Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Ç’PRIVILEGJ! Si Dëshmitarë të Jehovait, jemi të privilegjuar jo vetëm që të njohim Jehovain, të vetmin Perëndi të vërtetë e të gjallë, Krijuesin e universit, por edhe të mbajmë emrin e tij e t’i shërbejmë. Ç’bekime më të mëdha që mund të vijnë!—Isa. 43:12; Hebr. 8:11.

Kemi shpresën të shpëtojmë dhe detyrën që të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë, në mënyrë që edhe të tjerët të mund ta adhurojnë Jehovain e të kenë shpresën që kemi ne. (Mat. 24:14; Rom. 10:13, 14; 1 Sel. 5:8) Gjithashtu, kemi gëzimin që jemi një vëllazëri ndërkombëtare adhuruesish, të cilët e duan dhe e ndihmojnë aktivisht njëri-tjetrin. Sa shpërblyese është e gjithë kjo!

Bibla, me të drejtë, na fton: «I shërbeni Zotit me gaz. . . . Hyni në portat e tij me falënderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij. Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.» (Psal. 100:2-5) Shërbimi me gëzim që i bëjmë Jehovait, është i lidhur drejtpërsëdrejti me faktin që kemi një marrëdhënie të fortë personale me të. Ai e bën të mundur një marrëdhënie të tillë dhe ne jemi të privilegjuar ta kultivojmë. Kur kemi këtë lloj marrëdhënieje, e dimë që Jehovai është gjithnjë i gatshëm për të na ndihmuar e për të na forcuar në kohë nevoje. Kemi besim se ai do të japë forcën e drejtimin e duhur frymor, për të përballuar sfidat që sjellin ditët e fundit të këtij sistemi. Me gjithë presionet që hasim, jemi të gëzuar në shërbimin tonë dhe e falënderojmë Jehovain çdo ditë për shkak se, siç kujton Fjala e tij, ‘ai kujdeset për ne’.—1 Pjet. 5:7.

Gjatë vitit të kaluar, Jehovai na ka bekuar vërtet me bollëk. Në Kongresin Krahinor «Zbatues të Fjalës së Perëndisë» u emocionuam për faktin që ishim me mijëra të tjerë, të cilët kanë të njëjtin besim të çmuar, duke kënduar dhe duke u ushqyer së bashku në tryezën frymore të Jehovait. Në Studimin e Librit të Kongregacionit, kemi shijuar përvojën besimforcuese që vjen nga studimi i librit Kushtojini vëmendje profecive të Danielit! Për më tepër, sa emocionuese ishte kur morëm vëllimin I të botimit të ri Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin! ‘Kupa jonë është e mbushur plot’.—Psal. 23:5, BR.

Sa gëzim është të shohim që jemi të bashkuar për t’i shërbyer Jehovait me miliona, vëllezër e motra frymore! Sa inkurajuese është të lexosh për maksimumet e reja të arritura në shërbimin në fushë! Ne ngazëllejmë për miliona personat që morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Zotërisë tonë dhe që e bënë këtë pa marrë parasysh kushtet botërore. Kur vështrojmë fushën mbarëbotërore, duket qartë se «e korra vërtet është e madhe». (Luka 10:2) Vitin e kaluar, çdo javë, mesatarisht 5.555 studentë biblikë përparuan deri në pikën që ta simbolizonin dedikimin e tyre me pagëzimin në ujë. Ndërkohë që, në disa pjesë të tokës e korra është më e madhe se në të tjera, të gjithë provojmë kënaqësi për atë që po bën Jehovai. Shohim dëshmi të qartë të bekimit që ai derdh ndaj përpjekjeve të bashkuara të shërbëtorëve të tij.

Ndërtimi i Sallave të reja të Mbretërisë ka qenë një shkak tjetër për ngazëllim të madh! Jemi shumë të kënaqur të shohim mbështetjen me gjithë zemër që i japin kësaj vepre vëllezërit tanë dhe motrat tona në vendet në zhvillim. Qindra Salla Mbretërie tashmë janë ndërtuar me ndihmën e Grupeve të Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, të cilave u është dhënë stërvitja e nevojshme. Këta vëllezër transferohen nga një kongregacion në tjetrin, brenda vendit të tyre, për të drejtuar projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Meqë nevojiten ende mijëra Salla Mbretërie për t’u ndërtuar, u bëhet thirrje më shumë vullnetarëve në vendet në zhvillim, që të ndihmojnë në këtë vepër të domosdoshme. Nëse jetoni në një vend të tillë, a mund të viheni në dispozicion? Oh, sa shumë do ta çmonin vëllezërit e motrat të kishin një Sallë Mbretërie të tyren, në të cilën të mblidheshin për të adhuruar! Dhe sa mirënjohës i janë vëllazërisë ndërkombëtare, për ndihmën financiare që jep për ta bërë të mundur këtë!

Lajmet për fitoret ligjore na emocionojnë. Megjithatë, në shumë vende, ka edhe persona me influencë që do të dëshironin ta shtypnin adhurimin e Jehovait. Ndërsa trajtojmë situata të tilla, kemi besim se, kur bëhet fjalë për të ndihmuar, për Jehovain nuk ka rëndësi sa të shumtë janë kundërshtarët ose sa të dobët mund të duken shërbëtorët e tij. (2 Kron. 14:11) Ju përgëzojmë me ngrohtësi, të gjithëve ju, vëllezër e motra, që vazhdoni ta përkrahni pa u lëkundur adhurimin e vërtetë!

Vazhdoni të forconi besimin tuaj dhe të mbështeteni fuqimisht te Jehovai për drejtim, ndërsa përmbushni me gëzim përgjegjësitë tuaja të krishtere. (Prov. 3:5, 6) Nuk ka arsye pse të shkurajohemi, pavarësisht nga ajo që mund të na bëjë armiku. Mos harroni inkurajimin që i dha Eliseu shoqëruesit të tij të shqetësuar: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.» (2 Mbret. 6:15-17) Sot, ushtria qiellore e Jehovait, është po aq e gatshme të mbrojë interesat e adhurimit të pastër, sa ishte edhe në ditët e Eliseut. Ne e shohim të ardhmen me besim. Jehovai po drejton çdo gjë. Kombet nuk mund të maten me të. Ai e ka kurorëzuar Birin e tij me autoritet të plotë për të sunduar. «Lum ata që gjejnë strehë tek ai!»—Psal. 2:1-6, 12.

Ju lutemi të mbani ndër mend që të tërë ju, vëllezër e motra të dashura, ju kujtojmë vazhdimisht me shumë dashuri. Lutja jonë e zjarrtë është që të gjithë «të qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë».—Kolos. 4:12.

Vëllezërit tuaj

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait