Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

OQEANIA

Numri i vendeve: 30

Popullsia: 33.773.304

Numri i lajmëtarëve: 92.691

Numri i studimeve biblike: 44.999

Në një stacion të largët hekurudhor në një zonë fshatare në Uellsin e Ri Jugor në Australi, dy lajmëtarë vinin një tezgë me literaturë sa herë që duhej të vinte njëri nga dy trenat ndërshtetërorë. Meqë trenat Indian-Paqësor dhe Gan ndalojnë atje deri në dy orë, lajmëtarët kanë bërë shumë biseda të shkëlqyera me pasagjerët dhe kanë lënë mjaft literaturë. Madje, disa pasagjerë kur janë kthyer u kanë bërë një «rivizitë» lajmëtarëve.

Zakonisht drejtuesi i udhëtimit në trenin Gan njofton për ndonjë gjë interesante që pasagjerët mund të shohin, ndërsa treni ndalet në vise të ndryshme. Pasi ka marrë më parë miratimin e lajmëtarëve të Mbretërisë, në njoftimet e tij ai përfshin edhe tezgën e tyre të literaturës. Po, falë zhdërvjelltësisë së këtyre Dëshmitarëve në zona të veçuara, udhëtarët nga e gjithë Australia dhe nga përtej deteve po marrin një dëshmi të shkëlqyer.

Një çift misionarësh në Kosrae, në Mikronezi, i lanë një libër Njohuria një pastori baptist rreth të 80-ave. Libri ishte në gjuhën kosraeane, e cila flitet nga më pak se 10.000 njerëz. Pastori e vlerësoi librin. Kur çifti e rivizitoi, tha se i kishte nxitur anëtarët e kishës së tij që të pranonin literaturën tonë. Natyrisht, misionarët e pyetën pse. «Sepse feja jonë nuk shpërndan libra në gjuhën tonë»,—u përgjigj ai. Çifti misionar tani bën vazhdimisht biseda me këtë klerik të moshuar.

Ishujt Marshall, një motre misionare i kërkuan të studionte Fjalën e Perëndisë me një motër joaktive. Ngaqë gruaja nuk po bënte aspak përparim, misionarja e pyeti: «Si ndihesh kur të tjerët të thonë se të duan?» E çuditur, ajo u përgjigj: «Askush nuk ma ka thënë ndonjëherë!» Atëherë misionarja u përkul, e përqafoi dhe i tha: «Unë të dua. Dhe Jehovai të do edhe më tepër.» Motra joaktive filloi të qante dhe që nga ai çast ndryshoi qëndrimin ndaj Jehovait. Nisi të bënte përparim frymor duke nisur një program për të lexuar Biblën çdo ditë, për të ndjekur mbledhjet, e madje për të shërbyer si pioniere ndihmëse. Pastaj, në janar të 2002-shit, ajo dorëzoi kërkesën për të shërbyer si pioniere e rregullt. Që atëherë ka filluar shumë studime biblike dhe ka kaluar një muaj duke dëshmuar në një ishull të largët, ku ka më shumë nevojë.

Ndërkohë që po pushonte në plazh me disa miq, një misionare në Kaledoninë e Re i dha dëshmi të rastit një gruaje të re nga Franca, e cila po vizitonte ca kushërinj në ishull. Gruaja ishte një ushtare dhe kishte shërbyer në Sarajevë. Misionarja e pyeti gruan nëse do t’i pëlqente të jetonte mes njerëzve që e duan me të vërtetë njëri-tjetrin. Ajo tha po, por mendonte se vetëm një qeveri e fortë dhe me një ushtri të efektshme mund të sjellë paqe të vërtetë.

Atëherë, misionarja i shpjegoi se miqtë e saj Dëshmitarë, ndonëse ishin me kombësi të ndryshme, i bashkonte besimi te Perëndia dhe dashuria e tyre për Të. Pas një bisede të këndshme, të dyja u morën vesh që të takoheshin ditën tjetër për të diskutuar më tej për këto gjëra. Ushtarja erdhi në takim dhe për herë të parë bëri studimin e Biblës. Pas kësaj filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet. Oreksi i saj frymor u shtua dhe, ndërkohë që pushimeve po u vinte fundi, e bënte studimin çdo ditë. Pastaj, pasi ndoqi një asamble dhe bëri një vizitë në zyrën e degës vendëse, u kthye në Francë, ku po vazhdon të bëjë përparim frymor.

Xhini është një lajmëtare në moshë të re që jeton në Papua Guinenë e Re. Në shkollë, ajo shpesh merr me vete librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje Praktike. Një ditë mësuesi i anglishtes i kërkoi gjithsecilit në klasë të përgatiste një fjalim të shkurtër, për të cilin çdonjëri mund ta zgjidhte vetë argumentin. Xhini zgjodhi temën rreth drogës e alkoolit, duke e mbështetur skemën e saj te pjesa e 8-të e librit Të rinjtë pyesin. Mësuesit i bëri kaq përshtypje fjalimi i saj, saqë i tha se po të donte ajo «mund të vazhdonte të fliste gjatë gjithë orës së mësimit». Dhe Xhini bëri kështu. Pastaj mësuesi e pyeti nëse kishte dëshirë ta mbante fjalimin para klasës së dhjetë ditën tjetër. Xhini e pranoi ftesën. Pas fjalimit mësuesi i anglishtes i tha që në rast se shkolla do të organizonte një mbrëmje me fjalime, ai do të përpiqej ta fuste Xhinin në program. Falë dy fjalimeve të saj, Xhinit i kërkuan 64 kopje të librit Të rinjtë pyesin. Përveç kësaj, dy vajza kërkuan një broshurë Çfarë kërkon? dhe Xhini pati mundësi të fillonte një studim biblik me të dyja vajzat.

Ishujt Solomon për shkak të dhunës etnike shumë vëllezër kanë humbur pronat e tyre dhe janë në gjendje të vështirë financiare. Një çift, që u ishte shkatërruar shtëpia, vendosën të predikonin një territor të pacaktuar, edhe pse kjo do të thoshte që t’i harxhonin krejt ato pak para që kishin. Ata vendosën që të përdornin kanoen e tyre për udhëtim dhe përjetuan atë që më vonë e përshkruan si përvojën më të bukur që kishin pasur. Tashmë kanë në plan të ndjekin interesin që shfaqën njerëzit. Por, si do t’ia bëjnë për anën financiare? Mirë, pra, një javë pasi ishin kthyer nga territori i predikuar rrallë, një burrë në gjendje të mirë financiare u afrua dhe u kërkoi të blinte pronën, nga e cila ata kishin ikur gjatë luftimeve.

Zakonisht Salla e Mbretërisë në ishullin e Santos, në Vanuatu, përdorej për kongreset krahinore. Sidoqoftë, nga viti 2001 kishte shumë më tepër lajmëtarë sesa mbante kjo sallë. Prandaj vëllezërit morën me qira një stadium të vogël që deri atëherë ishte përdorur vetëm për ngjarje sportive. I shqetësuar se mos delegatët dëmtonin ndërtesën, administratori u kërkoi të paguanin një qira të lartë, ndonëse vëllezërit e siguruan se do ta pastronin stadiumin para dhe pas kongresit e se do të bënin edhe ca riparime.

Administratori kishte një dyqan në atë zonë, e kështu i pa Dëshmitarët që blinin materiale për të pastruar dhe riparuar stadiumin. Kureshtja e shtyu të shkonte e të shihte ç’po ndodhte. Kur mbërriti te stadiumi, pa mbi 100 vullnetarë që pastronin me themel, fshinin e lyenin me bojë dhe po riparonin banjat. Ai mbeti pa fjalë. Brenda pak kohësh, për këtë stadium të pastër dhe të riparuar fliste gjithë qyteti. Kur vëllezërit pas kongresit shkuan të paguanin qiranë, qëndrimi i administratorit kishte ndryshuar krejt. U bëri 80 për qind ulje dhe tha se në të ardhmen Dëshmitarët e Jehovait mund ta merrnin stadiumin pa pagesë. Të 300 lajmëtarët ishin të emocionuar kur panë 832 të pranishëm në kongres dhe 13 të pagëzuar.

AZIA DHE LINDJA E MESME

Numri i vendeve: 47

Popullsia: 3.869.881.970

Numri i lajmëtarëve: 561.276

Numri i studimeve biblike: 390.151

Dega e Indisë ka kënaqësinë të raportojë se pjesës më të madhe të vendit iu dha një dëshmi e shkëlqyer me anë të një videoje të shfaqur në televizion. Një kanal televiziv dëgjoi për videon Bibla: Fuqia e saj në jetën tuaj, të prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Prandaj ky kanal i shkroi selisë botërore në Nju-Jork për të marrë leje që të transmetonte videon, krahas programit Home Shanti (Paqja në shtëpi). Miratimi u dha dhe dega e Indisë pohoi se videoja «u transmetua në shtëpitë e gjithë atij territori» në fillim të 2002-shit.

Izrael një motër, e cila dinte gjuhën e shenjave hasi në rrugë një çift, Benin dhe Sharonin. Në vend që të merrte autobusin për në shtëpi, ndaloi e i dëshmoi çiftit dhe ata e ftuan në shtëpinë e tyre. Kureshtja fillestare e Benit u shndërrua në interes të sinqertë për mesazhin e Mbretërisë dhe pas pak kohësh filloi të ndiqte mbledhjet. Megjithatë, përveçse ishte krejtësisht i shurdhër, ai as nuk shihte mirë. Prandaj për të ishte një luftë të udhëtonte për në mbledhje dhe të kuptonte përkthyesin e gjuhës së shenjave. Por bëri përpjekje e në të njëjtën kohë vazhdoi të ndryshonte personalitetin, si dhe të vinte jetën në përputhje me parimet e Biblës.

Duke pasur parasysh gjymtimin e Benit, përparimi që ka bërë është i jashtëzakonshëm. Komenton në mbledhje, bën fjalime të gjalla në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ndonëse i bën me anë të një përkthyesi, dhe kohët e fundit është bërë lajmëtar i papagëzuar. Edhe e shoqja, Sharoni, nuk dëgjon dhe nuk shikon mirë. Ajo filloi të studionte më vonë, por po bën përparim të shkëlqyer. Kuptohet, Beni dhe Sharoni kanë folur për besimin e tyre me shumë të njohur që kanë probleme me dëgjimin.

Japoni një motër me emrin Fukua i sheh si territorin e saj të veçantë njerëzit që takon nëpërmjet tre fëmijëve të vet. Ky territor përfshin fqinjë që banojnë ngjitur me të dhe prindër që ajo i takon në kopshtin e fëmijëve, në shkollë dhe në takimet me prindërit. Sa herë që prezantohet, ajo bën pohimin e thjeshtë, por që i del nga zemra, se Bibla e ndihmon shumë për të rritur fëmijët. Pastaj, me takt, kalon në disa pika të tjera. Por pasi e ka thyer akullin, e ka shumë më të lehtë të flasë për Biblën në bisedat që vijnë më pas. A ka qenë e efektshme metoda e Fukusë? Po, deri më sot ajo ka ndihmuar 12 veta që të pagëzohen, pesë nga të cilët tani shërbejnë si pionierë. Fukuja përpiqet shumë për të dhënë dëshmi të rastit, sepse në këtë mënyrë e ka mësuar edhe ajo vetë të vërtetën.

Në një qytet të vogël në Kazakistan një grua kishte një fëmijë, që iu sëmur e më pas i vdiq. Pastaj i vdiq edhe djali i dytë që sapo kishte lindur. Gruaja përfundoi në spital nga gjendja e rëndë fizike e emocionale. Një natë, ndërkohë që ishte shtrirë në shtrat, dëgjoi një infermiere që pëshpëriste. Duke dëgjuar nga afër, e kuptoi se infermierja, një Dëshmitare e Jehovait, po lutej për të, madje e përmendi me emër. Mëngjesin tjetër, infermierja e ngushëlloi gruan me shpresën e ringjalljes. Pak kohë pas kësaj gruaja doli nga spitali.

Një ditë, pas pesë vjetësh, kjo grua dëgjoi që dikush po u fliste të afërmve për të njëjtat gjëra që i kishte përmendur infermierja në spital. E bindur që e panjohura mund të kishte qenë një Dëshmitare e Jehovait, ajo u njoh me të dhe u morën vesh për një studim biblik. E vendosur të mos humbiste një pesëvjeçar tjetër, ajo studioi me zell dhe bëri përparim frymor të shkëlqyer. Pas pak kohësh ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Merreni me mend sa e emocionuar ishte, kur në asamblenë e saj të parë takoi po atë infermiere që e kishte ngushëlluar para pesë vjetësh! E përlotur, tha: «Ndoshta nuk do ta kisha pranuar të vërtetën po të mos kishte qenë për atë lutjen tënde me zë të ulët në spital. Më preku thellë në zemër.»

Një motër që punon me 20 gra të tjera në një bankë në Tajvan vendosi të zgjonte interesin e shoqeve të punës për Fjalën e Perëndisë me një metodë të re. Një ditë, gjatë pushimit të drekës, përgatiti një ftesë të shkruar ku i ftonte «të ndiqnin një diskutim biblik pa pagesë që do të zgjasë rreth 30-45 minuta, një herë në javë, gjatë pushimit të drekës». Ajo tha se diskutimi ‘do t’i ndihmonte të fitonin njohurinë themelore për Biblën’. E firmosi ftesën dhe vuri nga një kopje në çdo tavolinë të zyrës. Po atë pasdite, katër veta pranuan ftesën e saj.

Tajlandë një burri, të quajtur Arun, i lindi interesi për Dëshmitarët e Jehovait nga një shok pune. Aruni shpjegoi: «Vura re se që kur shoku im kishte filluar të shoqërohej me Dëshmitarët kishte bërë ndryshime pozitive në jetën e tij dhe doja të bëja të njëjtën gjë edhe unë.» Aruni luante bixhoz dhe merrte drogë. Ndonëse ishte përpjekur të hiqte dorë nga këto vese të këqija, nuk ia kishte dalë dot mbanë. Ishte i martuar dhe për njëfarë kohe kishte menduar se po të kishte një fëmijë ndoshta do të bëhej më i përgjegjshëm. Por edhe pasi lindi vajza e tyre e vogël, nuk ndryshoi asgjë. «Më në fund,—tha Aruni,—gruaja nuk mund ta duronte më këtë gjendje dhe më braktisi, duke e lënë vajzën tonë në kujdesin e një tezeje.»

Në këtë çast, kur jeta e tij kishte marrë tatëpjetën, shoku i vet i punës e ftoi në Sallën e Mbretërisë. Aruni shkoi dhe, ndonëse kuptoi pak nga gjërat që u thanë nga podiumi, ai u kënaq me atmosferën e ngrohtë dhe miqësore. Pas kësaj mori pjesë rregullisht në mbledhje, pranoi ftesën për një studim biblik dhe filloi të zbatonte çfarë po mësonte. Meqë kishte dëshirë të madhe të ndreqte martesën e tij, foli me të shoqen për këtë çështje, por ajo s’mund ta besonte se kishte ndryshuar me të vërtetë. «I dhashë dëshmi dhe e ftova të takohej me miqtë e mi të rinj,—tha Aruni,—por ajo nuk pranoi, duke thënë se po më mashtronin. Megjithatë, vazhdova t’i bëja vizita dhe t’i jepja zemër. Gati pas pesë muajsh, zemra e saj u zbut dhe erdhi me mua në mbledhje. Pas pak kohësh ajo pranoi një studim biblik.»

Tani Aruni, e shoqja dhe vogëlushja e tyre janë së bashku si një familje e bashkuar dhe e lumtur. Të dy prindërit u pagëzuan në kongresin krahinor të vitit 2001 në Bangkok. Për më tepër, vëllai më i vogël i Arunit, që bënte dhe ai një jetë të pamoralshme, i është përgjigjur njësoj mesazhit të Biblës dhe tani është një lajmëtar i papagëzuar.

EVROPA

Numri i vendeve: 45

Popullsia: 727.550.200

Numri i lajmëtarëve: 1.456.309

Numri i studimeve biblike: 647.279

Eva, një 25-vjeçare që banon në Tiranë, Shqipëri, për shkak të një sëmundjeje të lindur është 1 metër e 13 centimetra e gjatë. Me gjithë sprovat, Eva shërben si pioniere ndihmëse, ndonëse disa njerëz tallen me të, ngaqë është e shkurtër. Në vend që të përgjigjet me zemërim, Eva e trajton gjithkënd me respekt. Gjithnjë ka gati një buzëqeshje, çka vihet re nga njerëzit e vëmendshëm. Një njeri i tillë ishte një grua, vajza 26-vjeçare e së cilës vuante nga depresioni. Kjo grua e kishte çuar vajzën në spital dhe te organizata të ndryshme fetare, me shpresën që të shërohej. Pastaj, një ditë ajo vuri re qëndrimin e gëzuar të Evës dhe vendosi t’i shkonte në shtëpi. Kur Eva doli te dera, gruaja e pyeti nëse kishte dëshirë të studionte Biblën me vajzën e saj. Natyrisht që Eva pranoi. Nuk kaloi shumë kohë dhe shëndeti i vajzës filloi të përmirësohej kaq shumë, saqë e ëma kërkoi të merrte pjesë gjatë studimit. Tani Eva i sjell nënë e bijë rregullisht në mbledhje, dhe që të dyja po bëjnë përparim të shkëlqyer frymor.

Një i ri, i quajtur Beniamin, u rrit në një familje të krishterë në Belgjikë. Megjithatë, në fillim të viteve të adoleshencës, Beniamini zuri të bënte një jetë të dyfishtë. Ndërkohë që hiqej sikur jetonte sipas parimeve të Biblës, u lidh me një grup të rinjsh që pinin shumë, merrnin drogë dhe pinin duhan. Beniamini dëgjonte edhe muzikë degjeneruese. Pas pak kohësh, filluan ta ngacmonin demonët dhe të humbte ndjenjat për shkak të pijeve alkoolike. Prapëseprapë vazhdoi të merrte droga të rënda. Nuk e dinte më ç’do të thoshte higjienë personale dhe u sëmur rëndë. Në këtë çast, kur jeta e tij kishte marrë tatëpjetën, ai pa se të ashtuquajturit miq nuk donin t’ia dinin aspak për të. Vetëm atëherë Beniamini e shqyrtoi mirë e me kujdes jetën e vet dhe pa se ku po e çonte kjo. Me mençuri, vendosi të kthehej në shtëpi tek ata që do të tregonin dashuri të vërtetë për të, domethënë te familja e tij dhe Jehovai.

Gjithsesi, që në fillim vendosmëria e Beniaminit u vu në provë. Ai vuajti nga sulmet e fuqishme të demonëve dhe e dashura iu përgjërua të mos shoqërohej me Dëshmitarët. Madje, ajo u përpoq t’ia kthente mendjen me disa priftërinj katolikë dhe me disa apostatë. Por, me ndihmën e përzemërt dhe durimin e prindërve dhe të pleqve të kongregacionit, Beniamini filloi të kishte besim të vërtetë te Jehovai dhe të pranonte se ligji i Perëndisë «është i përsosur, ai e përtërin shpirtin». (Psa. 19:7) Falë kësaj, më në fund e la pas të kaluarën. Shëndeti i Beniaminit është përmirësuar dhe ai ka gjetur lumturinë e vërtetë.

Ndërsa po dëshmonin në rrugë, një çift nga një kongregacion frëngjishtfolës në Britani iu afrua dy grave nga Zimbabveja. Dëshmitarët u shpjeguan se po ofronin studime biblike pa pagesë dhe i pyetën gratë a dinin frëngjisht. Ato thanë jo, por shprehën dëshirën të studionin Fjalën e Perëndisë. Të dyja gratë shumë shpejt filluan të ndiqnin Studimin e Librit të Kongregacionit. Herën e parë që shkuan, kur përfundoi studimi i librit, një vëlla u dha të shihnin përvojën e Natan Muçingurit nga Zimbabveja, që tregohet në faqen 20 të Librit vjetor 2002. Kur panë fotografinë e vëlla dhe motër Muçingurit në faqen 21, ato lëshuan një britmë habie. Ishte fotografia e gjyshërve të tyre. Gratë shpjeguan se në Zimbabve ato kishin banuar shumë larg nga pjesa tjetër e familjes dhe i kishin humbur lidhjet me ta. Natyrisht, ato pyetën a mund ta mbanin Librin vjetor. Të forcuara nga shembulli besnik i gjyshërve të tyre, tani dy gratë studiojnë rregullisht.

Ndërkohë që shërbenin në një territor të veçuar në Republikën Çeke, dy motra takuan një zonjë mikpritëse që i ftoi të hynin brenda. Por ajo kishte idetë e veta për disa tema biblike si për shembull ç’do të thotë të kesh «dhuratat e frymës». (1 Kor. 14:12) Për më tepër, nuk pranoi të lexonte nga Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, por parapëlqeu të përdorte në vend të kësaj versionin e saj ekumenikal. Pas një diskutimi njëorësh, në dukje të pafrytshëm, motrat duhej të nxitonin për të kapur trenin. Ishin shumë të lehtësuara që e kishin hedhur prapa krahëve atë bisedë të lodhshme. Njëra nga motrat pa se kishte lënë Biblën e saj bashkë me shënimet në shtëpinë e asaj zonje, e kjo do të thoshte që duhej të ktheheshin atje. Çfarë surprize e këndshme që i priste! Gruaja tha se ajo mori guximin të shqyrtonte Biblën e motrës dhe admiroi cilësinë e përkthimit, referimet në mes dhe treguesin alfabetik. Pastaj kërkoi t’i jepnin një Bibël Përkthimi Bota e Re. Për më tepër, pranoi të bënte studim biblik. Që atëherë edhe nëna e saj ka marrë pjesë në studim.

Një motër në Rejkjavik, Islandë, punon në një Institut për Kërkimet Detare, ku ka një program stërvitjeje për peshkimin. Kohët e fundit, 14 veta nga vende të ndryshme në zhvillim ndoqën kursin gjashtëmujor. Motra i ofroi çdo kursanti një libër A ka një Krijues që interesohet për ju? Ajo kishte marrë kopje në gjuhën kineze, angleze, portugeze, spanjolle dhe vietnameze. Që të 14 e pranuan librin. Një burri dhe një gruaje nga Vietnami u ndriti fytyra kur panë një botim në gjuhën e tyre. «Nuk më besohet. Jam kaq i befasuar. Si e gjetët?»—tha burri. Një ugandez e njihte tashmë librin e ua këshilloi edhe të tjerëve. Një zonjë nga Kuba tha se donte një kopje, sepse vajza e saj 13-vjeçare kishte filluar t’i bënte pyetje të vështira në lidhje me jetën.

Para se kursantët të ktheheshin në vendet e tyre, motra i njoftoi që kishte vendosur ca literaturë (10 libra Njohuria, 30 revista dhe 10 broshura) në një tavolinë në klasë, që ata të merrnin për të lexuar në aeroplan, gjatë kthimit për në shtëpi. Kuptohet që gjëja e parë që bëri të hënën në mëngjes, pasi ata u larguan, ishte të shkonte te tavolina. «Prisja të gjeja ca libra Njohuria e revista të lëna atje, por tavolina ishte krejt e zbrazët»,—tha ajo.

Një të riu në Letoni, që do ta quajmë Artur, nuk i interesonte Perëndia. Megjithatë e kishte të vështirë ta pranonte që njerëzit erdhën nga majmunët. Në vitin 1996 Arturi u ngatërrua keq dhe e futën në burg. Atje filloi të mendonte seriozisht për jetën. Kur prindërit i bënë vizitë, e nxitën të lexonte Biblën, me mendimin se kjo mund ta ndihmonte. Pastaj, një ditë në vitin 1998, teksa Arturi po shkruante një letër, një shok qelie i dha një libër për të mbështetur letrën. Rastisi që libri ishte Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Arturi e hapi i shtyrë nga kureshtja. Libri e përpiu të tërin dhe ai e lexoi nga fillimi në fund për tri ditë. Një i burgosur tjetër kishte në qelinë e tij një libër Njohuria. Kur ai vërejti interesin e Arturit për Biblën, ia dha librin. Ai i dha edhe adresën e një Dëshmitari që njihte.

Arturi i shkroi Dëshmitarit, e më pas filloi të studionte Biblën me anë të letrave. Kur u lirua nga burgu, në prill të vitit 2000, ai menjëherë nisi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. Po ç’u bë me prindërit e tij që e kishin nxitur më parë të lexonte Biblën? Natyrisht, Arturi u foli atyre për besimin e ri që kishte gjetur. Përfundimi? Ata që të dy nisën të studionin fjalën e Perëndisë. Merreni me mend gëzimin e tyre kur u pagëzuan që të tre në të njëjtën asamble speciale njëditore në mars të vitit 2002!

Kur ishte djalë i ri, një kirurg ortoped në Spanjë studioi në një seminar fetar për t’u bërë prift. Atje mendja e tij u ngatërrua fare dhe pas tre vjetësh u largua si ateist. Ndonëse kishte mendim negativ për Dëshmitarët e Jehovait, ishte kureshtar të dinte si ishte e mundur që njerëz kaq «të thjeshtë» të kishin një kuptueshmëri plot bindje për Shkrimet, kurse ai që kishte kaluar vite në seminar dinte shumë pak. Interesi i tij për Dëshmitarët u shtua kur në një rast personeli i spitalit pati paragjykime për të. Kjo i solli ndër mend mënyrën si trajtohen nganjëherë Dëshmitarët. Pas asaj përvoje kirurgu pranoi një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Shumë shpejt i bëri kaq përshtypje çka po mësonte, saqë studioi deri tri herë në javë. Gjithashtu, ai nisi të ndiqte të gjitha mbledhjet dhe të merrte pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Kohët e fundit u pagëzua.

AFRIKA

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 739.543.571

Numri i lajmëtarëve: 915.262

Numri i studimeve biblike: 1.550.572

Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë në Benin po ngjall shumë entuziazëm mes vëllezërve, duke dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Në kushtimin e një Salle Mbretërie, një pjesëtar i shquar i bashkësisë së asaj zone i tha një Dëshmitari të Jehovait: «Kisha juaj është vendi më i bukur për adhurim këtu dhe do të jetë gjithnjë e tillë. Pse e them unë, një katolik i zjarrtë, këtë? Pikërisht kohët e fundit komunitetit tonë katolik iu dhanë 17.000.000 CFA [23.700 euro] për të përfunduar ndërtimin e kishës sonë, që filloi në vitet 50. Por klerikët i përdorën paratë për qëllime të tjera. Një komunitet katolik në një pjesë tjetër të qytetit kishte kursyer 3.000.000 CFA [4.100 euro] për të ndërtuar një kishë në zonën e tyre, por edhe këto u ‘zhdukën’. Ja pse mund të them që kjo ndërtesë është dhe do të mbetet më e bukura në qytet.»

Në disa vende lidhja e fortë me idhujt e bën të vështirë për të sapointeresuarit që të marrin qëndrim të prerë për të vërtetën biblike. Shqyrtoni shembullin e një familjeje në Bregun e Fildishtë që kryenin ritet e përditshme para idhujve të tyre. Kur njëra nga vajzat ishte e vendosur të ndiqte rrugën e së vërtetës biblike dhe nuk pranoi të merrte pjesë në adhurimin e rremë, familja u tremb se mos vallë atë e zinte ndonjë mallkim. Megjithëkëtë, vajza qëndroi e patundur. Kjo bëri që të haste kundërshtime dhe iu desh të ikte nga shtëpia. Prapë, ajo nuk i mbajti inat familjes së saj, por vazhdoi t’u shkonte për vizitë.

Përfundimi ishte që gjyshja filloi të shfaqte interes për Biblën, e madje i kërkoi së mbesës të kthehej në shtëpi. Ajo u kthye vërtet. Gjyshja vazhdoi të përparonte frymësisht dhe u pagëzua në moshën 62-vjeçare. Edhe e ëma e vajzës filloi të studionte Fjalën e Perëndisë, ngaqë i bëri përshtypje çfarë kishte mësuar gjyshja. Tani edhe nëna u jep dëshmi të tjerëve. Po, tre breza janë çliruar nga adhurimi i rremë, dhe e gjithë kjo sepse një vajzë i qëndroi besnike Jehovait e nuk reshti së treguari dashuri familjes së saj.

Mozambik vëllezërit vizitojnë rregullisht burgjet për të drejtuar studime biblike me grupe të burgosurish. Në vitin 2001 në një nga këto burgje u arratisën disa të burgosur. Megjithatë, të burgosurit që kishin marrë pjesë në këto studime nuk pranuan të iknin. Autoritetet e vunë re këtë dhe i lavdëruan Dëshmitarët e Jehovait për veprën e tyre. Tani autoritetet i inkurajojnë të gjithë të burgosurit që të studiojnë me vëllezërit. Dy të burgosurve tashmë iu është ulur dënimi, meqë e kanë përmirësuar ndjeshëm sjelljen e tyre. Njëri prej tyre po pret me padurim të pagëzohet në kongresin e ardhshëm.

Xhuditi njëzeteshtatëvjeçare, e cila jeton në Namibi, pësoi një aksident me makinë, dhe nga kjo mbeti e paralizuar nga qafa e poshtë. Ajo filloi të mendonte për vetëvrasjen, duke pyetur veten: ‘Pse më ndodhi kjo?’ Njerëz nga kisha të ndryshme i erdhën për vizitë dhe për t’u lutur që ajo të ecte sërish. Kur lutjet e tyre mbetën pa përgjigje, ata i thanë Xhuditit që Perëndia po e ndëshkonte për ndonjë arsye. Prandaj Xhuditi po mendonte edhe më tepër për të vrarë veten. Por, në fillim, donte të dinte pse Perëndia po e ndëshkonte. Kështu që një ditë i kërkoi së ëmës të ftonte për të ardhur në shtëpinë e tyre pastorin e një kishe të asaj zone. Ndërsa Xhuditi po priste të vinte pastori, erdhën Dëshmitarët e Jehovait. Xhuditi pranoi ftesën e tyre për një studim biblik në shtëpi me librin Njohuria, me shpresë se Bibla mund t’u përgjigjej pyetjeve që e shqetësonin. Kur po studionte kapitullin e 8-të «Pse i lejon Perëndia vuajtjet?», mësoi se aksidentin nuk ia kishte shkaktuar Perëndia. «Merreni me mend sa u lehtësova dhe u gëzova kur mësova se gjërat e këqija nuk vijnë nga Perëndia!»—tha me zë të lartë. Xhuditi vazhdoi të studionte, ia kushtoi jetën Jehovait dhe tani pret me padurim sistemin e ri, kur sërishmi do të ketë shëndet të plotë.

Gjatë gjenocidit në Ruandë në vitin 1994 një grua e re, e quajtur Çantal, iku në Burundin fqinj. Atje gjeti një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe e lexoi nga fillimi në fund. Pasi u kthye në Ruandë, nuk pati mundësi t’i gjente Dëshmitarët, sepse familja e saj jetonte në një zonë të veçuar. Sidoqoftë, nëna e saj takoi dy lajmëtarë të Mbretërisë që po dëshmonin në treg. Që ta takonin Çantalin, ata shkruan në një copë letër në cilat ditë kishin në plan të vinin në treg dhe ia dhanë nënës së Çantalit. Në një nga këto ditë që kishin caktuar, Çantali qëndroi te hyrja e tregut duke mbajtur lart letrën me shënimin, që të gjithë kalimtarët ta shihnin. Sa e kënaqur ishte kur vëllezërit e panë dhe u njohën me të. Kur panë interesin e saj të sinqertë, ata e ftuan në Përkujtimin që do mbahej pas pak kohësh. Çantali mori pjesë, edhe pse iu desh të ecte për dy ditë që të arrinte në vendin e mbledhjes.

Që nga ajo kohë e më pas Çantali shkoi rregullisht në mbledhje, me gjithë largësinë. Mjerisht, familja e saj iu kundërvu. Madje, në një rast, njëri nga vëllezërit e saj e ndoqi jashtë shtëpisë me një hanxhar. Por Çantali qëndroi e patundur. Një vit më vonë, mbledhjet po mbaheshin afër shtëpisë së saj, ndonëse ende ishin rreth tetë orë larg. Megjithatë, tani Çantali për herë të parë kishte mundësi të bënte studimin e Biblës. Pas pak kohësh ajo ia kushtoi jetën Jehovait dhe tani shërben si pioniere e rregullt. Po familja e saj? E pra, zemra e tyre ndryshoi krejt. Vëllai që e ndoqi jashtë shtëpisë tani është pionier i rregullt, një vëlla tjetër u pagëzua kohët e fundit dhe e ëma është lajmëtare e papagëzuar. Për më tepër, në atë zonë është formuar një grup i veçuar, kështu që tani familja e saj duhet të ecë vetëm pesë minuta për të shkuar në mbledhje.

Tembisile është një motër e zellshme që jeton afër njërit prej blloqeve të banesave ose rezidencës së familjes mbretërore në Suazilendë. Ajo donte t’u dëshmonte banorëve të asaj rezidence. Por ndërtesa ruhej mjaft mirë, ndaj motra e kishte të vështirë të dëshmonte atje. Pasi u lut për këtë gjë, mori guxim dhe shkoi në rezidencë. Ajo u dëshmoi rojave, njëri nga të cilët pranoi broshurën Ti mund të jesh miku i Perëndisë. Pasi i bënë pyetje dhe e kontrolluan, e lanë të hynte e ajo u gëzua pa masë. Madje, Tembisile u befasua edhe më tepër nga pritja miqësore e banorëve të rezidencës. Tani predikon rregullisht në atë territor dhe ka filluar tri studime biblike. Për më tepër, tani polici i uron një mirëseardhje të ngrohtë. Vërtet, një ditë roja i tha: «Ejani madam! Hyni fare lirisht! Ju po bëni një punë të mrekullueshme këtu.»

KONTINENTET AMERIKANE

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 807.517.534

Numri i lajmëtarëve: 3.023.062

Numri i studimeve biblike: 2.676.288

Në një qytet të vogël në Argjentinë dy pioniere speciale panë një çift që shtynin një karrocë dore ku mbanin një qen të plagosur. Pionieret i ftuan në makinë që t’i çonin ata dhe qenin te një veteriner. Çifti pranoi me mirënjohje, veçanërisht sepse asnjë nga fqinjët e tyre nuk kishte ardhur për t’i ndihmuar. Pionieret morën vesh se burri ishte një katekist katolik dhe bashkë me të shoqen merrte pjesë në të gjitha procesionet që mbaheshin në atë vend për hir të shenjtorëve. Gjithsesi, fakti që ishin përfshirë shumë në kishën katolike nuk i pengoi të pranonin revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Pas dy vjetësh që i bënin vizita këtij çifti, pionieret i ftuan në Përkujtim. Atë natë ra shumë shi. Prapëseprapë, çifti erdhi dhe u bëri përshtypje pritja e ngrohtë. Për më tepër, ata thanë se për herë të parë, e kuptuan domethënien e Darkës së Zotërisë. Tani bëjnë studim biblik rregullisht dhe i ndjekin të gjitha mbledhjet, pa e vrarë mendjen se çfarë mund të thonë fqinjët e tyre katolikë.

Ndërkohë që dëshmonin në Barbados, një motër pioniere dhe një Dëshmitare tjetër po ecnin buzë rrugës kur ndeshën një grua që rrinte te pragu i derës. Ato filluan t’i dëshmonin, por u habitën kur ajo, si të ishte duke pritur dikë, u tha: «Ju lutem, ejani brenda! Do të marr Biblën time.» Motrat hynë, u ulën bashkë me të zonjën e shtëpisë dhe i treguan si bëhet studimi biblik, duke përdorur mësimin e parë në broshurën Çfarë kërkon? Pas kësaj, gruaja e pyeti pionieren nëse ishte ajo që kishte telefonuar dhe i kishte ofruar një studim biblik pa pagesë në shtëpi për ta bërë po atë mëngjes. «I thashë që nuk kisha qenë unë,—shpjegoi pionierja.—Prandaj, kushdo që të kishte telefonuar, me sa duket s’ishte bërë e gjallë. Por ne ishim të kënaqura që arritëm pikërisht në orën 11.30, kur duhej të bëhej studimi.» Kjo zonjë po bën përparim të mirë dhe tashmë po ndjek mbledhjet.

Tregu mund të jetë një territor i frytshëm ku jepet dëshmi. Një misionare në Bolivi tregon: «Im shoq i la një fletushkë një zonje që shiste artikuj në një karrocë në tregun fshatar. Ajo ishte miqësore, kështu u ktheva prapë dhe e ftova të studioja Biblën me të, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon?—Do të studiojmë këtu?—më pyeti ajo.—Nuk ka problem. Unë jam mësuar,—iu përgjigja. Kështu, tani kur unë shkoj, ajo më jep stolin e saj të vogël dhe studiojmë atje, pranë karrocës së saj. Kur vijnë klientët, ajo u shërben dhe pastaj nisim prapë studimin.»

Një grua në Kanada mori një kopje të Përkthimit Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta nga një shok. Asaj i pëlqeu tepër kur e lexoi dhe vendosi që të mësonte më shumë. Prandaj ajo hapi adresën zyrtare të Dëshmitarëve të Jehovait në Internet (ww.watchtower.org), e pastaj shkroi një letër ku kërkonte një studim biblik dhe një libër Njohuria. Kur dy motra i erdhën për vizitë dhe i dhanë librin, ajo e shtrëngoi fort dhe tha se deri në mëngjesin tjetër do ta lexonte krejt librin. Mbrëmjen pasuese ajo ndoqi mbledhjen e saj të parë dhe menjëherë u ndie mirë mes vëllezërve e motrave. Ajo bëri përparim të shpejtë dhe tani është lajmëtare e papagëzuar me shpresën për t’u pagëzuar së shpejti.

Kolumbi një grua me emrin Sol ishte mbërthyer në shtrat nga një gjymtim. Nuk pranonte të shihte tjetër njeri, veç familjarëve të vet. Një ditë, një fqinjë, Dëshmitare e Jehovait, i dha nënës së Solit disa revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për t’ia dhënë Solit. Përfundimisht, Soli pranoi të takohej me fqinjën e saj, e cila e ftoi të studionte Biblën me të. Soli pranoi dhe rreth një vit më vonë, ndoqi Përkujtimin. Kjo ishte hera e parë që dilte nga shtëpia pas shtatë vjetësh. Dy ditë më pas ndoqi asamblenë e saj të parë. Ndonëse nuk mundet as të qëndrojë ulur, Soli tani merr pjesë në shërbimin në fushë. Si? Vëllezërit e çojnë nga shtëpia në shtëpi me anë të një shtrati me rrota, të bërë posaçërisht për të. Falë shembullit dhe inkurajimit të Solit, tani e ëma është pagëzuar dhe dy nga vëllezërit e motrat e saj janë pionierë.

Një çift pionierësh specialë që sapo u caktuan në Kosta-Rikë vizituan një zonjë në territorin e tyre. Kur arritën atje, i thanë asaj se zyra e degës vendëse e Dëshmitarëve të Jehovait kishte marrë një telefonatë nga nusja e djalit të saj, një Dëshmitare që banonte në Shtetet e Bashkuara, e cila u kërkonte që dikush të vizitonte të vjehrrën. Çifti i pionierëve tregoi: «Për habinë tonë, kjo zonjë 65-vjeçare zuri të qante. Ajo tha se nuk mund ta besonte që tashmë ishim atje, pasi pikërisht kohët e fundit kishte folur me nusen e djalit, e cila e kishte nxitur të dëgjonte çfarë do t’i thoshin Dëshmitarët. Ajo s’e kishte menduar kurrë që do të bëheshim gjallë kaq shpejt.»

Sipas pionierëve, kjo ishte hera e parë që zonja kishte dëshirë të fliste me Dëshmitarët. Ishte katolike e zjarrtë dhe gjatë 12 viteve të kaluara kishte bërë një studim të thellë të bindjeve katolike, që t’ua mësonte të tjerëve. Pionierët ishin të kënaqur që sqaruan shumë nga pyetjet e saj rreth Biblës dhe Dëshmitarëve të Jehovait. Pas kësaj ajo pranoi të fillonte studimin biblik. Edhe i shoqi dhe e bija duan të mësojnë më shumë për Fjalën e Perëndisë.

Një anëtar i familjes Bethel në Porto-Riko pohon: «U mora vesh që t’i çoja shefit të policisë në zyrat qendrore revistën Zgjohuni!, korrik 2002, me titull ‘Policia: Pse kemi nevojë për të?’ Atij i bënë shumë përshtypje artikujt dhe më këshilloi të çoja revista te kryetari i bashkisë dhe te rajonet e tjera të policisë në atë zonë. Në të vërtetë, njëri nga oficerët e policisë mori masa që të më çonte me një makinë policie në të gjitha rajonet e tjera të policisë. Për më tepër, ky oficer më lejoi edhe që t’u sillja artikuj të rinj në të ardhmen atyre që kishte nën komandën e vet. ‘Kjo do t’u japë forcave policore atë që u nevojitet: ndihmë psikologjike dhe frymore’,—tha ai.» Brenda një muaji ky bethelit bëri vizita në tetë rajone policie, dhe shumë oficerë policie kërkuan revista të tjera. Ai la gjithsej 164 revista dhe shtoi pesë veta në itinerarin e tij të revistave.

Në ishujt Trinidad e Tobago një grua, që për 25 vjet kishte qenë anëtare e shquar e Kishës Nazarease, shkoi të dëgjonte një fjalim të mbikëqyrësit qarkor meqë e kishte ftuar një shoqe pune. Kur mbaroi mbledhja, mbikëqyrësi qarkor iu afrua dhe nisi një bisedë miqësore me të. Kjo e mahniti, se te kisha e saj njerëzit shoqëroheshin me njëri-tjetrin vetëm sepse ishin të një race ose shtrese shoqërore. E meqë nuk kishte të njëjtën racë me të shoqin, pjesëtarët e kishës së saj nuk e trajtonin me dashamirësi. Prandaj përvoja në Sallën e Mbretërisë dhe inkurajimi që ajo vetë mori nga mbikëqyrësi e shtynë të pranonte një studim biblik. Brenda gjashtë muajve u bë lajmëtare e papagëzuar dhe çdo muaj i kushtonte shërbimit 70 deri 100 orë. U pagëzua në kongresin krahinor të vitit 2002 «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë» dhe shpreson të bëhet pioniere e rregullt. Po ndihmon edhe vajzën e saj shtatëvjeçare, e cila tani mban fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

Uruguaj një shitës që shkon derë më derë për të shitur varëse me kryq erdhi në shtëpinë e një Dëshmitareje. Motra përfitoi nga rasti për t’i shpjeguar me anë të Biblës përse nuk mund ta blinte mallin e tij. Shitësi jo vetëm që e respektoi shpjegimin e saj, por edhe shfaqi interes për çështjet frymore. Vërtet, ai tha se ishte lidhur me shumë fe të ndryshme, që të gjente përgjigjet për pyetjet e tij, por më kot. Më në fund, kishte arritur në përfundimin që kishat ishin më shumë të interesuara për paratë, sesa për të ndihmuar njerëzit nga ana frymore. Para se ai të largohej, motra e ftoi në Sallën e Mbretërisë.

Nuk e pa më që atëherë, deri gati pas një viti, kur u shfaq përsëri te dera e saj. Për habinë e saj të madhe, i tha: «Kësaj radhe nuk jam këtu për të të shitur diçka, por për të të treguar që jam te kapitulli i 15-të i librit Njohuria.» Ai i shpjegoi se të gjithë në familjen e tij po studionin dhe po ndiqnin mbledhjet. Kur po largohej, tha: «Do të takohemi në asamble javën tjetër.»

[Figura në faqen 43]

Zelanda e Re

[Figura në faqen 43]

Tahiti

[Figura në faqen 43]

Papua Guineja e Re

[Figura në faqen 47]

Tajlandë

[Figura në faqen 47]

Indi

[Figura në faqen 47]

Japoni

[Figura në faqen 51]

Britani

[Figura në faqen 51]

Shqipëri

[Figura në faqen 51]

Spanjë

[Figura në faqen 56]

Namibi

[Figura në faqen 56]

Benin

[Figura në faqen 56]

Kongo (Kinshasa)

[Figura në faqen 60]

Kanada

[Figura në faqen 60]

Tobago

[Figura në faqen 60]

Bolivi