Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar
Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar
«DO TA lëvdoj Jehovain sa të kem jetë. Do të këndoj për Perëndinë tim sa të jem.» (Psal. 146:2) Sa do të kënaqej psalmisti po të ishte gjallë sot e të shihte që Jehovai po lëvdohet si kurrë më parë! Një pjesë e mirë e këtij lëvdimi ka ardhur nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, i cili po u prek zemrën shumë vetave që kërkojnë të vërtetën për Perëndinë.—Vep. 17:27.
Që Jehovai të lëvdohet sa më shumë, degë të ndryshme kanë organizuar klasa për mësimin e gjuhëve të huaja, me qëllim që lajmëtarët dhe pionierët t’u japin lajmin e mirë edhe më tepër njerëzve. Ndoshta edhe ju mund të nxiteni që të mendoni për ta zgjeruar shërbimin, duke mësuar një gjuhë tjetër.
Një tjetër shembull i lëvdimit që po i jepet Jehovait, ishte fushata trijavore që u bë në mbarë botën për të shpërndarë ftesën e veçantë për Kongresin Krahinor «Çlirimi është afër!», i cili u mbajt në 155 vende. Miliona lajmëtarë të Mbretërisë në më shumë se 99.000 kongregacione morën pjesë në këtë fushatë, e para e këtij lloji. Një Komitet Kongresi shkroi: «Kjo fushatë i nxiti disa të interesuar të dilnin lajmëtarë dhe disa që ishin bërë joaktivë të aktivizoheshin përsëri.» Një vëlla që kishte qenë joaktiv për 35 vjet, e mori ftesën gjatë predikimit shtëpi më shtëpi, dhe që atëherë nuk ka munguar në asnjë mbledhje! Më poshtë janë vetëm disa nga përvojat që kanë ardhur nga degë të ndryshme.
Francë
Një zonjë katolike dhe i shoqi ishin për vizitë në shtëpinë e një të afërmi, kur panë ftesën aty dhe u bënë kureshtarë për pyetjet që lexuan. E ndoqën kongresin së bashku me tre fëmijët e tyre. Kur mbërritën te vendi i kongresit, një përcjellës i përshëndeti me ngrohtësi, u dha nga një Bibël dhe i uli pranë një familjeje Dëshmitarësh, që jetonin vetëm 3 kilometra larg tyre. Dy familjet e kaluan bashkë atë ditë dhe morën masa për një studim biblik. Javën pas kongresit, familja e interesuar ndoqi një mbledhje kongregacioni gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor.
Indi
Një këngëtare e njohur, me emrin Sunita, shkoi në Kanada për të dhënë shfaqje. Dëshmitarët që e takuan atje, e ftuan në një mbledhje në gjuhën punjabe dhe ajo pranoi. Mbledhja i pëlqeu, sidomos ngaqë theksohej shumë Bibla. Kur mori ftesën për kongresin, menjëherë i anuloi shfaqjet që kishte në program atë fundjavë, që të ndiqte të tria ditët. Sunita nuk u pendua për vendimin që mori. «Kjo është e vërteta»,—tha ajo në fund të ditës së parë të kongresit. Pasi u kthye në Indi, shkoi në një Sallë Mbretërie, së bashku me nënën e saj, djalin, nipin dhe
një shoqe. Kur pastorët e mëparshëm e takuan, ajo u shprehu vendosmërinë e saj për t’u bërë Dëshmitare e Jehovait. Madje u tha se edhe ata duhet të vijnë në Sallën e Mbretërisë.Serbi
Një zonjë kineze, që po e quajmë Mei Li, jeton në Beograd. Në vitin 2006 nisi të lexonte revistën Kulla e Rojës në gjuhën amtare. Kur mori një ftesë për kongresin në gjuhën kineze që do të mbahej në Lajpcig, Gjermani, Mei Li ishte e vendosur të shkonte, edhe pse Lajpcigu është rreth 1.000 kilometra larg Beogradit. Mori një vizë triditore, shkoi me avion në Mynih dhe pastaj me tren deri në Lajpcig. Udhëtimi i kushtoi sa paga e dy muajve. Mei Li u prek thellë nga gjërat që mësoi gjatë programit dhe nga bisedat me delegatët e tjerë. Kur u kthye në Beograd, ajo dhe e ëma pranuan një studim biblik dhe nisën të ndiqnin studimin e librit në gjuhën kineze.
Shtetet e Bashkuara
Nga Komiteti i një Kongresi vijnë këto fjalë: «Në auditor, të tria ditët mund të shihje shumë njerëz të interesuar. Njëra ishte një grua e cila e mori ftesën një ditë pasi i ishte lutur Perëndisë për t’i dhënë drejtim në jetë. Ajo udhëtoi dy orë me makinë për te vendi i kongresit, të shtunën dhe të dielën, si edhe pranoi një studim biblik.» Më tej, raporti vazhdon: «Një burrë vrapoi në rrugë për të takuar vëllanë që i kishte lënë një ftesë djalit të tij. Vëllai nuk dinte ç’të bënte, por u gëzua kur burri që po e ndiqte i kërkoi me mirësjellje të kthehej te shtëpia e tij për të bërë një bisedë. Me Biblën në dorë, ky burrë bëri shumë pyetje dhe me të u fillua një studim.»
Një vëlla i dha ftesën një burri, në një kantier ndërtimi. «A t’u them edhe të tjerëve për këtë?»—pyeti burri.
«Patjetër!»—tha vëllai, pa e ditur se ai burrë drejtonte një program radiofonik të shtunave në mëngjes. Siç kishte thënë, burri u tha të tjerëve për ftesën, duke e lexuar gjatë programit të tij. Kështu, shumë njerëz pyetën për ftesën.
Morgana 12-vjeçare shërben si pioniere ndihmëse. Një javë para fushatës speciale, ajo takoi një burrë që i bëri disa pyetje nga Bibla. Morgana e ftoi për fjalimin publik në Sallën e Mbretërisë. Ai erdhi, edhe pse iu desh të largohej menjëherë më pas, për të ndjekur një funeral të familjes. Kur filloi fushata speciale, Morgana i dha këtij burri të interesuar një ftesë. «Do të vij patjetër të shtunën dhe të dielën, por të premten më duhet të punoj»,—tha ai. Pastaj pyeti si ia bëjnë Dëshmitarët në rrethana të tilla. Morgana iu përgjigj: «Zakonisht e marrin pushim, por disa herë u duhet ta lënë punën.»
Kur Morgana shkoi prapë ta takonte, burri i tha se i kishte kërkuar shefit leje për të premten dhe i kishte thënë që, po të mos i jepte leje, do ta linte punën. Shefi i kishte thënë se ishte një punëtor shumë i mirë dhe nuk donte ta humbiste, prandaj mund ta merrte pushim të premten, madje edhe të enjten, që të përgatitej.
Burri i ndoqi të tria ditët e kongresit, por nuk kishte ardhur vetëm. Kishte marrë me vete 8 pjesëtarë të familjes së tij dhe 12 miq bashkë me familjet e tyre, gjithsej 35 veta! Fillimisht, kur i tha Morganës se do të vinte bashkë me nja 30 veta, ajo u përgjigj: «Nuk ruaj dot aq shumë vende për t’u ulur!»
«Të kuptoj,—ia ktheu ai.—Do të rrimë edhe në këmbë, po të jetë nevoja.» Natyrisht, që të gjithë gjetën vende të rehatshme për t’u ulur.
«LIBRI . . . TË MËSON SI JEZUI»
Raportet tregojnë se libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, është vërtet një bekim për veprën e predikimit. Një studente biblike tha: «Të hap sytë e të ushqen mendjen dhe zemrën.» Një mbikëqyrës krahinor komenton: «Libri të bën për vete, sepse të mëson si Jezui. Nuk ka fjalë të tepërta, është i drejtpërdrejtë dhe i qartë, e megjithatë ta ngroh kaq shumë zemrën.» Ja disa përvoja.
Australi
Tek po bënte riparime në shtëpinë e një gruaje që ishte sëmurë, një vëlla i foli për shpresën e Mbretërisë. Disa ditë më pas, kur e vizitoi bashkë me një pioniere, zonja pyeti për ditët e fundit. Dëshmitarët hapën librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në kapitullin 9, me titull «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?», dhe shqyrtuan së bashku materialin. Gruaja u mahnit nga gjërat që lexoi në Bibël. «Kisha ime më ka mbajtur në errësirë»,—tha.
Vëllai shkruan: «Kur u kthyem prapë, studiuam kapitullin 1, ‘Cila është e vërteta rreth Perëndisë?’, si dhe pjesën që lidhet me këtë kapitull në shtojcë, ku shpjegohet pse është hequr emri i Perëndisë nga disa Bibla. Pasi lexoi në parathënien e Biblës së saj se përkthyesit e kishin zëvendësuar emrin ‘Jehova’ me ‘Zot’, ajo u zemërua, sepse i kishin thënë se Bibla e saj ishte një përkthim i mirë. Gruaja ka shprehur dëshirën të ndjekë mbledhjet e krishtere.
Belgjikë
Një motër me emrin Ingrid takoi një grua afrikane që kishte paragjykime për Dëshmitarët e Jehovait. Kur Ingridi me përzemërsi i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, gruaja u zbut, sepse dëshironte shumë të kuptonte Fjalën e Perëndisë. Madje pranoi edhe një studim, por nguli këmbë që të lexoheshin të gjitha shkrimet. Tani kjo zonjë ndjek mbledhjet, komenton shpesh në to dhe dëshiron të bëhet lajmëtare e Mbretërisë.
Brazil
Dëshmitarët kishin studiuar Biblën me Paulon, kur ky ishte adoleshent. Mjerisht, kur ai ishte 16 vjeç, prindërit iu ndanë. Për të ndihmuar mamanë, Paulo u fut në një grup që luante muzikë samba, por s’kaloi shumë dhe u përfshi në imoralitet dhe dehje. Gjithsesi, në zemër i kishin mbetur disa nga të vërtetat biblike. Për shembull, u mërzit kur iu desh të luante muzikë në një qendër vudu, pasi e dinte se vuduja ka lidhje me demonizmin. Veç kësaj, filloi të shihte sa e zbrazët ishte jeta e tij. Kur një vëlla i ri në moshë i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, në vitin 2005, Paulos iu rizgjua menjëherë interesi dhe nisi studimin. Jo shumë kohë më pas, e la grupin muzikor dhe tani ndjek mbledhjet e krishtere.
Britani
Në shërbimin shtëpi më shtëpi, Merilina takoi Melaninë, një nënë të re, që shprehu interes për Biblën. Merilina i la një fletushkë dhe i premtoi se do të kthehej. Pas disa përpjekjesh, më në fund Merilina e gjeti në shtëpi Melaninë. «Vendosa të përdor menjëherë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?,—thotë Merilina,—e kështu filluam një studim biblik që po bën përparim. Para Krishtlindjeve, Melania më habiti duke më thënë se kjo do të ishte hera e fundit që do të kishte në shtëpi pemën e Krishtlindjeve. Ajo kishte ecur para me leximin e librit dhe kishte mësuar të vërtetën për Krishtlindjet.»
Kolumbi
Konsueloja i mori leje shefes së saj që të ndiqte kongresin krahinor. Kur u kthye në punë, shefja e pyeti si shkoi kongresi dhe bënë një bisedë të gjallë. Konsueloja i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe shefja e pyeti nëse mund ta merrte hua. Dy ditë më vonë ia ktheu librin, duke i thënë se ishte i bukur për t’u lexuar. «Nuk është vetëm për t’u lexuar, po për t’u studiuar»,—i tha Konsueloja dhe më pas i tregoi si bëhet studimi. «Do të thuash që unë mund ta studioj këtë libër?»—e pyeti shefja. S’ka nevojë të themi që nisën një studim dhe shumë shpejt gruaja filloi t’u dëshmonte familjarëve dhe miqve. Filloi të ndiqte edhe mbledhjet e krishtere, disa herë e shoqëruar nga i biri dhe gjyshja.
Guajanë
Xhozefi, një pionier i rregullt, filloi një studim me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, me një burrë që i kishte takuar Dëshmitarët vite më parë në Xhorxhtaun, në kryeqytet. Kur shkoi për herë të parë për të bërë studimin, Xhozefin po e priste ai burrë, dy djemtë e tij të rritur dhe gratë e tyre. Edhe ata pranuan nga një libër. Javën tjetër, babai tha se një mësues i asaj zone ia kishte marrë hua librin për ta lexuar. «Ky libër ka të vërtetën»,—kishte thënë mësuesi.
Edhe ai u bashkua në studim. Ndërkohë, një fqinj mori vesh për studimin dhe pyeti nëse mund të vinte edhe ai. Rreth asaj kohe, Xhozefi i ftoi që të gjithë për Përkujtimin. Edhe pse burri me të cilin Xhozefi nisi fillimisht studimin nuk mundi të vinte se ishte sëmurë, familja e tij erdhi në Përkujtim, si edhe mësuesi me familjen e vet. Të gjithë po bëjnë mjaft përparim.Poloni
Gjatë dëshmisë rrugore, Lucjani takoi Janin 50-vjeçar, një shok shkolle të cilin kishte vite që nuk e kishte takuar. Gjatë bisedës, ku u përmendën edhe pika nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, Jani i tha Lucjanit se i kishte vdekur e shoqja dhe ai kishte nisur duhanin dhe ishte bërë i alkoolizuar. Lucjani thotë: «Kur i shkova ca ditë më vonë bashkë me një shok, Jani po na priste. Na kërkoi vetë që të studionim librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kështu që nisëm menjëherë studimin.» E vërteta po i prek zemrën Janit dhe tani po përpiqet të mposhtë veset e tij e të mos përdorë më një gjuhë banale si më parë.
Spanjë
Pse një mjek hematolog do ta këshillonte një paciente që vuan nga depresioni, të studionte Biblën? Dy pjesëtarë të Komitetit të Lidhjes me Spitalet e kishin vizituar këtë mjek
dhe i kishin lënë një libër Çfarë mëson vërtet Bibla? Si ai, edhe një paciente, vuanin nga depresioni për shkak të sëmundjes së rëndë që kishin. Ngaqë i kishte lënë mbresa libri, ai ia tregoi pacientes së tij, duke e siguruar se po të studionin me Dëshmitarët, që të dy do ta shihnin të ardhmen me shpresë. Brenda pak ditësh, zonjën e takoi një pioniere që po jepte dëshmi rrugore dhe ajo pranoi një studim. Edhe hematologu nisi studimin dhe tashmë po ndjek mbledhjet e krishtere.Zambie
Goliadi, kryetar i një fshati, i cili kishte dy gra dhe dhjetë fëmijë, nuk është gjigant, ama ai dhe familja e tij kanë bërë hapa gjigantë në kuptimin frymor. Goliadi nisi të bënte ndryshime menjëherë pasi lexoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Në janar të vitit 2006 ai dhe familja filluan të ndiqnin mbledhjet e krishtere, në shkurt i kërkoi gruas së dytë të largohej dhe ligjëroi martesën me gruan e parë. (Mat. 19:4-6; 1 Tim. 3:2) Në mars dha dorëheqjen si kryetar fshati dhe në prill ai dhe e shoqja, Estera, u bënë lajmëtarë të papagëzuar. Me sa duket vendimi i tyre për t’i shërbyer Jehovait nuk u pëlqeu demonëve, që nisën të ngacmonin Esterën. Megjithatë, ajo iu kundërvu siç udhëzohet te Jakovi 4:7. Me ç’rezultat? «Tani jam edhe unë e lirë, bashkë me tim shoq»,—tha.
PËRPJEKJE PËR TË PREDIKUAR NË NJË GJUHË TJETËR
Në shumë vende ka pasur një vërshim emigrantësh që flasin gjuhë të huaj, e shumë prej tyre vijnë nga vende ku nuk mund të predikohet lirisht. Si rrjedhojë, «është hapur një derë e gjerë që çon në aktivitet» dhe shumë vëllezër e motra po kalojnë nëpër këtë derë duke mësuar një gjuhë tjetër. (1 Kor. 16:9) Veç kësaj, disa vende kanë një popullsi të konsiderueshme indigjene, gjuha e së cilës nuk flitet gjerësisht. Lajmëtarët e Mbretërisë po i mësojnë edhe këto gjuhë e po korrin bekime të mëdha.
Për të mbështetur veprën në këto territore, shumë degë kanë organizuar klasa për të mësuar gjuhë të huaja. Mësimet e hartuara për të përshpejtuar procesin e mësimit të gjuhës, shpesh përqendrohen në situata reale që ndeshen në shërbim. «Kursi të ndihmon të zhytesh brenda gjuhës që po mëson»,—thotë Eliza, që po mëson shqip.
Belgjikë
Dega raporton që më shumë se 300 lajmëtarë kanë ndjekur 17 klasa në dhjetë gjuhë të huaja dhe mosha e studentëve shkon nga 9 deri në 71 vjeç. «Kam mësuar gjuhën turke dhe kam zhvilluar dashuri për njerëzit që flasin këtë gjuhë»,—thotë Enora. Anelisa po mëson gjuhën kineze. Një reporter e intervistoi për një rrjet televiziv kombëtar. Ai donte të bënte një reportazh për dikë që po bën diçka të re në jetë. Natyrisht, Anelisa i shpjegoi pse po mëson gjuhën kineze. Një vit më vonë, kur reporteri e takoi prapë, Anelisa i shpjegoi rezultatet e mira që ka parë në shërbim. Me sa duket, kjo i bëri përshtypje reporterit, sepse programi u transmetua gjatë orarit kur ky televizion kombëtar shihet nga më shumë teleshikues, dhe përfshinte një intervistë me Anelisën, si edhe një filmim ku ajo predikon në gjuhën kineze në një stacion autobusi.
Holandë
Dega shkruan: «Përveçse na sigurojnë më shumë punëtorë në fushën e gjuhës së huaj, këto kurse i kanë ndihmuar vëllezërit të marrin drejtimin në kongregacione.» Në Holandë kishte nevojë urgjente në fushën e gjuhës rumune, një fushë relativisht e re. Dega kishte organizuar hera-herës mbledhje, por vetëm një vëlla kishte mundësi të merrte drejtimin dhe ai s’ishte mirë me shëndet. Tani, falë kursit të gjuhës, edhe disa vëllezër të tjerë të kualifikuar kanë marrë drejtimin. Një vëlla drejton një studim libri çdo javë, një tjetër drejton Studimin e Kullës së Rojës dhe një i tretë po shërben si përkthyes kur mbahen fjalimet në gjuhën holandeze.
Spanjë
Që nga viti 2003, dega ka organizuar 48 klasa në dhjetë gjuhë, dhe si rezultat numri i studimeve biblike është rritur jashtë mase, në afro 50.000. Huan dhe Mari Pazin, një çift i martuar të cilët shërbejnë si pionierë specialë, i ftoi në shtëpi një familje rumune. Pas pak u mblodhën për të dëgjuar 16 veta, ndër ta edhe Mario 19-vjeçar, i cili ishte tërë sy e vesh. Edhe pse nuk fliste fare spanjisht dhe pionierët nuk flitnin rumanisht, ai pranoi broshurën Çfarë kërkon? në gjuhën e tij. Një javë më pas, Mario kërkoi një studim biblik dhe ndoqi një asamble speciale njëditore, ndonëse kuptoi shumë pak. Brenda pak javësh, po i ndiqte të gjitha mbledhjet e kongregacionit, dhe nisi të bënte komente të thjeshta në spanjisht. Përmirësoi pamjen e jashtme dhe filloi t’u fliste të tjerëve për shpresën që kishte gjetur. Tani drejton një studim biblik me një çift rumun, të cilët po bëjnë përparim.
Ndërkohë Huani dhe Maria nisën të mësonin gjuhën rumune dhe s’kaloi shumë e po drejtonin 30 studime biblike në këtë gjuhë! Huani drejton edhe një studim libri në gjuhën rumune. Pas studimit, dhjetë lajmëtarë ndjekin një klasë për të mësuar gjuhën rumune të cilën e drejton vetë Mario, studenti i parë biblik.
Shtetet e Bashkuara
Më shumë se 50 milionë njerëz flasin një gjuhë tjetër në shtëpinë e tyre, përveç anglishtes. Ndër Dëshmitarët e Jehovait, rreth 254.000 lajmëtarë shërbejnë në 3.052 kongregacionet dhe 53 grupet e gjuhës spanjolle. Kurse 26.000 të tjerë shërbejnë në 690 kongregacione e grupe të gjuhës së huaj përveç spanjishtes. Për të lehtësuar punën në këtë fushë të stërmadhe e të larmishme, dega ka organizuar më shumë se 450 klasa në 29 gjuhë. Një mbikëqyrës qarkor raporton: «Dy vitet e fundit janë formuar katër kongregacione të reja në qarkun tonë. Tri prej tyre janë rezultat i drejtpërdrejtë i klasave të gjuhës frënge.»
Një vëlla që mësoi gjuhën spanjolle, thotë: «Kjo ka qenë për mua dhe time shoqe një ëndërr që u bë realitet. Për vite të tëra dëshironim të ishim misionarë, por kishim dy fëmijë për të rritur. Tani fëmijët tanë janë rritur dhe unë kam dalë në pension. Prandaj, tre muaj më parë, bashkë me gruan u transferuam në një kongregacion spanjoll dhe tashmë na janë caktuar fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Kemi shumë rivizita, e ndoshta edhe pesë studime biblike. Ndonëse unë jam 67 vjeç dhe gruaja 64, kemi parë se askush s’është tepër i moshuar për të mësuar një gjuhë të huaj.»
Nëse në territorin tuaj nuk po dalin shumë dishepuj të rinj dhe nëse rrethanat jua lejojnë, pse të mos mendoni e të mos luteni për të mësuar një gjuhë tjetër, që të transferoheni në një territor të gjuhës së huaj ose të një gjuhe indigjene? Ky transferim mund të sjellë shumë fryt dhe t’i japë jetë e gjallëri shërbimit tuaj.
Gjermani
Në këtë vend, kurset për gjuhët e huaja filluan më shumë se 30 vjet më parë, dhe mbi 1.000 studentë janë stërvitur në nëntë gjuhë, që nga gjuha shqipe e deri tek ajo vietnameze. «Ky është shumë më mirë se kursi që bëra në një universitet»,—tha një motër. Ngaqë studentët mësojnë edhe mentalitetin e njerëzve nga kombet e tjera, kanë më shumë mundësi t’u prekin zemrën njerëzve kur predikojnë.
Paula, e cila është 82 vjeçe, filloi të mësonte gjuhën vietnameze dhe udhëton rreth 150 kilometra për të ndjekur mbledhjet. «Nuk kam ndonjë dhunti për gjuhët e huaja,—thotë ajo,—por i jam shumë mirënjohëse Jehovait që më ka dhënë kaq shumë gëzim.» Paula
studioi Biblën me një familje vietnameze. Burri ishte i pari që u interesua për të vërtetën, dhe më pas edhe gruaja e tij. Tani që të dy janë të pagëzuar.Që kur u pagëzuan, ata të dy bashkë me vajzën kanë realizuar ëndrrën e tyre për t’i shërbyer Jehovait në vendlindje. Kanë ndërtuar një shtëpi me vend të mjaftueshëm për mbledhjet e kongregacionit, dhe burri shërben si plak e si pionier ndihmës. Gruaja është pioniere e rregullt. Paula u gëzua jashtë mase kur mori një letër nga kjo familje, ku shkruhej se babai kishte pagëzuar vajzën e vet. Në një letër që i shkruante Paulës, vajza thoshte: «E dashur ‘gjyshe’. Më ka marrë malli për ty. Të mendoj shpesh. Për mua do të jesh gjithnjë gjyshe Paula. Të dua shumë.» Sa përvojë e bukur ishte kjo për motrën tonë të dashur, e cila nisi të mësonte një gjuhë të vështirë në moshë të shkuar!
Kanada
Që nga viti 2002, gjithsej 554 studentë kanë ndjekur 31 klasa të gjuhës së huaj në dhjetë qytete. Poli, i cili është i paralizuar nga mesi e poshtë dhe shërben si plak kongregacioni, po mësonte gjuhën mandarine. Linda, infermierja që vjen e kujdeset për të, është kineze. Ngaqë në kishën e saj ishte folur keq për Dëshmitarët, Linda nuk donte ta dëgjonte mesazhin e Mbretërisë. Një ditë Poli i kërkoi ta çonte në Sallën e Mbretërisë, që të dëgjonte një fjalim publik në gjuhën mandarine. Ajo u bind, por qëndroi veç dhe nuk tregoi interes. Jo shumë kohë më pas, ajo e çoi Polin në studimin e librit. Por, kësaj here Linda, që është prind i vetëm, dëgjoi me vëmendje sepse studimi fliste për jetën familjare. Pastaj, një pioniere i ofroi Lindës një studim biblik dhe ajo pranoi. Bëri përparim të shpejtë frymor dhe tani është motra jonë.
Kanadaja ka shumë banorë indigjenë që flasin gjuhën e tyre amtare. Disa vjet më parë, një pioniere me emrin Karma i dha dëshmi një burri që është indian i fisit të këmbëzinjve. «Kur i fola në anglisht, nuk donte të dëgjonte,
—thotë Karma, e cila jeton me prindërit në rezervatin e fisit të këmbëzinjve.—Më tha se unë i përkas fesë së njeriut të bardhë dhe se Bibla është libër i njeriut të bardhë. Mendova: ‘Ah, sikur ta njihja më shumë gjuhën dhe kulturën e fisit të këmbëzinjve, ndoshta do të më dëgjonte!’» Karma vendosi ta mësonte këtë gjuhë dhe më vonë ndihmoi 23 lajmëtarë që ndoqën një kurs të përjavshëm për gjuhën e fisit të këmbëzinjve.Një nga studentet i dha dëshmi një çifti nga fisi i këmbëzinjve, të cilët ishin në spital për të parë djalin e tyre të sëmurë. Të habitur që ajo kishte interes për gjuhën e tyre, ata i dhanë adresën. Karma mori vesh se burri ishte po ai që kishte takuar një vit më parë! Prandaj e shoqëroi motrën për të bërë rivizitën. «Jo vetëm që dëgjuan, por edhe ishin dakord me fjalët e Biblës,—tregon Karma.—Motra u dha një Bibël dhe një botim që përdoret për studimin e Biblës. Me lot në sy, gruaja i shtrëngonte në kraharor dy botimet, kurse i shoqi tundte kokën me miratim. Tani ajo studion dhe i shoqi rri e dëgjon gjatë studimit.»
Për të treguar suksesin e klasës së gjuhës së huaj, dega raporton se në vitin 2006, 34 indianë të fisit të këmbëzinjve ishin të pranishëm në Përkujtimin që u mbajt në gjuhën e tyre!
Itali
Rreth 7.200 lajmëtarë kanë ndjekur klasa në 18 gjuhë. Një nga këta studentë takoi Samsonin, i cili vinte nga një vend ku vepra e predikimit është e ndaluar. Në moshën 24-vjeçare, Samsoni ishte nisur për atë që e quante udhëtimi i shpresës, duke kaluar së pari shkretëtirën dhe pastaj duke ardhur me anije deri në Itali. Aty takoi vëllanë që kishte mësuar gjuhën e tij. Samsoni dëgjoi me interes dhe ndoqi madje një mbledhje të krishterë. Pasi i humbën lidhjet për nja dhjetë muaj, u takuan prapë dhe vëllai filloi të studionte Biblën me Samsonin. Studimin e bënin në restorante fast-food, në stacione metroje dhe në vendparkime makinash. Pasi ndoqi Përkujtimin, Samsoni filloi ta vinte jetën e tij në përputhje me Biblën, duke i dhënë fund edhe lidhjes me një grua me të cilën bashkëjetonte prej një viti. Tani është një vëllai ynë.
Nikaragua
Gjatë vitit 2006, vëllezërit patën mundësi t’u jepnin për herë të parë një dëshmi të mirë banorëve vendës të fisit majangnan. Shumica e njerëzve të këtij fisi janë të fesë moraviane, një grup protestant. Në çdo qytet, pastori është zakonisht edhe kryetari i bashkisë, ndonëse jo zyrtarisht. Një nga këta pastorë prishi traditën dhe lejoi
që Hamiltoni dhe Abneri, dy pionierë specialë, të qëndronin në qytet. Madje u gjeti një vend për të fjetur dhe u dha një Bibël në gjuhën majangne. Vëllezërit e mësuan gjuhën dhe shumë shpejt nisën disa studime biblike. Në fakt, pionierët shërbyen si përkthyes kur 13 veta ndoqën mbledhjet gjatë vizitës së parë të mbikëqyrësit qarkor, dhe 90 veta ndoqën Përkujtimin. Në rastin e Përkujtimit, vëllezërit i përkthyen dy këngët në gjuhën majangne, dhe që të gjithë kënduan me entuziazëm.Duke parë interesin e jashtëzakonshëm që u tregua, dega ra dakord që pionierët të qëndronin në kohë të pacaktuar në caktimin e tyre. Por, a do ta miratonin këtë autoritetet vendëse? Në një mbledhje të qytetit, disa i akuzuan Dëshmitarët e Jehovait se ishin antikrishti. Megjithatë, aty ishte edhe një burrë që kishte studiuar me Dëshmitarët dhe ishte në këshillin bashkiak të qytetit. Ai tha: «Që kur kanë ardhur në qytetin tonë këta dy të rinj, nuk kam parë asnjëherë dikë që të gatuajë për ta ose t’u lajë rrobat. Ata kujdesen vetë për çdo gjë. Madje kanë mësuar gjuhën tonë! Për më tepër, na kanë mësuar nga Bibla gjëra që s’i dinim më parë. Nëse këta nuk do të ishin nga Perëndia, me siguri do të kishin hequr dorë deri tani.» Vëllezërit u lejuan të rrinin.
PËRKTHIM PËR ATA QË NUK DËGJOJNË
Shtetet e Bashkuara
Në vitin 2006, doli në gjuhën amerikane të shenjave Lajmi i mirë sipas Mateut, në një seri DVD-sh. Për herë të parë, lajmëtarët që nuk dëgjojnë kanë mundësi të lexojnë kapituj të tërë të
Përkthimit Bota e Re në gjuhën e tyre. «Kjo është letra më e mirë që kam marrë ndonjëherë nga Jehovai»,—tha një plak kongregacioni që nuk dëgjon. Një tjetër tha: «Tani e kuptoj se si përshtatet çdo varg me kontekstin.» Një motër që ka si synim të lexojë një kapitull në ditë, shkruan: «Si pa e kuptuar, bëhem vonë për takimin që kam, sepse kam lexuar nga katër a pesë kapituj dhe e kam humbur fare idenë e kohës.»Brazil
Vepra në territorin e gjuhës së shenjave po rritet me ritme mahnitëse. Aktualisht ka 232 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe këto përbëjnë dhjetë qarqe e një krahinë. Në kongregacionet dhe në territorin e gjuhës së shenjave po punojnë më shumë se 1.000 pleq e shërbëtorë ndihmës, si edhe 146 pionierë specialë, 8 prej të cilëve nuk dëgjojnë. Nga pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, më shumë se 100 ia japin meritën për rritjen e tyre frymore edhe botimeve të shkëlqyera që po siguron organizata e Jehovait për ata që s’dëgjojnë. Ndër këto botime përfshihet: Njohuria që të çon në jetën e
përhershme, Çfarë mëson vërtetë Bibla?, Qëndroni vigjilentë!, Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe Kulla e Rojës. Duke filluar nga viti 2006, Shkolla e Shërbimit Teokratik u përshtat për gjuhën e shenjave, duke përdorur botime që gjenden në këtë gjuhë.«Pasi kam ndjekur shërbesa nëpër kisha të ndryshme,—tha një mësuese 30-vjeçare,—tani e kuptoj se vetëm Dëshmitarët e Jehovait janë vërtet të aftë t’u mësojnë Biblën atyre që s’dëgjojnë.» Ajo tha se gjërat që mësonte kisha e saj ishin të palogjikshme dhe pa ndonjë vlerë praktike. Me gjithë presionet nga miqtë e saj, ajo është e vendosur të vazhdojë të ndjekë mbledhjet e krishtere. Jehovai vazhdoftë t’i tërheqë njerëz të tillë të sinqertë te Biri i tij!—Gjoni 6:44; Zbul. 14:6.
ZHVILLIME LIGJORE
Eritre
Ngaqë vëllezërit tanë nuk votuan në referendumin kombëtar, me një dekret presidencial të vitit 1994 Dëshmitarëve të Jehovait iu hoq nënshtetësia. Vendimi u shkaktoi vështirësi të mëdha ekonomike vëllezërve tanë, dhe qindra prej tyre ikën nga vendi duke kërkuar strehim diku tjetër. Të tjerë qëndruan, duke përfshirë disa që kishin fëmijë në moshë shkollore. Kur janë në klasën e nëntë, të gjithë nxënësit, djem e vajza, i regjistrojnë për stërvitje ushtarake. Kështu, shumë të rinj kanë vendosur të mos e vazhdojnë shkollën pas klasës së tetë.
Ndjekja e mbledhjeve dhe pjesëmarrja në predikim janë bërë të rrezikshme, sepse disa herë janë arrestuar kongregacione të tëra! Megjithatë, me guxim, vëllezërit dhe motrat tona vazhdojnë ‘t’i binden Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’. (Vep. 5:29) Aktualisht, 31 vëllezër e motra janë në burg, ndër ta edhe një vëlla 73-vjeçar që është shtetas holandez. Të tjerë janë në burg ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak. Tre vëllezër, Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami, janë në burg që nga viti 1994.
Francë
Më 25 shkurt 2005, iu paraqit një kërkesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për taksën e padrejtë që është vënë ndaj Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait. Më shumë se 874.000 veta nënshkruan një peticion kombëtar kundër kësaj padrejtësie dhe dokumenti iu dorëzua Gjykatës. Gjithsesi, në janar të vitit 2006, autoritetet i urdhëruan vëllezërit të likuidonin faturën e taksës.
Dëshmitarët e Jehovait kontaktuan urgjentisht GJEDNJ-në për t’i informuar për këto zhvillime. Kështu, Gjykata menjëherë filloi një shqyrtim paraprak të kërkesës. Më 4 maj 2006, Gjykata i kërkoi qeverisë franceze ta dorëzonte me shkrim çështjen. Synimi është të përcaktohet nëse është shkelur liria fetare e Dëshmitarëve të Jehovait dhe nëse ka diskriminim në këtë mes.
Gjermani
Më 10 shkurt 2006, Gjykata Federale Administrative në Lajpcig urdhëroi që shteti i Berlinit ta njohë Shoqatën Fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani si një korporatë publike. Kjo i dha fund një beteje ligjore 15-vjeçare. Shoqata Fetare tani ka të drejtë për përjashtim nga taksat, si edhe privilegje të tjera që gëzojnë fetë kryesore. Më 13 qershor 2006, shteti i Berlinit dekretoi njohjen ligjore dhe më 5 korrik u dha certifikatën përkatëse dy anëtarëve të Komitetit të Degës.
Greqi
Për vite të tëra, lejet për të ndërtuar e për të marrë me qira Salla Mbretërie, vonoheshin ose nuk jepeshin, sepse ligji kërkonte që ato të miratoheshin më parë nga një peshkop i kishës ortodokse. Më 30 maj 2006, parlamenti vendosi që lejet që kanë të bëjnë me fetë joortodokse t’i shqyrtojë vetëm ministria e arsimit dhe feve.
Më 15 korrik 2005, administrata e një stadiumi të mbyllur në Lutraki të Korintit, anuloi vendimin e saj për t’ua dhënë me qira vëllezërve këtë stadium për një kongres krahinor. Administrata kishte dyshime nëse Dëshmitarët e Jehovait janë «një fe e njohur». Avokati i popullit ndërhyri dhe në shkurt të vitit 2006, administratorët e stadiumit premtuan se kërkesat e reja do t’i shqyrtonin duke pasur parasysh se Dëshmitarët e Jehovait janë një fe e njohur.
Nepal
Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan si një shoqatë fetare në tetor të vitit 2005. Një nga qëllimet e organizatës, të përmendura në statutin e saj, është «të nxitë edukimin fetar». Ky regjistrim duhet të ndihmojë për përparimin e lajmit të mirë në këtë vend kryesisht hinduist.
Rumani
Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan si fe në vitin 1990, i kishin hequr nga lista e feve të njohura zyrtarisht që nxori shteti në vitin 1997. Si pasojë, vëllezërit nuk i lejonin të ndërtonin Salla Mbretërie dhe nuk i përjashtonin nga shërbimi ushtarak, të drejta këto që i kishin fetë e njohura. Gjykata e Lartë e Rumanisë e urdhëroi qeverinë t’i njihte si fe Dëshmitarët e Jehovait, por qeveria disa herë me radhë e kundërshtoi këtë urdhër. Në mars të vitit 2006, nën patronazhin e GJEDNJ-së, qeveria e zgjidhi në mënyrë miqësore çështjen me Dëshmitarët e Jehovait, duke i dhënë fund betejës ligjore nëntëvjeçare. Qeveria e pranoi se organizatës sonë duhet t’i jepen «të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lejon ligji» për fetë e njohura.
Turqi
Pasi dega bëri kërkesë për t’u regjistruar si fe, qeveria tha se regjistrimi ishte i pamundur, edhe pse ligjet janë ndryshuar për t’u përputhur me normat e Bashkimit Evropian. Aktualisht çështja është në gjykatat vendëse, por së fundi mund t’i shkojë për shqyrtim GJEDNJ-së.
Një sfidë tjetër ka të bëjë me shërbimin ushtarak. Vëllezërit i thërrasin tri ose katër herë në vit, derisa të kalojnë
moshën për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Çdo herë që i thërrasin, i dënojnë. Disave u kanë vënë vazhdimisht gjoba, kurse të tjerë i kanë burgosur. Në vitin 2004, Junus Erçepi i paraqiti një kërkesë GJEDNJ-së. Edhe pse e kishin gjobitur shumë herë, vëlla Erçepin e burgosën në tetor të vitit 2005 dhe e liruan pasi shleu 5 muaj nga dënimi me 12 muaj që i dhanë. Ditën e lirimit, e thirrën prapë në gjykatë dhe e gjobitën sepse kishte refuzuar herë të tjera më parë shërbimin ushtarak.Uzbekistan
Këto katër vitet e fundit, ka pasur më shumë se 1.100 raste të dokumentuara ku vëllezërit tanë i kanë arrestuar, i kanë mbajtur në arrest, i kanë gjobitur ose rrahur. Më shumë se 800 nga këto raste ndodhën gjatë Përkujtimit në vitin 2005 dhe 2006. Në shumë vende, mbërritën autobusë plot policë të armatosur me shkopinj gome, të cilët arrestuan gjithë të pranishmit. Shumë i gjobitën, kurse disa i rrahën keq.
Gjithsesi, vëllezërit kanë dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Shikoni çfarë ndodhi në rastin e një vëllai dhe të një motre që ishin akuzuar për krime ngaqë ndiqnin mbledhjet e kongregacionit dhe predikonin. Avokati i tyre kërkoi të bëhej një analizë në gjyq për literaturën që ishte konfiskuar gjatë arrestit. U lexuan me zë libri Njohuria dhe broshura Çfarë kërkon?, e madje në lexim mori pjesë edhe gjykatësi. Ngaqë i interesonte veçanërisht kapitulli 5 i librit Njohuria, «Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?», gjykatësi urdhëroi që leximi të vazhdonte edhe gjatë pushimit të drekës.
Kur u përmend Mateu 28:19, 20, gjykatësi thirri: «Ah, ja pse predikoni!» Kur pyeti pse regjimi nazist i Hitlerit i përndoqi Dëshmitarët e Jehovait, iu dhanë tri videokaseta: Trekëndëshat ngjyrë vjollcë, Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist, dhe Bibla: Histori e saktë, profeci të besueshme. Edhe pse vëllanë dhe motrën i gjobitën, ata mundën t’u jepnin dëshmi nëpunësve të gjykatës dhe policëve në mënyra që as do t’i kishin imagjinuar.—Luka 21:12, 13.
Sudan
Që prej qershorit të vitit 2006, Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar si fe në tetë shtete. Vëllezërit kanë ndërtuar Salla Mbretërie në këto zona dhe kanë mbajtur lirisht asamble të mëdha. Literaturën e importojmë lirisht dhe vëllezërit kanë një zyrë në Hartum.
Rusi
Më 12 prill 2006, një kongregacion me 200 veta në Moskë po mbanin Përkujtimin në një ndërtesë të marrë me qira, kur ia behën më shumë se 50 policë të armatosur. Kreu i departamentit të policisë së Ljublinos e ndaloi mbledhjen, duke thënë se ndalimi i vendosur për Dëshmitarët e Jehovait në Moskë nuk i lejonte grumbullime të tilla. Policia u kontrolloi të pranishmëve letërnjoftimet, konfiskoi literaturën dhe mori 14 vëllezër në rajonin e policisë së Ljublinos, ku i mbajtën për katër orë. Një vëlla që shkoi në rajonin e policisë për të dhënë ndihmë ligjore, e hodhën përtokë dhe e kërcënuan me thikë. I thanë të mos ngrinte
padi. Gjithsesi, më 17 prill, 4 nga 14 vëllezërit ngritën padi kundër departamentit të policisë së Ljublinos.Seanca gjyqësore filloi më 16 maj në Gjykatën Krahinore të Ljublinos, në Moskë, me në krye gjykatësen Z. V. Zubkova. Në sallë nuk ishte i pranishëm asnjë nga policët që morën pjesë në atë sulm, por vetëm avokati i tyre. Pa asnjë shpjegim, gjykatësja hodhi poshtë 50 kundërshtime që ngritën avokatët e vëllezërve dhe mohoi shumicën e propozimeve të tyre. Nga ana tjetër, ajo pranoi propozimin e avokatit të departamentit të policisë që të paraqiste një kopje të vendimit të Gjykatës Krahinore Ndërbashkiake të Golovinskit, ku ndaloheshin Dëshmitarët e Jehovait në Moskë, si dhe opinionin e psikologut L. V. Kulikov, i cili dëshmoi kundër Dëshmitarëve të Jehovait gjatë atij gjyqi të mëparshëm.
Më 15 qershor 2006, gjykatësja vendosi që mbajtja në arrest e paditësve ishte e paligjshme, por nuk dha asnjë vendim për sa i përket ndërprerjes së Përkujtimit. Në vendim thuhet edhe se ambienti i marrë me qira nuk i plotëson kërkesat për një shërbesë fetare. Më 30 qershor 2006, Dëshmitarët e Jehovait apeluan në Gjykatën e Qytetit të Moskës, duke cituar ndër të tjera shkeljet e shumta në procedura që bëri gjatë seancës Gjykata Krahinore e Ljublinos. Përkujtimi u mbajt pa asnjë ndërhyrje në 22 vende të tjera në Moskë.
Në paragrafin e parë të kësaj pjese, përmendej dëshira e psalmistit: «Do të këndoj për Perëndinë tim sa të jem.» (Psal. 146:2) Sot, miliona shërbëtorë të Jehovait kanë dhënë prova të bollshme se edhe ata kanë të njëjtën dëshirë të zjarrtë. Po, për sa kohë që të vazhdojë ky sistem, të mos i lejojmë muret e burgjeve, dekretet zyrtare ose pengesat e gjuhës të na ndalojë që të këndojmë për Atin tonë qiellor!
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Jo vetëm një ftesë
Në ftesë ishte shtypur edhe një kupon me anë të të cilit njerëzit mund të kërkonin një studim biblik, një libër Çfarë mëson vërtet Bibla? ose që të dyja. S’kaloi shumë dhe në zyrat e degëve anembanë botës filluan të vinin kupona të tillë. Për shembull, dega e Shteteve të Bashkuara raporton se gjatë fushatës mori afro 2.000 kupona, ndër të cilat ishin edhe 300 kërkesa për një studim biblik. Është e qartë se puna e palodhur që bënë vëllezërit dhe motrat duke shpërndarë ftesën, do të vazhdojë të japë fryt.
[Kutia dhe figurat në faqet 12, 13]
Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? është shumë i kërkuar!
Deri në fund të korrikut të vitit 2006, ishin shtypur mbi 47 milionë libra Çfarë mëson vërtet Bibla?, në 155 gjuhë, pa përfshirë 10 botime në gjuhën braile. Vetëm në një muaj, kongregacionet në Shtetet e Bashkuara kërkuan mesatarisht 42.000 libra në ditë. Një e treta e tyre ishin kërkesa urgjente. Familja mbarëbotërore Bethel e konsideron një privilegj të punojë fort për të siguruar këtë literaturë për vëllezërit dhe motrat.
[Kutia dhe figurat në faqet 28, 29]
Kushtime të degëve
Shqipëri
Ndalimi 50-vjeçar i veprës sonë mbaroi në vitin 1992. Ndër 325 vëllezërit e motrat që ndoqën kushtimin e degës së re, e cila ndodhet në periferi të Tiranës, ishin edhe katër Dëshmitarë të moshuar që i kishin shërbyer Perëndisë gjatë viteve kur vepra ishte e ndaluar. Të pranishëm ishin edhe delegatë nga 32 shtete. Kur erdhën misionarët në vitin 1992, në Shqipëri kishte vetëm nëntë lajmëtarë të pagëzuar. Sot atje ka 3.617 lajmëtarë. Programi u mbajt më 3 qershor 2006, e morën pjesë edhe dy anëtarë të Trupit Udhëheqës, Teodor Xharazi dhe Gerrit Lëshi. Një ditë më pas, ata mbajtën fjalime në një stadium të hapur, ku kishte 5.153 të pranishëm që dëgjuan me vëmendje, pavarësisht nga shiu që binte me furi.
Kroaci
Vitin e kaluar ky vend pati një bekim të dyfishtë: daljen e versionit të plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kroate gjatë kongresit krahinor dhe kushtimin e ndërtesave që sapo kishin përfunduar, si zgjerim i degës së Zagrebit. Të premten, më 11 gusht, 142 të pranishëm dëgjuan fjalimin e kushtimit që mbajti vëlla Xharazi. Kushtimi i mëparshëm ishte mbajtur shtatë vjet më parë, në vitin 1999.
Slloveni
Të shtunën, më 12 gusht, vëlla Xharazi mbajti fjalimin e kushtimit në degën e re në Kamnik, qytet që ndodhet rreth 20 kilometra në veri të kryeqytetit, Lubjanës, dhe rreth 130 kilometra në perëndim të Zagrebit, në Kroaci. Më parë, familja Bethel jetonte në apartamente të ndryshme në kryeqytet, prandaj ishin shumë të gëzuar që më në fund po jetonin bashkë si një familje! Në auditor kishte 144 përfaqësues nga 20 shtete.
[Figurat]
Ndërtesa e zyrës së degës, Shqipëri
Mbledhjen speciale e ndoqën 5.153 veta
Zgjerimi i ndërtesave të degës në Kroaci
Dega e Sllovenisë
[Figura në faqen 6]
I predikojnë një gruaje që s’dëgjon, Brazil
[Figura në faqen 17]
Klasa e parë e gjuhës indiane, Gjermani
[Figura në faqen 19]
Linda dhe Poli
[Figura në faqen 19]
Karma duke predikuar në gjuhën e fisit të këmbëzinjve
[Figura në faqen 20]
Klasë e gjuhës spanjolle, Romë, Itali
[Figura në faqen 20]
I japin dëshmi Samsonit
[Figura në faqen 21]
Hamiltoni dhe Abneri u mësojnë Biblën njerëzve në gjuhën majangne
[Figura në faqen 27]
Sallë Mbretërie në jug të Sudanit