Republika e Kongos (Brazavil)
Republika e Kongos (Brazavil)
Në pakon e hapur të binte në sy titulli i atij libri ngjyrë vjollcë: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.» Etieni ishte shumë i habitur. S’kishte asnjë dyshim se ajo pako ishte për të. Në adresë ishte emri i tij, Etien Nkunku, kryeskicograf në një zyrë qeveritare në Bangui, Afrika Ekuatoriale Franceze. Megjithatë ai s’kishte porositur ndonjë libër dhe adresa e dërguesit, «Watch Tower in Switzerland», ishte e panjohur. Ende nuk e dinte se e vërteta biblike e shpjeguar në atë libër do t’i ndryshonte jetën. Ajo e vërtetë do të bënte të lirë edhe shumë afrikanë të tjerë, duke i çliruar nga feja e rreme, nga paragjykimet fisnore dhe nga analfabetizmi. Do t’i mbronte shumë veta që të mos i pushtonte euforia politike që ishte duke ardhur dhe zhgënjimi që do ta pasonte. Do të jepte shpresë dhe siguri gjatë ngjarjeve traumatike. Gjithashtu, do t’i frymëzonte njerëzit me frikë Perëndie që të rrezikonin jetën për të ndihmuar të tjerët. Historia e këtyre zhvillimeve do t’ju nxitë dhe do t’ju inkurajojë. Para se të mësojmë çfarë bëri më tej Etieni, le të shqyrtojmë disa të dhëna për vendin afrikan që është vendlindja e tij.
Një dhjetëvjeçar para se Kristofor Kolombi të bënte udhëtimin e tij të famshëm për në Amerikë në vitin 1492, marinarët portugezë nën komandën e Diogo Kaonit arritën në grykëderdhjen e lumit Kongo, në Afrikën Qendrore. Nuk e dinin se uji që përplasej tek anija e tyre kishte përshkuar mijëra kilometra para se të arrinte në oqean.
Portugezët u takuan me vendësit, banorët e mbretërisë së begatë kongoleze. Dhe për qindra vjet, bashkë me tregtarë të tjerë evropianë, blenë fildish dhe skllevër nga afrikanët që jetonin përgjatë bregut. Vetëm në fund të viteve 1800 evropianët morën guximin të futeshin më në brendësi të vendit. Një nga burrat më të shquar që eksploruan këtë territor ishte Pjer Savornjan de Braza, një oficer i flotës franceze. Në vitin 1880, De Braza nënshkroi një traktat me mbretin e vendit që zona në veri të lumit Kongo të vihej nën mbrojtjen e Francës. Më vonë, ai territor u bë Afrika Ekuatoriale Franceze me kryeqytet Brazavilin.
Sot Brazavili është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Republikës së Kongos. Qyteti gjendet në brigjet e lumit Kongo. Duke vazhduar rrjedhën e tij, lumi rrjedh rrëmbyeshëm nëpër gurë të mëdhenj dhe shkëmbinj të nënujshëm për një pjesë të mirë të rrugës prej 400 kilometrash, derisa mbërrin në det, aty ku Kaoni ankoroi anijen e tij gjatë udhëtimit në të cilin zbuloi këtë vend. Në horizont, që nga Brazavili, mund të shohësh përtej lumit konturet e Kinshasës, kryeqytetit të Republikës Demokratike të Kongos. Meqë të dy vendet morën emrin e lumit, normalisht ato i quajnë Kongo (Brazavil) dhe Kongo (Kinshasë).
Në të dalë të Brazavilit lumi bëhet më i rrëmbyeshëm, dhe kjo bashkë me ujëvarat e bëjnë të pamundur lundrimin nëpër lumë për të dalë në oqeanin Atlantik. Megjithatë, ka një hekurudhë që lidh Brazavilin me qytetin bregdetar Puënt-Nuar. Pjesa më e madhe e banorëve të Kongos jeton në
këto dy qytete ose afër tyre. Ndonëse ka disa qyteza bregdetare dhe qytete të tjera më në veri, pjesa më e madhe e këtij vendi të nxehtë e tërë pyje ka popullsi të rrallë.E vërteta fillon t’i bëjë të lirë njerëzit
Le të kthehemi tani te historia e Etienit. Kur ai mori librin me postë ishte viti 1947. Po atë ditë që mori librin, Etieni lexoi kapitujt e parë dhe i diskutoi me një fqinjin e tij. Që të dy e kuptuan se kjo ishte e vërteta dhe vendosën të ftonin disa miq të dielën tjetër për ta lexuar librin së bashku dhe për të kontrolluar shkrimet. Ata që erdhën u kënaqën nga ajo që mësuan dhe vendosën të takoheshin përsëri të dielën vijuese. Në mbledhjen e dytë erdhi edhe një punonjës dogane me emrin Agustin Bajon. Ashtu si Etieni, ai ishte nga Brazavili dhe iu vu po ashtu punës me zell për të përhapur të vërtetën që sjell lirinë e vërtetë.
Javën pasuese Etieni mori dy letra. Njëra ishte nga një i njohuri i tij në Kamerun, që e dinte se Etieni kishte interes për fenë. Ai shkruante se e kishte dërguar emrin e Etienit në zyrën e Shoqatës Watch Tower në Zvicër. Letra e dytë ishte nga Zvicra dhe në të shkruhej se Etienit po i dërgonin një libër. Gjithashtu e inkurajonin që ta lexonte librin dhe t’ia jepte edhe familjes e miqve. Ishte dhënë edhe një adresë në Francë ku ai mund të merrte më shumë informacion. Tani Etieni e dinte pse i kishte ardhur libri. Shumë shpejt filloi një letërkëmbim të rregullt me zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë.
Brenda disa vjetësh edhe Etieni, edhe Agustini ishin kthyer në Brazavil. Mirëpo, më përpara, Etieni i kishte shkruar një të njohuri në Brazavil me emrin Timoti Miemunua, i cili ishte dekani i një instituti teknik. Letra fillonte kështu: «Kam kënaqësinë të të njoftoj se ajo që kishim ndjekur deri tani nuk është udha e së vërtetës. Të vërtetën e kanë Dëshmitarët e Jehovait.»
Etieni vazhdonte duke shpjeguar çfarë kishte mësuar. Kishte vënë bashkë me letrën edhe librin «E vërteta do t’ju bëjë të lirë». Timoti reagoi mirë ndaj mesazhit të Biblës, siç kishin bërë Etieni dhe Agustini. Këta ishin tre kongolezët e parë që përqafuan të vërtetën biblike dhe secili prej tyre ndihmoi shumë të tjerë që të bënin të njëjtën gjë.Timoti i ftoi studentët që flinin në konviktin e institutit teknik që të ndiqnin diskutime biblike gjatë orëve të mbrëmjes. Gjithashtu, shkroi një letër në të cilën kërkonte botime të tjera biblike. Grupi filloi t’i mbante mbledhjet dhe të predikonte me aq sa mundte. Disa studentë, si Noe Mikuiza dhe Simon Mampuja më vonë patën privilegje mbikëqyrjeje në organizatën e Jehovait.
Në vitin 1950, një misionar me emrin Erik Kuk, që jetonte në Rodezinë Jugore (tani Zimbabve), bëri vizitë për
të inkurajuar grupet e vogla me njerëz të interesuar në Bangui dhe në Brazavil. Por problemi ishte se vëllai Kuk nuk fliste frëngjisht. Etieni kujton: «Duke përdorur fjalorin e vogël anglisht-frëngjisht që kishte, ky vëlla i përulur dhe i dashur bëri çmos që të na shpjegonte veprën e predikimit të Mbretërisë dhe organizimin teokratik. Nganjëherë na u desh vërtet ta kuptonim me hamendje çfarë donte të na thoshte.»Vihen kufizime
Vizita e vëllait Kuk ishte tamam në kohën e duhur, sepse, më 24 korrik 1950, përfaqësuesi i lartë i autoritetit kolonial vuri kufizime për sa i përket hyrjes në vend dhe qarkullimit të literaturës së botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Gjatë vitit që pasoi, lajmëtarët në Afrikën Ekuatoriale Franceze shpërndanë vetëm gjashtë botime, ndonëse mbajtën 468 mbledhje publike. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1952, anglisht, shprehte kuptueshmëri dhe dhembshuri për vëllezërit. Aty thuhej: «Përfytyroni pak, po të mundeni, të jeni në një territor të paanë vetëm me 37 lajmëtarë të mesazhit të Mbretërisë të shpërndarë në gjithë vendin. Ndoshta s’keni parë ndonjë dëshmitar tjetër aktiv përveç atyre pak që janë në qytetin tuaj. E vetmja gjë që dini për të vërtetën dhe për procedurën e predikimit është ajo që keni lexuar nga botimet dhe nga ato pak letra që Shoqata ka pasur mundësi t’ju dërgojë. [Këtë po] hasin vëllezërit në vendet afrikane që janë nën kontrollin e Francës.»
Më vonë, nga Franca erdhi Zhak Misheli për t’i dhënë zemër grupit dhe për të dhënë stërvitje të mëtejshme. Noe Psalmi 104:15. Pasi lexoi këtë shkrim, Zhaku shpjegoi se vera është një dhuratë nga Perëndia, ndonëse të krishterët nuk duhet ta teprojnë në të pirë.
Mikuiza, njëri nga studentët e institutit teknik, mban mend një pyetje që u kishte lindur. Pyetja ishte: «A është e gabuar të pish verë?» Të gjithë ia kishin ngulur sytë vëlla Mishelit, i cili e hapi Biblën teVëllezërit e sapopagëzuar në Brazavil u predikonin me zell të tjerëve. Në fundjavë udhëtonin rregullisht në anën tjetër të lumit për të predikuar në Kinshasë. Në vitin 1952 u pagëzuan kongolezët e parë të pjesës jugore të lumit. Vëllezërit nga Brazavili punuan shumë për t’i ndihmuar vëllezërit në Kinshasë gjatë atyre viteve të hershme. Më vonë rolet do të këmbeheshin.
Në dhjetor të vitit 1954 vëllezërit organizuan një asamble në Brazavil. Të pranishëm ishin 650 veta dhe u pagëzuan 70. E vërteta po çlironte gjithnjë e më shumë njerëz nga feja e rreme. Sigurisht që udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim nuk ishin të lumtur nga kjo dhe bënë çmos t’i kthenin autoritetet qeveritare kundër Dëshmitarëve të Jehovait.
Policët mendonin se Timoti Miemunua ishte udhëheqësi i Dëshmitarëve, prandaj e thërritnin shpesh në rajonin e policisë. Aty e kërcënonin dhe e rrihnin. Por kjo nuk e shkurajoi atë, as shërbëtorët e tjerë të Jehovait në Brazavil nuk i frikësoi. Interesi për të vërtetën biblike vazhdoi të rritej.Atëherë autoritetet morën masa të mëtejshme. Timoti Miemunua dhe Aron Diamonika, një ish-student në institutin teknik që pranoi të vërtetën, ishin që të dy në punë shtetërore. Në vitin 1955 qeveria i transferoi që të dy në qytete të largëta, në brendësi të vendit. Timotin e dërguan në Djambalë, kurse Aronin në Imfondo. Mirëpo kjo përpjekje për të ndalur veprën e predikimit s’pati fare sukses. Vëllezërit në Brazavil e vazhduan me zell predikimin, kurse Timoti dhe Aroni hapën territore të reja dhe formuan kongregacione në këto vende ku shkuan. Ndonëse ishin të zellshëm, vëllezërit kishin jashtë mase nevojë për ndihmën e vëllezërve nga shtete të tjera. Kjo ndihmë do të vinte së shpejti.
Në mars të vitit 1956 erdhën katër misionarët e parë nga Franca: Zhan e Ida Sinjobosi dhe Klod e Simonë Dyponti. Në janar të vitit 1957, në Brazavil u hap një zyrë dege që do të ishte përgjegjëse për veprën e predikimit në Afrikën Ekuatoriale Franceze. Shërbëtor dege u caktua vëlla Sinjobosi. Pak kohë më pas ndodhi një tragjedi. Gruaja e Zhanit, Ida, vdiq në një aksident automobilistik, ndërsa çifti po vizitonte
kongregacionet në zonën që tani është Republika e Afrikës Qendrore. Zhani vazhdoi të shërbente në caktimin e tij.Predikim në brendësi të vendit
Në atë kohë Agustin Bajoni ishte tashmë mbikëqyrës qarkor. Agustini vizitonte fshatrat në pyjet e thella, si edhe fushimet e pigmenjve në veri e në perëndim të vendit. Duke qenë se shumë shpesh udhëtonte në këmbë për të shkuar në këto vende të largëta, në gjithë zonën u bë i njohur si «Ai që ecën». Nganjëherë vëlla Bajonin e shoqëronte Zhan Sinjobosi. Zhani habitej se si njerëzit në thellësi të pyjeve ekuatoriale e dinin që ata po vinin. Por tashmë nën ritmin e daulleve ishte dhënë ky mesazh: «‘Ai që ecën’ po vjen bashkë me një njeri të bardhë.»
Këto udhëtime sollën shumë rezultate të mira. Më parë njerëzit thoshin se Dëshmitarë të Jehovait kishte vetëm në Kongo (Brazavil). Prania e vëlla Sinjobosit dhe e misionarëve të tjerë, si edhe shfaqjet e filmit Shoqëria Bota e Re në veprim treguan se nuk ishte kështu.
E vërteta biblike vazhdoi të depërtonte nëpër fshatra, thellë në brendësi të vendit, duke i çliruar njerëzit nga praktikat spiritiste dhe nga dallimet fisnore. Shumë vëllezër në këto zona ishin analfabetë. Meqë nuk kishin ora, e përcaktonin se kur duhej të shkonin në mbledhje sipas pozicionit të diellit. Për të llogaritur kohën që kalonin në shërbim, përdornin shkopinj të vegjël. Sa herë që i jepnin dëshmi dikujt, e mbështillnin një shkop në një shami. Katër shkopinj nënkuptonin
një orë. Në këtë mënyrë arrinin të bënin raportin e shërbimit në fund të muajit. Por, në të vërtetë, vëllezërit predikonin shumë më tepër nga sa raportonin, pasi e vërteta ishte argumenti kryesor i bisedave që bënin me të tjerët, edhe kur s’ishin në shërbim.Zhvillimet ligjore dhe ndryshimet politike
Sillni ndër mend se në vitin 1950 ishin vënë kufizime për hyrjen e literaturës së botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Por siç e kemi parë kjo nuk e ndali veprën e bërjes së dishepujve. Të zhgënjyer, klerikët e të ashtuquajturit krishterim u ankuan tek autoritetet administrative qeveritare, duke pohuar në mënyrë të rreme se Dëshmitarët e Jehovait ishin komunistë. Për pasojë, një të enjte në vitin 1956, dhjetë vëllezër u arrestuan në orën pesë të mëngjesit. Lajmi për këto arrestime u përhap menjëherë dhe kundërshtarët fetarë u gëzuan. Gjyqi u bë po atë ditë në një dhomë gjykate të mbushur me vëllezër që kishin ardhur për të parë procesin.
Noe Mikuiza tregon: «Gjatë procesit u treguam me prova se nuk ishim komunistë, por të krishterë, shërbëtorë të Perëndisë, që po kryenin atë që shkruhet te Mateu 24:14. Avokati ynë, i cili i kishte lexuar botimet tona, i tha trupit gjykues se nëse të gjithë do të ishin si Dëshmitarët e Jehovait, nuk do të kishte shkelës të ligjit. Po atë pasdite u dha vendimi: ‘Të pafajshëm!’ Të gëzuar, të gjithë vrapuam nëpër shtëpi që të ndërroheshim, sepse atë mbrëmje kishim mbledhje. Lajmi për arrestimin tonë ishte përhapur në gjithë qytetin dhe ne donim që të gjithë ta dinin se ishim të lirë. Në mbledhje kënduam këngë Mbretërie me sa na hante zëri. Shumë veta që na dëgjuan, shtangën, pasi mendonin se ishim ende në burg.»
Më 15 gusht të vitit 1960 Republika e Kongos fitoi pavarësinë. Fill pas kësaj shpërtheu dhuna politike. Ndërkohë
që kleri i të ashtuquajturit krishterim kishte një pjesë aktive në këto ngjarje, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan veprën e tyre të predikimit. Në vitin 1960, në një asamble qarkore në Brazavil pati gjithsej 3.716 të pranishëm. Edhe në veri njerëzit po vërshonin nëpër kongregacione. Për shembull, në një rajon ku jetonin 70 lajmëtarë, kishte rreth një mijë veta që ndiqnin mbledhjet e kongregacionit.Në dhjetor të vitit 1961 Dëshmitarët regjistruan një ent ligjor me titullin Les Témoins de Jéhovah (Dëshmitarët e Jehovait). Njohja ligjore solli disa të mira, por vëllezërit e dinin se nuk ishte e mençur të mbështeteshin plotësisht te këto gjëra. Vëlla Sinjobosi tregon çfarë ndodhi jo shumë kohë më pas: «Një ditë, më thirri një zyrtar i lartë i zyrës së sigurimit, i cili s’ishte dakord me asnjanësinë tonë të krishterë. Më kërcënoi se do të më dëbonte nga vendi. Pata frikë se mos e bënte me të vërtetë, pasi e kishte autoritetin. Mirëpo, një ditë më vonë ai pati një infarkt në zemër dhe vdiq.»
Jeta misionare në vitet 60
Në shkurt të vitit 1963 erdhën nga Haiti Fred Lukasi dhe Maks Danielajko. Pasi u martua, Fredi shërbeu si mbikëqyrës qarkor. Në fillim, ndërsa vizitonte kongregacionet, e kishte të vështirë të kuptonte se cilës familje i përkiste secili. Ai kujton: «Nuk e dija cilat ishin bashkëshortet e pleqve të kongregacionit dhe nuk e dalloja dot cilët ishin fëmijët e tyre. Në pjesën qendrore të Afrikës vëllezërit ndiqnin ende zakonin që gratë të mbanin mbiemrat e tyre edhe kur martoheshin, ndërsa fëmijët merrnin mbiemrin e ndonjë të afërmi ose miku të familjes.
Mbrëmjen e parë gjatë vizitës, në Sallën e Mbretërisë, vëllezërit na u dukën shumë të qetë dhe të ndrojtur ndaj nesh. Kur filloi mbledhja vumë re diçka të çuditshme. Vëllezërit dhe djemtë e rritur uleshin në njërën anë të sallës, kurse fëmijët
e vegjël dhe motrat në anën tjetër. Ana ku ishin vëllezërit ishte e mbushur plot, kurse ana e motrave kishte shumë pak. Gjatë mbledhjes, erdhën shumë motra me fëmijët nga pas dhe me Biblat e librat të vendosur për bukuri me ekuilibër mbi kokë.Shkova në podium që të përshëndetja kongregacionin e të prezantoja veten dhe time shoqe. Pasi u dhashë një mirëseardhje të ngrohtë, ndalova, ia ngula shikimin anës ku ishin ulur vëllezërit dhe thashë: ‘Ju lutem vëllezër, po ju jap dhjetë minuta kohë që të gjeni bashkëshorten dhe fëmijët tuaj. Që tani e tutje, ju lutem uluni bashkë si familje, ashtu siç bëjnë të gjithë shërbëtorët e Jehovait anembanë botës.’ Vëllezërit u bindën me kënaqësi.»
Edhe transporti publik kishte sfidat e veta. Lea, e shoqja e vëlla Lukasit, kujton: «Paketonim shtretër të vegjël portativë, rrjetë mushkonjash, një kovë për ujë, filtra uji portativë, rroba, libra, revista dhe filma biblikë. Për të shfaqur filmat na duhej të merrnin me vete kabllo elektrikë, poçe llambe, bobina filmi, tekste, një gjenerator të vogël dhe një bidon metalik me benzinë. Të gjitha këto i merrnim me vete dhe i
ngarkonim nëpër kamionët që gjenim. Për të gjetur vend në kabinë, duhej të ishim te kamioni në orën 2.00 të mëngjesit. Përndryshe na duhej të uleshim prapa në diell, bashkë me kafshët, bagazhet dhe shumë pasagjerë të tjerë.Një herë, pasi kishim ecur në këmbë për orë të tëra nëpër vapë, arritëm në shtëpi dhe zbuluam se kasollen e vogël prej balte ku banonim e kishin pushtuar një lloj milingonash që quhen milingonat ushtare. Kishin hipur sipër një kove me ujë, kishin bërë një urë me trupat e tyre dhe kishin arritur një kanaçe të vogël me margarinë, të cilën e kishin përlarë. Atë natë për darkë hëngrëm vetëm bukë të thekur dhe gjysmë kutie sardele secili. Edhe pse ishim të lodhur dhe na vinte pak keq për veten, atë natë kur shkuam të flinim, vëllezërit ishin mbledhur jashtë përreth zjarrit dhe këndonin me zë të lehtë këngë Mbretërie. Sa mënyrë e ëmbël dhe e bukur për të të zënë gjumi!»
Misionarë dhe pleq vendës besnikë
Nga viti 1956 deri në vitin 1977 në Kongo (Brazavil) shërbyen më shumë se 20 misionarë. Ndonëse jo gjithçka u
shkonte vaj, secili dha një ndihmesë shumë të vlefshme në veprën e predikimit të Mbretërisë. Për shembull, të gjithë ata që shërbyen si shërbëtorë dege ishin edhe misionarë. Kur vëlla Sinjobosi u kthye në Francë në vitin 1962, për të mbikëqyrur veprën e predikimit u caktua Lari Holms. Pasi Lari dhe gruaja e tij, Odri, e lanë shërbimin misionar në vitin 1965, shërbëtor dege u bë vëlla Lukasi.Edhe shumë vëllezër vendës ishin shembuj të shkëlqyer për të marrë drejtimin. Në vitin 1976, kur u vendos rregulli për të pasur një Komitet Dege, Trupi Udhëheqës caktoi tre vëllezër: Xhek Johansonin dhe Pale Bjerin, të cilët ishin misionarë, si edhe Marselin Ngolon, një vëlla vendës.
Agustin Bajoni, ‘Ai që Ecën’, ndoqi klasën e 37-të të Galaadit në vitin 1962. Pas diplomimit shkoi në Republikën e Afrikës Qendrore ku, pothuajse 15 vjet më parë kishte lexuar librin «E vërteta do t’ju bëjë të lirë». Me kalimin e kohës Agustini u martua, u bë me fëmijë e u kthye në Brazavil, dhe në shtëpinë e tij filluan të mbaheshin mbledhjet e krishtere. Më pas, dhuroi një pjesë të pronës së tij për një Sallë Mbretërie, e cila u ndërtua më vonë.
Agustin Bajoni dhe Timoti Miemunua tashmë kanë vdekur. Para se të vdiste, Timoti shkroi disa nga përvojat që kishte pasur. E përfundoi tregimin duke cituar Hebrenjve : «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» Etien Nkunku, njëri nga tre të parët që përqafuan të vërtetën në Kongo, tani është rreth të 90-ave. Sa shembull të shkëlqyer të shërbimit besnik kanë lënë këta vëllezër! 10:39
Kohë sprove
Në gusht të vitit 1970 Republika e Kongos adoptoi një formë qeverisjeje komuniste. Ndoshta e kujtoni se në vitet e mëparshme, autoritetet i kishin ngacmuar vëllezërit duke i akuzuar se ishin komunistë. Tani që në fuqi ishin komunistët, autoritetet e reja i dënuan vëllezërit sepse nuk ishin komunistë!
Gjithsesi, për njëfarë kohe, qeveria e re nuk ndërhyri në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Kongreset dhe mbledhjet mbaheshin lirisht dhe misionarët e rinj lejoheshin të hynin në vend. Por pastaj vëllezërit filluan t’i ndienin efektet e regjimit komunist. Së pari, disa zyrtarë i akuzuan misionarët se ishin spiunë. Pastaj, më 3 janar 1977 vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua zyrtarisht. Njërin pas tjetrit misionarët i dëbuan të gjithë derisa mbetën vetëm Xhek e Linda Johansoni. Për këtë kohë, Xheku thotë: «Ata pak muaj që kaluam të vetëm në zyrën e degës ishin ndoshta më të vështirët për besimin tonë, e njëkohësisht edhe më forcuesit që kemi provuar në shërbimin si misionarë. Për ne dyshohej se ishim spiunë të CIA-s amerikane. Kudo po arrestonin dhe po
vritnin ata që ishin kundër qeverisë, përfshirë edhe udhëheqës fetarë. Për pasojë, e dinim se ishim në rrezik të madh. Megjithatë, e pamë se dora mbrojtëse e Jehovait ishte me ne dhe kjo na e forcoi besimin.»Noe Mikuiza i bëri kërkesë kryeministrit që Xheku dhe Linda të lejoheshin të qëndronin në vend. Kërkesa u mohua, kështu që atyre iu desh të largoheshin. Prona e degës dhe Sallat e Mbretërisë u konfiskuan dhe zyra e degës u mbyll. Për një periudhë të shkurtër mbikëqyrjen e veprës së predikimit e mori dega e Francës, por pastaj kjo përgjegjësi i kaloi zyrës së degës në Kinshasë.
Ndonëse vëllezërit ishin të kufizuar në disa mënyra, nuk patën përndjekjen e ashpër që kishin kaluar Dëshmitarët në disa vende të tjera. Megjithatë, disa vëllezër u frikësuan dhe kjo frikë iu ngjit edhe të tjerëve. Edhe pse vëllezërit i mbanin ende rregullisht mbledhjet, shërbimi shtëpi më shtëpi pothuajse u ndërpre. Në përgjigje të kësaj, zyra e degës në Kinshasë dërgoi pleq nga ana tjetër e lumit që të inkurajonin dhe të forconin vëllezërit.
Një nga këta pleq ishte Andre Kitula. Në qershor të vitit 1981 ai filloi të vizitonte 12 kongregacionet e Brazavilit si mbikëqyrës qarkor. Kur vizitoi kongregacionin e parë në qytet, vuri re se vëllezërit ishin të pranishëm në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe në Mbledhjen e Shërbimit të martën. Por, të mërkurën në mëngjes në mbledhjen për shërbim nuk erdhi asnjë lajmëtar. Kur Andrea filloi të predikonte vetëm, një njeri i tha: «Më përpara vetëm Dëshmitarët e Jehovait na ngushëllonin, por tani janë zhdukur!»
Ndërsa Andrea vazhdoi predikimin atë mëngjes, takoi një vëlla që i tha: «Tani, asnjë nga ne nuk e ka më zakon të predikojë shtëpi më shtëpi.» Pastaj vëllai u tregoi lajmëtarëve të tjerë se e kishte parë Andrean në shërbim. Pasdite në mbledhjen për shërbim erdhën disa motra. Shpejt vepra shtëpi më shtëpi rifilloi përsëri në gjithë Brazavilin. Gjatë tre vjetëve që Andrea dhe gruaja e tij, Klementina, shërbyen atje, nuk u arrestua asnjë vëlla. Vëllezërit jashtë kryeqytetit dëgjuan çfarë po ndodhte dhe nxorën përfundimin që nëse vëllezërit në Brazavil s’kishin frikë të shkonin shtëpi më shtëpi, as ata s’kishin pse të frikësoheshin.
David Naueji, i cili atëherë punonte në zyrën e degës në Kinshasë, shpjegon pse dega ishte veçanërisht e lumtur që po dërgonte ndihmë në anën tjetër të lumit. Ai thotë: «Të vërtetën në Kinshasë e kishin sjellë vëllezërit nga Brazavili. Më vonë, kur sistemi komunist atje bëri që vepra të ngadalësohej, Dëshmitarët këtu u shkuan në ndihmë vëllezërve. Me këtë u vërtetua mençuria e Predikuesit 4:9, 10: ‘Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Në fakt në se rrëzohen, njëri ngre tjetrin.’ Në rastin tonë, vëllezërit do të thoshin: ‘Dy Kongo vlejnë më mirë se një e vetme.’»
Ecin përpara me gjithë ndryshimet politike
Viti 1991 solli në skenën politike trazira dhe ndryshime. Kongoja (Brazavil) kaloi nga një sistem me një parti në një sistem shumëpartish. Ndonëse nëpër rrugë kishte eufori, vëllezërit mbajtën në mend paralajmërimin që gjendet te Psalmi 146:3, ku thuhet: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.» S’do të kalonte shumë dhe vërtetësia e këtij pohimi do të bëhej e dukshme.
Gjithsesi, ndryshimet politike u sollën dobi shërbëtorëve të Jehovait. Më 12 nëntor 1991 ministri i Brendshëm nxori një dekret që hiqte ndalimin ndaj veprës së Dëshmitarëve të Jehovait. Sallat e Mbretërisë që ishin konfiskuar iu kthyen vëllezërve, por jo ndërtesa e mëparshme e degës, ku deri tani vazhdon të banojë garda e presidentit. Në gusht të vitit 1992 u organizuan kongrese në Brazavil dhe në Puënt-Nuar, të parat pas 15 vjetësh. Atë vit numri i studimeve biblike u rrit deri në 5.675, pothuajse katër herë sa numri i lajmëtarëve.
Ndërkohë statusi ligjor i rikthyer krijoi prapë mundësinë që të vinin misionarë. U emëruan pionierë specialë, të cilët u dërguan në veri ku shumica e atyre që ndiqnin mbledhjet ishin analfabetë. Kongregacionet nëpër qytete kishin bërë mjaft punë për t’u mësuar shumë vetave të lexonin e të shkruanin. Tani ishte koha për t’i shtrirë këto përpjekje në gjithë vendin.
Zgjedhjet e vitit 1993 shkaktuan një ndryshim tjetër në qeveri. Pakënaqësia e përhapur e partisë së opozitës solli si pasojë gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjati disa javë. Konfliktet e armatosura, grevat, shtetrrethimi, postblloqet dhe plaçkitjet u bënë pjesë e jetës së përditshme. Njerëzit ishin të tronditur e të zhgënjyer. Vështirësitë ekonomike vazhdonin. Euforia e vitit 1991 kishte marrë fund.
Në të njëjtën kohë me trazirat politike dolën në dritë edhe problemet etnike. Konfliktet mes fiseve i bënë disa vëllezër që të iknin në vende më të sigurta. Për pasojë, disa kongregacione u shpërbënë. Ndërkohë, shumë herë me radhë vëllezërit e treguan se e vërteta i kishte çliruar nga urrejtja etnike. Gjatë trazirave, vëllezërit ndihmuan dhe mbrojtën njëri-tjetrin, pavarësisht se cilit fis i përkitnin. Shumë njerëz po fillonin të kuptonin se vetëm Jehovai mund t’u jepte siguri të vërtetë.
Zyra e degës në Kinshasë siguroi udhëheqje dhe inkurajim. Në fund të vitit 1996, kushtet në vend ishin bërë përsëri paqësore dhe numri i lajmëtarëve arriti në 3.935. Në një shtëpi misionare në Brazavil kishte pesë misionarë që shërbenin. Me ardhjen e dy çifteve të tjera misionarësh, në prill të vitit 1997 u hap një shtëpi e re misionare në Puënt-Nuar.
Në anën veriore të lumit, në Kongo (Brazavil), jeta ishte paqësore dhe vepra e predikimit të Mbretërisë po ecte mirë. Ndërkohë filluan konfliktet në vendin fqinj, në Kongo (Kinshasë). Ndërsa lufta i afrohej Kinshasës, misionarët që ishin atje duhej të iknin. Kështu, në fund të majit, misionarët e Kinshasës po shërbenin me zell përkrah shokëve të tyre në Brazavil dhe në Puënt-Nuar. Askujt s’i shkonte nëpër mend se ç’ngjarje traumatike do të ndodhnin vetëm disa ditë më vonë.
Shpërthen lufta civile
Papritur, më 5 qershor 1997, në Brazavil shpërtheu lufta. Po zhvillohej një konflikt ndërmjet forcave që i qëndronin
besnike presidentit në fuqi dhe atyre që mbështetnin presidentin e mëparshëm. Artileria e rëndë bombardoi dhe shkatërroi qytetin dhe rrethinat e tij. Mijëra veta vdiqën. Kudo në rrugë të zinte syri kufoma. Në vend mbretëronte kaosi. Ishte e vështirë të kuptoje se ku po bëheshin luftimet. Stabiliteti që kishte gëzuar një herë e një kohë Brazavili s’ekzistonte më. Linja e udhëtimeve nëpër lumë për në Kinshasë u ndërpre. Shumë njerëz ikën nëpër pyje, kurse të tjerë shkuan me kanoe nëpër ishujt e vegjël që ndodheshin përgjatë lumit. Të tjerë u përpoqën të kalonin lumin Kongo për të shkuar në Kinshasë. Ndonëse edhe afër Kinshasës po bëheshin luftime, ato s’ishin asgjë në krahasim me dhunën në Brazavil.Ashtu si për çdo njeri tjetër, lufta solli probleme edhe për vëllezërit, por e vërteta kishte shkaktuar ndryshime të mëdha në mendjen dhe në zemrën e shërbëtorëve të Perëndisë. Ata kishin siguri të plotë te fjalët e Psalmit 46:1, 2 ku thuhet: «Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit.»
Shumë vëllezër ia dolën mbanë të shkonin në Kinshasë, ku Komiteti i Degës mori masa që t’u jepej ushqim, strehë dhe ilaçe. Familjet në Kinshasë ishin të lumtura t’u tregonin dashuri dhe mikpritje bashkëbesimtarëve të tyre nga Brazavili.
Për të ndihmuar ata që e kishin të vështirë të iknin, disa vëllezër qëndruan në Brazavil. Ndër këta që ndenjën ishin Zhan-Teodor Otheni dhe gruaja e tij, Zhana, e cila ishte pioniere e rregullt. Në gusht, një predhë goditi shtëpinë e tyre duke e plagosur rëndë Zhanën. Zhani e çoi menjëherë në Kinshasë, por ishte tepër vonë. Ai kujton: «Zhana kishte
dashuri të thellë për shërbimin, deri në fund të jetës së saj. Më la bllokun e saj të adresave dhe më tha: ‘Duhet të vizitosh tërë studimet e mia biblike, sepse janë shumë të rëndësishme për mua.’ E përqafova dhe kur e pashë prapë në fytyrë, kishte vdekur.» Ashtu si shumë të tjerë, Zhani ka vazhduar t’i shërbejë me zell Jehovait, me siguri të plotë në premtimin e ringjalljes.Duke qenë se udhëtimet e rregullta nëpër lumë midis dy kryeqyteteve ishin ndërprerë, ata që kishin motobarka të vogla i përdornin ato si mjete udhëtimi për njerëzit që donin të iknin nga Brazavili. Vëllezër të guximshëm nga Brazavili, si Lui-Noël Motula, Zhan-Mari Lubaki dhe Simforien Bakeba, dolën vullnetarë që të kërkonin vëllezërit që mungonin dhe të ndihmonin ata që ishin ende në Brazavil. Kjo nënkuptonte të luftonin me rrymat e forta të Kongos së fuqishme me një varkë të vogël, duke kërkuar nëpër ishuj të vegjël e nëpër brigje. Nënkuptonte të hynin në zonën e luftimeve në Brazavil, ku vazhdonin të ndodhnin mizori. Nënkuptonte të rrezikonin jetën për vëllezërit e tyre.
Simforieni, i cili ishte shumë i zoti për të kaluar lumin, gjatë luftës civile bëri shumë udhëtime. Nganjëherë bënte udhëtime për t’u çuar ndihma atyre që kishin mbetur në Brazavil. Një herë, për shembull, e kaloi lumin me dhjetë thasë oriz për disa vëllezër në Brazavil që jetonin relativisht të sigurt. Pa dyshim, ishte një sfidë të kaloje lumin, por sfida më e madhe ishte ta çoje orizin në destinacion pa ta marrë grabitësit. Në atë udhëtim, ndër pasagjerët e tij ishte edhe një njeri që dukej disi i veçantë, i cili e pyeti Simforienin se ku po e çonte orizin. Ky i shpjegoi çfarë po bënte, duke përfituar nga rasti për t’i treguar shpresën e tij biblike. Kur motobarka arriti në breg, ai burrë tha se ishte një zyrtar i lartë. Thirri disa ushtarë dhe u tha ta ruanin orizin derisa Simforieni të gjente një makinë për t’ua çuar vëllezërve.
Në përgjithësi Simforieni e kalonte lumin për të ndihmuar vëllezërit të iknin nga Brazavili. Një nga ato raste ai nuk do ta harrojë kurrë. Simforieni thotë: «Rrymat në lumin Kongo janë shumë të forta, por shumica e njerëzve që kanë varka dinë si të manovrojnë përmes tyre, pa lejuar që rrëmbesat e forta t’i marrin me vete. U larguam nga Brazavili me shtatë vëllezër dhe pesë të tjerë në motobarkë. Tamam në mes të lumit motobarkës i mbaroi karburanti. Arritëm të manovronim për të shkuar te një ishull i vogël, ku e lidhëm motobarkën. U lehtësuam kur na u afrua një varkë e vogël dhe pronari i saj premtoi të na blinte ca karburant në Kinshasë dhe të kthehej. Pritëm me ankth një orë e gjysmë, që na u duk një kohë e gjatë, derisa ai u kthye me karburantin.»
Pas pak kohe dega në Kinshasë po kujdesej për afro 1.000 vëllezër e motra, bashkë me familjet e tyre dhe njerëz të interesuar. Në tetor të vitit 1997, luftimet mbaruan dhe refugjatët filluan të ktheheshin në Brazavil.
Të gjithë misionarët që shërbenin në Brazavil dhe Puënt-Nuar ishin larguar për shkak të luftës. Disa ishin kthyer në vendet e tyre, në Britani dhe Gjermani, kurse të tjerë kishin shkuar në Benin dhe në Bregun e Fildishtë. Kur u rikthye përsëri paqja, ndonëse relative, disa u kthyen në caktimet e tyre në Kongo (Brazavil). Veç tyre, në dhjetor të vitit 1998 duhej të vinin nga Franca tri çifte dhe një vëlla beqar. Edi dhe Pamela Mei, misionarë me përvojë që shërbenin në zyrën e degës në Kinshasë, u transferuan në Brazavil, ku u hap një shtëpi e re misionare.
Përsëri luftë civile
Vitin që pasoi, në Brazavil shpërtheu një luftë tjetër civile. Përsëri mijëra veta vdiqën, përfshirë edhe disa Dëshmitarë. Shumica e misionarëve, të cilët sapo kishin mbërritur, ikën në shtëpitë misionare që ndodheshin në Kamerunin fqinj. Ndonëse pati zëra se lufta do të arrinte deri në Puënt-Nuar që ndodhej në bregdet, tre misionarë arritën të qëndronin atje. Më në fund, në maj të vitit 1999, lufta civile mbaroi.
Meqë shumë Dëshmitarë kishin ikur, numri i kongregacioneve në vend ra nga 108 në 89. Tani Brazavili ka 1.903 lajmëtarë dhe 23 kongregacione. Puënt-Nuari ka 1.949 lajmëtarë dhe 24 kongregacione. Gjatë dy luftërave civile, Dëshmitarët e Jehovait nga vendet e tjera dhanë ndihmë materiale për vëllezërit dhe motrat. Si zakonisht, nga kjo ndihmë përfituan edhe ata që nuk ishin Dëshmitarë të Jehovait.
Pavarësisht nga lufta, zia e bukës, sëmundjet dhe shumë vështirësi të tjera, Dëshmitarët në Kongo (Brazavil) mbajtën një mesatare prej 16,2 orësh në shërbim. Gjatë prillit të vitit 1999, ndërsa lufta e dytë civile po mbaronte, 21 për qind e lajmëtarëve ishin në ndonjë formë të shërbimit të plotkohor.
Gëzojnë në të vërtetën
Luftërat e kanë shkatërruar vendin, duke e lënë pothuajse gërmadhë. Në Brazavil po bëhen rindërtime, por ka ende shumë punë. Midis projekteve më të rëndësishme të ndërtimit janë Sallat e Mbretërisë, ku njerëzit mësojnë të vërtetën biblike. Në shkurt të vitit 2002 u kushtuan katër Salla Mbretërie, dy në Puënt-Nuar dhe dy në Brazavil.
Në një nga këto programe kushtimi të mbajtura në Brazavil, një vëlla i moshuar përshkroi çfarë kishte ndodhur 15 vjet më parë, gjatë ndalimit. Vëllezërit kishin planifikuar të mbanin një asamble njëditore më 1 janar, në një truall bosh. Mendonin se do të arrinin ta bënin asamblenë pa i ndërprerë kush, pasi njerëzit do të ishin duke festuar Vitin e Ri. Mirëpo, pasi mbaroi programi i paradites, aty mbërriti policia dhe e ndërpreu asamblenë. Vëllai tha: «U larguam nga vendi i asamblesë me lot në sy. E ja ku jemi prapë sot këtu në të njëjtin vend, me sytë e mbushur me lot. Por kësaj radhe janë lot gëzimi, sepse po kushtojmë këtë Sallë Mbretërie që sapo është ndërtuar.» Po, kjo sallë e re dhe e bukur ishte ndërtuar në po atë truall ku ishte mbajtur ajo asamble!
Tani kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur libri «E vërteta do t’ju bëjë të lirë» ndihmoi Etien Nkunkun, Agustin Bajonin dhe Timoti Miemunuan që të mësonin të vërtetën. Gjatë asaj kohe, mijëra veta në Kongo (Brazavil) kanë ndjekur shembullin e besimit të tyre dhe shumë të tjerë vazhdojnë ta bëjnë këtë, kështu që perspektivat për të ardhmen duken të mira. Po drejtohen më shumë se 15.000 studime biblike, tri herë e gjysmë sa numri i lajmëtarëve. Në vitin 2003, në Përkujtim kishte 21.987 të pranishëm, një numër marramendës. Në fund të vitit të shërbimit 2003, 4.536 lajmëtarë, ku përfshihen edhe 15 misionarë, po punonin me zell për të ndihmuar të tjerët që të mësonin të vërtetën, e cila të bën të lirë.—Gjoni 8:31, 32.
[Diçitura në faqen 143]
Nën ritmin e daulleve ishte dhënë ky mesazh: «‘Ai që ecën’ po vjen bashkë me një njeri të bardhë.»
[Diçitura në faqen 144]
Meqë nuk kishin ora, vëllezërit e përcaktonin orarin e mbledhjeve sipas pozicionit të diellit
[Diçitura në faqen 151]
«Atë natë kur shkuam të flinim, vëllezërit ishin mbledhur jashtë përreth zjarrit dhe këndonin me zë të lehtë këngë Mbretërie. Sa mënyrë e ëmbël dhe e bukur për të të zënë gjumi!»
[Kutia në faqen 140]
Një vështrim i përgjithshëm mbi Kongon (Brazavil)
Vendi: Republika e Kongos është e rrethuar nga Gaboni, Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore dhe Republika Demokratike e Kongos. Ka sipërfaqe më të madhe se Finlanda ose Italia. Ka një rrafshinë bregdetare që shtrihet deri rreth 60 kilometra në kontinent, dhe pastaj ua lë vendin rrafshnaltave që ngrihen mbi 800 metra lartësi. Në pjesën tjetër të vendit mbizotërojnë pyjet e dendura dhe lumenjtë e mëdhenj.
Popullsia: Popullsia prej më shumë se tre milionë banorësh është e përbërë nga shumë fise. Pigmenjtë gjenden në zonat me pyje të dendura.
Gjuha: Ndonëse gjuha zyrtare është frëngjishtja, në zonat veriore flitet kryesisht gjuha lingale. Në jug flitet monokutuba.
Jetesa: Nevojat bazë sigurohen nëpërmjet bujqësisë në shkallë familjare dhe peshkimit në ujëra të ëmbla e të kripura. Në pyje ka me shumicë kafshë të egra, të cilat gjuhen kollaj nga gjahtarët e zotë.
Ushqimi: Në shumicën e vakteve pëlqehet kasava ose orizi. Këto shërbehen me peshk ose pulë, si edhe me salca pikante. Ka shumë fruta, si: mango, ananase, papaja, portokalle dhe avokado.
Klima: Kongoja ka klimë tropikale, të nxehtë e të lagësht gjatë gjithë vitit. Dallohen dy stinë: stina e shirave, e cila zgjat nga marsi deri në qershor, dhe stina e thatë, që zgjat nga qershori në tetor.
[Tabela dhe grafiku në faqet 148, 149]
KONGO (BRAZAVIL)—KRONOLOGJIA
1940
1947: Libri «E vërteta do t’ju bëjë të lirë» zgjon interesin për herë të parë.
1950: Misionari Erik Kuk viziton Brazavilin. Autoritetet vënë kufizime për literaturën e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
1956: Në mars vijnë misionarët e parë nga Franca.
1957: Në janar hapet zyra e degës.
1960
1961: Më 9 dhjetor regjistrohet zyrtarisht shoqata, ndonëse kufizimet për literaturën vazhdojnë edhe për një vit.
1977: Dëshmitarët e Jehovait ndalohen. Prona e degës konfiskohet dhe misionarët dëbohen nga vendi.
1980
1981: Andre Kitula ndihmon për të rigjallëruar veprën e predikimit në Brazavil.
1991: Ministri i brendshëm e heq ndalimin. Më pas organizohen kongreset e para krahinore pas 15 vjetësh.
1993: Trazirat shoqërore dhe politike çojnë në gjendjen e jashtëzakonshme.
1997: Më 5 qershor shpërthen lufta civile. Misionarët largohen prej aty. Zyra e degës në Kinshasë merr masa që 1.000 refugjatë të kenë ushqim, strehë dhe trajtim mjekësor.
1999: Shpërthen një luftë tjetër civile. Misionarët largohen përsëri.
2000
2002: Në shkurt kushtohen katër Sallat e para të Mbretërisë që sapo ishin ndërtuar.
2003: Në Kongo (Brazavil) ka 4.536 lajmëtarë aktivë.
[Grafiku]
(Shiko botimin)
Gjithsej lajmëtarë
Gjithsej pionierë
5.000
2.500
1940 1960 1980 2000
[Hartat në faqen 141]
(Për teksin e kompozuar, shiko botimin)
REPUBLIKA E AFRIKËS QENDRORE
KAMERUN
GUINEJA EKUATORIALE
GABON
REPUBLIKA E KONGOS
Imfondo
Djambalë
BRAZAVIL
Puënt-Nuar
Lumi Kongo
REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS
KINSHASË
ANGOLË
[Figura që zë gjithë faqen 134]
[Figurat në faqen 138]
Pjesëtarë të një grupi studimi biblik të hershëm në vitin 1949, nga e majta në të djathtë: Zhan-Set Munsambote, Timoti dhe Odilë Miemunua, si dhe Noe Mikuiza
[Figura në faqen 139]
Etien Nkunku
[Figura në faqen 142]
Zhan Sinjobosi udhëtoi në brendësi të Kongos, duke kaluar lumenj për të vizituar kongregacionet
[Figura në faqen 147]
Fred dhe Lea Lukasi (në qendër) me kongregacionin që mblidhej në shtëpinë e Agustin Bajonit
[Figura në faqen 150]
Pagëzim në oqeanin Atlantik, në Puënt-Nuar
[Figura në faqen 152]
Agustin Bajoni, ‘Ai që ecën’, ndoqi klasën e 37-të të Galaadit, në vitin 1962
[Figura në faqen 153]
Kjo ndërtesë shërbeu si zyra e degës nga viti 1967 deri në vitin 1977
[Figura në faqen 155]
Noe Mikuiza
[Figurat në faqen 158]
Lui-Noël Motula, Zhan-Mari Lubaki dhe Simforien Bakeba