Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

Ndërtime për të strehuar një shumicë të madhe

Në vitin 1935 Dëshmitarët e Jehovait mësuan nga Shkrimet rreth qëllimit të Perëndisë për të mbledhur një shumicë të madhe tani, gjatë këtij sistemi gjërash, me synimin për t’i shërbyer Jehovait përgjithmonë në një parajsë në tokë. (Zbul. 7:9, 10) Në të njëjtin vit, për herë të parë, një nga vendet e tyre të mbledhjeve në Havai u quajt Salla e Mbretërisë. Tani, mijëra Salla të tilla Mbretërie janë duke u mbushur me njerëz që kanë përqafuar premtimet e Biblës, që të ngrohin zemrën, dhe po pranojnë normat e saj të drejta.

Në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë marrin pjesë rregullisht miliona veta. Meqë çdo vit pagëzohen qindra mijë njerëz, ekziston një nevojë e ngutshme për më shumë Salla Mbretërie. Një sondazh i bërë në vitin 1998 tregonte se në 40 vende në zhvillim nevojiteshin rreth 8.000 Salla të tjera Mbretërie. Çfarë u bë gjatë vitit të kaluar, me qëllim që të plotësohej kjo nevojë?

Në vende kyçe të tilla, si Afrika e Jugut, Australia dhe Gjermania u ngritën Zyra Rajonale për Sallat e Mbretërisë. Nga këto qendra operative, mbikëqyrësit e projekteve po fillojnë të japin ndihmesën e tyre në organizimin e programeve të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë përkatësisht në Afrikën Lindore dhe Perëndimore, në zonën e Azisë që laget nga Paqësori dhe në Evropën Lindore. Deri tani, 77 shërbëtorë ndërkombëtarë po ndihmojnë në këtë lloj pune në 21 vende të Afrikës, në 7 të Evropës Lindore dhe në 4 vende të zonës së Azisë që laget nga Paqësori. Gjithashtu, po ndihmohen edhe dy vende në Amerikën Latine. Aty ku është e mundur janë duke u bërë përpjekje për të ngritur Grupet e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në kohë të plotë. Me aq sa lejojnë mundësitë, përdoren materiale dhe metoda lokale ndërtimi, dhe vëllezërit vendas inkurajohen që të marrin pjesë në punën e ndërtimit. Megjithatë, si fillim, një ose dy shërbëtorë ndërkombëtarë mund t’i drejtojnë këto grupe për të dhënë stërvitjen e nevojshme. Aty ku vendet e mbledhjes nevojiten me urgjencë, por gjendja ekonomike e bën praktikisht të pamundur blerjen e materialeve të ndërtimit nga ana e vëllezërve vendas, vëllazëria ndërkombëtare përpiqet që të ndihmojë edhe në këtë drejtim.

Vitin që shkoi, vëllezërit në Ganë, mbasi morën ndihmë për ta bërë më të efektshëm programin e tyre të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, qenë në gjendje të ndërtonin 13 Salla Mbretërie në vend të 4 sallave, që kishte qenë mesatarja e ndërtimit vitet e fundit. Në Burundi, me ndihmën ndërkombëtare u ndërtuan 11 Salla Mbretërie vetëm në pak muaj. Ndodhi që Salla e Mbretërisë në Gitega, në Burundi, ishte e para ndërtesë e ngritur mbi një kodër. Në përputhje me një zakon lokal, shumë qytetarë në atë zonë i referohen tani asaj kodre si Mali i Jehovait.

Liberia përjetoi një rritje prej 40 për qind në numrin e lajmëtarëve në vitin 1998 dhe një rritje prej 19 për qind në vitin 1999. Pas vitesh të një lufte civile, shumica e kongregacioneve në këtë vend kanë nevojë për Salla Mbretërie. Por, pjesa dërrmuese e vëllezërve tanë atje ndeshen me probleme serioze ekonomike, duke llogaritur edhe papunësinë. Sa mirënjohës që janë ata për ndihmën financiare që u dhanë vëllezërit e tyre nga vende të tjera në mënyrë që të bëhej i mundur ndërtimi i Sallave të Mbretërisë aq të nevojshme për ta! Ata janë mirënjohës, gjithashtu, edhe për ndihmën që dhanë pesë shërbëtorë ndërkombëtarë që erdhën për të ndihmuar në organizimin e punës së ndërtimit.

Nigeri, nevojiten më shumë se 1.800 Salla të tjera Mbretërie. Në qytetin Abekuta uniteti dhe këmbëngulja e shfaqur nga ana e Dëshmitarëve vendas, që po punonin bashkërisht në një projekt ndërtimi, nxiti madje edhe një drejtuese të një kishe, që ndodhej aty pranë, të dilte vullnetare për të ndihmuar. Ajo tani po i shërben Jehovait bashkë me kongregacionin që përdor Sallën e Mbretërisë në të cilën ajo ndihmoi për ta ndërtuar. Në një fshat në Togo pati një kundërshtim kaq të madh për ndërtimin e një Salle Mbretërie, saqë vëllezërit vendosën ta zbatonin projektin në një vend tjetër. Por kur kundërshtarët panë se çfarë Salle e shkëlqyer Mbretërie po ndërtohej atje, pyetën nëse mund të ndërtohej një sallë tjetër në truallin për të cilën kishin kundërshtuar më parë.

Sri Lankë, kongregacionet mblidheshin nëpër shtëpi private, në ndërtesa të vogla të përkohshme të bëra me gjethe të thara të arrës së kokosit, si dhe nën strehë në oborrin e prapmë të shtëpive. Sa mirënjohës duhet të jenë ata për faktin që tani kanë vende adhurimi më të denja dhe më të përshtatshme! Trembëdhjetë projekte për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë janë duke u zbatuar tani në Sri Lankë, 20 të tjera janë në fazën e planifikimit dhe 50 janë propozuar për pesë vjetët e ardhshëm.

Kur ka një Sallë Mbretërie të përshtatshme, njerëzit janë më të gatshëm të mblidhen për të nxjerrë dobi nga mësimi që jep Jehovai. Si rrjedhim, kur u ndërtua një Sallë e re dhe e madhe Mbretërie në një rrethinë të Limës, në Peru, pjesëmarrja u rrit në secilin nga të tri kongregacionet që e përdorin atë, dhe brenda një viti 75 lajmëtarë të rinj filluan të merrnin pjesë në shërbimin në fushë.

Në qytete më të mëdha, aty ku ka edhe më shumë kongregacione, është bërë një shfrytëzim i mirë i truallit duke ndërtuar godina që përmbajnë më shumë se një Sallë Mbretërie. Në fundjavën e 29 dhe 30 majit, tri komplekse të tilla Sallash Mbretërie u dedikuan në Rumani. Njëri prej këtyre, në Kluzh, përfshinte katër Salla Mbretërie; një tjetër përmbante dy. Ditën e nesërme, në qytetin Tirgu-Muresh, u dedikua një kompleks që përmbante shtatë Salla Mbretërie.

Sigurimi i Sallave të Asambleve

Për grumbullime më të mëdha, janë duke u ndërtuar Salla Asamblesh në shumë vende. Në Estoni gjatë vitit u dedikuan dy komplekse Sallë Mbretërie-Sallë Asamblesh. Çdo kompleks përmban tri Salla të veçuara Mbretërie, që bashkohen për të siguruar një Sallë të madhe Asamblesh. Një ngjarje e jashtëzakonshme për Poloninë, gjatë këtij viti shërbimi ishte dedikimi i tri Sallave të Asambleve brenda një fundjave. Dy anëtarë të Trupit Udhëheqës, Teodor Xharac dhe Daniel Sidlik, morën pjesë në këtë rast të veçantë dhe mbajtën fjalime inkurajuese në secilën prej këtyre sallave. Një amfiteatër me 6.400 vende iu shtua njërës prej sallave më të mëdha në qytetin e Sosnovjecit dhe ndërtesa u përdor për pesë kongrese krahinore gjatë muajit korrik.

Shtetet e Bashkuara, ku tani ka 980.419 lajmëtarë të Mbretërisë, vitin e kaluar u dedikuan edhe katër Salla të tjera Asamblesh, duke arritur shifrën totale 40. Në Brazil, ku ka 528.034 lajmëtarë, u dedikua Salla e 17-të e Asambleve. Kjo është një ndërtesë me dy auditore që mban 10.000 veta, dhe ndodhet rreth 40 kilometra larg nga San Paulo. Dy Salla Asamblesh të tjera, pa mure anësore, u dedikuan në Nigeri gjatë vitit, njëra në Ota dhe tjetra në Ibadan, me kapacitete ndenjeje përkatësisht 10.000 dhe 5.000 veta.

Ndërtesa të tjera po sigurohen, gjithashtu, për të mbështetur programin global të arsimimit biblik.

Qendra e Arsimimit Watchtower

Në vitin 1986 u bënë disa nga hapat e parë të nevojshëm ligjorë me synimin për të ndërtuar atë që tani përbën Qendrën e Arsimimit Watchtower me 28 ndërtesa në Paterson, Nju Jork, Shtetet e Bashkuara. Më 1989 u bë më në fund e mundur që të fillonte ndërtimi. Rreth vitit 1994 zyra të ndryshme që kishin të bënin me aktivitetin arsimues të Dëshmitarëve të Jehovait filluan të përdornin godinat. Në vitin 1995 në këto ndërtesa u transferua Shkolla e Galaadit. Atje funksionojnë edhe shkollat për anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe për mbikëqyrësit udhëtues. Përfundimisht, në vitin 1999 u mbajt programi i dedikimit. (Një raport në lidhje me këtë është botuar në Kullën e Rojës, 15 nëntor 1999.) Dhjetëra mijë Dëshmitarë dhe të interesuar të tjerë vizitojnë mjediset çdo vit dhe ngazëllejnë kur shohin se çfarë është arritur me kontributet e tyre vullnetare, me përpjekjet e bashkuara të vëllezërve dhe motrave të gatshëm dhe mbi të gjitha me bekimin e Jehovait.

Nevojiten ndërtesa për degët

Rritja e numrit të lavdëruesve të Jehovait në shumë vende ka bërë po ashtu të nevojshëm të ndërtohen zyra të reja të degëve. Zyra të tilla dege, si edhe Selia Botërore përdoren nga anëtarë të familjes Bethel, të cilët janë përfshirë në Urdhrin e Shërbëtorëve Specialë në Shërbim të Plotkohor.

BOLIVI: Zgjerimi i jashtëzakonshëm teokratik çoi në dedikimin e ndërtesave të reja të degës në Santa Kruz, Bolivi, më 20 mars 1999. Nga 714 lajmëtarë, në kohën kur u dedikua dega e mëparshme në vitin 1968, numri i lajmëtarëve në Bolivi është rritur në një maksimum të paparë ndonjëherë prej 15.388 dhe pjesëmarrja në Përkujtim në vitin 1999 kapi shifrën 53.312 persona.

Zyra e re e degës, e vendosur në ultësirën tropikale të Bolivisë, u ndërtua tërësisht me punën e vendasve—një pjesë e madhe e kësaj pune u krye në mënyrë vullnetare nga Dëshmitarët—dhe me një përdorim me shije të materialeve të vendit. Në përfundim doli një ndërtesë ku realizohet në një mënyrë të pranueshme një temperaturë e mirë pa përdorur sistemin e ajrit të kondicionuar dhe një ndërtesë që ndërthuret shumë bukur me terrenin e pyllëzuar. Këto ndërtesa, së bashku me Sallën e parë të Asambleve në vend, iu dedikuan Jehovait gjatë një vizite që kreu Gerrit Losh nga Trupi Udhëheqës. Të pranishëm për këtë rast të lumtur ishin mijëra Dëshmitarë bolivianë, si edhe vizitorë nga 11 vende, duke përfshirë edhe ish-misionarë që kishin shërbyer në pjesë të ndryshme të Bolivisë gjatë historisë 54-vjeçare të shërbimit misionar në atë vend.

MOZAMBIK: «Jehovai është i madh dhe për t’u lavdëruar shumë.» (Psal. 48:1, BR) Kjo është një shprehje e preferuar për Dëshmitarët e Jehovait në Mozambik dhe ajo u dëgjua dendur më 19 dhjetor të 1998-s, kur u dedikuan zyrat e reja të degës në Maputo, pranë Oqeanit Indian. Pak vjet më parë, një gjë e tillë mund të dukej e pamundur. Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë nën ndalimet e vëna nga qeveria për më shumë se dy dekada deri në vitin 1991. Atë vit ata numëronin vetëm pak më shumë se 6.000 lajmëtarë. Rreth fundit të vitit 1998, ky vend raportoi një maksimum prej 29.514 lajmëtarësh. Nevojiteshin ndërtesa të reja dege.

Si u ndërtua dega duke qenë se pjesa më e madhe e vëllezërve mozambikas nuk kishin përvojë në këtë lloj pune ndërtimi? Ndihma erdhi nga shumë shërbëtorë dhe vullnetarë ndërkombëtarë, e ndërsa bëhej puna, ata stërvitën Dëshmitarët vendas. Për dedikimin ishin të pranishëm persona të ftuar nga 15 vende dhe po atë fundjavë, në Matola, 26 kilometra larg kryeqytetit, u dedikua edhe e para Sallë Asamblesh në Mozambik. Vërtet, Jehovai është i madh! Pa kujdesin e tij të dashur shërbëtorët e tij në Mozambik nuk do t’i kishin përjetuar kurrë këto ngjarje historike.

KALEDONIA E RE: Më 24 tetor 1998 në Kaledoninë e Re u dedikuan një zyrë e re dege dhe një Sallë Asamblesh. Ndërtesat e zmadhuan më se tri herë madhësinë e degës. Këtu punojnë tri skuadra përkthimi, për t’u shërbyer nevojave të Kaledonisë së Re dhe vendeve që janë në varësi të saj.

Dedikimi ishte një rast i lumtur dhe i larmishëm. Programi përmbante edhe një shfaqje audiovizive që tregonte momentet më interesante nga punimet e ndërtimit. Ishte një kënaqësi e veçantë për Dëshmitarët e Jehovait në Kaledoninë e Re fakti që në atë rast kishin midis tyre Llojd Berri nga Trupi Udhëheqës, i cili mbajti fjalimin e dedikimit.

SENEGAL: Qëkurse Dëshmitari i parë i Jehovait mbërriti në Senegal në vitin 1951 janë bërë shumë përpjekje për të arritur miliona njerëz që jetojnë në territorin e kësaj dege. Atje kanë shërbyer 194 misionarë nga 18 vende ndryshme. Ata kanë ndihmuar me qindra veta që të bashkohen në shërbimin e Jehovait në këtë territor, ku më se 90 për qind e popullsisë nuk është e krishterë.

Për ndërtimin e degës së re në Kejp Almadies, në periferi të Dakarit, u zbatuan metoda që për shumicën e njerëzve në atë zonë ishin të reja. Kur një vinç ngrinte nga vendi secilin nga panelet e mëdha parafabrikate, njerëzit që vëzhgonin duartrokitnin dhe brohoritnin. Çdo gjë u bë e saktë, e drejtë dhe në vendin e vet. Më 19 qershor 1999, në përfundim të programit të dedikimit në cepin më perëndimor të kontinentit afrikan, të gjithë të pranishmit kënduan së bashku, me gjithë zemër, këngën «Të falënderojmë, o Jehova!»

Afrika

Historia moderne e Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikë daton që nga fillimet e viteve 80 të shekullit të 19-të. Rreth viteve 20 të shekullit të 20-të në këtë kontinent filloi predikimi publik intensiv. Vitin që shkoi, një maksimum prej më shumë se 830.000 Dëshmitarësh në të gjithë Afrikën, ndanë me fqinjët e tyre dhe me personat e tjerë «gjërat e mëdha të Perëndisë».—Vep. 2:11.

Ishte një inkurajim i madh të shihje shumë të rinj që e bënë shkollën territorin e tyre të dëshmisë. Dorkas, një motër në moshë të re në Mozambik, ka vënë si synim personal që t’i dëshmojë drejtorit dhe të gjithë mësuesve të shkollës së saj, si edhe shokëve dhe shoqeve të klasës. Aktualisht drejton tetë studime biblike dhe gjashtë nga studentët e saj biblikë ndjekin rregullisht mbledhjet. Tre të tjerë përparuan deri në pagëzim dhe më pas u kualifikuan për t’u bërë pionierë të rregullt. Katër mësues dhe mësuese të Dorkës kanë pranuar në momente të ndryshme ftesën e saj për të marrë pjesë në mbledhjet e kongregacionit. Babai i Dorkës tani është duke studiuar me njërin nga ata. Një mësuese tjetër, së cilës Dorka filloi t’i dëshmonte pesë vjet më parë, kur ndiqte një shkollë tjetër, më në fund iu përgjigj këmbënguljes së saj dhe pranoi të studiojë Biblën me të, me synimin për t’u bashkuar në adhurimin e vërtetë.

Që prej vitit 1995 u është kushtuar një vëmendje më e madhe personave të shurdhër në Nigeri, që llogariten se janë pesë milionë. Shumë lajmëtarë që dëgjojnë, pasi panë se në një kongres krahinor fjalimet përktheheshin në gjuhën e shenjave, dëshironin që të mësonin se si të komunikonin në këtë gjuhë. Në pak më shumë se një vit, 216 lajmëtarë dhe pionierë nga 61 kongregacione e mësuan aq mirë gjuhën e shenjave, saqë ishin të aftë të drejtonin studime biblike dhe të përkthenin mbledhjet. Tani më shumë se 80 kongregacione i mbajnë mbledhjet duke i përkthyer në dobi të të shurdhërve.

Kur ishte vajzë e re, në Bregun e Fildishtë, Florenca vendosi të bëhej murgeshë. Por ajo u zhgënjye nga mësimet që thuhej se ishin një mister, për të cilat nuk jepej asnjë shpjegim. Mbeti, gjithashtu, e tronditur nga propozimet e përsëritura imorale të një prifti. Ajo e la manastirin. Më vonë, kur ishte në Burkina Faso, Dëshmitarët e Jehovait e takuan gjatë shërbimit të tyre nga shtëpia në shtëpi. Studimi i broshurës Çfarë kërkon? dhe i librit Njohuria bënë që në pak kohë ajo të bëhej një shërbëtore e lumtur e Jehovait.

Dy herë gjatë vitit të kaluar, Sallat e Mbretërisë dhe shtëpitë private në Bangui, në Republikën e Afrikës Qendrore, u hapën për Dëshmitarët të cilëve iu desh të iknin, duke kaluar përmes lumit, nga Republika Demokratike e Kongos e copëtuar nga lufta. Në korrik më shumë se 200 vëllezër, motra, familjet e tyre, si edhe njerëz të tjerë, u detyruan të kalonin matanë për në Bangui. Ndërsa shumica e refugjatëve ishin të grumbulluar së bashku në port, jashtë në qiell të hapur, vëllezërit tanë u kujdesën për ta si frymësisht, ashtu edhe fizikisht. Për ta u organizuan mbledhje në gjuhën lingala në dy Salla Mbretërie dhe u mbajtën të pesë mbledhjet javore. Një autoritet vendas, i cili vërejti të gjithë këtë, tha: «Është e mrekullueshme kjo që keni bërë, duke hapur sallën tuaj për të strehuar këta njerëz të shkretë. Ju duhet të lavdëroheni për këtë.» Një burrë tjetër, i cili kalonte afër sallës, ndali një misionar dhe i tha: «Ju jetoni sipas asaj që predikoni. Ju përgëzoj nga zemra. Perëndia do t’ju bekojë për këtë.»

Kur ishte e shtruar në spital disa vite më parë, një lajmëtare e papagëzuar në Ganë, ndonëse shumë e sëmurë, dëshmoi shtrat më shtrat. Disa e vlerësuan atë që ajo u tha; të tjerë e refuzuan; një grua e dëgjoi, por me sa duket pa ndonjë reagim. Vite më vonë, ndërsa merrte pjesë në një nga Kongreset Krahinore «Udha hyjnore e jetës» në Ganë, ajo lajmëtare, tani pioniere speciale, takoi një grua të cilën e njihte. «Ç’e mirë të solli këtu?»—e pyeti pionierja. «Jehovai është i madh,—ia ktheu zonja.—Gjithmonë kam pyetur veten nëse do të të shihja përsëri, që të të falënderoja për të vërtetën e Mbretërisë që mbolle në zemrën time në spital. Isha shumë e sëmurë që të reagoja atëherë, por nuk mund të bëja tjetër veçse të mendoja dhe të meditoja për atë që më the rreth jetës në Parajsë nën Mbretërinë e Perëndisë, ku “asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’” Sapo dola nga spitali kërkova Dëshmitarët e Jehovait, dhe ata filluan të më mësonin më shumë. Pak kohë pas kësaj u transferova. Në vendin e ri ku u vendosa kërkova përsëri Dëshmitarët e Jehovait dhe vazhdova studimin tim të Biblës. Si rezultat i gjithë kësaj nesër pagëzohem në këtë kongres.» Dy gratë e shtrënguan fort njëra-tjetrën dhe derdhën lot gëzimi. Dëshmia në atë spital kishte sjellë me të vërtetë fryt të mirë.

Mali, një grua, që ishte e paaftë fizikisht që prej 13 vjetësh për shkak të magjisë, ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo mund të lëvizte vetëm duke u zvarritur me këmbë e me duar. Me të u fillua një studim biblik. Mori vesh për mbledhjet tona të kongregacionit, por duke parë shkallën e paaftësisë së gruas, motra pati pak shpresë se ajo mund të vinte deri në Sallën e Mbretërisë. Megjithatë e vërteta kishte prekur zemrën e gruas. Mendoni se sa të habitur ishin vëllezërit dhe motrat kur panë gruan para Sallës së Mbretërisë, duke pritur që të fillonte mbledhja. Një vëlla që kishte një makinë e rregulloi që ta çonte atë në shtëpi pas kësaj. Ndërsa studimi përparonte dhe besimi i saj te Jehovai rritej, ajo u çlirua nga skllavëria e frymërave të liga. Dalëngadalë ajo filloi të rifitonte zhdërvjelltësinë e këmbëve dhe pas gjashtë muajsh ishte në gjendje të ecte përsëri. Tani ajo është një shërbëtore e pagëzuar e Jehovait.

Gjatë pushimit të drekës, ditën e dytë në vendin e tij të ri të punës, një pionier i rregullt në Ugandë filloi të bisedonte me një shokun e tij të punës në këtë mënyrë: «Tungjatjeta! Po shoh se e kam shumë të vështirë të mësoj emrat e të gjithë shokëve të punës.» «Oh, mos u bëj merak,—i tha kolegu i tij—shpejt do t’i mbash mend të gjithë emrat. Mua më quajnë Uilliam.» «Faleminderit për prezantimin,—iu kundërpërgjigj pionieri.—Je shumë i sjellshëm. Megjithatë unë e di se të mësosh emrat e të tjerëve është një problem mbarëbotëror»,—tha pionieri. «Për çfarë e ke fjalën?»—pyeti Uilliami. Pionieri vazhdoi: «Për shembull, nëse do të të pyetnin për emrin e Krijuesit të universit dhe të të gjitha qenieve të gjalla, a do ta kishe të lehtë për t’i thënë?» Biseda për emrin e Perëndisë ia la vendin një studimi biblik ditën tjetër. Uilliami e ftoi pionierin në shtëpi për të folur me familjen e tij. Tani pesë anëtarë të asaj familjeje janë Dëshmitarë të pagëzuar. Para Përkujtimit pionieri shkoi zyrë më zyrë duke i ftuar kolegët në këtë ngjarje të rëndësishme. Çfarë gëzimi provoi ai kur pa që 40 prej tyre ishin të pranishëm!

Shumë njerëz në Afrikë kanë vuajtur për shkak të luftërave të zhvilluara në vendet e tyre. Shpeshherë ata kanë qenë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Por nëse refugjatët janë Dëshmitarë të Jehovait ata vazhdojnë të predikojnë lajmin e mirë. Shumë vëllezër dhe motra nga kryeqyteti i Guineja-Bisaut, në Afrikën Perëndimore, ikën në qytetin e Bubas, 240 kilometra larg kryeqytetit. Aty jeton një vëlla dhe gruaja e tij, por në atë qytet nuk ka asnjë kongregacion. Menjëherë, megjithatë, pasi mbërritën Dëshmitarët nga kryeqyteti, u organizuan mbledhjet, dhe vepra e dëshmisë eci përpara. S’kaloi shumë kohë dhe 40 persona ishin duke ndjekur mbledhjet e po drejtoheshin 70 studime biblike.

Tridhjetë lajmëtarë në kongregacionin Giterani në Burundi udhëtuan rreth 160 kilometra për të marrë pjesë në asamblenë e tyre qarkore në Kajanza. Udhëtimi zgjati tri ditë. Ata që kishin biçikleta merrnin nga pas të tjerë deri në një njëfarë distance, ktheheshin për të marrë ata që po ecnin prapa, i transportonin ata deri në një pikë më përpara dhe kështu me radhë. E tërë familja e Zhan Nzeimanas—gruaja, vjehrra dhe shtatë fëmijët, duke përfshirë edhe njërin që ishte i sëmurë nga poliomeliti e që përdorte një bastun—e bënë këtë udhëtim. Me gëzim të madh ata mbërritën në vendin e asamblesë.

Kontinenti Amerikan

Rreth shekullit të 18-të, e gjithë Bibla ishte në dispozicion në gjuhët anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe portugalisht, të cilat u bënë gjuhët që përdoreshin më gjerësisht në Kontinentin Amerikan. Në fund të shekullit të 19-të Dëshmitarët e Jehovait, siç u njohën më vonë ata, ndërmorën një program të arsimimit biblik i cili që nga viti 1935 është shtrirë gati në çdo vend të këtij kontinenti. Tani në ato vende ka 2.769.625 Dëshmitarë të zellshëm.

Në disa vende moti është shumë i ftohtë, por predikimi i lajmit të mirë vazhdon. Një plak nga kongregacioni Poli i Veriut në Alaskë na informon se vepra nga shtëpia në shtëpi vazhdon madje edhe në temperaturën -37°C, dhe mbledhjet mbahen madje edhe kur temperatura arrin -48°C. Që të shërbesh në këto kushte kërkohet qëndrueshmëri.

Në territoret e disa qyteteve të mëdha ka shumë godina ku, për shkak të frikës nga kriminaliteti, pronarët e shtëpive rrallëherë u japin mundësi lajmëtarëve për të folur ballë për ballë me ta. Në Argjentinë, kur ishte duke dëshmuar në një godinë të tillë, një lajmëtare foli nëpërmjet citofonit me një zonjë që e dëgjoi me vëmendje. U morën masa që biseda të vazhdohej një herë tjetër. Shumë rivizita u bënë pa u takuar ballë për ballë. Sidoqoftë, nëpërmjet citofonit u bënë bashkëbisedime interesante dhe u lexuan shkrime. Më në fund, pas katër muajsh, zonja e ftoi lajmëtaren në apartamentin e saj dhe kështu u fillua një studim biblik. Ngulmimi i duruar i lajmëtares u shpërblye.

Shtetet e Bashkuara ka më se 17.000 azile pleqsh ku janë strehuar qindra mijë të moshuar. Si mund t’u shpallet lajmi i mirë këtyre njerëzve në moshë të shkuar? Disa kongregacione kanë pasur sukses duke iu afruar drejtorit të një institucioni të tillë dhe duke ofruar ndihmën e tyre vullnetare për plotësimin e nevojave frymore të banorëve. Në një rast u shpjegua se disa vullnetarë nga kongregacioni do të kishin dëshirë të drejtonin një studim biblik javor pa pagesë me çdonjërin që do të dëshironte të merrte pjesë. Kjo ofertë u pranua me kënaqësi. Shpeshherë, personeli, anëtarët e familjes dhe vizitorë e vullnetarë të tjerë bashkohen në studim. Drejtoresha e këtij institucioni shkroi: «Ky grup studimi jep një mbështetje frymore dhe vazhdon të rritë mirëqenien e atyre që banojnë këtu. Ata, pa dyshim, e duan studimin biblik.» Ajo çmoi se sa stimuluese ishte nga ana mendore kjo gjë për të moshuarit. Për kënaqësinë e personelit, një grua plakë, e cila nuk kishte folur qëkurse kishte ardhur në azil, filloi të komentojë gjatë studimit. Një burrë i moshuar, i cili nuk kishte marrë pjesë kurrë në ndonjë nga aktivitetet e tjera të grupit në azil, ishte i etur të merrte pjesë në studimin e Biblës.

Një motër në Kili, ndërsa ishte duke dëshmuar në një varrezë, foli me një grua që kishte humbur djalin e saj 12-vjeçar në një aksident. Ajo nënë e pikëlluar shkonte te varri i djalit të saj dy herë në ditë. Dëshmitarja ndau me të shpresën e ringjalljes dhe filloi një studim biblik. Gruaja foli me një fqinjë të saj së cilës i kishte vdekur, gjithashtu, djali dhe që shkonte përditë te varri i tij. Edhe ajo filloi të studionte. Nëna e kësaj gruaje, ndërsa vizitonte varrezat, i kërkoi priftit të saj që të kryente një shërbim për nipin që i kishte vdekur. Për shkak të reagimit jo të pëlqyeshëm të priftit, ajo e ndërpreu vajtjen në kishë dhe filloi të studionte Biblën. Tani, që të trija këto gra e ndajnë shpresën e tyre të sapogjetur me persona të tjerë në varreza.

A do të pranonit që Jehovai t’ju përdorte për të ndihmuar dikë që të mësonte të vërtetën edhe pse aftësitë tuaja personale mund të jenë të kufizuara? Një misionare në Kosta Rikë bëri pikërisht këtë gjë. Ajo nuk ishte akoma në gjendje të komunikonte mirë në spanjisht. Me gjithë këtë ajo filloi një studim biblik me Anën, një katolike e devotshme. Broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? u përdor bashkë me Biblën. Ana nuk shikon mirë, kështu që ajo thjesht dëgjonte kur lexoheshin paragrafët dhe shkrimet; më pas komentonte rreth tyre. Gjatë një jave Ana i bëri këtë pohim inkurajues motrës misionare: «Nuk më bëhet vonë që nuk mund të komunikojmë në mënyrë të përsosur. Shumë nga gjërat që kemi diskutuar bashkë janë të ndryshme nga ato që mëson kisha katolike. Nëse do të kisha dëgjuar shpjegime të gjata, me fjali të ndërtuara në mënyrë të përsosur, nuk do t’i kisha besuar, por ti po m’i tregon këto gjëra drejtpërdrejt nga Bibla, pa e tepruar me fjalë të shumta, kështu që unë mund të shoh se kjo është me të vërtetë ajo që mëson Bibla.»

Nikaragua, Dëshmitarët kanë bërë një përpjekje të veçantë për t’u dhënë numra të zgjedhur të revistës Zgjohuni! mësuesve nëpër shkolla. Artikulli me temë «Çfarë shprese ka për të rinjtë e sotëm?» është një shembull i llojeve të artikujve që ishin zgjedhur. Vlera e një informacioni të tillë është e dukshme. Në një qytet, një mësuese kundërshtoi, ndërsa drejtori i një shkolle u kërkoi Dëshmitarëve që të mbanin fjalim para të gjithë nxënësve. U mbajt një simpozium prej një orë e gjysmë dhe shumë nga nxënësit kërkuan literaturë. Pas kësaj, mësuesja që më parë kishte kundërshtuar tani dëshironte që Dëshmitarët ta ripërsëritnin fjalimin në shkollën ku ajo ishte drejtoreshë. Dhe ashtu u bë. Me të u fillua një studim biblik dhe tani ajo dëshiron që Dëshmitarët të mbajnë fjalime para nxënësve çdo muaj.

Eurazia

Emri Eurazi i referohet Evropës dhe Azisë si një kontinent i tërë. Atje Jehovai i shpalli së pari lajmin e mirë Abrahamit. (Gal. 3:8) Atje, gjithashtu, Jezu Krishti hodhi themelin për një vepër ungjillëzimi që vazhdon deri në ditët tona. (Mat. 28:19, 20) Dëshmitarët e Jehovait përpiqen ta ndajnë lajmin e mirë me njerëzit e afro 80 vendeve të Eurazisë. Përveç qindra gjuhëve në të cilat Shoqata Watch Tower ishte tashmë duke shtypur literaturë biblike, që prej vitit 1995 janë shtuar edhe 36 gjuhë të tjera të planifikuara për të arritur edhe 170.000.000 njerëz të tjerë në këtë pjesë të tokës. Midis këtyre gjuhëve janë punjabi (nastalike), uzbeke, kazake, taxhike, azerbajxhanase dhe mongoleze.

Gjatë vitit 1999, në Kosovë u shtuan probleme serioze. Afërsisht 800.000 shqiptarë etnikë nga Kosova ikën si refugjatë në vendet fqinje. Rreth 500.000 prej tyre shkuan në Shqipëri. Midis refugjatëve ishin 14 Dëshmitarë të Jehovait bashkë me 8 fëmijët e tyre. Dëshmitarët në Shqipëri hapën shtëpitë e tyre dhe i ndihmuan këta vëllezër në një kohë shumë të vështirë. Kur konflikti etnik u keqësua, u bë më i qartë cili ishte shqetësimi parësor i vëllezërve kosovarë. Ata donin të siguroheshin që vëllezërit serbë ishin jashtë rrezikut. Nga ana tjetër, Dëshmitarët serbë po bënin përpjekje të veçanta për t’u lidhur me vëllezërit e tyre shqiptarë etnikë për t’u siguruar që edhe ata ishin jashtë rrezikut. Çfarë dashurie, në kontrast me urrejtjen etnike të shfaqur përreth tyre! Pas katër muajsh vëllezërit kosovarë mezi pritnin për t’u kthyer në shtëpi. Ata nuk merakoseshin për të marrë sa më shumë të mira materiale me vete. Në vend të kësaj ata kërkuan kuti me literaturë që t’i përdornin për t’u çuar të tjerëve mesazhin ngushëllues të Mbretërisë së Perëndisë.

Kur një Dëshmitare në Belgjikë foli me një grua nëpërmjet citofonit, gruaja i tha asaj hapur se për momentin nuk kishte qejf të fliste për gjëra të tilla. Motra jonë u ofrua që t’i telefononte asaj përsëri më vonë. Gruaja u habit kur me të vërtetë mori një telefonatë pak ditë më vonë. Ajo shpjegoi se duhej të transferohej dhe se i kishte kërkuar Zyrës së Asistencës Sociale për ta ndihmuar që të gjente një apartament tjetër. Mbas një bisede tjetër telefonike ato i humbën lidhjet, kështu që Dëshmitarja vendosi t’i shkruante një letër dhe e dërgoi atë në Zyrën e Asistencës Sociale. Letra u vu në dosjen që ishte hapur për gruan dhe kur ajo përfundimisht e mori letrën, pak javë më vonë, lidhja u rivendos. Pikërisht në këtë kohë Shërbimi ynë i Mbretërisë thoshte: «Nëse të gjithë ne bëjmë një përpjekje të përbashkët për të filluar studime dhe nëse lutemi për bekimin e Jehovait në përpjekjen tonë, me siguri që do të gjejmë studime të reja.» Mbasi i bëri një lutje të zjarrtë Jehovait motra i telefonoi gruas për t’i thënë se mezi priste që të studionte Biblën me të. Gruaja ra dakord. Tani bashkë me burrin ajo ndjek mbledhjet e kongregacionit dhe është duke ndarë me familjen dhe miqtë gjërat e mira që po mëson.

Një ditë me shi, një pioniere speciale e përkohshme dhe shoqja e saj e shërbimit ishin duke folur me një dyqanxhi në një qytet në Malajzi, ku më parë ishte dëshmuar pak. Një nxënëse e shkollës së mesme, e cila kishte ndaluar aty pranë, ndërsa priste që të pushonte shiu i rrëmbyeshëm, iu afrua pioniereve dhe u kërkoi nga literatura që po ofronin. Asaj iu shpjegua mundësia për një studim biblik pa pagesë në shtëpi dhe pionieret i treguan se ku banonin. Rreth një javë më vonë, ajo telefonoi. Ajo e kishte lexuar të gjithë literaturën dhe dëshironte më tepër. U fillua një studim biblik. Kjo vajzë është një lexuese e etshme, prandaj, pothuajse pas çdo vizite, kërkonte botime të tjera. Kishte raste kur ajo telefononte natën vonë për të kërkuar literaturën që rekomandohej në botime. Duke qenë se pionieret ishin në atë qytet vetëm përkohësisht, studimi u drejtua pjesërisht drejtpërsëdrejti dhe pjesërisht nëpërmjet korrespondencës. Brenda dy muajve vajza e mbaroi librin Njohuria. U predikonte shoqeve të saj dhe, gjithashtu edhe njerëzve në autobus. Ajo ka bërë një përparim të mirë dhe tani është një lajmëtare e papagëzuar, që pret me padurim të kualifikohet për pagëzim.

Një Dëshmitare në Itali zuri miqësi me një fqinjën e saj të re. Fqinja ishte kthyer në Itali nga Gjermania, pasi burrit të saj i kishin premtuar një vend pune. Sidoqoftë ai nuk e fitoi dot atë. Kështu që duke e lënë familjen e tij në Itali burri i kësaj gruaje shkoi përsëri jashtë shtetit për të gjetur punë. Ndërkohë që ai ndodhej larg, një çift Dëshmitarësh e ndihmoi gruan duke i bërë pazarin, duke i çuar djalin në shkollë, duke e ftuar bashkë me fëmijët e saj që të hanin disa vakte së bashku dhe i dhanë asaj mbështetjen morale për të cilën ajo kishte aq shumë nevojë. Gruaja i pyeti se përse e bënin të gjithë këtë. Përgjigjja? «Sepse si Dëshmitarë të Jehovait ne i duam të afërmit tanë.» Gruaja tha se ajo nuk kishte pasur kurrë kohë t’i dëgjonte Dëshmitarët, por tani ajo ishte kurioze të dinte se çfarë besonin ata. Me të u drejtua një studim i rregullt biblik; filloi, gjithashtu, që të merrte pjesë në mbledhjet e kongregacionit. Ndërkohë burri i saj u kthye në shtëpi. Dëshmitarët i ofruan edhe atij një studim biblik, por ai e refuzoi sepse nuk e kishte mendjen e qetë. Ai kishte akoma vështirësi për të gjetur punë. Kur familja u transferua në një vend tjetër të Italisë, Dëshmitarët morën adresën e Sallës së Mbretërisë atje dhe e inkurajuan gruan që të shkonte në sallë. Sidoqoftë, ajo ishte shumë e ndrojtur, dhe si pasojë nuk shkoi. Megjithatë, motra jonë i telefononte asaj çdo javë dhe e mbante të gjallë interesin që kishte për Jehovain. Me kohë, kur gruaja pa dy Dëshmitare që po jepnin dëshmi në rrugë, u kërkoi atyre një studim biblik. Ajo filloi edhe të frekuentonte mbledhjet. Ndërkohë burri i saj kishte gjetur punë. Edhe ai kërkoi një studim. Të dy tani janë të krishterë të dedikuar dhe të pagëzuar. Dy fëmijët e tyre më të rritur janë, gjithashtu, të pagëzuar dhe fëmija i tretë është një lajmëtar i papagëzuar.

Një pioniere në Luksemburg ishte thellësisht e interesuar për të takuar çdo njeri në territorin e saj. Në një shtëpi grilat e dritareve ishin gjithmonë të ulura dhe në shtëpi nuk kishte njeri. Megjithatë, një ditë kur pionierja po shkonte për të marrë vajzën e saj nga shkolla, vuri re një makinë përpara asaj shtëpie ku gjithmonë nuk kishte pasur njeri. Pa dyshim, ajo nuk kishte parashikuar të shkonte në shërbimin në fushë në atë moment, por nuk dëshironte që ta linte të humbiste atë rast. I ra ziles. Burri që u përgjigj tha se në të vërtetë nuk ishte i interesuar për Biblën, por dëshironte të dinte më tepër rreth Jezu Krishtit. Ajo i la atij librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Mbasi ajo dhe burri i saj bënë disa rivizita, u fillua një studim biblik. Por në fillim burri pranoi të studionte vetëm një herë çdo tri javë, për shkak se kishte një program të ngjeshur. Dalëngadalë, megjithatë, ai filloi të fitonte një pikëpamje të re për jetën. Kuptoi se i duhej të dedikonte më shumë kohë për të mësuar dhe për të bërë vullnetin e Perëndisë. La pingpongun, që e ndiqte në mënyrë të etshme dhe të cilit i kishte dedikuar katër net në javë. Kur e kuptoi qartësisht çështjen e asnjanësisë së krishterë, u largua nga puna e tij dhe pranoi një punë me një pagë shumë më të vogël. Si u ndie ai për faktin që bëri një ndryshim të tillë? Ai tha: «Isha i gëzuar që e bëra atë. Mbi të gjitha, dëshiroja shumë ta vija jetën time në përputhje me parimet biblike. Vazhdova të bëja progres në të vërtetën, kështu që asgjë nuk më pengonte më për t’u bërë një lajmëtar i papagëzuar dhe pesë muaj më vonë për ta simbolizuar dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.» Sa mirënjohës i është ai motrës pioniere që e kreu në mënyrë aq të plotë shërbimin e saj!

ISHUJT E TOKËS

Jehovai e fton gjithë njerëzimin, duke përfshirë edhe ata që banojnë në ishuj, që të ngazëllojnë në mbretërimin e tij. (Psal. 97:1) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., banorë nga ishulli i Kretës ishin tashmë midis atyre personave që kishin marrë këtë ftesë. Në shekullin e 20-të dhjetëra mijë njerëz që jetojnë në ishujt e tokës i janë përgjigjur asaj. Në Filipine, 132.496 persona u flasin të tjerëve rreth lavdisë së mbretërimit të Jehovait. Në ishujt që formojnë Japoninë, 222.857 veta marrin pjesë në këtë shërbim të lumtur. Madje edhe ishujve ku ka vetëm pak banorë po u jepet mundësia të ngazëllojnë me lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Dashamirësia që tregoi një vëlla pionier, në moshë të re, në Samoa, ndihmoi që të kapërceheshin paragjykimet ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Ai shkoi në një klinikë në spitalin e vendit, mori një numër dhe i thanë që të priste radhën për t’u takuar me doktorin. Megjithatë, kur u thirr numri i tij, ai ndodhej i ulur pranë një gruaje të moshuar e cila dukej më e sëmurë se shumica e të tjerëve që ishin të pranishëm, kështu që vëllai e pyeti me mirësjellje infermieren nëse mund t’ia linte radhën kësaj gruaje dhe të merrte të sajën. Infermieria u habit, por pranoi. Kur vëllait i erdhi përsëri radha, njëri nga kryetarët (matai) i fshatit të tij, kishte ardhur dhe i ishte ulur pranë. Meqë burri ishte më i sëmurë, vëllai hoqi dorë nga radha me qëllim që ta linte këtë burrë të takohej me doktorin pa humbur kohë. Kohë më vonë, vëllai ynë e takoi përsëri gruan e moshuar, këtë herë në treg. Ajo ishte shumë e lumtur që po takohej me të dhe e pyeti nëse ishte një Dëshmitar i Jehovait. Kur mori një përgjigje pozitive, ajo i tha se në të kaluarën nuk i kishte pritur Dëshmitarët kur i kishin bërë vizitë në shtëpi, por tani e kuptonte që ata i duan me të vërtetë të afërmit e tyre. I la adresën dhe filloi një studim të rregullt biblik. Po, ç’kishte ndodhur me kryetarin e fshatit? Ai i tha të atit të pionierit se ndërsa më parë nuk kishte pasur respekt për Dëshmitarët, tani i mirëpriste ata në shtëpinë e tij. Erdhi në Përkujtim dhe tha: «Ka raste kur diçka që në fillim nuk të pëlqen, më vonë të hyn në zemër.»

A është praktike që të përpiqesh të fillosh studime biblike në një territor tregtar? Ndonjëherë po. Një pionier special në Qipro i linte rregullisht revistat një biznesmeni. Kur burri tregoi çmueshmëri për atë që po lexonte, pionieri, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon? i demonstroi se si bëhet një studim biblik. Studimi u mbajt pikërisht aty, në vendin e punës së atij burri, por duke marrë parasysh rrethanat, pionieri e kufizon atë në 10 ose 15 minuta çdo herë.

Guadelupë i vihet një theks i veçantë dëshmisë rrugore. A është vërtet e nevojshme dëshmia rrugore kur në vend ekziston raporti 1 lajmëtar në çdo 55 banorë? Kur janë në shtëpi, njerëzit gjithnjë e më shumë e kanë mendjen te shikimi i televizorit me satelit ose me antenë të thjeshtë. Është më e lehtë të ndalojnë dhe ta dëgjojnë lajmin e mirë kur kanë dalë nga shtëpia. Një mbikëqyrës qarkor raportoi se duke dhënë dëshmi në rrugë një grup prej 15 lajmëtarësh në Shën Martin, brenda dy orëve shpërndau, përveç fletushkave, edhe 250 revista. Natyrisht, disa nga ata që e pranojnë me kënaqësi literaturën mund të thonë se janë gjer në grykë me punë dhe s’kanë kohë për të folur. Por kur rrethanat e jetës ngacmojnë urinë frymore të një personi, radha e punëve mund të ndryshojë. Kështu, në qytetin Le Abime, një vajzë kishte një mal me pyetje mbas vdekjes së të atit. Tani që i kishin ndryshuar rrethanat ajo dëshironte të studionte thuajse çdo ditë, së pari duke përdorur broshurën Çfarë kërkon? dhe pastaj librin Njohuria. Ajo, gjithashtu, bën kërkime në librin Të arsyetojmë dhe hedh në letër shkrimet e cituara. Ajo thotë se ndihet «tamam si mbreti në Izrael, i cili shkruante kopjen personale të Shkrimeve». Ajo ka arritur në përfundimin se ndoshta «të gjitha fetë e ashtuquajtura të krishtere e kanë Biblën, por vetëm njëra e vë në praktikë atë: Dëshmitarët e Jehovait».

Hatsuko, një prind i vetëm në Japoni, është duke rritur dy fëmijë. Për të mbajtur familjen nga ana financiare ajo kryen dy punë. Po ku e gjen kohën për t’u dëshmuar të tjerëve rreth Jehovait dhe qëllimit të tij të dashur për njerëzimin? Asaj i duhen 20 minuta për të vajtur me biçikletë, nga njëri vend i punës te tjetri. Këtë kohë vendosi që ta përdorë çdo ditë për të dëshmuar. Ajo u flet njerëzve që takon, si: kalimtarëve, blerësve në pikat e shitjes së makinave, njerëzve të ngeshëm, punëtorëve të ndërtimit dhe kështu me radhë. Fillimisht nuk ishte diçka e lehtë, pasi ajo është e ndrojtur nga natyra. Vendosi se, në vend që të fliste vetë për një kohë të gjatë, do të ishte më mirë t’ua linte fjalën revistave. Gjithashtu, pa se ishte më e lehtë të fliste me njerëzit, nëse bënte një lutje para se të nisej. Ajo ka vazhduar të dëshmojë në këtë mënyrë gjatë dy vjetëve të fundit, dhe tani jep 200 deri 300 revista çdo muaj, duke përfshirë edhe ato që jep në shpërndarjen e revistave në rrugë.

Videoja Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit, është një instrument i fuqishëm që ndihmon për të rritur çmueshmërinë e njerëzve për organizatën që po përdor Jehovai. Një grua në Australi kishte pesë vjet që merrte revistat dhe literaturë tjetër të Shoqatës. Veç kësaj, gjatë një jave, Dëshmitarët i lanë videon, me qëllim që ta shihte. Vizitën tjetër, ajo i ftoi lajmëtarët brenda në shtëpi. Gruaja e kishte parë videon dhe i ishin mbushur sytë me lot. Ajo kishte besuar te Dëshmitarët që e vizitonin, por tani po shihte se mund t’i besonte gjithashtu edhe organizatës. Atë ditë me gruan u fillua një studim formal me librin Njohuria, dhe javën që vijoi ajo mori pjesë në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë.

Kujt i drejtohen njerëzit për këshilla? Herë pas here, ndonjë gazete ose redaktorit të ndonjë reviste. Një pioniere në Kaledoninë e Re vuri re se për një pyetje të tillë, të bërë në një revistë botërore, kishte përgjigje për bukuri në një numër të revistës Zgjohuni! Ajo i shkroi personit që ngrinte pyetjen, dhe ia dërgoi letrën botuesit të revistës, duke kërkuar që ky i fundit t’ia jepte atë personit. Dëshmitarja i shkruante se kishte informacion të vlefshëm lidhur me subjektin që shtrohej për diskutim, i citoi temën, renditi disa nga nëntitujt, përfshiu pak thënie të zgjedhura dhe ofroi mundësinë për ta shqyrtuar së bashku materialin. Shpejt erdhi një përgjigje. Dëshmitarja i dërgoi një revistë Zgjohuni! dhe kjo hapi rrugën për të dhënë ndihmë të mëtejshme frymore.

Lajmëtarët në Irlandë po takojnë në territorin e tyre njerëz që vijnë nga Afrika, Evropa Lindore dhe nga Lindja. Një kongregacion i Belfastit bëri rregullime për mbajtjen e një fjalimi publik dhe të Studimit të Kullës së Rojës në gjuhën kineze mandarin. Ishin të pranishëm 22 persona të interesuar. Kjo gjë u bë e mundur si rezultat i punës së mirë që një çift misionarësh është duke bërë me disa kinezë, të cilët ose punojnë, ose ndjekin një kolegj në Belfast. Qysh prej vitit 1993 misionarët kanë drejtuar studime biblike me 75 persona, që vijnë nga 17 krahina të Kinës dhe nga qytete të ndryshme të Tajvanit. Me shumë persona të interesuar janë ruajtur lidhjet pasi janë kthyer në Kinë. Në një rast një çift po provonte kënaqësinë e një studimi biblik; më pas gruas iu desh të kthehej në Kinë, duke qenë e trishtuar pasi mendonte se atje nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte studimin e Biblës. Megjithatë, disa javë më vonë, burri tregonte i entuziazmuar se kishte marrë një lajm nga e shoqja e cila i thoshte se Dëshmitarët e kishin vizituar një ditë në vendin e punës dhe kishin lënë një shënim duke i thënë: «Miqtë e tu në Irlandë na kanë kërkuar të të bëjmë vizitë. Do të kthehemi përsëri.» Dhe e mbajtën fjalën. Një çift tjetër shkroi nga Kina: «Na ka marrë shumë malli. Në vendin tuaj kishte shumë gjëra të çmuara që nuk i shlyejmë dot nga kujtesa, por mund të themi se gjëja më me vlerë ka qenë të studioje Biblën me ju. Tani na duket sikur Bibla është guri i themelit i jetës sonë.»

[Figurat në faqen 49]

(1) Mozambik, (2) Senegal, (3) Kaledonia e Re, (4) Bolivi