Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

NDËRKOHË që hyjmë në vitet e para të shekullit të 21-të, është një kënaqësi t’ju shkruajmë juve, ‘gjithë vëllazërisë’ përreth botës dhe t’ju lavdërojmë për punën tuaj të madhe. (1 Pjet. 2:17) Afro 2.000 vjet më parë, Jezui pyeti: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vërtet besim në tokë?» (Luka 18:8) Veprimtaria juaj e zellshme gjatë vitit të kaluar të shërbimit i përgjigjet pyetjes së Jezuit me një po kumbuese. Disa prej jush i kanë përçmuar dhe i kanë tallur për besimin e tyre. Në shumë vende, ju qëndroni me gjithë luftërat, shkatërrimet, sëmundjet ose urinë. (Luka 21:10, 11) Falë zellit tuaj për vepra të drejta, Jezui ende mund të «gjejë besim në tokë». Sigurisht që, për këtë arsye ka gëzim në qiell.

E dimë se të jesh i qëndrueshëm nuk është e lehtë. Shqyrtoni sprovat e vëllezërve tanë në një vend të Azisë Perëndimore. Dhuna kundër Dëshmitarëve të Jehovait është pothuajse e zakonshme në atë vend. Kohët e fundit, policia ndërpreu një asamble paqësore me rreth 700 veta. Postblloqet ndaluan 1.300 të tjerë që të merrnin pjesë. Një turmë njerëzish të maskuar, disa prej të cilëve policë, u turrën në vendin e asamblesë, rrahën shumë nga delegatët dhe i vunë zjarrin ndërtesës që përdorej për asamblenë. Në raste të tjera, ekstremistët fetarë i kanë rrahur egërsisht vëllezërit me shkopinj plot gozhdë.

Sulme të tilla janë tronditëse, por nuk na habisin. Apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Tim. 3:12) Në shekullin e parë, të krishterët duruan përndjekje fizike e gojore dhe disa madje u vranë. (Veprat 5:40; 12:2; 16:22-24; 19:9) E njëjta gjë ishte e vërtetë në shekullin e 20-të dhe, pa dyshim, do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të 21-tin. Megjithatë, Jehovai na thotë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isa. 54:17) Çfarë sigurie e mrekullueshme që është kjo! Vërtet, ne jemi kaq të çmuar për Jehovain, saqë nëpërmjet profetit të tij, Zakarisë, tha: «Ai që ju prek, prek beben e syrit tim.» (Zak. 2:8, BR) Armiqtë e adhuruesve të Jehovait nuk kanë asnjë mundësi që të fitojnë përfundimisht. Adhurimi i vërtetë do të ngadhënjejë.

Për shembull, në vendin e përmendur më sipër, Dëshmitarët e Jehovait patën dy maksimume të reja në numrin e lajmëtarëve gjatë vitit të shërbimit 2001. Po, siç bëjmë kudo, vëllezërit tanë atje ngulmojnë, me gjithë vështirësitë. Në mbarë botën gjatë vitit të kaluar të shërbimit, 5.066 veta çdo javë u pagëzuan për të simbolizuar dedikimin ndaj Jehovait. Tani, këta të rinj janë të vendosur, së bashku me ne, që ‘të qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’—Kolos. 4:12.

Shqyrtoni edhe zhvillimet e fundit në Greqi. Me gjithë vitet e kundërshtimit të fortë nga Kisha Ortodokse Greke, Dëshmitarët e Jehovait pranohen tani nga qeveria si një «fe e njohur». Dokumenti që jep këtë njohje më tej pohon se kompleksi i Bethelit në Greqi është «një vend i shenjtë dhe i shenjtëruar, kushtuar adhurimit të Perëndisë». Gjithashtu, jemi të lumtur t’ju tregojmë se gjatë vitit të kaluar të shërbimit, gjykatat kanë dhënë vendime ligjore në dobi të adhurimit tonë në Bullgari, në Gjermani, në Japoni, në Kanada, në Rumani, në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara. Sa shumë e falënderojmë Jehovain që e mban të hapur derën që çon drejt aktivitetit në ato vende!

Kur shqyrtojmë mënyrat se si e mbështet Jehovai popullin e tij gjatë këtyre ditëve të fundit, shohim se ai është Miku më i mirë që mund të kemi. Gjejmë kënaqësi në marrëdhënien që kemi me të, duke e ditur se ai na do, na mëson dhe na ndreq. Vërtet, do të kemi sprova besimi. Por, besimi i palëkundur tek Jehovai do të na mbajë. Jakovi shkroi: «Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.» (Jak. 1:2, 3) Për më tepër, qëndrueshmëria jonë tregon dashurinë për Jehovain dhe kjo na sjell shumë gëzim. Jini të sigurt, të dashur vëllezër, se Jehovai do të mbështetë secilin prej nesh. Nëse mbetemi besnikë, ai me siguri do të na ndihmojë të hyjmë në botën e re. Ai do që t’ia dalim mbanë.

Prandaj, ju nxitim juve, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të moshuar, të mbani mirë në mendje bekimet e mrekullueshme që shtrihen përpara. Qoftë qëndrimi ynë si i apostullit Pavël që shkroi: «Jam i mendimit se vuajtjet e periudhës së tanishme nuk janë asgjë në krahasim me lavdinë që do të zbulohet te ne.» (Rom. 8:18) Mbështetuni te Jehovai kur përballoni vështirësi të çdo lloji. Qëndroni dhe mos pranoni të dorëzoheni. Kurrë nuk do të pendoheni për këtë, kurrë. Fjala e Perëndisë na siguron: «Por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij.»—Hab. 2:4.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait