Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ukraina

Ukraina

Ukraina

Jezui tregoi një ilustrim për farën e mbjellë në tokë të shkëlqyer, duke përshkruar ata që zhvillojnë çmueshmëri të thellë për Fjalën e Perëndisë. Ata «japin fryt me qëndrueshmëri», duke vazhduar të shpallin me besim të plotë mesazhin e Perëndisë me gjithë vështirësitë dhe vuajtjet. (Luka 8:11, 13, 15) Janë të pakta vendet mbi tokë në të cilat kjo gjë ka qenë më e dukshme sesa në Ukrainë. Edhe pse atje ka pasur më shumë se 50 vjet ndalim dhe përndjekje të egër, Dëshmitarët e Jehovait kanë mbijetuar dhe kanë lulëzuar.

Gjatë vitit të shërbimit 2001, ky vend arriti një maksimum prej 120.028 lajmëtarësh. Më shumë se 56.000 prej tyre e kanë mësuar të vërtetën biblike gjatë pesë viteve të fundit. Në dy vitet e kaluara, vëllezërit kanë lënë më se 50 milionë revista, numër i barabartë me popullsinë e vendit. Çdo muaj, zyra e degës merr mesatarisht një mijë letra nga njerëzit e interesuar që kërkojnë më tepër informacion. E gjithë kjo do të kishte qenë e paimagjinueshme jo shumë kohë më parë. Ç’fitore për adhurimin e pastër!

Para se të shfletojmë faqet e historisë së Ukrainës, le t’i hedhim një sy vetë vendit. Përveç tokës figurative, për të cilën foli Jezui, Ukraina ka një tokë të mirëfilltë të shkëlqyer. Gati gjysma e vendit është e mbuluar me stepa pjellore me dhé të zi, të cilin ukrainasit e quajnë çernozem që do të thotë «tokë e zezë». Ky dhé, i shoqëruar me një klimë të butë, e ka bërë Ukrainën një nga rajonet bujqësore më të frytshme të botës, që prodhon panxharsheqer, grurë, elb, misër dhe kultura të tjera bujqësore. Që nga kohët e lashta Ukraina ka qenë e njohur si hambari i Evropës.

Me një shtrirje prej 1.300 kilometrash nga lindja në perëndim dhe 900 kilometrash nga veriu në jug, Ukraina, është paksa më e madhe se Franca. Siç mund ta shihni në hartë në faqen 123, vendi ndodhet në Evropën Lindore, në veri të Detit të Zi. Ukraina Veriore është e zbukuruar me pyje. Drejt jugut shtrihen rrafshina të pasura dhe pjellore, pas së cilave vijnë malet e bukura të Krimesë. Në perëndim, një rajon kodrinor u paraprin maleve të pjerrëta Karpate, vendbanimi i rrëqebujve, i arinjve dhe i bizonëve.

Në Ukrainë jetojnë rreth 50 milionë njerëz. Ata janë njerëz të përulur, mikpritës dhe punëtorë. Shumë njerëz flasin edhe gjuhën ukrainase, edhe rusishten. Nëse ju ftojnë në shtëpitë e tyre, ka të ngjarë që t’ju shërbejnë borsht (supë me panxharë të kuq) dhe vareniki (topa brumi të zier në lëng mishi). Pas një vakti të këndshëm, mund të zbaviteni me këngë popullore, meqë shumë ukrainas kanë dëshirë të këndojnë e t’u bien veglave muzikore.

Banorët e Ukrainës janë njohur me një shumëllojshmëri besimesh fetare. Në shekullin e dhjetë, u paraqit feja ortodokse e lindjes. Më vonë, Perandoria Osmane solli islamizmin në Ukrainën Jugore. Gjithashtu, fisnikët polakë po përhapnin katolicizmin gjatë Mesjetës. Në shekullin e 20-të, shumë veta u bënë ateistë nën sundimin e komunizmit.

Dëshmitarët e Jehovait gjenden në mbarë vendin. Megjithatë, para Luftës II Botërore, shumica e tyre jetonin në Ukrainën Perëndimore, e cila ishte e ndarë në katër krahina: Volina, Halikina, Transkarpatia dhe Bukovina.

Farërat e së vërtetës mbillen në Ukrainë

Studentët e Biblës, siç njiheshin më parë Dëshmitarët e Jehovait, kanë qenë aktivë në Ukrainë për më se një shekull. Gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë SHBA-së, më 1891, Ç. T. Rasëlli, një udhëheqës i Studentëve të Biblës, vizitoi shumë vende në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Rrugës për në Kostandinopojën e atëhershme, në Turqi, vizitoi Odesën në Ukrainën Jugore. Më vonë, më 1911, mbajti një sërë fjalimesh biblike në qytetet më të mëdha të Evropës, duke përfshirë edhe qytetin e Lvovit në Ukrainën Perëndimore.

Vëlla Rasëlli udhëtoi me tren dhe arriti në Lvov, ku një sallë e madhe e njohur si Shtëpia e Popullit ishte marrë me qira për fjalimin e tij, i programuar për në 24 mars. Nëntë lajmërime në shtatë gazeta vendëse, si edhe afishe të mëdha i ftonin të gjithë të dëgjonin fjalimin «Sionizmi në profeci» nga «oratori i famshëm dhe i nderuar nga Nju-Jorku», Pastori Rasëll. Ishte planifikuar që atë ditë vëlla Rasëlli ta mbante fjalimin dy herë. Megjithatë, një rabin nga Shtetet e Bashkuara, i cili e kundërshtonte egërsisht veprën e Rasëllit, u dërgoi një mesazh me telegram shokëve të tij në Lvov, ku denonconte Studentët e Biblës. Kjo i nxiti disa të përpiqeshin që ta ndalonin Rasëllin të fliste.

Salla ishte e mbushur plot me njerëz si pasdite, ashtu edhe në mbrëmje, por ishin të pranishëm edhe kundërshtarët. Një gazetë vendëse, Wiek Nowy, raportonte: «Kur përkthyesi [i Rasëllit] shqiptoi fjalët e para, sionistët shpërthyen në britma dhe nuk e lejuan misionarin të fliste për shkak të ulërimave dhe fishkëllimave të tyre. Pastorit Rasëll iu desh të largohej nga podiumi. . . . Protesta ishte edhe më e madhe në fjalimin e orës tetë, atë mbrëmje.»

Sidoqoftë, shumë veta donin të dëgjonin çfarë kishte për të thënë vëlla Rasëlli. Ata ishin të interesuar për mesazhin e tij dhe kërkuan literaturë biblike. Më vonë, vëlla Rasëlli foli për vizitën e tij në Lvov. Ai tha: «Vetëm Perëndia e di se cili mund të jetë drejtimi hyjnor në lidhje me këto përvoja. . . . Zhurma [e judenjve] për temën mund t’i shtyjë disa që të bëjnë kërkime më të thella, sesa po të na kishin dëgjuar siç ka hije dhe me qetësi.» Ndonëse nuk pati përgjigje të menjëhershme ndaj mesazhit, farërat e së vërtetës ishin mbjellë dhe më vonë u formuan shumë grupe të Studentëve të Biblës jo vetëm në Lvov, por edhe në zona të tjera të Ukrainës.

Më 1912, zyra e Studentëve të Biblës në Gjermani botoi një shpallje të madhe në një kalendar që u shpërnda në Ukrainë. Shpallja nxiste leximin e vëllimeve Studime mbi Shkrimet në gjermanisht. Si rrjedhojë, zyra në Gjermani mori rreth 50 letra nga njerëzit në Ukrainë që kërkonin Studime mbi Shkrimet dhe pajtime në Kullën e Rojës. Zyra mbajti lidhje me këta të interesuar, derisa shpërtheu lufta më 1914.

Pas Luftës I Botërore, Ukraina u nda midis katër vendeve fqinje. Krahinat e Ukrainës Qendrore dhe Lindore u pushtuan nga Rusia komuniste dhe u përfshinë në Bashkimin Sovjetik. Ukraina Perëndimore u nda ndërmjet tri vendeve të tjera. Polonia aneksoi zonat e Halikinës dhe Volinës, Rumania Bukovinën dhe Çekosllovakia Transkarpatinë. Këto tri vende siguruan një masë lirie fetare dhe i lejuan Studentët e Biblës të vazhdonin predikimin e tyre. Kështu, shumë farëra të së vërtetës që do të prodhonin fryte më pas u mbollën së pari në Ukrainën Perëndimore.

Filizat e parë

Në fillim të shekullit të 20-të, shumë familje nga Ukraina shkuan në Shtetet e Bashkuara në kërkim të një jete më të mirë. Disa lexuan botimet tona biblike dhe ua dërguan të afërmve në Ukrainë. Familje të tjera u njohën me mësimet e Studentëve të Biblës, u kthyen në atdhe dhe filluan të predikonin në fshatrat e tyre të lindjes. U formuan disa grupe të Studentëve të Biblës dhe, më vonë, u rritën e u bënë kongregacione. Në fillim të viteve 20, Studentët e Biblës nga Polonia mbollën farërat e së vërtetës në Halikinë dhe në Volinë. Ndërkohë, vëllezërit nga Rumania dhe nga Moldavia e sollën të vërtetën në krahinën e Bukovinës.

Kjo hodhi një themel të mirë për rritje të mëtejshme. Kulla e Rojës e 15 dhjetorit të vitit 1921 raportonte: «Kohët e fundit disa nga vëllezërit tanë vizituan [Bukovinën] . . . Në përfundim të vizitës së tyre, që zgjati pak javë, janë formuar shtatë klasa të organizuara dhe që tani po studiojnë vëllimet dhe ‘Hijet e tabernakullit’. Njëra nga këto klasa ka rreth 70 anëtarë.» Më 1922, në fshatin Kolinkivtsi, në Bukovinë, Stepan Koltsa pranoi të vërtetën, u pagëzua dhe filloi predikimin. Me sa dimë, ai ishte vëllai i parë i pagëzuar në Ukrainë. Më pas, dhjetë familje u bashkuan me të. Një rritje e ngjashme ndodhi në zonën e Transkarpatisë. Në vitin 1925 kishte afërsisht 100 Studentë të Biblës në fshatin Veliki-Luçki dhe në fshatrat fqinjë. Pas kësaj, shërbëtorët e parë në kohë të plotë filluan predikimin në Transkarpati, duke drejtuar mbledhjet në shtëpitë e Studentëve të Biblës. Shumë njerëz u pagëzuan.

Aleksei Davidjuku, një Dëshmitar nga shumë vite, përshkruan se si u njohën njerëzit me të vërtetën në atë kohë. Ai thotë: «Më 1927, një fshatar solli një nga botimet tona në fshatin e Lankoves, në zonën e Volinës. Pasi e lexuan, disa fshatarë u bënë kureshtarë për mësimet rreth ferrit të zjarrtë dhe shpirtit. Meqë libri kishte adresën e Studentëve të Biblës në Lodz të Polonisë, fshatarët shkruan një letër ku kërkonin që dikush të vizitonte fshatin e tyre. Pas një muaji, shkoi një vëlla dhe organizoi një grup për Studimin e Biblës. Pesëmbëdhjetë familje u bashkuan me këtë grup.»

Një entuziazëm i tillë për të vërtetën ishte i zakonshëm në ato vite të hershme. Shqyrtoni fjalët e çmueshmërisë të shprehura në një letër nga zona e Halikinës drejtuar selisë qendrore të Studentëve të Biblës në Bruklin: «Librat që botoni shërojnë shumë nga plagët e njerëzve tanë dhe i udhëheqin drejt ndriçimit frymor. Por, ju lutem, të na dërgoni më shumë libra të tillë.» Një tjetër person i interesuar shkroi: «Vendosa t’ju kërkoj të na dërgoni literaturë, sepse nuk mund ta marr këtu. Një burrë nga fshati ynë mori disa libra nga ju, por fqinjët ia rrëmbyen. Ai madje nuk mundi as t’i lexonte. Tani po viziton fshatarët, duke u përpjekur të gjejë përsëri librat e tij.»

Një interes kaq i madh solli si pasojë ngritjen e një zyre të Studentëve të Biblës në rrugën Pekarska, në Lvov. Zyra mori shumë kërkesa për literaturë nga Halikina dhe Volina dhe i postoi rregullisht në Bruklin për t’i plotësuar.

Nga mesi i viteve 20, farërat e së vërtetës kishin mbirë në Ukrainën Perëndimore. U organizuan shumë grupe të Studentëve të Biblës dhe disa prej këtyre grupeve më pas u bënë kongregacione. Megjithëse janë ruajtur shumë pak regjistrime të kësaj veprimtarie të hershme, raportet që kemi tregojnë se 12 veta e kremtuan Përkujtimin në Halikinë më 1922. Më 1924, Kulla e Rojës raportonte se 49 veta morën pjesë në Përkujtim në qytetin Sarata të Ukrainës Jugore. Më 1927, më shumë se 370 veta morën pjesë në Përkujtim në Transkarpati.

Duke përshkruar veprën në vende të ndryshme të botës, në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit të vitit 1925, thuhej: «Një vëlla nga Amerika u dërgua këtë vit në Evropë tek ukrainasit; . . . është bërë punë shumë e mirë midis ukrainasve në atë pjesë që kontrollohet nga Polonia. Atje ka pasur një kërkesë të madhe dhe në rritje për literaturë.» Disa muaj më vonë, revista Epoka e Artë (tani Zgjohuni!) raportonte: «Vetëm në Galici [Halikinë] ka njëzetë klasa [kongregacione] . . . Disa nga këto klasa kanë . . . organizuar dhe mbajtur mbledhje në mesjavë; disa mblidhen vetëm të dielave dhe disa janë në fazën e organizimit. Ka shpresë të formohen më shumë klasa, nevojitet vetëm dikush që t’i drejtojë.» E gjithë kjo tregoi se në kuptimin frymor, toka e Ukrainës ishte shumë pjellore.

Fillimet e shërbimit në fushë

Vojtek Çeki, nga Transkarpatia, u pagëzua në vitin 1923 dhe më vonë filloi veprën si ungjillëzues në kohë të plotë në zonën e Berehoves. Zakonisht shkonte në shërbim duke mbajtur në dorë një çantë plot me literaturë, një tjetër e lidhte prapa në biçikletë dhe një çantë shpine plot me literaturë e mbante në kurriz. Ai rrëfen: «Na ishte caktuar një territor me 24 fshatra. Ishim 15 lajmëtarë dhe duhej të përpiqeshim shumë për t’i mbuluar këto fshatra me literaturë dy herë në vit. Çdo të diel, në orën katër të mëngjesit mblidheshim bashkë në njërin nga fshatrat. Prej andej, duhej të ecnim ose të udhëtonim me autobus 15 deri në 20 kilometra ose më shumë për të shkuar në zonat përreth. Zakonisht e fillonim shërbimin shtëpi më shtëpi në orën 8.00 dhe vazhdonim deri në 14.00. Shpesh ktheheshim në shtëpi më këmbë dhe në mbledhjet e mbrëmjes të asaj dite të gjithë rrëfenin tërë gëzim përvojat e tyre. Duhej t’i binim shkurt përmes pyjeve dhe të kalonim lumenjtë në mot të mirë e të keq, por asnjëri nga ne nuk u ankua ndonjëherë. Ishim të lumtur që i shërbenim dhe i sillnim lavdi Krijuesit tonë. Njerëzit mund të shihnin se vëllezërit jetonin me gjithë mend si të krishterë të vërtetë, të gatshëm që të ecnin edhe 40 kilometra për të marrë pjesë në mbledhje ose për të predikuar.

«Në shërbim takonim njerëz të ndryshëm. Njëherë, i ofrova broshurën Mbretëria, shpresa e botës një gruaje që tha se do të donte ta merrte, por nuk kishte para për të kontribuar. Isha i uritur kështu që i thashë se mund t’i jepja broshurën dhe ajo të më gatuante një vezë. Ajo mori broshurën dhe unë hëngra një vezë.»

Në kohën e Krishtlindjeve, banorët e Transkarpatisë shkonin nga shtëpia në shtëpi, duke kënduar për lindjen e Jezu Krishtit. Vëllezërit e shfrytëzuan mirë këtë zakon. Ata merrnin në çantë literaturë dhe shkonin nëpër shtëpitë e njerëzve për të kënduar këngë që shprehnin besimin e tyre. Shumë vetave u pëlqenin meloditë. Shpesh, i ftonin vëllezërit në shtëpi dhe u kërkonin që të këndonin më shumë këngë. Për këngët, ndonjëherë u jepnin para, të cilat ata me kënaqësi i këmbenin me literaturë biblike. Kështu, gjatë periudhës së Krishtlindjeve depoja e literaturës shpesh boshatisej fare. Fushata të tilla me këngë zgjatnin për dy javë, meqë anëtarët e Kishës Katolike Romake dhe ata të Kishës Katolike Greke i kremtonin Krishtlindjet në javë të ndryshme. Megjithatë, nga gjysma e dytë e viteve 20, kur për Studentët e Biblës u bë e dukshme origjina pagane e Krishtlindjeve, fushatat me këngë u ndërprenë. Vëllezërit provuan gëzim të madh në veprën e predikimit që u krye me hov dhe grupe të reja me lajmëtarë filluan shumë shpejt të shfaqeshin vazhdimisht në Transkarpati.

Kongreset e para

Në maj të vitit 1926, u mbajt në fshatin Veliki-Luçki kongresi i parë i Studentëve të Biblës në zonën e Transkarpatisë. Kishte 150 të pranishëm dhe 20 veta u pagëzuan. Vitin që pasoi 200 veta morën pjesë në një kongres në stadiumin e hapur qendror të Uzhgorodit, një qytet në të njëjtën zonë. Pas pak kohësh, kongrese të tjera u organizuan në qytete të ndryshme të Transkarpatisë. Më 1928, u zhvillua kongresi i parë në Lvov. Më vonë, u bënë kongrese të tjera në Halikinë dhe në Volinë.

Në fillim të vitit 1932, u mbajt një kongres në fshatin Solotvino të Transkarpatisë, në oborrin e një shtëpie ku Studentët e Biblës bënin rregullisht mbledhjet e tyre. Ishin të pranishëm afërsisht 500 veta, duke përfshirë edhe disa vëllezër përgjegjës nga Gjermania. Mikajlo Tilnjaku, një plak në kongregacionin vendas, tregon: «I pëlqyem shumë fjalimet e përgatitura mirë nga vëllezërit që erdhën në kongresin tonë nga Gjermania dhe nga Hungaria. Me lot në sy, ata na nxitën të qëndronim besnikë në sprovat që do të vinin.» Dhe sprova të rënda erdhën kur filloi Lufta II Botërore.

Më 1937 u mor me qira një tren i tërë që delegatët të udhëtonin për në një kongres të madh në Pragë të Çekosllovakisë. U nis nga fshati Solotvino dhe udhëtoi përmes Transkarpatisë, duke ndaluar në çdo stacion hekurudhor për të marrë delegatët. Në secilin vagon të trenit, kishte një tabelë të madhe ku lexohej «Kongresi i Dëshmitarëve të Jehovait—Pragë». Ishte një dëshmi e shkëlqyer për njerëzit në atë zonë dhe të moshuarit e kujtojnë atë ngjarje edhe sot e kësaj dite.

Ndërtohen vende adhurimi

Ndërsa ishin formuar grupet e para të Studentëve të Biblës, lindi nevoja për të ndërtuar vendet e tyre të adhurimit. Vendi i parë për mbledhjet u ndërtua në fshatin Dibrova të Transkarpatisë më 1932. Më vonë, u ndërtuan dy salla të tjera në fshatrat fqinjë Solotvino dhe Bila Tserkva.

Edhe pse disa nga këto salla u shkatërruan gjatë luftës dhe disa u konfiskuan, vëllezërit ende dëshironin që të kishin Sallat e tyre të Mbretërisë. Tani, ka 8 Salla Mbretërie në fshatin Dibrova dhe 18 Salla Mbretërie në gjashtë fshatrat fqinjë.

Zhvillimi i përkthimit

Nga fundi i shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, shumë familje mërguan nga Ukraina në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Disa prej tyre e përqafuan të vërtetën në ato vende ku më pas u formuan dhe shumë grupe në gjuhën ukrainase. Brenda vitit 1918, u botua në gjuhën ukrainase Plani hyjnor i epokave. Prapëseprapë, nevojitej të bëhej shumë më tepër për të siguruar ushqim frymor në gjuhën ukrainase për popullsinë në Ukrainë dhe jashtë saj. Në fillim të viteve 20, ishte e dukshme nevoja për një vëlla të kualifikuar që t’i përkthente botimet biblike rregullisht. Më 1923, Emil Zaritski, i cili jetonte në Kanada, pranoi ftesën për të ndërmarrë shërbimin e plotkohor. Për të, kjo do të thoshte kryesisht të përkthente botimet biblike në gjuhën ukrainase. Gjithashtu, ai vizitoi grupet ukrainase, polake dhe sllovake në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara.

Emil Zaritski lindi afër qytetit të Sokalit, në Ukrainën Perëndimore dhe më vonë u transferua në Kanada me prindërit e tij. Atje u martua me një vajzë nga Ukraina me emrin Marija. Së bashku rritën pesë fëmijë. Edhe pse me përgjegjësi të mëdha familjare, Emili dhe Marija qenë në gjendje të përmbushnin caktimet teokratike. Më 1928, Shoqata Watch Tower bleu një shtëpi në Vinipeg të Kanadasë, e cila shërbeu si zyrë qendrore për veprën e përkthimit të Ukrainës.

Në ato kohë të hershme, vëllezërit përdornin në shërbimin shtëpi më shtëpi gramafonë dore me pllaka me fjalime biblike. Vëlla Zaritski u ftua në Bruklin për të bërë regjistrimin e fjalimeve të tilla në gjuhën ukrainase. Në vitet 30 u përgatitën në stacionin e radios në Vinipeg disa transmetime gjysmëorëshe në gjuhën ukrainase. Në këto transmetime radiofonike, Emil Zaritski dhe vëllezër të tjerë me përvojë mbajtën fjalime publike domethënëse. Këto fjalime u shoqëruan me këngë korale të kënduara me katër zëra, nga libri i këngëve që ishte botuar më 1928. U morën me qindra letra dhe telefonata nga dëgjuesit mirënjohës.

Për 40 vjet, Emil Zaritski së bashku me gruan e tij, Marijan, e përmbushën me besnikëri caktimin e tyre si përkthyes. Gjatë asaj kohe përkthehej në gjuhën ukrainase çdo numër i Kullës së Rojës. Më 1964, Moris Sarançuku, i cili me gruan e tij Enin, kishte ndihmuar vëlla Zaritskin për disa vjet, u caktua të mbikëqyrte veprën e përkthimit.

Vjen ndihma frymore

Edhe pse në mënyrë individuale disa lajmëtarë të zellshëm kishin mbjellë dhe kishin ujitur farërat e së vërtetës nëpër Ukrainë, vepra e organizuar e predikimit në Transkarpati dhe më vonë në Halikinë nuk filloi para vitit 1927. Para kësaj, një numër i madh librash dhe broshurash ishin shpërndarë në gjuhën rumune, hungareze, polake dhe ukrainase, edhe pse veprimtaria e predikimit nuk ishte raportuar. Grupet e veçuara filluan të organizoheshin në kongregacione dhe lajmëtarët nisën të predikonin rregullisht nga shtëpia në shtëpi. Në ato vite u la shumë literaturë biblike. Më 1927 u hap depoja e parë për literaturën në Ukrainë, në qytetin e Uzhgorodit të Transkarpatisë. Më 1928, zyra në Magdeburg të Gjermanisë u caktua për t’u kujdesur për kongregacionet dhe lajmëtarët në territorin e Transkarpatisë, e cila në atë kohë ishte pjesë e Çekosllovakisë.

Më 1930, në qytetin e Berehoves afër Uzhgorodit, u ngrit një zyrë për të mbikëqyrur veprën e Studentëve të Biblës në Transkarpati. Vojtek Çeki shërbeu si mbikëqyrës në atë zyrë. Ky rregullim i ri ishte shumë dobiprurës për veprën e predikimit.

Disa vëllezër nga zyra e Pragës dhe e Magdeburgut treguan një frymë vetëmohuese, shpesh duke udhëtuar në largësi të mëdha në brendësi të maleve Karpate për të çuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në pjesët më të largëta të asaj krahine të bukur. Njëri nga këta vëllezër të zellshëm ishte Adolf Fitske nga zyra e degës të Magdeburgut. Ai u dërgua për të predikuar në zonën e Rakivit në malet Karpate. Shumë Dëshmitarë vendas deri sot e kësaj dite kanë kujtime të dashura nga ky vëlla besnik, modest dhe i butë. Në vitin 2001 kishte katër kongregacione në atë zonë.

Gjatë viteve 30, «Fotodrama e krijimit» u shfaq në shumë qytete dhe fshatra të Transkarpatisë. «Fotodrama» ishte një paraqitje tetëorëshe me diapozitivë dhe film, i sinkronizuar me një komentim të bazuar në Bibël të regjistruar në pllaka gramafoni. Erik Frosti nga Gjermania u dërgua për të ndihmuar vëllezërit vendas për «Fotodramën». Para programit, vëllezërit linin fletushka dhe përdornin afishe për të ftuar publikun në shfaqjen e «Fotodramës». Interesi ishte i madh. Në qytetin e Berehoves, u mblodh një turmë e tillë, saqë më shumë se një mijë njerëz duhej të pritnin në rrugë. Kur policët panë atë turmë të madhe, patën frikë se do të prishej rendi dhe nuk do të mund ta kontrollonin dot. Për pasojë, ata menduan që ta anulonin ngjarjen, por pastaj vendosën të mos e bënin këtë. Pas shfaqjes, u lanë shumë adresa nga njerëzit që dëshironin ta shikonin përsëri «Fotodramën». Ky interes bëri që udhëheqësit fetarë vendas të përdorin çdo mjet të mundshëm për të penguar veprën e predikimit të lajmit të mirë. Pavarësisht nga kjo, Perëndia Jehova vazhdoi ta bekojë veprën duke e bërë të suksesshme.

Gjatë viteve 20 dhe 30, zonat e Volinës dhe Halikinës ishin nën mbikëqyrjen e degës polake në Lodz. Më 1932, vëllezërit nga Polonia e përqendruan vëmendjen në këto krahina, duke bërë rivizita te të gjithë ata që ishin pajtuar në Kullën e Rojës, adresat e të cilëve i morën nga Bruklini.

Vilhelm Shajderi, atëherë mbikëqyrës i zyrës së Polonisë, kujtonte: «Ukrainasit e përqafuan të vërtetën me entuziazëm të madh. Në qytetet dhe fshatrat e Halikinës u shfaqën papritur grupe të interesuarish si kërpudhat pas shiut. Në disa raste, grupe të tilla u bënë kaq të mëdha, saqë përfshinë bashkësi të tëra.»

Megjithëse shumica e vëllezërve ishin të varfër, sakrifikonin shumë për të marrë literaturë dhe pllaka gramafoni që do t’i ndihmonin të predikonin dhe të rriteshin frymësisht. Mikola Voloçi nga Halikina, i cili u pagëzua më 1936, shiti njërin nga dy kuajt e tij për të blerë një gramafon. Merrni me mend se ç’do të thoshte kjo për një bujk! Edhe pse i duhej të mbante katër fëmijë, arriti në përfundimin se mund t’ia dilte mbanë edhe vetëm me një kalë. Shumë të tjerë arritën ta njihnin Jehovain nëpërmjet fjalimeve biblike dhe këngëve të Mbretërisë në gjuhën ukrainase që jepeshin në këta gramafonë dhe arritën t’i shërbenin atij.

Duke ilustruar rritjen e madhe të lajmëtarëve në Halikinë dhe në Volinë në vitet 30, Vilhelm Shajderi tha: «Më 1928 arritëm deri në 300 lajmëtarë në Poloni, por në 1939-ën kishim më shumë se 1.100 dhe gjysma e tyre ishin ukrainas, megjithëse në zonën e tyre (Halikinë dhe Volinë) vepra filloi shumë më vonë.»

Për t’u kujdesur për këtë rritje, dega e Polonisë dërgoi në Halikinë dhe në Volinë Ludvik Kinickin, i cili do të shërbente si mbikëqyrës udhëtues për të ndihmuar në veprën e predikimit. Familja e tij nga Çortkivi i Halikinës, pati mërguar në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit të 20-të dhe atje vëlla Kinicki mësoi të vërtetën. Më vonë, u kthye në vendlindjen e tij për të ndihmuar njerëzit e sinqertë atje. Shumë vëllezër dhe motra nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën frymore që morën nga ky shërbëtor i zellshëm. Në vjeshtën e vitit 1936, kur u vendos ndalimi për botimin në polonisht të Epokës së Artë dhe botuesi i saj u dënua me një vit burg, vëlla Kinicki u caktua si botuesi i revistës Dita e re, e cila u botua në vend të Epokës së artë që ishte ndaluar. Më 1944, u arrestua nga Gestapoja dhe u çua në kampin e përqendrimit Mathauzen-Guzen, ku qëndroi besnik ndaj Jehovait deri në vdekje.

Perëndia tërheq njerëz të çdo lloji

Në fillim të viteve 20, një Student i Biblës me emrin Rola u kthye në qytetin e lindjes në Zoloti Potik në Halikinë. Rola filloi të predikonte lajmin e mirë, duke përdorur Biblën e tij. Njerëzit e quajtën të çmendur, sepse shkatërroi të gjitha ikonat e tij fetare. Prifti vendës u orvat ta pengonte Rolan të predikonte. Prifti vizitoi një polic dhe i tha: «Nëse bën diçka në mënyrë që Rola të mos jetë në gjendje të ecë më, atëherë do të të jap një litër uiski.» Polici iu përgjigj se nuk ishte detyra e tij të rrihte njerëzit. Më vonë, Rola filloi të merrte pako me literaturë nga vëllezërit në Shtetet e Bashkuara. Prifti iu afrua përsëri policit dhe i tregoi se në postë kishte ardhur një pako me literaturë komuniste. Ditën tjetër polici po priste te posta për të parë se kush do ta tërhiqte pakon. Pa dyshim, ishte Rola. Polici e çoi Rolan në rajonin e policisë dhe thirri në të njëjtën kohë edhe priftin. Prifti bërtiste se librat vinin nga Djalli. Polici dërgoi ca literaturë në gjykatën vendëse për të përcaktuar nëse literatura përmbante mësime komuniste. Pjesën tjetër e mbajti për vete. Pasi i lexoi botimet, kuptoi se ato përmbanin të vërtetën. Shumë shpejt ai dhe gruaja e tij filluan të merrnin pjesë në mbledhjet e Studentëve të Biblës. Më pas u pagëzua dhe u bë një lajmëtar i zellshëm. Kështu që, ndërsa prifti po orvatej të ndalte veprën e bërjes së dishepujve, pa dashur, nxiti Ludvik Rodakun të përqafonte të vërtetën.

Rreth kësaj kohe, një prift i Kishës Katolike Greke nga Lvovi mërgoi në Shtetet e Bashkuara së bashku me gruan. Pak pas kësaj, gruaja i vdiq. I hidhëruar, ai vendosi të zbulonte se ku kishte shkuar shpirti i së shoqes. Mori adresën e disa spiritistëve në Nju-Jork. Teksa ishte duke kërkuar për vendin e mbledhjeve të tyre, gabimisht shkoi në një kat tjetër të ndërtesës dhe u gjend në një mbledhje të Studentëve të Biblës. Atje, mësoi të vërtetën për gjendjen e të vdekurve. Më pas, u pagëzua dhe punoi për ca kohë në fabrikën e shtypjes në Bethelin e Bruklinit. Pas ca kohësh, u kthye në Halikinë dhe vazhdoi të predikonte me zell lajmin e mirë.

Rreze drite në Ukrainën Lindore

Siç e pamë, pjesa më e madhe e predikimit të hershëm u bë në Ukrainën Perëndimore. Si arriti e vërteta në pjesën tjetër të vendit? A do të prodhonte toka frymore atje po aq me bollëk sa edhe në Ukrainën Perëndimore?

Në fillim të shekullit të 20-të, vëlla Trumpi, një Student i Biblës nga Zvicra, erdhi për të punuar si inxhinier në një minierë qymyrguri në rajonin e Ukrainës Lindore. Ai njihet si Studenti i parë i Biblës në atë zonë. Veprimtaria e tij e predikimit në vitet 20 të shekullit të kaluar solli si pasojë formimin e një grupi të studimit të Biblës në fshatin Ljubimivskij-Post, pranë qytetit të Harkovit.

Më 1927, një vëlla tjetër nga Evropa Perëndimore erdhi për të punuar si inxhinier në një minierë qymyrguri në fshatin Kalinivka. Ai mori me vete një valixhe plot me literaturë biblike, të cilën e përdori për t’i predikuar një grupi të vogël baptistësh që treguan interes të madh për shpresën e Mbretërisë. Pas ca kohësh, ky vëlla u kthye në vendlindje, duke lënë pas një grup të vogël, të cilët ishin bërë Studentë të Biblës. Kulla e Rojës e 1927-ës raportonte se 18 veta erdhën së bashku në Kalinivka për të kremtuar Përkujtimin. Në fshatin fqinj Jepifanivka, kishte 11 të pranishëm. Për më tepër, atë vit 30 veta mbajtën Përkujtimin në Ljubimivskij-Post.

Vëllezërit nga selia qendrore në Bruklin u kushtuan vëmendje të vazhdueshme zhvillimeve në Bashkimin Sovjetik, duke u përpjekur të arrinin të kishin njohjen ligjore të veprës së predikimit të Mbretërisë. Me këtë synim në mendje, një vëlla kanadez, Xhorxh Jangu, erdhi në BRSS më 1928. Gjatë qëndrimit atje, pati mundësinë të vizitonte qytetin e Harkovit, në Ukrainën Lindore, ku organizoi një kongres të vogël tri-ditor me një grup vendas të Studentëve të Biblës. Më vonë, kundërshtimi nga autoritetet bëri që ai të largohej nga vendi. Ai vuri re se në atë kohë, kishte grupe të Studentëve të Biblës edhe në Kiev edhe në Odesë.

Vëlla Jangu raportoi në Bruklin rreth gjendjes në Bashkimin Sovjetik. Sipas rekomandimit të vëlla Jangut, Danjil Starukini nga Ukraina u caktua të përfaqësonte Studentët e Biblës, jo vetëm në Ukrainë, por në tërë BRSS-në. Disa vjet para vizitës së Xhorxh Jangut, vëlla Starukini kishte qenë në gjendje të mbronte Biblën në një diskutim me Anatoli Lunaçarskin, Ministër i Arsimit në atë kohë. Në një letër drejtuar Radhërfordit, në selinë qendrore të Bruklinit, vëlla Jangu shkruante: «Danjil Starukini është i zellshëm dhe aktiv. Kur ishte 15 vjeç, diskutoi për Biblën me një prift. Prifti u inatos kaq shumë, saqë mori kryqin dhe e goditi djaloshin në kokë, duke e përplasur pa ndjenja në dysheme; ai e ka ende shenjën në kokë. Danjili do të ishte varur, por duke qenë nën moshë, e dënuan vetëm me katër muaj burg.» Megjithëse vëlla Starukini u përpoq të regjistronte kongregacionin vendas dhe të merrte lejen për të shtypur literaturë biblike në Ukrainë, autoritetet sovjetike nuk e lejuan.

Në fund të viteve 20 dhe gjatë viteve 30, autoritetet përkrahën me zell ateizmin. Feja vihej në lojë dhe ata që u predikonin të tjerëve shiheshin si «armiq të mëmëdheut». Pas një të korre të bollshme më 1932, komunistët ua konfiskuan fshatarëve të Ukrainës të gjitha mallrat ushqimore. Më shumë se gjashtë milionë njerëz vdiqën për shkak të zisë së bukës që pasoi, e cila u shkaktua në mënyrë artificiale.

Raportet tregojnë se grupet e vogla të shërbëtorëve të Jehovait e mbajtën integritetin në këto kohë të vështira, megjithëse nuk kishin asnjë lidhje me vëllezërit jashtë vendit. Disa prej tyre kaluan shumë vjet në burg për shkak të besimit të tyre. Familja Trumpi, familja Hauzer, Danjil Starukini, Andri Savenkoja dhe motra Shapovalova janë vetëm disa nga këta mbajtës të integritetit. Jemi të sigurt se Jehovai nuk ‘do ta harrojë veprën e tyre dhe dashurinë që treguan për emrin e tij’.—Hebr. 6:10.

Kohë provash të rënda

Fundi i viteve 30 shënoi ndryshime të mëdha në kufijtë e shumë vendeve të Evropës Lindore. Gjermania naziste dhe BRSS-ja e shtrinë më tej sferën e ndikimit të tyre për të gllabëruar vendet më pak të fuqishme.

Në mars të 1939-ës, Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë naziste pushtoi Transkarpatinë. Veprimtaria e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua dhe të gjitha Sallat e Mbretërisë u mbyllën. Autoritetet i keqtrajtuan mizorisht vëllezërit dhe shumë prej tyre i futën në burg. Shumica e Dëshmitarëve nga fshatrat ukrainase të Veliki-Bishkivit dhe Kobiletska-Poljanës u burgosën.

Kur sovjetikët arritën më 1939 në krahinën e Halikinës dhe të Volinës, kufijtë perëndimorë të Ukrainës u mbyllën. Kështu humbën lidhjet me zyrën e Polonisë. Pasi filloi Lufta II Botërore, organizata vepronte në fshehtësi. Vëllezërit mblidheshin në grupe të vogla të quajtura qarqe dhe e vazhdonin shërbimin duke pasur më tepër kujdes.

Më vonë, ushtritë naziste pushtuan Ukrainën. Gjatë pushtimit gjerman, kleri filloi të nxiste turmat kundër popullit të Jehovait. Në Halikinë përndjekja e ashpër bëri kërdinë. Dritaret e shtëpive të Dëshmitarëve të Jehovait u thyen dhe shumë vëllezër u rrahën egërsisht. Në dimër disa nga vëllezërit u detyruan të qëndronin në ujë të ftohtë për orë të tëra, sepse nuk donin të bënin shenjën e kryqit. Disa motra morën 50 goditje me shkop. Disa vëllezër humbën jetën duke mbajtur integritetin. Për shembull, Gestapoja ekzekutoi Illia Hovuçakun, një shërbëtor në kohë të plotë nga malet Karpate. Një prift katolik e kishte kallëzuar në Gestapo vëlla Hovuçakun, sepse predikonte me zell për Mbretërinë e Perëndisë. Ishte kohë provash të rënda. Pavarësisht nga kjo, shërbëtorët e Jehovait vazhduan të qëndronin të patundur.

Dëshmitarët e Jehovait ndihmuan njëri-tjetrin, edhe pse shpesh kjo ishte e rrezikshme. Në qytetin e Stanislavit (tani Ivano-Frankovski), një grua me origjinë hebreje dhe dy vajzat e saj u bënë Dëshmitare. Ato jetonin në një lagje hebrenjsh. Kur vëllezërit mësuan se nazistët kishin planifikuar që t’i ekzekutonin të gjithë hebrenjtë në atë qytet, menjëherë organizuan shpëtimin e tri motrave. Duke vënë në rrezik jetën e tyre, Dëshmitarët i fshehën këto motra hebreje gjatë gjithë kohës së luftës.

Gjatë Luftës II Botërore, vëllezërit në Ukrainën Perëndimore humbën përkohësisht lidhjen me organizatën dhe nuk ishin të sigurt çfarë drejtimi të merrnin. Disa mendonin se fillimi i Luftës II Botërore do të thoshte fillimi i Harmagedonit. Ky mësim shkaktoi keqkuptime midis vëllezërve për ca kohë.

Farërat mbijnë në fushën e betejës

Lufta II Botërore solli hidhërime dhe shkatërrime në Ukrainë. Për tre vjet vendi u kthye në një fushë të stërmadhe beteje. Shumë fshatra dhe qytete u shkatërruan plotësisht, ndërsa fronti i luftës zhvendosej nëpër territorin e Ukrainës, në fillim drejt lindjes, pastaj prapa drejt perëndimit. Afro dhjetë milionë shtetas të Ukrainës u vranë gjatë atyre viteve, duke përfshirë pesë milionë e gjysmë civilë. Në mes të tmerreve të luftës, shumë veta u zhgënjyen nga jeta dhe shpërfillën parimet morale. Prapëseprapë, edhe në kushte të tilla, disa mësuan të vërtetën.

Në vitin 1942, Mikailo Dani, një djalë i ri nga Transkarpatia që pati dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait para Luftës II Botërore, u thirr për shërbimin ushtarak. Gjatë një stërvitjeje ushtarake, një prift katolik shpërndau midis ushtarëve një broshurë fetare që fliste për premtimin e jetës në qiell për këdo që vriste të paktën një komunist. Ky informacion e hutoi ushtarin e ri. Gjatë luftës, ai pa një klerik duke vrarë njerëz. Kjo e ndihmoi të bindej se Dëshmitarët e Jehovait kishin të vërtetën. Pas luftës, u kthye në shtëpi, gjeti Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzua nga fundi i vitit 1945.

Më vonë, vëlla Dani duroi tmerret e burgjeve sovjetike. Pas lirimit, u caktua si plak dhe tani shërben si mbikëqyrës drejtues në një nga kongregacionet e Transkarpatisë. Duke kujtuar broshurën e përmendur më parë, ai thotë me ironi: «Nuk vrava asnjë komunist të vetëm. Prandaj, nuk pres jetën qiellore, por po pres me gëzim të jetoj përgjithmonë në Parajsën mbi tokë.»

Toka pjellore jep fryte në kampet e përqendrimit

Siç u përmend në hyrje, toka e pasur ka mundësi që të prodhojë të korra të bollshme. Prandaj, gjatë pushtimit nga Gjermania Naziste, Ukrainës iu mor dheu i zi pjellor. Vagonë mallrash njëri pas tjetrit u mbushën me dheun pjellor të Ukrainës Qendrore dhe u dërguan në Gjermani.

Megjithatë, të tjerë vagonë mallrash u mbushën me atë që më vonë do të bëhej, në njëfarë kuptimi, një tokë pjellore. Afro dy milionë e gjysmë burra dhe gra të reja u morën nga Ukraina për punë të detyruar në Gjermani. Një numër i konsiderueshëm prej tyre më pas përfunduan në kampe përqendrimi. Atje u njohën me Dëshmitarë gjermanë, të cilët ishin burgosur për shkak të asnjanësisë së krishterë. Edhe pse nëpër kampe përqendrimi, Dëshmitarët nuk pushuan së ndari lajmin e mirë me të tjerët si me fjalë, ashtu edhe me sjelljen e tyre. Një e burgosur kujton: «Dëshmitarët ndryshonin nga të tjerët në kampin e përqendrimit. Ata kishin një qëndrim miqësor dhe optimist. Sjellja e tyre tregonte se ata kishin për t’u thënë diçka shumë të rëndësishme të burgosurve të tjerë.» Gjatë atyre viteve, shumë njerëz nga Ukraina e mësuan të vërtetën nga Dëshmitarët gjermanë që ishin së bashku me ta në kampet e përqendrimit.

Anastasija Kazaku u njoh me të vërtetën në kampin e përqendrimit të Shtuthofit në Gjermani. Nga fundi i luftës, disa qindra të burgosur, përfshirë edhe Anastasijan e 14 Dëshmitarë, u çuan me anije në Danimarkë. Vëllezërit danezë i kërkuan derisa i gjetën dhe u kujdesën për nevojat e tyre fizike dhe frymore. Po atë vit, Anastasija 19-vjeçare u pagëzua në kongresin e Kopenhagës dhe u kthye në shtëpi në Ukrainën Lindore, ku punoi me zell për të mbjellë farërat e së vërtetës. Më vonë, për shkak të veprimtarisë së predikimit, motër Kazaku u dënua përsëri me 11 vjet burg.

Kjo është këshilla e saj për të rinjtë: «Çfarëdo që t’ju ndodhë në jetë—vuajtje, kundërshtime ose shqetësime të tjera—kurrë mos u dorëzoni. Vazhdoni t’i luteni Jehovait për ndihmë. Siç e përjetova vetë, ai nuk i braktis kurrë ata që i shërbejnë.»—Psal. 94:14.

Sprovat e luftës

Lufta është e egër dhe mizore, sjell vështirësi, vuajtje dhe vdekje, si për ushtarët, ashtu edhe për civilët. Dëshmitarët e Jehovait nuk përjashtohen nga pasojat e tmerrshme të luftës. Prapëseprapë, megjithëse janë në botë, nuk janë pjesë e saj. (Gjoni 17:15, 16) Duke imituar Udhëheqësin e tyre, Jezu Krishtin, ata mbajnë asnjanësi të plotë politike. Si në çdo vend tjetër, Dëshmitarët në Ukrainë ky qëndrim i ka dalluar si të krishterë të vërtetë. Dhe në një kohë kur bota nderon heronjtë e saj të luftës të gjallë dhe të vdekur, Jehovai nderon ata që me trimëri tregojnë besnikëri ndaj atij.—1 Sam. 2:30.

Nga fundi i vitit 1944, trupat sovjetike rimorën Ukrainën Perëndimore dhe shpallën rekrutimin e përgjithshëm ushtarak. Në të njëjtën kohë, çeta partizanësh ukrainas luftonin si kundër trupave gjermane, ashtu edhe kundër sovjetikëve. Banorëve të Ukrainës Perëndimore u bëhej presion të bashkoheshin me radhët e partizanëve. E gjithë kjo për shërbëtorët e Jehovait paraqiste sprova të reja për të mbajtur asnjanësinë e tyre. Disa vëllezër u ekzekutuan, sepse nuk pranuan të luftonin.

Ivan Maksimjuku dhe djali i tij, Mikajloja, e mësuan të vërtetën nga Illia Hovuçaku. Gjatë luftës nuk pranuan të merrnin armët, kështu që u kapën nga partizanët. Ca kohë më parë, këta partizanë kishin kapur edhe një ushtar sovjetik. Partizanët urdhëruan Ivan Maksimjukun të vriste ushtarin e kapur rob, duke i thënë se po të bënte kështu do ta lironin. Kur vëlla Maksimjuku nuk pranoi, e vranë mizorisht. Djali i tij, Mikajloja, u vra në të njëjtën mënyrë, po ashtu edhe Juri Frejuku dhe djali i tij 17-vjeçar, Mikola.

Vëllezër të tjerë u ekzekutuan, sepse nuk pranuan të bashkoheshin me ushtrinë sovjetike. (Isa. 2:4) Të tjerë përsëri, u dënuan me dhjetë vjet burg. Vëllezërit e burgosur kishin shumë pak mundësi për të mbijetuar, sepse gjatë periudhës së pasluftës në Ukrainë po vdisnin nga uria madje, edhe ata që ishin të lirë. Në vitin 1944, Mikajlo Daseviçi u burgos për shkak të asnjanësisë së tij. Para burgimit të tij dhjetëvjeçar, ishte nën hetim për gjashtë muaj, duke përfunduar në një gjendje sfilitjeje të plotë. Komisioni mjekësor i burgut urdhëroi t’i jepej një «dietë me shumë kalori». Për këtë arsye stafi i kuzhinës së burgut nisi të shtonte një lugë të vogël vaj në racionin me qull perimesh—i vetmi ushqim që i lejohej. Vëlla Daseviçi mbijetoi për të shërbyer për 23 vjet në komitetin e vendit të BRSS-së dhe, më vonë, në komitetin e vendit të Ukrainës.

Më 1944, shtatë vëllezër nga një kongregacion në Bukovinë, nuk pranuan të bashkoheshin me ushtrinë dhe u dënuan me nga tre deri katër vjet burg secili. Katër prej tyre vdiqën nga uria në burg. Po atë vit, pesë vëllezër nga një kongregacion aty afër, u dënuan secili me dhjetë vjet në një kamp pune në Siberi. Vetëm njëri prej tyre u kthye në shtëpi, të tjerët vdiqën atje.

Libri vjetor 1947 komentonte për këto ngjarje si më poshtë: «Ndërkohë që ky përbindësh, Nazizmi, po shkonte drejt perëndimit, çdo njeri . . . në Ukrainën Perëndimore u mobilizua në mënyrë që lufta të përfundonte në dobi të Rusisë. Përsëri vëllezërit nuk e shkelën besëlidhjen e përjetshme dhe asnjanësinë e tyre. Disa e humbën jetën për shkak të besnikërisë ndaj Zotërisë dhe të tjerë, kësaj here më shumë se 1.000, u transportuan përsëri drejt lindjes në rrafshinat e gjera të këtij kontinenti jashtëzakonisht të madh.»

Pavarësisht nga kjo shpërngulje e madhe, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan të rriten në numër. Në vitin 1946, në Ukrainën Perëndimore, në Përkujtim morën pjesë 5.218 veta, duke përfshirë dhe katër të mirosur.

Lehtësim i përkohshëm

Pasi mbaroi Lufta II Botërore, vëllezërit që u kishin bërë ballë gjithë vështirësive dhe kishin mbetur besnikë ndaj Perëndisë, u predikuan një mesazh drithërues shprese dhe inkurajimi atyre që ktheheshin nga fusha e betejës. Ushtarët, ashtu si edhe të burgosurit e luftës, u kthyen në shtëpi të zhgënjyer, por të etur për të gjetur kuptimin e jetës. Si rrjedhim, shumë veta e përqafuan me gëzim të vërtetën biblike. Për shembull, në fund të vitit 1945, në fshatin Bila-Tserkva, në Transkarpati, u pagëzuan 51 veta në lumin Tisë. Nga fundi i vitit, në atë kongregacion kishte 150 lajmëtarë.

Në atë kohë ishte zhvilluar një urrejtje e dyanshme ndërmjet ukrainasve dhe polakëve si në Ukrainën Perëndimore, ashtu edhe në Poloninë Lindore. U formuan disa banda polake dhe ukrainase. Në disa raste këto banda vritnin të gjithë banorët e fshatrave ku jetonin njerëz të kombit tjetër. Mjerisht edhe disa nga vëllezërit vdiqën në këto masakra.

Më vonë, në sajë të një marrëveshjeje ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Polonisë, afërsisht 800.000 polakë nga Ukraina Perëndimore u vendosën përsëri në Poloni dhe rreth 500.000 ukrainas nga Polonia Lindore u dërguan në Ukrainë. Midis të mërguarve kishte edhe shumë Dëshmitarë. Kongregacione të tëra u shpërngulën dhe vëllezërit morën caktime të reja teokratike, duke e parë këtë riatdhesim si një mundësi për të predikuar në territore të reja. Libri Vjetor 1947 komentonte: «Gjithë kjo lëvizje njerëzish ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të së vërtetës në zona ku vështirë se do të kishte arritur në kohë të zakonshme. Kështu, edhe tërë këto rrethana të pakëndshme luajtën rolin e tyre në lavdërimin e emrit të Jehovait.»

Kur kufijtë perëndimorë të Ukrainës u mbyllën, vëllezërit ndërmorën hapa për të organizuar veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë dhe në pjesën tjetër të BRSS-së. Pavlo Zjateku më parë ishte caktuar të shërbente si shërbëtor vendi për Ukrainën dhe pjesën tjetër të Bashkimit Sovjetik. Më pas, Stanislav Buraku dhe Petro Tokari, dy vëllezër të tjerë të zellshëm, u caktuan për ta ndihmuar. Duke jetuar në fshehtësi në shtëpinë e një motre të krishterë në Lvov, ata shtypnin literaturën kështu që mund të furnizohej me ushqim frymor e gjithë BRSS-ja. Futja e literaturës nga Polonia për përkthim të mëtejshëm dhe për shtypje në Lvov ishte me rrezik të madh. Herë pas here disa vëllezër dhe motra arrinin të merrnin leje për të vizituar të afërmit e tyre në Poloni dhe në kthim sillnin në fshehtësi literaturën tonë. Për njëfarë kohe, një makinist treni transportoi literaturë në një kuti metalike të fshehur brenda një kazani avulli.

Nga fundi i 1945-s, vëlla Zjatekun e arrestuan dhe e dënuan me dhjetë vjet burg. Vëlla Buraku u bë shërbëtor vendi në vend të tij.

Përsëri përndjekje

Në qershor të vitit 1947, ndërkohë që një vëlla po mbante literaturë të shtypur për t’ua shpërndarë vëllezërve, e ndaluan në rrugë në Lvov dhe e arrestuan. Organet e sigurimit pohuan se ishin të gatshëm ta regjistronin ligjërisht organizatën tonë nëse ai do të jepte adresat e Dëshmitarëve, të cilëve u shpërndante rregullisht literaturën. Vëllai me mirëbesim u dha adresat e gati 30 vëllezërve, përfshirë edhe adresën e vëlla Burakut, shërbëtor vendi në atë kohë. Më pas të gjithë u arrestuan. Por, ky vëlla u pendua me gjithë zemër dhe pranoi se kishte besuar në mënyrë të pajustifikueshme te organet e sigurimit.

Vëllezërit e arrestuar u çuan në një burg në Kiev, për t’u marrë më tej në pyetje dhe për t’u dëgjuar nga trupi gjykues. Pak pas kësaj vëlla Buraku vdiq në burg. Para arrestimit, ky vëlla arriti të lidhej me shërbëtorin krahinor nga zona e Volinës, Mikola Tsibën, dhe ia kaloi atij mbikëqyrjen e veprës në Ukrainë dhe në pjesën tjetër të BRSS-së.

Ishte hera e parë që me një aksion të vetëm organet sovjetike të sigurimit arrestuan kaq shumë vëllezër që kishin përgjegjësi, si edhe ata që punonin në shtypshkronjat e fshehta. Zyrtarët e BRSS-së e shihnin literaturën tonë si antisovjetike. Dëshmitarët u akuzuan në mënyrë të rreme si persona që vepronin kundër sistemit të vendit dhe shumë prej tyre u dënuan me vdekje. Megjithatë, dënimet me vdekje u zëvendësuan me 25 vjet në kampe pune.

Vëllezërit u dërguan në Siberi për të vuajtur dënimet. Kur ata pyetën një avokat se për ç’arsye ishin dërguar aq larg, ai u përgjigj me qesëndi: «Ndoshta për të predikuar atje për Perëndinë tuaj.» Sa të vërteta dolën këto fjalë më vonë!

Gjatë viteve 1947-1951, u arrestuan shumë vëllezër që kishin përgjegjësi. Dëshmitarët u ndaluan jo vetëm pse shtypnin literaturë, por edhe sepse nuk shkonin ushtarë, nuk votonin në zgjedhje, sepse nuk i futnin fëmijët e tyre në Lidhjen e Pionierit ose në organizatën Komsomol (Lidhja e të rinjve komunistë). Vetëm pse ishe Dëshmitar i Jehovait ishte një arsye e mjaftueshme që të të burgosnin. Shpesh dëshmitarë të rremë dëshmonin në seancat gjyqësore. Në përgjithësi, ata ishin fqinj a kolegë që ishin kërcënuar ose blerë nga organet e sigurimit.

Nganjëherë, autoritetet ishin dashamirës, edhe pse nuk dilnin hapur. Ivan Simçukun e arrestuan dhe e mbyllën në birucë për gjashtë muaj. Në birucë ishte heshtje e plotë, s’mund të dëgjonte madje as zhurmat e rrugës. Pas kësaj e morën në pyetje. Sidoqoftë, hetuesi e ndihmoi duke i treguar se si të përgjigjej: «Mos thuaj asgjë se ku ose prej kujt i more makinat e shkrimit dhe literaturën. Mos iu përgjigj pyetjeve të tilla.» Dhe kur e morën për ta pyetur, hetuesi thoshte: «Ivan, mos u dorëzo! Mos u dorëzo, Ivan!»

Në disa fshatra Dëshmitarëve të Jehovait nuk u lejohej të mbanin perde në dritare. Kjo me qëllim që fqinjët dhe policët të mund të shihnin me lehtësi nëse Dëshmitarët po lexonin literaturën e tyre ose po mbanin mbledhjet. Edhe në këto raste vëllezërit gjetën mënyra për t’u ushqyer frymësisht. Nganjëherë «platforma» për drejtuesin e Studimit të Kullës së Rojës ishte e veçantë. Një vëlla drejtonte dhe lexonte Kullën e Rojës ulur nën një tavolinë, së cilës i hidhej përsipër një mbulesë që arrinte deri në dysheme. «Auditori» ulej përreth tavolinës, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke bërë komente. Askush nuk do të dyshonte që njerëzit përreth tavolinës po gëzonin një mbledhje fetare.

Duke dëshmuar në gjyq

Mikajlo Dani, i përmendur më parë, u arrestua në fund të 1948-s. Në atë kohë ai ishte i martuar kishte një djalë njëvjeç dhe gruaja priste një fëmijë tjetër. Gjatë gjyqit, prokurori kërkoi t’i jepej dënimi me 25 vjet burg. Në deklaratën e tij të fundit drejtuar gjykatësve, vëlla Dani përdori fjalët e Jeremisë 26:14, 15: «Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë. Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t’u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë.» Një paralajmërim i tillë ndikoi te gjykatësit. Ata u konsultuan dhe morën vendim: 10 vjet burgim dhe 5 vjet internim në krahinat e largëta të Rusisë.

Vëlla Dani u dënua si tradhtar i mëmëdheut. Kur e mori vesh këtë u tha gjykatësve: «Kam lindur në Ukrainë nën qeverinë çekosllovake dhe më pas jetova nën sundimin e Hungarisë, tani jemi nën sundimin e Bashkimit Sovjetik dhe si kombësi jam rumun. Cilin mëmëdhe kam tradhtuar?» Sigurisht, kjo pyetje u la pa përgjigje. Pas seancës gjyqësore vëlla Dani mori lajmin e gëzueshëm se kishte një foshnjë tjetër, një vajzë. Kjo e ndihmoi të duronte të gjitha keqtrajtimet e burgjeve dhe të kampeve në Rusinë Lindore. Në gjysmën e dytë të viteve 40, shumë vëllezër nga Ukraina, Moldavia dhe nga Bjellorusia vdiqën nga uria në burgjet sovjetike. Vetë vëlla Dani humbi 25 kilogramë.

Përndjekja e motrave në Ukrainë

Vëllezërit nuk qenë të vetmit që u përndoqën dhe vuajtën dënime afatgjata prej regjimit sovjetik; edhe motrat u trajtuan në të njëjtën mënyrë mizore. Për shembull, Marija Tomilko e mësoi të vërtetën në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut gjatë Luftës II Botërore. Më vonë u kthye në Ukrainë dhe predikoi në qytetin e Dniepropetrovskit. Për shkak të veprimtarisë së saj të predikimit, në vitin 1948 u dënua me 25 vjet në një kamp pune.

Një motër tjetër, e cila ishte dënuar me 20 vjet në një nga këto kampe kujton: «Gjatë hetimeve më vendosën në një qeli me shumë kriminele. Pavarësisht nga kjo, nuk kisha frikë prej tyre dhe u predikova atyre grave. Për habinë time, më dëgjuan me vëmendje. Qelia ishte e mbushur plot. Të gjithë flinim në dysheme, shtrënguar si sardelet në konservë. Kur flinim, e vetmja mënyrë për t’u rrotulluar ishte ta bënim të gjithë së bashku në të njëjtën kohë dhe sipas urdhrit.»

Më 1949, një udhëheqës baptist në qytetin e Zaporozhjas u dha organeve vendëse të sigurimit të dhëna për pesë motrat tona, të cilat pastaj u arrestuan. U akuzuan për agjitacion antisovjetik dhe secila u dënua me 25 vjet në kampet e punës. Të gjitha zotërimet e tyre u konfiskuan. Për shtatë vjet, derisa u dha amnistia, vuajtën dënimin në veriun e largët të Rusisë. Lidia Kurdasi, një nga ato motra, kujton: «Na lejohej t’u shkruanim të afërmve vetëm dy letra në vit dhe këto letra censuroheshin tërësisht. Gjatë gjithë asaj kohe, nuk kishim fare literaturë.» Gjithsesi, ato mbetën besnike ndaj Jehovait dhe vazhduan të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë.

Ndihmë për vëllezërit në Moldavi

Edhe në këto kohë të vështira, Dëshmitarët treguan dashuri për njëri-tjetrin. Më 1947, vendi fqinj, Moldavia, përjetoi një zi buke të rëndë. Me gjithë varfërinë e tyre, vëllezërit nga Ukraina iu përgjigjën menjëherë nevojës së bashkëbesimtarëve moldavianë dhe u dërguan atyre miell. Dëshmitarët nga Ukraina Perëndimore ftuan disa vëllezër nga Moldavia për të qëndruar në shtëpitë e tyre.

Një vëlla që jetonte në Moldavi në atë kohë, kujton: «Si jetim duhej të merrja nga qeveria 200 gramë bukë çdo ditë. Por, meqë nuk i përkitja Lidhjes së Pionierëve, nuk ma jepnin. Ishim shumë të lumtur kur vëllezërit nga Ukraina Perëndimore na dërguan miell, duke bërë të mundur që çdo lajmëtar të merrte 4 kilogramë.»

Përpjekje për regjistrimin ligjor në BRSS

Më 1949, tre pleq nga zona e Volinës (Mikola Pjatoka, Ilia Babijçuku dhe Mikajlo Çumaku) bënë kërkesën për regjistrimin ligjor të veprës. Shumë shpejt pas kësaj, vëlla Çumaku u arrestua. Njëri nga dy vëllezërit e tjerë, Mikola Pjatoka, kujton se kur u dërgua kërkesa për herë të parë nuk pati asnjë përgjigje. Prandaj, një kërkesë e dytë u paraqit në Moskë. Dokumentet u çuan në Kiev. Zyrtarët atje bënë një pritje për vëllezërit dhe u thanë se regjistrimi do të bëhej i mundur vetëm nëse Dëshmitarët e Jehovait do të bashkëpunonin me ta. Vëllezërit, sigurisht, nuk pranuan të bënin kompromis për qëndrimin e tyre asnjanës. Shumë shpejt edhe këta dy vëllezër u arrestuan dhe u dënuan secili me 25 vjet në kampet e punës.

Në një letër të veçantë që iu dërgua nga Moska autoriteteve vendëse në Volinë, pohohej se «kulti» i Dëshmitarëve të Jehovait është «një lëvizje e hapur antisovjetike dhe nuk duhet të regjistrohet». Shefi i Zyrës vendëse për Çështjet Fetare u urdhërua të spiunonte Dëshmitarët e Jehovait dhe të raportonte te organet e sigurimit të shtetit.

Udhëheqësit fetarë bashkëpunojnë me autoritetet

Në vitin 1949, një udhëheqës baptist në Transkarpati iu drejtua autoriteteve, duke u ankuar se Dëshmitarët po kthenin në besimin e tyre njerëzit e tij. Si pasojë Mikajlo Tilnjaku, plak në kongregacionin vendës, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burgim. E shoqja mbeti në shtëpi me dy fëmijë të vegjël.

Këto veprime të udhëheqësve fetarë i ndihmuan njerëzit e çiltër të kuptonin dhe të vlerësonin veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Më 1950, një vajzë e re baptiste, Vasilina Bibeni nga Transkarpatia, mësoi se një klerik i kishës së saj kishte njoftuar autoritetet rreth veprimtarisë së Dëshmitarëve në komunitetin e saj. Dëshmitarët u arrestuan dhe u dënuan me gjashtë vjet burgim. Pas lirimit, u kthyen në shtëpi dhe nuk u treguan aspak armiqësorë kundrejt klerikut. Vasilina kuptoi se këta Dëshmitarë i donin me të vërtetë të afërmit e tyre. Meqë i bëri kaq shumë përshtypje, studioi Biblën me Dëshmitarët dhe u pagëzua. Ajo tha: «I jam mirënjohëse Jehovait që gjeta udhën që të çon në jetën e përjetshme.»

Internim në Rusi

Të vërtetat biblike që shpallnin Dëshmitarët e Jehovait nuk pajtoheshin me ideologjinë ateiste të sundimit komunist. Duke qenë të organizuar mirë, Dëshmitarët shtypën dhe shpërndanë në fshehtësi literaturë që shpallte Mbretërinë e Perëndisë. Për më tepër, i përhapnin mësimet biblike te fqinjët dhe të afërmit. Nga viti 1947 deri më 1950, autoritetet arrestuan më shumë se 1.000 Dëshmitarë. Megjithatë vëllezërit vazhduan të rriten në numër. Prandaj më 1951 autoritetet përgatitën në fshehtësi një plan që siç mendonin ata do të asgjësonte popullin e Perëndisë. Do t’i internonin Dëshmitarët që kishin mbetur 5.000 kilometra drejt lindjes, larg në Siberi.

Më 8 prill 1951, më shumë se 6.100 Dëshmitarë nga Ukraina Perëndimore u internuan në Siberi. Herët në mëngjes, kamionë me ushtarë erdhën në shtëpinë e çdo Dëshmitari, duke u dhënë familjeve vetëm dy orë kohë për të paketuar plaçkat e tyre për udhëtimin. Vetëm gjërat personale dhe sendet me vlerë mund të merreshin. U internua çdokush që u gjet në shtëpi; burra, gra dhe fëmijë. Nuk u bë përjashtim për askënd, as për ata në moshë të thyer ose në gjendje të keqe fizike. Me të shpejtë, në një ditë të vetme, i hipën në vagonë mallrash dhe i nisën për udhë.

Kush nuk ishte në shtëpi në atë çast, u la pas dhe autoritetet nuk e kërkuan më. Disa prej tyre u bënë kërkesë zyrtare autoriteteve që të bashkoheshin me familjet e tyre të internuara. Autoritetet nuk iu përgjigjën këtyre kërkesave, as iu treguan se ku ishin dërguar të afërmit e tyre.

Përveç atyre nga Ukraina, u internuan edhe Dëshmitarë nga Moldavia, nga Bjellorusia Perëndimore, nga Lituania, nga Letonia dhe nga Estonia. Gjithsej u internuan rreth 9.500 Dëshmitarë nga këto gjashtë republika. U dërguan të shoqëruar nga ushtarë nëpër vagonë mallrash, të cilët njerëzit i quanin stalla lopësh, meqë këta vagonë zakonisht përdoreshin vetëm për të bartur gjedhë.

Asnjë nga Dëshmitarët nuk e dinte se ku po i çonin. Gjatë udhëtimit të tyre të gjatë, u lutën, kënduan këngë dhe ndihmuan njëri-tjetrin. Disa varnin rroba jashtë vagonit, duke shkruar fjalët: «Jemi Dëshmitarë të Jehovait nga zona e Volinës» ose «Jemi Dëshmitarë të Jehovait nga zona e Lvovit.» Gjatë ndalesave në stacionet e trenit përgjatë rrugës, ata mund të shihnin trena të ngjashëm me shenja të tilla nga zona të tjera të Ukrainës Perëndimore. Kjo i ndihmoi vëllezërit të kuptonin se ishin internuar, gjithashtu, edhe Dëshmitarë nga zona të tjera. «Telegrame» të tilla i forcuan vëllezërit gjatë udhëtimit dy-tre javor me tren drejt Siberisë.

Kjo shpërngulje mendohej të ishte një internim i përhershëm. Plani ishte që Dëshmitarët e Jehovait të mos lejoheshin kurrë që të largoheshin nga Siberia. Ata duhej të raportonin rregullisht në gjendjen civile vendëse, megjithëse nuk ishin në burg. Nëse dikush nuk e bënte këtë, ai person dënohej me disa vjet burgim.

Sapo arritën, disa thjesht i zbritën në pyll dhe iu dhanë sëpata për të siguruar vetë sistemimin e tyre dhe mjetet e nevojshme për jetesë. Për të mbijetuar gjatë pak dimrave të parë, Dëshmitarët shpesh duhej të gërmonin tokën për të bërë kasolle të thjeshta, të cilat i mbulonin me plisa me bar.

Grigori Melniku, që tani shërben si plak në Krime, kujton: «Pas arrestimit të motrës sime më 1947, shpesh autoritetet më merrnin në pyetje. Më rrihnin me shkopinj druri. Disa herë më bënë të qëndroja pas murit për 16 orë. E gjithë kjo bëhej për të më detyruar të bëja dëshmi të rreme kundër motrës sime më të madhe, e cila ishte një Dëshmitare. Isha 16 vjeç. Meqenëse nuk pranova të dëshmoja kundër saj, autoritetet nuk më shihnin me sy të mirë dhe donin të më hiqnin qafe.

Prandaj, në vitin 1951, na internuan në Siberi, edhe pse dy vëllezërit e mi më të vegjël, motra ime më e vogël dhe unë ishim jetimë. Prindërit na kishin vdekur tashmë dhe motra e vëllai im më i madh po vuanin një dënim dhjetëvjeçar në burg. Në moshën 20-vjeçare, po mbaja mbi supe përgjegjësinë për t’u kujdesur për dy vëllezërit e mi më të vegjël dhe për motrën më të vogël.

Shpesh më kujtohen dy vitet e para në Siberi, kur jetonim me patate dhe me çaj. E pinim çajin me pjata gjelle, meqë filxhanët ishin një luks në atë kohë. Por, frymësisht u ndjeva shumë mirë. Gjatë ditëve të para pas arritjes sonë, fillova të mbaja mbledhje publike. Më vonë, filluam edhe Shkollën e Shërbimit Teokratik. Nuk ishte e lehtë për mua të përmbushja këto përgjegjësi për shkak të punës fizike sfilitëse që duhej të bëja që të mbaja dy vëllezërit e vegjël dhe motrën e vogël.» Pavarësisht nga këto vështirësi, familja Melnik qëndroi besnike ndaj Jehovait dhe organizatës së tij.

Duke dashur që të pengonin komunikimin midis vendësve dhe Dëshmitarëve që do të vinin së shpejti, autoritetet përhapën lajmin se po vinin kanibalë në Siberi. Pasi arritën, një grupi Dëshmitarësh iu desh të priste disa ditë para se të sistemoheshin me shtëpi në fshatrat vendëse. Prandaj u ulën jashtë në anë të lumit të ngrirë të Çulimit. Edhe pse ishte mesi i prillit, kishte ende shumë dëborë. Vëllezërit bënë një zjarr të madh, u ngrohën, kënduan këngë, u lutën dhe shkëmbyen përvoja nga udhëtimi. Për habinë e tyre, asnjë nga fshatarët vendës nuk u afrua. Në vend të kësaj, i mbyllën të gjitha dyert dhe dritaret e shtëpive, duke mos i ftuar Dëshmitarët brenda. Ditën e tretë, më trimat ndër fshatarët, të pajisur me sëpata iu afruan Dëshmitarëve dhe filluan bisedimet. Në fillim, këta njerëz mendonin vërtet se kishin ardhur kanibalë. Por shpejt mësuan se kjo nuk ishte e vërtetë.

Më 1951, autoritetet planifikuan të internonin edhe Dëshmitarë nga Transkarpatia. Madje sollën edhe vagonë mallrash bosh. Megjithatë vendimi për të internuar vëllezërit u anulua për disa arsye të panjohura. Gjatë ndalimit, Transkarpatia u bë një nga krahinat kryesore ku prodhohej literaturë për gjithë Bashkimin Sovjetik.

Uniteti mbetet

Meqë shumica e vëllezërve u internuan në Siberi, shumë prej atyre që mbetën në Ukrainë i humbën lidhjet me organizatën. Për shembull, Marija Hreçina nga Çernovtsi jetoi më se gjashtë vjet pa u lidhur me organizatën ose me bashkëbesimtarët. Por ajo vazhdoi të mbështetej tek Jehovai dhe qëndroi besnike. Nga viti 1951 deri në mesin e viteve 60, ndërkohë që shumica e vëllezërve ishin burgosur ose internuar, në shumë kongregacione lindi nevoja që motrat të merrnin drejtimin.

Mikajlo Daseviçi, dëshmitar okular i atyre ngjarjeve, kujton: «Internimi në Siberi nuk më preku drejtpërdrejt, sepse, kur u përgatit lista e atyre që do të internoheshin, unë isha ende në Rusi, duke vuajtur dënimin në burg. Pak pasi u ktheva në Ukrainë, shumë Dëshmitarë nga zona ime u dërguan në Siberi. Kështu duhej të kërkoja për Dëshmitarë të veçuar që kishin humbur lidhjet me organizatën dhe t’i organizoja në grupe të studimit të librit dhe në kongregacione. Kjo donte të thoshte që të filloja të përmbushja përgjegjësitë e një mbikëqyrësi qarkor, ndonëse nuk kishte asnjeri që të më caktonte për ta bërë një punë të tillë. Çdo muaj vizitoja të gjitha kongregacionet, mblidhja raportet dhe literaturën që ende zotëronim e shpërndaja nga një kongregacion në tjetrin. Shpesh motrat tona kryen punën e shërbëtorëve të kongregacionit dhe në disa zona përmbushën përgjegjësitë e shërbëtorëve qarkorë, meqë nuk kishte vëllezër. Për arsye sigurie, të gjitha mbledhjet me shërbëtorët e kongregacionit i mbanim natën, në varreza. E dinim se njerëzit në përgjithësi kishin frikë nga të vdekurit, kështu që ishim të sigurt se askush nuk do të vinte të na shqetësonte. Zakonisht bisedonim duke pëshpëritur në këto mbledhje. Një herë pëshpëritëm me zë tepër të lartë dhe dy burra që po kalonin pranë varrezave ia dhanë vrapit me të katra. Duhet të kenë menduar se po flitnin të vdekurit.»

Pas internimit të vitit 1951, Mikola Tsiba, shërbëtor vendi në atë kohë, vazhdoi të punonte në fshehtësi në një bunker, për të shtypur literaturë biblike. Më 1952, organet e sigurimit zbuluan se ku ishte dhe e arrestuan e ai kaloi shumë vjet në burg. Vëlla Tsiba mbeti besnik deri në vdekjen e tij më 1978. Përveç vëlla Tsibës, u arrestuan edhe disa vëllezër të tjerë që e ndihmonin.

Gjatë asaj kohe vëllezërit nuk kishin asnjë lidhje jashtë vendit. Si pasojë, nuk mund të merrnin literaturë të vazhdueshme në kohën e duhur. Njëherë disa vëllezër mundën të furnizoheshin me revista Kulla e Rojës në rumanisht për vitet 1945 deri më 1949. Vëllezërit vendës i përkthyen në gjuhën ukrainase dhe ruse.

Vëllezërit në Ukrainë që nuk u internuan ose nuk u burgosën shfaqën shqetësim të thellë për bashkëbesimtarët e tyre. Ata bënë përpjekje të mëdha për të përpiluar një listë me vëllezërit që ishin të burgosur, me qëllim që t’u dërgonin veshje, ushqim dhe literaturë. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait në Transkarpati mbajtën lidhje me vëllezërit në 54 kampe pune në mbarë Bashkimin Sovjetik. Shumë kongregacione bënë një kuti kontributesh shtesë ku ishte shënuar «Për shpresa të mira». Paratë e mbledhura në këtë kuti u përdorën për të mbështetur vëllezërit që ishin në burg. Kur nga burgjet dhe kampet merreshin letra të përzemërta çmueshmërie bashkë me raportet e shërbimit në fushë, ishte një inkurajim i madh për ata vëllezër besnikë dhe vetëmohues që gjendeshin të lirë.

Rrethanat përmirësohen

Pas vdekjes së udhëheqësit sovjetik Josif Stalinit, qëndrimi ndaj Dëshmitarëve u përmirësua. Që nga viti 1953, u shpall amnistia në BRSS, duke sjellë si pasojë lirimin e disa vëllezërve. Më vonë, u formua Komisioni i Shtetit, i cili rishqyrtoi dënimet që ishin dhënë. Si rrjedhim, shumë vëllezër u liruan, ndërkohë që të tjerëve iu zvogëlua afati i dënimeve.

Gjatë pak viteve që pasuan, shumica e Dëshmitarëve të burgosur u liruan. Por amnistia nuk u zbatua për personat që ishin internuar në vitin 1951. Në disa burgje dhe kampe, numri i atyre që ishin bërë Dëshmitarë ishte më i madh se numri i Dëshmitarëve që u dërguan fillimisht atje. Një rritje e tillë u dha zemër vëllezërve dhe i bindi se Jehovai e kishte bekuar me të vërtetë qëndrimin e tyre të patundur gjatë kësaj periudhe kohore.

Pasi u liruan, shumë vëllezër qenë në gjendje të ktheheshin në shtëpi. U bënë përpjekje të mëdha për të gjetur Dëshmitarët që i kishin humbur lidhjet me organizatën. Volodimir Volobujevi, i cili banonte në zonën e Donetskit kujton: «Deri në arrestimin tjetër më 1958, munda të gjeja dhe të ndihmoja afërsisht 160 Dëshmitarë, të cilët kishin humbur lidhjet me organizatën.»

Shpallja e amnistisë nuk nënkuptoi që vëllezërit fituan më tepër liri për të predikuar. Shumë vëllezër dhe motra u liruan, por shumë shpejt u dënuan përsëri me burgime afatgjata. Për shembull, Marija Tomilko nga Dniepropetrovski bëri vetëm tetë vjet nga burgimi i saj 25-vjeçar për shkak të amnistisë në mars të vitit 1955. Megjithatë tre vjet më vonë, ajo u dënua sërish me dhjetë vjet burg dhe pesë vjet internim. Pse? Në vendimin e gjyqit për të thuhej: «Mbante dhe lexonte literaturë e dorëshkrime të çështjes Jehoviste» dhe «ishte aktive, duke përhapur bindjet Jehoviste te fqinjët». Shtatë vjet më vonë, ajo u lirua si person i paaftë fizikisht. Motër Tomilkoja duroi të gjitha llojet e sprovave dhe ka mbetur besnike deri sot e kësaj dite.

Dashuria nuk dështon kurrë

Autoritetet bënë përpjekje të veçanta për të ndarë familjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Shpesh organet e sigurimit u përpoqën t’i vinin Dëshmitarët para kësaj zgjedhjeje: ose Perëndinë, ose familjen. Sidoqoftë, në shumicën e rasteve, populli i Jehovait tregoi besnikëri ndaj Jehovait edhe nën sprovat më të rënda.

Nutsuja, burri i Hana Bokoçit nga Transkarpatia, u arrestua për shkak të predikimit të tij të zellshëm. Ajo kujton: «Gjatë qëndrimit në burg, im shoq duroi fyerje të shumta keqdashëse. Kaloi gjashtë muaj në birucë, pa shtrat fare, vetëm me një karrige. E rrahën egërsisht dhe e lanë pa ushqim. Brenda pak muajve, u dobësua shumë dhe peshonte vetëm 36 kilogramë, gjysma e peshës së tij normale.»

Gruaja e tij besnike mbeti e vetme me vajzën e vogël. Autoritetet i bënë presion vëlla Bokoçit që të bënte kompromis dhe të bashkëpunonte me ta. Iu kërkua të zgjidhte ndërmjet familjes së tij dhe vdekjes. Vëlla Bokoçi nuk e tradhtoi besimin e tij dhe qëndroi besnik ndaj Jehovait dhe organizatës së Tij. Ai kaloi 11 vjet në burg dhe pas lirimit vazhdoi të shërbente si një plak dhe më pas si mbikëqyrës qarkor deri sa vdiq më 1988. Shpesh merrte forcë nga fjalët e Psalmit 91:2: «Unë i them Zotit: ‘Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj.’»

Shqyrtoni një tjetër shembull qëndrueshmërie të fortë. Juri Popsha ishte një mbikëqyrës udhëtues në Transkarpati. Dhjetë ditë pas dasmës së tij, u arrestua. Në vend që të shkonte në muajin e mjaltit, ai kaloi dhjetë vjet në burg në Mordvini të Rusisë. Gruaja e tij besnike, Marija, e vizitoi 14 herë, duke udhëtuar çdo herë afërsisht 1.500 kilometra në vajtje dhe po kaq në ardhje. Tani vëlla Popsha shërben si plak në një nga kongregacionet vendëse në Transkarpati dhe Marija e tij e shtrenjtë e mbështet me besim të plotë e me dashuri.

Një shembull tjetër i qëndrueshmërisë nën vështirësi është ai i çiftit Aleksei dhe Lidia Kurdasi, të cilët jetonin në qytetin e Zaporozhjes. Në mars të vitit 1958, ata u arrestuan, pikërisht 17 ditë pas lindjes së vajzës së tyre, Halinës. Në atë zonë u arrestuan edhe katërmbëdhjetë të tjerë. Vëlla Kurdasi u dënua me 25 vjet në kampe pune dhe gruaja e tij u dënua me 10 vjet. I ndanë dhe Aleksein e dërguan në kampet e Mordvinisë ndërsa Lidian me vajzën e tyre të vogël në Siberi.

Ja se si e përshkruan motër Kurdasi udhëtimin trejavor nga Ukraina për në Siberi: «Ishte e tmerrshme. Ishim unë me vajzën, Nadija Vishniaku me foshnjën e saj që kishte lindur vetëm pak ditë më parë në burg gjatë hetimeve, si dhe dy motra të tjera. Na futën që të gjashta në një vagon-qeli, të projektuar për të transportuar vetëm dy të burgosur. I shtrimë fëmijët në krevatin poshtë dhe vetë ndenjëm gjatë gjithë udhëtimit kruspull në krevatin sipër. Mbaheshim gjallë me bukë, harenga të kripura dhe ujë. Sigurohej ushqim vetëm për katër të burgosur të rritur. Nuk na dhanë fare ushqim për fëmijët tanë.

Kur arritëm në vend, më vendosën në spitalin e burgut me vajzën time. Takova disa motra atje dhe u tregova se hetuesi më kishte kërcënuar se do të ma merrte vajzën dhe do ta dërgonte në një jetimore. Në njëfarë mënyre, motrat ia dolën mbanë të lajmëronin vëllezërit vendës në Siberi për problemin tim. Më vonë, Tamara Burjaku (tani Ravljuk), e cila ishte 18 vjeçe, erdhi në spitalin e kampit për të marrë vajzën time, Halinën. Ishte hera e parë që e shihja Tamarën. Ishte tepër e dhembshme t’ia jepja vogëlushen time të dashur një personi që nuk e kisha takuar kurrë më parë, edhe pse ajo ishte motra ime frymore. Megjithatë, u ngushëllova shumë, kur motrat në kamp më treguan për besnikërinë e familjes Burjak. Vogëlushja ime ishte pesëmuajshe e 18-ditëshe kur e lashë nën kujdesin e motër Tamarës. Vetëm shtatë vjet më vonë u bashkova sërish me vajzën time.

Më 1959 u shpall një amnisti e re nga BRSS-ja. Ajo zbatohej për gratë që kishin fëmijë nën moshën 7 vjeç. Por autoritetet e burgut më thanë se duhet të hiqja dorë nga besimi im së pari. Nuk u pajtova me këtë dhe kështu m’u desh të qëndroja në kampin e punës.»

Vëlla Kurdasi u lirua më 1968, në moshën 43-vjeçare. Ai vuajti gjithsej 15 vjet në burg për të vërtetën, nga të cilat 8 vjet i kaloi në një burg të sigurisë së lartë. Më në fund, u kthye në Ukrainë te gruaja dhe vajza e tij. Familja e tyre më në fund u bashkua. Kur takoi të atin, Halina iu ul në prehër dhe i tha: «Babi! Nuk mund të ulesha në prehrin tënd për shumë vjet, kështu që, tani dua të fitoj kohën e humbur.»

Pastaj familja Kurdas zhvendosej nga një vend në tjetrin, meqë autoritetet vazhdonin t’i dëbonin nga vendbanimi i tyre. Në fillim jetuan në Ukrainën Lindore, pastaj në Gjeorgjinë Perëndimore dhe në Kaukazinë Veriore. Përfundimisht u vendosën në Harkov, ku jetojnë ende të lumtur. Halina tani është e martuar. Ata të gjithë vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Perëndisë së tyre, Jehovait.

Një shembull i shkëlqyer besimi

Nganjëherë, provat e rënda të besimit vazhdonin për muaj, vite e madje për dhjetëvjeçarë. Shqyrtoni një shembull. Juri Koposi lindi dhe u rrit jo shumë larg qytetit të bukur të Hustit në Transkarpati. Në vitin 1938, në moshën 25-vjeçare, u bë një Dëshmitar i Jehovait. Më 1940, gjatë Luftës II Botërore, u dënua me tetë muaj burgim, sepse nuk pranoi të bashkohej me një ushtri hungareze që mbështeste regjimin nazist. Në Transkarpati, ligjet e asaj kohe nuk e lejonin ekzekutimin e të burgosurve që kundërshtonin për shkak të ndërgjegjes. Prandaj vëllezërit u dërguan në vijën e parë ku ligji nazist i lejonte këto ekzekutime. Më 1942, vëlla Koposi u dërgua i shoqëruar nga trupa ushtarake bashkë me të burgosur të tjerë përfshirë edhe 21 Dëshmitarë të tjerë në vijën e parë afër Stalingradit të Rusisë. Ata u dërguan atje që të ekzekutoheshin. Sidoqoftë, pak pas vajtjes së tyre, ushtria sovjetike filloi të sulmojë, duke zënë rob trupat ushtarake gjermane dhe vëllezërit në të njëjtën kohë. Dëshmitarët u dërguan në një nga kampet sovjetike të punës, ku qëndruan deri në lirimin e tyre më 1946.

Vëlla Koposi u kthye në shtëpi dhe mori pjesë gjallërisht në veprën e predikimit në vendin ku kishte lindur. Për shkak të kësaj veprimtarie, në vitin 1950, autoritetet sovjetike e dënuan me 25 vjet në një kamp pune. Megjithatë u lirua pas gjashtë vjetësh, falë një amnistie.

Pas lirimit, vëlla Koposi që tani ishte 44-vjeçar, planifikoi të martohej me Hana Shishkon. Edhe ajo ishte një Dëshmitare dhe ishte liruar kohët e fundit nga burgu, pasi kishte vuajtur dënimin për 10 vjet. Ata paraqitën një kërkesë për regjistrimin e martesës. Natën para ditës së dasmës, i arrestuan përsëri dhe i dënuan dhjetë vjet në kamp. Sidoqoftë, ata mbijetuan nga tërë këto vështirësi dhe dashuria e tyre i duroi të gjitha këto gjëra, duke përfshirë edhe një vonesë dhjetëvjeçare në martesë. (1 Kor. 13:7) Më në fund, pasi u liruan më 1967, u martuan.

Historia e tyre nuk përfundon këtu. Në vitin 1973, vëlla Koposi, tashmë 60 vjeç, u arrestua edhe njëherë tjetër dhe u dënua me pesë vjet në kamp dhe pesë vjet internim. Së bashku me gruan e tij, Hanën, ishin internuar në Siberi, 5.000 kilometra larg qytetit të lindjes, Hustit. Nuk kishte asnjë lloj rruge që të lidhte me atë zonë, as automobilistike, as hekurudhore, vetëm rrugë ajrore. Më 1983, vëlla Koposi së bashku me gruan u kthyen në shtëpi në Hust. Hana vdiq më 1989 dhe ai vazhdoi t’i shërbente besimplotë Jehovait deri kur vdiq në vitin 1997. Gjithsej, vëlla Koposi vuajti 27 vjet në burgje të ndryshme dhe 5 vjet në internim—në tërësi 32 vjet.

Ky burrë i thjeshtë dhe i butë kaloi pothuajse një të tretën e shekullit në burgjet dhe kampet sovjetike të punës. Një shembull i tillë i jashtëzakonshëm besimi tregon qartë se armiqtë nuk mund ta thyejnë integritetin e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë.

Ndarje e përkohshme

Armiku i njerëzimit, Satana Djalli, përdor shumë metoda për të luftuar kundër atyre që praktikojnë adhurimin e vërtetë. Përveçse bën që vëllezërit të keqtrajtohen fizikisht, ai përpiqet edhe të mbjellë dyshime e të shkaktojë përçarje midis tyre. Kjo është veçanërisht e dukshme në historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë.

Gjatë viteve 50, Dëshmitarët e Jehovait sulmoheshin pa pushim. Autoritetet përpiqeshin pareshtur të gjenin vendet ku shtypej literatura. Vëllezërit me përgjegjësi vazhdimisht arrestoheshin. Për shkak të kësaj, vëllezërit që merrnin drejtimin në veprën e mbikëqyrjes zëvendësoheshin herë pas here, madje edhe brenda pak muajve.

Duke parë se Dëshmitarët e Jehovait nuk po heshtnin me gjithë internimin, burgimin, dhunën fizike dhe torturat, organet e sigurimit përdorën taktika të reja. U përpoqën ta përçanin nga brenda organizatën, duke mbjellë farërat e mosbesimit midis vëllezërve.

Gjatë mesit të viteve 50, organet e sigurimit i ndërprenë arrestimet e befasishme të vëllezërve me përgjegjësi dhe aktivë e filluan t’i spiunojnë. Këta vëllezër thirreshin rregullisht në zyrat e organet e sigurimit. Iu thanë se do të merrnin para dhe do të gëzonin një karrierë të mirë nëse bashkëpunonin. Mospranimi për të bashkëpunuar do të çonte në burgim dhe poshtërim. Një pakicë, të cilëve u mungonte besimi te Perëndia, bënë kompromis për shkak të frikës ose të lakmisë. Ata qëndruan në radhët e organizatës dhe u jepnin të dhëna organeve të sigurimit për veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, në mënyrë të bindur, ata zbatuan udhëzimet e autoriteteve duke bërë që vëllezër të pafajshëm të dukeshin si tradhtarë në sytë e vëllezërve të tjerë besnikë. E gjitha kjo i kontribuoi një fryme mosbesimi midis shumë prej vëllezërve.

Pavlo Zjateku vuajti shumë për shkak të këtij mosbesimi dhe dyshimeve të pathemelta. Ky vëlla i përulur dhe i zellshëm kaloi shumë vjet në kampe pune dhe ia kushtoi tërë jetën shërbimit të Jehovait.

Gjatë mesit të viteve 40, vëlla Zjateku shërbeu si shërbëtor vendi. Pas arrestimit u burgos për dhjetë vjet në një burg të Ukrainës Perëndimore. Më 1956 u lirua dhe në vitin 1957 rifilloi veprën si shërbëtor vendi. Komiteti i vendit përfshinte tetë vëllezër të tjerë përveç vëlla Zjatekut, katër nga Siberia dhe katër nga Ukraina. Këta vëllezër mbikëqyrnin veprën e predikimit të Mbretërisë në mbarë BRSS-në.

Për shkak të largësive të mëdha dhe të përndjekjes së vazhdueshme, këta vëllezër nuk mund t’i mbanin lidhjet si duhet ose të mblidheshin rregullisht. Me kalimin e kohës, u përhapën zëra dhe thashetheme për vëlla Zjatekun e për anëtarë të tjerë të komitetit. Thuhej se vëlla Zjateku po bashkëpunonte me organet e sigurimit, se kishte ndërtuar një shtëpi të madhe për vete, duke përdorur fondet që duhej të përdoreshin për të përkrahur veprën e predikimit dhe se e kishin parë me uniformë ushtarake. Këto raporte u mblodhën në një album dhe iu dërguan mbikëqyrësve qarkorë dhe krahinorë në Siberi. Asnjëra nga këto akuza nuk ishte e vërtetë.

Përfundimisht, në mars të vitit 1959, disa mbikëqyrës qarkorë nga Siberia nuk po ia dërgonin më raportet e shërbimit në fushë komitetit të vendit. Ata që u ndanë veç e bënë këtë pa u këshilluar me selinë qendrore. Gjithashtu, ata nuk ndoqën udhëzimet e vëllezërve vendës që ishin caktuar për mbikëqyrje. Për disa vjet, kjo shkaktoi ndarje në radhët e Dëshmitarëve të Jehovait në BRSS.

Vëllezërit që u ndanë bindën mbikëqyrës të tjerë qarkorë të mbanin një qëndrim të ngjashëm. Si pasojë, raportet mujore të shërbimit në fushë të disa qarqeve u dërgoheshin vëllezërve që ishin ndarë dhe jo vëllezërve të emëruar të komitetit të vendit. Shumica e vëllezërve në kongregacione nuk e dinin se raportet e tyre të shërbimit në fushë nuk kishin arritur te komiteti i vendit, kështu që veprimtaria e kongregacionit nuk u prek. Vëlla Zjateku bëri disa udhëtime në Siberi, pas së cilave disa qarqe rifilluan t’ia dërgonin raportet e shërbimit në fushë komitetit të vendit.

Rikthim në organizimin teokratik

Më 1 janar 1961, kur po kthehej nga një udhëtim shërbimi në Siberi, vëlla Zjateku u arrestua në tren. Ai u dënua përsëri me dhjetë vjet burg, këtë herë në një kamp pune «të veçantë» në Mordvini të Rusisë. Pse ishte kaq «i veçantë» ky kamp?

Duke vuajtur dënimet në kampe pune të ndryshme vëllezërit patën mundësinë t’u predikonin të burgosurve të tjerë dhe shumë veta u bënë Dëshmitarë. Kjo i shqetësoi autoritetet. Si pasojë, vendosën t’i mblidhnin në një kamp Dëshmitarët që drejtonin, kështu që nuk do të mund t’u predikonin të tjerëve. Aty nga fundi i viteve 50, më shumë se 400 vëllezër dhe rreth 100 motra u mblodhën nga kampe pune të ndryshme në BRSS dhe u vendosën në dy kampe pune në Mordvini. Midis të burgosurve ishin vëllezërit nga komiteti i vendit së bashku me mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë, të cilët ishin ndarë nga kanali që përdorte Jehovai për komunikim. Kur këta vëllezër panë se edhe vëlla Zjateku ishte burgosur, e kuptuan se nuk kishte arsye të besonin që ai kishte bashkëpunuar me organet e sigurimit.

Ndërkohë duke marrë parasysh arrestimin e vëlla Zjatekut, tashmë ishin bërë rregullime që Ivan Pashkovskji të kryente punën e shërbëtorit të vendit. Në mes të vitit 1961, vëlla Pashkovskji u takua me vëllezërit përgjegjës nga Polonia dhe u shpjegoi se midis vëllezërve në BRSS kishte ndarje. Ai kërkoi që nëse ishte e mundur Nejthën H. Nori nga selia qendrore e Bruklinit të shkruante një letër ku të tregonte se organizata mbështeste vëlla Zjatekun. Më vonë, më 1962, vëlla Pashkovskji mori një kopje të letrës drejtuar Dëshmitarëve të Jehovait në BRSS, e cila mbante datën 18 maj, 1962. Në të pohohej: «Lajmet që kanë ardhur herë pas here kanë treguar se ju vëllezër në BRSS vazhdoni të keni një dëshirë të fortë për të qenë shërbëtorë besnikë të Perëndisë Jehova. Por disa nga ju kanë pasur vështirësi në përpjekjet për të mbajtur unitetin me vëllezërit tuaj. Besoj se kjo ndodh për shkak të mjeteve të pakta të komunikimit dhe qarkullimit të qëllimshëm të historive të rreme nga disa, të cilët i janë kundërvënë Jehovait. Prandaj po ju shkruaj që t’ju bëj të ditur se Shoqata njeh vëlla Pavlo Zjatekun dhe vëllezërit që punojnë me të si mbikëqyrës të krishterë përgjegjës në BRSS. Si kompromiset, ashtu edhe pikëpamjet ekstremiste duhet të hidhen poshtë. Duhet të kemi një mendje të shëndoshë, të jemi të arsyeshëm, të përshtatemi dhe, gjithashtu, të mbështetim me vendosmëri parimet e Perëndisë.»

Ajo letër së bashku me dënimin e vëlla Zjatekut me 10 vjet burg ndihmuan për të bashkuar popullin e Jehovait në BRSS. Shumë nga vëllezërit e ndarë që gjendeshin në burgje dhe në kampet e punës filluan të bashkoheshin sërish me organizatën. Ata e kuptuan se vëlla Zjateku nuk e kishte tradhtuar organizatën dhe selia qendrore e mbështeste atë plotësisht. Në letrat që u dërgonin familjeve dhe miqve këta vëllezër të burgosur i nxitnin pleqtë e kongregacioneve vendëse të lidheshin me vëllezërit që qëndruan besnikë dhe të fillonin të raportonin veprën e shërbimit në fushë. Brenda dhjetëvjeçarit që pasoi, shumica e vëllezërve që u ndanë i ndoqën këto këshilla, megjithëse, siç do ta shohim, arritja e synimit për t’u bashkuar mbeti një sfidë.

Qëndrojnë besnikë në kampet e punës

Jeta në kampet e punës ishte e vështirë. Megjithatë të burgosurit Dëshmitarë shpesh ia kaluan më mirë se të burgosurit e tjerë, për shkak të gjendjes së tyre frymore. Ata kishin literaturë dhe komunikonin me bashkëbesimtarë të pjekur. E gjithë kjo i kontribuoi një fryme të mirë dhe rritjes frymore. Në një kamp, motrat groposën ca literaturë me kaq mjeshtëri, saqë askush nuk mund ta gjente. Për shembull, siç u shpreh edhe një inspektor «për të zhdukur gjithë literaturën antisovjetike» nga territori, do t’u duhej të gërmonin tokën përreth burgut 2 metra thellë dhe të shoshitnin dheun. Motrat e burgosura i studionin revistat me kaq imtësi, saqë madje edhe tani, 50 vjet më vonë, disa prej tyre mund të citojnë ende pjesë nga ato Kulla Roje.

Vëllezërit dhe motrat mbajtën besnikërinë e tyre ndaj Jehovait dhe nuk bënë kompromis me parimet biblike, me gjithë kohët e vështira. Marija Hreçina, e cila kaloi pesë vjet në kampet e punës për shkak të veprës së predikimit, tregon: «Kur morëm Kullën e Rojës me artikullin ‘Pafajësi nëpërmjet respektit të shenjtërisë së gjakut’ vendosëm të mos hanim drekë në dhomën e ngrënies kur shërbehej mish. Shpesh mishit që përdorej në ato kampe nuk i hiqej gjaku si duhet. Kur drejtori i burgut zbuloi përse Dëshmitarët nuk hanin disa herë drekë, vendosi të na detyronte që t’i shkelnim parimet tona. Ai urdhëroi që çdo ditë të shërbehej mish, në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Për dy javë nuk hëngrëm asgjë tjetër përveç bukës. U mbështetëm plotësisht te Jehovai, duke e ditur se ai sheh gjithçka dhe e di se për sa kohë jemi në gjendje të durojmë. Nga fundi i javës së dytë i një ‘të ushqyeri’ të tillë, drejtori ndryshoi mendje dhe filluan të shërbenin perime, qumësht e madje edhe ca gjalpë. Pamë se Jehovai kujdeset vërtet për ne.»

Ndihmë për të qëndruar

Në krahasim me të burgosurit e tjerë, vëllezërit mbajtën një pikëpamje tepër pozitive dhe ishin të sigurt për jetën. Kjo i ndihmoi të duronin vuajtjet në burgjet sovjetike.

Vëlla Aleksei Kurdasi, i cili kaloi shumë vjet në burgje, rrëfen: «Ajo që më ndihmoi të qëndroja ishte besimi i fortë te Jehovai dhe te Mbretëria e tij, pjesëmarrja në veprimtaritë teokratike në burg dhe lutja e rregullt. Një gjë tjetër që më ndihmoi ishte bindja se po veproja në një mënyrë që e kënaqte Jehovain. Gjithashtu e zija kohën me ndonjë gjë. Mërzia është një tmerr i vërtetë në çfarëdolloj burgu. Mund të shkatërrojë personalitetin tënd dhe të shkaktojë sëmundje mendore. Prandaj u përpoqa të isha vazhdimisht i zënë me çështjet teokratike. Gjithashtu porosita të gjithë librat që ishin në dispozicion e që flitnin për historinë botërore, gjeografinë dhe për biologjinë në bibliotekën e burgut. Kërkoja pjesë që mbështetnin pikëpamjet e mia për jetën. Në këtë mënyrë mund të forcoja besimin tim.»

Më 1962, Serhi Ravljuku kaloi tre muaj në birucë. Ai nuk mund të fliste me asnjeri, madje as me rojat e burgut. Me qëllim që të mos sëmurej mendërisht, filloi të sillte ndër mend të gjitha shkrimet që dinte. Kujtoi më shumë se një mijë vargje biblike dhe me një majë lapsi i shkroi në copa letre. E mbante majën e lapsit të fshehur në një të çarë në dysheme. Madje kujtoi më se 100 tituj artikujsh nga revistat Kulla e Rojës që i kishte studiuar më parë. Llogariti ditën e Përkujtimit për 20 vitet e ardhshme. E gjithë kjo e ndihmoi të mbahej i fortë jo vetëm mendërisht, por edhe frymësisht. E ruajti të fortë e të gjallë besimin te Jehovai.

«Shërbime» nga rojat e burgut

Me gjithë kundërshtimin e organeve të sigurimit, literatura jonë i kaloi të gjitha pengesat, duke arritur madje edhe te vëllezërit në burg. Edhe rojat e burgut e kuptuan këtë dhe herë pas here bënin një kontroll të kujdesshëm të të gjitha qelive, faktikisht duke parë brenda çdo të çare të dyshemesë. Gjithashtu, duke u përpjekur të gjenin literaturën, rojat vazhdimisht i zhvendosnin të burgosurit nga një qeli në tjetrën. Gjatë zhvendosjeve të tilla, të burgosurit kontrolloheshin plotësisht dhe nëse gjendej literatura u merrej. Si ia arritën vëllezërit të mos lejonin që literatura të zbulohej?

Zakonisht vëllezërit e fshihnin literaturën në jastëkë, në dyshekë, në këpucë dhe poshtë rrobave. Në disa kampe ata i kopjonin revistat Kulla e Rojës në dorëshkrime të imëta. Kur të burgosurit zhvendoseshin nga një qeli në tjetrën, vëllezërit nganjëherë e mbështillnin një revistë të vogël me plastmasë dhe e fshihnin nën gjuhë. Kështu ishin në gjendje të ruanin ushqimin e paktë frymor dhe vazhduan të ushqeheshin frymësisht.

Vasil Bunha kaloi shumë vjet në burgje për hir të së vërtetës. Së bashku me shokun e qelisë, Petro Tokarin, ai sajoi një fund të rremë në një kuti veglash marangozi. Ata fshehën në të kopjet origjinale të disa botimeve që ishin sjellë fshehurazi në burg. Këta vëllezër ishin marangozët e burgut dhe kutia e veglave u jepej atyre kur punonin si marangozë në burg. Kur merrnin kutinë, hiqnin revistën origjinale për ta kopjuar. Pas punës, revista vihej përsëri në kutinë e veglave. Drejtori i burgut e mbante kutinë e veglave me tri kyçe dhe prapa dy dyerve të mbyllura me çelës, meqë sharrat, daltat dhe veglat e tjera të marangozit mund të përdoreshin si armë nga të burgosurit. Si pasojë, gjatë kontrolleve për literaturë biblike, rojave s’u binte ndër mend të kontrollonin kutinë e veglave të mbyllur me çelës, e cila mbahej me gjërat e drejtorit të burgut.

Vëlla Bunha gjeti një vend tjetër për të fshehur kopjet origjinale të literaturës. Meqenëse kishte shikim të dobët, kishte disa palë syze. Çdo të burgosuri i lejohej të mbante vetëm një palë. Syzet e tjera duhej të liheshin në një vend të veçantë dhe të burgosurit mund t’i kërkonin në rast se u duheshin. Vëlla Bunha bëri kuti të veçanta për syzet e tij dhe futi në to kopjet e vogla origjinale të botimeve. Kur vëllezërit kishin nevojë të bënin kopje të revistave, vëlla Bunha vetëm sa u kërkonte rojave të burgut t’i sillnin një palë syze të tjera nga të tijat.

Kishte rrethana ku dukej se vetëm engjëjt mund ta mbronin literaturën nga duart e rojave të burgut. Vëlla Bunha sjell ndër mend një herë kur Çeslav Kazlaukasi solli 20 kallëpe sapuni në burg. Gjysma e tyre ishin mbushur me botimet tona. Duke i përzgjedhur, roja i burgut shpoi tejpërtej dhjetë nga kallëpet e sapunit, por nuk shpoi asnjë nga ato kallëpe që kishin literaturë.

Punë këmbëngulëse për bashkimin

Që nga 1963-shi, vëllezërit e komitetit të vendit mund të dërgonin rregullisht raportet e shërbimit në fushë në Bruklin. U morën masa, gjithashtu, që vëllezërit t’i merrnin botimet në mikrofilma. Në atë kohë kishte 14 qarqe në gjithë BRSS-në dhe 4 prej tyre ishin në Ukrainë. Ndërsa populli i Perëndisë rritej në numër, në Ukrainë u formuan shtatë krahina. Për arsye sigurie, secila krahinë thirrej me një emër gruaje. Krahina në Ukrainën Lindore quhej Alla; në Volinë, Ustina; në Halikinë, Ljuba dhe në Transkarpati kishte krahina të quajtura Katja, Kristina dhe Masha.

Ndërkohë, KGB-ja (Komiteti i Sigurimit të Shtetit) vazhdoi përpjekjet për të thyer unitetin e Dëshmitarëve. Shefi i një zyre të KGB-së i shkroi eprorit të vet: «Me synimin për të thelluar ndarjen brenda sektit, po punojmë që të shtypim veprimtarinë armiqësore të udhëheqësve Jehovistë, për t’i diskredituar në sytë e bashkëbesimtarëve dhe për të krijuar midis tyre një atmosferë mosbesimi. Agjencitë e KGB-së bënë rregullime që ndihmuan për ta ndarë këtë sekt në dy grupe kundërshtare. Një grup përbëhet nga ndjekësit e udhëheqësit Jehovist Zjatekut, i cili tani po vuan dënimin në burg dhe grupi tjetër përbëhet nga përkrahësit e të ashtuquajturve kundërshtarë. Këto rrethana krijuan kushte të favorshme dhe premisa për një përçarje ideologjike midis anëtarëve të thjeshtë dhe për shpërbërjen e mëtejshme të njësive organizative.» Letra më poshtë pranonte se përpjekjet e KGB-së po hasnin vështirësi. Ajo vazhdonte: «Më reaksionarët midis udhëheqësve Jehovistë po ndërmarrin hapa për të kundërvepruar ndaj veprimeve tona, duke u përpjekur me çdo mënyrë të mundshme për të forcuar njësitë organizative.» Po, vëllezërit vazhduan të punonin për t’u bashkuar dhe Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre.

Vëllezërve që ishin ndarë KGB-ja u paraqiti një letër të rreme, gjoja të dërguar nga vëlla Nori, e cila mbështeste mendimin për të krijuar një organizatë të Dëshmitarëve të Jehovait të ndarë dhe të pavarur. Duke përmendur rastin e ndarjes midis Abrahamit dhe Lotit për të treguar se ndarja nga kanali i organizatës është e lejueshme, ajo letër u shpërnda në mbarë BRSS-në.

Vëllezërit besnikë dërguan një kopje të letrës në Bruklin dhe më 1971 morën një përgjigje që tregonte se letra ishte plotësisht e sajuar. Në një letër dërguar vëllezërve që ishin ende të ndarë nga pjesa tjetër e popullit të Jehovait, vëlla Nori pohonte sa më poshtë: «E vetmja linjë komunikimi që përdor Shoqata është nëpërmjet mbikëqyrësve të caktuar në vendin tuaj. Asnjë person në vendin tuaj, përveç atyre që janë caktuar, nuk është i autorizuar të marrë drejtimin midis jush . . . Shërbëtorët e vërtetë të Jehovait janë një grup i bashkuar. Prandaj, shpresoj dhe lutem që ju të gjithë të mund të ktheheni në unitetin e kongregacionit të krishterë nën mbikëqyrësit e caktuar dhe që të jemi në gjendje të marrim pjesë së bashku në dhënien e dëshmisë.»

Kjo letër bëri shumë punë për të bashkuar vëllezërit. Por disa po përpiqeshin përsëri të komunikonin në mënyrë të pavarur me selinë qendrore, meqë ende nuk kishin besim te kanali i vërtetë i komunikimit. Kështu këta vëllezër që ishin ndarë vendosën të bënin një provë. Ata dërguan një kartmonedhë prej dhjetë rublash në Bruklin dhe u kërkuan vëllezërve ta ndanin atë në dysh dhe t’i dërgonin të dyja pjesët përsëri në Ukrainë: një gjysmë të kartmonedhës me postë vëllezërve që ishin ndarë dhe gjysmën tjetër kanalit që duhej të përdorej nga selia qendrore.

Në përputhje me këtë, një gjysmë u dërgua me postë. Gjysmën tjetër e solli korrieri dhe iu dha anëtarëve të komitetit të vendit. Ata, më pas ua dhanë vëllezërve përgjegjës vendës në Transkarpati, të cilët shkuan të takoheshin me vëllezërit që ishin ndarë. Edhe pas kësaj disa nga vëllezërit e ndarë, të cilët vërtet mendonin që anëtarët e komitetit të vendit kishin lidhje me sigurimin e shtetit ishin ende mosbesues.

Pavarësisht nga kjo, shumica e vëllezërve që ishin ndarë u rikthyen në organizatë. Përpjekjet e Satanait dhe të KGB-së për të asgjësuar organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait në BRSS me anë të përçarjes nuk patën sukses. Populli i Jehovait u rrit në numër e në fuqi, duke u bashkuar dhe duke punuar me zell për të mbjellë farërat e së vërtetës në territore të reja.

Vasil Kalini tha: «Ata përdorën shumë mënyra duke u përpjekur të shtypnin dëshirën tonë për të jetuar si të krishterë. Megjithatë, ne vazhduam t’u predikonim të internuarve të tjerë që ishin jobesimtarë. Ata ishin internuar për shkaqe të ndryshme dhe për krime të ndryshme. Shumë prej tyre treguan interes për të mesazhin tonë. Pati shumë raste që këta njerëz më pas u bënë Dëshmitarë të Jehovait. E bënë këtë edhe pse e dinin se çfarë përndjekjeje kishim përballuar si nga sigurimi i shtetit, ashtu edhe nga administrata vendëse.»

Jeta e krishterë gjatë ndalimit

Le t’i hedhim një vështrim të shpejtë veprimtarisë së krishterë gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të ndalimit. Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar në gjithë Ukrainën që nga viti 1939. Pavarësisht nga kjo, vepra e predikimit dhe veprimtaritë e kongregacionit ecën përpara, edhe pse vëllezërit duhej të ishin shumë të kujdesshëm kur u dëshmonin të tjerëve. Të interesuarve kurrë nuk u thuhej që në fillim se po i vizitonin Dëshmitarët e Jehovait. Shpesh studimet biblike drejtoheshin duke përdorur vetëm Biblën. Shumë njerëz e mësuan të vërtetën në këtë mënyrë.

Mbledhjet e kongregacionit mbaheshin në rrethana të ngjashme. Në shumë vende vëllezërit mblidheshin disa herë në javë, në mbrëmje vonë ose në mes të natës. Vinin perde të trasha në dritare që të mos zbuloheshin dhe studionin me llamba vajguri. Në përgjithësi çdo kongregacion merrte vetëm një kopje të Kullës së Rojës, e cila ishte shkruar me dorë. Më vonë vëllezërit filluan të merrnin revista që shtypeshin në makina fotokopjeje. Zakonisht vëllezërit mblidheshin dy herë në javë në shtëpitë e tyre për Studimin e Kullës së Rojës. KGB-ja ishte e palëkundur në përpjekjet e saj për të gjetur vendet ku mblidheshin Dëshmitarët e Jehovait, në këtë mënyrë mund të ndëshkonte vëllezërit me përgjegjësi.

Gjithashtu, vëllezërit shfrytëzonin martesat dhe varrimet si mundësi për t’u mbledhur bashkë dhe për të nxitur njëri-tjetrin me anë të fjalimeve biblike të përgatitura mirë. Nëpër dasma, shumë vëllezër të rinj dhe motra të reja lexonin poema me tema biblike dhe shfaqnin drama me veshje biblike. E gjitha kjo u jepte një dëshmi të mirë të pranishmëve që s’ishin Dëshmitarë.

Gjatë viteve 40 dhe 50, shumë vëllezër u arrestuan dhe u burgosën vetëm sepse ishin të pranishëm në këto grumbullime. Sidoqoftë, në vitet 60 gjendja ndryshoi. Kur zbulohej një mbledhje, organet e sigurimit bënin një listë me të gjithë të pranishmit në mbledhje dhe pronari i shtëpisë gjobitej me gjysmën e rrogës mujore. Nganjëherë, kjo procedurë bëhej e pakuptimtë. Njëherë Mikola Kostjuku dhe gruaja e tij shkuan për vizitë tek djali i tyre. Në çast ia behu policia dhe bëri një listë të «të gjithë të pranishmëve». Më vonë, djalin e vëlla Kostjukut e thirrën të paguante një gjobë për shkak të një «mbledhjeje të paligjshme të Jehovistëve». Familja Kostjuk paraqiti një ankesë për këtë ngjarje, meqenëse nuk ishte mbajtur asnjë mbledhje. Autoritetet e anuluan gjobën.

Kremtimi i Përkujtimit

Nuk ishte e lehtë të përballoje vështirësi të vazhdueshme. Megjithatë vëllezërit nuk u shkurajuan dhe vazhduan të mblidheshin rregullisht. Sfida më e madhe ishte të mbanin Përkujtimin. KGB-ja ishte jashtëzakonisht syçelë në kohën e Përkujtimit, meqë ata gjithmonë e dinin datën e përafërt të kremtimit. Ata shpresonin që të zbulonin vendet e mbledhjes për Përkujtimin, duke i mbajtur Dëshmitarët nën vëzhgim. Pastaj organet e sigurimit do të ishin në gjendje të «miqësoheshin» me Dëshmitarët.

Vëllezërit i dinin këto taktika, kështu që ishin tepër të kujdesshëm në ditën e Përkujtimit. E mbanin Përkujtimin në vende që nuk mund t’i zbuloje lehtë. Të interesuarve nuk u tregohej që më përpara data dhe vendi i Përkujtimit. Zakonisht, Dëshmitarët shkonin në shtëpitë e të interesuarve ditën e Përkujtimit dhe i çonin drejt e në vendin e mbledhjes.

Njëherë vëllezërit në Transkarpati e mbajtën Përkujtimin në bodrumin e shtëpisë së një motre. Meqë bodrumi ishte plot me ujë, askush nuk do të dyshonte se mund të mblidheshin njerëz në mes të ujit të thellë deri në gju. Vëllezërit ndërtuan një vend të ngritur mbi ujë dhe e bënë bodrumin të përshtatshëm për Përkujtimin. Megjithëse duhej të rrinin kruspull në atë vend poshtë një tavani të ulët, askush nuk i shqetësoi ndërkohë që tërë gëzim mbanin Përkujtimin.

Në një rast tjetër, gjatë viteve 80, anëtarët e një familjeje të krishterë dolën nga shtëpia në mëngjes herët për të marrë pjesë në Përkujtim. Aty nga mbrëmja, bashkë me vëllezër të tjerë u mblodhën në një pyll për të kremtuar Përkujtimin. Po binte shi me rrëmbim dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat duhej të mblidheshin në një rreth nën çadra, duke mbajtur qirinj për ndriçim. Pas lutjes përmbyllëse të gjithë u shpërndanë. Kur arritën në shtëpi, kjo familje e gjeti të hapur portën e oborrit. Ishte e qartë që policia ose organet e sigurimit i kishin kërkuar. Edhe pse ishin të lodhur dhe të lagur, të gjithë në familje ishin të lumtur që kishin dalë nga shtëpia atë mëngjes dhe kishin marrë pjesë në Përkujtim, duke shmangur ballafaqimin me autoritetet.

Në Kiev ishte jashtëzakonisht e vështirë për vëllezërit që të gjenin vend të sigurt për Përkujtimin. Në një rast vendosën ta mbanin Përkujtimin në autobus. Një vëlla punonte si shofer autobusi në një shoqëri transporti, kështu që vëllezërit e morën me qira autobusin, i cili u mbush vetëm me Dëshmitarë të Jehovait. Ata shkuan jashtë qytetit në një lëndinë në pyll. Brenda autobusit vëllezërit dhe motrat vendosën një tavolinë të vogël me emblemat e Përkujtimit. Ata kishin sjellë me vete edhe ca ushqime. Papritur erdhi policia. Megjithatë nuk kishin asnjë arsye për t’i shqetësuar vëllezërit, meqë dukej sikur ata thjesht po hanin darkë në autobus pas një dite pune.

Në zona të tjera të Ukrainës u bënë bastisje në shtëpitë e vëllezërve në ditën e Përkujtimit. Sapo perëndonte dielli, makina me tre ose katër policë u afroheshin shtëpive ku banonin Dëshmitarët. Policët siguroheshin nëse vëllezërit ishin në shtëpi ose po bëheshin gati për ndonjë kremtim fetar. Dëshmitarët ishin gjithmonë të përgatitur për të tilla bastisje. Ata visheshin me rroba pune të vjetra sipër kostumeve dhe merreshin me punët e zakonshme të shtëpisë. Në këtë mënyrë linin përshtypjen sikur do të rrinin në shtëpi dhe nuk po planifikonin të shkonin në ndonjë kremtim fetar. Sapo mbaronte bastisja, ata hiqnin rrobat e vjetra dhe ishin gati për të shkuar në Përkujtim. Autoritetet vendëse ishin të kënaqura që kishin bërë punën e tyre dhe vëllezërit ishin në gjendje të mbanin Përkujtimin në qetësi.

Fshehja e literaturës

Kujtoni që në fund të viteve 40 Dëshmitarët e Jehovait dënoheshin me 25 vjet heqje lirie vetëm sepse kishin literaturë në shtëpitë e tyre. Pas vdekjes së Stalinit, më 1953, dënimet me burg për zotërimin e literaturës u ulën në dhjetë vjet. Më vonë, zotërimi i literaturës së Dëshmitarëve dënohej me gjobë dhe literatura u merrej e shkatërrohej. Kështu gjatë periudhës së ndalimit vëllezërit menduan me kujdes se si ta mbanin të sigurt literaturën.

Disa e mbanin literaturën në shtëpitë e të afërmve ose të fqinjëve të tyre që s’ishin Dëshmitarë, të tjerë e groposnin në kopshtet e tyre në enë metalike dhe brenda çantave plastike. Një plak nga Transkarpatia, Vasil Guzoja, sjell ndër mend se në vitet 60, ai përdorte një pyll në malet Karpate si «bibliotekë teokratike». E vendoste literaturën në bidona qumështi që i çonte në pyll dhe i groposte në mënyrë që kapakët të ishin në një nivel me tokën.

Një vëlla, i cili kaloi 16 vjet në burg për shkak të veprimtarisë së krishterë rrëfen: «E fshihnim literaturën kudo që të ishte e mundur: në bunkerë, në tokë, në muret e ndërtesave, në kuti me dy funde dhe në kolibe që kishin dysheme me dy shtresa. Gjithashtu e fshihnim literaturën brenda fshesave dhe petësave bosh (ku zakonisht mbanim raportet e shërbimit në fushë). Kishte edhe vende të tjera fshehjeje, si: puse, banja, dyer, çati dhe grumbuj drush zjarri të prera.»

Shtypshkronjat e nëndheshme

Pavarësisht nga syri vigjilent i spiunëve komunistë dhe i autoriteteve, ushqimi frymor vazhdoi të sigurohej për ata që ishin të uritur dhe të etur për drejtësi. Armiqtë e së vërtetës nuk arritën ta pengonin literaturën tonë që të futej në BRSS dhe iu desh ta pranonin këtë. Nga fundi i 1959-s, gazeta Gudok e punëtorëve sovjetikë të hekurudhës madje pohoi se Dëshmitarët e Jehovait po përdornin balona për të futur literaturë biblike në Bashkimin Sovjetik.

Literatura jonë sigurisht që nuk hyri në Ukrainë me anë të balonave. Prodhohej në vend, në shtëpi private. Me kalimin e kohës vëllezërit e kuptuan se vendi më praktik dhe më i sigurt për të shtypur literaturën ishte një bunker i maskuar mirë. Ata i ndërtuan bunkerët në bodrume dhe në kodra.

Në vitet 60, një bunker i tillë u ndërtua në Ukrainën Lindore. U vunë pajisje për ajrim dhe elektricitet. Hyrja e bunkerit ishte maskuar kaq mirë, sa në një rast policët harxhuan një ditë të tërë pikërisht mbi bunker, duke e shpuar tokën me shufra metalike. Nuk gjetën asgjë.

Njëherë një shtypshkronjë e fshehtë ishte nën mbikëqyrje të rreptë nga organet e sigurimit. Dyshonin se literatura shtypej në shtëpi dhe donin të kapnin ata që ishin të përfshirë. Kjo paraqiste një problem për vëllezërit: si mund të sillnin letër në shtëpi dhe si mund ta nxirrnin literaturën jashtë? Më në fund gjetën një zgjidhje. Një vëlla mbështillte tufa letrash me një batanije fëmijësh dhe i fuste në shtëpi duke i mbajtur si një fëmijë. Pasi hynte brenda, linte letrën atje dhe mbështillte numrat e saposhtypur të revistave tona me batanije dhe e nxirrte këtë «foshnjë» jashtë shtëpisë. Punonjësit e KGB-së e vunë re këtë vëlla që vinte e ikte, por nuk dyshuan për gjë.

Vëllezërit në zonën e Donetskut, të Krimesë, të Moskës dhe të Leningradit (tani Shën Pjetërburgu) morën literaturë të shtypur në këtë bunker. Disa vëllezër të rinj ndërtuan një bunker të ngjashëm në qytetin e Novovolinskit në krahinën e Volinës. Këta vëllezër ishin kaq të vendosur për ta mbajtur të fshehtë vendndodhjen e këtij bunkeri, saqë vetëm nëntë vjet pasi vepra jonë ishte njohur ligjërisht në Ukrainë, i lejuan vëllezërit e tjerë ta shihnin.

Një shtypshkronjë e ngjashme, u përdor në thellësi të maleve Karpate. Vëllezërit sollën ujë me tuba nga një përrua i vogël në bunker dhe uji rrotullonte një gjenerator të vogël, i cili siguronte energji elektrike për të bërë dritë edhe pse makina e shtypit vihej në punë me dorë. Në këtë bunker u shtyp një sasi e madhe literature. Kur KGB-ja vuri re se në zonë po shfaqej më shumë literaturë, kërkoi shtypshkronjën. Policia gërmoi shumë për të gjetur bunkerin. Ata u maskuan madje edhe si gjeologë e u ranë maleve kryq e tërthor.

Kur vëllezërit dyshuan se autoritetet për pak po e zbulonin bunkerin, Ivan Dzjabkoja doli vullnetar për të mbikëqyrur shtypshkronjën, meqë ai nuk ishte i martuar dhe nëse arrestohej nuk do të mbetej ndonjë fëmijë pa baba. Në fund të verës së vitit 1963, bunkeri u zbulua dhe vëlla Dzjabkoja u ekzekutua në vend. Autoritetet vendëse ishin shumë të kënaqura dhe organizuan udhëtime falas për fëmijët dhe për të rriturit në «vendin ku Dëshmitarët e Jehovait komunikonin me Amerikën me radio». Ndonëse ky pohim ishte një gënjeshtër, kjo ndodhi e trishtuar u dha dëshmi të gjithë njerëzve në atë zonë. Shumë veta filluan të kishin interes më të madh për mesazhin tonë. Tani në atë pjesë të maleve Karpate ka më shumë se 20 kongregacione.

Vlera e stërvitjes prindërore

Përveç konfiskimit të literaturës, gjobave, burgimit, torturave dhe ekzekutimit, disa Dëshmitarë patën përvojën pikëlluese që u ndanë nga fëmijët e tyre. Lidia Perepjolkina, e cila jetonte në Ukrainën Lindore, kishte katër fëmijë. I shoqi, një nëpunës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kërkoi divorcin më 1964, sepse Lidia ishte një Dëshmitare. Gjykata vendosi t’i mohonte kujdestarinë e fëmijëve motër Perepjolkinës. Binjakët e saj shtatëvjeçarë, një djalë dhe një vajzë, ia dhanë të shoqit, i cili u zhvendos bashkë me ta 1.000 kilometra larg në Ukrainën Perëndimore. Gjykata vendosi që dy fëmijët e tjerë të dërgoheshin në jetimore. Kur Lidian e lejuan të bënte një deklaratë, i tha trupit gjykues: «Unë besoj se Jehovai ka fuqi të m’i kthejë sërish fëmijët e mi.»

Pas gjyqit, Lidia e pa qartë udhëheqjen dhe kujdesin e Jehovait. Për arsye që nuk dihen, autoritetet nuk i dërguan dy fëmijët që mbetën në jetimore, por i lejuan të qëndronin me të. Në shtatë vjetët që pasuan, gjatë pushimeve, Lidia udhëtonte për të vizituar dy fëmijët e tjerë, binjakët. Edhe pse ish-bashkëshorti s’e lejonte që t’i shihte, ajo nuk u dorëzua kurrë. Pasi arrinte në qytetin ku jetonin fëmijët e saj, e kalonte natën në stacionin e trenit dhe pastaj i takonte fëmijët rrugës për në shkollë. Ajo përfitonte nga këto mundësi të çmuara për t’u folur rreth Jehovait.

Vitet kaluan dhe Lidia me besnikëri ‘mbolli me lot’ farërat në zemrat e fëmijëve. Kjo i dha mundësi që më vonë të ‘korrte me këngë gëzimi’. (Psal. 126:5) Kur binjakët ishin 14 vjeç, vendosën të rrinin me nënën e tyre. Lidia punoi shumë për t’u mësuar fëmijëve të vërtetën. Ndërsa dy prej tyre kanë zgjedhur një drejtim tjetër, Lidia dhe dy binjakët e saj po i shërbejnë Jehovait me besnikëri.

Ndryshim për më mirë

Në qershor të vitit 1965, Gjykata e Lartë e Ukrainës vendosi se literatura e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e një natyre fetare dhe jo antisovjetike. Edhe pse ky vendim u zbatua vetëm në një rast gjyqësor, ndikoi në vendimet e ardhshme të gjykatave në të gjithë Ukrainën. Autoritetet i ndalën arrestimet e njerëzve që lexonin literaturë biblike, ndonëse vazhduan t’i burgosnin Dëshmitarët për veprimtarinë e predikimit.

Një tjetër ndryshim domethënës ndodhi në gjysmën e dytë të vitit 1965. Qeveria e BRSS-së nxori një dekret për lirimin e të gjithë Dëshmitarëve që ishin internuar në Siberi më 1951. Tani lejoheshin të udhëtonin lirisht nëpër gjithë Bashkimin Sovjetik, megjithëse nuk mund të kërkonin rikthimin e shtëpive të konfiskuara, të bagëtive dhe të zotërimeve të tjera. Për shkak të ngatërresave në lidhje me regjistrimin, vetëm pak vëllezër u kthyen në vendet e mëparshme të banimit.

Shumë vëllezër që ishin dërguar në Siberi më 1951, filluan të vendosen në pjesë të ndryshme të BRSS-së, të tilla, si: Kazakistani, Kirgistani, Gjeorgjia dhe Kaukazi Verior. Të tjerë u vendosën në Ukrainën Lindore dhe Jugore, duke sjellë farërat e së vërtetës në këto zona.

Të palëkundur pavarësisht nga presionet

Në një kohë që ndryshimet e përmendura më sipër ishin për më mirë, KGB-ja nuk e kishte ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. KGB-ja përdori një shumëllojshmëri teknikash në përpjekje për të frikësuar Dëshmitarët që të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Për shembull, një zakon ishte ta merrnin një vëlla nga vendi i punës dhe ta mbanin në ndalim për disa ditë në një zyrë të KGB-së ose në një hotel. Gjatë ndalimit, një skuadër me tre ose katër anëtarë të KGB-së fliste me të, e merrte në pyetje, e lajkatonte dhe e kërcënonte vëllanë. E bënin këtë me radhë, kështu që vëllai të lihej pa gjumë. Pas kësaj, vëllai lirohej, vetëm për t’u arrestuar sërish që të trajtohej në të njëjtën mënyrë një ose dy ditë më pas. KGB-ja e bëri këtë edhe me motrat, ndonëse jo aq shpesh.

Vëllezërit i thërritnin vazhdimisht në zyrat e KGB-së. Duke bërë presion mbi vëllezërit që të braktisnin besimin e tyre, KGB-ja shpresonte të bënte bashkëpunëtorë të rinj brenda organizatës. Për më tepër ata ushtruan presion moral dhe emocional mbi vëllezërit, kur këta nuk pranuan të bënin kompromis me besimin e tyre. Për shembull, Mikajlo Tilnjaku, i cili shërbeu për shumë vjet si mbikëqyrës qarkor në Transkarpati, kujton: «Gjatë një bisede, oficerët e sigurimit, të cilët ishin veshur me uniforma ushtarake, ishin shumë dashamirës dhe pozitivë. Më ftuan të haja me ta në një restorant aty afër. Por, unë vetëm u buzëqesha, vendosa mbi tavolinë 50 rubla (afërsisht gjysma e rrogës mujore) dhe u thashë se mund të shkonin të hanin pa mua.» Vëlla Tilnjaku ishte plotësisht i vetëdijshëm se do t’i bënin një fotografi, ndërkohë që ishte duke ngrënë dhe duke pirë me njerëz me uniforma ushtarake. Foto të tilla më pas mund të përdoreshin si «provë» se ai kishte kompromentuar besimin e tij. Kjo do të mbillte farëra mosbesimi ndërmjet vëllezërve.

Për shumë veta, presionet për të hequr dorë nga besimi i tyre zgjatnin me dhjetëvjeçarë. Bela Mejsari nga Transkarpatia, është një shembull. I arrestuar për herë të parë në vitin 1956, ky vëlla i papërvojë pa qëllim firmosi disa deklarata në lidhje me veprën tonë, të cilat bënë që disa vëllezër të thirreshin nga organet e sigurimit. Më vonë, vëlla Mejsari e kuptoi gabimin dhe iu përgjërua Jehovait që asnjë nga këta vëllezër të mos dënohej. Kjo bëri që ata të mos arrestoheshin, megjithëse vetë vëlla Mejsari u dënua me tetë vjet burg.

Pasi u kthye në shtëpi, iu hoq e drejta për t’u larguar nga fshati për dy vjet. Çdo muaj duhej të raportonte në zyrën e policisë për t’u regjistruar. Për shkak se nuk pranoi të shkonte për stërvitje ushtarake më 1968, u dënua me një vit burg. Pas burgimit, ai u kthye në shtëpi dhe vazhdoi t’i shërbente Jehovait me zell. Më 1975, në moshën 47-vjeçare u dënua përsëri.

Kur vëlla Mejsari përfundoi vuajtjen e një dënimi me pesë vjet burgim, u dërgua në Jakutsk, zonë e Rusisë, për pesë vjet internim. Ai u çua atje me aeroplan, meqë nuk kishte rrugë tokësore në atë rajon. Gjatë fluturimit, ushtarët e rinj që ishin caktuar ta shoqëronin e pyetën: «O plak, pse je një kriminel kaq i rrezikshëm?» Si përgjigje, vëlla Mejsari u foli për jetën e tij dhe u dha një dëshmi të mirë për qëllimin e Perëndisë për tokën.

Fillimisht, pas ardhjes së vëlla Mejsarit, autoritetet vendëse kishin frikë nga ky «kriminel jashtëzakonisht i rrezikshëm», siç ishte përshkruar në dokumentet e tij. Më pas, për shkak të sjelljes së shkëlqyer të krishterë të vëlla Mejsarit, autoritetet vendëse i thanë oficerit të sigurimit: «Nëse keni ende kriminelë të tillë, ju lutemi, na i dërgoni.»

Vëlla Mejsari u kthye në shtëpi më 1985, në moshën 57-vjeçare. Gjatë 21 vjetëve që ai kaloi në burg, bashkëshortja e tij besnike, Rexhina, jetoi në shtëpinë e tyre në Transkarpati. Me gjithë largësinë e madhe dhe shpenzimet e shumta që përfshiheshin, ajo e vizitoi shpesh të shoqin në burg, duke udhëtuar për këtë arsye më se 140.000 kilometra.

Edhe pas lirimit vëlla Mejsari kishte shumë vizita nga policët dhe nga oficerët e sigurimit në shtëpinë e tij në fshatin Rakoshino. Ato vizita shkaktuan një ndodhi për të qeshur. Në fillim të viteve 90, Teodor Xharazi nga Trupi Udhëheqës së bashku me vëllezërit nga komiteti i vendit vizituan qytetin e Uzhgorodit, në Transkarpati. Gjatë kthimit për në Lvov, ata vendosën t’i bënin një vizitë të shkurtër vëlla Mejsarit. Një motër, e cila banonte aty afër, pa tri makina të shkonin drejt shtëpisë së thjeshtë të vëlla Mejsarit dhe nëntë burra që zbritën prej tyre. Kjo e trembi atë kaq shumë, saqë vrapoi te një vëlla tjetër dhe duke gulçuar i tha se KGB-ja kishte ardhur të arrestonte përsëri vëlla Mejsarin. Sa e lumtur ishte kur mori vesh se ishte gabuar!

Përmirësime dhe ndryshime organizative

Më 1971, Mikael Daseviçi u caktua si shërbëtor vendi. Komiteti i vendit në atë kohë përfshinte tre vëllezër nga Ukraina Perëndimore, dy nga Rusia dhe një nga Kazakistani. Secili prej tyre shërbente edhe si mbikëqyrës udhëtues. Për më tepër secili bënte edhe një punë me qëllim që të mbante familjen. Territoret nën mbikëqyrjen e vëllezërve nga Ukraina Perëndimore ishin mjaft larg nga vendbanimi i tyre. Stepan Kozhemba shkonte në Transkarpati, kurse Aleksei Davidjuku vizitonte pjesën tjetër të Ukrainës Perëndimore, si edhe Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Vëlla Daseviçi shkonte në Ukrainën Lindore, Rusinë Qendrore dhe Perëndimore, Kaukazin Verior dhe Moldavi. Vëllezërit nga komiteti i vendit i vizitonin rregullisht territoret e përmendura më sipër, duke mbajtur mbledhje me mbikëqyrësit krahinorë dhe qarkorë, duke nxitur Dëshmitarët vendës dhe duke mbledhur raportet e shërbimit.

Këta vëllezër kishin gjithashtu, lidhje me korrierë që vinin nga jashtë si turistë dhe sillnin literaturën dhe postën. Që nga fundi i viteve 60 deri në lirinë fetare më 1991, kundërshtarët tanë nuk qenë kurrë në gjendje të pengonin shkëmbimin e korrespondencës.

Më 1972, Trupi Udhëheqës dha udhëzimin për të bërë rekomandime me shkrim në lidhje me emërimin e vëllezërve si pleq. Disa vëllezër ngurronin ta bënin këtë, duke pasur frikë se këto lista me rekomandime mund të binin në duart e policisë. Para kësaj periudhe, në asnjë kongregacion nuk kishte ndonjë listë të tillë. Shpesh vëllezërit nuk dinin madje as mbiemrat e vëllezërve në kongregacionin e tyre. Në fillim pak ishin rekomanduar që të shërbenin si pleq, sepse shumë veta nuk donin ta kishin emrin në ndonjë listë. Por, pasi ky rregullim hyri në fuqi dhe nuk pati ndonjë pasojë negative, të tjerë ndërruan mendje, u rekomanduan dhe me besim të plotë morën përgjegjësinë si pleq kongregacioni.

Mbrojtja e Jehovait gjatë kontrolleve

Një mëngjes policët erdhën të kontrollonin shtëpinë e Vasil dhe Nadija Bunhës. Motër Bunha ishte në shtëpi me djalin katërvjeçar në gjumë, kur befas në derë u dëgjua një e trokitur e fortë. Duke e kuptuar se kishte ardhur policia motër Bunha menjëherë i hodhi në sobë raportet e shërbimit dhe letrat e tjera lidhur me veprimtarinë e dëshmisë. Pastaj ia hapi derën policisë. Policët u turrën drejt sobës, i hoqën me kujdes raportet e djegura dhe i hapën sipër një gazete mbi tavolinë. Shkrimi mund të dallohej ende në letrën e djegur. Kur përfundoi kontrolli në shtëpi, të gjithë policët bashkë me motër Bunhën shkuan për të kontrolluar në hambar. Ndërkohë, djali i vogël u zgjua, pa letrat e përzhitura mbi tavolinë dhe vendosi të rregullonte dhomën. I mori të gjitha raportet e djegura dhe i hodhi në koshin e plehrave. Pastaj, u kthye prapë në shtrat. Kur policët u kthyen, u tronditën dhe u tmerruan që «prova materiale» e brishtë ishte zhdukur.

Më 1969, shtëpia e Bunhave u kontrollua sërish. Këtë radhë, vëlla Bunha ishte në shtëpi dhe policia gjeti raportin e shërbimit. Megjithatë, e lanë shkujdesur mbi tavolinë, duke i dhënë mundësi vëlla Bunhës ta shkatërronte. Meqë bëri këtë ai u dënua me 15 ditë burgim. Pas kësaj, organet e sigurimit e detyruan vëlla Bunhën të shpërngulej, kështu që, për ca kohë ai jetoi dhe predikoi në Gjeorgji dhe në Dagestan. Më vonë u kthye në Ukrainë dhe mbeti besnik deri kur vdiq më 1999.

«Udhëtime misionare» të organizuara nga organet e sigurimit

Në vitet 60 dhe 70, shumë vëllezër aktivë u detyruan të shpërnguleshin nga një vend në tjetrin. Përse ndodhi kjo? Autoritetet vendëse nuk donin të dërgonin në Kiev raporte negative me rezultatet e veprimtarisë antifetare në krahinat e tyre. Nga vëzhgimet e tyre autoritetet vendëse e kuptuan se numri i Dëshmitarëve të Jehovait po rritej çdo vit. Megjithatë në raportet për në Kiev ata donin të tregonin se Dëshmitarët nuk po rriteshin. Si rrjedhim, autoritetet vendëse i detyronin vëllezërit të largoheshin nga territori i tyre, kështu që mund të raportonin se Dëshmitarët nuk po rriteshin në numër në zonën tyre.

Kjo shpërngulje e Dëshmitarëve për në territore të reja solli si pasojë përhapjen e farërave të së vërtetës. Zakonisht këta ishin Dëshmitarë që merrnin drejtimin e veprës. Në të vërtetë, vëllezërit e zellshëm dhe motrat e zellshme u «nxitën» nga autoritetet të shkonin aty ku, siç themi tani, «nevoja ishte më e madhe». Ata shërbyen në këto zona dhe me kalimin e kohës u formuan kongregacione të reja.

Për shembull, Ivan Malitskin nga rrethinat e Ternopolit e urdhëruan të largohej nga shtëpia. U shpërngul në Krime, në Ukrainën Jugore, ku jetonin vetëm pak vëllezër. Më 1969 kishte vetëm një kongregacion në Krime, por tani atje ka më shumë se 60. Ivan Malitski vazhdon të shërbejë si plak në njërin prej tyre.

Vitet e fundit të ndalimit

Më 1982, pas një ndryshimi në udhëheqjen politike në BRSS, një valë tjetër përndjekjeje përfshiu Ukrainën, duke zgjatur dy vjet. Dukej sikur kjo përndjekje nuk ishte autorizuar nga udhëheqësit e BRSS-së. Përkundrazi, udhëheqësit e rinj sovjetikë kërkuan ndryshime dhe reforma nëpër republika. Për të treguar zellin dhe dëshirën e zjarrtë për të bërë reforma të tilla, autoritetet vendëse në disa pjesë të Ukrainës burgosën disa Dëshmitarë të zellshëm. Megjithëse kjo valë përndjekjeje nuk e preku shumicën e vëllezërve, disa Dëshmitarë patën pasoja emocionale dhe fizike.

Më 1983, Ivan Migali nga Transkarpatia u dënua me katër vjet burg. Autoritetet sovjetike ia morën të gjitha pronat këtij plaku kongregacioni 58-vjeçar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e vëlla Migalit, organet e sigurimit gjetën 70 revista nga tonat. Ky burrë i përulur dhe i qetë ishte shumë i njohur në zonën e tij si predikues i Biblës. Këto dy fakte: zotërimi i literaturës nga ana e tij dhe predikimi u përdorën si shkaqe për ta arrestuar.

Gjatë viteve 1983 dhe 1984, në Ukrainën Lindore u zhvilluan një sërë gjyqesh në grup. Shumë Dëshmitarë u burgosën nga katër deri në pesë vjet. Shumica e vëllezërve duhej t’i vuanin dënimet jo në Siberinë e ftohtë ose në Kazakistan, por në Ukrainë. Disa përndiqeshin madje edhe në burg kur i akuzonin në mënyrë të rreme se shkelnin rregullat e burgut. Qëllimi ishte të gjenin shkaqe për ta shtuar kohën e burgimit.

Gjithashtu, disa drejtorë burgu i dërguan vëllezërit në spitalet sovjetike të sëmundjeve mendore, duke shpresuar se Dëshmitarët do të sëmureshin mendërisht dhe do të pushonin së adhuruari Perëndinë. Por fryma e Jehovait i mbështeti vëllezërit dhe ata i qëndruan besnikë Jehovait dhe organizatës së tij.

Ngadhënjimi i teokracisë

Gjatë gjysmës së dytë të viteve 80, kundërshtimi ndaj adhurimit të pastër u zbut në njëfarë mase. Kongregacionet vendëse përjetuan rritje në numrin e lajmëtarëve dhe vëllezërit kishin më shumë literaturë. Pasi vizitonin të afërmit jashtë shtetit, disa Dëshmitarë sillnin në kthim revista dhe libra. Për vëllezërit, veçanërisht për ata që kishin qenë në kampet sovjetike të punës, ishte hera e parë që mbanin në duart e tyre një botim biblik origjinal. Ndërsa disa nuk mund ta besonin se do të jetonin që të shihnin ditën kur një kopje origjinale e Kullës së Rojës do të kalonte përmes Perdes së Hekurt.

Pas shumë vjetësh kundërshtimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, autoritetet më në fund filluan të zbuten. Vëllezërit tani i ftuan që të takoheshin me përfaqësuesit civilë të Zyrës së Çështjeve Fetare. Disa nga këto autoritete dëshironin të takoheshin me Dëshmitarë të Jehovait nga selia qendrore në Bruklin. Kuptohet, në fillim vëllezërit dyshuan për një kurth. Por, sigurisht që, kohët po ndryshonin për popullin e Jehovait. Në vitin 1987, autoritetet filluan të lironin Dëshmitarët e burgosur. Më vonë disa vëllezër u përpoqën të merrnin pjesë në kongresin krahinor të 1988-s në Poloninë fqinje. Sipas dokumenteve, ata po vizitonin miqtë dhe të afërmit. Për habinë e tyre të madhe autoritetet i lejuan të udhëtonin jashtë. Vëllezërit polakë me bujari e ndanë literaturën me vizitorët nga Ukraina. Në kthim, vëllezërit nga Ukraina u kontrolluan në kufi, por në pjesën më të madhe, punonjësit e doganës nuk e konfiskuan literaturën biblike. Kështu që vëllezërit ishin në gjendje të sillnin në vend Bibla dhe botime të tjera.

Vëllezërit mikpritës polakë ftuan për vizitë vitin që pasoi edhe shumë vëllezër të tjerë nga Ukraina. Kështu, më 1989, duke u treguar të kujdesshëm mijëra vetë morën pjesë në kongreset ndërkombëtare në Poloni dhe sollën më shumë literaturë kur u kthyen në Ukrainë. Po atë vit, sipas një marrëveshjeje me Zyrën e Çështjeve Fetare, Dëshmitarët e Jehovait u lejuan të merrnin literaturë fetare me postë nga jashtë shtetit, por vetëm dy kopje të çdo botimi në një dërgesë postare. Vëllezërit nga Gjermania filluan të dërgonin rregullisht pako me libra dhe revista. Në vend që të bënin kopje të revistave në fshehtësi nëpër bunkerë ose natën vonë në bodrumet e shtëpive, vëllezërit tani i merrnin zyrtarisht botimet në postën vendëse. Ishte si një ëndërr. Shumë të moshuar kishin ndjenja të njëjta me ato të judenjve pasi u kthyen në Jerusalem nga mërgimi: «Na u duk si ëndërr.» (Psal. 126:1) Por ishte vetëm fillimi i një «ëndrre» të bukur.

Kongres në Varshavë

Në vitin 1989, vëllezërit nga Bruklini rekomanduan që komiteti i vendit të fillonte bisedimet me autoritetet për të regjistruar shërbimin tonë publik. Për më tepër, Milton Hensheli dhe Teodor Xharazi nga Betheli i Bruklinit vizituan vëllezërit në Ukrainë. Vitin që pasoi, autoritetet zyrtarisht lejuan mijëra Dëshmitarë të Jehovait që të merrnin pjesë në kongresin në Poloni. Kur po regjistronin dokumentet për udhëtimin, vëllezërit me krenari dhe me sytë që u shkëlqenin, deklaruan se donin të shkonin në Poloni jo për të vizituar miqtë dhe të afërmit, por për të marrë pjesë në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait.

Kongresi i Varshavës ishte shumë i veçantë për vizitorët nga Ukraina. Lot gëzimi rrodhën në faqet e tyre: gëzim që po takonin të bashkëkrishterët, gëzim që po merrnin kopjet e tyre të botimeve me ngjyra në gjuhën amtare dhe gëzim që kishin lirinë për t’u mbledhur së bashku. Vëllezërit polakë shfaqën një mikpritje të dashur ndaj tyre, duke u siguruar të gjitha gjërat e nevojshme.

Shumë ish-të burgosur të të njëjtit besim, u takuan së bashku për herë të parë në këtë kongres në Varshavë. Më shumë se njëqind veta nga kampi «i veçantë» i Mordvinisë, ku ishin burgosur mijëra Dëshmitarë, u takuan atje me njëri-tjetrin. Shumë prej tyre thjesht rrinin në këmbë duke vështruar njëri-tjetrin dhe duke qarë nga gëzimi. Një Dëshmitar nga Moldavia që kishte kaluar pesë vjet në një qeli burgu me Bela Mejsarin nuk e njohu atë. Përse? «Të mbaj mend me një veshje burgu dhe tani ti je me kostum dhe me kravatë»,—thirri ai.

Më në fund liria fetare

Në fund të 1990-s, institucionet e drejtësisë filluan t’i shpallnin të pafajshëm disa nga Dëshmitarët e Jehovait, duke ua kthyer sërish të drejtat dhe privilegjet e tyre. Në të njëjtën kohë, komiteti i vendit ngriti një grup që të përfaqësonte Dëshmitarët e Jehovait në takimet me autoritetet shtetërore. Vili Poli nga dega e Gjermanisë ishte mbikëqyrësi i këtij grupi.

Takimet e gjata me autoritetet në Moskë dhe në Kiev u sollën Dëshmitarëve lirinë e shumëpritur. Organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait u regjistrua zyrtarisht në Ukrainë në 28 shkurt të vitit 1991, regjistrimi i parë i këtij lloji në territorin e BRSS-së. Një muaj më vonë, më 27 mars 1991, kjo organizatë u regjistrua edhe në Federatën Ruse. Kështu, pas më shumë se 50 vjet ndalimesh dhe përndjekjesh, Dëshmitarët e Jehovait më në fund fituan lirinë fetare. Pak kohë pas kësaj, në fund të 1991-shit, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Ukraina shpalli pavarësinë.

Toka e mirë prodhon me bollëk

Më 1939, aty ku tani është Ukraina, kishte rreth 1.000 lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, të cilët mbollën farërat e së vërtetës në tokë pjellore, pra, në zemrat e njerëzve. Gjatë 52 vjetëve të ndalimit, vëllezërit përjetuan tmerret e Luftës II Botërore, të internimeve në Siberi, të rrahjeve të egra, të torturave dhe të ekzekutimeve. Megjithatë gjatë asaj kohe «toka e shkëlqyer» prodhoi më shumë se 25 fish. (Mat. 13:23) Më 1991, kishte 258 kongregacione në Ukrainë me 25.448 lajmëtarë dhe afërsisht 20.000 lajmëtarë në republikat e tjera të ish-BRSS-së, të cilët, në shumicën e rasteve, e kishin mësuar të vërtetën nga vëllezërit ukrainas.

Një tokë e tillë duhej të «plehërohej» me anë të botimeve biblike. Prandaj, pas regjistrimit ligjor të veprës sonë, u bënë përgatitje për të marrë literaturë të dërguar nga Zeltersi i Gjermanisë. Ngarkesa e parë me literaturë arriti më 17 prill 1991.

Vëllezërit organizuan një depo të vogël në Lvov nga e cila ata dërgonin literaturë me kamion, me tren e madje, edhe me aeroplan për kongregacionet në mbarë Ukrainën, Rusinë, Kazakistanin dhe në vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo nxiti rritjen e mëtejshme frymore. Në fillim të vitit 1991, Harkovi, një qytet me dy milionë banorë, nuk kishte veçse një kongregacion. Nga fundi i verës së 1991-it, ky kongregacion me 670 lajmëtarë u nda në tetë kongregacione. Tani në atë qytet ka më shumë se 40 kongregacione.

Edhe pse BRSS-ja u shpërbë më 1991, komiteti i vendit u kujdes për të 15 republikat e ish-Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1993. Atë vit, në një mbledhje me vëllezërit e Trupit Udhëheqës, u mor një vendim për të krijuar dy komitete: një për Ukrainën e një për Rusinë dhe 13 republikat e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Përveç Mikajlo Daseviçit, Aleksei Davidjukut, Stepan Kozhembës dhe Anani Hrohulit, komitetit të vendit në Ukrainë iu shtuan edhe tre vëllezër: Stepan Hlinski, Stepan Mikeviçi dhe Roman Jurkeviçi.

Atëherë u bë e nevojshme të ngrihej një skuadër përkthimi për të plotësuar nevojën në rritje për literaturë në gjuhën ukrainase. Siç e pamë më parë, vëllezërit kanadezë Emil Zaritski dhe Moris Sarançuku, së bashku me gratë e tyre, morën pjesë në këtë vepër. Kjo skuadër e vogël punëtorësh të devotshëm përktheu shumë botime. Sidoqoftë, që nga viti 1991, një skuadër më e madhe për përkthimin në gjuhën ukrainase filloi të punonte në Gjermani. Më 1998, ata u zhvendosën në Poloni dhe vazhduan punën atje deri sa u zhvendosën përfundimisht në Ukrainë.

Kongrese krahinore

Pas një mbledhjeje me vëllezërit vendës në Lvov më 1990, vëlla Xharazi vëzhgoi stadiumin e qytetit dhe tha: «Mund ta përdorim këtë për kongresin krahinor vitin e ardhshëm.» Vëllezërit i buzëqeshën, duke pyetur veten si do të ishte e mundur kjo meqë organizata jonë ende nuk ishte e regjistruar dhe vëllezërit kurrë më parë nuk kishin organizuar një kongres. Megjithatë, pikërisht vitin që pasoi, organizata u regjistrua. Në gusht të 1991-shit, gati 17.531 veta morën pjesë në kongresin krahinor pikërisht në këtë stadium dhe 1.316 vëllezër e motra u pagëzuan. Vëllezërit polakë i ftuan në Ukrainë për të ndihmuar në organizimin e kongresit.

Atë gusht një kongres tjetër u planifikua në Odesë. Por, për shkak të trazirave politike që ndodhën në Rusi në fillim të javës së kongresit, zyrtarët vendës i njoftuan vëllezërit se nuk mund ta mbanin kongresin në Odesë. Vëllezërit vazhduan të kërkonin leje nga zyrtarët e qytetit dhe vazhduan me përgatitjet, duke u mbështetur plotësisht tek Jehovai. Më në fund, vëllezërve përgjegjës iu tha të paraqiteshin tek zyrtarët ditën e enjte për vendimin përfundimtar. Pasditen e po asaj dite,, vëllezërit e morën lejen që të mbanin kongresin.

Sa gjë e mrekullueshme dhe e bukur ishte të shihje 12.115 Dëshmitarë të mbledhur së bashku dhe 1.943 që u pagëzuan atë fundjavë! Dy ditë pas kongresit vëllezërit vizituan përsëri zyrtarët e qytetit për t’i falënderuar që e lejuan kongresin. I dhanë kryetarit të qytetit një kopje të librit Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ai tha: «Nuk isha në kongres, por di gjithçka që u bë atje. Nuk kam parë kurrë diçka më të mirë se kjo. Ju premtoj se kurdoherë që të keni nevojë për leje që të mbani mbledhjet tuaja, do të jem i kënaqur t’jua jap.» Që atëherë vëllezërit mbajnë rregullisht kongrese krahinore në qytetin e bukur të Odesës.

Kongrese ndërkombëtare mbresëlënëse

Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte Kongresi Ndërkombëtar «Mësimi hyjnor», mbajtur në Kiev në gusht të vitit 1993. Pjesëmarrja e 64.714 vetave ishte më e madhja për ndonjë kongres të mbajtur ndonjëherë në Ukrainë dhe përfshinte mijëra delegatë nga më se 30 vende të ndryshme. Programi i paraqitur në anglisht u përkthye njëkohësisht në 16 gjuhë.

Sa drithëruese ishte të shihje pesë ndarje të stadiumit të mbushura plot me vëllezër e motra që u ngritën në këmbë për t’iu përgjigjur ‘Po’ dy pyetjeve të pagëzimit! Gjatë dy orëve e gjysmë që pasuan, 7.402 persona u pagëzuan në gjashtë pishina pagëzimi. Ky ishte numri më i madh i të pagëzuarve në një kongres në historinë e popullit të Perëndisë në ditët tona. Kjo ngjarje mahnitëse do të kujtohet gjithmonë me çmueshmëri nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si qe e mundur të organizohej një kongres kaq i madh vetëm me 11 kongregacione në qytet? Ashtu si në vitet e mëparshme, vëllezërit nga Polonia erdhën për të ndihmuar në Repartin e Strehimit. Së bashku me vëllezërit vendës, bënë kontrata me sa më shumë hotele dhe fjetore që ishte e mundur, e madje, morën me qira edhe disa varka lumi.

Detyra më e vështirë ishte të merrnin lejen për të marrë me qira stadiumin. Përveç ngjarjeve sportive, stadiumi shërbente edhe si një treg i madh gjatë fundjavëve dhe askush nuk kishte marrë ndonjëherë leje për ta mbyllur tregun. Megjithatë leja u dha.

Madje edhe autoritetet e qytetit ngritën një komitet të veçantë për t’i ndihmuar vëllezërit në punën përgatitore. Ky komitet përfshinte kryetarë nga shërbime të ndryshme të qytetit, të tilla, si: policia, transporti dhe turizmi. Një rregullim i pashoq u bë për të transportuar delegatët brenda qytetit. Vëllezërit parapaguan për transportin publik, kështu që ata me distiktivët e kongresit nuk duhej të paguanin kur hipnin, por mund ta bënin këtë në kongres. Kështu, vëllezërit mund të hipnin menjëherë në metrotë, tramvajet dhe autobusët e qytetit kur udhëtonin për në dhe nga Stadiumi Republikan (tani Olimpik), një nga më të mëdhenjtë e Evropës Lindore. Për t’u ardhur në ndihmë delegatëve të kongresit, u hapën dyqane buke të tjera në zonën përreth stadiumit, kështu që vëllezërit mund të merrnin menjëherë ushqim për ditën tjetër.

Shefi i policisë ishte kaq i mahnitur nga rregulli në kongres sa theksoi: «Gjithçka që keni bërë, si edhe sjellja juaj e mirë, më kanë bërë edhe më tepër përshtypje se predikimi juaj. Njerëzit mund ta harrojnë atë që dëgjuan, por nuk do ta harrojnë kurrë atë që panë.»

Disa gra që punonin në një stacion metroje, erdhën në zyrën e administratës së kongresit për të falënderuar delegatët për sjelljen e mirë. Gratë theksuan: «Kemi punuar këtu për shumë ngjarje sportive dhe politike, por kjo ishte hera e parë që pamë vizitorë kaq të sjellshëm dhe të lumtur, të cilët u interesuan për ne. Të gjithë na përshëndetnin. Nuk jemi mësuar të na përshëndetin në veprimtaritë e tjera.»

Pas kongresit, kongregacionet në Kiev patën shumë punë, meqë u dërguan rreth 2.500 adresa nga persona të interesuar që donin të mësonin më shumë. Tani në Kiev ka më shumë se 50 kongregacione Dëshmitarësh të zellshëm.

Një grupi vëllezërish që po udhëtonin për në kongres ua vodhën të gjitha plaçkat. Prapëseprapë, duke qenë të vendosur të pasuroheshin frymësisht, ata vendosën ta vazhdonin udhëtimin e tyre për në Kiev, duke arritur në kongres vetëm me rrobat që kishin veshur. Sidoqoftë, një grup vëllezërish nga ish-Çekosllovakia kishin marrë me vete më tepër rroba për ndonjë që mund të ishte në nevojë. Kur administrata e kongresit e mori vesh këtë, i furnizuan menjëherë me të gjitha rrobat e nevojshme vëllezërit që i kishin vjedhur.

Ndihmë për të përparuar

Këta shembuj të dashurisë altruiste nuk ishin raste të veçuara. Më 1991, Trupi Udhëheqës ftoi disa degë në Evropën Perëndimore që të siguronin ushqim dhe veshje për vëllezërit në Evropën Lindore. Vëllezërit e çmuan këtë mundësi për të ndihmuar dhe dëshira e tyre për të dhënë i tejkaloi të gjitha parashikimet. Shumë veta dhuruan ushqime dhe rroba të përdorura, kurse të tjerë blenë veshje të reja. Zyrat e degës në Evropën Perëndimore grumbulluan kuti kartoni, valixhe dhe çanta me mallra të tilla. Austria, Danimarka, Gjermania, Italia, Holanda, Suedia dhe Zvicra dërguan në Lvov me kamionë tonelata me ushqime dhe rroba. Shpesh vëllezërit madje dhuruan edhe kamionët e tyre për t’i përdorur në veprën e Mbretërisë në Evropën Lindore. Autoritetet në kufi ndihmuan shumë për të nxjerrë dokumentet e nevojshme, kështu që të gjitha dërgesat mund të bëheshin më me lehtësi.

Vëllezërve që transportonin mallrat u bëri përshtypje mënyra se si i pritnin. Një grup vëllezërish që udhëtuan nga Holanda për në Lvov raportuan për udhëtimin e tyre. Ata shkruan: «140 vëllezër ishin atje gati për të shkarkuar kamionët. Para se të nisnin punën, këta vëllezër të përulur shfaqën besimin e tyre te Jehovai duke bërë një lutje së bashku. Kur mbaroi puna, ata u mblodhën përsëri për t’i bërë Jehovait një lutje falënderimi. Pasi gëzuam mikpritjen e vëllezërve vendës, të cilët na dhanë me bollëk nga ato pak që kishin, ata na shoqëruan për në rrugën kryesore dhe atje bënë një lutje në anë të rrugës para se të ndaheshin nga ne.

Gjatë udhëtimit të gjatë për në shtëpi, kishim shumë gjëra për të menduar: mikpritja e vëllezërve në Gjermani e në Poloni dhe e vëllezërve tanë në Lvov; besimi i tyre i fortë dhe zakoni për t’u lutur shumë; mikpritja e tyre për të na siguruar rehati dhe ushqim ndërkohë që ishin në rrethana të vështira për vete; shfaqja e unitetit dhe e afrimitetit midis tyre; si dhe mirënjohja e tyre. Gjithashtu, menduam për vëllezërit dhe motrat e vendit tonë që kishin dhënë aq bujarisht.»

Një shofer nga Danimarka tha: «Kuptuam se kur u kthyem, morëm me vete më shumë nga sa kishim sjellë. Dashuria dhe fryma e sakrificës që treguan vëllezërit tanë ukrainas e forcuan tepër besimin tonë.»

Shumë nga sendet e dhuruara u çuan në Moldavi, në vendet Balltike, në Kazakistan, në Rusi dhe vende të tjera ku kishte, gjithashtu, një nevojë të madhe. Disa dërgesa u çuan me kontejnerë për në Siberi dhe Habarovsk, më shumë se 7.000 kilometra në lindje. Letrat e mirënjohjes së thellë nga ata që i morën ishin prekëse, inkurajuese dhe forconin unitetin. Kështu, të gjithë ata që u përfshinë përjetuan vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Vep. 20:35.

Nga fundi i vitit 1998, në Transkarpati ndodhi një katastrofë. Sipas burimeve zyrtare, 6.754 shtëpi u përmbytën dhe 895 të tjera u shkatërruan plotësisht nga rrëshqitja e dheut. Ndërmjet shtëpive të shkatërruara, 37 u përkitnin Dëshmitarëve. Menjëherë dega e Lvovit dërgoi në zonë një kamion me ushqime, ujë, sapun, shtretër dhe batanije. Më vonë vëllezërit nga Kanadaja dhe Gjermania dërguan veshje dhe artikuj shtëpiakë. Dëshmitarë nga Republika e Çekisë, e Hungarisë, e Polonisë dhe e Sllovakisë siguruan ushqim dhe dërguan edhe materiale ndërtimi për të rindërtuar shtëpitë e shkatërruara. Shumë vëllezër vendës ndihmuan edhe në punën e rindërtimit. Dëshmitarët siguruan ushqim, rroba dhe dru zjarri, jo vetëm për bashkëbesimtarët, por edhe për të tjerët. Ata pastruan oborret e fushat dhe ndihmuan në riparimin e shtëpive të atyre që nuk ishin Dëshmitarë.

Japin ndihmë frymore

Sidoqoftë ndihma materiale, nuk ishte e vetmja që u dha. Pas më se 50 vjetësh nën ndalim, Dëshmitarët ukrainas nuk ishin mësuar me organizimin e veprës në kushte lirie. Prandaj më 1992 u dërguan vëllezër nga dega e Gjermanisë për të ndihmuar në organizimin e veprës në Ukrainë. Kjo hodhi themelin për punën e ardhshme të Bethelit. Më vonë, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara dërguan vëllezër të tjerë për të ndihmuar në mbikëqyrjen e veprës së bërjes së dishepujve.

Kishte edhe shumë nevojë për vëllezër me përvojë në shërbimin në fushë. Fillimisht, shumë të diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbimin erdhën nga Polonia që të kujdeseshin për kongregacionet dhe më pas për qarqet dhe për krahinat në mbarë vendin. Veç kësaj, disa çifte erdhën nga Kanadaja e nga Shtetet e Bashkuara dhe tani shërbejnë në veprën qarkore. Edhe disa vëllezër nga Republika Çeke, nga Hungaria, nga Italia dhe nga Sllovakia punojnë si mbikëqyrës qarkorë. Këto rregullime kanë ndihmuar shumë kongregacione vendëse që t’i zbatojnë dhe t’ua përshtatin normat e Shkrimeve shumë aspekteve të shërbimit.

Çmueshmëri për literaturën biblike

Gjysma e dytë e viteve 90 u karakterizua nga disa fushata speciale për shpërndarjen e literaturës. Pas shpërndarjes së Lajmërim i Mbretërisë nr. 35 më 1997, u morën afro 10.000 kupona nga personat e interesuar që kërkonin broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? ose që vëllezërit të viheshin në kontakt me ta personalisht.

Gjithandej njerëzit e çmojnë literaturën tonë. Kur po vizitonin një maternitet, vëllezërve iu kërkua të sillnin çdo javë 12 kopje të librit Sekreti i lumturisë familjare. Përse? Personeli donte që çdo çifti të cilit i lindte një fëmijë t’i jepte bashkë me certifikatën e lindjes edhe një libër.

Gjatë viteve të fundit, shumë veta janë njohur me revistat tona dhe i kanë çmuar ato. Për shembull, teksa predikonin në një park, Dëshmitarët i ofruan një zotërie revistën Zgjohuni! Burri i falënderoi dhe pyeti: «Sa kushton?»

«Vepra jonë mbështetet nga kontributet vullnetare»,—shpjeguan vëllezërit. Burri dha një kartmonedhë me vlerë një hrivnia—që në atë kohë vlente sa 75 lekë të reja—u ul në një stol dhe menjëherë filloi ta lexonte revistën. Ndërkohë, vëllezërit u dëshmonin të tjerëve në park. Pas 15 minutash, burri iu afrua vëllezërve dhe dhuroi një tjetër hrivnia për revistën që kishte marrë. Pastaj u kthye në stol dhe vazhdoi leximin, kurse vëllezërit vazhdonin predikimin. Pas pak burri iu afrua përsëri vëllezërve dhe u dha edhe një tjetër hrivnia. U tha se revista i ishte dukur tepër interesante dhe donte ta lexonte rregullisht.

Arsimimi i mirë përshpejton rritjen

Pas njohjes ligjore u vazhdua me shpejtësi përpara, por jo pa sfida. Fillimisht disa kishin vështirësi të përshtateshin me shërbimin shtëpi më shtëpi, meqë për më shumë se gjysmë shekulli e gjithë dëshmia ishte bërë në mënyrë joformale. Por me ndihmën e frymës së Jehovait, vëllezërit dhe motrat ia dolën t’i përshtateshin asaj që për ta ishte një mënyrë e re të dëshmuari.

U bë, gjithashtu, e mundur të organizoheshin të pesta mbledhjet javore në çdo kongregacion. Kjo luajti një rol jetësor për t’i bashkuar lajmëtarët dhe për t’i nxitur për veprimtari më të madhe. Vëllezërit mësuan shpejt dhe përparuan në shumë aspekte të shërbimit të tyre. Shkollat e reja i pajisën Dëshmitarët me një arsimim të mirë. Për shembull, më 1991, Shkolla e Shërbimit Teokratik u vendos në të gjitha kongregacionet për të stërvitur Dëshmitarët për veprën e predikimit. Që nga viti 1992 Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë për pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës i ka ndihmuar shumë vëllezërit që të marrin drejtimin në shërbimin në fushë, në mësimin e kongregacionit dhe në kullotjen e tufës.

Në vitin 1996, në Ukrainë u hap Shkolla e Shërbimit për Pionierë. Gjatë pesë viteve të para, në këtë kurs dyjavor morën pjesë më shumë se 7.400 pionierë të rregullt. Ç’dobi u solli atyre? Një pioniere shkroi: «Isha e lumtur që isha argjila në duart e Jehovait dhe që u modelova me anë të kësaj shkolle.» Një pioniere tjetër tha: «Pas shkollës së pionierit fillova të ‘shkëlqej’.» Një klasë pionierësh shkroi: «Kjo shkollë doli se ishte një bekim i vërtetë për të gjithë ata që morën pjesë në të. Na shtyu të zhvillojmë interes të thellë për njerëzit.» Shkolla luajti një rol të rëndësishëm, duke kontribuar në 57 maksimume mujore radhazi në numrin e pionierëve të rregullt.

Meqenëse gjendja ekonomike është e vështirë, shumë pyesin veten se si ia dalin pionierët të plotësojnë nevojat e tyre. Një pionier që shërben si shërbëtor ndihmës ka tri fëmijë për të mbajtur. Ai thotë: «Së bashku, unë dhe gruaja, planifikojmë me kujdes për nevojat tona, duke blerë vetëm gjërat më thelbësore në jetën tonë. Bëjmë një jetë të thjeshtë, duke u mbështetur tek Jehovai. Duke pasur qëndrimin e duhur, nganjëherë edhe ne vetë habitemi sesa pak na duhet për të siguruar jetesën.»

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim filloi më 1999. Pothuajse njëqind vëllezër morën pjesë gjatë vitit të parë. Për shumë veta ishte një sfidë të merrnin pjesë në këtë kurs dymujor mes vështirësive të mëdha ekonomike. Është e dukshme, megjithatë, që Jehovai u dha mbështetjen e tij vëllezërve.

Një vëlla, i cili mori një ftesë për në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, shërbente si pionier i rregullt në një territor të largët. Ai dhe shoku i tij pionier kishin kursyer mjaft para për të blerë ushqim dhe qymyr për dimrin e ardhshëm. Kur ai mori këtë ftesë për në shkollë, atyre iu desh të zgjidhnin mes blerjes së qymyrit dhe biletës së trenit për të marrë pjesë në shkollë. E diskutuan çështjen dhe vendosën që ai të shkonte në shkollë. Pak kohë pasi kishin marrë këtë vendim, motra mishore e vëllait, e cila jetonte jashtë shtetit, i dërgoi ca para si dhuratë. Ishin mjaftueshëm për të udhëtuar për në shkollë. Kur mbaroi shkollën, ky vëlla u caktua të shërbente si pionier special.

Programe të tilla arsimimi e kanë ndihmuar popullin e Jehovait të jetë më i efektshëm në shërbimin në fushë dhe në veprimtaritë e kongregacionit. Lajmëtarët mësojnë të predikojnë më me efektshmëri, ndërsa pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kanë mësuar si të jenë burim i një inkurajimi më të madh në kongregacionet e tyre. Si pasojë, ‘kongregacionet vazhdojnë të bëhen të patundura në besim dhe të shtohen në numër’.—Vep. 16:5.

Rritja e shpejtë sjell ndryshime

Gjatë viteve që kanë kaluar nga regjistrimi ligjor, numri i Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë është rritur më shumë se katërfish. Shumë zona të vendit kanë përjetuar një rritje të jashtëzakonshme. Ka pasur, gjithashtu, një nevojë të madhe për pleq të kualifikuar. Shpesh, kongregacionet ndaheshin sapo vihej në dispozicion një plak tjetër. Disa kongregacione kanë pasur deri në 500 lajmëtarë. Një rritje e tillë e shpejtë ka kërkuar ndryshime në administrim.

Deri në vitet 60, dega e Polonisë ndihmoi në mbikëqyrjen e veprës në Ukrainë dhe pas kësaj, dega e Gjermanisë siguroi mbikëqyrje dhe ndihmë. Në shtator të 1998-s, Ukraina u bë një degë nën mbikëqyrjen e selisë botërore në Bruklin. Në atë kohë u formua një Komitet Dege për të administruar çështjet organizative.

Rritja e madhe solli, gjithashtu, nevojën për zgjerimin e ndërtesave të degës. Duke filluar që nga viti 1991, Lvovi u përdor si qendër e shpërndarjes së literaturës për 15 republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Vitin pasues erdhën dy çifte nga zyra e degës në Gjermani. Pak kohë më pas, në Lvov ishte duke vepruar një zyrë e vogël. Një vit më vonë u ble një shtëpi dhe u mbush me punëtorë në kohë të plotë të zyrës. Në fillim të 1995-s, numri i vullnetarëve që punonin në zyrën e Ukrainës u rrit me shpejtësi, duke e bërë të nevojshme të transferoheshin përsëri, këtë herë në një kompleks prej gjashtë Sallash Mbretërie që i përdornin 17 kongregacione. Gjatë gjithë kësaj kohe vëllezërit pyetnin veten: «Kur dhe ku do ta ndërtojmë Bethelin tonë?»

Ndërtimi i Degës dhe i Sallave të Mbretërisë

Në vitin 1992 vëllezërit filluan të kërkonin prona për të ndërtuar godinat e degës. Ndërkohë që shqyrtoheshin vende që mund të ishin të përshtatshme kaluan disa vjet. Vëllezërit ia parashtruan këtë nevojë Jehovait në lutje, me besim se në kohën e duhur do të gjenin një vend të përshtatshëm.

Në fillim të 1998-s prona u gjet në një pyll piktoresk me pisha, pesë kilometra në veri të Lvovit, në qytetin e vogël të Brjukoviçit. Pikërisht afër këtij vendi dy kongregacione kishin mbajtur mbledhjet në pyll gjatë ndalimit. Një vëlla tha: «Nuk e kisha menduar kurrë se dhjetë vjet pas mbledhjes sonë të fundit në pyll do të kisha mundësinë të takohesha sërish me vëllezërit në të njëjtin pyll, por në rrethana krejtësisht të ndryshme—në pronën për degën tonë të re.»

Në fund të 1998-s erdhën shërbëtorët e parë ndërkombëtarë. Vëllezër nga Zyra Rajonale e Inxhinierisë në Zelters, Gjermani, filluan të punonin me shpejtësi për të përgatitur projektet. Në fillim të janarit të 1999-s, pas miratimit nga ana e qeverisë, filloi puna në vendin e ndërtimit. Më shumë se 250 vullnetarë nga 22 kombe të ndryshme punuan në atë vend. Gjatë fundjavëve në këtë projekt punuan edhe gati 250 vullnetarë vendës.

Shumë veta e çmuan thellë privilegjin për të punuar në këtë projekt. Kongregacione të tëra morën me qira autobusë për të ardhur në Brjukoviç si vullnetarë gjatë fundjavëve. Shpesh ata udhëtonin gjithë natën me qëllim që të ishin në vend në kohë, për të ndihmuar në ndërtim. Pas një dite pune të rëndë kalonin një ditë tjetër duke udhëtuar për në shtëpi, të lodhur, por të kënaqur dhe të lumtur, me dëshirën për të ardhur përsëri. Një grup prej 20 vëllezërish udhëtuan 34 orë me tren nga zona e Luhanskit në Ukrainën Lindore, me qëllim që të punonin tetë orë në ndërtimin e Bethelit. Për hir të këtyre tetë orëve punë, secili vëlla mori dy ditë pushim nga puna shekullare dhe harxhoi më tepër se gjysmën e rrogës mujore për biletën e trenit. Një frymë e tillë vetëmohuese i dha zemër gjithë ekipit të ndërtimit të Bethelit dhe familjes Bethel. Ndërtimi eci shumë shpejt, duke bërë të mundur dedikimin e degës në 19 maj të vitit 2001. Në atë ngjarje ishin të pranishme tridhjetë e pesë vende. Në mbledhjet e veçanta ditën tjetër, vëlla Teodor Xharazi foli para 30.881 vetave në Lvov, ndërsa vëlla Gerrit Lëshi foli para 41.142 vetave në Kiev, gjithsej 72.023 veta.

Po Sallat e Mbretërisë? Qysh nga 1939-a, kur në Transkarpati u shkatërruan disa salla, në Ukrainë nuk kishte asnjë Sallë Mbretërie zyrtare deri më 1993. Atë vit, në fshatin transkarpatian të Dibrovës, u ndërtua brenda gjashtë muajve një kompleks i bukur prej katër Sallash Mbretërie. Menjëherë pas kësaj, në zona të tjera të Ukrainës u përfunduan gjashtë Salla të tjera.

Për shkak të rritjes së madhe të lajmëtarëve kishte nevojë të madhe për Salla Mbretërie. Sidoqoftë, procedurat e ndërlikuara ligjore, inflacioni dhe kostoja në rritje e materialeve të ndërtimit bënë që në vitet 90të ndërtoheshin vetëm 110 Salla Mbretërie. Nevojiteshin edhe qindra të tjera. Kështu që në vitin 2000 u hartua një program i ri për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, që po ndihmon tashmë për të përballuar nevojat.

Përpara në veprën e korrjes

Në shtator 2001 në Ukrainë kishte 120.028 Dëshmitarë të Jehovait në 1.183 kongregacione, të cilat i vizitonin 39 mbikëqyrës qarkorë. Farërat e së vërtetës të mbjella për një periudhë të gjatë kohe kanë prodhuar fryte të mira dhe të bollshme. Në disa familje ka pesë breza Dëshmitarësh të Jehovait. Kjo dëshmon se ‘toka’ është vërtet e shkëlqyer. «Pasi e dëgjojnë fjalën me një zemër të shkëlqyer e të mirë», shumë veta «e mbajnë». Përgjatë viteve vëllezërit «mbollën» farëra, shpesh me lot, ndërsa të tjerë «ujitën» tokën pjellore. Jehovai bën që këto fara të rriten, ndërkohë që Dëshmitarët e tij besnikë në Ukrainë vazhdojnë të «japin fryt me qëndrueshmëri».—Luka 8:15; 1 Kor. 3:6.

Në disa territore, raporti i Dëshmitarëve me popullsinë e vendit është mahnitës. Për shembull, në tetë fshatra ku flitet rumanisht në zonën e Transkarpatisë, ka 59 kongregacione që përbëjnë tri qarqe.

Përpjekjet nga kundërshtarët fetarë dhe shekullarë për të çrrënjosur Dëshmitarët e Jehovait nga Ukraina nëpërmjet internimit dhe përndjekjes së egër nuk patën sukses. Zemrat e njerëzve në këtë vend treguan se ishin pjellore për farërat e së vërtetës biblike. Sot Dëshmitarët e Jehovait po marrin një të korrë të bollshme.

Profeti Amos paratha një kohë korrjeje kur «ai që lëron do t’i afrohet atij që korr». (Amo. 9:13) Bekimi i Jehovait e bën tokën kaq frytdhënëse, saqë korrja vazhdon ende kur vjen koha për të lëruar për stinën e ardhshme. Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë kanë provuar vërtetësinë e kësaj profecie. Duke parë nga e ardhmja, ata kanë besim se me më shumë se një çerek milioni pjesëmarrës në Përkujtim më 2001, perspektiva për rritje të mëtejshme është tepër nxitëse.

Siç regjistrohet tek Amosi 9:15, Jehovai premton siç thuhet: «Unë do t’i mbjell në tokën e tyre dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre.» Duke vazhduar të mbjellë farërat e së vërtetës dhe të korrë frytet e bollshme, populli i Perëndisë e pret me padurim kohën kur Jehovai do ta përmbushë plotësisht këtë premtim. Ndërkohë, ‘ngremë sytë dhe shikojmë fushat që janë të bardha për korrje’.—Gjoni 4:35.

[Diçitura në faqen 140]

«Danjili do të ishte varur, por duke qenë nën moshë, e dënuan vetëm me katër muaj burg»

[Diçitura në faqen 145]

«Dëshmitarët ndryshonin nga të tjerët në kampin e përqendrimit. Sjellja e tyre tregonte se ata kishin për t’u thënë diçka shumë të rëndësishme të burgosurve të tjerë»

[Diçitura në faqen 166]

Më 8 prill 1951, më shumë se 6.100 Dëshmitarë u internuan nga Ukraina Perëndimore për në Siberi

[Diçitura në faqen 174]

«Shpesh, motrat tona kryen punën e shërbëtorëve të kongregacionit dhe në disa zona ato përmbushën përgjegjësitë e shërbëtorëve qarkorë»

[Diçitura në faqen 183]

Në vend që të shkonte në muajin e mjaltit, ai kaloi dhjetë vjet në burg

[Diçitura në faqen 184]

«Ishte tepër e dhembshme t’ia jepja vogëlushen time të dashur një personi që nuk e kisha takuar kurrë.»

[Diçitura në faqen 193]

Duke parë se Dëshmitarët e Jehovait nuk po heshtnin me gjithë internimin, burgimin, dhunën fizike dhe torturat, organet e sigurimit përdorën taktika të reja

[Diçitura në faqen 207]

Vëllezërve që ishin ndarë KGB-ja u paraqiti një letër të rreme, gjoja të dërguar nga vëlla Nori

[Diçitura në faqen 212]

KGB-ja ishte jashtëzakonisht syçelë në kohën e Përkujtimit, meqë ata gjithmonë e dinin datën e përafërt të kremtimit

[Diçitura në faqen 231]

Ishte hera e parë që mbanin një botim biblik origjinal në duart e tyre

[Diçitura në faqen 238]

«Gjithçka që keni bërë, si edhe sjellja juaj e mirë, më kanë bërë edhe më tepër përshtypje se predikimi juaj. Njerëzit . . . nuk do ta harrojnë kurrë atë që panë»

[Diçitura në faqen 241]

«Dashuria dhe fryma e sakrificës që treguan vëllezërit tanë ukrainas e forcuan tepër besimin tonë»

[Diçitura në faqen 249]

Për hir të këtyre tetë orëve punë, secili vëlla mori dy ditë pushim nga puna shekullare dhe harxhoi më tepër se gjysmën e rrogës mujore për biletën e trenit

[Kutia dhe figurat në faqen 124]

Përkthimet e Biblës gjatë shekujve

Për ca kohë, njerëzit në Ukrainë përdornin versionin e Biblës Sllavishtja e Vjetër e Kishës që është përkthyer në shekullin e nëntë. Me kalimin e kohës, ndërsa gjuha ndryshonte, ky version rishqyrtohej. Aty nga fundi i shekullit të 15-të, Kryepeshkopi Genadius drejtoi rishikimin e plotë të Biblës në sllavishten e vjetër. Ky version çoi në një rishikim tjetër që solli si rrjedhojë shtypjen e Biblës së parë në sllavishten e vjetër. Ky përkthim njihet si Bibla Ostrog dhe u shtyp në Ukrainë më 1581. Edhe sot, autoritetet e shohin atë si një model të shkëlqyer të artit të shtypjes. Ai shërbeu si themel për përkthimet e mëvonshme të Biblës në gjuhën ukrainase dhe ruse.

[Figurat]

Ivan Fedorovi shtypi Biblën Ostrog në Ukrainë më 1581

[Kutia dhe figura në faqen 141]

Intervistë me Vasil Kalinin

Lindur: 1947

Pagëzuar më: 1965

Të dhëna: Internuar nga viti 1951 deri më 1965. Shtypte literaturën me metodën fotografike nga viti 1974 deri më 1991. Që nga viti 1993 shërben në zyrën e degës së Rusisë.

Babait tim iu desh të jetonte nën shumë forma të ndryshme qeverisjeje dhe nën autoritete të ndryshme qeveritare. Për shembull, kur Ukraina Perëndimore u pushtua nga gjermanët, ata e rrahën babanë tim, sepse mendonin se ishte komunist. Përse? Sepse prifti u tha oficerëve gjermanë që Dëshmitarët e Jehovait ishin komunistë pasi nuk shkonin në kishë. Më pas erdhi sundimi sovjetik. Përsëri babai im së bashku me shumë të tjerë, iu nënshtrua shtypjes nga ana e autoriteteve. U quajt spiun amerikan. Përse? Sepse bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait ndryshonin nga bindjet e fesë që mbizotëronte në atë kohë. Ja përse im atë dhe familja e tij u internuan në Siberi, ku jetoi derisa vdiq.

[Kutia dhe figura në faqet 147-151]

Intervistë me Ivan Litvakun

Lindur: 1922

Pagëzuar: 1942

Të dhëna: Burgosur nga viti 1944 deri në vitin 1946. Vuajti dënimin në kampe pune nga viti 1947 deri më 1953 në veriun e largët të Rusisë.

Në vitin 1947, më arrestuan sepse nuk doja të përfshihesha në politikë. Më çuan në një burg të sigurisë së lartë në qytetin e Lutskit në Ukrainë, ku duhej të rrija ulur me trupin drejt, me duart në prehër dhe pa i shtrirë këmbët. Qëndrova i ulur në këtë mënyrë për tre muaj. Një burrë me pallto të zezë më mori në pyetje. Donte t’i tregoja për vëllezërit që drejtonin veprën. Ai e dinte që i njihja, por nuk pranova t’ia tregoja.

Në 5 maj të vitit 1947, gjykata ushtarake më dënoi me dhjetë vjet burg në kampe të sigurisë së lartë që gjendeshin në zona të largëta. Mirëpo, meqë isha i ri në atë kohë, më caktuan në atë që quhej kategoria e parë. Të gjithë ata të kategorisë së parë ishin djem të rinj, qoftë Dëshmitarë, qoftë jo. Na hipën në vagonë mallrash për në Vorkuta, që ndodhet në veriun e largët të Rusisë. Më pas na hipën në një vapor dhe lundruam për katër ditë deri në ngushticën e Karakumit.

Atje zor se gjeje qenie të gjalla, kishte vetëm tundra dhe kaçube të vogla polare. Kur arritëm aty na detyruan të ecnim për katër ditë e katër netë. Nejse, ishim të rinj. Na dhanë kothere të thata dhe mish të tymosur dreri polar. Na i shpërndanë këto racione së bashku me tasat dhe na dhanë batanije prej materiali që mban ngrohtë. Binte shi i madh. Batanijet që po bartnim kishin thithur kaq shumë ujë, sa ishte e pamundur t’i mbaje. Dy nga ne duhej të merrnin një batanije dhe ta shtrydhnin që të bëhej sërish e lehtë.

Më në fund, arritëm në vend. Para se të mbërrinim, mendoja: ‘Edhe pak dhe do të kem një çati, një çati mbi kokë.’ Por vendi ku erdhëm ishte një zonë e hapur plot me myshk. Rojat thanë: «Sistemohuni. Ky është vendi juaj.»

Disa të burgosur qanë, të tjerë mallkuan qeverinë. Unë kurrë nuk mallkova njeri. U luta në heshtje: «Jehova, Perëndia im, ti je streha ime dhe fortesa ime. Ji streha ime edhe këtu.»

Ata e rrethuan vendin me litar, meqë nuk kishte tel. U vendosën roja. Si zakonisht, rojat ishin gjithmonë duke lexuar dhe thanë që, nëse do të afroheshe dy metra, do të qëllonin. E kaluam natën mbi myshk. Shiu binte mbi ne. U zgjova natën e hodha një sy mbi 1.500 njerëzit që ishin atje dhe pashë avullin që ngrihej prej gjithsecilit. U zgjova në mëngjes dhe një anë të trupit e kisha të gjithën në ujë. Ishte myshk, por kishte edhe ujë. Nuk kishte asgjë për të ngrënë. Na thanë se duhej të bënim një aerodrom, në mënyrë që një aeroplan të ulej dhe të na sillte ushqim. Rojat kishin një traktor të veçantë me rrota të stërmëdha me qëllim që të mos mbetej në baltë. Në të kishte furnizime për ata, por neve nuk na jepnin asgjë.

Punuam për ta ndërtuar aerodromin për tri ditë e tri netë. Duhej të hiqnim myshqet, me qëllim që të mund të ulej aeroplani. Një aeroplan i vogël solli miell. Ata e përzien miellin me ujë të zier, dhe kjo qe ajo që hëngrëm.

Puna ishte rraskapitëse. Punuam për të ndërtuar një rrugë dhe shtruam shina. Ishim si një rrip transmisioni njerëzor, që bartnim gurë të rëndë. Gjatë dimrit gjithë kohës ishte errësirë dhe bënte shumë ftohtë.

Duhej të flinim jashtë nën qiell, nën qiell të hapur. Shiu binte mbi ne, ishim të lagur, të uritur dhe kishim ftohtë, por ishim të rinj, kështu që kishim njëfarë force. Rojat na thanë të mos shqetësoheshim se së shpejti do të kishim një çati. Më në fund, një traktor i ushtrisë solli pëlhurë të trashë liri aq sa për të mbuluar 400 veta. E tendosëm pëlhurën dhe formuam tenda, por prapëseprapë na duhej të flinim mbi myshk. Të gjithë mblodhëm bar dhe e sollëm në tendat e sajuara, në të cilat po jetonim dhe ai u kalb, u bë pleh. Ne fjetëm mbi këtë pleh.

Pas kësaj zumë morra. Morrat na pickonin për vdekje. Nuk ishin vetëm në trup, por kudo nëpër rroba, të mëdhenj e të vegjël. Ishte e tmerrshme. Ktheheshim nga puna dhe shtriheshim e ata na pickonin dhe ne kruheshim pareshtur. Kur flinim, ata na hanin të gjallë. I thamë përgjegjësit: «Morrat po na hanë të gjallë.» Ai tha: «Së shpejti do t’i pjekim morrat tuaj.»

Autoritetet e burgut duhej të pritnin për një mot më të ngrohtë, sepse temperatura ishte vazhdimisht minus 30 gradë Celsius. Mirë, pra, moti i ftohtë u zbut në njëfarë mase dhe ata sollën një stacion të lëvizshëm dezinfektimi. Por ishte 20 gradë nën zero dhe tenda ishte e tëra e grisur. «Zhvishuni,—na thanë,—do të laheni. Zhvishuni, do t’ju dezinfektojmë rrobat.»

Kështu që ishim në temperaturën minus 20 gradë Celsius, të zhveshur fare lakuriq në një tendë që ishte e grisur e gjitha. Ata na sollën dërrasa që i përdorëm si dysheme. Ndërsa po ulesha mbi ato dërrasa, po vështroja trupin tim. Ç’pamje e tmerrshme! Pashë burrin që kisha në krah. Njësoj. Asnjë fije muskuli. Gjithçka ishte tharë. Ishim bërë kockë e lëkurë. Nuk mundesha as edhe të hipja në vagon mallrash. Isha i mbaruar. Pavarësisht nga kjo, më klasifikuan në kategorinë e parë, një punëtor i ri, i shëndetshëm.

Mendova se së shpejti do të vdisja. Shumë djem të rinj vdiqën. Tani po i lutesha vërtet Jehovait që të më ndihmonte, sepse dukej që nuk kishte shpëtim. Disa që nuk ishin Dëshmitarë, me dashje linin t’u ngrinte dora ose këmba dhe pastaj e pritnin në mënyrë që të mos punonin më. Ishte një gjë e frikshme, e tmerrshme.

Një ditë po rrija pranë një vendroje dhe pashë një mjek që rrinte atje. Kisha udhëtuar me të pas arrestimit tim dhe i kisha dëshmuar për Mbretërinë e Perëndisë. Ai ishte një i burgosur, por i ishte dhënë amnistia. Iu afrova dhe e vështrova, në të vërtetë ishte sikur të ishte i lirë. E thirra në emër, më duket se quhej Sasha. Ai më vështroi dhe tha: «Ivan, ti je?» Pasi më tha këtë, qava si një fëmijë. «Shko menjëherë në qendrën mjekësore»,—tha ai.

Shkova në qendrën mjekësore dhe më hoqën nga kategoria e parë e punëtorëve. Por isha ende në kamp. Meqë tani isha në kategorinë e tretë, më dërguan në zonën e atyre që kishin nevojë për pushim. Komandanti tha: «Nuk të ftova unë. Ti erdhe këtu. Sillu mirë dhe bëj punën tënde.» Kështu, pak nga pak, fillova të përshtatesha me jetën atje. Nuk më duhej të bëja më atë punë rraskapitëse.

U lirova më 16 gusht të 1953-shit. Ata thanë: «Je i lirë të shkosh.» Më thanë se mund të shkoja ku të doja. Së pari, shkova në pyll për të falënderuar Jehovain që më kishte mbrojtur. Shkova në atë pyll të vogël, u ula në gjunjë dhe e falënderova Jehovain që më kishte ruajtur gjallë për të ardhmen dhe për veprën e lavdërimit të emrit të tij të shenjtë.

[Diçitura]

‘Edhe pak dhe do të kem një çati, një çati mbi kokë’

[Diçitura]

Shkova në atë pyll të vogël, u ula në gjunjë përtokë dhe e falënderova Jehovain që më kishte ruajtur gjallë

[Kutia dhe figura në faqet 155, 156]

Intervistë me Volodimir Levçukun

Lindur: 1930

Pagëzuar: 1954

Të dhëna: Burgosur për veprimtari politike në vitet 1946-1954. Takoi Dëshmitarët e Jehovait në një nga kampet e punës në Mordvini.

Isha një nacionalist ukrainas. Për shkak të kësaj, më 1946 komunistët më dënuan 15 vjet në një kamp pune. Atje kishte Dëshmitarë të Jehovait. Ata më predikuan dhe menjëherë njoha të vërtetën. Nuk kishim Bibël, sepse ishim në një kamp të sigurisë së lartë. Kështu, kërkoja copa të vogla letre dhe i ruaja. Pasi kisha mbledhur disa, bëra një bllok të vogël shënimesh. U kërkova vëllezërve të më tregonin shkrimet që mbanin mend dhe nga ç’pjesë e Biblës ishin marrë. Pastaj i shkrova në bllokun tim. Pyeta edhe ata që erdhën më vonë. Nëse dikush dinte përafërsisht ndonjë profeci biblike, e shkruaja edhe atë. Mblodha mjaft shkrime biblike dhe fillova t’i përdorja në veprën e predikimit.

Kur fillova predikimin, kishte shumë djem të rinj si unë. Unë isha më i riu—vetëm 16 vjeç. Fola me këta djem dhe u thashë: «Kemi vuajtur kot. Ne dhe njerëzit e tjerë e kemi vënë jetën kot në rrezik. Asnjë ideologji politike nuk do të na çojë drejt diçkaje të mirë. Duhet të merrni anën e Mbretërisë së Perëndisë.» Citova vargjet që kisha mësuar përmendësh nga blloku im. Kisha kujtesë shumë të mirë. I binda menjëherë bashkëmoshatarët e mi, të cilët filluan të vinin te ne, te Dëshmitarët e Jehovait. Ata u bënë vëllezër.

[Kutia dhe figura në faqen 157]

Ndëshkimet që iu dhanë Dëshmitarëve të Jehovait

Internimi: Të internuarit dërgoheshin në një zonë të largët, zakonisht në Siberi, ku duhej të punonin dhe të banonin. Nuk mund të largoheshin nga zona e re e banimit. Një herë në javë ose një herë në muaj u kërkohej të regjistroheshin në policinë vendëse.

Burgjet e mbyllura: Tre deri në dhjetë të burgosur izoloheshin në një qeli të mbyllur. Merrnin ushqim dy-tri herë në ditë. Një herë në ditë ose një herë në javë u lejohej të shëtitnin në oborrin e burgut. Ata nuk bënin asnjë punë.

Kampet e punës: Shumica e tyre ndodheshin në Siberi. Qindra të burgosur jetonin së bashku në baraka (një ndërtesë mbante zakonisht 20-100 të burgosur). Ata punonin të paktën tetë orë në ditë brenda kampit ose në ndonjë vend tjetër. Puna ishte e vështirë dhe përfshinte ndërtimin e fabrikave, shtrimin e shinave hekurudhore ose prerjen e pemëve. Të burgosurit shoqëroheshin nga rojat e burgut kur niseshin për në punë dhe kur ktheheshin prej saj. Brenda kampit, mund të lëviznin lirisht pas orarit të punës.

[Figura]

Siberi, Rusi: fëmijë të Dëshmitarëve ukrainas të internuar presin dru në copa të vogla për t’i djegur; viti 1953

[Kutia dhe figura në faqet 161, 162]

Intervistë me Fjodor Kalinin

Lindur: 1931

Pagëzuar: 1950

Të dhëna: Internuar në vitet 1951-1965. Burgosur në vitet 1962-1965.

Kur isha në burg gjatë hetimit, njëherë Jehovai bëri diçka që m’u duk një mrekulli. Drejtori i KGB-së (Komiteti i Sigurimit të Shtetit) erdhi me një letër. Hetuesi ishte ulur dhe prokurori u ul pranë tij. Drejtori i KGB-së i tha hetuesit: «Jepja këtë atij! Le ta lexojë vetë se vëllezërit e tij në Amerikë kanë qëllime jo të mira.»

Më dhanë letrën. Ishte një rezolutë kongresi. E lexova njëherë, pastaj e lexova me kujdes për herë të dytë. Prokurori po e humbiste durimin. Ai tha: «Zoti Kalin! Po e mësoni përmendësh?»

Thashë: «Eh, herën e parë thjesht i hodha një sy. Tani dua që t’i marr kuptimin.» Përbrenda po qaja nga gëzimi. Kur mbarova së lexuari rezolutën, ia ktheva e i thashë: «Ju jam vërtet shumë mirënjohës, por falënderoj Perëndinë Jehova që ju shtyu ta bëni këtë. Sot, besimi im u bë shumë më i fortë nga leximi i kësaj rezolute. Bashkohem me këta Dëshmitarë dhe do ta lavdëroj emrin e Perëndisë pa rezerva. Do t’u flas për të njerëzve në kamp dhe në burg e kudo që të jem. Ky është misioni im.

Nuk ka rëndësi se sa do të më torturoni, nuk do të ma mbyllni dot gojën. Në këtë rezolutë, Dëshmitarët nuk thonë që janë gati të shkaktojnë ndonjë revoltë, por kanë vendosur se çfarëdo që t’u ndodhë, edhe përndjekja më e rëndë, ata do t’i shërbejnë Jehovait duke e ditur se ai do t’i ndihmojë të mbeten besnikë. I lutem Perëndisë Jehova që të më forcojë në këtë kohë të vështirë për të qëndruar i patundur në besim.

Dhe nuk do të lëkundem. Kjo rezolutë më forcoi kaq shumë, saqë ju tani mund të më vini pas murit për të më pushkatuar, por nuk do të më merren këmbët. Jehovai më shpëton edhe nëpërmjet ringjalljes.»

Munda të shihja se hetuesit ishin zhgënjyer. E kuptuan se kishin bërë një gabim të madh. Mendonin se rezoluta do të ma dobësonte besimin, por ajo më forcoi.

[Kutia dhe figura në faqet 167-169]

Intervistë me Marija Popoviçin

Lindur: 1932

Pagëzuar: 1948

Të dhëna: E burgosur dhe e internuar në kampe pune për gjashtë vjet. Ka ndihmuar më shumë se dhjetë veta të mësojnë të vërtetën.

Kur më arrestuan, më 27 prill 1950, isha shtatzënë në muajin e pestë. Më 18 korrik, më dënuan me dhjetë vjet. Më dënuan sepse predikoja dhe u tregoja njerëzve të vërtetën. Ata dënuan shtatë prej nesh, katër vëllezër dhe tri motra. Na dhanë secilit nga dhjetë vjet. Djali im i vogël lindi më 13 gusht.

Kur isha në burg, nuk u shkurajova. Kisha mësuar nga Fjala e Perëndisë, Bibla, se mund të jesh i lumtur kur vuan sepse je i krishterë dhe jo një vrasës ose një vjedhës. Dhe isha e lumtur. Kisha gëzim në zemër. Më futën në birucë dhe atje ecja sa para e prapa e këndoja.

Një ushtar hapi dritaren e vogël dhe më tha: «Je në këtë gjendje dhe po këndon?»

I thashë: «Jam e lumtur sepse nuk i kam bërë njeriu ndonjë të keqe.» Ai veçse mbylli dritaren. Nuk më rrahën.

Më thanë: «Hiq dorë nga besimi yt. Shiko në ç’gjendje je.» E kishin fjalën për fëmijën që do të më duhej ta lindja në burg. Por isha e lumtur që më kishin dënuar sepse kisha besim te Fjala e Perëndisë. Kjo më bënte të ndihesha mirë. E dija që nuk isha kriminele. E dija që po qëndroja falë besimit tim te Jehovai. Kjo më bënte të lumtur gjatë gjithë kohës. Ja, kjo ishte gjendja ime.

Më pas, ndërsa po punoja në kamp, duart më ngrinë. Më dërguan në spital. Mjekes atje i hyra në zemër. Ajo më tha: «Shëndeti yt nuk është mirë. Përse nuk vjen të punosh për mua?»

Sigurisht, drejtorit të kampit nuk i pëlqeu ky mendim. Ai tha: «Përse do që kjo grua të punojë për ty? Zgjidh dikë nga një grup tjetër.»

Ajo tha: «Nuk më nevojitet dikush tjetër, më nevojiten njerëz të mirë e të ndershëm në spitalin tim. Dhe ajo do të punojë në këtë spital. E di që nuk do të vjedhë asgjë dhe nuk do të fillojë të përdorë drogën.»

Ata kishin besim te ne. Kishin konsideratë të veçantë për njerëzit me besim. E shihnin se ç’lloj njerëzish ishim. Kjo ishte në të mirën tonë.

Përfundimisht, mjekja e bindi drejtorin. Ai donte të më mbante, sepse isha e zonja në prerjen e drurëve. Kudo që punonte populli i Jehovait ishte gjithmonë i ndërgjegjshëm e i ndershëm.

Shënim: Djali i Marijas lindi në burg, në Vinitsa të Ukrainës. Gjatë dy viteve që pasuan, u mbajt në jetimoren e burgut. Pas kësaj, të afërmit ia dërguan foshnjën të atit, i cili ishte internuar tashmë në Siberi. Kur motër Popoviçi u lirua nga burgu, djali i saj ishte gjashtëvjeç.

[Diçitura]

«Jam e lumtur sepse nuk i kam bërë njeriu ndonjë të keqe»

[Kutia dhe figura në faqen 175]

Intervistë me Marija Fedunin

Lindur: 1939

Pagëzuar: 1958

Të dhëna: Internuar në vitet 1951-1965.

Pasi hipëm në tren, u qetësuam dhe u nisëm për rrugë, çfarë të bënim tjetër? Filluam të këndonim. Kënduam të gjitha këngët që dinim, këngët e librit të këngëve.

Në fillim, dëgjuam të këndohej vetëm në vagonin tonë, por më pas, kur treni po ndalej për të lënë trenat e tjerë që të kalonin, kuptuam se edhe në ata trena kishte vëllezër. Këngët nga trenat e tjerë dëgjoheshin deri te ne. Ishin nga Moldavia, pastaj rumunët nga Bukovina kaluan afër. Kishte shumë trena. Këta trena kalonin njëri-tjetrin në pika të ndryshme. Kuptuam se ata ishin të gjithë vëllezërit tanë.

Mbanim mend shumë këngë. Shumë këngë u shkruan në ata vagonë treni. Ato na dhanë zemër dhe na bënë të kishim qëndrimin e duhur mendor. Këngë të tilla e drejtuan vërtet vëmendjen tonë nga Jehovai.

[Kutia dhe figura në faqen 177]

Intervistë me Lidia Stashçishinin

Lindur: 1960

Pagëzuar: 1979

Të dhëna: Është vajza e Marija Pilipivit, intervista e së cilës jepet në faqet 208-209.

Kur isha fëmijë, gjyshi nga mamaja ishte një plak, ai drejtonte kongregacionin. Kujtoj rutinën e tij: ngrihej në mëngjes, lahej dhe pastaj lutej. Pastaj hapte Biblën dhe uleshim të gjithë bashkë për të lexuar shkrimin e ditës dhe gjithë kapitullin. Gjyshi më kërkonte gjithmonë t’i çoja një plaku tjetër që banonte në periferi të qytetit dokumente të rëndësishme ose të mbështjella, ose në çantë. Për të shkuar në shtëpinë e tij, duhej të ngjitesha në një kodër. Nuk e kisha qejf atë kodër. Ishte e pjerrët dhe duhej të bëje luftë për t’u ngjitur. Thosha: «Babagjysh, nuk do të shkoj. Të lutem, a ka mundësi të mos shkoj?»

Babagjyshi përgjigjej: «Jo, duhet të shkosh. Ke për të çuar dokumentat.»

I thosha vetes: «Nuk do të shkoj. Nuk do të shkoj. Pastaj thosha: Jo, duhet të shkoj, sepse ndoshta diçka e rëndësishme varet prej saj.» Gjithmonë kisha këtë në mendje. Vërtet nuk doja të shkoja, por prapëseprapë shkoja. E dija se s’kishte kush ta bënte tjetër. Duhej bërë shumë shpesh. Ishte puna ime, përgjegjësia ime.

[Kutia dhe figura në faqet 178, 179]

Intervistë me Pavlo Rurakun

Lindur: 1928

Pagëzuar: 1945

Të dhëna: Kaloi 15 vjet në burgje dhe në kampe pune. Tani shërben si mbikëqyrës drejtues në Artemovsk, në Ukrainën Lindore.

Më 1952, isha në një kamp me disiplinë tepër të rreptë në Karaganda të BRSS-së. Në atë kamp ishim dhjetë Dëshmitarë. Koha kalonte ngadalë. Ishte e vështirë për ne. Edhe pse kishim gëzim dhe shpresë, nuk kishim fare ushqim frymor. Takoheshim pas pune dhe flitnim me njëri-tjetrin, duke sjellë ndër mend ato që kishim mësuar më parë nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur».—Mat. 24:45-47.

Vendosa t’i shkruaja motrës sime për t’i përshkruar gjendjen në kamp dhe t’i shpjegoja që ishim pa ushqim frymor. Meqë të burgosurit nuk lejoheshin të dërgonin letra të tilla, ishte e vështirë ta postoje. Megjithatë, më në fund, motra e mori letrën. Ajo përgatiti një pako. Në të vuri pak bukë të prerë së bashku me Dhiatën e Re dhe ma postoi.

Përdorej një praktikë shumë e rreptë. Autoritetet jo gjithmonë ua dorëzonin pakot të burgosurve. Shpesh i shkatërronin ato që ishin brenda. Çdo gjë kontrollohej me kujdes. Për shembull, kontrollonin bidonat për të parë nëse ishte fshehur diçka në një fund të rremë ose në anët e tyre. Kontrollonin, madje, edhe kuleçët e thatë.

Erdhi dita kur pashë se emri im ishte në listën e atyre që duhej të merrnin pako. Isha jashtëzakonisht i gëzuar, edhe pse as që e ëndërroja që motra të më kishte dërguar një Dhiatë të Re në pako. Ishte me shërbim inspektori më i rreptë; të burgosurit e quanin Kokëkrisuri. Kur shkova për të marrë pakon time më pyeti: «Prej nga e pret pakon?» I tregova adresën e motrës sime. Mori një levë të shkurtër dhe e hapi kutinë.

Kur hoqi kapakun, pashë Dhiatën e Re midis anës së kutisë dhe ushqimit. Pata kohë vetëm sa të thosha në heshtje: «O Jehova, ma jep.»

Për habinë time, inspektori tha: «Shpejt, hiqe tutje këtë kuti!» Pa e besuar atë që kishte ndodhur, i vura kapakun kutisë dhe e çova në barakë. Mora Dhiatën e Re dhe e vura brenda dyshekut.

Kur u thashë vëllezërve se kisha marrë një Dhiatë të Re, asnjë s’më besoi. Ishte një mrekulli nga Jehovai. Ai po na mbështeste frymësisht, sepse në rrethanat tona ishte e pamundur të merrje diçka. Falënderuam Atin tonë qiellor, Jehovain, për mëshirën dhe për kujdesin e tij. Filluam të lexonim dhe të forcoheshim frymësisht. Sa mirënjohës i ishim Jehovait për këtë!

[Kutia dhe figura në faqet 180, 181]

Intervistë me Lidia Bzovin

Lindur: 1937

Pagëzuar: 1955

Të dhëna: Internuar nga viti 1949 deri më 1965.

Për mua si adoleshente ishte diçka shumë e dhembshme që nuk e kishim babanë në shtëpi. Ashtu si gjithë fëmijët e tjerë e donim babanë tonë. Nuk arrita t’i thosha lamtumirë. Ivani dhe unë nuk e pamë kur iku. Ishim në fushë, duke korrur mel.

Kur erdhëm nga fusha në shtëpi, nëna tha se babanë e kishin arrestuar. Provova një ndjenjë zbrazëtie, një ndjenjë lëndimi. Por, nuk kisha aspak frikë, as urrejtje. Kjo ishte diçka që pritej. Vazhdimisht na kishin kujtuar fjalët e Jezuit: «Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:20) E mësuam këtë varg shumë herët në jetë. E dinim atë po aq mirë sa edhe lutjen model. Gjithashtu, e dinim se meqë nuk ishim pjesë e botës, bota nuk do të kishte dashuri për ne. Autoritetet po vepronin në atë mënyrë për shkak të padijes së tyre.

Babai e dinte se çështja e tij do të çohej para gjyqit, ndërkohë që Moldavia ishte nën pushtetin rumun. Na lejuan të vinim në gjyq. Kjo ishte një ditë shumë e gëzuar për ne.

Babai dha një dëshmi mahnitëse. Askush nuk e kishte mendjen të dëgjonte akuzat e prokurorit, por të gjithë dëgjonin gojëhapur dëshminë e babait. Ai foli në mbrojtje të së vërtetës për një orë e 40 minuta. Dha një dëshmi tepër të qartë dhe të kuptueshme. Nëpunësit e gjykatës i kishin sytë me lot.

Ishim krenarë që babai ishte në gjendje të dëshmonte në gjyq e të mbronte të vërtetën publikisht. Nuk u ndiem aspak të dëshpëruar.

Shënim: Më 1943, autoritetet gjermane arrestuan prindërit e motrës Bzovi dhe i dënuan me 25 vjet burg gjoja për bashkëpunim me sovjetikët. Brenda një viti erdhën trupat sovjetike dhe i liruan. Pas kësaj, vetë autoritetet sovjetike arrestuan babanë e saj. Ai kaloi gjithsej 20 vjet nëpër burgje.

[Diçitura]

Ashtu si gjithë fëmijët e tjerë e donim babanë tonë. Nuk arrita t’i thosha lamtumirë

[Kutia dhe figurat në faqet 186-189]

Intervistë me Tamara Ravljukun

Lindur: 1940

Pagëzuar: 1958

Të dhëna: Internuar më 1951. Ndihmoi afro 100 njerëz që të mësonin të vërtetën.

Po ju tregoj historinë e Halinës. Më 1958, kur ishte vetëm 17-ditëshe, prindërit e saj i arrestuan. Ajo dhe e ëma u dërguan në një kamp pune në Siberi. Për aq kohë sa nëna e saj kishte qumësht, gjë që vazhdoi deri në muajin e pestë, Halina u lejua të rrinte me të. Pas kësaj, nëna duhej të shkonte në punë dhe foshnjën e çuan në një shtëpi fëmije. Familja jonë jetonte aty afër, në provincën e Tomskit. Vëllezërit i shkruan një letër kongregacionit tonë ku pyetnin nëse dikush ishte në gjendje ta merrte vajzën e vogël nga shtëpia e fëmijës që ta rriste derisa të liroheshin prindërit e saj. Sigurisht, kur u lexua letra të gjithë psherëtinë. Ishte diçka e trishtueshme dhe tragjike që një foshnjë ndodhej në një gjendje të tillë.

Na dhanë ca kohë për t’u menduar. Kaloi një javë. Askush nuk u tregua i gatshëm ta merrte. Të gjithë ishim në kushte të vështira. Javën e dytë vëllai im më i madh i tha mamasë: «Ta marrim ne këtë vajzë të vogël.»

Mamaja tha: «Ç’do të thuash, Vasja? Unë jam tashmë e moshuar dhe e sëmurë. Ti e di, është një përgjegjësi e madhe të marrësh fëmijën e dikujt tjetër. Nuk është një kafshë. Nuk është një lopë, as një mëshqerrë. Është një fëmijë. Dhe për më tepër, fëmija i dikujt tjetër.»

Ai tha: «Prandaj duhet ta marrim, mama. Nuk është një kafshë. Vetëm përfytyro një fëmijë në kushte të tilla, në kushtet e kampit! Është ende kaq e vogël, kaq e pambrojtur.» Pastaj tha: «A nuk duhet të mendojmë se do të vijë një kohë kur do të na thuhet: ‘Isha i sëmurë, isha në burg, isha i uritur, por ju nuk më ndihmuat’?»

Mamaja tha: «Po, mund të ndodhë, por është një përgjegjësi e madhe të marrësh fëmijën e dikujt tjetër. Po sikur t’i ndodhë diçka kur të jetë me ne?»

Vëllai tha: «Po sikur t’i ndodhë diçka atje?» Ai tregoi me gisht nga unë dhe tha: «Kemi Tamarën. Ajo mund të udhëtojë lirisht dhe ta sjellë fëmijën. Ne të gjithë do të punojmë për ta mbajtur këtë fëmijë.»

Kështu, u menduam, biseduam dhe më në fund vendosëm që të shkoja ta merrja unë. Kështu që shkova në kampin e Marinskit. Shkova për këtë vajzë të vogël. Vëllezërit më dhanë literaturë për ta çuar atje. Gjithashtu, më dhanë një aparat që t’i bëja një fotografi nënës së saj për t’u njohur, sepse nuk e njihnim. Nuk m’u lejua ta merrja aparatin në kamp, por mora literaturën. Bleva një tenxhere, futa literaturën brenda dhe vura vajin mbi të. Në hyrje, rojet nuk kontrolluan nëse kishte diçka tjetër poshtë vajit. Kështu e futa literaturën në kamp.

Munda të njihem me të ëmën, Lidia Kurdasin. Dhe, madje, e kalova natën në kamp sepse duheshin përgatitur dokumentet për të liruar fëmijën. Kështu e mora Halinën me vete në shtëpi. Kur arritëm atje, ajo ishte pesë muaj e disa ditëshe. Të gjithë ne u kujdesëm shumë për të, megjithatë u sëmur rëndë. Erdhën mjekët, por nuk mundën të zbulonin ndonjë gjë që nuk shkonte.

Mjekët menduan se ishte fëmija im dhe më bënë presion: «Çfarë nëne je ti?—më thanë.—Përse nuk e ushqen?» Kishim frikë të thoshim se ishte një fëmijë nga burgu dhe nuk dinim se si të vepronim. Vetëm qava dhe nuk thashë asgjë. Mjekët më qortuan, i bërtitën mamasë, duke i thënë se isha tepër e re për t’u martuar dhe se kisha nevojë vetë për qumësht. Isha 18 vjeçe.

Halina ishte shumë e sëmurë dhe kishte vështirësi në frymëmarrje. U futa poshtë shkallëve dhe u luta: «O Perëndi Jehova, O Perëndi Jehova, nëse kjo vogëlushe duhet të vdesë, merr jetën time në vend të saj.»

Fëmija filloi të marrë frymë me vështirësi, pikërisht përpara mjekëve. Ata thanë: «Është e pashpresë, nuk do të shpëtojë, nuk do të shpëtojë.» E thanë këtë përpara meje dhe përpara nënës sime. Mamaja po qante. Unë po lutesha. Mirëpo fëmija shpëtoi. Qëndroi me ne derisa iu lirua nëna. Qëndroi me ne shtatë vjet dhe nuk u sëmur kurrë më, as edhe njëherë.

Halina tani jeton në Harkov të Ukrainës. Ajo është motra jonë, një pioniere e rregullt.

[Diçitura]

«O Perëndi Jehova, O Perëndi Jehova, nëse kjo vogëlushe duhet të vdesë, merr jetën time në vend të saj.»

[Figura]

Nga e majta në të djathtë: Tamara Ravljuku, (më parë Burjaku), Serhi Ravljuku, Halina Kurdasi, Mikajlo Burjaku dhe Marija Burjaku

[Figura]

Nga e majta në të djathtë: Serhi dhe Tamara Ravljuku, Mikola dhe Halina Kuibida (më parë Kurdasi), Aleksei dhe Lidia Kurdasi

[Kutia në faqen 192]

Një raport nga një mbikëqyrës qarkor, më 1958

«Se sa të vështirë e kanë vëllezërit, mund të merret me mend deri në njëfarë mase ngaqë pothuajse çdo vëlla gjurmohet e përgjohet nga afro dhjetë anëtarë të një organizate rinore komuniste. Përveç kësaj çdo person që shqipton vetëm disa fjalë për Mbretërinë e Perëndisë mund të përballet me fqinj tradhtarë, vëllezër të rremë, një shumicë policësh, dënime deri në 25 vjet në kampe, internime në Siberi. Gjithashtu mund të përballet edhe me punë të detyruar gjatë gjithë jetës dhe me ndalime, nganjëherë ndalime të gjata në një qeli të errët burgu.

Përsëri lajmëtarët janë të patrembur. Dashuria e tyre për Perëndinë Jehova është e pakufishme, qëndrimi i tyre është i ngjashëm me atë të engjëjve dhe nuk mendojnë ta braktisin luftën. Ata e dinë se vepra është e Jehovait dhe se duhet të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare. Vëllezërit e dinë për kë po e mbajnë integritetin. Të vuajnë për Jehovain është një gëzim për ta.»

[Kutia dhe figura në faqet 199-201]

Intervistë me Serhi Ravljukun

Lindur: 1936

Pagëzuar: 1952

Të dhëna: Kaloi 16 vjet në burgje dhe në kampe pune. U detyrua të largohej nga shtëpia shtatë herë. Ndihmoi gati 150 njerëz të mësonin të vërtetën. Intervista me gruan e tij, Tamarën, jepet në faqet 186-189. Serhi tani shërben si plak në kongregacionin Rohan, afër qytetit të Harkovit.

Jetova shtatë vjet në Mordvini. Megjithëse ky ishte një kamp i sigurisë së lartë, u shpërndanë shumë botime gjatë kohës që isha atje. Disa roja e morën literaturën në shtëpi, e lexuan vetë dhe pastaj ua dhanë familjeve të tyre dhe të afërmve.

Në ndonjë rast, një rojë vinte tek unë gjatë ndërresës së dytë të punës. Ai më thoshte: «A ke ndonjë gjë, Serhi?»

«Çfarë do ti?—përgjigjesha.

«Diçka për të lexuar.»

«A do të ketë kontroll nesër?»

«Po, do të ketë një nesër, në njësinë e pestë.»

«Në rregull, poshtë një peshqiri mbi krevat, do të jetë një Kullë Roje. Mund ta marrësh.»

Kontrolli u bë dhe ai e mori atë Kullë Roje. Por rojat nuk gjenin asnjë literaturë tjetër sepse e dinim që më përpara për kontrollin. Kështu, disa roja na ndihmonin. E vërteta i tërhiqte, por kishin frikë se do të mbeteshin pa punë. Gjatë viteve të shumta që vëllezërit ishin atje, rojat panë se si jetonim ne. Njerëzit e arsyeshëm mund të shihnin se nuk ishim fajtorë për ndonjë krim. Vetëm që nuk mund të thoshin dot gjë, sepse përndryshe do të konsideroheshin si mbështetës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe do të humbitnin punën. Kështu ata e mbështetnin veprën tonë deri në njëfarë mase. Merrnin literaturë dhe e lexonin. Kjo ndihmoi për ta qetësuar zjarrin e përndjekjes.

Aty nga viti 1966, në Mordvini ishim rreth 300 veta. Administrata e dinte në cilën datë do të mbahej Përkujtimi. Dhe vendosën të na pengonin atë vit. Thanë: «Ju tashmë studioni Kullën e Rojës, por ne do t’i japim fund Përkujtimit. Nuk do të jeni në gjendje të bëni ndonjë gjë.»

Anëtarët e njësive të ndryshme të rojave duhej të qëndronin në zyra derisa të dëgjonin sinjalin se rreziku kishte kaluar. Të gjithë ishin në vendet e tyre: personeli i mbikëqyrjes, stafi i administratës dhe komandanti i kampit.

Kështu që ne shkuam të gjithë në rrugë, në fushën ku mblidheshim për apelin çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Pastaj, të mbledhur sipas kongregacioneve ose grupeve silleshim vërdallë nëpër fushë. Në secilin grup një vëlla mbante fjalimin duke ecur, ndërkohë që të tjerët dëgjonin.

Nuk kishim fare emblema, kështu që ishte vetëm fjalimi. Në atë kohë, nuk kishte asnjë të mirosur në kamp. Në mbrëmje, rreth orës 9:30 gjithçka kishte mbaruar, të gjitha grupet kishin mbaruar kremtimin, ndërkohë që shëtitnin përgjatë rrugës.

Donim ta këndonim këngën së bashku, të gjithë ne vëllezërit. Kështu, u mblodhëm pranë dhomës së zhveshjes, e cila ishte skaji më i largët nga pika e kontrollit në hyrje. Përfytyroni 300 njerëz, 80 deri në 100 prej të cilëve po këndojnë natën në tajgë! Vetëm përfytyroni jehonën e asaj kënge! Mbaj mend që kënduam këngën numër 25, me titull «Vdiqa për ju», nga libri i vjetër i këngëve. Të gjithë e dinin atë këngë. Nganjëherë edhe ushtarët mbi kulla na thërritnin: «Ju lutemi, këndoni Këngën 25!»

Kur filluam të këndonim atë natë, i gjithë personeli erdhi duke vrapuar nga zyrat e tyre për te dhoma e zhveshjes me qëllim që të na ndërpritnin. Por, kur arritën, nuk mundën ta ndërpritnin këngën, sepse të gjithë vëllezërit që nuk po këndonin kishin formuar një rreth të padepërtueshëm përreth atyre që këndonin. Kështu që rojat vetëm se vraponin me tërbim rreth e rrotull derisa ne mbaruam këngën. Kur kënga mbaroi, të gjithë u shpërndanë. Rojat nuk e dinin kush këndoi dhe kush jo. Nuk mund t’i futnin të gjithë në birucë.

[Kutia dhe figura në faqet 203, 204]

Intervistë me Viktor Popoviçin

Lindur: 1950

Pagëzuar: 1967

Të dhëna: Lindur në burg, djali i Marija Popoviçit, intervista e së cilës jepet në faqet 167-169. Viktorin e arrestuan në 1970-n dhe kaloi katër vjet në burg për shkak të veprës së predikimit. Gjatë tri ditëve të gjyqit, 35 veta dëshmuan se vëlla Popoviçi u kishte predikuar atyre.

Gjendja në të cilën ndodheshin Dëshmitarët e Jehovait nuk duhet të vlerësohet thjesht në sfondin e marrëdhënieve njerëzore. Përndjekja e popullit të Perëndisë nuk mund të shpjegohet tërësisht duke fajësuar qeverinë. Shumica e zyrtarëve thjesht po bënin punën e tyre. Kur u ndryshua qeveria, zyrtarët nuk i qëndruan besnikë asaj, por ne ruajtëm gjithmonë besnikërinë ndaj Jehovait. Kuptuam që burimi i vërtetë i telasheve tona është zbuluar në Bibël.

Nuk e pamë veten thjesht si viktima të pafajshme të njerëzve që na shtypnin. Ajo që na ndihmoi të duronim ishte kuptueshmëria e qartë që kishim për çështjen e ngritur në kopshtin e Edenit, çështja e së drejtës së Perëndisë për të sunduar. Ishte një çështje që ende nuk është zgjidhur. E dinim se kishim mundësinë për të mbështetur sundimin e Jehovait. Ne përkrahëm një çështje që lidhet jo vetëm me interesat vetjake të njerëzve, por edhe me interesat e Sovranit të universit. Kishim një kuptueshmëri shumë më të lartë për këto çështje. Kjo na bëri të fortë dhe na ndihmoi që të mbanim integritetin, madje edhe në rrethanat më të skajshme. Pamë përtej marrëdhënieve njerëzore.

[Diçitura]

Përndjekja e popullit të Jehovait nuk mund të shpjegohet tërësisht duke fajësuar qeverinë

[Kutia dhe figura në faqet 208, 209]

Intervistë me Marija Pilipivin

Lindur: 1934

Pagëzuar: 1952

Të dhëna: Shkoi në Siberi më 1951 për të vizituar motrën e saj, të cilën e kishin çuar atje. Marija e mësoi të vërtetën në Siberi dhe më vonë u martua me një vëlla të internuar.

Kur vdiq babai, në shtëpinë tonë erdhën policët. Erdhën shumë policë. Erdhën edhe nga Këshilli i fshatit edhe nga Këshilli i rrethit. Na paralajmëruan që as të mos këndonim e as të mos luteshim. Iu përgjigjëm se nuk kishte asnjë ligj kundër lutjes. Pyetën se kur do të bëhej varrimi. Ua thamë dhe u larguan.

Vëllezërit erdhën më herët. Ishte e ndaluar të mblidheshim së bashku, por në një varrim njerëzit mund të vinin. Filluam më herët, sepse e dinim që do të vinte policia. Sapo njëri nga vëllezërit filloi lutjen, arriti një kamion plot me policë. Vëllai mbaroi lutjen dhe pastaj shkuam në varreza.

Ata na ndoqën pas dhe na lejuan të hynim në varreza. Kur vëllai bëri një lutje tjetër, policia u përpoq ta arrestonte. Por ne motrat kishim vendosur që të mos e linim të binte në duart e tyre. Kishte shumë policë, kështu që formuam një qark rreth vëllait. Në rrëmujën që pasoi, njëra nga motrat e nxori vëllanë nga varrezat dhe duke kaluar midis shtëpive e çoi në fshat. Papritur, një i njohur erdhi me makinën e tij dhe vëllai iku me të. Policët kërkuan gjithandej, por nuk mundën ta gjenin. Pastaj u larguan.

Motrat shpesh i mbrojtën vëllezërit. Zakonisht ndodh e kundërta, por ashtu ndodhte në atë kohë. Motrat duhej të mbronin vëllezërit. Rrethana të tilla kishte shumë.

[Diçitura]

Ashtu ndodhte në atë kohë. Motrat duhej të mbronin vëllezërit

[Kutia dhe figura në faqet 220, 221]

Intervistë me Petro Vlasjukun

Lindur: 1924

Pagëzuar: 1945

Të dhëna: Internuar më 1951-1965. Pak pasi vëlla Vlasjuku u internua, djali i tij u sëmur dhe vdiq. Vitin pasues, pasi lindi një djalë tjetër, gruaja e tij pati disa ndërlikime dhe pas njëfarë kohe vdiq. Vëlla Vlasjuku mbeti me një fëmijë të vogël. Më 1953 u martua përsëri dhe bashkëshortja e re e ndihmoi që të kujdesej për fëmijën.

Isha midis atyre që u internuan më 1951 nga Ukraina në Siberi. E pra, nuk kisha fare frikë. Jehovai u dha një frymë të tillë vëllezërve, që i mbushi me besim, besim që ishte i dukshëm nga mënyra se si flitnin. Asnjë nuk do të kishte zgjedhur të shkonte vetë në një caktim të tillë për të predikuar. Duket që Perëndia Jehova e lejoi qeverinë të na çonte atje. Më pas, autoritetet thanë: «Kemi bërë një gabim të madh.»

Vëllezërit thanë: «Përse?»

«Sepse ju sollëm këtu dhe tani po i ktheni njerëzit në besim edhe këtu.»

Vëllezërit thanë: «Ju do të bëni edhe një gabim tjetër.»

Gabimi tjetër i madh i tyre ishte se pasi na liruan e na dhanë amnistinë, nuk na linin të ktheheshim në shtëpi. «Shkoni ku të doni, përveçse në shtëpi»,—thanë. Pas kësaj, erdhën në vete dhe e kuptuan se kjo kishte qenë një lëvizje e gabuar. Për shkak të asaj politike që ndoqën, lajmi i mirë u shpërnda nëpër të gjithë Rusinë.

[Kutia dhe figura në faqen 227]

Intervistë me Ana Vovçukun

Lindur: 1940

Pagëzuar: 1959

Të dhëna: Internuar më 1951-1965. U dërgua në Siberi që dhjetë vjeçe. Nga viti 1957 deri më 1980, punoi në fshehtësi, duke shtypur literaturë biblike.

KGB-ja shpesh përpiqej të na detyronte të zbulonim vëllezërit. Ata na tregonin fotografi. U thosha: «Për ju nuk di asgjë. Nuk njoh asnjeri për ju.» Kështu u përgjigjeshim gjithmonë. Më vonë, pak pasi isha martuar, po shëtitja në qytet dhe takova kreun e KGB-së së Angarskut. Ai më kishte thirrur shpesh për të më marrë në pyetje dhe më njihte mirë.

Më tha: «Por ti më the se nuk e njihje Stepan Vovçukun. Si na doli tani që na qenke e martuar me të?»

Iu përgjigja: «A nuk ishe ti që më njohe me të me ato fotografitë e tua?»

Ai përplasi duart: «Pa shih! Prapë ne e kemi fajin!»

Dhe qeshëm së bashku. Ai ishte një çast i lumtur, i gëzuar në jetën time.

[Kutia dhe figura në faqet 229, 230]

Intervistë me Sofija Vovçukun

Lindur: 1944

Pagëzuar: 1964

Të dhëna: Internuar më 1951-1965. Shtatë vjeçe u dërgua me nënën, motrën dhe vëllanë e saj në Siberi.

Kur na çuan në Siberi, na thanë se do të mbeteshim atje përgjithmonë. Kurrë nuk e mendonim se do të liroheshim një ditë. Kur lexonim në Kullën e Rojës për kongreset që bëheshin në vende të tjera, i luteshim Jehovait që qoftë vetëm njëherë në jetën tonë të kishim mundësinë të merrnim pjesë në një kongres të tillë, ashtu si në vendet e tjera. Pa dyshim që Jehovai na bekoi. Në vitin 1989 mundëm të merrnim pjesë në kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Poloni. Është e pamundur të përshkruaj me fjalë kënaqësinë e pafund dhe gëzimin që provuam ngaqë ishim atje.

Vëllezërit në Poloni na mikpritën me gjithë zemër. Qëndruam atje për katër ditë. Morëm pjesë në një kongres! Ishte një kënaqësi e madhe të mësonim më shumë për Jehovain dhe të merrnim udhëzime nga Fjala e Perëndisë. Ishim kaq të lumtur. I shkëmbyem përvojat tona me të gjithë. Edhe pse vinin nga shumë kombe të ndryshme, ata ishin vëllezërit tanë. Ndërsa ecnim përreth stadiumit, provonim një ndjesi të ëmbël paqeje. Pas gjithë atyre gjërave, duke qenë nën ndalim për kaq shumë kohë, na dukej sikur ishim tashmë në botën e re. Nuk dëgjuam asnjë sharje dhe gjithçka ishte e pastër dhe e bukur. Kaluam kohë së bashku pas programit. Nuk u larguam menjëherë, ndenjëm me vëllezërit, duke folur së bashku. Kishte edhe përkthyes, në rast se nuk e kuptonim gjuhën. Edhe kur nuk kuptonim, puthnim njëri-tjetrin. Ishim të lumtur.

[Kutia dhe figura në faqet 243, 244]

Intervistë me Roman Jurkeviçin

Lindur: 1956

Pagëzuar: 1973

Të dhëna: Kaloi gjashtë vjet në kampe pune për shkak të asnjanësisë së tij. Ka shërbyer në Komitetin e Degës së Ukrainës që nga viti 1993.

E vërteta i motivon njerëzit që t’i ndihmojnë dhe t’i mbështetin të tjerët. Ne e ndiem këtë veçanërisht në vitin 1998, kur pati një përmbytje të madhe në Transkarpati dhe qindra, po, qindra njerëz humbën shtëpitë dhe gjithë zotërimet e tyre brenda një nate.

Brenda dy ditëve, një grup vëllezërish erdhën në vend dhe ngritën komitetet e lehtësimit. Këta vendosën se çfarë ndihme do të jepej për çdo familje, për çdo fshat. Sidomos dy fshatra ishin goditur shumë rëndë, Vari dhe Vishkovja. Vetëm në dy ose tri ditë, u bënë planet se cila familje do të merrte ndihmë, çfarë lloj ndihme dhe kush do t’ia jepte ndihmën. Pastaj vëllezërit tanë erdhën me kamionë dhe filluan të largonin me lopata detin e baltës.

Vëllezërit sollën dru të thata, gjë që i mahniti të gjithë në këtë zonë. Ata që nuk ishin Dëshmitarë u mahnitën. Një motër nga Vishkovja ishte atje kur një skuadër me vëllezër po largonin baltën me lopata. Një korrespondent lajmesh iu afrua dhe e pyeti: «E dini kush janë këta njerëz?»

Ajo u përgjigj: «Nuk i njoh mirë, sepse flasim gjuhë të ndryshme: rumune, hungareze, në gjuhën ukrainase dhe ruse. Por di një gjë: këta janë vëllezërit dhe motrat e mia dhe po më ndihmojnë.»

Brenda dy ose tri ditëve, vëllezërit kishin dërguar ndihma dhe ishin kujdesur për këto familje, që u rivendosën në zona të tjera. Sidoqoftë, pas një gjysmë viti, pothuajse të gjitha shtëpitë e Dëshmitarëve të Jehovait ishin rindërtuar dhe ata ishin të parët në atë zonë që u kthyen të banonin në shtëpitë e tyre të reja.

[Tabela në faqen 254]

(Shiko botimin)

Pionierë të rregullt në Ukrainë (1990-2001)

10.000

8.000

6.000

4.000

2.000

0

1990 1992 1993 1994 1995 1996 1997 1998 1999 2001

[Tabela në faqen 254]

(Shiko botimin)

Dëshmitarë të Jehovait në Ukrainë * (1939-2001)

120.000

100.000

80.000

60.000

40.000

20.000

0

1939 1946 1974 1986 1990 1992 1994 1996 1998 2001

[Shënimi]

^ par. 582 Vitet 1939-1990 kanë shifra të përafërta

[Hartat në faqen 123]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UKRAINË

VOLINË

HALIKINË

Lvov

TRANSKARPATI

BUKOVINË

KIEV

Harkov

Dnepropetrovsk

Luhansk

Zaporozhi

Donetsk

Odesë

KRIME

DETI I ZI

TURQI

BULLGARI

RUMANI

MOLDAVI

POLONI

BJELLORUSI

RUSI

[Figura që zë gjithë faqen 118]

[Figura në faqen 127]

Vojtek Çeki

[Figura në faqen 129]

Kongresi i parë në qytetin Borislav të Halikinës, gusht 1932

[Figura në faqen 130]

Kongres në Solotvino të Transkarpatisë, 1932

[Figura në faqen 132]

Për 40 vjet Marija dhe Emil Zaritski përmbushën me besnikëri caktimin e tyre si përkthyes

[Figura në faqen 133]

Depoja e parë e literaturës në Ukrainë ndodhej në këtë shtëpi në Uzhgorod nga viti 1927-1931

[Figura në faqen 134]

Një grup gati për të shkuar në shërbim me autobus për në zonën e Rakivit, në malet Karpate, më 1935: (1) Vojtek Çeki

[Figura në faqen 135]

«Feja dhe krishterimi»—pllakë e hershme gramafoni në gjuhën ukrainase

[Figura në faqen 136]

Kongregacioni Kosmaç më 1938: (1) Mikola Voloçi i cili shiti njërin nga dy kuajt e tij për të blerë një gramafon

[Figura në faqen 137]

Ludvik Kinicki, të cilin shumë veta e kujtojnë me dashuri si një shërbëtor të zellshëm, vdiq besnik ndaj Jehovait në një kamp përqendrimi nazist

[Figurat në faqen 142]

Illia Hovuçaku, (sipër, majtas) paraqitet këtu duke udhëtuar me Onufri Rilçukun për të predikuar në male, dhe (djathtas) me gruan e tij, Paraskën, u ekzekutua nga Gestapoja pasi e kishte kallëzuar një prift katolik

[Figura në faqen 146]

Anastasija Kazaku (1) dhe Dëshmitarë të tjerë nga kampi i përqendrimit i Shtuthofit

[Figurat në faqen 153]

Ivan Maksimjuku (lart me gruan e tij, Jevdokija) dhe djali i tij Mikajloja, (djathtas) nuk pranuan të bënin kompromis me integritetin e tyre.

[Figura në faqen 158]

Botime biblike të hershme në gjuhën ukrainase

[Figura në faqen 170]

Në moshën 20-vjeçare Grigori Melniku mbante mbi supe përgjegjësinë për t’u kujdesur për dy vëllezërit më të vegjël dhe për motrën më të vogël

[Figura në faqen 176]

Marija Tomilko duroi 15 vjet burg, por mbeti besnike

[Figura në faqen 182]

Nutsu Bokoçi gjatë një takimi të shkurtër në burg me vajzën e tij në vitin 1960

[Figurat në faqen 185]

Lidia dhe Aleksei Kurdasi (sipër), të arrestuar dhe të dënuar në kampe të ndryshme kur vajza e tyre, Halina, ishte 17-ditëshe; Halina Kurdasi, 3 vjeçe (djathtas): kjo fotografi është bërë më 1961, kur prindërit e saj ishin ende në burg

[Figura në faqen 191]

Një natë para ditës së dasmës, Hana Shishkoja dhe Juri Koposi u arrestuan dhe u dënuan dhjetë vjet në kamp. U martuan dhjetë vjet më vonë

[Figura në faqen 191]

Juri Koposi kaloi pothuajse një të tretën e shekullit në burgjet dhe kampet sovjetike të punës

[Figura në faqen 194]

Pavlo Zjateku ia kushtoi tërë jetën e tij shërbimit të Jehovait

[Figura në faqen 196]

Letër nga Nejthën H. Nori drejtuar vëllezërve në BRSS, e cila mban datën 18 maj 1962

[Figura në faqen 214]

Literatura për Ukrainën dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik u shtyp në bunkerë si ky këtu në Ukrainën Lindore

[Figura në faqen 216]

Në krye: Kodrat e pyllëzuara thellë në malet Karpate ku vëlla Dzjabkoja drejtonte një bunker të fshehtë

[Figura në faqen 216]

Sipër: Mikajlo Diolohu, ulur pranë asaj që ishte hyrja e bunkerit ku furnizonte vëlla Dzjabkon me letër

[Figura në faqen 216]

Djathtas: Ivan Dzjabko

[Figura në faqen 223]

Bela Mejsari kaloi 21 vjet në burg, gjatë të cilave gruaja e tij besnike, Rexhina, udhëtoi më se 140.000 kilometra për ta vizituar shpesh

[Figura në faqen 224]

Mikajlo Daseviçi u caktua si shërbëtor vendi më 1971

[Figura në faqen 233]

Regjistrimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë më 28 shkurt 1991 ishte regjistrimi i parë i tillë në territorin e BRSS-së

[Figurat në faqen 237]

Në kongresin ndërkombëtar të 1993-shit në Kiev u pagëzuan 7.402 veta, numri më i madh i të pagëzuarve në një kongres në historinë e popullit të Perëndisë në ditët tona

[Figura në faqen 246]

Diplomimi i klasës së parë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Lvov, në fillim të 1999-s

[Figura në faqen 251]

Sipër: Kompleksi i Sallave të Mbretërisë ku familja Bethel shërbeu nga viti 1995-2001

[Figura në faqen 251]

Në mes: Shtëpia e përdorur nga familja Bethel nga viti 1994-1995

[Figura në faqen 251]

Poshtë: Salla e Mbretërisë në qytetin e Nadvirnës—e para që u ndërtua me programin e ri të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në Ukrainë

[Figurat në faqet 252, 253]

(1-3) Dega e sapodedikuar në Ukrainë

[Figura në faqen 252]

(4) Komiteti i Degës (nga e majta në të djathtë): (ulur) Stepan Hlinski, Stepan Mikeviçi; (në këmbë) Andri Semkoviçi, Roman Jurkeviçi, Xhon Didëri dhe Jurgen Keku

[Figura në faqen 253]

(5) Teodor Xharazi duke folur në dedikimin e degës në Ukrainë, më 19 maj 2001