Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarjet kryesore të vitit të kaluar

Ngjarjet kryesore të vitit të kaluar

Ngjarjet kryesore të vitit të kaluar

NDËRKOHË që bota kalon nga një krizë në tjetrën, populli i Perëndisë gëzon një gjendje frymore që sa vjen e bëhet akoma më e bukur dhe akoma më e begatë. (Mal. 3:12, 18) Ky përparim i vazhdueshëm na sjell ndër mend premtimin që u bëri Jezui dishepujve, para se të ngjitej në qiell: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mat. 28:20.

Veprimtaritë e vitit të kaluar sigurojnë prova të mëtejshme se premtimi forcues i Jezuit po plotësohet. Së pari, le të shqyrtojmë banketin frymor që shijuan shërbëtorët e Jehovait në Kongreset Krahinore «Të ecim me Perëndinë».

Kongreset «Të ecim me Perëndinë»

Profeti Mikea tregoi dallimin midis të drejtëve dhe të padrejtëve kur paratha: «Ndërsa tërë popujt ecin secili në emër të zotit të vet, ne do të ecim në emër të Zotit [Jehovait, BR], Perëndisë tonë, përjetë.» (Mik. 4:5) Siç shpjegoi oratori në fjalimin kyç, këto fjalë përmbledhin qëndrimin e burrave besnikë të lashtësisë, të tillë si Enoku e Noeja, të cilët ecën me Perëndinë në kohë tepër të trazuara. (Zan. 5:22-24; 6:9, 22) Ç’privilegj që kemi të ecim në gjurmët e tyre!

A jua forcoi kongresi krahinor vendosmërinë ‘për të ecur në emër të Jehovait’ vazhdimisht? Pse të mos u hidhni një sy shënimeve që keni mbajtur gjatë kongresit? Duke bërë kështu, do të freskoni kujtesën, dhe kjo do t’ju ndihmojë të nxirrni edhe tani dobi nga programi.

Botimet që dolën në kongres

A fliten shumë gjuhë në territorin e kongregacionit tuaj? Nëse po, ndoshta e keni përdorur broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve. E përgatitur në tri versione, që përmbajnë 32, 64 dhe 96 faqe, broshura është bërë posaçërisht për të plotësuar nevojat e secilit vend për gjuhët që fliten atje. Prandaj sigurohuni që e keni gjithnjë në çantën e shërbimit këtë mjet të ri të shkëlqyer. Dhe kur takoni dikë që flet një gjuhë që nuk e dini, ju lutemi të ndiqni tre hapat që tregohen në faqen 2 të broshurës. Kjo mund të shpëtojë jetë njerëzish.

Në përputhje me shkrimin e vitit për 2004-n: «Qëndroni vigjilentë . . . Tregohuni gati!», oratori i fjalimit të fundit për ditën e dytë të kongresit prezantoi broshurën Qëndroni vigjilentë! (Mat. 24:42, 44) Urojmë që ky botim të ndihmojë shumë të tjerë që ta ndiejnë urgjencën e kohëve tona dhe të mendojnë seriozisht për të ardhmen dhe për ngjarjet tronditëse që do të ndodhin. Dhe, siç tha oratori, urojmë që të ndihmojë edhe secilin prej nesh të përballojë presionet dhe ankthet e shumta të jetës dhe të ruajë ekuilibrin frymor kur has sprova.

Shkolla për mbikëqyrësit udhëtues

Në gjashtë vitet e kaluara, më tepër se 600 mbikëqyrës qarkorë e krahinorë nga Kanadaja e nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe Alaskën e Havain, kanë ndjekur klasën e 13-të të Shkollës për Mbikëqyrës Udhëtues, që u mbajt në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA. Gjatë vitit të shërbimit 2004, shkolla u shtri në vende të tjera, dhe u mbajt në 87 degë të tjera. Në 23 nga këto degë, klasat përfshinin studentë nga vende të tjera. Për shembull, Gjermania ftoi vëllezër nga Austria, Izraeli, Maqedonia, Turqia dhe Zvicra. Portugalia mikpriti studentët nga Luksemburgu dhe nga një sërë ishujsh, përkatësisht: Ishujt Azore, Kepi i Gjelbër, Madejra dhe Sao-Tome-e-Principe. Kenia mikpriti mbikëqyrës udhëtues nga Etiopia, Ruanda, Tanzania, Uganda dhe vende të tjera afrikane.

Kursi trajton çdo aspekt të veprës së mbikëqyrësve qarkorë e krahinorë. Synimi është të ndihmohen këta vëllezër të palodhur që t’i përmbushin edhe më me efektshmëri përgjegjësitë e shumta që kanë, përfshirë mësimdhënien në kongregacione dhe në asamble, si dhe të marrin drejtimin në veprën e ungjillëzimit. (2 Tim. 2:2; 4:5; 1 Pjet. 5:2, 3) Kursi i nxit edhe të ruajnë gjendjen e tyre frymore dhe të tregojnë aftësi dalluese e mendjehollësi kur përdorin shkrimet për të ndihmuar të tjerët.

Meqë pjesa më e madhe e kurseve mbahen në zyrat e degëve, mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre shijojnë edhe jetën e Bethelit. Studentët e një klase shkruan: «Programi dhe aktivitetet në Bethel na ndërtuan shumë frymësisht. U kënaqëm jashtë mase me programin e adhurimit të mëngjesit, ku përfshihet edhe leximi i Biblës ose i Librit vjetor. Edhe pse kishim gjithë ato detyra shtëpie, morëm pjesë në Studimin e Kullës së Rojës së familjes Bethel të hënave në mbrëmje dhe nxorëm dobi nga shoqëria e shëndetshme.»

Çdo ditë, për një orë pas dreke, disa nga vëllezërit punojnë me radhë në Repartin e Shërbimit. Atje mësojnë si të bashkëpunojnë më plotësisht me zyrën e degës, si ta ndjekin më me efektshmëri drejtimin që marrin dhe si t’i bëjnë më të sakta e më konkrete raportet që përpilojnë.

Çdo të premte, studentët ndjekin një fjalim bashkë me gratë e tyre. Ky fjalim përfshin inkurajim frymor, i përgatitur posaçërisht për këto motra besnike. Për shembull, ato nxjerrin dobi nga porositë që të vazhdojnë të lënë një shembull të shkëlqyer si gra të nënshtruara, dhe marrin udhëzime si të përkrahin bashkëshortët e tyre duke predikuar bashkë me motrat nëpër kongregacione. Një mbikëqyrës udhëtues i krahasoi këto fjalime të përjavshme me «një ëmbëlsirë frymore të shijshme».

Sigurisht, shkolla e vë shumë theksin te Bibla, sidomos te Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, me referime. Një student në Gjermani tha: «Vendosa të përdor Biblën me referime për studimin tim personal dhe ta merrja me vete në mbledhjet e kongregacionit. Vetëm tani po e kuptoj tamam se sa vlerë ka kjo Bibël!» Një vëlla në Britani, që ka kohë si mbikëqyrës udhëtues, është i bindur se edhe gjendja frymore, edhe aftësia e mësimdhënies, iu përmirësuan nga vëmendja që iu kushtua Fjalës së Perëndisë. Ai shkroi: «Mësova që, ndonëse është e rëndësishme të përdorësh një ilustrim të mirë kur mban fjalim, ka më tepër rëndësi leximi dhe shpjegimi i shkrimeve.»

Shumë studentë shkruan me vlerësim për shkollën që ndoqën. Një vëlla në Shtetet e Bashkuara tha: «Nga zemra na buron mirënjohja për Jehovain dhe organizatën e tij, që na inkurajojnë dhe na përgatitin për caktimet tona. Do të shërbejmë me më shumë qëndrueshmëri, me më shumë vlerësim udhët e Jehovait dhe me më shumë dashuri për delet e tij të çmuara.» Një student në Francë shkroi: «Kursi më bëri më të vetëdijshëm për nevojën që t’i trajtoj me dashuri vëllezërit e motrat dhe të përpiqem në maksimum për t’i bërë të ndihen të gëzuar në shërbim të Jehovait.» Duke treguar si ndihen shumë prej tyre, një mbikëqyrës udhëtues në Portugali tha: «Shkolla ishte përvoja më e këndshme në karrierën time teokratike.»

Kurse një instruktor bëri këtë koment: «Është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të mësosh burra që, më pas, do të japin drejtim që ndikon në jetën e mijëra motrave e vëllezërve tanë. Kemi besim se, falë bekimit të Jehovait, kjo shkollë do të ketë dobi afatgjata.»—Jak. 3:1.

Aty nga fundi i vitit të shërbimit 2004, më shumë se 1.700 mbikëqyrës udhëtues e kishin ndjekur shkollën, e cila ishte mbajtur në 14 gjuhë. Shkolla do të mbahet prapë në degët më të mëdha, gjatë vitit të shërbimit 2005.

Zhvillime ligjore

Më 19 maj 2004, Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg të Francës, botoi vendimin gjyqësor që dha për çështjen Loter kundër Bullgarisë. Çifti Loter, Dëshmitarë të Jehovait, që më parë kishin qenë misionarë, kishte ngritur padi, sepse qeveria ishte përpjekur t’i dëbonte nga Bullgaria për shkak të fesë së tyre. Autoritetet bullgare pranuan të paguanin dëmet ndaj palës paditëse dhe të anulonin vendimin për të mos i dhënë këtij çifti lejeqëndrim të përhershëm. Autoritetet pranuan edhe të botonin një pranim të qartë të statusit ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait në Bullgari, ku ata janë regjistruar zyrtarisht si fe në vitin 1998.

Më 16 dhjetor 2003, GJEDNJ-ja dha një vendim në favor të Serafina Palau-Martinesit. Gjyqi, me 6 vota pro dhe 1 kundër, deklaroi se Franca kishte shkelur të drejtat e motër Palau-Martinesit në lidhje me familjen e saj. Ajo e paraqiti padinë e vet në GJEDNJ kur humbi kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, sepse gjykatat franceze ku kishte apeluar, kishin vendosur se ishte më mirë «që [fëmijët] të mos u nënshtroheshin rregullave të rënda e të rrepta, që u vënë fëmijëve . . . Dëshmitarët e Jehovait». Në vendimin e saj, GJEDNJ-ja u shpreh se gjykatat e Francës e kishin marrë vendimin pa u bazuar te kushtet e vërteta në të cilat jetojnë fëmijët, te interesat më të mira të tyre, e prandaj vendimi i marrë pasqyronte diskriminim fetar.

Pasi duruan për vite të tëra sulmet e turmave të huliganëve, të cytura nga fanatikët fetarë, disa prej të cilëve janë burgosur, Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji ndoqën paqësisht Kongresin Krahinor «Të ecim me Perëndinë». Një surprizë speciale për vëllezërit ishte dalja e Shkrimeve të Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re, në gjuhën gjeorgjiane. Gjithashtu, më 28 nëntor 2003, Ministria e Drejtësisë e Gjeorgjisë regjistroi zyrën e degës vendëse të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Kështu, edhe pse në vitin 1998 Gjykata e Lartë e Gjeorgjisë kishte nxjerrë një vendim për të shfuqizuar entin ligjor që përdornin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, tani ka një ent të ri të njohur zyrtarisht, çka u sjell kënaqësi të madhe vëllezërve.

Gjithsesi, ka një sërë çështjesh në Gjeorgji që ende janë pezull për t’u shqyrtuar nga GJEDNJ-ja. Megjithatë, kënaqemi kur shohim se situata e vëllezërve tanë atje po përmirësohet.

Që nga viti 1990, vëllezërit në Gjermani janë përpjekur më kot të regjistrojnë shoqatën tonë fetare, sipas ligjit për korporatat publike. Kur Gjykata Administrative Federative kërkoi nga Dëshmitarët e Jehovait një besnikëri më të madhe ndaj «Cezarit» nga ç’e kërkonte ligji, Gjykata Kushtetuese Federative e përmbysi vendimin si jokushtetues dhe e ktheu çështjen mbrapsht për rishqyrtim. (Mar. 12:17) Më 25 mars 2004, gjykata e parë filloi rishqyrtimin e çështjes. Gjykata kërkoi informacione të mëtejshme për qëndrimin tonë ndaj gjakut, për rritjen e fëmijëve, përjashtimin dhe asnjanësinë. Kryetari i trupit gjykues pohoi se padia e ngritur nga qeveria duhej bazuar në prova të besueshme, pra në statistika dhe në dokumente zyrtare, jo në citime të diskutueshme, të marra nga Interneti a nga letra të individëve që duan të hakmerren për ndonjë shkak personal.

Një formular që përdorej për regjistrimin e rekrutëve në Greqi, përfshinte në listën e feve që mund të zgjidheshin edhe «kiliast ose jehovist». Dega e Greqisë paraqiti një ankesë në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi i shihte këta terma si poshtërues. Më 24 mars 2004 ministria u shkroi Dëshmitarëve të Jehovait një letër, ku thuhej se nuk kishte pasur asnjë qëllim për të fyer dhe se «tashmë ministria i kishte korrigjuar shprehjet e gabuara». Pas korrigjimit, termi u bë «Dëshmitarë të krishterë të Jehovait».

Peruja ka dekada që i ka njohur Dëshmitarët e Jehovait si fe. Megjithatë, në nëntor të vitit 1997 Ministria e Arsimit filloi të hidhte poshtë kërkesën tonë për përjashtimin nga taksat për literaturën tonë dhe kërkonte shuma të mëdha, para se zyra e doganave të zhdoganonte literaturën. Çështja iu paraqit gjykatës. Më 11 dhjetor 2003, gjykatësja dha vendimin në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo deklaroi se veprimet e ministrisë ishin «tekanjoze, qesharake dhe të pakuptueshme». Sjellja e zyrtarëve, sipas saj, ishte «diskriminuese [dhe] fyese». Problemet për futjen e literaturës në vend u zgjidhën menjëherë.

Porto-Rikoja, një federatë autonome, që është pjesë e Shteteve të Bashkuara, ka një ligj që i lejon lagjet të sigurohen me porta, mure dhe të ruhen me roja. Këto pengesa e kufizojnë aktivitetin tonë të predikimit. Madje policia e shtetit i ka larguar lajmëtarët nga disa zona. Orvatjet për të zgjidhur problemin pa e çuar punën në gjyq, kanë dështuar. Një padi ligjore është paraqitur në Gjykatën Krahinore Federale për krahinën e Porto-Rikos, e aty kërkohet që ky ligj të shpallet si jokushtetues, një ndërhyrje në të drejtat e ushtrimit të lirë të fesë dhe të lirisë së shprehjes. Pritet vendimi i gjykatës.

Më 28 tetor 2003, Gjykata e Apelit e Bukureshtit nxori Vendimin Nr. 1756, ku e detyronte qeverinë e Rumanisë t’i përfshinte Dëshmitarët e Jehovait në listën e feve të njohura zyrtarisht që përfitojnë lehtësime nga taksat. Më 6 shkurt 2004, Revista Zyrtare Nr. 112 botoi një listë të «feve që njihen zyrtarisht në Rumani». Mes tyre ishin edhe Dëshmitarët e Jehovait.

Më 21 mars 2004, Gjykata Krahinore e Seulit në Republikën e Koresë shfajësoi tre vëllezër nga akuzat penale ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për arsye fetare. Kjo është hera e parë që një gjykatë në atë vend ka pranuar si një të drejtë qytetare të drejtën e kundërshtarëve për arsye ndërgjegjeje. Qindra vëllezër në Kore, aktualisht janë në burg, të dënuar për «krimin» se ‘po i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje’. (Isa. 2:4) Mjerisht, si gjykata e lartë, ashtu edhe gjykata kushtetuese, nuk pranuan të zbatonin garantimin e lirisë fetare që siguron kushtetuta e Koresë, për të mbrojtur vëllezërit tanë. Gjithsesi, kohët e fundit në legjislaturën e Koresë u përfshi një projektligj ku pranohej shërbimi civil për të gjithë shtetasit në moshën e duhur për të kryer shërbimin ushtarak.—Prov. 21:1.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së për çështjen Watchtower . . . kundër fshatit Straton ende u sjell dobi Dëshmitarëve të Jehovait në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Për shembull, në një zonë të shtetit të Nju-Jorkut, SHBA, policët përsëri u kërkonin Dëshmitarëve të merrnin leje para se të dilnin në shërbimin publik. Mirëpo, shefi i policisë pasi u vu në dijeni të gjendjes dhe të vendimit të gjykatës, shkroi: «Personalisht më vjen zor për veprimet e vartësve të mi në këtë rast dhe ju kërkoj ndjesë për çdo lloj shqetësimi që mund t’ju kenë sjellë.»

Një komunë në shtetin e Ilinoisit e udhëzoi rajonin e policisë që të njoftonte të gjitha patrullat dhe policët e tjerë se, sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, «Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë nevojë për leje që të shkojnë shtëpi më shtëpi». Udhëzimi vazhdonte: «Nuk ka nevojë që ata të na njoftojnë ne kur dalin për të predikuar.»

Më 8 tetor 2003, Gjykata e Lartë e Ajouas mori një vendim në favor të Lester Kempbellit, në një çështje ku përfshihej refuzimi për të bërë transfuzion gjaku. Vëlla Kempbelli ngriti padi, duke kërkuar dëmshpërblim, sepse i bënë transfuzion me vetë gjakun e tij pas një operacioni, pavarësisht nga direktivat me shkrim e me gojë që kishte dhënë ai, në të cilat e refuzonte këtë procedurë. Gjykata kishte vendosur në favor të kirurgut dhe spitalit. Gjithsesi Gjykata e Lartë e Ajouas hodhi poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe tha se nuk nevojitej ndonjë specialist i mjekësisë për të provuar se transfuzioni pa lejen e Lester Kempbellit nuk u përmbahej normave të kujdesit shëndetësor. Vendosi edhe që t’i jepej dëmshpërblimi.

Ndalimi në Moskë dhe pasojat

Më 26 mars 2004, Gjykata Krahinore Ndërbashkiake e Golovinskit në Rusi nxori një vendim për të ndaluar të gjitha veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë dhe për të mbyllur entin e tyre ligjor. Ky vendim u apelua. Më 16 qershor 2004, Gjykata e Qytetit të Moskës përkrahu vendimin e gjykatës më të ulët, kështu që hynë në fuqi ndalimi dhe mbyllja e entit. Vëllezërit kanë apeluar në GJEDNJ dhe shpresojnë që çështja e tyre të merret parasysh sa më shpejt, se ndalimi po krijon shumë vështirësi.

Prapëseprapë, ndalimi nuk e ka venitur zellin e vëllezërve. Madje, i ka nxitur shumë prej tyre që të bëjnë akoma më tepër në shërbim të Jehovait. Zelli i tyre na kujton fjalët e apostullit Pavël kur ishte i burgosur në Romë. Ai shkroi: «Ato që më kanë ndodhur mua, kanë dalë për përparimin e lajmit të mirë.»—Filip. 1:12.

Për shembull, në mars 2004 pati një maksimum prej 136.034 lajmëtarësh dhe 136.903 studimesh biblike. Ishte hera e parë në shtatë vjet, që numri i studimeve biblike e kaloi numrin e lajmëtarëve. Nga marsi deri në qershor, dega mori mbi 1.000 kërkesa për pionierë të rregullt, dhe në prill pati një maksimum të ri prej 15.489 pionierësh të rregullt. Zyra e degës raporton: «Edhe vendimi i 16 qershorit shërbeu vetëm për t’i nxitur vëllezërit që të bëheshin edhe më të zellshëm.» Gjithashtu i nxiti të tjerët, mes tyre edhe disa bashkëshortë jobesimtarë të motrave tona, që të fillonin të shkonin në mbledhjet e krishtere.

Rastisi që një student universiteti nga Shtetet e Bashkuara, ishte në Rusi kur doli vendimi i qershorit. «Ai udhëtoi posaçërisht për në Bethel, në periferi të Shën-Pjetërburgut, që të mësonte më shumë për gjendjen,—shkruan dega.—I bëri përshtypje pastërtia e ndërtesave dhe mikpritja e vëllezërve.» Ngaqë s’arrinte ta kuptonte pse do të donin disa njerëz t’i ndalonin Dëshmitarët e Jehovait, ai kërkoi botime e videokaseta që t’i merrte me vete në Kaliforni për t’ua treguar pedagogëve në fakultetin e studimeve fetare.

Kongreset në Moskë u zhvilluan qetësisht

Nga data 11 deri më 13 qershor, pra disa ditë para vendimit të pafavorshëm të gjykatës së apelit, në Moskë u mbajtën dy kongrese «Të ecim me Perëndinë», njëri prej tyre në gjuhën ruse të shenjave. Në fillim kongreset duhej të mbaheshin pasi të trajtohej çështja në gjykatë, por komiteti i degës ia doli ta shtynte gjyqin. Vëllezërit raportojnë se kongreset u zhvilluan pa probleme dhe autoritetet e qytetit bashkëpunuan. Faktikisht, policëve që ishin me shërbim te hyrja e stadiumit, eprorët u kishin thënë: «Kur të lini njerëzit të futen në stadium, mos pini duhan e mos flisni me fjalë të ndyra.»

Në metronë e Moskës, një burrë akuzoi pa të drejtë një grup të vogël motrash se i kishin vjedhur paratë. Ai u kërkoi të shkonin bashkë me të në rajonin e policisë. Atje nuk akuzoi vetëm ato motra, por edhe të gjithë «sektarët», duke thënë se krijojnë me qëllim dyndje të trafikut, që të grabitin njerëzit. Polici iu drejtua motrave: «Kush jeni ju?»

Duke treguar distinktivët me emra, motrat u përgjigjën: «Jemi Dëshmitare të Jehovait dhe po shkojmë në një kongres.»

Polici pastaj u kthye nga paditësi dhe i tha: «Dëshmitarët e Jehovait nuk vjedhin. Duhet t’u kërkosh ndjesë sepse i ke fyer!» Pastaj polici u kthye nga motrat dhe u tha: «Nxitoni që të shkoni në kongres!», ndërsa burrit i tha: «Kurse ti rri këtu! Kemi akoma punë bashkë.»

Maksimumi i të pranishmëve në kongresin që u mbajt në stadium, ishte 21.291 veta, me 497 të pagëzuar. Në kongresin e gjuhës së shenjave, që u mbajt në një Sallë Mbretërie kishte 929 të pranishëm dhe u pagëzuan 19 veta.

Përballojnë sprovat në Haiti

Gjatë vitit 2004, ishulli-shtet, Haiti, përjetoi trazira politike, dhunë, pati mungesa të gjërave të domosdoshme dhe çmimet u rritën jashtëzakonisht shumë. Sikur të mos mjaftonin këto halle, një përmbytje me përmasa të mëdha që ndodhi në maj, vrau më shumë se 1.500 njerëz dhe la pa strehë mijëra të tjerë. Asnjë Dëshmitar nuk vdiq, por shumë prej tyre humbën gjithë ç’kishin, edhe shtëpitë.

Prapëseprapë, vëllezërit u forcuan kur panë prova të qarta të ndihmës e të udhëheqjes së Jehovait, si edhe interesimin e përzemërt që treguan Trupi Udhëheqës e vëllezërit nga gjithë bota. Kjo dashuri u shpreh në mënyrë konkrete, duke siguruar ndihma materiale për ata që ishin goditur nga katastrofa. Sigurisht, edhe vëllezërit vendës ndihmuan njëri-tjetrin që të siguronin ushqim e mjetet e nevojshme.

Dega e Haitit i ndoqi me shumë vëmendje ngjarjet, që të mund të jepte drejtim për kongregacionet. Për shembull, kur në kryeqytetin e vendit, në Port-o-Prens, dhuna u shtua, Komiteti i Degës i këshilloi pleqtë që t’i programonin një ditë më parë mbledhjet që normalisht i mbanin të dielën më 29 shkurt. Ky rekomandim ishte një gjë e mençur se, po atë të diel, presidenti i Haitit, i stresuar, dha dorëheqjen dhe u largua për në një shtet tjetër. «Kryeqyteti u mbush me krisma armësh dhe ra në kaos»,—tha një reporter. Dega shkruan: «Askujt s’i kishte shkuar ndër mend që do të ndodhnin këto ngjarje. Do ta kishim pasur të pamundur të shkonim në mbledhje atë të diel. Falënderojmë Jehovain që i mbrojti vëllezërit.»

Gjatë asaj periudhe me trazira, policia dhe forcat rebele, si edhe hajdutë, të gjithë vinin postblloqe, e veç kësaj, qeveria vuri një shtetrrethim që zgjaste gjithë natën. Por, edhe para shtetrrethimit, kongregacionet ndryshuan orarin e mbledhjeve, që të ktheheshin në shtëpi para se të errësohej. Shumë kongregacione raportuan rritje të të pranishmëve në mbledhje.

Gjithashtu vëllezërit u dhanë pas shërbimit, çka u bëri përshtypje fqinjëve. Disa njerëz thanë: «Ndihemi më të qetë kur ju shohim ju Dëshmitarët që predikoni si zakonisht.» Sigurisht, lajmëtarët ishin shumë të kujdesshëm dhe informonin njëri-tjetrin se ku ishte gjendja pak a shumë e sigurt, që të dilnin në shërbim.

Identiteti ynë i krishterë—Një mbrojtje

Dega e Haitit shkruan: «Ngaqë vëllezërit i njohin mirë në lagjet ku banojnë dhe kanë nam të mirë që janë asnjanës politikisht, kjo i mbrojti shumë vëllezër që të mos i rrihnin ose t’i grabitnin.» Për shembull, në tri postblloqe, grupe me gangsterë të armatosur ndalën një çift misionarësh. Çifti bëri dy gjëra: u thanë se ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe u lutën: edhe në heshtje, edhe me zë. Në të tria postblloqet, dikush u doli në mbrojtje e tha se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të mirë që nuk ngatërrohen me politikën. Çifti arriti në shtëpi shëndoshë e mirë.

Gjithashtu, grupe të armatosura ndalën disa anëtarë të familjes Bethelit. Ashtu si misionarët, këta vëllezër u thanë se ishin Dëshmitarë të Jehovait, u lutën dhe patën të njëjtat rezultate. Në një rast, një hajdut tha: «Vazhdoni të qetë dhe lutuni për ne!» Një bethelit tjetër e ndalën në një postbllok policie, ku oficerët donin ta kontrollonin për armë. «Të vetmet armë që kam, janë Bibla dhe revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni!»,—tha vëllai. Polici buzëqeshi dhe i dha leje të kalonte. Që nga ajo kohë, policët e dallonin që larg makinën e vëllait dhe e linin të kalonte pa e pyetur fare.

Dega raportoi se në muajt në vazhdim, gjërat u qetësuan disi. Por problemet mbetën, dhe gjendja e tendosur vazhdoi. Prandaj vëllezërit vazhduan të bënin kujdes.

Në Shtetet e Bashkuara rritet rendimenti i shtypshkronjës

Në vitin 2002, nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, filloi të riorganizohej puna e shtypshkronjave, duke i grupuar në pesë krahina të mëdha gjeografike: Afrika, Amerika e Jugut dhe Amerika e Veriut, Azia dhe Evropa. Ky ndryshim ka sjellë si rezultat një përdorim më të efektshëm të ndërtesave të degës, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, që tani kanë më pak ngarkesë pune.

Gjatë vitit 2004, i gjithë procesi i shtypjes, i libralidhjes dhe i dërgimit të botimeve për Shtetet e Bashkuara u përqendrua në Uollkill, Nju-Jork. Plani i përgjithshëm dhe ideja iu paraqitën më 6 gusht 2002 bordit të urbanistikës së qytetit. Në 3 shtator u mbajt një mbledhje, ku u mor në shqyrtim çështja, e më pas u miratua përfundimisht projekti. Në mbledhjen vjetore të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, më 5 tetor 2002, u bë një njoftim që Trupi Udhëheqës kishte miratuar që të përqendroheshin të gjitha këto veprimtari në Uollkill. U porositën dy makinat e reja të shtypit MAN Roland Litoman, kurse godina shtesë ku do të vendoseshin ato makina, u programua të përfundohej në shkurt 2004.

Si do të përfundohej vetëm për 14 muaj ky projekt vigan? Vëllezërit u mbështetën te Jehovai që t’i drejtonte punët dhe t’i motivonte disa që të dilnin vullnetarë për të ndihmuar. Kjo mbështetje nuk ishte pa vend. Puna në kantierin e ndërtimit nisi në shkurt 2003, dhe shtesa e shtypshkronjës ishte gati në shtator. Njëra nga tri makinat e shtypit që ishin në Uollkill u çmontua dhe u vendos në shtesën e re në dhjetor. Dy makinat e reja të shtypit erdhën në prill e maj të vitit 2004, kurse punën e filluan në qershor e korrik. Në shtator, të pesë makinat kishin filluar punën me rendiment të plotë.

Më parë, reparti i libralidhjes zinte 11 kate në tri ndërtesa të kompleksit të rrugës Adams në Bruklin. Tani, i gjithë reparti ndodhet në një kat të vetëm në Uollkill dhe zë 58 për qind më pak hapësirë. Lidhja e librave me kapak të butë filloi në korrik 2004. Më vonë, po atë muaj, dolën librat e parë me kapak të fortë, të prodhuar nga linja e re e libralidhjes, e cila është mbi 400 metra e gjatë dhe përbëhet nga 33 makina të lidhura me 70 konvejerë. Pjesët e librave transportohen me dorë vetëm një herë, në fillim të linjës së makinerive. Kjo linjë makinash për librat me kapakë të fortë nxjerr 120 libra në minutë e kërkon vetëm 25 operatorë—66 për qind më pak personel. I gjithë reparti i libralidhjes hyri plotësisht në funksionim në tetor 2004.

Në nëntor të vitit 2004 Reparti i ri i Dërgimit të Literaturës në Uollkill filloi t’i plotësojë kërkesat e kongregacioneve për literaturë me anë të një sistemi të ri të kompjuterizuar, që zë 45 për qind më pak vend se pararendësi i vet në Bruklin. Kompjuterët llogaritin përmasat e literaturës që duhet dërguar dhe zgjedhin kutitë e kartonit me madhësinë e duhur. Një konvejer 800 metra i gjatë e transporton çdo ngarkesë të porositur në një platformë të posaçme, ku bëhet gati për t’u dërguar. Një zonë parkimi u krijon kushtet e përshtatshme kongregacioneve që të marrin literaturën që kanë porositur.

Falënderojmë nga zemra gjithë ata vëllezër e motra që ndihmuan për këtë projekt. Mes tyre kishte bethelitë e vullnetarë të përkohshëm, një skuadër vëllezërish që punonin nën drejtimin e Komiteteve Rajonale të Ndërtimit nga pesë shtete, dhe vëllezër që me bujari dhanë pajisje e materiale që i kishin të vetat. Patjetër, lavdërojmë edhe ‘dhënësit e gëzuar’ të shumtë, që dhanë mbështetje financiare.—2 Kor 9:7, 11.

Ndryshime në Bruklin

Transferimi në Uollkill i repartit të shtypshkronjës, të libralidhjes dhe të dërgimit, ka sjellë ndryshime në Bethelin e Bruklinit. Një ngjarje historike emocionuese ndodhi më 29 prill 2004. Atë mbrëmje, mes lotësh e duartrokitjesh, Maks Larsoni, që ka qenë mbikëqyrës i shtypshkronjës për më shumë se 60 vjet, fiku makinën e fundit të shtypit në Bruklin, duke i dhënë fund 84 viteve kur literatura shtypej në atë vend. Disa javë më vonë u mbyll edhe reparti i libralidhjes.

Duke kuptuar se gjithë këto ndryshime do të bënin që në Bruklin të kishte më pak nevojë për hapësirë, Trupi Udhëheqës njoftoi se godina në rrugën Furman 360 mund të nxirrej në shitje. Kontrata u përfundua të premten, më 18 qershor 2004. Lavanderia, zyrat dhe punishtet që ndodheshin në atë godinë, që zinte 93.000 metra katrorë, po transferohen në vendin bosh në kompleksin e rrugës Adams 117.

Përveç këtyre, godina në adresën Kolumbia Hajts 107 tani po rinovohet me themeli. Sipas programit, pjesa ku janë dhomat e banimit duhet përfunduar nga fundi i vitit 2005, dhe i gjithë projekti aty nga shtatori 2006. Në godinën e rinovuar do të strehohen mbi 300 anëtarë të familjes Bethel dhe do të ketë magazinë, Sallë Mbretërie, bibliotekë, recepsion, zyra, lavanderi personale dhe një oborr të ri me kopsht.

Gati për rritje në mbarë botën

Edhe Afrika e Jugut, Brazili, Britania, Japonia dhe Meksika kanë marrë makina shtypi të reja të markës MAN Roland Litoman. Britania ishte dega e parë që instaloi makinën e re, e cila mbërriti aty në korrik 2003 dhe filloi punë në tetor. Kjo makinë shtyp 750.000 revista në ditë (1,5 milionë po të punohet me dy turne), gati tri herë më shumë se makina e mëparshme.

Makina e re mund të shtypë edhe pjesë të ndryshme për Bibla dhe botime të tjera. Dega e Afrikës së Jugut, për shembull, tashmë ka shtypur kapakë për Përkthimin Bota e Re në gjuhën sesote, një gjuhë afrikano-jugore. Dega e Japonisë raporton se më parë duhej një ditë e tërë që makina e shtypit të kalonte nga prodhimi i librave të vegjël te të mëdhenjtë. Tani kjo bëhet për një orë. E nga dhjetë ditë që duheshin për të prodhuar një milion fletushka, tani duhen vetëm pesë orë. Tre muajt e parë, makina e shtypit në Japoni prodhoi 12 milionë fletushka, 12 milionë revista e broshura, 240.000 libra dhe 48.000 Bibla.

Makineri të tjera të reja automatike bëjnë prerjen e anëve, numërimin, stivimin, etiketimin dhe mbështjelljen e literaturës. Pllakat tipografike po bëhen në mënyrë më të efektshme dhe më të saktë me anë të një teknike që quhet metoda ‘nga kompjuteri në pllakë tipografike’. Ky proces bën të panevojshëm filmin fotografik, duke shkurtuar kështu një fazë të tërë pune. Dega e Britanisë raporton se të gjitha këto përmirësime jo vetëm që kanë sjellë rritje në prodhimin e literaturës, por edhe kanë pakësuar numrin e punëtorëve që nevojiten.

Në Gjermani për stërvitje

Skuadrat nga gjashtë degë shkuan në firmën MAN Roland në Gjermani, për t’u stërvitur që të përdornin makinat e shtypit. Nga përvoja që kishin duke stërvitur operatorë shtypshkronje që nuk janë Dëshmitarë, instruktorët prisnin që vëllezërit ta konsideronin kohën që po kalonin atje si të ishin me pushime. Ndaj u habitën dhe u prekën nga ndjenja e përgjegjësisë që kishin vëllezërit. Në fakt, Dëshmitarët kërkuan që ta fillonin punën më herët e ta linin më vonë, që të përfitonin sa më shumë nga kursi.

Gjuha ishte një problem për disa nga kursantët, sepse edhe udhëzimet që jepeshin me gojë, edhe manualet e makinave ishin në anglisht. Duke menduar më përpara për këtë, skuadra nga Japonia mendoi ta përmirësonte anglishten para se të nisej për në Gjermani. Madje shumë nga skuadra u transferuan përkohësisht në kongregacionet anglishtfolëse.

Bethelitët japin dëshmi të shkëlqyer

Më vonë, kur makinat e shtypit arritën në degë, inxhinierët nga firma MAN i montuan, me ndihmën e personelit të Bethelit. Në të gjashta degët, atmosfera e gëzueshme dhe e pastër e Bethelit pati një ndikim të mirë te punëtorët që nuk ishin Dëshmitarë. Një burrë që punoi për montimin e makinës së shtypit në Londër, u tha vëllezërve: «U ktheva mbrëmë në shtëpi dhe pashë fqinjin tim që po rrinte në bahçen e vet. Kurrë nuk më kishte pëlqyer ai njeri, por mbrëmë folëm për 20 minuta, dhe kuptova se është vërtet burrë i mirë.» Po ky teknik tha më tej se e shoqja kishte vënë re tek ai ndryshime në qëndrim e në sjellje. Ajo i tha: «Ç’të ka ndodhur, je bërë miqësor, i qeshur, madje i sajdis njerëzit!»

Ai ia ktheu: «Kam punuar për gjashtë javë me Dëshmitarët. Dhe gjatë dy javëve të fundit nuk kam nxjerrë nga goja sharje as edhe një herë të vetme. Shpresoj që të mos nxjerr më kurrë të tilla.»

Kur mbaroi instalimi në degën e Londrës, një përfaqësues i firmës MAN mori në telefon degën për t’i falënderuar vëllezërit për mënyrën si ishin kujdesur për personelin e firmës. Ai tha se ishte një instalim i përsosur.

Disa degë morën masa që të kishte një sallë ngrënieje te vendi i punës, për ata që po instalonin makineritë e reja. Për shumë veta ishte një përvojë e re t’u shërbenin drekën kamerierë të pastër e të rregullt, sidomos për ata që s’ishin Dëshmitarë. Një teknik në Japoni nuk kishte parë kurrë një shtypshkronjë të tillë, kaq të pastër e të organizuar sa ajo në degë. «Nuk ka asnjë vend tjetër më të mirë në botë për të punuar»,—tha. Ai çmoi edhe ndershmërinë e vëllezërve. Askund tjetër s’do t’i linte dot veglat e veta pa i ruajtur, i sigurt se nuk do t’ia vidhte kush. Meqë donte të mësonte më shumë për Dëshmitarët e Jehovait, ai pranoi një sërë botimesh dhe bëri një vizitë në degë.

Në Meksikë, vëllezërit i ftuan në Përkujtim teknikët e MAN-it. Katër prej tyre pranuan ftesën. Mirëpo nuk kishin veshje të përshtatshme. Ngaqë burrat donin të blinin kostume, një bethelit i nxori nëpër dyqane. Vëllezërit u dhanë këtyre burrave Bibla, dhe gjatë fjalimit të Përkujtimit, i ndihmuan të gjenin shkrimet. Pas mbledhjes, teknikët bënë fotografi dhe ishin kaq të qeshur, sa në kongregacion kujtuan se ishin bethelitë nga Gjermania.

Në të gjitha degët, iu dha një dëshmi e shkëlqyer edhe sipërmarrësve vendës e furnizuesve. Një sipërmarrës në Shtetet e Bashkuara shkroi: «Më ka bërë shumë përshtypje niveli i lartë i organizatës suaj, e sidomos i njerëzve. Nuk mendoj se jam kënaqur në ndonjë projekt ndërtimi kaq shumë sa këtu te ju. Organizata juaj më bën të kem shpresë për të ardhmen e njerëzimit. Sikur të ishte e mundur që entuziazmi dhe përkujdesja juaj të paketoheshin e të shiteshin, pa dyshim ju si grup do të kishit një produkt që gjithkush do të donte ta blinte.»

Një burrë që siguroi tubacionet për shtypshkronjën e re në Meksikë, u mahnit nga atmosfera e qetë në degë. Ai bëri shumë pyetje dhe tani, së bashku me familjen, po studion Biblën e po bën përparim të mirë. Përgjegjësi i një skuadre vendëse me sipërmarrës bëri një kërkesë të pazakontë. «Normalisht njerëzit na japin një bakshish për të na treguar mirënjohjen për punën që bëjmë. Ju e keni problem të na jepni një Bibël në vend të bakshishit? Nga sa pashë këtu, mendoj se njohuria për Biblën ka më tepër vlerë se paratë.»

Kushtimi i degës së Indisë

«Dita e shumëpritur erdhi më në fund, më 7 dhjetor 2003,—na shkruan dega e Indisë.—Ishte dita kur kushtuam degën tonë të sapondërtuar në Bangalur, në pjesën qendrore të Indisë, pak më në jug.»

Kompleksi ndodhet në një sipërfaqe prej 17 hektarësh dhe zë 30.000 metra katrorë, si një qytezë e vogël. Kjo është dega e parë e madhe në botë që u ndërtua nga një firmë tregtare. Ka një impiant për pastrimin e ujit të pijshëm, një impiant për trajtimin dhe riciklimin e ujërave të zeza dhe gjeneratorin e vet për energji elektrike. Kompleksi ka 122 zyra, ku 80 janë për përkthimin, një Sallë Mbretërie të hijshme dhe një shtypshkronjë të madhe. Ka tri godina banimi me dhoma të rehatshme, lavanderi, sallë ngrënieje dhe një kuzhinë të pajisur mirë. I gjithë projekti, që shfrytëzoi kryesisht materialet vendëse, përfundoi brenda dy vjetësh.

Vepra e Mbretërisë në Indi filloi në vitin 1905. Tani përkthimi dhe shtypja bëhen në 26 gjuhë indiane. Në programin e kushtimit, misionarët që kishin shërbyer për dhjetëvjeçarë të tërë në Indi rrëfyen përvoja inkurajuese, kurse fjalimin e kushtimit e mbajti Stiven Leti nga Trupi Udhëheqës. Kishte 2.933 të pranishëm, ku përfshiheshin edhe 150 vizitorë nga 25 vende të tjera.

Kushtimi i degës në Filipine

«Duam që edhe puna jonë të jetë e bukur si ndërtesat Watch Tower!» Kështu thanë disa ndërtues që nuk ishin Dëshmitarë në Manilë, kur panë punën mjeshtërore që ishte bërë në degën e Filipineve. Faktikisht, kur një ekip televiziv që po bënte një dokumentar për rregullat e ndërtimit shkoi te inxhinieri i urbanistikës në bashki, ky u tha: «Nëse doni të shihni një vend ku ndiqen me pikë e me presje rregullat e ndërtimit, shkoni te ndërtesat Watch Tower.»

Vëllezërit ndërtuan një banesë dhjetëkatëshe dhe disa ndërtesa shtesë, si edhe rinovuan një banesë ekzistuese me dhjetë kate, që ishte ndërtuar në vitin 1991. Pse nevojitej gjithë ky zgjerim? Nga viti 1991 deri në vitin 2003, numri i lajmëtarëve ishte rritur me 34.000, duke arritur një maksimum të ri prej më shumë se 144.000 predikuesish të Mbretërisë.

Kushtimi u bë më 1 nëntor 2003. Të pranishëm në program atë paradite të shtune me diell ishin familja Bethel, ish-misionarë dhe të ftuar të tjerë nga 13 vende matanë detit, si edhe mbi 2.000 vëllezër e motra nga Filipinet, gjithsej 2.540. Stiven Leti trajtoi temën: «Ta çmojmë shtëpinë e adhurimit të Jehovait, të kaluarën dhe të tanishmen». Ditën tjetër, një shumicë me pionierë vendës, si edhe me pleq e me gratë e tyre, gjithsej 8.151 veta, gëzuan një program special në Sallën e Asambleve në Manilën Metropolitane.

Gjithsej, në mbarë botën, në këto ndërtesa të degës punon një personel prej 20.092 shërbëtorësh të emëruar zyrtarisht. Të gjithë janë anëtarë të Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë të Dëshmitarëve të Jehovait.

[Kutia në faqet 21, 22]

E rrëmbejnë në mes të ditës

Ishte mesditë, e premte, 19 mars 2004. Karli, një Dëshmitar 20-vjeçar, po ecte në një rrugë plot lëvizje në Petionvil të Haitit. Befas, disa burra të armatosur, të veshur me të zeza, e detyruan të hipte në një kamion të vogël, ia mbuluan kokën me një rrobë dhe ia shkelën me shpejtësi maksimale. Karli rrëfen:

Pasi më zbritën nga kamioni, më çuan në një dhomë ku kishte të tjerë që i kishin rrëmbyer, me sa duket studentë që i akuzonin se merrnin pjesë në demonstrata politike. Rrëmbyesit po bëheshin edhe më të egër, lëshuan një breshëri me krisma dhe vranë njërin nga pengjet. E ndjeva kokën e tij të më binte ndër këmbë. Pastaj po më merrnin në pyetje e po më kërcënonin. Të mërzitur, më gjuajtën dhe më flakën sipër të vrarit.

—Përgjigjju pyetjeve!—më urdhëroi kryetari i grupit.

—Po unë s’marr vesh fare nga politika,—ia ktheva.

—Atëherë, po të vras tani në vend!—ulëriti.

I kërkova: «Më parë, po deshe, më lër t’i lutem Perëndisë tim, Jehovait, t’i kërkoj që të m’i ndihmojë prindërit dhe vëllezërit e motrat, se nuk do të më shohin më.»

—Jepi shpejt! Se e kam me ngut!—m’u skërmit.

Ndërsa lutesha me zë, burri doli nga dhoma. Kur u kthye, i thashë vetes: ‘Karl, kaq e pate. Bëhu gati të vdesësh.’ Mirëpo më priste një surprizë e madhe.

—Ti je Karl «Fisteku»?—më pyeti.

—Po,—iu përgjigja, e ndërkohë vrisja mendjen nga ma dinte emrin.

Pastaj më shpjegoi se e kisha marrë disa herë në makinë dhe, tani që e dinte kush isha, nuk i bënte zemra të më vriste. Me sa duket, më njohu nga gjërat që thashë në lutje, ndonëse e kisha kokën të mbuluar. Ai doli prapë dhe bëri debat me shokët e vet. Si përfundim, dikush më hipi në një kamion, më çoi diku, e pastaj më la prapë në rrugë. Ishte një përvojë e tmerrshme, por që ma forcoi jashtë mase besimin te Jehovai dhe te fuqia e lutjes.

[Tabela dhe figurat në faqet 12, 13]

DISA NGJARJE TË VITIT TË SHËRBIMIT 2004

1 shtator, 2003

Shtator: Gjatë vitit të shërbimit 2004, u mbajt Shkolla për Mbikëqyrësit Udhëtues në 88 degë.

Tetor: Dega e Britanisë fillon shtypjen me makineritë MAN Roland Litoman.

28 tetor: Një gjykatë në Rumani nxjerr vendimin për t’i përfshirë Dëshmitarët e Jehovait në listën e feve të njohura ligjërisht, që përjashtohen nga taksat.

1 nëntor: Kushtohet dega e Filipineve.

28 nëntor: Në Gjeorgji, Ministria e Drejtësisë regjistron ligjërisht zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait.

7 dhjetor: Kushtohet dega e Indisë.

1 janar, 2004

26 mars: Gjykata e Golovinskit nxjerr vendimin për ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë. Çështja apelohet.

Prill: Rusia ka një maksimum të ri pionierësh të rregullt: 15.489.

29 prill: Pas 84 vjetësh shtypjeje të pandërprerë, shtypshkronja e Bruklinit mbyllet. Shtypshkronja e re është në Uollkill.

1 maj, 2004

Maj: Ndërkohë që ziente nga trazirat politike, në Haiti ndodhi edhe një përmbytje katastrofike. Asnjë Dëshmitar nuk vdiq.

16 qershor: Gjykata e qytetit të Moskës mbështet vendimin e 26 mars. Hyjnë në fuqi ndalimi dhe mbyllja e entit. Çështja apelohet në GJEDNJ.

31 gusht, 2004

[Figura në faqen 11]

Prezantohet «Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re» në gjuhën gjeorgjiane

[Figurat në faqen 27]

Vëllezërit vënë në punë njërën nga dy makinat e reja të shtypit MAN në Uollkill, Nju-Jork, SHBA

[Figura në faqen 29]

Dega në Bangalur, Indi, e kushtuar kohët e fundit

[Figura në faqen 30]

Dega e zgjeruar e Filipineve