Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar
Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar
KËTO vitet e fundit janë shtuar katastrofat natyrore, dhe në shumë vende, viti i shërbimit 2005 nuk bëri përjashtim. Natyrisht, edhe vëllezërit tanë u prekën nga këto tragjedi. Por siç do të shohim, vështirësitë nxjerrin në pah dashurinë e krishterë, e cila forcon vëllazërinë dhe i afron tek e vërteta ata me zemër të sinqertë.—Mal. 3:18; Gjoni 13:35.
Shtimi i katastrofave ka bërë që mjaft njerëz të mendojnë më seriozisht për të ardhmen dhe për gjërat më të rëndësishme në jetë. Çfarë privilegji patëm t’i ndihmonim këta njerëz të kapnin domethënien e kohëve që po jetojmë, me anë të fushatës speciale me broshurën Qëndroni vigjilentë! Në
disa vende, fushata filloi më 18 tetor 2004 dhe pati rezultate të shkëlqyera.Fushata me broshurën Qëndroni vigjilentë!
Argjentinë: «Nëse do të ndodhte një katastrofë, kush do të mbijetonte—njeriu i keq, njeriu i mirë apo ai që do t’i vinte veshin paralajmërimit?» Kështu e prezantonte një motër broshurën Qëndroni vigjilentë! në një territor goxha apatik.
Një vëlla me emrin Huan, i la broshurën një djali 16-vjeçar, i cili e lexoi, dhe i entuziazmuar, i tregoi të atit çfarë kishte mësuar. I etur për të mësuar më tepër, i ati e lexoi dhe i gjeti në Bibël të gjitha shkrimet e cituara. I bëri kaq shumë përshtypje, saqë filloi ta studionte broshurën me tërë familjen. Kur Huani u rikthye, i ofroi burrit një studim biblik falas. «Tamam për këtë kemi nevojë, për një studim familjar»,—iu përgjigj burri. Kuptohet, me këtë familje u fillua një studim biblik.
Francë: Zhoslina i dha një kopje të broshurës Qëndroni vigjilentë! Alisias, një gruaje të re që kishte studiuar më parë. Ajo e mori me kënaqësi broshurën dhe pranoi ta studionte me Zhoslinën. Po ashtu, Alisia vendosi ta lexonte rregullisht Biblën. «Vetëm dy javë më pas,—thotë Zhoslina,—më tha se tregimet e Biblës për jetën e Jezuit e kishin bërë të qante.»
Alisia i tha të dashurit se donte të martohej me të ligjërisht që t’i pëlqente Perëndisë, dhe se donte të bëhej Dëshmitare e Jehovait. Për habi të saj, ai iu përgjigj: «Dakord. Nuk dua të të ndaloj të bësh atë që kërkon Perëndia.» Pas kësaj Alisia ndoqi një asamble qarkore, e para për të.
Madagaskar: Nana është nënë me dy fëmijë, dy vajza të vogla. Kur ishte adoleshente kishte ndjekur mbledhjet e krishtere bashkë me prindërit e saj, por nuk shkoi më kur prindërit nuk vazhduan t’i shërbenin Jehovait. Gjatë fushatës
speciale, Nana pranoi broshurën nga një motër misionare, dhe ra dakord të fillonte një studim biblik. Tani bashkë me dy vajzat i ndjek të gjitha mbledhjet dhe po punon të dalë lajmëtare e papagëzuar. Për më tepër, edhe prindërit pranuan të studionin broshurën. Madje vëllai 14-vjeçar i Nanas, Zhozea, drejton studim me një shokun e tij adoleshent, i cili po ndjek rregullisht mbledhjet.Nigeri: «Gjatë fushatës më vdiq mamaja, dhe kjo më dha mundësinë të dëshmoja në fshatin tim—thotë një vëlla pionier.—Para varrimit, të afërmit qanin dhe shtriheshin përdhe. ‘Pse bëni kështu?’—i pyeta.—Vdekja e mamasë është e dhimbshme për të gjithë, por ajo ka rënë në gjumin e vdekjes. Do të ngrihet kur të ringjallet.’ Ndonëse po qaja për vete, hapa broshurën Qëndroni vigjilentë! në faqen 8 dhe u shpjegova skenën e ringjalljes. Si rezultat, shpërndava 195 broshura, përfshirë 45 Qëndroni vigjilentë! Në varrim, bashkë me vëllezër të tjerë shpërndamë 100 kopje të revistës Kulla e Rojës 1 maj 2005, që kishte temën ‘A do të kthehen të vdekurit në jetë?’»
Rusi: Irina, një pioniere speciale në Zelenogradsk, shkruan: «Bashkë me një motër i ofruam broshurën Qëndroni vigjilentë! një gruaje me emrin Ala, e cila na ftoi brenda. Për të jeta nuk kishte më asnjë kuptim, ngaqë njerëzit ishin bërë zemërgur. E lamë të ktheheshim përsëri. Disa ditë më vonë, isha me të njëjtën motër kur dëgjuam një grua që na thërriste. Ishte Ala. Na falënderoi për broshurën, e nxori nga çanta dhe na tregoi pikat që kishte nënvizuar. Tani po studion rregullisht broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?»
Në një qytet tjetër në Rusi, Vera me të shoqin, Vitalin, ndaluan në një kioskë buzë rrugës ku punonte Luda, një e
njohura e Verës. Ajo e kishte shprehur hapur se nuk donte të diskutonte me Dëshmitarët për Biblën, prandaj Vera ngurronte t’ia ofronte broshurën. Por e nxitur nga i shoqi ajo ia ofroi, dhe, për habinë e saj Luda e pranoi. Pas dy ditësh Luda e mori në telefon. «Nëse kam mësuar kaq shumë gjëra vetëm nga një broshurë,—tha ajo,—kushedi sa mund të mësoj nga një studim i rregullt biblik!» Pavarësisht nga kundërshtimet e të afërmve, pa humbur kohë, Luda filloi të studionte dhe të vinte në mbledhje. Edhe djali dhe vajza e saj po studiojnë. «Është interesante,—thotë Vera,—se para ca vitesh i dhashë Ludës librin Njohuria dhe ajo nuk tregoi interes. Kurse broshura Qëndroni vigjilentë! e tërhoqi shumë.»Venezuelë: Gruaja e një mbikëqyrësi qarkor bëri një bisedë në derë me një burrë, gruan dhe katër fëmijët e tij. Duke i treguar figurën e parajsës në faqet 16 dhe 17 të broshurës Qëndroni vigjilentë!, motra theksoi se ishte e nevojshme që e gjithë familja të mësonte për Perëndinë. Pastaj i ftoi të gjashtë në mbledhjen e së enjtes, dhe e lanë të takoheshin në stacionin më të afërt të autobusit. Motra me të shoqin shkuan te stacioni i autobusit fiks në orar, por nuk gjetën asnjë nga familja. Motra nuk e dinte se familja kishte marrë një autobus më përpara dhe kishin vajtur tashmë në Sallën e Mbretërisë. Pesë pjesëtarë të kësaj familjeje po studiojnë rregullisht Biblën dhe ndjekin mbledhjet, pavarësisht se rruga është e gjatë dhe biletat kushtojnë.
Një motër pioniere trokiti në një derë, por askush nuk e hapi. U kthye më vonë dhe takoi një burrë të moshuar, që sapo kishte dalë. Ai i shpjegoi se ishte thuajse i shurdhër dhe nuk dëgjonte kur binte dera, ose sa shkonte avash-avash për ta hapur, njerëzit kishin ikur. Motra i dha broshurën Qëndroni vigjilentë! dhe e ftoi në mbledhjen e kongregacionit.
Gjatë mbledhjes, motra tregoi këtë përvojë, pa e ditur se burri i moshuar ishte aty në sallë. Tani ai studion rregullisht Biblën me një vëlla, i ndjek të gjitha mbledhjet dhe ka shprehur dëshirën për të predikuar lajmin e mirë. Kur e pyetën përse shkoi për herë të parë në mbledhje, ai ngriti broshurën Qëndroni vigjilentë! dhe tha: «Falë kësaj broshure.»
Përkthimi i Biblës
Duke filluar nga fundi i 1800-s, organizata e Jehovait blinte Bibla në sasi të mëdha dhe ua shpërndante të interesuarve, disa herë me një çmim 65 për qind më të ulët se kostoja e blerjes. Duke filluar nga viti 1926, vëllezërit nisën të shtypnin dhe të lidhnin disa Bibla në shtypshkronjat e tyre, duke përfshirë versionet Emphatic Diaglott, King James dhe American Standard. Pastaj, më 1961 doli në një vëllim të vetëm në anglisht Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.
Çfarë mund të themi për gjuhët e tjera? Në fillim të shekullit të 20-të, degët filluan të blinin përkthime të Biblës nga shtëpi të ndryshme botuese dhe i shpërndanin me po atë çmim që i blinin. Disa nga këto Bibla ishin përkthyer nga përkthyes të sinqertë, dhe madje kishin përdorur emrin e Perëndisë—Jehova—në gjuhën e vendit. Megjithatë, me kalimin e kohës shumë përkthyes e hoqën emrin hyjnor nga versionet e tyre. Sot disa kanë shkuar një hap më tutje duke e zëvendësuar emrin e Perëndisë me emrin e hyjnisë që adhurohet në atë vend. Për shembull, Bibla në gjuhën çiçeua Buku Loyera, që përdoret në Malavi, Mozambik dhe Zambie, e zëvendëson Tetragramin me «Çauta», emri i një perëndie fisnore që do të thotë «Harkëtari i Madh».
Ka edhe fjalë ose fraza të tjera që janë ndryshuar. Për shembull, një përkthim afrikan i referohet Lukës si magjistar. Përkthyesit e Biblës tuvaluane kanë vepruar lirisht duke e ndryshuar tekstin origjinal te Juda 23, dhe e kanë bërë: «Tregoni dashuri të madhe për sodomitët; vetëm kini kujdes të mos ndikoheni nga sodomia e tyre.» E megjithatë, teksti origjinal nuk i përmend fare as sodomitët dhe as sodominë.
Në të shkuarën, shoqëritë biblike morën drejtimin për të prodhuar dhe për të shpërndarë Bibla. Megjithatë, kohët e fundit, disa nga ato shoqëri biblike ia kanë dhënë të drejtën për shtypjen dhe shpërndarjen e Biblave, kishave të Krishterizmit. Përveçse i shesin shumë shtrenjtë, në disa vende kishat nuk duan që Dëshmitarët e Jehovait të blejnë Biblat e tyre. Për shembull, në Kirgizistan një fe protestante ka të drejtën e një përkthimi të kohëve të fundit në gjuhën kirgize, të Shkrimeve të Krishtere Greke. Kur vëllezërit përpiqen të blejnë një kopje, shpesh i pyesin: «A je Dëshmitar i Jehovait?» ose «A e di emrin e Perëndisë?» Nëse përgjigjja është po, nuk ua japin Biblat.
Për këtë arsye, si edhe për të tjera, Trupi Udhëheqës i ka dhënë më tepër përparësi përkthimit të Biblës. Sot, Bibla e plotë Përkthimi Bota e Re, është në dispozicion në 35 gjuhë, dhe Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke në 20 gjuhë të tjera. Tani për tani, nga 33 skuadrat e përkthimit të Biblës në të gjithë botën, 19 po punojnë me Shkrimet Hebraike, 11 me Shkrimet e Krishtere Greke dhe 3 me Biblën me Referime. Zakonisht, një skuadër për përkthimin e Biblës përbëhet nga tre deri në gjashtë veta. Me ndihmën e mjeteve të kompjuterizuara dhe procedurave të përparuara, disa skuadra i kanë përfunduar Shkrimet e Krishtere Greke brenda dy vjetësh.
Si ndihen vëllezërit kur marrin Përkthimin Bota e Re në gjuhën e tyre? Një pionier në Shqipëri i përmblodhi kështu ndjenjat e tij, dhe njëkohësisht ato të shumë vëllezërve e motrave. «Qava,—thotë ai.—Nuk isha ndier kurrë kështu kur lexoja Fjalën e Perëndisë. Dua të përpij çdo varg.»
Zhvillime ligjore
Armeni: Pas 15 kërkesave, më në fund më 8 tetor 2004 Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan ligjërisht. Pavarësisht nga kjo, vëllezërit e rinj vazhdojnë t’i burgosin, sepse refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. (Isa. 2:4) Shpresojmë që ky regjistrim t’u sigurojë vëllezërve tanë lirinë fetare, duke i dhënë mundësinë të marrin literaturë e të mbajnë kongrese. Në fakt, në qershor 2005, iu dha leja doganore për ngarkesën e parë me literaturë që u soll zyrtarisht në Armeni, dhe iu shpërnda vëllezërve.
Austri: Për më shumë se 30 vjet, Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur një betejë ligjore për njohjen e të gjitha të drejtave të tyre fetare. Për këtë problem, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut i janë paraqitur pesë kërkesa. Më 1 shkurt 2005, Gjykata vendosi të shqyrtonte dy raste. Aty përfshiheshin vëllezërit që nuk ishin përjashtuar nga shërbimi ushtarak, sepse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të njohur si fe. Më 5 korrik, Gjykata ra dakord të shqyrtonte kërkesën, meqenëse vendimi nuk është shpallur ende.
Eritre: Më 24 janar 2004, autoritetet arrestuan 38 burra, gra e fëmijë që shoqëroheshin me kongregacionin Saba në Asmarë. Ishin nga mosha 6 deri 94-vjeçare. Disa ishin të papagëzuar. Pasi policia i mbajti tri net nën arrest, më të rinjtë i liruan. Të tjerët që mbetën, 28 pjesëtarë, i çuan në një burg jashtë Asmarës. I futën në kontejnerë metalikë të mëdhenj që përdoren për transport, dhe i lanë jashtë në nxehtësinë e ditës dhe në të ftohtin e natës. Më 2 shtator 2004—kishin kaluar mbi shtatë muaj—u liruan dy vëllezërit më të moshuar, njëri 94 dhe tjetri 87 vjeç. Më pas u liruan edhe të tjerë. Por ende gjashtë veta janë në burg bashkë me 16 vëllezër të tjerë, 3 prej të cilëve kanë qenë në burg për 11 vjet. Ju lutemi, kujtojini këta vëllezër të dashur në lutjet tuaja.—Vep. 12:5.
Francë: Siç u raportua në Librin vjetor 2001, autoritetet vunë një taksë të re për kontributet e vëllezërve, duke përfshirë edhe taksat për katër vitet e kaluara (1993-1996)—gjithsej një shifër e jashtëzakonshme, 60 për qind plus gjobat. Vëllezërit apeluan, por humbën në gjykatën e ulët, në gjykatën e apelit dhe në gjykatën e lartë. Më 25 shkurt 2005, i dërguan një kërkesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke apeluar për diskriminimin e hapur fetar.
Republika e Gjeorgjisë: Persekutimi i dhunshëm ka rënë ndjeshëm. Tani mund ta importojmë literaturën tonë dhe gjatë grumbullimeve të krishtere nuk ka më shqetësime. Megjithatë, shumë raste të abuzimit të dikurshëm janë në gjykata ende të pazgjidhura. Vëllezërit kanë paraqitur katër ankesa zyrtare kundër Gjeorgjisë që janë pezull në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këto kanë të bëjnë me persekutimin e dhunshëm që vuajtën vëllezërit tanë, shpërbërjen e korporatave tona ligjore, si edhe me neglizhimin e gjykatave për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Më 6 korrik 2004 Gjykata pranoi të shqyrtonte rastin Kongregacioni Gldani i Dëshmitarëve të Jehovait kundër Gjeorgjisë.
Gjermani: Kur vendi u bashkua, vëllezërit kërkuan të konfirmohej se Shoqata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait ka statutin e një korporate të regjistruar ligjërisht. Kështu filloi një betejë ligjore 12-vjeçare. Një vendim i favorshëm nga Gjykata Kushtetuese Federale në vitin 2000, hodhi poshtë idenë se shteti gjerman mund të kërkonte nga Dëshmitarët e Jehovait një masë besnikërie, e cila mund të cenonte ndërgjegjen e tyre të krishterë. Seancat vijuese e zgjidhën çështjen. Më 24 mars 2005, Gjykata më e Lartë Administrative e Berlinit urdhëroi që autoritetet vendëse të Berlinit t’u jepnin Dëshmitarëve të Jehovait të drejtën e një korporate ligjore. Autoritetet e Berlinit po orvaten të apelojnë vendimin.
Rusi: Siç u raportua në Librin vjetor 2005, më 26 mars 2004 Gjykata Krahinore Ndërbashkiake e Golovinskit nxori vendimin për të ndaluar të gjitha aktivitetet tona në Moskë. Qysh atëherë, ka pasur probleme lidhur me kontratat e qirave për mbledhjet e kongregacionit, si edhe për grumbullimet më të mëdha. Megjithatë, vëllezërit kanë pronë të tyre një kompleks Sallash Mbretërie me katër auditore, ku mblidhen 44 kongregacione dhe 2 grupe. Edhe pse kushton shumë dhe krijon vështirësi për vëllezërit, 17 kongregacione në Moskë mblidhen jashtë qytetit, kurse 31 kongregacione i mbajnë disa ose të gjitha mbledhjet në grupe të vogla në shtëpi private. Ka pasur edhe ngacmime nga policia, por gjithsesi, asnjë nuk është arrestuar. Vendimi i dhënë më 26 mars është apeluar.
Më 9 shtator 2004, para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut u dëgjua çështja Kuznetsofi dhe të tjerët kundër Federatës Ruse. Në 4 tetor, Gjykata pranoi unanimisht shqyrtimin e çështjes. Ajo ka të bëjë me një zyrtar që urdhëroi policinë të ndërpriste një mbledhje në kongregacionin e gjuhës së shenjave në Çeljabinsk, në prill të 2000-shit. Çështja është ndërlikuar nga parregullsitë e jashtëzakonshme që u krijuan gjatë procesit të mëparshëm. Jemi në pritje të vendimit.
Turkmenistan: Tre vëllezër—Mansur Mesharipofi, Atamurat Sufkanofi dhe Vepa Tuvakofi—u dënuan secili me 18 muaj burg, pasi nuk pranuan të shkonin ushtarë për shkak të ndërgjegjes. Një vëlla tjetër—Begenç Shakmuradovi—u dënua një vit. Më 16 shkurt 2005, zyra ligjore e Dëshmitarëve të Jehovait i shkroi një letër ambasadës turkmenistane në Uashington D.C., duke i kërkuar lirimin pa kusht të këtyre katër vëllezërve. Më 16 prill, të gjithë u liruan nga një amnisti e veçantë e dhënë nga presidenti i Turkmenistanit. Gjatë vitit, policia ndaloi e mori në pyetje shumë vëllezër e motra, dhe u përpoq t’i detyronte të hiqnin dorë nga besimi. Por nuk ia dolën mbanë.
Një vit me katastrofa natyrore
Në disa vende, viti 2004 vuri rekorde të reja për sa u përket katastrofave natyrore. Si u prekën vëllezërit tanë nga këto tragjedi?
Karikë, Grenadë dhe Martinikë e Vogël: Më 7 shtator 2004, uragani Ivën i përpiu këta ishuj, duke dëmtuar ose fshirë nga faqja e dheut mbi 90 për qind të shtëpive. Është e tmerrshme, por edhe plaçkitja e pafre ka shkaktuar aq dëme sa vetë uragani. Vëllezërit humbën shumicën e pasurisë së tyre, dhe dy nga gjashtë Sallat e Mbretërisë në Grenada, u dëmtuan goxha. Por asnjë vëlla ose motër nuk u dëmtua rëndë fizikisht.
Dega e Barbados që kujdeset për këta ishuj, i kishte këshilluar më parë kongregacionet të programonin një pjesë në Mbledhjen e Shërbimit për të qenë të parapërgatitur në rast uragani, edhe pse uragani i fundit që goditi atë zonë ndodhi në 1955-n. «Pse duhet ta humbasim kohën duke diskutuar për uraganet kur ka gjëra më të rëndësishme?»,—pyeti një motër në Grenada. Kot që ta përmendim se, pas uraganit Ivën, ajo motër nuk e diskuton më kurrë drejtimin e organizatës. Menjëherë dega ngriti një komitet ndihme. Gjithashtu ndihmuan edhe degët e Guajanës e të Trinidadit. Qindra vëllezër nga Karaibet dhe nga Shtetet e Bashkuara ndihmuan për rindërtimet.
Xhamajkë dhe Ishujt Kajman: Uragani Ivën nuk vrau asnjë vëlla ose motër, por shumë humbën gjërat materiale. Me t’u përmirësuar koha, pleqtë e 199 kongregacioneve të këtyre ishujve, u lidhën me lajmëtarët. «Ju kujdeseni me të vërtetë për njëri-tjetrin»,—thanë ata që shikonin.
Haiti: Në mes të shtatorit, uragani Zhan përmbyti Haitin Verior, duke sjellë një përmbytje shkatërrimtare që gllabëroi qytetin bregdetar të Gonivës dhe zonat përreth. Madje edhe njerëzve që kërkonin të shpëtonin duke u ngjitur
në majë të çative, u vajti uji deri në gjunjë. «Gjithë natën dëgjonim shtëpi që shembeshin dhe njerëz që ulërinin»,—thotë një vëlla. Përmbytja mori rreth 2.900 jetë, përfshirë edhe një motër 83 vjeçe.Një vëlla thotë: «Falënderoj Jehovain që familja jonë la pas gjithçka dhe shpëtoi.» Pak ditë më pas, Dëshmitarë nga qytetet fqinje sollën ushqim dhe ujë të pishëm, dhe dega shpërndau një kamion me furnizime ushqimore. Ndonëse u duhej të pastronin me themel, në fundjavë të gjithë shkuan sërish në mbledhjet e krishtere dhe në predikim. «Dyzet vullnetarë punuan në shtëpinë time për katër ditë,—thotë një motër.—Madje i dhanë edhe një dorë me bojë. Kjo u bëri përshtypje familjarëve të mi që nuk janë Dëshmitarë. Njëra që atëherë ka filluar studim.»
Shtetet e Bashkuara: Gjatë gushtit dhe shtatorit të 2004-s, shteti i Floridës u godit nga katër uragane: Çarli, Fransisi, Ivëni dhe Zhani. * U dëmtuan mbi 4.300 shtëpi të vëllezërve dhe të paktën dhjetë Salla Mbretërie. Fill pas katastrofave, zëdhënësi i Komitetit të Operacioneve të Emergjencës të Floridës (EOC), kërkoi të sigurohej se ndihmat e këtij komiteti përdoreshin në mënyrën e duhur. Ai tha se asnjë grup tjetër nuk ishte i organizuar aq mirë sa Dëshmitarët e Jehovait. I tha komitetit të ndihmës se do të merrnin të gjitha ndihmat që do t’u nevojiteshin.
Përkohësisht një kongregacion po përdorte një ndërtesë me qira, 50 dollarë për çdo mbledhje. Por edhe kjo ndërtesë u dëmtua kur goditi uragani i parë. U morën punëtorë për ta rikonstruktuar, por ata nuk e përfunduan punën. Vëllezërit i ofruan ndihmë pronarëve. Ata pranuan dhe puna përfundoi në kohën e caktuar. Si shpërblim, pronarët nuk i morën qira për tre muaj.
Japoni: «Numri i tajfuneve që kanë goditur Japoninë [në 2004-n] është më i larti që kur Japonia nisi t’i regjistronte në vitin 1551»,—raporton një gazetë. Në prefekturat e Nigatës dhe Fukuit, koha tejet e keqe në korrik dëmtoi mbi 34.000 shtëpi e ndërtesa të tjera, përfshirë një Sallë Mbretërie dhe 60 shtëpi të vëllezërve. Qindra Dëshmitarë nga kongregacionet fqinje vërshuan të ndihmonin. Salla e Mbretërisë u rindërtua e tëra brenda dy javëve.
Gjithashtu vëllezërit ndihmuan të pastroheshin e të dezinfektoheshin shtëpitë që ishin ngjitur me Sallën, edhe pse të zotët nuk ishin Dëshmitarë. Një burrë që kishte kundërshtuar mesazhin për Mbretërinë, u prek dhe qau. Madje autoritetet lokale i dërguan një letër vlerësimi komitetit të ndihmës ku i falënderonin për punën e vëllezërve.
Kur në shtator dhe tetor dy tajfune përfshinë gjithë Japoninë, përmbytja dhe rrëshqitja e tokës vrau një vëlla e një motër, dhe rreth 100 Dëshmitarë u ndodhën në vështirësi. Qyteti i Tojokës në prefekturën e Hyogos u përmbyt. Mbikëqyrësi qarkor organizoi punën që të jepej ndihma e nevojshme, ndonëse edhe shtëpia ku ai rrinte ishte përmbytur.
Apartamenti i një pioniereje ishte mbushur mbi një metër me ujë plot baltë. Kur ujërat u tërhoqën, vëllezërit vendës e pastruan shtëpinë e motrës dhe e bënë xixë. Pronari, që nuk ishte Dëshmitar, u prek thellë. Motra thotë: «Kisha dëgjuar për ndihmën që jep organizata e Jehovait, por kësaj here e provova vetë. Jam shumë krenare për Perëndinë tonë, Jehovain, dhe për organizatën e tij.»
Po ashtu në tetor, një tërmet i fortë goditi Japoninë Jugore, duke marrë 40 jetë njerëzish dhe duke detyruar të evakuoheshin 100.000 veta. Asnjë vëlla nuk u dëmtua ose vdiq, megjithëse mbi 200 familje patën disa dëme dhe një Sallë Mbretërie doli jashtë përdorimit. Lëkundjet e tërmetit
filluan ndërsa pleqtë e atij qarku ishin mbledhur të përgatiteshin për një asamble qarkore. Çfarë bënë ata? Duke ndjekur drejtimin që erdhi nga zyra e degës dhe nga Komiteti Rajonal i Ndërtimit, nisën menjëherë të organizonin dhënien e ndihmave. «U kujtuam që t’i shihnim këto ngjarje siç do t’i shihte një njeri i pjekur frymësisht»,—thotë një plak. Asambleja qarkore u mbajt, madje morën pjesë edhe ata që kishin pësuar dëme nga tërmeti.«Tërmeti ia ‘shkundi’ zemrën tim shoqi»,—thotë një motër që nuk e ka burrin Dëshmitar, së cilës iu dëmtua shtëpia. Për herë të parë në jetën e tij i shoqi ndoqi një mbledhje të kongregacionit. Kjo falë shembullit të gjallë të dashurisë së krishtere që pa kur vëllezërit u jepnin ndihmë të tjerëve. «Mund të kem besim të plotë tek organizata juaj,—tha ai.—S’ka për të na zhgënjyer asnjëherë.»
Filipine: Kur tajfunët goditën Keson-Sitin dhe provincën e Aurorës nga fundi i 2004-ës, një familje Dëshmitarësh, përfshirë katër fëmijët, vdiq kur shtëpia iu përmbyt nga ujërat
dhe balta. Mbikëqyrësi qarkor Felimën Maristela ishte në Keson-Siti kur erdhi një përmbytje e beftë. «Salla e Mbretërisë u përmbyt sa hap e mbyll sytë,—shkruan ai,—dhe uji mori me vete xhipin tim. Bashkë me gruan dhe dy vëllezër të tjerë e kaluam natën mbi çatinë e sallës, dhe uji arrinte deri te streha e çatisë. Kam zbritur që aty të nesërmen, në orën 3 pasdite. Uji më vinte deri në mes.»Pavarësisht nga rreziqet, vëlla Maristela i kërkoi lajmëtarët për të parë nëse ishin të gjithë shëndoshë e mirë. Në Dingalan, provinca e Aurorës, një plak pati mundësinë të largohej me helikopter, por vendosi të rrinte të ndihmonte vëllezërit dhe motrat e tij të krishtere.
Tsunamet më vdekjeprurëse të regjistruara deri tani
Më 26 dhjetor 2004, një tërmet 9 ballësh i shkallës Rihter që goditi afër bregut perëndimor të Sumatrës, Indonezi, shkaktoi tsunamin më shkatërrues të regjistruar në histori. Sipas llogaritjeve, të vdekurit dhe të humburit i kaluan 280.000 vetët. Madje edhe në Somali, Afrikë, që ndodhet në perëndim të oqeanit Indian, dallgët morën rreth 290 jetë.
Indonezi: Ndonëse ky vend pësoi humbjet më të mëdha në njerëz, nuk vdiq asnjë vëlla, motër ose i interesuar. Për shkak të dhunës së mëparshme, shumë Dëshmitarë ishin larguar nga zona e Açes—zona që u godit më rëndë—dhe ishin futur në brendësi të ishullit. Edhe ishulli i Niasit u godit rëndë, por vëllezërit mundën të largoheshin pa pësuar gjë.
Indi: Asnjë vëlla nuk vdiq, por mjaft prej tyre humbën shtëpitë dhe zotërimet e tjera materiale. Në qytetin e Pondiçerrit, Lakshmi ishte në shërbim kur dëgjoi për tsunamin. Shkoi në shtëpi, një shtëpi me qerpiç rreth tri kilometra nga bregdeti, dhe e gjeti shumë të dëmtuar. Vëllezërit e ndihmuan që ta pastronte dhe ta riparonte.
Në Madra, Naveni 13-vjeçar po luante kriket kur pa ca dallgë gjigante. Lajmëroi me vrap të ëmën dhe motrën e madhe, dhe ikën që të shpëtonin. Gjithsesi, mezi çanë mes ujërave vërshuese që merrnin me vete çdo send të shtëpive, si edhe plot trupa të vdekur.
Lini shtatëvjeçare ishte në plazh me xhaxhanë dhe djalin e xhaxhait afër Kaniakumarit, kur dallgët e shtynë brenda ishullit derisa ngeci në një gardh me hunj. Uji vazhdonte të përplasej tek ajo. Xhaxhai dhe kushëriri shpëtuan, por xhaxhai humbi syzet dhe nuk shihte mirë. Prapëseprapë ai vazhdoi të kërkonte Linin. S’kaloi shumë, dhe e dëgjoi tek thërriste Jehovain në mes të vorbullës së ujit, dhe arriti ta shpëtonte. Lini tani u thotë të gjithëve se Jehovai ia dëgjoi lutjet.
Andaman dhe Ishujt Nikobar: Meri dhe djali i saj tetëvjeçar, Alvini, ishin për vizitë te disa kushërinj kur tërmeti tundi shtëpinë. Të gjithë vrapuan jashtë. Meri pa një dallgë të madhe që po vinte drejt bregut. Tamam në këtë kohë, erdhi një autobus. Hipi bashkë me djalin dhe u larguan. Kurse të tjerët u kthyen me vrap në shtëpitë e tyre për të marrë ndonjë gjë, dhe u përpinë nga uji. Pasi udhëtuan ca, të gjithë në autobus ndien një lëkundje tjetër. E lanë autobusin dhe vrapuan te një pikë e lartë ku ishin mbledhur gati 500 veta. Para syve të tyre, uji që vrumbullonte mori me vete autobusin dhe arriti gjysmë metri në vendin ku po rrinin ata.
Kur uji u tërhoq, Meri u kthye për pak minuta në shtëpi. Arriti të gjente Biblën dhe broshurën Të shqyrtojmë shkrimet çdo ditë, që u bënë burim force në ditët pasuese. Kur u përhap lajmi se anijet do t’i largonin njerëzit nga ishulli, qindra vetë vrapuan në breg dhe çanë drejt oqeanit me shpresën që të hipnin në ndonjë barkë. Çdo ditë, Meri dhe i biri ndenjën për orë të tëra të zhytur deri në mes në ujë, të rrethuar nga trupa të mbytur që pluskonin mbi sipërfaqe. Më në
fund, gjashtë ditë pas tsunamit, një barkë i largoi që aty. Ngaqë shumë veta fajësonin Perëndinë për tragjedinë, Meri pati mundësi të jepte dëshmi të shkëlqyer. Kunata e saj tani po studion Biblën dhe ndjek mbledhjet e krishtere.Prasanthi bashkë me djalin pesëvjeçar, Jehoasin, kishte shkuar në Hat-Bej për të parë babain e moshuar, vëllanë Presëd Rao. Ndërkohë që ishin atje, e ndien tërmetin, panë dallgët dhe ikën në një vend më të lartë. Uji u ngrit 5 metra mbi rrugë dhe mbuloi shtëpinë e Presëdit. Krevatet, frigoriferi, televizori si edhe librat Njeriu më i madh që ishin për kongregacionin, i mori uji. Më vonë, të mbijetuarit gjetën disa nga këta libra dhe filluan t’i lexonin. Për pesë ditë, Presëdi, Prasanthi dhe Jehoasi hëngrën ushqim nga mbeturinat dhe duruan mizëritë e mushkonjave e të mizave. Kur arritën barkat, Prasanthi dhe Jehoasi, bashkë me shumë të tjerë, u futën deri në mes në ujë për të arritur te shpëtuesit e tyre, ndonëse krokodilët notonin aty pari. Për më tepër, Prasanthi, ishte gjashtë muajshe shtatzënë. Më vonë erdhi edhe i ati i saj.
Të gjitha shtëpitë në Ishullin Tereza i përpiu uji. Vëllezërit dhe motrat në këtë ishull, 13 gjithsej, kaluan gjashtë ditë në xhungël duke vuajtur nga uria dhe nga pickimet e insekteve para se të evakuoheshin në ishullin Kamorta. Atje u strehuan te Mark Pauli, një vëlla që jeton në një vend të ngritur, shtëpia e të cilit përdoret si Sallë Mbretërie. Ditën e tsunamit, të pranishmit në mbledhjen e kongregacionit ishin 300, në vend se 10-12 veta si zakonisht. Qysh atëherë, 18 studentë të rinj biblikë i ndjekin rregullisht mbledhjet, pasi e panë vetë me sytë e tyre ndihmën dhe mbështetjen e dashur që tregojnë për njëri-tjetrin shërbëtorët e Jehovait.
Sri-Lankë: Dallgët goditën dy të tretën e vijës bregdetare të këtij ishulli, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Tsunami goditi të dielën në mëngjes kur shumica e
vëllezërve ishin në mbledhjet e kongregacionit, jashtë zonës së rrezikshme. Dhjetë kongregacione u prekën, dhe një motër humbi jetën kur shtëpinë ia përpiu deti. Vëllezërit u hidhëruan thellë nga humbja e asaj motre të shkëlqyer. Vdiqën edhe disa të interesuar, dhe shumë vëllezër humbën të afërmit. Një plak kongregacioni humbi 27 të afërm. Siç shkruan dega, pavarësisht nga kjo, «vëllezërit e kanë lënë pas këtë tragjedi pa u dobësuar nga ana frymore».Në Bethel erdhën mjaft ndihma dhe shumica e familjes Bethel u përqendrua në shpërndarjen e tyre. Vëllezërit vendës i transportuan ndihmat me makina për në zonat e dëmtuara. Brenda katër ditëve, të gjithë vëllezërit morën ushqime dhe veshmbathje. Kur i pyetën se për çfarë tjetër kishin nevojë, ata u përgjigjën: «Bibla dhe libra! Tonat na i ka marrë uji.» Nevojat e tyre u plotësuan pa vonuar.
Mbikëqyrësi qarkor Xherard Kuki ishte në Kolombo në atë kohë. Eci me makinë për shtatë orë në një rrugë të rrezikshme kur bie nata, për shkak të elefantëve të egër. Kur mbërriti në orën 22.30, bashkë me një vëlla vendës—të cilit i ishte përmbytur shtëpia—nisën menjëherë të vizitonin familjet e të shpërndanin ndihma duke punuar tërë natën, deri në të gdhirë.
Tajlandë: Asnjë vëlla nuk u vra ose u dëmtua, dhe asnjë nuk humbi mjetet e nevojshme të jetesës. Megjithatë, disa pushues të huaj kanë humbur dhe mendohen të kenë vdekur. Midis tyre janë një vëlla finlandez, një çift suedez, një vëlla austriak dhe burri jobesimtar i një motre. Dy çifte suedeze kishin dalë në shërbim atë ditë bashkë me grupin vendës, larg nga bregdeti. Kur u kthyen në hotel, nuk gjetën asgjë përveç të vdekurve dhe gjërave të shkatërruara.
Të hënën në mëngjes pas tërmetit, mbikëqyrësi drejtues i kongregacionit të Puketit mori një telefonatë nga dega tajlandeze. E informuan se një motër finlandeze, Kristina, ishte në një spital 90 minuta larg që aty. Bashkë me një vëlla tjetër shkuan menjëherë në spital. Mbikëqyrësi drejtues shkruan: «Nuk kam parë kurrë në jetën time kaq mjerim—burrat pa gratë e tyre dhe anasjelltas, prindërit pa fëmijët, fëmijët pa prindërit. Disa thërritnin për ndihmë; të tjerë rrinin me sytë ngulur në tavan ose në dysheme. Kjo situatë të therte në zemër kaq shumë, saqë disa herë dilnim jashtë të mblidhnim veten dhe luteshim për të marrë forcë.»
Vëllezërit e gjetën Kristinën kur ishte gati të operonte këmbën e thyer. Kishte humbur të gjitha dokumentet. Pas operacionit, dy vëllezërit u lutën bashkë me të dhe i ndenjën te koka deri në mesnatë. Disa ditë më pas ajo motër u kthye në Finlandë. Vëllezërit thonë se pavarësisht nga hallet që i ranë, «Kristina ishte e guximshme dhe e fortë». Mjerisht, i shoqi i saj vdiq për shkak të tsunamit.
Kushtime Degësh
Angolë, 8 janar 2005: Ajo ditë ishte një ngjarje e shënuar për veprën e predikimit në Angolë, një vend që ka qenë i përfshirë në luftë civile për gati 40 vjet. Stivën Leti, pati privilegjin e dyfishtë: mbajti fjalimin e kushtimit për
godinat e degës në Angolë, por edhe ishte pjesëtari i parë i Trupit Udhëheqës që vizitonte atë vend. Rreth 730 delegatë nga 11 vende morën pjesë në program. Pse nevojitej një kompleks dege i ri? Në vitin 1975, dega raportoi një maksimum prej 3.055 lajmëtarësh. Nga fundi i vitit 2004, shifra ishte 18-fishuar, duke arritur në 54.000 lajmëtarë.Bullgari, 9 tetor 2004: Për tre vjet, 150 vullnetarë ndërkombëtarë dhe rreth 300 vëllezër vendës ndihmuan në ndërtimin e godinave të degës së re në Sofje. Gerrit Lëshi nga Trupi Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit para një auditori prej 364 të pranishmish, të ardhur nga 24 vende.
Etiopi, 20 nëntor 2004: Në fillim të vitit 2004, 60 pjesëtarët e familjes Bethel ishin të shpërndarë në nëntë vende të ndryshme—një situatë goxha e papërshtatshme. Betheli i ri dhe i bukur është ndërtuar në një shpat në cepin lindor të kryeqytetit, Abdis-Ababas, dhe është mbi 2.400 metra mbi nivelin e detit. Në disa net, qetësia thyhet vetëm nga hungërimat e hienave. Gerrit Lëshi i foli një auditori prej 2.230 vetash, përfshirë këtu 200 delegatë të huaj nga 29 vende. Midis të intervistuarve kishte disa që ishin burgosur, madje torturuar për besimin. Vajza e një vëllai që është ekzekutuar tha: «Kur të ringjallet, babai do të jetë i lumtur të dijë se kam ndjekur shembullin e tij të përkushtimit hyjnor dhe kam shërbyer në Bethel.»
Ganë, 5 mars 2005: Para një auditori prej 3.243 vetash, Malkolm J. Vigoja nga dega e Nigerisë mbajti fjalimin e kushtimit. Shtesat e reja të kushtuara të degës ekzistuese, përfshijnë tri godina për rezidenca, 50 zyra, një godinë për repartin e mirëmbajtjes, një Sallë Mbretërie, një dhomë ngrënieje, një kuzhinë dhe një lavanderi.
Guam, 25 qershor 2005: Ky ishte i treti kushtim dege që nga viti 1980, kur Guami kishte vetëm një kongregacion. Tani janë dhjetë. Përveç rinovimeve, projekti i fundit përfshinte një Sallë Mbretërie të re dhe një rezidencë dykatëshe. 100 vullnetarë ndërkombëtarë erdhën nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara, të gjithë me shpenzimet e tyre. Dega thotë se, kur një inspektor ndërtimi i atij vendi dëgjoi për këtë dhe pa cilësinë e punës, «tundi kokën gjithë habi». Lorenc Shepi nga dega e Perusë mbajti fjalimin e kushtimit.
Mauriki, 6 nëntor 2004: Gerrit Lëshi pati privilegjin të mbante fjalimin kur u kushtuan shtesat e degës ekzistuese. Shtesat përfshinin 12 zyra të reja për repartin e përkthimit dhe një ndërtesë të re për repartin e mirëmbajtjes. Vizitorët erdhën nga Evropa, Madagaskari, Majote, Reunioni, Sejsheli dhe Afrika e Jugut.
Nikaragua, 4 dhjetor 2004: Mbi 330 vullnetarë ndërkombëtarë dhe qindra vëllezër vendës ndërtuan zyra e rezidenca të reja në degën ekzistuese, si edhe një Sallë Asambleje me faqet anësore të hapura, me kapacitet 2.400 vende. Fjalimin e kushtimit e mbajti Samuel Herdi, pjesëtar i Trupit Udhëheqës. Midis delegatëve kishte edhe misionarë që kishin shërbyer në Nikaragua. Imagjinoni sa të emocionuar ishin ata kur takuan jo vetëm disa nga ish-studentët e tyre biblikë, por edhe «fëmijët» e studentëve të tyre, dhe në disa raste edhe «nipërit e mbesat»!
Panama, 19 mars 2005: Samuel Herdi foli para një auditori prej 2.967 të pranishmish, shumica e të cilëve po i shërben Jehovait për më tepër se 20 vjet. Kur filloi zbatimi i projektit, vëllezërit morën me qira një vinç dhe pajtuan një vinçier për të lëvizur disa rimorkio. Kur vinçieri shkoi në kantier, refuzoi të bënte punën, duke thënë se kantieri nuk
ishte bërë gati siç duhej. Vëllezërit u përpoqën të arsyetonin me të, por ishte e kotë. Pastaj, kur po largohej, pyeti: «Meqë ra fjala, çfarë feje jeni ju?»«Dëshmitarë të Jehovait»,—iu përgjigjën vëllezërit.
U mendua për një çast dhe tha: «Në rregull, do ta bëj punën.» Pse ndryshoi mendje ashtu papritur? Dy motra po studionin Biblën me fëmijët e tij, dhe ai ishte mirënjohës për punën e tyre.
Sllovaki, 16 prill 2005: Teodor Xharazi nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit përpara 448 të ftuarve nga 21 vende. Të nesërmen u mbajt një mbledhje speciale në stadium, dhe shumë delegatë erdhën me autobus. «Ju jeni kaq të lezetshëm e të lumtur,—tha një nga shoferët,—dhe të gjithë më përshëndetni. Unë e di pse. Nga besimi juaj. Zakonisht çoj në shkollë nxënës dhe mësuese. Fëmijët duhet t’i përshëndes vetë i pari, kurse mësueset, as e marrin mundimin të thonë një mirëmëngjes a mirëdita.»
Uollkill, Nju-Jork, SHBA, 16 maj 2005: «Të gjithë kemi vendosur t’ia kushtojmë këtë shtypshkronjë të re dhe rezidencat A, C dhe D të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait»,—tha pjesëtari i Trupit Udhëheqës Xhon Barri gjatë fjalimit të kushtimit. Puna filloi më 1 maj 2003 me hedhjen e themeleve të shtypshkronjës së re, dhe vetëm tetë muaj më vonë, e para nga tri makinat e shtypit u vendos në repartin e ri të makinerisë.
Komitetet Rajonale të Ndërtimit nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, por kryesisht nga shtetet më të afërta, dërguan vëllezër zanatçinj. Një pjesë e punës u bë nga sipërmarrës të jashtëm. «S’i paguaj dot punëtorët e mi nëse punojnë si ju,—tha njëri prej tyre.—Ju punoni me mish e me shpirt.» Një tjetër, një administrator i projektit, tha: «Kam vlerësuar dhe
kam mësuar më shumë për zanatin tim këto pak muajt e fundit këtu në Watchtower, sesa pesë vjet në shkollë.» Përfaqësuesi i kompanisë që siguroi konvejerët tha: «Falë jush, ky është instalimi më i shpejtë që kemi bërë ndonjëherë. Të gjithë këtu janë të lumtur, dhe kjo më bën edhe mua të lumtur. Është bukur të jesh këtu me ju.»Disa vjet më parë, dega e Shteteve të Bashkuara kishte 15 shtypshkronja ofset—11 në Bruklin dhe 4 në Uollkill. Tani janë vetëm pesë, falë teknologjisë më efikase dhe shpërndarjes së punës degëve të tjera sipas rregullimit rajonal të shtypjes. Shtypshkronja e re përfshin edhe një sistem të grumbullimit të mbeturinave nga letrat e prera. Tubat e ventilimit që ndodhen sipër, thithin letrat nga vendet ku shtypen librat dhe botimet e ndryshme dhe i çojnë te një makinë që automatikisht i grumbullon dhe i bën dengje. Këto dengje riciklohen nga një kompani e jashtme, duke i kursyer kështu degës rreth 200.000 dollarë në vit.
Zambie, 25 dhjetor 2004: Nga të 700 të pranishmit në kushtimin e ndërtesave të zgjeruara, 374 veta po i shërbejnë Jehovait për më shumë se 40 vjet. Gjatë fjalimit të kushtimit, Stiven Leti tha se vëllezërit që kishin marrë pjesë në projekt e që ishin njësoj si shërbëtori në një nga ilustrimet e Jezuit, e meritonin me gjithë shpirt një ‘Ju lumtë!’—Mat. 25:23.
Gjithashtu, vëllezërit dhanë dëshmi të shkëlqyer gjatë ndërtimit. «Ju jetoni në parajsë»,—tha një sipërmarrës.
«E ke fjalën parajsë fizike apo frymore?»—e pyetën vëllezërit.
«Të dyja bashkë»,—iu përgjigj ai.
[Shënimi]
^ par. 40 Hollësi për uraganin Katrina, do të jepen në një raport të ardhshëm.
[Kutia dhe figurat në faqen 29]
Kongreset «T’i bindemi Perëndisë»
Siç u shpjegua në Kongreset krahinore «T’i bindemi Perëndisë», vetëm ata që «njohin Perëndinë» dhe që «i binden lajmit të mirë» do të mbijetojnë në ditën e hakmarrjes së Jehovait. (1 Sel. 1:6-9) Prandaj, duam të bëjmë ç’të mundemi për të ndihmuar ata që kanë mendime të ngatërruara për Perëndinë ose mund të jenë zemëruar me të, ngaqë shohin vuajtje në botë. Botimet e shkëlqyera që do të na ndihmojnë janë fletushka Së shpejti, të gjitha vuajtjet do të marrin fund! dhe libri Çfarë mëson vërtet Bibla?
Fletushka e re pa dyshim që do të ngushëllojë shumë viktima të luftës, të varfërisë, të katastrofave, të padrejtësisë dhe të sëmundjeve, duke i ndihmuar të kuptojnë se Perëndia nuk është shkaku i këtyre gjërave. Po kështu, edhe libri i ri do të tërheqë ata që dëshirojnë fort të vërtetën frymore. Është shkruar në një mënyrë tërheqëse, të thjeshtë e të qartë, dhe pikat kryesore janë të ilustruara bukur, si me fotografi, ashtu edhe me fjalë. Para se ta përdorësh për të drejtuar studime me të tjerët, sigurohu që të kesh lexuar 14 temat shtesë në shtojcën që gjendet në fund të librit.
[Tabela dhe figurat në faqet 12, 13]
DISA NGJARJE TË VITIT TË SHËRBIMIT 2005
1 shtator 2004
8 tetor: Dëshmitarët e Jehovait regjistrohen ligjërisht në Armeni.
9 tetor: Kushtohet dega e Bullgarisë.
18 tetor: Fillon fushata me broshurën Qëndroni vigjilentë!
6 nëntor: Kushtohet dega e Maurikit.
20 nëntor: Kushtohet dega e Etiopisë.
4 dhjetor: Kushtohet dega e Nikaraguas.
25 dhjetor: Kushtohet dega e Zambies.
26 dhjetor: Një tërmet prej 9 ballësh afër Sumatrës, në Indonezi, provokon tsunamet më shkatërruese që janë shënuar në histori.
1 janar 2005
8 janar: Kushtohet dega e Angolës.
5 mars: Kushtohet dega e Ganës.
19 mars: Kushtohet dega e Panamasë.
24 mars: Gjykata e Lartë Administrative e Berlinit nxjerr vendimin që Dëshmitarëve të Jehovait në Berlin t’u jepet e drejta si korporatë ligjore.
16 prill: Kushtohet dega e Sllovakisë.
1 maj 2005
16 maj: Kushtohen shtypshkronja dhe rezidencat në Uollkill, Nju-Jork.
25 qershor: Kushtohet dega e Guamit.
31 gusht 2005
[Figura në faqen 20]
Duke pastruar një Sallë Mbretërie të dëmtuar nga përmbytja në prefekturën e Nigatës, Japoni
[Figura në faqen 24]
Përdorimi i ndihmave në Sri-Lankë