Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Uruguaj

Uruguaj

Uruguaj

NË VITIN 1516, kur erdhën për herë të parë në Uruguaj, spanjollët nuk gjetën as ar, as argjend, as kalimin që po kërkonin për në Lindje. Por me kalimin e kohës, ata vunë re se terreni i valëzuar dhe klima e butë ishin kushte ideale për bagëtinë. Kjo qe një mundësi për të bërë para. Duke përdorur metodat që, mjerisht, shpesh janë karakteristike për fuqitë koloniale, Spanja ndërmorri një fushatë ushtarake agresive për shfarosjen e indianëve vendas karruas dhe pushtoi vendin. Gjatë shekullit të 17-të dhe të 18-të, ata thuajse e zëvendësuan popullsinë indiane vendase. Më vonë, mbërritën edhe mijëra imigrantë nga Italia dhe nga vende të tjera. Kështu që sot, shumica e njerëzve në Urugauaj janë pasardhës të imigrantëve evropianë dhe gjuha zyrtare është spanjishtja.

Me gjithë ndikimin mbizotërues evropian të më shumë se tre milionë banorëve, rreth 10 për qind e tyre janë me origjinë vendase indiane dhe më pak se 3 për qind janë pasardhës të skllevërve të sjellë nga Afrika. Pjesa më e madhe e uruguajanëve nuk kanë ndonjë interes kushedi se çfarë për fenë. Kisha Katolike nuk ushtron mbi popullatën ndikimin e fuqishëm që ushtron në vende të tjera Amerikano-Jugore. Në fakt, që në fillim të shekullit të 20-të, ka pasur një ndarje të dukshme mes kishës dhe shtetit. Megjithatë, ndonëse atje ka shumë nga ata që veprojnë sipas mendjes së tyre, që janë agnosticistë apo ateistë, një numër i konsiderueshëm njerëzish besojnë ende te Perëndia. Qëndrimin e tyre e zbulon një pohim që dëgjohet shpesh: «Unë besoj te Perëndia. Vetëm se nuk besoj te feja.»

Si do të reagonin njerëz të tillë nëse, në vend se t’u mësonin kredot e të ashtuquajturit krishterim, do të mësonin për Perëndinë e vërtetë, qëllimi i dashur i të cilit dhe marrëdhëniet e përzemërta me njerëzimin janë treguar në Bibël? A do të tregonin se ishin mes «gjërave të dëshirueshme» që mirëpret Perëndia në shtëpinë e tij frymore të adhurimit?—Hag. 2:7.

Fillim i vogël

Në vitin 1924, një burrë me emrin Huan Munis, nga Spanja, erdhi të kërkonte njerëzit me zemër të ndershme që do të bëheshin adhurues të Jehovait. J. F. Rutherford, në atë kohë kryetar i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, i kërkoi atij që të transferohej në Amerikën Jugore dhe të mbikëqyrte predikimin e lajmit të mirë në Argjentinë, Kili, Paraguaj dhe Uruguaj. Pak pas mbërritjes së tij në Argjentinë, ai përshkoi lumin Rio de la Plata, që t’u predikonte njerëzve në Uruguaj.

Gjatë 43 vjetëve që pasuan, deri kur vdiq në vitin 1967, Huan Munis qe një mësues i patrembur i Fjalës së Perëndisë dhe një vegël për përhapjen e lajmit të mirë në vende të ndryshme të Amerikës Jugore, përfshirë edhe Uruguajin. Shumë prej Dëshmitarëve të Jehovait të asaj periudhe, mbajnë mend se ai mund të mbante të magjepsur për dy-tre orë një auditor të tërë, pa pasur përpara asnjë shënim, por vetëm duke përdorur Biblën.

I përgjigjen thirrjes për më shumë punëtorë

Pak kohë pas mbërritjes në Amerikën Jugore, Huan Munis vërejti një potencial të madh dishepujsh dhe e kuptoi se kishte shumë nevojë për punëtorë. Ai duhet të ketë menduar atë që mendoi Jezui: «E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Kështu, në harmoni me lutjet e tij drejtuar Jehovait, «Zotit të të korrave», vëllai Munis ia përcolli merakun vëllait Rutherford.

Në përgjigje të kërkesës së tij, në vitin 1925, gjatë një kongresi në Magdeburg të Gjermanisë, vëllai Rutherford e pyeti një pionier gjerman nëse do të ishte i gatshëm të ndihmonte në Amerikën e Jugut. Emri i tij ishte Karl Ot. Vëllai Ot e pranoi caktimin dhe me kalimin e kohës, vëllezërit që flisnin spanjisht, e quanin Karlos Ot. Pasi shërbeu në Argjentinë për njëfarë kohe, në vitin 1928 u caktua në Montevideo, kryeqyteti i Uruguajit. Ai shërbeu në Uruguaj edhe për dhjetë vjet të tjerë.

Karlosi iu fut menjëherë punës. Ai qe i zellshëm dhe i zgjuar. Menjëherë gjeti një vend në rrugën Rio Negro, ku mund të banonte dhe të mbante mbledhje të rregullta për studimin e Biblës me disa të interesuar. Gjithashtu, mori masa që të transmetoheshin në radio leksione biblike. Madje, një stacion radioje ra dakord që t’i transmetonte falas këto leksione.

Hera-herës, Karlos hynte në ndonjë restorant dhe ndërsa njerëzit hanin, u afrohej tryezave të tyre. Një ditë, ndërsa jepte këtë lloj dëshmie nga tryeza në tryezë, ai takoi Hoze Gajekun, një dyqanxhi gjerman që e përqafoi shpejt të vërtetën biblike. Pak kohë më pas Hozeja u bashkua me Karlosin, si një prej shpallësve të parë të lajmit të mirë në Uruguaj.

I vendosur për t’ia dedikuar plotësisht kohën përhapjes së lajmit të mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë, vëllai Gajek e shiti dyqanin e tij ushqimor dhe filloi veprën e pionierit. Ai dhe vëllai Ot mbuluan një pjesë të madhe të vendit, duke predikuar nga shtëpia në shtëpi dhe duke mbajtur fjalime biblike në shumë qytete dhe provinca. Vëllai Gajek mbolli një bollëk farash në zemrat e shumë uruguajanëve, derisa vdiq në vitin 1953. Shumë prej studentëve të tij u bënë pjesëtarë të kongregacionit të krishterë dhe kanë mbetur besnikë edhe sot e kësaj dite.

Rusët pranojnë të vërtetën

Gjatë Luftës I Botërore, disa familje ruse u transferuan në Uruguaj dhe u vendosën në veri. Atje, ngritën rajone të mbara bujqësore. Ata ruajtën edhe respektin e tyre tradicional për Biblën, duke e lexuar atë rregullisht. Meqenëse ishin shumë punëtorë dhe kishin një natyrë të rezervuar, ata formuan një komunitet të mbyllur, që kishte pak kontakt me shoqërinë uruguajane. Pikërisht këtu doli në skenë një ndër lajmëtarët e parë të lajmit të mirë në Uruguaj. Emri i tij ishte Nikifor Kaçenko.

Në vendlindjen e tij, në Besarabi, ai kishte qenë një komunist i patundur. Megjithatë, kur imigroi në Brazil, i ra në dorë broshura Ku ndodhen të vdekurit?, botuar nga Shoqata Watch Tower. Ai njohu menjëherë tingullin e së vërtetës dhe u bë një student i etur i Biblës. Pak kohë më pas, ai filloi të predikonte mes atyre që flisnin rusisht, në zonën e San Paolos në Brazil. I shtyrë nga dëshira për t’u predikuar në gjuhën e vet bashkëpatriotëve të tij në Uruguaj, ai udhëtoi rreth 2.000 kilometra. Kështu, në vitin 1938, vëllai Kaçenko mbërriti në një komunitet rus të quajtur Kolonia Palma, në Uruguajin Verior, dhe shërbeu me kaq shumë zell, saqë brenda pak kohësh i kishte dhënë fund literaturës biblike në gjuhën ruse.

Fermerët u përgjigjën me entuziazëm. Familje të tëra filluan të studionin dhe të përqafonin të vërtetën. Ata treguan se ishin mes «gjërave të dëshirueshme» të ftuara në shtëpinë e Jehovait. Kaçenko, Stanko, Kotlerienko, Gordienko, Seklienov dhe Sikalo janë vetëm disa prej familjeve, nipërit dhe stërnipërit e të cilëve kanë qenë baza për kongregacione të tilla në veri, si Bela Union, Salto dhe Paisandú. Disa prej pjesëtarëve të këtyre familjeve kanë qenë pionierë specialë, pleq, mbëkëqyrës qarkorë dhe misionarë. Sa për vëllain Kaçenko, ai mbeti besnik deri sa vdiq në vitin 1974.

Gjashtë gjermanët

Për shkak të persekutimit të dhunshëm kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë naziste, shumë pionierë gjermanë e lanë vendin e tyre për të shërbyer në Amerikën Jugore. Në fillim të vitit 1939, gjashtë prej këtyre pionierëve mbërritën në Montevideo trokë fare dhe me pak gjëra të vetat. Ata u ndjenë të kënaqur që takuan Karlos Otin, i cili kishte dalë për t’i pritur. Këta të gjashtë ishin Gustavo dhe Beti Bendër, Adolfo dhe Karlota Fos, Kurt Nikëli dhe Oto Hele. Vetëm tri ditë pas mbërritjes, ata po predikonin tashmë nga shtëpi në shtëpi. Meqenëse nuk e dinin spanjishten, përdornin një kartelë dëshmie të shtypur në spanjisht. Gjithë sa mund të thoshin ata në spanjisht, ishte «Por favor, lea esto» («Ju lutemi, lexojeni këtë.») Pavarësisht nga kufizimet e tyre në lidhje me gjuhën, kur vëllai Ot u caktua përsëri në Argjentinë, grupi gjerman u la në Uruguaj, që të kujdesej për veprën e Mbretërisë në vend.

Muajt e parë nuk ishin të lehtë. Të mësoje gjuhën ishte një sfidë. Për ta nuk ishte e pazakontë t’i ftonin njerëzit në rinones (veshka) në vend se në reuniones (mbledhje); ata thonin abejas (bletë), në vend të ovejas (dele) dhe kërkonin arena (rërë) në vend të harina (miell). Njëri prej tyre kujton: «Të predikoje nga shtëpia në shtëpi, si dhe të drejtoje studime biblike dhe mbledhje pa e ditur gjuhën, ishte një detyrë e vështirë. Veç kësaj, nuk kishim asnjë ndihmë financiare. Kishim mundësinë që kontributet e marra nga literatura e ofruar, t’i përdornim për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe të transportit. Ishim të kënaqur që aty nga fundi i vitit 1939, kishim bërë 55 pajtime për revistat dhe kishim lënë më shumë se 1.000 libra dhe 19.000 broshura.»

Biçikleta dhe tenda

Këta gjashtë gjermanë nuk u shkurajuan lehtë. Shpejt, ata filluan ta mbulonin vendin me lajmin e mirë në mënyrën më ekonomike të mundshme: blenë gjashtë biçikleta. Oto Hele dhe Kurt Nikël u dhanë biçikletave për disa ditë, duke përshkuar 615 kilometra për të mbërritur në Kolonia Palma, që të mbështesnin vëllain Kaçenko. Imagjinoni habinë e tyre kur zbuluan se ai nuk fliste as spanjisht, as gjermanisht dhe se ata nuk kuptonin asnjë fjalë rusisht! Duke provuar në kurrizin e tyre atë që kishte ndodhur në Kullën e Babelit, ata vendosën të predikonin me atë spanjishten e tyre të çalë në provincën e afërt të Saltos, ndërkohë që vëllai Kaçenko vazhdonte të punonte me rusët.—Zan. 11:1-9.

Ndërkohë, për të përhapur mesazhin e Biblës në qytetet dhe provincat e jugut, çifti Bendër nisi një udhëtim prej qindra kilometrash nëpër rrugë të mbulura me zhavorr dhe pluhur. Në biçikletat e tyre mbanin një tendë, një furnellë të vogël gatimi, enë kuzhine, literaturë, një gramafon me fjalime biblike në pllaka, si dhe rrobat e nevojshme për një periudhë disa mujore. Ngarkesa e secilës biçikletë ishte sa ajo e një personi. Vetëm me këto pajime, ata sfiduan të ftohtin, të nxehtin dhe shiun. Disa herë, kur kalonin nëpër vende me ujë, u duhej ta mbanin çdo gjë mbi supe, që të mos u lageshin librat dhe gramafoni.

Një gjë themelore e pajisjeve ishte tenda e tyre. Çifti Bendër e kishte bërë tendën të papërshkueshme nga uji, duke e trajtuar me vaj dhe hudhër, që të mos i afroheshin molat. Një mëngjes, kur u zgjuan, ata nuk po u zinin besë syve, kur përmes dhjetëra vrimave në pjesën e sipërme të tendës shikonin qiellin. Gjatë natës, milingonat kishin ngrënë një ushqim prej kanevaceje me një shtresë vaji dhe hudhre, të cilit s’mund t’i rezistoje! Çifti gjerman kishte nënvlerësuar oreksin e pangopur të milingonave.

«Spiunët nazistë»

Për Gustavo dhe Beti Bendërin, ndërsa predikonin në brendësi të vendit, fakti që ishin me kombësi gjermane u bë një prej problemeve më të mëdha. Pse? Lufta II Botërore ishte në kulmin e saj dhe radioja e gazetat uruguajane jepnin raporte sensacionale për avancimet gjermane në Evropë. Njëherë, ndërsa çifti Bendër fushonte në rrethinat e një province, radioja njoftoi se gjermanët kishin lëshuar pas radhëve të armiqve parashutistë të armatosur që mbanin biçikleta. Menjëherë, të mbërthyer nga paniku, ata që banonin në provincë, arritën në përfundimin se dy gjermanët që fushonin jashtë provincës ishin spiunë nazistë! E përforcuar nga një grup i madh burrash të armatosur, policia e vendit u drejtua menjëherë për te kampi i çiftit Bendër, që të hetonte situatën.

Gustavo dhe Beti u morën në pyetje. Policia vuri re se disa gjëra ishin mbuluar me çarçaf prej kanavace. Kështu që i pyetën të nervozuar: «Çfarë keni mbuluar me atë çarçaf?» Gustavo u përgjigj: «Dy biçikletat tona dhe literaturën biblike.» Me një vështrim mosbesues, polici e urdhëroi ta hiqte çarçafin. Nuk kishte asnjë mitraloz, por, për lehtësimin e madh të policëve, kishte vetëm dy biçikleta dhe disa libra. Policët e ftuan miqësisht çiftin që, ndërsa predikonin në atë provincë, të qëndronte në një vend më mikpritës: në rajonin e policisë!

Gjashtë gjermanët predikuan besnikërisht në Uruguaj për disa dekada. Pas vdekjes së Gustavo Bendër në vitin 1961, gruaja e tij u kthye në Gjermani, ku vazhdoi aktivitetin e saj si pioniere. Ajo vdiq në vitin 1995. Adolfo dhe Karlota Fos shërbyen si misionarë në Uruguaj, derisa vdiqën: ai në vitin 1993, ndërsa ajo në 1960-ën. Edhe Kurt Nikël qëndroi në Uruguaj, der kur vdiq në vitin 1984. Në kohën kur po shkruhet kjo histori, Oto Hele, në moshën 92-vjeçare, është ende duke shërbyer në Uruguaj.

Farat japin fryt

Këta shpallës të parë të lajmit të mirë në Uruguaj, kërkuan me zell nënshtetasit e ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Aty nga viti 1944, në Uruguaj e raportonin aktivitetin e tyre 20 lajmëtarë dhe 8 pionierë. Ky ishte një fillim i vogël. Kishte akoma ‘gjëra të tjera të dëshirueshme’ që duheshin gjetur.

Maria de Berueta dhe katër fëmijët e saj: Lira, Selva, Zherminal dhe Liber, nisën t’i ndiqnin mbledhjet e krishtere në vitin 1944. Pak pas kësaj, Lira dhe Selva filluan të predikonin dhe, brenda pak muajsh, filluan shërbimin si pioniere. Ato shoqëronin Aida Larierën, një prej lajmëtareve të para dhe shumë të zellshme në vend. Megjithatë, familja Berueta nuk e kishte simbolizuar ende dedikimin me anë të pagëzimit në ujë. Gjatë njërës prej vizitave të tij nga Argjentina, Huan Munis e vuri re këtë anomali. Kështu, pas gjashtë muajsh shërbimi në kohë të plotë, Lira dhe Selva u pagëzuan bashkë me vëllain e tyre Liber dhe me mamanë e tyre, Maria.

«Të mbështetur nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait, nuk e kemi tradhtuar kurrë atë dedikim»—thotë Lira. Në vitin 1950, ajo u ftua në Shkollën e Galaadit. Si misionare, ajo u caktua në Argjentinë, ku shërbeu për 26 vjet. Në vitin 1976, u kthye në Uruguaj. Në vitin 1953, edhe Selva mori pjesë në Shkollën e Galaadit bashkë me burrin e saj. Ata u caktuan në Uruguaj, ku ai shërbeu si mbikëqyrës qarkor. Selva vazhdoi besnike, derisa vdiq në vitin 1973. Liberi u martua dhe krijoi familjen e tij. Edhe ai gëzoi shumë privilegje shërbimi. Deri në vitin 1975, kur vdiq, ai qe kryetari i korporatës ligjore të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait në Uruguaj, Sosiedad La Torre del Vigia. Po Zherminali ç’u bë? Ai nuk vazhdoi të shoqërohej me popullin e Jehovait. Por megjithatë, pas rreth 25 vjetësh, fara e së vërtetës u shfaq përsëri në zemrën e tij. Sot, ai është plak në njërin prej kongregacioneve të Montevideos.

Mbërrijnë misionarët e Galaadit

Në mars të vitit 1945, Nathan H. Knorr dhe Frederick W. Franz nga selia botërore e Shoqatës, bënë vizitën e parë në Uruguaj. Ata qenë një burim inkurajimi për të gjithë. Pothuajse në të njëjtën kohë, në Uruguaj mbërriti edhe një vëlla tjetër, Rasëll Korneli. Vëllai Korneli nuk kishte ardhur thjesht për vizitë. Për kënaqësinë e vëllezërve, ai ishte i diplomuari i parë i Galaadit i caktuar në Uruguaj. Në atë kohë, ai fliste vetëm disa fjalë spanjisht, por ishte i vendosur të mësonte. Brenda gjashtë javëve, ai qe në gjendje të mbante fjalimin e tij të parë publik në spanjisht. Ai qe një ndihmë e paçmueshme për veprën e Mbretërisë në Uruguaj.

Po atë vit, Shoqata dërgoi edhe 16 misionarë të tjerë. Ato ishin të gjitha motra të reja. Prania e tyre në Montevideo ra menjëherë në sy dhe një gazetë tha se në Montevideo kishin rënë nga qielli «engjëj bjondë me tualet»! Menjëherë, motrat iu futën predikimit me zell dhe me entuziazëm. Efektet e shërbimit të tyre u dukën. Pjesëmarrja në Përkujtim kaloi nga 31 në vitin 1945 në 204 vitin tjetër. Më vonë, disa prej këtyre misionareve u dërguan nëpër qytetet në brendësi të vendit. Ndërsa predikonin në territore ku lajmi i mirë s’kishte shkuar kurrë, Jehovai bekonte përpjekjet e tyre.

Në rrjedhën e viteve, në Uruguaj kanë shërbyer më shumë se 80 misionarë. Ata që ndodhen ende në caktimet e tyre, janë Etel Fos, Bërden Hofstitër, Tovë Hoënsën, Gynter Shënhart, Lira Berueta dhe Florëns Latimër. Të gjithë këta kanë kaluar më shumë se 20 vjet në caktimet e tyre. Burri i motrës Latimër, Uilliami, vdiq në caktimin e tij pas 32 vjetësh shërbimi misionar, shumë prej të cilëve të kaluar në veprën udhëtuese.

Një mbledhje e mbrojtur mirë

Xhek Pauërs, një i diplomuar i klasës së parë të Galaadit, filloi të shërbente në Uruguaj më 1 maj 1945. Ai dhe gruaja e tij, Xhejn, punuan në mënyrë të palodhur, duke i çuar përpara interesat e Mbretërisë në këtë vend deri në vitin 1978, kur iu desh të largoheshin, që të kujdeseshin për prindërit e tyre të sëmurë në Shtetet e Bashkuara. Xhek kujton një incident të paharrueshëm që ndodhi kur ai ishte në Uruguaj. Në vitin 1947, Xheku mbërriti në Rivera, një qytet që ndodhet në veri të vendit, pranë kufirit brazilian. Megjithëse nuk kishte lajmëtarë vendas, me ndihmën e një vëllai nga Brazili, për një muaj ai predikoi në mbarë qytetin, duke lënë më shumë se 1.000 broshura Një botë, një qeveri, në spanjisht.

Si një finale e madhe për këtë muaj aktiviteti, ai vendosi të mbante një mbledhje publike në Plasa Internasional. Siç e tregon emri, Plasa ndodhej tamam në qendër të kufirit ndërkombëtar të Brazilit me Uruguajin. Pas disa ditësh që njoftonin për mbledhjen, dy vëllezërit zunë vend te Plasa, në pritje të turmave që ata shpresonin se do të vërshonin për të dëgjuar fjalimin. Pas pak erdhën 50 policë të armatosur, që të mbanin rregullin gjatë mbledhjes. Sa ishin të pranishmit? Gjithsej 53: dy vëllezërit, dikush që erdhi sepse i interesonte subjekti i fjalimit dhe 50 policët. Mbledhja u mbajt vërtet me rregullsi dhe u mbrojt mirë!

Vitin që pasoi, Shoqata caktoi pesë misionarë në Rivera. Pak pas mbërritjes së misionarëve, Nathan H. Knorr dhe Milton G. Henschel nga selia e Shoqatës, mbajtën në Rivera një mbledhje me 380 të pranishëm. Përgjatë viteve, në Rivera u gjendën shumë njerëz që e kapën mesazhin e Mbretërisë. Tani, në atë territor ka dy kongregacione.

Dy fqinja kureshtare

Një prej qyteteve më të mëdha në brendësi të Uruguajit është Salto, i cili ndodhet në bregun lindor të lumit Uruguaj. Kjo është një zonë e frytshme bujqësore, e famshme për portokallet dhe për agrumet e tjera të saj. Pesë kongregacionet që ndodhen në atë zonë, tregojnë se Salto ka qenë produktive edhe në kuptimin frymor. Megjithatë, në vitin 1947, misionarët në Salto sapo e kishin filluar kërkimin për «gjërat e dëshirueshme» të Jehovait.

Atë vit, Mabël Xhons, një prej 16 motrave misionare që mbërritën në vitin 1945, bashkë me misionarë të tjerë shkoi në Salto për disa javë, që të ngjallnin interesin për asamblenë që do të mbahej atje. Dy fqinja, Karola Beltrameli dhe shoqja e saj Katalina Pomponi, e shikonin me kureshtje Mabëlin. Një të shtunë pasdite, ndërsa Mabëli kthehej në shtëpi pas shërbimit në fushë, dy fqinjat kureshtare iu afruan dhe i bënë disa pyetje biblike. Katalina Pomponi kujton: «Gjithmonë kisha qenë e etur për gjërat që kishin të bënin me fenë. Ja sepse fillova ta lexoja vetë Biblën. Mësova shumë gjëra. Për shembull, mësova se lutjet që i drejtohen Perëndisë duhen bërë veçmas dhe jo që të të shohin të tjerët. Pas kësaj, shpesh ulesha në gjunjë dhe i lutesha Perëndisë që të kuptoja gjërat. Kur Mabël Xhons na foli për herë të parë, na u duk sikur nga sytë tanë u hoq një vel. Shkova në shtëpi dhe u ula në gjunjë për të falënderuar Përëndinë. Ditën tjetër, bashkë me Karolën, ndoqa mbledhjen publike në asamble.»

Me gjithë kundërshtimin që u bënë burrat e tyre, dy fqinjat e Mabëlit përparuan shpejt dhe u pagëzuan. Me kalimin e kohës, Katalina Pomponi u caktua pioniere speciale. Gjatë karrierës së saj besnike për më shumë se 40 vjet në shërbimin në kohë të plotë, ajo ka ndihmuar 110 persona që të bëhen Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. Edhe Karola Beltrameli qe një lajmëtare e zellshme e Mbretërisë, e cila ndihmoi më shumë se 30 persona drejt pagëzimit. Dy djemtë e Karolës u bënë pionierë. Më i madhi, Delfosi, pati privilegjin të ndiqte Shkollën e Galaadit, dhe ka ndihmuar për mbikëqyrjen në zyrën e degës që prej vitit 1970.

Në vendin e matés

Ndërsa mbulonin zonat fshatare, misionarët shkonin nëpër disa estancia, që janë rajone të mëdha për rritjen e gjedhëve dhe deleve. Njerëzit që jetojnë nëpër estencia janë të thjeshtë dhe mikpritës. Për ta është krejt e zakonshme t’i mirëpresin Dëshmitarët, duke u ofruar pijen tradicionale maté. Maté është një çaj i nxehtë që pihet nga një susak, me anë të një bombila, një tub metalik me kullesë në njërën anë. Për uruguajanët, përgatitja dhe qerasja me maté është pothuajse një ceremoni. Pasi përgatitet çaji, susaku kalohet me radhë nga njëri person te tjetri dhe të gjithë pijnë nga e njëjta bombilë.

Imagjino reagimin e misionarëve kur i ftuan për herë të parë që të pinin maté bashkë me të tjerët. Për çudinë e atyre që i kishin ftuar, ndërsa pinin pijen e hidhur jeshile, në fytyrat e misionarëve shiheshin lloj-lloj ngërdheshjesh. Pasi provuan gllënjkën e parë, disa vendosën se ajo do të ishte edhe gllënjka e fundit. Ftesat e tjera për të pirë maté u refezuan me mirësjellje.

‘Nëse keni shëmbëlltyra, nuk vij më’

Një grup misionarësh u caktua në qytetin e Takuerembos, në Uruguajin verior. Ky qytet është i rrethuar nga estancia të mëdha dhe nga ndërmarrje të tjera bujqësore. Në vitin 1949, Gerardo Eskribano, një fermer i ri që kishte shumë pyetje për jetën, mori një ftesë për të ndjekur një fjalim publik në Sallën e Mbretërisë. Ai e pranoi ftesën me një kusht: «Nëse keni shëmbëlltyra ose më kërkohet të përsëris lutjet, unë nuk vij më.»

Gerardos iu bë qejfi që në Sallën e Mbretërisë nuk gjeti asnjë shëmbëlltyrë dhe asnjë rit. Përkundrazi, ai ndoqi me kënaqësi një fjalim biblik që rigjallëroi interesin e tij për Biblën. Ai vazhdoi të shkonte në mbledhje dhe me kalimin e kohës u bë një shërbëtor i dedikuar dhe i pagëzuar i Jehovait. Gjatë viteve, ai ka gëzuar shumë privilegje shërbimi, të tilla si pionier special, veprën qarkore dhe atë krahinore. Vëllai Eskribano dhe gruaja e tij, Ramona, kanë qenë të dy së bashku në shërbimin e plotë kohor për 83 vjet. Që prej vitit 1976, vëllai Eskribano ka qenë anëtar i Komitetit të Degës, bashkë me Delfos Beltramelin dhe Gynter Shënhart, një misionar nga Gjermania, i cili për shumë vjet i ka kontribuar shumë ndërtimit frymor të kongregacioneve në afërsi të degës.

E korra rritet

«E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak»,—tha Jezui. (Mat. 9:37, 38) Këto fjalë morën një domethënie të veçantë në jetën e misionarëve në Uruguaj, të cilëve u duhej të mbulonin një territor kaq të madh. Ndërsa vitet kalonin, u bë e dukshme se Jehovai po i mbështeste dhe po i bekonte përpjekjet e punëtorëve të tij.

Në vitin 1949, kur vëllai Knorr dhe Henschel shkuan atje për herë të dytë, në Montevideo u mblodhën 592 veta për të dëgjuar fjalimin e vëllait Knorr «Është më vonë seç mendoni!» Me këtë rast, u pagëzuan 73 veta. Në atë kohë, në vend kishte 11 kongregacione. Dhjetë vjet më vonë, gjatë vizitës së tij të katërt, vëllai Knorr i foli në Montevideo një auditori prej më shumë se 2.000 vetash. Deri në atë kohë, në Uruguaj numri i lajmëtarëve kishte arritur në 1.415, ndërsa ai i kongregacioneve në 41.

Vitet 50 u karakterizuan nga rritja e numrit të kongregacioneve në mbarë vendin. Megjithatë, shumë kongregacioneve u duhej të mblidheshin nëpër shtëpi private. I zoti i njërës prej shtëpive u tregua i zgjuar, sepse u vuri rrota të gjitha mobiljeve të dhomës së pritjes. Kështu, kur vinte ora që ta hapte vendin për kongregacionin, e gjithë ajo që duhej të bënte ishte të zhvendoste mobiljet me rrota. Në një rast tjetër, kongregacioni mblidhej në një dhomë të vogël në pjesën e përparme të një shtëpie private. Ndërsa kongregacioni rritej, muret ndarëse u hoqën, që të nxinte një grup më të madh. Së fundi, u hoq pjesa më e madhe e mureve dhe familja ra dakord të banonte në një hapësirë të zvogëluar në pjesën e fundit të shtëpisë.

Një mjet shumë i mirë që qe i dobishëm për ta njohur popullin e Uruguajit me veprën e Dëshmitarëve të Jehovait, ishte filmi Shoqëria Bota e Re në veprim. Ky film mbërriti në Uruguaj në vitin 1955. Atë vit, Liber Berueta udhëtoi për në brendësi të vendit dhe ua shfaqi filmin më shumë se 4.500 personave. Ky film i nxiti shumë veta që më parë kishin shfaqur njëfarë interesi për veprën tonë, të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

Një zyrë e re dege

Ndërsa numri i lajmëtarëve vazhdonte të rritej me shpejtësi, u bë e dukshme nevoja për ndërtesa të përshtatshme për sistemimin e zyrës së degës dhe të shtëpisë misionare. Për të përmbushur këtë nevojë, gjatë viteve ishin marrë me qira ndërtesa të ndryshme. Por kishte ardhur koha që të blihej toka për të ngritur ndërtesat e vetë Shoqatës. Por, toka në qendër të kryeqytetit, Montevideos, ishte tepër e shtrenjtë. Dukej se s’kishte asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të blihej një tokë shumë më larg, diku nga rrethinat e qytetit. Për këtë, në vitin 1955, u ble një truall relativisht i madh. Projektet e ndërtimit ishin miratuar dhe skuadrat e punës ishin gati për të filluar punën në vendin e ndërtimit. Pikërisht në këtë moment, vëllezërit shtangën kur morën vesh se pushteti lokal kishte vendosur që mu përmes pronës së sapoblerë të bënte një shtesë të njërit prej bulevardeve kryesore!

Si t’ia bënin? Pasuan bisedimet me autoritetet. Zgjidhja e zyrtarëve ishte oferta për ta blerë truallin e Shoqatës. Por sasia që ishin të gatshëm të paguanin ata, ishte më e vogël se ajo që kishin paguar vëllezërit në fillim. Këto para nuk do të mjaftonin për të blerë një truall të ngjashëm.

«Në njëfarë pike, arritëm në përfundimin se ndoshta sipas Jehovait nuk ishte koha për të ndërtuar,—kujton Xhek Pauërs,—por shpejt arritëm t’i kuptonim më mirë fjalët e Pavlit, që gjenden në Romakëve 11:34: ‘Kush ka arritur ta njohë mendjen e Jehovait, ose kush është bërë këshilluesi i tij?’ Njëri prej zyrtarëve sugjeroi se ndoshta mund ta shkëmbenim pjesën e pronës sonë me një prej trojeve të qeverisë që nuk përdoreshin. Ai na ofroi një truall me madhësi të ngjashme dhe që kishte një pozicion fantastik tamam në qendër të Montevideos, në rrugën Fransisko Bausa. E pranuam ofertën pa ngurrim. Në fund të fundit, kjo pronë kishte një vlerë shumë më të madhe sesa ajo që kishim blerë më parë dhe nuk na duhej të paguanim asnjë qindarkë më shumë! Dora e Jehovait i kishte sjellë vërtet punët në favor të popullit të tij!»

Një arkitekt merr një vendim

Ndërtimi i Zyrës së Degës vazhdoi nën drejtimin e arkitektit të mirënjohur Justino Apollo. Justino sapo kishte filluar të studionte Biblën me një nga misionarët. «Gjithmonë kisha dashur të gjeja të vërtetën mbi Perëndinë,—kujton Justino.—U rrita si një katolik, por me kalimin e viteve mbeta gjithnjë e më shumë i zhgënjyer. Akoma e kujtoj shumë mirë ditën kur shkova në kishë për të bërë përgatitjet për martesën time. Prifti më pyeti: ‘Sa drita të ndezura do në kishë gjatë ceremonisë së martesës tënde? Sa më shumë drita të jenë ndezur, aq më shumë do të të kushtojë, por do të jesh i sigurt që do t’u bësh përshtypje miqve të tu.’ Natyrisht, unë doja një martesë të këndshme. Kështu që kërkova shumë drita. Pastaj prifti pyeti: ‘Do tapet të kuq apo të bardhë?’ Ndryshimi? ‘Sigurisht, tapeti i kuq e nxjerr më në pah fustanin e nuses,—shpjegoi ai,—por kushton dy herë më shumë.’ Pastaj erdhi puna tek himni ‘Ave Maria’. ‘Do që ta këndojë vetëm një person apo një kor?’ Prifti vazhdoi të më shiste njërën pas tjetrës të gjitha elementet ceremoniale.

«U martova në kishë, por isha shumë i acaruar për shkak të gjithë asaj tregtie brenda fesë. Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ndryshimi ishte i dukshëm. E kuptova menjëherë që kisha gjetur të vërtetën.»

Pas shumë muajsh studimi të Biblës, ndërsa punonte në ndërtimin e Bethelit dhe shoqërohej me Dëshmitarët, Justino kuptoi se duhej të merrte një vendim. Pas përfundimit të ndërtesës, aty nga fundi i vitit 1961, arkitekti mori vendimin e duhur dhe u pagëzua. Tani Justino shërben si plak dhe ka ndihmuar në ndërtimin e më shumë se 60 Sallave të Mbretërisë në Uruguaj.

Zgjerimi i degës vazhdon

Më 28 tetor 1961 u bë dedikimi i gëzueshëm i ndërtesës së re e të bukur. Kati i parë kishte ambiente të bollshme për zyrat, një depo literature dhe një Sallë të rehatshme Mbretërie. Në katin e dytë kishte nëntë dhoma gjumi për misionarët dhe për personelin e zyrave.

Për 1.570 lajmëtarët që ishin aktivë në vend në atë kohë, Betheli i ri u duk se mund të përballonte çdo rritje që pritej në vitet e ardhshme. Por rritja qe më e shpejtë nga sa pritej. Në vitin 1985, madhësia e degës u dyfishua nga një shtesë dykatëshe.

Pak kohë më parë Shoqata siguroi një truall tjetër të shkëlqyer në rrethinat e Montevideos. Tashmë ka mjaft kohë që po punohet për ndërtimin e ndërtesave të reja të degës bashkë me një Sallë Asamblesh. Me ndihmën e një skuadre ndërkombëtare punëtorësh, pritet që projekti të përfundojë në vitin 1999.

Stërvitje për mbikëqyrësit

Për t’u kujdesur për rritjen e «gjërave të dëshirueshme» në Uruguaj nevojiteshin jo vetëm ndërtesa për degën, por edhe barinj të kujdesshëm. Midis viteve 1956 dhe 1961, numri i lajmëtarëve u dyfishua dhe u formuan 13 kongregacione të reja. Çfarë mase e dashur dhe në kohën e duhur doli Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë! Kur Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë filloi në vitin 1961, shumë vëllezër që kishin pozita përgjegjësie në kongregacion morën masa që të ndiqnin këto kurse mujore. Disave prej tyre iu desh të përshkonin distanca të gjata dhe disa rrezikuan punën për të marrë pjesë në të gjithë kursin e shkollës.

Për shembull, Horacio Legisamon jetonte në Dolores, 300 km larg Montevideos, ku po mbahej Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Kur i kërkoi punëdhënësit një muaj leje, ai i tha se ishte e pamundur. Vëllai Legisamon i shpjegoi se sa e rëndësishme ishte kjo stërvitje për të dhe se donte të merrte pjesë edhe nëse kjo do t’i kushtonte humbjen e punës. Pak ditë më pas, ai mbeti i befasuar kur dëgjoi që punëdhënësi kishte vendosur të bënte një përjashtim, duke i dhënë mundësinë të merrte pjesë në shkollë, pa e humbur punën.

A ia vlente kursi përballë gjithë atyre problemeve? «Kurrë nuk kemi përjetuar diçka të ngjashme me të,—kujton një nga studentët e parë.—Shoqëria e vëllezërve të pjekur nga i gjithë vendi bëri që ta ndienim veten sikur për një muaj po jetonim në botën e re. Në shkollë u pajisëm si duhet për të përballuar sfidën e përkujdesjes për kopenë në mënyrë të efektshme, me ndihmën e dashur të organizatës së dukshme të Jehovait.»

Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë ndihmoi qindra të krishterë të pjekur për t’u pajisur më mirë dhe kjo rezultoi në forcimin e kongregacioneve, sidomos në një kohë kur problemet e sistemit të vjetër të gjërave po intensifikoheshin.

Të varfër, por të pasur frymësisht

Sipas historianëve uruguajanë, dekada e viteve 60 shënoi fillimin e keqësimit ekonomik të vendit. Prodhimeve tradicionale të eksportit si mishi, lëkura dhe leshi, gradualisht u ra vlera në tregun ndërkombëtar. Disa banka dhe kompani të mëdha prodhuese falimentuan, duke lënë mijëra të papunë. Njerëzit ishin të shqetësuar për inflacionin e pakontrollueshëm, për zhvlerësimin e menjëhershëm të parasë, për rritjen e taksave dhe për vështirësitë në sigurimin e ushqimit dhe të nevojave të tjera bazë të jetës.

Kriza ekonomike pati pasoja të rënda sociale. Varfërimi i shtresës së gjerë të mesme rezultoi në një rritje të konsiderueshme të kriminalitetit. Pakënaqësia çoi në demonstrata të herëpashershme dhe shpesh të dhunshme kundër autoriteteve. Mijëra uruguajanë, sidomos të rinj, ikën nëpër vende të tjera në përpjekje për t’i shpëtuar krizës që po keqësohej me shpejtësi.

Nga ana tjetër, brenda organizatës së Jehovait dekada e viteve 60 solli një rritje frymore që të kujton fjalët e Isaisë 35:1, 2: «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të hidhen nga gëzimi dhe fusha e shkretë do të gëzojë e do të lulëzojë si shafrani. Në mënyrë të padështueshme do të lulëzojë dhe me të vërtetë do të jetë e gëzuar me gëzim dhe me britmë gëzimi.» (BR) Midis viteve 1961 dhe 1969 u formuan pesëmbëdhjetë kongregacione të reja dhe numri i përgjithshëm i lajmëtarëve arriti shifrën maksimale 2.940.

Më 9 dhjetor 1965, qeveria miratoi urdhëresat e korporatës sonë ligjore të njohur me emrin Sociedad La Torre del Vigia. Kjo gjë bëri të mundur sigurimin e lejeve të veçanta dhe të përjashtimit nga taksat për shtypjen, importimin dhe shpërndarjen e Biblave e të literaturës së bazuar në Bibël. Gjithashtu, statusi ligjor bëri të mundur blerjen e pronave të patundshme dhe ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.

«Asambleja e madhe»

Viti 1967 do të kujtohet gjithmonë si viti i «asamblesë së madhe». Një delegacion prej afro 400 Dëshmitarësh nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, midis të cilëve edhe F. W. Franz e M. G. Henschel, erdhi për të marrë pjesë në asamble. Një auditor me 3.958 të pranishëm shijoji për herë të parë prezantimin e një drame biblike me kostume. Gjithashtu, për herë të parë, vëllezërit mundën të përdornin Palasio Penarol, një stadium i madh i mbyllur ku zhvilloheshin aktivitetet e rëndësishme shoqërore, artistike dhe sportive të Montevideos.

Shumë nga vëllezërit lokalë bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të financuar udhëtimin dhe strehimin. Një motër punoi gjashtë muaj, duke larë me dorë rrobat e njerëzve, me qëllim që të kursente mjaft para për udhëtimin. Një motër tjetër, burri i së cilës ishte kundër faktit që ajo ishte një Dëshmitare e Jehovait, i grumbulloi fondet e nevojshme, duke përgatitur produkte ushqimore të ngrira e duke ua shitur ato fqinjëve.

Ç’përshtypje u la kongresi drejtuesve të stadiumit? Njëri prej tyre pohoi se «Palasio Penarol, kurrë më parë nuk ka qenë kaq i pastër dhe pa erëra të këqija»! Drejtuesve u bëri kaq përshtypje rregulli dhe organizimi i mirë i Dëshmitarëve, saqë i lanë zyrat e tyre personale në dispozicion të vëllezërve drejtues të kongresit. Më pas, stadiumi u përdor për shumë kongrese krahinore deri në vitin 1977. Por atë vit, qeveria e ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe për disa vjet më pas, Dëshmitarët u kufizuan në lidhje me mbajtjen e kongreseve.

«Të kujdesshëm si gjarpërinjtë»

Në fillim të viteve 70, ekonomia e Uruguajit u keqësua. Aktet e mosbindjes civile u bënë më të zakonshme. Demonstratat e punëtorëve dhe të studentëve u kthyen në aksione të dhunshme e shkatërruese. Në qytetet e mëdha filluan të dalin banda të armatosura të njësiteve guerrile. Terrori përhapej ndërsa këto banda filluan të plaçkitnin, të hidhnin bomba, të sulmonin njerëzit dhe të grabitnin fëmijët. Në mes të trazirës, forcat e armatosura u bënë gjithnjë e më të fuqishme dhe në vitin 1973 morën nën kontroll qeverinë.

Ushtria sundoi me një dorë të hekurt. Të gjitha aktivitetet politike dhe sindikale u ndaluan. Mbi shtypin u vendos një censurë e rreptë. Nuk mund të mbaheshin mbledhje publike pa lejen paraprake të autoriteteve. Liritë individuale u kufizuan së tepërmi. Si patën mundësi vëllezërit ta «predikonin fjalën» edhe në këtë periudhë me telashe?—Krahaso 2. Timoteut 4:2, BR.

Vëllai Eskribano kujton: «Në ato ditë, si asnjëherë tjetër, na duhej të zbatonim fjalët e Jezuit në Mateun 10:16: ‘Ja! Unë po ju dërgoj si delet në mes të ujqërve, prandaj tregohuni të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat.’ (BR) Si rrjedhim, Shoqata u dha menjëherë udhëzime të gjithë pleqve në mënyrë që lajmëtarët të merrnin stërvitjen e nevojshme për të vazhduar me zell në veprën e predikimit, por tani me kujdes dhe me gjykim të shëndoshë.»

Disa anëtarë të klerit dhe disa grupe fetare kishin mbështetur rebelët. Prandaj, qeveria e re ushtarake filloi të dyshonte shumë në lidhje me të gjitha lëvizjet fetare, përfshirë Dëshmitarët e Jehovait. Si rezultat, në të gjithë vendin u arrestuan shumë vëllezër, ndërsa merrnin pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Megjithatë, në shumicën e rasteve ata u lëshuan menjëherë pasi treguan literaturën biblike dhe pasi shpjeguan natyrën e veprës së tyre. Pas kësaj vale fillestare arrestimesh, vëllezërit gjykuan se do të ishte e mençur ta bënin praninë e tyre më pak të dukshme, duke dalë në grupe më të vogla.

Në disa raste ushtarakët e miratuan në heshtje veprën shtëpi më shtëpi të Dëshmitarëve. Në një rast, ata u përpoqën madje të ndihmonin sipas mënyrës së tyre. Një grup ushtarësh po patrullonin një zonë ku po predikonte një motër. Në një shtëpi, pasi motra i ra ziles, e zonja e shtëpisë u zgjat nga një dritare e katit të dytë dhe në një mënyrë shumë të pasjellshme i kërkoi motrës që të ikte. Njëri nga ushtarët që e pa se ç’ndodhi reagoi menjëherë, duke i drejtuar mitralozin të zonjës së shtëpisë dhe duke e urdhëruar të zbriste dhe ta priste siç duhej motrën. E zonja e shtëpisë u bind.

Një vend për asambletë

Në qershor të vitit 1974, Zyra e Degës mori një njoftim nga qeveria, ku kërkohej që vëllezërit përgjegjës të paraqiteshin përpara sekretarit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë. Një prej tyre ishte vëlla Beltrameli. Ai kujton: «Ishin në tension. E dinim që, nëse donte, qeveria ushtarake kishte fuqi ta ndalonte menjëherë veprën tonë. Por çfarë çlirimi që ishte kur oficeri na shpjegoi se qeveria ishte e interesuar të blente një ndërtesë që po përdorej si Sallë Mbretërie! Ata u ofruan madje të na ndihmonin për të siguruar një vend tjetër të përshtatshëm për Sallën e Mbretërisë. Si rezultat, qemë në gjendje të blenim kinoteatrin Lutesia në Montevideo. Ai ndodhej në një vend ideal në njërin nga bulevardet kryesore. Gjithashtu, paratë që morëm nga qeveria ishin më se të mjaftueshme për ta kthyer teatrin në një Sallë Mbretërie të re.»

«Ne ishim të bindur se Jehovai do të bënte diçka me të,—kujton vëllai Beltrameli.—Në auditorin e këtij teatri mund të uleshin pothuajse 1.000 persona. Ai do të shërbente jo vetëm si Sallë Mbretërie për zonën, por edhe si një Sallë Asamblesh, e cila ishte kaq e nevojshme duke pasur parasysh kufizimet e fundit mbi asambletë dhe kongreset.»

Kështu, për disa vjet, teatri i dikurshëm, ndonëse zyrtarisht ishte një Sallë Mbretërie për kongregacionin lokal, faktikisht u përdor për asambletë qarkore çdo javë. Për këto mbledhje të mëdha, vëllezërit mësuan të jenë të kujdesshëm. Ata hynin dhe dilnin nga ndërtesa, duke rënë sa më pak në sy dhe i parkonin makinat e tyre në vende të ndryshme nëpër gjithë lagjen.

Një kohë për të ndërtuar

Edhe në këtë periudhë trazirash, rritja e vazhdueshme e numrit të lajmëtarëve dhe shtimi i kongregacioneve të reja, ishte burim i një gëzimi të madh. Në vitin 1976, numri i lajmëtarëve ishte rritur më shumë se njëqind për qind brenda më pak se dhjetë vjetësh. Por edhe kjo paraqiti një sfidë të madhe: Si mund t’i mbanin kaq shumë të sapointeresuar Sallat e vjetra të Mbretërisë, shumica prej të cilave ishin të marra me qira? «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar»,—tha Mbreti Solomon nën frymëzim. Me 85 kongregacione dhe vetëm 42 Salla Mbretërie, dukej qartë se «koha për të ndërtuar» Salla Mbretërie kishte ardhur.—Ekl. 3:1-3, BR.

Por, i gjithë vendi gjendej në mes të një krize financiare dhe kongregacionet nuk kishin mjaft fonde për të ndërtuar. Nga do të vinin paratë? Delfos Beltrameli, koordinatori i degës, kujton: «Gjatë asaj periudhe kemi ndier dorën e Jehovait dhe dashurinë e popullit të tij në veprim. Kontributet bujare të vëllezërve në të gjithë botën i dhanë mundësi degës t’u huazonte kongregacioneve në Uruguaj paratë që u nevojiteshin.»

Gjithashtu, nevojiteshin punëtorë të kualifikuar dhe Dëshmitarët në Uruguaj iu përgjigjën kësaj nevoje. Shumë prej tyre vazhduan ta vënë veten në dispozicion, për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë nga njëri vend në tjetrin. Abelino Filiponi ishte një nga vullnetarët e palodhur. Pasi mori pjesë në ndërtimin e degës në vitin 1961, vëllai Filiponi dhe gruaja e tij, Elda, shërbyen si pionierë specialë dhe që nga viti 1968 ai ka shërbyer si mbikëqyrës qarkor. Për disa vjet ai u caktua, gjithashtu, që të ndihmonte në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, duke ofruar shërbime dhe drejtim profesional për projektet e ndërtimit.

«El Plomito»

Vëllai Filiponi kujton disa përvoja në lidhje me ndërtimin e Sallave të Mbretërisë: «Në çdo vend ku ndërtonim një Sallë Mbretërie, fqinjëve dhe kalimtarëve u bënte gjithmonë shumë përshtypje entuziazmi dhe zelli që shfaqnin punëtorët Dëshmitarë. Në një vend ndërtimi, një djalë gjashtëvjeçar jo Dëshmitar nga lagjja, vinte çdo ditë, duke na u lutur që ta lejonim të punonte në projekt. Ai ishte kaq këmbëngulës saqë i vumë emrin el plomito, një shprehje lokale që do të thotë ‘bezdisësi i vogël’. Vitet kaluan dhe nuk dëgjuam më asgjë për djalin. Por në një asamble, një vëlla m’u afrua dhe më pyeti: ‘Vëlla Filiponi, a të kujtohet «el plomito»? Jam unë. U pagëzova dy vjet më parë.’» Siç dukej, fara e së vërtetës ishte mbjellë në këtë djalë të ri gjatë ndërtimit të Sallës së Mbretërisë.

Tani ka një Sallë Mbretërie për çdo 129 lajmëtarë, gjithsej 81 Salla Mbretërie. Pa dyshim, Jehovai e ka bekuar ndërtimin e vendeve të përshtatshme të adhurimit për popullin e tij në Uruguaj.

Asamble për të ndihmuar fqinjët tanë

Një regjim ushtarak u vendos edhe në vendin fqinj nga ana e perëndimit, në Argjentinë. Atje, qeveria mbylli Zyrën e Degës së Shoqatës dhe Sallat e Mbretërisë. Prandaj, vëllezërit në Argjentinë filluan t’i mbanin mbledhjet në grupe të vogla. Megjithatë, gjatë asaj kohe ata ishin në gjendje të mbanin haptas asamble pa u penguar nga qeveria. Si ishte e mundur kjo? Duke kaluar kufirin dhe duke i mbajtur asambletë në Uruguaj! Këto mbledhje të mëdha organizoheshin nga vëllezërit uruguajanë, por shumë pjesë të programit mbaheshin nga vëllezërit argjentinas. Sigurimi i strehimit për mijëra vëllezër që vinin nga Argjentina ishte një privilegj i veçantë. Kjo rezultoi në një «shkëmbim inkurajimi» forcues për besimin.—Rom. 1:12, BR.

Një kongres i paharrueshëm u mbajt në Palasio Penarol nga 13 deri në 16 janar 1977. Kishte një auditor të përzier të përbërë nga gati 7.000 vëllezër e motra uruguajanë dhe argjentinas. Në përfundim të kongresit, të gjithë të pranishmit bashkuan zërat, duke i kënduar lavdi Jehovait. Të pranishmit në auditor këndonin me radhë: argjentinasit këndonin një varg, ndërsa uruguajanët rrinin të heshtur, pastaj e kundërta. Në fund, të gjithë kënduan së bashku vargun e fundit. Ndjenjat e përziera, të gëzimit për faktin që kishin qenë së bashku dhe të trishtimit sepse do t’u duhej të ndaheshin nga vëllezërit e tyre të dashur, shkaktuan lot në sytë e shumë vëllezërve.

Megjithatë, më 13 janar 1977, ndërsa ai kongres i madh po mbahej në Palasio Penarol, një gazetë e famshme që kishte prirjen të favorizonte Kishën Katolike botoi një artikull në faqen e parë me titull, «Dëshmitarët e Jehovait: Autorizimi i tyre nën shqyrtim». Artikulli kritikonte qëndrimin e Dëshmitarëve në lidhje me simbolet kombëtare. Ai theksonte se në Argjentinë qeveria e kishte ndaluar veprën tonë dhe se e njëjta gjë mund të ndodhte edhe në Uruguaj. Pak pas botimit të artikullit, qeveria nuk dha më leje për asambletë dhe kongreset tona.

Kufizimet shtohen

Në vitin 1975, qeveria ushtarake filloi një fushatë që kishte si qëllim të rriste frymën patriotike dhe nacionaliste. Kjo eufori nacionaliste u shkaktoi probleme shumë vëllezërve, ndërsa përpiqeshin të ruanin asnjanësinë e tyre të krishterë. Ata mundoheshin t’i ‘jepnin Cezarit atë që është e Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë’. (Marku 12:17) Disa të rinj Dëshmitarë u përjashtuan nga shkolla, sepse me vetëdije nuk pranuan të nderonin simbolet e kombit. Mjaft vëllezër duruan shumë tallje dhe keqtrajtime në vendet e punës. Disa Dëshmitarë humbën madje punën për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës.

Në qytezat dhe provincat në brendësi të vendit, autoritetet lokale po i vëzhgonin Dëshmitarët nga afër. Në disa raste spiunët e qeverisë vizitonin Sallat e Mbretërisë, duke u hequr si persona të interesuar. Për këtë arsye vëllezërit e panë të nevojshme të ishin më të kujdesshëm. Në mbledhje, ata i shmangnin bisedat mbi asnjanësinë, duke mënjanuar kështu çdo përplasje me autoritetet.

Në një rast, një nga këta spiunë vizitoi një Sallë Mbretërie pak para fillimit të mbledhjes. Ai pyeti një nga vëllezërit: «Në ç’orë do ta këndojë kongregacioni himnin sot?» Fjala spanjolle himno mund t’i referohet ose një himni kombëtar ose një kënge fetare. Duke e kuptuar se ai njeri ishte një spiun, vëllai iu përgjigj: «Tri herë, në fillim, në mes dhe në fund.» Natyrisht, vëllai po i referohej këngëve tona të Mbretërisë. Spiuni iku menjëherë, plotësisht i kënaqur, duke menduar se vëllezërit do ta këndonin himnin kombëtar tri herë gjatë mbledhjes.

Të arrestuar, por të lumtur

Disa herë policia mësynte në Sallat e Mbretërisë tamam në mes të mbledhjes dhe i arrestonte të gjithë të pranishmit. Pastaj, çdo vëlla dhe motër merrej në pyetje. Kjo gjë qe një mundësi e shkëlqyer që vëllezërit t’u jepnin dëshmi një numri të madh zyrtarësh të policisë. Pasi merreshin të gjithë në pyetje, proces ky që zakonisht zgjaste disa orë, të gjithë liroheshin.—Krahaso Veprat 5:41.

Në kongregacionin Florida, në veri të Montevideos, motra Seli Asandri de Nunies ishte në program për të mbajtur një fjalim stërvitjeje në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ajo ftoi fqinjën e saj Mabel që të vinte e të dëgjonte fjalimin. Mabel nuk kishte qenë kurrë më parë në një Sallë Mbretërie. Atë mbrëmje policia mësyu në mbledhje dhe i arrestoi të gjithë, përfshirë edhe Mabelin. Pasi disa orësh që Mabeli ishte ndaluar, i shoqi mundi të siguronte lirimin e saj. Kjo përvojë drithëruese zgjoi në të një interes të sinqertë për mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Pak pas kësaj, ajo filloi të studionte Biblën dhe të merrte pjesë në mbledhje. Tani Mabeli është një Dëshmitare e Jehovait e dedikuar dhe e pagëzuar.

Pavarësisht nga pothuajse dymbëdhjetë vitet e kufizimeve prej regjimit ushtarak, një rrjedhë e vazhdueshme njerëzish me zemër të sinqertë vazhdoi të vërshojë në organizatën e Jehovait. Në vitin 1973, në vend kishte 3.791 lajmëtarë. Në vitin 1985, kur kjo periudhë e vështirë mori fund, shifra kishte shkuar në 5.329, një rritje prej më shumë se 40 për qind! Pa dyshim, Jehovai e kishte bekuar popullin e tij gjatë asaj kohe vështirësish.

Asamble pa kufizime

Në mars të vitit 1985 u vendos një qeveri demokratike dhe të gjitha kufizimet u hoqën. Që nga ai moment, populli i Jehovait mund të merrte pjesë lirisht në veprën e predikimit dhe të mësimit mbi Mbretërinë. Tani vëllezërit ishin të lirë të mbanin asambletë qarkore dhe kongreset krahinore. Vëllezërit dhe motrat ishin të mbushur me gëzim për mundësinë që të takonin përsëri bashkadhuruesit e tyre nga pjesët e largëta të vendit. Sa inkurajuese ishte të shihnin që edhe vëllezërit e tyre kishin qëndruar të palëkundur dhe po i shërbenin ende Jehovait me besnikëri!

Por ku mund të gjenim vende për kongreset që do të ishin të mjaftueshme për një auditor që pritej të kishte më shumë se 10.000 njerëz? Asnjë nga vendet e përdorura më parë nuk do të ishte i përshtatshëm tani. Përsëri, Jehovai iu përgjigj lutjeve tona. Gjatë viteve të qeverisë ushtarake, një stadium i ri futbolli, Estadio Çarua, ishte ndërtuar në Park Rivera, një nga parqet më të mëdhenj të Montevideos. Ndonëse stadiumi ishte përdorur vetëm për aktivitete sportive, patëm mundësi ta merrnim atë me qira për një kongres kombëtar në dhjetor të vitit 1985. Qysh atëherë, autoritetet lokale kanë qenë shumë të gatshme të na e lënë në përdorim stadiumin çdo vit për kongreset tona, ku shpesh kishte më shumë se 13.000 të pranishëm.

Një dëshmi domethënëse u dha në një asamble qarkore të mbajtur në stadiumin e qytetit Treinta i Tres në dhjetor 1990. Nga brenda një kishe katolike, stadiumi i mbushur plot e përplot me Dëshmitarë të Jehovait, dukej si në pëllëmbë të dorës. Një mëngjes prifti tregoi nga dritarja dhe u tha anëtarëve të famullisë së tij: «A e shikoni se sa njerëz po mblidhen nga Dëshmitarët e Jehovait? Si i gjejnë gjithë këta njerëz? Ata kanë diçka që ju katolikët nuk e keni: frymën e ungjillëzimit. Ne po pakësohemi në numër çdo ditë, sepse nuk shkojmë të predikojmë siç bëjnë ata. Ose do të fillojmë të ungjillëzojmë siç bëjnë Dëshmitarët, ose do të vdesim.»

Punohen territore të reja

Në vitet 80 u bë një përpjekje e veçantë për të arritur zonat më të largëta të vendit me lajmin e mirë. Gjatë vizitës vjetore në një vend në pjesën verilindore të vendit, një grup vëllezërish lanë disa libra në një fshat të quajtur Kuçija de Karaguata. Vitin vijues, Dëshmitarët vizituan atje një burrë që nuk donte ta dëgjonte mesazhin e tyre, duke pohuar se e kishte të vërtetën. «Unë jam një Dëshmitar i Jehovait!»—deklaroi ai. Ai nuk kishte qenë në fshat kur Dëshmitarët ishin atje vitin e kaluar. Por pasi erdhi në shtëpi e lexoi literaturën që ishte lënë dhe vendosi se kjo ishte e vërteta. Ai shkonte nëpër fshat, duke u thënë të gjithëve se tani ishte një Dëshmitar i Jehovait. Sot, në atë fshat, gjendet një kongregacion i vogël.

Ndonëse Berta de Herbig jetonte në qytetin e largët të Doloresit, ajo e kuptoi rëndësinë e pjesëmarrjes së rregullt në mbledhje. Ajo bënte 11 kilometra më këmbë, me gjashtë fëmijët e saj për të shkuar në Sallën e Mbretërisë. Në shumicën e rasteve ajo mbërrinte rreth një orë përpara fillimit të mbledhjes. Shembulli i mirë i saj i qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë si nënë, pati një efekt të fuqishëm mbi fëmijët e saj. Tani, pas kaq vitesh shërbimi besnik nga ana e saj, katër nga fëmijët e saj janë aktivë në të vërtetën. Njëri prej tyre, Migel Ankel, që më vonë u bë një pionier, përshkonte 58 km me biçikletë, për të shkuar në një grup të izoluar në Karkeada Sebojati. Një djalë tjetër, Danieli, aktualisht shërben si pionier special në qytetin Treinta i Tres.

Marrëdhënie më të mira

Për vite të tëra, shumë profesionistë në fushën e shëndetësisë në Uruguaj, i kshin përçmuar Dëshmitarët e Jehovait, sepse nuk e kuptonin qëndrimin e tyre për t’u përmbajtur nga përdorimi i gjakut. (Veprat 15:28, 29) Një numër i madh spitalesh të vendit refuzonin të pranonin Dëshmitarë të Jehovait. Të tjerë i pranonin Dëshmitarët për ndërhyrje kirurgjike dhe më pas, kur ata nuk pranonin gjak, i dëbonin pikërisht përpara operacionit. Megjithatë, në pak vitet e kaluara, marrëdhëniet midis mjekëve dhe Dëshmitarëve janë përmirësuar në një masë të konsiderueshme.

Në vitin 1986, Ospital Sentral de las Fuersas Armadas organizoi një kongres për të diskutuar mbi trajtimet alternative për Dëshmitarët e Jehovait dhe mblodhi një numër personalitetesh të mirënjohura në fushat e mjekësisë dhe të kirurgjisë, si dhe avokatë të specializuar në fushën e mjekësisë. Dëshmitarët e Jehovait siguruan informacion dhe sugjerime për autoritetet e spitalit. Si rezultat i kësaj mbledhjeje speciale, shumë mjekë ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Dëshmitarëve dhe tani janë të gatshëm t’i kurojnë Dëshmitarët dhe të respektojnë pikëpamjen e tyre me bazë biblike mbi gjakun.

Më pas u mbajtën një numër mbledhjesh, të cilave iu bë një publicitet i madh, së pari në Montevideo e pastaj edhe në qytete të tjera. Specialistë të mirënjohur pranuan se me ndihmën e Dëshmitarëve të Jehovait kishin mësuar teknika të reja për trajtimin pa gjak. Një profesor në hemoterapi pohoi: «Ne kemi mësuar shumë dhe kemi rregulluar mënyrën tonë të të menduarit, falë Dëshmitarëve të Jehovait. Në të kaluarën kemi pasur shumë përplasje me ta, thjesht sepse nuk i kuptonim. Tani e kuptojmë se në shumë aspekte ata kishin pasur gjithmonë të drejtë. Është e dukshme se duke refuzuar të merrnin gjak ata i kanë kursyer vetes shumë probleme.»

Puna e tyre nuk është e kotë

Vërtet, mund të thuhet se puna e madhe e bërë nga lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë në Uruguaj gjatë viteve 20 dhe gjatë gjithë viteve 40 nuk ishte e kotë. Një grusht lajmëtarësh të zellshëm nga jashtë mblodhën dhe mësuan mijëra «gjëra të dëshirueshme» në këtë vend të bukur me kodra të valëzuara. (Hag. 2:7, BR) Tani në Uruguaj ka më shumë se 10.000 lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Më shumë se 135 kongregacionet kanë një mesatare prej pothuajse pesë pleqsh për kongregacion. Në Shkollën e fundit të Shërbimit të Mbretërisë, që u mbajt gjatë marsit 1998, morën pjesë 656 pleq dhe 954 shërbëtorë ndihmës. Pothuajse të gjitha kongregacionet kanë Sallën e tyre të Mbretërisë, shumë prej të cilave u ndërtuan nga vëllezërit me mbështetjen financiare të Shoqatës.

Gjatë 20 vjetëve të kaluar, numri i lajmëtarëve e ka kaluar dyfishin dhe ka perspektiva të mira për një rritje të ardhshme. Për aq kohë sa Jehovai i mban erërat e mjerimit të madh që po afron, Dëshmitarët e Jehovait në Uruguaj do të vazhdojnë t’i ftojnë të tjerët: «Ejani, ju njerëz dhe le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; ai do të na mësojë në lidhje me rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»—Isa. 2:3, BR; Zbul. 7:1.

[Figura që zë gjithë faqen 224]

[Figura në faqen 227]

Huan Munis

[Figura në faqen 229]

Ata banonin në tenda të bëra me dorë dhe udhëtuan me biçikleta në mbarë Uruguajin, për të dhënë dëshmi (nga e majta në të djathtë): Kurt Nikël, Gustavo dhe Beti Bendër, Oto Hele

[Figurat në faqen 235]

Ndër lajmëtarët e parë uruguajanë (nga e majta në të djathtë): Maria de Berueta, Karola Beltrameli, Katalina Pomponi

[Figurat në faqen 237]

Misionarë që shërbejnë ende në Uruguaj: (1) Florëns Latimër, (2) Etel Fos, (3) Bërden Hofstitër, (4) Lira Berueta, (5) Tovë Hoënsën, (6) Gynter Shënhart

[Figura në faqen 243]

Ndërtesa të reja për degën në ndërtim e sipër në vitin 1998

[Figura në faqen 245]

Komiteti i degës (nga e majta në të djathtë): Gynter Shënhart, Delfos Beltrameli, Gerardo Eskribano