Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Islanda

Islanda

Islanda

Kur dëgjojnë për Islandën, ndoshta shumë njerëz përfytyrojnë një vend me akuj, borë e me shtëpi prej bore. Kjo përshtypje për Islandën si një vend i ftohtë përforcohet kur shohim se ku ndodhet në hartë. Pak njerëz jetojnë në një vend që ndodhet aq afër veriut sa Islanda. Mendoni që skaji më verior i këtij ishulli gati sa s’prek Rrethin Polar Verior!

Mirëpo, në të vërtetë, Islanda nuk është aq e ftohtë sa mund të duket nga vendndodhja dhe nga emri i saj (emri vjen nga fjalët «akull» dhe «tokë»). Një rrymë e ngrohtë oqeanike, që buron nga një zonë paksa në veri të ekuatorit, bën që klima të jetë shumë më e butë nga ç’mendohet. Dhe në Islandë nuk ka fare shtëpi prej bore. Shoqëria islandeze është tepër moderne dhe njerëzit jetojnë në shtëpi të mira, të pajisura me sisteme ngrohjeje që bazohen në fuqinë termike të tokës.

Islanda është një vend me kontraste të forta. Kur është kulmi i dimrit, dielli del paksa mbi horizont vetëm pak orë në ditë. Ndonëse netët e gjata e të errëta të dimrit shpesh gjallërohen nga dritat mbresëlënëse veriore ose ndryshe agimet polare, diellit sikur s’para ia ka qejfi të duket në këto anë. Gjithsesi, kjo mungesë e diellit në dimër, me sa duket kompensohet nga fakti që për disa muaj me radhë gjatë verës, është gjithnjë ditë. Në skajin më verior të vendit, dielli nuk perëndon fare për disa javë. Atje mund të shihni diellin edhe në mesnatë.

Islanda është quajtur vendi i akullit e i zjarrit, dhe me të drejtë. Akullnajat mbulojnë afro një të dhjetën e vendit. Por ka edhe zjarr, pasi Islanda është një zonë ku ka vullkane aktive dhe aktivitet gjeotermik. Atje kanë shpërthyer një sërë vullkanesh, dhe gjatë këtyre shekujve të fundit, shpërthimet kanë ndodhur mesatarisht çdo pesë a gjashtë vjet. Edhe burimet termale janë me bollëk.

Islanda ka popullsi të rrallë, por ka mjaft bukuri natyrore dhe faunë të pasur. Ajri i pastër, ujëvarat mbresëlënëse, vargmalet e thyera dhe zonat e shkreta e të paana tërheqin shumë vizitorë. Në fillim të pranverës, zogjtë shtegtarë kthehen në habitatet ku kalojnë verën, në shkëmbinjtë bregdetarë dhe nëpër moçale. Mes tyre është edhe dallëndyshja polare e detit, e cila gjatë shtegtimit të përvitshëm shkon në Antarktidë, në skajin e kundërt të tokës. Nëpër shkëmbinj e në bregdet duken zogj deti, rosa deti dhe pulëbardha. Në zonat fushore kullosin dele, kurse në zonat malore enden poni islandezë, një lloj kali i vogël e i fortë. Në fillim të verës, salmonët kthehen me shumicë nga udhëtimi i tyre, dhe notojnë nëpër lumenj e ujëvara për t’u riprodhuar.

Të 290.570 banorët e Islandës janë pasardhës të vikingëve, të cilët u vendosën me banim atje më shumë se 1.100 vjet më parë. Këta banorë vinin kryesisht nga Norvegjia dhe flitnin gjuhën vikinge, prej nga ka rrjedhur islandishtja. Gjuha është ruajtur falë trashëgimisë së pasur letrare, si dhe deri diku falë izolimit të vendit. Si rrjedhim, njerëzit sot mund të lexojnë ende sagat e vjetra, të cilat u shkruan kryesisht në shekullin e 13-të. Islandezët janë krenarë për gjuhën e tyre, ndaj e kundërshtojnë shumë futjen e fjalëve të huaja në fjalorin e tyre.

Shumica e banorëve të hershëm që u vendosën atje ishin «paganë», dhe vetëm në fund të shekullit të dhjetë u bënë ca orvatje për t’i kthyer në besimin «e krishterë». Pak kohë para përfundimit të atij shekulli, disa prijës të shquar islandezë ndërruan besimin e tyre dhe në vitin 1000, parlamenti i Islandës, Altingu, i kërkoi njërit prej udhëheqësve më të shquar të fesë pagane të gjykonte ndërmjet dy feve. Çuditërisht, ai vendosi që duhej ushtruar vetëm një fe, feja «e krishterë». Me sa duket, kjo u pranua pa shumë kundërshtime. Megjithatë, sipas udhëzimeve të tij, njerëzit mund t’i adhuronin fshehurazi perënditë pagane dhe mund t’i mbanin akoma zakonet pagane. Edhe pse vendimi kishte më tepër karakter politik sesa fetar, ndoshta deri diku ai luajti rol për t’i bërë islandezët njerëz të pavarur në mendime, si edhe tolerantë për gjërat fetare.

Sot, afro 90 për qind e popullsisë i përkasin Kishës Luterane Evangjeliste, që është feja zyrtare në vend. Ndonëse Bibla gjendet pothuajse në çdo shtëpi, pak njerëz e besojnë si Fjalën e Perëndisë.

Lajmi i mirë mbërrin në Islandë

Në agim të shekullit të 20-të, shumë islandezë kishin emigruar në Kanada, deri diku edhe për t’u shpëtuar vështirësive që vinin si pasojë e shpërthimeve vullkanike dhe të ftohtit të ashpër. Pikërisht në Kanada disa dëgjuan për herë të parë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Njëri nga këta ishte Georg Fjelnir Lindali. Pak kohë pasi ia kishte kushtuar jetën Perëndisë Jehova, ai u bë pionier. Vëlla Lindali fliste islandisht, ndaj në vitin 1929, kur ishte 40 vjeç, vendosi të transferohej në Islandë. Ai arriti në Rejkjavik më 1 qershor të atij viti dhe ishte i pari që predikoi lajmin e mirë në Islandë.

Vëlla Lindali priti tre muaj që t’i vinte ngarkesa e parë me literaturë, dhe me t’i ardhur, doli t’i jepte dëshmi kujt të mundte në vend. Nga fundi i tetorit të 1929-s kishte shpërndarë 800 kopje të librit Harpa e Perëndisë në gjuhën islandeze. Në atë kohë, shkroi: «Që kur kam ardhur këtu, kam predikuar në një varg qytetesh me popullsi prej 11.000 banorësh. Popullsia e tërë Islandës është afro 100.000 banorë a ca më shumë, kështu që ka edhe gati 90.000 njerëz për t’u predikuar. Do të duhet gjithë ajo kohë që një njeri i vetëm ta përshkojë tërë territorin këtu, pasi është mjaft e vështirë të udhëtosh. Islanda është vend malor me bregdet të thyer, nuk ka hekurudha e ka pak rrugë automobilistike. Kështu që kam udhëtuar me anije peshkimi pjesën më të madhe të kohës.»

Nuk ka asnjë grimë ankimi në ato pak letra të shkruara me dorë, të ruajtura brenda një dosjeje me letër ambalazhi. Sipër saj është shtypur emri «Islandë». Në po atë letër të vitit 1929, Lindali shkruante: «Me gjithë qejf po ju tregoj një përvojë inkurajuese që më ka ndodhur tani së fundi. Pata rastin të vizitoja prapë një vend ku kisha kaluar më parë. Takova disa njerëz që kishin blerë libra herën e parë kur isha atje. Një burrë tha: ‘E kam lexuar librin Harpa dy herë dhe po e lexoj për së treti. Është libër i mirë. Faleminderit që na vizitove.’ Një tjetër tha: ‘Ja ku na erdhe prapë! Ai libër është mjaft i mirë. Pse nuk i botoni në islandisht të gjithë librat e gjykatësit Radhërford?’ I thashë që pjesa më e madhe e atyre librave ishin në gjuhën daneze. Ai tha: ‘Më dërgo ç’të kesh, edhe vëllimet e pastor Rasëllit, dhe do të kem goxha material për ta studiuar sivjet në dimër.’ Edhe të tjerët shprehën vlerësim për librat. I jam mirënjohës Perëndisë që më lejon t’u shpie mesazhin e së vërtetës atyre që ia vënë veshin.»

Ishte një punë kolosale të flitje me çdo njeri në këtë ishull, i cili është sa gjysma e Anglisë, në mos më shumë. Islanda ka një gjatësi 300 kilometra nga veriu në jug dhe gjerësi gati 500 kilometra nga lindja në perëndim. Bregdeti, përfshirë fjordet dhe gjiret detare, është afro 6.400 kilometra i gjatë. Megjithëkëtë, vëlla Lindali e përshkoi gjithë ishullin, predikoi lajmin e mirë, si dhe shpërndau literaturë. Udhëtonte përgjatë bregdetit me anije peshkimi, dhe kur vizitonte fermat në brendësi të vendit, përdorte dy poni, njërin për t’i hipur vetë e tjetrin për të mbajtur literaturën dhe plaçkat. Sipas vëllezërve që patën privilegjin të shoqëroheshin me të ca vjet para se të ikte nga Islanda, vëlla Lindali ishte i përkushtuar e serioz, i ndrojtur dhe i përmbajtur, njeri fjalëpak. Ishte një burrë që binte në sy nga trupi—shtatlartë—gati tepër trupmadh për ponit e vegjël islandezë që përdorte për udhëtime. Ishte kaq i fortë sa, kur nuk arrinte të gjente poni, i mbante vetë librat dhe plaçkat.

Kur vëlla Lindali nisi misionin e vet në Islandë, në vitin 1929, nuk e dinte sa e vështirë do të ishte, sa durim do t’i duhej e sa këmbëngulje do të kërkonte që, si të thuash, të çante akullin për t’u folur banorëve të Islandës. Për gati 18 vjet, vëlla Lindali ishte i vetmi Dëshmitar në Islandë. Megjithëse u përpoq jashtë mase, askush nuk mori anën e Mbretërisë gjatë asaj kohe. Në vitin 1936, shkroi: «Që kur kam ardhur këtu, kam shpërndarë nja 26.000 a 27.000 libra. Shumë njerëz i kanë lexuar. Disa duket sikur janë bërë kundërshtarë të së vërtetës, kurse pjesa më e madhe janë krejt indiferentë.»

Megjithatë, disa njerëz e vlerësuan mesazhin që u çoi ai. Për shembull, një burrë i moshuar pranoi një kopje të librit Harpa e Perëndisë. Kur vëlla Lindali e vizitoi pas ca muajsh, takoi vajzën e burrit të moshuar, e cila i tha se i ati e kishte pëlqyer librin dhe e kishte studiuar mirë e mirë para se të vdiste. Madje, sipas një zakoni pagan, ai kishte kërkuar që t’ia vinin librin me vete kur të vdiste, dhe kështu kishin bërë.

Qëndrimi i gjatë e i vetmuar i vëlla Lindalit në Islandë, mori fund më 25 mars 1947, kur arritën të diplomuarit e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Ai e vazhdoi shërbimin deri kur u kthye në Kanada, në vitin 1953. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Paul Hajne Pederseni, që atëherë shërbente si pionier special në Islandë, vendosi të shkonte në Vinipeg të Kanadasë për të takuar vëlla Lindalin dhe për të marrë ca të dhëna nga ai vetë për veprën në Islandë, sepse në atë kohë, misionarët që kishin bashkëpunuar me vëlla Lindalin, ishin larguar nga vendi. Kur ishte me pushime në Shtetet e Bashkuara, vëlla Pederseni shkoi me autobus në Vinipeg. Kur arriti, mori vesh që vëlla Lindali kishte përfunduar jetën e tij në tokë atë mëngjes. I shërbeu Jehovait me besnikëri derisa vdiq.

Më shumë punëtorë në të korrën

Në vitin 1947, kur arritën misionarët e parë të Galaadit, që të dy nga Danimarka, filloi një epokë e re për predikimin e lajmit të mirë. Njëri prej tyre ishte Leo Larseni. Dy misionarë të tjerë erdhën në dhjetor të vitit 1948. Ishin Ingvard Jenseni nga Danimarka dhe Oliver Mak-Donaldi nga Anglia. Këta punëtorë të rinj në të korrën vazhduan veprën që kishte filluar vëlla Lindali dhe shpërndanë shumë literaturë. Gjatë dimrit predikonin në Rejkjavik e përreth tij dhe gjatë verës së shkurtër, predikonin në rajonet fshatare përgjatë bregdetit. Ingvard Jenseni kujton në veçanti një fushatë predikimi. Ai shkroi: «Verën e parë që isha në Islandë, shoqërova një nga misionarët e tjerë në një udhëtim nëpër fshatra. Në përgjithësi, shkonim me autobus ose me anije peshkimi te territori i caktuar dhe merrnim me vete biçikleta, tenda, dyshekë portativë, literaturë e ca ushqime. Kështu, një mbrëmje lundruam për në qytetin e Stikisholmurit në bregun perëndimor, ku arritëm të nesërmen pasdite. Kishim në plan t’i vizitonim të gjitha shtëpitë e qytetit dhe më pas të shkonim me biçikletë në Borgarnes, një qytet rreth 100 kilometra larg. Kishte tragete që shkonin përditë nga Borgarnesi në Rejkjavik. Udhëtimi nisi mirë. Ishte mesi i qershorit dhe dielli shkëlqente. Natën e parë, pasi kishim predikuar një pjesë të qytetit, ramë të flinim në dyshekët portativë që kishim marrë. Mirëpo natën nuk po ndienim të ngrohtë dhe mëngjesin tjetër e kuptuam përse: kishte rënë 10 centimetra borë. Ishte e pamundur të ktheheshim prapa, pasi për një javë nuk kishte tragete nga Stikisholmuri. Ndaj u detyruam të vazhdonim sipas itinerarit, të predikonim në qytet dhe të kalonim me biçikletë nëpër një rrugë malore, derisa të shkonim në qytetin tjetër, duke predikuar nëpër fermat që gjendeshin udhës.»

Ata arritën në Borgarnes pas katër ditësh, duke ngarë biçikletën përmes llohës, shiut e erërave të tërbuara që arrinin shpejtësinë 110 kilometra në orë. Gjithsesi, vështirësitë e motit të keq u lehtësuan disi nga mikpritja e jashtëzakonshme e fermerëve përgjatë rrugës, të cilët gjithnjë i ftonin brenda për kafe e për të ngrënë ndonjë gjë. Vëlla Jenseni sjell ndër mend që hanin nga tetë deri në dhjetë vakte në ditë. Ai tha: «Më dukej sikur njerëzit do të fyheshin po të mos e pranonim ftesën e tyre të përzemërt, dhe kjo na krijonte rastin t’u jepnim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Jehovait.»

Gjatë tri viteve të para të veprës misionare në Islandë, vëllezërit shpërndanë 16.000 kopje botimesh të ndryshme. Mirëpo numri i rivizitave e i studimeve nuk u rrit në përpjestim me këtë—njerëzit e pranonin menjëherë literaturën, por nuk i përgjigjeshin mesazhit. Për shembull, vëlla Larseni dhe e shoqja, Misi, e cila kishte ardhur nga Danimarka në vitin 1950 për t’u martuar me Leon, shkuan në bregun lindor, ku predikuan në qytetet: Hefn, Eskifjerdur, Neskaupstadur dhe Sejdisfjerdur. Gjatë këtij udhëtimi rraskapitës, shpërndanë 300 libra dhe afro po aq broshura. Më parë kishin shtypur shënues librash, me një mesazh të shkurtër biblik dhe me adresën e misionarëve në Rejkjavik, dhe i kishin futur në të gjithë librat. Çdo individ që pranonte literaturë, e ftonin të shkruante që të merrte më shumë informacion për të vërtetën, e prapëseprapë askush nuk shkroi.

Në vitin 1952 u vendos që t’i kushtohej më shumë vëmendje territorit në bregun verior. Prandaj në qershor të atij viti, Oliver Mak-Donaldi dhe e shoqja, Selli, e cila kishte ardhur nga Anglia në vitin 1949 për t’u martuar me të, u caktuan në Akureiri si pionierë specialë. Atje hasën kundërshtim të ashpër nga një grup i Vëllezërve të Plimuthit, që drejtohej nga konsulli britanik në atë qytet. Ai kishte shumë pasues, dhe njerëzit ia vinin veshin kur i sulmonte Dëshmitarët nëpër fjalimet që mbante ose nëpër artikujt që shkruante. Edhe pse pionierët nuk ishin mësuar me kundërshtime të tilla në Rejkjavik, ata e përballuan sulmin pa u trembur fare dhe vazhduan veprën normalisht. Dhe shfrytëzuan çdo mundësi për t’iu përgjigjur akuzave të rreme. Disa nga gazetat i botuan përgjigjet e tyre.

Përveç që predikuan në qytet, pionierët shkuan edhe jashtë tij duke shpërndanë literaturë, dhe njerëzit u treguan mikpritje, siç e kanë zakon, por nuk shfaqën interes të sinqertë për mesazhin e Mbretërisë. Vëllai dhe motra Mak-Donald u kthyen prapë në Rejkjavik në korrik të vitit 1953, mirëpo para se të largoheshin nga Akureiri, mbollën farëra të së vërtetës, që do të mbinin më vonë.

Hidhet themeli

Pas 27 vjetësh mbjelljeje e ujitjeje, më në fund vëllezërit në Islandë po shihnin frytin e mundit të tyre. Në fillim të 1956-s, shtatë të sapointeresuar morën anën e Mbretërisë dhe ia kushtuan jetën Jehovait. Deri në atë kohë, pjesa më e madhe e atyre që kishin treguar interes për të vërtetën, nuk kishin qëndruar të vendosur. Bënte përjashtim Iris Obergu, një motër angleze që më pas u largua nga vendi. Tani kishte shtatë të sapopagëzuar, kështu që u hodh një themel i qëndrueshëm. Mirëpo, deri në vitin 1957, misionarët dhe pionierët që kishin punuar me aq ngulm për të parë të vërtetën të rrënjosej fort, kishin ikur nga Islanda, kryesisht për arsye shëndetësore.

Si rrjedhim, në vitin 1957 në kongregacionin e vogël kishte mbetur vetëm një pioniere speciale, Edit Marksi, e cila kishte ardhur nga Danimarka para një viti. Nevojiteshin korrës që të ndihmonin këtë grup, pjesëtarët e të cilit papritur mbetën pa ata që i kishin ndihmuar për të mësuar të vërtetën dhe për të qëndruar të fortë në të. Megjithatë, pak më vonë erdhën pionierë specialë nga Danimarka, Suedia dhe Gjermania. Përveç këtyre, shumë lajmëtarë e pionierë u transferuan në Islandë, që të predikonin për Mbretërinë. Që nga ajo kohë e më pas, rritja ka vazhduar, e ngadaltë, por e qëndrueshme.

Bashkë me rritjen ndodhën edhe zhvillime të tjera emocionuese, si vizitat e rregullta të mbikëqyrësit qarkor dhe kongreset krahinore të përvitshme. Nevojitej më tepër literaturë në islandisht. Revista e parë Kulla e Rojës që doli në islandisht, ishte numri 1 janar 1960. Kjo i dha shtysë të madhe veprës. Sa të kënaqur ishin vëllezërit që mund t’ua jepnin këto botime islandezëve në gjuhën e nënës! Dhe sa besimforcuese ishte për vetë vëllezërit që çdo muaj të nxirrnin dobi nga ushqimi i shkëlqyer frymor! Kur u njoftua në një asamble qarkore në Rejkjavik, se Kulla e Rojës do të botohej në islandisht, pas shpinës së oratorit u zbulua një faksimile e zmadhuar e revistës. Sa brohoritën vëllezërit për këtë dhuratë nga Jehovai!

Vëlla Pederseni kujton që kur shkoi në Islandë, në vitin 1959, broshura «Ky lajm i mirë i Mbretërisë» ishte i vetmi botim në islandisht që mund të përdorej në shërbim në atë kohë, dhe shumë njerëz e kishin një kopje të saj. Lajmëtarët ua jepnin revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në anglisht, danisht ose suedisht atyre që lexonin në ndonjërën nga këto gjuhë. Megjithëse shumë veta kuptonin njërën nga këto gjuhë, ishte ku e ku më mirë ta lexonin Kullën e Rojës në gjuhën amtare. Ky botim në gjuhën islandeze pati ndikim të thellë te vepra e predikimit. Të 41 lajmëtarët dhe pionierët zunë 809 pajtime dhe shpërndanë 26.479 revista gjatë atij viti shërbimi. Vëllezërit patën edhe rritje në numrin e studimeve biblike.

Një ngjarje tjetër kyçe ishte hapja e zyrës së degës më 1 janar 1962. Islanda kishte qenë nën mbikëqyrjen e degës së Shteteve të Bashkuara dhe, para kësaj, të degës së Danimarkës. Pastaj, në vitin 1969, Dëshmitarët e Jehovait morën njohjen ligjore dhe u regjistruan në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Kulteve. Tani Dëshmitarët në Islandë kishin të njëjtat të drejta si edhe besimet e tjera, ishin të autorizuar të celebronin martesa e të kryenin shërbesa fetare në varrime.

Kundërshtim nga kleri

Muajin që u hap zyra e degës, vëllezërit hasën kundërshtim nga kleri. Një mëngjes kryeartikulli i një gazete shpallte se peshkopi i kishës zyrtare kishte nxjerrë një broshurë kundër Dëshmitarëve të Jehovait, ku i paralajmëronte njerëzit që të mos i dëgjonin. Titulli i broshurës ishte Vottar Jehóva—advörun (Dëshmitarët e Jehovait—Ruhuni prej tyre). Disa gazeta të tjera trajtuan këtë çështje. Visiri, gazeta kryesore e pasdites, botoi një intervistë me një vëlla që shërbente në zyrën e degës. Artikulli shpjegonte pikëpamjet tona, dhe s’kaloi shumë e disa gazeta të tjera ecën në këtë vazhdë. Kështu, u dha një dëshmi jashtëzakonisht e madhe, dhe shumë veta u njohën me veprën tonë. Disa lexues shkruan letra për të përkrahur Dëshmitarët, dhe këto letra u botuan në gazeta. Peshkopi kundërsulmoi duke botuar një «përgjigje» ndaj nesh. Gjithsesi, në një artikull që zinte gjithë faqen në gazetën më të njohur, Morgunbladid, Dëshmitarët e Jehovait shpjeguan me hollësi veprën dhe bindjet e tyre.

Broshura me paralajmërimin u shpërnda anembanë vendit. Si rezultat, Dëshmitarët e Jehovait u bënë të njohur, dhe ndikimi te vepra jonë u ndie për gjithë ata vjet në territor. Ngaqë u bë gjithë ajo bujë, një gazetë shkroi: «Peshkopi është bërë si agjent reklamash i Dëshmitarëve të Jehovait.» Populli i Jehovait u bë i njohur, edhe në zonat e thella të vendit, ku Dëshmitarët ende nuk kishin shkuar të predikonin. Edhe pse disa njerëz ndoqën këshillën e peshkopit, shumicës dërrmuese kjo vetëm sa u ngjalli kureshtjen. Megjithatë, në veri, në Akureiri, kishte qëndrime armiqësore. Nganjëherë, fëmijët e vegjël i gjuanin me gurë Hajnrih dhe Katarina Kërherit, të cilët shërbenin atje si pionierë. Vite më vonë, disa kundërshtarë të tjerë fetarë në Akureiri e shpërndanë prapë broshurën e peshkopit, që e kishin shtypur atje në vend. Pentekostalët bënë të njëjtën gjë në Rejkjavik, pasi mendonin se mund ta ndalnin ose ta pengonin predikimin tonë.

Vështirësia për të organizuar kongrese

Asambletë dhe kongreset gjithnjë kanë qenë ngjarje të gëzueshme për popullin e Perëndisë në Islandë. Edhe kur kishte pak lajmëtarë, vëllezërit nuk ngurruan të organizonin asamble. E para u mbajt në korrik të vitit 1951, kur dy vëllezër, Persi Çapmani nga Kanadaja dhe Klaus Jenseni nga Bruklini, vizituan Islandën gjatë udhëtimit për një sërë asamblesh që u bënë atë verë në Evropë. Ndonëse atëherë në Islandë ishin vetëm një grusht me lajmëtarë, maksimumi i të pranishmëve në asamble ishte 55 veta. Asambleja tjetër u mbajt pas shtatë vjetësh, në qershor të vitit 1958, gjatë vizitës së mbikëqyrësit të zonës, Filip Hofmanit, dhe 38 veta dëgjuan fjalimin publik. Që nga ajo kohë, asambletë dhe kongreset janë mbajtur çdo vit.

Fridrik Gislasoni ishte njëri nga ata pak vëllezër që kishin pjesë në programet e kongreseve gjatë viteve 50. Ai rrëfen: «Mbaj mend që në asambletë e para isha përgjegjës i Repartit të Shërbimit të Ushqimit. Përveç që e bëja vetë më të shumtën e punës, nuk ishte e pazakontë që të kisha tri a katër pjesë në program çdo ditë. Kur punoja në kuzhinë, vija një përparëse. Pastaj, kur më vinte radha për të mbajtur fjalimin, ndërsa shkoja me vrap për në podium vishja xhaketën, e nganjëherë vëllezërit duhej të më kujtonin që të hiqja përparësen. Tani kemi nga 400 deri 500 të pranishëm në asamble dhe ka shumë pleq të shkëlqyer, të kualifikuar për të bërë pjesë në program.»

Dramat biblike janë një pikë kryesore emocionuese dhe informative e kongreseve krahinore. Por, meqë në Islandë kishte shumë pak lajmëtarë, dramat jepeshin vetëm në audiokaseta. Dega e Danimarkës i ndihmoi t’i bënin dramat të gjalla duke u siguruar diapozitivë me ngjyra, që mund të shfaqeshin njëkohësisht me zërin në audiokasetë. Gjithsesi, dramat kërkonin shumë parapërgatitje. Së pari duhej të përktheheshin në islandisht. Pastaj duhej të incizoheshin në audiokasetë duke përdorur zërin e vëllezërve që e kishin islandishten gjuhë amtare. Për më tepër, muzika dhe efektet akustike duheshin shtuar nga kaseta në anglisht. Disa duhej të luanin më shumë se një rol dhe ta ndryshonin zërin sipas personazhit që paraqisnin. Me kalimin e kohës, u vunë në skenë disa drama me veshje të kohëve të lashta.

E para, një dramë për mbretëreshën Ester, do të vihej në skenë në kongresin krahinor të vitit 1970. Vëllezërit punuan me pasion në atë projekt dhe i bënë provat me shumë zell. Ishte një përvojë e re të visheshin me rroba si në kohët e Biblës dhe që vëllezërit të vinin mjekra të rreme. U mbajt sekret që drama do të vihej në skenë në kongres. Kjo ishte një surprizë e bukur. Në kongreset e vogla, ku gati të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe ku secili është afër skenës, disa përpiqen të gjejnë se kush po e luan rolin. Pasi pa një dramë, një motër tha: «Çudi! Njoha vetëm një vëlla në dramë, dhe ai luante rolin e mbretit Nabukodonosor! Ajo tha emrin e vëllait dhe u habit kur mori vesh se e kishte ngatërruar me një tjetër. Vëllezërit e çmuan jashtë mase punën e palodhur që u bë nga shumë veta për të paraqitur programin në kongreset e vogla dhe në asamble. Të gjithë nxjerrin dobi nga mësimet e shkëlqyera të dramave që shfaqen në gjuhën e tyre.

Kongreset ndërkombëtare sjellin gëzim

Gjatë viteve, vëllezërit në Islandë kanë ndjekur edhe kongrese në vende të tjera. Pesë delegatë nga Islanda patën privilegjin të ndiqnin kongresin ndërkombëtar «Vullneti hyjnor» në Nju-Jork, në vitin 1958. Shumë veta ndoqën Kongreset «Adhurues të bashkuar» në Evropë, më 1961, dhe Kongreset «Lajmi i mirë i përhershëm» në vitin 1963. Të tjerë u kënaqën me shoqërinë e vëllezërve nga mjaft vende të tjera në Kongreset Ndërkombëtare «Fitorja hyjnore» në vitin 1973. Më se njëqind lajmëtarë nga Islanda ndoqën Kongresin Ndërkombëtar «Paqe në tokë» në Kopenhagen, Danimarkë, në 5-10 gusht të vitit 1969. Ky ishte grupi më i madh nga Islanda që merrte pjesë në një kongres ndërkombëtar në një vend të huaj. Atë verë, 80 për qind e lajmëtarëve në Islandë shkuan jashtë shtetit për të ndjekur ndonjë kongres.

Ngaqë shumë veta nga Islanda planifikuan të ndiqnin kongresin e vitit 1969, dega e Danimarkës mori masa që vëllezërit islandezë të uleshin bashkë. Në mëngjes, para se të fillonin sesionet, vëllezërit nga Islanda takoheshin në seksionin e tyre ku kënaqeshin me përmbledhjen e programit në gjuhën amtare.

Mes atyre që ndoqën këtë kongres, ishte një djalë i ri me emrin Bjarni Jonsoni. Ishte i biri i një avokati, pronarit të ndërtesës në Rejkjavik që vëllezërit e kishin marrë me qira për shtëpinë misionare dhe për zyrën e degës. Bjarni dinte pak gjëra për të vërtetën dhe shkoi me vëllezërit në Kopenhagen, por jo për të ndjekur kongresin. Si ndodhi kjo?

Kjel Gilnardi, që atëherë ishte shërbëtor dege, duhej të diskutonte për ca çështje me babanë e Bjarnit. Kjeli i foli për kongresin ndërkombëtar në Kopenhagen dhe i tha se një grup me vëllezër po bënin plane që të shkonin. Kur avokati dëgjoi këtë, pyeti nëse do të ishte e mundur që djali i tij i madh të shkonte në Kopenhagen bashkë me këtë grup. I tha vëlla Gilnardit që i biri sapo kishte mbaruar të mesmen dhe kishte qejf ta dërgonte jashtë shtetit për një udhëtim, e pse jo në Kopenhagen. Kjeli mendoi se kjo ishte një ide e mirë dhe i tha avokatit se Bjarni mund të ndiqte kongresin, nëse dëshironte të shihte ç’bëhej atje dhe mund ta strehonin në Kopenhagen. I kënaqur nga kjo, avokati e pyeti të birin a i pëlqente të udhëtonte bashkë me grupin e Dëshmitarëve të Jehovait që do të shkonin në kongres. I biri pranoi me gjithë qejf.

Kontaktuan me Repartin e Strehimit që të gjendej një strehim për Bjarnin në Kopenhagen. Vëllezërit i gjetën një vend në një familje Dëshmitarësh. Vendi kishte mbetur bosh pasi një delegat amerikan që duhej të rrinte në dhomë me një vëlla islandez me emrin Jakob, e kishte anuluar prenotimin. Kështu, në vend të tij, shkoi Bjarni. Mirëpo, për disa arsye, as Jakobi, vëllai islandez, nuk shkoi, prandaj mbeti vetëm Bjarni te familja ku do të strehoheshin. Meqë Reparti i Strehimit nuk i kishte thënë familjes se në vend të vëllait amerikan do të shkonte Bjarni, ata pandehën se mysafiri i tyre ishte Jakobi.

Siç ndodh gjithmonë kur takohen vëllezër nga vende të ndryshme, mikpritësit danezë filluan të tregonin përvoja. Por u habitën kur panë se «Jakobi» s’po tregonte gjë. Nga ana tjetër, Bjarni mbeti ca i çuditur që i zoti dhe e zonja e shtëpisë e thërrisnin Jakob. Dhe meqë Jakob është emër biblik, ai mendoi se ndoshta Dëshmitarët e Jehovait e kanë zakon të përdornin emra biblikë në muhabet me njëri-tjetrin. Ky keqkuptim u sqarua kur njëri nga vëllezërit e shtëpisë ku rrinte Bjarni, takoi një vëlla danez që shërbente si pionier në Islandë. Ai e pyeti vëllanë se mos «Jakobi» ishte i ri në të vërtetën, se tregonte fare pak gjëra për veprën në Islandë. Vëllai danez i shpjegoi se «Jakobi», në të vërtetë ishte Bjarni, një nxënës nga Islanda që kishte udhëtuar me vëllezërit për në Kopenhagen. Mikpritësit e Bjarnit e trajtuan me shumë përzemërsi dhe e ftuan të rrinte edhe një javë tjetër e ndërkohë të vizitonte disa pika turistike në Danimarkë. Kjo mirësi i preku zemrën Bjarnit.

Në fakt, ai e ndoqi kongresin. Dhe, ndonëse nuk kishte njohuri për të vërtetën, që ta ndihmonte për ta shijuar plotësisht programin, i lanë mbresa të thella gjërat që pa e që dëgjoi. Me t’u kthyer në Islandë, ai dhe familja e vet filluan të studionin Biblën. Bjarni bëri përparim të shkëlqyer në të vërtetën dhe u pagëzua në vitin 1971. Që nga viti 1979 ka shërbyer si anëtar i Komitetit të Degës në Islandë.

Svanberg Jakobsoni ka qenë përkthyes në degën e Islandës për shumë vjet, dhe tani është mbikëqyrësi i Repartit të Përkthimit. Kur ishte lajmëtar në moshë të re, ndoqi Kongresin Ndërkombëtar «Fitorja hyjnore» në Londër të Anglisë, më 1973. Ai tregon: «Mbaj mend që isha tepër i emocionuar kur shihja me mijëra vëllezër e motra që vërshonin në stadiumin ku bëhej kongresi. Magjepsesha kur shihja gjithë ata vëllezër e motra nga Afrika, të tërë me rrobat e tyre tradicionale ngjyra-ngjyra. Ishte një përvojë e paharrueshme të gjendeshe mes dhjetëra mijë vëllezërve, ta dëgjoje programin bashkë me ta, të këndoje me ta, të luteshe me ta, të haje me ta dhe thjesht të ishe në mes tyre.»

Solborga Sveinsdotiri, e cila ishte pagëzuar më 1958, udhëtoi gjashtë ditë me anije për në Danimarkë bashkë me katër fëmijët e saj, për të ndjekur kongresin në Kopenhagen, në vitin 1961. Solborga bënte pjesë në një grup të vogël të veçuar, në Keflavik. Ç’ndikim pati tek ajo ndjekja e një kongresi të madh ndërkombëtar? Ajo thotë: «U mahnita kur dëgjova mbi 30.000 vëllezër që këndonin së bashku këngët e Mbretërisë në pesë gjuhë—kjo më mallëngjeu. Çdo gjë ishte e organizuar për mrekulli.»

Udhëtimi për në kongreset ndërkombëtare kushtonte, por vëllezërit mendonin që ia vlente barra qiranë. Ishte një bekim të ishe në këto gosti frymore të mrekullueshme, të përgatitura nga Jehovai, dhe të gjendeshe mes mijëra të tjerëve me të njëjtin besim.

U vete për vizitë një «kamerier» frymor

Shumë veta janë transferuar në Islandë që të shërbejnë atje ku nevoja është më e madhe. Për të gjithë ata, transferimi ka qenë një betejë e gjatë dhe e mundimshme për të mësuar gjuhën e vështirë islandeze. Gjithsesi, nganjëherë një keqkuptim për faj të gjuhës, mund të dalë për mirë. Për shembull, një ditë Hajnrih Kërheri po predikonte nga shtëpia në shtëpi e po prezantohej si shërbëtor fetar. Në një shtëpi, doli te dera një grua e re dhe sapo iu prezantua, ajo e ftoi brenda. E kishte kuptuar gabim se kush ishte, pasi në islandisht, e njëjta fjalë do të thotë edhe «shërbëtor», edhe «kamerier». Ajo pandehu se ai ishte një shok pune i burrit të saj, një kamerier në hotelin e atjeshëm. E dinte se pas pak i shoqi do të kthehej në shtëpi, ndaj mendoi që duhej ta ftonte brenda këtë shok pune të tij, që të takoheshin bashkë. Sigurisht që, kur u sqarua keqkuptimi, ata qeshën me të madhe.

Burri erdhi dhe «kamerieri» ynë frymor i shërbeu çiftit të ri një vakt frymor të shkëlqyer, të cilin ata e pëlqyen jashtë mase. Madje i kërkuan Hajnrihut që të vinte prapë bashkë me të shoqen. Pas pak kohësh, u morën vesh të bënin studim biblik, dhe çifti filloi t’u dëshmonte të tjerëve. Madje, kamerieri u fliste të gjithë atyre që e dëgjonin, edhe kur punonte në hotel. Me kalimin e kohës, çifti u pagëzua. Ishin të kënaqur që «kamerieri» frymor u vajti për vizitë dhe nuk u kursye, por u dëshmoi në një gjuhë të huaj për të.

Gjatë viteve, ka pasur shumë ndodhi për të qeshur nga keqkuptimet që lindnin kur vëllezërit e huaj po mësonin gjuhën. Për shembull, pak pasi kishte vajtur në Islandë, Selli Mak-Donaldi përgatiti një prezantim me këto fjalë: «Po vizitoj njerëzit e kësaj lagjeje, që t’u flas për ca gjëra interesante nga Bibla.» Mirëpo e ngatërroi fjalën «vizitoj» (heimsækja) me fjalën «përndjek» (ofsækja) dhe, duke buzëqeshur, tha: «Po përndjek njerëzit e kësaj lagjeje.»

Nga shtëpia në shtëpi me një klerik luteran

Për gjithë ata vjet, Holger e Tova Frederikseni nga Danimarka shërbyen me besnikëri si pionierë specialë në Islandë, dhe për ca kohë shërbyen në veprën udhëtuese. Megjithëse Tova mezi arriti ta mësonte e ta zotëronte gjuhën islandeze, ajo ndihmoi shumë veta të merrnin të vërtetën, falë zellit e entuziazmit të saj.

Në një rast, kur ishte në veprën qarkore, Holgeri po predikonte me një lajmëtar të ri nga shtëpia në shtëpi në një fshat të vogël. Për habinë e tyre, kleriku luteran i fshatit shkoi me ta. E si kështu?

Ata e kishin vizituar klerikun në shtëpinë e vet një copë herë më parë. U ishte dukur miqësor dhe i kishte ftuar në zyrën e tij. Pasi u kishte hedhur një sy librave që i kishin sjellë, tha: «Këta libra kanë mësime të rreme!» Pastaj, menjëherë u çua në këmbë, ngriti duart lart dhe shpalli mallkimin e Perëndisë mbi ta. «Ju ndaloj të predikoni këtu në famullinë time!»—ulëriti. Holgeri i tha klerikut se nuk kishte asnjë të drejtë t’i ndalonte të predikonin dhe se ata do të vazhdonin predikimin. Atëherë kleriku iu përgjigj: «Në qoftë se do të vazhdoni t’u predikoni njerëzve këtu në famullinë time, unë do të vij me ju.» Holgeri ia ktheu se mund të shkonte me gjithë qejf.

Pasi kleriku i ndoqi pas në dy vizita në shtëpitë më afër shtëpisë së tij, ata takuan Tovën dhe një motër tjetër, të cilat u çuditën kur panë kush ishte me ta nga shtëpia në shtëpi. Atëherë kleriku i ftoi të gjithë në shtëpinë e vet për një kafe. Biseduan miqësisht. Holgeri e nuhati që shërbëtori po shfaqte mikpritje kaq papritur e papandehur, sepse kishte synim t’i pengonte t’u predikonin të gjithëve në territor. Ndaj të nesërmen ata u kthyen prapë dhe predikuan në tërë fshatin, shpërndanë mjaft literaturë dhe takuan shumë njerëz që i dëgjuan.

Ndalen nga një ortek

T’u predikosh njerëzve që jetojnë në fshatra, shpesh përfshin të udhëtosh nëpër gryka malore, ku gjatë muajve të errët të dimrit, rrugët janë me akull e të mbuluara me pirgje dëbore që kanë rrëshqitur nga mali. Në dhjetor të vitit 1974, kur ishin në veprën qarkore, Kjel e Iris Gilnardi vizituan Akureirin, në bregun verior. Gjatë javës që ishin me kongregacionin atje, udhëtuan 80 kilometra deri në qytetin e Husavikut. Morën me vete Holger e Tova Frederiksenin. Për disa ditë, të katër predikuan në Husavik e përreth tij, dhe e përfunduan vizitën me një fjalim publik, të shoqëruar me një prezantim me diapozitiva në një shkollë. Sapo filloi mbledhja, një stuhi përfshiu zonën, dhe solli erëra të acarta, borë e llohë. Pas mbledhjes, teksa të pranishmit po mblidhnin gjërat e tyre që të niseshin për në shtëpi, në gjithë qytetin ikën dritat, për shkak të stuhisë së borës. Vëllezërit dolën nga shkolla nëpër terr, por të gjithë ishin të kënaqur që e shfaqën filmin para se të iknin dritat.

Gilnardët dhe Frederiksenët duhej të ktheheshin në Akureiri. Pyetën policinë dhe ca shoferë autobusësh e kamionësh për gjendjen e rrugës, dhe ata i siguruan se më parë s’kishte pasur probleme. Ndaj vendosën të iknin sa më parë të mundeshin, mirëpo iu desh ca kohë të bënin gati plaçkat me dritën e qiririt. Kur dolën të blinin ca benzinë për makinën, punonjësit të karburantit iu desh ta pomponte benzinën me dorë. Më në fund, rreth orës nëntë të darkës, ishin gati për t’u nisur.

Për atë udhëtim, Kjeli tregoi: «Në fillim çdo gjë shkoi për bukuri, por pastaj bora sa vinte e po binte më shumë. Nganjëherë ishte kaq e vështirë të shihje rrugën, sa Holgeri duhej të dilte nga makina që të na drejtonte me një elektrik dore. Pastaj ngecëm në ca pirgje dëbore. Disa herë arritëm të kapërcenim pirgje të tilla duke e shtyrë makinën e duke e hequr borën me lopatë. Por së fundi ngecëm para një muri të lartë me borë. Më vonë kuptuam se kjo borë kishte ardhur nga një ortek që kishte rënë nga mali aty sipër. Normalisht, nga Husaviku në Akureiri mban dy orë me makinë, kurse ne deri në atë çast kishim udhëtuar gjashtë orë, dhe kishim bërë vetëm gjysmën e udhës.

Ishte ora tre e mëngjesit dhe ishim bërë qull, telef nga lodhja e kishim ftohtë. Merreni me mend sa u gëzuam kur pamë se kishte drita në një fermë aty afër. Kjo na dha zemër të shkonim e të trokitnim tek ajo shtëpi. Holgeri, tip i sjellshëm dhe i respektueshëm, trokiti te porta e jashtme. Kur nuk u përgjigj njeri, ai hapi derën, ngjiti shkallët dhe trokiti lehtë në dhomën e gjumit. Ndonëse u befasuan, fermeri dhe e shoqja e pritën mjaft mirë këtë të paftuar që u erdhi papandehur. Thanë se kishin rënë të flinin kur ikën dritat dhe i kishin harruar dritat ndezur.

Në këtë rast pamë me sytë tanë një shembull të mikpritjes islandeze, që na ngrohu zemrën. Fermeri dhe e shoqja i çuan në një dhomë tjetër fëmijët që po flinin, që ne çiftet të flinim në dhoma më vete. Dhe pas pak, në tavolinë kishte kafe të ngrohtë e bukë të shijshme. Të nesërmen, pasi hëngrëm mëngjesin, fermeri nguli këmbë të na mbante për drekë. Pasi hëngrëm edhe drekën me këtë familje, vazhduam udhën për në Akureiri, sepse dy makina që heqin borën, e kishin hapur rrugën. Nga kjo mikpritje e fermerit dhe e së shoqes na u dha mundësia për t’u folur për të vërtetën e Biblës.»

Predikim në një peshkarexhë

Disa vjet më parë, Kjel Gilnardi takoi në shërbim një djalë të ri. Ai quhej Fridrik. Ishte djali i madh i shtëpisë, i dhënë pas gjërave fetare e i pëlqente të diskutonte rreth Biblës. Kishte shumë pyetje për Biblën dhe shfaqi interes të madh për të marrë njohuri për të. Megjithatë, nuk ishte e lehtë ta gjeje prapë, sepse punonte si motorist në një peshkarexhë. Pjesën më të madhe të kohës ishte në det, e pak ditë rrinte në shtëpi, vetëm kur nuk kishte lundrime. Gjithsesi, duke kontrolluar grafikun e lundrimeve dhe duke pyetur mamanë e Fridrikut kur pritej të vinte, Kjeli arrinte ta takonte, nganjëherë në port, e nganjëherë në shtëpi. Kështu vëllezërit e ndihmuan të përparonte frymësisht.

Drejt fundit të vitit 1982, Fridrikun e ftuan në një asamble në Rejkjavik. Në atë kohë besimi i tij te Jehovai kishte filluar të rritej dhe u lut që t’i krijohej mundësia për të marrë pjesë. Më pas, një burrë në ekuipazhin e tij, që i kishin dhënë ca ditë leje, papritur vendosi të mos e merrte lejen. Kjo i dha shkas Fridrikut të merrte leje në punë, dhe të ndiqte asamblenë. Programi i la mbresa të thella, aq sa u bind se donte t’i shërbente Jehovait.

Kur Fridriku u kthye në qytet, i tregoi së fejuarës për vendimin dhe për pasojat që do të kishte ky vendim në jetën e tij. I tha se donte që ajo të bëhej gruaja e tij, por nëse ajo nuk kishte dëshirë të martohej me një Dëshmitar të Jehovait, duhej ta prishte fejesën. Të nesërmen në mëngjes, në shtëpinë misionare u dëgjua një e trokitur. Jashtë ishin Fridriku dhe e fejuara. Fridriku tha pak fjalë, por me vendosmëri: «Helga do një studim biblik.» Kështu misionarët u morën vesh me Helgën për studimin. Më pas, po atë ditë, njëri nga vëllezërit e vegjël të Fridrikut kërkoi të studionte Biblën. Po atë javë, Fridriku mori në mbledhje motrën e vet të vogël dhe tha: «Unura do një studim.»

Fridriku donte ta simbolizonte kushtimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Mirëpo, më parë duhej të rriste njohurinë që kishte, e pastaj të bënte pyetjet e pagëzimit. Problemi ishte që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në det. Meqë Kjeli nuk e gjente dot në shtëpi, kishte shumë mundësi ta gjente te vendi i punës. Si të zgjidhej kjo? Fridriku e mori Kjelin që të punonte me të në dhomën e motorit në peshkarexhë. Në fillim të vitit 1983, i pajisur me një Bibël dhe me materiale studimi, Kjeli vuri këmbë në bordin e peshkarexhës «Svalbakur».

«Puna dhe predikimi në bordin e ‘Svalbakurit’ ishte një përvojë e paharrueshme,—kujton Kjeli.—Puna fillonte në orën 6.30 të mëngjesit dhe mbaronte në orën 18.30 të mbrëmjes. Hanim drekë në orën 12.00 dhe bënim pushim për të pirë një kafe paradite e pasdite. Gjatë kohës që nuk kishim punë, studioja me Fridrikun, dhe kishte shumë raste për t’u dëshmuar anëtarëve të tjerë të ekuipazhit. Mbrëmjeve studionim dhe trajtonim çështje biblike. Nganjëherë kishte kaluar mesnata kur shkonim për të fjetur. Gjatë drekës, përpiqeshim të mos rrinim shumë në dhomën e ngrënies, që të shkonim të diskutonim shkrimin e ditës në kabinën e Fridrikut.»

Sigurisht, burrave në bord u bëri përshtypje që një misionar tani ishte anëtar i ekuipazhit. Ditët e para i qëndruan larg Kjelit, pasi nuk dinin ç’të mendonin për të. Megjithatë, disa nga ekuipazhi e dëgjonin me vëmendje Kjelin kur fliste. Njëri prej tyre shfaqi goxha interes dhe, kur mori vesh për diskutimin e shkrimit të ditës gjatë kohës së drekës, deshi të bashkohej me ta. Një ditë, kur muhabeti në dhomën e ngrënies u zgjat ca, ai e humbi durimin dhe i tha Kjelit e Fridrikut në sy të gjithë të tjerëve: «Tani duhet të çohemi e të shkojmë të lexojmë shkrimin e ditës, apo jo?»

Një mbrëmje Kjeli dhe Fridriku e ftuan ekuipazhin në kabinën e Fridrikut për të shqyrtuar një material nga një revistë Zgjohuni! që fliste për alkoolizmin. Shtatë veta ishin të pranishëm në këtë mbledhje të paharrueshme dhe lajmi për të u përhap edhe te ekuipazhet e peshkarexhave të tjera.

«Pasi kisha kaluar gati dy javë duke predikuar e duke punuar në bordin e ‘Svalbakurit’, u kthyem prapë në port,—thotë Kjeli.—Tashmë pyetjet e pagëzimit me Fridrikun i kisha bërë, e gjithashtu kishim shqyrtuar bashkë mjaft argumente të tjera biblike, u kisha dëshmuar anëtarëve të tjerë të ekuipazhit e u kisha dhënë revista e botime të tjera.» Fridriku u pagëzua në pranverën e vitit 1983. E fejuara e Fridrikut, Helga, nëna dhe motra e tij, e përqafuan të vërtetën që të tria.

Studime me anë të telefonit

Gjithnjë ka qenë e vështirë t’u predikosh lajmin e mirë njerëzve që banojnë në zonat e largëta në këtë ishull të madh. Telefoni ka qenë një mjet i efektshëm për t’u lidhur e për të mbajtur lidhjet me të interesuarit.

Shumë veta kanë nxjerrë dobi nga kjo metodë e predikimit të lajmit të mirë. Para disa vjetësh, një grua me emrin Odni Helgadotiri vizitoi të birin dhe nusen e tij, që po studionin me Dëshmitarët e Jehovait. Kur i treguan se ç’po mësonin, edhe ajo donte të studionte Biblën. Mirëpo Odni banonte në një zonë të largët në bregun veriperëndimor të Islandës, më tepër se 300 kilometra nga kongregacioni më i afërt. Kur një motër, Gudruna Olafsdotiri, e ftoi të studionin bashkë me anë të telefonit, ajo pranoi me kënaqësi. Pasi bënin një lutje në fillim, Odni u përgjigjej menjëherë pyetjeve të studimit që ishin në libër. Ajo përgatitej mirë për studimin dhe i shkruante shkrimet që ishin aty, që t’i lexonte menjëherë gjatë studimit. Kështu, nuk i duhej kohë për të kërkuar shkrimet, ndërsa bëhej studimi. Në një rast, e bënë studimin në shtëpinë e Gudrunës, kur Odni kaloi për vizitë në ato anë. Që të dyja kishin pak siklet, meqë ishte hera e parë që e bënin studimin ballë për ballë, ndaj me shaka Gudruna i tha që të shkonte tek dhoma tjetër ku kishte një telefon paralel.

Kur Odni filloi ta kuptonte të vërtetën, nisi t’i dëshmonte të shoqit, Jonit. Ai tregoi interes, por Odni nuk ishte e sigurt nëse ishte me vend që t’ia drejtonte vetë studimin. Pastaj mori vesh se mund ta drejtonte studimin, por që do të ishte e përshtatshme të vinte një shami në kokë ndërsa drejtonte. Përveçse studionte me të shoqin, u dëshmonte edhe fqinjëve. Më pas shprehu dëshirën që të pagëzohej. Gudruna e rregulloi që ajo t’i bënte pyetjet e pagëzimit në telefon me një plak, duke përdorur librin Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, për të parë a ishte e kualifikuar. Dukej qartë se ishte e kualifikuar, me përjashtim të një gjëje: ende nuk kishte paraqitur zyrtarisht dorëheqjen nga kisha.

Gati një javë më pas, Odni e mori Gudrunën në telefon dhe i tha se kishte dhënë dorëheqjen nga kisha. Edhe i shoqi kishte bërë po njësoj. Ky ishte një vendim i vështirë për të shoqin, pasi kishte qenë kryetari i këshillit të famullisë së atjeshme. Më vonë, Odni u pagëzua në një asamble qarkore. Asambleja ishte një përvojë e bukur për të, pasi vetëm një herë ishte takuar me një grup të vogël Dëshmitarësh. Në një intervistë në programin e asamblesë, e pyetën a e kishte të vështirë, duke qenë aq e izoluar. U përgjigj se kurrë nuk ishte ndier vetëm, meqë e dinte që Jehovai është gjithmonë i pranishëm, edhe në bregun veriperëndimor të Islandës. Pastaj tha se i vinte keq që i shoqi nuk e ndoqi dot asamblenë, por ai e kishte siguruar se do të vinte kur të ishte gati për t’u pagëzuar vetë. Dhe e mbajti premtimin! Pas pak kohësh, ata shkuan në një zonë më të populluar, kështu që mund të shkonin rregullisht në mbledhje.

Nevoja për shtëpi misionare dhe për Salla Mbretërie

Kur Nejthën H. Nori nga selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait, vizitoi Islandën në vitin 1968, propozoi të gjendej një ndërtesë më të përshtatshme për zyrën e degës dhe për të strehuar misionarët. Deri në atë kohë, kishin marrë disa shtëpi me qira. Tani vëllezërit po kërkonin një truall, në të cilin të ngrinin një ndërtesë, që të kishte një Sallë Mbretërie, një shtëpi misionare dhe një zyrë dege. Ndërkohë, u mor me qira një shtëpi e përshtatshme në adresën «Hrefnugata 5» në Rejkjavik, dhe më 1 tetor 1968 gjashtë misionarët u futën në këtë shtëpi. Gjatë pesë viteve që pasuan, kjo ndërtesë shërbeu si qendër për veprën në Islandë. Më pas, vëllezërit blenë një copë toke të përshtatshme në adresën «Sogavegur 71», Rejkjavik. Në verën e vitit 1972 filloi ndërtimi i degës së re. Kjo ishte një vështirësi e madhe për ata pak vëllezër që ishin atje, të cilët nuk merrnin shumë vesh nga inxhinieria dhe ndërtimi. Nuk kishte asnjë sipërmarrës ndërtimi a murator mes tyre, ndaj ishte e nevojshme të merreshin me pagesë sipërmarrës që nuk ishin Dëshmitarë. Këta sipërmarrës u treguan mjaft të gatshëm të bashkëpunonin dhe i lejuan vëllezërit të punonin bashkë me ta në projekt. Vëllezërit morën me qira një pjesë të një shtëpie të vjetër, ngjitur me kantierin e ndërtimit, që të strehoheshin e të hanin atje. Motrat gatuanin me radhë në shtëpitë e tyre dhe ua çonin punëtorëve ushqimin në kantier.

Puna me ndërtimin ishte një dëshmi e shkëlqyer për atë zonë. Sipërmarrësit dhe autoritetet e qytetit patën një rast të mirë për t’u njohur me Dëshmitarët e Jehovait. Të tjerë ndaleshin para kantierit për të parë si ecte puna. Kur erdhi koha që të bëhej suvatimi i mureve, një vëlla nga Danimarka që ishte murator profesionist erdhi për të ndihmuar. Veç kësaj, pjesën më të madhe të punës e bënë motrat. Kur disa inspektorë nga qyteti vizituan kantierin, panë që motrat po përdornin makinën që bën llaç. Njëri nga inspektorët tha: «Mendoj se gratë e kishës sonë mund të mësojnë diçka nga kjo. Sigurisht do të kishim më shumë sukses po t’i ndërtonim kishat duke punuar, sesa duke ardhur vërdallë me një kuti në dorë për të lypur para.» Ndërtesat u kushtuan në maj të vitit 1975, kur Milton G. Hensheli vizitoi Islandën dhe mbajti fjalimin e kushtimit. Ndërtesa shërbeu për shumë vjet si shtëpia misionare kryesore në vend dhe si Sallë Mbretërie për kongregacionet e Rejkjavikut. Tani shërben si zyrë dege.

Në vitin 1987 një Sallë e re Mbretërie dhe një shtëpi misionare u ndërtuan në qytetin e Akureirit. Provat për unitetin dhe vëllazërinë ndërkombëtare që ka mes popullit të Jehovait, ishin të dukshme kur më se 60 vëllezër e motra nga Finlanda dhe Suedia vajtën për të ndihmuar vëllezërit në Islandë për këtë projekt ndërtimi.

«Druri më i mirë»

Gjatë viteve, Islandën e kanë vizituar disa përfaqësues të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Këto vizita kanë qenë burim i madh inkurajimi për vëllezërit. Ngjarja kryesore e vitit 1968 ishte vizita e vëlla Norit, që u përmend më parë. Ai mbajti një fjalim prekës për vëllezërit, u tregoi përvoja dhe foli për përparimin e veprës së predikimit të Mbretërisë në Islandë.

Vëlla Hensheli e vizitoi për herë të parë Islandën në maj të 1970-s. Disa misionarë të përgjumur e mirëpritën. Ishin përgjumësh jo vetëm ngaqë vëlla Hensheli arriti në të gdhirë, por edhe sepse Hekla, vullkani i famshëm, kishte filluar të shpërthente një natë më parë dhe misionarët e kishin kaluar natën duke soditur vullkanin.

Vëlla Hensheli u kushtoi vëmendje të veçantë misionarëve dhe pionierëve specialë. I ftoi të gjithë në një mbledhje të posaçme, për t’u treguar përvoja nga koha kur ai vetë kishte qenë pionier gjatë krizës ekonomike në SHBA. U tregoi se si pionierët e këmbenin literaturën me pula, vezë, gjalpë e perime, me një palë syze, e madje me një këlysh qeni! Kështu që vepra vazhdoi gjatë atyre kohëve të vështira dhe pionierëve nuk u munguan gjërat e domosdoshme.

Vizitorët që shkojnë në Islandë, shpejt e vënë re se ushqimi nuk është siç janë mësuar ata. Ndër specialitetet e kuzhinës islandeze është svidi, kokë deleje e prerë më dysh dhe e zier. Mendo që ti hedh sytë në pjatë dhe sheh gjysmën e kokës së deles me dhëmbët jashtë e me një sy! Shumë të huaj e kanë të vështirë ta shohin «në sy» svidin. Sigurisht ka edhe peshk të freskët. Një specialitet islandez është hardfiskuri: peshk i bërë fileta e i tharë. Hahet i pagatuar, mundësisht me gjalpë. Zakonisht, ky peshk është i fortë dhe duhet rrahur që të zbutet. Prandaj misionarët po prisnin me kërshëri të shihnin reagimin e vëlla Henshelit kur i shërbyen këtë peshk. Pasi e provoi, misionarët e pyetën a i pëlqeu. Ai u mendua për një çast, dhe pastaj dha një përgjigje diplomatike: «Po ja, them se nga drurët që kam ngrënë, është druri më i mirë.»

Shumë vizita të tjera nga përfaqësuesit e Trupit Udhëheqës kanë qenë të paharrueshme dhe inkurajuese. Këto vizita u kanë ngulitur në mendje vëllezërve në Islandë faktin që, edhe pse janë pak në numër dhe ndodhen në zona të izoluara, janë pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare, të lidhur nga dashuria e krishterë si me një hallkë të fortë.

Bashkëpunojnë me mjekët dhe me mjetet e informacionit

Në vitin 1992, në Islandë filloi të vepronte një Komitet i Lidhjes me Spitalet (KLS), i përbërë nga katër vëllezër. Për t’u stërvitur, dy nga vëllezërit ndoqën një seminar të KLS-së në Angli, dhe dy të tjerë një seminar që u mbajt në Danimarkë. Kur u organizua KLS-ja e sapoformuar, u mbajt një mbledhje me personelin mjekësor të një qendre spitalore universitare të madhe. Njëqind e tridhjetë veta u paraqitën në mbledhje, mes tyre mjekë, infermierë, avokatë e administratorë të spitalit. Meqë kjo ishte mbledhja e parë që mbahej me specialistë të mjekësisë, kuptohet që vëllezërit e KLS-së kishin njëfarë sikleti. Gjithsesi mbledhja doli me sukses, dhe pas saj ranë në ujdi që të takoheshin me një numër më të vogël mjekësh e specialistësh të tjerë të kësaj fushe në spitale të ndryshme. Vëllezërit krijuan edhe marrëdhënie të mira me disa kryekirurgë dhe anesteziologë. Këto njohje kanë ndihmuar që të parandalohen dhe të zgjidhen disa probleme në lidhje me mjekimin pa gjak.

Në vitin 1997 doli një ligj i ri për të drejtat e pacientit. Ligji sanksionon që asnjë mjekim nuk mund t’i bëhet pacientit pa miratimin e tij a të saj dhe, nëse dihet vullneti i një pacienti të pavetëdijshëm, ky vullnet duhet respektuar. Gjithashtu ligji pohon se fëmijët 12 vjeç e sipër gjithnjë duhen konsultuar për mjekimin që u bëhet. Gudmundur H. Gudmundsoni, drejtues i KLS-së, raporton: «Në përgjithësi, mjekët janë mjaft të gatshëm të bashkëpunojnë, dhe rrallëherë ka probleme. Edhe operacionet e rënda bëhen pa gjak.»

Kur u botua Zgjohuni! e shkurtit 2000 që fliste për mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak, zyra e degës i nxiti vëllezërit të bënin një përpjekje të veçantë për ta shpërndarë atë revistë sa më shumë të mundeshin. Zyra e degës dha ca sugjerime se si të prezantonin këtë revistë e si t’u përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me gjakun. Në fillim disa ngurruan të prezantonin revistën, mirëpo shumë shpejt panë që njerëzit donin të dinin për këtë argument. Më shumë se 12.000 kopje iu shpërndanë publikut. I bie një revistë për çdo 22 banorë në vend. Një vëlla tha: «Pata vështirësi ta mbaroja territorin, sepse bëra shumë biseda të këndshme.» Një motër tha: «Vetëm dy veta nuk pranuan të ma merrnin revistën.»

Një zonjë që drejtonte një program të përjavshëm në një radio kombëtare, mori këtë revistë për mjekësinë pa gjak. Në program tregoi si i kishte rënë në dorë revista, dhe pastaj e rishqyrtoi historinë e transfuzioneve të gjakut siç shpjegon revista Zgjohuni! E përfundoi diskutimin duke thënë se çdonjeri që do të dëshironte të merrte më shumë informacione për mjekësinë pa gjak, mund t’u kërkonte Dëshmitarëve një botim për këtë temë.

Fushata speciale me këtë numër të revistës Zgjohuni!, u hapi sytë shumë vetave që të shihnin se sa i arsyeshëm është qëndrimi ynë për gjakun. Për më tepër, arritën të kuptonin që Dëshmitarët e Jehovait nuk duan të vdesin. Përkundrazi, ata kërkojnë trajtimin mjekësor më të mirë që gjendet. Si rrjedhim, disa që në të kaluarën ishin keqinformuar në lidhje me qëndrimin ndaj gjakut, e mirëpritën mesazhin e Mbretërisë.

Dy salla në katër ditë

Për vëllezërit në Islandë, një ngjarje e jashtëzakonshme gjatë vitit të shërbimit 1995 ishte ndërtimi i dy Sallave të Mbretërisë gjatë muajit qershor, njëra në Keflavik e tjetra në Selfos. Në Islandë këto ishin të parat Salla Mbretërie që ndërtoheshin me metodat e ndërtimit të shpejtë. Vetëm katër ditë u deshën për t’i ndërtuar që të dyja. Ndihma e dashur e vëllezërve nga Norvegjia bëri të mundur që të kryhej kjo punë. Dega e Norvegjisë dërgoi pjesën më të madhe të materialeve të ndërtimit dhe mbi 120 vëllezër e motra nga Norvegjia shkuan për të ndihmuar për projektin. Në kantier dëgjohej shpesh ky koment: «Është vërtet e mahnitshme!» Vëllezërit në Islandë kishin lexuar e dëgjuar për ndërtimin e shpejtë të Sallave të Mbretërisë, por tani po e shihnin me sytë e tyre. Sigurisht, ishte diçka e mahnitshme, po të kemi parasysh që numri i Sallave të Mbretërisë në Islandë u dyfishua vetëm brenda disa ditësh!

Përveçse u bënë me dy Salla të reja Mbretërie, vëllezërit në Islandë morën zemër nga shoqëria e shkëlqyer e vëllezërve dhe motrave që erdhën nga Norvegjia me shpenzimet e tyre, për të kaluar kohën e pushimeve duke punuar për ndërtimin e sallave. Ç’provë e fuqishme që jemi vërtet një vëllazëri ndërkombëtare! Edhe vëllezërit në Islandë ndihmuan për projektin e ndërtimit. Më shumë se 150 lajmëtarë vendës morën pjesë në projekt, gati gjysma e numrit të lajmëtarëve në gjithë vendin.

Këto projekte për Sallat e Mbretërisë ishin edhe një dëshmi e shkëlqyer për njerëzit e tjerë. Dy stacione televizive kombëtare folën për këtë ngjarje dhe në emisionet e lajmeve treguan fotografi nga të dyja kantieret. Për projektin u fol edhe në një sërë stacionesh radiofonike e në gazeta. Një kleriku të një kishe në Selfos nuk i erdhi mirë që Dëshmitarëve po u kushtohej kjo vëmendje. Kështu që botoi një artikull në gazetën lokale, ku paralajmëronte kundër atyre që ai i quante ‘mësime të rreme e të rrezikshme’ të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai tha se sidomos njerëzit e dobët dhe të ndjeshëm duhej t’i mbanin sytë hapur. Në një intervistë në radio, i përsëriti këto paralajmërime. Megjithatë, fjalët e klerikut nuk patën ndikimin që shpresonte ai. Përkundrazi, shumica e njerëzve u mahnitën nga ndërtimi i Sallave të Mbretërisë, dhe shumë veta që vëllezërit i takuan në predikim, thanë se ishin befasuar nga reagimi i klerikut.

Afro një javë më vonë pasi u botua paralajmërimi i klerikut, gazeta nxori një skicë humoristike. Në këtë skicë, në ballore duket kisha, kurse në sfond është Salla e Mbretërisë. Mes dy ndërtesave kalon një lumë, dhe disa vëllezër të veshur mirë e me buzëqeshje në fytyrë kalojnë urën nga Salla e Mbretërisë për në kishë, me çanta shërbimi në dorë. Jashtë kishës një grua e tmerruar kërcen përpjetë nga karroca e invalidëve ku është ulur. Një burrë me këmbën në allçi dhe një burrë tjetër, që me sa duket është i verbër, vrapojnë duke ulëritur: «Mbathjani! Mbathjani se po vijnë Dëshmitarët!» Në shkallët e kishës rri kleriku, që sheh i çuditur. Shumë veta e pëlqyen këtë skicë. Botuesit e gazetës e zgjodhën si skicën më të mirë të vitit, e zmadhuan dhe e varën në murin e zyrës së tyre. Atje mbeti për disa vjet.

Një ekspozitë jep dëshmi të mirë

Gjatë vitit të shërbimit 2001, u hap një ekspozitë që kishte si temë qëndrimin asnjanës që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që përballonin përndjekjen e nazistëve. Ekspozita u hap në tri vende dhe e panë gjithsej 3.896 veta. Fundjavën e fundit, salla e ekspozitës në Rejkjavik ishte plot e përplot me vizitorë, mbi 700 veta. Videokaseta Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist në gjuhën islandeze u shfaq në të tria vendet, gjatë gjithë kohës që ishte hapur ekspozita. Mjaft vizitorë përfituan nga rasti, u ulën dhe e panë të tërë videokasetën.

Qëndrimi i patundur i Dëshmitarëve në kampet e përqendrimit u la mbresa vizitorëve që nuk e kishin ditur këtë faqe të historisë së Dëshmitarëve. Një profesoreshë që e vizitoi ekspozitën disa herë, tha se ajo i kishte bërë shumë përshtypje dhe se kishte ndryshuar qëndrim ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. E kishte prekur veçanërisht besimi i fortë i Dëshmitarëve të Jehovait në kampet e përqendrimit. Ndryshe nga të burgosurit e tjerë, ata mund të fitonin lirinë, po të mohonin besimin.

Gjithashtu për ekspozitën u bë një reportazh i shkëlqyer në një stacion televiziv kombëtar dhe në stacione lokale, si dhe nëpër stacione radiofonike. Kur u hap ekspozita, një klerik luteran shkoi ta shihte bashkë me të shoqen dhe të bijën. Pas ca kohësh një vëlla e ftoi këtë klerik të vizitonte Bethelin, dhe ai pranoi. Disa ditë më pas, një grua iu afrua dhe e pyeti për një varg nga Bibla. Kleriku e nxiti që të lidhej me zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait, pasi ishte i sigurt se ata do t’i jepnin përgjigje. Më vonë një vëlla filloi studim biblik me këtë klerik.

Përkthimi gjatë viteve

Shpesh ka qenë e vështirë për ata pak lajmëtarë në Islandë që ta përkthenin në gjuhën islandeze të gjithë ushqimin frymor që vjen nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45) Në vitet e para, disa Dëshmitarë islandezë që banonin në Kanada, bënin pjesën më të madhe të përkthimit. Më vonë kjo punë bëhej në Islandë. Pasi shkuan misionarët e parë më 1947, u njohën me një poet të moshuar, që banonte në ndërtesën ku banonin dhe ata. Ai dinte anglisht dhe i ndihmoi misionarët të mësonin gjuhën vendëse. Gjithashtu u propozoi të bënte ca përkthime për ta, kështu që vëllezërit e paguan për të përkthyer librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë» dhe broshurën Gëzimi i të gjithë njerëzve. Mjerisht, ai përdorte një stil poetik e të vjetër, me tepër fjalë e shprehje arkaike dhe, ndonëse njëri nga misionarët e rinj dhe vëlla Lindali e kontrolluan dhe e shtypën prapë përkthimin, libri nuk u bë kurrë ai mjet i shkëlqyer për studim që duhej të ishte. Megjithëkëtë, libri u shpërnda gjithandej që me botimin e parë, dhe gjithsej u shtypën 14.568 kopje. Mbi 20.000 kopje të broshurës u shtypën në vitin 1949. Më vonë, për të përkthyer librin Çfarë ka bërë feja për njerëzimin?, vëllezërit paguan një përkthyes tjetër.

Gjatë atyre viteve, një skuadër e vogël me vëllezër përktheu disa broshura. Njëra ishte «Ky lajm i mirë i Mbretërisë», që doli më 1959. Kjo broshurë i ndihmoi vëllezërit të zinin mjaft studime të reja biblike. Pas kësaj, u dha miratimi që të botohej Kulla e Rojës në gjuhën islandeze.

Në vitet që pasuan, u përkthyen dhe u shpërndanë shumë libra të mrekullueshëm. Ndër ta ishin: «Kjo do të thotë jetë e përhershme», botuar më 1962; Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar, më 1966; E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, më 1970; Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, 1984; dhe Njohuria që të çon në jetën e përhershme, më 1996. Një botim i revistës Zgjohuni! çdo tre muaj iu shtua listës së botimeve islandeze më 1982.

Për shumë vjet, vëllezërit nuk kishin libër kënge në islandisht. Në vitin 1960 u përkthyen katër këngë dhe u shtypën me shaptilograf për një asamble. Më pas, në nëntor të vitit 1963, në islandisht u botua një broshurë me 30 këngë të zgjedhura, e kjo i kënaqi jashtë mase vëllezërit.

Deri atëherë, këngët në kongregacion ishin kënduar në një përzierje gjuhësh. Gynter dhe Rut Haubici shkuan nga Gjermania në Islandë si pionierë specialë në vitin 1958. Ruti ende e kujton se si vëllezërit përdornin librat e këngëve, secili në gjuhën e vet: anglisht, danisht, finlandisht, gjermanisht, norvegjisht e suedisht. Kurse islandezët ia merrnin këngës në atë gjuhë që dinin më mirë. Ajo thotë: «Ishte ca si kor i përzier!» Dalëngadalë, gjatë viteve u përkthyen më shumë këngë Mbretërie, mirëpo libri i këngëve i plotë me 225 këngë në gjuhën islandeze doli vetëm në vitin 1999. Sa mirënjohës janë vëllezërit për këtë dhuratë, me të cilën mund t’i thurin lavdi Jehovait!

Kongresi krahinor që u mbajt në gusht të vitit 1999, solli diçka të re për Islandën. Libri Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! u botua në gjuhën islandeze njëkohësisht me anglishten. Kur oratori njoftoi në kongres daljen e librit në anglisht, gjithë të pranishmit duartrokitën. Por, në vend që t’u thoshte vëllezërve se në të ardhmen libri do të dilte edhe në islandisht, ai tregoi një kopje të librit në këtë gjuhë dhe, duke i entuziazmuar të gjithë, tha se libri ishte përkthyer në islandisht. Që nga ajo kohë, edhe Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I dhe II dolën njëkohësisht me botimin në anglisht.

Zgjerimi i Bethelit dhe rritja e mëtejshme

Ndërtesat e degës u rinovuan në vitin 1998. Përtej rrugës u blenë dy apartamente për të strehuar bethelitët dhe për të bërë më tepër vend për zyrat e Repartit të Përkthimit. Vitet e fundit, përkthyesit kanë nxjerrë dobi edhe nga vizitat e vëllezërve nga selia qendrore e Nju-Jorkut. Këta vëllezër u kanë mësuar si të përdorin programet kompjuterike që janë hartuar nga Dëshmitarët e Jehovait posaçërisht për punën e përkthimit.

Tani së fundi, disa përfaqësues nga selia qendrore drejtuan në degë një program të quajtur «Kurs për të kuptuar më mirë gjuhën angleze». Kursi i ndihmoi përkthyesit t’i futen më thellë kuptimit të tekstit në anglisht para se të fillojnë përkthimin.

Zyra e degës shkruan: «Kur shohim pas në vite, na vjen mirë që disa individë patën guximin të fillonin përkthimin në islandisht, edhe pse në kushte primitive e duke pasur njohuri të kufizuara për gjuhën angleze. Ndonëse cilësia e materialeve të përkthyera në ato vite të hershme nuk ishte siç është sot, ne nuk ‘e përçmojmë ditën e gjërave të vogla’. (Zak. 4:10) Ngazëllojmë kur shohim që emri i Jehovait dhe Mbretëria e tij janë shpallur në Islandë dhe që shumë njerëz kanë mësuar të vërtetën.»

Aktualisht, ka tetë punëtorë në kohë të plotë në zyrën e degës. Të tjerët vijnë në Bethel disa ditë për të ndihmuar. Për të zëvendësuar Sallën e Mbretërisë në degë, tani është ngritur një Sallë e re Mbretërie për kongregacionet e Rejkjavikut. Si rrjedhim, kanë nisur disa projekte për të rinovuar ndërtesën e degës, që të strehohen më shumë bethelitë.

Predikimi i lajmit të mirë në Islandë ka kërkuar qëndrueshmëri, vetëmohim e dashuri. Vërtet, mund të thuhet se puna e palodhur që kanë bërë lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë në Islandë këto 76 vite të kaluara, nuk ka qenë e kotë. Gjithë ata vëllezër besnikë e motra besnike kanë marrë pjesë në veprën e korrjes. Një numër i madh kanë shkuar atje nga vendet e tjera për të shërbyer disa vjet, dhe vepra e tyre do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Disa kanë qëndruar dhe e kanë bërë Islandën shtëpinë e vet. Janë për t’u lavdëruar edhe shumë lajmëtarë të shkëlqyer islandezë për qëndrueshmërinë e tyre.

Mesatarja e lajmëtarëve të Mbretërisë është e vogël, por Dëshmitarët e Jehovait janë bërë të njohur gjithandej në vend. Tani ka shtatë misionarë që shërbejnë nëpër zonat fshatare dhe nëpër kongregacionet e vogla në ishull. Vitin e kaluar të shërbimit, 543 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, dhe po drejtohen gati 180 studime biblike.

Ndoshta një ditë, vëllezërit në Islandë do të kenë atë rritje që përshkruhet tek Isaia 60:22: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.» Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait në Islandë janë të vendosur të përmbushin veprën që u ka besuar Mbreti, Jezu Krishti, pra predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Janë të sigurt se Perëndia do të bëjë që farërat e së vërtetës të rriten në zemrat e atyre që janë të gatshëm për ta pranuar e vlerësuar atë!—Mat. 24:14; 1 Kor. 3:6, 7; 2 Tim. 4:5.

[Kutia në faqen 205]

Atje ku emri bëhet mbiemër

Sipas traditës së vendit, islandezët nuk kanë mbiemër; njerëzit i drejtohen njërit-tjetrit vetëm me emër. Mbiemri i fëmijës formohet duke i vënë emrit të babait prapashtesën –son për djemtë dhe –dotir për vajzat. Për shembull, djali dhe vajza e një burri që quhet Haraldur do të mbajnë këta mbiemra: Haraldson dhe Haraldsdotir. Mbiemri i vajzës nuk ndryshon kur martohet. Ngaqë ka shumë veta me të njëjtin emër, numëratorët telefonikë nuk kanë vetëm emrin e individit, adresën dhe numrin e telefonit, por edhe punën e tij ose të saj. Falë regjistrimeve gjenealogjike, islandezët kanë mundësi të gjejnë se cilët kanë qenë paraardhësit e tyre deri edhe 1.000 vjet më parë.

[Kutia në faqen 208]

Vështrim i përgjithshëm mbi Islandën

Vendi: Ky ishull ndodhet pikërisht poshtë Rrethit Polar Verior, ndërmjet pjesës veriore të Oqeanit Atlantik, Detit të Grënlandës dhe Detit të Norvegjisë. Vullkanet, burimet termale dhe gejzerët që nxjerrin avull, gjenden gjithandej. Akullnajat mbulojnë një të dhjetën e vendit.

Popullsia: Islandezët janë pasardhës të vikingëve, të cilët erdhën kryesisht nga Norvegjia. Në përgjithësi ata janë njerëz punëtorë, kanë fantazi dhe janë tolerantë. Shumica e njerëzve jetojnë pranë bregdetit.

Gjuha: Ndonëse gjuha zyrtare është islandishtja, mjaft islandezë flasin edhe dy a më shumë gjuhë të huaja, sidomos anglisht, gjermanisht ose një gjuhë skandinave.

Jetesa: Industria e peshkimit luan një rol jetësor në ekonominë e Islandës. Peshkarexhat kapin në rrjeta merlucë, eglefinë dhe harenga, pjesa më e madhe e të cilëve përpunohen dhe eksportohen.

Ushqimi: Peshku dhe qengji janë ushqime kryesore. Specialiteti i kuzhinës islandeze është koka e deles e zier.

Klima: E ndikuar nga një rrymë e ngrohtë që vjen nga Oqeani Atlantik, klima është e butë. Dimri është i butë, por me erë. Kurse vera është e freskët.

[Kutia dhe figura në faqen 210]

6 shtator 1942: «Ende ka vetëm një pionier që predikon në këtë vend, prandaj nuk ka shumë gjëra për të raportuar. Popullsia e Islandës është afro 120.000 banorë dhe ka rreth 6.000 ferma. E vetmja mënyrë për të shkuar në këto ferma, është me poni, që përdoren për udhëtim e për të ngarkuar plaçkat. Për të vizituar të gjitha këto shtëpi, duhet të udhëtosh rreth 16.000 kilometra, dhe duhen kapërcyer shumë male e përrenj malorë. Deri tani ka fare pak interes për mesazhin.»

Këto fjalë i shkroi Georg F. Lindali, pasi kishte shërbyer 13 vjet si pionier në Islandë. Ai mbeti lajmëtari i vetëm në Islandë edhe për pesë vjet të tjera.

[Kutia dhe figura në faqet 213, 214]

Një jetë e tërë në shërbim besnik

Oliver Mak-Donaldi ishte ndër misionarët e parë që u caktuan në Islandë, pasi u diplomua në klasën e 11-të të Galaadit. Ai mbërriti atje në dhjetor të vitit 1948, bashkë me Ingvard Jensenin. Udhëtuan nga Nju-Jorku me një anije mallrash. Udhëtimi zgjati 14 ditë dhe Oqeani Atlantik i Veriut ishte i trazuar. Të dy i zuri deti gjatë pjesës më të madhe të lundrimit.

Në mars të 1950-s, vëlla Mak-Donaldi u martua me Selli Uajldin nga Anglia, e cila kishte punuar në Bethelin e Britanisë. Maku, kështu e thërrisnin me përkëdheli, dhe Selli bënë një punë të madhe në ato vite. Njerëzit me të cilët studiuan ata, ende po i shërbejnë Jehovait me besnikëri.

Më 1957, Maku e Selli u kthyen në Angli, dhe, pak më vonë, Selli vdiq nga kanceri që i kishin zbuluar në Islandë. Maku filloi prapë shërbimin në kohë të plotë pasi vdiq Selli dhe shërbeu si pionier i rregullt, e pastaj si mbikëqyrës udhëtues për 13 vjet. Më 1960 u martua me Valeri Hargrejvzin, një pioniere speciale. Së bashku shërbyen në qarqe të ndryshme në Britani, nga Skocia Veriore deri në Ishujt e Kanaleve, në bregdetin jugor të Anglisë. Kur predikonin nëpër qarkun e tyre drejt veriut dhe në Ishujt Shetlande, në bregdetin verior të Skocisë, Maku thoshte: «Stacioni tjetër është Islanda.» Po kurrë nuk ia merrte mendja se vërtet do të shkonin atje.

Mirëpo në vitin 1972, Maku dhe Valeria u emëruan misionarë dhe u caktuan në Islandë. Maku shërbente si shërbëtor dege, dhe më vonë si koordinator i Komitetit të Degës. Ai dhe Valeria ndenjën në Islandë shtatë vjet dhe pastaj u caktuan në Irlandë si misionarë, në fillim në Dublin e më vonë në Irlandën e Veriut. Pasi shërbeu në Irlandë për 20 vjet, Maku vdiq nga kanceri në dhjetor të vitit 1999, pasi kishte kaluar 60 vjet në shërbimin e plotkohor. Valeria po shërben ende si pioniere e rregullt në Belfast të Irlandës së Veriut.

[Figura]

Valeri dhe Oliver Mak-Donaldi në Rejkjavik, vitet 70

[Kutia dhe figura në faqen 218]

Rejkjaviku

Rejkjaviku, që do të thotë «Gjiri i Tymit», është kryeqyteti i Islandës. Këtë emër ia vuri banori i parë që u vendos për të jetuar atje, Ingolfur Arnarsoni, për shkak të avullit që del nga burimet termale. Sot Rejkjaviku është një qytet modern plot gjallëri, me një popullsi prej afro 180.000 banorësh.

[Kutia dhe figura në faqet 223, 224]

E bënë Islandën shtëpinë e tyre

Paul Hajne Pederseni është nga Danimarka. Në vitin 1959 u caktua si pionier special në Islandë. Më 1961 ndoqi dy nga kongreset ndërkombëtare «Adhurues të bashkuar», që po mbaheshin në Evropë, ku u njoh me Violetën. Ajo kishte ardhur nga Kalifornia, SHBA, për të ndjekur disa nga këto kongrese.

Pasi mbaruan kongreset, Pauli u kthye në Islandë dhe Violeta në shtëpinë e vet, në Kaliforni. I shkruan njëri-tjetrit për pesë muaj dhe, në janar të vitit 1962, Violeta shkoi në Islandë për t’u martuar me Paulin. Ai ende po shërbente si pionier dhe ishte i vetmi Dëshmitar në një zonë me popullsi të rrallë në Islandën Veriperëndimore. Banonin në një qytet të vogël, ku dielli nuk lind fare për dy muaj gjatë dimrit. Për të folur me disa njerëz në territorin e tyre, u duhej të udhëtonin nëpër rrugët e pjerrëta malore, e shpesh të mbuluara me akull. Dhe i vetmi mjet që kishin për udhëtime, ishte motoçikleta që kishte marrë Pauli nga Danimarka. Ngaqë Violeta kishte lindur e ishte rritur në Kaliforni, një vend me diell, shumë vëllezër mendonin se nuk do të duronte për shumë kohë në Islandë. Por ja që duroi, dhe madje u dashurua me njerëzit e me vendin.

Pauli e Violeta shërbyen së bashku si pionierë deri në vitin 1965, kur u lindi një vajzë, Elizabeta. Pauli vazhdoi si pionier deri në vitin 1975, kurse Violeta, herë pas here, shërbente si pioniere ndihmëse në ato vite. Më 1977 vendosën të transferoheshin në Kaliforni, për shkak të shëndetit të Paulit. Pas njëfarë kohe, ndien një dëshirë të fortë të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Filluan prapë si pionierë dhe, kur vajza mbaroi shkollën e ishte në moshë madhore, u caktuan prapë në Islandë si misionarë. Shërbyen si misionarë e pastaj në veprën qarkore për disa vjet. Në vitin 1989 Paulit i kërkuan të shërbente si anëtar i Komitetit të Degës. Pastaj në vitin 1991, u hap zyrtarisht Shtëpia Bethel në Islandë dhe Pauli e Violeta ishin anëtarët e parë të familjes. Ende shërbejnë atje.

[Kutia dhe figura në faqet 228, 229]

Të famshëm për mikpritjen e tyre

Fridrik Gislasoni dhe e shoqja, Ada, ishin mes atyre shtatë lajmëtarëve që u pagëzuan në vitin 1956. Fridriku e Ada e mësuan të vërtetën nga Oliver e Selli Mak-Donaldi. Në fillim, studimi i Biblës bëhej me Fridrikun, kurse Ada merrej tërë kohës me një grup rrobaqepsie. Kur grupi i rrobaqepësisë përfundoi në pranverë, ajo ulej në kuzhinë gjatë studimit. Me kalimin e kohës, iu ngjall kureshtja për bisedat rreth Biblës, dhe pyeti a mund të rrinte e të dëgjonte në studim. Por s’kaloi shumë kohë e po merrte pjesë edhe ajo në studim.

Më vonë, në shtëpinë e tyre mbahej rregullisht Studimi i Kullës së Rojës në anglisht. Ata filluan të ndiqnin mbledhjet që bëheshin në shtëpinë misionare. «Mbaj mend që i bënim mbledhjet në një dhomë të vogël në papafingo, ku banonin misionarët,—thotë Fridriku.—Kishte vend për 12 karrige, po nganjëherë, kur vinin më shumë, hapnim derën e dhomës së vockël aty ngjitur. Sa ndryshe nga sot! Tani ka tri kongregacione që mbushin Sallën e Mbretërisë në Rejkjavik!»

Fridriku e Ada u bënë të famshëm për mikpritjen që shfaqnin. Megjithëse rritën gjashtë fëmijë, shtëpia e tyre ishte gjithnjë hapur për vëllezërit. Në ato vite kur kongregacioni ishte në fillimet e tij, shumë veta që vinin në Islandë nga vendet e tjera, u kënaqën duke ndenjur te Fridriku e Ada, të cilët i strehohin derisa të gjenin një shtëpi.

[Kutia dhe figura në faqen 232]

Bibla në gjuhën islandeze

Përkthimi më i lashtë në islandisht i disa pjesëve të Biblës gjendet në një vepër të shekullit të 14-të, që quhet Stjorn dhe përmban tekste të përkthyera ose të parafrazuara të disa pjesëve të Shkrimeve Hebraike. I pari botim i plotë i «Besëlidhjes së Re» në islandisht u shtyp më 1540. Përkthyesi ishte Odur Gotskaulksoni, i biri i peshkopit të Holarit. Ai e kishte përqafuar besimin protestant në Norvegji dhe ishte lidhur me Martin Luterin në Gjermani. Sipas historisë, pasi u kthye në Islandë, Oduri përkthente në një ahur lopësh, në kushte të vështira, sepse nuk donte të fyente punëdhënësin e vet katolik, peshkopin e Skaulholtit. Oduri e përktheu tekstin nga Vulgata latine dhe ai vetë e çoi dorëshkrimin në Danimarkë për ta shtypur. Në vitin 1584 peshkopi Gudbrandur Thorlaukson autorizoi shtypjen e Biblës së parë të plotë në gjuhën islandeze. Përkthimi i parë i plotë i Biblës nga gjuhët origjinale hebraike dhe greke, u shtyp në vitin 1908 dhe më pas, në vitin 1912, u shtyp një version i rishikuar.

[Figura]

«Gudbrandsbiblia», Bibla e parë e plotë në gjuhën islandeze

[Tabela dhe grafiku në faqet 216, 217]

ISLANDA​—KRONOLOGJIA

1929: Vjen Georg F. Lindali, lajmëtari i parë në vend.

1940

1947: Vijnë misionarët e parë të Galaadit.

1950: Formohet një kongregacion i vogël.

1960

1960: Botohet Kulla e Rojës në islandisht.

1962: Hapet zyra e degës në Rejkjavik.

1975: Përfundon dhe kushtohet një zyrë dege e re dhe më e madhe.

1980

1992: Formohet Komiteti i Lidhjes me Spitalet.

1995: Në qershor, për katër ditë, ndërtohen dy Salla Mbretërie.

2000

2004: Në Islandë ka 284 lajmëtarë aktivë.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

300

200

100

1940 1960 1980 2000

[Hartat në faqen 209]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ISLANDA

Husavik

Holar

Akureiri

Sejdisfjerdur

Neskaupstadur

Eskifjerdur

Stikisholmur

Borgarnes

Hefn

REJKJAVIK

Skaulholt

Keflavik

Selfos

[Figura që zë gjithë faqen 202]

[Figura në faqen 207]

Djathtas: Georg F. Lindali, 1947

[Figura në faqen 207]

Poshtë: Vëlla Lindali me një poni islandez, në fillim të viteve 30

[Figura në faqen 212]

Disa nga misionarët e parë në Islandë, nga e majta në të djathtë: Ingvard Jenseni, Oliver Mak-Donaldi dhe Leo Larseni

[Figura në faqen 220]

Kjo ndërtesë u përdor si zyrë dege nga viti 1962 deri në 1968

[Figura në faqen 227]

Mbi njëqind lajmëtarë nga Islanda ndoqën Kongresin Ndërkombëtar «Paqe në tokë» në Kopenhagen të Danimarkës, më 1969

[Figura në faqen 235]

Iris dhe Kjel Gilnardi në Akureiri, janar 1993

[Figura në faqen 238]

Djathtas: «Svalbakuri»

[Figura në faqen 238]

Poshtë: Fridriku e Kjeli

[Figura në faqen 241]

Djathtas: Odni Helgadotiri

[Figura në faqen 241]

Poshtë: Gudruna Olafsdotiri

[Figura në faqen 243]

Djathtas: Sallë Mbretërie dhe shtëpia misionare në Akureiri

[Figura në faqen 243]

Poshtë: Bjarni Xhonsoni përpara degës

[Figura në faqen 249]

Sipër: Ndërtimi i Sallës së Mbretërisë në Selfos, 1995

[Figura në faqen 249]

Djathtas: Ndërtesa e përfunduar

[Figura në faqen 253]

Familja Bethel e Islandës

[Figura në faqen 254]

Komiteti i degës, nga e majta në të djathtë: Bjarni Xhonsoni, Gudmundur H. Gudmundsoni, Paul H. Pederseni dhe Bergtor N. Bergtorsoni