Letër nga Trupi Udhëheqës
Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur vëllezër dhe motra,
«DASHAMIRËSIA e pamerituar dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zotëria Jezu Krisht, qoftë me ju!» (1 Kor. 1:3) Sa me padurim e presim kohën kur çdo gjë që merr frymë t’i japë Jehovait lavdinë që meriton! (Psal. 150:6) Ndërsa presim këtë ditë të mrekullueshme, vazhdojmë të shpallim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, si dhe të bëjmë dishepuj.
Predikimi i lajmit të mirë tani është vepra kryesore që Jehovai po drejton në tokë. (Mar. 13:10) E dimë mirë se Ai tregon interes për këtë vepër, ndaj i lutemi të na ndihmojë ta kryejmë më së miri atë. E kuptojmë gjithashtu që çdo njeriu i është dhënë mundësia për të nxjerrë dobi nga masa e shpërblesës. (Zbul. 14:6, 7, 14, 15) Vërtet që hasim vështirësi, por sa mirënjohës jemi që ‘vishemi me fuqi nga lart’ për të kryer këtë shërbim!—Luka 24:49.
Ndiejmë kënaqësi kur kthejmë sytë nga viti i kaluar i shërbimit dhe mendojmë thellë për atë që ka bërë të mundur Jehovai me anë të shërbëtorëve të tij besnikë. I fuqizuar nga fryma e shenjtë, populli i Perëndisë ka shfaqur një dashuri si ajo e Krishtit, duke e mposhtur urrejtjen në mbarë botën. Kjo dashuri ishte e dukshme në kongreset tona. Nga qershori deri në dhjetorin e vitit 2003, delegatët e më tepër se njëqind vendeve udhëtuan për në 32 kongrese ndërkombëtare, që u mbajtën në gjashtë kontinente. Misionarët, shërbëtorët ndërkombëtarë dhe bethelitët që shërbejnë në një vend të huaj u intervistuan në kongreset krahinore e ndërkombëtare.
Në këto kongrese morëm botimet ‘Të shohim vendin e mirë’ dhe Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Përveç këtyre, u njoftua se nga fundi i vitit të shërbimit 2004 është programuar të dalë një
rishikim i librit të Shkollës së Shërbimit për Pionierë. Pak nga pak, pionierët më me përvojë, që kanë marrë pjesë në shkollë, do të bashkohen me klasat që përbëhen nga pionierët më të rinj.Mbështetja hyjnore dhe bujaria e njerëzve bënë të mundur të ndërtoheshin edhe shumë Salla të tjera Mbretërie, sidomos në vendet me të ardhura të kufizuara. Për shkak të nevojës në rritje për ushqim frymor anembanë botës, në shumë vende po realizohen projektet për zgjerime të degëve. Broshura Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! tani ka dalë në 299 gjuhë, me një total prej 139 milionë kopjesh; Njohuria që të çon në jetën e përjetshme i ka kaluar 93 milionë kopje në 161 gjuhë; dhe broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? është shtypur në më se 200 milionë kopje në 267 gjuhë.
U japim një mirëseardhje të ngrohtë 258.845 vetave që e simbolizuan kushtimin e tyre me pagëzimin në ujë gjatë vitit të kaluar të shërbimit! Edhe pse jeni bërë shënjestër e veçantë e urrejtjes së Satanait, ngaqë keni përkrahur Mbretërinë e Perëndisë, nga ana tjetër, ju keni në veçanti bekimin e Jehovait dhe mbrojtjen e tij frymore, ndërsa vraponi në garën që shtrihet përpara jush. (Hebr. 12:1, 2; Zbul. 12:17) Po, jini të sigurt se ‘ai që ju mbron nuk do të dremitë’!—Psal. 121:3.
Shkrimi i vitit 2004: «Qëndroni vigjilentë. . . Tregohuni gati» është vërtet në kohën e duhur. (Mat. 24:42, 44) Në Fjalën e Perëndisë, të krishterët përshkruhen si banorë të përkohshëm në këtë sistem që po shkatërrohet. (1 Pjet. 2:11; 4:7) Prandaj duhet të përqendrohemi te gjërat frymore, të bëjmë një jetë të thjeshtë dhe të shqyrtojmë zemrën me kujdes. «Dragoi i madh» kërkon të na përpijë, duke na bërë të zhytemi thellë në sistemin e tij.—Zbul. 12:9.
Një gjë thelbësore për të qëndruar vigjilentë është leximi i përditshëm i Biblës. Ai na ndihmon që ‘Po-ja jonë të jetë po’ për sa i përket kushtimit tonë dhe që ‘ta mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim’. (Jak. 5:12; Hebr. 3:14) Leximi i përditshëm i Biblës na ndihmon të mbajmë ndër mend sa shumë është larguar bota nga normat e pandryshueshme të Perëndisë. (Mal. 3:6; 2 Tim. 3:1, 13) Njohuria për Biblën na ndihmon të shmangim ‘përrallat e sajuara me mjeshtëri’ dhe t’i qëndrojmë besnikë Jehovait.—2 Pjet. 1:16; 3:11.
Prindër, ndërkohë që i rritni fëmijët sipas displinës dhe normës mendore të Jehovait, a po i ndihmoni të vënë synime frymore dhe ‘të qëndrojnë vigjilentë’? (Efes. 6:4) A po i stërvitni ta shohin të ardhmen siç e shihte të ardhmen e vet njeriu më i mençur që ka jetuar në tokë? Jezui mund të kishte qenë zdrukthëtari, shpikësi ose mjeku më i mirë që ka jetuar ndonjëherë, por përkundrazi ai iu përkushtua shërbimit të plotkohor. Le t’ju nxitë shembulli i tij që t’i ndihmoni fëmijët të vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën e tyre!
Klasa e skllavit të besueshëm, që përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës, e falënderon nga thellësia e zemrës «shumicën e madhe» për ndihmën që na jep për të përmbushur përgjegjësinë që ‘ky lajm i mirë i mbretërisë të predikohet në mbarë tokën e banuar si një dëshmi’. (Zbul. 7:9; Mat. 24:14, 45) Ju, o të dashur, keni sigurinë që Jehovai e kujton «veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni». (Hebr. 6:10) Ndërsa lexoni në faqet që vijojnë përvojat emocionuese dhe vëreni rezultatet që kanë sjellë përpjekjet tuaja si një trup i vetëm, dijeni se ju keni luajtur një rol jetësor për të dhënë këtë dëshmi mbarëbotëre.
E përballofshi të ardhmen me guxim, teksa vazhdoni ‘ta mbani shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit’ pa lejuar asnjë njeri ose demon që t’ju privojë nga ky shpërblim! (Hebr. 11:26; Kolos. 2:18) Po, besoni te Jehovai, të sigurt se do t’i ndihmojë të gjithë ata që e duan atë, që të fitojnë plotësinë e jetës.—Gjoni 6:48-54.
Jini të sigurt se ne ndiejmë gëzim që shërbejmë së bashku me ju për të lartësuar lavdinë e Jehovait!
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait