Ngjarje të rëndësishme të vitit të kaluar
Ngjarje të rëndësishme të vitit të kaluar
ORGANIZATA tokësore e Jehovait ka vazhduar të lulëzojë gjatë vitit të kaluar të shërbimit. Bekimi i tij duket qartë sepse në 235 vende, më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait, tregojnë besnikëri ndaj Perëndisë dhe besim në premtimin e tij për të sjellë një botë të re të drejtë. Këta miliona nuk janë njerëz që thjesht pohojnë se janë shërbëtorë të Perëndisë, por njerëz që shpallin aktivisht lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, siç u paratha nga Jezui te Mateu 24:14. Në përputhje me shkrimin për vitin 2001, ata vazhdojnë të ‘qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’.—Kolos. 4:12.
Gjatë vitit ka pasur shumë ngjarje emocionuese për popullin e Perëndisë. Le të shqyrtojmë tani disa prej ngjarjeve të rëndësishme.
Kongrese për të udhëzuar Mësuesit e Fjalës së Perëndisë
Një nga ngjarjet më të paharrueshme të vitit të kaluar ishte kongresi krahinor i Dëshmitarëve të Jehovait «Mësues të Fjalës së Perëndisë», i cili u mbajt nga mesi i vitit 2001 deri në fillim të 2002-shit në qindra vende anembanë tokës. Morën pjesë miliona veta. Tema e kongresit u shpjegua nga një orator ditën e parë të kongresit treditor. Ai tha: «Jezui nuk interesohej që t’ia jepte çelësin e njohurisë vetëm një grupi të zgjedhur studiuesish të Shkrimeve. Ai u tha dishepujve të tij: ‘Atë që unë ju them në errësirë, thuajeni në dritë; dhe atë që dëgjoni të çuçuritet, predikojeni nga tarracat.’ Jezui dëshironte me zjarr ta ndante njohurinë e Perëndisë me sa më shumë njerëz që ishte e mundur. Për të, njohuria e Shkrimeve ishte diçka për t’u ndarë e jo për t’u fshehur.»
Programi i kongresit përfshinte fjalime që përqendroheshin në domethënien e profecive biblike, si edhe në mënyrën se si të krishterët duhet të zbatojnë në jetën e tyre parimet biblike. Të dielën u dha një dramë me kostume që titullohej Të respektojmë autoritetin e Jehovait. Kjo dramë përqendrohej në tregimin e Biblës për rebelimin e Koreut, kur ishte në shkretëtirë, duke e krahasuar me udhën besnike të bijve të tij.
Në kongres u prezantuan dy botime të reja. I pari ishte libri Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin, vëllimi II. I dyti ishte broshura me titull: Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë? Përveç këtyre doli një fletushkë e re A kemi një frymë të pavdekshme?
Gjatë muajit gusht, në Itali dhe në Francë u mbajtën kongrese speciale. Në Francë, këto kongrese speciale u mbajtën në Paris, Lion dhe Bordo, ku maksimumi i të gjithë të pranishmëve arriti 160.045 veta. Këto kongrese u dhanë shumë zemër vëllezërve në Francë, të cilët kanë qenë shënjestra e
paragjykimeve të shtypit. Një vëlla tha: «Disa herë ndihemi të vetëm në luftën që bëjmë, por tani pasi na vizituan mijëra vëllezër të krishterë, jemi të nxitur për të vazhduar përpara.»Në Itali, kongreset speciale u mbajtën në Romë, Milano, Torino dhe në Bari. Pesë qytete të tjera, në të cilat gjithashtu mbaheshin kongrese, u lidhën me lidhje telefonike për disa pjesë të programit. Pjesëmarrja e përgjithshme në këto nëntë kongrese ishte 289.133 veta. Në secilën nga këto kongrese në Francë dhe në itali, auditorit iu prezantua një rezolutë emocionuese. Delegatët që kishin ardhur nga vende të ndryshme, e dhanë përgjigjen me një po kumbuese! Kjo deklaratë u shoqërua me duartrokitje të zgjatura.
Dëshmi botërore me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 36
Gjatë muajve tetor e nëntor të vitit 2000, u shpërndanë në mbarë botën afërsisht gjysmë miliard kopje të Lajmërim i Mbretërisë nr. 36, në 189 gjuhë. Mesazhi biblik rreth Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, bashkë me ilustrimet shumëngjyrëshe, tërhoqën vëmendjen e shumë njerëzve. Nëse je një Dëshmitar i Jehovait, ka të ngjarë të kesh marrë pjesë në këtë shpërndarje. Më poshtë janë disa raporte nga fushata në vende të ndryshme rreth botës.
Temperaturat nën zero në Alaskë, nuk i penguan Dëshmitarët të jepnin dëshmi. Mbikëqyrësi drejtues në kongregacionin e Polit të Veriut tha: «Edhe pse ishte dimër, disa pronarë shtëpie qëndronin në oborr dhe lexonin Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Mesazhi i thjeshtë që ballafaqonte mënyrën në të cilën janë gjërat sot me bekimet që do t’i vijnë njerëzimit ishte tërheqës.»
Në Shqipëri, 15 kongregacione në disa qytete të mëdha u ftuan të vizitonin fshatrat përreth tyre. Vëllezërit dhe motrat e pranuan këtë ftesë me gëzim dhe entuziazëm të madh. Për
herë të parë, u arritën pesëdhjetë e gjashtë fshatra me një popullsi prej rreth 50.000 banorësh.Dega e Angolës raporton: «Falë zellit dhe entuziazmit të lajmëtarëve, fushata në territorin tonë me Lajmërim i Mbretërisë nr. 36 pati një sukses të jashtëzakonshëm. Dhe kjo me gjithë problemet e vështira ekonomike dhe luftën që vazhdon të prekë kongregacionet në të gjithë vendin. Kur u shpërnda Lajmërim i Mbretërisë, shumë njerëz e pranuan me gatishmëri. Si rrjedhim, në muajin nëntor Angola raportoi një maksimum të ri prej 94.026 studimesh biblike në shtëpi, një rritje me gati 10.000 studime në krahasim me një muaj më parë.»
Në Kamerun, ndërsa udhëtonin për në një fshat, disa Dëshmitarëve rastësisht iu ra një pako me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Një burrë që i kishte parë Dëshmitarët duke shpërndarë Lajmërim i Mbretërisë, ndërsa po shkonte për në fermën e tij pa pakon anës rrugës. E mori dhe filloi ta shpërndante vetë Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Në fund, përveç katër kopjeve, i kishte shpërndarë të gjitha. Kur disa pronarë shtëpish i kërkuan këto katër copë, nuk pranoi t’ia jepte dhe tha: «Kjo është paga për punën time; do t’i mbaj për familjen time. Kur të vijnë Dëshmitarët, do t’ju japin kopjet tuaja.»
Në Kolumbi, Dëshmitarët i bënë një rivizitë një gruaje që kishte pranuar një kopje të Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Gruaja tha se gjithmonë nuk kishte pranuar të fliste me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, pasi lexoi Lajmërim i Mbretërisë nr. 36, e kuptoi se kishte humbur diçka shumë të mirë. Më pas u ul në gjunjë dhe iu lut Perëndisë që ta falte. Pastaj u lidh me Dëshmitarët dhe tani po studion Biblën.
Në një fshat në Kongo (Kinshasa), një polic me uniformë lexoi me interes të madh Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Pak kohë më vonë, gjeti Dëshmitarët dhe u tha se mesazhi ishte i fuqishëm e ngushëllues. Më pas u largua dhe u kthye i veshur
me rroba civile dhe me një Bibël në dorë. Tha: «Dua të bashkohem me ju në shpërndarjen e këtij mesazhi, duke parë rëndësinë dhe urgjencën e tij.» Me mirësjellje Dëshmitarët i shpjeguan nevojën për të studiuar në fillim Biblën. Burri pranoi dhe studimi i tij po përparon mirë.Një grua e re e quajtur Xhoi, gjeti një kopje të Lajmërim i Mbretërisë nr. 36 nën derën e shtëpisë në Greqi. Pasi e lexoi, i telefonoi menjëherë tezes që është një Dëshmitare e Jehovait. I tha se mesazhi i kishte prekur zemrën dhe se donte të fliste me Dëshmitarët e Jehovait. Tezja u lidh me një motër e cila shërben si pioniere speciale në atë zonë dhe kjo pioniere e takoi gruan. Për habinë e tyre, zbuluan se e njihnin njëra-tjetrën. Xhoi i tha pionieres se megjithëse kishte një Bibël, nuk gjente dot shkrimet që ishin të përshtatshme për problemet që përballonte. Menjëherë pranoi të fillonte një studim biblik në shtëpi.
Një Dëshmitare nga Koreja i ofroi Lajmërim i Mbretërisë nr. 36 një gruaje, e cila kundërshtonte të birin pasi ishte një Dëshmitar i Jehovait. Tri ditë më vonë, Dëshmitarja e vizitoi përsëri dhe i shpjegoi atë që thotë Bibla për parajsën. Gruaja reagoi pozitivisht, prandaj u fillua një studim biblik. I biri, me lot në sy, tha: «Nuk mund ta besoj që mamaja ka filluar të studiojë Biblën.» Ajo po bën një përparim të mirë.
Në brendësi të Liberisë, disa Dëshmitarë që po shpërndanin nga fshati në fshat Lajmërim i Mbretërisë, dolën nga rruga kryesore dhe përfunduan në një fermë të izoluar në thellësi të pyllit. Kur Dëshmitarët u thanë fermerëve se kishin humbur rrugën, një djalë i ri tha: «Ishte fryma e Perëndisë që ju drejtoi në këtë rrugë me qëllim që ne të merrnim kopjet tona.»
Në Hollandë, njerëzit e pranuan me gatishmëri Lajmërim i Mbretërisë nr. 36. Me shpejtësi u shpërndanë më shumë se dy milionë kopje. Dega në Selters, Gjermani, shtypi një sasi shtesë prej 100.000 kopjesh, por kongregacionet kërkuan
edhe më shumë. Në qytetin e Helmondit, një Dëshmitar i tha një pronari shtëpie se fletushka po shpërndahej në mbarë botën. Burri tha: «Të lutem, prit.» Hyri brenda dhe mori në telefon një mikun e tij në Francë për të vërtetuar pohimin e lajmëtarit. I tha mikut: «Kam një Dëshmitar të Jehovait në derë që ka një fletushkë e që thotë se po shpërndahet kudo në botë. Ti, a e ke marrë?» Miku iu përgjigj: «Po dhjetë minuta më parë.» Burri uli receptorin, u kthye në derë dhe pranoi kopjen.Dega e Rusisë mori një letër interesante nga një i ri në klasën e shtatë. Ai shkroi: «Përshëndetje. U kënaqa tej mase kur gjeta në kutinë postare një fletushkë që fliste për mijëvjeçarin e ri. Kjo fletushkë që na dhatë, është lumturia më e madhe që kemi patur gjatë gjithë vitit. Ju lutem na dërgoni informacione të mëtejshme.»
Përveçse ndihmoi publikun, nga fushata me Lajmërim i Mbretërisë nr. 36 nxorën dobi edhe vetë Dëshmitarët. Një Dëshmitar në Sajpan komentoi: «U kënaqa vërtet duke shpërndarë Lajmërim i Mbretërisë. U pagëzova në vitin 1998, kështu që kjo ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë formë të shërbimit. Më nxiti që të përpiqesha të jepja dëshmi në
mbrëmje dhe më dha mundësi të flisja me më shumë njerëz. Për shkak të kësaj vepre, besimi im është forcuar dhe ndihem më afër Jehovait.»Për të shpërndarë Lajmërim i Mbretërisë nr. 36, Dëshmitarët shkuan në një pjesë të largët të Malajtasit në Ishujt Solomon. Pasi ecën në këmbë për më shumë se pesë orë, mbërritën në një fshat ku pastori vendas i mirëpriti dhe tregoi interes të madh. Ai tha se për më shumë se nëntë vjet, asnjë përfaqësues i jashtëm i kishës së tij nuk i kishte vizituar ose kishte treguar interes për ta. Mirëpo, ja, një grup të huajsh mori mundimin për të kaluar malet që t’i ndihmonin të kuptonin mesazhin e Biblës. Me të gjitha familjet në fshat u filluan studime biblike. Vëllezërit ktheheshin çdo dy javë dhe shumë shpejt dhjetë studime po përparonin mirë. Prifti tha se nëse dikush mund të qëndronte për të hapur një grup, mund të përdorej kisha e fshatit për mbledhje. Tani grupin e viziton rregullisht një pionier special. Sipas raportit të fundit, një përfaqësues i kishës vizitoi banorët e fshatit dhe u ofroi ushqim nëse do të ishin dakord ta ndërpritnin studimin me Dëshmitarët e Jehovait. Por të gjithë i thanë se do të vazhdonin të studionin Biblën.
Ndërsa kalonin pushimet në një vend të largët të Venezuelës, disa Dëshmitarë i lanë një kopje të Lajmërim i Mbretërisë nr. 36 udhërrëfyesit të tyre, një indiani pemon. I emocionuar që mori kopjen e tij, e lexoi atë disa herë. Kur ajo iu lag nga një stuhi shiu, e vari me kujdes jashtë për t’u tharë. Kërkoi disa kopje të tjera për t’i çuar në fisin e tij.
Çështje ligjore gjatë vitit të shërbimit
Në Bullgari, për arsye të ndërgjegjes Ivajlo Stefanovi nuk pranoi të shkonte ushtar. Si pasojë u dënua me një vit e gjysmë burg. Vëlla Stefanovi e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut me arsyen se ishte dhunuar liria e tij fetare. Kur gjykata njoftoi se do ta dëgjonte çështjen, autoritetet
bullgare vendosën për një zgjidhje miqësore e cila e shfajësonte plotësisht vëllanë Stefanov dhe Dëshmitarët e tjerë që kishin të njëjtin problem. Më 3 maj 2001, gjykata e pranoi këtë zgjidhje. Si pjesë të zgjidhjes, autoritetet bullgare pranuan gjithashtu të zvogëlonin gjatësinë e shërbimit civil alternativ që më parë kishte qenë dy herë më i gjatë sesa shërbimi i detyruar ushtarak.Në Kuebek, Kanada, qyteti i Blejnvilit miratoi një urdhëresë që thoshte se njerëzit që shkonin nga dera në derë për qëllime fetare, në fillim duhet të blinin një leje. Leja autorizonte vizitat derë më derë nga e hëna deri të premten, ishte e vlefshme vetëm për dy muaj dhe nuk mund të përtërihej derisa të kalonin 12 muaj. Më 17 prill 2001, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Kuebek, vendosi se urdhëresa nuk zbatohej për shërbimin publik të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjyqtari tha se Dëshmitarët e Jehovait ishin të përjashtuar nga marrja e lejes dhe nuk ishin të kufizuar me orë, ditë, muaj ose vite në veprimtaritë e tyre fetare nga dera në derë. Ai e quajti shërbimin e Dëshmitarëve të Jehovait «shërbim i krishterë për komunitetin»
dhe tregoi se botimet e tyre janë «literaturë serioze që trajton çështje, si: feja, Bibla, droga, alkoolizmi, arsimimi i fëmijëve, problemet martesore dhe divorci». Gjyqtari tha se «t’i krahasosh Dëshmitarët me shitësit ambulantë, është fyese, degraduese, e dëmshme dhe shpifëse».Më 22 shkurt 2001, Gjykata e Lartë në Tbilisi, Gjeorgji, nxori një vendim për të anuluar regjistrimin e dy enteve ligjore që përdoreshin atje nga Dëshmitarët e Jehovait: Bashkimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji dhe Përfaqësimi i Shoqatës Watch Tower në Gjeorgji. Gjykata e bëri të qartë se ky vendim nuk i ndalonte Dëshmitarët e Jehovait. Përkundrazi gjykata tha se Dëshmitarët e Jehovait mund të vazhdojnë veprimtaritë e tyre fetare, përfshirë mbajtjen e mbledhjeve, importimin e literaturës dhe marrjen me qira ose blerjen e pronave. Megjithatë ekstremistë fetarë nuk e morën parasysh atë që tha gjykata dhe kryen një seri sulmesh brutale, të përshkruara nga një organizatë e të drejtave të njeriut si «mbretërim i terrorit». Më 29 qershor 2001, Dëshmitarët e Jehovait përpiluan një kërkesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke protestuar për qëndrimin pasiv të qeverisë ndaj dhunës së shfrenuar dhe, më 2 korrik, gjykata vendosi që shqyrtimit të kësaj kërkese t’i jepej përparësi. Një rezultat pozitiv ishte fakti që, më 30 maj 2001, dogana e Gjeorgjisë zhbllokoi përafërsisht 20 tonë me literaturë biblike, të cilat ishin konfiskuar në mënyrë të padrejtë më 14 mars 2001. Literatura u shpërnda menjëherë në të gjitha kongregacionet në Gjeorgji.
Në vitin 1997, Gjykata Federale Administrative në Berlin, Gjermani, nuk pranoi t’u jepte Dëshmitarëve të Jehovait statusin ligjor si një korporatë ligjore publike. Ky mospranim bazohej në pretendimin se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin mjaft besnikë ndaj shtetit, për shkak të asnjanësisë në zgjedhjet politike. Dëshmitarët apeluan. Më 19 dhjetor 2000,
Gjykata Federale Kushtetuese e Gjermanisë vendosi që kjo besnikëri shtesë nuk ishte e nevojshme. Megjithatë çështja u kthye në gjykatat administrative për të rishqyrtuar kërkesën e statusit ligjor, këtë herë për të parë nëse Dëshmitarët e Jehovait dhunojnë të drejtat e individëve. Bindjet dhe praktikat lidhur me gjakun, rritjen e fëmijëve, përjashtimet dhe marrëdhëniet familjare janë bërë qendra të vëmendjes së çështjes.Deri kohët e fundit, më shumë se 3.500 Dëshmitarë në Greqi kanë patur një dosje kriminale, pasi janë burgosur për shkak se kanë mbajtur asnjanësinë. Pasja e një dosjeje kriminale nënkuptonte mohim të punësimit në shërbimet civile, në organizatat sociale dhe në banka. Disave nuk u është dhënë leje të punojnë në disa profesione. Një ligj që është miratuar tani në Greqi, tregon se këta Dëshmitarë nuk do të shihen më si ish-kriminelë. Një vendim i favorshëm u mor në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për çështjen Thlimenos kundër Greqisë. Ky vendim lidhur me të drejtën e individit për të kundërshtuar për shkak të ndërgjegjes shërbimin e detyruar ushtarak, hodhi themelin për ligjin e ri.
Më 30 mars 2001, Gjykata e Krahinës së Kobes në Japoni, mori një vendim të favorshëm gjyqësor në një rast që përfshinte një Dëshmitare të Jehovait. Një motër ishte rrëmbyer dhe ishte mbajtur mbyllur forcërisht për 17 ditë, me qëllim që të «çprogramonte» bindjet e saj fetare. Gjykata vendosi që i pandehuri—një shërbëtor baptist—kishte komplotuar me ish-burrin e kësaj motre dhe pjesëtarët e familjes së tij për ta mbajtur mbyllur kundër vullnetit të saj. I pandehuri u urdhërua të paguante si dëmshpërblim 3.300 dollarë amerikanë.
Gjykata Supreme e Rumanisë, shpalli prerazi me dy vendime se organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait është një fe e njohur ligjërisht dhe duhet të gëzojë të gjitha të drejtat që u takojnë me ligj feve. Sekretariati i Shtetit për fetë u përpoq t’i shfuqizonte këto vendime, por nuk pati sukses. Më
2 prill 2001, Gjykata Supreme mbështeti vendimet e mëparshme. Deri tani Sekretariati i Shtetit për fetë nuk e ka pranuar statusin e plotë ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait, pavarësisht nga urdhrat e Gjykatës Supreme për të bërë kështu.Më 23 shkurt 2001, një gjyqtare më në fund mbylli çështjen gjyqësore për të ndaluar Dëshmitarët e Jehovait në Moskë, Rusi, pas një procesi ligjor gati gjashtëvjeçar dhe një çështje gjyqësore trevjeçare. Megjithatë lehtësimi i vëllezërve ishte jetëshkurtër pasi më 30 maj 2001, Gjykata e qytetit të Moskës e hodhi poshtë vendimin e gjykatës më të ulët dhe urdhëroi një rigjykim të plotë të çështjes. Kjo do të jetë hera e gjashtë që nga viti 1996 që Dëshmitarëve të Jehovait do t’u duhet të mbrojnë veten kundër të njëjtave akuza pa baza.
Më 21 shkurt 2001, një vendim i Gjykatës së Lartë të Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara, ishte një miratim i bujshëm i së drejtës së pacientit për të vendosur vetë për trupin e tij dhe i vlefshmërisë së prokurave ligjore për kujdesin shëndetësor. Vendimi kishte të bënte me Maria Duranin e cila vazhdimisht kishte bërë të njohur mospranimin e saj të prerë për të bërë transfuzion gjaku. Me gjithë masat paraprake të Marisë, burri i saj që nuk është Dëshmitar, me mbështetjen e mjekëve dhe të spitalit, siguroi një vendim gjyqësor, që caktonte atë si kujdestarin e saj në rast urgjence, edhe pse Maria kishte specifikuar një të bashkëkrishterë si përfaqësues për kujdesin mjekësor. Gjykata e Lartë e anuloi urdhrin që u dha në këtë rast urgjent dhe shpalli se edhe përballë kundërshtimeve të bashkëshortit të pacientes, të të afërmve dhe të mjekëve, udhëzimet e saj të qarta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe caktimi personal i një përfaqësuesi duhet të ishin respektuar.
Nevojiten më shumë Salla Mbretërie
Në shumë vende, ndërtimi i Sallave të Mbretërisë ka qenë shumë i vështirë dhe kërkonte kohë të gjatë. Ndërsa ndërtimi
vazhdonte, disa kongregacione mblidheshin për muaj ose vite të tëra në ndërtesa me qira. Në një Sallë Mbretërie të papërfunduar në një vend afrikan, një papagall i egër ngriti fole në trarët e çatisë. Shpejt, papagalli filloi të fishkëllejë ndërsa këndoheshin këngët e Mbretërisë, por askush nuk dukej se i kushtonte vëmendje. Puna e ndërtimit vazhdoi kaq ngadalë, saqë papagalli mësoi të imitonte drejtuesin e Studimit të Kullës së Rojës, madje duke i thirrur me emër vëllezërit dhe motrat. Së fundi, Salla e Mbretërisë u përfundua dhe papagallit i duhej të gjente një banesë tjetër.Sot, për shkak të një programi të ri të veçantë ndërtimi, Sallat e Mbretërisë po ngrihen me një ritëm të mahnitshëm. Në vendet më në zhvillim, Sallat e Mbretërisë tani po ndërtohen dhe dedikohen në vetëm tri ose katër javë. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, vetëm në Afrikë u ndërtuan 1.074 Salla të reja Mbretërie, një mesatare prej afërsisht 4 Salla për çdo ditë pune.
Synimi i programit të ndërtimit të Sallave të reja të Mbretërisë, në të vërtetë është i dyfishtë. Së pari, të plotësojë nevojat për Salla Mbretërie. Dega e Afrikës së Jugut shkruan: «Ky është një zhvillim emocionues. Jemi të sigurt se do të sjellë si pasojë ndërtimin e shumë Sallave të Mbretërisë në vendet që kanë tepër nevojë.» Së dyti, të sigurohemi që të plotësojmë nevojat e ardhshme për Salla Mbretërie duke organizuar ndërtimin me Dëshmitarë të aftë vendës. Për shembull, në Benin programi i ndërtimit tani po drejtohet plotësisht nga Dëshmitarët vendas të cilët mund të kujdesen për nevojat e ardhshme për Salla Mbretërie.
Bashkë me zyrën e Projektim-Ndërtimit në Bruklin, pesë zyra rajonale për Salla Mbretërie, sigurojnë ndihmë organizative për degët në Evropën Lindore, Afrikë, Azi, Oqeani, Amerikën Qendrore dhe Jugore si dhe ishujt e Karaibeve.
Këto zyra bashkëpunojnë ngushtësisht me Komitetet e Degëve për t’i ndihmuar që të përfitojnë plotësisht nga udhëzimet dhe masat që janë tani në dispozicion. Për shembull, një zyrë ndërtimi për Sallat e Mbretërisë është ngritur në çdo degë për të koordinuar veprën e ndërtimit në fushë. Kjo zyrë ndihmon gjithashtu kongregacionet për të zgjedhur toka për ndërtim dhe ka zhvilluar projekte standarde bazuar në materialet dhe metodat vendëse për ndërtim.Në 92 vende, ku një mungesë serioze fondesh dhe punëtorësh të kualifikuar dikur vështirësonin përpjekjet për ndërtim, më shumë se 4.000 vullnetarë të përhershëm dhe të përkohshëm tani përbëjnë 352 grupe në kohë të plotë për të ndërtuar Sallat e Mbretërisë. Bazë për suksesin e këtyre grupeve ka qenë përdorimi i shërbëtorëve të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, një kategori e re e shërbimit të plotkohor për vëllezërit e kualifikuar vendës në vendet e zgjedhura. Përveç kësaj, 152 shërbëtorë ndërkombëtarë stërvitin vëllezërit vendës për të përmbushur rolet kryesore në një program ndërtimi. Sigurisht ndërtimi i Sallës së Mbretërisë është një projekt i kongregacionit, prandaj anëtarët e kongregacionit me gatishmëri përbëjnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore.
Si kanë reaguar njerëzit ndaj këtij programi të ri ndërtimi? Në Truhijo, Venezuelë, Salla e parë e Mbretërisë u ndërtua kohët e fundit në qytetin e Sara-Lindës. Me lot gëzimi, një lajmëtar tha: «Është shumë prekëse që Jehovai na ka kujtuar. Qyteti ynë nuk shfaqet as në hartë.»
Një motër në Rio-de-Zhanejro, Brazil, u nxit të shkruante: «Për dhjetë vjet kam bërë katër kilometra për në mbledhje, duke kaluar një urë këmbësorësh edhe gjatë shtatzënisë. Më në fund, ëndrra ime u bë realitet. Një Sallë Mbretërie në zonën tonë! Tashmë shumë studentë biblikë kanë filluar të ndjekin mbledhjet. Babai im, që kishte studiuar në të kaluarën,
por më vonë më kundërshtonte, që kur u dedikua Salla nuk ka humbur asnjë mbledhje. Këtë javë ai filloi të studiojë përsëri.» Një vëzhgues që nuk është Dëshmitar pranon: «Jam 60 vjeç dhe nuk kam parë kurrë një gjë të tillë! Dëshmitarët punojnë së bashku, shpejt dhe të lumtur. Jam punësuar si murator për këshillin e qytetit, dhe sa herë që një punë zgjatet shumë, dikush do të thotë: ‘Na duhet të thërrasim Dëshmitarët e Jehovait për të na ndihmuar!’»Një plak kongregacioni në Ukrainë komenton: «Mundëm ta ndërtonim një Sallë standarde Mbretërie vetëm në një muaj, kështu që nuk u shkëputëm për një kohë të gjatë nga familjet dhe përgjegjësitë në kongregacion.» Një motër atje shton: «Jemi shumë të gëzuar. E kemi parë me sytë tanë se si Jehovai e ndihmon popullin e tij. Më përpara, për shkak të gjendjes ekonomike, nuk kishim shpresë për të patur Sallën tonë të Mbretërisë.»
Personat e interesuar në Malavi mezi presin të shoqërohen me ne tani që kemi një vend të përshtatshëm mbledhjeje. Kongregacioni Nafisi raporton: «Tani kemi një Sallë të bukur Mbretërie që shërben si dëshmi e shkëlqyer. Si pasojë, është e lehtë të fillosh studime biblike gjatë predikimit. Kudo njerëzit janë të mahnitur. Salla e Mbretërisë është bërë qendra e bisedave të tyre, në shkollë, në punë ose nëpër shtëpi.»
Edhe udhëheqësve të komunitetit në Mozambik u ka bërë shumë përshtypje programi i ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Kreut të një fisi, sipas zakonit të tyre, iu kërkua një pronë për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Duke dhënë lejen, ai u përgjigj: «Dëgjova për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në zona të tjera dhe u shqetësova, pasi nuk ka asnjë në zonën time. Faleminderit Dëshmitarë të Jehovait që planifikoni të ndërtoni Sallën tonë të Mbretërisë!»
Si ndikojnë në frymën vullnetare në kongregacion projektet e organizuara mirë? Një pjesëtar i një grupi ndërtimi në Zimbabve tregon: «Pasi udhëtuam në mes të shiut për orë të tëra, mbërritëm në fshat, në vendin ku do të ndërtohej Salla e Mbretërisë. Vëllezërit dhe motrat që po pritnin, ishin mbledhur nën një pemë pranë një zjarri të vogël. Pavarësisht nga shiu, ata na përshëndetën me një buzëqeshje mirëseardhjeje. Në përgatitje për ardhjen tonë, 60 veta nga kongregacioni kishin gërmuar kanale për themelin. E kishin filluar punën një ditë më parë në orën katër të mëngjesit dhe e mbaruan në orën gjashtë në mbrëmje.»
Në të njëjtin vend, kongregacioni Zongoro nuk kishte një Sallë Mbretërie. Natan Muçinguri ka shërbyer në këtë kongregacion që kur ishte pagëzuar në vitin 1924. Për shumë vjet ai përkthente botimet e bazuara në Bibël në gjuhën Shona. Meqenëse nuk jetonte në Bethel, zyra e degës i ofroi ndihmë për shpenzimet e jetës, por ai nuk e pranoi këtë ofertë. Megjithatë shprehu dëshirën të mblidheshin në një Sallë Mbretërie para se të mbaronte rrugën e tij tokësore. Më 8 prill 2001, vëllait 93-vjeçar Muçinguri iu plotësua dëshira. Kongregacioni Zongoro u mblodh për herë të parë në Sallën e re të Mbretërisë. Rasti ishte kremtimi i Darkës së Zotërisë.
Që nga koha kur filloi ky program ndërtimi, nëntor 1999, në 92 vende janë ndërtuar 2.097 Salla të reja Mbretërie, mesatarisht 22 Salla çdo javë. Kontributet e dashura të vëllazërisë sonë mbarëbotërore bënë të mundur këtë ‘barazim’ me qëllim që ‘[kongregacioni] që kishte shumë, nuk pati tepër dhe [kongregacioni] që kishte pak, nuk pati fare pak’. (2 Kor. 8:14, 15) A po e bekon Jehovai këtë përpjekje botërore? Shqyrtoni: brenda një muaji pas ndërtimit të një Salle të përshtatshme Mbretërie në shumë nga këto vende, shpesh pjesëmarrja në mbledhje dyfishohet.
Mjekësia dhe kirurgjia pa gjak—Tri videokaseta
Shërbimi i audio/videokasetave, bashkë me vëllezër nga Gjermania dhe vende të tjera, prodhoi një seri prej tre videokasetash, të cilat tregojnë arsyetueshmërinë dhe efektshmërinë e mjekësisë dhe të kirurgjisë pa gjak. Në të trija këto videokaseta, kirurgë të mirënjohur krahasojnë efektshmërinë e strategjive alternative të transfuzionit me procedurat ku përdoret gjak. Videokaseta e parë e kësaj serie titullohet Transfuzioni: Strategjitë alternative— të thjeshta, të sigurta, të efektshme. Ishte bërë veçanërisht për mjekët dhe studentët e mjekësisë. Për të ilustruar funksionin e përbërësve të gjakut është përdorur teknikë e filmit vizatimor me kompjuter.
Videokaseta e parë përfundoi në kohë për t’u kualifikuar për hyrjen në Festivalin e 34-t vjetor ndërkombëtar të filmit dhe të videokasetave në Shtetet e Bashkuara. Ishin gjithsej
1.500 konkurrues nga 33 vende. Videokaseta Alternativat e transfuzionit, u vlerësua në tri kategori. Në dy kategori, Dokumentimi Kërkimor dhe Arsimimi Profesional, videokaseta fitoi vendin e dytë dhe mori çmimin e kinematografisë. Në kategorinë e tretë, Çështja Aktuale, videokaseta fitoi vendin e parë dhe mori çmimin Kamera e Artë. Çmimet e marra tregojnë se ekspertët brenda industrisë së filmit pranojnë cilësinë, saktësinë dhe profesionalizmin e videokasetës, duke i kontribuar në këtë mënyrë besueshmërisë së mesazhit të saj.Videokaseta e dytë titullohet Transfuzioni: Kujdesi mjekësor alternativ plotëson nevojat dhe të drejtat e pacientit. U bë veçanërisht për gazetarët e mjekësisë, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit socialë dhe për sistemin gjyqësor. Ashtu siç tregon titulli, ky program shqyrton se si të kujdesesh për nevojat mjekësore të pacientëve, duke pranuar edhe të drejtat e tyre ligjore. Përveç kësaj, tregohet se metodat e operacionit pa gjak janë më ekonomike.
Videokaseta e tretë e kësaj serie titullohet Jo Gjak: Mjekësia përballon sfidën. E bërë së pari për publikun e gjerë, kjo videokasetë tashmë është transmetuar në rrjetet televizive në Shtetet e Bashkuara. Pa dyshim, komentet e favorshme nga specialistët që nuk janë Dëshmitarë e që u intervistuan në videokasetë, do të ndihmojnë shumë për të arsimuar njerëzit rreth vlerës së kirurgjisë pa gjak dhe për të pakësuar paragjykimet e atyre që janë të painformuar.
Ndërtesa të reja dege i sjellin lëvdim Perëndisë
Më poshtë jepen raporte mbi dedikimet e pesë degëve gjatë vitit të kaluar të shërbimit. Le të udhëtojmë me imagjinatën tonë së pari në Amerikën e Jugut, ku në Venezuelë dhe Uruguaj u dedikuan ndërtesa të reja dege. Më pas shkojmë në Ukrainë, në Evropën Lindore, ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ka qenë nën ndalim për më shumë se 50 vjet. Pastaj e kthejmë vëmendjen në Malavi, në Afrikën Jugore, ku Dëshmitarët për shumë vjet kanë duruar ndalim e përndjekje. Së fundi kthehemi në Barbados, një ishull i bukur në Karaibe.
VENEZUELA: Më 3 mars 2001, rreth 1.600 vizitorë nga 22 vende u mblodhën në një pronë me një peizazh shumë të bukur 80 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Karakasit, për dedikimin e kompleksit të ri të degës. Në muajin mars është një kohë e thatë dhe malet Aragua ishin të thara e ngjyrë kafe, por falë ujitjes nga puset e ujit të hapura në pronë, lëndinat dhe palmat rreth ndërtesave të degës, ishin të harlisura dhe të gjelbëruara. Delegatët, të veshur më së miri, ecnin rreth terrenit si dhe brenda e jashtë ndërtesave, duke shprehur admirim dhe gëzim.
Zyra e parë e degës në Venezuelë, u hap në shtator të vitit 1946, kur lajmin e mirë në vend e predikonin vetëm 19 lajmëtarë. Gjatë gjysmës tjetër të shekullit, për shkak të nevojave
në rritje, disa ndërtesa të ndryshme dege nuk ishin më të mjaftueshme. Dega e re tani kujdeset për 88.541 lajmëtarë të lajmit të mirë në Venezuelë.Shumë nga ata që ishin në dedikim, kishin marrë pjesë në ndërtimin gjashtëvjeçar të ndërtesave të degës. Një shërbëtor ndërkombëtar tregoi: «Ishte shumë inkurajuese të shihje sesi vëllezërit ishin të gatshëm të udhëtonin për orë të tëra për të marrë pjesë në projektin e ndërtimit. Për shembull, një grup nga një kongregacion mori me qera një autobus, u nis në orën 23.00, udhëtoi gjithë natën për të mbërritur në orën 6.00, hëngri mëngjesin, punoi me ne gjithë ditën dhe më pas u kthye në autobus për të udhëtuar shtatë orë për në shtëpi.» Shoqëria gjatë ndërtimit ishte e këndshme, pasi vëllezërit punonin së bashku në unitet.—Psal. 133:1.
Gerrit Lësh, nga Trupi Udhëheqës, mbajti fjalimin e dedikimit «Zgjerimi i sjell lëvdim Jehovait». Ditën vijuese, një numër rekord pjesëmarrësish prej 113.260 Dëshmitarësh dhe të interesuarish nga të gjitha pjesët e vendit, u mblodhën në qytetin e Valencias për të dëgjuar një program tjetër emocionues, që përfshinte një përmbledhje të programit të dedikimit. *
URUGUAJI: «Sa njerëz të mrekullueshëm! Është vërtet gjë e bukur të shohësh kaq shumë njerëz, burra e gra që punojnë shumë e me kaq shumë lumturi. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse keni motivin e duhur dhe nuk po kërkoni fitime materiale. Urime dhe vazhdoni punën e mirë!» Ky është vetëm një nga shumë komentet e bëra nga shumë vëzhgues, të cilët vizituan projektin e ndërtimit të degës në Uruguaj.
Fryma e zellit dhe e bashkëpunimit që u shfaq nga Dëshmitarët e Jehovait gjatë projektit të ndërtimit është treguar edhe gjatë viteve nga populli i Jehovait në kryerjen e veprës së tyre arsimuese. Gjashtëdhjetë vjet më parë, në Uruguaj kishte
pak Dëshmitarë, duke përfshirë edhe gjashtë pionierë gjermanë, të cilët udhëtonin në të gjithë vendin me biçikletë. Tani, Dëshmitarët e Jehovait në Uruguaj përbëjnë një organizatë të patundur, të mirënjohur e të respektuar me një raport prej 1 lajmëtar në 287 banorë dhe një mesatare prej pesë pleqsh në çdo kongregacion. Sigurisht bashkë me rritjen janë të nevojshme ndërtesa më të mëdha dege.Gjatë programit të dedikimit, më 31 mars 2001, u shpreh vlerësim për Dëshmitarët e shumtë, të cilët ofruan aftësitë dhe përvojën e tyre në këtë projekt. Programi përfshiu, gjithashtu, intervista me shumë nga ata që kanë shërbyer si misionarë në Uruguaj. Ata kishin udhëtuar nga vende të largëta për të qenë të pranishëm në dedikim. Fjalimi i dedikimit u bë nga vëllai Lësh. Ai theksoi faktin se arsyeja kryesore e veprës së predikimit është t’i jepet lëvdim dhe lavdi Jehovait. *
UKRAINA: Për më shumë se 110 vjet, në Ukrainë ka pasur predikues të lajmit të mirë. Megjithatë, dhjetëvjeçarin e kaluar është parë veçanërisht një rritje e shpejtë. Rritja prej 530 për qind në numrin e lajmëtarëve gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të solli si pasojë një nevojë të ngutshme për ndërtesa dege. Për të plotësuar këtë nevojë, u zgjodh një vend i bukur në fshat, rreth 5 kilometra në veri të Lvovit për të ndërtuar degën. Kompleksi përbëhej nga 104 dhoma banimi, zyra moderne, një kuzhinë, lavanderi, garazh dhe magazinë për literaturën.
Pas dy vjet e tre muajsh që kur u mor leja për ndërtim, vëllezërit e kishin transformuar vendin që kishte qenë një kamp për të rinj në një kompleks tërheqës ndërtesash për të bërë degën. Ajo është vendosur në një pyll që përdornin vëllezërit për të mbajtur mbledhjet kur vepra ishte nën ndalim.
Autoritetet vendase kërkuan që rruga që të çon në degë të shtrohej. Vëllezërit pajtuan një firmë vendase ndërtimi për të bërë këtë punë, duke thënë se rruga që është 1.200 metra e gjatë duhej të përfundonte nga fundi i tetorit 2000. Kjo për shkak se dëbora zakonisht fillon në nëntor. Firma nuk qe në gjendje të mbaronte në datën që ranë dakord. Megjithatë, pasi koha ishte ende e përshtatshme për ndërtimin e rrugës, vëllezërit vendosën të ndihmonin për të mbaruar projektin. Të gjithë punuan shumë dhe së fundi, të shtunën më 16 dhjetor 2000, rruga përfundoi së ndërtuari. Atë natë, zona aty afër u mbulua nga një shtrojë dëbore. Nëse pyetni banorët e zonës se përse vjeshta e vitit 2000 ishte aq e ngrohtë dhe e gjatë, ata përgjigjen: «Sepse Dëshmitarët e Jehovait duhej të mbaronin rrugën.»
Programi i dedikimit u mbajt më 19 maj 2001. Për programin ishin të pranishëm vëllezër dhe motra nga 35 vende. Programi përfshinte fjalime nga Teodor Xharaz dhe Gerrit Lësh, anëtarë të Trupit Udhëheqës. Ditën vijuese një turmë prej 72.023 vetash u mblodhën për një program special që u mbajt në stadiumet më të mëdha në Lvov dhe në Kiev. Ishin të pranishëm shumë nga ata që kishin shërbyer për dhjetëvjeçarë nën ndalim. Ata ishin të emocionuar tek shihnin një degë të tillë të bukur, e cila do t’i sjellë shumë nderim dhe lëvdim Jehovait. *
MALAVIA: Aty nga fundi i mbasdites së të shtunës, më 19 maj 2001, më shumë se 2.200 Dëshmitarë nga Malavia u mblodhën bashkë me 200 vizitorë nga 21 vende nën një çadër dielli të bërë nga shkopinj të gjatë peme ekualipti, bambuje dhe bar të thatë. Nën dritën e zbehtë, nuk ishte e mundur të shihje fjalët në librin e këngëve për të kënduar këngën
përmbyllëse. Nga podiumi tërheqës, drejtuesi i këngës i tha auditorit të këndonin këngën 56 në mënyrën tipike afrikane, pa shoqërimin muzikor dhe me katër zëra. Auditori nuk kishte nevojë për libra këngësh; i dinin përmendësh fjalët. Një valë entuziazmi pushtoi mysafirët nga vendet e tjera, ndërsa dëgjonin këta shërbëtorë besnikë të Jehovait, shumë prej të cilëve ishin pagëzuar para 40 a më shumë vjetësh dhe kishin vuajtur shumë për shkak të besimit të tyre.Atë mëngjes, kur vëllezërit dhe motrat vizituan kompleksin e ri të degës, nisën të këndonin spontanisht këngët e Mbretërisë dhe përshëndetën me dorë të gjithë ata që takonin gjatë vizitës. Para kësaj ngjarjeje, nëpunësit e aeroportit kishin pranuar të vinin Meloditë e Mbretërisë volumi 1 në sistemin akustik të aeroportit, për të mirëpritur vizitorët ndërkombëtarë. Çfarë mirëpritje e ngrohtë dhe teokratike që ishte! Muzika vihet ende në aeroport.
«A tregoheni mirënjohës në shërbimin e Jehovait?» ishte pyetja që ngriti Sebastian Xhonson, i cili shërbente në Malavi si mbikëqyrësi i zonës. Ndërsa shqyrtoi Mikean 6:6-8, vëllai Xhonson tregoi se Jehovai nuk po kërkon tepër nga ne. Gaj Pirs, nga Trupi Udhëheqës, e përqendroi fjalimin e tij të dedikimit mbi temën: «Ngazëllohuni dhe gëzohuni në atë që po krijon Jehovai.» Vëllai Pirs tha: «Veprimtaria juaj dhe historia e gjatë e shërbimit besnik ka hedhur themelin për rritjen që po ndodh sot. Vazhdoni të bëni gjithë sa keni mundësi në shërbimin tuaj të shenjtë ndaj Më Të Lartit Perëndi, Jehovait.»
Të dielën më 20 maj, në një stadium në Lilongvë, të 17.378 personave të pranishëm iu kujtua se në vitin 1993, kur në Malavi u hoq ndalimi, numri i lajmëtarëve ishte rreth 30.000 veta. Sot, në Malavi ka rreth 50.000 Dëshmitarë! Po, dedikimi i kompleksit të sapondërtuar të Bethelit *
ishte vërtet një ditë për t’u kujtuar, një ditë fitoreje për Jehovain!BARBADOSI: Zyra e re e Barbadosit dhe Salla e Mbretërisë që është ngjitur janë vendosur në një peizazh lëndinash dhe bimësh me lule, në një hektar vend të ngritur, e cila ofron një pamje të mrekullueshme të detit të Karaibeve që është aty afër. Këto ndërtesa tërheqëse, të ndërtuara për
18 muaj, janë ngritur në një rajon të qetë në Prospekt, Shën Xhejms, rreth 4 kilometra larg kryeqytetit të Barbadosit, Brixhtauni.Ndërtesa e re e degës strehon një familje Bethel prej dhjetë vetash. Përmban tetë dhoma banimi, zyra dhe një dhomë ngrënieje. Ka edhe një Sallë Mbretërie me 275 vende. Këto ndërtesa zëvendësojnë ish-kompleksin e degës që ishte vendosur rreth dhjetë minuta larg me makinë në zemër të Brixhtaunit. Kur këto ish-godina—të vendosura në një periferi të brendshme të kryeqytetit të Barbadosit pak a shumë të qetë—filluan të përdoreshin në vitin 1969, numri i përgjithshëm i lajmëtarëve në gjashtë ishujt kryesorë e ishuj të tjerë të vegjël ishte rreth 1.200. Në vitin 2000, ky numër u rrit me 2.390 lajmëtarë në 25 kongregacione dhe një grup të izoluar. Në këtë kohë, kjo ndërtesë dege ishte bërë shumë e vogël për t’u kujdesur për numrin në rritje të kongregacioneve, dhe periferia dikur e qetë ishte kthyer në një zonë të zhurmshme tregtare.
Të shtunën më 2 qershor 2001, 676 mysafirët e ftuar nga ishujt e degës së Barbadosit dhe 15 vende të tjera, gëzuan programin e dedikimit, i cili përfshinte një histori të veprës në Barbados. Pika kulmore e programit ishte fjalimi «Të gëzojmë zemrën e Jehovait», mbajtur me një ngrohtësi ngjitëse nga Xhon E. Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës. Që të nxirrnin dobi edhe ata që nuk kishin mundësi të ndiqnin programin e dedikimit, ditën tjetër u mbajt një mbledhje speciale. Morën pjesë 3.332 veta. *
Ata që punojnë në ndërtesa të tilla zyrash në mbarë botën janë rreth 20.133 shërbëtorë të caktuar zyrtarisht. Të gjithë janë anëtarë të Urdhrit të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë.
[Shënimet]
^ par. 60 Historia teokratike e Venezuelës ka dalë në Librin Vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1996, faqet 187-252.
^ par. 63 Historia teokratike e Uruguajit ka dalë në Librin Vjetor 1999, faqet 225-255.
^ par. 67 Historia e aktivitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë gjendet në faqet 119-255 të këtij Libri Vjetor.
^ par. 71 Historinë teokratike të Malavisë mund ta gjeni në Librin Vjetor 1999, faqet 149-222.
^ par. 74 Historia teokratike e Barbadosit është treguar në Librin Vjetor 1989, faqet 149-197.
[Figurat në faqen 6]
Në Kongreset Krahinore «Mësues të Fjalës së Perëndisë» në Hong-Kong, u prezantua «Përkthimi Bota e Re» në gjuhën kineze tradicionale dhe të thjeshtuar
[Figurat në faqen 11]
Afërsisht gjysmë miliardë kopje të «Lajmërim i Mbretërisë» nr. 36 u shpërndanë në mbarë botën
[Figura në faqen 13]
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, Francë
[Figura në faqen 21]
Vëllai dhe motra Muçinguri përballë Sallës së re të Mbretërisë
[Figura në faqen 22]
Tri çmimet e marra për videokasetën «Transfuzioni: Strategjitë Alternative—të thjeshta, të sigurta, të efektshme»
[Figurat në faqet 28, 29]
Ndërtesa dege të sapodedikuara
(1) Malavi
(2) Barbados
(3) Uruguaj
(4) Venezuelë
(5) Ukrainë