Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Raporti botëror

Raporti botëror

Raporti botëror

AZIA DHE LINDJA E MESME

VENDE 47

POPULLSIA 3.930.343.401

LAJMËTARË 591.750

STUDIME BIBLIKE 477.609

Japoni

Miho ishte shtatzënë dhe, kur iu afrua koha që të lindte, e kishte të vështirë të dilte në shërbim si zakonisht. Por, ngaqë donte të vazhdonte si pioniere, i kërkoi mbikëqyrësit të shërbimit adresat e shtëpive ku ishte pothuaj e pamundur të predikohej, si ndërtesat e sigurisë së lartë. Ai i dha rreth njëqind adresa. Që nga shtëpia, ajo u telefonoi sa më shumë vetave që mundi. Fillimisht, askush nuk donte të dëgjonte dhe Miho i mbaroi telefonatat për 30 minuta. Por, pastaj, i ndërthuri telefonatat me letra. Çfarëdo informacioni që arrinte të merrte nga telefonata, si për shembull një fëmijë që qante në sfond, e përdorte për të shkruar një letër të shkurtër. Kur mendonte se letra kishte mbërritur, merrte prapë në telefon dhe fliste për dobinë e zbatimit të këshillave biblike që kishte përmendur në letër. Në një rast, e zonja e një shtëpie nuk pranoi të fliste në telefon, por Miho gjithsesi i dërgoi një letër. Kur Miho i telefonoi prapë, në shtëpi ndodhej vetëm vajza e saj në moshë shkollore, e cila e kishte lexuar letrën. Miho i dha dëshmi dhe i premtoi se do t’i dërgonte një letër me disa këshilla biblike për jetën shkollore. I tha edhe se do ta merrte prapë në telefon. Kësaj radhe u përgjigj mamaja, e cila i tha se e bija kishte pasur probleme në shkollë dhe gjërat që i kishte thënë Miho e kishin ndihmuar. Pas disa telefonatave dhe letrave të tjera, si mamaja dhe e bija filluan të studionin.

Nepal

Një mësues me emrin Premi, kishte shumë kohë që kërkonte të vërtetën. Kishte lexuar Biblën dhe ndiqte një kishë pranë shkollës ku jepte mësim. Megjithatë, nuk kishte marrë përgjigje për pyetjet e tij dhe ishte i mërzitur, sepse pastori vazhdimisht kërkonte kontribute. Premi iu lut Perëndisë, duke i kërkuar drejtim që të gjente një kishë e cila do ta ndihmonte të mësonte të vërtetën. Kur u transferua dhe filloi të jepte mësim në një shkollë tjetër, ai pyeti fqinjët e tij të rinj se ku mund të gjente një kishë. Në të njëjtin pallat me të banonte një nxënës, mamaja e të cilit kishte ndjekur disa mbledhje në Sallën e Mbretërisë, kështu që djali e drejtoi aty. Fjalimi publik që dëgjoi, fliste për Mbretërinë e Perëndisë, një temë që Premi donte veçanërisht ta kuptonte. Me të u fillua një studim biblik. I lumtur që më në fund mori përgjigje për pyetjet e tij, tani Premi i ndjek rregullisht mbledhjet bashkë me familjen. I kanë dërguar një letër dorëheqjeje kishës së tyre, sepse duan të bëhen Dëshmitarë të Jehovait.

Tajvan

Nxënësve në një shkollë fillore, iu kërkua të shkruanin një hartim për konkursin vjetor të krijimtarisë letrare. Tema ishte: «Libri që më pëlqen më shumë.» Uejxhena dhjetëvjeçare shkroi se libri që i pëlqente më shumë ishte Bibla. Përveçse komentonte për saktësinë e profecive të Biblës dhe për udhëheqjen e shkëlqyer që jep ajo, shpjegonte se Bibla i ka dhënë përgjigje për pyetje që as mësuesit, as nxënësit e tjerë nuk ishin në gjendje t’i përgjigjeshin në mënyrë bindëse. Uejxhena shkruante: «Mësuesi na tha se njeriu ka ardhur nga majmuni. Atëherë unë mendova: ‘Nëse njeriu ka ardhur nga majmuni, a nuk duhet t’u tregojmë respekt, përkushtim dhe mirënjohje majmunëve? Po pse, pra, i mbyllim nëpër kafaze në kopshte zoologjike? A nuk po bëjmë kështu një faj të madh?’ Por Bibla përgjigjet qartë: ne nuk kemi ardhur nga majmunët. Jo, të parët tanë u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, nga pluhuri i tokës.» Ajo e mbyllte hartimin me fjalët: «Në kohët e lashta, njerëzit thoshin: ‘Të lexosh një libër është si të hapësh një sënduk me thesare.’ Për mendimin tim, Bibla është edhe më e çmuar se ari. Prandaj, ky është libri që më pëlqen më shumë ta lexoj.» Hartimi i saj mori çmimin e parë, duke ua kaluar edhe hartimeve që kishin sjellë nxënës të shkollave tetëvjeçare, ndërkohë që ajo vetë është në klasën e katërt. Kur tregon përvojën e saj, Uejxhena përmend Hebrenjve 4:12 e pastaj thotë: «Gjithë lavdinë ia jap Perëndisë Jehova.»

Mongoli

Kur mori vesh se i kishte vdekur një farefis dhe se gruaja e tij ishte shumë e trishtuar, Bolorcecega, një motër e pagëzuar kohët e fundit në Mongoli, i dërgoi asaj të gjitha botimet tona në gjuhën mongole. Eusana, e veja, i lexoi të gjitha brenda një nate. Ditën tjetër, mori në telefon Bolorcecegën dhe i kërkoi të shkonte menjëherë tek ajo për të folur. Me gjithë një motër tjetër, Bolorcecega shkoi tek Eusana, e cila kishte bërë një listë të gjatë me pyetje. I dëgjoi me ëndje përgjigjet nga Bibla. Pas një bisede të gjatë, motrat i shpjeguan Eusanës se do të përfitonte më shumë po të diskutonin me hollësi vetëm një temë çdo herë. I ofruan një studim biblik. Eusana pranoi menjëherë të studionte tri herë në javë. Brenda muajit, i kishte hedhur ikonat e saj dhe po ndiqte mbledhjet. Dy muaj pasi u bë lajmëtare, ishte gati të bëhej pioniere ndihmëse, por i shpjeguan se në fillim duhej të pagëzohej. Por kjo nuk e stepi. Ajo vendosi të kalojë në shërbim të paktën 50 orë në muaj, ndërsa pret kongresin që të pagëzohet.

Kazakistan

Në qytetin e Rudnit, një pionier takoi një të ri me emrin Nikolai, i cili shprehu interes për një studim biblik në shtëpi. Por, kishte një problem. Nikolai dhe familja e tij jetonin në një fshat të largët, dhe ai shkonte rrallë në Rudni për të takuar të afërmit. Vëllai e pyeti Nikolain nëse mund të shkonte ta takonte në fshat, por ky iu përgjigj se fshati ishte 200 kilometra larg dhe ishte shumë e vështirë të shkoje.

Gjithsesi, vëllai i mori adresën dhe i premtoi se do të takoheshin prapë. Ai bëri plane për të shkuar në këtë fshat dhe ftoi një vëlla e dy motra nga kongregacioni që ta shoqëronin. Dy javë më vonë, morën një tren dhe, pasi mbërritën në stacionin që ishte më afër fshatit, morën vesh se duheshin edhe 18 kilometra të tjera. Veç kësaj, për të shkuar deri në fshatin e Nikolait nuk kishte transport publik. E vetmja zgjidhje ishte të ecnin. Kjo s’ishte e lehtë, pasi ishte dimër dhe frynte një erë e akullt. Pas pak, pranë tyre kaloi dhe ndaloi një traktor që transportonte një kontejner qumështi. Shoferi u tha se mund t’i merrte me vete, por do të rrinin brenda kontejnerit! Lajmëtarët menduan se ai po bënte shaka, por në fakt kontejneri ishte bosh dhe i thatë, kështu që u futën brenda. Edhe pse brenda kontejnerit ishte ftohtë, të paktën ishin të mbrojtur nga era e hidhur. Shoferi u tha se do t’i zbriste 7 kilometra larg fshatit. Që aty, duhej të vazhdonin në këmbë. Iu deshën edhe dy orë të tjera që të ecnin ato 7 kilometra deri në fshatin e Nikolait.

Nikolai dhe gruaja e tij, Valja, u mahnitën dhe u kënaqën kur panë te dera e shtëpisë vëllezërit dhe motrat. I ndihmuan mysafirët të ngroheshin dhe u shtruan për të ngrënë. Pastaj bënë një bisedë rreth Biblës. Dy javë më vonë, vëllezërit nga Rudni u kthyen në fshat. Pionieri kujton: «Nikolai erdhi na mori te stacioni i trenit. Shumë njerëz në fshat donin të flitnin me ‘ata që kishin ardhur brenda kontejnerit të qumështit’, kështu që Nikolai kishte bërë një program që të na takonin të interesuarit. Të gjithë ata që ishin në listë erdhën sipas takimit dhe pranuan të studionin Biblën.» Me kalimin e kohës, pothuajse të gjithë ata që filluan të studionin Biblën në atë fshat, bënë përparim frymor. Dy vjet më vonë, Nikolai dhe Valja u pagëzuan. Tani, dy djemtë e tyre janë lajmëtarë të papagëzuar dhe kohët e fundit Nikolai u emërua plak në këtë grup të izoluar.

Gjeorgji

Rajonet e veçuara malore në Gjeorgji po predikohen nga pionierët. Dy pioniere bënë 8 kilometra udhë në këmbë deri në një fshat të largët që ndodhet në fund të një rruge malore dhe filluan të predikonin shtëpi më shtëpi. Pas pak, një nga pleqtë e fshatit e ndaloi Ketevanën, njërën nga motrat, dhe i kërkoi t’i shpjegonte pse po predikonte kur nuk ishte ortodokse. Ajo u përpoq t’ia shpjegonte, por ai nuk donte ta dëgjonte. Pastaj, e rrëzoi përtokë motrën me një të goditur dhe filloi ta qëllonte me bastun. Mjaft njerëz e panë këtë skenë dhe lajmi u përhap në gjithë fshatin. Më vonë, Ketevana u kthye përsëri për të predikuar në atë fshat. Një grua që më parë ishte kundërshtare, e pa dhe thirri: «Ke ardhur prapë, edhe pas gjithë asaj të rrahure?! Po më çudit me guximin tënd! Të lutem, hajde në shtëpi që të më tregosh më shumë.» Pasi e dëgjoi Ketevanën, ajo i tha se ishte e mirëpritur të vinte t’i predikonte kur të donte.

AFRIKA

VENDE 57

POPULLSIA 802.232.357

LAJMËTARË 1.043.396

STUDIME BIBLIKE 1.903.665

Ruandë

Para ca kohësh, disa kalimtarë gjetën në rrugë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe ia çuan një plaku në kishën e tyre protestante. Ai e lexoi me interes të madh librin dhe i kërkoi Dëshmitarët, të cilët filluan të studionin Biblën me të. Njohuria e tij për të vërtetën biblike u rrit, prandaj dha dorëheqjen nga kisha e tij dhe u pagëzua. Ndërkohë, fliste me zell për të vërtetën me të tjerë nga kisha ku shkonte më parë dhe 25 prej tyre e lanë kishën për t’u bërë Dëshmitarë të Jehovait. Edhe ai që e zëvendësoi si plak në kishë filloi të studionte Biblën me ndihmën e Dëshmitarëve, kështu që dha dorëheqjen nga kisha. Tani ndjek mbledhjet e krishtere dhe ka shprehur dëshirën për t’u bërë lajmëtar. Gruaja e tij u pagëzua në një asamble speciale njëditore, kohët e fundit. Mahnitesh kur mendon që e gjithë kjo filloi me një libër të gjetur në rrugë!

Bregu i Fildishtë

Rrugës për në shërbim në kryeqytet, Abixhan, një Dëshmitar i ri në moshë me emrin Berenzhe u shkëmbye me një grua që shiste bukë. Gruaja s’e vuri re që i ra një kartëmonedhë 5.000 franga (10 dollarë). Sapo Berenzheja ngriti kartëmonedhën për t’ia dhënë asaj, një tjetër grua erdhi nga ana e kundërt duke bërtitur: «M’i jep paratë, se janë të miat!» Por, kur Berenzheja e pyeti sa para i kishin rënë, gruaja u zemërua dhe iku. Atëherë ai vrapoi për të kapur atë që kishte humbur paratë, por u habit kur ajo e mohoi se i kishin rënë para dhe tha: «Ky është një rreng, që të më grabitësh.» Megjithatë, duke kuptuar se Berenzheja ishte i sinqertë dhe ngulte këmbë, ajo kontrolloi paratë dhe pa që i mungonin vërtet 5.000 franga, që ishin paratë e 50 bukëve.

Berenzheja tregoi: «Ia dhashë paratë dhe i thashë se e bëra këtë pasi Perëndia im, Jehovai, i mëson shërbëtorët e tij të jenë të ndershëm. Ajo më falënderoi dhe më tha: ‘Sikur të silleshin të gjithë si Dëshmitarët e Jehovait, njerëzit do të ishin miq me njëri-tjetrin. Është hera e parë në jetën time që shoh një të ri të veprojë kështu.’ I lashë një fletushkë dhe ajo më premtoi se tani e tutje do t’i dëgjonte Dëshmitarët e Jehovait. Atë ditë kisha në xhep vetëm 50 franga për gjithë ditën. Megjithatë isha i lumtur që bëra atë që ishte e drejtë.»

Republika Demokratike e Kongos

Juxhini, një plak kongregacioni, punon si mirëmbajtës dhe rojë në një dyqan diamantesh. Ai kujton: «Një mbrëmje, erdhi në dyqanin e diamanteve një burrë që donte të shiste diamante me vlerë 22.000 dollarë. Por, pakoja me diamante i kishte rënë nga xhepi. Ai kërkoi si i tërbuar kudo, por nuk e gjeti dot. Ditën tjetër, shefi i tij dhe një koleg u vërtitën poshtë e lart nëpër rrugë duke kërkuar pakon, por më kot. Pastaj, unë nisa të fshija përpara dyqanit, jashtë në rrugë, kur ç’të shihja! Pakoja me diamante! E mora dhe shkova me vrap te shefi im, një belg. Ai nuk arrinte ta besonte që kisha bërë këtë gjë. I thashë se jam Dëshmitar i Jehovait dhe i frikësohem Perëndisë tim, të cilit i tregoj respekt. Pronari i diamanteve, i prekur thellë nga ndershmëria ime, thirri: ‘Kjo është e pabesueshme!’

—Juxhin, na shpëtove emrin e mirë!—më tha një nga kolegët.

—Faleminderit! E gjithë lavdia i shkon Jehovait, atij që më mësoi ndershmërinë,—iu përgjigja.»

Angolë

Ndërsa po vizitonte një zonë me fshatra, Zhoaoja, një misionar që shërben si mbikëqyrës qarkor, donte t’u tregonte vëllezërve vendës dhe të interesuarve DVD-në Noeja eci me Perëndinë—Davidi kishte besim te Perëndia. Kishte marrë me vete një gjenerator të vogël, dy altoparlantë, naftë, plus edhe kompjuterin portativ. Në fshatin e parë, ndenji në një shtëpi të vogël prej balte dhe programoi ta shfaqte filmin në mbrëmje. «Për habinë time, erdhën 38 veta,—tha ai,—të pajisur me karrige, stola, gurë, kuti metalike qumështi dhe gjëra të tjera për t’i përdorur si ndenjëse. Në shtëpi s’kishte vend as për gjysmën e atyre që kishin ardhur, prandaj na u desh ta shihnim filmin përjashta. Nën qiellin me yje, e vura kompjuterin sipër ca tullave prej balte, kurse shumë nga të pranishmit u ulën përtokë, mbi pëlhurat shumëngjyrëshe afrikane.» Lajmi u përhap shpejt në atë zonë dhe shumë veta shkuan në fshatrat që vizitoi Zhoaoja. Ai kujton: «Kur mbaronte filmi, askush nuk donte të ikte. Shumë thanë se kjo ishte nata më e bukur e jetës së tyre dhe shprehën mirënjohje të thellë ndaj Jehovait për këtë mjet që u forcoi besimin.» Gjatë tri javëve që Zhoaoja vizitoi grupet në këtë zonë me fshatra, DVD-në e panë 1.568 veta!

Ganë

Vida, një shpërndarëse ushqimi në Akrë, ngurronte të sillte perime të freskëta në zyrën e degës së Ganës. Pse? Pastori i kishte thënë se Dëshmitarët ishin armiqësorë me ata që s’ishin Dëshmitarë. Si pasojë, kur solli për herë të parë ushqimet në degë, Vida u habit që personeli i kuzhinës e përshëndeti me buzëqeshje miqësore dhe shprehje çmueshmërie. Gjatë javëve që pasuan, ajo u njoh me vullnetarët në degë dhe vuri re se të gjithë silleshin mirë me të, prandaj kuptoi se pastori nuk i kishte thënë të vërtetën.

Ngaqë donte të mësonte më shumë, Vida kërkoi një studim biblik, edhe pse nuk dinte të lexonte. Brenda gjashtë muajsh mësoi të lexonte Biblën e saj dhe u pagëzua kohët e fundit në një kongres krahinor. Pavarësisht nga talljet prej familjarëve dhe ish-miqve të saj, Vida ka ndihmuar edhe një kushërirë që të bëhet lajmëtare e papagëzuar.

Sudan

Në shërbimin shtëpi më shtëpi, një motër takoi dy vajza që e mirëpritën. Por ishte e çuditshme se ato nuk e linin motrën t’i ndihmonte që të gjenin shkrimet në Biblën e tyre. Më vonë doli që prifti i kishte paralajmëruar se, po ta prekte një Dëshmitar i Jehovait Biblën e tyre, përmbajtja do të shndërrohej menjëherë në harmoni me mësimet e Dëshmitarëve. Madje vajzat as i jepnin dorën motrës për ta takuar. Megjithatë, kur i gjenin shkrimet vetë, ajo që lexonin ishte në harmoni me atë që thoshte motra. Duke kuptuar se prifti i kishte gënjyer, ato vendosën të studionin Biblën. I tronditur, prifti u premtoi se do t’u jepte para për të blerë ushqime, mjaft që të mos e vazhdonin studimin e Biblës. Cila ishte përgjigjja e tyre? «Nuk duam të mbushim stomakun me ushqim. Duam të mbushim mendjen dhe zemrën me fjalët e Perëndisë.» Tani vajzat ndjekin mbledhjet e kongregacionit.

Etiopi

Edhe pse e shoqja kishte rreth dhjetë vjet që ishte Dëshmitare, një burrë me emrin Auok nuk kishte treguar shumë interes për të vërtetën. Gjithsesi, kur shkoi në një zonë tjetër të vendit për një kurs dymujor, vendosi të gjente Dëshmitarët. Kur mbërriti, e drejtuan te një zyrë ku punonte një nga motrat tona. Kjo motër ishte lutur që të vinte ndonjë vëlla për të ndihmuar kongregacionin atje. Kur i thanë se kishte ardhur një burrë që po kërkonte Dëshmitarët e Jehovait, asaj i erdhën në mendje lutjet që kishte bërë. Kur pa Auokun, i cili ishte veshur mirë dhe ishte krehur siç duhet, mendoi se ai ishte vëllai për të cilin ishte lutur. Tërë gëzim, vrapoi për tek Auoku dhe e përshëndeti përzemërsisht. Kur pa gëzimin e saj, atij s’ia bëri zemra t’i thoshte që nuk ishte vëlla dhe, kur ajo e prezantoi me vëllezërit, nuk donte ta zhgënjente. Gjatë qëndrimit të tij, i ndoqi të gjitha mbledhjet. Kur mbaroi kursin dhe erdhi koha që të ikte, një grup motrash e ftuan për drekë dhe i kërkuan të falënderonte në lutje për ushqimin. Atij iu kujtua se si e shoqja, me shami në kokë, falënderonte për ushqimin në shtëpi, duke e bërë këtë në emër të Jezuit. Prandaj lutja dhe dreka shkoi mirë. I prekur nga dashamirësia që i treguan gjatë qëndrimit atje, Auoku vendosi të bëhej vërtet vëlla. Kur u kthye në shtëpi, filloi të studionte dhe u pagëzua në një asamble kohët e fundit. E shoqja është tej mase e kënaqur, kurse Auoku po pret të vijë rasti për t’ia treguar historinë e tij kongregacionit ku kishte shkuar.

EVROPA

VENDE 46

POPULLSIA 730.776.667

LAJMËTARË 1.506.019

STUDIME BIBLIKE 744.319

Ukrainë

Një elektricist shkoi në Sallën e Mbretërisë për të rregulluar sahatin e elektrikut. Ky njihej në fshat si pijanec. Tek po rregullonte aparatin, i zunë sytë shkrimin e vitit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Ndaloi dhe pyeti një nga vëllezërit: «Është vërtet e mundur t’i afrohesh Perëndisë? A mund t’i afrohen mëkatarët Perëndisë?» Vëllai iu përgjigj duke përdorur Biblën dhe e ftoi në mbledhje. Të dielën, burri vendosi të shkonte në mbledhje, por në një fshat tjetër, sepse nuk donte ta shihnin fqinjët që po shkonte në Sallën e Mbretërisë. Mirëpo doli se oratori që kishte shkuar atë ditë atje, ishte nga fshati i këtij burri. Kur e pa, ky u përpoq të fshihej. Por vëllai e njohu dhe e përshëndeti me përzemërsi. Pas kësaj, ai vendosi t’i ndiqte mbledhjet në fshatin e vet. Me të u fillua një studim biblik dhe pas një viti u pagëzua.

Në atë kohë, e shoqja e këtij burri punonte jashtë shtetit dhe nuk arrinte ta besonte që burri i saj nuk pinte më e ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Për t’u siguruar vetë, u kthye në shtëpi. U kënaq që i shoqi nuk pinte më dhe po kujdesej për fëmijët, por nuk i pëlqeu që ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Megjithatë, një ditë ai e pyeti: «Të lutem, a mund të shkojmë në Sallën e Mbretërisë të gjithë bashkë si familje?» Gruaja pranoi. Me të u fillua një studim biblik dhe brenda një kohe të shkurtër, u pagëzua së bashku me tri vajzat e tyre. Kështu, vetëm një varg biblik ndihmoi pesë veta që t’i afrohen Perëndisë.

Greqi

Një vëlla që bën çdo ditë të njëjtën rrugë për të shkuar në punë, vinte re një grua që shkonte rregullisht te një faltore e vogël. Këto faltore, që i sheh buzë rrugëve në Greqi, zakonisht tregojnë se aty është bërë një aksident dhe ka vdekur dikush. Për ta ndihmuar këtë grua, vëllai shkroi një letër të shkurtër me mendime ngushëlluese nga Bibla për gjendjen e të vdekurve dhe për shpresën e ringjalljes. Vendosi edhe emrin e tij bashkë me numrin e telefonit dhe e vuri letrën brenda faltores. Ditën tjetër, gruaja i telefonoi dhe tregoi shumë interes për lajmin e mirë. Tani vëllezërit e vizitojnë rregullisht.

Norvegji

Pas shërbimit, gjashtë motra hynë në një kafene. Po flitnin për një fjalim të bukur publik që kishin dëgjuar dy ditë më parë në Sallën e Mbretërisë. Kishte pasur si temë shpresën e ringjalljes. Pas pak, te tavolina e tyre shkoi një grua që kishte dëgjuar bisedën. U kërkoi nëse mund të ulej bashkë me to dhe të dëgjonte çfarë po thoshin. U tha se kohët e fundit i kishin vdekur të dy prindërit. Më pas, vijoi një bisedë ndërtuese. Motrat i kërkuan gruas numrin e telefonit dhe më vonë, njëra prej tyre i telefonoi dhe filloi një studim biblik me të.

Lituani

Olga, një e re që është ungjillëzuese në kohë të plotë, filloi studim biblik te dera e shtëpisë me një grua ruse. Në një nga bisedat e para, gruaja e pyeti Olgën ç’kuptim ka shprehja biblike «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1) Olga i premtoi se do t’ia shpjegonte herën tjetër. Për pothuajse një muaj, Olga nuk e gjeti në shtëpi atë grua, edhe pse shkoi shumë herë. Derën nuk e hapte njeri, por Olga vinte re se dikush e vështronte nga syri magjik. Ajo thotë: «Nuk doja ta pranoja që kjo grua s’donte t’i vazhdonte bisedat tona biblike. Në fund të fundit, pas derës mund të kishte qenë dikush tjetër. Prandaj, vendosa t’i shkruaja një letër e t’i shpjegoja çështjen që i interesonte. Tri ditë më vonë, shkova prapë mos e gjeja në shtëpi. Sa u kënaqa kur ajo ma hapi derën! E kishte prekur shumë letra dhe interesi që kisha treguar për të.»

Gruaja e falënderoi Olgën dhe i tha: «E lexova disa herë letrën tënde dhe i kuptova të gjitha.» Kështu, studimi biblik që fillimisht mbahej te dera u bë një studim i rregullt në shtëpi, me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Tani, sa herë që shkon Olga për të bërë studimin, kjo grua e interesuar e pret me shumë ngrohtësi.

Zvicër

Në Gjenevë, qytet me njerëz të shumë kombësive, një motër me emrin Mari foli me një grua nga Lindja e Mesme. Meqë Maria po mëson gjuhën arabe, i foli në këtë gjuhë. Maria i tha se besonte vetëm te një Perëndi i vërtetë. Me të thënë këtë, gruaja e përqafoi dhe e puthi, duke i treguar se ishte e trishtuar dhe po lutej në çastin kur i kishte folur Maria. Gruaja i tha se ditën tjetër do të kthehej në vendin nga ishte. Maria hapi Biblën e saj dhe i lexoi 1 Pjetrit 3:7, duke i shpjeguar se Perëndia i vlerëson shumë gratë. Pastaj, i tha se Jehovai dëshiron që çdo burrë të nderojë e të respektojë gruan e vet. E habitur, gruaja pyeti: «Po ti je engjëll apo njeri? Unë jam e trishtuar pikërisht sepse im shoq nuk e zbaton atë që thotë Perëndia këtu. I lutem gjithnjë Perëndisë të më ndihmojë. Dhe ti hape këtë libër e më lexove këtë pjesë.» Pastaj, gruaja i kërkoi Marisë ta shkruante shkrimin në një copë letër. Tha se do ta merrte me vete, t’ia tregonte familjes dhe t’u thoshte për këtë takim të mrekullueshëm. Marisë i erdhi keq që ajo grua duhej të ikte, por ranë dakord që të mbanin lidhje me njëra-tjetrën.

Holandë

Në qytetin e Roterdamit ndodhet një nga portet më të mëdha në botë. Mallrat që vijnë me rrugë detare, ngarkohen nëpër kamionë për t’u dërguar në vendet e Bashkimit Evropian ose edhe më tutje. Prandaj, përmes këtij vendi kalon një numër jashtëzakonisht i madh kamionësh. Një nga rrugët kryesore për të shkuar në Gjermaninë fqinjë ka një vendqëndrim shumë të madh për kamionë, nëpër të cilin kalojnë çdo orë deri në 1.500 maune. Meqë shumë shoferë e kanë të detyruar të bëjnë ndalesë këtu, vëllezërit tanë përfitojnë nga mundësia për të predikuar kamion më kamion, duke takuar shoferë nga Evropa, nga Lindja e Mesme dhe nga pothuaj të gjitha ish-republikat sovjetike. Shoferëve u pëlqejnë veçanërisht revistat tona. Vitin e kaluar vëllezërit predikuan 82 herë në këtë vendqëndrim kamionësh dhe lanë më shumë se 10.000 revista në 35 gjuhë.

KONTINENTET AMERIKANE

VENDE 56

POPULLSIA 883.782.291

LAJMËTARË 3.256.287

STUDIME BIBLIKE 3.111.358

Peru

Horheja shërben si pionier i rregullt dhe e siguron jetesën duke pikturuar. Ai i dha dëshmi një piktori tjetër, Hubertit, i cili pranoi një studim biblik. Me gjithë kundërshtimin e fortë nga familja, miqtë dhe fqinjët, Huberti e mbaroi për gjashtë muaj studimin me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Në lutje, ai i kërkonte Jehovait të ndihmonte familjen e tij që të mësonin të vërtetën. U habit, por edhe u kënaq, kur i vëllai, Xhoni, u bashkua me të në studim dhe nisi të ndiqte mbledhjet. Një javë më pas, edhe kunati i Xhonit, Sesari, u bashkua në studim. Ndonëse në fillim gruaja e Sesarit kundërshtoi, më vonë edhe ajo nisi të studiojë. Pastaj, edhe një shok shkolle i Hubertit, Rejnaldo, donte të studionte. Nga kundërshtimi i fortë, ishte i detyruar të studionte në shtëpinë e Hubertit. Jo shumë kohë më pas, edhe Miltoni, vëllai tjetër i Hubertit, nisi të studiojë. Pas mësimit të parë, Miltoni u dha dëshmi dy shokëve të tij në shkollë, Daruinit dhe Kristjanit, e që të dy këta filluan të studiojnë e të ndjekin mbledhjet. Huberti ka edhe dy vëllezër të mëdhenj, Ronaldin dhe Martinin. Një ditë, Ronaldi shkoi në studimin e Hubertit me një listë të gjatë me pyetje biblike, prandaj Horheja i shpjegoi se një studim biblik do t’u jepte përgjigje të gjitha pyetjeve të tij. Ai pranoi. Më vonë filloi të studiojë edhe Martini e me të janë bashkuar dy vajzat e tij. Huberti dhe Xhoni u pagëzuan në Kongresin Krahinor «Çlirimi është afër!» Nga ajo dëshmi fillestare, deri tani kanë njohur Jehovain gjithsej 18 veta.

Brazil

Paulo jeton në një fermë gjedhësh, në pjesën veriore të vendit. Gruaja me të cilën bashkëjetonte e me të cilën më vonë u martua, po bënte një studim biblik dhe ai pranoi të studionte Biblën thjesht për t’i bërë qejfin asaj. Ndërkohë, kaubojtë që punonin në fermë ndoqën dhe vranë një jaguar që po bënte kërdinë në gjedhë. Për të përfituar nga situata, i telefonuan pronarit të fermës dhe i kërkuan para për të marrë në punë një gjuetar profesionist jaguarësh. Paulo bashkëpunoi me ta për këtë plan, duke i treguar pronarit të njëjtën histori. Megjithatë, për shkak të asaj që kishte mësuar nga Bibla, nisi ta vriste ndërgjegjja. Edhe pse ishte i vetëdijshëm se mund të humbte punën dhe se punëtorët e tjerë do të zemëroheshin me të, i telefonoi pronarit dhe i tha të vërtetën. Më vonë, Paulo u ngrit në përgjegjësi dhe u bë administrator i fermës, falë ndershmërisë së tij. Paulo dhe e shoqja tani janë lajmëtarë të pagëzuar të lajmit të mirë. Sa kënaqësi është të shohësh këtë njeri të ndershëm që vjen në Sallën e Mbretërisë me traktorin e tij, duke sjellë me vete gruan dhe dy fëmijët!

Meksikë

Në një mbledhje me prindërit në shkollën ku shkojnë dy vajzat e saj, Maria, një pioniere e rregullt e zellshme, vuri re se mësuesit ishin të shqetësuar për qëndrimin rebel dhe për sjelljen imorale të disa nxënësve. Një mësuese tha: «Prindër, nëse nuk doni që fëmijët tuaj të bëhen rrugaçë, ju lutem na ndihmoni. Flitni me fëmijët tuaj. Blijuni ndonjë libër. Bëni diçka për ta, sepse kanë shumë pyetje. Mos i lini t’i marrin përgjigjet në rrugë.» Më vonë, Maria pyeti në zyrën e drejtoreshës për sjelljen e vajzave të saj dhe iu tha se ato s’kishin asnjë problem. Atëherë i sugjeroi librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, si udhëheqje praktike për të rinjtë. Drejtoresha e dëgjoi me vëmendje dhe i kërkoi Marisë që t’i sillte një libër. Ditën tjetër, kur Maria ia çoi librin, ajo e shfletoi me vlerësim dhe kërkoi një libër tjetër për psikologen e shkollës. Pasi e lexoi, psikologia sugjeroi që libri të bëhej pjesë e lëndëve mësimore në shkollë. Atëherë drejtoresha porositi nga një libër për 12 mësuesit dhe 50 libra për bibliotekën e shkollës.

Uruguai

Një ditë, para se të agonte, një burrë po udhëtonte nga Argjentina fqinjë për në vendlindje, në Uruguai. Sa do të hipte në një traget që kalon përmes Rio-de–la-Platës, kur iu afrua një vajzë dhe i ofroi revistën Zgjohuni! të janarit 2006, me titull: «Ç’do të sjellë e ardhmja?» Vajza ishte miqësore dhe ai e pranoi me kënaqësi revistën. Kur mbërritën në Montevideo, pasagjerët i çuan me autobus deri në stacionin kryesor të autobusëve. Për habinë e tij, iu afrua përsëri një Dëshmitare, por kësaj here një zonjë e moshuar që ecte me shkop. I ofroi të njëjtin numër të revistës dhe ai e pranoi. Pak pasi kishte mbërritur në shtëpi atë mbrëmje, dëgjoi një trokitje në derë. Po, ishte një Dëshmitare e Jehovait! Pasi dëgjoi një prezantim të shkurtër, ai mori revistën—për të tretën herë brenda ditës! Kur Dëshmitarja i shpjegoi se pranojmë kontribute për veprën tonë mbarëbotërore, ai tha se e dinte këtë, dhe shkoi brenda për të marrë ca para. Kur u kthye, kishte me vete edhe dy revistat që kishte marrë atë ditë. Duke treguar pyetjen «Ç’do të sjellë e ardhmja?», buzëqeshi dhe tha: «Të paktën për një gjë jam i sigurt: e ardhmja do të sjellë një Dëshmitar të Jehovait!»

Porto-Riko

Një motër kishte shkuar për vizitë tek e bija, kur në shtëpi hynë dy grabitës, njëri me pistoletë në dorë. Donin para dhe kur gratë u thanë se nuk kishin, njëri prej grabitësve filloi të kërkonte nëpër shtëpi, kurse tjetri i ruante me armë. Menjëherë ato filluan t’i luten Jehovait. Grabitësi pyeti: «Ç’po bëni?» Iu përgjigjën se ishin Dëshmitare të Jehovait dhe po i luteshin Perëndisë së tyre, Jehovait. Ndërkohë që motrat i predikonin grabitësit me armë, tjetri u kthye duke thënë se kishte gjetur një kartë për të tërhequr para nga automati i bankës. Hipën të katër në makinën e mamasë dhe u nisën për në bankë. Motrat vazhduan t’u predikonin grabitësve dhe t’u flitnin me respekt. Pastaj, mamaja i kërkoi atij që kishte armën ta hiqte dhe, për habinë e saj, ai e bëri këtë, duke thënë se e admironte për qetësinë që po tregonte. Ajo i tha se kishte një djalë në moshën e tyre, por që kishte para tij një të ardhme të mirë. I nxiti grabitësit të përputheshin me normat e Jehovait, që të kishin edhe ata një të ardhme të mrekullueshme. Gjithsesi, vazhduan deri te banka dhe vajza shkoi e tërhoqi ca para. Më pas, grabitësit i çuan motrat tona në një rrugë qorre dhe i lanë të lira. Njëri grabitës donte t’i lidhte, por njeriu me armë nuk e la. Ai u tha motrave se po i mbronte dikush që ishte shumë i madh. Më parë, ata burra kishin grabitur, lidhur e rrahur njerëz të tjerë në lagje.

OQEANIA

VENDE 30

POPULLSIA 35.914.649

LAJMËTARË 94.323

STUDIME BIBLIKE 49.667

Papua Guineja e Re

Tomi, një ish-ushtarak, i kishte parë me sytë e tij tmerret e luftës. Kur takoi Dëshmitarët në fshatin ku jetonte, u prek nga premtimi i Biblës për një botë pa luftë. Tomi studioi Biblën dhe përparoi frymësisht, por pastaj pati një sprovë besimi kur vendosi të ndiqte Përkujtimin. I ati i Tomit kishte qenë pastor në Kishën e Bashkuar dhe tani Tomi ishte drejtuesi i asaj kishe, e cila ndodhej ngjitur me Sallën e Mbretërisë. Tek hynte në Sallën e Mbretërisë, Tomi pa pjesëtarët e kishës—miqtë e tij të ngushtë, kolegët e mëparshëm, si edhe pastorin e kishës—që po e vështronin të shtangur. Në fillim donte të fshihej, por mendoi: ‘Pse duhet të fshihem? Tani është koha për t’u bërë të ditur njerëzve se do të bëhem Dëshmitar i Jehovait.’ Pas festës së pashkëve, iu afrua pastorit të kishës dhe e pyeti: «Më pe kur shkova në Sallën e Mbretërisë?»

—Po, të pashë,—i tha ai dhe që të dy qeshën.

Atëherë, Tomi i tha: «Miku im, më parë unë shkoja te një restorant i vjetër dhe besoja se ishte vendi më i mirë për të ngrënë, por mora vesh se ushqimi kishte helm. Pastaj gjeta një restorant të ri, ku shërbehej ushqim i mirë dhe i shëndetshëm. Pasi kisha shijuar atë ushqim të mirë, si mund të kthehesha prapë te restoranti i vjetër?»

Pastori e kuptoi ku donte të dilte Tomi, dhe i tha: «Tomi, mos i thuaj njeriu, por unë e lexoj rregullisht revistën Zgjohuni!» Tomi e hoqi emrin nga regjistri i kishës dhe, pavarësisht nga disa sprova, është bërë shërbëtor i kushtuar i Jehovait.

Ishujt Solomon

Më 18 shkurt 2006, 58 lajmëtarë u diplomuan nga kursi i parë i gjuhës së shenjave në gjuhën e thjeshtuar australiane, organizuar nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait. Që atëherë, dhjetë veta që nuk dëgjojnë kanë pranuar studim biblik dhe po ndjekin mbledhjet e kongregacionit. Një prej tyre është Mozisi. Fqinji i tij e kishte përshkruar si «njeri gjaknxehtë që ka shpërthime zemërimi, njeri me të cilin nuk arsyeton dot». Megjithatë, kur një kushëri i Mozisit që ishte Dëshmitar dhe kishte bërë kursin, i ofroi një studim biblik, ai pranoi menjëherë. Një muaj më vonë ndoqi mbledhjen e tij të parë në Sallën e Mbretërisë, veshur me rroba të çrregullta e me flokë dhe mjekër të gjatë. Pritja që i bënë dhe të vërtetat që «dëgjoi», i prekën zemrën. U habit kur mësoi nga Bibla se duke i kushtuar vëmendje veshjes dhe paraqitjes, njeriu i jep lavdi Perëndisë. Javën tjetër, kur hyri në Sallën e Mbretërisë, vëllezërit nuk e njohën. Kishte prerë flokët, ishte rruar dhe ishte veshur mirë. Kishte bërë ndryshime edhe në personalitet. Fqinji tha: «Tani është i pastër dhe ka gjithnjë buzëqeshje në fytyrë.» Mozisi po përparon frymësisht dhe po ndihmon të tjerë që nuk dëgjojnë, të kuptojnë lajmin e mirë.

Tahiti

Atoli i vogël e i izoluar i Makemos, mbi 600 kilometra larg Tahitit, ka vetëm 720 banorë. Një grua me emrin Ravahere e mori të vërtetën kur ishte te të afërmit e saj në Tahiti. Pasi u kthye në Makemo, filloi të studionte Biblën, fillimisht me postë, pastaj me faks e më pas me telefon. Ravaherja regjistroi martesën e saj dhe bëri ndryshime të tjera për t’u përputhur me normat e Jehovait, pavarësisht nga presioni i disa familjarëve të cilët donin që ajo të mbetej mormone. Së fundi, kur po vizitonte një kongregacion në Tahiti, Ravaherja u kualifikua si lajmëtare e papagëzuar. Çdo dy javë, merr letra inkurajuese nga lajmëtarët në atë kongregacion.

Në qershor të vitit 2006, Ravaheres i bëri vizitë mbikëqyrësi qarkor me të shoqen. Ai tha se çdo fundjavë ajo predikon shtëpi më shtëpi. Ka bërë një hartë të territorit të saj dhe ka filluar disa studime biblike. Vë disa nga revistat tona pranë kioskës ku punon. Gjithashtu, drejton një studim libri, ku është i pranishëm i shoqi.

Fixhi

Çdo javë Methju, një misionar i stërvitur në Galaad dhe plak kongregacioni, drejton një studim biblik me katër studentë në një kolegj pedagogjik. Në këtë kolegj, shërbëtorë të kishave të ndryshme mbajnë rregullisht fjalime gjatë mbrëmjeve, për anëtarët e kishave. Qëllimi i këtij programi është të mbështeten autoritetet e shkollës, të cilët po përpiqen të luftojnë sjelljen e keqe që mbizotëron në kompleksin studentor.

Një mbrëmje, Methju vuri re një grup të madh studentësh në kafene, rreth 250 veta, që rrinin ulur qetësisht me Bibla në dorë, bllok shënimi dhe stilolaps. Po pritnin një klerik nga një fe kryesore, i cili do të drejtonte një shërbesë. Ngaqë ai nuk erdhi, ftuan Methjun që të fliste para grupit. Ndryshe nga programi që bënin zakonisht, duke kënduar e pastaj duke dëgjuar një fjalim për mundimet e ferrit, Methju mbajti një fjalim shumë të ndryshëm, duke përdorur Shkrimet. Në këtë fjalim të atypëratyshëm, Methju i nxiti studentët të kujtonin Krijuesin e tyre ndërsa ishin të rinj. Më pas, të gjithë studentët u vunë në radhë për t’i dhënë dorën Methjut dhe për ta falënderuar. Tani ai pret të ndjekë interesin që lindi nga kjo mundësi e papritur.

Australi

Ndërsa po predikonin shtëpi më shtëpi, dy motra takuan një grua të sëmurë. Ajo u tha se ishte me kancer dhe po merrej me paketimin e gjërave, që të tjerët të mos shqetësoheshin për këtë pasi të vdiste. Gruaja tha se nuk kishte as familje, as miq dhe se ndihej jashtë mase e vetmuar. Pastaj shpjegoi se kishte pasur përvoja të pakëndshme me fetë e tjera dhe mendonte se Perëndia e kishte braktisur. Më vonë, njëra nga motrat i çoi një tufë lulesh dhe, ngaqë gruaja kishte dalë, i la te dera bashkë me një pusullë. Atë pasdite, gruaja e mori në telefon motrën për t’i shprehur vlerësimin e thellë për këtë gjest të dashur. Tha se askush tjetër s’i kishte treguar ndonjëherë kaq mirësi ose t’i sillte lule, dhe kërkoi falje që s’kishte qenë në shtëpi. Kur motrat shkuan prapë, po i priste. Ato i prezantuan librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe morën masa për të filluar një studim biblik.

[Figura në faqen 43]

Miho

[Figura në faqen 47]

Udhëtuam brenda kontejnerit të qumështit

[Figura në faqen 47]

Ketevana

[Figura në faqen 48]

Disa nga ish-anëtarët e kishës

[Figura në faqen 55]

Olga

[Figura në faqen 55]

Maria

[Figura në faqen 57]

Huberti, Horheja dhe Xhoni

[Figura në faqen 58]

Paulo me familjen

[Figurat në faqen 63]

Ravaherja te kioska e saj në Makemo

[Figura në faqen 63]

Methju