Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Guajana

Guajana

Guajana

«Vendi i ujërave», ky është kuptimi i emrit «Guajanë», një vend i Amerikës së Jugut që e ka kufirin jugor vetëm 130 kilometra sipër ekuatorit. Ky emër është shumë i përshtatshëm, sepse ka mbi 40 lumenj e një mori të pafund degësh që furnizohen nga pyjet e shiut dhe nga xhunglat që përbëjnë pjesën më të madhe të Guajanës, me sipërfaqe 215.000 kilometra katrorë. Disa nga këta lumenj shërbejnë si kufij që ndajnë Guajanën nga vendet fqinje: Brazili, Surinami dhe Venezuela. Lumenjtë janë jetikë edhe për pjesët në brendësi të vendit, e përgjatë brigjeve të tyre ka gjithandej fshatra e ferma. Madje, tregtia e Guajanës, si dhe historia e saj (përfshirë edhe historia e popullit të Jehovait) lidhen ngushtë me këto rrugë ujore.

Nga perëndimi e deri në lindje, katër lumenjtë kryesorë janë Esekiboja, Demerara, Burbisi dhe Korantajni. Më i gjati, Esekiboja, është 1.000 kilometra i gjatë dhe 30 kilometra i gjerë në grykëderdhjen e vet, dhe në të ka 365 ishuj. Njëri prej këtyre, ishulli Fort, ishte selia e qeverisë gjatë epokës së kolonizatorëve holandezë. Që nga vendburimi i tyre në malet në brendësi të vendit, që janë në jug, këta lumenj të mëdhenj rrjedhin drejt veriut para se të gjarpërojnë përfundimisht përmes rrafshnaltës së ngushtë bregdetare e të derdhen në Atlantik. Rrugës, ujërat e tyre krijojnë disa nga ujëvarat më mbresëlënëse në botë, si për shembull ujëvarën Kajetur. Këtë ujëvarë e krijon lumi Potaro, 120 metra i gjerë, i cili pastaj derdhet në Esekibo. Në pjesën e parë të ujëvarës, uji bie me vrik nga 226 metra lartësi.

Me gjithë këto bukuri natyrore që ka, Guajana është një parajsë për të pasionuarit e natyrës. Në lumenjtë e saj lëvrijnë lundra gjigante, kajmanë të zinj (lloj krokodili) dhe pirarukë ose Arapaima, ndër peshqit më të mëdhenj të ujërave të ëmbla që janë zbuluar. Këta peshq gjigantë mishngrënës e që marrin frymë, mund të arrijnë deri në 3 metra gjatësi dhe mund të peshojnë 220 kilogramë. Jaguarët vijnë vërdallë të qetë në pyjet e dendura dhe majmunët ulëritës çirren sipër nëpër drurë, ku jetojnë së bashku me më shumë se 700 lloje zogjsh, mes tyre edhe shqiponjat harpi e papagajtë gjigantë dhe tukanët me ngjyra mbresëlënëse.

Guajana ka rreth 770.000 banorë. Mes tyre ka indianë, paraardhësit e të cilëve erdhën nga India si çirakë; zezakë, të cilët janë pasardhës të skllevërve afrikanë; indianë të Amerikës (aravakë, karibë, vapisianë dhe varrau); dhe ata që janë racë e përzier. Megjithëse në mbarë vendin flitet gjuha kreole, gjuha zyrtare është anglishtja, e kjo e bën Guajanën të vetmin vend anglishtfolës të Amerikës së Jugut.

Ujërat e së vërtetës arrijnë në Guajanë

Rreth vitit 1900, «uji» jetëdhënës që shuan etjen frymore të njerëzve, nisi të rrjedhë pak nga pak në Guajanë. (Gjoni 4:14) Një burrë me emrin Piter Johasen, i cili punonte në një kamp druvarësh pranë lumit Korantajn, mori një kopje të revistës Kulla e Rojës së Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit. Ai i foli për përmbajtjen e kësaj reviste një burri, zotit Elgin, i cili i shkroi Shoqatës Watch Tower për më shumë literaturë biblike, edhe për librin Plani hyjnor i epokave. Megjithëse Elgini nuk iu përmbajt të vërtetave që mësoi, ai u foli të tjerëve për to dhe u ngjalli interesin. Kjo çoi në formimin e një grupi të vogël në Amsterdamin e Ri, që ndodhet në grykëderdhjen e lumit Burbis.

Ndërkohë, në Xhorxhtaun, që është kryeqyteti i Guajanës, Eduard Filipsi mori literaturë që e kishin botuar Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. I etur që t’u fliste të tjerëve për gjërat që kishte mësuar, Filipsi mblodhi të afërm e miq në shtëpinë e tij për të bërë rregullisht biseda të lirshme rreth Biblës. Në vitin 1908 i shkroi Shoqatës Watch Tower për t’i kërkuar që të dërgonin një përfaqësues në Guajanë, e cila atëherë quhej Guajana Britanike. * Pas katër vjetësh mbërriti Ivander J. Kouardi, i cili mbajti fjalime biblike para qindra vetave të mbledhur në sallën e bashkisë së Xhorxhtaunit dhe të Amsterdamit të Ri.

I biri i Eduard Filipsit, Frederiku, sjell ndër mend vizitat e Ivander Kouardit. Ai shkruan: «S’kaloi shumë e vëlla Kouardi u bë figurë publike në Xhorxhtaun, dhe me anë të mesazhit që predikonte, të interesuarit filluan të bashkoheshin me grupin tonë të Studentëve të Biblës. Në ato kohë, diskutonim librat Plani hyjnor i epokave, Krijimi i ri dhe të tjerë. S’kaloi shumë dhe shtëpia jonë nuk nxinte më tërë ata veta, ndaj në vitin 1913 morëm me qira një dhomë në katin e dytë të vilës Somerset Hauz, në Xhorxhtaun. Ajo na shërbeu si vend për mbledhjet e kongregacionit deri në vitin 1958.» Më 1914, Eduard Filipsi e hapi përsëri shtëpinë e tij, por kësaj here për zyrën e parë të degës në Guajanë. Ai u bë mbikëqyrësi i zyrës dhe vazhdoi i tillë deri kur vdiq, në vitin 1924.

Në vitin 1916 iu dha nxitje veprës së predikimit, duke shfaqur «Fotodramën e Krijimit», një prodhim me diapozitiva dhe me filma. «Gjatë asaj kohe, gëzonim paqe dhe begati frymore,—shkruan Frederiku.—Madje, shtypi lokal nxori një seri fjalimesh të Çarls. T. Rasëllit, një Student i Biblës që merrte drejtimin.»

Në vitin 1917 atmosfera në Guajanë kishte ndryshuar. Vendin e kishte mbërthyer euforia e luftës, dhe një klerik i shquar vendës e nxiti publikun të lutej për britanikët dhe për aleatët e tyre. Në një letër drejtuar shtypit, Kouardi e shpjegonte këtë situatë me anë të profecive biblike. Gjithashtu, në sallën e bashkisë së Xhorxhtaunit, ai mbajti një fjalim të fuqishëm të titulluar «Rrëzimi i mureve të Babilonisë».

«Kleri ishte kaq i xhindosur,—thotë një raport i Kullës së Rojës, 1 tetor 1983,—saqë i bindën autoritetet për ta dëbuar nga vendi vëlla Kouardin dhe për të ndaluar disa prej botimeve tona, ndalim që zgjati deri në vitin 1922.» Gjithsesi, shumë njerëz e respektonin Kouardin se dëshmonte me guxim. Në fakt, kur iku, njerëzit ishin dyndur në skelë, dhe bërtitën fort: «Ai ishte i vetmi që predikonte të vërtetën.» Madje punëtorët e molit kërcënuan që do të bënin grevë për dëbimin e Kouardit, por vëllezërit i këshilluan të mos vepronin ashtu.

Pas Luftës I botërore, Studentët e Biblës përballuan një provë më tinëzare, e cila e pengoi për ca kohë përhapjen e së vërtetës të Mbretërisë. Një ish-vëlla, që kishte qenë anëtar i selisë qendrore në Bruklin, por ishte kthyer në apostat, vizitoi Guajanën disa herë me radhë, që t’i largonte nga organizata Studentët e atjeshëm të Biblës.

Kulla e Rojës e përmendur më sipër thotë: «Për ca kohë, Studentët e Biblës në vend u përçanë në tri grupe: një grup besnik ndaj organizatës; një grup kundërshtar; dhe një grup i tretë që nuk dinte nga t’ia mbante. Gjithsesi, Jehovai bekoi vetëm grupin besnik, dhe me kalimin e kohës ky grup lulëzoi.» Ndër ata që qëndruan besnikë ishin Malkolm Holli dhe Feliks Pauleti, të pagëzuar përkatësisht më 1915 dhe më 1916. Të dy mbetën shërbëtorë të zellshëm të Jehovait dhe jetuan më shumë se 90 vjet.

Për t’u dhënë vëllezërve besnikë më shumë inkurajim, në vitin 1922 shkoi në Guajanë Xhorxh Jangu nga selia qendrore, dhe ndenji atje rreth tre muaj. «Ai ishte punëtor i palodhur»,—ishin fjalët e Feliks Pauletit. Njohuria që kishte Jangu për Shkrimet, zëri i fuqishëm, gjestet e gjalla që i vinin natyrshëm dhe mjetet ndihmëse pamore që përdorte, i nxitën shumë veta ta shqyrtonin më me kujdes Fjalën e Perëndisë. Bazuar në raportin e Jangut, Kulla e Rojës e 1 janarit 1923 thoshte se «në atë pjesë të botës ka rritje të madhe të interesit për të vërtetën, një pjesëmarrje më të madhe në të gjitha mbledhjet publike, me ndërtesat plot e përplot me njerëz, e po kështu është shtuar edhe zelli e përkushtimi i vëllezërve». Në Somerset Hauz, për shembull, mesatarja e të pranishmëve në mbledhje ishte 110 veta, edhe pse në atë kohë kishte vetëm 25 lajmëtarë të Mbretërisë.

Në vitin 1923 vëllezërit po bënin një përpjekje për të shkuar te njerëzit më në thellësi të vendit. Shpesh, merrnin me vete vetëm shtretërit portativë dhe literaturë, me shpresën se njerëzit mikpritës do t’u jepnin diçka për të ngrënë. Kur dikush i ftonte në shtëpi, e kalonin natën atje. Përndryshe, i varnin shtretërit portativë në një degë peme dhe e kalonin natën atje, shpesh duke duruar morinë e mushkonjave. Të nesërmen në mëngjes, shqyrtonin një varg biblik nga Mana e përditshme qiellore, një libër i botuar nga organizata e Jehovait, pastaj merrnin rrugën përgjatë një shtegu ose e bënin rrugën me varkë deri në zonën tjetër të banuar.

Përpjekjet për të shkuar te njerëzit e zonave më të thella vazhduan deri kur filloi Lufta II Botërore, kur mungesa e benzinës i kufizoi udhëtimet. Ndërkohë, në vitin 1931, Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarë të Jehovait. Grupet e vogla të Studentëve të Biblës përgjatë vijës bregdetare e pranuan me entuziazëm emrin e ri dhe e treguan zellin e tyre duke shtuar shërbimin. Më vonë në vitet 30, lajmëtarët nisën të përdornin në shërbim gramafonët me fjalime biblike të incizuara. Frederik Filipsi, në atë kohë mbikëqyrës dege, shkruan: «Atëherë nuk kishte radio nëpër fshatra, dhe shenja e parë që tregonte se ne ndodheshim në një fshat, ishte tingulli i muzikës që dilte me forcë nga altoparlantët e përhapej nëpër ajrin e qetë tropikal. Pas muzikës vinin fjalimet e incizuara. Pothuajse të gjithë banorët e zonës turreshin përreth nesh, disa madje me pizhame.»

Edhe stacionet radiofonike ndihmuan për përhapjen e lajmit të mirë. Një stacion në Guajanë e transmetonte mesazhin e Mbretërisë çdo të diel e të mërkurë. Sigurisht, e gjithë kjo veprimtari nuk i shpëtoi vëmendjes së Satanait, i cili shfrytëzoi entuziazmin nacionalist të Luftës II Botërore për të penguar veprën.

Veprimtaria gjatë Luftës II Botërore e pas saj

Më 1941, gjatë Luftës II Botërore, në Guajanë kishte 52 lajmëtarë Mbretërie. Po atë vit u ndaluan revistat Kulla e Rojës dhe Ngushëllimi (tani Zgjohuni!). Në vitin 1944 ky ndalim përfshiu gjithë literaturën e botuar nga populli i Jehovait. «U ndaluan madje edhe kopje të Biblës së Shenjtë që nuk kishin asnjë pjesë shpjeguese nga Shoqata Watch Tower, por që thjesht ishin versione të botuara nga shoqëri të tjera biblike, domethënë u ndaluan vetëm për dëshmitarët e Jehovait»,—thotë një raport në Kullën e Rojës, 1 korrik 1946.

Në prill të vitit 1946, Nejthën Nori nga selia qendrore bëri një vizitë në Guajanë. E shoqëronte Uilliam Trejsi, që sapo ishte diplomuar nga Galaadi. Synimi i tyre ishte t’u jepnin zemër vëllezërve dhe t’i bënin thirrje qeverisë që të hiqte ndalimin. Gjatë një mbledhjeje në Xhorxhtaun, vëlla Nori u shpjegoi 180 vëllezërve e të interesuarve të pranishëm se dishepujt e hershëm të Jezuit nuk kishin Bibla e libra që t’i ndihmonin në shërbim. Prapëseprapë, Jehovai i bekoi me një rritje të jashtëzakonshme. Pse? Sepse ata e vazhduan predikimin. Ndaj, a nuk do të bënte Perëndia të njëjtën gjë me shërbëtorët e vet në ditët tona ndërkohë që ata e vazhdonin veprën? Patjetër që po!

Ndërkohë, vëllezërit vazhduan të kërkonin mënyra ligjore për të hequr ndalimin. Për shembull, më pak se një vit pasi përfundoi lufta, ata morën 31.370 firma për të mbushur një peticion ku protestohej për këtë ndalim që ishte vënë. Pastaj peticioni iu paraqit qeverisë. Përveç kësaj, që populli i Guajanës të ishte plotësisht i informuar, organizata e Jehovait botoi një fletëpalosje që i paraqiste faktet siç ishin në të vërtetë. Titulli thoshte: «BIBLA E SHENJTË NDALOHET NË GUAJANËN BRITANIKE—31.000 VETA FIRMOSIN PETICIONIN DREJTUAR QEVERISË që t’u rikthehet liria e adhurimit të gjithë banorëve të kolonisë, pavarësisht nga bindjet fetare.»

Gjithashtu, vëlla Nori u takua me sekretarin e përgjithshëm të kolonisë, U. L. Hip, për t’i kërkuar që të hiqej ndalimi. Në përfundim të intervistës 30-minutëshe, vëlla Nori i dha zotit Hip librin «E vërteta do t’ju lirojë» dhe i kërkoi që ta lexonte me kujdes. Zoti Hip i tha se do ta lexonte. Për më tepër, ai e informoi vëlla Norin se ndalimi që ishte vënë për literaturën sonë, në fakt po merrej në shqyrtim përsëri nga nëntë anëtarë të komiteti ekzekutiv tamam në kohën e takimit të tyre. E vërtet, kështu ishte, sepse në qershor të vitit 1946 qeveria nxori një deklaratë për heqjen e ndalimit.

Menjëherë pas kësaj, 130 kuti kartoni gjithë pluhur që përmbanin 11.798 libra e broshura iu shpërndanë vëllezërve. Të emocionuar që mund të shpërndanin sërish literaturë, lajmëtarët e Mbretërisë (që tashmë ishin 70), e shpërndanë të gjithë literaturën vetëm për dhjetë javë. Në gusht vëllezërit filluan të jepnin dëshmi rrugore, e patën rezultate të shkëlqyera. «Revistat u shpërndanë po aq shpejt sa ç’shiteshin edhe gazetat lokale»,—raporton dega.

Por edhe gjatë ndalimit, vëllezërit vazhduan të merrnin ushqimin e çmuar frymor, pjesërisht falë një vëllai që punonte në postën qendrore të Xhorxhtaunit. Ai shkruan: «E ndjeva si detyrim moral që të sigurohesha se kopjet e Kullës së Rojës mbërrinin në degë. Me ndihmën e motrave, kopjet e artikujt e studimit shumoheshin ose duke i daktilografuar, ose duke i shaptilografuar, e pastaj qarkullonin nëpër familje që të përdoreshin në mbledhjet e kongregacionit.»

Misionarët e rinj i japin shtysë veprës

Nëse një makinë po ecën shpejt dhe i ndërrojmë marshin, ka mundësi të ecë edhe më shpejt. Në Guajanë, një «ndërrim i marshit» për sa i përket veprës së predikimit ndodhi në mes të viteve 40 të shekullit të 20-të, kur shkuan atje misionarët e stërvitur në shkollën e Galaadit. Mes tyre ishte Uilliam Trejsi, i diplomuar në klasën e tretë, si edhe Xhon e Dejzi Hemaueji dhe Rutha e Elisa Mileri, të diplomuar në klasën e pestë. Këta Dëshmitarë të zellshëm u transmetuan vëllezërve vendës gjërat e mira që kishin mësuar në Galaad dhe lanë një shembull të shkëlqyer në territor.

Vëlla Trejsi ishte në merak për ata që jetonin në zonat e thella. «Hetova vendin,—shkroi ai,—duke bërë një sërë udhëtimesh lart e poshtë nëpër bregdet dhe nëpër lumenjtë, që të takoja njerëzit e interesuar, por që ishin të izoluar, e të gjeja të tjerë që mund të ishin të interesuar. Udhëtova me trenat që shkonin në bregdet, me autobusë, biçikletë, me avullore, me varka të vogla, e madje edhe me kaike.»

Misionarët ndihmuan edhe pionierët vendës të organizoheshin që ta predikonin territorin në mënyrë më sistematike dhe, po t’i lejonin rrethanat, të përpiqeshin që të shërbenin në territore të pashkelura. Duhet të mbajmë parasysh që në vitin 1946, Guajana kishte vetëm pesë kongregacione dhe maksimumi i lajmëtarëve ishte 91. Por asnjë vështirësi nuk është e pakapërcyeshme për ata që marrin fuqi nga fryma e Perëndisë.—Zak. 4:6.

Në fillim, shumë nga pionierët që predikonin bashkë me misionarët, ishin të moshuar. Por, edhe pse në moshë të thyer, ata treguan një frymë të shkëlqyer për predikimin. Mes tyre ishin: Isak Grejvzi, Xhorxh Hedli, Lesli Mejërsi, Roklif Polardi dhe Xhorxh Jirudi. Nga motrat ishin: Margaret Dukni, Ajvi Hindsi, Frensis Xhordani, Florens Tomi, Atalanta Uilliamsi dhe Prinses Uilliamsi (nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën). Të armatosur me libra, broshura e revista, ata e zgjeruan territorin e predikimit të tyre me mesazhin e Mbretërisë.

Ajvi Hindsi (tani Uajet) dhe Florens Tomi (tani Briset) u caktuan në qytetin e Bartikës buzë lumit Esekibo, afro 80 kilometra në brendësi të vendit. Qyteti shërben si portë për të hyrë në fushat me ar e diamant në brendësi të vendit. Atje banonte një vëlla i izoluar. Xhon Pontingu, që në atë kohë shërbente si mbikëqyrës dege dhe mbikëqyrës qarkor, shkruan: «Brenda dy muajve, në mbledhje po vinin 20 veta dhe në Përkujtim pati 50 të pranishëm.» Njëri nga ata që pranuan të vërtetën ishte Xherom Flejvisi, një i verbër. «S’kaloi shumë kohë dhe ai filloi të mbante vetë fjalime, pasi Ajvi Hindi ia kishte lexuar disa herë me radhë materialin më përpara»,—thotë Xhoni.

Megjithëse ishin afër të 70-ave, pionieret Ester Riçmondi dhe Frensis Xhordani, mësuan që të dyja të ngisnin biçikletën, për të bërë më shumë territor. «Margaret Dukni, e cila as që e mbante mend sa vjet kishte shërbyer si pioniere, ecte derisa lodhej kaq shumë, sa nganjëherë e gjenim duke fjetur në ndonjë stol në park,—thotë vëlla Pontingu.—Kurrë nuk do t’i harrojmë njerëz të tillë.»

Të nxitur nga shembulli i misionarëve dhe i pionierëve të tjerë, shumë të rinj filluan të futeshin në radhët e pionierëve. Si rezultat i gjithë kësaj veprimtarie, më shumë njerëz pranuan të vërtetën, dhe në pjesë të ndryshme të vendit u formuan grupe e kongregacione. Në vitin 1948, në Guajanë kishte 220 lajmëtarë. Më 1954-n kjo shifër kishte arritur në 434. Ndërkohë, grupi i vëllezërve nga periferia Kiti-Njutaun që mblidheshin në Somerset Hauz u rrit deri aty sa u arrit të formohej një kongregacion tjetër, i quajtur Njutaun, kongregacioni i dytë në kryeqytet. Sot në Xhorxhtaun ka nëntë kongregacione.

Karroca «me zë», motoçikleta e gomarë

Në fillim të viteve 50, nën drejtimin e zyrës së degës, vëllezërit mbajtën fjalime publike në sheshe të hapura në gjithë Xhorxhtaunin, zakonisht të shtunave në mbrëmje dhe të dielave pasdite. Përdornin një karrocë me sistem akustik që e kishin ndërtuar vetë. Ajo kishte një amplifikator të fuqishëm, dy altoparlantë të mëdhenj, vendin e oratorit dhe kabllo. Albert Smolli, i cili u pagëzua në vitin 1949, thotë: «Gjatë ditës, te vendi ku do të bëhej mbledhja vihej një tabelë. Në të lexohej: ‘Do të merrni përgjigje për pyetjet tuaja rreth Biblës’, e më poshtë shënohej orari i mbledhjes. Shumë veta i ndoqën ato fjalime, dhe disa prej tyre më vonë pranuan të vërtetën.»

Duke treguar potencialin për rritje të mëtejshme, Nejthën Nori dhe sekretari i tij, Milton Hensheli, mbajtën fjalime në kinema «Globi» në Xhorxhtaun, në fillim të vitit 1954. Xhon Potingu ishte i pranishëm në atë rast. Ai raporton: «Të 1.400 vendet e kinemasë u zunë, kurse 700 veta dëgjonin përjashta, me anë të altoparlantëve, derisa shiu i rrëmbyeshëm i detyroi shumë veta të nguceshin brenda. E kishim bërë njoftimin për programin me anë të një parade çiklistësh me pankarta. Pasi u errësua, e vazhduam njoftimin me një tabelë të ndriçuar, që e tërhiqte një gomar. E shoqëronte një vëlla, i cili bënte njoftimin me anë të një amplifikatori.»

Më shumë udhëtime në brendësi të vendit

Kur shërbente si mbikëqyrës dege, Uilliam Trejsi i nxiti vëllezërit të shkonin te njerëzit që banonin në zonat më të thella. Ai vetë vizitoi rajonet në lumenjtë Esekibo e Burbis dhe organizoi asamble qarkore në grupet e kongregacionet e vogla në ato zona. Asambletë zakonisht mbaheshin në kinema e shkolla shtetërore, madje shpeshherë kinematë ishin i vetmi vend me madhësinë e duhur për këtë rast. Në vitin 1949, në një asamble që u mbajt në kinemanë e Sadit, pranë grykëderdhjes së lumit Esekibo, njerëzve u la shumë mbresa fjalimi publik «Ferri, i përdorur për të frikësuar njerëzit». Disa filluan t’i quanin Dëshmitarët e Jehovait ‘kisha që s’pranon ferrin’.

Në vitin 1950, Uilliam Trejsin, që sapo ishte martuar, e ricaktuan në Shtetet e Bashkuara. Xhon Pontingu zuri vendin e tij si mbikëqyrës dege dhe mbikëqyrës udhëtues. Xhoni ndihmoi edhe për të predikuar një pjesë të territorit përgjatë lumenjve. Vëllezërit hipnin në avulloret që transportonin rregullisht mallra. Kur fshatarët në zonat përgjatë lumenjve lundronin me kaiket e veta për të marrë postën në këtë zyrë poste lëvizëse, vëllezërit u kërkonin që t’i nxirrnin në breg, me besimin se dikush do t’u jepte ushqim e do t’i strehonte. Ata dëshmonin në fshat dhe pastaj natën shijonin mikpritjen e njërës nga familjet e fshatit. Të nesërmen dikush i merrte me kaike dhe i çonte poshtë përgjatë lumit, që të dëshmonin në fshatin tjetër. Një pasdite, vizituan një punishte sharrash. Administratori e ndërpreu punën, i mblodhi burrat dhe u dha leje vëllezërve të mbanin një fjalim për 15 minuta. Që të gjithë burrat morën literaturë.

Tomas Markeviçi, i diplomuar në klasën e 19-të të Galaadit, u caktua në Guajanë në korrik të vitit 1952. Edhe ai kaloi nëpër territore të pashkelura. Tomasi thotë: «Ke një kënaqësi të veçantë kur i flet për mesazhin e Mbretërisë dikujt që nuk e ka dëgjuar kurrë më parë këtë mesazh. Mirëpo nganjëherë të ndodh të befasohesh jashtë mase, siç më ndodhi mua. Shkova Demerarë me avullore, dhe pastaj eca në thellësi të xhunglës, ku ndesha një kasolle të vockël. I zoti i kasolles më përshëndeti, më ftoi brenda, më tha të ulesha dhe dëgjoi ç’i thashë. Kur hodha sytë rreth e rrotull, u habita shumë se vura re që muret ishin plot me faqe nga revista Kulla e Rojës, të gjitha datonin në vitet 40. Me sa duket ai kishte dëgjuar më parë për mesazhin e Mbretërisë, ndoshta në ndonjë avullore, ose në Xhorxhtaun a në Makenzi.»

Misionari Donald Bulingeri ishte i pari që bëri udhëtimin e mundimshëm për t’i rënë rreth e qark ujëvarës Kajetur. Kur po u dëshmonte indianëve të Amerikës, ai takoi një zyrtar të lartë të qeverisë që punonte me indianët. Me kalimin e kohës, ky burrë ia kushtoi jetën Jehovait dhe u kujdes për grupin që u formua më vonë në atë vend. Disa lajmëtarë u transferuan për shkak të punës në zona të izoluara, si për shembull në vendet ku kishte miniera ari ose diamanti. Ndonëse ishin të izoluar, ata shpesh i gjeje duke predikuar nga kasollja në kasolle, nëpër kampe. Çfarë i ndihmoi të qëndronin të fortë frymësisht? Mbanin një program të mirë studimi e predikimi.

Shërbim ‘i kënaqshëm e plot emocione’

Misionarët Xhon e Dejzi Hemaueji shërbyen në Guajanë nga viti 1946 deri në 1961. Nganjëherë ata kalonin dy javë pushime në krahinën veriperëndimore, afër Venezuelës, ku kishte fise karibe, aravake dhe fise të tjera vendëse. Në një rast shpërndanë goxha literaturë në fisin aravak. Kjo nuk u pëlqeu murgeshave katolike që drejtonin shkollën në atë vend. Në fakt, murgeshat i pyetën fëmijët a kishin marrë literaturë prindërit e tyre. Kur prindërit morën vesh për këto pyetje, u zemëruan dhe i thanë priftit se e vendosnin vetë çfarë do të lexonin. Pa u shkurajuar nga kjo, gjatë shërbimit të së dielës, prifti dënoi broshurën A mund të jetoni përgjithmonë të lumtur në tokë?, që e kishin pranuar shumë njerëz. Por edhe kjo taktikë iu kthye kundër, sepse ditën që u nis çifti Hemauej, shumë fshatarë iu afruan atyre për të kërkuar një kopje të broshurës.

Për të shkuar në këtë rajon, që është gati 300 kilometra në brendësi të vendit, Xhoni dhe Dejzi udhëtuan me avullore, me tren e me kamion. Morën me vete gjërat që iu duheshin, si edhe literaturë e një biçikletë, që ishte jetësore për të udhëtuar në rrugët gjithë pluhur deri te shtigjet indiane. «Këto shtigje,—shpjegon Xhoni—të shpien në të gjitha anët, dhe njeriu duhet të vërë në punë kujtesën ose të këpusë ca degë pemësh në kryqëzimet e shtigjeve, nëse do që të jetë i sigurt se po kthehet prapë nga ajo udhë. Kur ndonjë kafshë e familjes së maceve të egra të del në mes të rrugës, zakonisht duhet të rrish pa lëvizur e t’i ulësh sytë përtokë. Pas njëfarë kohe kafsha ikën shtruar-shtruar në udhën e vet. Kurse majmunët kërcejnë lart në majat e drurëve, duke u çjerrë e duke protestuar ndaj vizitorëve të paftuar, ndërkohë që gjitarët përtacë varen poshtë dhe me përtaci i hedhin një sy atyre që po kalojnë. Aty-këtu në ndonjë copë pylli pa drurë, të zë syri tukanë ngjyra-ngjyra, që ushqehen me frutat e pemës së papajës.»

Pas 15 vjetësh shërbimi misionar në Guajanë, vëlla Hemaueji i përmblodhi ndjenjat e veta me këto fjalë: «Sa emocionuese! Dhe sa e kënaqshme! Të uleshe përtokë në një kasolle palmash dhe të flisje me indianët e Amerikës për Mbretërinë e Perëndisë, t’u mësoje një mënyrë të re jetese, të jep një kënaqësi që s’ka të krahasuar. Ata njerëz të thjeshtë që pamë t’u përgjigjeshin mësimeve të Biblës dhe t’ia kushtonin jetën Perëndisë, janë për ne një përvojë që do të mbetet e pashlyeshme në kujtesë.»

Pionierët vendës shkojnë në Galaad

Edhe disa pionierë vendës patën privilegjin të shkonin në Shkollën e Galaadit, dhe disa prej tyre u caktuan përsëri në Guajanë. Mes tyre ishin Florens Tomi (tani Briset), klasa e 21-të, viti 1953; Albert dhe Shila Smolli, klasa e 31-të, viti 1958; dhe Frederik Mak-Almani, klasa e 48-të, viti 1970.

Florens Briseti thotë: «Kisha shpresuar të më caktonin në vend të huaj, por në të vërtetë caktimi në Skeldon të Guajanës ishte një bekim nga Jehovai. Shumë shokë që kisha pasur në shkollë, mësues që kisha pasur, miq e të njohur, e pranuan ftesën për të studiuar Biblën ngaqë më njihnin. Ç’është e vërteta, disa më kërkuan vetë një studim. Mes tyre ishte Eduard Kingu, gruaja e të cilit tashmë po studionte me mua. Është interesante si ndodhi kjo. Prifti anglikan kishte marrë vesh se gruaja e Eduardit po studionte Biblën. Prandaj e thirri Eduardin dhe i kërkoi që ta ndalonte të shoqen. Mirëpo, në vend që t’i plotësonte kërkesën priftit, Eduardi filloi të studionte për vete.»

Pasi çifti Smoll u kthye nga Galaadi, Alberti shërbeu si anëtar i Komitetit të Degës dhe si mbikëqyrës qarkor për shumë vjet. Aktualisht ai dhe Shila, me gjithë problemet shëndetësore, vazhdojnë të shërbejnë si pionierë specialë në një kongregacion të atjeshëm, ku vëlla Smolli shërben edhe si plak. Sigurisht, jo të gjithë ata që shkuan në Galaad nga Guajana u caktuan përsëri në Guajanë. Për shembull, Lineta Pitersi, e diplomuar në klasën e 48-të të Galaadit, u caktua në Sierra-Leone. Ajo ende shërben me besnikëri në caktimin e saj në këtë vend të huaj.

Filmi ngjall interes

Një film që përdorej gjerësisht nga Dëshmitarët e Jehovait në vitet 50 të shekullit të 20-të, titullohej Shoqëria Bota e Re në veprim. Ky film përqendrohej te selia qendrore në Bruklin dhe te një kongres i madh që ishte mbajtur në vitin 1953 në stadiumin «Janki» të Nju-Jorkut. Filmi i ndihmoi të gjithë, si Dëshmitarët, edhe të tjerët, ta kuptonin më qartë organizatën e Jehovait dhe shtrirjen e saj. Pa dyshim, filmi pati një ndikim të madh te njerëzit që jetonin thellë në pyjet e shiut, shumë prej të cilëve nuk kishin parë kurrë ndonjë film.

Shpesh filmi shfaqej jashtë në një shesh të madh të rrethuar. Njerëzit ecnin për kilometra të tëra për ta parë. ‘Por si ia bënin vëllezërit që të shfaqnin një film në zonat ku nuk kishte elektricitet?’—do të pyesni ju. Alan Xhonstoni, i diplomuar i Galaadit që shkoi në Guajanë në vitin 1957 dhe shërbeu si mbikëqyrës qarkor, e shfaqi filmin shumë herë. Ai shkruan: «Kur nuk kishte fare korrent, përdornim gjeneratorët që na i jepnin hua me dashamirësi vendësit, të cilët i përdornin për të mbajtur dritat ndezur në dyqanet e veta natën. Një çarçaf i madh shtrihej midis dy pemëve dhe shërbente si ekran.»

Pas një shfaqjeje të tillë, Xhon dhe Dejzi Hemaueji i hipën avullores për t’u kthyer në shtëpi. Mjaft njerëz që ishin në bord, kishin dëgjuar për filmin dhe donin ta shikonin. Ndaj me miratimin e kapitenit, çifti Hemauej e sajoi ekranin në kuvertën e avullores dhe e vuri projektorin në një kabinë që kishte një dritare tamam në pozicionin e duhur. «Në bord kishte priftërinj anglikanë dhe katolikë,—thotë Xhoni.—Ndonëse nuk kishin pranuar ta shikonin filmin më parë, tani ishin atje në bord e nuk kishin ç’bënin, kështu që e panë filmin, ndonëse pa dëshirë. Ç’është e vërteta, shfaqjen e filmit e bëmë nga kabina e tyre. Pasagjerët më vonë i mbuluan priftërinjtë me pyetje që vetëm një Dëshmitar i Jehovait mund t’u përgjigjej.»

Duke komentuar për efektin që pati filmi, Xhon Pontingu shkruan: «Shfaqja e filmit gjatë atyre viteve ishte e efektshme, sidomos atje ku kishte pak Dëshmitarë e njerëzit nuk i përfillnin. Ata që ishin mosbesues, patën mundësi të shikonin një organizatë shumë të madhe me shumë raca që ishte shtrirë në mbarë botën, e kështu filluan të kishin më shumë respekt për ne. Kjo ishte një pikë kthese për mjaft njerëz që atëherë pranuan një studim biblik. Disa nga këta, më vonë u bënë pleq. Vetëm brenda dy javësh, një mbikëqyrës qarkor e shfaqi filmin 17 herë, kryesisht përjashta. Për ta parë filmin erdhën 5.000 veta.

Në një udhëtim tjetër, që përfshinte dy ditë në lumë me rrëmbesa e pastaj të kaloje përmes një shtegu në xhungël, një mbikëqyrës qarkor u shpërblye për përpjekjen e vet, kur shumë indianë të Amerikës u kënaqën me filmin—hera e parë që shikonin një film. Të nesërmen, shumë fshatarë pjesa më e madhe e të cilëve ishin presbiterianë, morën revistat tona. Si rezultat i kësaj vizite, qëndrimi i tërë fshatit kundrejt popullit të Jehovait u përmirësua ndjeshëm.»

Nga viti 1953 deri në 1966, Guajana përjetoi trazira politike e raciale. Vitet 1961 deri në 1964 ishin më të këqijat, dhe përfshinë rebelime, grabitje, vrasje dhe një grevë të përgjithshme. Transporti publik nuk funksiononte më dhe u përhap paniku gjithandej. Vëllezërit nuk patën përndjekje të drejtpërdrejtë, por disa vuajtën pasojat e kushteve që ekzistonin në atë kohë. Për shembull, dy vëllezër i rrahën, kurse dy të tjerë, njëri prej tyre Albert Smolli, i zunë ca plumba dhe iu desh të shkonin në spital për t’i hequr. Gjendja u bë kaq e rëndë, sa u desh të ndërhynin trupat ushtarake britanike.

Sa e përshtatshme ishte që, gjatë asaj kohe të stuhishme, filmi Shoqëria Bota e Re në veprim tregonte për një popull të përbërë nga të gjitha kombet, që ka paqe e unitet të vërtetë! Për më tepër, vëllezërit nuk lejuan që ndërprerja e transportit publik t’i pengonte që të mos shkonin në mbledhje ose të mos dilnin në shërbim. Thjesht ecnin ca më tepër se zakonisht ose përdornin biçikletat. Mbi të gjitha, ata shfaqën dashuri të vërtetë të krishterë për njëri-tjetrin. «Kujdeseshin për njëri-tjetrin e i ndanin gjërat me njëri-tjetrin»,—raportoi Albert Smolli.

Motrat janë në ballë të veprës

Edhe motrat e çuan mesazhin e Mbretërisë në vendet e thella. Për shembull, Ajvi Hindsi dhe Florens Tomi, u caktuan si pioniere speciale në Bartikë, në kufirin me xhunglën. Aty jetonte Mahadeo, një lajmëtar i izoluar, së bashku me të shoqen, Xhamelën. Si shumë vajza indiane në atë kohë, Xhamelën nuk e kishin çuar në shkollë, prandaj nuk dinte as të shkruante, as të lexonte. Prapëseprapë, donte ta lexonte vetë Biblën dhe të mësonte edhe dy djemtë e vegjël që kishin. «Me bekimin e Jehovait dhe me ndihmën time,—tha Florensa,—ajo shpejt mësoi të shkruante dhe të lexonte, si dhe mësoi t’u predikonte të tjerëve.»

Dy muaj pasi vajtën atje, Florensa dhe Ajvi ende nuk kishin gjetur një vend të përshtatshëm për të ndenjur. Kishin nevojë edhe për një vend ku të mbanin mbledhjet, meqë po drejtonin më shumë se dhjetë studime biblike. Gjendja u bë kritike kur morën njoftimin se do të vinte për vizitë mbikëqyrësi qarkor. Për më tepër, vizita ishte programuar po atë javë që punëtorët nga brendësia e vendit dhe një mizëri me prostituta nga Xhorxhtauni, do të vërshonin në Bartikë, e numri i popullsisë së qytetit do të trefishohej.

Por dora e Jehovait nuk është e shkurtër. Florensa kujton: «Ditën para se të vinte mbikëqyrësi qarkor, pasdite vonë, takuam një pronar tokash, i cili pranoi të na jepte me qira një shtëpi private të vogël me dy dhoma gjumi, në qendër të qytetit. Iu shtruam punës vendçe, duke gërryer e duke lyer muret, e pastaj duke shtruar me dyll dyshemenë. Vumë perde dhe futëm ca mobilie, e më në fund mbaruam në të gdhirë. Çfarë nate! Xhon Pontingu, mbikëqyrësi qarkor, s’e besonte dot historinë që i treguam. Natën e parë të vizitës së tij, në mbledhje kishte 22 të pranishëm, çka tregonte se së shpejti do të formohej kongregacioni i Bartikës.»

Përshkojnë lumenjtë me varkat «Shpallësja e Mbretërisë»

Vitet e para, për të shkuar te zonat e banuara përgjatë lumenjve, vëllezërit shfrytëzonin çdo lloj varke e kaikeje që gjenin. Më vonë, blenë disa varka, dhe i quajtën «Shpallësja e Mbretërisë I», «Shpallësja e Mbretërisë II», e kështu me radhë deri te «Shpallësja e Mbretërisë V». (Dy të parat tani kanë dalë jashtë përdorimit.)

Frederik Mak-Almani rrëfen: «Duke i dhënë varkës gjatë baticës, predikonim përgjatë bregut lindor të lumit Pomerun, deri sa arrinim në Hakni, 11 kilometra larg grykëderdhjes së lumit. Flinim një natë atje në shtëpinë e motër Di Kambrës, një mesogrua që shërbente në atë zonë. Të nesërmen herët vazhdonim udhën deri te grykëderdhja e lumit dhe pastaj kalonim në bregun perëndimor. Pastaj lundronim kundër rrymës për 34 kilometra, deri në Çariti.» Për pesë vjet vëllezërit udhëtuan nëpër lumin Pomerun duke vozitur, para se të blinin një motor të përdorur, me gjashtë kuaj-fuqi, për t’ia vënë varkës.

Zakonisht nuk kishte ndonjë rrezik të lundroje nëpër lumenj, por vëllezërit duhej të ishin të kujdesshëm, sepse kishte edhe mjete të tjera që lundronin. Veç kësaj, dy varkat e para «Shpallësja e Mbretërisë» ishin varka me rrema, dhe nuk ishin të shpejta. Frederiku thotë: «Rrugës për në shtëpi, pasi kisha predikuar në lumin Pomerun një të shtunë pasdite, një avullore e madhe për transport mallrash, që po ecte me shpejtësinë maksimale, u përplas me varkën time. Kapiteni dhe ekuipazhi nuk e kishin mendjen se ishin bërë tapë me rum. Fluturova nga «Shpallësja e Mbretërisë I» drejt e në lumë, poshtë anijes së tyre. U fundosa, duke luftuar nëpër terr me mish e me shpirt për të shpëtuar, dhe vazhdimisht më përplasej koka te fundi i anijes së tyre, vetëm pak centimetra larg helikës së fuqishme. Një djalë i ri që ndodhej në atë anije, e pa që po përpëlitesha, u zhyt në lumë dhe më shpëtoi. Për ca javë pata dhembje të vazhdueshme nga dëmtimet, por isha i kënaqur që isha gjallë.»

Kjo peripeci nuk e sprapsi Frederikun. «Isha i vendosur të vazhdoja predikimin,—shpjegon ai,—ngaqë përgjatë lumit njerëzit treguan interes për Biblën. Në Siriki, 11 kilometra larg Çaritisë, kishte një grup të Studimit të Librit të Kongregacionit, dhe ata vareshin nga unë.»

Një javë me mbikëqyrësin qarkor

Shërbimi si mbikëqyrës udhëtues në zonat fshatare në Guajanë, të vë në provë rezistencën. Përveçse duhet të udhëtojë nëpër lumenj, në rrugë të pashtruara dhe në shtigje përmes xhunglës, mbikëqyrësit qarkorë dhe gratë e tyre ndonjëherë duhet të ndeshen me mushkonjat e me insekte të tjera, me felinë të mëdhenj, me shira të rrëmbyera e madje, në disa zona, edhe me kusarët. Ata përballen edhe me rrezikun e malarjes, etheve të tifos ose të sëmundjeve të tjera tropikale.

Një mbikëqyrës udhëtues përshkruan vizitën e tij te disa lajmëtarë të izoluar përgjatë lumit Demerarë. Ai shkruan: «Pasi vizitova kongregacionin Makenzi, të hënën udhëtuam me motobarkë që të vizitoja vëllezërit në fshatin Jaruni (po aty përgjatë Demerarës), gati 40 kilometra larg Makenzit. Sa vajtëm atje, predikuam në të dyja anët e lumit, duke shkuar me rrugë ujore drejt Makenzit.

Njerëzit atje ishin shumë mikpritës dhe na dhanë fruta, e madje na ftuan të hanim me ta. Të premten lundruam nëpër lumë, që të hipnim në një avullore. Në Sousdajk zbritëm nga avullorja dhe hipëm në një kaike, e pastaj zbritëm në breg. Një vëlla na takoi dhe na kaloi përmes Demerarës në shtëpinë e vet, në fshatin Xhorxhia. Po atë mbrëmje mbajtëm një mbledhje me atë familje.

Ditën tjetër, të gjithë së bashku kaluam lumin Demerarë për në Sousdajk, predikuam territorin atje, si edhe zonat e banuara afër aeroportit «Timehri». Gjithashtu shkuam në kodrat me rërë, ku njerëzit ngarkonin kamionë me rërë për t’i çuar në Xhorxhtaun. Të shtunën në mbrëmje, mbajtëm një mbledhje tjetër me familjen në Xhorxhia. Ditën tjetër të gjithë e kaluam prapë lumin deri në Sousdajk, ku paradite dolëm në predikim dhe pasdite mbajta një fjalim publik në verandën e zyrës së postës. Kështu e mbyllëm atë javë.» Puna e palodhur e këtyre mbikëqyrësve qarkorë të devotshëm dhe e grave të tyre u shpërblye, sepse në Sousdajk tani ka një kongregacion të begatë. Vëllezërit kanë Sallën e tyre të Mbretërisë, që përfundoi së ndërtuari më 1997.

Mbikëqyrësve qarkorë u ndodhnin edhe peripeci. Një herë, duke udhëtuar me motoçikletë, Xherri dhe Delma Murrei arritën te një kanal, mbi të cilin kishte një urë të bërë me dërrasa të lidhura me njëra-tjetrën me litar. Delma priti në njërën anë ndërkohë që Xherri kalonte urën me motoçikletë. Por diçka ndodhi, sepse papritur Xherri, motoçikleta dhe valixhet fluturuan nga ura dhe u zhdukën në thellësitë e murrme poshtë. Delma ia dha ulërimës dhe fshatarët shkuan me vrap ta shpëtonin. Pas disa çastesh, ankthit ia zunë vendin të qeshurat kur, siç shkroi një vëlla, «ky burrë i bardhë i lerosur, doli në breg i mbuluar me leshterikë dhe me këpucët tërë baltë».

Indianët e Amerikës i përgjigjen lajmit të mirë

Në fillim të viteve 70, kur po predikonte në një pazar në Çariti, Frederik Mak-Almani i dha një revistë Kulla e Rojës dhe një Zgjohuni! një gruaje indiane me emrin Monika Ficalen. (Shih kutinë në faqen 176.) Monika, që jetonte në një rezervat indianësh të Amerikës, i mori revistat me vete në shtëpi. Kur u sëmur për ca kohë, i lexoi dhe njohu tingullin e së vërtetës. S’kaloi shumë dhe u bë predikuese e lajmit të mirë—e vetmja lajmëtare në atë rezervat—dhe u pagëzua në vitin 1974.

Monika kujton: «Iu futa me zell shërbimit shtëpi më shtëpi, e lumtur që mund t’u flisja njerëzve në komunitetin tim për njohurinë që sapo kisha gjetur. Mirëpo, për të shkuar në shtëpitë e tyre, më duhej të vozitja nëpër lumenj dhe përrenj. Meqë numri i të interesuarve po rritej, fillova të mbaja mbledhje me ta, ku lexonim e diskutonim materiale nga libri E vërteta që të çon në jetën e përhershme, që atëherë përdorej për të studiuar Biblën.»

A dha fryte kjo punë e palodhur e Monikës? Faktikisht po, sepse tani ajo është bashkë me 13 lajmëtarë të tjerë, mes të cilëve janë edhe i shoqi, i biri me gruan e tij dhe e mbesa. Deri para pak kohësh, grupi i vogël duhej të udhëtonte 12 orë me kaike deri në Çariti, kongregacioni më i afërt. Kurse tani i mbajnë mbledhjet në zonën e tyre dhe numri i të pranishmëve e kalon tre herë numrin e lajmëtarëve!

Ndërkaq, edhe kongregacioni i Çaritisë është rritur. Tani ka 50 lajmëtarë, shumë prej të cilëve udhëtojnë përgjatë Pomerunit për të shkuar në mbledhje. Në mbledhje ka mesatarisht më tepër se 60 të pranishëm dhe në Përkujtim për vitin 2004 kishte 301 të pranishëm. Kongregacioni i Çaritisë ka edhe një Sallë të re Mbretërie.

Rritje e jashtëzakonshme në Baramitë

Një zonë tjetër e Guajanës ku shumë banorë indigjenë i janë përgjigjur mesazhit të Mbretërisë, është Baramita. Baramita ndodhet në veriperëndim të vendit dhe në të banon një komunitet indianësh karibë. Karibët ishin ndër banorët e hershëm të rajonit të Karaibeve, i cili e ka marrë emrin nga ata. Edhe gjuha që flasin quhet gjuha karibe.

Rubi Smithi, nga fisi i karibëve, nisi të shfaqte interes për të vërtetën në vitin 1975, kur gjyshja e vet i dha një fletushkë. (Shih kutinë në faqen 181.) Në atë kohë Rubi ishte 16 vjeçe. Ajo përparoi frymësisht dhe u pagëzua më 1978, në kongresin «Besimi fitimtar». Pak kohë më pas, familja e saj u transferua në Xhorxhtaun për shkak të punës. Atje Rubi u martua me Eustas Smithin. Eustasi nuk e fliste gjuhën e karibëve, megjithatë ai dhe Rubi kishin dëshirë të transferoheshin në Baramitë që t’u flisnin për mesazhin të afërmve të Rubit dhe të tjerëve. Rubi thotë: «Jehovai e pa ç’kishim në zemër dhe iu përgjigj lutjeve tona, pasi në vitin 1992 shkuam në Baramitë.»

Ajo vazhdon: «Me të mbërritur, menjëherë fillova t’u predikoja banorëve të atjeshëm. I mbanim mbledhjet poshtë shtëpisë sonë të vogël, e cila ishte gati 1,5 metra mbi sipërfaqen e tokës. Pas pak, grumbulli i njerëzve u bë aq i madh sa nuk mund të strehoheshin në atë vend, ndaj morëm hua ca tenda. Ngaqë fjala për mbledhjet mori dhenë, pjesëmarrja u rrit, e me kalimin e kohës arriti në 300 veta. Meqë e flisja rrjedhshëm kariben, i binte që ta përktheja unë Kullën e Rojës. Si ia bënim që të dëgjonin të gjithë? Përdornim një mikrofon të lirë, valët e të cilit mund të transmetoheshin në frekuencën FM, ndërkohë që shumica e auditorit merrnin me vete radion dhe e thjesht e vinin në frekuencën e duhur.

Në atë kohë, Eustasi dhe unë kuptuam që grupi kishte vërtet nevojë për një Sallë Mbretërie. Prandaj, pasi llogaritëm shpenzimet dhe diskutuam për projektin me të tjerët, iu futëm punës. Im vëlla, Sesil Berdi, na ndihmoi duke dhuruar shumicën e materialeve të ndërtimit, kurse të tjerët ndihmuan duke punuar vetë. Puna filloi në qershor 1992, dhe projekti u përfundua në fillim të vitit tjetër, tamam për Përkujtimin. U mahnitëm kur 800 veta ishin të pranishëm në fjalim, që e mbajti Gordon Danielsi, një mbikëqyrës udhëtues.

Grupi i Baramitës u bë kongregacion më 1 prill 1996 dhe Salla e Mbretërisë u kushtua 25 maj. Që nga ajo kohë, salla është zgjeruar prapë, dhe tani mund të ulen rehat 500 veta, e kjo u jep vëllezërve mundësinë ta përdorin për asamble qarkore e asamble speciale njëditore. Në të vërtetë, ai që zuri fill si një grup i vogël, sot është një kongregacion me afro 100 lajmëtarë dhe mesatarisht ka 300 të pranishëm në Mbledhjen Publike. Dhe gati 1.416 ishin të pranishëm në Përkujtim.»

Një dasmë goxha e madhe!

Në krahinën e Baramitës kishte shumë çifte që kishin jetuar bashkë pa qenë të celebruar, por donin të regjistronin ligjërisht martesën e tyre, siç e kërkojnë normat e Biblës. Megjithatë, disa e kishin të vështirë të nxjerrin dokumentet e duhura, si për shembull certifikatat e lindjes. Prapëseprapë, pas shumë përpjekjesh dhe me ndihmën e vëllezërve për të saktësuar datën e lindjes dhe hollësi të tjera, këto çifte arritën të martoheshin.

Në një rast, u martuan në një ceremoni të vetme 79 çifte. Fjalimin e martesës e mbajti Ejdin Sillsi, anëtar i Komitetit të Degës. Pas tri ditësh, 41 veta, kryesisht nga këta të sapomartuar, shprehën dëshirën të bëheshin lajmëtarë të papagëzuar.

Kaq shumë veta në Baramitë kanë treguar interes për Fjalën e Perëndisë, saqë i tërë komuniteti ka pasur përmirësim të ndjeshëm. Në kushtimin e Sallës së Mbretërisë, njëri nga pleqtë tha: «Tani Baramita është një vend paqeje e qetësie. Ndodh kështu sepse nuk është e pazakontë që mbi 90 për qind e komunitetit të ndjekë mbledhjet rregullisht.»

Më 1995, në krahinën e Baramitës pati një thatësirë të tmerrshme. Si ia kaluan shërbëtorët e Jehovait? Xhiliana Persadi, një mësuese, po jepte mësim në shkollë në Baramitë në atë kohë. Kur dëgjoi që një aeroplan i vogël po ulej në aeroportin aty afër, ajo vrapoi me sa fuqi kishte, që të ndalte pilotin para se ai të ngrihej prapë. Ia mbushi mendjen ta çonte në Xhorxhtaun, ku shkoi drejt e te zyra e degës për të njoftuar për problemet që po hasnin vëllezërit.

Xhejms Tompsoni, anëtar i Komitetit të Degës në atë kohë, rrëfen: «Trupi Udhëheqës na dha lejë të çonim me aeroplan ushqime e furnizime të tjera në Baramitë. Arritën ta rregullonim edhe që 36 lajmëtarë të udhëtonin me avion për në Xhorxhtaun, që të ndiqnin kongresin krahinor. Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që shkonin në një kongres krahinor.»

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim

Që kur filloi Shkolla e Stërvitjes për Shërbim (SHSSH), në vitin 1987, shumë vende kanë nxjerrë dobi nga puna e pleqve dhe e shërbëtorëve ndihmës beqarë, që kanë ndjekur këtë shkollë. Guajana nuk bën përjashtim nga kjo. Pasi kanë ndjekur shkollën, që u mbajt në Trinidadin aty afër, shumë vëllezër vendës kanë pasur mundësi ta mbështetin më shumë veprën e Mbretërisë në Guajanë. Disa tani po shërbejnë si pionierë të rregullt, specialë dhe pleq kongregacionesh. Ata që u kthyen në kongregacionin nga vinin, po bëjnë shumë për t’u kujdesur për delet e Jehovait.

Disa të diplomuar në SHSSH kanë pasur mundësi të marrin përgjegjësi të mëtejshme. Për shembull, Flojd dhe Lauani Danielsi, vëllezër gjaku, u caktuan si pionierë specialë në kongregacione ku ka nevojë urgjente për pleq. Dejvid Persadit iu dha privilegji të shërbente si mbikëqyrës qarkor. Studenti tjetër, Edsel Hejzëli, u caktua në Komitetin e Degës së Guajanës. Një mbikëqyrës qarkor tha për disa që kanë ndjekur shkollën: «I kam parë të tërë këta individë të rriten frymësisht, sidomos pasi morën pjesë në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim.»

Shërbejnë ku ka më shumë nevojë

Në gjysmën e dytë të viteve 70, Bregu i Atlantikut në perëndim të lumit Esekibo kishte afro 30.000 banorë dhe vetëm 30 lajmëtarë. Prandaj, herë pas here, dega caktonte pionierë specialë që të predikonin disa pjesë të atij territori për një muaj. Vëllai përgjegjës i një grupi që shkoi për të predikuar, tha: «Vëllezërit arritën ta përfundonin territorin, lanë 1.835 libra dhe bënë shumë rivizita e filluan mjaft studime biblike.»

Një vëlla tjetër raportoi: «Vozitëm për dy orë me varkën e vogël ku ishim e përshkuam 27 kilometra. Nganjëherë, duhej ta tërhiqnim ose ta shtynim varkën përmes baltës që arrinte deri në gju, por përpjekjet tona u shpërblyen, sepse të zotët e shtëpive ishin mikpritës. Njëri prej tyre, një mësues muzike, kishte përdorur librin tonë të këngëve për të dhënë mësime muzike. ‘Më pëlqen shumë si është orkestruar kjo muzikë’,—tha ai. Pastaj luajti dy këngë për ne dhe pranoi gjashtë libra.»

Vëllezër të tjerë e motra të tjera u treguan të gatshëm të ndihmonin në zona ku kishte më shumë nevojë. Një shembull janë Sherlok dhe Xhulieta Pahalani. Sherloku shkruan: «Në vitin 1970, bashkë me Xhulietën na ftuan të ndihmonin kongregacionin Ekëlz, që ndodhej 13 kilometra në jug të Xhorxhtaunit, përgjatë lumit Demerarë. Në kongregacion kishte probleme, dhe u desh të përjashtoheshin disa individë. Kjo bëri që kongregacioni të mbetej me afro 12 lajmëtarë aktivë, bashkë me fëmijët e tyre të papagëzuar. Për njëfarë kohe, isha i vetmi plak në atë kongregacion. Përveç kësaj, kongregacioni kujdesej për një grup të vogël në Mokë, një fshat i izoluar. Të hënën në mbrëmje drejtoja Studimin e Librit të Kongregacionit në Mokë, pastaj një tjetër në Ekëlz.

Gjithashtu, duhej të drejtoja Studimin e Kullës së Rojës. Në atë kohë procedura ishte që bëhej pyetja, jepeshin përgjigjet për çdo paragraf, e pastaj lexohej paragrafi. Por, ngaqë revistat rrallëherë na mjaftonin për të gjithë, në fillim lexonim çdo paragraf dhe pastaj bënim pyetjen. Merrnim qirinj në mbledhje, ngaqë iknin shpesh dritat; gjatë stinës së shirave, na duhej të duronim mizërinë e mushkonjave. Asokohe, pjesa më e madhe e vëllezërve vinin në mbledhje ose shkonin në territor në këmbë ose me biçikletë. Kështu vinin në Ekëlz edhe lajmëtarët nga Moka. Pas mbledhjeve, futja sa më shumë veta të mundesha në makinën time të vogël dhe i çoja në shtëpinë e tyre në Mokë.»

A ia vlejtën gjithë këto përpjekje? Në kujtimet e tij për ato vite, vëlla Pahalani shkruan: «Kur ishim në Ekëlz, unë dhe gruaja studiuam Biblën me shumë njerëz, mjaft prej të cilëve, bashkë me familjet, janë ende në të vërtetën. Dhe disa nga burrat tani po shërbejnë si pleq kongregacionesh. Asgjë nuk mund të krahasohet me këto bekime!»

Shërbejnë në «një parajsë për pionierët»

Këto vitet e fundit, afërsisht 50 vëllezër dhe motra—kryesisht pionierë—nga Britania, Franca Irlanda, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shkuar në Vendin e Ujërave për të bërë edhe ata ftesën: «Eja! . . . Kushdo që dëshiron të marrë falas ujin e jetës.» (Zbul. 22:17) Disa kanë qëndruar për disa muaj, kurse të tjerë për vite të tëra. Kur iu mbarohen të ardhurat, shumë prej tyre kthehen në vendin e vet, punojnë ca kohë atje, dhe pastaj shkojnë prapë në Guajanë. Shumë prej tyre e quajnë një bekim që kanë shërbyer në Guajanë. Ata çmojnë veçanërisht faktin që kanë pasur mundësi të flasin për gjëra fetare me njerëz që, në përgjithësi, kanë konsideratë të lartë për Biblën. Madje edhe shumë njerëz që nuk e mbajnë veten për të krishterë, kanë qejf të flasin me Dëshmitarët e Jehovait. Gjithashtu, nganjëherë i zoti i shtëpisë i mban vëllezërit edhe për drekë a për darkë. «Ndaj nuk e teprojmë aspak kur e quajmë Guajanën ‘një parajsë për pionierët’»,—thotë Rikardo Hajndsi, që tani është koordinatori i Komitetit të Degës.

Arlina Hejzëli, e cila tani shërben në degë bashkë me të shoqin, Edselin, kujton disa nga përvojat e tyre në zonat fshatare të Guajanës: «Në vitin 1997, pasi folëm me degën, morëm një caktim për të shërbyer në Letem, një qytet thellë brenda vendit, afër kufirit me Brazilin. Shërbyem atje me një çift kanadez, Robert e Xhoana Uelçin, si edhe me një motër amerikane, Sara Dianin, e cila kishte mbërritur në Letem para disa muajsh. Në atë kohë, në territor jetonte një vëlla i pagëzuar, Riçart Açi. Dega na dha një listë me gati 20 veta që kishin studiuar në të kaluarën, por pamë që shumica nuk ishin vërtet të interesuar. Megjithatë, dy prej tyre donin të bëheshin lajmëtarë të papagëzuar.

Mbledhjen e parë e mbajtëm poshtë një peme mangoje, dhe kishte 12 të pranishëm, mes tyre edhe ne, 6 pionierët. Pak muaj më vonë, 60 veta ishin të pranishëm herën e parë që mbajtëm Përkujtimin. Ndërkaq, grupi ynë me pionierë ishte pakësuar dhe kishim mbetur vetëm tre. Prapëseprapë, mendoni që po përpiqeshim të kujdeseshim për 40 studime biblike! Kur erdhi mbikëqyrësi qarkor, na këshilloi ta ndërpritnim studimin me ata që nuk vinin në mbledhje. Kjo këshillë ishte me vend, pasi studimet që mbajtëm bënë përparim të shkëlqyer.»

Dhe vërtet, katër vjet më vonë, Letemi u bë kongregacion me 14 lajmëtarë. Në asamblenë speciale njëditore në Letem, pjesëmarrja arrin deri në 100 veta. Kjo provë e qartë se si i bekon Jehovait përpjekjet e shërbëtorëve të vet, i kompenson më së miri të gjitha vështirësitë që mund të durojnë.

Salla me qira dhe «poshtë shtëpive»

Që kur filloi vepra në Guajanë, ka qenë gjithnjë e vështirë të gjeje vende të përshtatshme për t’u mbledhur për të adhuruar. Në vitin 1913, ata pak vëllezër që ishin në Xhorxhtaun, morën me qira një dhomë në vilën Somerset Hauz, e cila u bëri punë për 45 vjet. Nga viti 1970, vetëm dy kongregacione kishin një Sallë Mbretërie të tyren: kongregacioni Çarlstaun në Xhorxhtaun dhe kongregacioni Palmira në Burbis. Mirëpo, tre vjet më parë, Guajana e kaloi shifrën 1.000 lajmëtarë. Pra, pjesa më e madhe e kongregacioneve mblidheshin në ndërtesa që i merrnin me qira, të cilat shpeshherë linin shumë për të dëshiruar.

Për shembull, gjysmën e dytë të viteve 50, kongregacioni i Uismarit, që ndodhet në pellgun e lumit Demerarë, u rrit aq shumë, sa vëllezërit duhej të gjenin një vend të përshtatshëm. U dhanë një vend që quhej Ajlënder Holl. Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit e bënin në mesjavë, kurse të dielave në mbrëmje bënin Mbledhjen Publike dhe Studimin e Kullës së Rojës. Por të bëje gati vendin për mbledhjet, kërkonte mjeshtëri të vërtetë në organizimin dhe transportimin e gjërave. Pikësëpari, vëllezërit kalonin me një varkë të vogël lumin Demerarë, nga Makenzi në Uismar. Një vëlla merrte një kuti me revista, një tjetër merrte një kuti me literaturë, dhe një vëlla tjetër merrte kutitë me formularë dhe kutinë e kontributeve. Sigurisht, të gjitha këto duheshin vënë nëpër vende para se të fillonte mbledhja. Pas mbledhjes, puna fillonte prapë nga e para, por tani për t’u kthyer në shtëpi.

Gjithashtu mbledhjet mbaheshin në hapësira poshtë shtëpive. Në Guajanë, ngaqë mund të ndodhin përmbytje, shtëpitë në përgjithësi ngrihen lart nga toka me anë të kolonave prej druri ose prej betoni. Ky model krijon një hapësirë që mund të shfrytëzohet për gjëra të ndryshme, si për shembull për mbledhjet e kongregacionit. Gjithsesi, në Guajanë shumë njerëz kanë bindjen se, nëse një fe nuk ka aq të ardhura sa të gjejë një vend të përshtatshëm për mbledhjet, atëherë kjo do të thotë që nuk ka bekimin e Perëndisë.

Për më tepër, mbledhjet nëpër këto hapësira poshtë shtëpive disa herë ndërpriteshin, e kjo e pakësonte dinjitetin e rastit. Një herë, një pulë, e trembur nga një qen, fluturoi në vendin ku bëhej mbledhja dhe iu ul në prehër një vajze gjashtëvjeçare. Ajo ia dha një piskame rrëqethëse, që i bëri të gjithë të hidheshin përpjetë nga tmerri. Pas mbledhjes, kjo ndodhi i bëri që të qeshnin paksa, por tregoi dhe një herë tjetër se sa nevojë kishte për një vend më të mirë për adhurim. Përveç kësaj, mbledhjet në një Sallë Mbretërie në këto vende nuk i nxitnin dhe aq të interesuarit që të vinin në to.

Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë

«Gjatë 32 viteve që kam qenë në kongregacionin e Çaritisë,—kujton Frederik Mak-Almani,—morëm me qira pesë hapësira të tilla poshtë shtëpive. Ngaqë ndodheshim në pjesën më të ulët të shtëpisë, duhej të bënim kujdes që të mos i binim me kokë trarëve të tavanit. Një motër që e kishte fëmijën në krahë, nuk e mati mirë lartësinë e një trari dhe fëmijës iu përplas koka në të. Më vonë ia tregoi këtë të atit, që ishte një jobesimtar. Prindërit e saj menduan që kongregacioni duhej të kishte vendin e vet për adhurim. Në fakt, e ëma i dhuroi kongregacionit një ngastër toke, dhe i ati tha se ai do të financonte për ndërtimin e një Salle Mbretërie. Ndodhi tamam ashtu. Sot, kjo Sallë Mbretërie fillestare, pasi i është ndryshuar modeli disa herë, ende është qendra e adhurimit të vërtetë në atë zonë. Gjithashtu shërben si një Sallë e vogël Asamblesh për qarkun.»

Në fillim, duheshin shumë muaj që të përfundonin Sallat e Mbretërisë. Kështu ndodhi me sallën në Ekëlz. Sherlok Pahalani, i cili në atë kohë shërbente si plak në Ekëlz, rrëfen: «Mbledhjet i mbanim në një shkollë. E dinim që do të kishte më tepër rritje, po të kishim Sallën tonë të Mbretërisë. Mirëpo ata pak lajmëtarë që kishte Ekëlzi, ishin të varfër. Prapëseprapë, ata miratuan një rezolutë për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Kërkova një truall të përshtatshëm brenda territorit, por më kot.

Ndërkohë, vëllezërit në Xhorxhtaun na dhanë hua dy kallëpe për blloqe betoni dhe na mësuan si t’i bënim këto blloqe. Në fillim, na u deshën disa orë për të bërë vetëm 12 blloqe, mirëpo me praktikë u bëmë shumë të aftë, sidomos motrat. Një tjetër vështirësi ishte të merrnim çimento, ngaqë në atë kohë jepej me racion. Më duhej të bëja një kërkesë për të marrë lejë për një sasi të kufizuar. Pastaj, që të siguroheshim se do ta merrnin pjesën që na takonte, shkoja te moli herët në mëngjes dhe rrija në radhë. Pastaj duhej të gjeja një kamion që të shkonte në Ekëlz dhe të kishte mjaft vend sa për të mbajtur çimenton. Jehovai na erdhi në ndihmë çdo herë. Por ende kishim nevojë për tokën ku të ndërtonim.»

Sherloku vazhdon: «Në vitin 1972, shkuam bashkë me Xhulietën me pushime në Kanada dhe vizituam kushëririn tim, i cili nuk është Dëshmitar. Ai zuri me gojë që kishte dy ngastra toke në Ekëlz, mirëpo të afërmit e tij që kujdeseshin për to nuk po e mbanin mirë tokën. Prandaj më kërkoi ta ndihmoja. I thashë se do ta ndihmoja me gjithë qejf, dhe shtova se isha duke kërkuar tokë në Ekëlz për një Sallë Mbretërie. Pa ngurruar, më tha të zgjidhja njërën nga dy ngastrat.

Edhe gjatë ndërtimit, e ndiem përkrahjen e Perëndisë. Meqë edhe shumë materiale të tjera ndërtimi përveç çimentos, ishin me pakicë, përdorëm të tjera në vend të tyre, sajuam ndonjë gjë aty për aty, dhe në njëfarë mënyre ia dolëm gjithnjë ta mbaronim punën. Për më tepër, vetëm disa vëllezër kishin aftësitë e nevojshme, dhe na u desh goxha programim për t’i çuar vullnetarët në kantier. Në të vërtetë, kamioni im i vogël bëri me qindra kilometra duke shpënë vëllezërit lart e poshtë. Më në fund, Salla e Mbretërisë u mbarua. Madje na erdhi një anëtar i Trupit Udhëheqës, Karl Klajni, për të mbajtur fjalimin e kushtimit. Sa surprizë e këndshme ishte kjo!»

Salla Mbretërie të ndërtuara shpejt

Deri vonë, në vitin 1995, më shumë se gjysma e kongregacioneve në Guajanë ende mblidheshin në ndërtesa të marra me qira, ku përfshiheshin edhe ato hapësirat poshtë shtëpive. Prandaj, dega organizoi një komitet ndërtimi në rang kombëtar, për të plotësuar këtë nevojë. Në tetor të atij viti, vëllezërit ndërtuan Sallën e parë të Mbretërisë me metodën e shpejtë. Kjo ndodhej në Mahaikoni, afro 50 kilometra në lindje të Xhorxhtaunit, pranë lumit Mahaikoni. Kur i thanë se Dëshmitarët e Jehovait po ndërtonin një Sallë Mbretërie vetëm në katër fundjavë, një fqinj tha: «Po ta keni fjalën për një kotec pulash, mirë, por një ndërtesë betoni, kurrë nuk kanë për ta bërë.» S’ka nevojë të themi që ai burrë ndryshoi mendim shumë shpejt.

Në një vend ku disa herë marrëdhëniet ndërmjet racave tensionohen, projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë u kanë treguar të gjithëve se Dëshmitarët e Jehovait punojnë së bashku si të krishterë të vërtetë, pavarësisht nga raca ose kombësia. Pikërisht, një grua e moshuar, e cila po vëzhgonte projektin e ndërtimit në Mahaikoni, i tha një mbikëqyrësi qarkor: «Vura re se atje kishte njerëz nga gjashtë raca, që po punonin së bashku.»

Ndërtimi i degës

Në vitin 1914, kur u hap e para zyrë dege për Guajanën, ndodhej në shtëpinë e vëlla Filipsit, që u përdor si e tillë deri në vitin 1946. Në atë vit pati 91 lajmëtarë. Deri në vitin 1959 numri i lajmëtarëve ishte rritur deri në 685, dhe vepra vazhdonte të zgjerohej. Prandaj, në qershor të vitit 1960, vëllezërit morën një pronë, në rrugën «Brikdam 50», Xhorxhtaun. Me ca modifikime të vogla, ndërtesa ekzistuese shërbeu edhe si zyrë dege, edhe si shtëpi misionare. Mirëpo, aty nga viti 1986, edhe ky kompleks nuk ishte më i përshtatshëm. Prandaj, me miratimin e Trupit Udhëheqës, u ndërtua një zyrë dege e re në po atë truall. Shërbëtorët ndërkombëtarë bashkë me ndihmën e vëllezërve vendës e përfunduan punën në vitin 1987.

Ashtu si në kohët e lashta kur bijat e Shalumit ndihmuan të atin që të rindërtonte një pjesë të mureve të Jerusalemit, motrat dhanë ndihmën e tyre të vyer për projektin e degës. (Neh. 3:12) Për shembull, 120 motra, të ndara në dhjetë skuadra, bënë 12.000 blloqet e betonit që nevojiteshin për projektin. Ato përdorën 16 kallëpe, dhe e mbaruan punën në 55 ditë. Por të mos harrojmë që s’ishte aspak një punë e lehtë. Përzierja e betonit duhej të ishte në përmasat e duhura: të kishte sasinë e duhur të ujit që çimentoja të ngrinte siç duhej, por të mos ishte aq e ujshme, sa blloqet të thyheshin kur hiqeshin nga kallëpi.

Vëllezërit vendës bënë edhe rojë natën, duke ardhur shpesh direkt nga puna e tyre drejt e në kantier. Të tjerë që punonin bashkë me shërbëtorët ndërkombëtarë, mësuan prej tyre aftësi të vlefshme. Një nga këta vëllezër me moshë të re, Harinarajn (Indal) Persadi, sjell ndër mend: «Puna ime ishte të vendosja kallëpe dekorative në parvazet e dritareve, një gjë që s’e kisha bërë kurrë më parë. U mundova me të, derisa ia mora dorën mirë. Pasi e kontrolloi, mbikëqyrësi, i kënaqur nga puna ime, më tha: ‘Tani, kështu ke për të bërë tërë degën!’» Sot, ky vëlla i ri u mëson të tjerëve mjeshtërinë e vet gjatë projekteve të ndërtimit të Sallës së Mbretërisë.

Meqë vëllezërit duhej të importonin disa materiale, kishin nevojë për bashkëpunimin e autoriteve shtetërore. Si rrjedhim, shumë funksionarë bënë vizita në kantier, përfshirë presidentin Forbz L. Bërnem, bashkë me shoqëruesit e tij. Të gjithëve u la mbresa puna e bërë me mjeshtëri, e po kështu i la mbresa edhe një zdrukthëtari vendës. «Ju po bëni punë mjeshtërore në ndërtesën tuaj»,—tha ai. Më 14 janar 1988, fjalimin e kushtimit mbajti Don Adamsi, një përfaqësues nga Bruklini që shërbente si mbikëqyrës zone.

Më 12 shkurt 2001, u hapën edhe një herë themele për të ndërtuar, por kësaj radhe në një truall të ri. Përsëri, shërbëtorët ndërkombëtarë, të ndihmuar nga vëllezërit vendës, punuan për projektin. Dega e re u kushtua më 15 shkurt 2003, një ditë të shtunë. Riçard Kelsi nga dega e Gjermanisë mbajti fjalimin e kushtimit para 332 të pranishmëve.

Shumë nga misionarët e hershëm u kthyen në Guajanë për programin e kushtimit, e për disa ishte hera e parë që ktheheshin pas dekadash të tëra. Pastaj, të dielën, 4.752 veta nga 12 vende—më tepër se dyfishi i numrit të lajmëtarëve në Guajanë—ishin të pranishëm në një mbledhje speciale.

Për asambletë duhet fantazi

Për asambletë qarkore dhe speciale, vëllezërit shpesh marrin ndërtesa me qira. Kurse në zonat fshatare mund edhe të sajojnë vetë ndonjë vend për t’u mbledhur. Tomas Markeviçi, i cili shërbeu në Guajanë nga viti 1952 deri në 1956, thotë: «Asambleja jonë u mbajt 60 kilometra larg Xhorxhtaunit, buzë lumit Demerarë. Gati dyqind Dëshmitarë nga qyteti donin të vinin për këtë asamble, që të përkrahnin vëllezërit vendës. Prandaj vendosëm të ndërtonim një Sallë Asambleje të përkohshme, duke përdorur materiale të vendit—dru bambuje për trarët mbështetës e për stolat, kurse për çatinë përdorëm gjethe bananesh.

I mblodhëm materialet, i ngarkuam në një vagon mallrash të vogël dhe e shtymë tatëpjetë një shpati. Po, si për inat, vagoni na u shkëput nga duart në një kthesë, u anua dhe gjithë ngarkesa u plandos në lumë. Mirëpo, në fund e gjithë kjo doli për të mirën tonë, sepse lumi e nxori ngarkesën pikërisht në kantierin tonë! Kur filloi asambleja, vëllezërit që kishin ardhur si vizitorë u drithëruan kur panë se qindra banorë të fshatrave kishin ardhur për të ndjekur bashkë me ta programin treditor.»

Tomasi shton: «Pas asamblesë, të gjithë predikuam nga një territor të pacaktuar aty afër. Në një fshat, mbajtëm një fjalim publik, ku erdhi i gjithë fshati, madje dikush kishte marrë edhe një majmun. Ky ndenji urtë një copë herë, pastaj vendosi t’i shihte gjërat nga një pikë tjetër strategjike. Ndaj bëri nja dy kërcime e rrotullime dhe erdhi e u ul mbi kurrizin tim. Ndenji ca momente ashtu, duke parë përreth, por më pas, me një kërcim, u kthye tek i zoti, ku ndenji deri në fund të fjalimit, gjë që më lehtësoi shumë.»

Kongreset

Në fillim të shekullit të kaluar, grumbullimet e mëdha zakonisht mbaheshin kur kishte ndonjë vizitë nga përfaqësuesit e posaçëm të selisë qendrore, siç ishin vëllezërit Kouard dhe Jang. Më 1954, Nejthën Nori dhe Milton Hensheli shkuan në Guajanë për Kongresin «Shoqëria e Botës së Re», ku pati 2.737 të pranishëm.

Disa dhjetëvjeçarë më pas, në vitin 1999, mbi 7.100 delegatë ishin të pranishëm në dy kongrese në Guajanë. Njëri u mbajt në Xhorxhtaun dhe tjetri në Burbis. Në kongresin e Xhorxhtaunit pati nevojë për ca ndryshime rrënjësore në minutën e fundit, e kjo ishte vërtet një sprovë për vëllezërit. Zyra e degës shkruan: «Nga India erdhi një aktore e famshme, bashkë me trupën e vet të kërcimit, dhe Komisioni i Parkut Kombëtar mendoi që s’mund ta shtynin shfaqjen, megjithëse ne e kishim marrë me qira të parët vendin.»

«Menjëherë kërkuam dhe gjetëm një vend tjetër, fushën e kriketit, dhe i njoftuam pa vonesë kongregacionet. Na ndanin vetëm tetë ditë nga kongresi. Por ngatërresat nuk mbaruan me kaq. Në ishujt Karaibe, kriketi vlerësohet shumë, dhe fusha e kriketit mbahet gati-gati si e shenjtë. Ndaj mendimi që ne do të shkelnim mbi bar iu duk i tmerrshëm punonjësve të administratës. Por, si t’ia bënim për të shfaqur dramën?! E ku ta vinim podiumin?

Prapëseprapë, i vazhduam përgatitjet, të sigurt se Jehovai do të na gjente rrugëdaljen. Dhe ashtu bëri vërtet! Na dhanë lejë të përdornim pjesën me bar, me kusht që ta ngrinim në njëfarë niveli nga toka podiumin dhe vendin ku do ecnim. Që të mbaronte kjo punë, të gjithë punuan me ritëm të shpejtë tërë natën. Por as moti nuk donte të na ndihmonte, se atë natë ra shi pothuajse gjithë kohës. Pavarësisht nga këto probleme, programi filloi tamam në kohë.

Kongresi eci mirë dhe koha mbajti deri ditën e fundit, të dielën. Atë ditë, u zgjuam nga zhurma e shiut. Nuk kaloi shumë dhe fusha e kriketit u mbulua nga uji, që arriti 5 centimetra poshtë vendit ku ecnim dhe podiumit. Shiu pushoi tamam kur po niste programi. Mirë që kabllot elektrikë nuk ishin shtrirë përtokë, por i kishim ngjitur poshtë dërrasave. Kështu që na doli vërtet për mirë ajo që në fillim na u duk si bela, pra që e ngritëm nga toka podiumin dhe rrugën ku ecnim.»

Kur filloi drama, që të 6.088 të pranishmit e shijuan atë në diellin që shkëlqente. Dy javë më vonë, 1.038 veta ndoqën një kongres tjetër, që u mbajt në Burbis. Gjithsej, në të dyja kongreset, pati 7.126 të pranishëm, numri më i madh i regjistruar deri atëherë në Guajanë. Tani së fundi, pjesëmarrja ka shkuar në afro 10.000 veta.

E ardhmja është shumë premtuese

Në profecinë e tij, Ezekieli pa tempullin e rivendosur dhe të lartësuar të Jehovait. Prej këtij tempulli dilte një rrëke uji, që zgjerohej e thellohej derisa bëhej një ‘përrua me vëllim të dyfishuar’, që i sillte jetë edhe Detit të Vdekur, një rajon i kripur e i pajetë.—Ezek. 47:1-12, BR.

Ndërkohë që adhurimi i pastër ka përparuar që nga viti 1919, populli i Perëndisë ka parë të përmbushet kjo profeci. Në ditët tona, një lumë i vërtetë me furnizime frymore—Bibla, mjete ndihmëse për studimin e Biblës, mbledhje, asamble, kongrese,—po shuan etjen frymore të miliona njerëzve anekënd botës.

Dëshmitarët e Jehovait në Guajanë e konsiderojnë një privilegj që marrin pjesë në përmbushjen e kësaj profecie. E për më tepër, ata do të vazhdojnë t’i përdorin lumenjtë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për t’u çuar ushqimin frymor jetëdhënës të gjithë ‘atyre që janë të prirur drejt jetës së përhershme’, kudo që të jetojnë të shpërndarë nëpër Vendin e ujërave.—Vep. 13:48.

[Shënimi]

^ par. 8 Kur Guajana Britanike fitoi pavarësinë në maj të vitit 1966, emri i vendit u bë Guajana. Ne do të përdorim këtë emër, në rast se konteksti nuk e kërkon ndryshe.

[Kutia në faqen 140]

Vështrim i përgjithshëm mbi Guajanën

Vendi: Rajoni bregdetar, pjesa më e madhe e të cilit është nën nivelin e detit dhe mbrohet nga 230 kilometra diga, përbëhet nga dhé i depozituar nga prurjet e lumenjve. Pyjet zënë rreth 80 për qind të vendit, përfshirë zonat e thella malore, prej nga burojnë shumica e lumenjve të Guajanës.

Popullsia: Afro gjysma janë me prejardhje indiane, mbi 40 për qind janë pasardhës të zezakëve të Afrikës ose janë racë e përzier, kurse rreth 5 për qind janë indianë të Amerikës. Afro 40 për qind pohojnë se janë të krishterë; 34 për qind janë hinduistë; dhe 9 për qind myslimanë.

Gjuha: Gjuha zyrtare është anglishtja, por në mbarë vendin flitet edhe gjuha kreole.

Jetesa: Afro 30 për qind e fuqisë punëtore merret me bujqësi. Disa degë të tjera të ekonomisë përfshijnë peshkimin, pyjëtarinë dhe minierat.

Ushqimi: Ndër prodhimet kryesore janë: orizi, pema e kakaos, agrumet, arrat e kokosit, kafeja, misri, maniokët (ose kasava), kallamsheqeri dhe fruta e perime të tjera tropikale. Disa nga kafshët që mbahen për ushqim,janë: gjedhët, derrat, pulat dhe delet. Nga prodhimet e detit, kryesoret janë peshqit dhe karkalecat.

Klima: Guajana është vend me klimë tropikale, ku ka pak ndryshime mes stinëve. Në rajonin bregdetar bien 150-200 centimetra shi në vit. Megjithëse ndodhet afër ekuatorit, Guajana ka klimë të butë, falë erërave alizej që fryjnë vazhdimisht nga Oqeani Atlantik.

[Kutia dhe figura në faqet 143-145]

Askush nuk ia «kyçi» dot gojën

Malkolm Holli

Lindur: 1890

Pagëzuar: 1915

Të dhëna: Me prejardhje nga ishulli i Leguanit, ai ishte ndër të parët që predikoi lajmin e mirë në atë rajon dhe u kujdes për grupin që u formua atje.

Treguar nga mbesa e vëllait të tij, Ivona Holli.

Një herë, një funksionar që merrej me zgjedhjet, i tha xhaxha Malkolmit: «A është e vërtetë që ju nuk votoni? Po të jetë kështu, do të të kyçim brenda dhe do të ta konfiskojmë Biblën.» Ai e pa në sy dhe ia ktheu: «Por ç’do të m’i bëni gojës? A ma kyçni dot gojën, që të mos flas për të vërtetën që udhëheqësit tuaj fetarë jua kanë fshehur për kaq shumë kohë?» Funksionari arriti të thoshte vetëm këto fjalë: «Do të merrem më vonë me ty!»

Xhaxha Malkolmi u pagëzua më 1915-tën dhe ishte një nga lajmëtarët më të hershëm në Guajanë. Siç tha një vëlla, ai ishte «një luftëtar i paepur për të vërtetën». E njohu të vërtetën për Mbretërinë kur banonte e punonte në Xhorxhtaun. Pasi dëgjoi vetëm një fjalim publik, të mbajtur në Somerset Hauz, e kuptoi që kjo ishte e vërteta. Në fakt, me t’u kthyer në shtëpi, i kërkoi të gjitha shkrimet në Biblën e vet.

Pas kësaj, u kthye në shtëpinë e tij në Leguan dhe menjëherë nisi t’u dëshmonte të tjerëve. Mes atyre që pranuan mesazhin e Mbretërisë, ishin dy motrat e veta dhe disa nga fëmijët e vëllait të tij të madh. Ata përbënin bazën e grupit që mblidhej te shtëpia e xhaxha Malkolmit.

Në kohët e fillimit, kleri kishte një ndikim të fortë te banorët e ishullit dhe ishte shumë e vështirë të gjeje njerëz që reagonin mirë ndaj lajmit të mirë. Kleri thoshte për xhaxha Malkolmin që ai ishte «i marrë, i çmenduri i Biblës». Por kjo nuk ia veniti zellin. Për shembull, të dielave paradite, ai nxirrte gramafonin përballë portikut dhe vinte fjalime bilbike të incizuara. Njerëzit shpesh rrinin jashtë në rrugë dhe dëgjonin.

Me kalimin e kohës disa reaguan mirë. Kjo ishte e dukshme sidomos natën e Përkujtimit, kur gjithë kati i sipërm i shtëpisë së xhaxha Malkolmit mbushej plot me njerëz. Ai ishte drejtues, orator dhe i vetmi që merrte emblemat. Njëri nga ata që studionin Biblën me të, Leroi Denbou, filloi shërbimin si pionier, e madje shërbeu për ca kohë si mbikëqyrës qarkor.

Pasi doli në pension nga puna si ekonomat i anijeve në lumin Esekibo, xhaxha Malkolmi nisi shërbimin si pionier e predikoi në ishullin e Leguanit dhe në ishullin fqinj, në Uakenam. Dita e tij fillonte që më 4.30 të mëngjesit, kur milte lopët dhe u hidhte ushqim derrave. Aty nga ora 7.30 pastrohej, lexonte shkrimin e ditës dhe një pjesë nga Bibla, hante mëngjesin dhe pastaj përgatitej për shërbimin. Sikur e kam para syve tek frynte gomat e biçikletës para se të dilte në shërbim. Kishte raste që për një ditë bënte të paktën 20 kilometra udhë.

Xhaxha Malkolmi e përfundoi jetën në tokë më 2 nëntor 1985, pasi i kishte shërbyer Jehovait me besnikëri për 70 vjet. Gjatë gjithë këtyre viteve, askush nuk ia «kyçi» dot gojën. Faktikisht edhe ishulli i Leguanit, edhe ishulli Uakenam tani kanë nga një kongregacion.

[Kutia dhe figura në faqet 155-158]

Përgjigjet për pyetjet e fëmijërisë, më ndryshuan jetën

Albert Smolli

Lindur: 1921

Pagëzuar: 1949

Të dhëna: Filloi si pionier më 1953. Bashkë me të shoqen, Shilën, ndoqën shkollën e Galaadit, në vitin 1958 dhe u caktuan prapë në Guajanë.

«Të ka bërë Zoti»,—kështu më thoshin gjithnjë kur isha i vogël. Ndaj, kur mamaja më thoshte se isha më i keqi nga katër fëmijët e saj, me mendje thosha që Perëndia kishte bërë tre fëmijë të mirë, e një të keq.

Kur isha nja dhjetë vjeç, pyeta mësuesin në shkollën e së dielës: ‘Kush e ka bërë Perëndinë?’ Nuk mora përgjigje. Prapëseprapë, si shumë njerëz në atë kohë, kur u rrita, u anëtarësova në kishë—konkretisht në Kishën Prestbiterane. Prapë, një pjesë e mirë e pyetjeve që kisha, ende mbetën pa përgjigje. Për shembull, në kishë këndonim një himn fetar, që pjesërisht thoshte: «I pasuri në kështjellën e vet, i varfri te porta e tij. Perëndia i bëri të lartë e të ulët; ai i vendosi në gjendjen që janë.» Pyesja veten: ‘Vërtet Perëndia «i vendosi në gjendjen që janë»?!’ Një herë pyeta një pastor: «Nëse Perëndia bëri vetëm Adamin e Evën, si dolën racat?» Me pak fjalë, përgjigjja e tij ishte që tregimi i Zanafillës është një legjendë.

Më pas, gjatë Luftës II Botërore na nxitën të luteshim për ushtarët britanikë. Kjo më bindi përfundimisht se gjërat që mësonte kisha ime binin ndesh me ç’kisha lexuar në Bibël. Po prapë, thosha me vete: ‘Ku të shkoj?’ Prandaj nuk u largova nga kisha. Kur isha 24 vjeç, u martova me Shilën.

Një ditë, sapo isha kthyer nga kisha, kur një Dëshmitar i Jehovait më vizitoi. Ne i quanim Dëshmitarët ‘kisha që nuk beson te ferri’, dhe nuk kisha kohë të merresha me ta. I mbanin mbledhjet në shtëpitë e veta dhe nuk vishnin ndonjë rrobë kishtare. Për më tepër, disa gjëra që kishin ndodhur në jetën time, përfshirë martesën me një grua të shkëlqyer, më kishin bërë të mendoja se Perëndia po kujdesej për mua.

Kur Dëshmitari, Nesib Robinsoni, u prezantua, unë po rregulloja gomën e biçikletës. «Kjo gomë është e shpuar,—i thashë.—Po të jesh i krishterë, më ndihmo ta ndreq.» Dhe u futa në shtëpi rrëmbimthi. Javën tjetër, ndërsa po dilja nga dera për të shkuar në kishë, me Biblën në dorë, Nesibi po ngjiste shkallët. «Nuk më intereson feja juaj,—i thashë.—Brenda është ime shoqe. Fol me të.» Dhe ika.

U pendova që i thashë ashtu, sepse në kishë, në vend që të dëgjoja pastorin, po mendoja: ‘Nëse zoti Robinson dhe ime shoqe ia nisin muhabetit, ajo nuk do të ketë kohë të përgatisë supën speciale që bën të dielave.’ Por kot u merakosa, se kur u ktheva në shtëpi, supa ishte gati. Nga kureshtja, e pyeta Shilën: «Fole gjë me atë burrin, Robinsonin?» Ajo më tha: «Po. Ai u ul e predikoi, teksa gatuaja.»

Pak kohë më pas, Shila pranoi të fillonte studim biblik. Gjithashtu lindi fëmijën tonë të parë, por foshnja doli i vdekur. E pyeta zotin Robinson pse ndodhin këto gjëra. U përgjigj që nuk ishte faji i Perëndisë, por ishte pasojë e mosbindjes së Adamit e Evës, dhe e papërsosmërisë që trashëguam nga ata. Kjo përgjigje ma mbushi mendjen.

Nesibi më vinte shpesh për vizitë kur punoja në mobilierinë time. Muhabetet tona vërtiteshin rreth punës sime, por nganjëherë ai futte ndonjë pikë nga Bibla para se të ikte. Me kalimin e kohës, muhabeti ynë po vërtitej më pak rreth mobilierisë e po anonte më tepër nga Fjala e Perëndisë. Një ditë vendosa t’i bëja një a dy nga pyetjet që më kishin trazuar tërë jetën, me mendimin që edhe atë do ta bllokonin—se në fund të fundit edhe shërbëtorët «e aftë» të kishës nuk i dinin përgjigjet.

Këmbëngula që komentet e Nesibit të bazoheshin në Shkrime dhe lëshova pyetjen e parë: «Kush e bëri Perëndinë?» Nesibi më lexoi Psalmin 90:2, që thotë: «Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.» Më pa në sy dhe më pyeti: «E sheh ç’thotë? Askush nuk e ka bërë Perëndinë; ai ka ekzistuar gjithmonë.» Kjo përgjigje e qartë e logjike më mahniti. Dhe më hapi rrugën, pasi tani i lëshova të gjitha pyetjet që prej vitesh i mbaja të kyçura brenda vetes. Përgjigjet që më dha Nesibi nga Shkrimet, sidomos në lidhje me qëllimin e Perëndisë për ta bërë tokën parajsë, ma mbushën zemrën me një gëzim që s’e kisha ndier kurrë më parë.

Vizita e parë në Sallën e Mbretërisë pati një ndikim të thellë tek unë. Pse vallë? Sepse u mahnita kur vura re që auditori merrte pjesë në mbledhje, një gjë që nuk e kisha parë kurrë në kishë. Ime shoqe, që nuk kishte qenë ndonjëherë në mbledhje, ishte larg atë kohë. Kur i tregova për mbledhjet, më tha: «Hajde të shkojmë bashkë.» Dhe deri sot e kësaj dite, pas 55 vjetësh, prapë shkojmë bashkë.

Unë dhe Shila u pagëzuam në vitin 1949, në Oqeanin Atlantik. Më 1953 fillova si pionier. Pas dy vjetësh, edhe Shila filloi si pioniere, e për 50 vjet do të vazhdonim në shërbimin e plotkohor. Në vitin 1958, na ftuan në klasën e 31-të të Galaadit dhe na caktuan prapë në Guajanë. Shërbyem për 23 vjet në veprën udhëtuese dhe pastaj si pionierë specialë, privilegj që e kemi edhe tani. Vërtet, e falënderoj Jehovain jo vetëm që më dha përgjigjet për pyetjet e fëmijërisë, por edhe që na ka dhënë mua e gruas mundësinë t’i shërbejmë atij.

[Kutia dhe figura në faqet 163-166]

«Ja ku jam, dërgomë mua!»

Xhojslin Ramalho (më parë Rouç)

Lindur: 1927

Pagëzuar: 1944

Të dhëna: Tani vejushë, ajo kaloi 54 vjet në shërbimin e plotkohor, përfshirë vitet në veprën udhëtuese me të shoqin.

Linda në ishullin e Nevisit, në Karaibe. Ime më ishte prind i vetëm, kishte fenë metodiste dhe ishte infermiere. Më mësoi të besoja te Perëndia. Për shkak të punës që bënte, u transferuam në një fshat të vogël të ishullit. Të dielën tjetër, shkuam në kishën metodiste dhe u ulëm në një stol. Gjithsesi, pas ca minutash, na thanë se kishin ardhur «të zotët e stolit» dhe duhej të uleshim gjetkë. Megjithëse një besimtar tjetër u tregua i mirë e na lejoi të uleshim në stolin «e tij», mamaja vendosi që të mos shkonim kurrë më në atë kishë. Në vend të kësaj, kaluam në Kishën Anglikane.

Në fillim të viteve 40, kur ishte për vizitë te një shoqe, nëna takoi një Dëshmitare nga Shën-Kitsi, e cila i dha ca botime. Nëna, lexuese e pasionuar, i përpiu botimet dhe kuptoi që ishte e vërteta. Pak kohë më pas, ajo u martua dhe të gjithë u transferuam në Trinidad. Në atë kohë botimet tona ishin të ndaluara atje, por mundëm të shkonim në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Pas pak, nëna i shkëputi lidhjet me Kishën Anglikane dhe nisi t’i shërbente Jehovait, po kështu bëri edhe njerku im, Xhejms Hanli.

Në Trinidad takova një motër në moshë të re, Roza Kufin. Atëherë as që e kisha idenë se 11 vjet më vonë, Roza do të bëhej shoqja ime e shërbimit si misionare. Ndërkohë dëshira për t’i shërbyer Jehovait sa vinte e rritej. Ende e mbaj mend herën e parë që dola për të dëshmuar vetë. Në derën e parë, sa doli i zoti i shtëpisë, u bllokova fare. Ndenja ashtu, s’e di se sa, deri sa hapa Biblën, i lexova Danielin 2:44, dhe ika menjëherë!

Fillova si pioniere më 1950, dhe pikërisht pas dy vjetësh, e emocionuar, mora ftesën për të ndjekur klasën e 21-të të Galaadit. Tri veta nga klasa jonë u caktuan në Guajanë: Florensa Tomi, e cila ishte nga Guajana; Lindora Loreilhi, të cilën e kisha shoqe dhome; dhe unë. Arritëm atje në nëntor të 1953-shit dhe na caktuan në Skeldon, një qytet 180 kilometra nga Xhorxhtauni, afër grykëderdhjes së lumit Korantajn. Grupi i veçuar që ndodhej atje na priste me padurim.

Shumë njerëz në zonën e Skeldonit ishin me prejardhje indiane, kurse të tjerët o hinduistë, o myslimanë. Mjaft veta ishin analfabetë, ndaj kur u dëshmonim, ata shpesh na përgjigjeshin: «O motra, më shkoqur!», domethënë që t’u flisnim më qartë e më thjesht. Në fillim, 20 deri 30 veta ishin të pranishëm në mbledhje, por numri i tyre u përgjysmua kur ata që nuk ishin vërtet të interesuar, s’po vinin më.

Një grua përparoi deri në atë pikë sa donte të dilte në shërbim. Mirëpo, kur i shkova në shtëpi në orën që e kishim lënë, djali i saj 14-vjeçar ishte veshur e bërë gati, tërë qejf, donte të vinte me mua. Nëna tha: «Zonjushë Roaç, merr Frederikun me vete në vendin tim.» Më vonë morëm vesh se i ati i asaj gruaje, një anglikan i flaktë, i kishte bërë presion për ta penguar. E megjithëkëtë, djali i saj, Frederik Mak-Almani, bëri përparim frymor të shkëlqyer dhe më vonë ndoqi edhe Galaadin.—Shih kutinë në faqen 170.

Më vonë mora një caktim të ri, në Henrietë, ku kishte vetëm një lajmëtar të veçuar, një vëlla. Zonën e mbulonte kongregacioni i Çaritisë. Shoqja e re e shërbimit si pioniere ishte Roza Kufi, që e përmenda më parë. Roza dhe unë kalonim katër ditë në javë në Henrietë, dhe çdo të premte bënim me biçikletë 30 kilometra nëpër rrugët gjithë pluhur për të shkuar në mbledhje, në Çariti. Merrnim me vete ushqime, çarçafë dhe batanije e rrjeta për mushkonjat.

U dëshmonim njerëzve përgjatë udhës dhe ndaleshim për t’u dhënë zemër disa lajmëtarëve të izoluar dhe një motre joaktive. Zakonisht studionim Kullën e Rojës me ta. Të dielave, ktheheshim në Henrietë, mbanim Studimin e Kullës së Rojës me studimet biblike si grup. Kurrë s’u gjendëm në ndonjë telash të madh, vetëm ndonjëherë na shpohej goma ose bëheshim qull kur na zinte shiu.

Kurrë nuk na u venit gëzimi. Një ditë, një grua na tha: «Ju jeni gjithmonë të gëzuara. Duket sikur e keni çdo gjë në rregull.» Jehovai na e shtoi edhe më gëzimin, se na bëri të kishim rezultate në shërbim. Edhe motra joaktive që i shkonim për vizitë, filloi t’i shërbente prapë Jehovait. Tani, pas 50 vjetësh, ajo është ende besnike.

Më 10 nëntor 1959, u martova me Imanuel Ramalhon, një pionier. Shërbyem së bashku në Sadi, 23 kilometra në jug të Henrietës. Atje ngela shtatzënë, por dështova pa dashje. Pas kësaj, u dhashë pas shërbimit, e kjo më ndihmoi ta kaloja këtë gjendje. Më vonë patëm dy fëmijë. Prapëseprapë, ia dolëm të vazhdonim shërbimin si pionierë.

Në vitin 1995 Imanueli ra në gjumin e vdekjes. I kishim shërbyer Jehovait së bashku në mjaft territore të ndryshme. Kishim parë disa grupe të vockla që u bënë kongregacione të begata, me pleq, shërbëtorë ndihmës, e madje kanë edhe Sallat e tyre të Mbretërisë. Gjithashtu gëzuam dhjetë vjet shërbimi në veprën udhëtuese. Ndonëse e ndiej jashtë mase mungesën e Imanuelit, përkrahja e përzemërt e Jehovait dhe e kongregacionit ende më sjell ngushëllim të madh.

Profeti Isaia iu përgjigj ftesës që i bëri Jehovai për t’i shërbyer, me fjalët: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isa. 6:8) Burri im i ndjerë dhe unë u përpoqëm me forcë që të imitonim këtë qëndrim të shkëlqyer të profetit. Vërtet, ashtu si Isaia, edhe ne kaluam kohë të vështira, e madje nganjëherë edhe u shkurajuam. Por gëzimi që kemi ndier, është ku e ku më i madh.

[Kutia dhe figura në faqet 170-173]

Nga Galaadi më caktuan në vendlindje

Frederik Mak-Almani

Lindur: 1942

Pagëzuar: 1958

Të dhëna: Pas Galaadit, u caktua prapë në Guajanë. Tani, së bashku me të shoqen, Marshalindën, shërbejnë si pionierë të rregullt.

Kur isha 12 vjeç, një misionare që quhej Xhojslin Rouçi, (tani Ramalho) filloi të studionte Biblën me nënën time. Edhe unë merrja pjesë në studim. Mamaja e la studimin, kurse unë e vazhdova dhe fillova të shkoja në të gjitha mbledhjet. Kur isha 14 vjeç, motër Rouçi dhe misionaret e tjera, Roza Kufi e Lindora Loreilhi më morën me vete me biçikletë e dolëm të predikonim. Në atë kohë nuk e kuptoja se sa thellë do të ndikonte tek unë fryma e tyre misionare.

Kur fillova të studioja me Dëshmitarët e Jehovait, po përgatitesha edhe për konfirmimin si anglikan. Në një rast, prifti u përpoq të shpjegonte Trinitetin «e shenjtë». Pasi e dëgjova një copë herë, fola hapur e i thashë se nuk besoja që kjo doktrinë gjendej në Bibël. Ma ktheu: «E di që po lexon ata farë librash, ata libra janë helmues. Mos i lexo më. Duhet të besosh te Triniteti.» Që atëherë, nuk u ktheva kurrë më në kishën anglikane, por vazhdova studimin me Dëshmitarët. U pagëzova në vitin 1958.

Në shtator 1963 mora një letër nga zyra e degës ku më ftonin që të nisja shërbimin si pionier special. E pranova ftesën. Caktimi i ri ishte kongregacioni Firish në lumin Korantajn, dhe shoku i shërbimit Uollter Mak-Bini. Shërbyem së bashku një vit, e predikuam në territorin lart e poshtë lumit. Kjo na përgatiti për caktimin e ardhshëm, në kongregacionin Paradajs, i cili kishte dhjetë lajmëtarë kur shkuam ne, në vitin 1964. Shërbyem atje si pionierë për katër vjet, dhe pamë që kongregacioni u rrit e u bë me 25 lajmëtarë.

Në vitin 1969, më ftuan në klasën e 48-të të Galaadit. Po atë vit pata kënaqësinë të isha mysafir në familjen Bethel të Bruklinit, që të merrja pjesë në Kongresin Ndërkombëtar «Paqe në tokë», më 1969. Sa freskuese ishte të takoja aq shumë motra e vëllezër besnikë! Nuk do ta harroj kurrë kohën kur vëlla Frederik U. Franci nga Trupi Udhëheqës na mori në dhomën e vet. Kishte kaq shumë libra, sa po vrisja mendjen se ku e mbante krevatin! Një tjetër student i shkëlqyer i Fjalës së Perëndisë ishte Ulises Glasi, një nga instruktorët e Galaadit. Më duket sikur e dëgjoj ende tek thotë: «Baza e aftësisë së të shkruarit dhe të mësimdhënies është: saktë, shkurt dhe qartë.»

Duhet ta pranoj se u zhgënjeva kur mora vesh që më kishin caktuar në Guajanë. Për mua Guajana ishte vendi im, e jo një caktim në vend të huaj. Mirëpo vëlla Glasi, më ndihmoi me përzemërsi t’i shihja gjërat ndryshe. Më kujtoi që pjesëmarrja në Galaad është në vetvete një privilegj madhështor dhe ndoshta do të më çonin në ndonjë zonë të Guajanës që për mua ishte e huaj. Ashtu doli vërtet, se më caktuan në kongregacionin Çariti në lumin Pomerun. Në atë kohë, Çariti kishte vetëm pesë lajmëtarë.

Unë e shoku i shërbimit, Albert Talboti, kishim pak përvojë nga lundrimet nëpër lumenj, ndaj na u desh të mësonim si të manovronim varkën tonë. Kjo mund të duket e lehtë, por të jeni të sigurt që nuk është aspak ashtu. Po s’more parasysh rrymat dhe erërat, mbetesh në vend pa lëvizur ose sorollatesh duke vozitur kuturu. Shyqyr që patëm ndihmë të shkëlqyer, një nga ‘tutorët’ tanë më të mirë ishte një motër vendëse.

Për dhjetë vjet ia dolëm vetëm me shpatullat tona. Pastaj një vendës propozoi t’i shiste kongregacionit një motobarkë, mirëpo nuk kishim mjaft para ta blinim. Prandaj merreni me mend sa u gëzuam kur morëm një çek nga zyra e degës, apostafat për motobarkën. Me sa duket, disa kongregacioneve u kishte rënë në vesh që kishim nevojë për këto para, dhe donin të na ndihmonin. Me kalimin e kohës, morëm varka të tjera, të cilat u quajtën të gjitha «Shpallësja e Mbretërisë», e pas emrit secila varkë kishte një numër për ta dalluar nga të tjerat.

Pasi jetova dhe shërbeva me disa pionierë të ndryshëm si shokë shërbimi, takova atë që do të më bëhej shoqja e jetës, Marshalinda Xhonsonin, një pioniere speciale e caktuar në kongregacionin Makenzi. Babai i saj i ndjerë, Eustas Xhonsoni, ishte i famshëm në Guajanë, pasi, për gati dhjetë vjet, kishte shërbyer si mbikëqyrës qarkor, para se të vdiste. Tani, unë e Marshalinda jemi pionierë të rregullt dhe kemi kaluar të dy së bashku, gjithsej 72 vjet në shërbimin e plotkohor, 55 prej tyre si pionierë specialë. Gjatë asaj kohe rritëm gjashtë fëmijë.

Jehovai i ka bekuar edhe përpjekjet tona në shërbim. Për shembull, në fillim të viteve 70, kur po predikonim përgjatë lumit Pumerun, takuam një rrobaqepës të ri që pranoi të bënte studim biblik. Ai ishte student i shkëlqyer. E nxitëm të mësonte emrat e librave të Biblës. Jo vetëm që i mësoi të gjithë përmendësh brenda një jave, por për çudi thoshte edhe numrin e faqes të secilit libër. Ai dhe e shoqja, si dhe shtatë nga nëntë fëmijët e tyre, kanë marrë të vërtetën. Ai vetë tani shërben bashkë me mua si plak në Çariti. Ndoshta kurrë nuk do t’i kisha pasur këto bekime, po të mos ishte për shembullin e mrekullueshëm të atyre misionareve të zellshme që erdhën në fillim.

[Kutia dhe figura në faqet 176, 177]

E studiova Fjalën e Perëndisë me korrespondencë

Monika Ficaleni

Lindur: 1931

Pagëzuar: 1974

Të dhëna: Ajo ishte e izoluar, ndaj për dy vjet e studioi Fjalën e Perëndisë me korrespondencë dhe u dëshmoi kryesisht indianëve të Amerikës, bashkëkombësve të vet. Tani është e verbër dhe i mban mend përmendësh shkrimet për në shërbim.

Banoj në një rezervat të indianëve të Amerikës që quhet Uaramuri e ndodhet në lumin Morukë, në rajonin veriperëndimor të Guajanës. Në fillim të viteve 70, kur njoha të vërtetën, kongregacioni më i afërt ishte Çariti, në lumin Pomerun. Duheshin 12 orë udhëtim me kaike.

Kur takova Dëshmitarët e Jehovait, isha në Çariti duke bërë pazar. Frederik Mak-Almani më dha Kullën e Rojës dhe një Zgjohuni! I pranova, i mora në shtëpi dhe i vura në një sënduk, ku ndenjën për dy vjet. Pastaj u sëmura, mbeta në shtrat për ca kohë, dhe kjo më dëshpëroi jashtë mase. Në atë moment më ranë ndër mend revistat. I lexova dhe menjëherë e njoha tingullin e së vërtetës.

Rreth asaj kohe, im shoq, Eugjeni, filloi të kërkonte punë dhe vendosi të zbriste poshtë lumit, drejt Çaritit. Unë u bëra më mirë me shëndet, kështu që shkova me të. Por kryesisht shkova sepse doja të gjeja Dëshmitarët e Jehovait. Nuk m’u desh të kërkoja shumë, pasi një zonjë Dëshmitare më erdhi në shtëpinë ku rrija. «A jeni nga ato të Kullës së Rojës?»—e pyeta. Kur m’u përgjigj po, e pyeta për burrin që kisha takuar në treg para dy vjetësh. Ajo menjëherë shkoi të kërkonte Frederik Mak-Almanin, që rastësisht ishte me një grup lajmëtarësh duke predikuar në territorin ngjitur.

Kur ata të dy u kthyen, vëlla Mak-Almani tregoi si bëhej një studim biblik duke përdorur librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme. Pranova të studioja. Meqë Eugjeni dhe unë duhej të ktheheshim në shtëpi, i vazhdova mësimet me postë. Studiova dy libra me këtë metodë: librin E vërteta dhe «Gjëra në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë». Kur po studioja librin E vërteta, dhashë zyrtarisht dorëheqjen nga Kisha Anglikane dhe u bëra lajmëtare e papagëzuar. Prifti më shkroi e më tha: «Mos i dëgjo Dëshmitarët e Jehovait. Ata kanë njohuri të cekëta për Biblën. Do të vij që të flasim bashkë për këtë çështje.» Por nuk erdhi kurrë.

Meqë isha e vetmja lajmëtare në rezervat, u fola fqinjëve për gjërat që sapo kisha mësuar. I dëshmova edhe tim shoqi, i cili—me kënaqësi të madhe e them—u pagëzua një vit pas meje. Sot, Eugjeni është një nga 14 lajmëtarët e zonës sonë.

Vitet e fundit, glaukoma dhe perdet në sy më kanë grabitur shikimin, prandaj tani i mësoj përmendësh shkrimet që më duhen në shërbim. Prapëseprapë, e falënderoj Jehovain që mund t’i shërbej akoma.

[Kutia dhe figurat në faqet 181-183]

Jehovai ‘plotësoi dëshirat e zemrës sime’

Rubi Smith

Lindur: 1959

Pagëzuar: 1978

Të dhëna: Ajo është me kombësi karibe dhe luajti një rol kyç në predikimin e lajmit të mirë në Baramitë, një rezervat me indianë të Amerikës në brendësi të Guajanës.

Për herë të parë dëgjova për Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1975. Isha 16 vjeçe. Gjyshja mori një fletushkë nga djali i saj i gjetur dhe më kërkoi t’ia përktheja, meqë nuk dinte anglisht. E mahnitur nga premtimet e Biblës që përmendte fletushka, plotësova kuponin dhe ia dërgova me postë zyrës së degës. Kur më erdhën botimet që kisha kërkuar, i studiova dhe nisa t’u flas të tjerëve për të vërtetat biblike që kisha mësuar. Fillova me gjyshen dhe tezen. Mjerisht, babait nuk i pëlqeu kjo.

Pas pak, gjyshja dhe tezja filluan të predikonin. Si përgjigje e kësaj, disa nga fshatarët zunë të na vinin në shtëpi, që të mësonin edhe më shumë për Biblën. Ndërkohë, sa më shumë lexoja, aq më shumë e kuptoja se duhej të bëja ndryshime që t’i pëlqeja Jehovait. Kjo përfshinte t’i tregoja babait që i kisha vjedhur diçka në punishte dhe të pajtohesha me njërin nga vëllezërit e mi. Pas shumë lutjesh, arrita t’i bëja të dyja këto gjëra.

Ndërkohë, zyra e degës mori masa që një pionier special, Sheik Bakshi, të vizitonte zonën tonë. Gjithsesi vëlla Bakshi nuk mund të rrinte gjatë, kështu që ai dhe një vëlla tjetër, Eustas Smithi, që më vonë u bë im shoq, studiuan me mua me postë.

Në vitin 1978 shkova në Xhorxhtaun në kongresin «Besimi fitimtar». Sapo arrita në kryeqytet, shkova drejt e në zyrën e degës që t’u bëja të ditur se dëshiroja të pagëzohesha. Ata morën masa që Albert Smolli të rishikonte me mua pyetjet e pagëzimit që pleqtë i trajtojnë me ata që duan të pagëzohen. Sa e emocionuar isha kur u ktheva në Baramitë si shërbëtore e pagëzuar e Jehovait!

Plot zell, u dhashë menjëherë pas veprës së predikimit. Shumë veta shfaqën interes, ndaj m’u desh t’u kërkoja disave prej tyre që të ngrinin një ndërtesë të thjeshtë si vend adhurimi. Atje, çdo të diel, përktheja në gjuhën karibe Kullën e Rojës, që ishte në anglisht. Megjithatë, babai m’u kundërvu dhe këmbëngulte që të rrija në shtëpi të dielave. Prandaj i incizova fshehurazi artikujt në kaseta, dhe njëri nga vëllezërit e mi i vinte në mbledhje që t’i dëgjonin atje. Në atë kohë kishte rreth 100 të pranishëm në mbledhje.

Pak kohë më pas, si familje u transferuam në Xhorxhtaun, për arsye pune, dhe gjyshja shkoi të banonte në fshatin Methjus-Rixh. Tezja mbeti në Baramitë, por nuk vazhdoi t’u fliste për lajmin e mirë të tjerëve. Kështu që atje vepra e Mbretërisë u ndërpre për ca kohë.

Në Xhorxhtaun e takova personalisht Eustas Smithin dhe pas pak kohësh u martuam. Ndonëse Eustasi nuk e fliste gjuhën karibe, të dy donim që të shkonim në Baramitë për të kultivuar interesin e atjeshëm. Në vitin 1992 dëshira jonë u realizua. Pa humbur kohë, u dhamë pas shërbimit dhe organizuam mbledhje. Pas pak kishte afro 300 të pranishëm!

Gjithashtu organizuam një klasë për të mësuar shkrim e lexim, që do të mbahej pas Studimit të Kullës së Rojës. Jolanda, vajza jonë e madhe, na ndihmonte për mësimet. Kur nisi këtë punë, ishte 11 vjeçe dhe lajmëtare e papagëzuar. Sot ajo dhe vajza tjetër, Melisa, shërbejnë si pioniere të rregullta.

Në vitin 1993 Jehovai e bekoi Baramitën me një Sallë Mbretërie. Gjithashtu na siguroi «dhurata në njerëz», të cilët flasin gjuhën karibe dhe që mund të marrin drejtimin në kongregacion. (Efes. 4:8) Konkretisht, më 1 prill 1996, u bëmë kongregacioni i Baramitës. Jam e emocionuar t’ju raportoj se në kongregacion bëjnë pjesë mamaja, gjyshja dhe pothuajse të gjithë vëllezërit e motrat e mia. Vërtet, Jehovai më ka plotësuar ‘dëshirat e zemrës sime’.—Psal. 37:4.

[Figura]

Me Eustasin sot

[Tabela dhe grafiku në faqet 148, 149]

GUAJANA​—KRONOLOGJIA

1900: Disa individë fillojnë të lexojnë e të shqyrtojnë Kullën e Rojës të Sionit dhe botime të tjera biblike.

1910

1912: E. J. Kouardi mban fjalime para qindra vetave në Xhorxhtaun dhe në Amsterdamin e Ri.

1913: Merret me qira një dhomë në vilën Somerset Hauz për të bërë mbledhjet. Përdoret deri në vitin 1958.

1914: Në Xhorxhtaun hapet për herë të parë zyra e degës.

1917: E shtyrë nga kleri, qeveria ndalon disa botime.

1922: Hiqet ndalimi. Xhorxh Jangu vjen për vizitë.

1940

1941: Ndalohen Kulla e Rojës dhe Ngushëllimi (tani Zgjohuni!).

1944: Ndalohen të gjitha botimet e Dëshmitarëve të Jehovait.

1946: Në qershor hiqet ndalimi. Vijnë misionarët e parë të Galaadit.

Vitet 50: Anekënd Guajanës shfaqet filmi Shoqëria Bota e Re në veprim.

1960: Dega blen një pronë në Xhorxhtaun. Ndërtesat ekzistuese shërbejnë edhe si zyrë dege, edhe si shtëpi misionare.

1967: Numri i lajmëtarëve e kalon shifrën 1.000.

1970

1988: Kushtohet dega e re, e ngritur në pronën që kishin.

1995: Përfundon ndërtimi i Sallës së parë të Mbretërisë me metodën e shpejtë.

2000

2003: Kushtohet dega e tanishme, e ngritur në një truall të ri.

2004: Në Guajanë ka 2.163 lajmëtarë aktivë.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

2.000

1.000

1910 1940 1970 2000

[Hartat në faqen 141]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

GUAJANË

Baramitë

Hakni

Çariti

Henrietë

Sadi

XHORXHTAUN

Mateikoni

Sousdajk

Bartikë

Jaruni

Amsterdami i Ri

Makenzi

Uismar

Skeldon

Burbis

Orealë

Letem

Esekibo

Demerarë

Burbis

Korantajn

VENEZUELË

BRAZIL

SURINAM

[Figura që zë gjithë faqen 134]

[Figura në faqen 137]

Ivander J. Kouardi

[Figura në faqen 138]

Vila Somerset Hauz në Xhorxhtaun, Guajanë, shërbeu si vend për mbledhjet e kongregacionit nga viti 1913 deri më 1958

[Figura në faqen 139]

Xhorxh Jangu

[Figura në faqen 146]

Frederik Filipsi, Nejthën Nori dhe Uilliam Trejsi, 1946

[Figura në faqen 147]

Në qershor të vitit 1946 u nxor kjo deklaratë, që i dha fund zyrtarisht ndalimit të literaturës sonë në Guajanë

[Figura në faqen 152]

Nejthën Nori, Ruth Mileri, Milton Hensheli, Elis Trejsi (më parë Miler) dhe Dejzi e Xhon Hemaueji, 1954

[Figura në faqen 153]

Xhon Pontingu

[Figura në faqen 154]

Xheraldina e Xhejms Tompsoni shërbyen 26 vjet në Guajanë

[Figura në faqen 168]

Dëshmi në grup me varkë

[Figura në faqen 169]

Predikojnë përgjatë lumit Morukë me «Shpallësen e Mbretërisë III»

[Figura në faqen 175]

Xherri dhe Delma Murrei

[Figura në faqen 178]

Frederik Mak-Almani dhe Eugjen e Monika Ficaleni i flasin për lajmin e mirë një indiani të Amerikës që po ndreq kaiken e vet

[Figura në faqen 184]

Asamble qarkore në Baramitë, 2003

[Figurat në faqen 185]

Shumë veta në krahinën e Baramitës i janë përgjigjur së vërtetës biblike

[Figura në faqen 186]

Predikojnë me kaike

[Figura në faqen 188]

Sherlok e Xhulieta Pahalani

[Figurat në faqen 191]

Guajana—«një parajsë për pionierët»

[Figura në faqen 194]

Sallë Mbretërie në Orealë, Guajanë

[Figura në faqen 197]

Zyra e degës e dikurshme në rrugën «Brikdam 50», në Xhorxhtaun, e përfunduar më 1987

[Figura në faqen 199]

Komiteti i Degës, nga e majta në të djathtë: Edsel Hejzëli, Rikardo Hajndsi dhe Ejdin Sillsi

[Figura në faqet 200, 201]

Dega e re e Guajanës, e sapondërtuar