlqen Perëndisë dhe i inkurajonte të studionin Biblën. Ajo u thoshte se vetëm Jehovai mund t’i mbronte nga e liga dhe i inkurajonte të besonin tek ai. Ndonëse Elsi vdiq kohët e fundit, disa nga ish-klientët e saj, janë tani shërbëtorë të Jehovait.

Predikimi nga shtëpia në shtëpi nuk lejohet në çdo fshat të ishujve Uollis end Futuna, në Paqësorin jugor, por është e mundur të shkosh për vizitë te të afërmit dhe të japësh dëshmi joformale. Atje, një student i Biblës i dha fletushkën Lajmërimi nr. 35 i Mbretërisë njërit prej miqve të tij, që njihej si pijanec, kishte flokë të gjata dhe një mjekër të çrregullt. Ai i rrihte herë pas here gruan dhe fëmijët. Pas disa bisedash, ky burrë ra dakord të shkonte në Studimin e Librit të Kongregacionit. Ai e çmoi kaq shumë atë që mësoi, saqë kërkoi të shkonte në Sallën e Mbretërisë dhe të merrte me vete gruan. Fjalimi publik për atë javë titullohej: «Një popull i pastër nderon Jehovain.» Atyre u bëri përshtypje. Kërkuan një studim biblik. Studenti i Biblës që e kishte ftuar çiftin, mori masa që ata të shkonin në shtëpinë e tij dhe të takonin atje dy Dëshmitarë. Kur mbërriti çifti i interesuar, burri nuk njihej. Ishte rruar, kishte prerë flokët e tij të gjatë e të ashpër dhe kishte veshur rroba të pastra. Edhe mënyra e të folurit i kishte ndryshuar. Dukej si një burrë fringo i ri. Që nga ajo kohë, ata kanë marrë pjesë rregullisht në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Është e qartë që vepra jonë nuk është të gjykojmë të tjerët, por përkundrazi, t’u themi atyre të vërtetat biblike. Nëse zemrat e tyre janë të drejta, fryma e Jehovait do t’i ndihmojë të bëjnë ndryshimet e nevojshme në jetën e tyre.

Shumë vetave në Taivan, u duhet të hasin sprova të vërteta besimi në lidhje me funeralet, adhurimin e të parëve dhe çështje të tjera që kanë lidhje me këto. Meihua, një motër e sapopagëzuar, për muaj të tërë shkonte në spital dhe vizitonte me perzemërsi vjehrrin e saj që po vdiste. Kur ai vdiq, vjehrra këmbënguli duke thënë se nëse ajo nuk e adhuronte, shpirti i tij nuk do të gjente paqe dhe ai do të kthehej për t’iu fanitur si fantazmë familjes. Me gjithë presionet, Meihua qëndroi e palëkundur. Vjehrra donte ta detyronte që të largohej nga shtëpia dhe të kthehej te të afërmit e saj. Megjithëse nuk pranoi të merrte pjesë në adhurimin e të vdekurit, Meihua vendosi t’u kërkonte që ta lejonin ta respektonte atë sipas mënyrës së saj. Çuditërisht, ata pranuan. Ajo përgatiti një lutje që i përshtatej rastit. Kur erdhi koha, përpara gjithë familjes dhe me lotët që i shkonin rrëke, ajo bëri një lutje të sinqertë, duke i kërkuar Jehovait ta ndihmonte të gjithë familjen që të kuptonte se vjehrri i saj nuk ishte ende duke vuajtur, por ishte në paqe. Ajo përmendi ringjalljen dhe faktin që vjehrri i saj mund të përfitonte prej saj. (Vep. 24:15) Rezultati ishte fantastik. Vjehrra, burri jobesimtar i Meihuas dhe i gjithë rrethi familjar, tani e respektojnë si një grua të shkëlqyer dhe me kurajë. Ajo vazhdon t’i shprehë Jehovait çmueshmërinë e saj, duke marrë pjesë me zell në shërbim.