Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nikaragua

Nikaragua

Nikaragua

Nikaragua me të drejtë përshkruhet si një parajsë tropikale. Në lindje, brigjet e saj shikojnë ujërat e kthjellëta ngjyrë smeraldi të detit të Karaibeve. Në perëndim, brigjet lagen nga valët e oqeanit të madh të Paqësorit. I parë nga lart, vendi është një mozaik pyjesh, fermash dhe lumenjsh. Po ashtu ka shumë liqene që ngjajnë si xhevahire në krateret e vullkaneve të hershme. E megjithatë këta liqene duken si pellgje të vogla blu kur krahasohen me dy liqene shumë të mëdha, liqeni Nikaragua dhe liqeni Managua. Me një sipërfaqe prej 8.200 kilometrash katrorë, vetëm liqeni Nikaragua mbulon më shumë se gjashtë për qind të sipërfaqes së të gjithë vendit.

Kryeqyteti Managua, shtrihet në jug të brigjeve të liqenit Managua, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 1.000 kilometrash katrorë. Ja përse fjala «Managua» në një nga gjuhët e vendit do të thotë «vend me një sipërfaqe të madhe plot me ujë». Managua, qendra e biznesit dhe vendi ku është vendosur qeveria, ka një popullsi prej një milion njerëzish, pra 20 për qind e pesë milionë banorëve që janë në të gjithë vendin. Ajo gjendet në një zonë të ngushtë mes ultësirave të cilat kufizohen me Paqësorin. Pikërisht në këtë ultësirë banojnë 60 për qind të nikaraguanëve. 30 për qind jetojnë në malësinë qendrore, dhe pjesa tjetër, me pak se 10 për qind, jeton më në lindje në dy rajone që kanë popullsi të rrallë dhe që qeverisen në mënyrë autonome. Këto rajone përbëjnë gjysmën e territorit të vendit.

Në kufirin jugor të Nikaraguas, istmi i Amerikës Qendrore bëhet më i ngushtë duke bërë që deti i Karaibeve dhe oqeani Paqësor të jenë vetëm 220 kilometra larg njeri-tjetrit. Por lumi San-Huan rrjedh nga liqeni Nikaragua në detin e Karaibeve dhe istmi i Rivas e ndan liqenin nga Paqësori vetëm 18 kilometra. Para se të ndërtohej Kanali i Panamasë, itinerari nga lumi i San-Huanit te liqeni Nikaragua preferohej nga udhëtarët, duke e bërë kështu këtë rajon shumë të dëshiruar. Në të vërtetë, historia zbulon se ky rajon ka qenë nën ndikimin e shumë popujve, si: majat, actekët, toltekët dhe kibkasit, përveç fuqive të huaja si Spanja, Franca, Britania e madhe, Holanda, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik.

Ndikimi i ushtruar nga shumë fise dhe kombe bëhet mjaft i dukshëm nga shoqëria shumëgjuhëshe dhe shumëllojshmëria e kulturave në Nikaragua. Ndërsa popullsia që jeton gjatë brigjeve të Paqësorit përbëhet kryesisht nga metisët që flasin spanjisht, të cilët janë pasardhës të spanjollëve dhe njerëzve vendas, rajoni i Karaibeve është pa dyshim i banuar nga një shumëllojshmëri grupesh etnike. Popullatat e miskitove, kreolëve dhe metisëve mbizotërojnë mbi popullatat e vogla sumo, rama dhe garifuna—një grup që rrjedh nga karibianët dhe afrikanët. Ndonëse shumë nga këto bashkësi e kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre tradicionale njerëzit janë pa paragjykime, të çiltër dhe miqësorë. Gjithashtu janë shumë fetarë dhe shumë kanë dashuri për Biblën.

Siç do ta shohim më poshtë, karakteri i nikaraguanëve ka arritur të marrë formë mes vuajtjesh, të shkaktuara këto nga natyra ose nga vetë njeriu. Për shembull, dy herë në shekullin e kaluar, Managua u rrafshua nga tërmetet që e kishin vatrën në istëm nga ana e Oqeanit Paqësor. Nikaragua lindore ka provuar një lloj tjetër katastrofe natyrore që ishin uraganet shkatërruese me qendër në Atlantik. Mbi të gjitha, lufta civile, revolucionet politike dhe diktaturat e rënda kanë sjellë më tepër mjerim.

Megjithatë, ujërat e kulluara të së vërtetës biblike kanë hyrë në këtë vend të bukur liqenesh e lumenjsh, duke u sjellë ngushëllim dhe shpresë mijëra njerëzve me zemër të sinqertë. (Zbul. 22:17) Vërtet, në Nikaraguan e ditëve të sotme, lumi i masave frymore që vërshon në këtë vend dëshmon për bekimet e pasura të Jehovait në veprën e predikimit të Mbretërisë, veçanërisht duke marrë parasysh se vetëm gjashtë dekada më parë, lajmi i mirë ishte thjesht si një vijë uji.

Në fillim e kufizuar

Më 28 qershor 1945 Fransis dhe Uilliam Uollis, vëllezër mishorë dhe të diplomuar në klasën e parë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, mbërritën në Managua. Filluan predikimin e lajmit të mirë në mënyrë të organizuar në Nikaragua dhe përgatitën rrugën për brezat e ardhshëm të misionarëve. Por nuk ishin të parët që e shpallën mesazhin e Mbretërisë, pasi në vitin 1934 një motër pioniere që e kishte vizituar vendin kishte lënë literaturë në Managua dhe në pjesë të tjera të vendit. Sidoqoftë, nga viti 1945, vetëm pak kishin dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait.

Kur vëllezërit Uollis filluan shërbimin në fushë, përdorën një gramafon portativ dhe vinin disqe me fjalime të bazuara në Bibël, gjë që ishte diçka krejt e re në ato ditë në Nikaragua. Kështu, gjatë muajit të parë, 705 veta dëgjuan mesazhin e Mbretërisë.

Në tetor të po atij viti mbërritën katër misionarë të tjerë. Këta ishin dy çifte Harold dhe Evelina Dunkan, dhe Uilbert e Ana Gajzelman. Të etur për ta bërë të njohur Mbretërinë në çdo mënyrë të mundshme, planifikuan një sërë mbledhjesh publike. Kështu, në nëntor të vitit 1945, banorët e Nikaraguas përshëndeteshin në rrugë nga njerëz që mbanin në duar ftesa për një fjalim biblik. Edhe pse një trazirë politike aty afër dhe një përleshje në rrugë rrezikuan të ndërpritej programi, mbledhja vazhdoi në paqe dhe më shumë se 40 persona e dëgjuan fjalimin e parë publik. Ndërkohë, filluan të mbaheshin studimi javor i Kullës së Rojës dhe Mbledhja e Shërbimit në shtëpinë misionare.

Viti 1946 ishte një kohë e lumtur për misionarët dhe për personat e parë që iu përgjigjën mesazhit të Biblës. Një nga këta të fundit ishte 24-vjeçari Arnoldo Kastroja i cili kujton duke vënë buzën në gaz se si për herë të parë mori njohuri për të vërtetën biblike. Ai thotë: «Bashkë me shokët e mi të dhomës Evaristo Sançes dhe Lorenco Obregon vendosëm të mësonim anglishten. Kështu një ditë, Evaristoja erdhi në shtëpi nga pazari duke valëvitur një libër në dorë dhe duke thënë: ‘Kam gjetur një amerikan që do të na mësojë anglisht!’ Natyrisht ky nuk ishte qëllimi i ‘mësuesit’, por kjo ishte ajo që kishte marrë vesh Evaristoja. Kështu kur erdhi ora e caktuar, të tre po prisnim me gëzim një mësim në anglisht. ‘Mësuesi’ që ishte misionari Uilbert Gajzelman ishte i çuditur, por në të njëjtën kohë i kënaqur që shikonte ‘studentë të Biblës’ kaq të zellshëm që po e pritnin me libër në dorë.

«Libri ishte ‘E vërteta do t’ju bëjë të lirë’, të cilin e studionim dy herë në javë,—shpjegon Arnoldoja.—Në fund, nuk mësuam shumë anglisht, por ama mësuam të vërtetën e Biblës.» Arnoldoja u pagëzua në gusht të vitit 1946 në një asamble në Klivlend Ohajo, SHBA, pas së cilës u kthye në Nikaragua për të ndërmarrë shërbimin e pionierit. Nga fundi i atij viti edhe dy shokët e tij të dhomës u pagëzuan.

Tani në moshën 83-vjeçare, Evaristo Sançes me gëzim kujton ato ditë të hershme. «Në fillim,—thotë ai,—nuk kishim një vend për të bërë mbledhjet. Meqenëse ishim pak mblidheshim atje ku banonin misionarët. Më vonë u mor me qira një shtëpi dykatëshe dhe atje mblidheshim rregullisht 30 ose 40 veta.»

Këta tre djem të rinj ishin të parët nikaraguanë që shoqëruan misionarët në shërbim, në fillim në Managua dhe më pas në vendet periferike. Në atë kohë Managua me rreth 120.000 banorë ishte më e vogël sesa është tani. E vetmja pjesë me rrugë të shtruara ishte një vend me 12 blloqe ndërtesash në qendër të qytetit. Evaristoja kujton: «Shkonim në këmbë. S’kishte autobusë, as rrugë të shtruara; kishte vetëm rrugë hekurudhore dhe për qerre. Kështu në varësi të kohës, nëse ishte e thatë ose me shi, ne bëheshim kokë e këmbë ose të mbuluar me pluhur, ose me baltë.» Por përpjekjet e tyre u shpërblyen, kur në prill të vitit 1946 në Përkujtim ishin të pranishëm 52 persona.

Themelohet një degë

Po në atë muaj, Nejthën H. Nor dhe Frederik U. Franc nga selia qendrore në Bruklin vizituan Nikaraguan për herë të parë. Gjatë vizitës katërditore, një auditor prej 158 vetash dëgjuan fjalimin publik të vëlla Norit me titull «Gëzohuni, ju kombe!». Vëlla Franci e përktheu fjalimin në spanjisht. Para se të largohej, vëlla Nori ngriti një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait në Nikaragua për të mbikëqyrur veprën. Uilliam Juxhin-Koll, 26 vjeç dhe i ardhur kohët e fundit nga Kosta-Rika, u caktua shërbëtor i degës.

Gjatë dekadave që pasuan, zyra e degës ngriti shtëpi misionarësh në vende të tilla, si: Hinotepe, Masaja, Leon, Blufilldz, Granada, dhe Matagalpa. U bënë dhe rregullime për një mbikëqyrës qarkor për të vizituar kongregacionet dhe grupet e sapoformuara, për të forcuar dhe për të inkurajuar vëllezërit.

Suksesi i kundërshtarëve nuk zgjat shumë

Zelli i vëllezërve shumë shpejt solli fryte, gjë që e shqetësoi klerin e të ashtuquajturit krishterim. Shenjat e para të kundërshtimit zunë fill në Blufilldz, një qytet në brigjet e Karaibeve ku ishin caktuar dy misionarë. Gjërat arritën kulmin më 17 tetor 1952, kur doli një urdhër gjyqi kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Duke ndaluar të gjithë veprimtarinë e Dëshmitarëve, urdhri u firmos nga një zyrtar i Departamentit të Imigrimit, por ishte nxitur nga kleri katolik.

Misionarët në Blufilldz, Leon, Hinotepe dhe Managua u informuan për urdhrin e gjyqit. Kërkesat për anulimin e urdhrit të bëra te autoritet e duhura, duke përfshirë dhe presidentin e atëhershëm Anastasio Somosa-Garsia, nuk dhanë rezultat. Vëllezërit filluan të mblidheshin në grupe më të vogla, u ndërpre vepra rrugore me revista dhe literatura që gjendej në degë u shpërnda në vende të sigurta. Armiqtë tanë fetarë ia kishin dalë mbanë për të ndaluar veprën duke deklaruar në mënyrë të rreme se Dëshmitarët e Jehovait ishin komunistë. U mor një avokat për ta apeluar vendimin te Gjykata e Lartë e Drejtësisë.

Ndonëse disa vëllezër iu dorëzuan frikës ndaj njeriut, shumica mbetën të patundur. Misionarët e pjekur dhe të patrembur ishin një burim force për vëllezërit vendas që vazhduan predikimin dhe të mbledhurit së bashku, duke iu bindur Fjalës së Perëndisë. (Vep. 1:8; 5:29; Heb. 10:24, 25) Pastaj më 9 qershor 1953,—pasi ndalimi kishte zgjatur vetëm 8 muaj, —gjykata e lartë nxori vendimin e saj unanim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait, duke ripohuar të drejtën kushtetuese për lirinë e adhurimit dhe lirinë e fjalës. Komploti dështoi në çdo pikë.

Sfidat për misionarët e parë

Kundërshtimi i klerikëve nuk ishte e vetmja sfidë që hasën misionarët e parë. Shqyrtoni shembullin e Sidni dhe Filis Porterit, të diplomuar në klasën e 12-të të Galaadit. Kur arritën në Nikaragua në korrik të vitit 1949, Sidni u caktua të shërbente si mbikëqyrës qarkor në një qark që përfshinte të gjithë vendin. Ai shpjegon se si ishte vepra udhëtuese në atë kohë. «Përdornim trenin dhe autobusin për transport. Shpesh nuk kishte vëllezër ku mund të qëndronim, kështu që i merrnim me vete shtrojat për të fjetur, një sobë të vogël portative për të zier ujë dhe për të gatuar. Ndodhte shpesh që largoheshim nga dega për 10 javë rresht. Megjithatë, territori ishte kaq shumë i frytshëm, sa ishte një sfidë që të ndiqje interesin në disa zona. Për shembull, kur më vonë ishim në qarkun e Managuas, Filisi drejtonte 16 studime biblike. Ku e gjente kohën? Ajo i bënte studimet në ditët kur e kishim pushim dhe në mbrëmjet kur nuk kishim mbledhje kongregacioni.» Sa të përkushtuar që ishin këta misionarë!

Doris Nihofi, e cila arriti më 1957, thotë kështu rreth përshtypjes së saj të parë: «Ishte fundi i marsit, stinës së thatë, kështu që fushat ishin ngjyrë kafe. Në atë kohë kishte shumë pak makina, në vend të tyre kushdo udhëtonte me kalë dhe mbante një pushkë. Të dukej vetja sikur ishe në skenën e ndonjë filmi me sherifë. Në ato kohë shumica e njerëzve ishin ose të pasur ose të varfër, kryesisht ishin nga këta të fundit. Gjendja ishte më e vështirë pasi Nikaragua ishte në luftë me Hondurasin për një mosmarrëveshje territoriale dhe gjashtë muaj para se të shkoja atje, vranë presidentin Somosa-Garsia e në vend u shpall gjendja e luftës.»

Dorisi vazhdon: «U caktova në Leon, një qytet ku kishte universitet. Meqë nuk kuptoja shumë spanjisht, studentët argëtoheshin duke më vënë në lojë. Për shembull, kur u thashë se doja të kthehesha prapë të flisja me disa prej tyre rreth Biblës ata më thanë «po», por qeshnin kur më tregonin «emrat» e tyre. Një më dha emrin e vrasësit të presidentit dhe tjetri emrin e një guerilasi famëkeq. Është e çuditshme si nuk më vunë prangat kur u riktheva dhe pyeta për studentët me ato emra që më kishin dhënë ata!»

Një intervistë me peshkopin e Matagalpës

Rreth 130 kilometra në veri të Managuas, në një vend të rrethuar nga kodrat e një rajoni ku rritet kafeja, shtrihet qyteti i Matagalpës. Katër misionarë u caktuan atje në vitin 1957. Agustin Sekejra, në atë kohë një profesor matematike në një kolegj që drejtohej nga murgeshat Xhosefin, sjell ndër mend atmosferën fetare në Matagalpa atëherë. Ai thotë: «Shumica e njerëzve ishin katolikë dhe kishin frikë nga priftërinjtë, por veçanërisht nga peshkopi. Ai ishte kumbari i një prej fëmijëve të mi.»

Kjo atmosferë frike e bëri të vështirë për degën të siguronte kushtet e nevojshme për misionarët. Për shembull, kur po bënte rregullimet për të marrë me qira një shtëpi, zyra e degës njoftoi pronarin, që ishte një avokat, se misionarët do të bënin mbledhjet e krishtere atje. «S’ka asnjë problem»,—tha ai.

Duke përshkruar çfarë ndodhi më tej, Doris Nihofi tregon: «Ditën kur arritëm me të gjitha bagazhet tona pronari na u shfaq me një pamje të shqetësuar. Ai tha se na kishte dërguar një telegram ku na këshillonte të mos vinim. Përse? Peshkopi e kishte kërcënuar se nëse na e jepte ndërtesën me qira, djali i tij nuk do të mund të ndiqte shkollën katolike. Lumturisht, nuk e kishim marrë telegramin dhe tashmë e kishim paguar qiranë e një muaji.»

Dorisi shton: «Gjetëm një shtëpi tjetër atë muaj, por me vështirësi të madhe. Kur peshkopi u përpoq t’i bënte presion biznesmenit të guximshëm vendas, i cili ishte pronari i shtëpisë, ky i fundit u përgjigj: ‘Mirë, nëse më paguani katërqind kordoba çdo muaj, do t’i nxjerr nga shtëpia.’ Natyrisht peshkopi nuk pagoi. Megjithatë këmbënguli duke shkuar te të gjitha dyqanet dhe vuri afishe të cilat i paralajmëronin njerëzit që të mos flitnin me Dëshmitarët e Jehovait. U tha edhe pronarëve të dyqaneve që të mos na shitnin gjë.»

Pavarësisht nga zelli i misionarëve, asnjë në Matagalpa nuk dukej i etur për të marrë një qëndrim për të vërtetën e Biblës. Megjithatë Agustini, profesori i matematikës, kishte shumë pyetje që kishin mbetur pa përgjigje. Për shembull, ai pyeste veten se pse piramidat ekzistonin ende, kurse faraonët që i ndërtuan ato kanë kohë që kanë vdekur. Ai ende e kujton fare mirë se një misionar e vizitoi dhe i tregoi nga Bibla përgjigjet e pyetjeve të tij. Agustini shpjegon: «Më prekën shumë shkrimet që tregonin se njeriu ishte krijuar jo për të vdekur, por për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore dhe se të vdekurit do të ringjalleshin. Shpejt e kuptova se kjo ishte e vërteta.» Si reagoi Agustini? «Fillova t’i predikoja kujtdo në kolegjin ku jepja mësim, duke përfshirë edhe drejtoreshën, një murgeshë,—thotë Agustini.—Ajo më pas më ftoi të shkoja përsëri të dielën për të folur rreth ‘fundit të botës’. Për habinë time, kur arrita, peshkopi i Matagalpës ishte atje duke më pritur.»

—Pra, miku im,—tha ai,—më thanë se po humbet besimin.

—Cilin besim? Atë që kurrë nuk e kam pasur? Unë tani po mësoj të kem besim të vërtetë,—iu përgjigja.

Kështu filloi një diskutim tre-katër orësh, kurse murgesha dëgjonte. Zelli i Agustinit për besimin e tij të sapogjetur e nxiti të fliste shumë hapur shpeshherë. Ai madje e quajti besimin jo të krishterë për pavdekësinë e shpirtit, një skemë për të bërë para duke shfrytëzuar njerëzit e pafajshëm. Për t’ia ilustruar peshkopit, Agustini tha: «Përfytyroni për shembull që mamaja ime ka vdekur. Natyrisht, unë do t’ju drejtohem juve për të bërë meshën sepse shpirti i saj është në purgator. Ju më kërkoni para për shërbimin. Pas tetëditësh, një meshë tjetër. Pas një viti edhe një tjetër e kështu me radhë. Megjithatë, ju kurrë nuk më thoni: ‘Miku im, unë nuk do të të bëj më meshë se shpirti i mamasë tënde nuk është më tani në purgator.’»

—Ah!—tha peshkopi,—kjo është sepse vetëm Perëndia e di kur del nga purgatori!

—Atëherë si e dini kur hyri në purgator kështu që pikërisht në atë kohë filloni të më kërkoni para?—ia ktheu Agustini.

Në një moment gjatë diskutimit kur Agustini filloi të citonte një shkrim tjetër nga Bibla murgesha i tha peshkopit: «Shiko, imzot! Ai përdor një Bibël që e kemi kundërshtuar; është luteriane!»

—Jo,—iu përgjigj peshkopi,—është Bibla që i kam dhënë unë.

Ndërsa vazhdonte biseda Agustini u çudit kur dëgjoi peshkopin të thoshte se nuk duhej të besohej çdo gjë në Bibël. «Pas atij takimi,—thotë Agustini,—isha i bindur se kleri i të ashtuquajturit krishterim, ashtu si udhëheqësit fetarë në ditët e Jezuit, preferonin traditat e kishës në vend të Fjalës së Perëndisë.»

Në shkurt të vitit 1962, Agustin Sekejra u bë lajmëtari i parë i pagëzuar i Matagalpës. Ai vazhdoi të bënte progres, duke shërbyer më vonë si pionier dhe plak e që prej vitit 1991 si një anëtar i Komitetit të Degës në Nikaragua. Kurse Matagalpa, në vitin e shërbimit 2002, kishte dy kongregacione të begata me një total prej 153 lajmëtarësh.

Pionierë specialë të palodhur

Shumë që pranuan lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë u nxitën të zgjeronin shërbimin e tyre duke marrë pjesë në veprën e pionierit. Mes këtyre ishin Hilberto Solisi; gruaja e tij, Maria-Sesilja; dhe motra e tij më e vogël, Maria-Elsa. Që të tre u pagëzuan në vitin 1961 dhe katër vjet më vonë ata u bënë një skuadër pionierësh mjaft të efektshëm. Nga kjo treshe u formuan ose u forcuan 9 kongregacione në anë të ndryshme të vendit. Një nga caktimet e tyre ishte ishulli Ometepe në liqenin Nikaragua.

Ometepeja ka një sipërfaqe prej 276 kilometrash katrorë dhe është formuar nga dy vullkane, një prej të cilëve është 1.600 metra i lartë. Kur shihen nga lart, vullkanet e bëjnë ishullin të duket në formën e tetës. Duke filluar që në agimin e ditës, të tre pionierët e punonin territorin e Ometepes duke marrë një autobus deri sa mund të shkonin me të dhe më pas vazhdonin në këmbë, shpesh këmbëzbathur, përgjatë bregut me rërë për të shkuar nëpër fshatrat e shumta të ishullit. Pas një periudhe prej 18 muajsh, ata organizuan disa grupe të veçuara të studentëve të Biblës në gjithë territorin e Ometepes. Më i madhi prej tyre ishte në Los Atijos.

Më parë kultivimi i duhanit në ferma ishte burimi kryesor i të ardhurave për shumë nga lajmëtarët e rinj në Los Atijos, por tani ndërgjegjja e tyre e stërvitur nga Bibla nuk i lejonte që ta bënin një punë të tillë. Kështu që shumë u morën me peshkim, edhe pse kjo do të thoshte më pak të ardhura. Sa gëzim i dha familjes Solis një besim të tillë, përveç dëshmive të tjera të shumta të bekimeve të bollshme që Jehovai u kishte dhënë në shërbimin e tyre. Në fakt, numri i lajmëtarëve në zonë u rrit shpejt në 32, gjë që solli nevojën për të pasur një Sallë Mbretërie. Një nga lajmëtarët e rinj, Alfonso Alemani kultivonte shalqinj dhe me kënaqësi ofroi një parcelë tokë për sallën. Por, si do t’i gjenin lajmëtarët në Los Atijos fondet për ta ndërtuar?

Hilberto Solisi organizoi vullnetarë për të mbjellë fara shalqiri që u siguruan nga vëlla Alemani, në pjesën e tokës së dhuruar. Hilberto inkurajoi grupin të kujdesej për këta «shalqinj për Jehovain». Ai la shembullin e vet personal duke punuar shumë. Maria-Elsa, një grua shtatvogël, por plot me gjallëri, përshkruan se si grupi i vogël i lajmëtarëve kujdesej për të mbjellat. Ajo thotë: «Për të vaditur tokën, çoheshim herët, kur jashtë ishte ende errët. Patëm tri të korra të bollshme të prodhimit. Duke përdorur varkën e vet, vëlla Alemani i mori shalqinjtë përgjatë liqenit të Nikaraguas deri në Granada, ku i shiti dhe bleu materialet e ndërtimit. Ja, kështu u ndërtua Salla e Mbretërisë në Los Atijos, dhe kjo është arsyeja pse vëllai im e quante atë salla e vogël e bërë nga shalqinjtë.» Duke filluar në këtë mënyrë të thjeshtë, ishulli Ometepe ka tani tri kongregacione të begata.

Fryma pozitive dhe e përulur, si dhe besimi i plotë te Jehovai që shfaqi Hilberto, e shoqja dhe motra e tij, prekën zemrën e shumë vetave. Hilberto thoshte shpesh: «Duhet t’i shohim gjithmonë të rinjtë që vijnë si viça të vegjël. Ata janë të këndshëm, por janë ende të dobët. Le të mos mërzitemi kurrë nga dobësitë e tyre, por përkundrazi t’i ndihmojmë të bëhen të fortë.» Një qëndrim i tillë i dashur pa dyshim që i ndihmoi këta tre pionierë të shkëlqyer për të ndihmuar 265 persona deri në kushtim dhe pagëzim. Gruaja e Hilbertos vdiq besnike dhe në moshën 83-vjeçare Hilbertoja e ndjen se shëndeti i tij ka rënë ndjeshëm. Sidoqoftë, dëshira e tij për t’i shërbyer Jehovait është gjithnjë e fortë. Sa për Maria-Elsën, kur u pyet kohët e fundit se si ndihej pas 36 vjetësh në shërbimin si pioniere speciale, ajo u përgjigj: «Si ditën e parë! Jam e gëzuar dhe gjithmonë e falënderoj Jehovain që na ka sjellë në organizatën e tij të shenjtë dhe që na ka dhënë një vend të vogël në këtë parajsë të mrekullueshme frymore.» Gjatë viteve shumë pionierë të palodhur, si familja Solis, kanë parë shumë fryte të Mbretërisë në Nikaragua, falë bekimeve të bollshme të Jehovait.

Tërmeti i vitit 1972 në Nikaragua

Në 23 dhjetor të vitit 1972, pikërisht pas mesnatës, Managua u trondit fort nga një tërmet që shënonte 6,25 ballë të shkallës Rihter, i barabartë në fuqi me rreth 50 bomba atomike. Zyra e degës ishte në anën lindore të Managuas, vetëm 18 blloqe nga vatra e tërmetit. «Të gjithë misionarët ishin në krevat,—thotë Levi-Elvud Uitherspuni, mbikëqyrës i degës në atë kohë.—Kur lëkundjet pushuan, ne nxituam përjashta në mes të rrugës. Pastaj dy tronditje sizmike ndodhën shumë shpejt njëra pas tjetrës. Shtëpitë përreth nesh u rrëzuan të gjitha. Qytetin e mbuloi një re e dendur pluhuri dhe nga qendra dukej se kishte rënë zjarr i madh.»

Epiqendra e tërmetit ishte pikërisht poshtë zonës tregtare dhe vetëm brenda 30 sekondave, Managua u bë e pabanueshme. Të mbijetuarit mezi gjenin rrugën për të dalë nga pluhuri dhe rrënojat, duke luftuar për të marrë frymë. Shumë nuk ia dolën mbanë. Ndonëse disa e përllogaritin numrin e të vdekurve më shumë se 12.000, numri i saktë nuk dihet. Afro 75 për qind e shtëpive në Managua u shkatërruan, duke lënë afërsisht 250.000 njerëz pa shtëpi. Brenda tri ditëve pas tërmetit, rreth 100.000 persona largoheshin çdo ditë nga qyteti.

Dashuria e krishterë të nxit për vepra shpëtimi

Po atë ditë të tërmetit, në mbrëmje, zyra e degës mori një raport të plotë nga mbikëqyrësit e kongregacioneve në Managua. Duke vepruar shpejt dhe duke qenë në një mendje, këta vëllezër besnikë kishin vizituar çdo anëtar të kongregacionit për t’u siguruar për nevojat e tij ose të saj. Lumturisht nuk kishte vdekur asnjë nga më shumë se 1.000 lajmëtarët në qytet, por mbi 80 për qind e tyre kishin mbetur pa shtëpi.

Dashuria e krishterë e nxiti popullin e Jehovait në vendet fqinje për t’u ardhur pa vonesë në ndihmë vëllezërve të tyre, dhe në më pak se 22 orë pas tërmetit, kamionë plot me ushqime, ujë, ilaçe dhe veshje mbërritën në degë. Në fakt dega ishte një nga qendrat e para që siguronte ndihma. Përveç kësaj, vullnetarë vërshuan nga kongregacione të ndryshme në Nikaragua dhe shpejt të gjithë ishin të zënë me ndarjen e veshjeve, paketimin e ushqimit dhe dërgimin e shpejtë të këtyre gjërave. Ndihmat filluan të vinin edhe nga Dëshmitarë të vendeve më të largëta të botës.

Ditën pas tërmetit, mbikëqyrësi i degës u takua me përfaqësuesit vizitues nga degët e Kosta-Rikës, Salvadorit dhe Hondurasit, për të organizuar më tepër ndihma. Dëshmitarët nikaraguanë që jetonin jashtë Managuas me dashuri hapën shtëpitë e tyre për vëllezërit të cilët u detyruan të largoheshin nga kryeqyteti. Dëshmitarët që nuk u larguan u organizuan në grupe për të bërë mbledhjet e krishtere dhe për shërbimin në fushë. Mbikëqyrësi qarkor vizitoi këto grupe për t’i inkurajuar dhe për t’i dhënë ndihma.

Për shkak të tërmetit vuajti ekonomikisht i gjithë vendi. Megjithatë, edhe pse jeta u bë më e vështirë, rindërtimi i Sallave të Mbretërisë dhe i shtëpive të vëllezërve vazhdoi përpara. Për më tepër, shumë të sapointeresuar bënë që kongregacionet të rriteshin. Pa dyshim, Jehovai ishte i kënaqur me popullin e tij ndërsa ata vazhdonin të vendosnin në vend të parë në jetën e tyre interesat e Mbretërisë.—Mat. 6:33.

Librin vjetor 1975 raportohej: «Shumica e 14 kongregacioneve në zonën e Managuas po mblidhen ende në ndërtesa me mure të plasaritura ose edhe thjesht në ndonjë oborr nën çati prej llamarine. Është interesant fakti se pjesëmarrja në këto mbledhje është dyfishuar që prej vitit të kaluar. Vëllezërit kishin një rritje prej 20 për qind më tepër se mesatarja e lajmëtarëve të vitit që shkoi. Tani janë 2.689 lajmëtarë që ndajnë të vërtetën me të tjerët dhe 417 veta u pagëzuan.»

Kjo rritje e vazhdueshme shpejt e bëri të papërshtatshme ndërtesën e vjetër të degës. Prandaj mund ta imagjinoni se sa u gëzuan lajmëtarët kur një zyrë e re dege dhe një shtëpi misionarësh u përfunduan në dhjetor të vitit 1974, vetëm dy vjet pas tërmetit të madh. Dega e re ndodhej në një rrugë të qetë të quajtur «El Raison», 16 kilometra në jug nga qendra e qytetit të Managuas.

Misionarët lënë shembullin e dashurisë dhe të unitetit

Që nga koha kur dy vëllezërit Uollis mbërritën në vitin 1945, misionarët në Nikaragua provuan se ishin shembuj të besimit, të durimit dhe të dashurisë për njerëzit. Cilësi të tilla të admirueshme i afruan misionarët më shumë me njëri-tjetrin dhe me vëllezërit vendas. Misionari Kenet Brajani thotë: «Pas tërmetit në Managua dhamë ndihmën tonë në degë, i nxorëm vëllezërit nga shtëpitë e tyre të rrënuara dhe i ndihmuam të varrosnin të afërmit e tyre të vdekur. Puna së bashku në kushte të tilla të bën më të afërt me njëri-tjetrin.» Duke folur për misionarët që ishin me të, Margarita Muëri (më parë Fosteri) komenton: «Ndonëse ishim nga kombësi e kultura të ndryshme dhe patjetër personalitetet tona nuk ishin të njëjta, një atmosferë e bashkuar familjare na ndihmoi të ishim të lumtur në caktimin tonë, pavarësisht nga të metat tona.»

Misionarët, si Kenet dhe Sharan Brajani, e konsiderojnë si një privilegj të veçantë që kanë nxjerrë dobi nga shembujt e lënë nga misionarët me përvojë, si Fransis dhe Anxhelina Uollisi, Sidni dhe Filis Porteri dhe Emili Hardi. «Të gjithë punonin me të vërtetë shumë,—kujton Sharani,—dhe ishte e dukshme që e pëlqenin atë që po bënin.»

Gjatë viteve shumë çifte misionarësh shërbyen dhe në veprën udhëtuese. Sigurisht, themeli i qëndrueshëm që vunë misionarët e zellshëm i kontribuoi rritjes së shkëlqyer frymore në Nikaragua gjatë tri dekadave të para të punës atje. Sidoqoftë, ndërtesa mbi këto themele frymore do të vihej në provë, jo nga një tërmet tjetër, por nga diçka që do të zgjaste më shumë dhe që ishte më e rrezikshme nga ana frymore, nga nacionalizmi dhe nga revolucioni.—1 Kor. 3:12, 13.

Të sprovuar nga flakët e revolucionit politik

Nga fundi i viteve 70, një revolucion politik i udhëhequr nga Fronti Sandinist i Çlirimit Kombëtar (FSLN në spanjisht), filloi të përfshinte Nikaraguan. Si rrjedhim, kjo çoi në përmbysjen e dinastisë politiko-ushtarake 42-vjeçare të vendit. Rubi Blloku, një misionare për 15 vjet në Nikaragua, tregon për atë kohë: «Në ato vite, për shkak të propagandës politike në rritje, kushdo bëhej nervoz shumë shpejt. Përleshjet e dhunshme mes sandinistëve dhe forcave ushtarake ishin të shpeshta. Për të përmbushur caktimin duhej të vendosnim besimin tonë të plotë te Jehovai.»

Pavarësisht nga asnjanësia e tyre e krishterë në çështjet politike, Dëshmitarët e Jehovait u akuzuan shpesh nga përkrahësit e sandinistëve si agjentë ose të regjimit të Somozës, ose të CIA-s. U shfaqën dhe ndjenja të forta kundër të huajve në përgjithësi. Për shembull, kur misionarja Elfrida Urban ishte në shërbim, një burrë e akuzoi atë si spiune. «Si mund të jetë e mundur një gjë e tillë?—tha ajo.—Nuk kam aparat fotografik apo regjistrator me vete. Dhe përveç kësaj, kë apo çfarë do të mund të spiunoja në këtë zonë?»

Ai u përgjigj: «Ti je kaq e stërvitur, saqë sytë e tu janë në vend të aparatit fotografik dhe veshët e trurin e ke në vend të regjistratorit.»

Në rrugët e Managuas gjatë atyre ditëve përsëritej shpesh slogani i njohur: «Mes krishterimit dhe revolucionit nuk ka kontradikta!» Kjo mënyrë e të menduarit, që kishte fituar popullaritet në Amerikën Latine, gjatë viteve 70, pasqyronte teologjinë e çlirimit, një pikëpamje e nxitur nga një lëvizje marksiste brenda Kishës Katolike të Romës. Sipas një enciklopedie, The Encyclopædia Britannica, qëllimi i teologjisë së çlirimit ishte të ndihmonte «të varfrit dhe të shtypurit duke përfshirë [gjërat fetare] në çështjet politike dhe civile».

Rubi Blloku kujton: «Pyetja që na bënin shpesh njerëzit atëherë ishte: ‘Çfarë mendoni për revolucionin?’ Ne i shpjegonim se e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit është Mbretëria e Perëndisë.» T’i qëndroje besnik Jehovait në atë atmosferë politike shumë të rrezikshme ishte një sfidë. Rubi shton: «Gjithmonë i lutesha Jehovait të më jepte forcë që të mbetesha asnjanëse, jo vetëm me fjalë, por edhe me mendje e me zemër.»

Pas muajsh me trazira të dhunshme, në maj të vitit 1979, FSLN-ja ndërmori një sulm të përgjithshëm për të rrëzuar qeverinë. Presidenti Somoza Debajle u detyrua të largohej nga vendi dhe Garda e tij Kombëtare u shpërbë. Në korrik të atij viti, këshilli i ri i Qeverisë së Rindërtimit Kombëtar hipi në pushtet. Gjatë atij revolucioni është llogaritur se vdiqën 50.000 nikaraguanë.

Po me vëllezërit ç’u bë? Njoftimi i mëposhtëm doli te Shërbimi ynë i Mbretërisë i tetorit 1979: «Vëllezërit kanë një qëndrim mendor të mirë dhe po bëjnë përsëri mbledhjet e tyre, predikimin dhe veprën e mësimdhënies. Gjatë gjithë periudhës së dhunës, . . . humbën jetën tre vëllezër. Shumë mbetën pa shtëpi, por meqë pjesa më e madhe prej tyre ishin qiramarrës, humbja më e madhe ishte nga plaçkitja dhe nga shkatërrimi i të mirave të tyre materiale. Sa për transportin, ka fare pak mjete të tilla. Shumica e autobusëve janë shkatërruar, rrugët vetëm tani po rregullohen dhe benzina gjendet rrallë.» Megjithatë, sprova më të mëdha shtriheshin përpara për popullin e Jehovait.

Arrestime dhe dëbime

Shpejt u bë e dukshme se qeveria e re nuk e miratonte qëndrimin asnjanës të Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, Departamenti i Doganave e bënte të vështirë për të importuar literaturën. Përveç kësaj, një ligj që doli në vitin 1981 kërkonte që të gjitha shoqëritë fetare dhe civile të regjistroheshin përsëri në mënyrë që të njiheshin zyrtarisht. Derisa vëllezërve iu bë kjo njohje, statusi i mëparshëm ligjor u pezullua. Mjerisht, kërkesat për t’u regjistruar mbetën pa përgjigje.

Në shtator të vitit 1981, Endrju dhe Miriam Ridi u arrestuan ndërsa ishin në veprën udhëtuese në malësinë qendrore. Për dhjetë ditë u mbajtën në ndalim në shumë burgje dhe në kushte nga më të pakëndshmet. Më në fund, u çuan në selinë qendrore të policisë sekrete, ku u mbajtën në qeli të veçuara për pjesën më të madhe të kohës. Merreshin jo rrallë në pyetje dhe shpesh për orë të tëra, duke u përpjekur që këta të tregonin emrat e vëllezërve përgjegjës. Të dyve u thuhej se bashkëshorti ose bashkëshortja e tyre rrëfeu se ishte një agjente e CIA-s, kur në fakt çifti Rid nuk ishin as qytetarë amerikanë! Përfundimisht u thanë se me ta ishte bërë një gabim. Edhe pse nuk ju bënë asnjëherë akuza zyrtare, ata u dëbuan në Kosta-Rika. Sidoqoftë, para se të largoheshin iu tha se refuzimi i Dëshmitarëve të Jehovait për të marrë armët ishte i papranueshëm, sepse çdo nikaraguan duhet të ishte gati për të luftuar për vendin e tij.

Me maturi, Komiteti i Degës intensifikoi stërvitjen e vëllezërve vendës për të mbikëqyrur veprën në rast se zyra e degës do të mbyllej. Ndërkohë u mbajt një kurs për mbikëqyrësit qarkorë dhe zëvendësuesit e tyre, disa klasa të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë për pleq dhe disa shërbëtorë ndihmës, dhe disa klasa të Shkollës së Shërbimit për Pionierë. Për sa u përket mbledhjeve më të mëdha ishte shumë e vështirë për t’u bërë.

Për shembull, ndonëse zyrtarët e qytetit të Masajas kishin garantuar vënien në dispozicion të stadiumit për një nga dy Kongreset Krahinore «Besnikëri ndaj Mbretërisë», që mbaheshin në dhjetor 1981, vetëm 36 orë para kongresit ata e shkelën premtimin për dhënien e lejes. Vendimi ishte marrë jo nga zyra e kryetarit të Bashkisë, por nga qeveria qendrore. Megjithatë vëllezërit ishin paralajmëruar. Kështu një ditë përpara, ata bënë rregullime me ndihmën e një motre bujare për të përdorur fermën e saj të pulave si një vend alternativ. Ishte rreth 8 kilometra larg nga Managua. Që të përgatitej vendi, vullnetarët punuan gjithë natën. Më shumë se 6.800 vëllezër u lajmëruan gojarisht menjëherë për vendin e ri të mbledhjes.

Dega mbyllet

Më 20 mars të vitit 1982, në orën 6.40 të ditës së shtunë, Jani Hanteri po përgatiste mëngjesin për misionarët e tjerë. Jashtë, mbërriti një autobus plot me zyrtarë të imigracionit dhe me ushtarë me mitralozë. Ushtarët rrethuan zyrën e degës dhe shtëpinë misionare. «Zyrtarët,—tregon Jani,—na thanë të paketonim vetëm një valixhe secili dhe një çantë të vogël dore. Nuk treguan arsyen përse, vetëm na thanë se do të na çonin në një shtëpi ku do të qëndronim për një kohë të shkurtër, ndërsa do të prisnim për disa hetime. Me kujdes Rajnër Tompsoni, koordinatori i Komitetit të Degës, shkoi me shumë takt në zyrë dhe duke i telefonuar shtëpive të tjera të misionare i paralajmëroi për atë që po ndodhte.»

«Ajo që mësova atë ditë,—kujton Rubi Blloku,—ishte domethënia e vërtetë e fjalëve të Pavlit: ‘Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime . . . dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore.’ (Filip. 4:6, 7) Megjithëse një ushtar i armatosur po na vështronte nga kuzhina, Rajnër Tompsoni bëri një lutje për të gjithë ne, në fund të së cilës me gjithë zemër thamë ‘Amin’. Pas kësaj ndiem një qetësi të plotë në zemër, edhe pse nuk e dinim se çfarë na priste përpara. Ishim të sigurt se çfarëdolloj gjëje që të ndodhte, Jehovai do të na jepte forcën për ta përballuar. Ky mësim është një prej atyre që do ta kujtoj dhe do ta vlerësoj gjithmonë.»

Vëlla Hanteri shpjegon se çfarë ndodhi më pas: «Na detyruan të hipnim në autobus dhe na çuan në një fshat në një plantacion të vjetër kafeje. Ju kujtova zyrtarëve se si të huaj kishim të drejtën për të folur me ambasadat tona. Ata u përgjigjën se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në fillim të javës kishte anuluar çdo të drejtë të tillë dhe sapo të ishim jashtë vendit, mund të flitnim me kë të donim. Nga kjo kuptuam se do të na largonin nga Nikaragua.» Atë ditë, të nëntë misionarët që jetonin në degë i transportuan në grupe të veçuara në kufirin e Kosta-Rikës.

Ndërkohë, misionarët në dy shtëpitë e tjera misionare vepruan shpejt sapo telefonoi vëlla Tompsoni. Me ndihmën e vëllezërve vendas, zhvendosën shumë pajisje, si makinën rotative ofset, dhe shumë gjëra personale. Kur arritën zyrtarët e imigracionit u habitën kur gjetën shtëpitë pothuajse bosh dhe kur panë misionarët që po bënin gati valixhet. Atë mbrëmje të dhjetë misionarët nga ato dy shtëpi u çuan në aeroport. «Na thanë se ishim kundërrevolucionarë,—tregon Filis Porteri, — megjithatë askush nuk na kontrolloi valixhet. Edhe pse nuk kishim as bileta udhëtimi, biletat në bagazhet tona tregonin se po na dëbonin në Panama.» Të vetmit misionarë që mbetën në vend, një çift anglez të angazhuar në veprën qarkore, u dëbuan pak muaj më vonë.

Vetëm brenda pak ditëve misionarët u ribashkuan në degën e Kosta-Rikës. Atje morën caktimet nga Trupi Udhëheqës për të vazhduar shërbimin e tyre në vendet që gjendeshin afër, si Belize, Ekuador, Salvador dhe në Honduras. Megjithatë, Rajnër dhe Xhin Tompsoni dhe Jan Hanteri qëndruan për ca kohë në Kosta-Rika në mënyrë që të mbanin lidhjet me vëllezërit që në këtë kohë po mbikëqyrnin veprën në Nikaragua.

Si ia dolën mbanë vëllezërit nikaraguanë? «Pasi derdhën lot kur morën vesh për dëbimin tonë,—raportoi vëlla Hanteri atëherë,—vëllezërit tanë të dashur po vazhdojnë veprën pa u ndalur. Ata të sapoemëruar në komitetin e vendit po udhëheqin në mënyrë të efektshme, dhe kemi besim se do të bëjnë një punë të shkëlqyer.» Feliks-Pedro Paisi, një mbikëqyrës qarkor në Nikaragua për një kohë të gjatë, kujton se si ndiheshin vëllezërit për dëbimin e misionarëve: «Provuam një ndjenjë të thellë trishtimi. Ata kishin dhënë me të vërtetë nga vetja e tyre dhe qëndruan besnikë. Shembulli i tyre i forcoi vëllezërit dhe la një themel të fortë për veprën në këtë vend.»

Të kufizuar, por jo të ndaluar

Qeveritë ndonjëherë e keqkuptojnë pozicionin asnjanës të Dëshmitarëve të Jehovait për sa i përket politikës, luftës, dhe konflikteve sociale. Kjo çon herë pas here në një qëndrim kontradiktor ndaj popullit të Perëndisë. Për shembull, nën regjimin e Somozës gjatë viteve 50-60, kundërshtarët i akuzuan se ishin komunistë. Por tani sandinistët i denoncuan vëllezërit si agjentë të CIA-s. Edhe media u bashkua me ta duke i quajtur «kundërrevolucionarë».

Sidoqoftë, Dëshmitarët e Jehovait kurrë nuk u vunë në ndalim në Nikaragua, edhe pse periudha kohore gjatë viteve 1982 dhe 1990 u shënua nga kufizime të forta në lirinë për të adhuruar. Për shembull, nuk mund të futnin literaturë në vend. Përveç kësaj, u ngrit një sistem me anë të të cilit veprimtaritë e tyre, në fakt edhe të njerëzve në përgjithësi, mund të vëzhgoheshin nga afër.

Vëzhgohen nga spiunët e lagjes

Një libër udhëzues i Bibliotekës së Kongresit pohon: «Menjëherë pas revolucionit, FSLN-ja krijoi edhe organizata masive, të cilat përfaqësonin grupimet më të njohura të Nikaraguas.» Këto grupime përfshinin: punëtorë, organizatën e grave, blegtorë, bujq dhe fshatarë. Sipas këtij libri udhëzues, «në vitin 1980 organizatat sandiniste përfshinin rreth 250.000 nikaraguanë». Mes këtyre ndër më të fuqishmet ishin komitetet e tipit komunist Komitetet Sandiniste të Mbrojtjes (spanjisht Comités de Defensa Sandinista) ose CDS-të. CDS-të, që përbëheshin nga komitetet e lagjeve, bënin në qytete një regjistrim bllok më bllok dhe kështu ato «dinin vendndodhjen e gjithkujt», siç thotë referimi i mësipërm. Ato ishin një mjet i efektshëm për të mbledhur e për të përhapur të dhëna në dobi të qeverisë.

Shumë shpejt veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait po vëzhgoheshin nga afër, dhe kjo më tepër për shkak të fushatës së fuqishme propagandistike që ishte bërë kundër tyre. Individët e dyshuar për veprimtari kundërrevolucionare dhe për «divergjenca ideologjike», CDS-ja e lagjes së tyre i denonconte vazhdimisht tek autoritetet sandiniste. Shpesh këta individë arrestoheshin më pas nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimit të Shtetit, një forcë e policisë sekrete.

Një nga funksionet e CDS-ve ishte organizimi i shërbimit të rojave të natës. Njerëz të zakonshëm, burra e gra, thirreshin me radhë që të bënin shërbim duke vëzhguar për ndonjë veprimtari kriminale ose kundërrevolucionare në lagjen e tyre. Dëshmitarët nuk morën pjesë në këtë shërbim, as nuk lejuan që shtëpitë e tyre të përdoreshin për mbledhjet javore të CDS-ve. Megjithatë, ata pranuan të bënin punë të tjera vullnetare, si për shembull, të pastronin rrugët. Prapëseprapë, Dëshmitarët shiheshin si fanatikë dhe si një rrezik për shtetin. Një vëlla thotë: «Pothuajse gjatë gjithë atij dhjetëvjeçari fjalët: ‘Po ju vëzhgojmë’ ishin të shkruara me bojë përballë shtëpisë sime.»

Edhe të kujdesshëm, edhe të guximshëm

Vëllezërit ishin të matur kur merrnin pjesë në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim, kështu që nuk tërhiqnin vëmendje të panevojshme drejt vetes. Mbledhjet bëheshin me grupe të mëdha sa një familje dhe mbaheshin larg syrit të publikut, në shtëpi private ose në Salla Mbretërie pa tabela. Varej nga lagjja, por zakonisht vëllezërit nuk këndonin këngë Mbretërie në mbledhje. Me kalimin e kohës, lajmëtarët i zëvendësuan me numra emrat e tyre në formularë të ndryshëm dhe në raportet e përdorura nga kongregacioni. Përveç kësaj, të interesuarit nuk i ftonin në mbledhje po të mos kishin bërë të paktën gjashtë muaj studim dhe po të mos kishin dhënë prova të përparimit frymor.

Asambletë bëheshin më të vogla dhe me program më të shkurtër. Skemat e fjalimeve dhe materialet e tjera i dërgoheshin çdo kongregacioni, pleqtë e të cilit, me ndihmën e shërbëtorëve ndihmës të kualifikuar, e organizonin dhe e paraqitnin programin në shkallë kongregacioni. Anëtarët e komitetit të vendit dhe mbikëqyrësit udhëtues vizitonin sa më shumë asamble që ishte e mundur.

Vendet e asambleve bëheshin të ditura gojarisht dhe asnjë asamble nuk u anulua ndonjëherë. Gjithsesi, disa vende duhej të ndryshoheshin shumë shpejt pasi jepej një njoftim. Për shembull, më 1987, në një bashkësi fshatare, oborri i pasmë i shtëpisë së një vëllai ishte bërë gati për një asamble me rreth 300 veta. Befas u duk një oficer me njerëzit e tij. Oficeri pyeti: «Atëherë, ç’na është e gjithë kjo?»

—Kemi ndër mend të bëjmë mbrëmje,—u përgjigj vëllai, duke kuptuar nga çizmet e burrit se ky ishte i Sigurimit të Shtetit. Pas kësaj, oficeri u largua. Duke qenë të bindur që autoriteteve u kishin lindur dyshime, vëllezërit dhe motrat punuan tërë natën për të zbërthyer gjithçka. Nga ora 5.00 e mëngjesit, karriget, platformat dhe të gjitha pajisjet e gatimit jo vetëm që ishin hequr, por edhe ishin vënë në një vend tjetër rreth një kilometër e gjysmë larg. Disa vrapues të rinj e të shëndetshëm i njoftuan vëllezërit për vendin e ri. Më vonë, atë mëngjes, një kamion me ushtarë të armatosur mbërritën te vendi i parë, duke shpresuar të ndalonin asamblenë, të merrnin të rinjtë për shërbimin ushtarak dhe të arrestonin vëllezërit që merrnin drejtimin. Por ata gjetën vetëm pronarin e shtëpisë.

—Ku janë gjithë njerëzit?—pyeti oficeri.

—Epo, kishim mbrëmje natën e kaluar, por tani ka mbaruar,—u përgjigj vëllai.

—A nuk kishit asamble?—pyeti oficeri.

—Shiko vetë,—tha vëllai.—Këtu nuk ka asgjë.

—Mirë pra, po ato tenda që ishin këtu dje?—vazhdoi oficeri, pa iu mbushur mendja.

—Mbrëmja mbaroi. Ata morën gjithçka dhe ikën,—tha përsëri vëllai.

Pas kësaj ushtarët u larguan. Ndërkohë, te vendi tjetër, vëllezërit po gëzonin një program ndërtues frymësisht.

Jezui tha: «Ja, po ju dërgoj si dele mes ujqërve; prandaj, tregohuni të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafaj si pëllumbat.» (Mat. 10:16) Lajmëtarët i morën për zemër këto fjalë jo vetëm në lidhje me mbledhjet dhe asambletë, por edhe në lidhje me shërbimin në fushë. Prandaj ata nuk formonin grupe të mëdha dhe predikonin me kujdes dy e nga dy në territoret që u caktoheshin para se të shkonin në shërbim. Mbikëqyrësi qarkor, Feliks Pedro Paizi, shpjegon: «Duhej të ishim shumë të kujdesshëm. E vetmja gjë që merrnim në shërbim ishte Bibla. Çdo ditë caktohej një vëlla i ndryshëm për të më shoqëruar në shërbim. Kur vizitoja kongregacione të caktuara, shkoja te një grup i studimit të librit të martën në mbrëmje, te një tjetër të enjten dhe përsëri te një tjetër të dielën. Në disa pjesë të vendit nuk kishte nevojë që vëllezërit të ishin kaq shumë të kujdesshëm.»

Konfiskime dhe arrestime

Një natë, në korrik të vitit 1982, turma me 100 deri mbi 500 veta, të shoqëruara nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, pushtuan disa Salla Mbretërie në pjesë të ndryshme të vendit, duke i marrë ato «në emër të popullit». Më 9 gusht, midis orës 7.00 deri në 9.00 të mbrëmjes, u morën edhe pesë Salla të tjera Mbretërie, një Sallë Asambleje dhe ndërtesa e mëparshme e degës në rrugën «El Raizon». Pasi ishin dëbuar misionarët në mars, gjashtë vëllezër nikaraguanë dhe një çift misionarësh që kishte mbetur ende, vazhdonin të jetonin në degë, me qëllim që të ruanin pronën. Megjithatë, më në fund autoritetet, të mbështetura nga një turmë shpotitëse, i shtrënguan të iknin edhe këta, madje nuk i lejuan të merrnin as gjërat personale.

Qeveria u dha CDS-ve autoritet mbi Sallat e Mbretërisë që u pushtuan, të cilat tani quheshin «pronë e popullit». Mendohej që Sallat të ktheheshin në ndërtesa publike. Si përfundim, nga 50 prona që ishin gjithsej, 35 u zunë në mënyrë të paligjshme, ndonëse kurrë nuk ishin konfiskuar zyrtarisht.

Në mes të këtij zjarri nacionalist, vëllezërit përgjegjës jo vetëm që vëzhgoheshin nga afër, por edhe kërcënoheshin shpesh. Për shembull, në disa lagje, turmat e CDS-ve për orë të tëra u binin në qafë vëllezërve para shtëpive të tyre, duke shqiptuar me zë të lartë akuza e parulla politike. Oficerët e Sigurimit të Shtetit kontrollonin shtëpitë dhe madje plaçkitnin disa prej tyre. Një varg pleqsh, përfshirë edhe anëtarë të komitetit të vendit, u arrestuan dhe u keqtrajtuan rëndë.

Një ndër pleqtë e parë që përjetuan këtë përvojë ishte Hoel Obregoni, mbikëqyrës qarkor në atë kohë. Më 23 korrik 1982, agjentët e Sigurimit të Shtetit rrethuan shtëpinë ku ai dhe e shoqja, Nila, ishin mysafirë dhe e arrestuan. Vetëm pas pesë javë përpjekjesh të vazhdueshme nga ana e saj, Nila u lejua të shihte të shoqin, ndonëse vetëm për tri minuta dhe në praninë e një oficeri të armatosur. Dukej qartë që Hoelin e kishin keqtrajtuar, pasi Nila vuri re se ishte i dobët dhe kishte vështirësi në të folur. «Hoeli nuk do që të bashkëpunojë me ne»,—i tha asaj një oficer.

Pas 90 ditësh burgimi, Hoeli më në fund u lirua. Tani peshonte 20 kilogramë më pak. Edhe në pjesë të tjera të vendit disa pleq u arrestuan, u morën në pyetje dhe më pas u liruan. Sa e përforcoi besimin e vëllezërve shembulli i tyre i besnikërisë!—Shih kutinë «Një takim i pakëndshëm me Policinë Sekrete», në faqet 99-102.

Rekrutimi vë në provë të rinjtë e krishterë

Vëllezërit më të rinj u prekën në veçanti nga futja në fuqi në vitin 1983 e metodës së rekrutimit të përgjithshëm, të njohur si Shërbimi Ushtarak Patriotik. Për meshkujt e moshës nga 17-26 vjeç ishte e detyruar me ligj që të kalonin dy vjet në shërbimin ushtarak aktiv dhe dy vjet të tjera në rezervë. Kur rekrutoheshin, çoheshin menjëherë në një kamp ushtarak për t’u stërvitur. Nuk kishte mundësi tjetër për ata që kundërshtonin për arsye të ndërgjegjes. Mospranimi nënkuptonte të mbaheshe në ndalim, ndërkohë që prisje gjyqin dhe pastaj një dënim me dy vjet burg. Vëllezërit e përballuan këtë provë me guxim, të vendosur të mbeteshin besnikë ndaj Jehovait.

Për shembull, më 7 shkurt 1985, Giljermo Ponse, një 20-vjeçar pionier i rregullt në Managua, po shkonte të bënte disa studime biblike kur e kapi policia. Meqë nuk kishte librezë ushtarake, u dërgua në një kamp ushtarak për stërvitje. Por, në vend që të ngrinte armët, Giljermoja filloi t’u dëshmonte rekrutëve të rinj. Kur pa këtë, njëri nga komandantët bërtiti me inat: «Ky është kamp ushtarak, nuk është kishë. Këtu do të na bindesh neve!» Giljermoja u përgjigj duke cituar fjalët e Veprave 5:29: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» Komandanti i inatosur, një kuban që stërviste ushtarët, ia rrëmbeu Biblën nga dora dhe e kërcënoi: «Flasim sonte!» Kjo nënkuptonte që Giljermoja do të kalonte një lloj torture psikologjike që kishte synim të lëkundte vendosmërinë e tij.

Lumturisht, komandanti nuk e bëri atë për të cilën kërcënoi. Gjithsesi, tri ditë më vonë, Gijlermoja u transferua në një burg ku për nëntë muajt që pasuan u mbajt në kushte primitive. Prapëseprapë, ai vazhdoi shërbimin si pionier, duke drejtuar studime biblike, e madje edhe mbledhje brenda burgut. Më pas, gjatë kësaj periudhe të vështirë, Giljermoja i dha mbështetje të vlefshme komitetit të vendit.

Në vend që t’i burgosnin, disa vëllezër të rinj i çuan me forcë në male për t’u bashkuar me njësitë ushtarake, të quajtura Batalionet Speciale të Luftimit. Çdo batalion përbëhej nga pesë ose gjashtë kompani me 80 deri 90 burra të stërvitur për beteja në xhunglën malore, ku u bënë luftimet më të ashpra midis kundërshtarëve (guerilasit që u kundërviheshin sandinistëve). Ndonëse vëllezërit nuk pranuan të vishnin uniformat ushtarake dhe të merrnin armët, ata prapë u çuan me forcë në fushat e betejave, përveçse që u ndëshkuan dhe pësuan keqtrajtim gojor.

Tetëmbëdhjetëvjeçari Xhovani Gaitani duroi një trajtim të tillë. U bënë orvatje për ta detyruar Xhovanin që të hynte në ushtri, pikërisht para kongresit krahinor të dhjetorit të vitit 1984, ku ai kishte shpresa të pagëzohej. Ai u çua në një kamp stërvitjeje ushtarake ku për 45 ditë ushtarët u përpoqën ta detyronin që të mësonte si të përdorte pushkën dhe të luftonte në xhungël. Por, sipas ndërgjegjes së tij të stërvitur nga Bibla, Xhovani nuk pranoi të ‘mësonte luftën’. (Isa. 2:4) Ai nuk veshi uniformë ushtarake, as mori armët. Megjithatë, ai u detyrua të marshonte me ushtarët për 27 muajt e ardhshëm.

Xhovani thotë: «Qëndrova i fortë duke u lutur pa pushim, duke medituar për çfarë kisha mësuar në të kaluarën dhe duke i predikuar çdo ushtari që tregonte interes. Shpesh sillja ndër mend fjalët e psalmistit: ‘Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma? Ndihma ime vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën. Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.’»—Psal. 121:1-3; 1 Sel. 5:17.

Edhe pse në gati 40 raste të ndryshme e çuan me forcë në mes të betejave, Xhovani shpëtoi pa asnjë gërvishtje. Pas lirimit u pagëzua më 27 mars 1987 dhe shumë shpejt pas kësaj filloi shërbimin si pionier. Shumë vëllezër të tjerë, të rinj e besnikë, patën përvoja të ngjashme.—Shih kutinë «Çohen me forcë në fushën e betejës», në faqet 105-106.

Mbrojnë qëndrimin e tyre asnjanës

Shtypi i kontrolluar nga qeveria, po ashtu edhe CDS-të i akuzonin në mënyrë të rreme Dëshmitarët e Jehovait se po përdornin shërbimin nga shtëpia në shtëpi për të bërë fushata kundër Shërbimit Ushtarak Patriotik. Pohohej se Dëshmitarët po minonin sigurinë kombëtare, duke u mbushur mendjen të rinjve nikaraguanë që të mos pranonin shërbimin ushtarak. Ndonëse të pathemelta, këto akuza u përsëritën mjaft shpesh, aq sa ndikuan për të krijuar paragjykime te prokurorët dhe te gjyqtarët. Për t’i ngatërruar punët më keq, edhe udhëheqësit e kishave të shquara evangjeliste, duke u identifikuar si mbështetës të revolucionit, hodhën akuza mbi ata që mbetën asnjanës për arsye fetare, duke i etiketuar si «armiq të popullit».

Një Dëshmitar që ishte avokat apeloi për çështjet në lidhje me 25 vëllezër të rinj, të dënuar me dy vjet burg, sepse nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak. Meqenëse kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes nuk njihej ligjërisht, synimi i apelimit ishte të ulte dënimet, duke përmendur dëshminë për një sjellje të mirë të të pandehurve dhe që nuk kishin bërë qëndresë gjatë arrestimit. Falë kësaj, disa dënime, por jo të gjitha, u ulën me 6 deri 18 muaj.

«Është interesante të vërehet,—thotë Hulio Bendanja, një vëlla i pranishëm në gjyqe,—se përveç Dëshmitarëve të Jehovait, nuk pati të rinj të tjerë që nuk pranuan shërbimin ushtarak për arsye fetare.—U ndjeva krenar për ta, kur pashë 17-vjeçarët tanë që mbronin asnjanësinë e tyre me bindje të patundur para një gjykatësi dhe një prokurori ushtarak, ndërkohë që rrethoheshin nga vëzhgues kundërshtarë.»—2 Kor. 10:4.

Shtypja bëhet në fshehtësi

Gjatë kësaj periudhe Trupi Udhëheqës vazhdoi t’u jepte ndihmë e drejtim vëllezërve në Nikaragua nëpërmjet degës së Kosta-Rikës dhe komitetit të vendit të Nikaraguas. Por si do të sigurohej «ushqim në kohën e duhur», duke qenë se futja e literaturës në vend ishte e ndaluar? (Mat. 24:45) Edhe një herë tjetër, Jehovai e hapi udhën.

Në vitin 1985 vëllezërit kishin mundësi të merrnin artikujt e studimit të Kullës së Rojës dhe materiale të tjera të bazuara në Bibël me ndihmën e një shtypshkronje private. Gjithsesi, kjo metodë ishte e rrezikshme, pasi e linte veprën tonë të pambrojtur nga kundërshtarët. Prandaj, u vendos të vihej në punë makina e shtypjes ofset, që ishte përdorur për të shtypur programet e asambleve dhe ftesat e përkujtimit deri në kohën që u mbyll dega. Makina u vu në punë në shtëpinë e një motre, e cila jetonte jashtë Managuas.

Mjerisht, në nëntor të atij viti, makina e shtypjes ra në duart e qeverisë. Pa lejuar që kjo pengesë ta ndalte veprën, vëllezërit menjëherë rindërtuan një makinë të vjetër shaptilografike, së cilës i vunë nofkën Gjeli. Më parë ajo ishte përdorur për të shtypur ftesa, letra dhe programe. Kur u bë e vështirë të gjendeshin pjesë këmbimi, vëllezërit patën mundësi të gjenin në zonën e tyre një shaptilograf tjetër të përdorur dhe i vunë atij emrin Pula. Më pas dega e Salvadorit u dha një makinë. Duke ndjekur zakonin e tyre për t’u ngjitur emra shpendësh shtëpiakë, e quajtën atë Klloçka.

Më pak e sofistikuar, por jo medoemos më pak e suksesshme, metoda e shtypjes përfshinte përdorimin e pllakave shaptilografike, të cilat vëllezërit i quajtën las tablitas ose pllakat e vogla. Pajisjet i bëri Pedro Rodrigezi, një mobilier, që ishte pagëzuar më 1954. Ato përbëheshin nga dy korniza drejtkëndëshe, të bashkuara me anë të menteshave që mbanin një copë rrjete prej pëlhure në kornizën e kreut dhe një faqe qelqi ose druri në kornizën e poshtme ose në bazë. Modeli ishte i thjeshtë, ashtu siç ishte procesi i shtypjes. Një klishe në letër të daktilografuar futej në kornizën e kreut përkundrejt rrjetës së pëlhurës dhe një fletë letre e pastër vendosej në kornizën e poshtme. Me një rul hapej boja në rrjetën prej pëlhure dhe pas çdo shtypjeje futej një fletë letre e re.

Ndonëse ishte një punë monotone, me këtë metodë shtypjeje u prodhuan shumë gjëra, duke përfshirë edhe librin e këngëve Këndojini lavdi Jehovait, me të 225 këngët e Mbretërisë. «Pasi vëllezërit u bënë mjeshtra për të përdorur pllakat e vogla,—kujton Edmundo Sançezi, i cili punoi në shtypje,—ata nxirrnin 20 faqe në minutë. Gjithsej prodhuam rreth 5.000 kopje vetëm për librin e këngëve.»

Gruaja e Edmundos, Elda, ishte ndër motrat e para që ndihmuan për përgatitjen e klisheve prej karte për makinat shaptilografike. Duke përdorur makinën e saj të shkrimit, Elda, e cila ishte edhe nënë, fillonte që në orët e para të mëngjesit dhe shpesh punonte deri natën vonë, duke shtypur artikujt e studimit të Kullës së Rojës në klishe për makinat shaptilografike. Ajo kujton: «Edmundoja më jepte një kopje të revistës që e merrte nga Kosta-Rika. Nuk e dija kurrë as se sa grupe që shtypnin ishin, as se ku punonin ata. Dija vetëm pjesën e punës që më ishte caktuar mua. Gjithashtu, isha e vetëdijshme se po të zbuloheshim, shtëpia jonë, mobiliet e gjithçka tjetër do të konfiskohej e ne do të na arrestonin, mbase duke përfunduar si ‘të zhdukur’. Megjithatë, dashuria për Jehovain dhe frika ndaj tij e zhdukën edhe atë pak frikë njeriu që mund të kishim.»

Punishtet e shtypjes

Giljermo Ponse kujton si ishin punishtet e shtypjes. Ai ishte redaktor dhe ndërlidhës ndërmjet vëllezërve që përgatitnin klishetë dhe atyre që merrnin pjesë në shtypje e në shpërndarje. Vëlla Ponse shpjegon: «Punishtet ishin ngritur në shtëpitë e disa familjeve Dëshmitarësh. Secila punishte ishte një dhomë e ndërtuar brenda një dhome, e cila pastaj bëhej një vend i vogël pune. Me qëllim që të mbulonim zhurmën e shaptilografit, vinim një magnetofon ose radio jashtë punishtes dhe i ngrinim zërin.»

Vëllezërit, qull në djersë, punonin nëntë deri dhjetë orë në ditë brenda këtyre dhomave të vockla, duke shaptilografuar Kullën e Rojës ose botime të tjera. Shpesh, kur fqinjët bëheshin kureshtarë ose kur dikush njoftonte autoritetet, e gjithë veprimtaria duhej të zhvendosej në një shtëpi tjetër sapo merrej vesh lajmi.

Puna quhej si shërbim në Bethel dhe ata që merrnin pjesë në të ishin vëllezër beqarë, të rinj në moshë. Felipe Torunjoja ishte 19 vjeç dhe i sapopagëzuar kur u ftua të shërbente në një nga punishtet e shtypjes. «Përshtypja ime e parë,—thotë Felipe,—ishte që po hyja në një dhomë të vockël, pothuajse hermetike, ku ndihej era e fortë e lëngut të korrektorit të klisheve. Të nxehtët dukej i padurueshëm dhe një llambë e vogël fluoreshente bënte dritë.»

Kishte edhe sfida të tjera. Për shembull, kur një makinë kishte nevojë për riparime, gjë që ndodhte shpesh, nuk ishte e mundur që dikush vetëm ta çonte atë në një dyqan riparimi. Njerëzit pyetnin: ‘I kujt është ky shaptilograf? Çfarë po shtypet me të? A ka dhënë qeveria leje për punën?’ Kështu vëllezërit duhej t’i bënin vetë riparimet, e madje nganjëherë duhej të prodhonin pjesët e makinave. Një problem tjetër ishte ndërprerja e shpeshtë e energjisë elektrike. «Ngaqë skuadrat e shtypjes kurrë nuk donin të mbeteshin prapa me prodhimin,—kujton vëlla Ponse,—ndonjëherë i gjeja duke punuar nën dritën e një llambe vajguri, me hundën e ndotur me blozë.—Çmueshmëria, karakteri i tyre dhe fryma vetëmohuese e treguar nga këta të rinj të shkëlqyer më motivuan që të vazhdoja të punoja.»

Disa kujtime të çmuara

Felipe Torunjoja i rikujton me dashuri katër vjetët që kaloi në shtypjen e fshehtë. «Gjithnjë mbaja në mend se vëllezërit po pritnin me padurim këtë ushqim frymor jetësor,—thotë Felipe.—Prandaj, me gjithë kufizimet e shumta që u vunë mbi ne, shërbyem me gëzim». Omar Uidi, i cili mori pjesë në këtë punë që nga qershori i vitit 1988 deri në mbylljen e saj në maj të vitit 1990, kujton: «Atmosfera e përzemërsisë vëllazërore ishte ndër gjërat që më bënin më shumë përshtypje. Të sapoardhurit ishin të gatshëm e të etur për të mësuar dhe të tjerët u mësonin me durim punët e ndryshme. Kushtet e punës nuk ishin të përsosura, por vullnetarët, megjithëse të rinj në moshë, ishin burra frymorë që ishin vërtet të vetëdijshëm për sakrificat që përfshiheshin në këtë lloj shërbimi.»

Edhe Xhovani Gaitani shërbeu në punishtet e shtypjes. Ai sjell ndër mend: «Ajo që na mbante fort ishte çmueshmëria për Jehovain dhe organizatën e tij. Në atë kohë asnjëri nga ne nuk merrte një dhuratë në para, por kjo nuk na shqetësonte, pasi kishim çfarë na nevojitej. Unë vetë tashmë isha gjendur shpesh në shumë rrethana që duhej të mbështetesha plotësisht te Jehovai. Prandaj nuk isha tepër i shqetësuar për nevojat e mia materiale. Vëllezër si Giljermo Ponse, Nelson Alvaradoja dhe Felipe Torunjoja, ndonëse të rinj, ishin shembuj të shkëlqyer për mua. Edhe vëllezërit e vjetër që morën drejtimin më forconin. Po, kur kthej kokën pas e shoh të kaluarën, më duhet të them se gjithë kjo përvojë vërtet e pasuroi jetën time.»

Të gjithë ata që morën pjesë në veprimtaritë e bëra në fshehtësi panë si Jehovai i mbështeti në shumë mënyra, madje në lidhje me vetë punën e shtypjes. Vëlla Gaitani thotë: «Normalisht, me një klishe mund të bëhen 300 deri 500 kopje. Ne e bëmë që të na jepte 6.000 kopje.» Pse nevojitej që të shtohej rendimenti i klisheve dhe i materialeve të tjera për shtypje? Sepse, përveç faktit që ishin në sasi të kufizuara në vend, ato mund t’i gjeje vetëm në dyqanet e kontrolluara nga shteti, ku blerja në sasi tepër të mëdha do të binte në sy, duke e vënë blerësin nën rrezikun e arrestit. Po, Jehovai i bekoi përpjekjet e vëllezërve, pasi, me përjashtim të shtypshkronjës ofset në fillim, autoritetet as gjetën e as mbyllën ndonjë nga punishtet.

Edhe vëllezërit që kishin një punë shekullare për të mbajtur familjet e tyre ndihmonin për shtypjen, shpesh duke qenë në rrezik të madh. Për shembull, shumë prej tyre shpërndanin materialet e shtypura anembanë vendit, duke përdorur automjetet e veta. Disa herë ata udhëtonin gjithë ditën, duke kaluar përmes shumë pikash kontrolli ushtarake. E dinin se po të kapeshin, mund të humbisnin automjetet e tyre, të arrestoheshin, e madje të burgoseshin. Megjithatë, ata ishin sypatrembur. Natyrisht, këta vëllezër kishin nevojë për mbështetjen e plotë të grave të tyre, edhe disa prej të cilave luajtën një rol jetësor gjatë kësaj periudhe të vështirë, siç do ta shohim tani.

Gra frymore të guximshme

Shumë gra të krishtere treguan guxim të jashtëzakonshëm dhe besnikëri gjatë viteve që në Nikaragua kishte kufizime. Duke bashkëpunuar me burrat e tyre, ato vunë në dispozicion shtëpitë e tyre për shtypjen në fshehtësi, shpesh për muaj të tërë. Gjithashtu, ato përgatitnin ushqim për punëtorët, me shpenzimet e veta. «Midis nesh, vëllezërve të rinj, dhe këtyre motrave u krijua një lidhje e fortë e krishterë,—rikujton Nelson Alvaradoja, i cili ndihmoi për bashkërendimin e shtypjes.—Ato u bënë nëna për ne. Dhe ne, siç ndodh me bijtë, u hapnim shumë punë. Disa herë punonim deri në katër të mëngjesit për të realizuar kuotat dhe afatet, veçanërisht kur kishte në program punë shtesë, si për shembull broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Dy nga ne nganjëherë punonin me turne pothuajse 24 orë rresht. Prapëseprapë, motrat gjithnjë e kishin gati një vakt për ne, madje ende pa zbardhur dita.»

Familjet që kishin shtypshkronjën në shtëpitë e tyre kujdeseshin edhe për sigurinë. Gratë shtëpiake zakonisht kujdeseshin për këtë caktim, duke qenë se shumica e burrave ishin në punë gjatë ditës. Një motër sjell ndër mend: «Për të mbuluar zhurmën që vinte nga makinat, kishim një radio që buçiste në maksimumin e zërit. Kur dikush vinte te porta, ne i lajmëronin vëllezërit në punishte me anë të një çelësi elektrik, i cili ndizte një llambë të veçantë.»

Shpesh vizitorët ishin Dëshmitarë të tjerë ose të afërm. Megjithëkëtë, motrat përpiqeshin t’i largonin sa më shpejt dhe me sa më shumë takt që të ishte e mundur. Siç mund ta merrni me mend, kjo nuk ishte gjithnjë e lehtë, pasi këto motra zakonisht ishin shumë mikpritëse. Shqyrtoni shembullin e Huana Montielit, e cila kishte një xinë në oborrin e saj. Duke qenë se Dëshmitarët e tjerë vinin shpesh për të marrë fruta nga pema, oborri i Huanës ishte bërë një vend takimesh të rastit. «Kur ne patëm privilegjin ta kishim shtypshkronjën në shtëpinë tonë,—kujton Huana,—mua dhe burrit na u desh ta pritnim pemën. Nuk mund t’ua shpjegonim vëllezërve pse kaq papritur dukej sikur ishim më pak të shoqërueshëm, por e dinim se shtypshkronja duhej mbrojtur.»

Konsuelo Beteta, që tani ka vdekur, u pagëzua më 1956. Edhe shtëpia e saj përdorej për shtypje. Gjithsesi, vëllezërit nuk mund të parkonin përpara shtëpisë së saj për të marrë literaturën pa ngjallur dyshime. Kështu që ata ndalnin në një vend më të sigurt: në shtëpinë e një vëllai rreth një bllok më tutje. Në një intervistë para se të vdiste, motër Beteta solli ndër mend ato kohë. Me dritë në sy, ajo tha: «Revistat mblidheshin rrotull dhe futeshin në thasë që ishin caktuar për kongregacione të ndryshme. Çdo thes peshonte afro 15 kilogramë. Për të shkuar te shtëpia e vëllait, unë bashkë me nusen e djalit, i bartnim thasët mbi kokë dhe kapërcenim një kanal prapa shtëpisë sime. Fqinjët e mi kurrë nuk dyshuan për diçka, pasi thasët nuk dukeshin ndryshe nga ata që shumica e grave mbanin mbi kokë.»

Sa shumë që i çmonin vëllezërit ato motra të guximshme besnike! «Ishte vërtet një privilegj i madh të punoje me to»,—thotë Giljermo Ponse, duke folur në emër të shumë vëllezërve që atëherë shërbenin me të. Kuptohet që këto gra të krishtere të mrekullueshme, së bashku me burrat e tyre, ishin shembuj të shkëlqyer për të vegjlit e tyre. Prandaj le të shohim tani disa nga sfidat që hasën fëmijët gjatë atyre viteve plot ngjarje.

Fëmijë besnikë e të besueshëm

Ashtu si prindërit, edhe fëmijët e atyre që ishin përfshirë në punën e shtypjes në fshehtësi dhe të shpërndarjes së literaturës treguan besnikëri të jashtëzakonshme. Klaudia Bendanja, dy fëmijët e së cilës në atë kohë jetonin ende në shtëpi, sjell ndër mend: «Pesë muaj patëm një makinë shtypjeje që punonte në një nga dhomat e pasme të shtëpisë. Sapo fëmijët ktheheshin nga shkolla, ata donin të ndihmonin vëllezërit. Por, çfarë mund të bënin ata? Në vend që t’i largonin fëmijët, vëllezërit i linin të ngjitnin fletët e shaptilografuara të Kullës së Rojës. Sa u pëlqente fëmijëve të ishin me këta djem të rinj, të cilët i nxitnin që të ngulitnin në kujtesë shkrime nga Bibla dhe këngë të Mbretërisë!»

«Për hir të ruajtjes së fshehtësisë,—thotë motër Bendanja, — im shoq dhe unë u shpjeguam fëmijëve tanë se ishim në kohë të vështira, se kjo punë ishte për Jehovain dhe se ishte shumë e rëndësishme që ne të qëndronim besnikë. Ata nuk duhej të flitnin për këtë me askënd, as me të afërmit e madje as me vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere. Lumturisht, fëmijët ishin besnikë dhe të bindur.»

Shtëpia e Aura Lila Martinezit ishte një ndër të parat që u përdor si qendër për shtypjen. Nipërit e saj morën pjesë për të renditur faqet, për t’i ngjitur dhe për t’i paketuar. Edhe ata u lidhën shumë me vëllezërit që punonin në këtë shtëpi. Dhe asnjëherë nuk folën për këtë punë me të tjerët. Eunika sjell ndër mend: «Ne shkonim në shkollë e luanim pothuajse çdo ditë me fëmijët e familjes Bendanja dhe të familjes Eugarrio, megjithatë kurrë nuk e morëm vesh që literatura po shtypej në shtëpinë e njëri-tjetrit deri vite më vonë. ‘Vërtet? Edhe në shtëpinë tuaj?’—pyetëm njëri-tjetrin të habitur. Ja, ishim rritur si miq të ngushtë, e prapë asnjë nga ne nuk u tha një fjalë të tjerëve. Me sa duket, kjo ishte mënyra e Jehovait për të mbrojtur veprën.»

Ato përvoja të hershme vazhdojnë të kenë një ndikim pozitiv te këta të rinj. Emerson Martinezi, tani shërbëtor ndihmës dhe shërbëtor special në kohë të plotë, thotë: «Vëllezërit në ato punishte për mua ishin shembuj që doja t’i imitoja. Ishin vetëm 18 ose 19 vjeç, por më mësuan të vlerësoja përgjegjësitë frymore, paçka se sa të vogla ishin, dhe unë mësova vlerën e punës me cilësi. Nëse më kalonte qoftë edhe një faqe ndërkohë që i renditja, dikush do ta humbiste atë informacion. Kjo më nguliti në mendje sa e rëndësishme ishte të bëja më të mirën time për Jehovain dhe për vëllezërit tanë.»

Elda Maria, bija e Edmundo dhe Elda Sançezit, ndihmoi duke shpërndarë klishetë që e ëma shtypte nga Kulla e Rojës dhe botime të tjera. Ajo i mbartte këto në biçikletën e saj deri në shtëpinë e vëlla Ponses, pesë blloqe pallatesh më tutje. Para se t’ia jepte klishetë së bijës, motër Sançezi i mbështillte ato me kujdes dhe i vinte në një shportë të vogël. «Që kur isha shumë e vogël,—thotë Elda Maria,—prindërit më stërvitën të isha e bindur. Kështu, kur erdhi kjo periudhë kufizimesh, isha mësuar të ndiqja udhëzimet me kujdes.»

A i kuptonte ajo rreziqet që përballonin vëllezërit, përfshirë të atin, të cilët merrnin pjesë në mbikëqyrjen e shtypjes? Elda Maria thotë: «Shpesh babai më thoshte para se të dilte nga shtëpia se, po të arrestohej, nuk duhej të frikësohesha ose të mërzitesha. Pavarësisht nga kjo, kur ai vonohej, mbaj mend që bashkë me mamanë luteshim shumë herë që të mos ishte në rrezik. Shpesh shihnim njerëz të Sigurimit të Shtetit që parkonin përballë shtëpisë sonë për të na vëzhguar. Në qoftë se mamaja duhej të përgjigjej te dera, unë i mblidhja të tëra materialet e saj dhe i fshihja. Jam shumë mirënjohëse për shembullin dhe stërvitjen që më dhanë prindërit, për të treguar besnikëri ndaj Jehovait dhe vëllezërve tanë.»

Duke qenë se kanë hedhur një themel të fortë në rininë e tyre, shumë të rinj të asaj epoke tani janë në shërbimin e plotkohor dhe shumë prej tyre shërbejnë në pozita me përgjegjësi në kongregacione. Përparimi i tyre është dëshmi e bekimit të pasur të Jehovait mbi popullin e tij, asnjë pjesëtar i të cilit nuk mbeti pa ushqim frymor gjatë asaj periudhe të vështirë. Në të vërtetë, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë vazhdoi të ecte përpara, madje duke gjetur ‘tokë të shkëlqyer’ mes mijëra vetave, të cilët ishin të burgosur gjatë epokës së sandinistëve. (Mar. 4:8, 20) Si ndodhi kjo?

Farërat e Mbretërisë mbillen në burg

Pas revolucionit sandinist mijëra veta të Gardës Kombëtare që ishte mundur, si dhe disidentë politikë u mbajtën në arrest përpara se të dilnin para gjykatave të veçanta që po vepronin nga fundi i vitit 1979 deri në vitin 1981. Shumë ish-anëtarë të Gardës Kombëtare u dënuan me deri 30 vjet burg në Karsel Modelo (burgu «Modelo»), një institucion i madh për vuajtjen e dënimit në Tipitapa, rreth 11 kilometra në verilindje të Managuas. Siç do ta shohim tani, shumë njerëz me zemër të çiltër brenda atyre burgjeve të egra e të mbipopulluara u bënë të lirë frymësisht.

Nga fundi i 1979-ës, një plak në Managua mori një letër nga një Dëshmitar tjetër, i cili ishte në burg, por ende jo në Karsel Modelo. E kishin burgosur ngaqë, para se të merrte njohuri për të vërtetën, kishte shërbyer në ushtri gjatë qeverisjes së Somozës. Në letrën e tij, vëllai kërkonte literaturë që t’ua ndante të burgosurve të tjerë. Dy pleqtë që shkuan për të çuar literaturën nuk u lejuan të takonin vëllanë. Megjithatë, kjo nuk e shkurajoi, pasi ai vazhdoi t’u dëshmonte të burgosurve të tjerë, madje duke drejtuar studime biblike me disa prej tyre.

Njëri nga ata studentë, Anastasio Ramon Mendoza, bëri përparim të shpejtë frymor. «Më pëlqente kaq shumë çfarë po mësoja,—kujton ai,—saqë fillova të shoqëroja vëllanë, teksa ky u predikonte të burgosurve. Disa na kthenin mbrapsht, të tjerë na dëgjonin. Së shpejti, gjatë kohës së pushimit, afro 12 nga ne po studionim bashkarisht Biblën në një oborr të hapur.» Gati një vit më vonë një pjesëtar nga ky grup i parë u pagëzua.

Në fillim të vitit 1981 ky grup i vogël me studentë të Biblës ishte transferuar bashkë me të burgosurit e tjerë në Karsel Modelo, ku ata vazhduan t’u flitnin të tjerëve për lajmin e mirë. Në të njëjtën kohë, literatura e bazuar në Bibël qarkullonte fshehurazi edhe mes të burgosurve, një pjesë e saj duke gjetur madje edhe më tepër ‘tokë të shkëlqyer’.

Shqyrtoni shembullin e Hoze de la Kruz Lopezit dhe të familjes së tij, asnjë prej tyre nuk ishte Dëshmitar. Gjashtë muaj pasi ishte burgosur Hozeja, gruaja e tij mori botimin Libri im i tregimeve biblike nga Dëshmitarë që i takoi në rrugë. Synimi i saj i vetëm ishte t’ia jepte librin të shoqit. «Kur fillova ta lexoja librin Tregimet biblike,—rrëfen Hozeja,—mendoja se ishte botim evangjelist. Nuk dija asgjë për Dëshmitarët e Jehovait. Libri më bëri kaq shumë përshtypje, saqë e lexova disa herë dhe fillova të flisja për të me 16 shokët e qelisë, që të gjithë e pëlqyen. Ishte si të pije ujë që të freskon. Edhe të burgosurit e qelive të tjera kërkuan t’ua jepja hua, kështu që kaloi në tërë sektorin e burgut, duke përfunduar i vjetëruar, me anët e ngrëna si një pako e vjetër letrash bixhozi.»

Disa nga shokët e burgut të Hozesë ishin anëtarë të kishave evangjeliste; madje disa ishin pastorë. Hozeja filloi të lexonte Biblën me ta. Megjithatë, ai u zhgënjye kur i pyeti për kuptimin e Zanafillës 3:15 dhe i thanë vetëm se ajo ishte një mister. Një ditë një i burgosur tjetër, i cili ishte vetë duke studiuar Biblën, i tha Hozesë: «Përgjigjja është në atë libër që ke ti, i cili është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mund ta studioj me ty, nëse dëshiron.» Hozeja e pranoi ftesën, dhe me ndihmën e librit Tregime biblike ai mësoi domethënien e Zanafillës 3:15. Pas kësaj, ai filloi të rrinte me të burgosurit që pohonin se shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait.

Një nga gjërat që e tërhiqte Hozenë ndaj këtij grupi të pashoq brenda Karsel Modelos ishte sjellja e tyre e shkëlqyer. «Pashë njerëz për të cilët e dija se kishin pasur një mënyrë jetese shumë të korruptuar që tani shfaqnin sjellje të shkëlqyer, falë studimit të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait.»—thotë Hozeja. Ndërkohë, gruaja e Hozesë vazhdonte të merrte literaturë nga Dëshmitarët dhe ia kalonte të shoqit, i cili nga ana e vet, përparonte frymësisht. Në të vërtetë, grupi i tij i studimit i caktoi atij edhe një pjesë brenda një sektori ku ai mund të predikonte nga qelia në qeli. Kështu ai kishte mundësi t’u jepte hua të interesuarve ato pak pjesë literature që kishte dhe t’i ftonte në mbledhje, të cilat mbaheshin gjatë pushimit në sektorin e burgut.

Kujdesen për nevojat frymore të të burgosurve

Kongregacioni Managua Lindor u kujdes për nevojat frymore të të burgosurve në Karsel Modelo, numri i të cilëve sa vinte e rritej. Ata po lexonin literaturën dhe po bënin përparim frymor. Për këtë qëllim, kongregacioni bëri një program me anë të të cilit disa vëllezër dhe motra do t’u çonin literaturë të burgosurve në fshehtësi. Vizitat lejoheshin një herë në muaj ose një herë në dy muaj, por një i burgosur mund të priste vizitë vetëm nga ai individ për të cilin kishte bërë kërkesë që më përpara. Kështu Dëshmitarët e asaj zone nuk mund t’i vizitonin të gjithë të interesuarit. Përsëri, kjo gjë nuk përbënte një problem madhor, pasi të burgosurit mblidheshin shpejt së bashku dhe i ndanin gjërat me njëri-tjetrin.

Pleqtë e Kongregacionit Managua Lindor dhanë ndihmën e tyre për të organizuar dhe për të drejtuar veprimtaritë e grupit që po zgjerohej brenda Karsel Modelos. Ata mbajtën kontakte të rregullta sidomos me të burgosurit, të cilët po merrnin drejtimin në çështjet frymore, duke u shpjeguar si të mbanin mbledhje javore, të kryenin me rregull veprën e predikimit dhe të raportonin tërë këto veprimtari. Si rrjedhim, këta të burgosur ua kalonin informacionin të tjerëve. Rregulli i mirë teokratik sigurisht u bë i nevojshëm, pasi në atë kohë ishte formuar brenda burgut një grup i madh me studentë të Biblës.

Karsel Modeloja në fillim kishte katër sektorë, çdonjëri mbante 2.000 të burgosur. «Secili sektor ishte i pavarur nga të tjerët,—sqaron Hulio Nunjezi, një nga pleqtë vizitues,—kështu mbledhjet javore mbaheshin veçan në secilën nga vendet e shlodhjes së sektorëve, merrnin pjesë afro 80 njerëz gjithsej.»

Pagëzohen në një fuçi

Ndërkohë që të interesuarit e rinj përparonin, shumë prej tyre shprehën dëshirën për t’u pagëzuar. Pleqtë që vizitonin burgun, dhanë miratimin për kandidatët për pagëzim. Gjithashtu i ndihmuan të burgosurit që kishin marrë drejtimin për çështjet frymore që të merrnin masa për ta bërë pagëzimin në të njëjtën datë me një asamble që do të mbahej jashtë burgut. Zakonisht fjalimi i pagëzimit bëhej në një qeli një natë më parë dhe mëngjesin tjetër, kur të burgosurit shkonin për t’u larë, kandidatët pagëzoheshin.

Hoze de la Kruz-Lopezi u pagëzua në burg në nëntor të vitit 1982. «U pagëzova në një fuçi plehrash,—rrëfen ai.—I dhamë një të pastruar të mirë me ilaçe larëse. Pastaj i shtruam brenda një çarçaf dhe e mbushëm me ujë. Megjithatë, pikërisht në çastin që ishim mbledhur rreth e rrotull për pagëzimin mbërritën roja të armatosura. ‘Kush dha leje për këtë pagëzim?’—pyetën ata. Vëllai që kishte marrë drejtimin u shpjegoi se dikush nuk ka nevojë për ndonjë leje për të bërë çka thotë Perëndia. Rojat nuk e zgjatën më, por deshën të shihnin si bëhej pagëzimi. Kështu, me rojat aty që po shikonin, më bënë dy pyetjet që u drejtohen kandidatëve për pagëzim dhe më pas u pagëzova në fuçi.» Me kalimin e kohës, të paktën 34 të burgosur u pagëzuan në këtë mënyrë.

Disa të burgosur bënë përparim të shpejtë. Njëri prej tyre ishte Omar-Antonio Espinoza, i cili 10 vjet të dënimit të tij 30-vjeçar i kaloi në burgun Karsel Modelo. Të burgosurit i lëviznin herë pas here, dhe në vitin e dytë që Omari ishte në burg një nga shokët e qelisë ishte Dëshmitar. Omari vuri re se këtij burri i bënin rregullisht vizita të burgosur të tjerë, të cilëve ai u mësonte Biblën. Meqë i kishte bërë përshtypje çfarë kishte parë e dëgjuar, edhe Omari kërkoi një studim biblik.

Omari nisi të studionte me ndihmën e librit E vërteta që të çon në jetën e përhershme, duke bërë një kapitull në ditë. Pas 11 ditësh donte të ishte lajmëtar. Kur i mbaroi të 22 kapitujt e librit, kërkoi të pagëzohej. Megjithatë, vëllezërit i thanë të mendohej ca më gjatë në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu, ata i këshilluan të studionte një botim tjetër, të titulluar Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë në tokë, të cilin sapo e kishin marrë në burg. Pak kohë pasi kishte kaluar muaji, Omari e mbaroi edhe këtë libër. Për më tepër, ai la duhanin e po ashtu bëri edhe ndryshime të tjera. Sigurisht që e vërteta biblike po ndikonte në jetën e tij. Duke parë këto ndryshime vëllezërit u bindën se dëshira e tij ishte e sinqertë, kështu që Omari u pagëzua në një fuçi më 2 janar 1983.

Gjuha e shenjave e të burgosurve

Lajmëtarët e burgosur duhej të komunikonin ndërmjet sektorëve për të përcjellë informacionin që merrnin nga pleqtë që vizitonin burgun ose për të mbledhur të dhëna, si për shembull raportet e shërbimit. Vëlla Mendoza, i cili ishte pagëzuar në burg në vitin 1982, tregon si e bënin këtë.

Ai thotë: «Disa nga ne mësuan një lloj gjuhe të shenjave që ishte zhvilluar mes të burgosurve. Kur vinte koha që të mbahej Përkujtimi, ne llogaritnim kur perëndonte dielli dhe sinjalizonim njëri-tjetrin, në mënyrë që të gjithë të luteshim në të njëjtën kohë. Ne e bëmë këtë vit pas viti. Gjuha e shenjave na ndihmoi edhe për studimin e Kullës së Rojës. Kur vëllezërit në ndonjë sektor nuk e kishin artikullin e studimit për atë javë, me anë të shenjave ua përçonim gjithë artikullin. Vëllai që me anë të shenjave e merrte informacionin nga një vëlla tjetër ia lexonte me zë shenjat një shoku, e ky e shkruante artikullin në letër.» Por, si hyri fillimisht në burg ushqimi frymor?

Ushqimi frymor ushqen të burgosurit

Pleqtë, familjet e tyre dhe lajmëtarë të tjerë nga kongregacioni Managua Lindore vinin rregullisht në Karsel Modelo për të vizituar të burgosurit. Për gati dhjetë vjet ata sollën për vëllezërit e tyre qoftë furnizime materiale, qoftë frymore, duke përfshirë Kullën e Rojës dhe fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë. Patjetër, ushqimi frymor duhej të fshihej.

Një plak fshihte disa revista në boshllëkun brenda patericave të tij të drunjta e të mëdha. Hulio Nunjezi rrëfen: «Edhe të rinjtë ndihmuan, meqë ata rrallëherë i kontrollonin.» Madje vizitorët qenë në gjendje të futnin emblemat e Përkujtimit brenda në burg.

Çdo sektor kishte një ditë të veçantë për vizita. Njerëzit që lejoheshin për të bërë vizita zakonisht e kalonin gjithë ditën me të burgosurit në një oborr të madh. Në këtë mënyrë, shumë pak të burgosur Dëshmitarë mund të takonin vëllezërit dhe motrat e tyre nga Managua dhe të merrnin furnizime frymore. Pastaj, më vonë, kur këta të burgosur ktheheshin në sektorët e tyre, kishin mundësi të ndanin me të tjerët gjërat që kishin marrë.

Madje nuk liheshin pas dore as këngët e Mbretërisë. «Në sektorin tonë,—thotë vëlla Lopezi,—vetëm njëri nga ne takohej me vëllezërit që bënin vizita.—Kështu, i binte që ky i burgosur të mësonte meloditë e disa këngëve njëherësh dhe pastaj të na i mësonte ne të tjerëve. Ngaqë kishim vetëm një libër këngësh, të gjithë ne i provonim këngët para mbledhjeve.» Vëlla Mendoza ishte një ndër pak të burgosurit që mund të kishte vizitorë Dëshmitarë. «Karlos Ajala dhe familja e tij më bënin vizita,—thotë vëlla Mendoza.—Dy vajzat e tij më mësuan të paktën nëntë këngë Mbretërie, të cilat ua mësova shokëve të mi.» Vëlla Lopezi ishte ndër ata që i mësuan këngët në një mënyrë të tillë. Ai sjell ndër mend: «Më vonë, kur fillova të ndjek mbledhjet jashtë burgut, isha i kënaqur. Por, më duhet ta pranoj, isha edhe paksa i habitur kur mora vesh që në të vërtetë ne kishim kënduar të njëjtat melodi.»

Qëndrojnë të fortë frymësisht në burg

Me ç’lloj mjedisi kishin të bënin vëllezërit e të interesuarit në burg dhe si qëndruan të fortë frymësisht? Vëlla Mendoza sjell ndër mend: «Ushqimi në burg ishte me racion. Në shumë raste, të gjithë të burgosurit i rrihnin dhe ndonjëherë rojat shkrepnin armët përreth nesh, ndërsa ne të gjithë shtriheshim me fytyrën në dysheme. Këto gjëra bëheshin për të na tendosur nervat. Kur kishte ndonjë sherr midis disa prej të burgosurve të tjerë dhe rojave, na ndëshkonin të gjithëve duke na nxjerrë lakuriq në oborr që të piqeshim në diell. Ne Dëshmitarët i përdorëm këto raste për të ndërtuar dhe për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Kujtonim shkrime nga Bibla dhe flitnim për pika që i kishim mësuar nga studimi personal. Këto përvoja na ndihmuan të qëndronim të bashkuar dhe të fortë.»

Duke shfrytëzuar kohën e lirë që e kishin me bollëk, shumë Dëshmitarë dhe të interesuar e lexuan gjithë Biblën katër ose pesë herë. Nuk ishte një gjë e pazakontë për ta të studionin me kujdes të gjitha botimet e bazuara në Bibël që u binin në dorë, dhe madje e bënin këtë disa herë. Vëlla Mendoza kujton me çmueshmëri të veçantë Librin vjetor të çdo viti. «Përvojat nga vende të ndryshme, hartat, që të gjitha i studionim,—kujton ai.—Çdo vit krahasonim rritjet, numrin e kongregacioneve dhe të të pagëzuarve të rinj dhe sa të pranishëm ishin në Përkujtim në çdo vend. Këto gjëra na falnin shumë gëzim.»

Në këto rrethana lajmëtarët e rinj shumë shpejt fituan njohuri të mirë për Fjalën e Perëndisë, si edhe për organizatën teokratike. Ata u bënë edhe predikues e mësues të zellshëm. Për shembull, në shkurt të vitit 1986 brenda Karsel Modelos kishte 43 lajmëtarë që drejtonin 80 studime biblike. Mesatarisht 83 të pranishëm ndiqnin mbledhjet çdo javë.

Të gjithë këta të burgosur të lirë frymësisht pak kohë pas kësaj do të gëzonin më tepër liri, pasi qeveria vendosi t’u jepte faljen të gjithë të burgosurve politikë. Falë kësaj, 30 lajmëtarët e fundit brenda Karsel Modelos u liruan më 17 mars 1989. Kongregacioni Managua Lindore menjëherë mori masa që lajmëtarët e porsaliruar të lidheshin me pleqtë e zonave ku ishin zhvendosur. Këta pleq, nga ana e tyre, i mirëpritën vëllezërit e sapoardhur, shumë prej të cilëve më pas u bënë pleq, shërbëtorë ndihmës dhe pionierë.

Kufizimet nuk e ndalën veprën e predikimit

Me gjithë vështirësitë dhe rreziqet, gjatë epokës së kufizimeve numri i lajmëtarëve në Nikaragua vazhdoi të rritej me të shpejtë. Në të vërtetë, në disa zona u formuan kongregacione që përbëheshin pothuajse krejtësisht nga të rinjtë në të vërtetën. Një shembull për këtë është kongregacioni La Reforma. Pionierët specialë Antonio Alemani dhe e shoqja, Adela, udhëtonin çdo ditë për të dëshmuar në bashkësitë fshatare midis Masajas dhe Granadës. Një nga këto bashkësi ishte La Reforma. Këtu, në fillim të vitit 1979, çifti Aleman studioi me Rozalio Lopezin, një djalë i ri, të cilit sapo i kishte vdekur gruaja. Shumë shpejt Rozalioja u foli për gjërat që po mësonte anëtarëve të familjes së gruas, me të cilët jetonte. Në fillim foli me vjehrrën, pastaj me të gjithë kunetërit e kunatat me radhë. Shumë shpejt një grup me 22 pjesëtarë të familjes i shihje duke shkuar në mbledhje në Masaja, gjashtë kilometra larg.

Një ditë familja e gruas i tha Rozalios: «Në mbledhje mësuam që Dëshmitarët e Jehovait predikojnë nga dera në derë, por ne nuk po bëjmë kështu.»

«Mirë,—tha Rozalioja,—do të shkojmë të predikojmë këtë të shtunë.» Dhe shkuan vërtet. Shkuan të 22 së bashku në një derë dhe foli Rozalioja. Kur Antonioja erdhi herën tjetër për të bërë studimin, Rozalioja me fytyrë të qeshur tha: «Shkuam të gjithë në predikim këtë javë.» Ndonëse Antonioja ishte i kënaqur me zellin e studentëve të tij, ai i nxiti çiftet e reja që së pari të bënin disa rregullime në jetën e tyre.

Në dhjetor të vitit 1979 u pagëzuan Rozalioja dhe një nga vëllezërit e së shoqes, Huber Lopezi, që ishin të parët që u pagëzuan nga ky grup, të tjerët pasuan me të shpejtë njëri pas tjetrit. Vetëm tre vjet më pas u formua kongregacioni La Reforma. Filloi me 30 lajmëtarë, që të gjithë nga e njëjta familje. Me kalimin e kohës, Huberi, i vëllai Ramoni dhe Rozalioja u emëruan si pleq. Në vitin 1986 shërbyen si pionierë 54 lajmëtarë të kongregacionit.—Shih kutinë në faqet 99-102.

Falë predikimit të zellshëm të anëtarëve të kongregacionit La Reforma, gjashtë kongregacione të tjera u formuan më pas në bashkësitë përreth. Gjithashtu, kujtoni që vëllezërit i ndiqte ende syri zhbirues i autoriteteve, të cilëve zelli i tyre u shkaktonte pakënaqësi. «Autoritetet na ngacmonin vazhdimisht,—kujton Huber Lopezi,—por kjo kurrë nuk na bëri të ndërpritnim predikimin.» Në të vërtetë, vepra e predikimit u zgjerua gjatë kësaj epoke të vështirë. Si kështu? Ngaqë shumë vëllezër humbën punën e tyre dhe filluan shërbimin si pionierë.

Jehovai i bekoi përpjekjet e tyre. Në vitin 1982 në Nikaragua kishte 4.477 lajmëtarë të lajmit të mirë, por rreth vitit 1990, pas tetë vjetësh kufizimesh e përndjekjesh, ky numër ishte rritur në 7.894. Kjo ishte një rritje me 76 për qind!

Hiqen kufizimet

Në shkurt të 1990-s në Nikaragua zgjedhjet e ndjekura nga vëzhguesit ndërkombëtarë sollën një ndryshim në qeveri. Pak kohë pas kësaj kufizimet mbi Dëshmitarët e Jehovait u hoqën, rekrutimi i ushtarëve mori fund dhe komitetet e mbrojtjes u shpërbënë. Ndonëse ishin të kujdesshëm, vëllezërit nuk kishin më frikë nga sytë zhbirues të fqinjëve. Në shtator të atij viti Jan Hanteri, i cili kishte shërbyer në Komitetin e Degës në Guatemalë, u bë koordinatori i ri i komitetit të vendit të Nikaraguas.

Gjatë tetë viteve të mëparshme komiteti i vendit kishte mbikëqyrur veprën në Nikaragua pa përdorur një zyrë dhe pajisje zyre. Në të vërtetë, vëlla Hanteri ishte i kënaqur që solli makinën e shkrimit, të cilën e kishte përdorur në degën e Guatemalës. Një vëlla vendës, Hulio Bendanja, me kënaqësi u dha shumë nga pajisjet e zyrës së tij vëllezërve që kishin mjaft punë për të bërë.

Një shtëpi në rrethinat e Managuas u mor për të shërbyer si zyrë dege. Sidoqoftë, shumë vëllezër nuk ishin mësuar me programin e zakonshëm të Bethelit, pasi ishin mësuar të punonin në fshehtësi, në vende të ndryshme dhe me orar të papërcaktuar. Por iu përgjigjën mirë stërvitjes që morën dhe bënë ndryshimet e nevojshme. Shumë nga këta djem të rinj vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri, disa prej tyre në forma të ndryshme të shërbimit të plotkohor.

Për të ndihmuar me punën në degë erdhën edhe vëllezërit nga vende të tjera. Misionarët Keneth dhe Sharan Brajëni, që ishin në Honduras, u caktuan sërish në Nikaragua në fund të vitit 1990. Më janar 1991 Huan dhe Rebeka Rajesi, të diplomuar në klasën e parë të Shkollës së Galaadit, të mbajtur në Meksikë, erdhën nga Kosta-Rika, të ndjekur nga Arnaldo Çavezi, edhe ky një i diplomuar në klasën e parë të Meksikës, së bashku me të shoqen, Marinë. Pas dy vjetësh Lotar e Karmen Mihanku erdhën nga Panamaja, ku vëlla Lotari kishte shërbyer në Komitetin e Degës. Shumica e tyre u caktuan në degën e re, ku ndihmuan për ta organizuar sërish veprën e predikimit sipas procedurave të duhura organizative. Sot, familja Bethel në Nikaragua përbëhet nga 37 anëtarë me kombësi të ndryshme.

Në shkurt të vitit 1991 një Komitet Dege u caktua të zëvendësonte komitetin e vendit dhe dega e Nikaraguas u rihap zyrtarisht më 1 maj 1991. Tani ishte hedhur themeli për një rritje të mëtejshme dhe sa mbresëlënëse do të ishte kjo rritje! Që nga viti 1990 deri në vitin 1995, u pagëzuan 4.026 dishepuj të rinj, një rritje me 51 për qind. Kjo rritje krijoi një nevojë të ngutshme për vende të përshtatshme për mbledhje. Megjithatë, mund t’ju kujtohet që në vitin 1982 turmat morën gjithsej 35 prona.

Rimarrin pronat

Kur fillimisht Sallat e Mbretërisë u pushtuan në mënyrë të paligjshme, vëllezërit nuk ndenjën duarlidhur, por menjëherë iu drejtuan qeverisë, duke cituar Kushtetutën e Nikaraguas në mbrojtjen e tyre. Megjithatë, edhe pse vëllezërit ishin në përputhje me çdo gjë që kërkonte ligji, kërkesat e tyre ranë në vesh të shurdhër. Madje në vitin 1985 vëllezërit i shkruan presidentit të atëhershëm të Nikaraguas për t’i kërkuar njohjen ligjore dhe kthimin e pronave. Përveç kësaj, bënë kërkesa të shumta për të pasur një takim me ministrin e punëve të brendshme. Por të gjitha këto përpjekje nuk dhanë asnjë rezultat.

Kur mori pushtetin qeveria e re më prill 1990, vëllezërit menjëherë paraqitën një peticion tjetër, këtë herë ministrit të ri të punëve të brendshme, duke i kërkuar që Dëshmitarët e Jehovait të regjistrohen përsëri ligjërisht. Sa u ngazëlluan dhe sa shumë e falënderuan Jehovain kur, vetëm pas katër muajsh, peticioni i tyre u pranua. Që atëherë qeveria nikaraguane i dha Shoqatës Watch Tower Bible and Tract Society statusin ndërkombëtar të misionarëve, dhe ajo mund të veprojë lirisht, si dhe është përjashtuar nga taksat për organizata të tilla, pa qëllime përfitimi. Gjithsesi, të rimerrje Sallat e Mbretërisë nuk ishte e lehtë, pasi disa prej tyre u ishin «dhënë» përkrahësve të regjimit të mëparshëm.

Për të kërkuar rikthimin e të gjitha pronave, vëllezërit apeluan në Komitetin Kombëtar për Rishikimin e Pronave të Konfiskuara që sapo ishte formuar. Kjo ishte një procedurë e ndërlikuar dhe e mundimshme, në njëfarë mase edhe për shkak të numrit të madh të apeleve të ngjashme nga organizata e individë të tjerë. Pas një viti përpjekjesh të fuqishme, më janar 1991, vëllezërve iu rikthye një pronë. Vëllezërit vizituan edhe individët që kishin zënë Sallat e Mbretërisë, me qëllim që të arrinin të merreshin vesh me ta. Por shumica e këtyre njerëzve mendonin se ajo që kishin shtirë në dorë ishte një «fitim» i ligjshëm nga revolucioni.

Më pas gjatë atij viti u kthye prona e degës, por duhej blerë një vend tjetër për një familje që banonte atje. Gjatë viteve që pasuan, vëllezërit pak nga pak morën 30 nga 35 prona dhe morën një shpërblim në bono shtetërore për ato prona që nuk mund të merreshin.

Përballojnë katastrofa natyrore

Përveç tërmeteve që u përmendën më parë në këtë raport, edhe vullkanet e uraganet kanë shkaktuar shumë dëme në Nikaragua. Që nga viti 1914 vullkani më aktiv në vend, Sero Negroja, ka shpërthyer 12 herë, duke i mbuluar me hi zonat e paana me të mbjella. Elfride Urbani, një misionar që shërbente në Leon gjatë shpërthimeve të vitit 1968 dhe 1971, përshkruan si ishin këto shpërthime: «Për dy javë mbi qytet derdhej furishëm rërë e zezë dhe hi i zi. Duhej të hiqeshin me lopata nga çatitë, pasi këto mund të shembeshin. Njerëzit kishin të drejtë të shqetësoheshin, meqë shekuj më parë Leoni ishte mbuluar një herë në këtë mënyrë. Era e çonte kudo rërën e imët. E kishim në këpucë, rroba, shtretër, ushqime, e madje mes fletëve të librave. Megjithatë, mes gjithë kësaj, vëllezërit vazhduan të ndiqnin mbledhjet dhe të merrnin pjesë në shërbim.»

Në tetor të 1998-s uragani Miç përmbyti gjithë Amerikën Qendrore. Disa specialistë e quajtën atë «uraganin më shkatërrues që goditi Hemisferën Perëndimore në dy shekujt e fundit». Një enciklopedi, Encarta Encyclopedia, thotë: «Nga uragani Miç gjetën vdekjen 3.000 deri 4.000 njerëz në Nikaragua dhe pati dëme të mëdha në prona.» Shirat e mëdha formuan një liqen në kraterin e vullkanit Kazitas, duke shkaktuar një rrëshqitje dheu që mbuloi 80 kilometra katrorë dhe fshiu tej disa fshatra.» Të dhënat e kohëve të fundit llogaritin më se 2.000 të vdekur.

Ashtu si dhe në vende të tjera të prekura nga uragani Miç, Dëshmitarët e Jehovait në Nikaragua kryen një punë kolosale për të dhënë ndihma humanitare. Në disa qytete vullnetarët Dëshmitarë formuan skuadra me çiklistë që shkuan në disa zona, ku nuk mund të kalohej me automjete, kështu që të shihnin se ç’bëhej me vëllezërit për t’u shpërndarë ushqime e furnizime të tjera. Shpesh ata ishin punëtorët e parë që mbërritën për t’u dhënë ndihmë, duke u sjellë gëzim vëllezërve të tyre, tashmë të mbetur pa shtëpi. Dëshmitarët në Kosta-Rikë dhe në Panama menjëherë dërguan 72 tonë ushqime dhe rroba. Pasi u kujdesën për gjërat më të nevojshme, punëtorët e ndihmave vazhduan disa muaj të tjerë që të riparonin Sallat e Mbretërisë dhe të ndërtonin shtëpi të reja për vëllezërit.

Një Nikaragua «tjetër»

Në vitin 1987 qeveria formoi dy rajone autonome që përbëjnë pjesën lindore të Nikaraguas. Më parë njiheshin si Zelaja, tani ato quhen Rajoni Autonom i Atlantikut të Veriut (RAAN në spanjisht) dhe Rajoni Autonom i Atlantikut të Jugut (RAAS). Ndonëse këto rajone zënë rreth 45 për qind të sipërfaqes së Nikaraguas, atje banojnë vetëm rreth 10 për qind e popullsisë.

RAAN-i dhe RAAS-i janë të pasur me miniera ari dhe argjendi. Ato shtrihen që nga ana lindore e shpateve të thepisura të malësisë qendrore deri në lagunat dhe kënetat e Bregut të Mushkonjës. Ndërmjet këtyre rajoneve shtrihet një peizazh i larmishëm me pyjet tropikale të shiut, me savana me pisha e palma dhe me lumenj e përrenj të shumtë që gjarpërojnë duke zbritur për në detin e Karaibeve. Gjatë viteve atje janë ngritur fshatra, qyteza e qytete të populluara nga metisët, si edhe nga miskitot e nga popuj të tjerë indigjenë.

Kryeqyteti Managua u duket si një botë tjetër pjesës më të madhe të banorëve miskito, sumo, rama dhe kreolë të këtij rajoni. Në të vërtetë, ende nuk ka ndonjë rrugë të asfaltuar që lidh lindjen me perëndimin. Ndonëse në rajonin e Atlantikut flitet spanjishtja, shumë njerëz flasin gjuhën miskito, kreole ose disa gjuhë të tjera indigjene. Pjesa më e madhe pohojnë se janë protestantë, në përgjithësi i përkasin lëvizjes reformiste fetare të Moravisë, në ndryshim me ata në rajonin e Paqësorit ku mbizotërojnë katolikët. Kështu pothuajse në të gjitha drejtimet: gjeografike, gjuhësore, historike, kulturore e fetare, lindja dhe perëndimi janë në kontrast të fortë midis tyre. Kështu, si do të pritej lajmi i mirë në Nikaraguan «tjetër»?

Mesazhi i Mbretërisë përhapet në zonat më të largëta

Disa Dëshmitarë misionarë që në vitin 1946 udhëtuan në zonën lindore për të parë territorin dhe lanë literaturë. Në vitin 1950 mbikëqyrësi drejtues Sidni Porteri dhe e shoqja, Filisi, vizituan qytetet e vogla bregdetare Blufilldsin dhe Porto-Kabezasin, ishujt e Misrit dhe qytetet e minatorëve Rozitën, Bonanzën dhe Sjunën. «Gjatë një udhëtimi për në qytetet e minatorëve,—rrëfen Sidni,—çdonjëri prej nesh la më tepër se 1.000 revista dhe 100 libra. Të gjithëve u pëlqente shumë të lexonin.» Pas pak kohësh u formuan grupe të veçuara në shumë nga këto qytete dhe që nga vitet 70, këto grupe dalëngadalë janë bërë kongregacione.

Gjithsesi, për vite të tëra ishte e vështirë të predikohej në vise të tjera të RAAN-it dhe të RAAS-it. Veçimi, mungesa e rrugëve ndërlidhëse dhe shirat e mëdha tropikale që bien më shumë se tetë muaj në vit përbënin pengesat më të mëdha për veprën e predikimit. Por këto nuk ishin të pakapërcyeshme, siç tregohet nga shumë pionierë të zellshëm e sypatrembur. Kryesisht falë vendosmërisë dhe punës së tyre të madhe tani janë shtatë kongregacione dhe nëntë grupe, të cilat përfshijnë rreth 400 lajmëtarë të Mbretërisë në RAAN dhe në RAAS.

Për të ilustruar vështirësitë që hasin Dëshmitarët në këto rajone, shqyrtoni shembullin e një vëllai 22-vjeçar. Tri herë në javë ai udhëton afro tetë orë përmes maleve për të ndjekur mbledhjet në qytetin e Rozitës, ku ndodhet kongregacioni më i afërt. Ai shërben atje si pionier i rregullt dhe shërbëtor ndihmës. Në familjen e tij është i vetmi Dëshmitar i pagëzuar. Në përgjithësi, predikon i vetëm në këtë zonë malore ku shpesh shtëpitë janë dy orë larg nga njëra-tjetra. Në qoftë se bëhet vonë, ndërsa është në një shtëpi, ai fle atje dhe ditën tjetër fillon prapë të dëshmojë në zonë, meqë nuk është e përshtatshme të udhëtojë natën për të shkuar në shtëpi. Kohët e fundit i vdiq babai, duke i lënë këtij vëllai të ri përgjegjësinë që të kujdesej për familjen, meqë është djali i madh. Prapëseprapë, ai ende ka mundësi të shërbejë si pionier. Dhe një nga vëllezërit e tij tani është lajmëtar i papagëzuar dhe e shoqëron atë në shërbim.

Që nga viti 1994, çdo vit dega ka organizuar fushata predikimi në këtë rajon të paanë. Pionierë specialë të përkohshëm, që janë zgjedhur nga radhët e pionierëve të rregullt të zellshëm, për katër muaj gjatë stinës së thatë predikojnë në qytetet dhe fshatrat e thella të RAAN-it dhe të RAAS-it. Këta pionierë të zotë luftojnë me të nxehtët e jashtëzakonshëm, terrenet e thyera, gjarpërinjtë, kafshët e egra, ujin e ndotur dhe me rrezikun për të marrë ndonjë sëmundje ngjitëse. Synimi i tyre është që të japin një dëshmi të plotë, të drejtojnë studime biblike me të interesuarit dhe të mbajnë mbledhjet e krishtere, përfshirë dhe Përkujtimin. Gjithashtu, përfundimet që arrijnë e ndihmojnë zyrën e degës të përcaktojë se ku duhet të caktohen pionierë specialë. Gjatë viteve, ky program ka çuar në formimin e kongregacioneve dhe të grupeve në qytetet Uaspam dhe San-Karlos, përgjatë lumit Koko në skajin më verilindor.

Ndonëse RAAN-i dhe RAAS-i kanë pasur vërshim të madh të metisëve spanjishtfolës, grupi më i madh në këto rajone mbeten miskitot indigjenë. Disa botime të bazuara në Bibël janë në dispozicion në gjuhën miskito dhe një varg pionierësh kanë mësuar këtë gjuhë. Si rrjedhim, mesazhi i Mbretërisë u ka bërë përshtypje të mirë shumë prej këtyre njerëzve mikpritës, të cilët e duan Biblën.

Për shembull, afër lumit Likus në RAAN shtrihet Kuiuitingni, një fshat miskito me 46 shtëpi, në 6 prej të cilave nuk banonte njeri gjatë fushatës së pionierëve në vitin 2001. Atë vit pionierët specialë të përkohshëm drejtuan 40 studime biblike në fshat: një për shtëpi. Vetëm një muaj më pas tre studentë shprehën dëshirën për t’u pagëzuar, njëri kishte qenë asistenti i pastorit të kishës moraviane vendëse. Dy çifte donin të bëheshin lajmëtarë, por nuk ishin të martuar sipas ligjit. Prandaj, pionierët me butësi u shpjeguan atyre normat biblike në lidhje me martesën dhe pagëzimin. Përfytyroni gëzimin e pionierëve kur pikërisht në kohën që duhej të ktheheshin në shtëpi, atyre iu afruan këto dy çifte duke valëvitur certifikatat e martesës!

Që nga ajo fushatë e frytshme lajmëtarët në Uaspam vazhdimisht kanë udhëtuar 19 kilometra deri në Kuiuitingni për të ndihmuar të sapointeresuarit të vazhdojnë të bëjnë përparim frymor dhe për t’i stërvitur për shërbim.

Pionierët specialë të përkohshëm që predikonin në disa fshatra miskitosh përgjatë lumit Koko takuan një grup të madh me amerikanë që merreshin me punë sociale. Pionierët u lanë atyre shumë revista në gjuhën angleze. Në fshatin Fransia-Sirpi, pranë lumit Uaua, anëtarët e një kishe baptiste po ndërtonin një shkollë të vogël. Drejtuesi i ekipit të ndërtimit i tha njërit prej pionierëve: «E admiroj punën e Dëshmitarëve të Jehovait. Ju jeni këtu për t’u mësuar Biblën të tjerëve. Uroj që feja ime ta përkrahë këtë vepër.»

Nevojiten vëllezër me përvojë

Gjatë epokës së kufizimeve, rreth 60 për qind e Dëshmitarëve në Nikaragua ndiqnin mbledhje që mbaheshin në grupe jo më të mëdha se një familje e vogël. Dhe kishin vetëm pak botime për në shërbim. Asambletë mbaheshin në shkallë kongregacioni dhe programet shkurtoheshin. Disa vëllezër të pjekur që ishin edhe kryefamiljarë zëvendësuan mbikëqyrësit udhëtues, por nuk mund ta bënin këtë në kohë të plotë. Përveç kësaj, shumë familje që ishin Dëshmitarë prej kohësh mërguan në vende të tjera gjatë atyre viteve të trazuara. Prandaj, kur vepra u regjistrua prapë ligjërisht, kishte një nevojë të ngutshme për pleq dhe pionierë me përvojë.

Në të vërtetë, vetë pleqtë dëshironin të merrnin stërvitje për procedurat organizative, ndërkohë që lajmëtarët kërkonin drejtim në disa gjëra për shembull, si të ofronin literaturën në shërbim. Me qëllim që të plotësoheshin këto nevoja Trupi Udhëheqës caktoi në Nikaragua disa të diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, të mbajtur në Salvador, Meksikë e Porto-Riko. Njëri nga këta vëllezër, Pedro Henrikuezi, një i diplomuar në klasën e parë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Salvador, filloi veprën qarkore në Nikaragua në vitin 1993. Edhe njëmbëdhjetë mbikëqyrës qarkorë me përvojë ‘kaluan’ nga Meksika për të ndihmuar në këtë Maqedoni të ditëve tona.—Vep. 16:9.

Brenda nëntë viteve të kaluara, Nikaragua ka pritur edhe 58 të diplomuar në Galaad, të cilët janë caktuar në gjashtë shtëpi misionare anembanë vendit. Pjekuria e tyre ka luajtur një rol në atmosferën e shëndetshme frymore të kongregacioneve, dhe ata kanë ndihmuar shumë të rinj ta kenë shërbimin e plotkohor si një synim që duan ta arrijnë.

Ata që gjatë viteve 60 dhe 70, erdhën në Nikaragua për të shërbyer ku ka më shumë nevojë e quajtën atë një parajsë për predikuesit. Kjo është e vërtetë edhe sot e kësaj dite. Një vëlla në Repartin e Shërbimit në zyrën e degës komenton: «Nikaragua është ende një vend ku lajmëtarët dhe pionierët vendosin sa studime biblike do të drejtojnë, sepse ka shumë interes.» Pra, kuptohet pse shumë veta që janë të etur për të shërbyer ku ka më shumë nevojë dhe që kanë llogaritur shpenzimet kanë kërkuar të shërbejnë në Nikaragua. Po, deri në prillin e vitit 2002 atje kishin shkuar 289 pionierë nga 19 vende, për të dhënë ndihmën e tyre. Sa mirënjohës janë Dëshmitarët vendës për gjithë këta korrës!—Mat. 9:37, 38.

Një mbledhje kombëtare emocionuese

Para kohës së kufizimeve kongresi i fundit në shkallë vendi ishte mbajtur në vitin 1978. Prandaj merreni me mend sa entuziastë ishin vëllezërit kur morën një ftesë për kongresin krahinor që do të mbahej në Managua në dhjetor të 1999-s. Familjarët u nxitën të fillonin të kursenin para për udhëtimin dhe për shpenzimet e tjera, që të merrnin pjesë në kongres. Disa Dëshmitarë qenë vërtet mjaft të shkathët për të gjetur mënyra që të fitonin këto para. Për shembull, duke qenë se derri është i përhapur në Nikaragua, disa fituan para duke blerë, duke rritur e më pas duke shitur derra. Falë planifikimit të mençur dhe vendosmërisë, 28.356 Dëshmitarë dhe të interesuar nga bregu lindor në bregun perëndimor, patën mundësi të vinin për Kongresin Krahinor «Fjala Profetike e Perëndisë» që filloi më 24 dhjetor në stadiumin kombëtar të bejzbollit, në Managua.

Sa entuziastë ishin delegatët të shtunën e atij kongresi kur panë 784 veta të pagëzoheshin duke u zhytur në ujë, pagëzimi më i madh në historinë e veprës në Nikaragua! Ishin të pranishëm misionarët, të cilët më përpara kishin shërbyer atje, dhe treguan përvoja inkurajuese për auditorin. Për më tepër, kongresi pati një ndikim të fuqishëm bashkues duke i motivuar të gjithë, pavarësisht nga gjuha ose prejardhja fisnore, të jenë edhe më të vendosur se kurrë për të përparuar në «gjuhën e kulluar» të së vërtetës frymore, «që t’i shërbejnë [Jehovait] sup më sup»—Sof. 3:9 BR.

Mbrojnë të drejtën për të marrë trajtim mjekësor pa gjak

Nikaragua ka tri Komitete të Lidhjes me Spitalet (KLS), puna e të cilave bashkërendohet nga Shërbimet e Informacionit të Spitaleve në degë. Përveçse ndihmojnë pacientët Dëshmitarë kur lindin çështjet e transfuzionit të gjakut, këto komitete përpiqen të informojnë profesionistët dhe studentët e mjekësisë për alternativat e shumta mjekësore në vend të transfuzionit të gjakut, që janë të pranueshme nga Dëshmitarët e Jehovait.

Për këtë qëllim anëtarët e KLS-ve kanë dhënë leksione dhe kanë përdorur mjete audiopamore për mjekët dhe studentët e mjekësisë, disa prej të cilëve kanë dhënë komente mjaft pozitive. Në të vërtetë, gjithnjë e më shumë kirurgë dhe anesteziologë kanë treguar gatishmërinë e vet për të bashkëpunuar me Dëshmitarët e Jehovait, duke respektuar kështu qëndrimin e tyre të bazuar në Bibël për çështjen e transfuzionit të gjakut.

Të vendosur të ecin përpara

Historia teokratike e Nikaraguas jep dëshmi të bollshme se as shkatërrimet natyrore, as ato të shkaktuara nga njeriu nuk mund të pengojnë përparimin e lajmit të mirë. Po, Jehovai me të vërtetë ka bërë që «më i vogli» të bëhet «një mijëshe». (Isa. 60:22) Raportet e hershme të shërbimit të kryer në këtë vend u dhanë në 1943-shin. Ato paraqitnin vetëm veprimtarinë e tre lajmëtarëve. Pas 40 vjetësh u pa një maksimum prej 4.477 lajmëtarësh. Në vitin 1990, kur u lejuan të ktheheshin misionarët, numri i lajmëtarëve ishte rritur në 7.894. Bekimi i Jehovait vazhdoi gjatë dhjetëvjeçarit 1990-1999 kur numri i predikuesve të Mbretërisë pothuajse u dyfishua.

Natyrisht, kjo rritje e shpejtë ka sjellë një nevojë të ngutshme për më tepër Salla Mbretërie. Prandaj zyra e degës ka drejtuar një program ndërtimi me shtrirje të gjerë që përfshin ngritjen e rreth 120 Sallave të tjera, përveç një dege të re në Tikuantepe, 11 kilometra në jug të Managuas. Dega duhet të përfundojë aty nga prilli i vitit 2003.

Në vitet e fundit, Nikaragua ka bërë njëfarë përparimi ekonomik, e sidomos Managua, një qytet që ka pasur rritje të shpejtë në mundësitë për punë, për arsimim e zbavitje. Duket se ndërtimi është vazhdimisht një veçori e qytetit. Ai tani ka restorante moderne, pika karburanti dhe qendra tregtare plot me mallra konsumi, si dhe tiparet e tjera të panumërta të shoqërisë perëndimore.

Një mjedis i tillë, me tundimet e veta të shumta, paraqet sfida të reja për të krishterët. Një plak, që ka kohë si i tillë, vërejti: «Ndryshimi po ndodh shpejt. Është si të vësh një pjatë plot karamele para një fëmije që s’ka ngrënë kurrë gjë tjetër veç orizit e fasuleve dhe t’i thuash: ‘Tani, ki kujdes!’ Vërtet, ne dimë si t’i shërbejmë Jehovait nën vështirësi, por tani armiku është i maskuar. Kjo gjendje është më e vështirë për t’u përballuar.»

Prapëseprapë, besnikëria, zelli dhe guximi që populli i Jehovait shfaqi gjatë viteve të kufizimit vazhdon të japë fryte të shkëlqyera. Shumë nga fëmijët që u rritën në atë epokë tani shërbejnë si pleq, pionierë dhe vullnetarë në Bethel. Nikaragua tani ka 17 qarqe që përbëhen nga 295 kongregacione, përfshirë edhe 31 grupe të veçuara. Raporti i muajit gusht në vitin 2002 tregonte për një maksimum të ri prej 16.676 lajmëtarësh, kurse në Përkujtimin atë vit kishte 66.751 të pranishëm.

Prandaj ne lutemi që shumë më tepër njerëz në këtë vend të larmishëm të arrijnë të njohin Jehovain para se të marrë fund ‘viti i hirit’ të tij. (Isa. 61:2) Po, Ati ynë qiellor vazhdoftë të zgjerojë kufijtë e parajsës sonë frymore, derisa e tërë toka ‘të mbushet me njohurinë e Zotit [Jehovait, BR], ashtu si ujërat mbulojnë detin’!—Isa. 11:9.

[Kutia në faqen 72]

Një vështrim i përgjithshëm mbi Nikaraguan

Vendi: Nikaragua është shteti me sipërfaqen më të madhe në Amerikën Qendrore. Ndahet në dy pjesë nga malet që gjenden në qendër të vendit. Pjesa perëndimore është një rajon me liqene me ujë të ëmbël. Më pak e begatë, pjesa lindore zihet kryesisht nga pyjet e shiut dhe rrafshnaltat. Nikaragua ka rreth 40 vullkane; disa janë aktivë.

Popullsia: Shumica janë metisë që flasin spanjisht, njerëz me prejardhje të përzier nga evropianët dhe indianët e Amerikës. Një numër i vogël i indianëve monimbo dhe subtiaba jetojnë në brigjet perëndimore, kurse rajoni lindor përfshin indianët miskito, sumo dhe rama, si dhe kreolët e garifunat. Katolicizmi është feja kryesore.

Gjuha: Spanjishtja është gjuha zyrtare. Fliten edhe gjuhët indigjene.

Jetesa: Bujqësia është dega kryesore e ekonomisë së Nikaraguas.

Ushqimi: Prodhimet kryesore që përdoren në vend janë: orizi, misri, bathët, melekuqja, gjethe delli, juka dhe fruta të ndryshme. Eksporton përveç të tjerave kafe, sheqer, banane, prodhime deti dhe mish viçi.

Klima: Nikaragua ka klimë tropikale. Reshjet e shirave lëvizin nga 190 centimetra në 380 centimetra në varësi të rajonit. Temperaturat afër brigjeve janë mesatarisht rreth 26 gradë Celsius, kurse në malësi është pak më freskët.

[Kutia dhe figura në faqet 99-102]

Një takim i pakëndshëm me policinë sekrete

Huber dhe Telma Lopezi

Të dhëna: Prindër të tre fëmijëve të rritur. Huberi shërben si plak kongregacioni.

Gjatë qeverisë së revolucionit, shërbëtorë ndihmës e pleq shpesh arrestoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe mbaheshin në ndalim për një ditë deri në disa javë, që të merreshin në pyetje. Për shkak të qëndrimit asnjanës të bazuar në Bibël, Dëshmitarët e Jehovait akuzoheshin se i nxitnin njerëzit të rebeloheshin kundër qeverisë, por kurrë nuk ishin paditur zyrtarisht në lidhje me këtë. Hetuesit donin edhe emrat e «instruktorëve» e të «udhëheqësve» tanë.

Një ndër vëllezërit e shumtë që kanë kaluar këtë përvojë ishte Huber Lopezi, sot plak kongregacioni dhe baba i tre fëmijëve të rritur. Më dhjetor 1985, vëlla Lopezi u arrestua në shtëpinë e tij në La Reforma, një bashkësi fshatare afro 40 kilometra në juglindje të Managuas. Gruaja e tij, Telma, rrëfen për ankthin e asaj dite:

«Në orën 4.00 pasdite dy xhipe ndalën përballë shtëpisë sonë, njëri me agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe tjetri me ushtarë që rrethuan shtëpinë. Pasi u thashë agjentëve se im shoq nuk ishte në shtëpi, ata na urdhëruan mua dhe fëmijët të dilnim jashtë e thanë se do të kontrollonin shtëpinë. Megjithatë, djali ynë më i madh, Elmeri, i cili ishte dhjetë vjeç, ndenji brenda. Ai vështronte, teksa ata zunë të boshatisnin një dollap me libra, jofetarë dhe teokratikë. Brenda këtyre librave im shoq kishte fshehur disa regjistrime të kongregacionit. Kur të paftuarit i nxorën librat jashtë për t’i çuar te xhipet, Elmeri thirri: ‘Zotëri, po i merrni edhe librat e mi shkollorë?’ Një ushtar iu përgjigj vrazhdë: ‘E mirë, merri prapë.’ Kështu djali ynë mundi të shpëtonte librat e tij dhe regjistrimet e kongregacionit.

Atë mbrëmje, ndërsa po hanim darkë, ushtarët erdhën prapë. Me pushkët drejtuar nga ne, morën tim shoq në sy të fëmijëve që po qanin. Ushtarët nuk na treguan pse ose ku po e shpinin.»

Duke përshkruar atë që ndodhi më pas, vëlla Lopezi thotë: «Më shpunë në burgun e qytetit Masaja dhe më vunë në një qeli me lloj-lloj kriminelësh. Menjëherë u identifikova si Dëshmitar i Jehovait dhe u dhashë dëshmi këtyre burrave për disa orë. Në mesnatë dikush më urdhëroi të dilja nga qelia nën kërcënimin e tytës së armëve dhe të hipja në një xhip që po priste jashtë në errësirë. Më thanë të rrija me kokën ulur, por kur hipa njoha katër njerëz të tjerë në xhip me kokën ulur. Ishin shërbëtorë ndihmës dhe pleq nga zona e Masajas, të cilët i kishin arrestuar po atë mbrëmje.

Gjatë asaj nate dy herë na kërcënuan se do të na vritnin, së pari në një arë me kafe dhe më pas në një zonë urbane, ku na mbështetën pas një muri. Në të dyja rastet dukej se ata shpresonin që ne të thoshim diçka, por asnjëri nga ne nuk tha gjë. Përfundimisht, na çuan në burgun e qytetit të Xhinotepes dhe na mbajtën tri ditë veç e veç në qeli.

Na linin të flinim vetëm për pak orë e pastaj na zgjonin. Qelitë tona mbaheshin të errëta, kështu që ne nuk e dinim nëse ishte ditë apo natë. Vazhdimisht na thërritnin në dhomat ku merreshim në pyetje për veprimtarinë tonë të predikimit, mbledhjet dhe emrat e ‘udhëheqësve’ tanë. Madje njëri nga ata që na merrnin në pyetje më kërcënoi se do të arrestonte prindërit e mi dhe do ta nxirrte me forcë prej tyre informacionin. Në të vërtetë, kur isha në qeli, dëgjova edhe zërat e prindërve të mi, të gruas dhe të anëtarëve të tjerë të familjes. Gjithsesi, çka dëgjova ishte një kasetë, me anë të së cilës mendonin të më bënin që të besoja gabimisht se anëtarët e familjes sime i kishin sjellë në burg për t’i marrë në pyetje.

Ditën e katërt, të enjten, më thanë që do të më lironin. Por, më parë, duhej të firmosja një deklaratë, në të cilën betohesha se nuk do të predikoja më për fenë time. Më thanë edhe se shokët e mi Dëshmitarë kishin firmosur tashmë, sigurisht që kjo nuk ishte e vërtetë.

—Nëse nuk pranon të firmosësh, do të të kthejmë prapë dhe do të kalbesh këtu,—thanë ata që më merrnin në pyetje.

—Atëherë, ju lutem mos më lironi. Më lini këtu, —u përgjigja.

—Pse thua kështu?

—Sepse unë jam një Dëshmitar i Jehovait, dhe kjo do të thotë që unë të predikoj.

Për habinë time, u liruam që të pesë në të njëjtën ditë. Po, Jehovai iu përgjigj lutjeve tona dhe na forcoi, kështu që ruajtëm qetësinë dhe nuk i tradhtuam vëllezërit tanë. Megjithatë, pas asaj ngjarjeje ishim vazhdimisht nën vëzhgim.»

[Kutia dhe figura në faqet 105, 106]

Të çuar me forcë në fushën e betejës

Xhovani Gaitani

Pagëzuar: 1987

Të dhëna: U arrestua vetëm disa javë para se të pagëzohej, u shtrëngua të kalonte 28 muaj me BLI-të. Shërbeu si pionier për më shumë se tetë vjet.

Disa vëllezër të rinj u çuan me forcë të shoqëronin Batalionet Speciale të Luftimit (spanjisht BLI), të cilat luftonin në xhunglën e dendur malore.

Njëri nga këta djem të rinj ishte Xhovani Gaitani. Kur ishte ende një lajmëtar i papagëzuar, Xhovani kaloi 28 muaj me BLI-të. Ai u arrestua vetëm pak javë para se të pagëzohej. Xhovani rrëfen: «Sprovat e mia filluan pas betejës së parë. Një oficer më urdhëroi të laja një uniformë të lyer me gjak, të cilën ia kishin marrë një ushtari të vrarë. Nuk pranova, pasi arsyetova se kjo do të bëhej hallka e parë në një zinxhir ngjarjesh që do të përfundonin me kompromentimin e asnjanësisë sime të krishterë. Oficeri u tërbua nga inati dhe më goditi fort në faqe. Ai mori pistoletën, ma ngjeshi pas kokës dhe tërhoqi këmbëzën, por arma nuk shkrepi. Prandaj ai më goditi fort me të në fytyrë dhe më kërcënoi se po të mos i bindesha prapë, do të më vriste.

Gjatë 18 muajve që pasuan, ky njeri ma bëri jetën shumë të vështirë. Në shumë raste, më linte tërë ditën me duart e lidhura, kështu që nuk mund të haja. Në këtë gjendje më shtrëngonin të ecja përmes xhunglës në krye të grupit, me një pushkë dhe me granata varur në shpinë, duke qenë shënjestra më e mirë për armikun. Ai më rrihte dhe më kërcënonte se do të më vriste, veçanërisht gjatë kulmit të betejës, kur të tjerët përreth meje ishin duke vdekur dhe unë nuk pranoja të merrja pushkët e tyre. Megjithatë, nuk e urreja, as tregohesha i frikësuar, pasi Jehovai më jepte guxim.

Një mëngjes, në mars të 1985-ës, mua bashkë me disa vëllezër të tjerë na zbritën nga malet në një vend ku familjet tona u lejuan të na vizitonin afër Mulukukut, rreth 300 kilometra në verilindje të Managuas. Ndërkohë që po haja dhe po bisedoja bashkë me anëtarët e familjes sime, vura re po atë oficer që rrinte ulur i vetëm. I çova një pjatë me ushqim. Kur mbaroi së ngrëni, më thirri t’i shkoja pranë. Isha përgatitur për më të keqen, por u befasova kur ai më kërkoi ndjesë për mënyrën si më kishte trajtuar. Madje më pyeti në lidhje me bindjet e mia. Ishte hera e fundit që e pashë, sepse pas pak kohësh ai vdiq në një aksident me një kamion ushtarak.»

[Kutia dhe figurat në faqet 116-118]

Dy anëtarë të komitetit të vendit kujtojnë

Gjatë kohës së kufizimit, vepra në Nikaragua kaloi nën drejtimin e degës së Kosta-Rikës. Një komitet vendi u caktua në Nikaragua për të mbikëqyrur veprën në vend. Dy vëllezër, që shërbyen në atë komitet, Alfonso Hoja dhe Agustin Sekerja, kujtojnë ato kohë provash.

Alfonso Hoja: «Në vitin 1985, kur më ftuan në komitetin e vendit, po shërbeja si plak në Managua. Atëherë punoja si administrator në degën më të madhe të një banke të mirënjohur. Njohuritë e mia për veprimet bankare më bënë të aftë që të ndihmoja për të nxjerrë më të mirën nga pasuritë financiare të organizatës së Jehovait, në një kohë kur monedha nikaraguane po zhvlerësohej me të shpejtë, duke e rrënuar ekonominë. Edhe një palë këpucë të zakonshme, që kishin kushtuar rreth 250 kordoba, pas pak kohësh po shiteshin dy milionë kordoba.

Gjatë kësaj periudhe me vështirësi ekonomike, vendi pati edhe mungesa karburanti, çka e bëri të vështirë për vëllezërit të dërgonin literaturën në kongregacionet e largëta. Jehovai na erdhi në ndihmë duke më krijuar mundësinë që t’i ndihmoja vëllezërit me karburantin e nevojshëm.

Vetë familja ime nuk e dinte që isha anëtar i komitetit të vendit. Në atë kohë isha 35 vjeç dhe kisha moshën e duhur për të qenë rezervist në ushtri. Në katër raste të ndryshme ushtarakët u përpoqën të më rekrutonin, madje në një rast brenda shtëpisë sime. E mbaj mend mirë ngjarjen, pasi gruaja ime dhe tre fëmijët e vegjël ishin në krahun tim, ndërsa mua më kishin vënë tytën e pushkës në mes të ballit. Çuditërisht nuk e humba kurrë punën në bankë.»

Agustin Sekerja: «Kur u dëbuan misionarët, në vitin 1982, shërbeja si pionier special në një qytet të vogël, në Boako. Më vonë pata privilegjin të caktohesha në komitetin e vendit. Vëllezërit në kongregacionin tim nuk dinin gjë për këtë caktim. Çohesha në orën 4.00 të mëngjesit, bëja punën në zyrë dhe pastaj dilja në shërbim me kongregacionin.

Të gjithë ne anëtarët e komitetit të vendit përdornim pseudonime, ndërkohë që kryenim përgjegjësitë tona dhe u morëm vesh që të mos i jepnim njëri-tjetrit hollësira për punën tonë. Kjo shërbente si mbrojtje në rast arresti. Nuk kishim zyrë, por punonim në shtëpi të ndryshme. Meqë një çantë zyre mund të ngjallte dyshime, shpesh i vija dokumentet e zyrës në një çantë të zakonshme dhe sipër tyre ca qepë me bishtat jashtë. Disa herë shpëtova për një fije, por kurrë nuk më arrestuan.

Anëtarët e Komitetit të Degës të Kosta-Rikës, na vizitonin në disa raste për të na dhënë inkurajim e drejtim. Një ngjarje shumë e rëndësishme dhe inkurajuese për mua ishte kushtimi i degës së Kosta-Rikës, në janar të vitit 1987, pasi në atë rast unë dhe një anëtar tjetër i komitetit të vendit patëm kënaqësinë të takoheshim me dy anëtarë të Trupit Udhëheqës.»

Pak kohë para se të shtypej kjo përvojë, vëlla Sekerja vdiq në paqe. Ai ishte 86 vjeç dhe për 22 vjet ka shërbyer në kohë të plotë. Ishte anëtar i komitetit të degës së Nikaraguas.

[Kutia dhe figurat në faqet 122, 123]

Gjetëm lirinë e vërtetë në burg

Midis viteve 1979 dhe 1989, Karsel Modeloja ishte plot me të burgosur për arsye ushtarake dhe politike, të cilët kishin pasur lidhje me qeverinë e mëparshme. Mesazhi i Mbretërisë depërtoi përmes këtyre mureve, mbushi zemrat dhe mendjet e individëve të sinqertë dhe i ndihmoi të formonin një personalitet ngjashëm Krishtit. (Kol. 3:5-10) Këtu janë ca komente nga disa ish të burgosur.

Hoze de la Kruz Lopez: «Kur u burgosa, isha i hidhëruar dhe krejt pa shpresë, pa të ardhme. Pastaj takova të burgosur të tjerë që ishin bërë Dëshmitarë të Jehovait. Më bëri përshtypje shpjegimi që i bënin Biblës dhe sjellja e tyre e shkëlqyer. Më në fund arrita të plotësoja nevojat e mia frymore dhe të kisha një shpresë. Kuptova që, nëse kisha qenë gati të jepja jetën time për një qeveri njerëzore që nuk mund të jepte shpresë të vërtetë, aq më tepër duhej t’i isha besnik Atij që dha Birin e tij për mua. Pas lirimit tim, mësuan të vërtetën gruaja, vajzat e mia dhe tre pjesëtarë të tjerë të familjes. Me të vërtetë, nuk mund t’ia shpërblej kurrë Jehovait atë që ka bërë për mua.»

Vëlla Lopezi shërben si plak në Managua.

Omar Antonio Espinoza: «Kur isha 18 vjeç, u dënova me 30 vjet burg dhe vuajtja dënimin 10 vjet, para se të merrja faljen. Megjithëse më erdhi keq që humba lirinë, pikërisht në burg arrita të njihja Jehovain dhe lirinë e vërtetë. Përpara kisha bërë një jetë të shthurur, por tani bëra kthesë rrënjësore. I jam mirënjohës Jehovait që, në kuptimin frymor, kupa ime është e mbushur plot. Kam po atë vendosmëri si Josiu: ‘Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit.’—Jos. 24:15

Vëlla Espinoza po shërben si plak në qytetin e Rivasit.

Anastasio Ramon Mendoza: «Pas pak muajsh që isha në burg, nisa ta lexoja Biblën vetë. Pastaj fillova ta studioja me një të burgosur tjetër, i cili ishte Dëshmitar i Jehovait. Shumë shpejt u binda se kisha gjetur të vërtetën. Megjithatë, e shtyja pagëzimin, sepse zieja nga urrejtja për ata që më mbanin të burgosur, dhe e dija se Jehovai nuk e miratonte këtë gjendje mendore.

U luta me forcë, si për falje, ashtu edhe për ndihmë që ta kaloja këtë qëndrim të dëmshëm. Jehovai i dëgjoi përgjërimet e mia, pasi me durim më mësoi të mos urreja individët, por qëndrimet dhe veprimet e këqija. U pagëzova më 1982. Që kur u lirova, në vitin 1989, kam studiuar Biblën me shumë ish-ushtarakë dhe me njerëz të tjerë që kishin pasur rrethana të ngjashme me të miat. Disa tani janë vëllezërit e mi frymorë.»

Vëlla Mendoza shërben si shërbëtor ndihmës në Managua.

[Kutia dhe figura në faqet 141-145]

Lutjet e një pastori marrin përgjigje

Teodosio Gurdiani

Pagëzuar: 1986

Të dhëna: Vëlla Gurdiani tani shërben si plak në kongregacionin Uamblan.

Në vitin 1986, në kulmin e luftës midis sandinistëve dhe kundërrevolucionarëve, dy lajmëtarë nga kongregacioni i vogël i San-Huan-del-Rio-Kokos udhëtuan në veri 100 kilometra drejt Uamblanit. Ky është një qytet në malësinë qendrore, i cili ndodhet në një zonë me kodra pothuajse të djerrëta, pranë kufijve të Hondurasit. Grupi i vogël i Dëshmitarëve që kishin banuar atje u larguan nga Uamblani dy vjet më parë për shkak të luftimeve. Dy vëllezërit po kërkonin një burrë të quajtur Teodosio Guardiani. Teodosioja shpjegon pse e kërkonin:

«Kisha qenë pastori i një kishe evangjeliste në Uamblan. Drejtuesi i kishës sonë erdhi nga Shoqata Kombëtare e Pastorëve Nikaraguanë (ANPEN spanjisht), një organizatë pastorësh nga të gjitha fetë protestante në Managua. Pak kohë pasi sandinistët morën pushtetin, ANPEN-i firmosi një marrëveshje ku miratonte pjesëmarrjen e pastorëve dhe të anëtarëve të famullisë në Komitetet Sandiniste të Mbrojtjes dhe në organizata të tjera, si dhe në ushtri. Por kjo më shqetësonte, sepse pyesja veten: ‘Si mund të mbajë armë një shërbëtor i Perëndisë?’

Atëherë, nga një familje Dëshmitarësh që në atë kohë jetonte në Uamblan mora librin Paqja dhe siguria e vërtetë: Nga cili burim? Një pjesë të mirë të natës e kaloja duke lexuar këtë libër. Gjithashtu, fillova të lexoja rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Më në fund, ky ishte ushqim i vërtetë frymor. Në të vërtetë, e përdora informacionin edhe në fjalimet e mia fetare. Kur kjo gjë tërhoqi vëmendjen e funksionarëve të kishës, ata më thirrën në zyrat qendrore në Managua.

Duke menduar se po mashtrohesha, ngaqë më mungonte njohuria si pastor, zyrtarët më ofruan një kurs tetëmujor për të studiuar në Managua. Megjithatë, gjërat që kisha mësuar nga botimet e Dëshmitarëve kishin themel të fortë biblik. Kështu u bëra shumë pyetje zyrtarëve të kishës si për shembull: ‘Pse ne nuk po predikojmë nga shtëpia në shtëpi si bënin të krishterët e hershëm? Pse marrim të dhjetat, kur apostujt nuk e kërkuan këtë?’ Nuk mora përgjigje të kënaqshme për pyetjet e mia dhe shumë shpejt këta njerëz filluan të më quanin Dëshmitar.

Pas kësaj përvoje i shkëputa lidhjet me kishën dhe u përpoqa të gjeja Dëshmitarët e Jehovait në Managua. Por ishte viti 1984 dhe Dëshmitarët mblidheshin në fshehtësi. Kështu, pas dy javë kërkimesh të pafrytshme, u ktheva sërish në Uamblan dhe mbështeta familjen time duke mbjellë një ngastër të vogël me misër e fasule.

Dëshmitarët që kishin jetuar në Uamblan kishin shpërndarë mjaft literaturë para se të largoheshin nga ajo zonë. Kështu, sa herë që ndeshja këto botime në shtëpitë ku shkoja për vizitë, pyesja: ‘Po e lexoni këtë libër? A mund t’jua blej?’ Shumica ma jepnin, e në këtë mënyrë me kalimin e kohës formova një bibliotekë të vogël teokratike.

Ndonëse nuk identifikohesha hapur si Dëshmitar, edhe njerëzit në Uamblan filluan të më thërritnin kështu. Prandaj, jo shumë kohë më pas, agjentët e Sigurimit të Shtetit më morën në pyetje për veprimtaritë e mia. Madje ata më thanë që mund të predikoja në fshatrat rreth e rrotull, me kusht që kur të kthehesha t’u sillja disa të dhëna, si për shembull emrat e atyre që mbështetnin kundërrevolucionarët. ‘Po të bëj çka po më kërkoni ju,—u përgjigja,—do të hiqja dorë nga Perëndia im, dhe nuk mund ta bëj këtë. Jehovai kërkon përkushtim të veçantë.’

Në një rast tjetër, një oficer ushtrie më kërkoi të firmosja një dokument ku tregoja se mbështetja sandinistët. Nuk pranova. Atëherë, ai nxori pistoletën dhe kërcënoi: ‘Vallë nuk e di ti se ne mund t’i asgjësojmë parazitët që nuk i shërbejnë revolucionit?’ Por, në vend që të më qëllonte, më dha kohë të mendohesha prapë. Atë natë i thashë lamtumirë gruas sime. ‘Po ta firmos atë letër, kam për të vdekur gjithsesi,—i thashë asaj.—Por po të vdes pa e firmosur, Jehovai do të më kujtojë në ringjallje. Ki kujdes fëmijët! Dhe ki besim te Jehovai! Ai do të na ndihmojë.’ Mëngjesin tjetër i thashë oficerit: ‘Ja ku jam. Bëj ç’të duash, por unë nuk do të firmos.’ Ai tundi kokën dhe tha: ‘Përgëzimet e mia. E dija që do të përgjigjeshe kështu. E di kush janë Dëshmitarët e Jehovait.’ Pastaj më la të ikja.

Pas kësaj predikoja më hapur, udhëtoja në shumë fshatra të largëta dhe ftoja të interesuarit të mblidheshin bashkë. Një çift i moshuar ishin ndër të parët që iu përgjigjën ftesës dhe familje të tjera i pasuan. Shumë shpejt ishim 30 që po mblidheshim rregullisht. Përdorja numra të vjetër të Kullës së Rojës, duke e paraqitur materialin si fjalim, meqë kishim vetëm një kopje. Madje studioja Biblën me disa ushtarë, një prej të cilëve më vonë u bë Dëshmitar.

Në vitin 1985 një ushtar që qëndroi fare pak kohë në vend më tregoi për një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Hinotega, rreth 110 kilometra në jug të Uamblanit. I kërkova një studenti të Biblës nga Uamblani të më shoqëronte për atje. Pasi pyeta te sheshi i pazarit në Hinotegë, më në fund gjetëm shtëpinë e një familjeje Dëshmitarësh. Te dera doli gruaja. Kur u identifikuam si Dëshmitarë të Jehovait, ajo na pyeti nëse kishim ardhur për Përkujtimin. ‘Çfarë është Përkujtimi?’—pyetëm ne. Në atë çast ajo thërriti të shoqin. Kur u bind për sinqeritetin tonë, ai na ftoi brenda. Mjerisht, Përkujtimi ishte mbajtur një natë më parë, por ne ndenjëm në shtëpinë e tyre tri ditë dhe për herë të parë morëm pjesë në Studimin e Librit.

Pas kthimit në Uamblan vazhdova të predikoja dhe t’i drejtoja mbledhjet vetë. Më vonë, ditën para Përkujtimit të vitit 1986, mbërritën dy vëllezërit që u përmendën në fillim të këtij tregimi. Grupi ynë i vogël i studentëve të Biblës e përhapi fjalën me të shpejtë te të gjithë të interesuarit në fshatrat e asaj zone, dhe 85 të pranishëm ndoqën Përkujtimin.

Në tetor të atij viti u pagëzova bashkë me studentët e mi të parë të Biblës, çiftin e moshuar që përmenda më sipër. Tashmë ata ishin te të 80-tat. Sot kongregacioni Uamblan përbëhet nga 74 lajmëtarë dhe tre pionierë të rregullt. Kam privilegjin të shërbej si një ndër pleqtë e tij. Në vitin 2001 e mbajtëm Përkujtimin në tri fshatra të tjera përveçse në Uamblan, me gjithsej 452 të pranishëm.»

[Tabela dhe grafiku në faqet 80, 81]

NIKARAGUA​—KRONOLOGJIA

1925

1934: Një motër pioniere që viziton vendin lë literaturë.

1937: Fillon regjimi i Somozës.

1945: Të diplomuarit e parë të Galaadit mbërrijnë.

1946: N. H. Nori dhe F. U. Franci vizitojnë Managuan. Hapet një degë.

1950

1952: Me nxitjen e klerit katolik, vepra ndalohet.

1953: Gjykata e Lartë e Drejtësisë heq ndalimin.

1972: Një tërmet godet Managuan.

1974: Përfundon zyra e re e degës dhe shtëpia misionare.

1975

1979: Sandinistët rrëzojnë regjimin e Somozës. Deri në 50.000 veta vdesin në revolucion.

1981: Pezullohet statusi ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait.

1990: Dëshmitarët e Jehovait rifitojnë njohjen ligjore.

1994: Caktohen njëqind pionierë specialë të përkohshëm. Pasojnë fushata të ngjashme.

1998: Uragani Miç godet Amerikën Qendrore, duke vrarë në Nikaragua 4.000 veta.

2000

2002: 16.676 lajmëtarë aktivë në Nikaragua.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Numri i përgjithshëm i lajmëtarëve

Numri i përgjithshëm i pionierëve

20,000

15,000

10,000

5,000

1950 1975 2000

[Hartat në faqen 73]

(Për tekstin e kompozuar, shko botimin)

NIKARAGUA

HONDURAS

Matagalpa

Leon

MANAGUA

Masaja

Hinotepe

Granada

Liqeni Nikaragua

Ishulli Ometepe

Istmi i Rivas

Lumi San–Huan

Blufilldz

KOSTA-RIKA

[Figura që zë gjithë faqen 66]

[Figura në faqen 70]

Sipër: Fransis (majtas) dhe Uilliam Uollis dhe motra e tyre Xhejn

[Figura në faqen 70]

Poshtë (rreshti prapa, nga lart poshtë): Uilbert Giselman, Harold Dunkan dhe Fransis Uollis; (rreshti para, nga lart poshtë): Blanshe Kasei, Eugjen Koll, Ana Giselman, Xhejn Uollis dhe Evelin Dunkan

[Figurat në faqen 71]

Sipër: Arnoldo dhe Adelina Kastro

Djathtas: Evaristo dhe Dora Sançes

[Figura në faqen 76]

Doris Nihof

[Figura në faqen 76]

Sidni dhe Filis Porter

[Figura në faqen 79]

Agustin Sekejra ishte lajmëtari i parë në Matagalpa

[Figura në faqen 82]

Maria-Elsa

[Figura në faqen 82]

Hilberto Solisi dhe gruaja e tij, Maria-Sesilja

[Figurat në faqen 87]

Një tërmet në vitin 1972 rrënoi Managuan

[Figura në faqen 90]

Endrju dhe Miriam Rid

[Figura në faqen 90]

Rubi dhe Kevin Bllok

[Figura në faqen 92]

U përdor një fermë për Kongresin Krahinor «Besnikëri ndaj Mbretërisë»

[Figura në faqen 95]

Misionarë që u larguan nga Nikaragua në vitin 1982

[Figura në faqen 109]

Vëllezër që shtypnin literaturën gjatë kohës së ndalimit, me makinat e tyre shaptilografike: Gjeli, Klloçka dhe Pula

[Figura në faqen 110]

Elda Sançezi pa frikë përgatiste klishe

[Figura në faqen 115]

Këto motra përgatitnin ushqim dhe bënin rojë, ndërkohë që vëllezërit shtypnin

[Figura në faqen 126]

Rreshti i parë: Disa nga vëllezërit që e mësuan të vërtetën në burg, nga e majta në të djathtë: H. Lopezi, A. Mendoza dhe O. Espinoza; rreshti i dytë: Karlos Ajala dhe Hulio Nunjezi, pleq që vizitonin burgun për të ndihmuar vëllezërit frymësisht

[Figura në faqen 133]

Kjo shtëpi shërbeu si zyrë dege, pasi u hoq kufizimi mbi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait

[Figurat në faqen 134]

Pas uraganit Miç, disa vullnetarë përdorën biçikletat për të shpërndarë ushqime dhe rroba. Të tjerë punuan për të rindërtuar Salla Mbretërie dhe shtëpi

[Figura në faqen 139]

Banakruzi, një bashkësi në RAAN, ku lajmi i mirë po predikohet, pavarësisht nga sfidat

[Figura në faqen 147]

Kongresi Krahinor «Fjala profetike e Perëndisë» i vitit 1999, kongresi i parë kombëtar i mbajtur që nga viti 1978, u ndoq nga 28.356 të pranishëm

[Figura në faqen 147]

Delegatët panë 784 kandidatë që u zhytën në ujë. Ky ishte pagëzimi më i madh në historinë e Nikaraguas

[Figura në faqen 148]

Komiteti i degës në fillim të vitit 2002, nga e majta në të djathtë: Jan Hanteri; Agustin Sekerja, Luiz-Antonio Gonzalesi dhe Lotar Mihanku