Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Britania

Britania

Britania

Në kulmin e fuqisë së saj, Perandoria Britanike u shtri në të gjithë botën. Në ditët e Mbretëreshës Viktoria (1837-1901), thuhej se «dielli nuk perëndon kurrë» në mbretërinë e saj. Por, gjatë shekullit të 20-të, perandorinë e madhe e zëvendësoi Komonuelthi Britanik.

Çfarë shtrirjeje ka Komonuelthi? Ai mbulon rreth një të katërtën e sipërfaqes tokësore të globit dhe përfshin rreth një të katërtën e popullsisë së tij. Megjithëse të pavarur në aspektin politik, të 53 anëtarët e Komonuelthit e konsiderojnë Mbretëreshën e Britanisë si kreun simbolik të marrëdhënieve të tyre kulturore dhe ekonomike.

Gjatë 50 vjetëve të kaluar, imigrantë nga këto vende, si edhe nga vende të tjera e transformuan në vetvete Britaninë. Ajo është bërë një shoqëri kozmopolitane e gati 58 milionë banorëve.

Komb me shumë raca dhe shumë fe

Më 22 qershor 1948, Empire Windrush, një anije e përdorur dikur për transportimin e trupave ushtarake, u fut në Tilbur, afër Londrës, dhe në breg zbritën 492 xhamajkanë, të parët e çerek milion imigrantëve të ardhur nga ishujt Karaibe. Këta banorë të lumtur e të gjallë të Indive Perëndimore, kishin një respekt të sinqertë për Biblën. Por u tronditën kur vërejtën se shumë britanikë nuk ushtronin më një besim të thellë te Perëndia. Çfarë e kishte shkaktuar këtë ndryshim? Njerëzit ndienin neveri nga fakti që feja ishte përfshirë në masakrën e pashpirt gjatë dy luftërave botërore. Veç kësaj, besimi te Bibla ishte minuar rëndë edhe nga kritikët, të cilët pohonin se shkenca dhe feja nuk pajtoheshin me njëra-tjetrën.

Që nga vitet 60, drejt brigjeve të Britanisë kanë vërshuar me shumicë indianë, pakistanezë dhe kohët e fundit edhe njerëz nga Bangladeshi. Në vitet 70 u vunë re shumë aziatikë me banim në Afrikën Lindore, që kërkonin një strehë në Britani. Nga jashtë Komonuelthit mbërritën qipriotë grekë e turq, si edhe polakë e ukrainas. Pas revolucionit të vitit 1956 në Hungari, 20.000 refugjatë u larguan nga ky vend për në Britani. Kohët e fundit, mes të tjerëve janë vendosur me banim në këtë vend edhe vietnamezë, kurdë, kinezë, eritreanë, irakianë, iranianë, brazilianë dhe kolumbianë. Nga mesi i viteve 90, në Britani, 6 në çdo 100 banorë i përkitnin një minoriteti etnik.

Më shumë se në çdo vend tjetër, kjo gjë vihet re në Londër, kryeqytetin e Britanisë. Vizitorët që ecin nëpër rrugë, që udhëtojnë me autobusë dykatësh ose me trenat që shkasin në tunelet e nëndheshme a metrotë, e vënë re shpejt përzierjen shumëraciale të banorëve të qytetit. Vërtet, pothuajse një e katërta e popullsisë së Londrës përbëhet nga persona të ardhur nga jashtë. Duke pasqyruar këtë shumëllojshmëri, tani shkollat ofrojnë për fëmijët një arsimim që u përshtatet preferencave të ndryshme fetare, duke përfshirë edhe fenë e krishterë, myslimane dhe hinduiste. Kjo nuk do të thotë që Britania është një vend kryesisht fetar. Përkundrazi, sot, pjesa më e madhe e popullsisë britanike ka një pikëpamje kryesisht jofetare dhe materialiste për jetën.

Nga ana tjetër, në Britani ka më shumë se 126.000 Dëshmitarë të Jehovait. Edhe ata vijnë nga mjedise të ndryshme. Megjithatë, besojnë në mënyrë të patundur te Perëndia, jo te një hyjni e paemër, por te Jehovai, i cili i fton me ngrohtësi njerëzit e çdo lloj kombësie, që të ecin në udhët e tij dhe të nxjerrin dobi, duke zbatuar këshillat e tij të dashura. (Dal. 34:6; Isa. 48:17, 18; Vep. 10:34, 35; Zbul. 7:9, 10) Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë Biblën si Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Ata kanë besim të thellë në masën që ka marrë Perëndia për shpëtim me anë të Jezu Krishtit. Shpresat e tyre për të ardhmen janë ndërtuar rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe rreth mësimit të Biblës se qëllimi i Perëndisë është që toka të bëhet Parajsë. (Zan. 1:28; 2:8, 9; Mat. 6:10; Luka. 23:43) Ata ua shpallin me zell këtë lajm të mirë të tjerëve. Dëshira e tyre e zjarrtë është që ‘të bëjnë gjithçka për hir të lajmit të mirë’, me qëllim që ta ndajnë atë me të tjerët.—1. Kor. 9:23, BR; Mat. 24:14.

Si filloi aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait në këtë pjesë të botës?

Duke ndarë me të tjerët

Gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të 19-të, Britania ishte përfshirë nga vala e urbanizimit. Njerëz nga fshatrat e Anglisë bujqësore, Skocisë dhe Uellsit vërshuan drejt qytezave dhe qyteteve. Zanatçinjve tradicionalë iu bashkuan shumë punëtorë të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar. Pas vitit 1870, arsimimi i detyrueshëm shkollor sinjalizoi afrimin e një epoke ku njohuria do të vihej lehtë në dispozicion të më shumë njerëzve.

Në vitin 1881, mbërritën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës J. K. Sandërlin dhe J. J. Bender, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Çarls T. Rasëll, që në atë kohë po merrte drejtimin në veprën e Shoqatës Watch Tower. Ata sollën një mesazh që ka përmirësuar jetën e mijëra njerëzve në Britani. Duke filluar, njëri në Skoci dhe tjetri në Angli, ata shpërndanë botimin nxitës Ushqim për të krishterët e arsyeshëm. Në Londër, Tom Hart, një punonjës hekurudhe që bënte kalimin e trenit në një linjë tjetër, pranoi një kopje të këtij botimi, ndërsa kthehej një mëngjes herët nga puna në shtëpi. Ajo që lexoi, zgjoi interesin e tij dhe çoi në diskutime të shumta rreth kthimit të Krishtit. I nxitur nga ajo që kishte mësuar, me mjaft entuziazëm, Tomi e ndau këtë njohuri të sapogjetur me gruan dhe shokët e tij të punës. Shpejt, ky grup i vogël, që u bë i njohur si Studentët e Biblës, filloi t’u shpërndante fletushka kalimtarëve që qarkullonin në lagjen e tyre. Grupe të ngjashme u formuan edhe në qytete të tjera kudo në Britani. Të gjithë këta ishin të etur të përhapnin të vërtetat biblike.

Aty nga viti 1891, kur Ç. T. Rasëll vizitoi personalisht për herë të parë Britaninë, interesi për mesazhin e Biblës, nxiti rreth 150 persona në Londër dhe një numër të ngjashëm në Liverpul, që të ndiqnin leksionin me temë «Dilni prej saj, o populli im», domethënë, dilni nga fetë që mbajnë shenjën e Babilonisë së lashtë. (Zbul. 18:4) «Anglia, Irlanda dhe Skocia janë fusha të bëra gati dhe presin të korren»,—raportoi vëllai Rasëll. Vepra e ndarjes së lajmit të mirë me të tjerët doli e frytshme dhe nga fillimi i shekullit të 20-të ishin formuar dhjetë kongregacione të vogla. Për t’u siguruar më lehtësisht ushqim frymor në formën e botimeve biblike këtyre kongregacioneve, Shoqata Watch Tower ngriti një zyrë në Londër.

Zyra e parë e degës

Në vitin 1900, E. C. Henings, një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i Ç. T. Rasëll, mbërriti në portin e Liverpulit, në veriperëndim të Anglisë dhe udhëtoi për në Londër, në kërkim të ndërtesave me qira që nevojiteshin për t’u përdorur si depo për literaturën. Më 23 prill, ai siguroi ndërtesën në rrugën Gipsy Lane 131, Forest Gate, në lindje të Londrës. Atje filloi aktivitetin e saj zyra e parë e degës së Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Tani, një shekull më vonë, ka më shumë se 100 zyra të tilla dege, në pika strategjike kudo nëpër botë.

Më 30 qershor 1914, në Londër u formua një instrument i ri ligjor për organizatën e Jehovait në Britani, që quhej, Shoqëria Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës. Në atë kohë, dega e Britanisë kujdesej për veprën e Mbretërisë në të gjithë ishujt e vegjël britanikë, duke përfshirë dhe Irlandën. Por, duke filluar nga viti 1966, e gjithë Irlanda është mbikëqyrur nga një degë e ndarë më vete, e vendosur së pari në Dublin dhe tani në jug të tij.

Lëvizje ndërkombëtare

Interesi i vëllezërve në Britani nuk u kufizua vetëm në fushën britanike. Ata e dinin që Jezu Krishti kishte parathënë se lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohej në të gjithë tokën e banuar para se të vinte fundi. (Mat. 24:14) Gjatë viteve 20 dhe në fillim të viteve 30, shumë vëllezër nga Britania kërkuan të zgjeronin fushën e tyre të predikimit, duke nisur veprën misionare në vendet e tjera. Ishte një lëvizje e madhe dhe Jehovai e bekoi frymën e tyre vetësakrifikuese.

Në vitin 1926, Eduin Skiner la Shefildin, që gjendet në pjesën veriore të Anglisë, për të shërbyer në Indi. Përulësia e ndihmoi që të ngulmonte në atë caktim për 64 vjet, derisa vdiq në vitin 1990. Vëllai i paharrueshëm dhe i dashur Uilliam Dei nga Skocia, inspektor taksash dhe një burrë mjaft i pasur, hoqi dorë si nga posti, ashtu edhe nga pensioni i tij, për t’u bërë drejtues dege i Zyrës së re të Shoqatës në Evropën Veriore, me bazë në Kopenhagen, Danimarkë. Shpejt pas kësaj, Fred Geiblër pranoi ftesën e vëllait Dei dhe udhëtoi për në Lituani. Atje me të u bashkua Përsi Dunhëm, i cili më vonë vazhdoi të shërbente në Letoni. Uolls Baktër ndërmori mbikëqyrjen e veprës në Estoni. Klaud Gudman, Ron Tipin, Randëll Hopli, Xherëld Garard, Klarëns Teilër dhe shumë të tjerë nga Britania, ishin të parët që nisën veprën në Azi. Një tjetër vëlla nga Skocia, Xhorxh Filips, shërbeu për shumë vjet në Afrikën e Jugut. Robert dhe Xhorxh Nizbet (edhe këta nga Skocia) shërbyen si pionierë në Afrikën Lindore dhe Jugore.

Ndihmë e fuqishme për kontinentin

Në vitet 30, shumë pionierë britanikë iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar në përhapjen e lajmit të mirë në Belgjikë, në Francë, në Spanjë dhe në Portugali. Midis tyre ishin edhe Xhon e Erik Kuk.

Artur dhe Ani Krëjin kujtojnë aktivitetin e tyre në kohën kur në jug të Francës nuk kishte asnjë kongregacion. Ata u bashkuan me vëllezërit polakë që treguan zell të madh dhe mjaft mikpritje. Ani kujton kohën kur i ftuan vëllezërit në banesën e tyre në Le Grand Hotel de l’Europe, në qytetin Albi. «Ndërtesa mund të ketë qenë diçka madhështore në kohën e Napoleonit,—shkroi ajo më vonë,—por lavdia e saj kishte marrë fund.» Më pas vazhdon: «Grupi mbërriti të dielën pasdite dhe patëm një studim magjepsës të Kullës së Rojës. Ishim persona të pesë kombësive të ndryshme, secili me revistën në gjuhën e vet dhe si mjet të zakonshëm komunikimi kishim ‘frëngjishten tonë të çalë’. Lexonim në fillim paragrafin në revistën tonë dhe shpjegonim me një frëngjishte të çalë atë që kishim lexuar. Por ç’kohë e gëzueshme qe kjo për të gjithë ne!»

Mjerisht, kjo periudhë e lumtur shërbimi në territor të huaj, nuk zgjati shumë. Xhon Kuk, që në atë kohë ishte në Francën Jugore, qëndroi atje aq kohë sa mundi. Së fundi u largua nga ky vend me biçikletë dhe u shpërngul në Angli, pikërisht një ditë para se të hynin tanket gjermane. Shpërthimi i Luftës II Botërore më 1 shtator 1939, kishte çuar në një konflikt midis Britanisë dhe Gjermanisë, me pasoja të rënda për Dëshmitarët e Jehovait si në Britani, ashtu edhe në vendet e tjera.

Ndërsa kombet u zhytën në një luftë globale kundër njëri-tjetrit, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një qëndrim të patundur si të krishterë asnjanës. Ata e kuptonin qartë se në jetën e një personi i duhej dhënë përparësi bindjes ndaj Perëndisë. (Vep. 5:29) Pasi luteshin sinqerisht për Mbretërinë Perëndisë dhe e dinin atë që tha Jezu Krishti rreth identitetit të sundimtarit të botës, besonin në mënyrë të vendosur se do të ishte e gabuar për ta që në një konflikt midis fraksioneve të botës të favorizonin njërën ose tjetrën palë. (Mat. 6:10; Gjoni 14:30; 17:14) Dëshmitarët e Jehovait e morën personalisht për zemër atë që tha Bibla se kombet «nuk do të mësojnë më luftën». (Isa. 2:2-4, BR) Në fillim, disa prej tyre në Britani, u përjashtuan nga shërbimi ushtarak si persona që janë kundër luftës për arsye të ndërgjegjes. Por më vonë, si gjyqtarët, ashtu edhe mjetet e informacionit, pohuan se njerëzit bëhen Dëshmitarë për të shmangur bashkimin me forcat e armatosura. Si rezultat, rreth 4.300 veta u futën në burg. Midis tyre kishte shumë motra, të cilat refuzuan të bënin punë që mbështetnin luftën. Por pas mbarimit të luftës, Dëshmitarët vazhduan të tregonin se ajo që i motivonte ishte dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të shpallur Mbretërinë e tij si të vetmen shpresë për njerëzimin. (Hollësi të tjera lidhur me aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Britani, gjatë atyre ditëve të para, mund të gjenden në Libri vjetor 1973, anglisht.)

Një kongres dygjuhësh në Angli

Gjatë viteve, kongreset kanë qenë momente kulmore në jetën e popullit të Jehovait. Në një rast, fjalimet kyçe të një kongresi në Londër, mbajtur nga presidenti i Shoqatës Watch Tower, u transmetuan me anë të radios edhe në shumë vende të tjera. Kongreset e mbajtura në Londër në vitet 50 dhe 60, i ndoqën delegatë të ardhur nga më shumë se 50 vende të tjera. Por çdo gjë në program ishte në anglisht. Kjo gjë ndryshoi në vitin 1971.

Përgatitjet për Kongresin Krahinor «Emri hyjnor», që atë vit do të mbahej në Tuikenham të Londrës, po ecnin mirë. Edhe Dëshmitarët në Evropë po përgatiteshin të ndiqnin kongreset me të njëjtën temë. Megjithëse vepra e Mbretërisë në Portugali ishte ende e ndaluar, mijëra vëllezër nga ky vend u përgatitën që të udhëtonin duke kaluar nga Spanja për në Tuluz të Francës. Morali i tyre ishte i lartë. Më pas mbërriti lajmi i shpërthimit të një kolere në Spanjë. Vetëm ata që ishin vaksinuar kundër kolerës mund të udhëtonin përmes këtij vendi. Megjithatë, nuk pati vaksina të mjaftueshme për të gjithë ata nga Portugalia që donin të ndiqnin kongresin. Kur në vetë qytetin Tuluz u zbulua një rast që dyshohej për kolerë, autoritetet nxorën një urdhër të prerë që ndalonte çdo hyrje të të huajve në Francë. Çfarë të bënin tani vëllezërit portugezë? Një vëlla tha: «Epo mirë, gjithsesi mbetet akoma kongresi në Londër.»

U. J. (Bill) Bull, mbikëqyrësi i kongresit në Tuikenham, një vëlla i njohur për natyrën e tij të shtruar e miqësore, kujton atë që ndodhi. «Rreth 800 a 900 veta udhëtuan drejt Britanisë. 112 mbërritën me aeroplan dhe pjesa tjetër me autobusë. Ne kishim më pak se një javë kohë për t’u përgatitur për këtë ardhje masive. Vëllezërit shkuan në Dover për t’u uruar mirëseardhjen delegatëve portugezë që mbërritën me traget, shumica prej të cilëve flitnin pak ose aspak anglisht.» Të gjithëve iu sigurua strehim, kryesisht në shtëpitë e vëllezërve në Londër. Njëra nga tendat e një restoranti të madh, u transformua në një vend të përshtatshëm për ndjekjen e sesioneve në gjuhën portugeze dhe të ardhurit nga Portugalia panë me gëzim bashkë me vëllezërit e tyre anglezë dramat e këtij kongresi me titull Jehovai i bekon besnikët dhe Bëje qëllimin e Jehovait udhën tënde të jetës. Gjithashtu, dëgjuan edhe pjesët e tjera të programit. Në një gazetë lokale, Middlesex Chronicle, më 13 gusht 1971, shkruhej: «Mbërritja e tyre e bëri këtë kongresin e parë dygjuhësh të mbajtur ndonjëherë në këtë vend.»

Vëllezërit portugezë raportuan me shumë kënaqësi lidhur me progresin e veprës së Mbretërisë në vendin e tyre dhe pas këtij raporti, një vëlla, mbikëqyrës i veprës në Portugali, iu drejtua kongresistëve për të falënderuar vëllezërit britanikë për mikpritjen e tyre. «Ju na keni dhënë kaq shumë,—tha ai,—kohën, shtëpinë tuaj, vëmendjen, mirëdashjen, kujdesin tuaj të dashur në këtë qytet gjigant dhe mbi të gjitha, dashurinë tuaj. Jini të sigurt vëllezër, Londra do të na sjellë gjithmonë ndër mend kujtimet më të këndshme.» Kur vëllezërit portugezë shprehën me këngë falënderimet e tyre, të gjithë të pranishmit ishin kaq të prekur nga shprehjet e mirënjohjes së përzemërt, sa vështirë të gjeje në tërë atë auditor sy të pa lagur nga lotët.

I njohin me familjen e dashur të Jehovait

Grupeve që nuk e kishin anglishten gjuhën e tyre kombëtare, nuk u nevojitej vëmendje vetëm gjatë ditëve të kongresit. Popullsia e imigrantëve në Britani po rritej. Kjo përbënte një sfidë për sa i përket predikimit të lajmit të mirë. Çfarë mund të bëhej?

Në territorin ku flitej anglisht, lajmëtarët ishin të etur t’i ndihmonin ata që kishin ardhur nga kombet e tjera dhe që flitnin gjuhë të ndryshme. Kur ishte e mundur, Dëshmitarët përpiqeshin t’i ofronin pronarit të shtëpisë diçka për të lexuar në gjuhën e tij. Por komunikimi ishte një problem. Megjithatë, midis atyre që erdhën nga jashtë, disa ishin Dëshmitarë të Jehovait, dhe këta ndihmuan për të kapërcyer këtë hendek.

Në vitet 60, Dëshmitarët e ardhur nga Qiproja që flitnin greqisht, ishin të zënë me ndarjen e së vërtetës me personat e tjerë në Angli që flitnin greqisht. Dëshmitarët italianë po e ndanin të vërtetën biblike me bashkëkombësit e tyre të transferuar në Londër.

Një Dëshmitare e re gjermane me emrin Françeska, mbërriti në Angli në pranverën e vitit 1968 për të punuar si një au pair. Këto janë vajza që bëjnë punë shtëpiake në shkëmbim të një dhome, ushqimit dhe të mundësisë për të mësuar gjuhën e familjes. Pasi ndoqi Kongresin Krahinor të atij viti «Lajmi i mirë për të gjitha kombet», e entuziazmuar e shtoi pjesëmarrjen e saj në shërbim dhe u prezantoi vajzave të tjera me banim aty afër, që punonin si ajo, librin e ri të prezantuar në kongres E vërteta që të çon në jetën e përhershme. Si rezultat filloi katër studime biblike. Njërin prej tyre e kishte me një vajzë nga Zvicra, me të cilën Françeska studioi në gjermanisht. Kur vajza filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit, mundi të shihte me sytë e vet dashurinë në familjen e Jehovait. (Gjoni 13:35) Gjatë vitit që pasoi, kjo vajzë e interesuar bëri kaq shumë progres, saqë ia dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Më vonë u bë pioniere dhe ndihmoi edhe të ëmën për të pranuar të vërtetën. Por ky ishte vetëm fillimi i përpjekjeve të Françeskës për t’u dëshmuar vajzave që punonin si ajo.

«Sa herë që shkoj nga shtëpia në shtëpi dhe takoj ndonjë au pair,—tregon me entuziazëm Françeska,—i them se edhe unë kam qenë dikur e tillë. Kështu, menjëherë mes nesh vendoset një lidhje e përbashkët. Ajo që u theksoj gjithmonë është se kur erdha në Angli, nuk njihja njeri tjetër përveç një motre dëshmitare. Megjithatë, më bënë të ndihesha e mirëpritur në kongregacion. Kështu, gjithmonë përpiqem t’i lidh menjëherë ato me kongregacionin, që të shohin se jemi një familje e madhe.»

Në vitin 1974, Françeska u martua me Filip Harris. Tani shërbejnë së bashku në Bethel, në Londër, dhe shoqërohen me kongregacionin Northud. Françeska vizitonte një shtëpi në atë territor për më shumë se 13 vjet. Ajo shpjegon: «Betheli mori një letër nga një vajzë au pair franceze, e cila kërkonte që ta vizitonte një nga Dëshmitarët e Jehovait. Dëshmitarët në Francë i kishin dhënë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe ajo dëshironte të dinte më shumë. Megjithëse ende nuk fliste dhe aq mirë anglisht, munda të kuptoja se Natalia kishte etje për të vërtetën. Ajo bëri një përparim të mirë dhe shpejt filloi të ndiqte mbledhjet.» Përpara se të kthehej në Francë u bë lajmëtare e Mbretërisë dhe tani bashkë me të shoqin shërben si misionare në Bregun e Fildishtë, në Afrikën Perëndimore.

Familja që punësonte këto au pair kishte një rregull. Përpara se të largohej një vajzë duhej të vinte tjetra. Pastaj për disa ditë, vajza që kishte qenë më përpara do t’i mësonte punëtores së re punët që duhej të bënte në shtëpi. Kur Natalia ishte gati për t’u larguar, Françeska e këshilloi: «Përpara se të kthehesh në Francë, tregoi vajzës që do të vijë pas teje se si të ka ndihmuar në të vërtetë studimi i Biblës dhe shih nëse është e interesuar.» Vajza tjetër që erdhi ishte Izabela, edhe ajo nga Franca dhe kishte interes për të vërtetën. Françeska studioi edhe me të. Izabela u pasua nga një tjetër Natali, e cila shpejt filloi të ndiqte mbledhjet. Kur u kthye në Francë edhe ajo u pagëzua.

Një vajzë tjetër, Gabriela, erdhi nga Polonia. Ajo nuk kishte pasur kurrë ndonjë kontakt domethënës me Dëshmitarët e Jehovait dhe i tha Françeskës se nuk i pëlqente gjermanët, për shkak të reputacionit të keq që kishin në Poloni. Françeska i shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin përzier kurrë me luftën. «Gjatë Luftës II Botërore, nuk do të gjeje kurrë ndonjë Dëshmitar të Jehovait në ushtri,—argumentoi ajo.—A e dini se jemi persekutuar? Kemi qenë në kampe përqendrimi vetëm sepse kemi refuzuar të themi hail Hitler dhe të mbështetim regjimin nazist.» Gabriela shprehu habi dhe shpejt ndjenjat e saj antigjermane u zhdukën. Pas një studimi të rregullt me Françeskën, Gabriela u bë lajmëtare e papagëzuar dhe më vonë e simbolizoi dedikimin e saj ndaj Jehovait në një kongres në Tuikenham. Gjatë viteve, Françeska ka pasur gëzimin të drejtojë studime biblike me 25 vajza, që punonin si au pair, nga dhjetë vende të ndryshme dhe t’i njohë ato me familjen e dashur të Jehovait.

Mbledhje në gjuhën e tyre

Natyrisht, jo kushdo mund të bëjë përparim të shpejtë në të vërtetën duke studiuar Biblën në anglisht ose duke ndjekur mbledhjet në një gjuhë që për të mund të jetë e huaj. Çfarë mund të bëhej?

Kur Dëshmitarët nga Qiproja që flitnin greqisht, filluan të gjenin interes mes bashkëkombësve të tyre në Angli, u bënë rregullime që disa mbledhje në Londër të mbaheshin në gjuhën greke. Në vitin 1966, ata filluan të nxirrnin dobi nga një Studim i Librit të Kongregacionit që mbahej rregullisht në gjuhën e tyre. Më pas, atyre iu shtua edhe një fjalim publik që mbahej një herë në muaj. Në vitin 1967, në Londër u formua kongregacioni i parë grek dhe në Birmingem filloi të mbante mbledhjet në greqisht një tjetër grup grek.

Italianët filluan me një fjalim publik dhe me studimin e Kullës së Rojës në Sallën e Mbretërisë në Islington, Londër, në vitin 1967. Kjo gjë u pasua nga të tjera mbledhje në gjuhën italiane, të cilat mbaheshin në vende të ndryshme. Ja një shembull se si u zhvilluan gjërat: Vir Jang (shkurt Vi) filloi të studionte Biblën me një zonjë italiane në Enfild, që gjendet në veri të Londrës. Ndërsa i rritej çmueshmëria për të vërtetën, zonja vërejti: «Sa keq që nuk ka ndonjë botim në italisht për disa miqtë e mi!» Kjo gjë e nxiti burrin e motrës, Xhefin, që të fliste me një mbikëqyrës qarkor. Të dy bashkë gjetën një vëlla grek që kishte shërbyer si pionier në Itali. «Unë e mbajta fjalimin në anglisht,—tregon Xhef,—ndërsa vëllai grek e përkthente atë në italisht.» Ishin të pranishëm rreth 30 persona dhe disa prej tyre bënë përparim të mirë frymor. Me kalimin e kohës, Dëshmitarët që flitnin italisht arritën në një pikë që ishin gati për të formuar një kongregacion. Që nga ajo kohë, çdo pesë vjet është shtuar mesatarisht një kongregacion i ri italian.

Rritja vazhdoi edhe në fushën greke. Në vitin 1975, u bënë rregullime që ata të gëzonin një asamble në gjuhën greke. Në atë kohë, Xhef dhe Vi Jang afër të pesëdhjetave, ishin pionierë. Të dy fëmijët e tyre ishin rritur dhe ishin martuar «në Zotërinë». (1. Kor. 7:39) Meqenëse çiftit Xhef dhe Vi Gang nuk i duhej më të kujdesej për prindërit e moshuar, ishte në gjendje për të pranuar privilegje të tjera shërbimi. Për surprizë të tij, Xhef mori si caktim që të organizonte një asamble për të gjithë vëllezërit që flitnin greqisht në Britani. «Nuk e dija ç’më priste,—kujton Xhef.—Kur mbërrita në vendin e asamblesë, syrit tim të papërvojë iu duk sikur atje po zhvillohej një luftë civile.» Ndoshta ishte vetëm një britanik konservator që vëzhgonte gjallërinë greke. Vëllezërit grekë thjesht po i shpjegonin njëri-tjetrit mënyrën më të mirë për të bërë punën. Në atë asamble qenë të pranishëm më shumë se 400 veta.

U zhvilluan edhe grupet e gjuhëve të tjera. Në vitin 1975, filloi të funksiononte një kongregacion spanjoll. Fjalimi i parë publik në Londër në gjuhën gujarate, u mbajt në vitin 1977. Dy vjet më vonë, u mbajt një asamble e vogël në po këtë gjuhë. Pothuaj në të njëjtën kohë, u mbajt edhe një asamble qarkore në gjuhën punjabi, ku ishin të pranishëm rreth 250 veta.

‘Një grup i shkëlqyer njerëzish’

Gjatë viteve të para, kongreset më të mëdha shpesh mbaheshin në Londër. Aty nga vitet 60, kongreset vjetore filluan të mbaheshin në qytete të madhësive të ndryshme, kudo në Britani. Disa herë numri i tyre ishte vetëm katër. Vitet e tjera filluan të përdoreshin lokale më të vogla dhe numri i kongreseve u rrit në 17. U morën me qira stadiume futbolli, salla të mëdha dhe një fushë akulli. Në vitin 1975, u bënë përpjekje për të mbajtur një kongres në stadiumin Kardif Arms Park në Uells.

Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait njihen në pjesën më të madhe të Britanisë për reputacionin e tyre të shkëlqyer, nëpunësit që janë përgjegjës për stadiumet sportive dhe që nuk i kanë përjetuar personalisht grumbullime të tilla të mëdha të Dëshmitarëve, në fillim mund të kenë pak frikë t’ua japin me qira lokalet e tyre. Kështu ishte në rastin e stadiumit Kardif Arms Park. Filluan bisedimet me Këshillin drejtues të Shoqatës së Regbisë në Uells. Lordi Ueikfild, në atë kohë drejtues i Shoqatës së Futbollit të Regbisë për të gjithë Britaninë, u kishte thënë me dashamirësi vëllezërve tanë se nëse hasnin ndonjë vështirësi gjatë bisedimeve në mbledhjen me këshillin drejtues në Kardif, ata duhej t’u kërkonin anëtarëve të këshillit që t’i telefononin atij. Sa mirënjohës ishin vëllezërit për një ndihmë të tillë! Kur bisedimet arritën në një pikë kritike, telefonata që iu bë Lordit Ueikfild shërbeu më së miri për të dalë nga situata pa rrugëdalje që ishte krijuar. Dëshmitarët e Jehovait i kanë mbajtur kongreset në Tuikenham, në Londër, që nga viti 1955 dhe Lordi Ueikfild u shpjegoi kolegëve të tij në Uells se sa shumë e çmonte ai dhe këshilli i tij faktin që Dëshmitarët e Jehovait përdornin çdo verë lokalet e tij në atë vend. Ai i siguroi ata se s’kishin asnjë arsye për t’u shqetësuar, duke shtuar: «Ç’grup i shkëlqyer njerëzish janë Dëshmitarët!» U përfundua menjëherë një marrëveshje dhe për shumë vjet Dëshmitarët kanë përdorur stadiumin Kardif Arms Park, si një vend për të mbajtur rregullisht kongreset në Uells.

Sallat tona të Asambleve

Përveç kongreseve vjetore, gjatë vitit ne mbajmë edhe asamble më të vogla. Në vitin 1969, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në Britani ishte 55.876, por brenda katër vjetëve, numri i atyre që ndanin lajmin e mirë me të tjerët arriti në 65.348. Deri në atë kohë, sallat për mbajtjen e asambleve qarkore merreshin me qira, por gjetja e lokaleve të përshtatshme me çmime të arsyeshme po bëhej gjithnjë e më e vështirë.

Në vitet 70, u bë mëse e dukshme që kishim nevojë për Salla Asamblesh që të ishin tonat. U mbajtën mbledhje me vëllezër përgjegjës dhe filloi kërkimi i vendeve të përshtatshme. Në fillim ata bënë plane në lidhje me restaurimin e ndërtesave ekzistuese. Nga fillimi i vitit 1975, u bënë bisedime për blerjen e një kinemaje të zbrazët në Mançester, në Anglinë e Veriut. Pas muajsh të tërë pune restauruese, më 31 gusht, u dedikua Salla e parë e Asambleve e Dëshmitarëve të Jehovait në Angli. Ajo u vu në dispozicion pikërisht në kohë për programin e ri të asambleve qarkore, që fillonin në shtator.

Dy vjet përpara kësaj, vëllezërit e caktuar për mbikëqyrjen e asamblesë ishin mbledhur në pjesën juglindore të vendit, për të shqyrtuar se si mund të siguronin një sallë në Londër. Denis Keiv, anëtar i komitetit të caktuar për gjetjen e një ndërtese të përshtatshme, kujton se sa u habit kur vëllezërit pranuan unanimisht që të kërkonin jo për një, po për dy salla: një në veri të lumit Tamiz e një tjetër në jug të tij dhe kjo të bëhej pavarësisht nga kostoja e lartë e pronave në atë zonë.

Një kinema e papërdorur në qytetin Dorking, 30 km në jug të Londrës, dukej një mundësi e mirë. Por futën hundën spekuluesit e pronave të patundshme dhe ofruan një çmim të lartë për ndërtesën. Për Denisin, që në fillim ishte i shkurajuar, qe një surprizë kur i telefonoi kryetari i komitetit ekzekutiv të qytetit dhe i kërkoi që bashkë me një Dëshmitar tjetër të ndiqnin një mbledhje. Përveç heqjes së kufizimeve që ishin në plan (gjë që bënte të mundur përdorimin e ndërtesës për adhurim), autoritetet pranuan ta blinin kinemanë dhe më pas t’ia ofronin atë vëllezërve përkundër një periudhe të pakufizuar qiramarrjeje, që do të përtërihej çdo tre vjet.

Ajo ndërtesë shërbeu më së miri për më shumë se një dekadë, deri kur qyteti vendosi ta përdorte për një qëllim tjetër. Në vend të saj, vëllezërit siguruan një vend me sipërfaqe 11 ha, jo shumë larg Aeroportit Gatvik të Londrës. Ai përfshinte ndërtesa të cilave mund t’u shtoheshin ambiente të tjera dhe që mund të formonin strukturën e një Salle të shkëlqyer Asamblesh. Në zonë lindën debate, sepse për të shkuar në ndërtesën e re duhej kaluar nëpërmjet disa rrugicave të ngushta të vendit. Kuptohet, banorët aty afër dëshironin të ruanin privacitetin e tyre dhe sa të ishte e mundur të mos shqetësoheshin nga askush. A do t’i respektonin Dëshmitarët udhëzimet për të ndjekur me kujdes rrugët e përcaktuara, si edhe udhëzimet lidhur me shpejtësinë kur të udhëtonin për të ardhur në Sallën e Asambleve? Në një raport të mbledhjes së Komitetit lokal të Planifikimit, që u dha në lajme, thuhej: «Në rastet e zakonshme, mendon komiteti, do të ishte e pamundur që kushte të tilla të bëheshin të detyrueshme. Por Dëshmitarët e Jehovait ishin ndryshe.» Drejtuesi i komitetit shtoi: «Shumë grupe ose organizata të tjera do të donin të thoshin se anëtarët e tyre do të sillen në mënyrën që kërkohet. Por kjo është mënyra në të cilën vepron kjo organizatë.» Kjo Sallë e re Asamblesh në Heiz Brixh të krahinës Surrei, u hap me një asamble qarkore më 17 dhe 18 maj 1986, pikërisht një vit më vonë pas marrjes së truallit.

Paralelisht me punën për ndërtimin e Sallës së Asambleve në Dorking, në vitin 1975, Dëshmitarët në veri të Londrës, përtërinë edhe ish-kinemanë Ritz, në Nju Sauthgeit. Kjo ndërtesë e ngritur nga mesi i viteve 30, ishte mbyllur si kinema në pranverë të vitit 1974. Për njëfarë kohe, kishte qenë një sinagogë. Kur e morën Dëshmitarët, ndërtesa ishte në një «gjendje të keqe, që kishte nevojë urgjente për riparim»,—siç tha arkitekti Roxher Dikson. «Struktura kishte themel të fortë, por nuk ishte e papërshkueshme nga uji,—kujton ai.—Për të maskuar gjendjen e saj të rrënuar, pjesa e brendshme e sallës ishte lyer me të zezë.» Detyra e restaurimit të saj u duk diçka shkurajuese në fillim. Megjithatë, rreth 2.000 vullnetarë të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar e përfunduan punën në vetëm katër muaj e gjysmë.

Në të njëjtën kohë, kishte filluar puna për Sallën e katërt të Asambleve. Në vitin 1974, vëllezërit arritën të blinin një tjetër ish-kinema, që ndodhej në Dadli, në perëndim të pjesës qendrore të Anglisë. Restaurimi i kësaj ndërtese vazhdoi gjatë, por nga shtatori i vitit 1976 ajo ishte gati për t’u përdorur.

Ndërtimi i Sallave të reja të Asambleve

Numri i lajmëtarëve të Mbretërisë vazhdoi të rritej nga 71.944 në vitin 1974, në 92.616 në vitin 1984. Shumë ishin vendosur me banim në zonat e zhurmshme të industrializuara urbane, në veri të Anglisë. Ishin bërë plane që të ndërtohej një sallë në Jorkshirin Jugor.

Në shtator të vitit 1985, filloi puna për ndërtimin e asaj që tani njihet si Salla e Asambleve e Peninit Lindor. Ajo është një strukturë me skelet çeliku, ku mund të ulen 1.642 persona dhe ka një Sallë Mbretërie 350-vendëshe për kongregacionin lokal. Ndërtesa u projektua që të kishte një çati me shtrirje 42 m, gjë që e bën atë mjaft tërheqëse. Revista The Structural Engineer i vuri emrin kësaj skice jo të zakonshme «zgjidhja tetëkëndëshe». Këshilli i qytetit Radhëram dha çmimin e tij më të lartë për projektin e Sallës së Asambleve.

Nobël Bauë, anëtar i komitetit të projektimit, punoi në kantier që nga fillimi dhe më vonë shërbeu si mbikëqyrësi i parë i sallës. Me sjelljen e tij gazmore, por serioze në punë, ai inkurajoi më shumë se 12.500 vëllezër e motra që ndihmuan gjatë periudhës 14-mujore të ndërtimit. Për të bërë të mundur që puna të vazhdonte me gjithë mjegullën e akullt, temperaturat nën zero dhe borën e ftohtë, vëllezërit ndërtuan një skelë përreth zonës ku punohej, për të mbajtur një fletë mbrojtëse plastike. Brenda kësaj, ngrohësit industrialë nxirrnin ajër të nxehtë. Asgjë nuk e ndaloi punën për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Vëllezër nga zona të largëta erdhën për të inkurajuar punëtorët vullnetarë.

Për Nobël dhe gruan e tij Lui, dita më e paharrueshme ishte 15 nëntori i vitit 1986, kur gjatë një vizite të Teodor Xharac, anëtar i Trupit Udhëheqës, Salla e Asambleve iu dedikua Jehovait.

Tani që vëllezërit në veri, në pjesën qendrore dhe atë juglindore të Anglisë, ishin pajisur me Salla Asamblesh, çfarë mund të sigurohej për të rregulluar edhe vëllezërit në pjesën perëndimore të Anglisë dhe në Uells? Në tetor të vitit 1987, u sigurua një pjesë e përshtatshme toke në Almondsbëri, që gjendet në veri të qytetit Bristol. Por nuk ishte e lehtë të siguroheshin lejet e nevojshme për ndërtimin. U desh të bëheshin përpjekje të përsëritura, derisa më në fund, në shkurt të vitit 1993, leja u mor.

Atëherë ndërtimi eci me vrull përpara. Çfarë gëzimi kur më 5 gusht 1995, erdhi koha për dedikimin e kësaj salle, që ishte e gjashta Sallë Asamblesh në Angli! Xhon Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës, foli për temën «T ë mbushim tokën me njohurinë e Jehovait». T ë gjithë të pranishmit e çmuan përkujtesën e tij të dashur: «Mos harroni kurrë, se territori juaj përbën pikërisht një pjesë të vogël të stolit të këmbëve të Jehovait. Ai është po aq i interesuar për pjesën tuaj të tokës, sa për çdo pjesë tjetër të saj, prandaj mbani në mendje qëllimin mbarëbotëror të veprës së Mbretërisë!»

Tamam një javë më vonë, vëllai Barr foli në rastin e dedikimit të një kompleksi të ri Sallash Mbretërie, në Exhuar, në veri të Londrës. Këtu vëllezërit kishin ndërtuar një strukturë të shkëlqyer, që përfshinte tri Salla Mbretërie me mure ndarëse palosëse, të cilat duke i mbyllur formonin një Sallë të vetme Asamblesh, që mund të përdorej nga kongregacionet e gjuhës së huaj. Që nga ajo kohë, reagimi në territorin e gjuhës së huaj, i ka shtuar një element domethënës predikimit të Mbretërisë në Britani.

‘Kanë dashur gjithmonë të bëjnë më shumë’

Për disa Dëshmitarë, ndarja e lajmit të mirë me të tjerët ka përfshirë edhe kërkimin e mënyrave për të zgjeruar shërbimin e tyre. Në mënyrë të lavdërueshme, shumë vëllezër dhe motra nga Britania, kanë ndërmarrë hapa për të marrë iniciativën dhe për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë. Ashtu si në rastin e shumë pionierëve të zellshëm të viteve 20 dhe 30, shpesh kjo gjë ka kërkuar transferimin në një vend tjetër. Transferimi jashtë vendit të tyre, u ka dhënë mundësi këtyre vëllezërve e motrave që të prodhojnë fryte të Mbretërisë në vendbanimin e tyre të ri dhe ndërkohë të inkurajojnë vëllezërit vendas. Gjatë viteve 70 dhe 80, familje nga Britania janë transferuar në Amerikën Qendrore e atë Jugore, në Afrikë dhe Azi.

Në moshën 57-vjeçare, Vera Bull, që tashmë i kishte vajzat të rritura e të martuara, shiti shtëpinë në ishullin Uit dhe shkoi në Kolumbi, bashkë me një grup pionierësh të rinj nga kongregacioni Iling i Londrës. Spanjishten e mësoi shpejt, dhe brenda pak kohësh ishte duke drejtuar 18 studime biblike. Tani, pas gati 30 vjetësh, është akoma duke shërbyer atje, e rrethuar nga fëmijë të shumtë frymorë.

Tom dhe Ana Kuk, bashkë me vajzat e tyre Sara dhe Rakela, kishin shërbyer tashmë për disa vjet në Ugandë, kur kushtet në këtë vend bënë të nevojshëm rikthimin e tyre në Angli, në vitin 1974. Një vit më vonë, ishin përsëri gati për t’u transferuar, këtë herë në Papua Guinenë e Re. Këtu Sara u martua me një pionier special. Më vonë, familja u transferua në Australi, ku Rakela u martua me një tjetër Dëshmitar. Në vitin 1991, Tomi dhe Ana morën një caktim të ri në Ishujt Solomon, ku Tomi shërben si koordinator i Komitetit të Degës.

Për të tjerë, periudha e transferimit jashtë vendit ka qenë më e kufizuar. Megjithatë, çdo lloj përvoje që fituan duke jetuar në një vend të huaj, doli një ndihmë e paçmuar për ta. Dy prej tyre janë Beri dhe Zhaneta Rashbi.

«Që nga koha që kam njohur të vërtetën, kam dashur gjithmonë të bëj më shumë»,—tha Beri Rashbi. Kur u martua me Zhanetën, e cila ishte pioniere, që të dy iu përgjigjën thirrjes në Shërbimi ynë i Mbretërisë, për të shërbyer në Papua Guinenë e Re. «Ky rast ishte një përgjigje e lutjeve tona»,—pranuan të dy. Vëllezërit e degës në Port Moresbi donin që ata të shërbenin në Goroka, në qendër të vendit, por leja për punë që i qe dhënë vëllait Beri, vlente vetëm për ishullin Buganvil. Megjithatë, sa u kënaqën kur me të mbërritur në Papua Guinenë e Re mësuan se autoritetet kishin bërë një ndryshim në lejen e punës për Berin dhe e kishin caktuar atë në Goroka!

Beri filloi punë si mësues shkolle, ndërsa Zhaneta shërbente si pioniere në kongregacionin me 18 lajmëtarë. «Një nga gjërat që mësova,—kujton Beri,—ishte se kur vinte orari për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit, nuk kishte asgjë që t’i zmbrapste vëllezërit, madje as ndryshimet ekstreme të motit në stinën e shirave. Ata nuk kishin makina dhe shpesh bënin një ose dy orë më këmbë për të ardhur në mbledhje, duke hyrë në Sallën e Mbretërisë të lagur kokë e këmbë. Por ama nuk mungonin kurrë.»

Pasi kishin kaluar gjashtë vite të lumtura shërbimi në Papua Guinenë e re, kushtet e qëndrimit për të huajt ndryshuan. Beri vendosi se do të ishte e mençur për ta të ktheheshin në Britani. Megjithatë, si rezultat i përvojës së fituar jashtë vendit, ishin të vendosur që tani të fillonin të dy shërbimin në kohë të plotë. Por ku? Donin të shërbenin atje ku kishte një nevojë të veçantë. Pas konsultimit me Shoqatën dhe mbikëqyrësin qarkor, u transferuan në Linkolnshir, Boston. Gjetën shpejt një vend ku të jetonin, por Beri nuk po gjente dot një punë gjysmëditore, e cila do ta lejonte të shërbente si pionier bashkë me Zhanetën. Megjithatë, me besim në premtimin e Jehovait se do t’i ndihmonte nëse vendosnin në vend të parë interesat e Mbretërisë, ata vendosën të fillonin shërbimin si pionierë më 1 shtator, pavarësisht nëse Beri do të kishte gjetur punë ose jo. Më 1 shtator, ndërsa po vishnin pardesytë dhe po bëheshin gati të dilnin në shërbim, ra zilja e telefonit. Një nëpunës i zyrës së postës e pyeti: «A do të donit një punë gjysmëditore?» Beri iu përgjigj: «Shkëlqyeshëm! Kur dëshironi të filloj?» Burri e pyeti: «A e lëmë për nesër?» Jehovai i kishte bekuar përpjekjet e tyre për ta vënë shërbimin e tij në vend të parë në jetë. (Mat. 6:33) Katër vjet më vonë, Beri dhe Zhaneta patën një tjetër telefonatë të papritur. Këtë herë ishte një caktim për të mbikëqyrur aktivitetin në Sallën e Asambleve në Peninin Lindor.

Ofrojnë veten vullnetarisht

Fryma e gatishmërisë për të shërbyer është diçka karakteristike për popullin e Jehovait. Mbreti David i Izraelit të lashtë i këndoi Jehovait: «Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; . . . ti do të kesh vesën e rinisë sate.» (Psal. 110:3) Kjo frymë e gatshme ka karakterizuar shumë Dëshmitarë në Britani, të cilët e kanë vënë veten në dispozicion për të marrë pjesë plotësisht në çuarjen përpara të interesave të adhurimit të vërtetë.

Të gjithë ata që po i kushtoheshin shërbimit të plotkohor, të rinj e të moshuar, u inkurajuan shumë nga njoftimi që u bë në Kongreset Krahinore të vitit 1977 «Punëtorë të gëzuar». Në të shtatë vendet ku u mbajt kongresi në Angli, Skoci dhe Uells, gjithsej 110.000 persona shpërthyen në një duartrokitje plot gëzim kur oratori njoftoi rregullimet për të mbajtur Shkollën e Shërbimit për Pionier, e cila do të ofronte një kurs dyjavor të studimit të Biblës, të gërshetuar me mundësinë për të aplikuar në shërbim gjërat e mësuara. Kjo shkollë do të siguronte një stërvitje të mëtejshme për ata që tashmë kishin të paktën një vit përvojë në shërbimin si pionier. Pa dyshim, pas marrjes së kësaj stërvitjeje, disa nga këta pionierë do të mund të ndihmonin në hapjen e territoreve të reja, ku ishte dhënë pak ose aspak dëshmi.

Në Britani, shkolla filloi në mars 1978, në qytetin verior të Lidsit. Ana Hardi, njëra prej pioniereve që ndoqën klasën e parë të kësaj shkolle, kujton se ç’kohë e lumtur ishte ajo. «Ishim kaq të ndërtuar frymësisht»,—kujton Ana. «Sigurisht, shkolla na pajisi me mendjehollësi të re lidhur me nevojën për të treguar interes të vërtetë ndaj njerëzve që takojmë në shërbim.» Bashkë me të shoqin, sot ajo shërben si anëtare e familjes Bethel. Andria Bigs, nëna e katër pionierëve që ndoqën shkollën në Pontiprid, Uells, shpjegon: «Nëse kjo është shija e gjërave që do të vijnë, atëherë Jehovai duhet të ketë përgatitur diçka vërtet speciale për ne, dhe tani e dëshiroj kaq fort këtë sistem të ri, si kurrë më parë.» Deri tani janë mbajtur 740 klasa, dhe të 20.000 pionierët që i kanë ndjekur ato provojnë të njëjtat ndjenja që provon kjo nënë. Një numër jo i vogël prej tyre, pas ndjekjes së shkollës vendosën ta bëjnë shërbimin e pionierit karrierën e tyre.

Pas fitimit të përvojës në shërbimin si pionier, me qindra kanë dalë vullnetarë për të shërbyer në degën e Britanisë, si anëtarë të familjes Bethel. Sot kjo familje ka 377 anëtarë dhe 39 prej tyre shërbejnë në të prej 20 vjetësh a më shumë.

Midis atyre që shërbejnë në Bethel është dhe Kristofor Hill. Përse kërkoi këtë shërbim? Ai përgjigjet: «Fillova të shërbeja si pionier në vitin 1989. Megjithatë, desha t’i provoja Jehovait dhe vetes se isha në shërbim të plotkohor sepse e doja atë, dhe jo thjesht sepse babai dhe nëna ime ishin pionierë. Desha që e vërteta të ishte e gjithë jeta ime dhe jo vetëm një pjesë e saj. E dija se shërbimi në Bethel, edhe pse ishte një sfidë, do të më jepte mundësinë ta arrija këtë.»

Edhe Xherënt Uotkin është një anëtar i familjes Bethel. Nga fillimi i viteve 80, ai refuzoi arsimimin në universitet për hir të shërbimit si pionier. Mbante veten financiarisht, duke bërë një punë gjysmëditore në fermën e të atit. Gjente kënaqësi në shërbimin si pionier dhe shpresonte që një ditë të mund të bëhej misionar. Atëherë, përse kërkoi shërbimin në Bethel? Një artikull në Kullën e Rojës, të vitit 1989, ndikoi thellësisht tek ai. Aty lexoi historinë e jetës së Maks Larson, anëtar i familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara. Vëllai Larson tha: «Me bindje të plotë them se Betheli është vendi më i mirë në tokë para se të vijë Parajsa tokësore.» Xherënt vuri re se pasi vëllai Larson kishte bërë një kërkesë për në Bethel, e kishte trajtuar çështjen në lutje para Jehovait. Ai ndoqi pa vonesë këtë shembull. Rreth dhjetë ditë më vonë pati një telefonatë ku ftohej të bëhej anëtar i familjes Bethel në Britani. Në këtë shërbim, ai përdor përvojën e fituar në fermën e babait, për t’u kujdesur për një fermë e cila siguron ushqim për familjen Bethel në Londër. Dikur, puna në fermë ishte thjesht një mjet për të mbështetur veten financiarisht gjatë veprës si pionier. Sot, punën që bën në fermë e konsideron si «caktimin e tij në Bethel nga Jehovai».

Projektet e ndërtimit për qëllime teokratike, tërhoqën Dëshmitarë të tjerë. Ndërsa Denisa (shkurt Tedi) MekNeil shërbente si pioniere, bashkëshorti i saj Geri, punonte për të mbështetur familjen nga ana financiare. Më pas, në vitin 1987, ata shkuan të dy vullnetarë për të ndihmuar në ndërtimin e Bethelit në Londër. Edhe pse në atë kohë nuk morën ndonjë ftesë për të shërbyer atje, në vitin 1989 u ftuan për t’u bërë anëtarë të familjes Bethel. Ndërsa ende u tingëllonte në vesh këshilla e mbikëqyrësit qarkor «mos e refuzo kurrë një caktim nga Jehovai», pranuan. Aftësitë në elektronikë të Gerit dhe përvoja e Tedit si infermiere në klinikë dentare, dolën mjaft të vlefshme në këtë caktim. Ata morën pjesë edhe në nxitjen e interesit në ato territore në Londër ku flitet gjuha polake dhe bengale.

Uilli dhe Beti Stjuart, si edhe Dëshmitarë të tjerë, u ofruan që të ndihmonin në fushën e ndërtimit si vullnetarë ndërkombëtarë. Uilli, një hidraulik dhe inxhinier i apasionuar, doli përpara kohe në pension, në moshën 55-vjeçare. Më pas, ata morën pjesë në projektet e ndërtimit në Greqi, e më vonë, në Spanjë, Zimbabve dhe Maltë. Beti ndihmoi duke punuar në pastrim, lavanderi madje dhe në disa punë hidraulike. Ata punonin pa u lodhur, dhe ndiheshin të shpërblyer në mënyrë të pasur nga ana frymore. Uilli thotë: «Kemi bërë miq nga e gjithë bota dhe nga çdo grup moshe.»

Stërvitje e veçantë për vëllezërit e kualifikuar

Në vitin 1990, me inaugurimin e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Britani, u hap një tjetër derë për të zgjeruar mundësitë në shërbim. Beqarëve që po shërbenin si pleq ose shërbëtorë ndihmës, kjo Shkollë u jepte një mundësi të mëtejshme për t’u specializuar, me synimin për të shërbyer kudo që do të kishte nevojë për ta në fushën botërore. Kursi tetëjavor ekuilibron në mënyrë të përshtatshme stërvitjen në mësimet e Biblës me stërvitjen në çështjet organizative. Klasa e parë në Britani u mbajt në Sallën e Asambleve në Peninin Lindor. Si instruktorë shërbyen dy mbikëqyrës krahinorë nga Shtetet e Bashkuara, Xheims Hindërir dhe Rendëll Devis. Në këtë klasë ishin edhe tre mbikëqyrës qarkorë me përvojë nga Britania, Piter Nikols, Rei Poupëll dhe Majkëll Spor, të cilët ishin ftuar me qëllim që të stërviteshin si instruktorë për klasat e tjera. Duke iu drejtuar klasës që u diplomua më 17 qershor 1990, Albert Shrëder, anëtar i Trupit Udhëheqës, u tha studentëve që ishin caktuar për të shërbyer në Britani: «Ju të rinj të shkëlqyer nevojiteni për të zhvilluar veprën në këtë vend. Kjo do të jetë një nxitje e vërtetë për territorin britanik.»

Midis të diplomuarve në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim është edhe Barat Ram, i cili vjen nga një familje hinduiste. Tani është i martuar dhe shërben bashkë me të shoqen në pjesën veriperëndimore të Anglisë, ku kanë për të ndihmuar shumë njerëz që flasin gjuhën gujarate. Xhon Uilliams nga Uellsi, u habit kur u caktua për të shërbyer në degën e Zambias, ku nevojiteshin aftësitë e tij, dhe më vonë në shërbimin misionar në Kitui, Zambia.

Gordon Sarkodi, i lindur në Ganë, u transferua në Angli bashkë me familjen e tij kur ishte 12-vjeç. Kur ishte ende një adoleshent, një Dëshmitar që i jepte Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! babait të tij, ngjalli tek ai interesin për të vërtetën biblike. Pas një studimi biblik u pagëzua në vitin 1985. Ndërsa shërbente si pionier ndihmës drejtonte kaq shumë studime, saqë shokët e tij pionierë i sugjeruan që të bëhej pionier i rregullt. Kur ndoqi Shkollën e Shërbimit për Pionier, pas përfundimit të vitit të tij të parë në shërbimin e plotkohor, mbikëqyrësi qarkor e inkurajoi që të bënte një kërkesë për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. I nxitur nga dëshira që të aftësohej më shumë për të ndihmuar të rinjtë në kongregacion, Gordoni e plotësoi kërkesën. Ai ndoqi klasën e shtatë të kësaj shkolle në Britani. Pas diplomimit, shërbeu në Londër për dy vjet. Më pas, u caktua për të shërbyer si misionar në Zambia. Ai ishte i gatshëm të vihej në dispozicion për çfarëdolloj shërbimi nën drejtimin e Jehovait, kështu që stërvitja e Gordonit çoi në mënyrë progresive në më shumë privilegje. Pas 12 javësh stërvitjeje në gjuhën cibembe, Gordoni u caktua për të shërbyer si mbikëqyrës qarkor në provincën Koperbelt. Gjithashtu, ka pasur dhe privilegjin për të stërvitur të tjerë vëllezër për veprën qarkore.

Riçard Frud, i lindur në Britani, u rrit nga prindër Dëshmitarë. Prandaj, pasi ia kishte dedikuar jetën Jehovait, mendonte se ky duhej të ishte një dedikim pa rezerva ndaj tij. Kështu, u vu në dispozicion për çdo shërbim. Në vitin 1982 filloi shërbimin si pionier. Bëri kërkesën për Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe u diplomua në vitin 1990. Edhe ai u caktua në Zambia. Pasi studioi gjuhën cibembe, një nga gjuhët vendase dhe fitoi njëfarë përvoje në caktimin e tij të ri, u emërua si mbikëqyrës qarkor e shërbeu edhe si instruktor në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, mbajtur në degën e Zambias.

Deri tani, në 19 klasat e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, të mbajtura në Britani, janë diplomuar 433 studentë. Sot, 79 prej tyre shërbejnë jashtë vendit, 4 shërbejnë si mbikëqyrës qarkorë, 12 si bethelitë dhe 308 po përdorin dobitë e stërvitjes së tyre, duke shërbyer si pionierë në Britani.

Transferimi në fushat misionare.

Nga numri i përgjithshëm i pionierëve që shërbejnë në Britani, qindra janë ofruar për të shërbyer kudo ku ka nevojë për ta në fushën botërore. Për t’u përgatitur, shumë prej këtyre janë stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Gjithsej, në këtë shkollë janë stërvitur 524 pionierë nga Britania. Ata kanë shërbyer në 64 vende, në çdo pjesë të tokës.

Disa pionierë nga Britania kishin shërbyer tashmë jashtë vendit, para se të ftoheshin në Galaad. Kështu ishte në rastin e Xhon dhe Erik Kuk, që tashmë kishin shërbyer në Francë dhe në Spanjë. Pas ndjekjes së Galaadit, Eriku u dërgua në Afrikë, ndërsa Xhoni shërbeu së pari në Spanjë, Portugali e më pas në Afrikë. Një rast tjetër ishte edhe ai i Robert dhe Xhorxh Nizbet, të cilët kishin shërbyer në Afrikën e Jugut për më shumë se 15 vjet, përpara se të ndiqnin Galaadin. Pas kësaj, ata shërbyen në Mauriki dhe më vonë përsëri në kontinentin Afrikan. Klaud Gudman kishte shërbyer tashmë 20 vjet në Indi, Cejlon (sot Sri Lankë), Birmani (sot Mjanmar), Tailandë dhe Malakë (sot e përfshirë në Malajzi), përpara se të ndiqte Galaadin. Pas diplomimit u dërgua në Pakistan. Eduin Skiner kishte shërbyer si pionier në Indi për 20 vjet përpara se të ndiqte Galaadin dhe më pas vazhdoi të shërbente në këtë vend edhe për 43 vjet të tjerë, derisa përfundoi rrugën e tij tokësore, në vitin 1990.

Të tjerë, e shijuan paraprakisht shërbimin në territor të huaj, duke marrë pjesë si vullnetarë ndërkombëtarë në projektet e ndërtimit. Kështu ishte në rastin e Riçard dhe Luiza Palmer. Ata kishin shërbyer për periudha të ndryshme kohe në Greqi, Tahiti, Spanjë dhe në Sri Lankë, nga viti 1989 deri në vitin 1994. Më pas, kishin qëndruar në Sri Lankë, ku kishin më shumë se tre vjet që shërbenin si pionierë kur i ftuan për të ndjekur Galaadin.

Kandidatët për Galaad ishin inkurajuar që ta konsideronin shërbimin misionar si punën e jetës së tyre. Shumica filluan në caktimet që morën me këtë qëndrim mendor dhe disa kanë lënë një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Të paktën 45 misionarë të dërguar nga Britania dhe që vazhdojnë ende në caktimet e tyre, janë duke shërbyer në to që prej 20 a më shumë vjetësh. Nëntë nga këta janë në Amerikën Qendrore dhe Jugore, 11 në vendet aziatike, 11 të tjerë në Afrikë, 4 në Evropë dhe 10 të tjerë akoma nëpër ishuj të ndryshëm.

Ndërmjet atyre që shërbejnë si misionarë nga një kohë e gjatë është Antoni Atud, i cili shërbeu për 49 vjet në Nigeri dhe ende e ka zemrën atje, ndonëse u transferua në Bethelin e Londrës, në vitin 1997 për shkak të disa rregullimeve lidhur me imigracionin. Ai thotë: «Shërbimi në Nigeri ishte një privilegj i mrekullueshëm. Nuk kanë qenë vite të harxhuara kot. Unë i inkurajoj të gjithë të rinjtë që janë bekuar me të vërtetën, që të mos lënë t’u shpëtojë asnjë privilegj që u vjen në dorë. Jehovai nuk do t’i braktisë kurrë. E di këtë nga përvoja.» Oliv Springeit u dërgua si misionar në Brazil, në vitin 1951. Motra e tij, Sonia, u bashkua me të në këtë shërbim në vitin 1959. Denton Hopkinsën dhe Rajmond Liç, mbërritën si misionarë në Filipine në fillim të viteve 50, dhe ky vend vazhdon ende të jetë shtëpia e tyre. Malkëlm Vaigo, që filloi shërbimin si misionar në Malavi dhe qëndroi atje për dhjetë vjet derisa u dëbua, tani shërben në Nigeri bashkë me të shoqen. Mund të përmenden dhe shumë të tjerë dhe secili ka pasur një jetë plot me bekime nga Jehovai.

Disave që ndërmorën shërbimin si misionar, mund t’u jetë dashur që të luftojnë me probleme serioze për të vazhduar në caktimin e tyre. Pas disa vitesh shërbimi si misionarë në Brazil, sëmundja i detyroi Erik dhe Kris Britën të riktheheshin për njëfarë kohe në Angli. Më vonë, po atë vit, pranuan një caktim në Portugali, ku vepra ishte në ndalim. Kur pas shtatë vjetësh u përzunë nga Portugalia për shkak të veprës së tyre të arsimimit biblik, ata vazhduan shërbimin e plotkohor në Angli. Por më pas i shkruan Shoqatës duke e pyetur nëse mund të merrnin një caktim tjetër si misionarë. Pas pak kohësh filluan përsëri në Brazil, ku u angazhuan si në veprën misionare, ashtu edhe në atë qarkore. Tani në fund të 80-ve, janë ende duke shërbyer me besnikëri në Brazil.

Pas njëfarë kohe, detyrimet biblike ndaj anëtarëve të familjes, mund të kërkonin që ndonjëri prej misionarëve të bënte ndonjë rregullim në aktivitetin e tij. Kështu ishte në rastin e Majk dhe Barbara Potixh, të cilët shërbyen në Zaire për 26 vjet dhe më pas u rikthyen në Angli, në vitin 1991, që të ishin kështu në gjendje të ndihmonin një prind të moshuar që po jetonte në rrethana të dhimbshme. Por zemrën e kishin në shërbimin e plotkohor dhe bënë rregullime që të shërbenin si pionierë specialë, ndërsa kujdeseshin për përgjegjësitë familjare. Në vitin 1996, mundën të riktheheshin në fushën misionare edhe për tri vite të tjera, në atë që sot quhet Republika Demokratike e Kongos. Tani janë anëtarë të familjes Bethel në Britani. Duke qenë se ishin misionarët e parë që filluan shërbimin në Zaire, kanë parë numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë së Perëndisë, në këtë pjesë të tokës, të rritet nga 4.243 në më shumë se 108.000 veta. Ata e kanë të gjallë në mendje atë kohë, rreth një vit pas mbërritjes së tyre, kur Dëshmitarëve të Jehovait iu dha njohja ligjore. Kongresi i parë i mbajtur një vit më vonë në Kinshasë, megjithëse u ndoq nga vetëm 3.817 veta, është ende një moment kulmor për ta. Kështu, çfarë gëzimi qe kur në vitin 1998, pavarësisht nga kushtet e trazuara në vend, u mblodhën 534.000 veta që kishin përfituar nga mësimi hyjnor, për të kremtuar Darkën e Zotërisë!

Sigurimi i Sallave të përshtatshme të Mbretërisë

Me rritjen e vazhdueshme të numrit të kongregacioneve në Britani, sfida e sigurimit të Sallave të përshtatshme të Mbretërisë bëhej gjithnjë e më e madhe. Disa kongregacione mblidheshin në salla të marra me qira ose në lokale të tjera, por që nuk ishin të gjitha të përshtatshme për grupet e të krishterëve që mblidhen për të adhuruar Perëndinë e mrekullueshëm Jehova. Kishte një nevojë urgjente për vende të përshtatshme për të mbajtur mbledhjet.

Megjithatë, sigurimi i pronave që do të përdoreshin për Salla Mbretërie nuk ishte gjithmonë diçka e lehtë. Ngandonjëherë hasej një kundërshtim mjaft i fortë, veçanërisht kur në mes ishin dhe paragjykimet fetare. Megjithatë, mbështetja te Jehovai dhe qëndrueshmëria e vëllezërve përgjegjës, ka bërë që përpjekjet të dalin me sukses, gjë që i ka lënë gojëhapur kundërshtarët.

Në fillim të viteve 70, një nga kongregacionet në Suanzi, Uells, kërkoi që të blinte një faltore të papërdorur, për ta kthyer në një Sallë Mbretërie. Një dhjak i kishës që ishte pronare e kësaj ndërtese tha se më mirë vdiste, se sa ta shihte atë të shitur Dëshmitarëve. Si rezultat, faltorja iu shit zyrës së postës, që të përdorej si një central i përkohshëm telefonik. Megjithatë, në vitin 1980, kur s’kishte më nevojë për ndërtesën, zyra e postës e nxori atë në ankand. Këtë gjë ia zuri veshi njërit prej pleqve të kongregacionit dhe diskutoi me pleqtë e tjerë se sa mund të ofronin. Një kontrollor e vlerësoi ndërtesën bashkë me truallin mbi të cilin qëndronte 32.000 dollarë. Sa të kënaqur ishin vëllezërit kur mundën ta merrnin përkundër një oferte prej 24.000 dollarësh! Pas restaurimit të nevojshëm, ndërtesa iu dedikua Jehovait.

Kur rritja e kongregacionit, që ndodhej në qytetin bregdetar jugperëndimor të Eksmauthit, çoi në formimin e një kongregacioni tjetër, vëllezërit vendosën se nevojitej një lokal i ri për një Sallë më të madhe Mbretërie. Ata zbuluan se këshilli i krahinës zotëronte një vend, tashmë të rezervuar për qëllime fetare. Dëshmitarët hynë në bisedime për ta blerë atë. Atëherë këshilli i qytetit vuri një kusht të pazakonshëm që kontratat për shitjen e tokës të mos përfundoheshin pa mbaruar më parë ndërtesa. Ndërtimi përfundoi në vitin 1997. Lumturisht, këshilli iu përmbajt marrëveshjes së tij. Kongregacionet që përdorin këtë sallë, e shohin atë si dëshmi të bekimit të Jehovait për përpjekjet që kanë bërë për të ndihmuar në përhapjen e adhurimit të vërtetë në zonën ku jetojnë.

E para në Evropë

Edhe në rastet kur arrihej të sigurohej prona e nevojshme, ndërtimi i një Salle Mbretërie shpesh kërkonte vite pune para se të përfundonte. Megjithatë, brenda dhjetë vjetësh, nga viti 1972 deri në vitin 1982, numri i kongregacioneve në Britani ishte rritur nga 943 në 1.147. Duhej bërë diçka për të plotësuar nevojat në rritje.

Në shtator të vitit 1983, në Northamtën, që ndodhet 101 kilometra në veri të Londrës, mbërriti një grup vëllezërish nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, që ishin me përvojë në fushën e ndërtimit. Ata po merreshin me shqyrtimin e nevojës për të bërë ndërtime me metodën e shpejtë dhe erdhën për t’u treguar vëllezërve të tyre zgjidhjet praktike që kishin gjetur zbatim. Ky grup punoi përkrah vëllezërve vendas për t’i ndihmuar që të ndërtonin shpejt dhe pa shumë shpenzime një Sallë të re Mbretërie. «Një grup Dëshmitarësh të Jehovait, arritën këto kohët e fundit të ndërtonin për katër ditë atë që një kontraktuesi të zakonshëm do t’i duhej gjashtë muaj për ta bërë,—raportoi muajin vijues revista Building Design,—dhe për të përdorën një të katërtën e shpenzimeve që do të nevojiteshin normalisht.» Jehovai e bekoi punën për ndërtimin me metodën e shpejtë të kësaj Salle Mbretërie, që ishte e para e këtij lloji në Evropë.

Një vit më vonë, më shumë se 1.000 vullnetarë ndihmuan për ndërtimin e një Salle Mbretërie në qytetin Dolgethli të Uellsit. Këtë herë projekti përfundoi jo për katër, por për dy ditë. Të 33 Dëshmitarët vendas patën edhe ndihmën e Dëshmitarëve të tjerë nga Uellsi, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara. Për të parë nga afër se si bëhej ndërtimi me metodën e shpejtë, erdhën edhe vëllezër nga Franca dhe Holanda, të cilët kur u kthyen në vendin e tyre filluan t’u mësonin të tjerëve se si të përdornin metoda të ngjashme pune.

Dëshmitarët në Britani patën dobi nga ndihma e vëllezërve të ardhur nga jashtë, por dhe ata nga ana e tyre u ofruan ndihmë vëllezërve të tjerë. Dy kongregacione në King’s Lin, Norfolk, e bënë këtë në një mënyrë të pazakontë. Në vitin 1986, kongregacionet ishin të zënë me përgatitjet për ndërtimin e një Salle të re Mbretërie, e cila do të zëvendësonte ndërtesën prej druri që kishin përdorur më parë. Kur dëgjuan se kongregacioni në Kov të Irlandës, me një numër të pranishmish 45 deri 50 veta, i zhvillonte mbledhjet në një ish-garazh, vendosën që t’i ndihmonin. Ata u ofruan Dëshmitarëve në Kov ndërtesën e vjetër me gjithçka kishte brenda, duke përfshirë karriget dhe pajisjen e akustikës. Kur vunë re se duheshin zëvendësuar kornizat e dritareve, vëllezërit vendas dhanë mjaft kontribute për mbulimin e shpenzimeve. Kongregacionet fqinje, kontribuan në para për të siguruar përforcues të rinj për çatinë. Përveç këtyre të gjithave, vëllezërit në Norfolk paguan edhe të gjitha shpenzimet e transportit.

«Çmontimi i sallës qe një punë e vështirë,—kujton Piter Rouz, mbikëqyrës drejtues i kongregacionit në King’s Lin.—Çdo pjesë duhej hequr pa u dëmtuar, duheshin numëruar një për një dhe pastaj të grumbulloheshin sërish në formën e një loje pazëll gjigant.» (Lojë me bashkim pjesësh të një figure.) Në maj të vitit 1986, kur përfunduan çmontimin, i ngarkuan të gjitha pjesët në një kontejner dhe i transportuan për në Kov përmes Detit të Irlandës. Vëllezërit në Kov planifikuan që ta ngrinin sallën e re fundjavën e 7 dhe 8 qershorit, pikërisht në të njëjtën kohë që edhe vëllezërit në King’s Lin do të ndërtonin Sallën e tyre të re të Mbretërisë. Të dyja Sallat e Mbretërisë përfunduan në të njëjtën fundjavë.

Sigurimi i ndihmës financiare dhe i përvojës

Botimi në gjuhën angleze i Shërbimi ynë i Mbretërisë, prill 1987, përmbante një shtojcë që tërhiqte vëmendjen në krijimin e një Fondi të Shoqatës për Salla Mbretërie që do të «siguronte financimin e mjaftueshëm me kosto të ulët» si për ndërtime të reja, ashtu dhe për blerjen dhe ristrukturimin e ndërtesave ekzistuese. Kështu ishte bërë e mundur që të kishte një barazi në të ardhura. (2. Kor. 8:14) Artikulli përfundonte: «Ndërkohë që e kuptojmë se sa e madhe është puna që na pret dhe i çmojmë kontributet bujare që kanë bërë (dhe janë duke bërë) kongregacionet për Sallat e reja të Mbretërisë, ne duhet të mbështetemi plotësisht te Jehovai, që të na ndihmojë të plotësojmë nevojën aktuale për Salla Mbretërie.—Prov. 3:5, 6

Vitin pasues, Trupi Udhëheqës, përmes zyrës së degës, mori masa që në pjesë të ndryshme të vendit, të caktoheshin komitete vëllezërish për të dhënë përvojën e tyre profesionale dhe për të ndihmuar në organizimin e punës për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Duke filluar nga viti 1998, janë emëruar 16 Komitete Rajonale Ndërtimi. Deri tani, këto komitete kanë ndihmuar në ndërtimin dhe restaurimin e më shumë se 700 Sallave të Mbretërisë në Britani.

Shumica e vëllezërve që shërbejnë në këto komitete, kanë familje për të mbajtur. Disa kanë pasur mundësi të kushtojnë më shumë kohë në këtë vepër, të tjerë më pak. Majkëll Harvi, baba i pesë fëmijëve, me bashkëpunimin e gruas së tij Xhin, zgjodhi që ta vinte ndërtimin e Sallave të Mbretërisë përpara punëve të tjera. Burrë e grua, e kanë kuptuar vlerën e këshillës së Jezuit për të mbajtur Mbretërinë në vend të parë në jetë. (Mat. 6:33) «Fjalët e Jezuit kanë marrë një domethënie krejt të re për ne,—thotë Majkëll.—Jehovai nuk na ka braktisur kurrë ndonjëherë.» Xhin, në një mendje me të, thotë: «Kur ishte rreth nëntë vjeç, Rakela, njëra nga vajzat tona, hodhi shpejt shtat dhe rrobat nuk i bënin më. Nuk kisha dhe aq para sa t’i blija diçka të re, kështu që përpiqeshim t’ia dilnim duke ndrequr rroba dhe duke i ndryshuar ato në mënyrë që t’i bënin Rakelës. Më pas, një ditë para asamblesë sonë qarkore, motra e Majkëllit na dërgoi dy veshje të reja që i kishte blerë me çmime të ulura. Rakelës i rrinin për bukuri dhe mbërritën tamam në momentin e duhur për asamblenë.» Ndërsa dy nga bijtë e tyre marrin pjesë në veprën ndërtuese, Xhin me vajzat mbajnë shtëpinë dhe kujdesen për disa punë që kanë të bëjnë me projektet e ndërtimit. «Angazhimi në veprën e ndërtimit e bashkon familjen tonë,—shpjegon Majkëll.—Është vërtet një projekt familjar.»

Për ndërtimin e disa Sallave të Mbretërisë në vitet 80, numri i vullnetarëve që kërkuan të punonin në to arriti në qindra, madje mijëra veta. Me synimin për të thjeshtuar punën, vëlla Harvi shkoi në Danimarkë për t’u konsultuar me vëllezërit që po punonin për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në këtë vend. Një tjetër ndihmë erdhi kur Shoqata i njoftoi kongregacionet se kur të kishin nevojë për të ndërtuar Salla të reja Mbretërie, ajo mund t’u ofronte të zgjidhnin ndonjë nga projektet tashmë të përgatitura. Si rezultat nevojiteshin më pak vullnetarë dhe kjo gjë solli reduktimin në një masë të madhe të sasisë së punës. Kështu, në të gjithë Britaninë u ndërtuan Salla Mbretërie modeste, por të përshtatshme.

Më shumë se një anekdotë e bukur

Përpjekja e bashkuar për të ndërtuar një Sallë Mbretërie dhe shpejtësia me të cilën u krye puna, çoi në dhënien e një dëshmie të shkëlqyer për publikun. Gazetat raportojnë shpesh rreth asaj që është arritur. Në vitin 1990, Viktor Lagdën, një fotoreporter i gazetës lokale Evening Echo, përshkroi ndërtimin treditor të një salle të re në Ishullin Kanvi, që ndodhet mbi pjesën veriore të një gjiri të vogël të lumit Tamiz. Kur mbërriti në vendin e ndërtimit, të premten në mëngjes, nuk gjeti veçse disa pajisje ndërtimi. Në derën e një dhome-rimorkio ishte shkruar «Zyra e Shtypit». «Ajo ishte e vetmja strukturë që qëndronte në këmbë në atë vend,—kujton Viktori.—Por ajo që më bëri përshtypje ishin punëtorët e ndërtimit, burra, gra, të rinj e të reja që punonin së bashku.» Viktori i bëri një fotografi vendit dhe u largua. Më pas e pyeti redaktorin e tij nëse mund të rikthehej herë pas here në vendin e ndërtimit gjatë fundjavës, për të parë nëse do të dilte i vërtetë pohimi i Dëshmitarëve për të ndërtuar një sallë në vetëm tri ditë. Bashkë me tre reporterë të tjerë përshkroi ecurinë e punës.

Të dielën, Viktori ndoqi mbledhjen e parë që u mbajt në sallën e re. Si rezultat, një artikull dyfaqësh me titull «Jehovai i Madh!» hijeshoi atë numër të gazetës së tij. Më vonë, njëri prej pleqve lokalë i bëri një vizitë këtij gazetari dhe me të u fillua një studim biblik. «Brenda tri javësh,—tregon Viktori,—mësova emrin e Perëndisë dhe në vend se thjesht t’i bëja kërkesa gjatë lutjeve të mia, fillova edhe t’i jepja falënderime, po, falënderime Jehovait.» Sot, Viktori është një Dëshmitar i Jehovait i pagëzuar.

‘Duke u bërë të gjerë’

Gjatë viteve 70 dhe 80, popullsisë imigrante në Britani i qe dhënë shumë dëshmi, pjesa më e madhe e së cilës nga Dëshmitarë që ishin vetë imigrantë dhe që flitnin gjuhën që kërkohej sipas rastit. Por nevojitej më shumë ndihmë.

Aty nga viti 1993, në Britani jetonin dy milionë njerëz me prejardhje aziatike, kështu, një në 28 banorë ishte aziatik. Shumë kishin ardhur nga nënkontinenti indian, të tjerë nga Afrika Lindore. Tashmë kishte rreth 500 lajmëtarë që flitnin gjuhën punjabi dhe 150 që flitnin gjuhën gujarate. Këta shoqëroheshin me kongregacionet angleze dhe drejtonin më shumë se 500 studime biblike në këto gjuhë. Por, sigurisht, jo të gjithë imigrantëve u qe dhënë mundësia për të nxjerrë dobi nga lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë.

Duke kuptuar se një person që flet vetëm anglisht mund të ndihet i paaftë kur përpiqet t’u dëshmojë njerëzve me një gjuhë dhe kulturë të ndryshme, zyra e degës i këshilloi Dëshmitarët vendas që të zhvillojnë një dashuri të gjerë për njerëzit e të gjitha racave, si edhe një frymë ngjashëm Krishtit për t’u kujdesur për mirëqenien e të tjerëve. Ata u inkurajuan që ‘të bëhen të gjerë’. (2. Kor. 6:11-13; Filip. 2:1-4) Shërbimi ynë i Mbretërisë shpjegonte: «Duam që njerëzit në territorin tonë të ndiejnë te ne ngrohtësinë dhe interesin që shfaqi Jezu Krishti në shërbim.» Dëshmitarëve në Britani iu tha: «Në fakt, një fushë e gjerë misionare qëndron para nesh.»

Për të shfaqur interes ndaj atyre që flasin gjuhë të huaja, të gjithë Dëshmitarët në Britani u inkurajuan që të njoftonin kongregacionin përkatës të gjuhës së huaj, për çdo të huaj që takonin në territorin e tyre. Kështu, pavarësisht nëse individë Dëshmitarë mund të flitnin ose jo një gjuhë tjetër, ata të gjithë mund të angazhoheshin për të shfaqur kujdes për fushën e gjerë misionare që ishte krijuar brenda Anglisë. Në të vërtetë, territoret për kongregacionet e gjuhës së huaj, vijnë kryesisht nga referime të tilla.

Për këtë arsye, në vitin 1996, Greis Li, vizitoi shtëpinë e një zonje nga Vietnami, e cila banon në Njukasëll, në verilindje të Anglisë. Gruaja fliste gjuhën kineze. Greis u mirëprit ngrohtësisht dhe u ftua menjëherë të hynte në shtëpi. Ajo mësoi se gruaja ishte një refugjate që kishte vuajtur shumë gjatë luftës në Vietnam. Kishte rreth dhjetë vjet që jetonte në Angli, por ende nuk fliste dhe aq mirë anglisht. Gruaja i shpjegoi Greisit se kishte qenë shpesh herë mjaft e dëshpëruar, por nuk kishte pasur askënd pranë që t’i drejtohej për ndihmë.

Gjithashtu, ajo i tregoi motrës se katër vjet më parë kishte marrë një libër me shumë figura të bukura, por që nuk mund ta kuptonte për shkak se nuk lexonte anglisht. Megjithatë, sa herë që ndihej e dëshpëruar vështronte figurat dhe kjo sikur e ndihmonte të lirohej nga dëshpërimi dhe e mbushte me shpresë. Mori librin nga rafti i librave, ia dha Greisit dhe e pyeti nëse mund t’ia lexonte, në mënyrë që të mund të mësonte se çfarë thuhej në të. Ishte libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Greisi iu përgjigj se mund të bënte diçka më të mirë se thjesht t’ia lexonte këtë libër në anglisht. Greisi futi dorën në çantë dhe nxori që andej një kopje të të njëjtit libër në gjuhën kineze. Zonja nuk u besonte dot syve. Më në fund mund të mësonte mesazhin e Biblës. Pranoi menjëherë një studim biblik.

Si pjesë e përpjekjes ‘për t’u bërë të gjerë’, zyra e degës i kushtoi një vëmendje të veçantë dhënies së ndihmës grupeve etnike si në aspektin e rritjes në kuptim frymor, ashtu edhe atë organizativ. Kolën Seimur dhe gruaja e tij Oliv, kishin shërbyer tashmë për 20 vjet duke vizituar kongregacionet në të gjithë Britaninë. Të dy treguan një interes të sinqertë kudo ku shërbyen dhe kjo ishte bërë veçanërisht e dukshme gjatë vizitave të tyre në kongregacionet në ishujt e Maltës dhe Gozos, në Detin Mesdhe. Ata madje u përpoqën që të komentonin në gjuhën malteze gjatë mbledhjeve të kongregacionit, duke u hyrë kështu në zemër vëllezërve vendas.

Në shtator të vitit 1994, Kolini u emërua mbikëqyrës qarkor për grupet që nuk flasin gjuhën angleze, si edhe për disa kongregacione të gjuhës së huaj në të gjithë Anglinë. Ai përcaktoi me kujdes mundësitë e zhvillimit të secilit grup për t’u bërë një kongregacion dhe forcoi kongregacionet që tashmë ishin formuar. Megjithëse në fillim qarku i Kolinit ishte më i vogli, me vetëm 12 kongregacione dhe rreth 750 lajmëtarë, brenda tre vjetësh ai u rrit dhe u bë qarku më i madh me 1.968 lajmëtarë, ndër të cilët 388 shërbenin si pionierë. Që nga ajo kohë, numri i qarqeve në gjuhë të huaj është rritur në tre.

Mësimi i një gjuhe të re

Për të ndarë të vërtetat jetëdhënëse të Biblës me imigrantë që flasin një gjuhë të ndryshme nga anglishtja, disa Dëshmitarë britanikë kanë marrë personalisht iniciativën për të mësuar një gjuhë tjetër. Ndërmjet tyre është Elisabeta Emët, e cila ka shërbyer si pioniere në pjesë të ndryshme të Anglisë. Në fillim u përpoq të mësonte gjuhën punjabi, për të ndihmuar njerëzit në territorin e saj. Më pas, në vitin 1976, në një caktim të ri, i hyri punës për të mësuar gjuhën urdu. Pas kësaj e pati radhën gjuha gujarate. Veç kësaj, për të ndihmuar personat e interesuar, gjatë kongreseve kërkonte lajmëtarë indianë dhe pakistanezë. Ndërsa Kliftën dhe Amanda Benks, nxitjen e morën kur ndoqën një kongres në Rusi, në vitin 1993. Kur u kthyen në shtëpi, siguruan një metodë për mësimin e gjuhës ruse nga një bibliotekë lokale, u transferuan në një zonë ku ndodheshin njerëzit që flitnin gjuhën ruse dhe filluan të shërbenin si pionierë pranë kongregacionit rus në këtë zonë. Por gjetja e kohës për studimin e një gjuhe të huaj, ndërkohë që kujdesesh për përgjegjësi të ndryshme në jetë, për familjen, si edhe kur ke një program të mbushur me aktivitete në kongregacion dhe shërbimin në fushë, nuk është diçka e lehtë.

Duke qenë se në Angli kishte një nevojë të veçantë, iu dha një inkurajim pionierëve që dëshironin ta zgjeronin në këtë mënyrë shërbimin e tyre. Pa hequr dorë nga shërbimi si pionier, ata morën njohuritë fillestare të një gjuhe. Për të marrë mësimin e nevojshëm, disa pionierë bënë një kurs të shkurtër për të kapur bazat e gjuhës së tyre të re. Rezultatet qenë të kënaqshme.

Kristina Flin që kishte shërbyer për 21 vjet si pioniere, bashkë me shtatë pionierë të tjerë, vendosën të përfitonin nga një kurs i mësimit të gjuhës gujarate, që u mbajt në periudhën 1996-1997. Mësuesit ishin një çift, burrë e grua, nga India, të cilët, e thënë me pak fjalë, u habitën që kursit të tyre iu bashkuan kaq shumë studentë që flitnin anglisht. «Ata bënë ndryshime të programit për të na ndihmuar neve,—tregon Kristina.—Më ndihmuan që të përgatitja prezantimet për në shërbim dhe madje ndoqën disa nga mbledhjet tona.»

Pothuaj në atë periudhë, Kristina filloi një punë të re. Në vendin ku punonte ajo takoi një grua të re që fliste gjuhën gujarate. Kur Kristina e përshëndeti në gjuhën gujarate, gruaja mbeti e habitur dhe donte të dinte se përse ajo po e mësonte këtë gjuhë. Kristina i shpjegoi arsyen dhe i dha një dëshmi të shkëlqyer, së cilës gruaja e re iu përgjigj: ‘Asnjë fe tjetër nuk do t’i inkurajonte anëtarët e saj që të mësonin një gjuhë të tillë të vështirë. Ju duhet të keni vërtet diçka të rëndësishme për të thënë.’

Polin Dankën, edhe kjo një pioniere, në vitin 1994 u dha e tëra pas mësimit të gjuhës bengale. Në fillim iu duk tepër e vështirë. «Shumë herë i lutesha Jehovait me lot në sy, duke i treguar se sa e vështirë është kjo gjuhë dhe se ndihesha sikur nuk do t’ia dilja kurrë,—pranon Polin.—Por me frymën e shenjtë të Jehovait, si edhe me vendosmërinë dhe përpjekjet e mia, e kalova atë fazë të vështirë dhe jam e lumtur që nuk u dorëzova, pasi tani po gëzoj rezultate të shkëlqyera.» Një tjetër pioniere, Bevërli Kruk, lidhur me ndikimin që ka pasur te njerëzit që viziton fakti që ajo ka mësuar gjuhën bengale, thotë: «Që kur mësova gjuhën, shërbimi im pësoi një ndryshim tërësor. Popullsia bengale e di se duhet t’i duam ata përderisa i kemi kushtuar kohë mësimit të gjuhës së tyre.»

Xhenifer Çarls, pioniere në një nga kongregacionet franceze ku ka shumë refugjatë nga Republika Demokratike e Kongos, thotë: «Mësimi i një gjuhe të re më ka ndihmuar të kuptoj se si ndihen personat në territorin tim kur vijnë në një vend të huaj dhe s’mund të flasin gjuhën e tij.»

Shumë pionierë, duke përfshirë edhe motrat e pamartuara, që kanë mundësi të shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë, janë inkurajuar për disa vjet që të flasin me mbikëqyrësin e tyre qarkor për mundësinë e transferimit në kongregacionet fqinje ku nevojitet ndihmë. Disa kanë zgjedhur të mësojnë një gjuhë të re, me qëllim që të japin një dorë në territorin e gjuhës së huaj. Në qytetin e Londrës, duke përfshirë edhe zonat përreth tij, më shumë se 100 motra pioniere e kanë bërë këtë. Shërbimi në një territor ku personat flasin gjuhë të ndryshme nga anglishtja ka qenë i frytshëm. Me ndihmën e tyre shumë njerëz kanë studiuar Biblën dhe kanë ndjekur mbledhjet e krishtere.

Kur vazhdohet me frymën misionare

Për arsye të ndryshme, disa që ishin misionarë e kanë parë të nevojshme që të rikthehen në Britani. Shumë prej tyre kanë vazhduar të bëjnë edhe më pas një punë të shkëlqyer.

Pasi kishin shërbyer si misionarë për 14 vjet, në vitin 1964, Uilfred dhe Guen Guç, u transferuan nga Nigeria në degën e Londrës. Kjo nuk ndodhi sepse ishin të pakënaqur me shërbimin në Nigeri, përkundrazi e donin atë. Por, Uilfred ishte caktuar që të kujdesej për mbikëqyrjen e degës së Britanisë. Megjithatë, me qëndrimin e tyre pozitiv, ata mundën të inkurajonin shumë pionierë në Angli që të viheshin në dispozicion për të shërbyer në çfarëdo lloj mënyre që Jehovai mund t’i drejtonte nëpërmjet organizatës së tij. Uilfred shpesh u thoshte: «Do të mësoni më shumë në një vit si misionar, sesa në 30 vjet si pionier.» Me këtë nuk donte të thoshte se do të mësonin më shumë rreth Shkrimeve, por se do të mësonin më shumë në lidhje me veten, jetën dhe rreth asaj se si mund t’ia dilnin të shkonin mirë me vëllezërit dhe motrat.

Xhon dhe Pat Barkër, të diplomuar në klasën e 45-të të Galaadit, u rikthyen në Angli pasi së shpejti pritnin një fëmijë. Por ata kishin punuar shumë për të mësuar gjuhën mandarin që t’u dëshmonin kinezëve në Taivan. Kur u kthyen në Angli, vazhduan të kërkonin kinezët e ardhur këtu, për të ndarë me ta lajmin e mirë. Pasi fëmija i tyre u rrit dhe u martua, që të dy filluan shërbimin si pionierë të rregullt dhe tani gëzojnë një shërbim të frytshëm me një kongregacion që përfshin edhe një grup të gjuhës mandarin, në qytetin Birmingem që ndodhet në Midlends. Disa nga ata me të cilët kanë studiuar, janë rikthyer në Kinë me mjaft njohuri për të vërtetën.

Devid Shepërd, ish-misionar në Ganë, tani është i martuar dhe ka tre fëmijë. Por Devid vazhdon në shërbim të plotkohor. Çfarë i ka kontribuar kësaj gjëje? Ai shpjegon: «Pashë se sa pak kishin vëllezërit në Ganë dhe kjo më ndihmoi që të përpiqesha të bëja një jetë sa më të thjeshtë që ishte e mundur.»

Ndërtesa të përshtatshme për veprën

Literatura e shtypur biblike, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Në fillim të viteve 70, dega në Londër luajti një rol kyç në sigurimin e këtij ushqimi jetëdhënës për shumë vende të tjera. Një sasi e madhe e tij iu dërgua vendeve në Afrikë, një pjesë mbërriti deri edhe në Australi.

Gradualisht, edhe degë të tjera që merreshin me shtypjen, morën përsipër prodhimin e revistave në gjuhë të ndryshme, ndërkohë që shtypshkronja në Londër u përqendrua në shtypjen e literaturës në gjuhën angleze, holandeze dhe suahili. Megjithatë, të dyja makinat e mëdha të shtypit në Angli, të markës MAN, punonin ende me program të plotë. Për realizimin e tij, në vitin 1977, njëra nga makinat e shtypit, punonte çdo tre javë edhe gjatë një turni nate.

Ishte koha për të zgjeruar ndërtesat e Shoqatës në Londër. Në Shtëpinë Watch Tower, në Mill Hill, e cila ishte në përdorim që nga fundi i viteve 50, nuk kishte më hapësirë të mjaftueshme për t’u kujdesur për gjithë sasinë e materialit të shtypur që prodhonte dega. Kufizimet që lidheshin me planifikimin e pengonin zgjerimin më tej të fabrikës në Shtëpinë Watch Tower, kështu që Trupi Udhëheqës ra dakord që fabrika të zhvendosej në një vend tjetër dhe ndërkohë të zgjerohej shtëpia ekzistuese Bethel, për të siguruar vende banimi për numrin gjithnjë e në rritje të vëllezërve që nevojiteshin për të kryer punën.

Së fundi, fabrika me sipërfaqe 3.000 metra katrorë u vendos në Uembli, rreth 13 km më larg vendndodhjes së mëparshme. Ndërtesa dykatëshe siguronte një sallë me hapësirë të bollshme për një fabrikë më të madhe, si edhe një apartament, një kuzhinë, një sallë ngrënieje dhe dhomën e pritjes. Makineritë e fabrikës u transferuan në këtë vend në vitin 1980, pajisjes ekzistuese iu shtua një makinë e re ofset me pesë elemente, e markës Harris, dhe brenda dy vjetësh prodhimi vjetor i revistave arriti në 38.328.000 copë.

Ndërkohë filloi puna për të ndërtuar një shtesë të re për Shtëpinë Watch Tower në Mill Hill, duke siguruar kështu edhe 41 dhoma të tjera për familjen Bethel, një sallë ngrënieje më të madhe dhe një kuzhinë. Xhon Endriës, një mbikëqyrës krahinor që kishte njohuri në lidhje me arkitekturën, u ftua në Bethel për të punuar me grupin që merrej me projektin. Dëshmitarë nga shumë pjesë të vendit dolën vullnetarë për të punuar gjatë fundjavëve. Me gjithë borën e dendur dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulëta gjatë dimrit të vitit 1981–1982, puna vazhdoi me ritëm të shpejtë. Disa persona jo Dëshmitarë, u punësuan si nënkontraktues dhe punuan përkrah vëllezërve. Brenda pak më shumë se dy vjetësh, krahu i ri shtesë i ndërtesës ishte gati për t’u përdorur. Kjo ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë me një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme.

Ndërmerret një punë vigane

Në qershor të vitit 1982, Trupi Udhëheqës pranoi një ftesë nga Komiteti i Degës, për të mbajtur në Britani mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania për vitin 1983. Kjo ngjarje duhej të ishte pa dyshim e rëndësishme, sepse dega planifikoi të bënte dedikimin e shtesës së re të Bethelit në Londër, po atë fundjavë që do t’i ofronin mikpritjen mbledhjes vjetore.

«Një ditë, rreth orës tetë të mëngjesit më telefonoi Piter Elis nga Betheli dhe më kërkoi që t’i rezervoja Sallën De Montfort për datën 1 tetor»,—kujton Denis Loft. Ky kishte qenë lokali i asamblesë së paharrueshme, të mbajtur më 2-10 shtator të vitit 1941, ku u prezantua libri Fëmijët. Në atë kohë, në mes të Luftës II Botërore, kur vëllezërit kishin marrë një qëndrim të guximshëm lidhur me asnjanësinë e krishterë, Albert D. Shrëder, sot anëtar i Trupit Udhëheqës, ishte shërbëtor dege në Britani. Çfarë rasti i mrekullueshëm duhej të ishte kjo mbledhje vjetore për të moshuarit e mbetur gjallë, që të ripërtërinin njohjen e tyre me shërbëtorët besnikë të Jehovait, të kohëve të para!

Mbledhja vjetore e vitit 1983 ishte e para e këtij lloji që mbahej jashtë Amerikës së Veriut. U bënë plane për ta lidhur programin që do të mbahej në Leiçester me Sallën e Asambleve në Dadli, Midlends. Në këtë mënyrë, rastin mund ta gëzonin më shumë vëllezër. Të parët që u ftuan, ishin ata që i kishin shërbyer Jehovait për 40 a më shumë vjet. Iu çua fjalë degëve në të gjithë Evropën për t’i njoftuar se ftoheshin anëtarë nga familjet Bethel, për të qenë të pranishëm në programin e kësaj fundjave. Nuk qe e vështirë të kuptohej se në familjen Bethel në Londër nuk do të kishte mjaft dhoma për të strehuar tërë këta delegatë nga Evropa. Prandaj, u bënë plane për të formuar një repart që do të siguronte strehimin për të gjithë vizitorët.

Ndërkohë, vëllai Loft kishte kontaktuar me Këshillin e qytetit Leiçester dhe ishte informuar se një nga kompanitë më të mëdha të qytetit do të bënte një mbrëmje vjetore me të ngrëna e vallëzime, pikërisht fundjavën që ne donim të rezervonim sallën. Duke kërkuar më tej, vëllai Denis mësoi se në fakt kjo mbrëmje do të organizohej më 30 shtator por, meqë si gjithmonë pas aktiviteve të tilla kishte goxha pastrim për t’u bërë, rezervimi i sallës ishte shtyrë për një ditë më pas. «Nëse e marrim ne përgjegjësinë për të pastruar vendin, a mund të na e rezervoni sallën për datën 1 tetor?»—pyeti Denisi. Administratori pranoi dhe Denisi psherëtiu i lehtësuar, megjithëse në atë moment nuk e dinte tamam se çfarë përmasash kishte puna që po ndërmerrej.

Mesnatën e 30 shtatorit, 400 vëllezër të organizuar në grupe me nga një drejtues secili, i hynë punës për të pastruar gjithë ç’kishte mbetur nga ajo mbrëmje vallëzimi. Ata hoqën tryezat dhe i zëvendësuan me 3.000 karrige që do të shërbenin për mbledhjen. Një punë mjaft e vështirë për t’u përfunduar vetëm në tetë orë. Denisi kujton: «Aspekti unik ishte se shumë pak prej këtyre vëllezërve ishin ftuar në mbledhjen vjetore e megjithatë, ajo për të cilën flitnin atë ditë ishte vetëm që të arrinin të merrnin pjesë në të, qoftë edhe vetëm duke përgatitur diçka për të.» Vëllezërit shtruan me tapet platformën dhe e rrethuan me lule. Në orën 8 të mëngjesit salla ishte krejt e pastër. Ata të personelit të sallës mbetën të habitur. Vëllezërit e dinin se kjo mbledhje mund të përmbante diçka shumë të veçantë, dhe nuk u zhgënjyen.

Një mbledhje e paharrueshme

Midis 3.671 të pranishmëve për banketin frymor në Leiçester, ndodheshin 693 delegatë nga 37 degë të tjera. Shumë nga të pranishmit ishin motra dhe vëllezër të mirosur. Reg Kelënd nga Telford dhe Ema Bërnel nga Pentën, të dy 99-vjeçarë, ishin delegatët më të moshuar nga Britania. Zhaneta Tait nga Glasgou, si edhe Meri Grent, Edit Givër dhe Robert Uordën, kush në të 80-at e kush në të 90-at, secili në dekadën e nëntë ose të dhjetë të jetës, e kishin mësuar të vërtetën përpara Luftës I Botërore. Kështu, secili kishte mbi supe përvojën e një jete të tërë në shërbim të Jehovait. Ata morën pjesë në veprën e dëshmisë dhe panë numrin e lavdëruesve të Jehovait në Britani të rritej nga disa mijëra në 92.320 persona. Tani po pritnin me padurim inkurajimin që do të ofronin anëtarët e Trupit Udhëheqës.

Albert D. Shrëder foli rreth temës «Vazhdo të shpresosh te Jehovai që të mos lodhesh», bazuar në Isainë 40:31. Ai intervistoi edhe disa vëllezër besnikë: Robert Uordënin dhe Harold Rabsënin, të dy nga Glasgou, i pari i pagëzuar në vitin 1913 dhe tjetri në vitin 1914. Robert Andersonin, i cili kishte qenë pionier për 51 vjet dhe Erni Bivërin, i cili kishte shërbyer për 17 vjet si mbikëqyrës qarkor dhe që të tre fëmijët i kishte në shërbimin misionar. Që të gjithë folën me mjaft entuziazëm për vitet e tyre të shumta në shërbim të Jehovait. Daniel Sidlik, një tjetër anëtar i Trupit Udhëheqës, foli rreth temës «Diçka më e mirë pritet ende të vijë». Ishte një fjalim që vëllezërit e kujtojnë edhe sot e kësaj dite.

«Kur morëm ftesën,—shkroi një vëlla,—na vërshuan në mendje kujtimet e asaj asambleje të mrekullueshme, të mbajtur gjatë kohës së luftës në Sallën De Montfort, në vitin 1941. Sigurisht, ai kongres i mbajtur si me mrekulli në mes të Britanisë së bërë copë nga lufta, ishte më i miri që kishim ndjekur, por ‘diçka më e mirë pritej ende të vinte’. Ne u larguam nga kjo mbledhje me zemrat mbushur plot mirënjohje për Jehovain, të vendosur për të vazhduar besnikë ndaj Krijuesit tonë, Mbretit të tij Jezu Krisht dhe ndaj organizatës që Ai po e përdor në një mënyrë kaq të qartë.»

Pas kësaj ngjarjeje shumë nga delegatët udhëtuan drejt Londrës për të gëzuar programin e dedikimit me rastin e zgjerimit të shtëpisë Bethel. Sesionet u lidhën me anë të telefonit me Sallën e Asamblesë në veri të Londrës, duke u dhënë kështu mundësi edhe shumë të tjerëve për të dëgjuar fjalimin e dedikimit të mbajtur nga vëllai Frederik Franc, në atë kohë president i Shoqatës.

Një vend më i mirë për shtypshkronjën

Ndërtesat e degës nuk ishin ende ideale. Shtëpia Watch Tower ndodhej në Mill Hill, ndërsa fabrika gjendej 13 km më larg, në Uembli. Njëzet e pesë deri tridhjetë vëllezër bethelitë, bënin rregullisht çdo ditë vajtje-ardhje për të punuar në fabrikë.

Vite më parë, N. H. Norr, që në atë kohë ishte presidenti i Shoqatës, kishte vënë re se një ndërtesë që i përkiste kompanisë U.K. Optical dhe që ndodhej nga ana tjetër e rrugës, përballë Shtëpisë Watch Tower, do të ishte një godinë ideale për një shtypshkronjë. Megjithatë, në atë kohë kjo ndërtesë nuk ishte në dispozicion. Por në shtator të vitit 1986, në një mbledhje të organizuar nga zyra e postës, Filip Harris, mbikëqyrësi i Repartit të Transportit, dëgjoi se kompania U.K. Optical do t’i lironte godinat në Bitësi Hill. U morën menjëherë masa për të shtënë në dorë këtë pronë me sipërfaqe 2 ha. Dy muaj më vonë u arrit të blihej dhe në të njëjtën kohë përfunduan me sukses edhe bisedimet për të shitur fabrikën në Uembli. Pas kësaj filloi me vrull puna për ndërtimin e fabrikës së re.

Në fillim, u shembën ndërtesat e vjetra që ndodheshin në pjesën e prapme të Bitësi Hill, për t’i hapur vendin fabrikës së re. Ndërsa gërmohej gjithnjë e më thellë, vëllezërit zbuluan se kjo zonë kishte qenë përdorur si një vend për hedhjen e mbeturinave industriale. Pasi u hoqën të gjitha mbeturinat, u bë e dukshme se në planet e ndërtimit mund të shtohej edhe ndërtimi i një bodrumi të madh. Më shumë se 5.000 vullnetarë të ardhur nga brenda dhe jashtë Britanisë, kushtuan më tepër se një gjysmë milioni orë pune në këtë projekt. Si rezultat, u sigurua një fabrikë e shkëlqyer dhe një garazh që mund të shërbenin edhe për vitet e ardhshme.

Faza e dytë e ndërtimit përfshiu shembjen e zyrës së vjetër të U.K. Optical dhe të godinave të fabrikës së mëparshme, për t’i hapur kështu vendin ndërtesës së re të zyrës. Që të ruhej një pamje e ngjashme me atë të ndërtesave të tjera në atë zonë, autoritetet e planifikimit lokal ngulën këmbë që godina e zyrës së re të ndërtohej me tulla. Kjo u arrit duke përdorur tulla të prera për së gjati, të cilat futeshin brenda paneleve prej betoni. Me ngritjen e të 157 paneleve të saj me faqe tulle, shtëpia IBSA mori shpejt formë. Drejtuesi i një kompanie që bëri një vizitë pas pak kohësh, kërkoi të dinte se sa muratorë kishim punësuar. «Sigurisht, të paktën nja pesëdhjetë»,—mendoi ai. Kur mësoi se të gjithë këtë e kishin bërë vetëm gjashtë gra dhe dy burra, tundi kokën si të donte të thoshte se nuk i besohej.

Në vitin 1993, zyra e re bashkë me kompleksin e ri të fabrikës, ndërtuar në majë të Bitësi Hill, ishin gati për përdorim. Dedikimi i tyre u bë gjatë një vizite të Albert D. Shrëder nga Trupi Udhëheqës. Në atë kohë, në të gjithë vendin ishin të angazhuar në veprën e shërbimit 127.395 lajmëtarë, vërtet një shkak për t’u gëzuar!

Ndihmë në shkallë ndërkombëtare

Dega e Shoqatës në Gjermani, i hyri punës që të ndihmonte për shtypjen e revistave në gjuhën angleze, gjatë periudhës që makinat tona të shtypjes u transferuan nga Uembli në Shtëpinë IBSA. Por shpejt, veprimtaria e shtypjes rifilloi në Londër dhe nga makinat e shtypit të fabrikës sonë të re, vërshonin dhjetëra milionë revista që përmbanin të vërtetat jetëdhënëse.

Megjithëse larg nga Afrika Lindore, shtypshkronja në Londër, ka prodhuar për një kohë të gjatë një sasi të rregullt revistash për këtë pjesë të botës. Këtu janë sjellë rregullisht botimet e revistave në gjuhën angleze dhe atë suahili. Ngjashëm, edhe ishujt e Karaibeve e marrin sasinë e tyre të revistave po nga Britania. Prej shumë vitesh anijet që transportojnë banane e marrin ngarkesën nga Inditë Perëndimore dhe vazhdojnë drejt bregut perëndimor të Britanisë. Nga këtu rikthehen të ngarkuara drejt ishujve dhe kjo përfshin në mënyrë të rregullt edhe transportimin e revistave, i cili bëhet pa pagesë për shkak se Shoqata jonë nuk është një shoqatë fitimprurëse.

Kur kontejnerët transportues përgatiten për eksport nga Reparti i Transportit, vendi që mbetet bosh përdoret për t’u dërguar një llojshmëri furnizimesh të nevojshme vëllezërve në zonat ku kushtet ekonomike janë të vështira. Kështu, dhjetëra mijë karrige që kanë tepruar nga Sallat e Mbretërisë në të gjithë vendin, janë transportuar në vende të tilla, si: Liberi, Mozambik, Senegal, Tanzani dhe Zambia. Në këto vende është vendosur që karriget të përdoren nga ato kongregacione që sa s’po pëlcasin nga numri i madh i personave të interesuar që janë të etur për të mësuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Kur kushtet e luftës në Bosnjë, në vitin 1994, bënë të nevojshme që t’i hyhej punës për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve tanë në këtë vend, dega në Austri siguroi me kënaqësi ushqim, veshje dhe furnizime të tjera të nevojshme. Por, kur autoritetet në Bosnjë nxorën një dekret që ngarkesat në të ardhmen t’i dërgoheshin një organizate të regjistruar ligjërisht, u kërkua ndihma e degës së Britanisë. U përgatitën dokumentet ligjore në anglisht dhe kroatisht, u noterizuan dhe u dërguan me korrier. Karvani i ndihmave tashmë e kishte lënë Vienën, kur dokumentet mbërritën në degë. Kështu vëllezërit e degës duke udhëtuar shpejt me makinë e arritën karvanin në kufi dhe u dorëzuan vëllezërve të tyre dokumentet ligjore, tamam në kohën që ata do të kalonin në anën tjetër.

Në gusht të vitit 1998, kur u bënë rregullimet për të transferuar aktivitetin e shtypjes nga Franca në Angli, 50 anëtarë të familjes Bethel në Luvër u transferuan në Bethelin e Londrës për të ndihmuar në përballimin e kësaj pune shtesë. Pas bisedimesh të shumta, në vitin 1999 u bë e mundur që të transferohej nga Luvri në Londër edhe makina e madhe e ofsetit me fletë metalike, si dhe disa pajisje të tjera që kishin të bënin me shtypjen. Ndërsa bethelitët francezë përpiqeshin të mësonin anglisht dhe bethelitët britanikë përpiqeshin të përdornin disa shprehje në frëngjisht, ajo që i bashkonte të gjithë ishte «gjuha e pastër» e së vërtetës biblike, e cila u bënte të mundur të punonin krah për krah në unitet, për të përmbushur detyrat që nderojnë Jehovain.—Sof. 3:9, BR.

Ndihma arrin edhe ishujt

Gjatë viteve, dega e Britanisë është kujdesur edhe për veprën e predikimit në disa ishuj në vende të ndryshme. Disa prej këtyre përfshihen në ishujt e vegjël britanikë. Ishulli Uit i bregdetit jugor, ka shtatë kongregacione që lulëzojnë. Ishulli i vogël Men, në Detin e Irlandës ka një kongregacion të begatë me 190 lajmëtarë. Ishujt Hebride, në bregdetin perëndimor të Skocisë, janë bërë shtëpia e më shumë se 60 lajmëtarëve, që dëshmojnë rregullisht në fshatrat e vegjël të largët. Ishujt Orkni dhe Shetland të shpatit verilindor të Skocisë, kanë që të dy kongregacione që po shtohen në numër. Ata po japin një dëshmi të plotë në zonat që ndodhen larg pjesës qendrore të kontinentit. Vërtet, pionierët në ishujt Shetland e kanë shtrirë territorin e tyre deri në Detin e Veriut, ku vizitojnë anijet e peshkimit dhe u predikojnë të gjithë peshkatarëve hipur në to.

Dy kongregacionet në Gërnsi (një nga ishujt pranë Kanalit La Mansh) kujdesen për dëshminë në ishujt më të vegjël Oldërni dhe Sark. Kjo gjë ka kërkuar përpjekje të konsiderueshme nga ana e tyre. Për shembull, në ishullin Sark, që tani ka 575 banorë, është dhënë një dëshmi e rregullt që nga fillimi i viteve 80. Një pionier nga Gërnsi që po predikonte në ishullin Sark, takoi një të ri, nëna e të cilit ishte Dëshmitare në ishujt britanikë. Në fillim i riu nuk tregoi interes, por pas një sërë diskutimesh të mëtejshme, një çift Dëshmitarësh filluan një studim me të dhe me shoqen e tij, studim që u mbajt kryesisht me postë. Kongregacionet nga Gërnsi dhe Xhersi, siguruan shpenzimet për të dërguar një herë në muaj një pioniere në ishujt Sark dhe Oldërni. Me anë të kësaj ndihme të ofruar personalisht dhe studimeve me postë, i riu dhe shoqja e tij bënë gradualisht përparim frymor. Për të siguruar edhe më shumë ndihmë, një plak mbajti me ta një studim nëpërmjet telefonit, duke përdorur librin Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë. Në prill të vitit 1994, ky i ri dhe shoqja e tij, që tani është gruaja e tij, ishin gati për t’u pagëzuar. Sot, ata, edhe kur kushtet e motit nuk i lejojnë që të kalojnë detin për të shkuar në Gërnsi, nxjerrin dobi nga mbledhjet e kongregacionit dhe marrin pjesë në to nëpërmjet një sistemi telefonik. Vërtet, është bërë një përpjekje e veçantë për të ndihmuar çdo person që të nxjerrë dobi nga lajmi i mirë.

Tri kongregacione po lulëzojnë në ishullin fqinj Xhersi. Ata e bëjnë me radhë me kongregacionet në Gërnsi, për të mikpritur kongresin vjetor krahinor, të ndjekur nga gati 500 vëllezër vendas dhe rreth 1.000 vizitorë të ardhur nga pjesë të tjera të Britanisë. Përveç kësaj, meqë vijnë shumë punëtorë që flasin portugalisht e që bëjnë një punë sezonale në këta ishuj, disa lajmëtarë vendas kanë studiuar gjuhën portugeze që të mund të ndajnë me ta në një mënyrë më të efektshme mesazhin e Mbretërisë.

Shumë më larg janë ishujt Falkland. Shumë nga banorët e ishujve, numri i të cilëve arrin në 2.200 veta, e kanë prejardhjen e tyre nga ishujt Shetland dhe nga pjesë të tjera të Skocisë. Artur Natër bashkë me të shoqen dhe fëmijët, u transferua nga Anglia në ishujt Falkland në vitin 1980, për të marrë pjesë në dhënien e dëshmisë në këtë vend. Dy vjet më vonë, për shkak të zhvillimeve në çështjet botërore, dega e Britanisë mendoi se do të ishte diçka e mençur të mbikëqyrte në mënyrë të përgjithshme veprën e predikimit në këtë vend. Megjithëse ishujt Falkland gjenden rreth 13.000 km larg Londrës, u bënë vizita për t’i shërbyer kongregacionit të vogël në këta ishuj. Rregullimet për mbikëqyrjen nga dega e Britanisë vazhduan për 15 vjet.

Sikurse ka bërë për shumicën e 50 vjetëve të kaluar, dega e Britanisë mbikëqyr edhe aktivitetin e popullit të Jehovait në Maltë, që ndodhet në zemër të Detit Mesdhe. Këtu, apostullit Pavël iu shkatërrua anija, ndërsa po shkonte në Romë, rreth vitit 58 të erës sonë. (Veprat 28:1) Një ishull fqinj me Maltën është ishulli i vogël Gozo, i cili është dhe nën varësinë e saj. Sot, janë që të dy shtëpia e kongregacioneve në lulëzim të popullit të Jehovait në këtë zonë.

Megjithëse që nga viti 1936, nga Malta ishte raportuar njëfarë dëshmie, vetëm pas 1970-s vepra e Mbretërisë hodhi mirë rrënjë mes popullsisë malteze. Ishin bërë përpjekje të vazhdueshme për ta ndarë lajmin e mirë me popullsinë në këtë vend, por Kisha Katolike, ushtronte një kontroll të fortë si mbi qeverinë, ashtu edhe në jetën private të njerëzve.

Xhezualda Lim, ishte 13 vjeçe kur dëgjoi për herë të parë rreth së vërtetës dhe këtë nga nëna e saj ndërsa i shpjegonte familjes atë që i kishte thënë një fqinj, i cili ishte Dëshmitar i Jehovait. Ishte viti 1970. «Për mua ishte diçka e veçantë kur dëgjova emrin Jehova»,—kujton Xhezualda. (Psal. 83:18) Më vonë prindërit e kundërshtuan interesin e saj për mesazhin e Biblës. Pa u stepur ajo vazhdoi të studionte Biblën, filloi të ndiqte mbledhjet, i dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Në vitin 1981, u martua me Injacion, një italian me natyrë të gjallë dhe me një zell të papërmbajtur. Të dy së bashku kanë pasur privilegjin që të shërbejnë si shërbëtorë në kohë të plotë në Maltë dhe kanë ndihmuar rreth 100 persona të tjerë që të mësojnë të vërtetën. Shumica prej tyre janë maltezë.

Xho Ashak, me zanatin orëndreqës, është një maltez zemërgjerë e i dashur, që dëgjoi për herë të parë rreth së vërtetës nga familja e xhaxhait të tij. Por duke qenë se në atë kohë ishte tip i pavarur, Xho u largua nga shtëpia dhe shkoi në Australi. Kur filloi të shoqërohej me Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend, njëri nga vëllezërit e tij e paralajmëroi: «Nëse nëna jonë merr vesh se po bëhesh një Dëshmitar i Jehovait, ka për të vdekur dhe unë kam për ta djegur këtë sallë, nëse shkon atje përsëri.» Por Xho ngulmoi dhe kjo gjë i solli rezultate të mira. Tani ai dhe shtatë nga motrat e vëllezërit e tij, duke përfshirë edhe atë që e kërcënoi, po i shërbejnë Jehovait.

Pasi u rikthye në Maltë, Xho u martua dhe bashkë me gruan e tij Xhein vendosën që t’i kushtonin një vëmendje të veçantë territorit në ishullin Gozo. Ata udhëtonin me traget çdo fundjavë për të ardhur në këtë ishull. Por, pas lindjes së djalit të tyre Devid, udhëtimi nuk ishte më dhe aq i lehtë, prandaj vendosën që të qëndronin përfundimisht në Gozo. Çfarë gëzimi qe për ta kur në vitin 1984 në këtë ishull u formua një kongregacion! Sot në të shërbejnë 27 lajmëtarë. Ata mblidhen në Sallën e tyre të Mbretërisë dhe u predikojnë rregullisht të tjerëve lajmin e mirë.

Sikur të ishte në gjuhën malteze

Shprehja e të vërtetave biblike në gjuhën malteze, ka ndihmuar shumë banorë të këtij ishulli që të bëjnë progres në lidhje me fitimin e njohurisë së saktë për Jehovain dhe udhët e tij.—Kolos. 1:9, 10.

Helena Masa, një nga studentet biblike të Xhezualda Limit, kujton kohën kur të gjitha mbledhjet mbaheshin në anglisht. Megjithëse disa herë ishte një luftë për të kuptuar atë që thuhej, Helena i ruan si thesar kujtimet e stërvitjes së shkëlqyer që është dhënë në atë kohë. Ajo flet shpesh për durimin me të cilin mësonte një vëlla anglez, Norman Radhërford, i cili shërbeu në Maltë nga fundi i viteve 60 dhe fillimi i viteve 70. Normani dhe gruaja e tij Izabela, të diplomuar në klasën e 11 të Galaadit, vepronin gjithmonë me maturi për shkak se ishin të huaj. Dëshira e tyre ishte që të qëndronin e të ndihmonin vëllezërit dhe motrat në ishull, të cilët morën një qëndrim të guximshëm përballë kundërshtimit fetar dhe atij familjar.

Në fillim të viteve 70, Xho Mikalef, një gazetar që fliste rrjedhshëm anglisht, u kënaq kur Norman Radhërford pranoi që të studionte Biblën me të. Xho kujton: «I bëja një pyetje dhe do të isha i kënaqur vetëm me një po ose jo.» Por Normani e dinte se duhej mësuar më shumë sesa thjesht t’u jepej përgjigje pyetjeve. «Ai hynte në hollësira duke shpjeguar se përse është po ose përse është jo.» Kjo gjë e forcoi besimin e Xhosë.

Megjithëse mbledhjet e para Xho i ndoqi ndërsa mbaheshin në anglisht, pas njëfarë kohe, disa nga të pranishmit u caktuan që të bënin një përmbledhje në gjuhën malteze të pikave kryesore të paragrafëve në Kullën e Rojës. Nuk ishte gjithmonë një gjë e lehtë për t’u bërë. Vëllai i Xhosë, Rei, vendosi që ta shkruante përmbledhjen e tij, por iu duk më e lehtë që ta përkthente të gjithë paragrafin. «Kur Piter Elis, që vizitoi Maltën si mbikëqyrës udhëtues, pa situatën,—vazhdon Xho,—sugjeroi që të blinim një shaptilograf.» Kështu në vitin 1977, u sigurua kopja e parë e shtypur e revistës Kulla e Rojës, në gjuhën malteze. Kur vëllezërve u nevojitej ndihmë për të përgatitur ose korrigjuar klishetë që shtypnin, kush mund të ishte më i kualifikuar për të ndihmuar se gazetari Xho, që e lidhte puna me shtypjen. «Shiko,—thërriti Xho,—dikush duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë për ta kryer këtë punë.» Vëllezërit iu përgjigjën: «Po mirë, kë sugjeroni ti?» Kësaj pyetjeje Xho iu përgjigj: «Nuk e di, por unë jam gati që ta provoj.» Kështu Xho filloi të përfshihej në përkthimin e botimeve në gjuhën malteze. Sigurisht, sot rregullimet për të përkthyer botimet, bëhen nëpërmjet Komitetit të Shkrimit dhe nuk i lihen më iniciativës së pavarur.

Në vitin 1979, doli numri i parë i shtypur i Kullës së Rojës në gjuhën malteze. Gradualisht, një skuadër përkthyesish mori përsipër këtë punë dhe sot Kulla e Rojës shfaqet si një botim gjysmëmujor, ndërsa Zgjohuni! del si botim i përmuajshëm në gjuhën malteze. Një progres i mëtejshëm u bë në janar të vitit 1998, gjatë vizitës së mbikëqyrësit të zonës, Dagllas Gest, me rastin e dedikimit të zyrës së re të përkthimit, të shtëpisë misionare dhe të Sallës së Mbretërisë në Shtëpinë I.B.S.A, në qytetin Mostë. Të nesërmen e asaj dite u mblodhën 631 veta për të dëgjuar raportet rreth progresit të veprës së Mbretërisë në Maltë.

Të stërvitur për të siguruar një mbikëqyrje të dashur

Duke treguar interes të dashur për popullin e tij, Jehovai me anë të profetit Jeremia paratha: «Do të caktoj mbi ta barinj që do t’i kullosin.» (Jer. 23:4) Për këtë arsye, Jehovai jo vetëm që ka siguruar pleq mes popullit të tij, por edhe u ka dhënë atyre udhëzime e i ka stërvitur, që të mund të sigurojnë llojin e mbikëqyrjes së dashur që ai kërkon për delet e tij.

Që nga viti 1960, vëllezër të kualifikuar në Britani, si edhe në vende të tjera, kanë nxjerrë dobi nga stërvitja që kanë marrë në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë. Ky rregullim filloi si një kurs katërjavor, i cili më vonë u reduktua në dy javë. Të ftuarit ishin mbikëqyrës qarkorë dhe vëllezër të tjerë të ngarkuar me mbikëqyrjen e kongregacionit. Mësimet mbaheshin në Bethelin e Londrës. Më pas, që kjo stërvitje të vihej më lehtësisht në dispozicion, sesionet e mësimit të kësaj shkolle u zhvilluan në pjesë të ndryshme të vendit. Nga kjo gjë nxorën dobi kongregacionet dhe, si rrjedhojë, e tërë organizata.

Gjatë vitit 1977, për të gjithë pleqtë u mbajt një tjetër kurs që zgjati 15 orë. Që nga ajo kohë janë mbajtur sesione të ngjashme me gjatësi të ndryshme. Në to u është kushtuar një vëmendje e kujdesshme temave të tilla, si: Në ç’mënyrë ta imitojmë Jehovain si një bari i dashur i tufës? Si të mësojmë në mbledhjet e kongregacionit, si ta kryejmë veprën e ungjillëzimit brenda secilit kongregacion? Si të mbajmë lart standardet e drejta të Jehovait? Numri i pleqve që u ftuan për sesionet e Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë në Britani, në vitin 1977, arriti në 11.453 veta dhe i shërbëtorëve ndihmës në 10.106 veta.

Ata vunë veten në dispozicion

Përveç pleqve që shërbejnë nëpër kongregacione, ka edhe burra të tjerë të kualifikuar që shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues, të cilët kujdesen për grupe kongregacionesh që formojnë një qark dhe grupe qarqesh që formojnë një krahinë. Sot, në të gjithë Britaninë, ka 77 mbikëqyrës të tillë udhëtues që kujdesen për 1.455 kongregacionet dhe 70 qarqet në këtë vend. Këta janë burra të cilët përveçse plotësojnë kualifikimet frymore që kërkohen, bëjnë dhe rregullime në jetën e tyre që të jenë në dispozicion për një shërbim të tillë.

Kohë më parë, në fillimet e viteve 70, një mbikëqyrës udhëtues e inkurajoi Devid Hudson që të ndiqte një karrierë teokratike në jetë. Por në këtë kohë, ai ishte mjaft i angazhuar me punën e tij si administrator sektori në një kompani që merrej me riprodhimin e punëve grafike. Më pas, papritur kompania vendosi se puna e tij nuk qe më e nevojshme. Në ato momente kujtoi me çmueshmëri komentin e bërë nga Liman Suingëll, anëtar i Trupit Udhëheqës, në një mbledhje në Kardif të Uellsit, në vitin 1984. Vëllai Suingëll e kishte krahasuar karrierën në botë me ‘ndriçimin e tunxhit në një anije që po fundoset’. Devid bashkë me të shoqen Ailën, filluan të rregullonin punët e tyre që të shërbenin si pionierë. Ata e lanë shtëpinë e tyre të rehatshme me stalla e kuaj dhe filluan një jetë e cila përqendrohej më shumë se më parë në marrëdhënien e tyre me Jehovain. Që nga viti 1994, Devid i shoqëruar nga e shoqja, është duke u kujdesur për përgjegjësitë si mbikëqyrës qarkor. Që të dy pranojnë se gëzimi që vjen kur i shërben Jehovait vlen shumë më tepër se çdo gjë materiale që ata kanë lënë.

Rei Balduin, ndërsa mësonte të vërtetën aty nga mesi i viteve 70, u bind patundshmërisht se predikimi i lajmit të mirë e meritonte të gjithë kohën që mund të kushtonte për të. Si rezultat, pa u pagëzuar akoma, kur iu ofrua një mundësi për t’u ngritur në pozitë në punën e tij, me kusht që të transferohej në një qytet tjetër, ai nuk pranoi dhe në vend të kësaj kërkoi një punë gjysmëkohore. Pasi u pagëzua, filloi menjëherë shërbimin si pionier ndihmës. Pak kohë pas kësaj u martua dhe bashkë me gruan e tij Linda, bënë plane për të filluar shërbimin si pionierë të rregullt. Për të qenë edhe më shumë në dispozicion për aktivitetet teokratike, më vonë Rei e la fare punën që bënte në një supermarket dhe filloi si pastrues dritaresh. Që nga shtatori i vitit 1997, edhe ai është duke shërbyer si mbikëqyrës qarkor.

Vëllezër të tjerë kanë qenë të gatshëm për të pranuar përgjegjësinë lidhur me Komitetin e Lidhjes me Spitalet, i cili u siguron një mbështetje të dashur Dëshmitarëve që përballojnë raste mjekësore urgjente. Kjo gjë u ka kërkuar atyre kohë për t’u stërvitur, gjë që nuk ka qenë veçse fillimi i kësaj pune. Në tetor të vitit 1990, mbërritën tre përfaqësues nga Shërbimi i Informacionit Spitalor në Bruklin, për të drejtuar një seminar në Birmingem, Angli. Njëqind e pesëdhjetë e dy vëllezër nga Belgjika, Britania, Holanda, Irlanda, Izraeli dhe Malta morën një stërvitje të shkëlqyer në lidhje me mënyrën se si t’i ndihmojnë autoritetet mjekësore, që të kuptojnë pozicionin tonë lidhur me çështjen e gjakut. Vizitorët nga Bruklini, i shoqëruan delegatët në stërvitjen që bënë për t’u parashtruar autoriteteve mjekësore në Londër, si edhe atyre në qendra të tjera kryesore, arsyet për qëndrimin që mbajmë në këto çështje.

Pas një seminari të dytë të mbajtur në Notingem, në shkurt të vitit 1991, Komiteti i Lidhjes me Spitalet filloi veprimtarinë e tij në të gjithë vendin. Vitin pasues, u emëruan edhe 16 komitete të tjera. Vëllezërit që bënin pjesë në to, morën stërvitjen e nevojshme në një seminar të mbajtur në Stouk-on-Trent. Për të zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet Dëshmitarëve dhe autoriteteve, u mbajt edhe një seminar tjetër në Sallën e Asambleve në Surrei, në qershor të vitit 1994. Ai ofroi stërvitje në lidhje me mënyrën se si t’u afroheshin gjyqtarëve, siguruesve të shërbimit social dhe specialistëve në fushën e pediatrisë. Kjo gjë shërbeu si bazë për një bashkëpunim edhe më të gjerë me profesionistët në fushën e mjekësisë. Pas një kontaktimi të drejtpërdrejtë me ta, u bë e mundur të hartohej një listë me më shumë se 3.690 mjekë në Britani, që kishin shprehur gatishmërinë e tyre për të respektuar pikëpamjen e Dëshmitarëve në lidhje me gjakun dhe trajtimet mjekësore.

Drejtuesi i Komitetit të Lidhjes me Spitalet, në zonën Lutën, në veri të Londrës, pranon se kur filloi të punonte me këtë komitet nuk e kuptonte të gjithë angazhimin emocional dhe fizik që do t’i kërkonte kjo gjë. Ai është mirënjohës për mbështetjen e dashur të gruas së tij, që e do, gjithashtu, thellësisht Jehovain dhe vëllezërit e motrat e krishterë. Gradualisht, ai ka krijuar një lidhje të shkëlqyer pune me personelin mjekësor dhe administrativ të një spitali kryesor në zonën e tij. «Kur vëllezërit tanë përballojnë raste mjekësore urgjente, ne duhet të jemi vazhdimisht gati për t’u dhënë mbështetje»,—vëren ai. Fryma me të cilën kryhet ky shërbim, në shumë raste i ka hapur udhën një dëshmie të shkëlqyer.

Fillimi i shërbimit në selinë botërore

Disa nga vëllezërit që e filluan karrierën teokratike në Britani, u ftuan për të shërbyer në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork.

Xhon E. Barr, lindur në Skoci në vitin 1913, e mësoi të vërtetën nga prindërit. Ndonëse në moshën e adoleshencës ishte mjaft i ndrojtur dhe kështu e kishte shumë të vështirë që të bisedonte me njerëzit në veprën shtëpi më shtëpi, me ndihmën e Jehovait e kapërceu këtë pengesë. Në vitin 1939 pranoi një ftesë për të shërbyer në Bethelin në Londër. Gjatë periudhës së vështirë të Luftës II Botërore, shërbeu për disa vjet si mbikëqyrës udhëtues, derisa në vitin 1946, iu kërkua që të kthehej sërish në Bethel. Njëzet e një vjet pas ftesës së parë për t’u bërë anëtar i familjes Bethel, u martua me Mildrid Uillt, një motër e zellshme, e diplomuar në klasën e 11-të të Shkollës së Galaadit. Pas martesës ajo u bashkua me të në shërbimin në Bethel. Në vitin 1977, ai u ftua për t’u bërë anëtar i Trupit Udhëheqës. Kur i tregoi për këtë Mildridit, në fillim ajo mendoi se mos po bënte shaka, por nuk ishte ashtu. Vitin pasues që të dy u transferuan në selinë botërore në Bruklin, Nju Jork. Ata vazhdojnë të shërbejnë të lumtur në këtë caktim.

Edhe të tjerë u ftuan për t’u bërë anëtarë të personelit të selisë qendrore. Midis tyre ishte Alan Boil, lindur në Liverpul, që shërbente në Bethelin në Londër. Për të përdorur edhe më plotësisht aftësitë e tij si artist, Shoqata e ftoi që të transferohej në Bruklin, në vitin 1979. Erik Bevrixh, në kohën kur u pagëzua, në vitin 1949, jetonte në Birmingem. Pas 21 vjetësh shërbimi si misionar në Portugali dhe Spanjë, bashkë me gruan e tij Heizëll, në vitin 1981, u bë anëtar i familjes Bethel në Bruklin. Robert Pevi, lindur në Senduiç, Kent, në jug të Anglisë, kur u ftua në vitin 1981 për të shërbyer në selinë botërore, kishte shërbyer në Irlandë për nëntë vjet dhe më pas, bashkë me gruan e tij Patricia, kishte shërbyer si misionar në Filipine për nëntë vjet të tjerë.

Ndryshime lidhur me mbikëqyrjen e degës

Përgjatë viteve, disa burra të kualifikuar frymësisht kanë marrë drejtimin duke mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë në degën e Britanisë. Gjatë Luftës II Botërore Albert D. Shrëder u detyrua që të largohej nga Anglia, kështu, në vend të tij si mbikëqyrës i degës u emërua A. Prais Hjuz, dhe kjo në një kohë, kur ende ishte në burg, për shkak të asnjanësisë së tij të krishterë. Vendosmëria e tij për t’iu përmbajtur parimit të asnjanësisë së krishterë u vu plotësisht në provë. Ai kishte qenë në burg për këtë çështje gjatë Luftës I Botërore dhe po për këtë gjë ishte burgosur edhe dy herë të tjera gjatë Luftës II Botërore. Duke e çmuar me të vërtetë faktin që është Jehovai ai që e drejton organizatën e Tij, vëllai Hjuz vazhdoi të kujdesej për mbikëqyrjen e degës për më shumë se 20 vjet. Ata që shërbyen me të, ende e kujtojnë natyrën e tij të dashur, si edhe faktin që me gjithë përgjegjësitë që kishte, dashuria e tij për shërbimin në fushë mbeti e fortë.

Në vitin 1976 u bë rregullimi që aktiviteti në çdo degë të mbikëqyrej nga një komitet dhe jo më nga një individ i vetëm. Uilfred Guç u emërua si koordinator, ndërsa anëtarët e tjerë ishin Xhon Barr, Prais Hjuz, Filip Ris dhe Xhon Uin. Disa vëllezër të këtij grupi kanë vdekur. Komitetit të Degës i janë shtuar vëllezër të tjerë dhe sot ai përbëhet nga Xhon Endriës, Xhek Dausën, Ron Drexh, Denis Datën, Piter Elis, Stefan Hardi, Bevën Vaigo dhe Xhon Uin.

Gëzimi i kongreseve ndërkombëtare

Dëshmitarët e Jehovait janë një vëllazëri mbarëbotërore. Kështu, kur u bë e mundur që të mblidheshin së bashku lirshëm në vendet e Evropës Lindore, pas një shtypjeje të ashpër që zgjati për dekada me radhë, Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën përjetuan një gëzim të madh. Çfarë momenti i përshtatshëm për të mbajtur kongrese ndërkombëtare në vendet ku për një kohë kaq të gjatë diçka e tillë nuk kishte qenë e mundur! Kjo do të bënte që vëllezërit të ndërtoheshin frymësisht e do të shërbente edhe si një dëshmi e shkëlqyer për publikun. Dëshmitarët e Jehovait në Britani kanë qenë të lumtur për shkak se kanë mundur të marrin pjesë në këto raste të gëzueshme.

Në vitin 1989, u morën masa që tri kongrese të mëdha me temë «Devocioni hyjnor», të mbaheshin në Poloni. Në këto raste historike vërshuan delegatë nga të paktën 37 vende. Mes tyre përfshiheshin edhe 721 delegatë nga Britania. Në lidhje me frymën që u tregua në kongresin në Poznan, Poloni, Devid dhe Lin Sibri kujtojnë: «Ishte diçka e jashtëzakonshme!» Më pas shtojnë: «Nuk kishim përjetuar kurrë një atmosferë të tillë. Çfarë gëzimi të shoqëroheshe lirshëm me mijëra vëllezër nga Rusia dhe Evropa Lindore, të cilët më parë mblidheshin vetëm në grupe të vogla! Mësuam se për të qenë të pranishëm në mbledhje, disa kishin vënë edhe jetën në rrezik. U prekën thellë jo vetëm ata, por edhe ne.» Vitin pasues, pasi u hoqën kufijtë e vënë midis Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, 584 veta nga Britania ishin të pranishëm mes auditorit entuziast në një kongres në Berlin, që ishte me të vërtetë një festim fitoreje. Në vitin 1991, në Stadiumin Strahof, në Pragë (sot Republika Çeke) u mblodhën 74.587 veta. Në këtë kongres patën kënaqësinë të ishin të pranishëm edhe 299 veta nga Britania. Po atë vit, mes Dëshmitarëve të ardhur nga 35 vende të tjera që u mblodhën në Budapest, Hungari, pati edhe një numër të konsiderueshëm delegatësh të ardhur nga Britania. Në vitin 1993, në kongresin që u mbajt në Moskë, Rusi, ishin të pranishëm 770 delegatë nga Britania, ndërsa në atë të mbajtur në Kiev, Ukrainë, numri i delegatëve britanikë ishte 283. Të gjitha këto ishin raste historike, që nuk do të harrohen kurrë.

Delegatët e ardhur nga Britania ndoqën edhe kongreset ndërkombëtare që u mbajtën në Afrikë, në Amerikën Latine, në Amerikën e Veriut dhe në Lindje. Ndërsa Dëshmitarët gëzojnë një shoqëri të ngushtë në raste të tilla, lidhjet e dashurisë së krishterë forcohen. Kjo është një dëshmi konkrete e asaj që u paratha në Fjalën e Perëndisë se ata vijnë prej «të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve».—Zbul. 7:9, 10.

Vijnë nga mjedise të ndryshme

Personat me banim në Ishujt Britanikë që i janë përgjigjur mesazhit të Biblës dhe janë bërë Dëshmitarë të Jehovait, vijnë nga mjedise të ndryshme. Për shkak të dashurisë për Jehovain, shumë prej tyre kanë bërë ndryshime domethënëse në jetë, në mënyrë që të mund t’i shërbejnë atij plotësisht.

Donald Devis, një profesionist në instrumentin e xhazit, lindur në Xhamajkë, erdhi në Angli në vitin 1960. Megjithëse në vitin 1969 mori ca literaturë biblike, ai filloi të interesohej me të vërtetë për Biblën vetëm 13 vjet më vonë, kur dy Dëshmitarë biseduan me të rreth rëndësisë së emrit të Perëndisë. (Ezek. 38:23; Joe. 2:32) Më vonë, po atë vit, bashkë me një mikun e tij muzikant, ndoqi një kongres krahinor që u mbajt afër zonës ku banonte. Shpejt filloi të zbatonte atë që po mësonte. Pa e diskutuar çështjen me dikë tjetër, Donaldi e kuptoi se do ta kishte të vështirë që të bënte njëkohësisht dy gjëra, pra, të ndiqte karrierën e tij në muzikë dhe t’i shërbente edhe Jehovait. Prandaj, i shiti instrumentet e tij muzikore dhe në vitin 1984 filloi shërbimin si pionier, një privilegj që ende vazhdon ta gëzojë.

Toni Langmid ishte oficer pranë Forcave Ushtarake Ajrore, kur e shoqja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Sjellja e saj, kur u bë e krishterë, bëri që ai të fitohej «pa asnjë fjalë». (1. Pjet. 3:1, 2, BR) Ai u largua nga forcat ajrore për të ndjekur një jetë paqësore, si shërbëtor i Jehovait.—Isa. 2:3, 4.

Frank Kaull u rrit me besimin anglikan, por me kalimin e kohës filloi ta kërkonte diku tjetër të vërtetën. Një vizitë në Sallën e Mbretërisë, bëri që të fillonte një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Sot punon si profesor i shkencave ekonomike në Londër, por kur kolegji i tij i programon seminaret në mbrëmjet që mbahen mbledhjet e kongregacionit, me vendimet e tij tregon se në radhë të parë është një Dëshmitar i Jehovait.

Suzana ishte balerinë në trupën e Baletit Mbretëror, kur një takim i rastësishëm me një ish-shoqen e saj të shkollës bëri që të fillonte një studim biblik. Kur u pagëzua, vendosi të angazhohej më pak si interpretuese me trupën e baletit dhe u bë një instruktore vallëzimi, me qëllim që të blinte kohë për një karrierë të re, atë të pionierit. Kështu ajo e bëri shërbimin e Jehovait qendrën e jetës së saj. Sot e martuar, bashkë me burrin e saj Kevin Gau, po mëson gjuhën mandarin, që të mund të ndajë lajmin e mirë me kinezët, numri i të cilëve është gjithnjë e në rritje në Liverpul.

Motra e Rënesë, Kristina, ishte Dëshmitare, por Rëneja mendonte se feja ishte diçka pa kuptim, prandaj refuzonte të dëgjonte. Por, më vonë, ndërsa punonte në Londër, vizitonte shpesh Muzeun Britanik. Gjatë një vizite, ajo shtangu kur dëgjoi shpjegimin që i bëri një ciceron lidhjes që ekzistonte midis Biblës dhe gjërave të ndryshme të ekspozuara në muze. Asaj iu kujtuan disa nga gjërat që motra e saj ishte përpjekur t’i tregonte. Shpejt, edhe Rëneja Dirfild u bë një Dëshmitare.

Andrea Merëdit ishte në burg, kur filloi të studionte Biblën. Kjo gjë solli ndryshime të mëdha në mënyrën e tij të jetesës. Pasi u lirua, u martua me një Dëshmitare nga Punjabi dhe që të dy vazhdojnë të shërbejnë mes popullsisë që flet gjuhën punjabi, në lindje të Londrës.

Daksha Pitel, lindi në Kenia, në një familje hinduiste dhe vetë ishte një hinduiste e devotshme. Por kur studioi Biblën me Dëshmitarët në Ulvërhamtën, Angli, e kuptoi se po mësonte të vërtetën. Kur arriti në një moshë që mund t’i merrte vetë vendimet për jetën, u pagëzua dhe filloi shërbimin si pioniere. Bashkë me burrin e saj Ëshok, tani shërbejnë si anëtarë të familjes Bethel në Londër. Si pjesë e shërbimit në Bethel, ata kanë udhëtuar në Indi, Nepal dhe Pakistan, për të ndihmuar për përkthimin e literaturës biblike.

Ata vazhdojnë të japin një dëshmi

Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë ndërsa shohin një numër gjithnjë e në rritje personash që përqafojnë çdo vit adhurimin e pastër të Jehovait. Që nga viti 1972, numri i Dëshmitarëve aktivë në Britani pothuajse është dyfishuar dhe tani janë gjithsej 126.535 veta.

Personat që tregojnë sot interes ndaj mesazhit të Biblës, mos vallë nuk i kishin takuar kurrë më parë Dëshmitarët e Jehovait? Disa po, dhe këta po gjenden, ndërsa Dëshmitarët po e shtojnë predikimin e tyre në qendrat tregtare dhe në rrugë. Një Dëshmitare që predikonte për herë të parë në një territor tregtar, kontaktoi një grua që punonte si dezhurn në ndërtesën e zyrave të një kompanie tregtare. Kjo grua tregoi shumë interes ndaj mesazhit. Pas një rivizite të bërë dy ditë më pas, me të u fillua menjëherë një studim biblik, gjë që i dha mundësinë të vendoste nëse do të ecte ose jo në udhën e Jehovait. Gruaja nuk i kishte takuar kurrë më parë Dëshmitarët e Jehovait, sepse punonte gjatë gjithë javës dhe zakonisht në fundjavë nuk ndodhej në shtëpi.

Njerëzit që dëgjojnë më shpesh janë ata që kanë pësuar një ndryshim rrethanash në jetë, ndoshta sepse janë martuar, janë bërë me fëmijë, janë rritur ose papritur janë sëmurur. Tani kanë shumë dëshirë të mësojnë përgjigjet e atyre pyetjeve që më parë, thjesht, nuk u jepnin rëndësi.

Kështu, në gusht të vitit 1995, një grua 85-vjeçare, që ishte rritur si baptiste, pranoi me dëshirë broshurën A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? Kishte kohë që e bënte këtë pyetje, por nuk kishte marrë një përgjigje të kënaqshme. Ajo pranoi të studionte Biblën. Mësimi i kërkesave të Perëndisë dhe përshtypja që i bëri kujdesi i tij i dashur, e bënë të kuptonte se duhej të bënte ndryshime në jetë. La duhanin, të cilin e pinte prej gati 60 vjetësh. Filloi të ndiqte mbledhjet në kongregacionin lokal dhe në shtator të vitit 1997, Katerina Mei ishte gati për t’u pagëzuar. Në një asamble qarkore, ndërsa po bëhej gati për t’u futur në ujë, vuri re një tjetër kandidate për pagëzim që ishte një grua e moshuar si ajo. Çfarë surprize! Ishte motra e saj mishore Evelina që jetonte në një qytet tjetër. Asnjëra nuk e dinte që tjetra po studionte. Lot gëzimi shpërthyen nga sytë e këtyre të moshuarave të dashura që të bashkuara nëpërmjet dedikimit ndaj Jehovait, tani u bënë edhe motra frymore.

Disa nga ata që i mirëpresin Dëshmitarët, kanë qenë thellësisht të shqetësuar nga zhvillimet e kohëve të fundit në kishën e tyre. Moris Haskins kishte marrë për herë të parë literaturë nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1939. Por ai ishte një përkrahës i zjarrtë i Kishës Peshkopale Anglikane dhe anëtar i këshillit të kishës lokale. Rreth 56 vjet më vonë, një Dëshmitar që po predikonte nga shtëpia në shtëpi, foli me kunatën e Morisit. Ajo i kërkoi Dëshmitarit që të kthehej e të takonte Morisin, i cili sipas saj kishte pyetje rreth Biblës. Kur ai e vizitoi, Moris i kërkoi menjëherë që t’i tregonte shkrimet që shpjegonin pikëpamjen e Biblës në lidhje me homoseksualizmin dhe rregullin për gruan. Më vonë pranoi të studionte Biblën duke përdorur librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Ndryshimet nuk qenë të menjëhershme. Por më vonë, gjatë një mbledhjeje me peshkopin, ajo që kishte mësuar e nxiti të merrte një qëndrim të patundur lidhur me çështjen e emërimit të një gruaje si famullitare. (1. Tim. 2:12) Shpejt u shkëput nga Kisha Anglikane, filloi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe në moshën 84-vjeçare ishte gati për t’u pagëzuar.

Persona të tjerë janë ndihmuar falë mendjehollësisë dhe ngulmimit të treguar nga Dëshmitarët. Kur një grua pohoi se ishte «ateiste dhe humanitare», në mënyrë të sjellshme Zhaklin Gambëll e pyeti se te kush besonte. Përgjigjja ishte: «Te njerëzit dhe te jeta.» Gruaja ishte e zënë në atë moment, kështu që motra i la një fletushkë dhe i premtoi se do të rikthehej. E shoqëruar nga i shoqi, Martini, Zhaklina e vizitoi sërish këtë grua dhe iu referua përsëri komentit të saj «te njerëzit dhe te jeta». Kur mësuan se burri i saj, Gus, kishte pikëpamje të ngjashme me të dhe se ishte një punonjës social, bënë rregullime që ta takonin me të. Gruaja e tij, Kristina, filloi të studionte Biblën dhe përparoi deri në pagëzim. Por Gusi refuzonte që të vinte në Sallën e Mbretërisë. Megjithatë, ai vuri re se që kur Kristina kishte filluar të studionte me Dëshmitarët, fëmijët e tij po rriteshin si të rinj që tregonin shumë respekt për të tjerët, gjë që nuk ishte karakteristike për shumë të rinj të tjerë.

Pika e kthesës për Gusin qe në vitin 1978. Gjatë një kongresi ndërkombëtar në Edinburg, Skoci, gruaja e tij u ofroi kafe në shenjë mikëpritjeje një grupi lajmëtarësh që po dëshmonin në zonën e saj. Midis tyre ishin disa anëtarë të Trupit Udhëheqës. Përpara se të largoheshin, ata pastruan enët që kishin përdorur. Kur Gus u kthye në shtëpi atë mbrëmje, Kristina e entuziazmuar i tregoi për vizitorët e papritur që kishte pasur. «Nuk mund të imagjinoj që të na vizitojë një kardinal dhe të na lajë pjatat!»—vërejti Gus. Pak më vonë, ndërsa ishin me pushime në Francë, Gus shkoi me familjen e tij në një Sallë Mbretërie. Ai u prek nga mikpritja dhe dashuria që treguan vëllezërit. Shpejt e kuptoi se një dashuri të tillë do ta gjente vetëm midis dishepujve të vërtetë të Jezu Krishtit. (Gjoni 13:35) Me t’u kthyer në Edinburg filloi të studionte, mori përgjigje të kënaqshme për pyetjet që e shqetësonin dhe më në fund i dedikoi jetën Jehovait.

Sigurisht, kur njerëzit në territor tregojnë pak ose aspak interes, nga ana e Dëshmitarëve të Jehovait kërkohet qëndrueshmëri dhe një qëndrim pozitiv që të vazhdojnë t’i vizitojnë ata. Kur përjeton për orë të tëra refuzimin dhe apatinë e personave, do të ishte e lehtë të shkurajoheshe. Si e përballojnë këtë gjë Dëshmitarët? «Apatia është një problem i vështirë dhe sfidues»,—pranon Erik Hikling nga Lauth i Linkolnshirit. Ajo që e ndihmon të ngulmojë është meditimi rreth shembujve të së kaluarës. «Lutem me zjarr dhe shpesh. Mendoj për Moisiun, Jereminë, Pavlin dhe sigurisht, për Jezuin.»

Ngulmimi me besnikëri dhe bekimi i Jehovait janë dy nga faktorët më të rëndësishëm që i kanë kontribuar rritjes që është përjetuar. Tridhjetë e nëntë vjet më parë, Frenk dhe Roza Mëgregër, morën caktimin në një qytet ku njerëzit ishin shumë fetarë dhe nuk i mirëpritnin Dëshmitarët e Jehovait. Si e konsideruan ata këtë caktim? Frenk kujton: «Isha shumë i ndrojtur dhe ndihesha krejtësisht i paaftë. Por bashkë me gruan e konsideruam atë si një caktim nga Jehovai.» Kjo gjë i ndihmoi që të mbajnë një qëndrim pozitiv. «Ne luteshim që banorët ta pranonin të vërtetën.» Si rezultat i këtij shërbimi besnik, sot në këtë qytet ka një kongregacion me 74 lajmëtarë, dy të tretat e të cilit e kanë mësuar të vërtetën pikërisht në këtë qytet. Çifti Mëgregër nuk mburret për këtë gjë, ata thjesht janë mirënjohës për faktin që u përdorën nga Jehovai.—2. Kor. 4:7.

Xhef Jang, një Dëshmitar nga një kohë e gjatë që ende vazhdon të marrë pjesë në njëfarë mase në veprën e mbikëqyrjes së kongregacioneve, shpjegon: «Shpesh i pyes vëllezërit se si ia kanë kaluar atë ditë në shërbim.» Nëse disa japin një përgjigje negative, ai u kërkon që të mendojnë për gjërat e shumta pozitive që kanë bërë. Ai u kujton: «Edhe sot morëm anën e Jehovait. Jetuam në lartësinë e dedikimit tonë. Bashkëpunuam me ‘engjëjt që fluturojnë në mes të qiellit’. U angazhuam për të inkurajuar të tjerët që të njohin Jehovain. Dhamë një dëshmi si një paralajmërim.» Pastaj arsyeton se nëse kanë bërë të gjitha këto që u thanë, si mund të thonë se nuk u ka ecur në shërbim? «Njerëzit reagojnë sipas rrethanave në të cilat ndodhen dhe sipas asaj që kanë në zemër,—vazhdon Xhef.—Ajo që ka vlerë është besnikëria jonë në dhënien e dëshmisë dhe në shpalljen e lajmit të mirë.»—Zbul. 14:6; 1. Kor. 4:2.

Gëzojnë nën ‘bekimin e Jehovait’

Shumë veta në Britani, kanë qenë Dëshmitarë aktivë të Jehovait për 20, 40, 50 ose më shumë vjet. Si ndihen në lidhje me atë që po bëjnë? Në Proverbat 10:22, Bibla thotë: «Bekimi i Jehovait, ky është që të bën të pasur dhe ai nuk shton në të asnjë dhimbje.» (BR) Dhjetëra mijë Dëshmitarë të Jehovait në Britani mund të dëshmojnë personalisht për vërtetësinë e këtij pohimi.

«Është privilegji më i madh që na është besuar ne njerëzve.» Kështu e përshkruan shërbimin e krishterë, Kornelis Houp nga Bezingstoku, tani në mes të të shtatëdhjetave, pas një angazhimi prej një gjysmë shekulli në të. Ana Gilëm, e cila është pagëzuar rreth 50 vjet më parë dhe që e ka burrin mbikëqyrës qarkor, lidhur me shërbimin që bën thotë se është ‘mënyra e saj për të treguar dashurinë për Jehovain dhe për Birin e tij’.

Denis Methjus, i pagëzuar në vitin 1942, shpjegon: «Për mua shërbimi është si ushqim, si diçka që të forcon frymësisht. Është një kënaqësi të bësh vullnetin e Jehovait, pavarësisht nëse njerëzit të dëgjojnë ose jo.» Gruaja e tij Mevis, shton: «I kam shërbyer Jehovait që nga rinia ime dhe mendoj se nuk do të ishte e mundur asnjë jetë tjetër më e mirë.»

Çfarë mendojnë ata që janë nga një kohë e gjatë Dëshmitarë për njerëzit dhe për mënyrën e reagimit të tyre? Pas më shumë se 40 vjetësh në shërbim të Jehovait, Muriël Tavënër thotë: «Njerëzit kanë nevojë për ne më shumë se kurrë më parë, sepse nuk marrin ndihmë të vërtetë frymore nga ndonjë burim tjetër.» Atëherë, çfarë ndodh kur e pranojnë këtë ndihmë? Burri i saj, Antoni, shprehet në këtë mënyrë: «Është një mrekulli të shohësh njerëzit tek pranojnë të vërtetën dhe bëjnë ndryshime në jetë, ndërsa fryma e Jehovait i tërheq ata drejt adhurimit të tij.»

Është kënaqësi të ndash me të tjerët një shpresë që vetëm Fjala e Perëndisë mund ta japë. Kur Fred Xheims, mbikëqyrës qyteti në Plimëth, Devën, dhe gruaja e tij vështrojnë pas në vitet e tyre të shërbimit, numërojnë më shumë se 100 persona, të cilët i kanë ndihmuar të përparojnë deri në pagëzim. Sot, shumë prej tyre shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe pionierë. Me të mbaruar shkollën, të tre bijtë e tyre filluan shërbimin si pionierë dhe tani shërbejnë si pleq. Njëri prej tyre, Devid, i cili u diplomua në shkollën e Galaadit, shërben si misionar dhe anëtar i Komitetit të Degës në Pakistan. Çfarë jete plotë shpërblime kanë pasur vëllai dhe motra Xheims!

Vitet e shërbimit me besnikëri, u kanë lejuar shumë Dëshmitarëve në Britani që të shohin rezultate të shkëlqyera në shërbimin e tyre. Riçard dhe Heizëll Xhesëp i kanë shërbyer Jehovait për një gjysmë shekulli, ose më shumë, dhe në pjesën më të madhe kanë qenë në shërbim të plotkohor. Ata kanë ndihmuar shumë persona që të kuptojnë se ç’privilegj është t’i dedikohesh Jehovait dhe të gjithë ata janë mjaft të çmuar për këtë çift. Megjithatë, studimi me Xhek dhe Lina Dausën vazhdon të jetë veçanërisht i paharrueshëm për ta. Në fillim u bënë atyre një vizitë miqësore, meqë kishin të njëjtën prejardhje. (Heizëll dhe Xhek janë që të dy nga pjesa verilindore e Anglisë.) Shpejt kjo vizitë u kthye në një studim biblik. Por kur kishin arritur në njëfarë pike, Xhek tha se duhej ta ndërpritnin studimin për pak kohë. Riçard iu përgjigj: «Jo nuk mund ta bëni këtë. Në fillim duhet të mbaroni librin, pastaj mund ta ndërpritni studimin po të doni.» E kështu, nuk «e lanë». Në vend të kësaj, iu dedikuan Jehovait, filluan veprën e pionierit dhe u bënë anëtarë të familjes Bethel. Sot, Xheku shërben në Komitetin e Degës.

Mënyra se si i janë përgjigjur të vërtetës biblike disa të rinj, u ka sjellë një kënaqësi të veçantë të tjerëve. Robina Oulërit dhe bashkëshortit të saj, Sidnit, që shërbejnë si pionierë në zonën Dëndi të Skocisë, u ka sjellë një kënaqësi të veçantë përparimi që ka bërë Pol Kërnz, i cili filloi të vinte në shtëpinë e tyre për të studiuar Biblën, kur ishte 12 vjeç. E vërteta zuri shpejt rrënjë në zemrën e tij, por meqë i ati nuk e lejoi të vazhdonte më tej me këtë studim, Pol priti derisa të rritej. Ndoqi kolegjin në Abërdin dhe më pas vazhdoi sërish studimin e tij të Biblës. Ai bëri një përparim të shpejtë. Pas pagëzimit vuri si synim që të shërbente si pionier. Në vitin 1992, ndoqi Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Ndërsa shërbente si plak në Shefild, i hyri punës për të mësuar spanjishten dhe në vitin 1998 u caktua për të shërbyer si misionar në Panama.

Në Britani ka më shumë se 10.000 lajmëtarë që shërbejnë si pionierë. Bekimet që vijnë prej këtij shërbimi ata i ruajnë si një thesar. Për shembull, Bill dhe Xhun Tomstën kishin më shumë se tetë vjet që ishin martuar dhe shërbenin si pionierë, kur u lindi fëmija i parë. Me kalimin e kohës patën tri vajza. Ata u përpoqën t’i japin një vend të rëndësishëm shërbimit si pionier në jetën e tyre familjare. Programi ishte i ngjeshur, por duke i bërë gjërat së bashku si familje, arritën të kenë sukses. «Ne linim gjithmonë kohë për vajzat,—shpjegon Bill.—Kjo gjë vazhdoi edhe kur ato arritën moshën e adoleshencës. Kur donin të bënin patinazh në akull, të luanin me birila, të notonin ose të bënin lojëra të ndryshme me top, shkonim edhe ne.» Sot të trija vajzat janë të martuara dhe shërbejnë si pioniere të rregullta. Ata të gjithë gëzojnë atë që Bill e quan «mënyra më e shkëlqyer e jetës».

Sot, 77 vëllezër (pjesa më e madhe e të cilëve janë të martuar) shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues në Britani. Kjo është një mënyrë jetese që përfshin një program të ngjeshur javë pas jave, vit pas viti. Xhef Jang mori pjesë në këtë shërbim deri kur mosha e shkuar dhe problemet shëndetësore bënë të nevojshëm një rregullim në aktivitetin e tij. Ai dhe gruaja e tij Vi jetonin me plaçkat në krahë dhe çdo javë qëndronin në shtëpi të ndryshme. Çfarë mendon Vi për atë lloj jete? «Nuk ishte shumë e vështirë,—përgjigjet ajo,—sepse ne e shtonim familjen tonë të krishterë, sa herë që vizitonim një kongregacion. Kemi ndier ngrohtësinë e vëllezërve kudo që kemi shkuar. Çdo lloj caktimi që Jehovai na jep, vetëm sa e pasuron jetën tonë.» Ndërkohë që gëzojnë të tashmen ata mendojnë me entuziazëm për atë që do t’u sjellë e ardhmja. Xhef shpjegon: «Ky sistem është i mbaruar tani. Është pothuajse në fund. Pas kësaj, ne do të kemi perspektivën e mrekullueshme për të marrë pjesë në punën për rikthimin e kushteve parajsore në tokë. Mendo se sa studime biblike do të ketë kur të fillojë ringjallja—ç’punë e jashtëzakonshme që do të kryhet!» Gruaja e tij shton: «Provon një ndjenjë të mrekullueshme kur mendon se nuk ka asgjë që mund ta pengojë Jehovain të realizojë qëllimin e tij.»

Përkrahës të «Udhës hyjnore të jetës»

Ishte një rast emocionues, kur në korrik të vitit 1998, në Edinburg, në Lids, në Mançester, në Ulvërhamtën, në Dadli, në Noruik, në Londër, në Bristol dhe në Plimëth të Britanisë u mbajtën njëkohësisht nëntë Kongrese Ndërkombëtare me temë «Udha hyjnore e jetës». Në to ishin të pranishëm delegatë nga më shumë se 60 vende. Programi i plotë u prezantua jo vetëm në anglisht, por edhe në frëngjisht, spanjisht dhe punjabi. Fundjavën pasuese kongresi u mbajt në greqisht.

Në kongreset e mbajtura në Britani ishin të pranishëm katër anëtarë të Trupit Udhëheqës, Xhon Barr, Teodor Xharac, Albert D. Shrëder dhe Daniel Sidlik. Fjalimet e tyre u dëgjuan në të gjitha vendet ku u mbajtën kongreset, pasi ato ishin të lidhura elektronikisht me njëra-tjetrën. Diçka tjetër drithëruese ishte prania e misionarëve që po shërbejnë në vendet e huaja. Britania ka dërguar qindra misionarë në fushat e huaja. Në kongreset që u mbajtën atë vit, ishin të pranishëm 110 prej tyre. Zelli dhe fryma vetësakrifikuese e këtyre misionarëve, frymëzuan të gjithë ata që dëgjuan intervistën e tyre gjatë programit.

Ajo që u vu re dhe që u dëgjua në këto kongrese, preku thellë zemrën e të pranishmëve, madje edhe të atyre që sapo kishin filluar të shoqëroheshin me popullin e Jehovait. Rezoluta që u mor gjatë sesionit të fundit të kongresit paraqiti në mënyrë të qartë udhën hyjnore të jetës, ku të gjithë ishin të vendosur të ecnin. Pas programit, djali katërvjeçar i një çifti Dëshmitarësh nga Darlingtoni tha: «Mami, unë e dua vërtet Jehovain. Ty dhe babin ju dua shumë, shumë, por Jehovain e dua edhe më shumë.» Kur e pyetën përse, ai u shpjegoi se Jehovai na dha shpresën për në parajsë dhe dërgoi Birin e tij që të vdiste për ne, «prandaj unë duhet të dua atë më shumë».

Në përfundim të programit si në Edinburg, ashtu edhe në Londër, delegatët e vendeve të ndryshme përshëndetën njëri-tjetrin duke tundur shamitë dhe më pas shpërthyen në duartrokitje të gjata. Edhe pasi programi kishte përfunduar, shumë veta vazhduan të këndonin këngët e Mbretërisë, duke i dhënë kështu lavdi të përzemërt Jehovait.

Dëshmia që është dhënë

Në Britani është dhënë një dëshmi mjaft e gjerë. Ajo filloi në vitin 1881, kur qindra mijë fletushka biblike u shpërndanë në qytetet kryesore brenda vetëm disa javësh. Disa nga farat e mbjella në atë kohë filluan të japin fryt. Për një periudhë gjashtë mujore, «Foto-Drama e Krijimit» u shfaq në 98 qytete dhe u pa nga gjithsej 1.226.650 veta. Kur shpërtheu Lufta I Botërore, në Britani kishte 182 kongregacione. Gjatë viteve 20 dhe 30, dëshmia në Britani u rrit. Kjo ndodhi sepse një numër në rritje personash që shoqëroheshin me kongregacionet u angazhuan në veprën shtëpi më shtëpi, duke u dhënë një dëshmi personale pronarëve të shtëpive. Që nga Lufta II Botërore, shërbimit në Britani i janë kushtuar më shumë se 650.746. 716 orë, personave të interesuar u janë bërë 297.294.732 rivizita dhe publikut i janë shpërndarë përveç 567.471.431 revistave, edhe 74.105.130 libra dhe broshura. Mesatarisht, Dëshmitarët e Jehovait në Britani i vizitojnë njerëzit nëpër shtëpi dy deri tri herë në vit.

Dëshmitarët e Jehovait janë kaq të njohur për veprën e tyre të ungjillëzimit shtëpi më shtëpi, saqë shumë pronarë shtëpie kur hapin derën dhe shohin persona të veshur mirë, pyesin menjëherë: «Dëshmitarët e Jehovait?»

Toka e mbushur me njohurinë e Jehovait

Në vitin 1891, kur vëllai Ç. T. Rasëll pa fushën britanike, vuri re se ishte ‘gati dhe priste të korrej’. Korrja që po kryhet në përfundim të këtij sistemi, duket qartë se është afër fundit të saj. Çfarë e korre madhështore po del se është! Në vitin 1900, në Britani kishte vetëm 138 Studentë të Biblës (siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait) dhe shumica e tyre ishin të krishterë të mirosur. Sot numri është 910 herë më i madh. Në atë kohë, agjensia ligjore e përdorur nga Studentët e Biblës, e hapi zyrën e saj të parë të degës jashtë Shteteve të Bashkuara. Sot në të gjithë globin funksionojnë 109 degë. Në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, pa përfshirë ishujt, ekzistojnë 24 degë të tilla. Në Evropë 25, në kontinentin afrikan 19, ndërsa në Azi dhe në ishujt në pjesë të ndryshme të globit gjenden 41 degë. Duke punuar në bashkëpunim me këto degë, 5,9 milionë Dëshmitarë janë angazhuar në veprën për lartësimin e emrit të Jehovait dhe po bëjnë të njohur lajmin e mirë të Mbretërisë së tij, që është në duart e Jezu Krishtit. Ata janë të vendosur që të vazhdojnë të dëshmojnë, derisa Perëndia të thotë mjaft.

Tani ujërat jetëdhënëse rrjedhin me bollëk nga froni qiellor i Perëndisë Jehova dhe i Birit të tij, Jezu Krishtit. Në mënyrë intensive po bëhet ftesa: «Kushdo që ka etje, le të vijë; kushdo që dëshiron, le ta marrë falas ujin e jetës.» (Zbul. 22:1, 17, BR) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, kur të vdekurit të kthehen në jetë, pa dyshim, miliarda të tjerë do të kenë mundësi të nxjerrin dobi nga kjo masë e dashur, e cila mund t’i bëjë të fitojnë jetën e përhershme. Programi i arsimimit hyjnor që është kryer deri tani, nuk është veçse fillimi. Përpara nesh, shtrihet koha kur në sistemin e ri të Perëndisë, në një masë të plotë «toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin».—Isa. 11:9, BR.

[Harta dhe figurat në faqet 86, 87]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ANGLI

Salla Asamblesh të vendosura në pika të përshtatshme në të gjithë vendin: (1) Mançester, (2) Londra e Veriut, (3) Dadli, (4) Surrei, (5) Penini Lindor, (6) Bristol, (7) Exhuar

[Figurat]

Penini Lindor

Exhuar

Surrei

Mançester

Bristol

[Figura që zë gjithë faqen 66]

[Figurat në faqen 70]

Tom Hart

[Figura në faqen 72]

Zyra e parë e degës së Shoqatës

[Figurat në faqen 72]

Ndërtesa të vëna në përdorim kohët e fundit

[Figurat në faqet 74, 75]

Ata u transferuan për të shërbyer në territoret e huaja: (1) Klaud Gudman; (2) Robert Nizbet; (3) Eduin Skiner; (4) Xhon Kuk; (5) Erik Kuk; (6) Xhorxh Filips; (7) Xhorxh Nizbet. (Në sfond: Pionierë duke udhëtuar drejt Afrikës Lindore)

[Figura në faqen 79]

Françeska Harris tregoi një interes të veçantë për vajzat ‘au pair’

[Figura në faqen 90]

Vera Bull, duke shërbyer në Kolumbi

[Figura në faqen 90]

Beri dhe Zhaneta Rashbi ‘kanë dashur gjithmonë të bëjnë më shumë’

[Figura në faqen 92]

Shkolla e Shërbimit për Pionierë në Sallën e Asambleve në Dadli

[Figura në faqen 95]

Familja Bethel në Britani gjatë adhurimit të mëngjesit

[Figura në faqen 96]

Diplomimi i klasës së parë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Britani

[Figura në faqen 102]

E para Sallë Mbretërie e ndërtuar me metodën e shpejtë në Britani (Uestën Feivëll, Northamtën)

[Figura në faqen 107]

Majkëll dhe Xhin Harvi

[Figura në faqet 108, 109]

Pionierë që zgjodhën për të shërbyer në kongregacionet në gjuhë të huaj

[Figura në faqet 116, 117]

A. D. Shrëder, duke intervistuar veteranët e së vërtetës, në mbledhjen vjetore mbajtur në Leiçester, në vitin 1983.

[Figura në faqen 123]

Pionierë nga Shetland duke iu afruar një anijeje peshkimi në territorin e tyre bregdetar

[Figura në faqen 131]

Xhon dhe Mildrid Barr

[Figura në faqen 133]

Komiteti i Degës (nga e majta në të djathtë) Ulur: Piter Elis, Xhon Uin. Në këmbë: Bevën Vaigo, Stefan Hardi, Xhon Endriës, Ron Drexh, Xhek Dausën, Denis Datën

[Figurat në faqet 138, 139]

Vepra e dëshmisë ende nuk është përfunduar

[Figurat në faqet 140, 141]

Disa që vështrojnë pas, në vitet e shumta të shërbimit të tyre besnik: (1) Sidni dhe Robina Oulër, (2) Antoni dhe Muriël Tavënër, (3) Riçard dhe Ana Gilëm, (4) Xhef dhe Vi Jang,(5) Fred dhe Roza Xheims, (6) Kornelis dhe Riki Houp, (7) Denis dhe Mevis Methjus, (8) Riçard dhe Heizëll Xhesëp