Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti Botëror

Raporti Botëror

Raporti Botëror

EVROPA

Numri i vendeve: 46

Popullsia: 728.162.887

Numri i lajmëtarëve: 1.476.554

Numri i studimeve biblike: 697.044

Për disa njerëz shtegu drejt së vërtetës mund të jetë i gjatë. Në vitin 1951, Steponasi ishte i burgosur politik dhe po vuante dënimin në një kamp në Kazakistan. Atje punonte bashkë me Edvardasin, një Dëshmitar të ri e të zellshëm nga Lituania, i cili ishte burgosur se shtypte revistat Kulla e Rojës. Edvardasi i foli Steponasit për shpresën e tij të bazuar në Bibël dhe ky u bind se kishte gjetur të vërtetën. Në vitin 1955 Steponasi doli nga burgu. Kur po ndaheshin, Edvardasi i tha: «Ndoshta takohemi prapë ndonjë ditë.» Komiteti i Sigurimit të Shtetit (KGB-ja) mendonte se Steponasi ishte Dëshmitar i Jehovait, ndonëse ai nuk ishte i pagëzuar. Policia i bastisi apartamentin ku jetonte dhe i konfiskoi letrat ku kishte adresat e vëllezërve. Si pasojë, ai humbi lidhjet me popullin e Perëndisë.

Kaluan 47 vjet. Gjatë kësaj kohe, Steponasi jetonte në një fshat të vogël në veri të Lituanisë, ku nuk kishte Dëshmitarë. Pastaj, në pranverën e vitit 2002 i ra në dorë literatura jonë dhe i postoi një kupon zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Lituani, duke kërkuar librin Sekreti i lumturisë familjare. Ai shpjegon: «E dërgova kuponin me shpresë që të arrija të lidhesha prapë me vëllezërit.» Një çift pionierësh specialë udhëtoi për ta takuar Steponasin dhe për të studiuar Biblën me të. Më pak se një vit më vonë, Steponasi u pagëzua në moshën 80-vjeçare.

A u takua më me Edvardasin, i cili pothuajse gjysmë shekulli më parë i kishte thënë «ndoshta takohemi prapë ndonjë ditë»? Po, u takua. Një ditë pas pagëzimit, të dy burrat, që tani ishin vëllezër frymorë, e përqafuan njëri-tjetrin me gëzim e me përzemërsi.

Britani, Timi dhe Semi, që të dy 11-vjeçarë dhe lajmëtarë të papagëzuar, kishin dalë në shërbim me mamanë e Timit. Djemtë kishin nevojë për çanta të reja që të mbanin Biblën dhe literaturën, por s’kishin para për t’i blerë. Atë ditë, para se të dilnin në shërbim, mamatë e dy lajmëtarëve të rinj ishin lutur për këtë gjë. Në shtëpinë e fundit ku duhej të shkonin atë mëngjes, Timi foli me të zonjën e shtëpisë dhe i lexoi një varg nga Bibla. Ajo e ndërpreu dhe e pyeti cilës fe i përkiste. Kur Timi iu përgjigj se ishte Dëshmitar i Jehovait, e zonja e shtëpisë e qortoi ashpër dhe iu drejtua nënës së tij se nuk e kuptonte pse Dëshmitarët i lënë fëmijët e tyre të vdesin dhe nuk u bëjnë transfuzion gjaku.

Mamaja e Timit i tha të zonjës së shtëpisë të pyeste djemtë se si mendonin për këtë dhe gruaja i pyeti. Timi i shpjegoi se ai gjithnjë do të zgjidhte ndonjë mjekim tjetër, që të mos shkonte kundër ndërgjegjes së tij të stërvitur sipas Biblës. Pastaj Semi tregoi se motra e tij më e madhe kishte marrë një mjekim tjetër dhe kishte dalë më mirë se pacientët që kishin pranuar gjak.

E zonja e shtëpisë iu kthye përsëri mamasë së Timit. Kësaj here tha se nuk ishte dakord që fëmijët e vegjël të dilnin të predikonin derë më derë. Të dy djemtë iu përgjigjën se u pëlqente predikimi dhe shtuan që më mirë të dilnin të predikonin, sesa të rrinin rrugëve si djemtë e tjerë të moshës së tyre. E prekur nga kjo përgjigje, e zonja e shtëpisë u tha djemve të pritnin pak dhe hyri brenda në shtëpi. Kur u kthye, ata u habitën pasi ajo i dha secilit një çantë lëkure të re e të bukur, ideale për në shërbim. Gruaja shiste çanta të tilla. Meqë ajo ndryshoi qëndrim, kjo u dha mundësi djemve edhe që t’i thoshin se do të ktheheshin prapë. Kur po largoheshin, e ëma 94-vjeçare e të zonjës së shtëpisë, e cila e kishte dëgjuar bisedën, doli te dera dhe i kërkoi mamasë së Timit të shkonte ta vizitonte në shtëpinë e saj.

Dy motra në Portugali ishin në shërbim dhe, në një stacion autobusi, vunë re që ishte vendosur ky shënim: «Jam studente për psikologji dhe po përgatis një tezë për temën e besëtytnive. Në qoftë se mund të më ndihmoni, ju lutem përgjigjuni me postë elektronike në këtë adresë . . . » Atë pasdite, motrat po prezantonin një artikull në Kullën e Rojës, me titull: «Besëtytnitë: A e kontrollojnë jetën tuaj?» Prandaj, vendosën të përgjigjeshin me postë elektronike dhe t’i ofronin revistën.

Një javë më vonë, ajo që kishte vendosur shënimin u dërgoi përgjigje si më poshtë: «Faleminderit për vëmendjen që treguat. Më falni që e vonova përgjigjen. Do të doja të merrja revistën që më përmendët. Kohët e fundit, sa herë që më janë afruar Dëshmitarët, kam qenë duke nxituar për në punë ose për të kapur autobusin, prandaj s’kam pasur mundësi të flas me ta. E di që ofroni kurse biblike dhe më intereson të bëj edhe unë një të tillë.»

Motrat thanë: «Gjatë vizitës së parë na bëri shumë pyetje. I dhamë librin Njohuria dhe filluam studim biblik me të. Është gjithnjë e përgatitur për studimin dhe tani i ndjek të gjitha mbledhjet e kongregacionit.»

Ndërsa po predikonte në rrugë, Linës, lajmëtare në një qytet në jug të Gjermanisë, iu afrua një grua me emrin Tatjana. «Më mban mend?»—e pyeti Tatjana. Lina iu përgjigj se nuk e mbante mend. «S’ka gjë, nuk më habit,—vazhdoi Tatjana.—Jemi takuar vetëm një herë, pesë vjet më parë.» Pastaj i shpjegoi: «Në pranverën e vitit 1998, m’u afrove në rrugë e më dhe broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? T’u përgjigja ashpër, por sjellja jote e dashur dhe e butë më bëri ta merrja broshurën dhe ta lexoja. Përmbajtja e saj më preku thellë.» Më vonë, dy Dëshmitarë, të cilët nuk e njihnin Linën, i shkuan në shtëpi Tatjanës. Për shkak të asaj që kishte lexuar në broshurë, ajo pranoi një studim biblik. Kur e takoi përsëri Linën në vitin 2003, Tatjana ishte tashmë një Dëshmitare e pagëzuar. Në fakt, edhe ajo, edhe Lina, atë muaj ishin pioniere ndihmëse.

Një motër në Pskov, Rusi, mori nga zyra e degës adresën e një burri që jetonte në një zonë të thellë. Motrës iu desh shumë kohë për të arritur në këtë vend. Kur më në fund mbërriti, mori vesh se burri nuk e dinte që kishte kërkuar një studim biblik. Te një kioskë kishte blerë një revistë, e cila kishte në mes të faqeve kuponin e prerë nga një fletushkë e jona. Burri tha se kishte menduar që po ofrohej ndonjë çmim, prandaj e kishte dërguar kuponin, me shpresë se do të fitonte ndonjë gjë. Motra iu përgjigj: «Keni fituar një studim biblik!» Burri dhe familja e tij treguan interes dhe filluan një studim biblik. Studimi po drejtohet dy herë në muaj, pasi familja jeton larg shtëpisë së motrës.

OQEANIA

Numri i vendeve: 30

Popullsia: 34.355.946

Numri i lajmëtarëve: 93.718

Numri i studimeve biblike: 47.270

Alisa 14-vjeçare, e cila jeton në Australi, përdorte argumente nga revistat tona kur përgatiste detyrat e shkollës. Një javë, shkroi një referat me temën: «Për ku është drejtuar kjo botë?» Në referat shpjegonte ç’domethënie kishin kohët tona, sipas profecive biblike. Mësuesja e pyeti Alisën se cilës fe i përkiste. Ajo i shpjegoi që po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe i dha mësueses disa nga revistat tona.

Ndonëse e gjithë kjo i ngjalli interes mësueses, një koleg e bindi që të mos vazhdonte më tej. Megjithatë, duke vëzhguar për disa muaj sjelljen e shkëlqyer të Alisës, kjo mësuese vendosi të mësonte më shumë. Me merakun se mos Alisa po përfshihej në ndonjë kult të rrezikshëm fetar, ajo shkoi deri në bibliotekë dhe mori librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. E lexoi të gjithë librin brenda një fundjave. E bindur se kishte gjetur të vërtetën, i telefonoi mamasë së Alisës, i kërkoi më shumë literaturë dhe filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Brenda një muaji, po ndiqte të gjitha mbledhjet, si edhe kishte bindur të shoqin dhe mamanë e saj të ndiqnin mbledhjet e së dielës. Edhe ata filluan të studionin Biblën dhe po bëjnë përparim. Brenda tre muajve, mësuesja u bë lajmëtare e papagëzuar dhe mbajti fjalimin e saj të parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Disa muaj më vonë, Alisa dhe mësuesja e saj, Linda, u pagëzuan në të njëjtën ditë.

Përfytyro të jetosh në një ishull ku je i vetmi adhurues i Jehovait! Në Ishujt Marshall kjo është situata e një motre, burri i së cilës pranoi një punë në atolin Mejato, një ishull i vogël koralor. Fqinjët e saj e ftuan të shkonte në kishën protestante, por ajo nuk pranoi. Në vend të kësaj, u përqendrua që të mësonte fëmijët e vet, duke përdorur botimin Libri im i tregimeve biblike. Gjithashtu, u foli për bindjet e saj fqinjëve, duke predikuar shtëpi më shtëpi së bashku me vajzën e saj të vogël. Me kalimin e kohës disa veta treguan interes, dhe kjo motër e izoluar tani drejton disa studime biblike me broshurën Çfarë kërkon? Çdo muaj i dërgon raportin e shërbimit ish-kongregacionit të saj. Duke marrë me vete fëmijët, ajo bën një udhëtim të gjatë me varkë për të ndjekur Përkujtimin dhe asambletë që mbahen në ishullin Ibeje. Pjesëtarët e kongregacionit në Ibeje i dërgojnë letra inkurajimi, duke i treguar përvoja nga shërbimi dhe gjëra që kanë mësuar në mbledhjet e kongregacionit. Edhe ata, nga ana e tyre, inkurajohen nga shembulli besnik i kësaj motre të izoluar.

Shumë fshatra të thella në Papua Guinenë e Re nuk kanë energji elektrike. Për pajisjet elektrike njerëzit përdorin ose gjeneratorë, ose bateri. Për t’i ndihmuar banorët e fshatit të saj që të mësonin më shumë për Biblën, një motër e sapopagëzuar donte të shfaqte disa videokaseta të prodhuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Pasi fitoi para duke shitur perime që i kishte mbjellë vetë, ajo iu afrua një tregtareje që kishte televizor, pajisje video dhe gjenerator për t’i kërkuar nëse mund t’i merrte me qira. Motra i shpjegoi se donte ta ftonte të gjithë fshatin për të parë disa videokaseta të bazuara në Bibël, pasi besonte se ato do t’i ndihmonin frymësisht. Menjëherë tregtarja ia uli shumë çmimin e qirasë, duke i thënë se edhe asaj do t’i pëlqente t’i shihte videokasetat. Pothuajse të gjithë banorët e fshatit shkuan për t’i parë ato. Pas shfaqjes, shumë veta komentuan se nuk e kishin ditur që vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte kaq e përhapur. U kishte bërë përshtypje edhe vëllazëria mbarëbotërore, diçka që s’e kishin parë në kishën e tyre. Motra mori shumë ftesa nga banorë që edhe pse më parë s’kishin dashur të flitnin me Dëshmitarët, tani donin të mësonin më shumë për bindjet tona.

Në Savai, që është ishulli më i madh i Samoas, disa kryetarë fshatrash i kanë ndaluar Dëshmitarët e Jehovait që të predikojnë në këto fshatra. Një motër që jeton në njërin nga këto fshatra i qëndroi besnike së vërtetës ndërsa po përgatiste ceremoninë e funeralit të të birit. Meqë funerali do të mbahej në shtëpinë e saj, vëllezërit dhe motrat nga dy kongregacionet e ishullit e ndihmuan që të pastronte shtëpinë dhe oborrin e të merrte një gjenerator. Njerëzit në fshat e panë këtë ndihmë të dhënë me dashuri. Mënyra si vëllezërit e organizuan dhe e mbajtën këtë funeral ishte shumë ndryshe nga zakonet samoane.

Dy ditë pas funeralit, këshilli i fshatit organizoi një mbledhje që të diskutonte për këtë ngjarje. Të gjithë banorëve u kishte bërë përshtypje si e kishin ndihmuar Dëshmitarët familjen, para dhe pas funeralit. Krerët e fshatit ishin prekur kaq shumë nga mënyra se si ishte mbajtur funerali, saqë njëzëri pranuan të ndryshonin zakonet e tyre të funeralit në Fa-Molimau a Ieova (që do të thotë: Sipas mënyrës së Dëshmitarëve të Jehovait). Dy ditë më vonë u mbajt Përkujtimi vjetor i vdekjes së Krishtit në një Sallë të vogël Mbretërie disa kilometra larg. Nga ky fshat erdhën për të ndjekur Përkujtimin tre kamionë të vegjël me banorë. Tani vëllezërit e motrat mund të predikojnë lirisht në këtë fshat, i cili është njëri nga më të mëdhenjtë e ishullit. Dy pionierë specialë po drejtojnë gjashtë studime biblike. Studimin e Librit të Kongregacionit nuk e ndjekin vetëm banorët e interesuar të fshatit, por edhe një nga krerët e fshatit.

Fixhi, një djalë i ri po rrinte ulur nën hijen e një peme e po mendonte për jetën e për të ardhmen e tij. Ai ftoi një kalimtar që të ulej me të. Qëlloi që kalimtari ishte një vëlla, i cili e përdori këtë rast për t’i dhënë dëshmi. Ndonëse i riu tashmë e kishte dëgjuar premtimin e Biblës për një tokë parajsore, biseda me këtë vëlla i zgjoi përsëri interesin. Vendosi të kthehej në ishullin ku jetonte mamaja e tij dhe të fillonte një studim biblik. Pasi mbërriti atje, familjarët që iu kundërvunë besimit të tij të ri i shkatërruan të mbjellat që kishte filluar të kultivonte. Krerët e fshatit e urdhëruan të ikte që aty, duke i thënë se nuk do të lejonin fe tjetër përveç fesë së tyre. Atëherë ai shkoi në fshatin e të atit, në një ishull tjetër të vogël. Atje ndërtoi një kanoe me llamarina të vjetra dhe çdo javë lundronte disa kilometra në det të trazuar për t’u takuar me Dëshmitarët. Kundërshtimi familjar vazhdoi, kështu që u detyrua të jetonte i vetmuar në një pjesë të izoluar të ishullit. Së fundi, arriti të vendosej me banim në ishullin kryesor, pranë një kongregacioni të madh. Vazhdon të bëjë përparim frymor si lajmëtar i papagëzuar.

KONTINENTET AMERIKANE

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 857.137.983

Numri i lajmëtarëve: 3.095.083

Numri i studimeve biblike: 2.898.369

Një të diel në mëngjes, në shtator të vitit 2002, një motër në Shtetet e Bashkuara rivizitoi pronarin e një dyqani. Meqë në atë çast ai ishte i zënë me klientët, motra bëri një xhiro përqark dyqanit. Vuri re një grua që hyri me nxitim në dyqan për të blerë një mala, ekuivalenti hinduist i rruzareve katolike. Mala është një varëse me rruaza ngjyrë kafe dhe përdoret për të përsëritur lutjet që u bëhen perëndive të shumta hinduiste. Kjo grua me emrin Shej gjeti një mala që i pëlqente, dhe pikërisht në këtë çast motra iu afrua dhe i tha:

—Më falni. A mund t’ju pyes, kjo mala është bërë me dru santali?

—Po. I jam lutur perëndisë që të gjeja një mala të mirë dhe sot e gjeta. Merri erë!

—Mbaka erë shumë të mirë! Cilit perëndi do t’i lutesh me këtë?

—Po nganjëherë i lutem Ganesës, Sivës ose Durgës. Të gjithëve do t’u lutem me këtë mala.

—Të të bëj një pyetje: a ke gjetur cili nga këta është perëndia më i madh?

—S’jam shumë e qartë për këtë. Nuk e di kush është perëndia më i madh.

—Edhe unë s’e kisha të qartë kur isha hinduiste dhe adhuroja këta perëndi. Por tani e di cili është Perëndia i plotfuqishëm. Më lejo të ta tregoj. [I lexon Psalmin 83:18.] Perëndia Jehova është i Plotfuqishëm mbi tokë. Ai është më i madh se Siva, Ganesa dhe Durga. Unë mund të të mësoj për Perëndinë e plotfuqishëm pa ndonjë shpenzim nga ana jote.

—Me gjithë mend do të më mësosh për Perëndinë e vërtetë? Sot kanë marrë përgjigje të gjitha lutjet e mia!

—Pse e thua këtë?

—Çdo ditë jam lutur për një mala të mirë, që nëpërmjet saj të gjej Perëndinë e vërtetë. Jam lutur të gjej edhe një shoqe të vërtetë që mund të më ndihmojë, sepse s’kam asnjë. Si të quajnë?

—Më quajnë Mala dhe patjetër që mund të jem shoqja jote e të të drejtoj nëpërmjet Biblës.

—S’arrij ta besoj dot që Perëndia më dha një Mala të gjallë!

Dy gratë lanë takim që të studionin broshurën Çfarë kërkon? Sheja ndjek mbledhjet rregullisht dhe ka si synim të pagëzohet.

Honduras, një misionare që po përpiqej të mësonte spanjishten hyri në një ndërtesë me zyra dhe i la revistat gruas që ishte në recepsion. Pastaj ra zilja e telefonit në recepsion dhe misionarja mendoi që gruaja e kishte ftuar të ulej, prandaj u ul. Mirëpo s’e kishte kuptuar mirë. Recepsionistja i kishte kërkuar të ikte. Në këtë kohë, në një zyrë pranë recepsionit ishte një grua që prej kohësh lutej për ndihmë që të ndërpriste një marrëdhënie imorale me një burrë të martuar dhe të mësonte cila ishte mënyra e duhur për të adhuruar Perëndinë. Kur dëgjoi zërin e motrës sonë në recepsion, ajo mendoi se kjo ishte përgjigjja e lutjeve të saj. Por, kur dëgjoi recepsionisten që i thoshte misionares të ikte, pati frikë se ajo do të kishte ikur para se të arrinte t’i fliste. Misionarja më vonë tha: «Meqë e kisha kuptuar gabim recepsionisten, isha akoma aty kur gruaja doli me nxitim që të më takonte. Që të dyja jemi të bindura se ky ishte drejtimi i Jehovait.» Vite më parë gruaja kishte lexuar botime të Dëshmitarëve të Jehovait, por tani vendosi t’u kushtonte plotësisht vëmendje gjërave frymore. Tashmë e ka ndërprerë marrëdhënien imorale me burrin e martuar dhe po studion Biblën e po ndjek mbledhjet rregullisht.

Një pioniere speciale në Salvador u caktua te një kongregacion, në territorin e të cilit pak veta i përgjigjeshin mirë së vërtetës. Ajo iu lut Jehovait për ndihmë që të gjente njerëz të interesuar. Një të diel takoi një të ri me të cilin bisedoi rreth Biblës. Ai pranoi librin Njohuria dhe ranë dakord për një rivizitë. Motra shkoi shpesh te shtëpia, por ai asnjëherë nuk ishte aty. Megjithatë takoi gruan e atij të riu, e cila s’kishte shumë interes për Biblën. Në vizitën e pestë, gruaja e ftoi motrën në shtëpi, ndonëse i tha: «Vetëm dhjetë minuta.» Motra e pyeti nëse e kishte aty afër librin Njohuria. Gruaja e gjeti librin dhe shkurtimisht motra diskutoi disa pika nga libri dhe i tregoi si zhvillohej studimi biblik. Pas tre muajsh studim, gruaja filloi të ndiqte mbledhjet dhe të bënte përparim. Po i shoqi? Me kalimin e kohës, filloi të studionte edhe ai bashkë me të. Pastaj filloi të ndiqte mbledhjet bashkë me gruan dhe fëmijët. Ky çift tani po përpiqet të regjistrojë ligjërisht martesën. Këmbëngulja, së bashku me lutjet, solli rezultate të mira.

Margarita, e cila jeton në Meksikë, tregon për suksesin që pati në dëshminë joformale: «Ndërsa po bëja një kurs rrobaqepsie, fola për Biblën me një nga gratë e kursit. Ajo tha se kishte pasur përshtypjen që familjet e Dëshmitarëve të Jehovait ishin të lumtura, sepse ata ishin gjithnjë të qeshur dhe dukeshin kaq të gëzuar. I thashë se kjo përshtypje ishte e saktë dhe se lumturinë e vërtetë e kanë ata që i besojnë Jehovait dhe që e përputhin jetën me parimet e Biblës.» Margarita filloi një studim biblik me këtë grua, e cila tani ndjek rregullisht mbledhjet dhe po përparon në njohurinë e së vërtetës.

Republikën Domenikane, Ana i la broshurën Çfarë kërkon? një burri i cili dukej i shqetësuar. E kishte gruan të shtruar në spital pasi ishte me kancer dhe do të operohej. Ai tha se gruas së tij i pëlqente të lexonte, prandaj do t’ia çonte broshurën në spital. Pas njëfarë kohe, Ana takoi gruan e atij burri, e cila i tha: «Mund të fillojmë të studiojmë. Unë jam gati.» Më vonë, i shpjegoi se kur ishte në spital, i ishte lutur Perëndisë që ta udhëhiqte për të gjetur fenë e vërtetë. Në atë çast, burri i kishte sjellë broshurën Çfarë kërkon? Ajo e kishte lexuar, e kishte kuptuar se kjo ishte përgjigjja e Perëndisë ndaj lutjes së saj dhe menjëherë kishte vënë si synim të bëhej Dëshmitare e Jehovait. Ndonëse i duhej të ecte një orë për të shkuar në mbledhje e një orë për t’u kthyer, ajo përparoi shpejt dhe u miratua si lajmëtare. «Tani,—tha,—mund ta plotësoj betimin që i kisha bërë Perëndisë.» Brenda gjashtë muajve u pagëzua në një kongres krahinor dhe tani vazhdon t’i shërbejë Jehovait me gëzim.

Martinit, një lajmëtar 13-vjeçar që jeton në Paraguai, i pëlqen të japë dëshmi joformale. Një ditë, kur po kthehej nga shkolla dhe po i jepte dëshmi një kalimtari, vuri re një pako të vogël në rrugë. Martini e ngriti pakon dhe zbuloi se brenda saj kishte para. Meqë nuk pa asnjë njeri ta kërkonte pakon, e futi në xhep. Ndërsa vazhdonte rrugën, mendonte: ‘Me këto para mund të paguaj shkollën për tre muaj dhe mund t’i ndihmoj prindërit me shpenzimet.’ Por, ndërkohë, pa e kuptuar, kishte marrë një rrugë që nuk e bënte normalisht. Atje vuri re një njeri që dukej se po kërkonte diçka. E dëgjoi burrin të thoshte se i kishin humbur 115.000 guarani (rreth 19 dollarë) dhe se ishin gjithë paratë që i mbeteshin për të jetuar gjatë muajit. Menjëherë Martinit iu kujtuan fjalët e njërit prej pleqve me të cilët kishte trajtuar pyetjet për pagëzim. Plaku kishte thënë: «Do të përballesh me shumë sprova, aq më tepër tani që do të pagëzohesh.»

Martini kishte vërtet nevojë për ato para. Atë ditë s’kishte pasur as për të ngrënë kur ishte në shkollë, aq më pak të paguante shkollën. Megjithatë, duke qenë i bindur se po vepronte drejt, Martini i kërkoi burrit t’i tregonte edhe një herë se sa para i kishin humbur. Sasia ishte tamam ajo që kishte gjetur Martini, kështu që ai ia ktheu paratë së bashku me një fletushkë dhe i tha se ishte një Dëshmitar i Jehovait. Tej mase i gëzuar, burri e falënderoi shumë herë dhe e përqafoi fort. I dha edhe adresën që Martini të shkonte ta vizitonte në shtëpi. Martini u pagëzua së bashku me prindërit në një asamble qarkore kohët e fundit.

AZIA DHE LINDJA E MESME

Numri i vendeve: 47

Popullsia: 3.931.574.927

Numri i lajmëtarëve: 568.370

Numri i studimeve biblike: 417.308

Për shkak të një problemi shëndetësor, Kumikoja, një pioniere që jeton pranë Tokios, në Japoni, nuk dilte dot më aq shumë shtëpi më shtëpi. Prandaj kalonte më tepër kohë duke dhënë dëshmi me letra. Pjesëtarët e kongregacionit i jepnin adresat e atyre që nuk arrinin t’i takonin sepse rrallëherë gjendeshin në shtëpi. Ajo shkruante letra dhe lajmëtarët e kongregacionit i linin te shtëpitë e njerëzve. Për më shumë se një vit nuk mori asnjë përgjigje. Megjithatë, vazhdoi t’u shkruante letra. Më në fund, pasi shkroi rreth 1.500 letra, mori një kartolinë ku thuhej: «Faleminderit për letrën. Jam shumë i interesuar për atë që thoshit aty. Jam në shtëpi në ditët vijuese dhe po ju pres që të lidheni me mua.» Me lot ndër sy, ajo e vizitoi këtë person dhe filloi menjëherë një studim biblik. Ajo thotë: «Në fillim ndihesha në siklet kur shkruaja letra, por tani jam e bindur se po të kërkojmë me durim njerëzit ngjashëm deleve, Jehovai do t’i bekojë me siguri përpjekjet tona.»

Një mëngjes, kur po predikonte shtëpi më shtëpi, një motër në Indi trokiti te një derë. Derën e hapi një grua që dukej e trishtuar. Dy fëmijë të vegjël ishin ulur në dysheme dhe përpara tyre kishin pjatat bosh. Motra i foli për mesazhin ngushëllues të Mbretërisë së Perëndisë dhe të bekimeve që do të sjellë ajo, e gruaja e dëgjoi me shumë vëmendje. Ndërkohë fëmijët e uritur i kërkonin vazhdimisht nënës që t’u jepte për të ngrënë, por e ëma u thoshte të heshtnin. Motra tha se mund të priste derisa ajo t’u jepte për të ngrënë fëmijëve. Atëherë gruaja filloi të qante duke i thënë se kishte hedhur helm në ushqimin që u kishte përgatitur. Ishte gati për t’ua dhënë fëmijëve, kur dëgjoi trokitjen e derës. Meqë kishte probleme në familje dhe i shoqi ishte pijanec, kishte vendosur të vriste veten dhe dy vajzat e saj të vogla. Me të dëgjuar këtë, motra e mori ushqimin dhe e hodhi, vrapoi te një dyqan aty afër dhe bleu ushqime për fëmijët. Të dyja së bashku e gatuan ushqimin dhe ua dhanë fëmijëve. Mesazhi i Mbretërisë e ngushëlloi shumë këtë grua, e cila pranoi një studim biblik dhe tani është Dëshmitare e pagëzuar. Edhe dy fëmijët vijnë në mbledhje me të. Kohët e fundit i shoqi filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet dhe po bën përparim.

SARS-i! Kjo fjalë u kalli datën shumë njerëzve në Tajvan. Tërë frikë banorët shihnin lajmet ku tregohej se si kjo sëmundje kishte prekur Hong-Kongun. Pastaj goditi Tajvanin. Disa spitale u vunë në karantinë për shkak të përhapjes së infeksionit dhe shumë njerëz kishin frikë se mos i zinte edhe ata kjo sëmundje. Edhe para se ta kërkonte qeveria, zyra e degës i ndihmoi kongregacionet të blinin termometra me qëllim që vëllezërit t’u matnin temperaturën të gjithë atyre që ndiqnin mbledhjet.

Pastaj qeveria u kërkoi të gjitha feve të regjistruara që të mos predikonin në disa zona banimi. Një program special i Mbledhjes së Shërbimit për këtë rast i ndihmoi vëllezërit ta kishin më të lehtë për t’i rregulluar veprimtaritë e tyre të shërbimit. Një pioniere speciale zbatoi sugjerimin që u dha në këtë mbledhje për të rivizituar edhe ata që kishin treguar sado pak interes. Si rrjedhim filloi më shumë studime biblike. Tani, disa nga këto studime të reja po bëjnë përparim. Ajo tha: «Kjo situatë, që nisi si diçka negative, solli si rrjedhim një shërbim më të frytshëm për mua.»

Ndërsa ishte në shërbim në Qipro, një motër takoi një grua që i tha se ishte e zënë. Nëpërmjet dritares së kuzhinës motra foli shkurtimisht, i lexoi Psalmin 72:12-14 dhe i tha që do të kthehej përsëri kur të ishte më e përshtatshme për gruan. Kur u kthye, motra u habit që ajo po e priste me padurim. Përse? Shkrimi e kishte ngushëlluar shumë, e madje kishte menduar për të gjithë ditën. Motra i ofroi një studim biblik dhe gruaja e pranoi menjëherë. Tani gruaja është mirënjohëse për atë që po mëson nga Fjala e Perëndisë.

Poloja, një burrë në Kamboxhia, filloi të studionte Biblën me një misionar dhe bëri përparim. I ndiqte të pesë mbledhjet e kongregacionit në Pnom-Pen. Pastaj punëdhënësi e transferoi në Batambang, një qytet afër kufirit me Tajlandën. Aty nuk ka kongregacion, kështu që Poloja i dha numrin e celularit vëllait që po drejtonte studimin dhe vazhduan të studionin me telefon për 30 minuta çdo të mërkurë e të premte. Gjithashtu Poloja donte të bënte komente në Studimin e Kullës së Rojës. Meqë kongregacioni ishte larg, ai shkruante tri ose katër përgjigje për studimin e javës vijuese dhe ia jepte mbikëqyrësit të Studimit të Librit të Kongregacionit që t’i lexonte atë javë. Zelli i tij i ka inkurajuar lajmëtarët e kongregacionit. Veç kësaj, ai përpiqet t’u japë dëshmi atyre që takon. Kur merr autobusin për të shkuar e për t’u kthyer nga Pnom-Peni, u jep dëshmi shumë njerëzve dhe i nxit të ndjekin mbledhjet. Tani synimi i tij është të bëhet lajmëtar i papagëzuar.

Mongoli dy motra takuan një burrë rreth të 30-ave. Ai u tha ta pritnin, hyri në shtëpi dhe doli me dy libra: Njerëzimi në kërkim të Perëndisë dhe Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Tha se 12 vjet më parë kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në Poloni. Kur ishte kthyer në Mongoli në vitin 1993, menjëherë kishte dërguar një letër duke kërkuar që Dëshmitarët ta vizitonin. Por në atë kohë në Mongoli nuk kishte Dëshmitarë, prandaj i kishte humbur lidhjet. Ca kohë më vonë kishte shkuar në Indi për të studiuar në një universitet, ku kishte qëndruar pesë vjet. Gjatë atyre viteve, nga viti 1994 deri në vitin 1998, nuk kishte takuar asnjë Dëshmitar të Jehovait. Pastaj ishte kthyer në Mongoli, ku më në fund Dëshmitarët e takuan. Me të u fillua përsëri një studim biblik dhe në prill të vitit 2003 ndoqi mbledhjen e tij të parë. Tani po studion me kënaqësi broshurën Çfarë kërkon?

Një grua budiste në Sri-Lankë i habiti dy Dëshmitare duke i ftuar me përzemërsi në shtëpi e duke u thënë se ishin përgjigjja e lutjes së saj. U shpjegoi se kishte pasur një vajzë të re që kohët e fundit kishte kryer vetëvrasje, sepse ajo e kishte ndëshkuar për diçka. Prifti budist tek i cili shkoi për të gjetur pak ngushëllim, i tha se tani e bija do të lindte përsëri dhe do të kthehej për t’u hakmarrë. Kjo e tmerronte gruan. Një shoqe i kishte thënë se të krishterët nuk i besojnë këto gjëra. Prandaj kjo grua u lut të takonte ndonjë të krishterë të vërtetë, duke menduar se do të takonte ndonjë katolik. Por, në vend të kësaj, i shkuan në shtëpi dy Dëshmitare të Jehovait, të cilat e ngushëlluan me të vërtetën biblike. Tani ajo po studion Biblën, me gjithë kundërshtimin nga prifti budist.

Kirgizistan, një grua për shumë vjet kishte shkuar në një kishë evangjeliste. Ndërsa lexonte Biblën ajo vuri re se gjërat e shkruara aty janë ndryshe nga ato që mësohen në kishë. Për shembull, nuk arrinte ta kuptonte mësimin e kishës se Jezu Krishti është edhe Ati, edhe Biri. E bindur se një bir duhet të ketë atin e vet, ajo iu drejtua në një lutje të sinqertë Atit të Jezu Krishtit, duke i kërkuar ta ndihmonte që të gjente përgjigje për pyetjet e saj biblike. Ditën tjetër, dy Dëshmitarë të Jehovait shkuan ta vizitonin. Ata e pyetën: «Si mendoni, cilit duhej t’i luteshin dishepujt dhe cilin emër duhej të shenjtëronin sipas mësimit të Jezu Krishtit?» Ajo u habit pasi i erdhi në mendje lutja që i kishte bërë një ditë më parë Atit të Jezu Krishtit duke i kërkuar përgjigjen e po këtyre pyetjeve. Pas bisedës, ajo nuk kishte asnjë dyshim se Perëndia i ishte përgjigjur lutjes së saj. Pranoi të studionte rregullisht Biblën dhe filloi të ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur mori vesh se Jehovai është Ati i Jezuit, filloi t’i lutej Jehovait duke e thërritur me emër. Tani po bën përparim frymor dhe po u flet të afërmve për njohurinë që ka fituar.

AFRIKA

Numri i vendeve: 56

Popullsia: 755.145.559

Numri i lajmëtarëve: 950.321

Numri i studimeve biblike: 1.666.518

Zambie, në shumë udhëtime me autobusë linjash, pasagjerët e kalojnë kohën duke parë videokaseta me filma që shpesh janë të dhunshëm e imoralë. Një çift misionarësh që po udhëtonin me autobus për në kryeqytet pyetën nëse mund të vendosnin videokasetën Bibla: Fuqia e saj në jetën tuaj. Shoferi pranoi. «Vumë re se pasagjerët po shikonin me vëmendje dhe po u kushtonin kujdes fjalëve,—kujton Rutha.—Më pas u folëm, duke u ofruar fletushka dhe revista. Reagimi i tyre na kënaqi shumë.» Çifti i kërkoi shoferit nëse mund ta vinte prapë videokasetën, duke menduar se këtë gjë do ta bënte më vonë. Shoferi e ktheu menjëherë nga fillimi videokasetën dhe e vuri prapë. Riçardi thotë: «Pasagjerët e panë me kënaqësi për herë të dytë videokasetën dhe iu bë qejfi që i thamë shoferit ta vinte.»

Miranda, një nxënëse adoleshente në Malavi, po i tregonte librin Sekreti i lumturisë familjare shoqes së klasës gjatë pushimit në shkollë. Një mësues e dëgjoi bisedën dhe e thirri Mirandën në zyrë. E pyeti pse i kishte thënë shoqes së saj që të martohej. Miranda u përgjigj se nuk i kishte thënë të martohej, por i kishte treguar se si libri mund t’i ndihmojë familjet të gjejnë lumturi të vërtetë. I zemëruar, mësuesi i bërtiti Mirandës: «Je akoma e re për të dhënë këshilla për martesën!»

E mërzitur dhe duke u dridhur, Miranda u largua nga zyra e mësuesit. Dy ditë më vonë mësuesi e thirri prapë në zyrë. Miranda tregon çfarë ndodhi më tej: «Më kërkoi të falur që ishte nxehur e më tha se ai dhe gruaja e tij gjithnjë ishin zënë me njëri-tjetrin, dhe së fundi ishin ndarë. Më kërkoi një libër si ai që i kisha treguar shoqes së klasës. Me kënaqësi i dhashë një. Dy javë më vonë më tha se libri ishte shumë i dobishëm e ia kishte dhënë edhe gruas së tij. Së fundi, ai dhe e shoqja janë bashkuar prapë.»

Afrikën e Jugut, një i moshuar me emrin Erik kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait për shumë vite, por duhani s’e kishte lënë të bënte përparim. Pasi u pagëzua gruaja e tij, ai i vuri vetes të njëjtin synim. Bëri disa kopje me shkronja të mëdha të shkrimit të 2 Korintasve 7:1, ku thuhet: «O të dashur, meqë kemi këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» Eriku i vendosi shkrimet në vende të dukshme nëpër shtëpi. Sa herë ndiente dëshirën për të ndezur një cigare, lexonte shkrimin dhe i lutej Jehovait për ndihmë që ta linte duhanin. Si pasojë, ka më shumë se dhjetë muaj që e ka lënë duhanin. Tani Eriku është lajmëtar i papagëzuar dhe mendon të pagëzohet në kongresin krahinor të ardhshëm.

Ndërsa po priste tragetin në ishujt Sejshel, një misionare vuri re një grua që ishte ulur vetëm. Ndonëse motra ishte e lodhur pasi kishte predikuar gjithë ditën, iu afrua gruas dhe i ofroi një fletushkë. Gruaja e pranoi, por i tha se ishte hinduiste. Disa ditë më vonë u takuan përsëri, kësaj here në rrugë, dhe motra la një takim që të fillonin një studim biblik. I shoqi i kësaj gruaje që punon si mjek, ishte katolik, por pasi lexoi librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë dhe librin Njohuria, pranoi të qëndronte për studimin. Një mbrëmje, çifti e ftoi motrën dhe burrin e saj për një darkë të veçantë me gjëra të pjekura në skarë. Që të dy i dogjën shëmbëlltyrat fetare dhe mbi atë zjarr gatuan ushqimet. Shumë shpejt filluan të ndiqnin mbledhjet dhe të merrnin pjesë në shërbim. Pasi u pagëzuan, që të dy filluan të shërbenin si pionierë ndihmës. Meqë ishulli është i vogël, vëllanë e njohin në atë zonë. Disa thonë me shaka: «Mjeku është bërë prift tani.» Ky vëlla tani është shërbëtor ndihmës dhe e shoqja pioniere e rregullt.

Ishmaeli nga Zimbabveja mësoi gjuhën e shenjave për t’i ndihmuar njerëzit që s’dëgjojnë të mësojnë të vërtetën. Një ditë kur ishte në autobus, vuri re një grua që s’dëgjonte e që po u kërkonte lëmoshë pasagjerëve. Ishmaeli i dha dëshmi asaj dhe e lanë të takoheshin përsëri. Kur e pyeti se çfarë thoshte kisha e saj për arsyen pse s’dëgjonte, gruaja u përgjigj: «Më thonë se është vullneti i Perëndisë që të jem kështu.» Ishmaeli i shpjegoi se nuk është vullneti i Perëndisë që njerëzit të mos dëgjojnë, por kjo vjen si pasojë e mëkatit të trashëguar dhe e papërsosmërisë. I shpjegoi edhe se së shpejti Perëndia do t’i heqë të gjitha problemet e sëmundjet. Gruaja u përgjigj: «Do të më pëlqente të zbuloja pse kisha ime më ka thënë gënjeshtra.» Kur Ishmaeli e takoi për herë të tretë, gruaja i tha: «Që tani e tutje jam një prej jush. Nuk dua të më mësojnë më gënjeshtra.» Me këtë grua po drejtohet një studim biblik dhe i ka ndjekur rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Ajo shpreson që së shpejti të kualifikohet si lajmëtare e papagëzuar.

Ganë, lufta për të siguruar jetesën i bën shumë njerëz të mos kenë kohë për të shqyrtuar gjërat frymore. Një pioniere e rregullt foli me një të ri në shërbimin nga shtëpia në shtëpi dhe i kërkoi vetëm pesë minuta nga koha e tij për një bisedë biblike. Ai u përgjigj: «Gjatë ditës jam i zënë. Vij në shtëpi vetëm pas orës 8 të darkës, për të fjetur.»

Motra iu përgjigj: «A do të kesh mundësi t’ia heqësh pak minuta kohës së gjumit për të studiuar Biblën?»

Ai i tha: «Vetëm po të vini pas orës 8 të darkës.» Ditën tjetër, motra bashkë me të shoqin shkuan te shtëpia e tij pikërisht në orën 8 të darkës. Ai sapo ishte kthyer nga puna. Nisën një studim biblik dhe shumë shpejt filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. Më vonë u kualifikua si lajmëtar i papagëzuar dhe më pas u pagëzua. Ndryshimet që bëri në jetë i bënë kaq shumë përshtypje gruas së tij, saqë edhe ajo pranoi të studionte Biblën dhe shpejt u kualifikua si lajmëtare e papagëzuar. Fqinjët dhe ata që e dinin se si sillej më parë ky i ri nuk u besonin dot syve kur e panë të predikonte nga shtëpia në shtëpi. Shumë donin të dinin ç’gjë mund ta ndryshonte këtë njeri të njohur si pijanec, hajdut dhe të droguar. Si rrjedhim, 22 njerëz në qytet kërkuan studim biblik. Tashmë 12 prej tyre ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit dhe shpejt mund të kualifikohen si lajmëtarë të papagëzuar.

[Figura në faqen 43]

Steponasi dhe Edvardasi, Lituani

[Figura në faqen 47]

Alisa me mësuesen e saj, Lindën, Australi

[Figura në faqen 51]

Mala, Shtetet e Bashkuara

[Figura në faqen 56]

Kumikoja, Japoni

[Figura në faqen 61]

Rutha dhe Riçardi, Zambie