Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Filipinet

Filipinet

Filipinet

Palma kokosi, bimësi tropikale e gjelbër dhe e harlisur, plazhe me rërë të bardhë, dete të bukura—të gjitha këto janë karakteristike për Filipinet. Ky arkipelag me rreth 7.100 ishuj është quajtur Perla e Deteve të Lindjes. Këtij vendi ia shton bukurinë një popull i gëzuar e me ndjenja të thella që i pëlqen shumë vallëzimet dhe këngët. Në rast se do të vizitoni ndonjëherë këtë vend ishullor, ndoshta nuk do ta harroni kurrë mikpritjen e jashtëzakonshme që tregojnë njerëzit miqësorë dhe të pashëm, të cilët jetojnë atje.

Megjithatë, shumë njerëzve Filipinet u sjellin ndër mend një tablo krejt të ndryshme, atë të katastrofave. Mund t’ju kujtohet shpërthimi vullkanik i malit Pinatubo me derdhjet e laharit që fshinë qytete të tëra ose ndoshta ju kujtohet katastrofa në det, më e madhja në botë në kohë paqeje. Në këtë katastrofë vdiqën mijëra njerëz kur trageti «Dona Pas» u përplas me një anije-cisternë. Në të vërtetë, Qendra Belge për Kërkimet rreth Përhapjes së Katastrofave i renditi Filipinet si vendin më të prirur ndaj katastrofave në botë. Tajfunet, përmbytjet, tërmetet e vullkanet janë të zakonshme. Shtojini kësaj edhe gjendjen ekonomike deri diku të ulët të shumë banorëve dhe do të keni panoramën e një vendi të bukur që ka vështirësitë e tij.

Në mbarë Filipinet Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’i njohin me të vërtetën biblike 78.000.000 njerëzit që jetojnë atje. Kjo nuk është aspak një punë e lehtë. Përveç kërcënimit të katastrofave natyrore, janë edhe vështirësitë për të gjetur njerëzit në ishujt e shumtë e të vegjël, si dhe në zonat e thella të maleve e të xhunglës. Prapëseprapë, vepra po kryhet. Populli i Jehovait po përshtatet në mënyrë të jashtëzakonshme, pavarësisht nga rrethanat e shumëllojshme që has. Si rrjedhim, ata kanë pasur bekimin e Jehovait në veprën e bërjes së dishepujve.

Në disa drejtime Dëshmitarët në Filipine janë si izraelitët e lashtë që dëshironin të rivendosnin adhurimin e vërtetë në Jerusalem. Ata morën zemër nga fjalët e Nehemisë: «Gëzimi i Zotit është fuqia [kalaja, BR] juaj.» (Neh. 8:10) Pavarësisht nga sfidat që ndeshën, izraelitët me gëzim ecën përpara me punën për të përkrahur adhurimin e Jehovait. Ashtu si izraelitët në kohën e Nehemisë, Dëshmitarët e Jehovait anembanë Filipineve po mësohen nga Fjala e Perëndisë. Edhe ata po e bëjnë gëzimin e Jehovait kalanë e tyre.

Për herë të parë ndriçon drita e së vërtetës

Filipinet kanë një veçanti: janë i vetmi vend aziatik ku mbizotëron feja katolike. Filipinasit në fillim kishin fenë e vendit të tyre, por gjatë 300 vjetëve të sundimit spanjoll njerëzit u shtrënguan që të pranonin katolicizmin. Ndonëse administrimi nga Shtetet e Bashkuara për gjysmë shekulli i njohu njerëzit me fe të tjera, besimi katolik vazhdon të mbizotërojë. Gati 80 për qind e njerëzve pohojnë se kanë këtë besim.

Në vitin 1912 Çarls T. Rasëlli, një drejtues i Studentëve të Biblës, siç njiheshin më parë Dëshmitarët e Jehovait, gjatë një udhëtimi për fjalime përreth botës ndaloi në Manilë. Më 14 janar ai mbajti fjalimin me temë «Ku janë të vdekurit?» në Pallatin e Madh të Operës në Manilë. Të pranishmëve iu shpërnda literaturë.

Në fillim të viteve 20 të shekullit të 20-të u mbollën më tepër farëra të së vërtetës biblike, kur erdhi nga Kanadaja përfaqësuesi tjetër i Studentëve të Biblës, vëlla Uilliam Tini. Ai organizoi një klasë për studimin e Biblës. Iu desh të kthehej në Kanada për shkak të shëndetit të keq, megjithatë filipinasit e interesuar e vazhduan klasën për studimin e Biblës. Literatura, e cila vinte me postë, ndihmoi që e vërteta të ruhej e gjallë në zemrën e njerëzve. Kjo ishte gjendja deri në fillim të viteve 30 të shekullit të 20-të. Aty nga viti 1933 mesazhi i së vërtetës në Filipine po transmetohej në stacionin radiofonik KZRM.

Po atë vit Jozef dos Santosi u nis nga Havai për një udhëtim predikimi në mbarë botën. Ndalesa e tij e parë ishte në Filipine, por kurrë nuk vazhdoi më tej. Vëlla Dos-Santosit i dhanë përgjegjësinë për të marrë drejtimin në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe për të hapur një zyrë dege në këtë vend. Zyra filloi punën më 1 qershor 1934. Vëlla Dos-Santosi, së bashku me ata pak vendës që dëshironin t’i shërbenin Jehovait, iu fut punës për të predikuar dhe për të shpërndarë literaturë. Me gjithë kundërshtimin, në vitin 1938 atje ishin 121 lajmëtarë dhe 47 prej tyre po shërbenin si pionierë.

Ndonëse amerikanët po u mësonin anglishten shumë vetave, vëllezërit kuptuan se njerëzit e mësojnë më mirë Biblën në gjuhën e tyre. Kjo përbënte një sfidë, sepse në Filipine fliteshin rreth 90 gjuhë e dialekte. Sidoqoftë, u bënë përpjekje për të përkthyer literaturë në disa nga gjuhët kryesore. Në 1939-n zyra e degës raportoi: «Tani po bëjmë kaseta [të fjalimeve biblike] në gjuhën tagaloge dhe me këto shpresojmë t’i përdorim më shumë aparatet me sisteme akustike dhe gramafonin për të lavdëruar Zotërinë.» Gjithashtu, ata raportuan se po punonin për përkthimin e librit Pasuritë në gjuhën tagaloge. Dy vjet më vonë u përfundua përkthimi i broshurave në katër gjuhë të tjera kryesore në Filipine, e kështu u bë e mundur që mesazhi i Mbretërisë të kuptohej nga shumica e njerëzve të vendit.

Ndër ata që gjatë asaj kohe iu përgjigjën mesazhit të së vërtetës ishte edhe Florentino Kuintosi, një mësues. Për herë të parë ai mësoi diçka për veprën e popullit të Jehovait kur bisedoi me një burrë që kishte qenë vetë i pranishëm në fjalimin e vëlla Rasëllit në Manil, në vitin 1912. Më 1936 Florentinoja mori nga një Dëshmitar i Jehovait 16 libra me ngjyra të ndezura, të cilët flitnin për Biblën. Por, Florentinoja ishte i zënë me punën si mësues, kështu që për ca kohë, librat me ngjyrat e ylberit rrinin të ekspozuar, por nuk lexoheshin. Pastaj plasi lufta, japonezët pushtuan vendin dhe shumë veprimtari të zakonshme u ndërprenë. Tani Florentinoja kishte kohë të lexonte dhe e bëri vërtet. Brenda një kohe të shkurtër ai mbaroi librat: Pasuritë, Armiqtë dhe Shpëtimi. Leximi i tij u ndërpre se duhej të ikte për shkak të japonezëve, megjithatë farërat e së vërtetës ishin mbjellë në zemrën e tij.

Rritje e shpejtë pavarësisht nga Lufta Botërore

Lufta II Botërore solli sfida të reja për shërbëtorët e Jehovait kudo në arkipelag. Në fillim të luftës në Filipine kishte 373 lajmëtarë. Prapëseprapë, ndonëse ishin pak, u treguan jashtëzakonisht të zellshëm dhe elastikë në përpjekjet e tyre për të përkrahur adhurimin e pastër.

Disa vëllezër nga Manila u transferuan jashtë këtij qyteti në disa qytete më të vogla dhe e vazhduan atje veprën e predikimit. Lufta e bëri të pamundur të futej në vend literatura biblike, por vëllezërit qenë në gjendje të shpërndanin literaturën biblike, të cilën e kishin ruajtur në shtëpi private që para luftës. Kur kjo sasi u mbarua, ata filluan t’ua jepnin hua librat njerëzve.

Salvador Livagu, një mësues që hoqi dorë nga profesioni për t’u bërë predikues i lajmit të mirë në kohë të plotë, ishte në Mindanao kur shpërtheu lufta. Ai dhe disa vëllezër të tjerë ikën në xhungla dhe në male. I vazhduan atje veprimtaritë teokratike. Duhej treguar kujdes i jashtëzakonshëm për lëvizjet që bënin, me qëllim që japonezët të mos i rekrutonin për të shërbyer në garnizonet e tyre. Në të njëjtën kohë, guerilasit antijaponezë shpesh dyshonin se vëllezërit ishin spiunë të japonezëve.

Është për t’u habitur, por gjatë pushtimit japonez kishte mundësi që të mbaheshin asamble të vogla. Një asamble qarkore u mbajt në Manilë dhe ishin të pranishëm shumë veta. Një tjetër u mbajt në Lingajen. Banorët u befasuan kur panë njerëz të panjohur që vinin me kamionë, por askush nuk ndërhyri për të penguar, kështu që asambleja u mbajt me sukses.

Jehovai e bekoi gjithë këtë veprimtari dhe numri i Dëshmitarëve u shumëfishua. Nga 373 lavdërues të Jehovait që ishin në fillim të luftës u bënë më shumë se 2.000 vetëm katër vjet më vonë.

Kujtoni që vëlla Dos-Santosi ishte caktuar të merrte drejtimin në organizimin e veprës së predikimit të Mbretërisë në Filipine. Më janar 1942 ai u burgos në një kamp japonez në Manilë. Prapëseprapë, edhe ai vazhdoi të mbante një frymë të zellshme. «Në kamp u fola për lajmin e mirë të gjithë atyre që kisha mundësi»,—tha ai. Jeta në kamp ishte e vështirë dhe shumë veta vdiqën nga uria. Kur u burgos, vëlla Dos-Santosi peshonte 61 kilogramë, kurse kur u lirua, peshonte vetëm 36 kilogramë.

Në vitin 1945 amerikanët i liruan të burgosurit dhe vëlla Dos-Santosit i dhanë mundësinë për t’u riatdhesuar në Havai, por ai nuk pranoi. Pse? Ai gjente gëzimin e tij në veprën e Mbretërisë dhe dëshironte të bënte ç’të mundte që të kujdesej për ta çuar më përpara këtë vepër në Filipine. Për më tepër zëvendësuesi i tij ende nuk kishte arritur. Vëlla Dos-Santosi tha: «Derisa të vinte ai, unë do të qëndroja.» Për Jozef dos Santosin, Hilarion Amoresi pohoi: «Ai ishte vërtet i papërtuar dhe interesohej për nevojat frymore të vëllezërve.»

Vijnë misionarët

Vëllezërit filipinas bënë më të mirën e tyre para dhe gjatë luftës, ndonëse nuk kishin pasur ndonjë stërvitje të veçantë. Gjithsesi, pak kohë pas luftës erdhi ndihma. Më 14 qershor 1947 arritën të diplomuarit e Galaadit: Ërl Stjuarti, Viktor Uajti dhe Lorenso Alpike. Më në fund vëlla Dos-Santosi do të kishte një zëvendësues. Në vitin 1949 ai u kthye në Havai bashkë me gruan dhe fëmijët.

Vëlla Stjuarti u caktua si shërbëtor dege. Shumica e misionarëve të tjerë që erdhën në ato vite të hershme u caktuan në shërbimin në fushë. Për sa i përket ndikimit të misionarëve të stërvitur në Galaad, Viktor Amoresi, i cili u dërgua nga Filipinet në Galaad, rrëfen: «Për të organizuar veprën kishim një ndihmë të madhe. Vëllezërit mësuan nga këta të diplomuar në Galaad. Kjo çoi në përparim. Para 1975-s arritëm pothuajse në 77.000 lajmëtarë, ndërkohë që në 1946-n ishim vetëm 2.600.» Pas tre vëllezërve të parë erdhën mjaft misionarë të tjerë, përfshirë edhe çiftin Braun dhe çiftin Uillet, të cilët shërbyen në Sebu, si edhe çiftin Anderson, të cilët punuan në Davao. Ishin edhe çifti Still, çifti Smith dhe vëlla Hakteli e vëlla Bruni. Në vitin 1951 erdhi Nil Kollëuei. Më pas ai u martua me një motër vendëse, Nenitën. Ata të dy shërbyen pothuajse në të gjitha viset e Filipineve, derisa ai vdiq, më 1985. Denton Hopkinsoni dhe Rajmond Liçi nga Britania erdhën në vitin 1954 dhe vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për veprën në Filipine pas më shumë se 48 vjetësh.

Të huajt që ishin diplomuar në Galaad nuk ishin të vetmit që ndihmuan për organizimin dhe zgjerimin e veprës së predikimit të Mbretërisë në Filipine. Rreth viteve 50 të shekullit të 20-të edhe vëllezërit filipinas u ftuan në Shkollën e Galaadit, dhe gati të gjithë u kthyen të shërbenin në vendin e tyre. Tre të parët ishin Salvador Livagu, Adolfo Dionisioja dhe Makario Basuelli. Viktor Amoresi, i përmendur më sipër, stërvitjen që kishte marrë e përdori për veprën udhëtuese dhe në Bethel. Më vonë ai krijoi familje, por u kthye përsëri në shërbimin e plotkohor. Ai shërbeu si mbikëqyrës udhëtues dhe më pas, deri në fund të të 70-tave, si pionier special në provincën e Lagunës, së bashku me të shoqen, Lolitën.

Përpara gjatë viteve 70 të shekullit të 20-të

Teksa vepra përparonte me të shpejtë, numri i lajmëtarëve vazhdonte të rritej e në vitin 1975 kaloi shifrën 77.000. Si grup shërbëtorët e Jehovait ruajtën gjendjen e tyre frymore dhe vazhduan t’i shërbenin me besnikëri Perëndisë. Megjithatë, pati shumë individë që nuk i shërbyen më Jehovait kur sistemi i tanishëm nuk përfundoi më 1975. Në 1979-n numri i lajmëtarëve kishte rënë nën 59.000. Kornelio Kanjete, i cili shërbente si mbikëqyrës qarkor në mesin e viteve 70 të shekullit të 20-të, tha: «Disa u pagëzuan për shkak të 1975-s dhe qëndruan në të vërtetën për pak vjet. Pas 1975-s e lanë të vërtetën.»

Megjithëkëtë, shumica dërrmuese thjesht kishin nevojë të merrnin zemër që të mbanin pikëpamjen e duhur për shërbimin e krishterë. Kështu zyra e degës mori disa masa që të mbaheshin fjalime të veçanta. Si rrjedhim, jo vetëm që morën zemër lajmëtarët aktivë, por edhe disa joaktivë u ndihmuan për të qenë përsëri lavdërues aktivë të Jehovait. Vëllezërit arritën të kuptonin se nuk i shërbenin Perëndisë duke pasur një datë në mendje, por përjetë. Që nga ajo periudhë kur pati rënie të përkohshme numri i lajmëtarëve është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ata të cilët nuk e lejuan zhgënjimin t’i bënte të harronin gjithë mirësinë e Jehovait janë bekuar me të vërtetë.

Fillon dëshmia në zonat e thella: në male

Mijëra ishujt që përbëjnë vendin e Filipineve janë të shpërndarë nëpër det në rreth 1.850 kilometra nga veriu në jug dhe 1.100 kilometra nga lindja në perëndim. Disa ishuj nuk janë të banuar dhe shumë prej tyre kanë zona malore të thepisura. Është një sfidë të gjesh njerëzit në këto vende kaq të thella.

Një zonë e tillë është Kalinga-Apajaoja. Në malet e thepisura të Kordilierës Qendrore në Lusonin Verior, njerëzit janë të ndarë në fise dhe fshatra, ku secili ka dialektin e vet dhe zakonet e veta. Edhe pse në shekullin e 20-të gjuetia e kokave njerëzore ishte braktisur, armiqësia midis fshatrave ishte e zakonshme, duke sjellë si pasojë hasmëri dhe vrasje. Haronimo Lastima tha: «Në vitet e kaluara ishte e vështirë të dërgoje pionierë specialë në ato territore. Vendësit i ndiqnin vëllezërit me qëllimin për t’i vrarë.»

Zgjidhja ishte të dërgoheshin motra. Haronimoja shpjegoi: «Ata nuk i ndjekin gratë. Tradita kërkon që të mos u bësh keq grave.» Motrat ishin të efektshme për t’u mësuar të vërtetën vendësve. Prandaj, më vonë, disa vendës u pagëzuan dhe u bënë pionierë. Ata e njihnin kulturën e popullit të tyre dhe dinin si të dëshmonin me efektshmëri. Si rrjedhim, «gjuetarët» janë shpërndarë gjithandej nëpër këto male: gjuetarë të atyre që kanë nevojë për të vërtetën. Në vitet 70 të shekullit të 20-të kishte vetëm pak Dëshmitarë në gjithë Kalinga-Apajaon, kurse tani atje ka dy qarqe.

Po kështu, në provincën malore aty afër, në Ifugao, nuk kishte madje asnjë Dëshmitar në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të. Tre pionierë të rregullt u caktuan t’u predikonin njerëzve që banonin midis brezareve shumëshekullore të orizit. Me kalimin e kohës, vendësit filluan të pranonin të vërtetën. Sot ka 18 kongregacione me 315 lajmëtarë në atë zonë.

Në malet e largëta të Abrës, që gjenden në veri, problemi është si të shkohet në fshatrat ku ende nuk ka ndonjë Dëshmitar. Një mbikëqyrës qarkor duke pasur dëshirë të zjarrtë për ta çuar lajmin e mirë në zonat më të thella ftoi 34 të tjerë të bashkoheshin me të për të predikuar në zonën afër qytetit të Tinegut. (Vep. 1:8) Meqë nuk ka transport publik, grupi eci shtatë ditë përmes maleve, për të arritur në dhjetë fshatra me afro 250 shtëpi.

Mbikëqyrësi qarkor rrëfen: «Ishte një sfidë e madhe të ecnim përgjatë kreshtave të malit ndërkohë që mbanim edhe të gjitha gjërat tona. Nga gjashtë netë, katër i kaluam jashtë në mal ose pranë një lumi.» Kishin kaluar shumë vjet që kur disa nga fshatrat kishin marrë dëshmi. Në një vend ata takuan një burrë që tha: «Njëzeteshtatë vjet më parë Dëshmitarët e Jehovait i predikuan babait tim. Ai na tha që Dëshmitarët e Jehovait kanë të vërtetën.» Gjithsej, grupi la 60 libra, 186 revista, 50 broshura dhe 287 fletushka, gjithashtu u treguan shumë vetave si bëhen studimet biblike.

Predikojnë në zonat të tjera të thella

Palavani është një ishull i madh në Filipine. Ai shtrihet 434 kilometra, është i gjatë e i ngushtë. Duke qenë se ndodhet larg rrëmujës e zhurmës së ishujve më tepër të populluar, Palavani është vendbanimi pyjor për fise të ndryshme dhe për shumë ngulime të veçuara, përfshirë edhe ato të emigrantëve. Misionari Rajmond Liçi, duke qenë i gatshëm për të pranuar çdo caktim, u dërgua atje si mbikëqyrës qarkor. Atje kishte pak Dëshmitarë dhe i duhej të përshkonte largësi të mëdha. Ai kujton: «U caktova atje nga viti 1955 deri në vitin 1958 dhe në gjithë Palavanin kishte vetëm 14 lajmëtarë. Më duheshin pesë javë për t’i vizituar.»

Që nga ajo kohë ka pasur shumë përparim në atë vend, edhe pse mbetet ende një vend që paraqet sfida. Febi Lota, tani në fillim të të 40-tave, në vitin 1984 filloi si pioniere speciale në Palavan. Ajo rrëfen çfarë ndodhi ndërkohë që shërbente në Dumaran: «Arritëm aty ku kujtonim se ishte shtëpia e fundit. As që e mendonim se mund të kishte një shtëpi tjetër, por në të vërtetë ishte ashtu.» Tutje pas asaj shtëpie, mes palmave jetonte një çift, të cilët kishin si punë të kujdeseshin për një pemëtore me arra kokosi. Dhe për më tepër kishin interes për Biblën.

Febi thotë: «Po të mos ishte për shërbimin ndaj Jehovait nuk do të isha kthyer kurrë më në atë vend.» Për të arritur atje, Febi dhe shoqja e saj duhej të kalonin një ditë duke ecur përmes pemëtoreve me arra kokosi, përgjatë një rripi plazhi ranor dhe me shkëmbinj. Kur kishte baticë ato ecnin në ujin që arrinte deri në gju. Për shkak të largësisë vendosën të shkonin një herë në muaj dhe të kalonin disa ditë atje. Kjo nënkuptonte të ngarkoheshin me ushqime, libra, revista, si dhe me rroba. «Ishte një sakrificë e vërtetë për ne të ishim në pikë të diellit dhe në mes të insekteve thumbuese që na pickonin. Kur arrinim, na kullonte djersa çurkë.» Sidoqoftë, përpjekjet e tyre u shpërblyen kur panë çiftin e interesuar të përparonte shumë shpejt në studimin e Biblës.

Çifti u detyrua ta linte punën në pemëtoren me arra kokosi kur administratori, një baptist, zbuloi se ata po studionin Biblën me Dëshmitarët. Për Febin ishte një surprizë e këndshme kur më vonë e takoi përsëri gruan. Jo vetëm që ajo ishte pagëzuar tashmë, por siç thotë Febi «ishte ulur me ne në mbledhjen për pionierë që u mbajt në kongresin krahinor». Çfarë gëzimi është të shohësh frytet e shkëlqyera të mundit tënd!

Në ishullin e madh të Mindanaos, në Filipinet Jugore, ka shumë zona të vështira për t’u arritur. Natan Sebaliosi, i shoqëruar nga e shoqja, ka shërbyer atje si mbikëqyrës udhëtues. Gjatë javëve që nuk vizitonin kongregacionet përpiqeshin të predikonin në territoret e veçuara. Ftonin dhe të tjerë, vëllezër e motra, që të shkonin bashkë me ta. Një herë grupi përdori 19 motoçikleta për të arritur në shumë fshatra. Rrugët janë të këqija e me baltë dhe Dëshmitarët duhej të kalonin lumenj e përrenj, në shumicën e të cilëve nuk ka ura. Duke qenë se njerëzit në ato zona kanë pak para, ata dhuronin fshesa të buta, të bëra vetë, në shenjë çmueshmërie për literaturën që çonin vëllezërit. Përfytyroni skenën kur vëllezërit ktheheshin në shtëpi me motoçikletat e ngarkuara me fshesa! Natani thotë: «Të gjithë shkonim në shtëpi të këputur dhe të bërë pis, por tërë gëzim, duke e ditur se çka kishim bërë ishte vullneti i Jehovait.»

Përdorin të gjitha mjetet për të predikuar lajmin e mirë

Vitet e fundit organizata e Jehovait i ka nxitur predikuesit e Mbretërisë që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të dhënë dëshmi. Kjo ka qenë veçanërisht e përshtatshme në zonat më të populluara të vendit. Qytetet më të mëdha si për shembull, Davaoja, Sebuja dhe Manila metropolitane, janë shumë të ngjashme me qytetet e tjera nëpër botë, me një mori qendrash tregtare, zyrash, godinash me shumë pronarë dhe komplekse pallatesh të sigurisë së lartë. Çfarë është bërë për të takuar njerëzit në këto vende?

Makati është pjesë e qarkut ku deri kohët e fundit shërbente Marlon Navarroja. Marloni, një i ri i diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbimin, punoi shumë për të organizuar predikimin në qendrën e biznesit në Makati, një zonë që u ishte caktuar tri kongregacioneve. Vëllezër e motra, shumë prej tyre pionierë, u zgjodhën dhe u stërvitën për ta punuar me efektshmëri këtë zonë. Në këtë pjesë të qytetit po drejtohen studime biblike në supermarkete dhe në parqe; disa nga këta studentë të Biblës po ndjekin mbledhjet.

Kori Santosi dhe djali i saj, Xhefri, janë që të dy pionierë. Shpesh ata japin dëshmi rrugore në mëngjes, ndonjëherë që në orën 6.00. Në këtë orë të ditës, ata takojnë njerëz që punojnë në fabrikë e vijnë në shtëpi pasi kanë mbaruar ndërresën e natës. Madje, ata kanë filluar studime biblike duke bërë këtë vepër rrugore. Disa njerëz që fillimisht u takuan në këtë mënyrë kanë përparuar deri në pagëzim.

Edhe jashtë qyteteve lajmëtarët kanë qenë syçelë që të gjejnë mundësi për t’u dëshmuar të tjerëve. Norma Balmaseda, e cila ka qenë pioniere speciale për më shumë se 28 vjet, foli me një grua që po priste të nisej për udhë. Norma e pyeti këtë grua: «Ku po shkoni?»

—Në provincën e Kuirinos,—u përgjigj gruaja.

—Nga ai vend jeni?

—Jo, por burri im ka vendosur të transferohemi atje, sepse jeta këtu në Ifugao është tepër e vështirë.

Kjo i hapi rrugën Normës që të fliste për lajmin e mirë rreth qeverisjes së Mbretërisë, e cila do të zgjidhë problemet e njerëzve. Ato u ndanë nga njëra-tjetra. Vite më vonë, në një asamble qarkore, një grua iu afrua Normës dhe i tha se ishte ajo me të cilën Norma kishte folur dikur. Tani ajo ishte e pagëzuar dhe dy vajzat e saj bashkë me të shoqin po studionin Biblën.

Në zyrën e degës në Keson-Siti vëllezërit janë syçelë që të përdorin çdo mundësi për të dëshmuar. Feliks Salangoja, për shembull, është shumë i njohur për zellin e tij për t’u predikuar të tjerëve. Shpesh ai bëhej pionier ndihmës ndërkohë që shërbente në Bethel. Gjatë vitit 2000, teksa po ngrihej një ndërtesë shtesë për banim, Feliksi vërejti punëtorët që ishin marrë me pagesë për të ngritur skeletin e jashtëm të ndërtesës. Ai iu afrua kryeinxhinierit dhe i kërkoi leje që të fliste me punëtorët. Feliksi thotë: «Pasi ata hëngrën drekë, shkova në vendin e ndërtimit, ku inxhinieri i kishte mbledhur të gjithë punëtorët, mbi 100 veta. U fola për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe u shpjegova se nevojitet njohuri për të mbijetuar në shtrëngimin e madh. Kisha me vete një kuti me broshura dhe një kuti me librin Njohuria. U shpjegova që mund të merrnin një nga botimet, nëse punëtorët kishin interes të studionin Fjalën e Perëndisë.» Feliksi shpjegoi edhe si vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën përkrahet nga kontributet dhe vendosi botimet e një zarf pranë një peme arre kokosi. Shumë nga punëtorët morën një libër ose një broshurë dhe mjaft prej tyre lanë edhe një kontribut në zarf.

Disa kishin interes të studionin, përfshirë edhe kryeinxhinierin. Feliksi ra në ujdi që të studionte me këtë të fundit broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte gjatë pushimit të drekës. Inxhinieri i tha Feliksit: «Ua shpjegoj gruas sime dhe miqve të mi çfarë po mësoj këtu.» Edhe dy inxhinierë të tjerë që punonin atje dëshironin të studionin, po ashtu edhe një rojë sigurimi dhe disa sekretare. Po, kur jep dëshmi sa herë që del mundësia, kjo sjell bekimin e Jehovait.

Vijnë misionarë

Gjatë viteve, 69 misionarë të huaj të stërvitur kanë shkuar në Filipine që të ndihmojnë për veprën e predikimit të Mbretërisë. Ata e kanë bërë këtë në shumë mënyra të ndryshme. Denton Hopkinsoni dhe Rajmond Liçi, që u përmendën më parë, fillimisht u caktuan në shërbimin në fushë, së pari si misionarë e pastaj si mbikëqyrës udhëtues. Më vonë atyre iu dhanë caktime në zyrën e degës.

Disa të diplomuar në Galaad erdhën gjatë viteve 70 të shekullit të 20-të që të ndihmonin për veprimtarinë e shtypjes së literaturës që sapo kishte filluar. Midis tyre ishin Robert Pevi dhe e shoqja Patricia, të cilët më parë kishin shërbyer në Angli dhe Irlandë. Roberti ishte shumë i dobishëm pasi ngriti një repart shkrimi në zyrën e degës së Filipineve. Të gjithë ishin të trishtuar kur më 1981 i panë të largoheshin për të nisur shërbimin në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork të SHBA-së.

Din dhe Karen Xheisëku erdhën nga Shtetet e Bashkuara në 1980-n dhe pas një periudhe të shkurtër që studiuan gjuhën tagaloge në Lagunë ata u caktuan në degë. Pas njëfarë stërvitjeje të mëtejshme në vitin 1983, ata ndihmuan vëllezërit qoftë vendësit, qoftë ata nga ishujt e tjerë aty përreth të mësonin si të përdornin sistemin kompjuterik, të zhvilluar nga Dëshmitarët e Jehovait që ka qenë thelbësor për të mbështetur botimin e literaturës biblike në gjuhët vendëse.

Hubertus (Berti) dhe Xhanina Hufnagëlsi nga Holanda erdhën më 1988. Dega ishte gati duke nisur një projekt më të madh për ndërtim. Meqë ky çift kishte një përvojë të mëparshme për ndërtimin e degëve dhe meqë Berti e dinte mirë si funksiononin pajisjet e rënda, ata u caktuan të ndihmonin për projektin. Berti vinte në punë pajisjet dhe gjithashtu stërviste të tjerët. Ai thotë: «Që në fillim, po i stërvitja vëllezërit vendës të drejtonin kamionët, një eskavator, një buldozer, një makinë ngarkuese dhe një vinç. Me kalimin e kohës, kishim një grup me afro 20 deri 25 veta, të cilët po punonin me pajisje të rënda.»

Më vonë me ta u bashkuan katër të tjerë të diplomuar në Galaad: Peter dhe Beate Vehleni nga Gjermania, si dhe Geri e Tereza-Xhin Meltoni nga Shtetet e Bashkuara. Edhe çifti Vehlen kishte përvojë në ndërtimin e degës dhe çifti Melton kishte pesë vjet përvojë, sepse kishte shërbyer në Bethelin e Shteteve të Bashkuara. Të gjithë kishin mundësi të jepnin ndihmesën e tyre për punën e ndërtimit të degës.

Vite më parë, më 1963, shtëpia e fundit misionare ishte mbyllur, meqë për veprën e predikimit mund të kujdeseshin pionierë të kualifikuar filipinas. Prapëseprapë, në vitin 1991 Trupi Udhëheqës mori masa që të dërgonte gjashtë misionarë për shërbimin në fushë. Ndonëse me përvojë në veprën e degës, këta misionarë kishin edhe përvojë që mund të ishte shumë e dobishme për shërbimin në fushë. Për shembull, Xhanina Hufnagëlsi kishte filluar si pioniere speciale në moshën 18-vjeçare. Tani ajo mund ta përdorte përvojën dhe karakterin e gjallë që kishte për të nxitur vëllezërit dhe të rinjtë në të vërtetën. Burri i saj, Berti, foli për dobitë e tjera. Ai tha: «Fakti që ka misionarë në territorin e këtushëm, i ndihmon njerëzit të kuptojnë shtrirjen ndërkombëtare të veprës sonë.» Ndërkohë, disa misionarë kanë vazhduar të kujdesen për detyrat administrative e për detyra të tjera në degë.

Në Filipine nuk pati vetëm misionarë që erdhën nga vendet e tjera, por pati edhe misionarë filipinas që shkuan jashtë vendit.

Misionarët shkojnë jashtë

Ndërkohë që misionarët ende vazhdonin të vinin në vend, Filipinet nisën të dërgonin pionierë filipinas në vendet e tjera për të marrë pjesë në veprën misionare atje. Megjithëse pionierët vendës ndoshta nuk kishin pasur të njëjtën stërvitje për anën organizative si të diplomuarit në Galaad, kishte mjaft pionierë vendës të shkëlqyer. Që nga Lufta II Botërore vepra e bërjes së dishepujve në Filipine ishte zgjeruar shumë më shpejt se në vendet përreth. Kështu që, duke filluar që nga 1964-a, pionierë të kualifikuar filipinas janë ftuar të ndërmarrin shërbimin si misionarë në mbarë Azinë dhe në ishujt e Paqësorit. Disa nga ata që u dërguan jashtë vendit ishin çifte, por shumica kanë qenë pionierë beqarë, të cilët tashmë kishin një përvojë dhjetëvjeçare ose më tepër në shërbimin e plotkohor. Deri në mes të vitit 2002 ishin dërguar 149 misionarë në 19 vende të ndryshme. Nga këta, 74 vazhdojnë në caktimet e tyre. Ndërkohë që presin të bëhen gati dokumentet e udhëtimit, misionarët e ardhshëm qëndrojnë ca kohë në degë dhe marrin stërvitje e fitojnë përvojë që do t’i ndihmojë në caktimet e tyre. Çfarë ndihmese kanë dhënë për veprën e predikimit këta misionarë gjatë viteve dhe çfarë sfidash e gëzimesh kanë pasur?

Roz Kagungao (tani Englër) dhe Klara dela Krus (tani Elaurja) ishin të parat që shkuan jashtë. Caktimi i tyre ishte Tajlanda. Gati një vit më vonë Anhelita Gavinoja shkoi bashkë me to në atë caktim. Sigurisht, ashtu si dhe për misionarë të tjerë, mësimi i gjuhës ishte një sfidë e madhe. Anhelita tregon për mësimin e gjuhës tai: «Në javët e para u ndjeva e mërzitur, sepse të gjitha shkronjat e librit më dukeshin si ‘krimba’ dhe në mbledhje vështirë se mund të flitnim me dikë, për shkak të pengesës së gjuhës.» Megjithatë, ato e mësuan gjuhën dhe vazhdojnë të përdornin këtë gjuhë që zotërojnë për të ndihmuar të tjerët.

Pas këtyre pak pionierëve të parë, një varg pionierësh të gatshëm u dërguan vazhdimisht në vende të ndryshme. Porfirjo dhe Evanxhelina Humuadi u ftuan të shkonin në Kore në vitin 1972. Ata e mësuan mirë gjuhën dhe pas dy vjetësh e gjysmë në fushën misionare Humuadët u ftuan në veprën qarkore.

Në 1970 Salvasiona Regala (tani Aje) ishte një nga nëntë motrat filipinase që shkuan në Hong-Kong për të filluar veprën misionare. Sfida e saj fillestare ishte mësimi i gjuhës kantoneze. Gjuha kantoneze ka nëntë tone. Po të ndryshosh tonin, ndryshon edhe kuptimi i fjalës. Salvasiona kujton që teksa mundohej me ato tone, një herë i tha një studentes të saj të Biblës që ato kishin ikur nga vendbanimi i tyre «për shkak të një fantazme», ndërkohë që donte t’i thoshte «për shkak të qirasë së lartë». Me kalimin e kohës e mësoi gjuhën. Salvasiona ka ndihmuar më shumë se 20 njerëz të mësojnë mesazhin e së vërtetës biblike. Tani në Hong-Kong ajo takon shumë indoneziane që punojnë si punëtore shtëpie, kështu që po përpiqet të mësojë gjuhën indoneziane.

Rodolfo Asongoja, një vëlla i vendosur, por miqësor, duhej të përballej me kushte krejtësisht të ndryshme kur u caktua në Papua Guinenë e Re, në vitin 1979. Ai iu fut mësimit të gjuhës me mish e me shpirt dhe e mësoi aq mirë, saqë kur kishte veçse pak kohë atje u dërgua si mbikëqyrës udhëtues. Gjithsesi, të vizitoje kongregacionet në Papua Guinenë e Re ishte shumë ndryshe sesa të vizitoje kongregacionet në Filipine. Ai thotë: «Mësova si të vozitja një kaike të vogël druri vetëm për një njeri, duke ndenjur në këmbë, siç bëjnë vendësit.»

Në lidhje me asambletë Rodolfoja rrëfen: «Për shkak të largësive dhe të mungesës së transportit të përballueshëm nga ana financiare, organizonim shumë asamble të vogla. Ajo që u mbajt në fshatin Larimea ishte më e vogla që kam qenë ndonjëherë. Gjithsej ishin dhjetë të pranishëm.» Në një rast tjetër, ai u caktua si mbikëqyrës i kongresit në grumbullimin që u mbajt në fshatin Agi. Ai thotë: «U caktova të shërbeja edhe si drejtues i kongresit, të kujdesesha për Repartin e Akustikës dhe të Shërbimit të Ushqimit, të isha regjisori i dramës dhe të luaja rolin e Mbretit David.» Me të vërtetë, ai bëri shumë përpjekje në atë caktim dhe më vonë gëzoi shërbimin misionar në ishujt Solomon.

Në vitin 1982 Arturo Viljasini, një vëlla nga Lusoni, i cili kishte aftësinë të përshtatej, u dërgua në ishujt Solomon. Ai shërbeu atje si mbikëqyrës qarkor dhe pa se kushtet ishin mjaft të ndryshme nga ato në Filipine. Në shumë ishuj mund të arrihej më lehtë me aeroplanë të vegjël. Ai rrëfeu: «Një herë aeroplani ynë u përplas, por të gjithë mbijetuam. Një herë tjetër për pak sa nuk goditëm faqen e një mali, se pamja ishte e mjegullt.» Kurse për vizitat në disa kongregacione ai tha: «Ecim përmes pyjeve të shiut, duke u ngjitur në kodra të pjerrëta me baltë, për të vizituar kongregacionet që ndodhen mes popujve të savanës, të cilët adhurojnë paraardhësit e tyre.» Arturoja vdiq papritur nga një sëmundje më 2001, por ai do të kujtohet gjatë si një misionar besnik.

Ka me bollëk përvoja të tilla të vëllezërve dhe motrave nga Filipinet që janë dërguar në shërbimin si misionarë në Azi dhe vendet e Paqësorit. Me gjithë sfidat, këta shërbëtorë të Jehovait, të gatshëm dhe vetëmohues, kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme në veprën e predikimit në këto vende.

Gëzim kur ndihmojnë të tjerët që ta bëjnë Jehovain kalanë e tyre

Gëzimi gjendet te bekimi i Jehovait. (Prov. 10:22) Adelieda Kaletena, e cila u dërgua në Tajvan më 1974, thotë: «Jam në të vërtetë shumë e lumtur dhe mirënjohëse ndaj Jehovait që ai po bekon veprën tonë këtu dhe më ka dhënë mundësinë të marr pjesë në këtë vepër.»

Pol dhe Marina Tabunigaoja, që tani po shërbejnë në ishujt Marshall, thonë: «Kemi ndihmuar 72 njerëz t’i shërbejnë Jehovait. Na gufon zemra nga gëzimi që shumë prej tyre tani shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës, pionierë specialë, pionierë të rregullt dhe lajmëtarë aktivë në kongregacion.»

Lidia Pamplona, e cila që nga viti 1980 ka shërbyer në Papua Guinenë e Re, ka ndihmuar 84 njerëz të arrinin deri në kushtim dhe pagëzim. Kohët e fundit ajo raportoi se drejton studime biblike në shtëpi me 16 njerëz, shumica e të cilëve tani po ndjekin mbledhjet. Komentet e saj pa dyshim përmbledhin me pak fjalë ndjenjat e shumë misionarëve: «Falënderoj Jehovain për shërbimin që më ka besuar. Vazhdoftë të bekojë shërbimin tonë për lavdinë e tij.»

Degët te të cilat misionarë filipinas u dërguan kanë treguar çmueshmëri për faktin që i kanë ata në territorin e vendit të tyre. Dega e Tajlandës shkroi: «Misionarët nga Filipinet po bëjnë një punë të mirë. Gjatë viteve të shumta në Tajlandë, ata janë shembuj besnikërie. Ata qëndrojnë fort në këtë vepër pavarësisht nga mosha e shkuar. Ata e duan Tajlandën dhe popullin e saj. E quajnë atë shtëpinë e tyre. Shumë faleminderit që na keni dërguar këta misionarë të shkëlqyer.»

Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë ndihmon për të aftësuar pleqtë

Gati në të njëjtën kohë kur për herë të parë po dërgoheshin pionierë jashtë Filipineve për të shërbyer në vendet e tjera, organizata e Jehovait siguroi stërvitje për numrin gjithnjë në rritje të vëllezërve të kualifikuar që merrnin përsipër përgjegjësitë në kongregacionet vendëse. Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë ishte një nga mjetet kryesore për të dhënë këtë stërvitje.

Klasat e para nisën më 1961 si kurs njëmujor. Xhek Redfordi, i cili kishte qenë një instruktor në Galaad dhe më vonë do të shërbente si misionar në Vietnam, u caktua për të dhënë mësim në këtë kurs në Filipine. Shkolla e parë u mbajt në degë dhe u bë në gjuhën angleze.

Ndonëse disa e kuptojnë fare mirë anglishten, gjithmonë duhet t’u kushtohet vëmendje gjuhëve të tjera dhe dialekteve të zakonshme të Filipineve. Shumë pleq do të nxirrnin më tepër dobi nga një kurs i mbajtur në gjuhën e tyre amtare. Kështu që nga mesi i viteve 60 të shekullit të 20-të, kursi u bë në disa gjuhë. Kornelio Kanjete kujton që ishte caktuar për të dhënë mësim në mbarë ishujt Visajan e në Mindanao. Ai vë buzën në gaz, teksa thotë: «Jepja mësim në kurs në tri gjuhë: cebuane, hiligainone dhe samar-leite.»

Gjatë viteve kursi është ndryshuar, e po ashtu edhe mënyra si është programuar. Kohët e fundit kursi u mbajt gjatë një fundjave, një ditë e gjysmë për pleqtë dhe një ditë për shërbëtorët ndihmës. Sidoqoftë, mbetet ende sfida që mësimi i shkollës jepet në rreth tetë gjuhë. Pleqtë që i dinë këto gjuhë dërgohen nga zyra e degës për të drejtuar një shkollë stërvitjeje për mbikëqyrësit udhëtues. Këta, nga ana e tyre, drejtojnë shkollat e tanishme për pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës të kongregacionit. Në shkollën që është mbajtur herën e fundit 13.000 pleq dhe 8.000 shërbëtorë ndihmës nxorën dobi nga kjo stërvitje.

Ndihmë për pionierët

Më vonë edhe pionierët filluan të merrnin stërvitje të mëtejshme. Në vitin 1978 u mbajtën klasat e para të Shkollës së Shërbimit të Pionierit. Të gjithë ata që atëherë shërbenin si pionierë u regjistruan në këto klasa, përfshirë edhe pionierët specialë. Që nga ajo kohë shkolla është mbajtur çdo vit, përveçse në 1979-ën dhe 1981-shin.

Pionierët kanë nxjerrë shumë dobi nga shkolla, por u është dashur të ndeshen me sfida për të marrë pjesë në të. Disa kanë bërë sakrifica financiare për të shkuar atje. Të tjerëve u është dashur të kalojnë vështirësitë e transportit.

Ata që morën pjesë në shkollën e mbajtur në qytetin e Santiagos duhej të përballonin një rrethanë të papritur. Rodolfo di Vera, mbikëqyrësi qarkor, tregonte: «Më 19 tetor 1989 Santiagoja, në Izabelë, u godit papritur nga një tajfun shumë i fortë, me shpejtësi maksimale të erës prej 205 kilometrash në orë. Atë mëngjes, kur nisëm mësimin në Sallën e Mbretërisë, vetëm sa po binte ca shi dhe frynte një erë e lehtë, kështu që e vazhduam shkollën e pionierit. Por, era u bë më e fortë dhe ndërtesa zuri të lëkundej. Pas pak era e flakëriu tej çatinë. Donim të largoheshim, por pamë se jashtë ishte më e rrezikshme për shkak të sendeve të shumta që fluturonin në ajër.» Ndonëse ndërtesa zuri të shembej, të gjithë shpëtuan të padëmtuar. Ata nuk ia japin vetëm Jehovait meritën për shpëtimin, por edhe një sugjerimi në revistën Zgjohuni! Në të thuhej që në raste të tilla mund të mbrohesh poshtë një banke ose tavoline. Vëlla De Vera tha: «U futëm poshtë tavolinave. Kur tajfuni kishte kaluar, ishim mbuluar me degë e me copa llamarine të rëna nga çatia, por të gjithë që kishin ndenjur në ndërtesë poshtë tavolinave ishin të padëmtuar.»

Çdo vit shkolla është mbajtur në shtatë gjuhë. Deri në vitin e shërbimit 2002 janë mbajtur 2.787 klasa me gjithsej 46.650 pionierë që mbaruan shkollën. Çfarë mase e shkëlqyer ka qenë kjo për të ndihmuar pionierët që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të kenë besim të plotë te Jehovai, ndërsa vazhdojnë ‘të shkëlqejnë si ndriçues në botë’!—Filip. 2:15.

Përpjekjet e para për shtypjen ofset

Gjithë veprimtaria e predikimit dhe e kongregacioneve do të ishte shumë më e vështirë pa literaturën e shkëlqyer biblike që është vënë në dispozicion. Për shumë vjet shtypja për Filipinet bëhej në Bruklin. Por në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të u ngrit një fabrikë pikërisht në pronat e degës në Keson-Siti. U instaluan pajisjet për shtypjen me makinë tipografike, të ngjashme me ato që ishin në Bruklin. Kjo i dha mundësinë degës që t’i shtypte të gjitha revistat në vend.

Brenda atij dhjetëvjeçari u bë e qartë se industria e shtypjes po e zëvendësonte shtypjen tipografike, në të cilën përdorej metoda me metal të nxehtë, me shtypjen ofset. Drejtimi i dhënë nga selia botërore tregoi se dalëngadalë edhe ne do të bënim këtë ndryshim.

Në vitin 1980 dega bleu pajisje për fotoradhitjen. Dega e Afrikës së Jugut kishte marrë të njëjtin lloj pajisjesh, kështu që e ndanë përvojën e tyre me Filipinet. Ky sistem radhitjeje i kompjuterizuar përdorej krahas një makine të vogël ofseti me fletë, e cila u ble pothuajse në të njëjtën kohë.

Kjo pajisje në njëfarë mase u dha mundësi vëllezërve që të mësonin teknikat e përdorura për shtypjen ofset. David Namoka, i cili tashmë kishte përvojë të madhe në shtypjen tipografike me makina linotipi, mësoi si të përdorte pajisjet e fotoradhitjes. Vëllezër të tjerë mësuan si të prodhonin pllaka për shtypjen ofset dhe si të përdornin makineritë për shtypje që sapo ishin blerë. Kështu, nga fundi i 1980-s dega tashmë po përdorte metodën ofset për të shtypur disa numra të Shërbimi Ynë i Mbretërisë dhe revista në disa gjuhë me tirazh më të vogël.

Gjithashtu, kur u bë kalimi në shtypjen ofset u fut edhe përdorimi i kompjuterave për të ndihmuar vëllezërit që merrnin pjesë në përkthim dhe në përgatitjen për shtypje. Dalëngadalë vëllezërit fituan përvojë dhe siguri. Me kalimin e kohës, duke përdorur këto metoda ata ishin në gjendje të përmirësonin si cilësinë, ashtu edhe sasinë e shtypjes. Në të vërtetë, më 1982 vëllezërit ishin kaq të etur të bënin përparim, saqë e shtypën fletushkën Lajmërimi i Mbretërisë Nr. 31, një botim me katër ngjyra, duke përdorur makinën e shtypjes ofset me një ngjyrë të vetme. Letra u kalua gjashtë herë në makinën e shtypjes, katër herë për faqen me katër ngjyra dhe dy herë për faqen me dy ngjyra. Ishte një punë e madhe dhe ndoshta cilësia linte pak për të dëshiruar, por çdokush ishte i kënaqur që shihte fletushkën me katër ngjyra Lajmërimi i Mbretërisë, të prodhuar me pajisjet tona.

Ky rregullim shërbeu sa për të filluar punën, por si do të kryhej kalimi i plotë në sistemin e kompjuterizuar të fotoradhitjes dhe të shtypjes ofset? Organizata e Jehovait kishte diçka ndër mend dhe dega e Filipineve së shpejti do të nxirrte dobi nga kjo.

Organizata e Jehovait siguron MEPS-in

Trupi Udhëheqës autorizoi prodhimin e një sistemi të kompjuterizuar fotoradhitjeje që do të plotësonte nevojat e veçanta për botimin e lajmit të mirë në një mori gjuhësh. Sistemi elektronik shumëgjuhësh për fotoradhitjen (MEPS) u krijua në Bruklin. Pajisjet, që dega i bleu dhe i përdori për ca kohë, futën përdorimin e kompjuterave dhe të shtypjes ofset në shkallë të kufizuar. Por MEPS-i do t’i jepte degës së Filipineve mundësinë për të shkuar edhe më përpara në këtë drejtim, së bashku me degë të tjera përreth botës.

Dy çifte u ftuan të shkonin nga Filipinet në Uollkill, Nju-Jork. Vëllezërit morën stërvitje si të mirëmbanin kompjuterat MEPS dhe si të përdornin programet MEPS në punën e përgatitjes për shtypje. Një çift tjetër, Florizel Nuikoja dhe e shoqja, qëndruan ca kohë në Bruklin, ku vëlla Nuikoja mësoi si të punonte me makinat e shtypjes ofset M.A.N. Kjo ishte pikërisht ajo që nevojitej, me qëllim që dega e Filipineve të kalonte tërësisht në punën e kompjuterizuar të përgatitjes për shtypje dhe në shtypjen ofset.

Në vitin 1983 një makinë shtypjeje ofset M.A.N. mbërriti në Filipine. U montua me ndihmën e Lainëll Dingëllit nga dega e Australisë. Vëlla Nuikoja nisi të stërviste vëllezërit vendës në lidhje me atë që kishte mësuar në Bruklin. Nga fundi i vitit 1983 revistat e para po dilnin nga kjo makinë shtypjeje. Megjithatë, sistemi i shtypjes nuk ishte ende i plotë, kështu që për ca kohë revistat prodhoheshin nga ndërthurja e metodës me metal të nxehtë me shtypjen ofset.

Gjithsesi, nuk ishte larg kompletimi i plotë i sistemit me të gjitha pjesët e veta. Kompjuteri i parë MEPS mbërriti në fund të 1983-shit, dhe dy vëllezërit që ishin stërvitur në Uollkill filluan të mësonin të tjerët si të punonin me pajisjet MEPS dhe si t’i mirëmbanin ato. Brenda një kohe të shkurtër prodhimi ishte në proces. Shumë bethelitë u stërvitën plotësisht si ta përdornin sistemin për përkthim, për të futur tekstin, për faqosje e për fotoradhitje, po ashtu edhe si të rregullonin kompjuterat. Në Filipine procesi i stërvitjes ndërlikohet nga numri i madh i gjuhëve që përdoren. Vetë Kulla e Rojës përgatitet në shtatë gjuhë, pa përfshirë anglishten. MEPS-i është mjaft i përshtatshëm për këtë punë.

Pati përmirësim të dukshëm në cilësinë e botimeve që u prodhuan. Në lidhje me ata që bëjnë shtypjen, Cezar Kastelanoja, një punëtor në fabrikë, thotë: «Shumica e vëllezërve tanë janë bujq. Disa nuk kishin ndonjë mjeshtëri teknike. Është mbresëlënëse të shohësh si Jehovai përmes frymës së tij i nxit vëllezërit të aftësohen të bëjnë shumë gjëra, ku futet edhe puna për shtypjen.» Vëllezërit mësuan dhe lajmëtarët morën botimet, të cilat po bëheshin gjithnjë e më tërheqëse. Por, kishte një dobi edhe më të rëndësishme, dobia frymore, e cila u bë e mundur nga këto përparime teknologjike në metodat e shtypjes.

Ushqim frymor në të njëjtën kohë

Kur revistat për Filipinet shtypeshin në Bruklin duheshin gjashtë muaj a më tepër, në mënyrë që çka dilte në revistat në anglisht të botohej në gjuhët e Filipineve. Megjithëse revistat përktheheshin në vend, dërgimi lart e poshtë i dorëshkrimeve dhe i kopjeve provë dhe më në fund transportimi i revistave të shtypura merrte mjaft kohë. Kur në vitet 70 shtypja e revistave u zhvendos në Filipine, kursehej koha, por revistat ende ishin gjashtë muaj prapa në krahasim me numrat në anglisht. Shumë nga vëllezërit filipinas mendonin: ‘A nuk do të ishte e mrekullueshme, sikur t’i kishim revistat në gjuhën vendëse në të njëjtën kohë me anglishten?’ Për vite të tëra kjo ishte veç një ëndërr.

Megjithatë, me shpikjen e MEPSIT dhe me procedurat e prodhimit të përshtatura sipas tij, ajo që më parë kishte qenë një ëndërr u bë realitet. Trupi Udhëheqës e kuptoi se studimi i të njëjtit material në të njëjtën kohë do të kishte ndikim të fuqishëm bashkues në gjithë popullin e Jehovait. Ndoqën këtë synim dhe në janar të vitit 1986 Kulla e Rojës ishte në dispozicion njëkohësisht me anglishten në katër gjuhë vendëse: cebuane, hiligainone, iloke dhe tagaloge. Së shpejti kjo u bë edhe në gjuhë të tjera. Më pas, ç’surprizë e këndshme ishte kur në kongreset e vitit 1988 u mor libri Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër! në tri gjuhë vendëse në të njëjtën kohë me botimin në anglisht. Vëllezërit ishin të gëzuar, jo vetëm pse kishin literaturë me cilësi më të lartë, të cilën do t’ua ofronin të interesuarve, por edhe se mund të nxirrnin dobi nga i njëjti program i ushqimit frymor në të njëjtën kohë me pjesën më të madhe të vëllezërve anembanë botës.

Këto përmirësime në botimet tona të shtypura ndodhën në kohën kur në disa pjesë të vendit gjendja ishte e trazuar. Botimet theksonin nevojën e vazhdueshme që të gjithë ta bënin Jehovain kalanë e tyre.

Ndeshjet e ushtarakëve me rebelët

Në vitet 80 në shumë zona të vendit veprimtaritë e grupeve rebele u intensifikuan. Disa grupe ishin lidhur me lëvizjen komuniste. Ndeshjet midis trupave qeveritare dhe forcave kryengritëse u bënë edhe më të zakonshme. Këto konflikte shpesh vunë në provë besimin e vëllezërve te Jehovai.

Në një zonë ku ishte një kongregacion me 62 lajmëtarë, një mëngjes vëllezërit sapo u zgjuan panë rebelët e ushtarakët që po rreshtoheshin për betejë. Shtëpitë e vëllezërve ishin mu në mes të palëve ndërluftuese. Njëri nga pleqtë shkoi te rebelët dhe një tjetër te trupat qeveritare. U kërkuan të dyja palëve të mos luftonin atje për hir të numrit të madh të civilëve që do të dëmtoheshin nga kjo. Kërkesa e tyre u shpërfill. Meqë nuk kishin mundësi të iknin, vëllezërit u mblodhën në Sallën e Mbretërisë. Një plak i përfaqësoi të gjithë në një lutje që ishte mjaft e gjatë dhe u bë me zë të lartë, aq sa ta dëgjonin dhe trupat qeveritare jashtë. Kur vëllezërit hapën sytë panë se të dyja palët kishin shkuar diku tjetër dhe nuk po bëhej asnjë betejë. Këta vëllezër ishin të bindur se Jehovai i kishte mbrojtur.

Dionisio Karpenteroja, i shoqëruar nga e shoqja, ka qenë mbikëqyrës udhëtues për më se 16 vjet. Ai e kujton ende çfarë ndodhi gjatë vitit të parë në veprën qarkore, në provincën e Negros-Orientalit, në Filipinet Jugqendrore. Ai rrëfen: «Vizituam kongregacionin Linantujan. Ishim të kënaqur, sepse të mërkurën 40 lajmëtarë erdhën me ne për të shkuar në shërbim. Por nuk e dinim që forcat rebele po vëzhgonin çdo lëvizje që bënim. Vendi ku fshiheshin ata ishte afër Sallës sonë të Mbretërisë. Katër prej tyre, në orën 16.00, shkuan tek vendi ku strehoheshim që të hetonin për ne. Atje një plak u shpjegoi se unë isha mbikëqyrës qarkor dhe e vizitoja kongregacionin e tyre çdo gjashtë muaj.»

Me sa duket ata burra nuk e besuan shpjegimin. Në vend të kësaj dyshuan se Dionisio ishte ushtarak dhe e urdhëruan plakun që ta sillte jashtë e kështu ta vritnin. Plaku u përgjigj se duhej të vritnin atë më parë. Ata u larguan.

Dionisio vazhdon: «Tërë natën lehën qentë, çka tregonte praninë e rebelëve. U lutëm katër herë atë natë, duke i kërkuar Jehovait që të na drejtonte. Pastaj, megjithëse ishte stina e thatë, ra shumë shi. Burrat që po pritnin të na vritnin u larguan.»

Të dielën, pas mbledhjes, Dionisio i njoftoi pleqtë se ai dhe e shoqja do të shkonin në kongregacionin tjetër. Por, për të bërë këtë, ata duhej të kalonin nga vendi ku fshiheshin rebelët. «Njëri nga rebelët po shikonte që jashtë nga dritarja,—thotë Dionisio.—Ne madje i thamë atij që po iknim. Prapëseprapë, në orën 8.00 të mbrëmjes rebelët shkuan në Sallën e Mbretërisë të na kërkonin. Plaku u tha se ne kishim ikur tashmë dhe madje kishim kaluar nga vendi ku rrinin ata. Çuditërisht ata nuk na kishin parë. Nga kjo përvojë mësuam të kemi besim te Jehovai dhe të jemi të guximshëm përballë vështirësive.» Dioniosio, së bashku me të shoqen, vazhdon me gëzim shërbimin e tij.

Konflikte të tilla nganjëherë e bëjnë të vështirë dhënien e dëshmisë. Të jesh në këto vende në momentin e gabuar mund të nënkuptojë të gjendesh në mes të zjarrit. Sidoqoftë, në disa raste ose njëra, ose tjetra palë i ka njoftuar vëllezërit se së shpejti do të ketë konflikte. Kur ndodh kjo, derisa të mbarojnë luftimet, vëllezërit zgjedhin një vend më të qetë për të dhënë dëshmi. Megjithëkëtë, vepra e dhënies së dëshmisë për Mbretërinë vazhdon dhe vëllezërit kanë mësuar të mbështeten te Jehovai.

Sprova të asnjanësisë

Jezui tha në lidhje me ithtarët e tij: «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14) Ashtu si në kombe të tjera, Dëshmitarët e Jehovait në Filipine kanë qëndruar larg politikës së botës dhe konflikteve të armatosura. Ata nuk ‘kanë marrë shpatën’, në vend të kësaj i kanë ulur armët dhe kanë ndjekur udhën e paqes, siç i ka mësuar Jehovai. (Mat. 26:52; Isa. 2:4) Ky qëndrim asnjanës është shumë i njohur në mbarë Filipinet dhe njerëzit pavarësisht se cilës palë i përkasin e dinë mirë se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të rrezikshëm për ta. Sidoqoftë, ka pasur raste kur shërbëtorëve të Jehovait u është dashur të tregojnë qartë qëndrimin e tyre për çështjet në fjalë. Kjo ka qenë mbrojtje për ta.

Duke qenë mbikëqyrës udhëtues, Uilfredo Arelanoja ka përvojë të madhe, pasi ka shërbyer në territore nga më të ndryshmet, disa prej të cilëve të qetë, të tjerë jo dhe aq të qetë. Më 1988 vizitoi një kongregacion në Filipinet Jugqendrore. Atje vëllezërve iu ishte bërë presion nga kryengritësit që të bashkoheshin me ta në rebelimin kundër qeverisë. Vëllezërit refuzuan me vendosmëri.

Uilfredoja rrëfen çfarë ndodhi: «Gjatë vizitës sime trupat qeveritare vepronin në territorin e kongregacionit. Ato donin t’i organizonin banorët e atjeshëm në një grup forcash rezerviste për t’u ndeshur me kryengritësit. Në një takim me përfaqësuesit e qeverisë vëllezërit patën mundësinë të shpjegonin pse ata nuk do të bashkoheshin as me kryengritësit, as me një grup qeveritar rezervistësh. Ndonëse disa banorë të atjeshëm ishin kundër qëndrimit tonë, zëdhënësi i qeverisë na respektoi.»

Uilfredoja rrëfen çfarë ndodhi pas kësaj: «Pas mbledhjes, gjatë rrugës për në fermën e tij, një vëlla hasi një grup me burra të armatosur rëndë që kishin dhe dy të burgosur me sytë të lidhur. E pyetën a kishte marrë pjesë në takimin me përfaqësuesit e qeverisë dhe ai me sinqeritet u përgjigj se kishte marrë pjesë. Burrat e armatosur donin të dinin nëse ai ishte bashkuar me forcat rezerviste. Ai nuk e kishte bërë këtë dhe u shpjegoi qëndrimin e tij asnjanës. Kështu që e lejuan të vazhdonte rrugën për në shtëpi. Pas pak minutash dëgjoi dy të shtëna dhe e kuptoi se i kishin ekzekutuar dy të burgosurit me sytë e lidhur.»

Në vitet 70 dhe në fillim të viteve 80, ligji filipinas e bëri votimin të detyrueshëm për të gjithë shtetasit. Shkelësit e këtij ligji burgoseshin. Kjo i dha popullit të Jehovait mundësinë të tregonte besnikërinë ndaj Perëndisë. Ashtu si vëllezërit e tyre të krishterë përreth botës, shërbëtorët e Jehovait në Filipine kanë mbajtur pozitën asnjanëse për çështjet politike, duke mos ‘qenë pjesë e botës’.—Gjoni 17:16.

Pas një ndryshimi në qeveri në vitin 1986, kushtetuta e vendit u rishikua dhe u hoq detyrimi për të votuar. Kjo i ka bërë gjërat më të lehta për vëllezërit. Pavarësisht nga kjo, shumë prej tyre hasën sprova të tjera, sidomos ata në moshë shkollore.

‘Nuk do të mësojnë më luftën’

Irenë Garsia u rrit në Lusonin Qendror, në provincën e Pampangës. Ajo përballoi një problem që ende është një sprovë për shumë të rinj. Stërvitja ushtarake është e detyruar në shkollë të mesme. Megjithatë, nxënësit që janë Dëshmitarë të Jehovait kanë vendosur personalisht që nuk mund të marrin pjesë në një program, i cili mëson udhën e luftës. Së pari, Irena iu lut Jehovait për ndihmë. Pastaj, duke pasur në mend tre të rinjtë besnikë hebrenj në kohën e profetit Daniel, shkoi vetë tek komandanti i stërvitjes ushtarake dhe i kërkoi të mos merrte pjesë në stërvitje. (Dan., kap. 3) Edhe pse nuk e kuptoi plotësisht pozitën e saj, ai e falënderoi për shpjegimin që i dha. Megjithatë, i tha se si pasojë që nuk merrte pjesë në stërvitjen ushtarake, ajo do të merrte një notë të ulët. Irena u përgjigj: «S’ka gjë. Do të përpiqem të bëj më të mirën time në lëndët e tjera.» I dhanë detyra të tjera në vend të stërvitjes ushtarake. Ajo tha: «Kjo bëri që fëmijët e tjerë të Dëshmitarëve të mos kishin problem për të kërkuar leje që të mos merrnin pjesë në stërvitjen ushtarake dhe prapëseprapë unë u diplomova si një nga dhjetë nxënësit më të mirë.»

Jo të gjithë komandantët e stërvitjes ushtarake e kanë lejuar mospjesëmarrjen. Disa ua kanë bërë të vështirë nxënësve që të diplomohen. Pavarësisht nga kjo, duke iu përmbajtur fort parimeve të Jehovait mijëra të rinj kanë nxjerrë këtë mësim të rëndësishëm: marrja e qëndrimit të vendosur në anën e Mbretërisë së Jehovait dhe mbajtja e asnjanësisë për çështjet e kësaj bote sjell mbrojtjen dhe bekimin e Jehovait.—Prov. 29:25.

Rritet numri i kongreseve

Tani le t’u hedhim një sy grumbullimeve frymore të popullit të Jehovait. Këto janë gjithnjë raste të gëzueshme. Meqë në vend kishte pak Dëshmitarë para Luftës II Botërore, deri pas luftës nuk kishte asnjë grumbullim të madh. Megjithëkëtë, u bënë përpjekje që t’u jepej zemër vëllezërve me këtë mënyrë. Në të vërtetë, Libri vjetor 1941 fliste për një kongres që u mbajt në Manilë në mars të 1940-s.

Ndoshta ju kujtohet që Jozef dos Santosi u burgos nga japonezët. Përfundimisht u lirua nga forcat amerikane në fillim të vitit 1945. Ai ishte tepër i interesuar për mirëqenien frymore të vëllezërve, shumë prej të cilëve ishin të rinj në organizatë. U morën masa për t’i ndihmuar vëllezërit si t’ua mësonin me efektshmëri të tjerëve të vërtetat e Shkrimeve me anë të studimeve biblike në shtëpi. Asambleja kombëtare e mbajtur në Lingajen, Pangasinan, aty nga fundi i 1945-s ishte një mënyrë për ta bërë këtë. Afro 4.000 veta ishin të pranishëm, çka tregonte sa i madh ishte interesi në atë kohë. Sa rast i gëzueshëm ishte tani që dhe lufta kishte mbaruar!

Që nga ai çast e më pas pjesëmarrja në kongrese u rrit vazhdimisht, teksa shtohej edhe numri i lajmëtarëve. Gati 17 vjet më vonë, ata 4.000 të pranishëm u bënë 39.652. Veç kësaj, u mbajtën kongrese, jo vetëm në një vend, por në shtatë. Brenda 15 vjetëve të tjerë që pasuan (1977) pjesëmarrja në kongresin krahinor e kaloi shifrën 100.000. Në atë kohë u mbajtën 20 kongrese përreth vendit. Tetë vjet më vonë pjesëmarrja ishte mbi 200.000 veta dhe në 1997 numëroheshin më shumë se 300.000 të pranishëm në kongreset krahinore. Për vitin 2002, ishte e mundur të programoheshin 63 kongrese. Ky është numri më i madh i kongreseve që janë mbajtur ndonjëherë. Udhëtimi përmes ishujve mund të jetë me sfida e ndonjëherë edhe i kushtueshëm. Duke i bërë kongreset në më tepër vende kjo bën që vëllezërit të jenë më afër vendit të kongresit dhe ta kenë më të lehtë të marrin pjesë në to. Si rrjedhim më shumë veta po nxjerrin dobi nga këto gosti frymore.

Jehovai bekon përpjekjet për të marrë pjesë

Nuk ka qenë e lehtë të merrje pjesë në asamble e në kongrese. Në vitin 1947 në pjesën veriore të vendit vëllezërit lundruan në Lumin Abra me dy trape që të merrnin pjesë në një asamble qarkore në Vigan, në breg të lumit. Në grykë të lumit ata i zbërthyen trapet dhe e shitën drurin për të blerë biletat e autobusit, që do t’i çonte prapë në shtëpi përmes maleve, pas mbarimit të asamblesë. Ata sollën me vete torba të mëdha me oriz, dengje me dru, rrogozë për të fjetur, shumë fëmijë, dhe buzëqeshje të ngrohta që sa vinin e bëheshin më të ngrohta gjatë asamblesë. Me orizin, me drutë e zjarrit, mangallin dhe rrogozin për të fjetur, plotësuan të gjitha nevojat e tyre materiale.

Në vitin 1983 një grup nga kongregacioni i Kaburanit në provincën e Davao-del-Surit në Filipinet Jugore ecën për tri ditë përmes terrenit malor për të arritur në një stacion motoskafi. Pastaj për një ditë tjetër ata udhëtuan me motoskaf deri në qytetin e kongresit. Panë se ia vlejtën përpjekjet dhe shpenzimet për shoqërinë e gëzuar të të tjerëve në kongresin krahinor «Bashkimi i Mbretërisë».

Në vitin 1989 një familje me dy fëmijë, njëri dy dhe tjetri katër vjeç, ecën rreth 70 kilometra nga qyteti El-Nido i Palavanit për të marrë pjesë në një asamble qarkore. Iu deshën dy ditë të ecnin përmes xhunglës, ku shtigjet e përcaktuara qartë janë të pakta. Kur ecnin duhej të hiqnin shushunjat nga trupi. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjatë të dyja ditëve binte shi pareshtur. Kishte shumë përrenj e lumenj që duheshin kaluar, por nuk kishte asnjë urë. Me gjithë këto vështirësi familja mbërriti shëndoshë e mirë. Sa shumë që u kënaqën nga shoqëria me vëllezërit atje!

Në zona të tjera burimet financiare të kufizuara e bëjnë të vështirë për familjet që të kenë mjaft para sa për të marrë pjesë në kongrese. Ramon Rodriguezi në vitin 1984 hasi këtë problem. Ai jeton bashkë me familjen në ishullin Polijo, në bregdetin lindor të Lusonit. Ramoni është peshkatar. Pas një jave do të kishin kongresin, por familja e tij prej shtatë vetash kishte aq para sa mund të merrte pjesë vetëm një njeri. Ata iu lutën Jehovait për këtë dhe më pas Ramoni bashkë me të birin 12-vjeçar dolën për peshkim. Vozitën në det dhe hodhën rrjetat, por pa sukses. Pas ca kohësh djali nguli këmbë që të ktheheshin më afër shtëpisë e të provonin ende. Atje provuan edhe një herë. Ramoni thotë: «Nuk e pritnim, por kur i ngritëm rrjetat ishin plot me peshq, kishte kaq shumë sa u mbush varka.» Kishin kapur mbi 500 kilogramë peshq. Nga shitja e peshqve kishin para më tepër se ç’duheshin që gjithë familja Rodriguez të merrte pjesë në kongres.

Natën e ardhshme vëllezër të tjerë, të cilët donin të merrnin pjesë në kongres i hodhën rrjetat në të njëjtën zonë dhe kapën 100 kilogramë peshq të tjerë. Ramoni shton: «Peshkatarët që nuk ishin Dëshmitarë, të cilët shkuan e hodhën rrjetat e tyre në të njëjtën kohë mbetën të habitur, sepse ata nuk kapën as edhe një peshk të vetëm. Ata thanë: ‘Perëndia i tyre i bekoi ata, sepse do të marrin pjesë në kongres.’» Vazhdimisht, familjet filipinase kanë mësuar se të vësh në vend të parë në jetë gjërat frymore dhe të veprosh në përputhje me lutjet e tua sjell gëzim dhe bekimin e Jehovait.

Kongrese të jashtëzakonshme

Populli i Jehovait kudo në botë i kujton me dashuri kongreset e kaluara. Kështu është edhe për vëllezërit në Filipine. Ndonëse të gjitha programet e kongreseve çmohen shumë, disa marrin domethënie të veçantë dhe lënë mbresa më të thella në zemër e në mendje. Disa herë këto janë grumbullime ndërkombëtare ose, ndoshta, kongrese në të cilat misionarët kthehen në vendet e tyre dhe i ndajnë përvojat nga vendet ku shërbejnë me ata që janë mbledhur.

Siç u vërejt më parë, ka mjaft filipinas, vëllezër e motra, që shërbejnë si misionarë në kombet e tjera aziatike dhe në ishujt e detit. Në disa raste, Dëshmitarët përreth botës kanë dhënë kontribute për fonde që ndihmojnë misionarët të kthehen në vendet amtare dhe të marrin pjesë në kongreset atje. Edhe vëllezërit filipinas kanë nxjerrë dobi nga kjo masë e dashur. Në vitet 1983, 1988, 1993 dhe 1998 shumë prej tyre u ndihmuan të ktheheshin në Filipine për të gëzuar kongreset bashkë me familjet dhe miqtë e tyre. Raportet e vitit 1988 tregojnë se 54 misionarë që shërbenin në 12 vende u kthyen në Filipine për kongreset. Në atë kohë, këta 54 kishin mesatarisht 24 vjet në shërbimin e plotkohor. Të gjithë i pëlqyen shumë përvojat dhe shprehjet e tyre të veçanta që u dhanë në program.

Të tjerë i kujtojnë kongreset për ngjarjet që lidhen me to dhe për vendosmërinë e vëllezërve për të vazhduar me gjithë vështirësitë. Për shembull, pikërisht para Kongresit Krahinor «Paqja Hyjnore» të vitit 1986, në qytetin e Surigaos në Mindanao një tajfun me shpejtësi ere 150 kilometra në orë goditi qytetin. Çatia e stadiumit u dëmtua rëndë. Qytetit iu pre krejt energjia elektrike dhe nuk kishte deri pas kongresit. Duhej të shkonin të mbushnin ujë gjashtë kilometra larg qytetit. Kjo nuk i pengoi Dëshmitarët që të mblidheshin së bashku. Vëllezërit shpëtuan çka kishte mbetur nga platforma dhe e ngritën platformën brenda një palestre me vende për spektatorë pranë stadiumit. Morën me qira një gjenerator që të siguronte energji për disa drita, për sistemin akustik dhe një frigorifer për restorantin. Edhe pse mendohej se do merrnin pjesë 5.000 veta, një maksimum prej 9.932 të pranishmish gëzuan kongresin. Këta pa dyshim nuk ishin të krishterë vetëm për kohë të mira.

Veçanërisht kongreset ndërkombëtare kanë qenë të paharrueshme. Trupi Udhëheqës mori masa që të mbaheshin kongrese ndërkombëtare në Manilë në vitin 1991 dhe në vitin 1993. Delegatët bënë shumë përshtypje në qytet. Sa shkëmbim i mrekullueshëm inkurajimi që ishte ky për vëllezërit e motrat në Filipine, shumica e të cilëve nuk kanë mundësi për të udhëtuar e për të vizituar vendet e tjera! (Rom. 1:12) Delegatëve të vendeve të tjera u la mbresa mikpritja e ngrohtë dhe miqësore që u treguan atyre vëllezërit filipinas. Një çift nga Shtetet e Bashkuara shkroi: «Ju japim falënderimet tona të veçanta për pritjen tuaj të ngrohtë. Na pritët të gjithëve me krahë hapur dhe na përqafuat me shumë dashuri.»

Më 1993 u përdorën stadiume në tri vende në Manilë dhe sa herë që një anëtar i Trupit Udhëheqës mbante një fjalim, të trija vendet lidheshin me sistem telefonik. Sa të emocionuar ishin delegatët kur doli Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën tagaloge. Një motër e re tha: «U mbusha me gëzim. Kisha shpresuar shumë që ta kishim një ditë Përkthimin Bota e Re në gjuhën tagaloge. Ç’surprizë e këndshme ta merrje atë!»

Në vitin 1998 ndodhi e kundërta. Për herë të parë që nga 1958-a, Filipinet u ftuan të dërgonin delegatë në vende të tjera. Kështu që 107 veta shkuan në Bregdetin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara për një kongres të atjeshëm. Në shtator, 35 të tjerë patën privilegjin të merrnin pjesë në një kongres ndërkombëtar në Kore. Këto kongrese me të vërtetë kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të arsimuar dhe bashkuar popullin e Jehovait dhe për t’i ndihmuar të gjithë ta bëjnë Jehovain kalanë e tyre.

Tani le ta kthejmë vëmendjen drejt veprës së predikimit. Si është kryer ajo në një vend me kaq shumë gjuhë?

Shpallin lajmin e mirë në shumë gjuhë

Siç u përmend më parë, në përgjithësi njerëzit e kanë më të lehtë ta mësojnë të vërtetën në gjuhën amtare. Në Filipine kjo gjë paraqet një sfidë për shkak të gjuhëve të shumta që fliten atje. Gjithsesi, Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur t’i plotësojnë nevojat e njerëzve duke u dëshmuar në gjuhën amtare dhe duke përgatitur literaturë biblike në shumë gjuhë të ndryshme.

Zakonisht, mund t’i dëshmohet një grupi të caktuar gjuhësor nga ata që tashmë e flasin këtë gjuhë. Në disa raste kur ka pak Dëshmitarë që e dinë gjuhën, lajmëtarë dhe pionierë të zellshëm janë përpjekur ta mësojnë atë. Në këtë mënyrë, kanë imituar apostullin Pavël, i cili u bë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji».—1 Kor. 9:22.

Edhe pse Filipinet janë vendi i katërt më i populluar në botë që kanë anglishten si gjuhë zyrtare, për shumicën e njerëzve ajo nuk është gjuha amtare. Jo të gjithë lexojnë mirë në anglisht, prandaj nevojiten botime në disa gjuhë filipinase. Gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë përkthyer botime biblike në të paktën 17 prej këtyre gjuhëve. Disa gjuhë kanë vetëm një a dy broshura, të tilla si tausugu, një gjuhë e popullsisë islame në jug, ose ibanagu që flitet nga një grup i vogël etnik afër skajit më verior të vendit. Në pjesën më të madhe, njerëzit i kuptojnë dhe ndihen mirë me një nga shtatë gjuhët kryesore të vendit. Kulla e Rojës përkthehet dhe shtypet në këto gjuhë. Kështu, programet frymore në Sallat e Mbretërisë ose në asamble dhe në kongrese paraqiten kryesisht në këto gjuhë.

Në vitet e fundit qeveria ka nxitur përdorimin e gjuhës pilipine, e cila në thelb është e njëjtë me gjuhën tagaloge. Gjatë një brezi kanë qenë të dukshme pasojat e kësaj. Ka pasur rritje të madhe në përdorimin e gjuhës pilipine në të folur dhe në shtyp, ndërkohë që ose nuk ka pasur ndonjë ndryshim, ose ka pasur rënie në përdorimin e gjuhëve të tjera. Kjo pasqyrohet dhe në shifrat e shtypjes së Kullës së Rojës. Në vitin 1980, për çdo numër tirazhi i botimit në gjuhën tagaloge ishte 29.667. Në vitin 2000 kjo shifër ishte katërfishuar, duke arritur 125.100 për numër. Gjatë po kësaj kohe, në anglisht ndryshimi ishte minimal dhe në gjuhët e tjera filipinase pati vetëm një rritje të vogël.

Familja Bethel mbështet veprën e predikimit

Rreth 380 shërbëtorë në kohë të plotë shërbejnë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Keson-Siti, pjesë e një qyteti konglomerat, të quajtur Manila metropolitane. Një skuadër me 69 veta punojnë për përkthimin dhe redaktimin e botimeve në gjuhën vendëse. Së fundi, një pjesë e kësaj skuadre përfundoi përkthimin e Shkrimeve Hebraike të Përkthimit Bota e Re në tri gjuhë: cebuane, iloke dhe tagaloge. Që prej vitit 1993, kur dolën Shkrimet Greke, vëllezërit po pritnin me padurim të kishin të plotë Përkthimin Bota e Re. Sa të emocionuar ishin që morën këtë Bibël në gjuhën tagaloge, kur doli si një botim i ri në një kongres krahinor, në fund të vitit 2000! Brenda pak kohësh u pasua nga botimet në gjuhën cebuane dhe iloke. Me qindra mijë njerëz në territor tani mund të nxjerrin dobi nga ky përkthim i qartë, i saktë dhe koherent i Shkrimeve të Shenjta.

Anëtarët e familjes Bethel në Filipine kanë formime të ndryshme dhe flasin 28 gjuhë e dialekte të ndryshme. Kështu që shumë prej tyre janë mjaft të kualifikuar për të përkthyer botimet e bazuara në Bibël. Gjithsesi, përkthimi është vetëm një pjesë e punës që bëhet në Bethel.

Vullnetarët në Bethel kryejnë punë të shumëllojshme që mbështetin veprën tepër të rëndësishme të predikimit. Disa vëllezër shtypin revistat dhe literaturë tjetër. Gjithashtu, vullnetarët e shpërndajnë atë në pika të ndryshme në Luson. Shumë prej tyre bëjnë punë që mbështetin shtëpinë Bethel të tilla, si: mirëmbajtja e pajisjeve, gatimi e pastrimi. Të tjerë janë caktuar në Repartin e Shërbimit, ku mbajnë korrespondencë në shumë gjuhë, me qëllim që të ndihmojnë kongregacionet, mbikëqyrësit udhëtues dhe shërbëtorët në kohë të plotë për shërbimin në fushë. Mund ta merrni me mend sa shumë letra merren nga afro 3.500 kongregacione anembanë arkipelagut!

Që kur u hap për herë të parë zyra e degës në 1934-n deri në mesin e viteve 70, veprimtaritë e degës mbikëqyreshin nga një shërbëtor dege ose mbikëqyrës dege. Pasi Jozef dos Santosi u kthye prapë në Havai, Ërl Stjuarti, një misionar nga Kanadaja, pati këtë përgjegjësi për gati 13 vjet. Pas kësaj dy vëllezër të tjerë shërbyen për pak kohë. Pastaj, në vitin 1966, Denton Hopkinsoni që kishte mbërritur më 1954 u caktua si mbikëqyrës dege. Ai shërbeu me zell afro dhjetë vjet, derisa organizata e Jehovait e pa të përshtatshme të bënte një organizim të ri për mbikëqyrjen e degëve përreth botës.

Në përputhje me udhëzimet për degët kudo në botë, në shkurt të vitit 1976 mbikëqyrja u kalua nga një burrë i vetëm në një komitet dege. Ky grup burrash të kualifikuar, duke punuar nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, do të ishin përgjegjës për vendimet që ndikojnë në veprën e shërbimit në fushë dhe në zyrën e degës. Fillimisht, komiteti i degës në Filipine përbëhej nga pesë anëtarë. Më vonë, meqë në fillim shumica e anëtarëve të komitetit ishin misionarë të huaj, u pa me vend të shtohej numri i vëllezërve filipinas. Kështu për ca kohë komiteti u shtua e u bënë shtatë veta.

Shumë shpejt u panë përparësitë e këtij ndryshimi në komitetin e degës. Denton Hopkinsoni, që tani shërben si koordinator i komitetit të degës, vëren: «Kur hedh sytë në të kaluarën, sheh se ky ishte një hap i mençur dhe në kohën e duhur. Me tërë atë punë dhe me madhësinë e organizatës, vetëm një njeri nuk mund të mbante dy kunguj nën një sqetull. Tani pesha e përgjegjësive ndahet më mirë.»

Te Proverbat 15:22 thuhet: «Planet . . . realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.» Të këshillohesh me të tjerët sjell si rezultat një burim të vlefshëm mençurie. Komiteti i degës në Filipine zbaton këtë parim. Që kur vëlla Hopkinsoni u caktua si mbikëqyrës dege, u dhjetëfishua numri i anëtarëve të Bethelit e po kështu edhe puna. Tani komiteti i degës përbëhet nga pesë anëtarë që kanë një kohë të gjatë në shërbim të Jehovait. Secili prej tyre ka kaluar mesatarisht mbi 50 vjet në shërbimin e plotkohor. Sigurisht që përvoja e tyre, e mbledhur bashkë, ka qenë e dobishme, ndërkohë që anembanë në gjithë ishujt vepra ka përparuar me vrull nën dorën drejtuese të Jehovait. Komiteti i degës dhe të gjithë në familjen Bethel e shohin si një privilegj madhështor mbështetjen e kësaj vepre.

Çojnë të vërtetën te «njerëz të çdo lloji»

Kryerja e veprës së predikimit është vërtet në përputhje me vullnetin e Perëndisë që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Çfarë ‘lloj’ njerëzish kanë ndihmuar predikuesit e zellshëm kudo në Filipine?

Marloni ishte lloji i njeriut që gjithnjë futej në telashe. Në fshatin e tij njihej si një burrë me shumë vese: pinte duhan, dehej, drogohej, dhe merrej me shoqëri të këqija. Kur erdhën Dëshmitarët, nëna e Marlonit tregoi interes për mesazhin e Mbretërisë. Pionierët ecnin në rrugë me pluhur e me baltë për të bërë studim me të. Në fillim Marloni nuk tregoi interes për të marrë pjesë në studim, por veç ndalonte tek e ëma me raste. Sidoqoftë, vëllezërit që bënin studim me të ëmën treguan interes për Marlonin. Me kalimin e kohës ai jo vetëm që filloi të studionte, por edhe i preu flokët e gjata deri në mes që të merrte pjesë në mbledhjen e tij të parë në Sallën e Mbretërisë. Ai bëri përparim të shpejtë dhe njerëzit ishin të befasuar nga ndryshimet e mëdha që bëri në mënyrën e të jetuarit. Marloni tani shërben në kohë të plotë, si pionier, duke u çuar të tjerëve të vërtetën. Çfarë e motivoi të pranonte të vërtetën? Ai tha se këmbëngulja e pionierëve që vinin për të studiuar me të ëmën e bindi se ata kishin të vërtetën.

Ndoshta disa nuk duken si lloji i njerëzve që janë të prirur ta pranojnë të vërtetën. Pavarësisht nga kjo, predikuesit e lajmit të mirë nuk i paragjykojnë njerëzit, por u japin mundësinë të dëgjojnë. Në ishullin e vogël të Marindukes një pioniere speciale dëshmoi në një shtëpi. Kur mbaroi, pyeti a jetonte ndokush tjetër atje. E zonja e shtëpisë u përgjigj se jetonte dikush në katin e sipërm, por shtoi: «Mos u mundo të shkosh! Ai është i dhunshëm dhe merr zjarr shpejt.» Megjithatë, pionierja mendoi se burrit i duhej dhënë mundësia për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë. Pasi u ngjit lart dhe shkoi te dera, pionieres iu duk sikur burri kishte pritur që të vinte ajo. Me një buzëqeshje në fytyrë, ajo i ofroi një studim biblik falas. U befasua që burri, Karlosi, dukej i kënaqur me ftesën. U fillua një studim biblik me të dhe me të shoqen.

Gjatë vizitës së dytë të pionieres, Karlosi i tregoi se ai dhe e shoqja kishin probleme të rënda, e madje ishin orvatur të vritnin veten. Kur pionierja për herë të parë kishte bërë vizitë një kat më poshtë, Karlosi kishte vënë veshin mbi dysheme dhe kishte dëgjuar të zonjën e shtëpisë që po e shkurajonte pionieren për të mos shkuar sipër. Kur dëgjoi këtë, ai u lut që pionierja mos ia vinte veshin asaj këshille dhe të ngjitej lart, se ndoshta kjo ishte përgjigjja për kërkesën e tyre që të kishin paqe mendore. Studimi i Biblës u solli vërtet paqe mendore. U pagëzuan të dy së bashku dhe gruaja e Karlosit tani shërben si pioniere e rregullt.

Një burrë tjetër, me emrin Viktor, ishte njohur edhe me mësimet budiste, edhe me ato katolike. Ai nisi të pyeste veten pse ka kaq shumë fe në botë. Ai vetë filloi të kërkonte të vërtetën. Pasi shqyrtoi islamizmin, hinduizmin, shintoizmin, konfucianizmin, teorinë e evolucionit dhe filozofi të tjera, ai pa se asnjëra prej tyre nuk e kënaqte. Gjatë kërkimit të tij, vërejti se vetëm Bibla përmbante profeci të sakta. Kështu që i përqendroi kërkimet në Bibël. Nga një shqyrtim i Shkrimeve ai dhe mikja e tij, Maribela, arritën vetë në përfundimin që Triniteti, zjarri i ferrit dhe purgatori janë mësime të rreme. Përsëri, dukej se mungonte diçka.

Ca kohë pasi ai dhe Maribela ishin martuar, Viktori foli me një Dëshmitar dhe mësoi se duhet të përdoret emri i Perëndisë. Pasi e kontrolloi këtë në Biblën e tij, Viktori menjëherë filloi të përdorte emrin e Jehovait në lutjet e tij. Pas pak kohësh ai po ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe po bënte përparim të shpejtë frymor. Të dy me Maribelën u pagëzuan në maj të vitit 1989 dhe Viktori tani shërben si mbikëqyrës udhëtues për t’u dhënë zemër kongregacioneve.

Pionierët i kanë ndihmuar njerëzit në gjithfarëlloj rrethanash. Primitiva Lakasandile, pioniere speciale në pjesën jugore të Lusonit, filloi studim biblik me një çift në një fshat. Ata kishin dy fëmijë. Ishin të varfër nga gjendja ekonomike. Një herë, kur erdhi Primitiva për të bërë me ta studimin e Biblës, ajo shtangu e tronditur kur e gjeti fëmijën e madh duke qarë, brenda në një thes, të varur në shtëpi. Primitiva thotë: «Nëna mbante në dorë një thikë e ishte gati ta vriste fëmijën. E ndala dhe e pyeta pse do ta bënte këtë. Nëna shpjegoi se ishte për shkak të gjendjes së mjerë financiare.» Primitiva u dha këshilla biblike për problemin e tyre, çka çoi në shpëtimin e jetës së fëmijës. Ata e vazhduan studimin e Biblës dhe nisën të ndiqnin mbledhjet, edhe pse duhej të ecnin tetë kilometra për të arritur në vendin e mbledhjes. Ky çift bëri përparim e të dy u pagëzuan, dhe tani burri është plak kongregacioni. Primitiva thotë: «Fëmija që për pak sa nuk e vranë tani është pionier i rregullt. Vërtet, vepra që Jehovai u ka dhënë shërbëtorëve të tij shpëton jetë njerëzish, tani dhe në të ardhmen.»

Shërbejnë ku ka më shumë nevojë

Ka ende shumë zona ku predikuesit e Mbretërisë janë të paktë. Disa pionierë dhe lajmëtarë kanë shkuar vullnetarisht në këto vende. Paskual e Maria Tatoi shërbenin si pionierë të rregullt. Ata dolën vullnetarë për të shkuar me një pionier special, Anxhelito Balboan, që të ndihmonin për predikimin në territorin e ishujve Koron, në pjesën perëndimore të Filipineve. Për t’u mbajtur financiarisht Paskuali shkonte për peshk me një vëlla tjetër dhe Maria bënte llapa orizi për t’i shitur.

Kur mbikëqyrësi qarkor i vizitoi, vuri në dukje nevojën që kishte një ishull tjetër, Kulioni. Në atë vend kishte një koloni lebrozësh dhe kishte vetëm katër lajmëtarë. Ai e ftoi çiftin Tatoi të shkonte atje. Paskuali dhe Maria pranuan dhe Jehovai i ka bekuar përpjekjet e tyre. Nga katër lajmëtarë që ishin dikur në Kulion, tani janë bërë dy kongregacione.

Në mes të viteve 70 një mizëri me «njerëz varkash» ia mbathën nga Vietnami. Shumë prej tyre përfunduan në Filipine. Për gati 20 vjet ishin në punë kampet e refugjatëve. Një kamp i madh ndodhej në ishullin e Palavanit. Disa vëllezër filipinas dolën vullnetarë për t’u çuar të vërtetën këtyre njerëzve. Një vëlla që fliste gjuhën vietnameze erdhi nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar. Disa e pranuan të vërtetën në kamp. Të tjerë u njohën me emrin e Jehovait dhe me Dëshmitarët e tij, para se të zhvendoseshin gjetkë.

Pionierët specialë po shërbejnë në shumë zona të thella të Filipineve. Shpesh marrin me vete lajmëtarë dhe pionierë të tjerë kur predikojnë në vende të largëta. Norma Balmaseda tregon për predikimin në provincën malore të Ifugaos. Ajo thotë: «Zakonisht shkojmë të hënave, marrim çantat e shërbimit plot me literaturë, si edhe veshje e ushqim, që të na mjaftojnë deri të shtunën në mëngjes. Pasdite kthehemi për mbledhjet e kongregacionit.»

Disa kongregacione organizojnë fushata predikimi, sidomos kur moti është i mirë. Ata ndoshta kalojnë disa ditë ose një javë duke shkuar nëpër territore në zonat fshatare. Nikanor Evanhelista, që tani shërben në Bethel, kujton kohën kur bënte një vepër të tillë. Ai thotë: «Në zonat fshatare filipinasit e kanë zakon që, nëse janë të interesuar, ata të thonë: ‘Mund të flini këtu me ne. Mund të gatuani këtu.’ Nganjëherë pionierët studionin Biblën natën vonë me të interesuarit, sepse flinin atje.»

Etat mësojnë të vërtetën

Gjatë përpjekjeve për t’u dëshmuar njerëzve të çdo lloji, shërbëtorët e Jehovait kanë pasur njëfarë kontakti me etat ose siç quhen ndryshe negritot. Etat mbahen si banorët autoktonë të Filipineve. Janë disi të paktë në numër dhe nuk është gjithnjë e lehtë të takohesh me ta. Kjo, sepse shumë prej tyre jetojnë si nomadë në pyjet e maleve dhe gjuajnë kafshë për ushqim ose kërkojnë fruta të egra e perime. Në disa gjëra ngjajnë me pigménjtë e Afrikës, pasi janë më të shkurtër se një metër e gjysmë dhe kanë lëkurë me ngjyrë të errët e flokë kaçurrelë. Disa janë shkrirë me jetën e qyteteve dhe disa të tjerë janë ngulitur me vendbanime më të qëndrueshme pranë zonave të populluara. Shumë prej tyre banonin në malet përreth malit Pinatubo, por u shpërngulën kur atje shpërtheu vullkani.

Një grup tjetër etash jetojnë në ishullin Panai të Filipineve Qendrore. Lodibiko Inoja dhe familja e tij janë eta nga kjo zonë. Zbatimi i parimeve të Biblës solli shumë ndryshime për Lodibikon. Ai rrëfen: «Më parë kisha shumë vese: përtypja arrën e betelit, pija duhan, përdorja pije alkoolike, luaja bixhoz. Isha edhe tepër i dhunshëm. Bënim një jetë familjare të mjerë. Po të mos i kisha lënë ato vese, ndoshta tashmë do të kisha humbur jetën. Tani trupi im është bërë i pastër. Dhëmbët e mi që ishin të nxirë janë bërë të bardhë. Jam plak në kongregacion. Gjithë këto bekime i kam marrë nga Perëndia Jehova.» Ashtu si kjo familje etash, edhe njerëzit e fiseve të vogla kanë përjetuar lirinë që vjen kur ndjek udhën e Jehovait.—Gjoni 8:32.

U sjellin lirinë atyre që nuk janë të lirë

Një lloj tjetër njerëzish, të cilëve u është dhënë ndihmë janë të burgosurit. Që nga vitet 50 Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë një përpjekje të veçantë për të vizituar ata që rrinë pas hekurave. Një mori njerëzish janë ndihmuar të pranojnë udhën e së vërtetës.

Kur ishte i ri, Sofronio Hainkadtoja u përfshi në rebelimin kundër qeverisë. Ai u arrestua dhe u dënua me gjashtë vjet burg. Ndërkohë që ishte në burgun e ri «Bilibid» të Lusonit, vuri re se një i burgosur nuk merrte pjesë në shërbimet fetare që u lejoheshin të burgosurve. Ai mori vesh se burri ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Kjo çoi në diskutime rreth Biblës pothuajse çdo ditë. Sofronioja thotë: «U binda se ajo për të cilën kisha luftuar më parë nuk mund ta ndryshonte me të vërtetë shoqërinë e ta bënte më të mirë.» Ai mësoi se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë ndryshimet e dëshiruara. Me ndihmën e vëllezërve të një kongregacioni aty afër, Sofronioja bëri përparim frymor dhe u pagëzua në një pus të burgut që përdorej për të ujitur bimët.

Pasi vuajti dënimin e tij, Sofronioja përparoi sa u bë pionier i rregullt e më pas pionier special. Gjatë shërbimit në kohë të plotë Sofronioja pati mundësinë të ndihmonte afro 15 njerëz që të pranonin udhën e së vërtetës. Pas martesës pati gjashtë fëmijë. Tre prej tyre tani gëzojnë shërbimin e plotkohor, njëri si mbikëqyrës qarkor. Në vitin 1995 dy nga djemtë e tij morën pjesë në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. E vërteta i solli lirinë e vërtetë Sofronios, familjes së tij dhe të tjerëve që ai ndihmoi.

Pionierët specialë u kanë predikuar të burgosurve në Ivahig, një koloni ndëshkimore në Palavan, dhe në të vërtetë ata u lejuan të ndërtonin një Sallë të vogël Mbretërie pikërisht në pronat e kolonisë. Një i burgosur ishte dënuar për zjarrvënie, vjedhje dhe për vrasjen e disa njerëzve. Sa shumë ndryshoi jeta e tij kur e ndihmuan të zbatonte ato që mësonte nga libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë.

Pas më shumë se 23 vjetësh burgimi u njoftua se do të lirohej së shpejti. Ai shprehu dëshirën të ishte sërish me pjesëtarët e familjes pas gjithë asaj kohe. Megjithatë, familja e tij kishte kaq turp e frikë nga ai, saqë i dërgoi fjalë: «Të lutemi, mos u kthe!» Ata nuk ishin në dijeni të ndryshimeve të jashtëzakonshme që Fjala e Perëndisë kishte sjellë në jetën e tij. Sa u befasuan kur ky i krishterë i qetë e paqësor u kthye në qytetin e lindjes!

Burgu më i madh kombëtar i grave ndodhet në Mandalujong, në Manilën metropolitane. Për shumë vjet Dëshmitarët e Jehovait kishin vetëm hyrje të kufizuar në këtë ndërtesë. Gjithsesi, kjo gjendje ndryshoi kur në këtë burg u transferua një grua, e cila tashmë kishte studiuar Biblën. Autoritetet thanë që duhej të bashkohej me një nga grupet e tjera fetare të atjeshme, por ajo nguli këmbë se nuk mundej, duke shpjeguar se donte të adhuronte Perëndinë vetëm me Dëshmitarët e Jehovait. Autoritetet pranuan dhe i lejuan Dëshmitarët ta vizitonin çdo javë këtë ndërtesë. Që nga ajo kohë, atje janë pagëzuar disa gra. Dhe një kongregacion që është aty afër mban rregullisht Studimin e Kullës së Rojës, si dhe disa mbledhje të tjera për dobinë e grave të interesuara që janë në burg.

Përnjëmend, mesazhi i së vërtetës u ka sjellë liri të pakrahasueshme disa të burgosurve. Gjithashtu, ata janë të çmuar për Jehovain dhe populli i tij është i kënaqur që bën pjesën e tij për të ndihmuar këta njerëz.

Ata që shërbejnë prej kohësh vazhdojnë ende

Një proverb biblik thotë: «Flokët e thinjur janë një kurorë bukurie, kur gjenden në udhën e drejtësisë.» (Prov. 16:31, BR) Po, sa gjë e bukur është të shohësh ata që e kanë bërë gëzimin e Jehovait kalanë e tyre gjatë shumë vjetëve!

Organizata teokratike ishte e vogël në Filipine para Luftës II Botërore. Janë të paktë ata që e kanë filluar shërbimin që në ato kohë. Prandaj merr mjaft zemër kur njihesh me Leodegario Barlaanin. Ai ka qenë në shërbimin e plotkohor që nga viti 1938. Gjatë luftës ai dhe shokët e tij u keqtrajtuan nga japonezët, por vazhduan të predikonin. Pas luftës e vazhdoi shërbimin e plotkohor bashkë me të shoqen, Natividadën, dhe më pas i ftuan në veprën qarkore e krahinore. Më vonë shërbyen si pionierë specialë me kuotë të zvogëluar orësh në provincën e Pangasinanit. Në vitin 2000 Natividada vdiq, kurse Leodegarioja vazhdon në këtë caktim. Gjithsecili merr zemër nga vendosmëria e tij për të bërë atë gjë që ai ka bërë gjithnjë: veprën e predikimit.

Vepra e dhënies së dëshmisë u rrit me të shpejtë pas Luftës II Botërore. Ka shumë veta që e mësuan të vërtetën në atë kohë dhe vazhdojnë të shërbejnë madje deri më sot. Për shembull, gjatë luftës Pasifiko Pantasi lexonte botime biblike që u përkitnin fqinjëve të tij, të cilët ishin Dëshmitarë. Ai thotë: «Fillova të ndiqja mbledhjet. Pas kësaj bëra kërkesën për të shërbyer si pionier i përgjithshëm [tani, i rregullt], por ende nuk isha pagëzuar. Më kërkuan të pagëzohesha e kështu bëra.» Kjo ndodhi në vitin 1946. Gjatë shërbimit si pionier Pasifikoja shkoi në disa pjesë të vendit. Gëzoi edhe privilegje të tjera. Ai thotë: «Më ftuan në klasën e 16-të të Galaadit dhe pata mundësinë të merrja pjesë në asamblenë ndërkombëtare të vitit 1950 në qytetin e Nju-Jorkut. Pas diplomimit shërbeva si mbikëqyrës qarkor në shtetet e Minesotës e të Dakotës Veriore në SHBA. Më pas u ktheva prapë në Filipine për të shërbyer si mbikëqyrës krahinor për krahinën në jug të lumit Pasig, që përfshin gjithë pjesën nga Manila deri në Mindanao.»

Në vitet që pasuan vëlla Pantasi pati shumë caktime të larmishme në Bethel dhe si mbikëqyrës udhëtues. Pastaj, më 1963, Pasifikoja u martua. Ai dhe e shoqja patën fëmijë, kështu që duhej të vendoseshin në një vend e të rritnin fëmijët. Vazhduan t’i shërbenin Jehovait ndërkohë që kujdeseshin për fëmijët e tyre, dhe të tre fëmijët u rritën si lavdërues të Jehovait. Tani që të tre shërbejnë si pleq dhe njëri është diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Një tjetër po shërben në Bethel. Ndonëse në moshë të thyer, vëlla Pantasi vazhdon të ketë ndikim të dobishëm në kongregacion.

Salla të hijshme për të adhuruar Jehovain

Vetëm kohët e fundit populli i Jehovait në Filipine ka pasur Salla Mbretërie si vende për adhurim. Për shumë vjet shumica dërrmuese mblidhej në shtëpitë e vëllezërve. Sigurisht, edhe në shekullin e parë të krishterët përdornin shtëpi për mbledhje. (Rom. 16:5) Megjithatë, në ditët tona, ndërkohë që kongregacionet rriteshin, u bë e dëshirueshme për të pasur vende ku mund të rrinin rehat më shumë njerëz.

Dejvid Ledbetëri tha: «Ishte tepër e vështirë për shumë veta, për shkak të mungesës së burimeve financiare. Edhe në Manilën metropolitane, një qytet i madh, kishim vetëm një Sallë Mbretërie, të ndërtuar në një tokë që e zotëronte kongregacioni. Në çdo vend tjetër ku kishte një Sallë Mbretërie kongregacionet kishin ndërtesën, por nuk zotëronin tokën.» Rrogat e vëllezërve ishin kaq të vogla, saqë kongregacionet nuk mund ta përballonin çmimin e tokës.

Kështu që për momentin vëllezërit bënin si bënin. Çfarëdo ndërtese të kishin ata e ofronin me gatishmëri. Për shembull, Denton Hopkinsoni sjell ndër mend Santos Kapistranon, një vëlla nga Manila që e vuri në dispozicion katin e dytë të shtëpisë së tij për t’u përdorur si Sallë Mbretërie për gati 40 vjet. Vëlla Hopkinsoni thotë: «Pasi vdiq gruaja e vëlla Kapistranos, fëmijët e tij jetonin në katin e poshtëm. Salla e Mbretërisë ishte një kat më lart, dhe ai ishte shumë ngushtë në një dhomë, me kuzhinën në njërin cep të saj. Salla e Mbretërisë zinte pjesën më të madhe të katit të dytë. Ju mund të mendoni se ishte e papërshtatshme për të, por ai ishte i kënaqur me këtë gjë. Ja, çfarë fryme kishin vëllezërit!»

Me kalimin e kohës u bë e mundur të ndërtoheshin Salla Mbretërie në toka që zotëroheshin nga kongregacionet. Vlera e pesos u rrit dhe në vitet 80, kishte një përmirësim të vogël të rrogave. Kjo bëri të mundur që të merreshin para hua. Si rrjedhim, disa kongregacione ishin në gjendje të merrnin hua.

Më pas një masë e dashur që mori Trupi Udhëheqës solli një ndryshim të rëndësishëm. Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada u bënë njoftime në lidhje me një Fond për Salla Mbretërie. Dhe shumë shpejt pas kësaj Filipinet përfituan nga paratë që ishin dhuruar për qëllimin specifik të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Masa mbështetet te parimi që «të ketë barazi», duke bërë kështu të mundur të merren hua. (2 Kor. 8:14, 15) Punët nisën dalëngadalë, por duke dëgjuar si po ecte mirë kjo masë diku tjetër, gjithnjë e më shumë vëllezër morën zemër që të përpiqeshin të kishin edhe ata një Sallë Mbretërie.

Sa ndryshim të madh ka sjellë një masë e tillë! Në lidhje me huatë për Sallat e Mbretërisë, zyra e degës raporton: «Gjithsej ka pasur mbi 1.200 projekte për Salla Mbretërie. Sigurisht kjo ka ndikuar fuqimisht anembanë vendit.» Edhe pse në fillim një pjesë e madhe e fondeve erdhi nga vende të tjera, me kalimin e kohës vëllezërit filipinas mund të mbështetnin financiarisht programin e tyre. Në lidhje me këtë, zyra e degës pohon: «Ka disa vjet që të gjitha financimet e projekteve të Sallave të Mbretërisë kanë ardhur nga pagimi i huave dhe kontributet e vëllezërve në Filipine. Kjo tregon se edhe në zonat me vështirësi ekonomike mund të ketë ndikim mjaft të dobishëm kur paratë mblidhen në një fond të përbashkët.»

Një varg kongregacionesh tani kanë Salla Mbretërie. Në gjithë vendin ka afro 3.500 kongregacione dhe ende ka nga ata që kanë nevojë për vendin e tyre të mbledhjes. Megjithatë, rreth 500 nga këto kongregacione kanë më pak se 15 lajmëtarë dhe nuk mund t’i përballojnë huatë për Sallën e Mbretërisë. Prandaj së fundi është nxitur bashkimi i kongregacioneve, e kështu bëhet më e lehtë për të pasur Sallat e tyre të Mbretërisë.

Rregullojnë pikëpamjet për programet e mbledhjeve

Disa kongregacione, qoftë që kanë ose jo një Sallë Mbretërie të vetën, ndodhen në zona të thella. Vëllezërit duhet të ecin dy, katër ose madje më shumë orë përmes një terreni të thyer për të arritur në vendin e mbledhjes. Si pasojë, ka zona ku nuk është praktike që vëllezërit të vijnë më shumë se një herë në javë në vendin ku bëhen mbledhjet. Prandaj shumë nga këto kongregacione i kishin të gjitha mbledhjet në një ditë, përveç Studimit të Librit të Kongregacionit. Vëllezërit vinin të përgatitur për të marrë pjesë në katër mbledhje. E merrnin drekën me vete. Në këtë mënyrë largësia e madhe deri në vendet e mbledhjes duhej përshkuar vetëm një herë në javë, pasi veprimtaria tjetër, pra shërbimi në fushë, bëhej gjatë ditëve të tjera në viset ku banonin.

Gjatë viteve 80 ky zakon zuri të përhapej edhe në kongregacione jo kaq të thella, madje edhe në zonat qytetare. Ndoshta vështirësitë ekonomike i bënë disa që të mendonin si të kursenin paratë. Më pak ditë për mbledhjet do të thoshte më pak udhëtime e si rrjedhim më pak shpenzime. Vëllezër të tjerë shqetësoheshin tepër për rehatinë, ndoshta duke e përdorur kohën gjatë ditëve të tjera për gjëra personale, të tilla si arsimimi ose puna shekullare.

Gjithnjë e më shumë kongregacione filluan të kishin katër mbledhje në një ditë, e madje disa kongregacione i bënin që të pesa! Veçse kjo nënkuptonte që kongregacionet në Filipine po shkonin larg e më larg mënyrës si i bën gjërat në mbarë botën pjesa më e madhe e popullit të Jehovait që i ka mbledhjet në tri ditë të ndryshme gjatë javës. Vëllezërit në një farë mase kishin humbur ekuilibrin në këtë drejtim. Gjatë vizitës së mbikëqyrësit të zonës në vitin 1991 kjo çështje iu paraqit atij. Si rrjedhim, u këshilluan me Trupin Udhëheqës. Ata u përgjigjën me këto fjalë: «Nuk mendojmë se është një zakon i mirë, përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të skajshme që e përligjin këtë.» Ky informacion iu përcoll vëllezërve, së pari në qytete e pastaj në zonat fshatare.

U theksua fakti që, përveçse do të përputheshin me programin e mbledhjeve të vendosur anembanë botës, kongregacionet do të nxirrnin më tepër dobi frymore duke i pasur mbledhjet veç e veç, në vend që të përpiqeshin ta ngjishnin të gjithë materialin në tri orë e gjysmë deri në katër orë. Fëmijëve të vegjël dhe të sapointeresuarve u ishte dukur i vështirë një program i tillë. Pleqtë mund të përgatitnin fjalime të cilësisë më të lartë kur përgatiteshin vetëm për një ose dy mbledhje, sesa për shumë.

Si iu përgjigjën kongregacionet kësaj këshille? Shumica dërrmuese u përgjigjën pozitivisht, duke rregulluar menjëherë programin për të pasur mbledhje në mesjavë. Tani, me përjashtim të kongregacioneve në zonat tepër të thella, shumica e tyre gëzojnë çdo javë një program frymor më të ekuilibruar.

Salla Asamblesh

Për shumë vjet qarqet përdornin stadiume, palestra, pista garash në shkolla ose ndërtesa të tjera publike që të mbanin asambletë. Me gjithë ndonjë parehati, vëllezërit i çmuan këto mundësi për shoqërim të gëzueshëm.

Ashtu si për Sallat e Mbretërisë, nuk ishte e lehtë të kishe Salla Asamblesh. Edhe në këtë rast doli në skenë shtrëngesa ekonomike. Prapëseprapë, shumë qarqe dëshironin me zjarr të kishin vendet e tyre të mbledhjes. Si rrjedhim, janë ngritur mjaft Salla të thjeshta Asamblesh. Këto zakonisht shërbejnë për një ose dy qarqe, jo për një grup qarqesh, siç ndodh në shumë vende të tjera. Në shumë raste tokën ua dhuruan të tjerët ose e blenë me çmim të arsyeshëm, sidomos në zonat fshatare. Pastaj vëllezërit i bashkonin kontributet e tyre dhe ngrinin një ndërtesë të thjeshtë. Kjo zakonisht ishte një sallë e hapur nga të gjitha anët, vetëm me një çati për t’i bërë hije auditorit, me dysheme betoni, me një platformë të ngritur dhe me disa vende për t’u ulur.

Në zonën e Manilës metropolitane as kjo nuk ishte e mundur, kryesisht për shkak të çmimit jashtëzakonisht të lartë të tokës dhe sepse kushtonte shumë të ndërtoje një godinë të përshtatshme në qytet. Kongregacionet në atë zonë dhanë kontribute për një fond të krijuar për këtë qëllim, por shuma që u mblodh ishte tepër larg nga ajo që duhej qoftë edhe vetëm për të blerë tokën. Gjatë viteve 70, 80, dhe pjesës më të madhe të viteve 90 asambletë në Manilën metropolitane vazhduan të mbaheshin në shkolla, në stadiume dhe vende të ngjashme.

Ndërkohë numri i kongregacioneve dhe i qarqeve në zonën e Manilës metropolitane vazhdonte të shtohej duke e bërë të ngutshme nevojën për një Sallë Asamblesh. Filluan të kërkonin tokë të përshtatshme. Kongregacioneve iu dërguan letra, në të cilat njoftoheshin për mundësinë e veçantë që të mbështetnin financiarisht projektin. Në vitin 1992 u gjetën rreth 6 hektarë tokë pranë krahinës së Lagros, në skajin verior të Manilës metropolitane.

Kongregacionet e Manilës metropolitane e mbështetën projektin duke dërguar kontribute dhe punëtorë vullnetarë. Shërbëtorët ndërkombëtarë erdhën nga disa vende që të ndihmonin për punën. Njëri prej tyre, Ros Prati nga Zelanda e Re, rrëfen: «Më mars 1997 morëm miratimin nga Bruklini për të filluar. Ishte një punë mjaft e madhe për heqjen e dhèut dhe 29.000 metra kub dhé u hoqën për të bërë gati vendin për ndërtesat. Kishte 50 deri 60 punëtorë të përhershëm. Salla e Asambleve u përfundua më nëntor 1998.» Atëherë u bë kushtimi i saj. Meqë salla është projektuar për të mbajtur deri 12.000 njerëz, në të mund të bëhen edhe kongrese krahinore. Anët e hapura të kësaj Salle Asamblesh lejojnë kalimin e puhive tropikale, teksa auditori brenda dëgjon programin. Gjashtëmbëdhjetë qarqe në metropolin Manilë dhe në rrethinat e saj tani gëzojnë rregullisht programe frymore në këtë sallë.

Më shumë prona për degën

Ndërkohë që shumëfishohej numri i kongregacioneve dhe i qarqeve në fushë, në degë shtohej ngarkesa e punës. Në vitin 1980 kishte afro 60.000 lajmëtarë në fushë. Pa kaluar ende dhjetëvjeçari, Filipinet u bënë një nga vendet me mbi 100.000 lajmëtarë. Po në këtë kohë familja Bethel u rrit nga 102 në 150 veta. Sidoqoftë, që në fillim të viteve 80 në degë kishte gjithnjë e më pak hapësirë. Nevojitej më tepër vend.

Trupi Udhëheqës dha udhëzime që të kërkoheshin më shumë prona. Feliks Fajardoja tregon çfarë ndodhi: «Shkuam shtëpi më shtëpi për të marrë vesh a kishte ndonjë pronë në shitje afër Bethelit. Pronarët filipinas dhe kinezë thanë se nuk i shitnin pronat e tyre. Një pronar, me kokëfortësi, tha: ‘Kinezët nuk shesin. Ne blejmë. Ne kurrë nuk shesim.’» Kështu, në atë kohë, dukej se nuk kishte asgjë që mund të gjendej afër degës së parë.

U kërkuan prona në vende të tjera. Po të ishte e nevojshme, zyra e degës do të zhvendosej jashtë qytetit. Një sërë vendesh u gjetën në provincat aty afër. Trupi Udhëheqës u interesua veçanërisht për një ngastër të madhe toke pranë San-Pedros, në Lagunë, që një vëlla e ofroi me çmim të arsyeshëm. U dha miratimi të blihej. Po ecte puna me planifikimin për ndërtimin e zyrave, një Shtëpie Bethel dhe një fabrike në atë tokë. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, u bë e dukshme se nuk ishte vullneti i Jehovait të zhvendoseshin atje. Në atë zonë nuk kishte shërbim telefonik, rruga ishte në gjendje të mjeruar dhe kishte probleme me sigurinë. U bë e dukshme se kjo pronë nuk ishte vendi më i mirë për degën. Kështu që atje u bë një fermë për të furnizuar familjen Bethel me gjërat e nevojshme. Prapë, kjo nuk e zgjidhi problemin, pasi nevojitej ende më tepër hapësirë për zyrën e degës.

Një kthesë e papritur e ngjarjeve me sa duket tregoi drejtimin e Jehovait. Feliksi vazhdon: «Krejt papritmas, fqinji më afër me ne tha: ‘Po e shesim pronën tonë prej 1.000 metrash katrorë. Do të donim t’jua shitnim juve.’ Kështu Trupi Udhëheqës na tha ta blejmë. Menduam se ishte e mjaftueshme, por kur ia parashtruam planet e ndërtimit selisë botërore, na u tha: ‘Ndoshta mund të kërkoni më tepër prona. Ju nevojitet ca më shumë.’

Menjëherë pas kësaj, një mjek dhe një prokuror erdhën e na thanë: ‘Dëshirojmë t’jua shesim juve pronën tonë.’ Ishin edhe 1.000 metra katrorë të tjerë. Më pas një grua, e cila kishte rreth 1 hektar tokë aty ngjitur me ne, deshi ta shiste. E shiti me çmim mjaft të arsyeshëm. Menduam se tani kishim goxha vend. Por selia qendrore tha: ‘Gjeni edhe ca më tepër.’»

Atëherë na erdhi një ndihmë që nuk e pritnim. Mjeku dhe prokurori, të cilët na kishin shitur pronën e tyre, shkuan lart e poshtë te fqinjët e tjerë dhe i bindën që t’i shitnin tokat. Një nga një ata i ofruan degës pronat e tyre. Pasi ishin blerë pothuajse të gjitha pronat aty afër, një propozim tjetër iu dërgua selisë qendrore. Përsëri na kthyen përgjigjen: ‘Keni nevojë për ca më tepër.’ Vëllezërit po mendonin: ‘Ku të vemi tani? I kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë këtu afër.’

Gati në këtë kohë u mor një telefonatë për pronën që zotëronte biznesmeni, i cili më parë kishte thënë: «Kinezët nuk shesin.» Tani prona e tij ishte në shitje! Feliksi shpjegon: ‘Vëlla Liçi dhe unë zbuluam se askush tjetër nuk ishte i interesuar për të. Kështu që e morëm shumë lirë. Duket se pas kësaj çështjeje ishte dora e Jehovait.» Edhe 1 hektar tjetër tokë u shtua dhe më në fund selia qendrore tha: «Keni mjaftueshëm për të nisur planifikimin e ndërtimit.»

Me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e kushteve u bë e qartë se ferma në San-Pedro nuk nevojitej më. Pjesa më e madhe e ushqimit për familjen Bethel mund të blihej me shumicë me çmim më të ulët, sesa kushtonte ta prodhoje në fermë. Kështu u vendos të shitej ferma. Në vitin 1991 ferma ishte në duart e një pronari të ri. Të ardhurat e shitjes u përdorën për të mbuluar shpenzimet për ndërtesat e reja të degës.

Ngrihen ndërtesat e reja të degës

Tani dega zotëronte një sasi toke që ishte më e madhe se trefishi i ngastrës së parë prej 1 hektari që u ble më 1947. Me ndihmën e Zyrës Rajonale të Inxhinierisë të degës japoneze të Dëshmitarëve të Jehovait u hartuan planet dhe në mes të vitit 1988 filloi puna për përgatitjen e vendit të ndërtimit. Disa nga ndërtesat e vjetra prej druri duhej të shembeshin. Ndërtesat e reja do të përfshinin një ndërtesë 11-katëshe për banim dhe një fabrikë të madhe 2-katëshe. Një Sallë Mbretërie do të ngrihej në vendin e ndërtimit.

Përveç të diplomuarve në Galaad, të cilët ishin caktuar për të ndihmuar, pothuajse 300 vëllezër dhe motra nga afro pesë vende erdhën si shërbëtorë ndërkombëtarë për një kohë të gjatë dhe si vullnetarë ndërkombëtarë për pak kohë që të ndihmonin për projektin. Banorët përreth u mahnitën kur panë se erdhën për të ndihmuar njerëz nga vendet e tjera. Madje u habitën edhe më shumë kur morën vesh se shumica e tyre kishin ardhur me shpenzimet e veta. Vendësit, vëllezër e motra, e bënë më të fuqishme atmosferën e unitetit ndërkombëtar.

Si në rastin kur morën tokën, ashtu edhe teksa ndërtimi ecte përpara, u bë i dukshëm drejtimi i Jehovait. Për shembull, vetëm një firmë në Filipine prodhonte llojin e veshjes së çative që nevojitej për ndërtesat. Megjithatë, porosia e degës për material ishte e 301-ta në listën e pritjes së firmës. Vëllezërit lanë një takim me zëvendëspresidentin e firmës për të folur drejtpërdrejt me të dhe i shpjeguan që vepra jonë ka natyrë vullnetare. Bordi drejtues i firmës u mblodh, e miratoi kërkesën e vëllezërve dhe e kaloi porosinë e tyre të parën në listën e prodhimit. Pak kohë pasi u dërguan materialet, punëtorët e asaj firme u hodhën në grevë.

Një mori vëllezërish që u përfshinë në projektin e ndërtimit të degës treguan një frymë të shkëlqyer. Çdo javë vinin për të ndihmuar gati 600 vullnetarë nga kongregacionet aty afër. Në të vërtetë, gati 30 për qind e punës u bë nga këta vullnetarë.

U mbajtën standarde të larta për ndërtimin. Meqë ishujt e Filipineve ndodhen në një zonë ku bien shumë tërmete, vëllezërit inxhinierë që bënë projektin u siguruan se ndërtesa 11-katëshe mund t’u bënte ballë lëkundjeve të forta. Sa ndryshe ishin këto ndërtesa të cilësisë së lartë në krahasim me ndërtesat e mëparshme, njëra prej të cilave ishte ngritur që në vitet 20 të shekullit të 20! Ato më të vjetrat u shembën për t’u liruar vendin të rejave.

Përfundimisht, më 13 prill 1991, u bë programi i kushtimit të degës. Xhon Barri nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit përpara një auditori me 1.718 veta. Vëllezër dhe motra që i kishin shërbyer Jehovait nga më shumë se 40 vjet u ftuan në program dhe u kënaqën me të, së bashku me mysafirët nga dhjetë vende. Ditën tjetër 78.501 veta nxorën dobi nga një program frymor ndërtues që u përçua me linja telefonike në gjashtë vende anembanë arkipelagut.

Filipinasit shkojnë jashtë si shërbëtorë ndërkombëtarë

Gjatë ndërtimit të degës, shërbëtorët ndërkombëtarë nga vendet e tjera u mësuan vëllezërve filipinas mjeshtëritë e veta. Hubertus Hofnagelsi, i cili stërviti të tjerët, pohon: «Shumë nga vëllezërit vendës janë tepër të zellshëm dhe ishin në gjendje të zbatonin çfarë kishin mësuar.» Rrjedhimisht, kur projekti i Filipineve përfundoi, disa nga këta vëllezër të stërvitur kishin mundësi të shkonin jashtë si shërbëtorë ndërkombëtarë që të ndihmonin për projektet e degëve në vendet e tjera, veçanërisht në Azinë Juglindore.

Joel Morali nga provinca e Kesonit ishte një prej tyre. Ai erdhi në fillim për projektin e ndërtimit të degës në Manilë me mendimin për të punuar një javë si vullnetar. Por, nevojitej ndihma e tij dhe i kërkuan të rrinte më gjatë. Megjithëse ai nuk kishte shumë përvojë në ndërtim, duke punuar në projektin e degës shumë shpejt fitoi mjeshtëri, duke mësuar prej shërbëtorëve ndërkombëtarë të huaj.

Para se të përfundohej projekti në Filipine, lindi nevoja për të ndihmuar në ndërtimin e degës së re në Tajlandë. Joeli thotë: «Nuk e pritja, por më ftuan të shkoja në Tajlandë. Përvoja që mora në ndërtim në Filipine ishte një ndihmë e madhe për të më përgatitur për veprën ndërkombëtare.» Ai qëndroi më shumë se një vit duke ndihmuar për ndërtimin në Tajlandë.

Joshua dhe Sara Espiritu u njohën me njëri-tjetrin kur të dy punonin në ndërtimin e degës në Filipine. U martuan pak kohë pas kushtimit të degës dhe vunë si synim të shërbenin së bashku si shërbëtorë ndërkombëtarë. Pas pak muajsh u ftuan të merrnin pjesë në veprën e ndërtimit në vende të tjera. Që atëherë kanë shërbyer në pesë vende: tri në Azi dhe dy në Afrikë. Joshua thotë në lidhje me përvojën e tij kur ende ishin në Filipine: «Ndërkohë që punonim me vëllezërit nga vende të tjera mësuam disa mjeshtëri. Tani kishim njohuri që mund t’i ndanim me të tjerët.» Kur dërgoheshin në vende të tjera u thoshin vëllezërve vendës: «Nuk do të jemi përgjithnjë këtu. Në të ardhmen do ta vazhdoni ju veprën.» Për sa i përket synimit të tij kur shkon në vende të tjera, ai shpjegon: «Nuk shkojmë atje vetëm për të punuar, por me të vërtetë përpiqemi që të mësojmë vëllezërit.»

Sigurisht që të shkosh në vende të ndryshme kërkon të jesh elastik. Xherri Ajura u dërgua në disa vende, përfshirë edhe: Tajlandën, Samoan Perëndimore dhe Zimbabvenë. Ai shpjegon: «Mësova se Jehovai përdor njerëz nga të gjitha llojet e prejardhjeve. Ne i duam ata, sepse Jehovai i do.» Sa të lumtur janë këta vëllezër filipinas që mund të japin ndihmesën e tyre për veprën e Jehovait në shkallë ndërkombëtare!

Trazirat nuk e ndalin veprën

Ta bësh gëzimin e Jehovait kalanë tënde përfshin të jesh vazhdimisht besnik ndaj tij, edhe në kohë të vështira. Shërbëtorët e Jehovait në Filipine kanë pasur mundësi të panumërta për ta treguar këtë.

Megjithëse ligji i gjendjes së luftës mori fund më 17 janar 1981, trazirat vazhduan gjatë viteve 80. Në shkurt të vitit 1986 qeveria u zëvendësua. Sidoqoftë, ndryshimi i pushtetit ishte deri diku i qetë, dhe madje kongregacionet që ndodheshin në vendet ku u bë revolucioni «Pushteti i Popullit» vazhduan pa ndonjë ndërprerje mbledhjet dhe predikimin. Teksa kalonin pranë turmave të «Pushtetit të Popullit» lajmëtarët vërenin priftërinj dhe murgj që përziheshin me njerëzit dhe i shtynin këta të fundit të hidheshin në veprim.

Menjëherë qeveria e re bëri disa ndryshime. Prapëseprapë, trazirat nuk morën fund. Gjatë tri viteve të para pasi qeveria e re kishte ardhur në pushtet, pati një varg përpjekjesh për grusht shteti, disa prej të cilave të përgjakshme. Në një rast, gjatë ndërtimit të degës, punëtorë ndërtimi, të huaj e vendës, u befasuan kur panë në anën tjetër të qytetit ushtarë renegatë që bombardonin vetë kampin e tyre ushtarak. Edhe pse këto ndeshje ishin pak a shumë të shkurtra, përsëri u bë e nevojshme që të nxiteshin disa kongregacione për t’u mbledhur në Salla Mbretërie në vende më të sigurta.

Për shumë vjet trazirat midis trupave qeveritare dhe forcave kundërshtare kanë vazhduar në disa zona të Mindanaos. Ndërsa kryejnë shërbimin e tyre, vëllezërve atje u është dashur të veprojnë me maturi dhe të mbështeten tek Jehovai. Renato Dungogu, një i diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe tani mbikëqyrës qarkor, shërbeu në një zonë ku ka pasur shumë luftime ngado. Në një rast, ndërkohë që Renatoja po priste për një varkë, një ushtar e pyeti: «Ku po shkon?»

Renatoja i shpjegoi: «Jam shërbëtor udhëtues, Dëshmitar i Jehovait. Vizitoj vëllezërit dy herë në vit për t’i forcuar dhe për të dalë në predikim me ta.»

Ushtari ia ktheu: «Perëndia duhet të jetë me ty, se përndryshe do të ishe vrarë.» Kështu, pavarësisht nga turbullirat, vëllezërit e kryejnë veprën e tyre duke u mbështetur te Jehovai dhe për këtë respektohen shumë.

Prapë në gjyqe për çështjen e përshëndetjes së flamurit

Besnikëria e të rinjve ndaj Perëndisë u vu në provë. Më 11 qershor 1955 presidenti Ramon Magsaisai futi në fuqi nenin nr. 1265 të kodit të Republikës, ku kërkohej që të gjithë fëmijët në shkolla private e publike të përshëndetnin flamurin filipinas. Fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait vepruan në bazë të ndërgjegjes, siç bëjnë të rinjtë Dëshmitarë në mbarë botën. (Dal. 20:4, 5) Edhe pse i respektojnë simbolet e kombit, nuk mund të marrin pjesë me ndërgjegje në ato që për ta janë akte përkushtimi fetar ndaj çfarëdo objekti. Në vitin 1959, kur fëmijët e familjes Gerona në Masbate u përjashtuan nga shkolla se nuk përshëndetnin flamurin, kjo bëri që të hapej një çështje gjyqësore që u çua deri në Gjykatën e Lartë të Filipineve. Gjithsesi, gjykata nuk e respektoi qëndrimin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo kundërshtoi duke thënë se flamuri «nuk është një shëmbëlltyrë» dhe se «flamuri nuk ka kurrfarë domethënieje fetare». Kështu që gjykata i dha vetes të drejtën për të vendosur ligjërisht se çfarë është ose çfarë nuk është fetare.

Pa dyshim, kjo nuk i ndryshoi bindjet fetare të Dëshmitarëve. Vëllezërit u mbajtën fort pas parimeve biblike. Vendimi i gjykatës solli si pasojë vështirësi, ndonëse jo kaq të rënda sa pritej.

Përshëndetja e flamurit nuk u bë më çështje, derisa vendimi i gjykatës u fut në Kodin Administrativ të vitit 1987. Pas kësaj, më 1990, një sërë fëmijësh të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e Sebusë u përjashtuan nga shkolla. Një inspektor shkollash ishte tepër i rreptë për sa i përket zbatimit të rregullit. Përjashtimet u shtuan.

Media fliste për përjashtimet. Pastaj një komision i të drejtave të njeriut u kushtoi vëmendje këtyre fëmijëve që u ishte mohuar arsimimi. Dukej se qëndrimi kishte ndryshuar në krahasim me atë të vitit 1959. A ishte tani koha e duhur e Jehovait për të bërë që çështja të diskutohej hapur? Ernesto Morales, atëherë plak në Sebu, vërejti: «Botues, gazetarë, arsimtarë dhe të tjerë, të gjithë na nxitën ta çonim çështjen në gjyq.» U këshilluan me Repartin Ligjor të degës dhe me atë të selisë botërore. U mor vendimi të nisej një çështje gjyqësore.

Gjithsesi, Gjykata e Shkallës së Parë e pas saj Gjykata e Apelit dhanë vendime të pafavorshme. Ato nuk donin të dilnin kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen e Geronës në vitin 1959. E vetmja mënyrë për t’i zgjidhur gjërat ishte që çështja të çohej prapë në Gjykatën e Lartë. A do të donin ta dëgjonin çështjen? Përgjigjja e Gjykatës së Lartë ishte po. Me paraqitjen e çështjes përpara gjykatës më të lartë u mor Felino Ganali, një avokat Dëshmitar. Brenda disa ditëve Gjykata e Lartë nxori një urdhër në të cilin kërkohej që të gjithë fëmijët e përjashtuar të pranoheshin sërish në shkollë, ndërkohë që pritej vendimi në lidhje me këtë çështje.

U paraqitën argumentet nga të dyja palët. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, Gjykata e Lartë përmbysi vendimin e 1959-s dhe mbështeti të drejtën e fëmijëve të Dëshmitarëve të Jehovait për të mos marrë pjesë në përshëndetjen e flamurit, në bërjen e betimit të besnikërisë dhe në këndimin e himnit kombëtar. Gjykata shpjegoi vendimin me rëndësi të madhe: «Mendimi se dikush mund të detyrohet të përshëndetë flamurin, . . . duke u kërcënuar të ndëshkohet . . . me përjashtim nga shkolla është i huaj për ndërgjegjen e brezit të tanishëm filipinas që e njohin mirë Kartën e të Drejtave, e cila u garanton të drejtat e ushtrimit të lirisë së fjalës dhe të lirisë për të shfaqur bindjet e tyre fetare dhe për të adhuruar.» Gjithashtu, gjykata vendosi se përjashtimi nga shkolla i Dëshmitarëve të Jehovait «shkelte të drejtën e tyre . . . , sipas Kushtetutës së vitit 1987, për të marrë arsimim falas». Gazeta Manila Chronicle deklaroi: «Gjykata e Lartë ndreq një padrejtësi 35-vjeçare ndaj Dëshmitarëve të Jehovait.»

Pala kundërshtare paraqiti një mocion për rishqyrtim, por, më 29 dhjetor 1995, Gjykata e Lartë e hodhi poshtë mocionin. Kështu që vendimi qëndron ende në fuqi. Ç’fitore për popullin e Jehovait!

Me gjithë katastrofat, vepra vazhdon

Siç u vërejt në fillim të këtij raporti, Filipinet goditen shpesh nga katastrofat. Le shohim pak disa katastrofa që kanë prekur vëllezërit.

Tërmetet: Meqë ishujt ndodhen në vendin ku bashkohen dy pllakat më të mëdha tektonike, vendi preket nga tërmetet. Një autoritet thotë se çdo ditë ndodhin të paktën pesë tërmete që shoqërohen me shumë lëkundje të tjera, të cilat nuk ndihen nga njerëzit. Shumica e tyre nuk sjellin ndonjë shqetësim për jetën, por herë pas here ndodhin tërmete të rënda që bëjnë kërdinë.

Më 16 korrik 1990, në orën 4.26 pasdite, një tërmet i tillë i rëndë, i shoqëruar me lëkundje të mëpasshme të fuqishme, ra afër Kavanatuanit, një qytet në Lusonin Qendror. Edhe provinca e Bengetit u prek rëndë. Disa shkolla e hotele u shembën, duke sjellë si pasojë humbje në jetë njerëzish.

Në atë kohë, Hulio Tabiosi, i cili po shërbente atje si mbikëqyrës krahinor, ishte duke udhëtuar me gruan e tij për të shkuar në një asamble qarkore në një zonë malore të Bengetit. Një vëlla që po mbartte perime për t’i shitur në Baguio i mori në kamionin e tij. Pasi kaluan kthesat nëpër male, arritën në një segment të ngushtë të rrugës ku iu desh të ndalonin për të lënë të kalonte një automjet që po afrohej. Pikërisht në atë çast, nga mali zunë të rrokulliseshin shkëmbinj. Ata e kuptuan që ishte një tërmet i fuqishëm. Hulioja thotë: «Vëllai ia doli të ecte mbrapsht me kamion drejt një vendi më të gjerë, pas kësaj një shkëmb i madh ra me zhurmë në atë pjesë të rrugës nga e cila sapo ishim larguar. Ishim mirënjohës që kishim shpëtuar. Disa çaste më pas pati një lëkundje të dytë dhe pamë aty afër nesh një shkëmb vigan që tundej sikur po vallëzonte.» Faqe të tëra malesh rrëshqitën poshtë.

Rrëshqitjet e dheut kishin bllokuar rrugën. E vetmja mënyrë për të mbërritur në vendin e asamblesë ose në çfarëdo vendi tjetër ishte të ecnin në këmbë nëpër male. Kur ra nata, u strehuan në shtëpinë e një njeriu dashamirës. Ditën tjetër u ngjitën në një mal të lartë për të arritur në vendmbërritje. Gjatë rrugës u takuan me disa vëllezër që po ndihmonin njëri-tjetrin për të përballuar pasojat e tërmetit. Më në fund, pasi kishin ecur në këmbë përgjatë shtigjeve të rrezikshme malore, arritën në qytetin e Nagit ku do të mbahej asambleja. Hulioja rrëfen: «Sa lot gëzimi kishte mes vëllezërve, ngaqë nuk shpresonin më që ne të mbërrinim! Ndonëse ishim tepër të lodhur, u freskuam kur pamë sa me lumturi na mirëpritën vëllezërit dhe motrat.» Pavarësisht nga tërmeti, shumë veta ishin përpjekur të ishin atje, duke shfaqur çmueshmërinë e madhe që kishin për gjërat frymore.

Ndoshta ju kujtohet që në këtë kohë po ngriheshin ndërtesat e reja në degë. Edhe pse ndërtesa e banimit nuk ishte përfunduar ende, tërmeti i 1990-s ishte prova e parë strukturore për të. Lëkundjet sa para-pas i trembën disa bethelitë, por ndërtesa i bëri ballë tërmetit pikërisht ashtu siç ishte projektuar dhe shpëtoi nga lëkundjet e fuqishme pa u dëmtuar.

Përmbytjet: Për shkak të klimës së lagësht tropikale në shumicën e pjesëve të vendit bien sasi të bollshme shirash. Disa zona janë mjaft të prekshme nga përmbytjet. Leonardo Gamengu, që ka marrë pjesë në shërbimin e plotkohor për mbi 46 vjet, kujton: «Duhej të ecnim në këmbë për 3 kilometra mes baltës që arrinte deri në gju.» Juliana Anheloja ka shërbyer si pioniere speciale në territoret e provincës së Pampangës që preken nga përmbytjet. «Për t’u çuar të interesuarve mesazhin e Mbretërisë,—thotë ajo,—hipnim në varka të vogla. Vëllai që voziste duhej të kishte shikim të mprehtë për të shmangur drurët ku rrinin në pritë gjarpërinjtë, gati për t’u hedhur në varkë.» Korazonë Galardoja, një pioniere speciale që nga viti 1960, kaloi shumë vjet në territoret e Pampangës. Nganjëherë nuk kishte asnjë varkë që mund të hipnin dhe ajo kujton se duhej të ecte përmes ujërave të përmbytjes që i arrinin pothuajse deri te shpatullat. Ajo mban një qëndrim të shkëlqyer, me gjithë këto vështirësi. Ka mësuar të jetë elastike dhe të mbështetet te Jehovai, duke ditur se ai nuk do t’i braktisë kurrë besnikët e tij.

Që kur lahari nga mali Pinatubo mbushi shumë ultësira, përmbytjet në Pampangë janë keqësuar, sepse tani uji vërshon edhe në zona të tjera. Heneroso Kanlasi, një mbikëqyrës qarkor në këtë rajon, thotë se për shkak të ujit shpesh duhej të vishnin çizme ose madje të shkonin këmbëzbathur në shërbim. Prapëseprapë, pavarësisht nga kushtet e papërshtatshme, vëllezërit ecin përpara.

Atje ku përmbytja është veçanërisht e rëndë dhe ku preken bashkësi të tëra, Dëshmitarët e Jehovait ndihmojnë si njëri-tjetrin, ashtu edhe ata që nuk janë Dëshmitarë. Kur një gjë e tillë ndodhi në Davao-del-Norte, në Filipinet Jugore, funksionarët e bashkisë nxorën një rezolutë për të shprehur çmueshmërinë e tyre për ndihmën e Dëshmitarëve.

Vullkanet: Në Filipine ka shumë vullkane, por ai që tërhoqi vëmendjen e botës ishte mali Pinatubo. Në qershor të vitit 1991 vullkani shpërtheu duke formuar një re mahnitëse që i ngjante resë së bombës atomike. Dukej sikur dita u bë natë. Disa menduan se ishte fillimi i Armagedonit. Hiri ra deri larg në perëndim, në Kamboxhia. Brenda një kohe të shkurtër, mali Pinatubo nxori 6,65 miliardë metra kub lëndë vullkanike. Shtresa e rëndë e hirit bëri që të rrëzoheshin çati, e madje ndërtesa të tëra. Shumica e materialit që volli mali u shndërrua në laharë, masa të stërmëdha të rrjedhshme me baltë që morën me vete disa shtëpi dhe mbuluan të tjera. Si hiri, ashtu edhe laharët dëmtuan rëndë dhe shkatërruan disa Salla Mbretërie e shtëpi të vëllezërve. Julius Agilari, në atë kohë pionier i rregullt në Tarlak, thotë: «Shtëpia jonë ishte mbuluar e tëra nga hiri.» Familja u detyrua të shpërngulej.

Pedro Uandasani po shërbente si mbikëqyrës qarkor në atë zonë. Ai rrëfen: «Vëllezërit nuk e braktisën kurrë adhurimin e Jehovait dhe shërbimin ndaj tij. Të pranishmit në mbledhje i kalonin gjithmonë 100 për qind. Për më tepër, lahari nuk e pakësoi dashurinë e vëllezërve për veprën e predikimit. Ne vazhduam t’u predikonim të shpërngulurve, e madje predikonim edhe në zonat e rrënuara.»

Këto katastrofa japin mundësi që të vihet në veprim dashuria e krishterë. Gjatë dhe pas shpërthimit të malit Pinatubo vëllezërit ndihmuan njëri-tjetrin për t’u shpërngulur. Zyra e degës dërgoi shpejt një kamion të ngarkuar me oriz dhe pasi u shkarkua, kamioni u përdor për shpërnguljen e vëllezërve nga qytetet e prekura prej katastrofës. Kur vëllezërit në Manilë morën vesh për këtë nevojë që ekzistonte, menjëherë u përgjigjën duke dërguar para dhe rroba. Në Betis, në provincën e Pampangës disa vëllezër në moshë të re ngritën një brigadë për të ndihmuar viktimat. Midis atyre që u ndihmuan ishte një grua e interesuar, burri i së cilës i ishte kundërvënë së vërtetës. Kur këta vëllezër të rinj ndihmuan për të rindërtuar shtëpinë e këtij çifti, burrit i bëri kaq shumë përshtypje, saqë tani ai është një Dëshmitar.

Tajfunet: Nga të gjitha turbullirat e motit që ndodhin në këtë vend, tajfunet ose ciklonet tropikale shkaktojnë më tepër shkatërrime. Çdo vit mesatarisht 20 tajfune godasin arkipelagun. Këto stuhi kanë intensitet të ndryshëm, por karakterizohen nga erëra të forta dhe shira të mëdha. Shpesh janë aq të fuqishme sa mund të shkatërrojnë edhe ndërtesa. Përveç kësaj, tajfunet shkatërrojnë të mbjellat, duke dëmtuar edhe mjetet e jetesës së bujqve.

Shtëpitë e Dëshmitarëve dhe të mbjellat e tyre janë dëmtuar vazhdimisht. Është për t’u mahnitur se si zakonisht vëllezërit thjesht mbledhin veten dhe vazhdojnë të ecin përpara. Në disa pjesë të vendit tajfunet janë kaq të shpeshta, saqë janë ndodhi gati të zakonshme. Vëllezërit janë për t’u lavdëruar që kanë mësuar si t’i përballojnë ato dhe të merren me problemet e jetës së përditshme ditë pas dite. (Mat. 6:34) Sigurisht kur vëllezërit në zonat përreth marrin vesh për ata që janë në nevojë, vullnetarisht dërgojnë ushqim ose para për t’i ndihmuar. Herë pas here, pas stuhive jashtëzakonisht të forta, disa mbikëqyrës udhëtues vihen në kontakt me zyrën e degës, e cila është e kënaqur që mund të organizojë ndihma.

Shpërndajnë literaturë biblike

Duke qenë se Filipinet janë një vend me shumë ishuj, gjithnjë ka qenë sfidë t’u çohet literatura kongregacioneve në kohën e duhur dhe në gjendje të mirë. Për shumë vjet përdorej sistemi postar. Gjithsesi, shpesh numrat e Kullës së Rojës dhe të Shërbimi Ynë i Mbretërisë vinin tamam në kohën kur duheshin trajtuar në mbledhje.

Jehu Amoloja, i cili punon në degë në repartin e dërgimit të literaturës, kujton se ç’gjë çoi në një ndryshim. Ai shpjegon: «Përveç problemeve me vonesat në shpërndarje, më 1997 tarifat postare u rritën shumë.» Duhej një shumë e madhe parash, duke pasur parasysh që rreth 360.000 revista dërgoheshin çdo dy javë.

I paraqitën Trupit Udhëheqës sugjerimin që vëllezërit e degës ta shpërndanin vetë literaturën. Pasi u studiua me kujdes, ky sugjerim u miratua. Në Luson kamionët mbërrijnë drejtpërdrejt nga dega. Megjithatë, meqë disa zona të tjera janë të ndara për shkak të ujërave, dega përdor një shërbim të sigurt për dërgimin e pakove, me qëllim që t’i dërgojnë revistat dhe literaturën me anë të varkave në pika grumbullimi të zgjedhura anembanë arkipelagut. Nga këto depo shoferët i çojnë ngarkesat me kamion në vendet ku duhen shkarkuar. Kur shoferët janë larg nga pikënisja e tyre vëllezërit me kënaqësi i strehojnë në shtëpitë e tyre, kështu që shoferët mund të çlodhen mirë para se të nisen prapë për udhë.

Përveç dobisë që kursehen paratë, vëllezërit janë të drithëruar që kanë botimet e nevojshme në kohën e duhur dhe në gjendje të shkëlqyer. Një dobi tjetër është se ndihen më pranë organizatës, falë takimeve të vazhdueshme me vëllezër nga dega. Shumë marrin zemër edhe vetëm duke parë kamionin që kalon dhe mund të shihet qartë emri Watch Tower.

Në njëfarë mënyre ky organizim ka dhënë më tepër dëshmi. Për shembull, në një rast pati përmbytje në Bikol, në Lusonin Jugor, kur po bëhej një shpërndarje e literaturës. Niveli i lartë i ujit në autostradë bëri që automjetet të ndalonin. Kështu ndodhi që një kamion me literaturë ndaloi përballë shtëpisë së një vëllai. Kur familja e pa, u tha shoferëve: «Ejani brenda dhe hani e rrini këtu sa të ulen ujërat.»

Disa shoferë që nuk ishin Dëshmitarë nuk e dinin ku do të hanin e ku do të flinin. Kur panë se ç’po ndodhte, ata pyetën shoferët e Bethelit: «Ç’lidhje keni me këta njerëz?»

Vëllezërit u përgjigjën: «Janë vëllezërit tanë frymorë.»

Kurse shoferët e tjerë ua pritën: «Ja, kështu janë Dëshmitarët! Madje, edhe kur sapo janë njohur, i besojnë njëri-tjetrit.»

Përtej kufijve

Tani le të hedhim një vështrim të shkurtër jashtë vendit dhe të shohim pak ç’bëhet me filipinasit e shumtë që jetojnë jashtë shtetit. Për Perandorinë Britanike në kulmin e lulëzimit të saj, njerëzit thoshin se «dielli nuk perëndonte kurrë» mbi mbretërinë e saj. Tani disa njerëz thonë: «Dielli nuk perëndon kurrë mbi filipinasit.» Ndonëse Filipinet janë një vend i vogël, filipinasit gjenden të shpërndarë kudo në rruzull. Për arsye pune ose për shkaqe të tjera qindra mijë filipinas kanë shkuar në vende të tjera. Si ka bërë kjo që disa individë të mësojnë të vërtetën biblike? Dhe ata që tashmë ishin Dëshmitarë si i kanë ndihmuar të tjerët?

Rikardo Maliksi ishte specialist për të dhënë ndihmë në raste përplasjesh dhe raste zjarri në aeroport. Meqë puna e shpinte në shumë vende, ai dhe e shoqja e shfrytëzuan këtë rrethanë për të shpërndarë lajmin e mirë në vendet ku kishte pak lajmëtarë. Në të vërtetë, në disa nga këto vende kishte kufizime për veprën e predikimit. Gjatë qëndrimit në vende të tilla si: Bangladeshi, Irani, Tanzania e Uganda, ishin të kënaqur që ndihmuan disa veta për të njohur Jehovain. Në disa raste, patën një rol të rëndësishëm në formimin e kongregacioneve. Ndër vendet e tjera ku punuan dhe predikuan janë: Laosi, Mjanmari dhe Somalia. Bënë kështu për 28 vjet, derisa Rikardoja doli në pension. Sa të lumtur janë që kanë dhënë një ndihmesë të tillë të shkëlqyer për të shpërndarë lajmin e mirë në zona shumë të largëta!

Disa të tjerë nuk ishin Dëshmitarë kur ikën nga Filipinet për të punuar në vende të tjera, por atje gjetën të vërtetën. Rovena, një katolike, në fillim shkoi të punonte në Lindjen e Mesme. Kur ishte atje, filloi të lexonte Biblën. Më pas gjeti punë në Hong-Kong, ku mijëra filipinase punojnë si shërbyese për punët e shtëpisë. Ajo thotë: «Çdo natë i lutesha Perëndisë të më dërgonte njerëzit e duhur që do të më udhëhiqnin drejt Mbretërisë së Perëndisë.» Kjo lutje mori përgjigje kur dy misionarë, Xhon dhe Karlina Porteri, takuan Rovenën dhe e ndihmuan të studionte Biblën. Rovena i shkroi degës së Filipineve për të treguar përvojën e saj, si edhe për të kërkuar që dikush të vizitonte të shoqin, i cili ishte ende në Filipine, që t’i shpjegonte atij mesazhin e Biblës.

Filipinasit që kanë mërguar, tani përbëjnë bashkësi të mëdha në një varg vendesh të tjera. Në fillim të shekullit të 20-të, në plantacionet e Havait kishte mungesë punëtorësh. Shumë filipinas plotësuan këtë nevojë. Në Havai disa nga të parët që erdhën në të vërtetën ishin emigrantët filipinas. Sot në këtë vend ka dhjetë kongregacione iloke dhe një kongregacion tagalog.

Mijëra filipinas jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Ka shumë Dëshmitarë midis tyre. Kongregacioni i parë filipinas u formua në Stoktën të Kalifornisë më 1976. Dega e Shteteve të Bashkuara raporton: «Territori me filipinas përparoi shumë mirë dhe më 3 shtator 1996 u formua qarku i parë filipinas.» Gjatë vitit të shërbimit 2002 kishte 37 kongregacione filipinase, të cilët përfshinin rreth 2.500 lajmëtarë që vepronin nën mbikëqyrjen e degës së Shteteve të Bashkuara. Ka kongregacione ose grupe tagaloge edhe në Alaskë, Australi, Austri, Guam, Gjermani, Itali, Kanada dhe Saipan.

Edhe pse këta filipinas janë në vende të tjera, përsëri nevojitet bashkëpunimi i vëllezërve në Filipine për të marrë ushqimin frymor, sepse i gjithë përkthimi i botimeve për gjuhët filipinase bëhet në degën e Manilës. Përveç kësaj, disa vende, ku futen edhe Guami, Havai dhe Shtetet e Bashkuara, kanë edhe kongrese me programe ose në gjuhën iloke, ose tagaloge. Të gjitha materialet e përkthyera për këto kongrese, duke përfshirë edhe dramat e incizuara, vijnë nga Filipinet.

U predikojnë grupeve të tjera gjuhësore

Në mbarë ishujt, njerëzit që flasin gjuhën vendëse, në përgjithësi, kanë marrë një dëshmi të mirë. Gjithsesi, vitet e fundit është bërë një përpjekje për të arritur ata të cilëve më parë nuk u ishte dhënë dëshmi e plotë.—Rom. 15:20, 21.

Për shumë vjet në Filipine kishte pak kongregacione të gjuhës angleze. Ndonëse shumë filipinas dinë ca anglisht, shumica nuk e flasin rrjedhshëm. Por në disa vende kishte nevojë që të mbaheshin mbledhje në anglisht. Në fund të viteve 60, vëllezërit vërejtën se pranë Bazës Ajrore «Klark» në Pampangë ekzistonte ky problem. Motrat që ishin martuar me pjesëtarë të personelit të ushtrisë së SHBA-së që gjendej në bazën e atjeshme nuk flitnin ndonjë gjuhë vendëse. Vëllezërit dhanë ndihmesën e tyre për të organizuar mbledhje në anglisht dhe për shumë vjet individët e asaj zone nxorën dobi të madhe nga këto mbledhje.

Në Manilën metropolitane lindi një problem i ngjashëm. Një motër amerikane jetonte atje në periudhën midis fundit të viteve 70 dhe fillimit të viteve 80. Pasifiko Pantasi, një plak në kongregacionin tagalog ku ajo ndiqte mbledhjet, thotë: «Më vinte keq për të, sepse i ndiqte rregullisht mbledhjet, por nuk kuptonte shumë gjatë tyre.» Pas pak kohësh erdhën amerikanë të tjerë në këtë kongregacion. U mendua të mbahej fjalimi publik dhe Studimi i Kullës së Rojës në anglisht. Kjo u realizua dhe vëlla Pantasi mori drejtimin në këtë. Më në fund u bënë edhe mbledhje të tjera dhe vëllezër të tjerë u ftuan të mbështetnin kongregacionin. Dejvid dhe Xhozi Ledbetëri, të cilët shërbenin në degë, e pranuan ftesën. Gjatë viteve punët kanë shkuar mbarë dhe ai grup i vogël është rritur në dy kongregacione në gjuhën angleze.

Shumë njerëz kanë nxjerrë dobi nga ekzistenca e kongregacioneve angleze. Një prej tyre është edhe Monika nga Kalifornia. Atje ajo kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Prindërit e saj, që ishin katolikë të flaktë, e kundërshtuan me zjarr. Ata vendosën ta dërgonin Monikën në një mjedis katolik, në Filipine. E ëma e shoqëroi Monikën në Manilë dhe e la pa pasaportë në shtëpinë e gjyshes së vet katolike. Edhe sikur Monika të gjente një kongregacion, nuk mund ta vazhdonte studimin, pasi nuk e dinte gjuhën tagaloge, pasi ishte rritur në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, motra që kishte studiuar me të në Kaliforni i telefonoi Xhozi Ledbetërit për t’u siguruar që dikush të shkonte të takonte Monikën. Xhozi i tha se aty kishte tashmë një kongregacion anglez. Ishte pikërisht çfarë i nevojitej Monikës. Xhozi pohon: «Brenda gjashtë muajve që ishte ‘e internuar’ në Filipine, Monika u pagëzua. Dy javë pasi ishte pagëzuar, e ëma i tha Monikës: ‘Ja ku e ke pasaportën. Eja përsëri këtu!’ Tashmë Monika ishte një Dëshmitare.» Sa mirënjohëse që ishte ajo për kongregacionin anglez!

Ka pasur edhe një dobi tjetër. Vëllezërit kanë arritur në disa zona që nuk ishin predikuar kurrë. Në Manilën metropolitane ka komplekse pallatesh të sigurisë së lartë ku jetojnë njerëz të pasur dhe shumë prej tyre flasin anglisht. Kështu që anglishtja ka ndihmuar të hapet një derë drejt këtyre territoreve.

Janë bërë përpjekje edhe për të filluar veprën e predikimit në territorin kinez. Në mes të viteve 70, u formua një grup i studimit të librit në gjuhën kineze. Studimi i librit mbahej në një dyqan këpucësh që e kishte Kristina Go. Gjithsesi, grupi ishte shumë i vogël dhe kishte nevojë për ndihmë.

Elizabet Liçi, e cila erdhi në Filipine kur u martua me misionarin Rajmond Liçi, kishte shërbyer 16 vjet në Hong-Kong. Doli shumë e dobishme përvoja e Elizabetës me dialektin kantonez dhe për të ndihmuar kinezët të mësonin të vërtetën. Gati në po këtë kohë, Ester Atanasioja (tani Ester So) ishte njëra nga dy pionieret speciale që ishin caktuar në atë territor. Esteri kujton: «Kur filluam të predikonim në atë zonë, njerëzit nuk e dinin kush ishin Dëshmitarët e Jehovait.» Megjithëkëtë, popullsia kineze në Manilë dalëngadalë u njoh me emrin e Jehovait dhe me popullin e tij.

Ndonëse pionierët e dinin kantonezen, duhej të mësonin një dialekt tjetër, meqë dialekti kryesor i gjuhës kineze që përdoret në Manilë është fuxhijani. Çing Çung Çua, një djalosh që ishte i ri në të vërtetën, filloi të shoqërohej me grupin. Meqë e dinte dialektin fuxhijan ai shërbeu si përkthyes në mbledhjet e para.

Dalëngadalë grupi përparoi. Në gusht të vitit 1984 u formua një kongregacion i vogël. Mbeten ende shumë sfida, por ata që po ndihmojnë e quajnë një gëzim të predikojnë në këtë territor që më përpara nuk kishte marrë dëshmi të plotë.

«Dëgjojnë» edhe ata që nuk mund të dëgjojnë

Me kalimin e kohës u bë e dukshme se ishte vullneti i Jehovait t’u kushtohej vëmendje edhe një tjetër gjuhe e territori: të shurdhërve. Madje, deri në fillim të viteve 90 në Filipine nuk ishte marrë pothuajse asnjë masë për të ndihmuar të shurdhrit që të mësonin për Jehovain. Ndërkohë që të shurdhrit që shoqëroheshin me kongregacionet ishin shumë të paktë, kishte disa përjashtime të pazakonta. Për shembull, Manuel Runion, nëna e të cilit ishte Dëshmitare, e ndihmoi të mësonte të vërtetën një motër, e cila studionte me të duke i shkruar fjalët në letër pa u lodhur. Ai u pagëzua më 1976. Në ishullin e Sebusë, Lornës dhe Luzit, binjake që ishin të dyja të shurdhra, ua mësoi mesazhin e Biblës daja i tyre i verbër. Si mund të mësonte njerëz të shurdhër një pionier i verbër? Ai përdorte ilustrimet me ndihmën e një ndihmëseje. Gjithashtu, gjërat që thoshte ai kushërira e tij i shpjegonte me anë të shenjave, në një mënyrë që binjaket mund të kuptonin, pasi ato nuk e kishin studiuar kurrë më parë gjuhën e shenjave. Të dyja u pagëzuan më 1985. Sidoqoftë, përpjekje të tilla ishin të pakta e bëheshin shumë rrallë.

Një varg ngjarjesh bënë që të predikohej ky territor. Në mes të vitit 1993, kur misionarët Din dhe Karen Xhaseku ishin në Bethelin e Bruklinit për të marrë stërvitje të mëtejshme, vëllezërit që punonin në Shërbimin e Përkthimit pyetën se ç’po bëhej për të ndihmuar të shurdhrit në Filipine. Një motër e re në Filipine ishte regjistruar në një kurs për mësimin e gjuhës së shenjave, me synimin për të komunikuar me një mike të shurdhër nga një familje Dëshmitarësh. Gjithashtu, Liza Presniloja dhe shoqet e saj pioniere në Navotas të Manilës metropolitane takonin të shurdhër në territorin e tyre dhe nuk mund të komunikonin me ta. Pionieret po mendonin të studionin gjuhën e shenjave, kështu që mund t’u çonin të shurdhërve mesazhin e Mbretërisë.

Dega mori vesh se Ana-Liza Asebedoja, pioniere e rregullt në Manilë, punonte në një shkollë për të shurdhrit dhe ishte nga të paktët Dëshmitarë në Manilë që kishte njohuri të gjerë për gjuhën e shenjave. Atë e pyetën: «A do të të pëlqente që t’u mësoje disa bethelitëve gjuhën e shenjave?»

Përgjigja e saj ishte po. Ajo shpesh kishte pyetur veten si mund t’u jepej dëshmi të gjithë njerëzve të shurdhër. U hap një klasë që përfshinte bethelitë dhe pionierë të rregullt të asaj zone. Motrat në Navotas tashmë ishin regjistruar në një kurs për mësimin e gjuhës së shenjave dhe e vazhduan atë.

Pastaj gjërat ecën shumë shpejt. Brenda gjashtë muajve në tri kongregacione të Manilës metropolitane po bëhej përkthimi në gjuhën e shenjave. Për herë të parë gjatë vitit 1994 u morën masat që ky përkthim të bëhej në asamble dhe në kongrese. Një nga qëllimet kryesore ishte të ndihmoheshin fëmijët e shurdhër të Dëshmitarëve. Shumë nga këta fëmijë ishin ndër të parët që u pagëzuan. Manuel Runioja, i cili për vite me radhë me besnikëri kishte ndjekur mbledhjet ku nuk kishte përkthim në gjuhën e shenjave, ishte i kënaqur që po nxirrte dobi nga kjo masë e re.

Shumë shpejt pjesë të tjera të vendit po kërkonin ndihmë. Liza Presniloja, bashkë me një shoqe pioniere, u dërgua në Olongapo si pioniere speciale e përkohshme për të predikuar në territorin e të shurdhërve. U ndihmuan shumë veta. Në mesin e vitit 2002 ishin formuar grupe të gjuhës së shenjave në 20 komuna jashtë Manilës. Një ngjarje e rëndësishme drejt përparimit ishte formimi i Kongregacionit Manila Metropolitane Gjuha e Shenjave, më prill 1999, i pari i këtij lloji në vend. Joel Asebesi, një nga bethelitët në klasën e parë të gjuhës së shenjave dhe tani plak në këtë kongregacion, thotë: «Jemi të gëzuar që Jehovai na ka përdorur në këtë vepër kaq të rëndësishme.» Po, edhe të shurdhrit po «dëgjojnë» mesazhin e Mbretërisë. Është me të vërtetë një arsye për të ngazëlluar kur sheh përparimin e bërë në këtë territor të papredikuar më parë.

Nevojiten ndërtesa më të mëdha

Duke qenë se gjatë viteve 90 janë predikuar territore të reja dhe janë punuar më me themel territoret e vjetra, ka pasur rritje të vazhdueshme në numrin e lajmëtarëve dhe të atyre që shoqërohen me kongregacionin. Ka pasur nevojë për më tepër revista dhe janë përkthyer në gjuhët filipinase më shumë libra e broshura se kurrë më parë. Përfundimi ka qenë një rritje e madhe në numrin e anëtarëve të degës; për të bërë shtypjen, përkthimin dhe redaktimin e për të kryer shërbime të tjera të nevojshme për vëllezërit dhe kongregacionet. Jo shumë kohë pasi përfundoi ndërtimi i banesës së re në vitin 1991, ajo ishte e mbushur plot e përplot. Ishte projektuar për 250 njerëz. Në vitin 1999 familja Bethel kishte 350 anëtarë.

Në pronat e degës kishte ende vend për të ndërtuar, prandaj Trupi Udhëheqës miratoi ndërtimin e një banese tjetër, shumë të ngjashme me atë që përfundoi më 1991. Puna nisi në vitin 1999 dhe mbaroi nga fundi i 2001-shit. Falë kësaj ndërtese, tani ka një kapacitet banimi gati dy herë më të madh. Ka më tepër hapësirë për zyrat, çka ishte jashtëzakonisht e nevojshme për të plotësuar nevojat e veprës së predikimit që sa vjen e zgjerohet. Ndërtesa të tjera që u shtuan përfshinin një lavanderi më të madhe, një klasë për Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe një vend më të mirë për bibliotekën. Punëtorë vendës dhe shërbëtorë ndërkombëtarë që ishin mjeshtra, u bashkuan përkohësisht me familjen Bethel për të kryer këtë punë. Pas përfundimit të ndërtesës së re këta vullnetarë qëndruan për të bërë punë meremetimi në ndërtesën e 1991-shit. Në projekte të tilla ndërtimi përfshihet mjaft punë, por me një qëllim të vetëm në mendje: të sigurohen ndërtesa që do të përkrahin mbjelljen e të vërtetave biblike jetëdhënëse.

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim ndihmon për të plotësuar një nevojë

Kur u hap Shkolla e Stërvitjes për Shërbim në Shtetet e Bashkuara më 1987, shumë vëllezër në Filipine zunë të mendonin: ‘A do të kemi ndonjëherë mundësi të përfitojmë nga kjo stërvitje?’ Përgjigjja erdhi në vitin 1993. U njoftua se shkolla do të fillonte të funksiononte në Filipine vitin e ardhshëm. Shkolla do të siguronte stërvitje të mëtejshme për vëllezërit e kualifikuar që kishin njëfarë përvoje organizative si pleq ose si shërbëtorë ndihmës. Qindra vëllezër bënë kërkesën.

Dy mbikëqyrës udhëtues dhe një misionar u stërvitën si instruktorë. Klasa e parë nisi më janar 1994. Ata që kanë marrë këtë stërvitje janë bërë më të kualifikuar për t’u shërbyer vëllezërve në kongregacione. Për një të diplomuar në këtë shkollë, kongregacioni me të cilin ai shoqërohej shkroi kështu: «Ka shumë ndryshim në mënyrën si i mban tani pjesët në mbledhje në krahasim me kohën para se të ndiqte shkollën.»

Shumë studentë bënë sakrifica materiale, me qëllim që të përfitonin nga kjo stërvitje frymore. Ronald Molenjoja ishte stërvitur si inxhinier kimist. Ai mori ftesën për në shkollë, por gati në të njëjtën kohë, një firmë i ofroi një punë që do t’i siguronte rrogë të lartë, strehim, sigurimet dhe përfitime të tjera. Ronaldi meditoi për të dyja këto mundësi që iu vunë përpara dhe zgjodhi mundësinë për të përparuar frymësisht. Ai u diplomua në klasën e 18-të dhe vazhdoi të gëzojë shërbimin si pionier. Kohët e fundit Ronaldi u ftua të ndërmerrte shërbimin si misionar në Papua Guinenë e Re.

Uillson Tipaiti duhej të merrte një vendim pasi kishte marrë pjesë në klasën e parë. Ai kishte një punë të mirë si mësues, por tani e ftuan të ndërmerrte shërbimin si pionier special atje ku kishte më shumë nevojë. Ai thotë: «Më pëlqente puna e mësimdhënies, por e dija edhe se interesat e Mbretërisë duhej të jenë gjëja e parë në jetën time.» Ai pranoi privilegjin e shërbimit si pionier special dhe përjetoi bekimin e Jehovait në shërbimin e tij. Uillsoni tani shërben si mbikëqyrës krahinor në Filipinet Jugore.

Shumica e studentëve që marrin pjesë në shkollë janë nga Filipinet. Megjithatë, Trupi Udhëheqës ka marrë masa që të vijnë studentë edhe nga kombe të tjera aziatike. Ndër vendet që kanë dërguar studentë janë: Hong-Kongu, Indonezia, Kamboxhia, Malajzia, Nepali, Sri-Lanka dhe Tajlanda. Disa prej studentëve vijnë nga vende ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait është e kufizuar. Të stërviten së bashku ka qenë një përvojë vërtet ndërtuese për studentët. Instruktori Anibal Zamora thotë: «Studentët që vijnë nga vendet ku ka kufizime rrëfejnë si kanë treguar besim te Jehovai në të gjitha rrethanat. Kjo i forcon studentët nga Filipinet.» Nga ana tjetër, studentët nga vendet e tjera mësojnë se si vëllezërit filipinas që vijnë nga shtresat e ulëta i kanë shërbyer Jehovait në rrethana të pafavorshme.

Nid’hu Davidi, një student nga Sri-Lanka, thotë: «Ato janë kujtime që gjithnjë do t’i çmoj si diçka e shtrenjtë. Ishin dy muaj stërvitjeje nga Perëndia Jehova. Vërtet të mrekullueshëm!»

Klasa ku zhvillohet shkolla gjendet pikërisht në degë. Studentët jo vetëm që nxjerrin dobi nga programi mësimor i përgatitur, por mësojnë edhe duke parë vetë me sytë e tyre si organizohet vepra në degë. Njohja me vëllezërit e motrat në Bethel që janë me mendje frymore u jep shembuj të shkëlqyer besimi për t’u imituar. Gjithashtu, vëllezërit nga vendet me pak lajmëtarë ose në gjendje kufizimi kanë mundësi të shohin organizatën në një shkallë më të gjerë.

Deri tani janë diplomuar 922 veta nga 35 klasa. Nga të diplomuarit filipinas, 75 tani shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues dhe shumë më tepër si zëvendësmbikëqyrës qarkorë në 193 qarqe anembanë ishujve. Gjashtë janë caktuar në Bethel dhe dhjetë po shërbejnë në caktime si misionarë në Papua Guinenë e Re dhe në Mikronezi. Qindra të tjerë po shërbejnë si pionierë të rregullt në territorin e zonës së tyre ose atje ku ka më shumë nevojë. Vetëm gjatë tetë vjetëve që kur u hap shkolla, mbi 65.000 veta janë pagëzuar në këtë vend. Në kongregacione ka një frymë të shkëlqyer pionieri dhe, në përgjithësi, një rritje të dukshme. Është shumë e qartë se këta vëllezër kanë zbatuar çfarë kanë mësuar në shkollë, duke dhënë ndihmesën e tyre për ecjen e shkëlqyer përpara.

Ecja përpara

Gjëra të mrekullueshme po kryhen gjithandej në këta ishuj. Vëllezër të zellshëm që bëjnë pjesë në afro 3.500 kongregacione përfshihen në shpalljen e lajmit të mirë për qeverinë më të mirë që mund të merret me mend, Mbretërinë e Perëndisë.

Raportet e kohëve të fundit janë shumë nxitëse. Gjatë shtatë muajve të fundit të vitit të shërbimit 2002 u arrit një maksimum i ri lajmëtarësh gjatë çdo muaji. Në muajin gusht kishte 142.124 veta që u çonin të tjerëve mesazhin e Mbretërisë. Njerëzit në një mori ishujsh po njihen me emrin e Jehovait dhe qëllimin e tij. Shërbëtorët e Jehovait atje po bëjnë diçka të ngjashme me atë që parathotë Isaia 24:15: ‘Ata lëvdojnë emrin e Zotit në ishujt e detit.’

Midis këtyre predikuesve të zellshëm ka mijëra pionierë të rregullt. Në vitin 1950 kishte vetëm 307 pionierë, por në fund të prillit të vitit 2002 kishte 21.793 të tillë. Shtoju këtyre 386 pionierët specialë dhe 15.458 pionierët ndihmës në atë muaj dhe gjithsej kishte 37.637 pionierë ose 27 për qind e të gjithë lajmëtarëve. Shumë të tjerë kanë treguar se dëshirojnë të bashkohen me radhët e shërbëtorëve të plotkohorë të Perëndisë. Gjatë vitit të shërbimit 2002 u miratuan 5.638 kërkesa për pionierë të rregullt.

E gjithë kjo po jep fryte të shkëlqyera. Mijëra njerëz vazhdojnë të përgjigjen. Në Përkujtim, në mars të vitit 2002, kishte 430.010 të pranishëm. Çdo muaj drejtohen afro 100.000 studime biblike. Gjatë vitit të shërbimit 2002 u pagëzuan 6.892 dishepuj të rinj. Në vitin 1948 në vend kishte vetëm 1 Dëshmitar në çdo 5.359 njerëz. Sot ka 1 në çdo 549 njerëz. Ndërkohë që Jehovai ende i lë mundësitë e hapura, ka shumë shpresa se mijëra të tjerë mund të bashkohen me lavdëruesit e Jehovait në këto ishuj të detit.

Të vendosur të vazhdojnë

Disa farëra të së vërtetës u mbollën në tokën filipinase në vitin 1912, kur atje bëri vizitë Ç. T. Rasëlli. Ngadalë, por të patundura, farërat mbinë e u rritën. Ato dhanë fryte të mira duke qenë se disa morën qëndrim për të vërtetën «në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë». (2 Tim. 4:2) Veçanërisht që nga Lufta II Botërore ritmi i rritjes është përshpejtuar deri sot, kur dhjetëra mijë janë lavdërues aktivë të Jehovait. Si të tillë, ata punojnë me gëzim për të nderuar emrin e Perëndisë, së bashku me më shumë se gjashtë milionë veta që përbëjnë kongregacionin mbarëbotëror të popullit të Jehovait.

Siç u bë e qartë në këtë tregim, vepra nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Me gjithë bukurinë e këtij vendi, të arrish banorët e një morie ishujsh është diçka që ka vënë në provë qëndresën e predikuesve të Mbretërisë. Disa përballen me detet e stuhishme për të arritur në viset e veçuara të vendit. Shumë veta ecin në këmbë përmes bimësisë së dendur të lartësive malore për të gjetur njerëz ngjashëm deleve. Madje, ndonëse ishujt e Filipineve kanë pasur më tepër katastrofa sesa mund të përballohen, si për shembull tërmete, përmbytje, tajfune e vullkane, kjo nuk e ka ndalur veprën e Dëshmitarëve besnikë të Jehovait.

Ata janë ngjashëm izraelitëve, të cilët ishin rivendosur në tokën e tyre për të rigjallëruar adhurimin e vërtetë. Rrethanat nuk ishin në favor të tyre, por gëzimi i Jehovait ishte kalaja e tyre. Edhe sot Dëshmitarët e Jehovait kanë shfaqur qartë besimin te Perëndia dhe aftësinë për t’u përshtatur. Ata e dinë se Jehovai është me ta dhe e besojnë atë që thuhet te Psalmi 121:7: «Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.» Me mbështetjen e Jehovait, ata dëshirojnë me zjarr të ndihmojnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur, para se të përfundojë ky sistem. Pastaj, presin me padurim që të mësojnë miliona të ringjallur në mbarë tokën, përfshirë edhe këta 7.100 ishuj. Atëherë bukuria parajsore e këtij vendi do të rrezatojë, duke i sjellë lavdërim Krijuesit.

Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait janë të vendosur të ecin përpara me besim të plotë se Jehovai do të bekojë veprën e tyre. Ata përpiqen që jeta e tyre të jetë në përputhje me fjalët e profetit të Perëndisë: «Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.»—Isa. 42:12.

[Diçitura në faqen 232]

«Perëndia duhet të jetë me ty, përndryshe do të ishe vrarë»

[Kutia në faqen 153]

Mbillen farërat e para të së vërtetës

Çarls T. Rasëlli dhe ata që udhëtonin me të vizituan Filipinet në vitin 1912. Edhe pse ata ishin të parët përfaqësues zyrtarë nga selia qendrore në Bruklin që vizituan atë vend, raportet tregojnë se në Filipine tashmë ishin dy Studentë të Biblës, të cilët po ndihmonin të tjerët të mësonin të vërtetën biblike. Luiz Belli, nga Shtetet e Bashkuara, shkroi:

«Burri im dhe unë shkuam në Filipine më 1908 dhe punuam si mësues. Ishim të vetmit amerikanë në qytetin e Sibalomës. Porositëm në Bruklin qindra kilogramë fletushka biblike. Ato u dërguan nga Nju-Jorku në San-Francisko, pastaj përmes Paqësorit për në Manilë dhe që andej, me varkat ndërishullore, për në Sibalomë.

I shpërndamë fletushkat dhe folëm me vendësit për aq sa na lejonte koha e sa kishim mundësi. Nuk i mbajtëm shënim orët ose fletushkat që lamë. Megjithëse njerëzit ishin katolikë, shumë veta na dëgjonin me gëzim. Ishim mësues e ishim stërvitur si mjekë, por në radhë të parë ishim lajmëtarë të lajmit të mirë.

Udhëtonim në këmbë ose me kuaj nëpër rrugë të këqija. Nganjëherë flinim në dysheme të thurura me bambu dhe hanim peshk e oriz në një tas të përbashkët.

Kur pastori Rasëll vizitoi Manilën, më 1912, i dërguam një telegram.»

Motër Belli ishte e pranishme në fjalimin e vëlla Rasëllit me temë: «Ku janë të vdekurit?», që u mbajt në Pallatin e Madh të Operës në Manilë.

[Kutia në faqen 156]

Një vështrim i përgjithshëm mbi Filipinet

Vendi: Rreth 7.100 ishuj mbulojnë një sipërfaqe tokësore prej afro 300.000 kilometrash katrorë. Ishujt shtrihen rreth 1.850 kilometra nga veriu në jug dhe gati 1.125 kilometra nga lindja në perëndim. Ata ndryshojnë shumë për sa i përket sipërfaqes: më i madhi ka një shtrirje pak më të madhe se Portugalia, kurse më i vogli është kaq i vogël, saqë zhduket fare kur ka baticë.

Popullsia: Kryesisht janë pasardhës të malajasve, megjithëse disa kanë edhe prejardhje kineze, spanjolle ose amerikane.

Gjuha: Në morinë e gjuhëve në Filipine gjuhët bikole, cebuane, hiligainone, iloke, pangasinane, samar-leite dhe tagaloge janë ndër ato që fliten më tepër. Si gjuhë zyrtare mbahen gjuha angleze dhe pilipine. Gjuha pilipine rrjedh kryesisht nga ajo tagaloge.

Jetesa: Në qytete ka një shumëllojshmëri punësh, kurse në zonat fshatare shumë veta janë bujq ose peshkatarë. Prodhimet që përdoren si ushqim, ku përfshihen orizi, kallam sheqeri, bananet, arrat e kokosit dhe ananasët, rriten gjithandej.

Ushqimi: Zakonisht orizi shërbehet në çdo vakt. Peshqit dhe prodhimet e tjera të detit janë shumë të zakonshme, së bashku me perimet dhe frutat që rriten në vendet tropikale.

Klima: Vendi ka klimë tropikale, me temperatura pothuajse të qëndrueshme në të gjithë ishujt. Në përgjithësi, në vend bie shumë shi.

[Kutia dhe figura në faqet 161, 162]

Intervistë me Hilarion Amoresin

Lindur: 1920

Pagëzuar: 1943

Të dhëna: E mësoi të vërtetën gjatë pushtimit japonez në Luftën II Botërore. Në atë kohë kishte pak Dëshmitarë në vend.

U pagëzova gjatë luftës, kur vëllezërit mund të predikonin ende nga shtëpia në shtëpi. Sidoqoftë, duhej të ishim të kujdesshëm, se njerëzit kishin dyshime për çfarë po bënim. Më pas, na u desh të iknim në fshatra, por më 1945 u kthyem prapë në Manilë.

Atëherë kisha privilegjin të përktheja Kullën e Rojës në gjuhën tagaloge. Kjo kërkonte që të punonim vonë, madje edhe deri në orën dy të mëngjesit. Materiali i përkthyer shaptilografohej dhe u dërgohej grupeve të Dëshmitarëve. Nevojitej vetëmohim, por ishim shumë të kënaqur që po tregohej kujdes për gjendjen frymore të vëllezërve.

Gjatë gjithë këtyre viteve që kam qenë në të vërtetën kam parë që Jehovai është i mëshirshëm. Ai kujdeset me të vërtetë për popullin e tij, edhe frymësisht, edhe materialisht. Kujtoj ndihmat që u dërguan në Filipine pas luftës. Sa shumë njerëz që morën ndihma, si për shembull pantallona, këpucë dhe veshje të tjera! Një varg pionierësh që përfituan nga kjo ishin kaq mirënjohës, saqë ata bënë përpjekje edhe më të mëdha në shërbimin e plotkohor. Jehovai kujdeset me të vërtetë për popullin e tij, duke i siguruar gjithçka që i nevojitet.

[Kutia dhe figura në faqet 173, 174]

Një misionar i dashur

Nil Kollëuei

Lindur: 1926

Pagëzuar: 1941

Të dhëna: Lindi në një familje Dëshmitarësh dhe filloi shërbimin në kohë të plotë pasi mori diplomën e shkollës së mesme. U ftua në klasën e 12-të të Shkollës së Galaadit; u caktua në Filipine, ku shërbeu si mbikëqyrës udhëtues.

Nil Kollëuei ishte një misionar i zellshëm, të cilin vëllezërit e donin shumë. I përkushtuar ndaj veprës së Mbretërisë dhe gjithashtu me një karakter të gëzueshëm, ai shërbeu në të gjitha pjesët e vendit. Ai tregon për caktimin e tij në veprën udhëtuese.

«Disa herë ecnim dy orë përmes kodrave që të arrinim në territor, duke kënduar këngët e Mbretërisë teksa shkonim atje. Kur isha mes një grupi me 15 deri 20 veta, duke ecur të gjithë në një rresht të vetëm përmes shtigjeve e duke kënduar, me të vërtetë më gëzohej zemra që e kisha pranuar caktimin tim në një vend të huaj.

Të çoja Fjalën e Perëndisë në shtëpitë e thjeshta në zonat fshatare, të shihja ata njerëz të përulur që uleshin në dysheme e dëgjonin çdo fjalë që thuhej dhe më pas t’i shihja ata në Sallën e Mbretërisë gjatë vizitës së ardhshme, kjo më bënte të dëshiroja të punoja edhe më fort për t’u folur të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë.»

Nili u martua me Nenitën, një motër nga Mindoroja, dhe ata shërbyen bashkë me besnikëri deri kur vdiq ai, më 1985. Vëllezërit filipinas ende flasin me dashuri për të. Njëri prej tyre tha: «Vëlla Kollëuei ishte një njeri i dashur që shkonte shumë mirë me vëllezërit. Në çdo situatë ai dinte si të përshtatej.» *

[Shënimi]

^ par. 342 Jetëshkrimi i vëlla Kollëueit gjendet në Kullën e Rojës, 1 gusht 1971, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 177]

Intervistë me Inelda Salvadorin

Lindur: 1931

Pagëzuar: 1949

Të dhëna: U dërgua si misionare në Tajlandë në mars të vitit 1967.

Kur mora vesh se do të dërgohesha si misionare në Tajlandë, provova ndjenja të ndryshme. Isha e lumtur, disi e shqetësuar dhe kisha një mori pyetjesh në mendje.

Ishte 30 mars 1967 kur mbërrita në Tajlandë. Gjuha ishte e çuditshme për mua. Është një gjuhë me tone: të ulëta, të larta, të thella, në ngritje dhe të mprehta. Ishte e vështirë të mësoje gjuhën, por vëllezërit, si vendësit, si të huajt, më ndihmuan me dashuri.

Nga viti 1967 deri në vitin 1987 isha në Sukhumuit. Pastaj më kërkuan të zhvendosesha në një kongregacion tjetër. Kjo dukej e vështirë se duhej të lija motrat dhe vëllezërit me të cilët kisha punuar për 20 vjet. Kështu ndihesha kur u transferova në qytetin e Ton-Burit. Në fund të fundit, gjithçka varet nga qëndrimi mendor. Pas 12 vjetësh në Ton-Buri u zhvendosa prapë në Sukhumuit në vitin 1999. Disa misionarë të tjerë thanë se ishte sikur të isha kthyer në shtëpi. Por, sa për mua, çdo kongregacion në të cilin caktohem është shtëpia ime.

[Kutia dhe figura në faqen 178]

Kujtime nga mësimi i një gjuhe

Benito dhe Elizabeta Gundajao

Të dhëna: Benitoja, i shoqëruar nga gruaja e tij Elizabeta, shërbeu në veprën qarkore në Filipine. Në vitin 1980, ata u dërguan si misionarë në Hong-Kong. Atje kanë ndihmuar 53 njerëz të mësojnë të vërtetën.

Të mësonim dialektin kantonez ishte një punë e vështirë për ne që nuk kishim njohuri të mëparshme të gjuhës kineze. Nevojiteshin me të vërtetë përpjekje të zellshme, këmbëngulje, si edhe përulësi.

Një herë unë po përpiqesha të thosha: «Po shkoj në treg.» Në dialektin kantonez doli: «Po shkoj te glasat e pulës.» Një herë në shërbimin në fushë gruaja ime me entuziazëm po thoshte: «Oh, e njoh atë»,—duke folur për një motër, të cilën e zonja e shtëpisë e njihte nga afër. Por, fjalët e saj kishin kuptimin: «Oh, unë e ha atë.» Sa u trondit e zonja e shtëpisë! I çmojmë si diçka të shtrenjtë përvojat tona në shërbim, në territorin ku flitet gjuha kineze.

[Kutia dhe figura në faqet 181, 182]

Intervistë me Lidia Pamplonën

Lindur: 1944

Pagëzuar: 1954

Të dhëna: Pasi fitoi përvojë si pioniere speciale në Filipine, më 1980 u ftua të shërbente në Papua Guinenë e Re. Ka ndihmuar mbi 84 njerëz të mësojnë të vërtetën.

Isha tepër e emocionuar që po merrja caktimin tim, sepse prej shumë kohësh dëshiroja të shërbeja atje ku kishte më shumë nevojë. Isha edhe e shqetësuar, ngaqë ishte hera e parë që largohesha nga familja. Nuk dija shumë gjëra për Papua Guinenë e Re, dhe ato pak që dija më bënin nervoze. Nëna më dha zemër, duke më thënë: «Perëndia Jehova do të kujdeset për ne kudo që të jemi, nëse bëjmë vullnetin e tij.» Shkrova letrën e pranimit.

Kur mbërrita, vëllezërit ishin tepër të përzemërt dhe njerëzit ishin miqësorë. Çdo muaj lija shumë libra dhe revista, më tepër sesa kisha lënë ndonjëherë në Filipine. Por, gjuha dhe zakonet ishin shumë të ndryshme nga të miat. Mendoja: ‘Epo mirë, do të shërbej këtu vetëm për pak vjet dhe pastaj do të kthehem në shtëpi e do të shërbej si pioniere bashkë me mamanë.’

Por, pasi mësova dy nga gjuhët kryesore dhe u përshtata me disa nga zakonet vendëse, arrita t’i njoh më mirë njerëzit. Për më se 20 vjet që kam qenë këtu, kam pasur privilegjin t’u mësoja të vërtetën shumë vetave dhe disa i kam mësuar të shkruajnë e të lexojnë, kështu që mund të studiojnë siç duhet dhe ta bëjnë të tyren të vërtetën. E gjitha kjo dhe bekime të tjera, tani më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time në Papua Guinenë e Re. Nëse Jehovai dëshiron, jam e lumtur që të më përdorë në shërbimin e tij, derisa ai të thotë se vepra është kryer ose deri në fund të ditëve të mia.

[Kutia dhe figura në faqet 191, 192]

Intervistë me Filemon Damason

Lindur: 1932

Pagëzuar: 1951

Të dhëna: Filloi shërbimin në kohë të plotë më 1953. Më pas u martua dhe hyri në veprën qarkore. Pasi rritën fëmijët, vazhdoi shërbimin e plotkohor si pionier special bashkë me të shoqen. Deri tani ka pasur caktime të ndryshme në ishujt Visajan dhe në Mindanao.

Vështirësitë e mëdha e bënin të rëndë shërbimin e plotkohor në vitet 60. Ushqimi ishte i paktë për shkak të sëmundjeve epidemike të përhapura nga minjtë e arave që shkatërruan të mbjellat e misrit e të orizit. Nuk mund të shkonim më për të predikuar në qytete, sepse rrobat dhe këpucët na ishin grisur.

Prandaj shkonim në fusha, male e në fshatra të largëta, zakonisht pa këpucë. Për pak mbeta pa e bërë pjesën që kisha në një asamble qarkore, ngaqë nuk kisha veshjen e përshtatshme. Gjithsesi, mbikëqyrësi krahinor, vëlla Bernandinoja, me përzemërsi më dha hua këmishën e tij dhe e bëra fjalimin tim. Sigurisht, shumë njerëz ishin edhe më keq se ne nga ana materiale. Jehovai na bekoi për hir të vendosmërisë sonë për të qëndruar.

Në vitin 1982, na dolën disa sprova për shkak të asnjanësisë. Në Mindanao vlonte rebelimi kundër qeverisë. Ngaqë unë po drejtoja studime biblike me disa të ashtuquajtur oficerë rebelë, ushtarët e qeverisë më etiketuan si «lektori» i të majtëve. Megjithatë, një oficer i qeverisë shpjegoi se çka ne mësojmë vjen nga Bibla dhe nuk ka natyrë politike.

Në të njëjtën kohë, rebelët nuk më shihnin me sy të mirë, sepse kur shkova të predikoja, së pari i dhashë dëshmi kryeplakut të fshatit dhe komandantit të njësisë ushtarake. Por rebelët nuk na bënë gjë, meqë na mbrojti një oficer rebel, me të cilin po studioja.

Për dhjetëvjeçarë të tërë, Jehovai na ndihmoi të mbijetonim përmes sprovave e vështirësive. E falënderojmë Jehovain për mëshirën dhe mbrojtjen e tij.—Prov. 18:10; 29:25.

[Kutia dhe figura në faqet 217, 218]

Intervistë me Pasifiko Pantasin

Lindur: 1926

Pagëzuar: 1946

Të dhëna: U diplomua në klasën e 16-të të Galaadit në vitin 1951. Tani shërben si plak në Keson-Siti.

Gjatë luftës së dytë botërore kishim fqinjë Dëshmitarët e Jehovait në provincën e Lagunës. Ata më ftuan të lexoja ç’të doja në bibliotekën e tyre. Librat ishin tërheqës: Krijimi, Shfajësimi, Pajtim, Feja, Armiqtë, Fëmijët dhe shumë të tjerë. Kur japonezët i vunë flakën qytetit tonë, u ndamë nga Dëshmitarët, por kaloi mbi një vit dhe i gjeta prapë në Manilë. Fillova të ndiqja mbledhjet dhe pastaj u pagëzova e u bashkova me një grup pionierësh. Caktimi ynë ishte tërë provinca e Tajabasit, e cila më pas u quajt Keson. Predikonim qytet më qytet dhe flinim në autobusë bosh, në shtëpitë e të interesuarve dhe në vende të tjera të ngjashme.

Kur arritëm në Mauban, një grup guerilasish bastisën qytetin. Po flinim në katin e dytë të bashkisë së qytetit. Na zgjoi trazira. Dukej se policët poshtë nesh kishin rënë në kurth. Mund të dëgjonim si po hidhnin armët në dysheme.

Luftëtarët ia behën lart si furtunë. Njëri prej tyre, duke drejtuar nga ne dritën e një elektriku dore, na tha: «Kush jeni ju?» Bëmë sikur flinim. Ai pyeti sërish dhe shtoi: «Mos jeni gjë spiunë të policisë së Filipineve?»

—Jo zotëri,—u përgjigjëm ne.

—Po ju keni veshur uniforma kaki?!—tha ai.

Ne i shpjeguam se rrobat na i kishin dhuruar dhe se këpucët na i kishin dërguar vëllezërit tanë nga Amerika në një pako me ndihma.

Komandanti tha: «Në rregull, po i marr këpucët.» Kështu i hoqa këpucët e mia. Donte edhe pantallonat. Pas pak ne të gjithë ishim vetëm me mbathje. Mirë që kishim disa rroba mënjanë aty afër. Faktikisht ishim të kënaqur që morën çfarë morën. Përndryshe, gjithë qyteti do të mendonte se ishim spiunë të guerilasve.

Blemë disa palë këpucë të drunjta, u kthyem në Manilë dhe pastaj shkuam në ishujt Visajan për të vazhduar predikimin.

Vëlla Pantasi mori pjesë në shërbimin e plotkohor dhe u shërbeu vëllezërve si shërbëtor (që tani quhet mbikëqyrës qarkor) para se të ndiqte Shkollën e Galaadit. Pasi u kthye në Filipine, shërbeu si mbikëqyrës krahinor dhe në zyrën e degës para se të ngrinte familje.

[Tabela dhe grafiku në faqet 168, 169]

FILIPINET​—KRONOLOGJIA

1908: Dy Studentë të Biblës nga Shtetet e Bashkuara fillojnë të dëshmojnë në qytetin e Sibalomës.

1910

1912: Çarls T. Rasëlli mban një fjalim në Pallatin e Madh të Operës në Manilë.

1934: Hapet zyra e degës. Broshura Gjeni strehim te Mbretëria botohet në gjuhën tagaloge.

1940

1947: Vijnë për herë të parë të diplomuarit e Galaadit.

1961: Fillon të mbahet Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë.

1964: Për herë të parë ftohen pionierë filipinas të ndërmarrin shërbimin misionar në vendet fqinje.

1970

1978: Fillon të mbahet Shkolla e Shërbimit për Pionier.

1991: Përfundohen dhe kushtohen ndërtesat e reja të degës. Shpërthen mali Pinatubo.

1993: Botohet Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në gjuhën tagaloge.

2000

2000: Botohet i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën tagaloge.

2002: Ka 142.124 lajmëtarë aktivë në Filipine.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

150,000

100,000

50,000

1940 1970 2000

[Tabela në faqen 199]

(Shiko botimin)

Grafiku i rritjes së pjesëmarrjes në kongrese (1948-1999)

350.000

300.000

250.000

200.000

150.000

100.000

50.000

0

1948 1954 1960 1966 1972 1978 1984 1990 1996 1999

[Hartat në faqen 157]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

FILIPINE

LUSON

Vigan

Baguio

Lingajen

Kavanatuan

Mali Pinatubo

Olongapo

Keson-Siti

MANILË

MINDORO

ISHUJT VISAJAN

Masbate

SEBU

MINDANAO

Surigao

Davao

PALAVAN

El-Nido

[Figura që zë gjithë faqen 150]

[Figura në faqen 154]

Çarls T. Rasëlli dhe Uilliam Holli gjatë vizitës së tyre në Filipine, më 1912

[Figura në faqen 159]

Jozef dos Santosi, dalë këtu me gruan e tij, Rozarinë, më 1948, mbeti një lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë pavarësisht se kaloi tre vjet burgimi mizor gjatë Luftës II Botërore

[Figura në faqen 163]

Vëllezërit e parë që u dërguan nga Filipinet në Shkollën e Galaadit: Adolfo Dionisio, Salvador Livag dhe Makario Basuell

[Figura në faqen 164]

Duke ecur përmes maleve për të predikuar

[Figura në faqen 183]

Mijëra pionierë kanë nxjerrë dobi nga Shkolla e Shërbimit për Pionierë

[Figura në faqen 186]

Sistemi i fotoradhitjes i kompjuterizuar nisi më 1980

[Figura në faqen 189]

Lajmi i mirë është vënë në dispozicion në shumë gjuhë filipinase

[Figura në faqen 199]

Kongresi Ndërkombëtar «Mësimi hyjnor», 1993

[Figura në faqen 199]

Pagëzimi në Kongresin Krahinor «Lavdërues të gëzuar», 1995

[Figura në faqen 200]

Misionarë filipinas që u kthyen në vend për vizitë gjatë kongresit

[Figura në faqen 202]

«Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke» në gjuhën tagaloge doli në kongreset e vitit 1993

[Figura në faqen 204]

Përkthimi i Biblës me ndihmën e kompjuterëve

[Figura në faqen 205]

Një pionier i lumtur po merr të plotë «Përkthimin Bota e Re» në gjuhën e tij amtare

[Figura në faqen 207]

Komiteti i degës, nga e majta në të djathtë: (ulur) Denton Hopkinson, Feliks Salango; (në këmbë) Feliks Fajardo, Deivid Ledbetër dhe Rajmond Liç

[Figura në faqen 211]

Shumë refugjatë vietnamezë e mësuan të vërtetën kur ishin në Filipine

[Figura në faqen 215]

Natividada dhe Leodegario Barlaani kanë kaluar secili më shumë se 60 vjet në shërbimin e plotkohor

[Figurat në faqet 222, 223]

Salla Mbretërie, të ndërtuara vitet e fundit

[Figurat në faqen 224]

Sallë Asambleje në Manilën metropolitane (sipër) dhe të tjera Salla Asamblesh, jashtë Manilës

[Figura në faqen 228]

Majtas: Xhon Barri mban fjalim në programin e kushtimit të degës në vitin 1991

[Figura në faqen 228]

Poshtë: ndërtesat e degës, në vitin 1991

[Figura në faqen 235]

Fitorja e Dëshmitarëve të Jehovait bëhet e njohur në gazeta

[Figurat në faqen 236]

Tërmetet, vullkanet dhe përmbytjet shkaktojnë probleme, por lajmëtarët e zellshëm vazhdojnë të predikojnë

[Figura në faqen 246]

Pionierë të zellshëm kanë mësuar gjuhën e shenjave për të ndihmuar të shurdhrit që të nxjerrin dobi nga programet frymore

[Figura në faqen 246]

Studentë me instruktorë, në klasën e parë në vend të Shkollës së Shërbimit të Pionierit në gjuhën e shenjave, në fillim të vitit 2002

[Figura në faqen 251]

Klasa e 27⁠-⁠të e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Filipine