Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje kryesore të vitit të kaluar

Ngjarje kryesore të vitit të kaluar

Ngjarje kryesore të vitit të kaluar

«EJANI tek unë, . . . dhe unë do t’ju freskoj.» Këto fjalë të Jezu Krishtit, që gjenden te Mateu 11:28, shërbyen si shkrimi i vitit për 2002-shin. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit shumë veta erdhën vërtet, sepse 265.469 njerëz pranuan ftesën e Perëndisë, u pagëzuan dhe gjetën freskim, së bashku me më shumë se gjashtë milionë të tjerë, të cilët shërbejnë si dishepuj nën zgjedhën e këndshme të Krishtit.

Në faqet që vijnë më pas do të lexoni si Jehovai vazhdon të bekojë me bollëk popullin e tij anekënd tokës. Le të shqyrtojmë tani disa ngjarje të rëndësishme teokratike gjatë vitit të shërbimit 2002.

Kongrese krahinore që nxitin zellin

Siç e kanë zakon, Dëshmitarët e Jehovait u mblodhën në qindra vende anembanë botës për të marrë pjesë në kongresin e tyre krahinor që mbahet çdo vit. Tema e kongresit krahinor për vitin 2002-2003 ishte «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë». Fjalimi kyç theksoi se sot populli i Perëndisë imiton zellin dhe guximin e Jezu Krishtit për të kryer shërbimin e vet. Fjalime të tjera shpjeguan se zelli kultivohet nëpërmjet studimit të Fjalës së Perëndisë dhe shfaqet duke bërë vepra të mira, e sidomos duke shpallur me entuziazëm Mbretërinë e Perëndisë.

Drama me kostume, e titulluar «Qëndroni të patundur në kohë vështirësish», kishte në qendër të saj profetin Jeremia. Ashtu si Jezui, ai shfaqi zell dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, me gjithë vështirësitë. Jeremia pati besim te Jehovai dhe shpalli sypatrembur mesazhin e Perëndisë. Sa shembull i shkëlqyer për të krishterët sot!

Në këtë kongres dolën dy libra. Të premten delegatët morën librin Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Ky libër me 192 faqe do të përdoret si libër i dytë për studimet biblike, në mënyrë që Fjala e Perëndisë të rrënjoset thellë në zemrat e studentëve të Biblës. Jemi të sigurt se ky botim do të ndihmojë të rinjtë në të vërtetën që të rriten frymësisht dhe të ecin në rrugën e ngushtë, e cila të çon drejt jetës në botën e drejtë të Perëndisë.

Libri T’i afrohemi Jehovait doli të shtunën. Ndahet në disa pjesë që shqyrtojnë katër cilësitë themelore të Jehovait: fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Qëllimi i librit tregohet në parathënien e tij ku thuhet: «Urojmë që ky libër të të ndihmojë për t’u afruar edhe më shumë me Perëndinë Jehova, për të krijuar me të një marrëdhënie që nuk do të prishet kurrë, me qëllim që të jetosh për ta lavdëruar atë përgjithmonë.» Programi i kongresit, së bashku me këto botime të reja, do t’i ndihmojë njerëzit me zemër të sinqertë kudo që janë të rritin dashurinë e tyre për Krijuesin.

Përballojnë «kohë kritike»

Apostulli Pavël i shkroi Timoteut se «ditët e fundit» do të karakterizoheshin nga «kohë kritike të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Katastrofat, qofshin natyrore ose jo, sjellin sfida e vështirësi. Megjithatë, ato u japin mundësi të krishterëve edhe për të shfaqur dashurinë që kanë për njëri-tjetrin. Pati shumë katastrofa gjatë vitit të kaluar të shërbimit. Këtu do të ndalemi te dy prej tyre.

Katastrofa në Qendrën Tregtare Botërore: Diplomimi i klasës së 111-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit u bë të shtunën, më 8 shtator 2001. Tri ditë më vonë, më 11 shtator, të diplomuarit dhe familjet e tyre po bënin një vizitë nëpër qytetin e Nju-Jorkut, në Shtetet e Bashkuara. Ajo ditë nisi e ngrohtë dhe e bukur, me qiell të kthjellët e të kaltër. Pastaj, në orën 8.46, një avion udhëtarësh goditi kullën veriore të Qendrës Tregtare Botërore, në Manhatanin e poshtëm. Disa minuta më vonë një tjetër avion udhëtarësh u përplas me kullën jugore.

Në orën 9.59, kulla jugore u shemb, duke krijuar një re të dendur me pluhur dhe mbeturina në gjithë Manhatanin e poshtëm. Pas kësaj, edhe kulla veriore u shemb. Afro tre mijë njerëz vdiqën. Çdonjëra nga kullat, e përfunduar në 1973-shin, kishte 110 kate. Era e çoi pluhurin e dendur që u ngrit nga shembja e të dyja ndërtesave deri në Bethel, në Bruklin, më pak se tri kilometra larg.

Vëllezërit në zyrën e degës së Shteteve të Bashkuara filluan menjëherë të kërkonin se cilët Dëshmitarë ishin prekur nga kjo tragjedi e tmerrshme dhe çfarë ndihme mund të jepej. Në mbrëmjen e së martës së 11 shtatorit, u mor vesh se të gjithë anëtarët e familjes Bethel në të tria komplekset: në Bruklin, Paterson dhe Uollkill ishin shëndoshë e mirë. Aty nga pasditja e së enjtes të gjithë të diplomuarit e Galaadit kishin komunikuar me Zyrën e Galaadit duke vërtetuar që ata dhe familjet e tyre ishin mirë. Ndërkohë, u fol me telefon me 37 mbikëqyrës qarkorë të zonës së Nju-Jorkut. Ata u lidhën me pleqtë e kongregacioneve dhe pleqtë u interesuan për çdo lajmëtar. Të premten në mëngjes më 14 shtator zyra e degës u informua se 14 nga vëllezërit dhe motrat tona kishin vdekur ose nuk gjendeshin. Kjo shifër nuk ndryshoi më në ditët e ardhshme.

Të mbijetuarit rrëfyen përvojat e tyre. Sinthia Takeri, një pioniere e rregullt, punonte në Qendrën Financiare Botërore, në anën tjetër të rrugës përballë Qendrës Tregtare Botërore. Ajo ishte në katin e 37-të kur pa avionin e parë të godiste njërën nga kullat. Duke kujtuar se ky ishte një aksident i tmerrshëm, ajo doli jashtë dhe ngriti kokën e pa ndërtesën që avioni kishte goditur. Gjithandej kishte mbeturina. Pastaj, një avion tjetër i fluturoi shumë ulët sipër kokës. Motër Takeri tha: «Avioni ishte shumë i madh. E kuptova se do të përplasej me ndërtesën. Doja të vrapoja, por ngriva në vend. Nuk dija ç’të bëja. Avioni dukej se po shkonte mes për mes ndërtesës. Zhurma ishte kaq e fortë, saqë ishte sikur të ndodheshe nën ujë. Ndjeva shpërthimin. Ajri ishte i rëndë dhe dukej sikur në të kishte rërë. Ishte e vështirë të merrje frymë. Njerëzit vraponin në të gjitha drejtimet. Vrapova për te një ndërtesë dhe pashë kullën e parë që u rrëzua përdhe. Njerëzit hiqnin këmishat që të mbulonin fytyrën nga pluhuri. Njerëz me fëmijë dhe me kafshë shtëpiake dilnin nga ndërtesat. Të gjithë ishin të terrorizuar. Edhe kafshët nuk silleshin normalisht. Nuk mund ta shpreh me fjalë frikën.» Motër Takeri është mirënjohëse për ndihmën e pleqve, të cilët erdhën dhe i thanë asaj fjalë qetësuese e ngushëlluese nga Bibla.

Në muajt që pasuan, vëllezërit në zonën e Nju-Jorkut ua çuan mesazhin biblik të ngushëllimit e të shpresës njerëzve në komunitetin e tyre. Disa vëllezërve iu dha leja të flitnin rreth Biblës me njerëzit që ndodheshin në nivelin zero, vendi ku u shembën Kullat Binjake. Njëri nga këta vëllezër ishte pionieri Roi Klingsporni. Ai tha: «Një rreshter i forcave ajrore, i cili punoi për të dhënë ndihmë në atë zonë, tha me mirënjohje: ‘Të gjithë na sjellin ushqim, kafe të nxehtë dhe rroba të thata, por ju jeni të parët që po na lexoni një shkrim. Kemi nevojë për Perëndinë në një kohë si kjo.’»

Shpërthimi i vullkanit në Afrikën Lindore: Shumë nga vëllezërit tanë në Kongon (Kinshasa) Lindore kanë përjetuar luftën civile, sëmundjet, varfërinë dhe papunësinë. Disa kanë qenë ose janë ende refugjatë. Këtyre problemeve iu shtua edhe shpërthimi i papritur i malit Niragongo, një vullkan që ndodhet jo shumë larg nga qyteti i Gomës. Gjatë mëngjesit të 17 janarit të vitit 2002, mali filloi të nxirrte tym dhe zjarr. Në mbrëmje, nga vullkani rrodhi lava dhe arriti deri në Goma. Mijëra njerëz, të frikësuar ia mbathën drejt Ruandës, në qytetin e afërt të Gisenit. Rrugët ishin plot me njerëz që mbartnin ato pak gjëra që mundeshin. Edhe Giseni ishte në rrezik, megjithatë vëllezërit e atjeshëm morën masa që një Sallë Mbretërisë të shërbente si kamp refugjatësh për vëllezërit nga Kongoja. Disa vëllezër në Giseni dolën menjëherë vullnetarë që të hapnin shtëpitë e tyre për ata që kishin ikur për shkak të vullkanit.

Një plak në atë vend tha: «Kur pamë çfarë po ndodhte, unë me disa vëllezër, shkuam menjëherë në rrugën kryesore që lidh Gomën me Gisenin. Kishim në duar revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe i ngritëm lart. Ishte errësirë, por shkuam në vende ku mund të na shihnin. Kur vëllezërit tanë shihnin revistat, na njihnin që ishim Dëshmitarë dhe ne i drejtonim te Salla jonë e Mbretërisë, e cila po shërbente si kamp refugjatësh. Ne qëndruam buzë rrugës deri në orët e mëngjesit. Në këtë mënyrë bëmë atë që vëllezërit në Gomë kishin bërë për ne para disa vjetësh. Kur mbaruan luftimet në Ruandë, qindra mijë veta ia mbathën për në Gomë. Në atë kohë Dëshmitarët nga Goma ndenjën natë e ditë buzë rrugëve duke mbajtur lart revistat që të na ndihmonin të njihnim vëllezërit. Ata na drejtuan te kampet e refugjatëve, të ngritura nga Dëshmitarët.»

Shumica e atyre që kishin ikur nga vullkani duhej ta kalonin natën jashtë. Ndër ta ishin disa vëllezër që për shkak të pështjellimit ose errësirës nuk i kishin parë ata që mbanin lart revistat. Një plak komentoi: «Ditën tjetër, herët në mëngjes, vëllezërit dhe motrat dolën jashtë përsëri, me revistat në dorë. Ata shkuan gjithandej nëpër Giseni, me qëllim që çdokush të mund t’i shihte. Kështu i gjetën të gjithë vëllezërit nga Goma, të cilët nuk i kishin parë Dëshmitarët një natë më parë. Pas pak kohësh Salla jonë e Mbretërisë kërcënohej nga lava, e cila po përparonte ende. Ne menjëherë morëm masa që pesë Salla të tjera Mbretërie të shërbenin si kampe refugjatësh.» Disa vëllezër nga 24 kongregacionet e Gomës ia mbathën në brendësi të Kongos, por shumica, rreth 2.000 veta, ikën në Ruandë.

Zyra e degës në Kigali të Ruandës, në çast bleu ushqime, ilaçe, batanije dhe enë plastike për ujë. Këto furnizime u dërguan menjëherë në kampe. Sa të kënaqur ishin vëllezërit nga Goma kur vetëm një ditë pas shkatërrimit, mbërriti një kamion me ndihma humanitare! Shumë komente pozitive u dëgjuan nga ata që nuk ishin Dëshmitarë. Një vëlla i dëgjoi njerëzit të thoshin: «Kjo është fe e mirë. Ata e duan me të vërtetë njëri-tjetrin.»

Gati një e treta e Gomës u shkatërrua. Shumë vëllezër e motra humbën gjithçka. Megjithatë, ata Dëshmitarë që nuk u ishin dëmtuar shtëpitë, dolën vullnetarë për t’i strehuar familjet e vëllezërve që u ishin shkatërruar shtëpitë. (Rom. 12:12, 13) Më pas vëllezërit nga Ruanda morën masa për kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve në Gomë. Gjithashtu, Dëshmitarët në Evropë ndihmuan duke dërguar dy aeroplanë të ngarkuar me furnizime nga Belgjika.

Shpërthimi i malit Niragongo ishte një katastrofë. Shumë vetave u mori jetën dhe u shkatërroi mjaft prona, por të krishterët e vërtetë u njohën nga dashuria që treguan për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.

Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë vë theksin te gjendja frymore

Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë filloi më 1959 si një kurs studimi njëmujor. U mbajt në Lansingun e Jugut, në shtetin e Nju-Jorkut, SHBA. Në zona të tjera u mbajt në vende të caktuara nga zyrat e degëve. Në fillim, shkolla regjistroi pleq kongregacionesh (atëherë quheshin shërbëtorë të kongregacionit) dhe pionierë specialë. Sidoqoftë, në vitin 1966, kursit iu bënë ca ndryshime. Zgjaste vetëm dy javë dhe merrnin pjesë vetëm pleqtë. Gjatë 1977-s, u morën masa që gjithë pleqtë të ndiqnin një kurs 15-orësh. Që atëherë, vazhdimisht janë organizuar sesione të ngjashme me gjatësi të ndryshme çdo pak vjet. Që nga viti 1984 edhe shërbëtorët ndihmës kanë marrë stërvitje në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë.

Këtë vit shkolla përbëhej nga tri klasa. E para, e mbajtur nga e marta deri të enjten, ishte për mbikëqyrësit udhëtues. E dyta, e mbajtur të premten dhe të shtunën, ishte për pleqtë e kongregacionit, dhe e treta, e mbajtur të dielën ishte për shërbëtorët ndihmës. Shkolla e vuri theksin te ruajtja e gjendjes frymore. Shumë kohë më parë Moisiu iu lut Jehovait: «Më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu.» (Dal. 33:13) Kjo lutje u tha pasi Moisiu i pa vetë Dhjetë Plagët, përjetoi ndarjen e Detit të Kuq, komunikoi me Jehovain për 40 ditë në malin Sinai dhe mori Dhjetë Urdhërimet. Në moshën 80-vjeçare dhe pasi ishte përdorur në mënyra të jashtëzakonshme nga Jehovai, Moisiu pranoi nevojën e tij frymore. Në përputhje me këtë shembull, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës u nxitën të vazhdonin të përparonin si burra frymorë, pavarësisht se sa kohë i kishin shërbyer Jehovait.

Materialin e kursit e përkthyen dhe e përdorën degët përreth rruzullit. Nga shumë vende erdhën letra çmueshmërie. Një plak nga Guineja shkroi: «Nuk më vjen keq për sakrificat dhe për udhëtimin prej 1.000 kilometrash, që bëra për të ndjekur shkollën.» Një tjetër shkroi: «Nuk mund të gjej fjalë për të shprehur mirënjohjen time për këtë stërvitje. Shumë faleminderit!»

Nga Koreja, një vëlla shkroi: «Shkolla më ndihmoi të mendoja seriozisht nëse jam apo jo një njeri frymor.»

Zyra e degës në Salvador shkroi: «U tregua interes i veçantë për masat e reja për sa i përket Studimit të Librit të Kongregacionit. Mendojmë se kjo do të na ndihmojë që t’u kushtojmë vëmendje më të madhe e më nga afër pjesëtarëve të secilit grup.»

Nga Gjermania, një trup pleqsh shkroi: «Sugjerimet e udhëzimet janë realiste dhe mund të zbatohen për dobinë e atyre që na janë besuar.»

Dega e Zvicrës shprehu këto fjalë: «Shkolla dha nxitjen e nevojshme për të mos rënë në plogështi frymore.»

Zhvillime ligjore

ARMENI: Çështja gjyqësore që përfshinte Ljova Margarijanin tërhoqi vëmendjen e mbarë botës. U ngritën akuza penale ndaj vëlla Margarijanit për veprimtarinë e tij si Dëshmitar i Jehovait. Paditë përfshinin «predikimin e një feje të panjohur nga shteti». Më 18 shtator 2001, trupi gjykues e shfajësoi vëlla Markarijanin nga të gjitha akuzat. Çështja u çua në apel dhe gjykata e apelit mbështeti vendimin e pafajësisë, duke deklaruar se mësimdhënia e tij fetare si Dëshmitar i Jehovait nuk është shkelje penale dhe mbrohet nga Kushtetuta e Armenisë. Atëherë, paditësit e çuan çështjen për apelim në gjykatën më të lartë të vendit, në Gjykatën e Kasacionit. Më 19 prill 2002 juria me gjashtë anëtarë i mbështeti të dyja vendimet e pafajësisë. Ndërsa ngazëllojmë për këtë fitore, në Armeni vëllezërit tanë të rinj, në moshë për të shkuar ushtarë, vazhdojnë të arrestohen e të burgosen, sepse për arsye fetare nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak.

GJEORGJI: Një cikël dhune mizore e të pandëshkuar vazhdon ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e Gjeorgjisë. Që nga tetori i vitit 1999 ka pasur më se 80 sulme të dhunshme të dokumentuara, në të cilat pati më shumë se 1.000 viktima: burra, gra, fëmijë, pleq dhe të gjymtuar. Shtëpitë e disa Dëshmitarëve janë grabitur, bastisur dhe janë bërë shkrumb e hi. Më se 700 padi penale janë paraqitur, por asnjë keqbërës nuk është ndëshkuar për sulmet. Më në fund, në shtator të vitit 2001, u hodhën akuzat kundër Petre Ivanidzes dhe ish-priftit ortodoks, Vasili Mkalavishvilit, për përfshirjen e tyre në sulme. Gjithsesi, shumë përpjekje për të filluar gjyqin kanë qenë të pasuksesshme për shkak të kushteve që mbizotërojnë në sallën e gjyqit. Disa përkrahës të të pandehurve janë lejuar të hyjnë në gjyq, duke vringëlluar kryqe të mëdhenj që më parë ishin përdorur si armë, si dhe pankarta me parulla urrejtjeje ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Deri më 30 maj 2002 gjyqi ishte shtyrë shtatë herë. Dëshmitarët e Jehovait paraqitën dy kërkesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Njërën për të protestuar për mosveprimin e qeverisë ndaj dhunës së pakontrolluar dhe një tjetër për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Gjeorgjisë, në të cilin anulohej njohja nga shteti e dy enteve ligjore, të përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait. Në tetor të vitit 2001 GJEDNJ-ja i kishte bashkuar të dyja kërkesat për t’i trajtuar me përparësi.

Më 23 korrik 2002 Dëshmitarët e Jehovait paraqitën një kërkesë tjetër ligjore në GJEDNJ. Kjo kërkesë paraqet me hollësi 30 raste në të cilat Dëshmitarët në Gjeorgji u sulmuan nga disa ekstremistë fetarë, klerikë ortodoksë dhe policë. Njëri nga këto raste përfshin një dokument me rëndësi të madhe. Dokumenti nxjerr në pah planin që bënë afro 100 policë për të ndërprerë një kongres paqësor të Dëshmitarëve të Jehovait në shtator të vitit 2000. Ky dokument u miratua dhe u nënshkrua nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të qytetit perëndimor të Zugdidit.

RUSI: Gjyqi për t’i vënë në ndalim Dëshmitarët e Jehovait në Moskë rifilloi më 12 shkurt 2002. Kjo është hera e shtatë që Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur të mbrohen nga të njëjtat akuza të pathemelta. Më 4 prill 2002, pas dy muajsh rishqyrtimi të kërkesës së bërë nga përfaqësuesi i palës paditëse, gjykata nxori një vendim që edhe literatura fetare e Dëshmitarëve të Jehovait, edhe korrespondenca e tyre e brendshme t’i nënshtroheshin një studimi nga disa specialistë. Gjykata mori këtë vendim, ndonëse prokurori nuk paraqiti dëshmi të posaçme për të vërtetuar që Dëshmitarët e Jehovait nxitin mosmarrëveshjet fetare, prishin familjet ose shkelin të drejtat dhe liritë e shtetasve. Gjykimi u pezullua për të pritur rezultatet e studimit të specialistëve.

KOREJA E JUGUT: Në Korenë e Jugut në fund të vitit 2001 ishin deri 1.640 Dëshmitarë të Jehovait që po vuanin dënime në burg për mospranimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Ky numër rritet vazhdimisht çdo vit. Ligji për Shërbimin Ushtarak kërkon që ata që nuk pranojnë të mbajnë armë të dënohen deri në tre vjet burgim. Koreja e Jugut nuk i përjashton nga shërbimi ushtarak shërbëtorët fetarë ose ata që kundërshtojnë për arsye ndërgjegjeje. Që nga vitet 50 më se 7.000 Dëshmitarë në Korenë e Jugut janë burgosur se nuk kanë pranuar të mbajnë armë. Më 29 janar 2002, në një çështje pa precedent, gjyqtari i lartë Si Huan Parku i Gjykatës së Krahinës së Seulit e çoi çështjen e Kjung Su Lisë në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari Park i kërkoi kësaj Gjykate që të jepte një vlerësim ligjor për ankesat e vëlla Lisë. Në këto ankesa pohohej se mosnjohja e së drejtës së mospranimit për shkak të ndërgjegjes shkelte të drejtën e tij për lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Pasi u paraqit kërkesa para gjykatës, gjyqtari Park pezulloi gjykimin dhe i dha liri me kusht vëlla Lisë. Procedurat gjyqësore do të rifillojnë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për kushtetutshmërinë e nenit të diskutuar.

SHTETET E BASHKUARA: Më 17 qershor 2002 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dha një vendim historik për çështjen Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. kundër fshatit Straton. Kjo çështje u ngrit, sepse fshati këmbëngulte që Dëshmitarët e Jehovait të merrnin një leje nga kryetari para se të kryenin shërbimin e tyre shtëpi më shtëpi. Gjykata pohoi: «[Dëshmitarët e Jehovait] shpjeguan në gjyq se ata nuk bëjnë kërkesë për të marrë një leje, sepse autoritetin për të predikuar e marrin nga Shkrimet. [Dëshmitarët thanë:] ‘Ne mendojmë se të kërkosh leje nga një organ i pushtetit vendor për të predikuar do të ishte pothuajse një fyerje për Perëndinë.’» Duke u përpjekur ta hedhë poshtë urdhëresën, Gjykata iu përmbajt mendimit se urdhëresa për të marrë leje «është fyese, jo vetëm për vlerat e mbrojtura nga Amendamenti i Parë, por edhe për vetë konceptin e një shoqërie të lirë. Po, është fyese kur në komunikimin e përditshëm me njerëzit një qytetar së pari duhet të njoftojë qeverinë për dëshirën e tij për të folur me fqinjët, dhe pastaj të marrë një leje për ta bërë këtë.» Më tej Gjykata deklaroi: «Edhe pse nxjerrja e lejes nga komuna është një detyrë administrative që kryhet menjëherë dhe kërkesa nuk është me pagesë, një ligj që kërkon të merret leje për një komunikim të tillë përbën një shmangie ekstreme nga trashëgimia jonë kombëtare dhe nga tradita kushtetuese.»

Gjithashtu, Gjykata tha fjalë të mira për ndikimin jashtëzakonisht të madh që Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur për themelimin e legjislacionit të SHBA-së. Gjykata tha: «Për më shumë se 50 vjet, Gjykata i ka shpallur të pavlefshme kufizimet e vëna për aktivitetin e propagandës dhe të shpërndarjes së fletushkave derë më derë. Është më tepër se një rastësi historike që pjesa më e madhe e këtyre çështjeve, që përfshijnë Amendamentin e Parë, u sollën nga Dëshmitarët e Jehovait, sepse feja e tyre urdhëron shkuarjen shtëpi më shtëpi.» Siç vërejti Gjykata, «çështjet tregojnë se përpjekjet e Dëshmitarëve të Jehovait për të kundërshtuar kufizimin e lirisë së shprehjes nuk ka qenë një betejë për të mbrojtur vetëm të drejtat e tyre».

Përveç kësaj, më 1 korrik 2002, Gjykata e Lartë e Karolinës së Jugut mbështeti të drejtën e një Dëshmitari të Jehovait për të mos pranuar transfuzion gjaku. (Vep. 15:28, 29) Çarls Harvei kërkoi që mjeku të mbulonte dëmet që solli shpërfillja e qëllimshme e mjekut për mospranimin e Çarlsit për të marrë gjak. Para operacionit vëlla Harvei e kishte informuar qartë mjekun e vet për qëndrimin e tij të bazuar në Bibël. Megjithatë, pas operacionit, kur pati ca ndërlikime, ndërsa vëlla Harvei ishte i pavetëdijshëm, nëna e vëlla Harveit, e cila nuk është Dëshmitare, i dha mjekut miratimin për të përdorur gjak. Duke hedhur poshtë miratimin e së ëmës, Gjykata e Lartë e Karolinës së Jugut tha se «dëshirat e pacientit kundër një trajtimi ose ndërhyrjeje mjekësore, në rast se i janë bëra të njohura një mjeku para operacionit, duhen të plotësohen nga mjeku që kujdeset për pacientin». Kështu, gjykata u shpreh se vëlla Harveit i takonte e drejta që të kishte një juri, e cila do të vendoste nëse mjeku kishte shkelur marrëveshjen për ta mjekuar pa gjak vëlla Harvein dhe nëse mjeku kishte kryer shpërdorim detyre, duke i bërë vëlla Harveit transfuzion pa miratimin e tij.

Në përkujtim të palëkundshmërisë së tyre

Për më shumë se 30 vjet, Muzeu Përkujtimor i Bukenvaldit në ish-kampin nazist të përqendrimit nuk i përmendte fare Dëshmitarët e Jehovait. Dëshmitarët nuk përfshiheshin fare në idenë që kishin krijuar autoritetet e Gjermanisë Lindore për viktimat dhe kundërshtarët e regjimit nazist. Edhe sot shumë njerëz në Gjermani e kanë të vështirë të pranojnë dëshminë e pakrahasueshme të palëkundshmërisë së Dëshmitarëve. Prandaj, 9 maji i vitit 2002 ishte një ditë me domethënie të veçantë. Një pllakë në përkujtim të Dëshmitarëve që vuajtën në Bukenvald u përurua nga Zoti R. Lytgenau, zëvendësdrejtori i Shoqërisë së Muzeve Përkujtimore të Bukenvaldit dhe Mitelbau-Dorës.

Atë ditë bënte ngrohtë dhe koha ishte e bukur. Ish-kampin, që ndodhet në një kodër me pyje prej nga shihet një peizazh piktoresk, e zbukuronte gjelbërimi freskues i pranverës. Megjithatë, ky vend thirrej ferri i gjelbër i Bukenvaldit. Shumica e vizitorëve sot e kanë gati të pamundur të përfytyrojnë dëshpërimin e të burgosurve të kampit, të cilët gjatë apelit shihnin përtej barrakave të tyre të njëjtin peizazh të bukur, por pa asnjë shpresë se do ta gëzonin atë sërish në liri.

Sidoqoftë, Dëshmitarët e Jehovait kishin shpresën e bazuar në Bibël dhe besim të plotë te Jehovai. Kjo i ndihmoi të ruanin besnikërinë dhe të ndiqnin me guxim shembullin e apostujve që thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» (Vep. 5:29) Si ndëshkim për këtë, të paktën 38 Dëshmitarë vdiqën brenda zonës së kampit ose jashtë tij, duke punuar me ndonjë kompani pune. Shkrimi nga Veprat citohet në pllakën përkujtimore, i ndjekur nga ky mbishkrim: «Në Përkujtim të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët vuajtën dhe vdiqën këtu, të përndjekur për shkak të bindjeve të tyre fetare.»

Rreth 800 të burgosur dalloheshin si Bibelforscher (Studentë të Biblës) nga një trekëndësh ngjyrë vjollcë, të qepur në veshjet e tyre. Këta ishin një pjesë e më se 250.000 vetave që gjatë viteve nazistët i burgosën në këtë kamp. Disa nga Dëshmitarët ishin atje në vitin 1937 dhe u detyruan me forcë që të ndihmonin për ndërtimin e kampit. Në vitin 1945, kur u çliruan të burgosurit e mbijetuar, Dëshmitarët që dolën prej kampit lavdëruan Jehovain për çlirimin e tyre. Thuajse gjatë gjithë kohës që ishte ky kamp nazist, në Bukenvald kishte gjithnjë nga 300 deri 450 Dëshmitarë.

Të burgosurve që mbanin trekëndëshin vjollcë kjo pllakë u dha vendin që u takon midis viktimave të regjimit nazist. Gjithashtu, ajo u kujton vizitorëve palëkundshmërinë e Dëshmitarëve. Z. Lytgenau tha: «Pllaka tregon se shoqëria e sotme ka parë dhe ka njohur çfarë u ka ndodhur Dëshmitarëve të Jehovait.»

Ditën e enjte, më 7 mars 2002, zyrtarët në qytetin e Kormendit, në pjesën perëndimore të Hungarisë, përuruan një pllakë përkujtimore për tre Dëshmitarë të Jehovait, të cilët vdiqën si martirë. Ata ishin: Bertalan Sabo, Antal Hynish dhe Jan Zhondor. Që të tre nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak gjatë Luftës II Botërore dhe u ekzekutuan publikisht. Në pllakë lexohet: «Në përkujtim të të krishterëve që u ekzekutuan se nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, në mars të vitit 1945.» Dega raporton se për të marrë pjesë në këtë ngjarje përkujtimore kur u përurua pllaka, më se 500 njerëz ecën përmes qytetit për te ndërtesa ku ishin ekzekutuar vëllezërit.

Formimi i komitetit të degës në Shtetet e Bashkuara

Të premten, më 9 shkurt 2001, Trupi Udhëheqës bëri një njoftim për familjen Bethel në Shtetet e Bashkuara. Një komitet dege do të fillonte të vepronte në Shtetet e Bashkuara e ky njoftim hynte në fuqi më 1 prill 2002. Gjatë vitit të shërbimit 2002 komiteti i degës pak nga pak vazhdoi të merrte përsipër përgjegjësitë e veta. Dega e Shteteve të Bashkuara mbikëqyr veprën e predikimit në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara, si edhe në ishujt Bermudë dhe në ishujt Turks e Kajkos. Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se një milion lajmëtarë, 215.000 prej të cilëve shoqërohen me kongregacionet në gjuhën spanjolle. Nga më shumë se 11.700 kongregacione, gati 2.600 janë në gjuhën spanjolle. Vitin e kaluar të shërbimit u formuan 210 kongregacione të reja. Nga këto, 123 janë kongregacione me spanjishtfolës, 63 me anglishtfolës dhe 24 kongregacione janë në gjuhë të tjera.

Brenda Shteteve të Bashkuara tani ka kongregacione ose grupe në 37 gjuhë të tjera, përveç spanjishtes e anglishtes. Në shumë kongregacione të gjuhës spanjolle dhe të gjuhëve të tjera të huaja, pjesëmarrja në Mbledhjen Publike shpesh i kalon 200 për qind. Disa kongregacione raportojnë se kanë më tepër studime biblike se numri i lajmëtarëve. Vëllezërit e motrat që flasin anglisht po mësojnë gjuhë të tjera për të ndihmuar në këtë territor ku ka rritje të shpejtë.

Dega e Shteteve të Bashkuara është e veçantë sepse ndërtesat e Bethelit ndodhen në tri vende: në Bruklin, Paterson dhe Uollkill. Për të siguruar fruta për familjen Bethel ka ferma afër Lansingut të Jugut, në shtetin e Nju-Jorkut dhe afër Imokalit në Florida. Gjithsej familja Bethel në Shtetet e Bashkuara ka 5.465 anëtarë.

Tani në mbarë botën janë 109 degë. Masa për të pasur komitete degësh që kujdesen për nevojat frymore të vëllezërve që jetojnë në vende të ndryshme ka vepruar që nga viti 1976. Këto komitete ndjekin drejtimin e Shkrimeve dhe udhëheqjen që jep Trupi Udhëheqës. Komitetet e degëve kanë përgjegjësinë për të mbikëqyrur predikimin e lajmit të mirë në territorin që i është caktuar degës. Komiteti siguron mbikëqyrjen e nevojshme për kongregacionet e krishtere, misionarët dhe pionierët. Gjithashtu i organizon kongregacionet në qarqe e krahina dhe bën rekomandime te Trupi Udhëheqës për emërimin e mbikëqyrësve qarkorë dhe krahinorë, anëtarëve të familjes Bethel dhe studentëve të Shkollës së Galaadit. Përveçse ka mbikëqyrjen e përgjithshme të shërbimit në fushë, komiteti i degës kujdeset edhe për të organizuar punën në Bethel. Nuk ka dyshim se kjo masë ka pasur bekimin e pasur të Jehovait.

Përkthejnë për të plotësuar shumë nevoja

Në vitet e fundit ka pasur një vërshim botimesh të shumta gjithnjë e në më tepër gjuhë. Pa u ndier e pa rënë në sy, qindra përkthyes të palodhur përpiqen të nxjerrin botime që janë të sakta, të kuptueshme dhe që lexohen me ëndje.

Një nevojë themelore e popullit të Perëndisë është një përkthim i besueshëm i Biblës. Për këtë arsye, Përkthimi Bota e Re tashmë ka dalë në 44 gjuhë. Nga këto, në 29 gjuhë është përkthyer e tërë Bibla. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, Shkrimet e Krishtere Greke u përfunduan në tri gjuhë afrikane: cibembe, igbo dhe lingala. Kurse përkthimi i plotë i Biblës doli në gjuhën afrikaans.

Botimet e Biblës që kanë dalë kohët e fundit janë vlerësuar shumë. Në një raport nga Evropa pohohej: «Vëllezërit që punojnë në territorin e gjuhës kineze shprehën çmueshmëri të veçantë për Biblën në gjuhën e tyre, duke thënë se shihet si një ‘përkthim i shkëlqyer’.» Disa kinezë të interesuar që studionin Biblën në Kanada thanë me zë të lartë: «Këtë Bibël duhet ta kenë përkthyer kinezët! E kuptojmë me lehtësi.» Në Afrikën e Jugut një zonjë shtëpie që flet gjuhën xhosa pyeti: «Ku e gjeni këtë Bibël që shprehet kaq qartë?» Në Shqipëri një vëlla thjesht tha: «Mënyra si Përkthimi Bota e Re i shpreh gjërat bën që mendimet e Jehovait të të depërtojnë në zemër.» Një lajmëtar në Kroaci shkroi: «Mund t’i përfytyroj gjërat shumë më mirë dhe më krijon ndjesinë sikur po i them ato fjalë. Përkthimi i ri tingëllon kaq i thjeshtë, i natyrshëm, e megjithatë është kaq i thellë. Tani mund ta kuptoj më plotësisht se sa të bukura janë mesazhet dhe udhëzimet e Jehovait për ne.»

Botimet bazë nevojiten ende, me qëllim që t’u shpërndahet lajmi i mirë i Mbretërisë ‘të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve’. (Zbul. 7:9) Vitet e fundit, po sjellin rezultate të mira broshurat në gjuhën lahu, e cila flitet nga njerëz të fiseve që jetojnë në kodra, në veri të Tajlandës dhe në viset aty pranë. Një misionar shkroi: «Broshura Çfarë kërkon? pa dyshim është mjeti numër një që përdorim në gjuhën lahu. Është shpërndarë anembanë vendit.» Përfundimi? «Shumë fshatra na kanë ftuar, por për shkak të largësisë dhe gjendjes së rrugës nuk kemi mundur të shkojmë te të gjitha. Mateu 9:37 është shumë i vërtetë në rastin tonë. Për shembull, morëm vesh se në një fshat të thellë afro 160 kilometra në veri të qytetit të Çiang-Mait, një grua e interesuar u jepte rregullisht mësim një grupi jetimësh me broshurën Çfarë kërkon?»

Shtetet e Bashkuara shumë amerikanë indigjenë po marrin dëshmi në gjuhën amtare. Një sërë botimesh tani janë në dispozicion në gjuhën navajo, përfshirë edhe audiokaseta të broshurës Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Një lajmëtare shkroi: «Në malin Navajo, në skajin më të largët të territorit tonë, ka një ish-bari në të tetëdhjetat që nuk sheh mirë. E mbesa e pyeti nëse do t’i pëlqente të dëgjonte një kasetë për Biblën në gjuhën navajo. Ai pranoi. I sëmuri u ngrit nga shtrati dhe shkoi e u ul në divan që të dëgjonte. Ah, sikur të kishit parë shprehjen e fytyrës së tij, teksa dëgjonte shkrimet e Biblës në gjuhën e vet. Më mbushen sytë me lot kur e rrëfej. Më pas ai tha: ‘Nizhoni’, që do të thotë bukur.»

Mozambik botimet janë përkthyer në pesë nga gjuhët e këtij vendi. Broshura Kushtoju leximit dhe shkrimit doli në këto gjuhë, për dobinë e lexuesve, dhe po bëhet një fushatë e gjerë kundër analfabetizmit. Kjo i bëri kaq përshtypje presidentit Shisanu të Mozambikut, saqë ai shprehu mbështetjen me gjithë zemër për veprën tonë të arsimimit biblik dhe për fushatën kundër analfabetizmit.

Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! tani janë në dispozicion përkatësisht në 146 dhe 87 gjuhë, vërtet një përhapje ndërkombëtare. Ato vlerësohen shumë në mbarë botën për vlerat frymore dhe edukative. Për shembull, afërsisht 80.000 banorët e Kiribatit, një grup ishujsh në Oqeanin Paqësor, flasin gjuhën gilberteze. Atje ka më pak se 100 Dëshmitarë. Vitet e fundit, duke predikuar me zell, secili prej tyre ka shpërndarë mesatarisht rreth 20 revista çdo muaj. Në Bullgari të 1.200 lajmëtarët shpërndanë më shumë se 100.000 revista gjatë prillit të vitit 2002.

Nuk ka dyshim se Jehovai e pajis popullin e tij për të bërë veprën që Ai i ka caktuar. Në mbarë tokën, kjo vepër po kryhet në një mori gjuhësh.—Filip. 4:20.

Kushtime të degëve

Gjatë vitit të shërbimit 2002, në ishullin e bukur të Karaibeve, Trinidad, u bë kushtimi i degës. Ndërtesat e degës atje i ishin kushtuar Jehovait më 1985, por që nga ajo kohë Trinidadi ka pasur një rritje në lajmëtarë me 94 për qind. Prandaj ndërtesat e degës duhej të restauroheshin në masë të madhe dhe u ndërtua një shtesë që bëri të kishte dy herë më shumë vend. Dega tani ka banesa të reja, zyra, një bibliotekë, dhomë pritjeje, dhomë ngrënieje dhe kuzhinë të re. Edhe Salla e Mbretërisë aty ngjitur u restaurua dhe u zgjerua. Këtë projekt e kryen të tërin vullnetarët vendës.

Më 29 shtator 2001 gati 220 delegatë nga 14 vende, si edhe 695 vëllezër e motra nga ky vend, u mblodhën për kushtimin. Dëgjuan raportet nxitëse për historinë e veprës teokratike, përfshirë edhe rolin që ka luajtur Ivander Xh. Kouardi dhe Uilliam R. Brauni. Disa misionarë të huaj, përfshirë edhe një motër 88-vjeçare, e cila është ende në shërbimin si pioniere e rregullt, rrëfyen disa përvoja prekëse për caktimet e tyre në Trinidad më shumë se 50 vjet më parë.

Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit. Gjatë zhvillimit të temës «Të çmojmë shtëpitë e dikurshme dhe të tanishme ku adhurohet Jehovai», ai theksoi se Jehovain e adhurojnë njerëzit, jo ndërtesat. Për këtë arsye, vëlla Leti me dashuri i nxiti vëllezërit të jenë adhurues mirënjohës me anë të bindjes dhe sjelljes së tyre.

Ditën tjetër u mbajt një mbledhje e veçantë në qytetin Port-Spein për ata që nuk mundën ta ndiqnin programin e kushtimit se nuk kishte vend. Më tepër se 13.000 veta morën pjesë. Në ishullin fqinj, në Tobago, mbi 300 vëllezër dëgjuan programin me anë të lidhjes telefonike. Vëlla Leti mbajti fjalimin «Ruani marrëdhënien me Jehovain duke kultivuar përulësinë». Të gjithë të pranishmit ishin ‘shumë të kënaqur’ për kushtimin e këtyre ndërtesave të zgjeruara të degës.—Ligj. 16:15.

Kohët e fundit ka pasur një zgjerim të degës edhe në Republikën Çeke. Samuel F. Herdi nga Trupi Udhëheqës udhëtoi për atje për të kushtuar një shtesë të Bethelit dhe dy Salla Asamblesh. Programi i kushtimit u bë të shtunën, më 4 maj 2002. Ishin 2.125 të pranishëm për të dëgjuar fjalimin e vëlla Herdit. Ditën tjetër u bë një mbledhje e veçantë, dhe 5.286 veta dëgjuan fjalimin ndërtues të vëlla Herdit, me titull «Të rifitojmë fuqi, të mos lodhemi». Vëllezërit në Republikën Çeke vërtet morën zemër nga programet.

Në mbarë botën, personeli që shërben në zyrat e degëve ka gjithsej 19.823 shërbëtorë të caktuar zyrtarisht. Të gjithë janë anëtarë të Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë të Dëshmitarëve të Jehovait.

[Harta dhe figurat në faqet 12, 13]

DISA NGJARJE NGA VITI I SHËRBIMIT 2002

1 shtator 2001

11 shtator: Shkatërrimi i Qendrës Tregtare Botërore.

29 shtator: Kushtimi i degës në Trinidad.

20 nëntor: Fillojnë Shkollat e Shërbimit të Mbretërisë.

1 janar 2002

17 janar: Shpërthen vullkani në Kongo.

4 prill: Në Moskë pezullohet procesi gjyqësor për ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait.

1 maj 2002

4 maj: Kushtimi i degës në Republikën Çeke.

9 maj: Përurohet pllaka në përkujtim të Dëshmitarëve që vuajtën në ish-kampin nazist të përqendrimit.

17 qershor: Gjykata e Lartë e SHBA-së përkrah të drejtën për të predikuar shtëpi më shtëpi pa marrë më parë një lejë për të bërë këtë.

31 gusht 2002

31 gusht: 6.304.645 lajmëtarë në 234 vende.

[Figurat në faqen 11]

Në krye: Përballë katastrofave të tilla vëllezërit e motrat tona tregojnë dashurinë e krishterë

[Figura në faqen 11]

Poshtë: Kjo Sallë Mbretërie në Ruandë shërbeu si një kamp refugjatësh

[Figura në faqen 22]

Komiteti i degës i Shteteve të Bashkuara, i sapoformuar, nga e majta në të djathtë: (ulur) Xhon Kikot, Maks Larson, Xhorxh Kouç, Maksuell Lloid; (në këmbë) Baltasar Perla, Harold Korkërn, Lion Uivër, Uilliam van de Uoll, Xhon Larson dhe Ralf Uolls

[Figura në faqen 26]

Përkthimi «Bota e Re» në gjuhën afrikaans

[Figura në faqen 27]

«Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?» në gjuhën navajo

[Figurat në faqet 28, 29]

Në kushtimin e degës së Trinidadit morën pjesë delegatë nga 14 vende bashkë me vëllezërit e motrat e vendit

[Figurat në faqen 29]

Vëllezërit në Republikën Çeke u ngazëllyen kur u kushtua një shtesë e re për Bethelin dhe dy Salla Asamblesh