Guajana Franceze
Guajana Franceze
Xhungla shtrihet kudo, tamam si një qilim i madh i gjelbër, që përhapet nga malet Tumuk-Humak në jug e deri në Oqeanin Atlantik në veri. Duke e prerë mes për mes këtë pyll të dendur shiu, lumenjtë Maroni dhe Ojapok rrjedhin nga jugu në veri, përpara se të derdhen në det. Toka që ndodhet midis këtyre lumenjve është Guajana Franceze
Shirat, të cilat zgjatin më shumë se gjysmën e vitit, krijojnë një mjedis të harlisur. Veçse, njerëzit që depërtojnë në brendësi të vendit, nuk janë të shumtë. Larg bregdetit ka pak rrugë të mira dhe pragjet e bëjnë lundrimin nëpër lumenj një sfidë. Emrat e këtyre pragjeve nënkuptojnë rrezikun që përfaqësojnë—So Fraká (Pragjet e mprehta), Gro So (Pragjet e mëdha), So Tanbur (Pragjet e daulleve), So Lesé Dedé (Pragjet që të lënë të vdekur), A Dje Vat (Ky është fundi).
Pylli përmban më shumë se një mijë lloje pemësh, orkidesh marramendëse dhe bimësh të tjera që lulëzojnë në mjedisin e lagësht tropikal. Këtu rriten më shumë se 170 lloje gjitarësh, 720 lloje zogjsh dhe lloje të panumërta insektesh. Ka gjarpërinj të mëdhenj anakonda, krokodilë të Amerikës Jugore të quajtur kajmanë, jaguarë dhe mizangrënës, por ato shpesh nuk shihen, pasi largohen fshehurazi kur dallojnë praninë e njeriut. Gjatë shtigjeve dhe sipër lumenjve, flutura me ngjyrë blu të shndritshme fluturojnë të shkujdesura dhe zogj me ngjyra të shkëlqyeshme hidhen nga pema në pemë.
Aq sa është e shumëllojshme bota bimore e shtazore, aq të larmishëm janë njerëzit dhe kulturat. Fshatrat e indianëve të Amerikës janë të shpërndara përgjatë bregut të detit dhe lumenjve. Masa e njerëzve të thjeshtë përbëhet nga popullsia galibi, arauak, palikyr, uajana, emrijon dhe ojanpi.
Pjesa më e madhe e popullsisë së këtij vendi të vogël të Amerikës së Jugut është përqendruar përgjatë bregut të detit dhe në kryeqytetin Kajenë. Në komunitete që ndodhen pranë lumenjve, në kufi me Surinamin, jetojnë zezakët e kaçubeve, të cilët janë pasardhës të skllevërve të arratisur, që u sollën nga Afrika për të punuar në plantacione. Ata flasin një gjuhë kreole të quajtur sranantongo. Rreth njëqind vjet më parë, erdhën imigrantë aziatikë nga Singapori, Vietnami e Kina. Në vitin 1977 filluan të vinin mongët, si refugjatë politikë nga Laosi. Së bashku me aziatikët, imigrantët nga Martinika, Guadalupa, Haiti, Brazili, Surinami, Republika Domenikane, Shën-Luçia, Libani, Peruja dhe Franca metropolitane përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë prej më shumë se 150.000 banorësh.
Një jetë e ashpër
Evropianët e parë mbërritën këtu rreth vitit 1500, por përpjekjet e tyre të para për t’u vendosur në këtë vend nuk patën sukses. Mjedisi ishte shumë i ashpër. Sidoqoftë, në shekullin e 17-të, territori që tani përbën Guajanën Franceze u bë një koloni e Francës. Më vonë, persona të dënuar me afate të gjata u dërguan nga Franca në kampet e ndëshkimit, për të kryer punë të detyruar, në vende të tilla, si Kajenë, Kuru dhe në portin e Sen-Lorenit. Të burgosurit politikë u dërguan në Ishullin e Djallit, ku mbijetoi vetëm një numër i vogël. Ato kampe burgimi ka kohë që janë mbyllur. Tani, Kuru është vendndodhja e qendrës evropiane të lëshimit të satelitëve. Ndonëse Guajana Franceze ndodhet 7.100 kilometra
larg Evropës, ajo ende është zyrtarisht një krahinë administrative e Francës, një zyrë jashtë shtetit francez, e kështu bën pjesë edhe në Bashkimin Evropian.Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, afro 300 vjet pasi Sër Uollter Relai tregoi një legjendë lidhur me një qytet ari në këtë vend, më në fund u zbulua ar. Pa marrë parasysh rreziqet dhe të shtyrë nga ethet e arit, rreth viteve 20 të shekullit të 20-të, afro 10.000 njerëz depërtuan thellë në brendësi të pyllit të shiut, me shpresën që të pasuroheshin sa hap e mbyll sytë.
Më pas erdhën njerëz të tjerë, të cilët gjithashtu, kishin guximin e nevojshëm për të përballuar ashpërsinë e jetës në Guajanën Franceze. Megjithatë, këta nismëtarë erdhën për të dhënë, jo për të marrë.
Mbillen farat e së vërtetës biblike
Këta nismëtarë të guximshëm sollën me vete lajmin e mirë të Fjalës së Perëndisë. Ata u folën njerëzve rreth qëllimit që ka Perëndia për t’i dhënë fund sëmundjeve dhe vdekjes, për t’i ndihmuar njerëzit e të gjitha kombeve që të jetojnë së bashku si vëllezër dhe për ta kthyer tokën në një parajsë. (Isa. 2:3, 4; 25:8; 33:24; Zbul. 7:9, 10) Ishin duke marrë pjesë në veprën e parathënë nga Jezu Krishti, kur tha që ky lajm i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohej «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet» përpara se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Kjo vepër e rëndësishme ungjillëzimi filloi në Guajanën Franceze në vitin 1946. Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait të hershëm që erdhën në Guajanën Franceze ishin nga vende që janë pjesë e Francës, si Guadalupa, Martinika, si dhe nga Guajana Holandeze (e njohur tani si Surinami), që gjendet pikërisht në perëndim.
Farat e para të së vërtetës u mbollën nga vëllai Olga Laaland, një shërbëtor i zellshëm nga Guadalupa. Në dhjetor të vitit 1945, ai bëri një udhëtim për të vizituar nënën dhe
vëllezërit e tij mishorë, të cilët jetonin afër lumit Mana, në brendësi të Guajanës Franceze. Për të shkuar në fshatin e nënës së tij iu deshën disa ditë udhëtim me kaike. Gjatë rrugës, ai përfitoi nga ndalesat e natës nëpër strehë të vogla, të hapura e të mbuluara me gjethe palme, për të predikuar dhe për të shpërndarë literaturë biblike. Kur arriti në fshatin e nënës së tij, të quajtur Ho-Suvnir, ndau me gëzim lajmin e mirë të Mbretërisë me familjen. Për habinë dhe zhgënjimin e tij, ata e quajtën demon. Në këtë atmosferë jomiqësore, në vitin 1946, ai kremtoi Përkujtimin e vdekjes së Jezuit vetëm me vëllezërit e tij më të vegjël në auditor. Pas pak kohësh, e ëma, e shtyrë nga prifti i vendit, e përzuri nga shtëpia, duke i thënë: «Demonët nuk mund të jetojnë në shtëpinë time!» Reagimi i saj negativ nuk ia zbehu zellin.Gjatë udhëtimit të kthimit, ai predikoi kur bëheshin ndalesa në minierat e arit dhe në degrads ose pikat e shitjes. Një natë ai dhe pasagjerët e tjerë po flinin në një kasolle në breg të lumit. Një rrebesh tropikal bëri që një pemë të binte me zhurmë të tmerrshme. Nga frika Olga u zhyt në lumë, pa e ditur që ujërat ishin të mbushur me pirana (peshq mishngrënës). Kur doli që andej i padëmtuar, burrat që ishin me të u bindën se duhej të kishte fuqi hyjnore, ndaj e shihnin me respekt të thellë. Kjo i bëri edhe më të hapur ndaj mesazhit që po jepte.
Vëllai Laaland më në fund arriti në Mana, një fshat me 800 banorë në bregun e oqeanit Atlantik. Gjatë gjashtë muajve të parë të qëndrimit aty, ai organizoi mbledhje dhe u mësoi rregullisht dhjetë personave të vërtetat biblike që sjellin liri të vërtetë. (Gjoni 8:32) Njerëzit i ngjitën nofkën Per Paltó (Atë xhaketa), për shkak se vishte një xhaketë, ndryshe nga prifti vendës, të cilin e quanin Atë fustani. Ndonëse vëllait Laaland i mbaroi literatura, ai mbante fjalime publike dhe u predikonte me zell të gjithëve që e dëgjonin. Krijoi reputacionin si një orator energjik, që nuk ngurronte të bënte diskutime të zjarrta me klerin vendës.
Afro dy vjet pas vizitës që i bëri nënës së tij vëllai Laaland u kthye në Guadalupë. Asnjeri nuk u pagëzua si pasojë e predikimit të tij, por kishte mbjellë shumë fara. Frytet do të vinin më vonë.
Punëtorë nga vende të ndryshme
Në vitin 1956, Shoqata Watch Tower i kërkoi Vim van Sejlit, nga dega e Surinamit, që të shkonte në Guajanën Franceze. Ai tregon: «Me një avion të vogël shkuam nga Sen-Loreni në Kajenë dhe qëndruam për rreth tri javë në një hotel të vogël. Punuam një pjesë të madhe të Kajenës me librin La vi eternel [ Jeta e përhershme], duke shpërndarë disa qindra kopje. Më në fund, interesi u gjet, por për shkak të njohurisë sonë të pakët në gjuhën franceze, ishte e vështirë që të fillonim studime. Prezantimi ynë nga shtëpia në shtëpi ishte: ‘Kemi mbërritur dje me avion në Kajenë për të predikuar lajmin e mirë.’ Pas dy javësh ende fillonim me frazën ‘Dje mbërritëm në Kajenë’, pasi ishte i vetmi prezantim që dinim në frëngjisht. Në një teatër të vjetër që nuk përdorej më, shfaqëm filmin Shoqëria e botës së re në veprim. Teksti u përkthye në gjuhën patua nga një burrë dhe më pas në frëngjisht nga një grua.» Në atë vend kishte mjaft interes, por, si do të kultivohej?
Nga Surinami erdhën më shumë Dëshmitarë për të ndihmuar. Paul Narendorpi dhe Sesil e Nel Pinasi, ishin disa prej tyre. Fare pak nga ata që erdhën mund të flitnin frëngjisht.
Ndihma erdhi, gjithashtu, nga një burim i papritur. Në Dankerk të Francës, një familje kishte studiuar Biblën. Vetëm djali
16-vjeçar, Kristian Bonkasi, vazhdoi të shfaqte interes. Kur familja u zhvendos në Kajenë, Kristiani u foli shokëve të shkollës për gjërat që kishte mësuar nga Bibla. Një prej tyre tregoi interes dhe po ashtu edhe tri motrat e tij. Kristiani i shkroi Shoqatës për ndihmë.Rreth asaj kohe, Ksavier dhe Sara Nolli ishin kthyer në Martinikë, pasi ishin diplomuar në Shkollën e Galaadit në vitin 1958. Shoqata i kërkoi vëllait Noll që të shkonte në Guajanën Franceze për të ndihmuar grupin e vogël. Ishte një udhëtim me anije të vogël që zgjati dhjetë ditë, gjatë të cilit Ksavierit iu desh të flinte në kuvertë.
Me të ardhur në Kajenë, vëllai Noll u prit në mënyrë miqësore nga të interesuarit. E ftuan që të hante bashkë me ta gjatë kohës që do të qëndronte dhe morën masa që të kishte një dhomë të këndshme në një hotel që administrohej nga një i ish-dënuar. Çdo ditë, vëllai Noll bënte studime biblike e biseda frymore me Kristianin dhe familjen që ishte treguar aq mikpritëse. Njohuria e tyre për Biblën u bë edhe më e thellë. Brenda pak javësh, Kristiani shprehu dëshirën për t’u pagëzuar; të njëjtën gjë bëri shoku dhe dy nga motrat e tij. Ndonëse një rrebesh shiu e bëri të pamundur që vëllai Noll të mbante fjalimin e pagëzimit në plazh, siç ishte planifikuar, e mbajti atë ndërsa grupi ishte ulur në automobilin e tyre të vogël. Më pas, vazhduan me pagëzimin, i pari i mbajtur nga Dëshmitarët e Jehovait në Guajanën Franceze.
Gjatë qëndrimit të tij në vend, vëllai Noll e përdori mirë kohën në shërbimin në fushë. Në një javë e shpërndau pothuajse
të gjithë literaturën që kishte. Mbajti vetëm një revistë, për t’ua treguar njerëzve si bazë për të bërë pajtime. Brenda tri javësh bëri 70 pajtime, duke përfshirë rreth dymbëdhjetë në gjuhën kineze. Si i shpjegonte gjërat në kinezisht? Nxirrte fotografinë e tij të Shkollës së Galaadit, duke treguar studentët kinezë të klasës dhe përdorte shumë gjeste. «Ajo metodë pati sukses»,—thotë ai. Midis atyre të cilëve u dëshmoi ishte edhe Mishel Valari, vëllai i të cilit kishte qenë prift, kurse ai vetë po kërkonte ar në brendësi të vendit. Pasi u largua vëllai Noll, Kristian Bonkasi mori drejtimin e veprës së grupit të vogël që gjendej në Kajenë.Pak kohë pas kësaj, në vitin 1960, dega e Guadalupës u caktua që të mbikëqyrte predikimin e lajmit të mirë në Guajanën Franceze. Sa dobiprurëse ishte për ta të merrnin ndihmë nga një bazë më e rregullt! Ishte hedhur themeli dhe tani duhej ngritur, pak e nga pak, ndërtesa. Për këtë qëllim, në vitin 1960, u dërgua Oktav Telizi nga Martinika për të shërbyer si pionier special. Ai vazhdoi të vizitonte ata që ishin pajtuar në revistat tona dhe ata që kishin marrë botime të tjera të Shoqatës Watch Tower. Po atë vit, Theofaní Viktori, edhe kjo nga Martinika, u transferua në Guajanën Franceze për të shërbyer dhe pas pak kohësh u caktua pioniere speciale.
Vite më parë, më 1954, Van Pardoja, një holandez dhe gruaja e tij nga Martinika ishin transferuar në Paramaribo, në Surinam, ku gruaja takoi Dëshmitarët. Vitin që pasoi, u transferuan në Sen-Loren, pikërisht duke kaluar lumin Maroni, i cili ndan Surinamin nga Guajana Franceze. Dy Dëshmitarë nga Surinami, vëllezërit Pinas dhe Libreto, e kalonin lumin Maroni me kaike çdo tre muaj, për pesë vjet me radhë, që ta ndihmonin çiftin të rritej në njohurinë e Jehovait dhe në kërkesat e tij. Në dhjetor të vitit 1960, në një kongres në Paramaribo, në Surinam, gjatë një vizite që bëri Milton Hensheli
nga selia botërore e Shoqatës Watch Tower, çifti Van Pardó bashkë me dy të tjerë nga Guajana Franceze, u pagëzuan.Në maj të vitit 1961, Nikolá Brizar, mbikëqyrësi i degës së Guadalupës, vizitoi grupin prej 16 lajmëtarësh në Kajenë për të marrë pjesë në asamblenë e parë qarkore që do të mbahej atje. Përveç kësaj, ai shfaqi filmin Lumturia e shoqërisë së botës së re, para një auditori prej 250 vetash. Reagimi i shkëlqyer e nxiti që të shfaqte një film tjetër—Shoqëria e botës së re në veprim. Një reagim i ngjashëm u vu re kur filmi u shfaq në Sen-Loren. Zëvendëskryetari i bashkisë së Sen-Lorenit ishte kaq i prekur, saqë tha: «Është hera e parë në jetën time që kam parë diçka të tillë.» Ndërsa u jepte dorën vëllezërve, pyeti: «A i keni kërkuar leje kryetarit të bashkisë që të përdorni sallën e qytetit për të shfaqur filmin? Do të flas me të nesër për këtë punë.» Leja u dha, jo vetëm për të shfaqur filmat, por edhe për të mbajtur një fjalim publik çdo natë. Gjatë asaj vizite të paharruar, më shumë se 500 persona, panë filmat e Shoqatës dhe dëgjuan fjalimet e bazuara në Bibël. Zëvendëskryetari i bashkisë tha: «Kemi nevojë për njerëz si ju, si Dëshmitarët e Jehovait.» Rreth dy vjet më vonë, në mars të vitit 1963, u formua kongregacioni i parë i Dëshmitarëve të Jehovait në Kajenë. Mbledhjet mbaheshin në një shtëpi të vogël në periferi të qytetit, në një vend të quajtur Monakoja e Vogël.
Si e morën të vërtetën?
Midis pjesëtarëve të kongregacionit të parë ishin vëllai dhe motra Silvestër, që të dy me origjinë nga Martinika. Si u bënë Dëshmitarë të Jehovait ata? Një ditë, më 1952, kur zj. Silvestër po shkonte te dyqani i ushqimeve, një ish i burgosur i Ishullit të Djallit e pa dhe i kërkoi asaj që të merrte disa libra për t’ia dhënë të shoqit. Ajo nuk e dinte se ku i kishte gjetur librat, por midis tyre kishte botime të Shoqatës Watch
Tower. E dinte se të shoqit i pëlqente t’i lexonte ato, kështu që i mori me vete. Ajo kujton: «Kur i vura në tryezë, sytë më zunë titullin ‘Le të jetë Perëndia i vërtetë’. Menjëherë më lindi interesi për këtë libër që fliste për Perëndinë. Kur im shoq erdhi në shtëpi, i tregova çfarë kisha lexuar për emrin e Perëndisë, adhurimin e idhujve dhe se ç’kishte qenë në të vërtetë fruti i ndaluar. Kurrë më parë nuk kisha dëgjuar gjëra të tilla. U binda menjëherë që kjo ishte e vërteta. Pa humbur kohë, vendosa të mos merrja pjesë më në mbledhjet fetare. Megjithëse nuk i kisha takuar kurrë Dëshmitarët, fillova t’u flitja miqve rreth asaj që po mësoja me anë të këtij libri dhe i inkurajova të gjithë ata që banonin afër meje ta lexonin. Nëntë vjet më vonë, një grua, Theofaní Viktori, trokiti në derën time dhe më ofroi dy revista Zgjohuni! Ndërsa po largohej, e pyeta se cilës fe i përkiste. ‘Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait’,—u përgjigj ajo. ‘Pa shiko,—thirra unë,—kam nëntë vjet që po ju pres! A mund të lëmë një takim bashkë?’» Me kohë, ajo dhe burri i saj morën një qëndrim të vendosur për adhurimin e Jehovait.Mishel Valari, i cili më parë ishte takuar në vendin e punës me Ksavier Nollin, ishte gjithashtu, midis atyre që e përqafuan të vërtetën kur në vend kishte pak Dëshmitarë të Jehovait. Kur filloi të ndiqte mbledhjet që mbaheshin nga Dëshmitarët, dalëngadalë e kuptoi se po merrte përgjigje të kënaqshme për pyetjet që kishte. Motra Viktor i kërkoi që të studionte Biblën me të dhe ai menjëherë pranoi, por Zhana, gruaja e tij, ishte shumë e shqetësuar për këtë. Si pasojë, iu desh të studionte jashtë shtëpisë. Megjithatë, ishte i bindur se ajo që po mësonte ishte e vërteta dhe donte që ta ndante me Zhanën. Për këtë arsye zgjidhte artikuj nga revistat, të cilat e dinte se do të ngjallnin kureshtjen e saj dhe i linte në vende që mund të shiheshin kollaj. Më në fund, edhe
ajo pranoi të fillonte një studim biblik dhe në vitin 1963 u pagëzuan që të dy. Fëmijët, gjithashtu, pranuan të vërtetën dhe njëri prej tyre, Zhan-Daniel Mishoti (djali i Zhanës përpara se të martohej me Mishel Valarin), shërben si anëtar i Komitetit të Degës.Ndodhi që, ndërsa po studionte në Francë, Pol Shang Uingu, një mësues i ri nga Guajana Franceze, takoi Dëshmitarët. Ai ishte i zhgënjyer nga situata botërore dhe nga qëndrimi i njerëzve. Kishte ndjekur organizatën e Frimasonëve, por aty nuk gjeti përgjigje për pyetjet që e mundonin. Ishte i bindur se e vërteta duhej të gjendej diku dhe mori vendimin ta kërkonte. Takimet me Dëshmitarët e Jehovait e bindën se e kishte gjetur. Kur u kthye në Guajanën Franceze, u takua me Mishel Valarin dhe u gëzua shumë kur mësoi se shumë afër shtëpisë së tij ndodhej një Sallë Mbretërie. U pagëzua më 1964 gruaja e tij vitin pasues. Bëri përparim të shpejtë. Nevoja për burra të aftë e të gatshëm në kongregacion ishte kaq e madhe, saqë u emërua shërbëtor i kongregacionit pikërisht një vit më vonë. Ai ndihmoi për formimin e disa kongregacioneve. Tani shërben si anëtar i Komitetit të Degës.
Mbështetje lajmëtarëve të izoluar
Kongregacioni i Kajenës po rritej, por lajmëtarët nuk i kufizonin përpjekjet vetëm në territorin e tyre. Vëllezërit nga Kajena bënin në mënyrë periodike vizita gjatë fundjavëve, për të mbështetur grupet e vogla me lajmëtarë të izoluar
në Sen-Loren, Mana dhe Irakubo. Programi i udhëtimeve të tilla ishte i ngjeshur. Fillimisht udhëtonin përgjatë bregut, nga Kajena në Sen-Loren, në kufi me Surinamin. Në orën 18.00 të ditës së shtunë, mbahej një mbledhje që përfshinte një fjalim publik dhe Studimin e Kullës së Rojës. Pasi qëndronin një natë, udhëtonin për në veri, drejt Manës, me qëllim që të fillonin mbledhjen në orën 8.00 të mëngjesit. Pasi hanin drekë në piknik, në kthim, rrugës për në Kajenë, ndalonin në Irakubo për të mbajtur të njëjtin program, duke filluar në orën 15.00. Më pas drejtoheshin për në Kajenë.Ato ishin fundjavë maratonë, por ata që morën pjesë kanë kujtime të paharrueshme. Udhëtimi ishte 250 kilometra vetëm vajtje. Rrugët ishin me dhé të kuq e plot me gropa. Pas shiut tropikal, rruga përmbytej dhe ndonjëherë kishte edhe një metër ujë lartësi. Vëllezërit duhej të pritnin disa orë derisa ujërat të binin e pastaj të vazhdonin rrugën. Ishte e nevojshme që pesë ose gjashtë automjete të udhëtonin së bashku në një karvan, për shkak se gropat në rrugë ishin kaq të thella, saqë makinat shpesh ngecnin. Në raste të tilla, vëllezërit duhej të pritnin pemë të vogla në pyll dhe t’i shtrinin trungjet sipër gropave. Më pas, çdonjëri i shtynte makinat përpara. Makina e parë që kalonte mbi një gropë të madhe ndihmonte për të tërhequr të tjerat. Kishte edhe vonesa ndërkohë që pritnin tragetet në Kuru dhe Manë. Ndërsa pritnin, vëllezërit sulmoheshin nga mushkonjat, megjithatë e përdornin kohën për t’u ofruar revista kalimtarëve.
Grupet e izoluara të lajmëtarëve ndërtoheshin shumë nga këto vizita dhe shprehjet e tyre të mirënjohjes linin në hije çdo problem që hasnin vëllezërit gjatë udhëtimit. Dobitë ishin dypalëshe. Vëllezërit nga Kajena ishin, gjithashtu, shumë të inkurajuar nga mikpritja dhe zelli që tregonin vëllai e motra Van Pardó, motra Fenten, motra Bartaban dhe motra Mat. 28:19.
Defretas. Më vonë u morën masa që vëllai e motra Fleró, nga Guadalupa, të shërbenin si pionierë specialë në këtë zonë, e ata bënë një punë të shkëlqyer duke kultivuar interesin. Për të përmbushur detyrën e ngarkuar nga Jezui që të ‘bëjnë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’, Dëshmitarët e Jehovait nuk i kanë lënë pas dore banorët e Guajanës Franceze.—Përparim i ngadaltë, por i sigurt
Në vitin 1970 kishte 129 lajmëtarë në kongregacionin e Kajenës dhe grupe të izoluara ishin aktive në Sen-Loren dhe Kuru. Shifrat ishin të vogla, por Dëshmitarët e Jehovait po bëheshin të mirënjohur në vend. Megjithatë, përparimi ishte i ngadaltë. Kaluan edhe dhjetë vjet të tjerë para se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në vend të dyfishohej.
Përparimi frymor u pengua nga vështirësia që kishin disa për të pranuar këshillën e Biblës rreth përjashtimit e pendimit. Midis lajmëtarëve u shfaqën përçarje. Disa i mbështetën vendimet e trupit të pleqve; të tjerë jo. Mbikëqyrësit udhëtues nga Guadalupa erdhën për të rishikuar me vëllezërit udhëzimet që jepte Trupi Udhëheqës lidhur me këtë çështje. Ata që e pranuan drejtimin që erdhi me anë të kanalit të Jehovait, lulëzuan.
Një faktor tjetër që ndikoi në frymën e lajmëtarëve ishte qëndrimi i njerëzve ndaj predikimit tonë në Kajenë. Kisha katolike kishte shumë ndikim. Kleri i përbuzte Dëshmitarët dhe i shtynte besimtarët kundër tyre. Kjo nuk i frenoi vëllezërit. Në fakt, për zellin e tyre flitej kudo në komunitet. Kur njerëzit nuk i hapnin dyert, Dëshmitarët shkonin në pjesën e prapme të shtëpive për të kërkuar njerëzit që mund të ishin fshehur në oborrin e pasmë. Disa vëllezër u përfshinë në diskutime të zjarrta rreth sabatit me adventistët dhe rreth zjarrit
të ferrit e pavdekshmërisë së shpirtit me evangjelistët. Ato diskutime mund të zgjatnin nga mëngjesi deri në mbrëmje.David Morója, i cili kishte ardhur nga Martinika për të shërbyer si mbikëqyrës qarkor, rikujton një nga ato diskutime. «Ishim duke folur me një të ri kur një pastor i Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë erdhi e u fut në diskutim. Ai ngulte këmbë për të folur rreth sabatit. Virgoja, vëllai ynë, tha se kishte ardhur për të folur për Mbretërinë e Perëndisë, por sidoqoftë, biseda kaloi te tema e sabatit. Pastori deklaroi: ‘Sabati vjen nga Perëndia. Madje edhe në Parajsën që do të vijë do të praktikojmë ende sabatin!’ Ai citoi Isainë 66:23, që thotë: «Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para meje, thotë Zoti.» Vëllai Virgo e pyeti pastorin: ‘Atëherë sipas këtij vargu, çfarë ishte të mërkurën që kaloi?’ Pastori, i mbushur në djersë, u përpoq të jepte disa përgjigje, por nuk ishte në gjendje të bënte një lidhje midis së mërkurës së kaluar dhe vargut. ‘Ishte hëna e re, or burrë! Ja, pra, shih! Ju praktikoni sabatin, por harroni hënën e re! Po i hiqni Biblës më shumë se shkronjën më të vogël.’» Virgoja i tha më pas Davidit: «Nuk dal kurrë në shërbim pa e kontrolluar më parë kalendarin, për të parë kur është hëna e re, pasi ka mundësi që të takoj ndonjë adventist.»
Megjithëse vëllezërit ishin bërë të aftë për të mbrojtur bindjet e tyre, disa po përqendroheshin më shumë në fitimin e diskutimeve, sesa në kërkimin e deleve. Nevojitej stërvitje për t’u dëshmuar me efektshmëri njerëzve dhe Jehovai e dha ndihmën e nevojshme.
Misionarët hapin territore të reja në brendësi
Nga fundi i viteve 70, misionarë të stërvitur në Shkollën e Galaadit, si edhe pionierë nga Franca, të cilët ishin të caktuar drejtpërsëdrejti në shërbimin misionar, filluan të vinin në Guajanën Franceze. Filloi vepra e rëndësishme për të stërvitur
dhe forcuar kongregacionet. Vëllezërve iu mësua si të jepnin një dëshmi më me takt e më të efektshme. Misionarët, gjithashtu, morën drejtimin për të predikuar midis grupeve të ndryshme gjuhësore në vend. Në pak kohë, vëllezërit vendës kopjuan këta shembuj dhe filluan të mësonin gjuhët angleze, portugeze, sranantongo dhe galibi, që është një gjuhë që përdoret nga indianët e Amerikës. Sot, zyra e degës në Guajanën Franceze siguron literaturë për t’u shpërndarë në 18 gjuhë.Në prill të vitit 1991, Zhonadab Laalandi dhe gruaja e tij, që të dy të diplomuar në Shkollën e Galaadit, të cilët kishin qenë duke shërbyer në Kaledoninë e Re, u caktuan në zonën e Kurusë, për të forcuar kongregacionin që ndodhej aty. Babai i Zhonadabit, Olga Laalandi, kishte mbjellë disa nga farat më të hershme të së vërtetës biblike në Guajanën Franceze. Tani, në Kuru e lavdërojnë Jehovain më shumë se 280 lajmëtarë.
Misionarët, gjithashtu, bënë përpjekje për të hapur territore të reja, veçanërisht në brendësi, që është një territor i vështirë për t’u futur. Ata nuk u stepën nga fakti që do të përballeshin me sëmundje të tilla tropikale, si malaria, që do të ndeshnin gjarpërinj, do të duronin mizëritë e insekteve, do të lundronin nëpër lumenj të fuqishëm dhe pragje të rrezikshme për të shkuar në fshatra të izoluara, si dhe që do të përballonin shirat e rrëmbyeshëm dhe baltën.
Eli dhe Luset Régaladi bënë shumë punë të shkëlqyer në Kajenë dhe Sen-Loren. Ata, gjithashtu, punuan një territor të paprekur më parë, përgjatë pjesës së sipërme të lumit Maroni, në kufirin perëndimor të vendit. Bashkë me një grup të vogël vëllezërish, kryen një ekspeditë trijavore predikimi në të gjitha fshatrat e lumit, nga Sen-Loreni deri në Maripasula. Ky udhëtim u desh të ndërpritej me qëllim që njëri nga grupi
të mund të kurohej në Sen-Loren për një rast të rëndë malarieje. Por fushatat e predikimit në brendësi të vendit vazhduan e, në këtë mënyrë, njerëzit atje mund të dëgjonin lajmin e mirë.Për të shkuar në Sent-Elí, një fshat i themeluar nga eksploruesit që kërkonin ar në shekullin e 19-të, duhet të udhëtosh për shtatë orë me kaike, nga bregu i lumit Sinamari deri në qendër të vendit. Ky udhëtim pasohet nga një udhëtim dyditor prej 30 kilometrash përmes xhunglës, me një çantë të rëndë në kurriz. Kushdo që dëshmon atje duhet të marrë me vete ushqim të mjaftueshëm për tri ditë dhe një furnizim të mirë me literaturë. Gjatë natës nevojitet një zjarr për t’i mbajtur kafshët larg e, mbase, edhe një shtrat i varur për të fjetur. Por ç’kënaqësi ishte për dy misionarët e dërguar nga Franca, Erik Kuzinénë dhe Mishel Bukénë, të bënin atë udhëtim dhe t’u jepnin një dëshmi të plotë 150 banorëve! Njëzet persona ndoqën fjalimin me diapozitiva, që u shfaq gjatë qëndrimit të tyre.
Midis këtyre njerëzve vëllezërit gjetën një grua të quajtur Faneli, e cila po përpiqej të plotësonte nevojën frymore. Më parë ajo kishte qenë katolike. Kohët e fundit, ishte bashkuar me adventistët. Asnjeri nga feja e saj nuk i kishte bërë ndonjë vizitë në Sent-Elí. U dërgonte letra kurseve biblike, por nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje. Kur takoi Dëshmitarët, e kuptoi se vetëm ata po bënin përpjekje për t’i vizituar njerëzit në vende kaq të largëta siç ishte Sent-Elia. Fanelia studioi me vëllezërit çdo ditë, për një javë të tërë. Menjëherë, pas kësaj, u transferua në një qytet më të madh për gjashtë muaj. Gjatë asaj periudhe, studioi tri herë në javë. Kur u kthye në fshat, ishte një lajmëtare e papagëzuar. Fanelia kujdesej për burrin që nuk ishte Dëshmitar dhe për të pesë fëmijët, por zelli për të vërtetën e shtyu të harxhonte më shumë
se 40 orë në muaj për t’u dëshmuar të tjerëve. Ajo, gjithashtu, ndihmoi që të organizoheshin mbledhjet për të interesuarit. Kur bëri rregullimet për Përkujtimin morën pjesë 40 veta. Që nga ajo kohë, Fanelia është transferuar në bregdet, megjithatë vazhdon të jetë aktive në shërbim. Ajo ngazëllen që njëra nga vajzat e saj është pagëzuar dhe që i shoqi tani po studion.Ko, Uanari dhe Favari, në pjesën lindore të vendit, janë komunitete të tjera, ku fillimisht kishin predikuar misionarët. Vëllai Kuziné e kujton fare mirë udhëtimin e tij të parë të predikimit në ato vende, në vitin 1987, bashkë me disa Dëshmitarë vendës. Ata hipën në një traget dhe më pas udhëtuan me makinë për 40 kilometra, në një rrugë me dhé të kuq për të mbërritur në një moçal. Kur ndaluan makinën dëgjuan ulurima të frikshme. Vëllai Kuziné mendoi se duhej të ishin jaguarë që po bëheshin gati për të sulmuar. Por vëllezërit që po udhëtonin me të e qetësuan duke i thënë se ishte vetëm një grup me majmunë uluritës që ishin shqetësuar nga prania e tyre. Aty takuan një çift që po kërkonte të vërtetën. Ky çift u transferua në Kajenë, përparoi deri në pagëzim dhe tani shërben në fushën portugeze, në Guajanën Franceze.
Dalëngadalë, u vizituan shumë territore të tjera të largëta. Gran-Santí, Papaishtoni dhe Saueli, janë disa nga këto fshatra që nxorën dobi nga vizitat fillestare që bënë misionarët. Shumica e territoreve të paprekura më parë, tani vizitohen rregullisht nga lajmëtarët e Mbretërisë.
Predikim në Maripasula
Në Maripasula, një fshat shumë i rëndësishëm në pjesën e sipërme të lumit Maroni, mesazhi i Mbretërisë kishte arritur që prej vitit 1963. Për arsye pune, Adrian Zhan-Marí, që në atë kohë ishte një student biblik, shkonte atje tri herë në vit. Ai sa s’fluturonte nga entuziazmi për të vërtetën, kështu që e shfrytëzonte mundësinë për të dhënë një dëshmi të plotë dhe linte gjithmonë shumë botime biblike.
Ndonëse në Maripasula dëshmuan edhe të tjerë, ishte e vështirë të komunikohej me banorët që flitnin gjuhën vendëse sranantongo. E njohur nga vendësit si taki-taki, sranantongo bazohet në gjuhën angleze dhe ka marrë elemente nga holandishtja, frëngjishtja, portugalishtja dhe nga gjuhë të ndryshme të Afrikës e Indisë. Dega e Surinamit dërgoi në Maripasula pionierë specialë që flitnin gjuhën sranantongo, për tre deri në gjashtë muaj, por popullsia reagoi negativisht. Më në fund, vëllezërit i përzunë nga fshati me pretekstin se ishin të huaj nga Surinami. Në të vërtetë, kjo ndodhi sepse ishin Dëshmitarë të Jehovait.
Kornelí dhe Elen Langé, u dërguan si pionierë specialë në vitin 1992. Njohuria që kishin për gjuhën sranantongo e lehtësoi shumë predikimin e tyre dhe për shkak se ishin me kombësi franceze u pranuan më me gatishmëri nga banorët. Për tri ditë në javë, predikonin në Maripasula dhe për tri ditët e tjera, dëshmonin në Papaishton, që është një fshat një orë larg Maripasulës, duke udhëtuar me kaike. Në fillim i mbajtën mbledhjet në shtëpinë e tyre në Maripasula. Pas një pune dyvjeçare, tetë veta morën pjesë në Përkujtim. Ky çift ngulmoi në këtë territor të largët. Dashuria e tyre për njerëzit i ndihmoi që të duronin përballë problemeve të shumta. Më në fund, durimi i tyre u shpërblye dhe u krijuan dy kongregacione.
Një person që reagoi ndaj mesazhit të Biblës është Antuan Tafanjá, i cili konsiderohet si një anëtar i rëndësishëm i komunitetit të tij, për shkak se është një i kushëri i afërt i Gran Manit, autoritetit më të lartë në komunitetin animist. Tafanjája kishte dy shemra, që është një praktikë e zakonshme në zonën e lumit. Kështu, kur Tafanjája u radhit në anën e së vërtetës, duhej të bënte rregullime në jetën e tij ose duke u martuar me njërën nga dy gratë, ose duke mbetur beqar. Të dyja gratë, që jetonin në shtëpi të veçuara dhe që e dinin se ai do të zgjidhte njërën prej tyre, u grindën keqas. Sot, Antuan Tafanjá është i lumtur që, bashkë me një grua, i shërben Jehovait si një Dëshmitar i pagëzuar. Po, ç’ndodhi me gruan tjetër? Pas njëfarë kohe, edhe ajo filloi të studionte Biblën dhe tani është një shërbëtore e pagëzuar e Jehovait.
Vlerësimi për Dëshmitarët e Jehovait u rrit në atë zonë. Një shoqatë vendëse vuri në dispozicion, pa pagesë, një vend mbledhjeje për tre vjet. Kur erdhi koha për të ndërtuar një Sallë Mbretërie, gjysma e fletëve të llamarinës u dhurua nga këta simpatizantë. Një shoqatë tjetër vendëse zotëronte një stacion televiziv dhe i transmetoi të pesë videokasetat e Shoqatës Watch Tower që disponoheshin në atë kohë. Videokaseta Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit, u vlerësua në mënyrë të veçantë nga banorët e fshatit.
Dëshmitarët, tashmë, ishin vendosur në këtë zonë dikur armiqësore. Në vitin 1993, si Maripasula, ashtu edhe Papaishtoni kishin Salla Mbretërie dhe njerëzit që jetojnë në këtë zonë, përgjatë lumit Maroni, kanë mundësi të dëgjojnë rregullisht mesazhin e Mbretërisë.
Përgjatë lumit Ojapok
Çfarë po bëhej përgjatë kufirit lindor të vendit, aty ku lumi Ojapok rrjedh midis Guajanës Franceze dhe Brazilit? Në vitin 1973, Adrian Zhan-Marí dha një dëshmi të mirë në
qytetin e Sen-Zhorzhit. Vizita e tij e parë zgjati tri ditë. Gjatë po të njëjtit vit, ai u rikthye dy herë dhe mundi të organizonte një mbledhje publike me 20 të pranishëm. Disa studime biblike u filluan nëpërmjet korrespondencës, por kjo metodë nuk funksionoi mirë sepse studentët biblikë nuk ishin mësuar të shkruanin letra. Në Tanpak, një fshat i zezakëve të kaçubeve, që ndodhet përgjatë të njëjtit lumë, vëllai Zhan-Marí gjeti, gjithashtu, persona të interesuar për mesazhin e Biblës.Dhjetë vjet më vonë, më 1983, Etjeniz Mandija dhe Zhaklinë Lafitoja, u dërguan për të dhënë dëshmi të mëtejshme dhe për të ndihmuar personat e interesuar në këtë zonë të largët. Kur ishte e mundur, vëllezërit nga Kajena shkonin me avion në Sen-Zhorzh, për një fundjavë, me qëllim që të ndihmonin duke marrë pjesë bashkë me motrat në shërbimin në fushë, si dhe të mbanin fjalime publike. Megjithatë, përpara se të shiheshin fryte kërkohej shumë durim. Motra Mandí kujton: «Fillova disa studime biblike. Por s’kaloi shumë e prifti i vendit filloi t’i kundërvihej veprës sonë. Disa thoshin: ‘Prifti na ka thënë që të mos i dëgjojmë Dëshmitarët e as t’ju futim në shtëpi, sepse ju jeni vegla të Djallit.’ Disa nga studentët e mi nuk vazhduan më të studionin.» Megjithatë, me këmbëngulje, rezultatet erdhën.
Mishel Bukeja dhe Rishar Roseja, i cili ishte pionier special, morën pjesë, gjithashtu, në zhvillimin e interesit për të vërtetën në atë zonë. Në Sen-Zhorzh, duke filluar nga viti 1989, kur u caktuan që të përqendroheshin në territorin jashtë komunitetit, ishte dhënë shumë dëshmi. Kohët e fundit, vëllai Rose dhe gruaja e tij, patën privilegjin të ishin të parët pionierë nga Guajana Franceze që morën pjesë në Shkollën e Galaadit. Tani ata shërbejnë në Haiti.
Sapo u krijua një pikë mbështetjeje në bregun e Guajanës Franceze të lumit Ojapok, u bënë rregullime që të punohej
një territor i vogël matanë lumit në Brazil. Qyteti i Ojapokes ka 10.000 banorë dhe është rreth 20 minuta larg nga Sen-Zhorzhi me kaike. Vëllezërit e kuptuan shpejt se këtu kishte më shumë interes sesa në Sen-Zhorzh, kështu që u përqendruan në këtë territor. Vëllai Moró kujton: «Natën e kalonim në pjesën e prapme të një dyqani. Nuk ishte e lehtë të jetoje në ato kushte, megjithatë një grua e mrekullueshme, që e quante veten ‘motër’, na kishte ofruar një vend për të fjetur dhe një fuçi me ujë për t’u larë. Kur gruaja ime, Marilena, u ankua për erën e keqe të ujit, pionierët e rinj vendës ia dhanë gazit. Secili u la në errësirë, në oborrin e pasëm të shtëpisë dhe pastaj shkoi në shtrat. Megjithatë, të nesërmen në mëngjes, zbuluam të tmerruar se një mi i madh ishte mbytur në fuçi dhe kishte dalë në sipërfaqe.» Sidoqoftë, kjo nuk i zbehu përvojat e mira që po shijonin në shërbim.Në qytetin e Ojapokes, vëllai Buké mori iniciativën për të blerë një truall. Ai dhe vëllai Rose, bashkë me pionierë të tjerë dhe vëllezër nga Kajena, punuan për të ndërtuar një Sallë Mbretërie me 80 vende dhe me një apartament përbri.
Në vitet 90, një çift pionierësh specialë me mbiemër Da Kosta, erdhën në Ojapoke për ndihmë. Ata vunë si synim që të vizitonin të gjitha shkollat dhe t’u jepnin drejtorëve librin praktik Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike. Ata, gjithashtu, kërkuan leje t’ua jepnin këtë libër të gjithë nxënësve. Kjo gjë u lejua. Pasi dëgjuan se ç’përmbante libri, të gjithë nxënësit dhe mësuesit kërkuan nga një kopje. U shpërndanë 250 libra.
Vëllai Da Kosta tregon: «Patëm një bisedë të shkëlqyer me komandantin e repartit ushtarak të asaj zone dhe i dhamë një kopje të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Ai e pranoi dhe kërkoi ndihmë që të trajtonte problemin e dehjes dhe të imoralitetit midis njerëzve të repartit. I propozuam që të mbanim një fjalim para tyre. Atij i pëlqeu kjo ide
dhe premtoi që javën vijuese do të mblidhte një grup të vogël. Kur erdhëm për të mbajtur fjalimin, gjetëm 140 ushtarë që po na pritnin. Që të gjithë treguan vëmendje ndaj asaj që u tha. Lamë 70 revista; nuk kishim më të tjera me vete, sepse nuk e pritnim që të gjenim kaq shumë njerëz në mbledhje. Ky rregullim vazhdoi për disa javë. Për shkak se këta ushtarë nuk qëndrojnë gjatë në të njëjtin vend, i humbëm lidhjet me shumicën prej tyre.» Megjithatë, shumë reaguan në mënyrë të favorshme ndaj ndihmës së dhënë.Një e re, e quajtur Roza, kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët në Brazil, por nuk kishte reaguar plotësisht ndaj lajmit të mirë. Kur mori vesh se ekzistonte mundësia që të bënte shumë para, duke punuar në një minierë ari në Guajanën Franceze, e la apartamentin dhe studimin e Biblës dhe shkoi në Ojapoke, me synimin për të hyrë fshehurazi në Guajanën Franceze. Natyrisht, të jetosh midis burrave në një minierë ari në mes të pyllit, do të ishte e rrezikshme për një grua. Përpara se të nisej për të shkuar te minierat, një motër në Ojapoke, që ishte në merak për të, e ndihmoi që të rishqyrtonte situatën në të cilën ndodhej. U prek thellë nga këshilla e Biblës që gjendet në Mateun 6:25-34 dhe ndryshoi mendim. Roza ia dedikoi jetën Jehovait dhe u kthye në shtëpi. Pas disa vjet ndarjeje, u ribashkua me burrin e saj.
Tani në Ojapoke ka një kongregacion me 25 lajmëtarë. Gjithashtu, edhe përpjekjet e pesë lajmëtarëve të Sen-Zhorzhit, janë duke dhënë fryte. Banori i parë i Sen-Zhorzhit, që pranoi të vërtetën, ishte Zhan-Rëné Matureni. Sot, ai shërben si shërbëtor ndihmës dhe gruaja e tij si pioniere e rregullt.
Asamble të gëzueshme
Në kohët biblike, adhuruesit e Jehovait u udhëzuan të mblidheshin rregullisht për të adhuruar. (Ligj. 16:1-17) Në mënyrë të ngjashme, asambletë dhe kongreset kanë qenë ngjarje të shënuara për adhuruesit e Jehovait në Guajanën Franceze. Madje, edhe kur lajmëtarët ishin të paktë në numër, vëllezërit nuk i druheshin përgjegjësisë për të organizuar asamble. Një vëlla tregon: «Në vitet 60, kongreset tona krahinore zgjatnin tetë ditë. Kishte katër drama biblike. Aktorët duhej t’i mësonin përmendësh rolet dhe një grusht lajmëtarësh duhej të punonte shumë. Lumturisht, shumë vëllezër nga Martinika dhe Guadalupa vinin për të na ndihmuar në asamble.» Prania e tyre çmohej shumë nga vëllezërit. Shumë lajmëtarë kujtojnë ende me emocion ditët kur shumica e vëllezërve vendës shkonin në aeroport, për të mirëpritur delegatët që vinin nga Martinika dhe Guadalupa.
Këto grumbullime ishin vërtet raste ngazëllyese. Çdo asamble ishte një banket frymor dhe vëllezërit ndiheshin si izraelitët, të cilëve Jehovai u tha: «Do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj.»—Lev. 23:40.
Vëllezërit më me përvojë ishin tepër të zënë. Ata kujdeseshin për organizimin e kongresit, mbanin fjalime dhe shpesh luanin në disa drama. Nuk ishte diçka e pazakontë për një vëlla të merrte pjesë në tri drama dhe të mbante pesë ose gjashtë fjalime.
Përgatitja e ushqimit të bollshëm dhe shërbimi i drekës e shtonte më shumë punën. Menuja, shpeshherë, përfshinte mish derri, hardhucë, lepur amerikan (agutí), breshkë dhe armadil. Në disa raste, ndërsa ishin në kongres, vëllezërit duhej të gjuanin ose të peshkonin, për ushqimin që shërbehej.
Gjetja e vendeve për të mbajtur asambletë ka qenë gjithmonë një sfidë. Në fillim, përdorej shtëpia e vëllait Valar. Vëllezërit ndërtuan një strehë në oborr dhe çdo vit streha zgjerohej për të mbuluar auditorin që rritej. Sidoqoftë, kur pjesëmarrja kapërceu shifrën 200, ishte e domosdoshme që të kërkohej një vend më i madh. Në fillim, i vetmi vend
që disponohej për t’u marrë me qira ishin fushat e hendbollit ose të basketbollit. Vëllezërit ndërtonin një skenë dhe u kërkonin të pranishmëve që të sillnin karriget me vete. Nuk ishte e lehtë, por vëllezërit e shihnin situatën në mënyrë pozitive. Të rinjtë në moshë nuk ngurronin kurrë t’ua lëshonin vendin më të moshuarve, madje, edhe nëse do t’u duhej të qëndronin më këmbë gjatë gjithë ditës.Për vite me radhë, për asambletë, u morën me qera sallat e vallëzimit. Kur mbaronte sesioni i ditës së shtunë, vëllezërit duhej të boshatisnin sallën me shpejtësi, sepse do të vinin muzikantët, që përgatiteshin për vallëzimin, i cili do të zgjaste gjithë natën. Herët në mëngjes, vëllezërit ktheheshin përsëri për të pastruar sallën dhe për ta bërë gati për sesionin e së dielës paradite. Pa dyshim, ky nuk ishte një vend i përshtatshëm për mbledhje fetare. Kur vëllezërit u mblodhën në sallat e vallëzimit, Pallati Guajana, O Solei Levan dhe O Kanarí, kjo gjë shkaktoi tallje nga ana e personave në territor. Megjithatë, ndërsa koha kalonte, edhe këto vende nuk ishin më të mjaftueshme për të mbajtur numrin në rritje të njerëzve që ndiqnin asambletë.
Përfundimisht, vëllezërit vendosën të ndërtonin Sallën e tyre të Asambleve, duke ndjekur modelin e Sallave të Asambleve në Martinikë dhe Guadalupë. Kishte një strukturë metalike me çati prej fletësh llamarine. Ishte aq e madhe sa për të mbajtur rreth një mijë persona, megjithatë, mund të çmontohej lehtësisht. Hapi tjetër ishte që të gjendej një copë tokë ku të ngrihej Salla e Asambleve. Zhan-Daniel Mishoti vuri në dispozicion një pjesë të pronës së tij. Ky rregullim zgjati për disa vjet.
Një projekt i jashtëzakonshëm ndërtimi
Ndërkohë që rritej interesi për të vërtetën, u bë e nevojshme një Sallë Asamblesh më e madhe. Vëllezërit filluan të
kërkonin një truall aq të madh, sa të mund të ndërtonin një Sallë Asamblesh 2.000 vendëshe. Pasi kërkuan për disa vjet, gjetën një pronë prej 3 hektarësh, të vendosur në një pozicion të volitshëm e me një çmim të arsyeshëm. Meqë vëllezërit vendës nuk kishin formimin e nevojshëm në inxhinieri dhe ndërtim, iu kërkua ndihmë degës së Francës. Projekti që u mendua ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Ai përfundoi në vitin 1993. Ndërtimi përfshiu një Sallë Asamblesh 2.000 metra katrorë, pesë Salla Mbretërie, tri apartamente për pionierët specialë dhe tri shtëpi misionare. Të gjitha u ndërtuan vetëm për tetë javë.Pjesa më e madhe e materialeve u dërgua nga Franca në 32 kontejnerë të mëdhenj. Në ngarkesë kishte traktorë, kamionë, autobusë, blloqe, fletë llamarine, si edhe një sasi të madhe me ushqime. Komitetet rajonale të ndërtimit në Francë, që ishin të përfshira në projekt, punuan shumë.
Gjatë realizimit të projektit, rreth 800 vëllezër e motra erdhën nga Franca me shpenzimet e tyre, për të punuar së bashku me 500 vëllezër e motra vendës, në katër kantiere të ndryshme. Kantieri në skajin më perëndimor ishte 250 kilometra larg nga kantieri në skajin më lindor, kështu që nevojitej një komunikim i mirë. Vëllezërit francezë erdhën me turne gjatë dy muajve, por në një periudhë kishte 500 vëllezër nga Franca që punonin me 422 Dëshmitarë vendës. Sigurimi i strehimit për të gjithë punëtorët ishte një sfidë. Shumë familje vendëse mikpritën dy ose tre punëtorë francezë; asnjë nuk qëndroi në hotel. Kërkohej edhe transport për punëtorët. Një vëlla tregon: «Më duhej të bëja një shmangie me makinë nga rruga për të shkuar në punë, zbritja disa punëtorë në kantier e pastaj vija e i merrja kur kthehesha nga puna. Bëmë ç’ishte e mundur që punëtorët të ndiheshin rehat.»
Ndërsa grupi kryesor ishte në Maturí, ku ndodhej kantieri për Sallën e Asambleve (e cila ishte projektuar edhe për të
pasur një Sallë Mbretërie), të tjerët ishin në Sinamari për të ndërtuar një Sallë Mbretërie dhe një shtëpi të vogël misionare. Në Mana, po ndërtohej një Sallë tjetër Mbretërie dhe një shtëpi misionare. Në Sranantongo, që është një pjesë e Manës, po ndërtohej një Sallë Mbretërie me një apartament për pionierët specialë. Në Sen-Loren, u ndërtua një Sallë Mbretërie me 330 vende dhe një shtëpi misionare për gjashtë persona. Aty mblidhen dy kongregacione. Kjo Sallë Mbretërie e madhe përdoret për kongreset në gjuhën sranantongo, në të cilët prania shpesh arrin deri në 600 persona.Pas kësaj detyre madhështore ndërtimi, disa nga vëllezërit francezë vendosën të qëndronin në Guajanën Franceze. Përveç kontributit që dhanë me aftësitë ndërtuese, ata i bekuan kongregacionet duke shërbyer si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe anëtarë të komiteteve të ndërtimit. Më vonë, disa prej tyre, morën pjesë në ndërtimin e ndërtesave të reja të degës.
Nevojë për një Zyrë Dege
Zyra e Degës e Guajanës Franceze filloi të veprojë në vitin 1990, në një shtëpi të marrë me qira në Monzholí, një qytet i vogël afër kryeqytetit. David Morója u emërua që të shërbente si koordinatori i Komitetit të Degës. Kur shërbente në Martinikë, që nga diplomimi i tij në Shkollën e Galaadit në vitin 1981, ishte kujdesur vazhdimisht për caktimet në Guajanën Franceze. Me të, në Komitetin e Degës, ishin Zhan-Daniel Mishoti, Pol Çong Uingu dhe Erik Kuzineja. Më vonë, bashkë me ta u caktua të shërbente Kristian Beloti. Kongregacionet e çmonin pa masë faktin që drejtoheshin në shkallë lokale prej vëllezërve të pjekur, që i njihnin shumë mirë nevojat e tyre.
Kur u formua dega, ekzistonte raporti 1 lajmëtar i Mbretërisë për çdo 173 banorë. Të 660 lajmëtarët përfshinin edhe
14 misionarë të caktuar në pjesë të ndryshme të vendit. Rritja e vazhdueshme e numrit të lajmëtarëve, që në disa vite kapte shifrën 18 për qind, e bëri të nevojshme të kërkoheshin ndërtesa më të përshtatshme për zyrën. Në vitin 1992 zyra e degës u transferua për në Maturí, jo shumë larg nga Kajena. Më pas, në vitin 1995, Trupi Udhëheqës dha miratimin që të ndërtonte një ndërtesë që i përshtatej më mirë nevojave tona. U deshën dy vjet punë që kompleksi i ri të bëhej realitet. Ç’burim i madh gëzimi u bë për vëllezërit dhe sa dëshmi e shkëlqyer që u dha!Sfidat e shërbimit
Predikimi i lajmit të mirë në këtë vend kërkon shumë punë, vetësakrifikim dhe dashuri. Studentët e sinqertë të Biblës e vënë re një gjë të tillë. Një prej tyre i tha Dëshmitares që studionte me të: «Me të vërtetë, mund të shoh dashurinë dhe përkushtimin që shfaq ndaj meje. Për muaj me radhë, madje edhe kur binte shi, vije rregullisht për të më mësuar rreth njohurisë që përmban lajmi i mirë. Kështu, nga ana ime, do të jem çdo të diel në mbledhjet tuaja.» Dhe kështu bëri, madje, duke sjellë edhe disa të njohur.
Në disa raste, për të shkuar në vendin ku mbahet një studim, lajmëtarët duhet të ecin mbi një trung peme të shtrirë sipër një hendeku. Kjo gjë bëhet edhe më e vështirë kur trungu pluskon pjesërisht në ujë. David Morója, me dy krahët e hapura për të mbajtur ekuilibrin, po ecte përpara një motre pioniere, kur dëgjoi një përplasje në ujë pas shpine. Motra u ngjit me guxim përsëri në trung, u la me të mbërritur në shtëpi dhe drejtoi studimin biblik, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Në një vend tjetër, vëllai Buké shkoi me kaike në një fshat kur kishte rënë batica dhe shtrati i lumit ishte me llucë të trashë. Ndërsa ecte drejt fshatit, u zhyt në llucë deri në gjunjë. Pas rreth 25 metrash, më në fund, arriti në tokë të thatë. Fshatarët e përzemërt i dhanë ujë për të larë këmbët; më pas filloi shërbimin.
Për të takuar indianët e Amerikës ka vështirësi edhe më të mëdha sesa largësia e fshatrave dhe ndryshimet e gjuhës. Në përpjekje për t’i mbrojtur këto territore nga sulmet e qytetërimit, qeveria i ka kufizuar hyrjet për publikun. Predikimi i rregullt nuk lejohet në fshatrat e tyre. Megjithatë, kur indianët e Amerikës vizitojnë fshatrat përreth për të blerë gjërat e nevojshme, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen që të ndajnë me
ta shpresën e mrekullueshme të një bote të lirë nga të gjitha sëmundjet, duke përfshirë edhe malarien, që është një plagë për shumë njerëz këtu.Për disa, respektimi i takimeve dhe vajtja në mbledhje në një kohë të caktuar, kërkon një ndryshim të madh në mënyrën e të menduarit. Tridhjetë vjet më parë banorët vendës nuk mbanin kurrë orë dhe askush nuk nxitonte. Ardhja në orar në mbledhje ishte një koncept i ri. Një motër ishte shumë e kënaqur kur erdhi në mbledhje gjatë kohës që po bëhej lutja, vetëm se ishte lutja përmbyllëse! Në një rast tjetër, një misionar që po predikonte në Sen-Zhorzh, pyeti një burrë nëse fshati Rezhina ndodhej shumë larg. Burri iu përgjigj: «Jo dhe aq.» «Sa larg është?»—e pyeti ai. «Vetëm nëntë ditë udhë»,—ia ktheu. Ky koncept për kohën, gjithashtu, tregon përse disa, ndonëse e pëlqejnë të vërtetën, e shtyjnë vendimin për t’i shërbyer Perëndisë.
Disa duhet të bëjnë një zgjedhje midis ligjeve të fisit dhe parimeve biblike në lidhje me jetën familjare. Herë-herë, vendimi i tyre për të ecur në udhët e Jehovait ka çuar në shfrimin e egërsisë nga ana e kryetarit të fshatit. Në një fshat, një pionier special dhe gruaja e tij, që po shërbenin në atë zonë, u dënuan me vdekje nga kryetari i fshatit. Për t’i shpëtuar ekzekutimit, ata ikën nga fshati dhe më pas u transferuan në një caktim tjetër 300 kilometra larg.
Pavarësisht nga këto sfida, njerëz nga të gjitha formimet dhe stilet e jetës po i përgjigjen ftesës: «Kushdo që dëshiron të marrë falas ujin e jetës.» (Zbul. 22:17) Vitin e kaluar, një maksimum prej 1.500 lajmëtarësh mori pjesë në predikimin e lajmit të mirë në Guajanën Franceze. Mesatarisht, po drejtoheshin 2.288 studime biblike me persona të interesuar. Më 19 prill, 5.293 persona morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Lutemi me zjarr që sa më shumë persona të përqafojnë të vërtetën, duke u bërë kështu dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit!
[Figura që zë gjithë faqen 224]
[Figura në faqen 228]
Olga Laaland
[Figura në faqen 230]
Nga e majta në të djathtë: Kristian Bonkasi dhe Ksavier Noll
[Figurat në faqen 234]
Mishel dhe Zhana Valar
[Figura në faqen 237]
Konstans dhe Edmozhen Fleró
[Figurat në faqen 238]
(1) Shteg druri nëpër një pyll shiu, (2) Erik Kuzineja dhe Mishel Bukeja me furnizime, (3) Një fshat i indianëve të Amerikës
[Figura në faqen 241]
Eli dhe Luset Régalad
[Figurat në faqen 251]
Një projekt ndërkombëtar ndërtimi tetëjavor: (1) Salla e Asambleve në Maturí, Salla Mbretërie e mjedise të tjera në (2, 3) Mana, (4) Sen-Loren e (5) Sinamari; (6) Dëshmitarë nga Guajana Franceze, bashkë me qindra të tjerë nga Franca, morën pjesë në këtë vepër
[Figurat në faqet 252, 253]
Zyra e degës dhe Shtëpia Bethel në Guajanën Franceze, bashkë me Komitetin e Degës (nga e majta në të djathtë): Pol Çong Uing, David Moró, Zhan-Daniel Mishot, Erik Kuziné