Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letonia

Letonia

Letonia

NË RRUGËN «Brivibas» (ose «Rruga e Lirisë») që ndodhet në qendër të Rigës, kryeqytetit të Letonisë, gjendet Monumenti i Lirisë, 42 metra i lartë. Ky monument, i përuruar në vitin 1935, është simbol i lirisë politike. Por, që nga vitet 20 të shekullit të 20-të, popullit të Letonisë i është ofruar një liri më e madhe: liria që vjen kur njeh të vërtetën biblike. Në një raport thuhej kështu për këtë liri: «Njerëzit e thjeshtë, . . . burra e gra, e presin mesazhin me lot gëzimi.» Për vite të tëra, armiqtë luftuan që ta pengonin përhapjen e këtij mesazhi të çmuar, dhe deri në njëfarë mase ia arritën. Por, siç do të dalë në pah nga ky tregim, s’ka forcë në tokë që t’ia ndalë dorën të Plotfuqishmit dhe as Birit të tij, sundimi i të cilit tejkalon çdo kufi politik.—Zbul. 11:15.

Që kur kalorësit teutonë themeluan Rigën në vitin 1201 e deri në epokën e komunizmit sovjetik, Letonia është pushtuar dhe sunduar nga shumë fuqi politike, ku përfshihen Gjermania, Polonia, Rusia dhe Suedia. Në vitin 1918, Letonia shpalli për herë të parë pavarësinë. Por në vitin 1940 u bë republikë sovjetike. Në vitin 1991 e rifitoi pavarësinë si Republika e Letonisë.

Megjithatë, pavarësia politike nuk sjell liri të vërtetë. Vetëm Jehovai mund ta çlirojë plotësisht njerëzimin dhe premtimi i tij për liri është një aspekt i mrekullueshëm i lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:18; Hebr. 2:15) Si arriti në Letoni lajmi i mirë? Historia fillon me lutjen e një marinari, Ans Insbergut.

Ansi shkroi: «Një natë plot yje, kur isha në det, ia zbraza zemrën Zotit dhe i kërkova të më drejtonte te njerëzit që e adhuronin me frymë dhe të vërtetë. (Gjoni 4:24) Kisha parë shumë hipokrizi ndër besimtarët e kishës në vendlindjen time, në Letoni, dhe nuk doja të kisha të bëja me ta. Pastaj, në vitin 1914, kur isha në Klivlend të Ohajos, SHBA, pashë ‘Foto-Dramën e Krijimit’, prodhim biblik i Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ishte përgjigjja e lutjes sime! Kisha gjetur të vërtetën! U pagëzova më 9 janar 1916 dhe fillova veprën e predikimit, duke u kthyer në det si marinar vetëm kur më mbaronin paratë.»

Pak pas Luftës I Botërore, Ansi e përhapi gjerësisht në Letoni mesazhin e Mbretërisë. Me shpenzimet e tij, ai vendosi shpallje nëpër gazetat letone, ku njoftohej Mbretëria e Perëndisë. Një mësues pensionist me mbiemër Krastinjish, e mori të vërtetën nga ato shpallje në gazeta dhe mund të ketë qenë i pari Student i Biblës me banim në Letoni që ia kushtoi jetën Jehovait. Në vitin 1922, Ansi u bë anëtar i personelit të selisë botërore të Studentëve të Biblës në Bruklin, Nju-Jork. Atje, i vizitonte rregullisht doket—«katedrën time të mrekullueshme» siç i quante,—për t’u folur marinarëve për të vërtetën biblike. E mbaroi jetën e tij në tokë më 30 nëntor 1962.

Në vitin 1925, në Kopenhagen të Danimarkës u hap Zyra për Evropën Veriore. Ajo mbikëqyrte veprën në tri shtetet baltike—Estoni, Letoni e Lituani—si edhe në Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Suedi. Në korrik të vitit 1926, Ris Tejlori nga Britania, u caktua të mbikëqyrte veprën në Letoni. Ai hapi një zyrë në Rigë dhe organizoi një kongres të vogël. Nga 20 të pranishmit, 14 veta morën pjesë në fushatën e parë të shërbimit në Letoni. Pastaj vëllezërit morën leje nga policia që të mbanin mbledhje publike, kështu që 975 veta dëgjuan fjalime biblike në Rigë, Liepajë dhe Jelgavë. Fjalimet u mbajtën në gjermanisht, që ishte gjuha e dytë për shumë letonë. Shumë prej tyre kërkuan që të mbaheshin mbledhje të tjera.

«LIRI PËR POPUJT»

Në shtator të vitit 1927, rreth 650 delegatë nga Estonia, Letonia dhe Skandinavia u mblodhën në Kopenhagen për të dëgjuar fjalimin e Xhozef F. Radhërfordit, nga selia botërore, me titull: «Liri për popujt.» Vitin tjetër, u përkthye në gjuhën letone një broshurë me këtë titull dhe përhapësit, ose ndryshe pionierët, drejtuan shpërndarjen e saj.

Ndër ata pionierë të hershëm ishin të paktën dhjetë vëllezër nga Gjermania, të cilët kishin ardhur në Letoni për të ndihmuar veprën. Një prej tyre ishte 22-vjeçari Johan Berger. Ai shkroi: «Sapo mbërrinin në qytetin ku ishin caktuar, gjëja e parë që bënin pionierët ishte të mbanin fjalime publike. Rrjedhimisht, mbajtëm fjalime pothuajse në të gjitha qytetet e Letonisë. Në qytetin e Slokës, morëm me qira një kinema dhe gjatë dimrit, çdo të hënë mbaja nga një fjalim. Njerëzit vinin që nga larg, me kuajt e tyre të vegjël.» Duke menduar për ato kohë, ai shtoi: «Kisha shumë privilegje shërbimi, pavarësisht se isha me arsim të kufizuar.»

Në vitin 1928, rreth 40 lajmëtarë të Mbretërisë, 15 prej të cilëve të pagëzuar, morën pjesë në shërbim. Në vitin 1929, kur zyra u zhvendos në rrugën «Sharlotes», në Rigë, u pagëzuan edhe nëntë të tjerë, e u shpërndanë në shërbim më shumë se 90.000 libra e broshura.

Rreth dy vjet më parë, më 1927, ishte pagëzuar një i ri me emrin Ferdinand Fruk dhe mamaja e tij, Emilia. Katër vjet më vonë, Ferdinandi gjeti shokun e tij të ardhshëm pionier ndërsa predikonte në një furrë buke, në qytetin e tij të lindjes, në Liepajë. Furrxhiu shkoi me vrap te dyqani ngjitur, ku punonte vëllai i tij berber. «Hajnrih! Eja shpejt,—i tha.—Në dyqanin tim është një burrë që thotë gjëra gati të pabesueshme.» Berberit, Hajnrih Cehit, nuk iu duk e pabesueshme e vërteta biblike dhe u pagëzua shumë shpejt. Ai u bë shok shërbimi me Ferdinandin dhe që të dy shkuan në shumë qytete, me biçikletë, për të përhapur mesazhin e Mbretërisë.

SHPËRTHEN KUNDËRSHTIMI

Edhe pse vëllezër kishte pak, zelli i tyre e inatosi klerin. Madje, një klerik i shquar në Rigë kërcënoi se do të shkishëronte këdo që ndiqte mbledhjet e Studentëve të Biblës. Në Liepajë, kleri shpërndau fletëpalosje ku vëllezërit akuzoheshin se nuk besonin te Jezu Krishti dhe u thuhej njerëzve të mos e merrnin literaturën e tyre. Përdorën edhe gazetën kryesore të kishës për të hedhur baltë mbi Studentët e Biblës.

Në vitin 1929 qeveria iu dorëzua presionit të kishës dhe i dëboi nga Letonia pionierët gjermanë. Deri në vitin 1931 shumica e botimeve ndihmëse për studim biblik ishin ndaluar. A i frenuan këto sulme vëllezërit? Zyra e Letonisë shkruante: «Kundërshtimi i Djallit vetëm sa na nxit të jemi më besnikë. Është një gëzim i vërtetë të marrim pjesë në veprën që po bëhet këtu . . . , dhe jemi të vendosur të ecim përpara.»

Në vitin 1931, disa vëllezër nga Britania iu përgjigjën thirrjes për pionierë që të shkonin në vendet baltike. Disa nga këta vëllezër ndihmuan për të sjellë ushqim frymor në Letoni nga Estonia dhe Lituania fqinje. Eduin Rixhuelli, që atëherë ishte 18 vjeç, u caktua në Lituani. Vëlla Rixhuelli, tani në të 90-at, kujton: «Bashkë me dy shokët e mi të shërbimit, Endrju Xhekun dhe Xhon Sempen, morëm një caktim të veçantë: të çonim literaturë në Letoni. Merrnim trenin e natës për në Rigë dhe e fshihnim literaturën në pako të përshtatura për ndarjet nën sedilje, ku gjatë ditës vendosej krevati portativ. Para se të zbrisnim nga treni, i vendosnim pakot, si edhe disa rroba, nëpër valixhe të posaçme që zgjeroheshin. Pas çdo dorëzimi, gjatë të cilit i kishim nervat të tendosura, e festonim. Persi Danëmi, i cili mbikëqyrte veprën, na çonte për darkë në një restorant në Rigë.»

Shpesh Ferdinand Fruku takohej me vëllezërit në kufirin e Lituanisë. Ata i jepnin literaturën, që pastaj ai e fshihte nën kashtë, në pjesën e sipërme të hambarit të tij. Por veprimtaria e tij u ra në sy autoriteteve dhe, pas kësaj, policia e bastiste gjithnjë pronën e tij për të gjetur botimet e ndaluara. Gjatë një kërkimi, polici nuk donte të hipte lart në pjesën e sipërme të hambarit, prandaj dërgoi atje Ferdinandin. Për ta qetësuar policin, Ferdinandi u kthye me disa kopje të vjetra të Kullës së Rojës dhe ia dorëzoi. I kënaqur, polici u largua.

PËRPARIM PAVARËSISHT NGA KUNDËRSHTIMI

Skocezi Persi Danëm, i përmendur më sipër, u caktua të mbikëqyrte veprën në Letoni në vitin 1931. Kishte qenë Student i Biblës që para vitit 1914 dhe përvoja e tij doli me shumë vlerë. Nga fundi i vitit 1931, zyra shkruante: «Vepra po kryhet në kushte të vështira, nga ata që janë të varfër në gjërat e mira të kësaj bote, por që janë të pasur në besim ndaj Perëndisë. . . . Njerëzit sa vijnë e shfaqin më tepër interes për mesazhin tonë. . . . Çdo javë vijnë në zyrë individë që kërkojnë libra dhe duan të dinë kur do të ketë botime të tjera.» Pastaj, në raport shtohej një koment për një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm teokratik: «Në një mbledhje që mbajtëm kohët e fundit në Rigë, pranuam njëzëri një rezolutë, duke marrë me gëzim emrin e ri [Dëshmitarët e Jehovait] që Zotëria i ka dhënë popullit të tij.»

Në vitin 1932 zyra u zhvendos në rrugën «Cesu», po në Rigë. Gjatë atij viti, Margareta (Maxh) Brauni, një pioniere skoceze që shërbente në Irlandë dhe ishte pagëzuar në vitin 1923, erdhi në Letoni dhe u martua me Persi Danëmin. Ndërkohë, kundërshtimi ndaj veprës po shtohej. Maxhi shkruan: «Më 9 shkurt 1933, një gazetë e Rigës na akuzoi se ishim komunistë. Mëngjesin tjetër, kur dola te dera për të parë kush i kishte rënë ziles, brenda u turrën policë me pistoleta në duar, duke bërtitur: ‘Duart lart!’ Për shtatë orë kërkuan librat e ndaluar. Në kohën e drekës u bëra nga një filxhan çaj, të cilin e pranuan.

Sasinë më të madhe të literaturës për vëllezërit e kishim fshehur në papafingo. Në fillim, kur shefi i policisë kishte kërkuar në xhepat e tim shoqi, kishte gjetur ca çelësa. ‘Po këta çelësa?’—pyeti. ‘Janë të papafingos’,—u përgjigj Persi. Gjithsesi, policët nuk shkuan asnjëherë lart. Madje, para se të iknin, shefi ia ktheu prapë çelësat Persit! Edhe pse shfletuan ca nga botimet tona, thanë se nuk gjenin asnjë arsye për t’i konfiskuar.

Po prapëseprapë i konfiskuan, së bashku me disa letra, ca para, një shaptilograf dhe një makinë shkrimi. Policia bëri mësymje të tilla edhe në shtëpitë e gjashtë familjeve të Dëshmitarëve letonë, por nuk gjeti prova fajësie, prandaj nuk ngriti asnjë akuzë.»

Në atë kohë, në gjithë vendin kishte më pak se 50 lajmëtarë të Mbretërisë. Gjithsesi, për të pasur një bazë ligjore, vëllezërit bënë kërkesë për t’u regjistruar zyrtarisht. Përfytyroni gëzimin e tyre kur, më 14 mars 1933, u regjistrua zyrtarisht Shoqata e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës (International Bible Students Association)! Edhe pse nuk iu dha leje për të importuar literaturë biblike, vëllezërit përfituan nga statusi i tyre ligjor, për të shtypur vetë disa broshura. Përkthimin në gjuhën letone e bëri shkrimtari i famshëm dhe kryeredaktori i gazetës Rits, Aljiksandër Grinsi.

REGJISTRIMI NUK ZGJAT SHUMË

Zbulimi i komplotit për një grusht shteti në maj të vitit 1934 çoi në vendosjen e ligjit të luftës. Duke shfrytëzuar atmosferën e paqëndrueshme politike, armiqtë e së vërtetës i akuzuan shërbëtorët e Perëndisë se ishin komunistë. Më 30 qershor, ministri i brendshëm mbylli zyrën e Shoqatës së Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës dhe konfiskoi më shumë se 40.000 libra e broshura, si edhe një sasi të vogël parash. Si likuidues u caktuan disa klerikë! Kërkesat për t’u regjistruar sërish nuk u pranuan.

Në vitin 1939 shpërtheu Lufta II Botërore dhe në qershor të vitit 1940 ushtria ruse marshoi në Letoni. Në gusht, Letonia u bë republika e 15-të e BRSS-së dhe mori emrin Republika Socialiste Sovjetike e Letonisë. Më 27 tetor, çifti Danëm u detyrua të largohej nga Letonia dhe nga vëllezërit e motrat e tyre që i donin aq shumë. U caktuan në degën e Australisë, ku Persi e mbaroi jetën e tij në tokë në vitin 1951, ndërsa Maxhi në vitin 1998.

Mbyllja e zyrës, dëbimi i vëllezërve që merrnin drejtimin, vështirësitë e luftës dhe dekadat e sundimit të ashpër komunist që pasuan, patën efekt dërrmues te vepra. Në fakt, vetëm në fillim të viteve 90 u hoqën përfundimisht vargonjtë mizorë të së kaluarës jotolerante.

JEHOVAI I NGUSHËLLON BESNIKËT E TIJ

Gjatë Luftës II Botërore, grupi i vogël i Dëshmitarëve në Letoni nuk pati fare lidhje me selinë botërore. Megjithatë e mbajtën të gjallë shpresën e tyre «me anë të ngushëllimit nga Shkrimet». (Rom. 15:4) Pas luftës, në fund të viteve 40, dega e Gjermanisë më në fund pati mundësi t’u dërgonte postë atyre pak vëllezërve që ishin në Jelgavë, Kuldigë, Rigë dhe Ventspils.

Në Kuldigë, një qytet rreth 160 kilometra në perëndim të Rigës, Ernests Grundmanisi, i cili kishte 20 vjet në të vërtetën, mori disa letra nga Gjermania që vërtet përmbanin ushqim frymor në kohën e duhur. Në një nga letrat thuhej: «Në çdo gjë, kini besim te Perëndia Jehova, Ati ynë i mirë. Ai do t’ju mbështetë e do t’ju forcojë në kohën e duhur.» Pastaj citohej 2 Kronikave 16:9: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër ndaj tij.» Ato letra kishin ardhur vërtet në kohën e duhur dhe të jepnin shumë zemër.

Vëllezërit përfitonin nga çdo mundësi për të dhënë dëshmi joformale. Për shembull, Marta Balduone, masazhiste në një qendër shëndetësore në Ventspils, u predikonte klienteve të saj, njëra prej të cilave ishte Aleksandra Preklonskaja (tani Rezevskis). Aleksandra kujton: «Marta më mësoi se emri i Perëndisë është Jehova, emër që pastaj e desha shumë.»

Edhe i ati i Aleksandrës, Peteri, lindur më 1880, e mësoi të vërtetën biblike. E bija shkruan: «Babai kishte hyrë në partinë komuniste para revolucionit të vitit 1917 dhe banonte në Shën-Pjetërburg [i quajtur Pjetrograd në vitet 1914-1924 dhe Leningrad në vitet 1924-1991]. Por, revolucioni nuk solli atë që kishte shpresuar babai, prandaj ai e dorëzoi teserën e partisë dhe e detyruan të ikte nga qyteti. Erdhi në Letoni, ku e prezantova me Martën. Babai ishte njeri i sinqertë dhe dashamirës, prandaj e pranoi menjëherë të vërtetën. Në vitin 1951 u kthye në Rusi, por kësaj here si i burgosur për shkak të besimit. Vdiq në Siberi, në vitin 1953.»

INTERNIME NË SIBERI

Ashtu si në vendet e tjera të pushtuara nga sovjetikët, edhe në Letoni qeveria e re nisi të vinte në jetë synimin e saj për t’i modeluar të gjitha institucionet kulturore e politike sipas modelit sovjetik. Gjithashtu, komunistët kolektivizuan fermat e vogla private duke i kthyer në kooperativa dhe i vunë në dorë të shtetit. Krahas kësaj fushate, pati disa valë internimesh, që arritën kulmin në vitin 1949. Kështu, rreth 100.000 letonë u internuan në Rusinë Veriore, duke përfshirë Siberinë. Dy vjet më vonë, komunistët u përqendruan te Dëshmitarët e Jehovait, duke internuar nga vendet e pushtuara mijëra prej tyre, ku përfshiheshin të paktën 20 nga rreth 30 lajmëtarët që ndodheshin ende në Letoni.

Edhe pse ende e papagëzuar, Valija Lange, nga Ventspilsi, ishte një prej atyre që arrestoi KGB-ja (Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik) gjatë bastisjeve që u bënë në shtatorin e vitit 1950. Në një seancë hetimore të zhvilluar natën vonë në Rigë, e pyetën: «Pse ti që je shtetase e Bashkimit Sovjetik, punon kundër shtetit?» Me qetësi e me respekt, Valija u përgjigj: «Synimet e mia të vetme janë t’i shërbej Perëndisë Jehova, të kuptoj mësimet e tij dhe t’u flas të tjerëve për to.»

Emri i Valijës ishte bashkë me emrat e 19 Dëshmitarëve të tjerë, në një dokument me datë 31 tetor 1950. Të gjithë ata që ishin në listë u dënuan me dhjetë vjet punë të detyruar në Siberi dhe iu konfiskuan pronat. Disa i lanë të ktheheshin në shtëpi, por vetëm për t’i akuzuar sërish. Për shembull, Paulina Serovën e dërguan përsëri në Siberi për katër vjet të tjera, pasi autoritetet zbuluan që merrte literaturë biblike me postë.

Në kampe, vëllezërit vazhduan të predikonin e të bënin dishepuj, një prej të cilëve ishte Janis Garshkjisi. Ai u pagëzua në vitin 1956 dhe tani jeton në Ventspils, por ja çfarë thotë: «Jam mirënjohës që Perëndia lejoi të më dërgonin në një kamp pune, përndryshe nuk do ta kisha marrë të vërtetën.» Ç’qëndrim i shkëlqyer!

Tekla Onckule, e lindur në Letoni, u akuzua për agjitacion politik dhe u dërgua në Siberi. Në qytetin e largët të Omskut, ajo dëgjoi për të vërtetën nga Dëshmitarët e internuar atje. Tekla thotë: «S’do ta harroj kurrë pagëzimin tim. U bë natën vonë, në një lumë me ujë të ftohtë akull. Dridhesha e tëra nga të ftohtët, por isha shumë e lumtur.» Në vitin 1954, Tekla u martua me Aljiksej Tkaçin, i cili ishte pagëzuar në vitin 1948 në Moldavi (tani Moldovë) dhe më vonë ishte internuar në Siberi. Në vitin 1969, ky çift bashkë me një grup të vogël Dëshmitarësh të tjerë, u kthye në Letoni. Mjerisht, shumica e të internuarve të tjerë letonë kishte vdekur nëpër kampe.

SI RUHESHIN NGA KGB-JA ATA QË MBETËN NË VEND?

Një numër i vogël Dëshmitarësh arriti t’i shpëtonte arrestimit. Aleksandra Rezevskis shkruan: «I shpëtova internimit duke qenë gjithnjë në lëvizje, duke punuar nëpër ferma dhe duke iu shmangur KGB-së. Ndërkohë, vazhdoja t’u predikoja të gjithë atyre që takoja. Njerëzit dëgjonin dhe disa prej tyre morën të vërtetën.» Agjentët e KGB-së punonin si të çmendur për të gjetur ata pak Dëshmitarë të shpërndarë që ishin akoma në Letoni, duke i akuzuar si antisovjetikë. Madje, qeveria nxori në qarkullim edhe një broshurë ku Dëshmitarët akuzoheshin në mënyrë të gënjeshtërt si spiunë amerikanë. Nën vëzhgimin e përhershëm të informatorëve komunistë, vëllezërit duhej të predikonin me maturi dhe i drejtonin mbledhjet fshehurazi, në vende të ndryshme.

Pasi Aleksandra u martua me Karlis Rezevskisin, shkuan të jetonin në një shtëpi pronarët e së cilës ishin prindërit e Karlisit. Kjo shtëpi e fshehur në një pyll pranë qytetit Tukums, 68 kilometra larg Rigës, ishte ideale për mbledhjet gjatë dimrit. Dita Grasberga, në atë kohë me mbiemrin Andrishaka, kujton: «Kur familja ime ndiqte mbledhjet në shtëpinë e çiftit Rezevskis, unë isha ende fëmijë. Udhëtimi për në Tukums me autobus dhe rruga në këmbë përmes pyllit, nëpër dëborë, ishte një aventurë e bukur për mua. Së fundi, mbërrinim te shtëpia, ku shpesh na përshëndeste aroma e mrekullueshme e supës që ziente mbi sobë.»

Karlisi e fshihte literaturën në pyll. Një herë groposi dy çanta plot me libra dhe e shënoi me kujdes vendin. Por, atë natë, një stuhi e tmerrshme e fshiu shenjën. Karlisi u përpoq t’i gjente çantat, por më kot. Edhe sot e kësaj dite, ato gjenden të groposura diku në pyll.

Gjatë verës, vëllezërit i mbanin mbledhjet në pyje, buzë liqeneve ose në breg të detit. Ashtu si në shtetet e tjera sovjetike, përfitonin nga dasmat dhe varrimet, për të mbajtur fjalime biblike. Gjatë viteve 60 dhe 70, në Letoni vinin rregullisht vëllezër nga Estonia, si Viljard Karna, Silver Siliksari dhe Lembit Tomi. Ata mbanin fjalime, sillnin literaturë dhe mblidhnin raportet e rreth 25 lajmëtarëve të pagëzuar në Letoni. Vëllezërit vendës gëzoheshin veçanërisht kur merrnin Kullën e Rojës në rusisht, të cilën e përkthenin në gjuhën letone Pauls dhe Valija Bergmanisi, duke e shkruar me dorë nëpër fletore shkolle.

«KISHIM VETËM NJË KULLË ROJE»

Gjatë viteve 70 dhe 80, vëllezërit nga Estonia e merrnin Kullën e Rojës në mikrofilma nga Rusia dhe e futnin fshehurazi në Letoni. Meqë në atë kohë shumë veta ishin amatorë të fotografisë, vëllezërit i kishin mjetet për të zhvilluar negativët në shtëpi, për të bërë kopje dhe për t’i shpërndarë. Hera-herës, në të njëjtën mënyrë hynin në vend edhe botime të tjera, kryesisht nga Lituania dhe nga Ukraina.

Vida Sakalauskiene, që atëherë ishte rreth dhjetë vjeçe, kujton: «Kishim vetëm një Kullë Roje. Për njëfarë kohe, çdo grup e merrte revistën në letër fotografie të zhvilluar nga negativët, dhe e kalonte dorë më dorë nga një familje te tjetra, që ta lexonin të gjithë dhe të mbanin shënime. Asnjë s’mund ta mbante revistën më shumë se 24 orë. Në mbledhje, revistën e mbante drejtuesi dhe ne u përgjigjeshim pyetjeve nga ajo që mbanim mend ose nga shënimet tona.» Kjo masë frymore e ndihmoi Vidën të qëndronte e patundur në të vërtetën, gjatë viteve të shkollës. Ndihmoi dhe vëllanë e saj, Romualdasin, që të mbante integritetin ndërsa ishte i burgosur për asnjanësinë e krishterë.

NJERËZ TË NDRYSHËM PRANOJNË TË VËRTETËN

Për 27 vjet Vera Petrova ishte aktiviste në partinë komuniste. «Një nga detyrat e mia,—thotë ajo,—ishte të shkoja në kishë për të parë sa anëtarë të partisë komuniste ndodheshin atje dhe pastaj t’i raportoja sekretarit të partisë. Ndërkohë, një nga dy motrat e mia mori të vërtetën dhe filloi të më jepte dëshmi. Ajo më zgjoi interesin, kështu që i kërkova një Bibël priftit ortodoks rus.

—Përse e do Biblën?—më pyeti ai.

—Dua të di nëse ajo që u mësoni njerëzve është në përputhje me të,—iu përgjigja. Nuk më dha Bibël, prandaj e gjeta diku tjetër dhe nisa ta lexoja. Shpejt zbulova se mësimet e kishës nuk bazohen në Bibël. Vazhdova të bëja përparim frymor dhe u largova nga partia komuniste. U pagëzova në vitin 1985.»

Para Luftës II Botërore, Teofilija Kalvite, një infermiere, ishte martuar me kryetarin e bashkisë së Daugavpilsit. Mjerisht, që në fillim të luftës ai u shpall i humbur gjatë një aksioni. Vetë Teofilija pati shumë vështirësi dhe pa shumë vuajtje e vdekje. Pas luftës, u bë presidente e Kryqit të Kuq Leton dhe, gjatë 61 viteve që punoi në fushën e mjekësisë, mori të paktën 20 çmime nga shteti. Kur ishte rreth 65 vjeçe, Teofilija takoi një Dëshmitare, Paulina Serovën, që i shpjegoi nga Bibla pse e lejon Perëndia ligësinë. Teofilija e përqafoi të vërtetën dhe më pas pati privilegjin më të madh që të ndihmonte njerëzit të fitonin shëndetin frymor. Ajo vdiq në vitin 1982, besnike deri në fund.

«AH, QENKA FJALOR!»

Në vitin 1981, 18-vjeçarin Juri Kaptola e burgosën për tre vjet, ngaqë mbante asnjanësinë e krishterë. Juri thotë: «Dy vjet të dënimit i kalova në Siberi, ku jetonim nëpër çadra dhe punonim në pyje, edhe kur temperatura shkonte deri në minus 30 gradë Celsius! * Jehovai u kujdes gjithnjë për mua frymësisht. Për shembull, njëherë mamaja më dërgoi një kopje të Shkrimeve Greke, në një pako me ushqim. Teksa shqyrtonte pakon, një rojë vuri re librin.

—Ç’është ky?—më pyeti.

Para se të arrija të përgjigjesha, një inspektor që ishte aty pranë, tha: ‘Ah, qenka fjalor!’, dhe më la ta mbaja.

Më liruan në vitin 1984. Në vend që të shkoja në Ukrainë, në vendlindje, u vendosa me banim në Rigë, ku për afro dy vjet u shoqërova me grupin e vogël të Dëshmitarëve. Mirëpo, meqë Letonia ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik, më thirrën prapë për shërbimin ushtarak. Rezultati? Më 26 gusht 1986, më dënuan përsëri me punë të detyruar, kësaj here katër vjet në Letoni. Pasi bëra një pjesë të dënimit në Rigë, më dërguan në një kamp pranë qytetit të Valmierës. Në një seancë që u bë për lirimin tim në fillim të vitit 1990, gjykatësi më tha: ‘Juri, vendimi për të të burgosur ty, katër vjet më parë, ishte një vendim i pabazuar në ligj. Nuk duhej të të dënonin.’ Sa hap e mbyll sytë, isha i lirë!»

Në vitin 1991, Juri u bë pjesëtar i të vetmit kongregacion në Letoni dhe shërbeu si një nga dy pleqtë e atjeshëm. «Fusha ishte vërtet e bardhë dhe gati për korrje»,—shkruan ai.

Kur erdhi fillimisht Juri në Letoni, foli me një grua e cila po pastronte e po rregullonte një varr. Ai kujton: «Kur e pyeta pse jeta duket kaq e shkurtër, ajo m’u afrua disa hapa dhe folëm. Disa minuta më vonë, një degë e madhe u thye nga një pemë dhe u përplas përtokë, pikërisht aty ku kishte qenë ajo më parë. Po të kishte qëndruar atje, do të ishte vrarë. Më dha adresën dhe i thashë një motre të shkonte ta vizitonte. Në vitin 1987 ajo grua u pagëzua, së bashku me djalin dhe nusen e djalit.»

DUAN NJERËZIT, JO REHATITË

Edhe shumë të rinj të tjerë nga pjesë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik u transferuan në Letoni që të ndihmonin për veprën. Nuk bënin një jetë të lehtë, por ishin të gatshëm të bënin sakrifica. Për shembull, Ana Batnja, e cila tani shërben si pioniere speciale, gjeti punë në një fabrikë rrobaqepsie dhe banonte në një pension. Ajo tregon: «Kushtet s’ishin aspak ideale. Jepnim dëshmi joformale në trena, në stacione, në parqe e varreza dhe pranë kishave.

Në trena, që ishin gjithnjë plot e përplot, predikonim dy veta nga një vagon te tjetri. Njëra nga ne predikonte, kurse tjetra ruante. Shpesh, njerëzit që ndodheshin përqark futeshin në bisedë. Si pasojë, nganjëherë na vinin pyetje nga çdo drejtim. Kur ndalonte treni, shkonim te një vagon tjetër, po të ishte e nevojshme. Gëzoheshim shumë kur shihnim si e bekonte Jehovai shërbimin tonë.»

Angeljina Cvetkova dëgjoi për herë të parë për të vërtetën pasi kishte qenë në kishën e saj për t’u lutur. Ajo tregon: «Në vitin 1984, Alduona Dronjuka, një Dëshmitare e Jehovait, m’u afrua dhe më pyeti nëse e kisha lexuar Biblën. ‘Kam lexuar ca pjesë,—iu përgjigja.—Por nuk e kuptoj dhe kam shumë pyetje.’ Shkëmbyem adresat dhe bënim rregullisht biseda për Fjalën e Perëndisë. Disa muaj më vonë, Alduona më ftoi në një dasmë në Lituani dhe e pranova ftesën. Ishin rreth 300 të pranishëm. Gjatë ceremonisë, dëgjuam fjalime biblike njëri pas tjetrit, dhe kjo më çuditi pak.

Aty mësova se në fakt po studioja me Dëshmitarët e Jehovait dhe se dasma ishte edhe një asamble! Pavarësisht nga këto gjëra që zbulova, më preku zemrën dashuria dhe uniteti i këtyre njerëzve të përulur. U pagëzova në vitin 1985 dhe fillova si pioniere në vitin 1994. Tani pesë nga gjashtë fëmijët e mi janë të pagëzuar, kurse më i vogli është lajmëtar i papagëzuar.»

LIRI PËR TË NDJEKUR GRUMBULLIME TË MËDHA

Aty nga mesi i viteve 80, në shumë vende komuniste kushtet po lehtësoheshin paksa dhe Dëshmitarët e Jehovait kishin mundësi të mblidheshin më hapur. Në vitin 1989, rreth 50 delegatë nga Letonia ndoqën Kongresin Krahinor «Devocioni hyjnor» që u mbajt në Poloni. «Qëndrimi së bashku me gjithë ata vëllezër e ato motra ishte një pikë kthese në zhvillimin tim frymor»,—thotë Marija Andrishaka, e cila tani shërben si pioniere speciale.

Në vitin 1990, më shumë se 50 delegatë nga Letonia ndoqën Kongresin «Gjuha e pastër», që u mbajt po ashtu në Poloni. Një nga këta delegatë, Ana Mançinska, bëri çdo përpjekje për të qenë e pranishme. Ajo kujton: «Rrugës për në stacionin e trenit, pashë që kisha harruar në shtëpi disa dokumente të cilat do të më duheshin për të kaluar kufirin. Prandaj, me taksi shkova në shtëpi, mora dokumentet dhe u ktheva në stacion, por treni ishte nisur. Nxitova për te stacioni tjetër, por arrita vonë. Së fundi, mora një taksi deri në Lituani dhe e arrita trenin 250 kilometra larg Rigës. Taksia më kushtoi shumë, por ai shpenzim ia vlejti!» Tani Ana shërben si anëtare e familjes Bethel në Letoni.

Në vitin 1991, më në fund, vëllezërit patën mundësi të mbanin kongrese haptas, në ato vende që më parë kishin qenë republika sovjetike. Disa autobusë plot me delegatë nga Letonia udhëtuan për në Talin, Estoni, që të ndiqnin Kongresin «Ata që duan lirinë hyjnore». Sa temë e goditur ajo e kongresit!

Ruta Barakauska nga Vainoda e bindi të shoqin që s’ishte Dëshmitar, Adolfsin, që ta shoqëronte në Talin. «S’kisha ndër mend të shkoja në kongres,—thotë Adolfsi.—Plani im ishte të blija pjesë ndërrimi rezervë për makinën. Por, pasi ndoqa sesionin e parë, më bënë kaq shumë përshtypje fjalimet, miqësia e Dëshmitarëve të Jehovait, të folurit e pastër dhe dashuria që tregonin për njëri-tjetrin, sa qëndrova gjithë kongresin. Pasi u kthyem në shtëpi, fillova të studioja Biblën dhe punova shumë për të kontrolluar temperamentin. Në vitin 1992, u bashkova me time shoqe duke u pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait.»

Në fillim të viteve 90, nuk ishte e mundur të merreshin me qira vende të përshtatshme për kongreset krahinore në Letoni, prandaj kryesisht vëllezërit shkonin në Estoni e në Lituani. Kongresi i parë i mbajtur në Letoni ishte ai i vitit 1998, me temë «Udha hyjnore e jetës», i cili u mbajt në Rigë, në një sallë të madhe për veprimtari sportive. Auditori ishte ndarë në tre sektorë: gjuha letone, gjuha ruse dhe gjuha letone e shenjave. Pas lutjes së fundit, të gjithë duartrokitën dhe shumë veta derdhën lot gëzimi, mirënjohës ndaj Jehovait për këtë ngjarje historike.

NJË PERIUDHË ME RRITJE TË SHPEJTË

Pas epokës komuniste, vepra në Letoni eci përpara me hapa viganë. Por, deri në vitin 1995, Shërbimi ynë i Mbretërisë nuk ishte në gjuhën letone, prandaj nganjëherë prezantimeve të vëllezërve në predikim u mungonte disi mjeshtëria. Mirëpo, këtë mangësi Dëshmitarët e plotësonin me zellin e tyre. Dace Shkjipsna përshkruan si e dëgjoi për herë të parë të vërtetën: «Në vitin 1991, bleva te një kioskë buzë rrugës një libër për ferrin dhe jetën e përtejme. S’kisha bërë veç disa hapa, kur dëgjova një zë pas meje: ‘Ke blerë helm!’

Ato fjalë më ndalën në vend. Dy Dëshmitarë të Jehovait—një burrë me gruan e tij—u prezantuan dhe folëm për Biblën. Madje, folëm pothuajse për çdo gjë: për Hadesin, Gehenën, Krishtlindjet, kryqin dhe, së fundi, për ditët e fundit! Duhet ta pranoj që disa pika më mbetën pak të mjegullta në mendje, por më pëlqeu ajo që dëgjova. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe në javët që pasuan, çifti Dëshmitar iu përgjigj me radhë pyetjeve të mia rreth Biblës.»

«JAM I LUMTUR QË NUK U SPRAPSA»

Janis Folkmanisi ishte kampion i BRSS-së në peshëngritje dhe, në garat e fundit në mars të vitit 1993, u bë kampion i Letonisë. Janisi tregon: «Në vitin 1992, një shok pune, Janis Cielavsi, më ftoi të rrija ndërkohë që bënte studimin e Biblës. Që këtu ndryshoi jeta ime. Tre muaj pasi u bëra kampion i Letonisë në peshëngritje, u bëra lajmëtar i Mbretërisë. Në gusht të vitit 1993, u pagëzova. Kur fillova të jepja dëshmi në palestër, trajneri nuk ishte i kënaqur. Por, jam i lumtur që nuk u sprapsa. Psenë e kësaj do t’jua shpjegojnë dy miqtë e mi, Eduards Ejhenbaumsi dhe Edgars Brancisi.»

Eduardsi tregon: «Janis Folkmanisi më ofroi një studim biblik pa pagesë. ‘Po të jetë vërtetë pa pagesë, mund të fillojmë që tani’,—i thashë. E kështu bëmë. Ajo që mësoja më dukej logjike, sidomos mësimi i ringjalljes, që ishte shumë më logjik se doktrina e pavdekësisë së shpirtit. Edhe gruaja ime nisi të studionte, dhe u pagëzuam në vitin 1995.»

Kurse Edgarsi rrëfen: «Janisi predikonte tërë zell në palestër. Katër herë më ofroi një studim biblik, por unë nuk pranoja. Mirëpo revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! i pranoja, si edhe librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Ndërkohë, pyesja veten vazhdimisht: ‘Si ka mundësi që një sportist kaq i famshëm të jetë i interesuar për Biblën?’ Përfundimisht fitoi kureshtja, kështu që fillova studimin. Rezultati? U pagëzova në vitin 1995 dhe tani shërbej si pionier special.»

Disave u është dashur të kapërcejnë vese të këqija për t’i pëlqyer Perëndisë. Për shembull, Ajvars Jackeviçsi kishte problem me alkoolin. Ai thotë: «Të shtunave pirja fillonte me një birrë në mëngjes, e më pas një shishe vodkë. Një mbrëmje, në janar të vitit 1992, isha në shtëpi, me krahun e fashuar, i dëshpëruar e duke menduar për vetëvrasjen. Më kishin grabitur ndërkohë që isha i dehur. Dëgjova një të trokitur në derë. Ishte një fqinj, i njëjti me të cilin kisha folur për Biblën disa herë. Folëm bashkë, ai më ofroi një studim biblik dhe pranova.

Ditën kur kisha studimin, nuk pija alkool, dhe kjo më ndihmoi të përparoja. Pasi mësova gjendjen e vërtetë të të vdekurve dhe se nuk do të digjesha në ferr, (kjo më kishte frikësuar gjithnjë), nisa të studioja tre herë në javë. Në më pak se katër muaj, u bëra lajmëtar i papagëzuar. Por Bibla na paralajmëron: ‘Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.’ Pa e menduar gjatë, kalova një mbrëmje në shoqëri të keqe, e teprova në të pirë dhe përsëri nisa të mendoja për vetëvrasjen. Por Jehovai është i mëshirshëm dhe i duruar, e disa vëllezër të dashur më erdhën në ndihmë. Çfarë mësimi që mora nga ai episod! U pagëzova në vitin 1992 dhe sot jam anëtar i familjes Bethel të Letonisë.»—1 Kor. 10:12; Psal. 130:3, 4.

Maris Kruminjishi, që shërben po ashtu në Bethel, duhej të bënte ndryshime rrënjësore në jetën e tij, për t’i shërbyer Jehovait. «Pasi mbarova ushtrinë,—shpjegon Marisi,—mbeta i zhgënjyer nga jeta. Më vonë, më përjashtuan nga universiteti për mungesat gjatë leksioneve. Pa ndonjë qëllim në jetë, u përfshiva në kriminalitet dhe një natë, pas një zënke mes të dehurish, më arrestuan. Ulur në qelinë time, mendova për ligjet që kisha shkelur dhe nxora përfundimin se faktikisht shumica prej tyre vinin nga ligjet e Perëndisë. Për herë të parë në jetën time, iu luta Perëndisë që të më falte dhe u betova se do ta kërkoja.

Pasi dola nga burgu, shkova nëpër kisha të ndryshme, por gjithnjë dilja prej tyre i zhgënjyer. Prandaj fillova të lexoja Biblën dhe libra të tjerë fetarë. Në vitin 1990, teksa po udhëtoja me tren takova një ish-shokun e shkollës dhe mora vesh se ishte Dëshmitar i Jehovait. Gjatë atij udhëtimi të shkurtër, Jehovai më hapi zemrën teksa dëgjoja shokun tim të vjetër të më shpjegonte qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe arsyen pse ka vuajtje në botë. Nisa të studioja dhe u bëra lajmëtar në vitin 1991. U pagëzova në vitin 1992. Një vit më vonë u bëra anëtar i familjes Bethel të Letonisë dhe në vitin 1995 u martova me Simonën, një pioniere finlandeze.»

Edgars Endzelisi ishte student për juridik. «Në fillim të viteve 90,—thotë ai,—në atmosferë ndiheshin ndryshimet politike. Isha në fakultetin e juridikut në Rigë dhe shumë studentë flitnin për qëllimin e jetës. Lexoja shumë libra filozofie dhe për fetë e Lindjes. Gjithashtu praktikoja një formë të arteve marciale që quhet aikido. Pastaj, unë dhe gruaja ime, Elita, takuam Dëshmitarët e Jehovait.

Në mbledhjen e parë që ndoqëm, na pritën me krahë hapur si vëllezërit që flitnin gjuhën letone, ashtu edhe ata të gjuhës ruse. Na la mbresa të thella kjo dashuri e sinqertë. Rreth asaj kohe, mbeta shumë keq kur instruktori im i arteve marciale tha se vetëm ata që praktikojnë budizmin zen mund të bëhen mjeshtra të aikidos. Ky ishte fundi i aikidos për mua. Jo shumë kohë më vonë, preva flokët e gjata dhe në mars të vitit 1993, u pagëzova bashkë me Elitën. Që atëherë, kam pasur privilegjin të përdor njohurinë time për ligjin që të ndihmoj ‘për mbrojtjen dhe themelimin ligjërisht të lajmit të mirë’ në Letoni.»—Filip. 1:7.

VIHET NË PROVË BESIMI I KRISHTERË

Në vitin 1993, katër studenteve për kanto në Jelgavë iu vu në provë besimi, kur kori u caktua të këndonte në një festival për Ditën e Pavarësisë. Edhe pse ishin të reja në të vërtetën, vajzat vendosën t’i pëlqenin Perëndisë. Prandaj, i shkruan drejtuesit të korit, duke kërkuar me respekt që të mos merrnin pjesë në atë ngjarje, për shkak të ndërgjegjes së tyre të krishterë. Si u përgjigj ai? U shkroi një ultimatum prindërve të vajzave, duke thënë se ato ose do të këndonin, ose do të përjashtoheshin nga shkolla. Ashtu si edhe tre hebrenjtë, vajzat iu bindën Jehovait.—Dan. 3:14, 15, 17; Vep. 5:29.

Një nga këto vajza ishte Dace Punculja. Ajo thotë: «Lutjet drejtuar Perëndisë dhe mbështetja e vëllezërve na ndihmuan që të qëndronim besnike. Na përjashtuan nga shkolla, por s’më ka ardhur asnjëherë keq që mora anën e së vërtetës. Në fakt, Jehovai është kujdesur shumë për mua. Kaluan vetëm disa muaj dhe gjeta punë në një zyrë avokatie. Përvoja që fitova atje, më vonë më hyri në punë në Bethel, ku po shërbej që nga viti 2001.»

Edhe çështja e gjakut ka vënë në provë integritetin e disave. Më 6 shtator 1996, Jelena Godljevskaja, një 17-vjeçare që e kishte përplasur makina, pati fraktura të shumta të kockës së legenit. Edhe pse e re në moshë, Jelena ishte e pjekur frymësisht dhe kishte vendosur në zemër që të rrinte larg nga gjaku. (Vep. 15:29) Në atë kohë, shumica e mjekëve në Letoni nuk i njihnin teknikat pa gjak, prandaj mjekët që e kishin nën mbikëqyrje nuk donin të bënin ndërhyrje kirurgjike për të rregulluar dëmtimin. Pastaj, rreth një javë më vonë, me mizori dy mjekë i bënë me forcë një transfuzion gjaku Jelenës gjatë natës, dhe ajo vdiq.

Marina, e ëma e Jelenës, në atë kohë s’ishte ende Dëshmitare. Marina thotë: «U mahnita kur pashë besimin e fortë të sime bije te Jehovai dhe te premtimet e tij. Ajo nuk bëri kompromis.» Tani e pagëzuar, Marina dhe familja e saj mezi presin ta përqafojnë Jelenën kur të ringjallet.—Vep. 24:15.

BURRA TË PJEKUR FRYMËSISHT PLOTËSOJNË NJË NEVOJË JETËSORE

Rritja e shpejtë e numrit të lajmëtarëve ka bërë që të lindë nevoja për burra të pjekur frymësisht që të marrin drejtimin. Në vitin 1992 iu ofrua mundësia që të shërbenin si misionarë në Letoni tre vëllezërve që flitnin letonisht, dhe ishin rritur në Shtetet e Bashkuara. Ata ishin: Valdis Purinjishi me gruan e tij, Lindën, Alfreds Elksnisi me gruan, Dorisin, si dhe Ivars Elksnisi, vëllai i Alfredsit.Që të pestë mbërritën në Rigë në korrik të vitit 1992. Apartamenti i tyre me katër dhoma u bë shtëpi misionare, depo literature dhe qendër përkthimi.

Kur mëson një gjuhë tjetër, të kesh ndjenjën e humorit është një ndihmë e madhe. Doris Elksnisi tregon: «Po drejtoja një studim me dy vajza dhe doja t’u shpjegoja si i foli Satanai Evës me anë të një gjarpri. Por përdora një fjalë letone që tingëllon e ngjashme me fjalën letone për ‘gjarpër’. Dhe çfarë doli? U thashë që Djalli foli me anë të një derri!»

Në vitin 1994 erdhën nga Australia Piter dhe Xhin Lutersi. Piteri, i pagëzuar në vitin 1954, kishte lindur në Letoni, por ishte rritur në Australi. Mjerisht, Xhini, e cila ua kishte fituar shpejt zemrën të gjithëve me dashurinë dhe mirësinë e saj, vdiq në vitin 1999. Piteri vendosi të qëndronte në Letoni dhe tani shërben në Komitetin e Degës. Ai thotë: «Kur erdhëm, pamë se vëllezërit letonë predikonin me zell. Mirëpo, kongregacioneve nuk u ishte caktuar ende një territor specifik dhe, madje, kishte pjesë të Rigës që nuk predikoheshin. Gjithashtu, vetëm disa kongregacione kishin një program të rregullt për fjalime publike. Që të dyja këto gjëra u ndreqën shpejt.»

TË DIPLOMUARIT E GALAADIT I JAPIN SHTYSË VEPRËS

Misionarët e parë të stërvitur në Galaad erdhën në fillim të vitit 1993. Çiftet suedeze Anders e Agnjeta Berglundi, si dhe Torgni e Ljena Fridlundi u caktuan në Jelgavë, një qytet me më shumë se 60.000 banorë dhe 28 lajmëtarë. «Kur mbërritëm,—thotë Andersi që tani është anëtar i Komitetit të Degës,—dolëm me vëllezërit në shërbim dhe ata na mbajtën të zënë me punë! Kishte ditë kur thuajse vraponim me ta nga një studim te tjetri, për shtatë a tetë orë rresht, pa ndaluar as për të ngrënë! Zelli i tyre të frymëzonte. Shumë nga ata studentë tani janë vetë në shërbim të plotkohor.»

Torgni Fridlundi kujton: «Pasi bëmë një kurs gjuhe tremujor, u ndiem gati për të folur vetë me njerëzit. Zgjodhëm një territor që nuk ishte predikuar që nga Lufta II Botërore, por nuk hasëm shumë reagim pozitiv. Mos po gabonim me mënyrën si predikonim? Pasi e diskutuam çështjen, provuam një mënyrë tjetër, duke lexuar nga një shkrim në çdo derë. Pas kësaj, filluam disa studime biblike.»

Të diplomuar të tjerë të Galaadit nisën të vinin në prill të vitit 1995. Ndër ta ishin Base dhe Hajdi Bergmani nga Finlanda, të cilët tani shërbejnë në veprën udhëtuese, në një qark të gjuhës ruse. Base thotë: «U kërkova vëllezërve vendës të më korrigjonin kur të thosha ndonjë gjë të gabuar në shërbim. Ata u përgjigjën me entuziazëm, duke më korrigjuar lirshëm jo vetëm në shërbim, por edhe gjatë mbledhjeve! Sot, më ngrohet zemra kur dëgjoj vëllezërit të thonë: ‘Base është bërë një nga tanët.’»

Karsten dhe Jania Ajstrupi nga Danimarka shërbyen së bashku në Letoni deri kur Jania, ndonëse ishte ende në të 30-at, e humbi betejën kundër kancerit. «Mënyra më e mirë se si mund ta nderoj Jehovain,—thotë Karsteni,—është të vazhdoj besnik në caktimin tim misionar.» Sa shembull të shkëlqyer lënë këta vëllezër!

MBËRRIJNË TË DIPLOMUAR TË SHKOLLËS SË STËRVITJES PËR SHËRBIM

Që nga viti 1994, më shumë se 20 të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim janë caktuar në Letoni, nga Britania, Gjermania dhe Polonia. Të parët që erdhën ishin Mikal Udhseni dhe Jes Kjer Nilseni nga Danimarka. U caktuan në qytetin industrial të Daugavpilsit, qyteti i dytë në Letoni për nga madhësia.

Jesi thotë: «U nisëm për në Daugavpils, që ndodhet rreth 240 kilometra në juglindje të Rigës, një pasdite të ftohtë janari. Në fakt, në Rigë po binte borë kur hipëm në makinë, në një furgon të vjetër të mbushur plot me literaturë. Vëllai që ngiste makinën nuk fliste anglisht, kurse ne s’dinim as letonisht, as rusisht. Çdo 50 kilometra pak a shumë, ai ndalonte dhe seç bënte te motori. Një gjë ishte e sigurt: nuk po rregullonte ngrohësin, pasi brenda ishte po aq ftohtë sa jashtë! Por, mbijetuam në atë udhëtim rraskapitës dhe arritëm në Daugavpils afër mesnatës. Në atë kohë, në qytet kishte 16 lajmëtarë. Por në fund të vitit tjetër, numri pothuajse ishte dyfishuar.»

PËRKTHIMI NË GJUHËN LETONE

Para vitit 1992, literatura ishte kryesisht në rusisht, që e flasin shumica e letonëve. Por, shumë prej tyre pëlqenin më tepër gjuhën amtare. Në një raport thuhet: «Është e jashtëzakonshme që mes atyre pak qindra lajmëtarëve të rinj, kishte disa me aftësi në përkthim. E shihnim qartë frymën e shenjtë të Perëndisë që drejtonte punën e këtyre të rinjve të gatshëm, vëllezër e motra.»

Falë punës së palodhur të përkthyesve, Kulla e Rojës filloi të dilte në gjuhën letone si botim mujor në janar të vitit 1995 dhe si botim gjysmëmujor në janar të vitit 1996. Tani ka edhe botime të tjera në gjuhën letone, si disa libra, broshura dhe revista Zgjohuni!

Në fillim të vitit 1993, skuadra e përkthimit u zhvendos nga ambienti i ngushtë i shtëpisë misionare në Rigë, në një apartament në rrugën «Brivibas». Pastaj, në gusht të vitit 1994, u futën në zyrat që sapo ishin rinovuar, në rrugën «Miera» nr. 40. Si e gjetën vëllezërit pronën e re?

NJË DHURATË BUJARE

Gorxh Hakmanisi dhe e shoqja, Zigrida, u larguan nga Letonia si refugjatë, gjatë Luftës II Botërore. E mësuan të vërtetën në Londër, Angli, dhe u pagëzuan në vitin 1951. Një vit më vonë emigruan në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1992 u kthyen në Letoni për pesë vjet.

Pasi Letonia u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, njerëzit mund të merrnin përsëri pronat që ua kishte marrë shteti. Zigrida dhe e motra, që ishte po ashtu Dëshmitare, i kishin mbajtur për më se 50 vjet dokumentet e familjes së tyre, kështu që arritën të merrnin pronën e tyre në rrugën «Miera» nr. 40. Më pas, me dashamirësi, ato ia dhuruan këtë pronë organizatës së Jehovait. Atëherë, vëllezërit e kthyen ndërtesën në një qendër përkthimi me pesë kate, ku mund të banonin 20 veta.

Milton G. Hensheli, nga Trupi Udhëheqës, ishte i pranishëm në kushtimin e kësaj ndërtese më 20 gusht 1994. Kur ishte atje, i këshilloi vëllezërit të blinin pronën ngjitur, në rrugën «Miera» nr. 42, ku përfshihej një ndërtesë gjashtëkatëshe. Pronari, që jetonte në Shtetet e Bashkuara, pranoi ta shiste. Edhe kjo ndërtesë u rinovua plotësisht, dhe më pas familja Bethel u rrit në 35 veta. Që atëherë, janë bërë zgjerime të tjera për të shtuar zyra e dhoma për gjithsej 55 bethelitë.

NJOHJA LIGJORE

Në Letoni vazhdon të jetë problem regjistrimi zyrtar i veprës. Në vitin 1996, zyrtarët përdorën artikujt negativë të botuar në gazeta për Jelena Godljevskajën si bazë për të mohuar regjistrimin. Madje një anëtar i parlamentit përmendi mundësinë që vepra jonë të ndalohej! Gjithsesi, vëllezërit vazhduan të takoheshin me zyrtarët dhe t’u shpjegonin veprën tonë. Së fundi, më 12 tetor 1998, drejtori i Zyrës Kombëtare për të Drejtat e Njeriut njoftoi regjistrimin zyrtar të dy kongregacioneve: Rigë Qendër dhe Rigë Tuornjakalns, për një periudhë prove njëvjeçare. Një muaj më vonë, u regjistrua në mënyrë të ngjashme kongregacioni në Jelgavë.

Ligji në Letoni kërkon që kongregacionet e reja të regjistrohen përsëri çdo vit. Për të marrë regjistrim të përhershëm, një minimum prej dhjetë kongregacionesh duhet të regjistrohen për dhjetë vjet. Ndërkohë, ata që presin regjistrimin kanë mundësi të mblidhen pa pengesa nga shteti.

GJEJNË VENDE PËR T’U MBLEDHUR

Rritja e shpejtë gjatë viteve 90 kërkonte që të gjendeshin vende më të mëdha për të mbajtur mbledhjet. Në vitin 1997 doli në ankand një pronë e përshtatshme në Daugavpils dhe vëllezërit ishin të vetmit që propozuan ta blinin. Rinovimet filluan në dhjetor të vitit 1998 dhe tetë muaj më vonë, më shumë se 140 lajmëtarët në atë qytet u kënaqën jashtë mase që u mblodhën në Sallën e tyre të Mbretërisë.

Salla e parë e Mbretërisë që u ndërtua nga themelet, u përfundua në Jurmalë, në vitin 1997. Një student biblik në atë zonë u mahnit kaq shumë nga cilësia e punës së vëllezërve, saqë u kërkoi Dëshmitarëve t’i ndërtonin atij një shtëpi! Natyrisht vëllezërit nuk pranuan dhe i shpjeguan se vepra jonë bëhet për qëllime fetare dhe jo për qëllime tregtie. Ndërkohë, vëllezërit në një periferi të Rigës, të quajtur Tuornjakalns, blenë me ulje çmimi një kinema të djegur. Në gusht të vitit 1998 ndërtesa e shëmtuar ishte kthyer në dy Salla të bukura Mbretërie!

VJEN NDIHMË NGA FINLANDA

Vëllezërit në Finlandë kanë bërë shumë për të çuar përpara veprën në Letoni, madje kanë mbikëqyrur veprën në këtë vend nga viti 1992 deri më 2004. Po ashtu, Finlanda shtyp gjithë revistat për Letoninë dhe gjatë viteve ka siguruar vëllezër të aftë për të dhënë drejtim. Ndër ta është Juha Hutuneni bashkë me të shoqen, Tajnën, që erdhën në Letoni në vitin 1995. Juha tani shërben në Komitetin e Degës. Ruben dhe Ula Lindi, që së bashku kanë kaluar më shumë se 80 vjet në shërbim të plotkohor, ishin po ashtu një ndihmë e madhe për veprën. Vëlla Lindi shërbeu katër vjet në Komitetin e Vendit në Letoni, para se të kthehej në Finlandë.

Veç kësaj, më shumë se 150 vëllezër nga Finlanda kanë ndihmuar në projekte të ndryshme ndërtimi. Falë gjithë këtyre përpjekjeve të dashura, si edhe bekimit të bollshëm të Jehovait ndaj shërbimit të lajmëtarëve, pionierëve dhe misionarëve, Letonia u bë degë më 1 shtator 2004.

FUSHATA SPECIALE PREDIKIMI

Një pjesë e madhe e lajmëtarëve në Letoni jetojnë në qytetet e mëdha ose pranë tyre. Në fillim të vitit 2001, kongregacionet morën një letër ku lajmëtarët ftoheshin që një pjesë të pushimeve ta përdornin për të marrë pjesë në një fushatë speciale predikimi në zona të izoluara. Të 93 lajmëtarët që dolën vullnetarë, u ndanë në nëntë grupe dhe u caktuan në disa qytete e fshatra të largëta.

Vjaçeslavs Zajcevsi, anëtar i familjes Bethel, mori pushimet që të shkonte edhe ai në fushatë. Thotë: «Ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur më mirë me vëllezërit dhe motrat. Pas predikimit, hanim së bashku, tregonim përvoja dhe bënim planet për ditën tjetër. Pastaj luanim futboll dhe freskoheshim në një liqen aty afër. Ishte një shijim paraprak i Parajsës.»

Vëllezërit kaluan më shumë se 4.200 orë në shërbim—mesatarisht më shumë se 41 orë për çdo lajmëtar—lanë më shumë se 9.800 botime, bënë 1.625 rivizita dhe drejtuan 227 studime biblike. Që atëherë, janë organizuar çdo vit fushata të ngjashme.

SHUMË VETA PO GJEJNË SHTEGUN PËR TE LIRIA E VËRTETË

Historia jonë filloi me Ans Insbergun, një leton që, një natë me yje në det, ia zbrazi zemrën Perëndisë. Ansi donte të gjente njerëzit që e adhuronin Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Jehovai e dëgjoi atë kërkesë të sinqertë. Që atëherë, më shumë se 2.400 njerëz të tjerë me zemër të sinqertë në Letoni kanë marrë njohuri për të vërtetën biblike dhe pothuajse po kaq veta po studiojnë Biblën. Po, ka ende shumë punë për të bërë!—Mat. 9:37, 38.

Dëshmitarët e Jehovait në Letoni janë gati t’i ndihmojnë të gjithë ata që dëshirojnë lirinë e vërtetë, jo duke u treguar atë që simbolizon Monumenti i Lirisë në rrugën «Brivibas», por duke i drejtuar te Mbretëria e Perëndisë. Së shpejti, ata që e presin me padurim atë Mbretëri dhe që e adhurojnë Jehovain «me frymë dhe të vërtetë», do të lirohen nga çdo formë dhembjeje dhe vuajtjeje. Po, do të shijojnë lirinë e përsosur, «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—Rom. 8:21.

[Shënimi]

^ par. 53 Jetëshkrimin e Juri Kaptolës mund ta lexoni në Kullën e Rojës, 1 shtator 2005.

[Diçitura në faqen 190]

«S’do ta harroj kurrë pagëzimin tim. U bë natën vonë, në një lumë me ujë të ftohtë akull. Dridhesha e tëra nga të ftohtët, por isha shumë e lumtur.»

[Diçitura në faqen 203]

«Dëgjova një zë pas meje: ‘Ke blerë helm!’»

[Kutia dhe hartat në faqet 184, 185]

VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI LETONINË

Vendi

Letonia është rreth 450 kilometra nga lindja në perëndim dhe 210 kilometra nga veriu në jug. Pyjet mbulojnë rreth 45 për qind të vendit. Ndër llojet e kafshëve janë: derrat e egër, drerët brilopatë, fokat, kaprojtë, kastorët, lundrat, rrëqebujt dhe ujqit. Ndër llojet e shumta të zogjve janë: bilbilat, çafkat, lejlekët e zinj dhe qukapikët.

Popullsia

Nga 2,3 milionë banorët e vendit, më shumë se një e treta jeton në kryeqytet, në Rigë. Fetë kryesore janë: katolike, luterane dhe ortodokse ruse. Por, shumica e letonëve e konsiderojnë veten jofetarë.

Gjuha

Dy gjuhët kryesore janë: gjuha letone, të cilën e flet rreth 60 për qind e popullsisë, dhe gjuha ruse, të cilën e flet mbi 30 për qind e popullsisë. Shumë veta flasin më tepër se një gjuhë.

Jetesa

Afro 60 për qind e popullsisë punon në sektorin e shërbimeve, kurse pjesa tjetër në fabrika dhe në bujqësi.

Ushqimi

Ndër prodhimet bujqësore përfshihen elbi, panxharsheqeri, patatet, si dhe perime të ndryshme e drithëra. Në gjënë e gjallë përfshihet: delet, derrat, dhitë dhe gjedhët. Është e përhapur edhe pularia.

Klima

Vendi ka shumë lagështi dhe qiejt zakonisht janë me re. Vera është relativisht e freskët, kurse dimrat nuk janë shumë të ftohtë.

[Harta]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ESTONI

RUSI

LETONI

Valmierë

RIGË

Jurmalë

Slokë

Tukums

Ventspils

Kuldigë

Liepajë

Vainode

Jelgavë

Daugavpils

LITUANI

DETI BALTIK

Gjiri i Rigës

[Figura]

Rigë

[Kutia dhe harta në faqen 186]

Katër krahinat e Letonisë

Në përgjithësi Letonia ndahet në katër krahina gjeografike e kulturore, secila prej tyre me karakter e bukuri të veçantë. Në Vidzeme, krahina më e madhe që kufizohet me Gjirin e Rigës, ndodhen Sigulda dhe Cesis, qytete-kështjella me pasuri historike, si edhe kryeqyteti i Letonisë, Riga. Në lindje ndodhen luginat dhe liqenet e kaltra të krahinës Latgale dhe qyteti i dytë më i madh i vendit, Daugavpilsi. Zemgale, krahina e mbiquajtur «hambari» i Letonisë, gjendet në jug të lumit Daugava Perëndimore, i cili rrjedh nga Bjellorusia nëpër Letoni dhe derdhet në Gjirin e Rigës. Në këtë krahinë ndodhen dy pallate madhështore të stilit barok, të projektuara nga arkitekti italian Rastreli, i cili projektoi edhe Pallatin e Dimrit në Shën-Pjetërburg, Rusi. Krahina e katërt, Kurzeme, ku spikatin fermat, pyjet dhe plazhet, përfshin bregun e Baltikut, qytetet Ventspils dhe Liepajë, si edhe shumë fshatra peshkatarësh.

[Harta]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

1 VIDZEME

2 LATGALE

3 ZEMGALE

4 KURZEME

[Kutia dhe figurat në faqet 192, 193]

Predikimi te një klerik i ndryshoi jetën atij dhe mua

ANA BATNJA

LINDUR 1958

PAGËZUAR 1977

TË DHËNA Është rritur në një familje të krishterë në Ukrainë dhe ka ndihmuar më shumë se 30 veta deri në pagëzim. Tani shërben si pioniere speciale.

SHKOVA në Letoni në vitin 1986, pasi dëgjova se atje kishte nevojë për lajmëtarë. Nuk kishim mundësi të predikonim haptas, prandaj e fshihja Biblën në një çantë pazari dhe përpiqesha të flitja me njerëzit në parqe e në vende të tjera publike. Përqendroheshim te shpresa e Mbretërisë dhe e përdornim Biblën vetëm kur dikush na përgjigjej pozitivisht. Nga frika e të afërmve ose fqinjëve, njerëzit rrallë na ftonin në shtëpi, prandaj zakonisht studionim me të interesuarit në vendet ku i takonim.

Literatura ishte shumë e paktë. Madje, për ca vjet, kongregacioni ynë kishte vetëm një kopje në rusisht të librit E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. E përdornim mirë materialin e këtij libri në shërbim, por libri vetë nuk lëvizi kurrë nga kongregacioni!

Ndërsa predikonim pranë një kishe, unë dhe shoqja ime takuam Pjotr Batnjën, një klerik. Për të nisur bisedën, e pyetëm ku mund të blinim një Bibël. «Edhe mua më intereson Bibla»,—u përgjigj ai. Vijoi një diskutim shumë i këndshëm. Ditën tjetër, e takuam Pjotrin në një park aty afër, i treguam përmbajtjen e librit E vërteta dhe e pyetëm cilën nga temat donte të shqyrtonte. Ai zgjodhi temën: «Zakone të përhapura që nuk i pëlqejnë Perëndisë.» Ishte një bisedë e frytshme që çoi në një studim të rregullt biblik, të drejtuar nga një vëlla.

I armatosur me njohuri të saktë për Biblën, Pjotri filloi t’u bënte pyetje klerikëve të tjerë, por pa se ata nuk shpjegonin dot as mësimet elementare të Biblës. S’kaloi shumë dhe Pjotri dha dorëheqjen nga kisha e ia kushtoi jetën Jehovait.

Në vitin 1991, unë dhe Pjotri u martuam dhe nisëm së bashku shërbimin si pionierë. Tragjikisht, ai vdiq në një aksident vetëm disa vjet më vonë. Si arrita ta përballoja këtë humbje? Kryesisht, duke u zhytur e tëra në shërbim, duke ndihmuar të tjerë që të njohin ‘Perëndinë e çdo ngushëllimi’. (2 Kor. 1:3, 4) Madje, në vitin 1997 pata privilegjin të emërohem pioniere speciale.

[Figura]

Pjotri

[Kutia dhe figurat në faqet 200, 201]

Më digjej zemra për një qeveri të drejtë

INDRA REJTUPE

LINDUR 1966

PAGËZUAR 1989

TË DHËNA Ish-komuniste, filloi si pioniere në vitin 1990 dhe ka ndihmuar më shumë se 30 veta deri në pagëzim.

GJATË fëmijërisë nuk besoja as te Perëndia, as te Bibla. Megjithatë, gjithnjë përpiqesha të mbroja të drejtën dhe s’arrija ta kuptoja pse njerëzit vazhdimisht dështonin në përpjekjet për të vendosur një qeveri të mirë e të drejtë.

Herën e parë që i takova Dëshmitarët e Jehovait, u mahnita nga ajo që më treguan nga Bibla. Fjalët e tyre ishin logjike! Më preku zemrën ajo që mësova për Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë që përkrahte Jezui. U pagëzova në vitin 1989 në një liqen, dhe gjashtë muaj më vonë nisa të shërbeja si pioniere e rregullt. Në atë kohë, unë dhe im shoq kishim vetëm një fëmijë, por më vonë na lindën edhe binjakë. Bashkëshorti, Ivani, është po ashtu Dëshmitar i Jehovait dhe, me mbështetjen e tij të dashur, kam arritur të vazhdoj në shërbim të plotkohor.

Kur fëmijët ishin të vegjël, shpesh predikoja në mënyrë joformale në rrugë e në parqe. Në fakt, binjakët më ndihmonin, sepse zgjonin kureshtjen e njerëzve dhe i bënin të ndiheshin rehat e më të prirur për të biseduar me mua.

Ndërsa predikoja në një park në Rigë, takova një grua me emrin Ana. Ishte ulur në stol e po priste të shkonte në një koncert për të cilin kishte blerë tashmë biletën. Por kaq shumë donte të mësonte për shpresën biblike për njerëzimin, saqë e la koncertin. Lexuam shumë shkrime së bashku dhe e lamë të takoheshim përsëri në park. Gjashtë muaj më vonë, Ana (djathtas) u bë motra jonë dhe tani shërben në repartin e përkthimit në degë. Po, zemra më gufon nga gëzimi, kur meditoj se sa shumë më ka bekuar Jehovai në shërbim.

[Figura]

Me familjen time

[Kutia dhe figura në faqet 204, 205]

Sikur më lexuan mendjen

ANDREI GEVLJA

LINDUR 1963

PAGËZUAR 1990

TË DHËNA Në fotografi është bashkë me të shoqen, Jelenën. Shërben si pionier, zëvendës-mbikëqyrës qarkor dhe mbikëqyrës qyteti.

NË JANAR të vitit 1990, në një tren për në Rigë, dy gra më pyetën a e kisha lexuar ndonjëherë Biblën. Sikur më lexuan mendjen, sepse prej kohësh kisha dashur ta lexoja Biblën, po s’e gjeja dot. U dhashë adresën dhe numrin e telefonit atyre grave, njëra prej të cilave ishte Indra Rejtupe. (Shih kutinë në faqet 200, 201.) Disa ditë më pas, më erdhën në shtëpi dhe më gjetën tek pritja me padurim vizitën e tyre. Më bëri shumë përshtypje se me sa mjeshtëri e përdornin Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia. S’kaloi shumë dhe fillova studim biblik me Pjotr Batnjën, një shërbëtor në kohë të plotë që më parë kishte qenë klerik.—Shih kutinë në faqet 192, 193.

Katër muaj më vonë, ndoqa mbledhjen time të parë. Gjatë verës, një herë në muaj, mbledhjet mbaheshin në pyll, nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 6 pasdite. Vëllezërit shqyrtonin pjesë të zgjedhura nga programi i Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe i Mbledhjes së Shërbimit, e zakonisht pagëzohej dikush, kështu që mbahej edhe një fjalim pagëzimi para pushimit të drekës.

Njohuria e re që po merrja dhe dashuria vëllazërore që provoja në mbledhje, më mbushnin me gëzim. Doja të pagëzohesha sa më shpejt. Ky çast erdhi në fund të gushtit të po atij viti, kur u pagëzova në një liqen.

Në fillim të viteve 90, studiova Biblën me disa veta në studion time të artit. Disa prej tyre u bënë vëllezërit e mi frymorë. Në vitin 1992, Jehovai ma shtoi edhe më shumë gëzimin, pasi gruaja ime e dashur, Jelena, u bë edhe motra ime frymore.

[Kutia dhe figurat në faqet 208, 209]

Përsëri në vendlindje, pas 50 vjetësh

ARIJA B. LEJVERSI

LINDUR 1926

PAGËZUAR 1958

TË DHËNA Me origjinë letone, ajo jetoi në disa shtete para se të kthehej në Letoni, që të shërbente aty ku kishte më shumë nevojë.

GJATË Luftës II Botërore, babai vendosi që familja të bënte gati plaçkat dhe të ikte nga Letonia. Më pas u martova dhe bashkë me tim shoq përfunduam në Venezuelë. Atje takova për herë të parë Dëshmitarët e Jehovait dhe pranova një studim biblik me një misionare. Studionim në gjermanisht. Kur nisa të ndiqja mbledhjet, mësova spanjishten, gjuhën zyrtare të Venezuelës.

Në vitin 1958 familja shkoi me banim në Shtetet e Bashkuara dhe dy muaj më vonë u pagëzova. Pas vdekjes së tim shoqi, unë dhe ime bijë shkuam në Spanjë, ku shërbeva si pioniere. Diktator në atë kohë ishte gjeneral Franko dhe njerëzit e thjeshtë e me frikë Perëndie ishin të etur për të vërtetën. Ato 16 vjet që kalova në Spanjë, pata privilegjin të ndihmoja rreth 30 veta deri në pagëzim.

Pas rënies së komunizmit sovjetik në vitin 1991, shkova për vizitë në Letoni dhe pashë se kishte shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ëndrra për t’u kthyer në vendlindje që të shërbeja si pioniere u bë realitet në vitin 1994, tamam 50 vjet pasi kisha ikur.

Fusha në Letoni ishte vërtet gati për korrje. Për shembull, i dhashë dëshmi një burri që kërkoi një nga librat tanë. Tha se e bija interesohej për gjërat fetare dhe ai e donte librin për të. Mora adresën e vajzës, filluam një studim biblik dhe u pagëzua brenda vitit. Falënderoj Jehovain që më dha privilegjin dhe forcën që të shërbej si pioniere në vendlindje, pasi kisha kaluar kaq shumë kohë larg saj.

[Figura]

Kur isha 20 vjeçe

[Tabela dhe grafiku në faqet 216, 217]

KRONOLOGJIA—Letonia

1916 Pagëzohet Ans Insbergu, një marinar. Pas Luftës I Botërore, ai vë shpallje nëpër gazetat letone, duke njoftuar për Mbretërinë e Perëndisë.

1920

1926 Hapet një zyrë në Rigë.

1928 Botohet broshura Liri për popujt, botimi i parë në gjuhën letone. Vijnë përhapës nga Gjermania.

1931 Persi Danëmi emërohet përgjegjës i zyrës.

1933 Regjistrohet zyrtarisht International Bible Students Association (IBSA).

1934 Qeveria mbyll zyrën e IBSA-s.

Prej vitit 1939 deri më 1992, nuk u mor asnjë raport.

1940

1940 Letonia bëhet pjesë e Bashkimit Sovjetik; çifti Danëm detyrohet të largohet.

1951 Internohen Dëshmitarë në Siberi.

1960

1980

1991 Letonia rifiton pavarësinë politike.

1993 Mbërrijnë misionarët e parë të Galaadit.

1995 Del si botim mujor Kulla e Rojës në gjuhën letone.

1996 Në Rigë vendoset një Komitet Vendi.

1997 Ndërtohet në Jurmalë Salla e parë e Mbretërisë që është krejtësisht e re.

1998 Regjistrohen zyrtarisht dy kongregacione në Rigë.

2000

2001 Organizohet fushata e parë speciale e predikimit.

2004 Letonia bëhet degë më 1 shtator.

2006 Përfundojnë zgjerimet e degës; në Letoni ka më shumë se 2.400 lajmëtarë aktivë.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

2.000

1.000

1920 1940 1960 1980 2000

[Figura që zë gjithë faqen 176]

[Figura në faqen 178]

Në këtë ndërtesë ndodhej zyra e parë e Studentëve të Biblës në Rigë, 1926

[Figura në faqen 178]

«Liri për popujt» në gjuhën letone, kishte një mesazh gëzimi, 1928

[Figura në faqen 178]

Ris Tejlori

[Figura në faqen 180]

Ferdinand Fruku, pagëzuar në vitin 1927

[Figura në faqen 180]

Hajnrih Cehi dhe e shoqja, Elsa, përpara dyqanit të tyre në Liepajë

[Figurat në faqen 183]

Eduin Rixhuelli (majtas) dhe Endrju Xheku sillnin fshehurazi literaturë në Letoni

[Figura në faqen 183]

Persi dhe Maxh Danëmi

[Figura në faqen 183]

Personeli i zyrës dhe Dëshmitarë të tjerë në vitet 30

[Figura në faqen 191]

Lista e KGB-së me Dëshmitarët e arrestuar në vitin 1950. Shumë u dërguan në Siberi

[Figura në faqen 191]

Siberi, në fillim të viteve 50

[Figura në faqen 194]

Në grumbullimet e mëdha, si ky varrim, vëllezërit dëgjonin fjalime biblike

[Figura në faqen 194]

Pauls dhe Valija Bergmanisi përkthenin «Kullën e Rojës» në letonisht, duke e shkruar me dorë nëpër fletore shkolle

[Figura në faqen 194]

Vëllezërit zhvillonin, kopjonin dhe shpërndanin «Kullën e Rojës» duke përdorur mikrofilma (këtu tregohen përmasat reale)

[Figurat në faqen 197]

Paulina Serova i dha të vërtetën Teofilija Kalvites, një infermiereje

[Figura në faqen 199]

Juri Kaptola, 1981

[Figura në faqen 199]

Sot, përpara burgut ku e mbajtën të izoluar

[Figurat në faqen 202]

Kongresi «Udha hyjnore e jetës» në vitin 1998, i pari kongres i mbajtur në Letoni, kishte edhe një sektor për gjuhën e shenjave

[Figurat në faqen 207]

Tre muaj pasi u bë kampion i Letonisë në peshëngritje, Janis Folkmanisi u bë lajmëtar i Mbretërisë

[Figurat në faqen 207]

Kur ishte në burg, Maris Kruminjishi iu lut për herë të parë Perëndisë

[Figura në faqen 210]

Dace Punculen e përjashtuan nga shkolla sepse nuk pranoi të këndonte këngë patriotike

[Figura në faqen 210]

Jelena Godljevskaja vdiq pasi i bënë me forcë transfuzion gjaku

[Figura në faqen 210]

Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre inkurajojnë kongregacionet

[Figura në faqen 215]

Familja Bethel e Letonisë

[Figurat në faqen 215]

Komiteti i Degës, 2006

Piter Lutersi

Anders Berglundi

Hanu Kankanpa

Juha Hutuneni

[Figura në faqen 215]

Tri ndërtesat e degës në rrugën «Miera», Rigë

[Figurat në faqen 218]

Tani populli i Jehovait në Letoni mund të predikojë haptas

[Figurat në faqen 218]

Kjo kinema e djegur (majtas) u kthye në dy Salla Mbretërie (poshtë)