Reunioni
Reunioni
TË PARËT që panë ishullin e Reunionit—që ka shumë të ngjarë të kenë qenë tregtarë arabë—zbuluan rastësisht një parajsë tropikale. Si një xhevahir i gjelbër në mes të Oqeanit Indian në ngjyrë blu të thellë, Reunioni është bekuar me një bukuri natyrore dhe një larmi që u bën konkurrencë edhe kontinenteve. Cilat janë disa bukuri të ishullit? Bregdete me rërë vullkanike, ujëvara aq të shumta sa nuk i numëron dot, pyje shiu, lule me shumicë, lugina të thella, maja të thepisura vullkanike, kratere ose kaldera të mbuluara me bimësi të gjelbër, me një diametër prej kilometrash të tërë, dhe një vullkan aktiv.
Edhe pse jetojnë në këtë ishull magjepsës, shumë njerëz në Reunion kanë arritur të vlerësojnë diçka edhe më të bukur se ajo që mund të shihet vetëm me sy. Kanë zhvilluar dashurinë për të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë. Misionari Robert Nisbet, i caktuar në Mauriki, një ishull fqinj, ishte lajmëtari i parë i Mbretërisë që vuri këmbë në Reunion. Qëndroi atje vetëm pak ditë, në shtator të vitit 1955, por arriti të nxiste mjaft interes për Biblën, la shumë literaturë dhe mori disa pajtime për revistën Zgjohuni! Me të interesuarit komunikonte me letra.
Në vitet 1955 deri më 1960, Roberti bashkë me Harri Arnotin, mbikëqyrësin e zonës, bënë disa vizita të shkurtra në këtë ishull. Në vitin 1959 dega e Francës i kërkoi Adam Lisiakut të vizitonte Reunionin. Ai ishte një pionier francez me origjinë polake dhe minator i dalë në pension, i cili shërbente në Madagaskar. Adami qëndroi në ishull gjithë muajin dhjetor të vitit 1959. Ai shkroi: «Nëntëdhjetë për qind e popullsisë janë katolikë të flaktë, por shumë duan të dinë më tepër për Fjalën e Perëndisë dhe për botën e re. Priftërinjtë
po përpiqen ta ndalin përhapjen e së vërtetës. Dikush i tha një të pajtuari në revistën Zgjohuni! se prifti donte të merrte hua librin tonë ‘Le të dalë Perëndia i vërtetë’. Ai ia ktheu: ‘Të vijë vetë prifti ta marrë.’ Prifti nuk u duk fare.»VJEN NDIHMË NGA FRANCA
Dega e Francës, e cila kujdesej për veprën në Reunion në atë kohë, ftoi disa lajmëtarë të kualifikuar të shkonin atje. Familja Pegu—Andrea, Zhanina dhe djali i tyre gjashtëvjeçar, Kristjeni—bashkë me Noemi Dyrejin, një e afërme e tyre, iu përgjigjën ftesës. Ata mbërritën në ishull në janar të vitit 1961. Noemi, të cilën e thërrisnin Mimi, shërbeu dy vjet si pioniere speciale para se të kthehej në Francë.
Gjetën menjëherë shumë interes e madje mbajtën mbledhje në dhomën e hotelit që kishin zënë në kryeqytet, në
Sen-Deni. Sapo familja u vendos në një shtëpi, filluan t’i mbanin mbledhjet atje. Rreth një vit më vonë, grupi i sapoformuar në Sen-Deni mori me qira një sallë të vogël që kishte rreth 30 vende për t’u ulur. Ishte një ndërtesë prej druri, që kishte çati llamarine, dy dritare me grila dhe një derë. Pasi morën leje, vëllezërit i shembën muret e brendshme, ndërtuan një podium të vogël dhe vunë stola druri që ishin pa shpinore.Të dielave në mëngjes, kur qielli tropikal ishte pa asnjë re, çatia prej llamarine kthehej në një radiator shumë të efektshëm. Shpejt, bëheshin qull në djersë të gjithë të pranishmit, po sidomos ata që ishin në podium, të cilëve koka u arrinte fare afër çatisë. Për më tepër, ngaqë shpeshherë salla ishte e mbushur plot, shumë veta rrinin jashtë dhe dëgjonin nga dritaret e hapura dhe nga dera, duke penguar ajrimin që tashmë ishte i paktë.
‘JEMI TË MBINGARKUAR’
Me gjithë kushtet e parehatshme, të gjithë mikpriteshin në mbledhje, prandaj në fund të vitit të parë rreth 50 veta i ndiqnin ato rregullisht. Numri i lajmëtarëve të Mbretërisë arriti në 7 dhe drejtoheshin 47 studime biblike. Disa studentë e bënin studimin dy herë në javë. «Jemi të gëzuar, shumë të gëzuar, por edhe pak të mbingarkuar»,—shkruanin vëllezërit.
Një nga studentet e reja biblike ishte Mirjam Andrjeni, e cila kishte filluar të studionte në Madagaskar në vitin 1961. Asaj i kujtohet që salla e lartpërmendur shërbente njëfarësoj edhe si Sallë Asamblesh. Vëllezërit e zgjeronin duke ndërtuar një strehë sa për hije, me degë palmash. Numri i të pranishmëve në ato grumbullime të hershme më të mëdha arrinte deri në 110.
Ndër ata që u pagëzuan në një asamble të mbajtur në Mauriki në tetor të vitit 1961 ishin David Suria, Marjanë Lan-Ngoja dhe Lysjen Veshoja, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe
në veprën e predikimit. Vitin e dytë, numri i lajmëtarëve arriti në 32, dhe pionierët drejtonin 30 studime biblike secili. Të pranishëm në mbledhjen e së dielës ishin 100 veta, që vinin nga grupe të ndryshme etnike.Shumë veta në popullsinë indiane të Reunionit praktikojnë një përzierje të dy feve, katolicizmit dhe hinduizmit. Disa prej tyre bënë një luftë të vërtetë për të lënë zakonet e mëparshme. Por, durimi, mirëdashja dhe vendosmëria e vëllezërve për të bërë atë që është e drejtë, shpesh patën rezultate të mira. Për shembull, një grua kishte dy vjet që studionte me një pioniere, por vazhdonte të praktikonte fenë e rreme, të merrej me fall dhe të bashkëjetonte me një burrë. Pionierja vendosi t’ia kalonte studimin një motre tjetër, për të parë nëse mund ta ndihmonte ajo. «Pas disa muajsh,—vazhdon motra tjetër,—ajo grua filloi të kuptonte më shumë dhe u gëzova tej mase kur i ndërpreu praktikat spiritiste. Por ende nuk e kishte regjistruar ligjërisht martesën. Thoshte se burri nuk donte ta merrte këtë angazhim. Në fund ajo vendosi të qëndronte me të edhe pse s’u martuan, prandaj s’kisha rrugë tjetër veçse ta ndërpritja studimin.
Një ditë e takova në rrugë atë grua dhe më kërkoi ta rifillonim studimin. Rashë dakord, me kusht që të tregohej e sinqertë, duke i zbatuar gjërat që tashmë kishte mësuar. E këshillova t’i lutej Jehovait për këtë çështje, dhe ashtu bëri. Pastaj mori guximin të fliste hapur me shokun e saj. Ishte një gëzim i madh për të kur ai pranoi të martohej. Jo vetëm kaq, por filloi të ndiqte mbledhjet bashkë me gruan e tij tashmë të ligjshme.»
Viti i shërbimit 1963 pati 11 maksimume në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë; i fundit ishte 93 lajmëtarë. Në atë kohë Reunioni kishte dy kongregacione dhe një grup. Në ceremoninë e parë të pagëzimit që u mbajt në vend, në dhjetor të vitit 1962, në bregdetin e Sen-Zhil-le-Benit, u pagëzuan 20 veta. Në të dytën, të mbajtur në qershor të vitit 1963, u pagëzuan 1 Kor. 3:6.
38 veta. Në vitin 1961, Reunioni kishte pasur 1 lajmëtar për 41.667 banorë. Tre vjet më vonë, kishte 1 lajmëtar për 2.286 banorë. Po, Jehovai ‘po vazhdonte ta rriste’ farën e së vërtetës në këtë ishull të begatë frymësisht.—E ÇOJNË MESAZHIN E MBRETËRISË NË TERRITORE MË TË LARGËTA
Në vitin 1965—vetëm katër vjet pasi kishte ardhur familja e parë e Dëshmitarëve—kongregacioni në Sen-Deni kishte arritur më shumë se 110 lajmëtarë, të cilët e punonin territorin e tyre çdo tri javë. Kurse zona të tjera as ishin prekur. Cila ishte zgjidhja? Vëllezërit morën me qira autobusë dhe predikuan në qytetet e tjera bregdetare, si Sen-Ly, Sen-Filip dhe Sen-Pjer.
Për të shkuar në disa territore duheshin shumë orë, kështu që vëllezërit niseshin herët në mëngjes dhe udhëtonin nëpër rrugë që shpesh ishin të ngushta, të rrëpirëta dhe gjarpëruese. Udhëtimi nga kryeqyteti Sen-Deni në qytetin Lë Por, që sot zgjat 15 minuta, në atë kohë ishte një peripeci që zgjaste dy orë. «Duhej një besim i fortë që të udhëtoje nëpër atë rrugë»,—kujton një vëlla. As rruga e re nuk është pa rreziqe, pasi bien gurë nga lart. Në disa vende, malet ngrihen thuajse vertikalisht që nga buza e rrugës dhe
disa herë shirat e mëdha shkëputin që nga lart copa shkëmbinjsh, disa prej të cilëve peshojnë shumë tonelata. Gjatë viteve, janë vrarë mjaft njerëz.«Kur isha rreth tetë vjeç,—thotë Kristjen Pegu,—grupi ynë shpërndante 400 deri në 600 revista Zgjohuni! në territoret e izoluara. Kulla e Rojës ishte e ndaluar. Me disa nga motrat tona vinin edhe bashkëshortët e tyre jobesimtarë, por miqësorë, pasi u pëlqente shëtitja, por nuk dilnin të predikonin. Pas shërbimit, bënim një piknik, që na kënaqte tej mase ne fëmijët. S’ka dyshim që këto veprimtari speciale ndikuan shumë në jetën time.»
PËRMIRËSIMET ORGANIZATIVE I JAPIN VRULL VEPRËS
Në maj të vitit 1963, Milton G. Hensheli vizitoi Reunionin si përfaqësuesi i parë nga selia botërore. Ai mbajti një fjalim special para 155 të pranishmëve. Pas vizitës së tij, u emëruan katër pionierë specialë që të kujdeseshin për kongregacionet dhe të predikonin në zona ku lajmi i mirë nuk ishte predikuar ende. David Suria u caktua në Lë Por, Lysjen Veshoja në Sen-Andre dhe Marjanë Lan-Ngoja e Noemi Dyreji (tani Tisera) në Sen-Pjer.
Më 1 maj 1964, mbikëqyrja e veprës kaloi nga Franca në Mauriki. Veç kësaj, në Reunion u hap një depo literature. Ndërkohë, iu bë ftesë lajmëtarëve të predikonin më shumë në territoret e pacaktuara, dhe vëllezërit u inkurajuan të synonin përgjegjësi në kongregacion, në mënyrë që të kujdeseshin siç duhet për të rinjtë në të vërtetën, të cilët po vinin me shumicë. Në fakt, gjatë vitit të shërbimit 1964, u pagëzuan 57 veta, 21 vetëm në një asamble!
Gjatë vitit të mëparshëm, grupi në Sen-Andre kishte bërë kërkesë që të bëhej kongregacion. Në kërkesë thuhej: «Në fund të qershorit të vitit 1963, do të kemi 12 lajmëtarë të pagëzuar, dhe ka mundësi që të dalin 5 a 6 lajmëtarë të rinj në dy muajt që do të vijojnë. Vëllezërit po drejtojnë 30 studime biblike.» Kërkesa u miratua dhe u caktuan dy vëllezër që të kujdeseshin për kongregacionin: Zhan Nasoja si shërbëtori i kongregacionit ose mbikëqyrësi drejtues, dhe Lysjen Veshoja si ndihmësi i tij. Që të dy kishin më pak se dy vjet në të vërtetën.
Zhani 38-vjeçar, një njeri me zemër e trup të madh, ishte instruktor në një shkollë teknike dhe usta ndërtimi. U pagëzua në vitin 1962. Ai kishte një zhdërvjelltësi e një aftësi të veçantë për të mbaruar punë, në mënyrë që vepra e Mbretërisë të ecte përpara. Në fakt, ai ndërtoi Sallën e dytë të Mbretërisë në Reunion, me shpenzimet e veta dhe në truallin e tij në Sen-Andre. Në atë sallë, që ishte një ndërtesë e fortë dhe tërheqëse prej druri, mund të uleshin rehat më shumë se 50 veta. Që nga ajo kohë, në territorin për të cilin fillimisht kujdesej grupi i Sen-Andresë janë formuar tetë kongregacione. Zhani vdiq në vitin 1997, besnik ndaj Jehovait.
Grupi i tretë që u formua në fillim të viteve 60 ishte në Lë Por, një qytet-port, dhe përfshinte të interesuar nga Sen-Poli, rreth 8 kilometra më në jug. Qyteti Lë Por përbëhej nga shtëpi të thjeshta druri, të rrethuara me lule qumështore, një bimë si kaktus, po pa gjemba. David Suri mori me
qira një shtëpi dhe filloi t’i mbante mbledhjet atje. Në dhjetor të vitit 1963, grupi bëri kërkesë për t’u bërë kongregacion. Kishte 16 lajmëtarë të Mbretërisë, 8 prej të cilëve të pagëzuar, dhe mesatarisht kalonin në shërbim 22,5 orë në muaj. Vetëm Davidi dhe ndihmësi i tij drejtonin 38 studime biblike! Kur mbikëqyrësi qarkor bëri vizitën po atë muaj, mbajti fjalimin publik para një auditori prej 53 vetash.Në Lë Por u caktuan si pionierë specialë edhe Kristjen e Zhozetë Bonkazi. Kristjeni ishte pagëzuar në Guajanën Franceze dhe kishte ardhur në Reunion në fillim të viteve 60, si beqar. Atëherë ishte i vetmi në të vërtetën në familjen e tij. Me dashamirësi, vëlla Suri u transferua në një shtëpi tjetër që t’i linte vend Kristjenit dhe Zhozetës në shtëpinë ku mbaheshin mbledhjet. Mirëpo, pas pak, kongregacioni u rrit aq shumë, sa edhe çiftit iu desh të kërkonte vend tjetër ku të banonte!
Ndërkohë, kleri në këtë zonë kryesisht katolike filloi t’i kthente njerëzit kundër Dëshmitarëve. Gjatë ditës, fëmijë dhe adoleshentë shpesh u hidhnin gurë lajmëtarëve dhe natën hidhnin gurë në çatitë e shtëpive të vëllezërve.
Rafaela Horo, e cila sapo kishte filluar të studionte Biblën,
i njihte disa prej këtyre adoleshentëve. Një herë, pasi kishin hedhur gurë, ajo i ndoqi deri në shtëpi huliganët e vegjël. «Po të vazhdoni t’i hidhni gurë vëllait tim,—u tha ajo,—do të keni punë me mua.»—Na fal, zonja Horo,—u përgjigjën ata.—Nuk e dinim që ishte vëllai juaj.
Rafaela u bë Dëshmitare, e po ashtu edhe tre vajzat e saj. Njëra prej tyre, Jolena, u martua me Lysjen Veshonë.
Me gjithë paragjykimet e nxitura nga kleri, zelli i vëllezërve dhe bekimi i Perëndisë bëri që në Lë Por të formohej një kongregacion i zellshëm, dhe shpejt salla u mbush plot e përplot. Në fakt, shpeshherë, ishin më shumë ata që dëgjonin jashtë, sesa brenda. Vinin karrige në çdo cep të mundshëm, madje edhe në podium. Një rresht me fëmijë rrinin ulur në bordurën e podiumit, përballë auditorit. Së fundi, vëllezërit ndërtuan një Sallë të bukur Mbretërie dhe sot në atë zonë ka gjashtë kongregacione.
PIONIERËT ÇAJNË RRUGËN
Një nga pionieret e hershme në Reunion ishte Anika Lapjeri. «Anika studioi Biblën me mua dhe mamanë time,
—kujton Mirjam Tomasi.—Ajo më nxiti të punoja fort në shërbim dhe unë i thashë se doja të bëhesha pioniere. U pagëzova pas gjashtë muajsh. Në atë kohë, si territor kishim gjithë ishullin dhe zakonisht ecnim në këmbë, se nuk kishte autobusë, kurse makina kishte shumë pak. Por vëlla Naso kishte makinë dhe na merrte në shërbim sa herë që mundej. Predikimi na sillte gëzim dhe ishim të gjithë shumë të entuziazmuar.»Anri-Lysjen Grondeni, një familjar, kujton: «Gjithnjë i nxitnim fëmijët të shërbenin si pionierë. Mbikëqyrësit qarkorë na e bënin shumë të qartë sa e rëndësishme ishte t’i jepnim më të mirën Jehovait. Anri-Fredi, djali ynë i madh, tani është 40 vjeç dhe e ka bërë shërbimin e plotkohor gjënë kryesore në jetën e tij.»
Anri-Fredi kujton: «Kongregacioni ynë kishte një grup të madh me fëmijë e të rinj të zellshëm. Disa ishin të pagëzuar, kurse të tjerë, ashtu si unë, ende jo. Megjithatë, që të gjithë kalonim nga 60 orë në shërbim gjatë pushimeve të shkollës. Asnjëherë nuk i harruam synimet tona frymore dhe sot unë shërbej në veprën e qarkut së bashku me gruan, Evelinën.»
KUNDËRSHTIM NGA DEMONËT
Spiritizmi është shumë i përhapur në Reunion. «Në fshatin La Montanj,—kujton Zhaninë Korino (më parë Pegu),—takova një burrë që tha se do të më mallkonte duke ngulur te një kukull gjilpëra me kokë. Nuk e kuptova çfarë po thoshte, prandaj i kërkova studentes sime të Biblës të ma shpjegonte. ‘Ai është magjistar,—tha ajo,—dhe do të thërrasë frymërat që të të dëmtojnë.’ E sigurova se Jehovai i mbron ata që kanë besim të plotë tek Ai. Dhe në fakt, s’pata asnjë dëmtim.»
Një vëlla sjell ndër mend se kur ishte fëmijë, familja e tij drejtonte seanca spiritiste. Në vitin 1969 ai takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të studionte Biblën me ta. Demonët u orvatën ta shkurajonin, duke i hequr dëgjimin kur vinte në mbledhje. Mirëpo, ai jo vetëm që vazhdoi të vinte në mbledhje, Jak. 4:7.
por i regjistronte fjalimet që t’i dëgjonte në shtëpi. S’kaloi shumë dhe demonët e lanë rehat, kështu që pak kohë më pas filloi të dilte në shërbim.—Në vitin 1996, Rozeda Karoja, një pentekostale, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Më parë, ajo kishte humbur shikimin ngaqë u kishte besuar këshillave të miqve të saj në kishë dhe nuk i kishte marrë më ilaçet për diabetin, nga i cili vuante. Burrin e saj, Kledon, i cili ishte në partinë komuniste të vendit, e kishin frikë të gjithë sepse ishte i dhunshëm. Merrej edhe me magji, merrte pjesë në ceremonitë hinduiste dhe më vonë ishte bërë pentekostal.
Ku Rozeda filloi të studionte, Kledoja iu kundërvu, madje kërcënoi edhe pleqtë e kongregacionit. Por Rozeda nuk u spraps nga frika. Disa muaj më vonë, Kledoja u shtrua në spital, ku ra në koma. Më vonë, kur doli nga koma, dy Dëshmitare i sollën supë, por ai mendoi se ishte për të shoqen.
—Jo, zoti Karo, supa është për ju,—i thanë motrat.
—Kjo më preku thellësisht,—kujton Kledoja.—Asnjë pentekostal nuk më kishte ardhur për vizitë, kurse dy Dëshmitare të Jehovait, po ata njerëz të cilëve u kundërvihesha aq shumë, më sollën për të ngrënë. «Jehovai, Perëndia i gruas sime, ekzistoka vërtet!»—thashë me vete. Pastaj bëra një lutje në heshtje, duke kërkuar që unë dhe Rozeda të bashkoheshim për sa u përket bindjeve tona.
Këtë kërkesë të përulur Kledoja nuk e bëri i shtyrë nga çasti. Para se të sëmurej, ai e kishte zbutur disi qëndrimin e tij dhe e kishte lejuar të shoqen të studionte në shtëpinë e një fqinje. Pastaj, një ditë i tha Rozedës dhe motrës që studionte me të: «S’është mirë të studioni atje. Hajdeni në shtëpi.» Gratë ashtu bënë. Por, pa e ditur ato, Kledoja dëgjonte nga dhoma tjetër dhe i pëlqenin ato që dëgjonte. Kur u shërua, Kledoja studioi dy herë në javë, ndonëse ishte analfabet, dhe u pagëzua në vitin 1998. Pavarësisht nga problemet shëndetësore të moshës së shkuar, Kledoja dhe Rozeda vazhdojnë t’i shërbejnë Perëndisë me besnikëri.
HYJNË NË BRENDËSI
Një numër i vogël banorësh të Reunionit jeton larg bregdetit, në luginat e thella të rrethuara me male të thikëta, që ngrihen 1.200 metra ose më lart. Të tjerë jetojnë lart nëpër kalderat e gjelbëruara e të paana të një vullkani masiv, por të shuar. Disa nga këta njerëz e shohin rrallë oqeanin, për të mos thënë asnjëherë. Për shembull, në kalderën Sirk-de-Mafat, mund të shkohet vetëm në këmbë ose me helikopter.
Lui Nelopi, që e ka prejardhjen nga skllevërit afrikanë, u rrit në Sirk-de-Mafat. Kur ishte djalë i ri, ndihmonte për të mbajtur priftin katolik mbi një vig të mbuluar. Pas njëfarë kohe Lui u transferua në Sen-Deni, ku mori të vërtetën. Natyrisht, pastaj donte t’i ndante me të afërmit e vet bindjet e tij të reja. Prandaj, një ditë në vitin 1968, Lui dhe e shoqja, Ana, si edhe dy motra të tjera me moshë 15 dhe 67 vjeçe, u nisën më këmbë për në brendësi të vendit. Morën me vete një çantë shpine, si edhe një valixhe e një kuti plot me literaturë.
Fillimisht ecën përgjatë bregut të një lumi dhe pastaj u ngjitën nëpër një shteg malor të ngushtë e gjarpërues. Në disa vende, kishin në njërën anë faqen e thikët të një shkëmbi dhe në anën tjetër humnerën. Predikonin në çdo shtëpi që gjenin gjatë rrugës. «Atë natë,—thotë Lui,—Jehovai u kujdes për ne me anë të të vetmit pronar dyqani në atë krahinë. Ai na dha një kabinë me dy dhoma, që ishte e kompletuar me krevate dhe kuzhinë. Në mëngjes, u nisëm përsëri dhe ndoqëm rrugën që na çoi majë një mali të lartë 1.400 metra e pastaj në kalderë, që ishte një amfiteatër gjigant natyror.
Së fundi, mbërritëm në shtëpinë e një miku të vjetër, që na mikpriti. Ditën tjetër lamë tek ai ca nga bagazhet tona dhe vazhduam drejt pikësynimit, duke ngrënë fruta të quajtura guava, që rriten në natyrë, dhe duke u predikuar njerëzve të thjeshtë, që s’kishin dëgjuar kurrë më parë për mesazhin e Mbretërisë. Arritëm në shtëpinë e një kushërire në orën 6 pasdite. U lumturua shumë kur na pa dhe përgatiti për ne një pulë të shijshme për darkë, duke na kujtuar rastin kur Abrahami dhe Sara ushqyen engjëjt e Perëndisë. (Zan. 18:1-8) Natyrisht, i dhamë dëshmi ndërsa ajo gatuante. Në orën 11 të natës, më në fund hëngrëm.
Ditën tjetër, që ishte e enjte, i ramë në këmbë përqark kalderës, hëngrëm guava për drekë dhe vizituam gjithë shtëpitë që gjetëm. Një burrë dashamirës na ofroi kafe dhe patëm mundësi të pushonim pak,—këmbët, jo goja! Në fakt, ky burrë u kënaq kaq shumë nga biseda biblike që bëmë, sa na shoqëroi në të gjitha shtëpitë që ndodheshin brenda një kilometri nga e tija, duke luajtur muzikë me harmonikë ndërsa ecnim.
Në fund, i ramë prapë përqark deri aty ku kishim lënë bagazhet dhe qëndruam atje atë natë. Kur mbërritëm në shtëpitë tona, të premten vonë, që të katër, përfshirë edhe motrën tonë të dashur 67-vjeçare, kishim ecur rreth 150 kilometra,
kishim vizituar 60 shtëpi dhe kishim lënë më shumë se 100 botime. S’diskutohet që ndiheshim të lodhur fizikisht, por ama të freskuar frymësisht. Natyrisht, për mua udhëtimi deri në Sirk-de-Mafat ishte edhe një rikthim te rrënjët e mia.»NGA DY LAJMËTARË NË PESË KONGREGACIONE
Në vitin 1974, Kristjen Pegu dhe mamaja e tij shkuan në qytetin jugor La Rivjerë, ku në atë kohë nuk kishte kongregacion. Kristjeni, në atë kohë 20-vjeçar, thotë: «Për mbledhjet përdornim garazhin dhe shpejt 30 veta filluan të vinin rregullisht. Unë nisa studim me një grua dhe vajzën e saj, Selinën, e cila ishte fejuar me Ylis Grondenin. Ylisi ishte militant komunist dhe nuk donte që e fejuara të studionte me ne. Por Selina e bindi Ylisin që të na dëgjonte, kështu që mamaja shkoi të takonte atë dhe prindërit e tij. U kënaqëm shumë, pasi ata e dëgjuan mamanë dhe u pëlqeu çka dëgjuan. E gjithë familja filloi të studionte dhe në vitin 1975 Ylisi e Selina u pagëzuan dhe u martuan. Më vonë Ylisi u emërua plak kongregacioni.»
Kristjeni vazhdon: «Përveç La Rivjerës, territori ynë përfshinte disa komunitete në brendësi të vendit, që ishin: Silao, Lez Aviro, Le Mak dhe L’Eto-Sale. Në Le Mak gjetëm shumë interes. Mbi fshat gjendet Lë Kap, pjesë e buzës së një vullkani të shuar. Prej aty, në një mëngjes të kthjellët, mund të shohësh një amfiteatër natyror gjigant të gjelbër, që ndodhet më shumë se 300 metra poshtë.»
Një familje me mbiemrin Pudro, jetonte në një pronë të vogël në rrëzë të Lë Kapit. Djali i madh i familjes, Zhan-Klodi, sjell ndër mend: «Katër vëllezërit e mi, pesë motrat dhe unë ndihmonim babanë të kultivonte perime për t’i shitur në treg. Gjithashtu, ai rriste barbaroza dhe u nxirrte esencën që përdoret për parfume. Në moshën shkollore, bënim 5 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollën e fshatit, shpesh duke marrë me vete prodhimet e kopshtit. Kur
ktheheshim në shtëpi, nganjëherë mbanim nja 10 kilogramë ushqime, të gjitha mbi kokë.Babai punonte shumë dhe e respektonim për këtë. Por, si shumë të tjerë, pinte tepër dhe kur ishte i dehur bëhej i dhunshëm. Shpesh ne fëmijët shihnim skena shumë të pakëndshme në shtëpi dhe kishim frikë për të ardhmen e familjes sonë.»
Zhan-Klodi vazhdon: «Në vitin 1974 më takoi një pionier. Punoja si mësues në La Rivjerë. Për shkak të hipokrizisë dhe padrejtësive që kisha parë nëpër kisha, isha kthyer pak a shumë në ateist. Megjithatë, më bëri përshtypje kur vëllai përdori Biblën për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të mia. Bashkë me time shoqe, Nikolën, filluam studim. Gjithashtu, shkonim te familja ime për t’u folur për të vërtetën e Biblës, shpesh duke biseduar deri natën vonë me vëllezërit dhe motrat. Nganjëherë dëgjonin edhe prindërit.
S’kaloi shumë dhe vëllezërit, Zhan-Maria dhe Zhan-Misheli, si edhe një nga motrat, Rozelina, filluan të vinin rregullisht në shtëpinë tonë për të qëndruar me ne gjatë studimit biblik. Të gjithë përparuam frymësisht, u bëmë lajmëtarë dhe u pagëzuam në vitin 1976. Mjerisht, im atë më akuzoi se kisha ndikuar për keq te vëllezërit dhe motrat, kështu që nuk më fliste më. Madje u bë luftarak deri në atë pikë sa duhej ta shmangia kur isha në publik!
Ndonëse ishte analfabete, mamaja filloi të studionte. Jam i lumtur të them se edhe babai, së fundi, e zbuti qëndrimin e tij. Në fakt, në vitin 2002, filloi të studionte Biblën. Sot, 26 pjesëtarë të familjes sonë janë të pagëzuar. Ndër ta janë nëntë vëllezërit e motrat e mia, unë, bashkëshortët dhe mamaja, e cila është ende e zellshme, edhe pse në moshë të shkuar. Zhan-Misheli dhe Zhan-Ivi shërbyen ca kohë si mbikëqyrës qarkorë, por iu desh ta ndërpritnin këtë shërbim për arsye shëndetësore. Të dy janë pleq kongregacioni dhe Zhan-Ivi shërben edhe si pionier, bashkë me të shoqen, Rozedën. Djali im i madh dhe unë shërbejmë si pleq.»
Në vitin 1974, kur erdhi në La Rivjerë Kristjen Pegu dhe mamaja e tij, ai qytet dhe qytetet përreth nuk kishin kongregacione, por tani atje ka pesë të tilla. Një është në qytetin Silao, lart në Sirk-de-Silao, i famshëm për burimet malore dhe qendrën termale. Si filloi kongregacioni i Silaos? Çdo të enjte, nga viti 1975 deri në vitin 1976, lajmëtarë nga La Rivjera bënin udhëtimin prej 37 kilometrash në rrugën e ngushtë gjarpëruese, të famshme për gurët që binin nga lart, deri në Silao dhe predikonin deri aty nga ora 17.00. Përpjekjet e tyre dhanë fryt, pasi tani në qytet ka rreth 30 lajmëtarë, të cilët kanë Sallën e tyre të Mbretërisë.
PËRPARIM FRYMOR NË JUG TË VENDIT
Me arsye të vlefshme, vendësit i kanë vënë pjesës jugore të Reunionit nofkën «jugu i egër». Dallgë gjigante përplasen me furi e tërë shkumë në bregun thuajse të zhveshur, që mbizotërohet nga vullkani aktiv i Reunionit, Piton-dë-la-Furnezi (Maja e Furrës). Sen-Pjeri është qyteti më i madh i zonës. Në fund të viteve 60, atje u caktuan dy pioniere speciale: Denizë Meloja dhe Lilianë Pjepshiku. Më vonë, me rritjen e interesit, dy motrave u erdhën në ndihmë pionieri special Mishel Rivjerë dhe gruaja e tij, Rëneja.
Një student i hershëm i Biblës në atë zonë ishte Kleo Lapjeri, një murator që e mori të vërtetën në vitin 1968. Kleoja tregon: «Mbledhja e parë që ndoqa, u mbajt nën një pemë të madhe, sepse ‘Salla e Mbretërisë’, që ishte një hambar 3 herë 3 metra, po shembej për të ngritur aty një ndërtesë më të madhe, ku pata mundësi të ndihmoja edhe unë.»
Po atë vit, Kleoja, i cili ishte rezervist në ushtri, u thirr për shërbimin ushtarak. «Me atë pak njohuri biblike që kisha,—tregon Kleoja,—u shkrova autoriteteve, duke u
shpjeguar qëndrimin asnjanës që kisha tani. Nuk më kthyen përgjigje, prandaj shkova në bazën ushtarake në Sen-Deni, që ndodhej në anën tjetër të ishullit, për të marrë vesh ç’kishte ndodhur. Një oficer më tha të kthehesha në shtëpi, por të bëhesha gati për në burg. Prandaj, nisa të lutesha shpesh dhe të studioja me zell. S’kaloi shumë dhe më thirrën përsëri në bazën ushtarake. Kur mbërrita, i thashë vëllait që më shoqëroi deri atje, të priste një orë. ‘Po të mos vij deri atëherë,—i thashë,—ka shumë të ngjarë që nuk do të kthehem. Në rast të tillë, të lutem shitma makinën dhe paratë jepja gruas sime.’Kur hyra brenda, pashë disa oficerë që po haheshin me njëri-tjetrin se ç’të bënin me mua. Pasi kaluan rreth 45 minuta, m’u afrua një rreshter.
—Hiqmu sysh!—më bërtiti.—Ik në shtëpi.
S’kisha bërë as 50 metra, kur më thirri përsëri. Me një ton tjetër, më tha: ‘Ju admiroj. Kisha dëgjuar në Francë për Dëshmitarët e Jehovait, por ti je i pari që takoj.’
Në atë kohë, isha i vetmi vëlla në Sen-Pjer, prandaj i drejtoja unë të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Megjithatë, më ndihmonin edhe të tjerë hera-herës, dhe në vitin 1979 erdhi një çift misionarësh, Antuan dhe Zhilbertë Branka.»
NDËRTIMI I SALLAVE TË MBRETËRISË
Fillimisht, kongregacionet dhe grupet mblidheshin zakonisht në shtëpi të kthyera në salla ose në shtëpi private. Mirëpo, ngaqë në vend ka shpesh ciklone, duheshin ndërtesa më të forta. Por, ndërtesat me tulla kushtojnë dhe duan shumë më tepër kohë për t’u ndërtuar. Prapëseprapë, dora e Jehovait Isa. 59:1.
nuk është e shkurtër, dhe me kalimin e kohës në Reunion filluan të ndërtoheshin Salla të tilla Mbretërie.—Për shembull, në qytetin Sen-Lui, një vëlla në moshë të re po bënte një kurs për murator, kur kongregacioni mori projektin për Sallën e re të Mbretërisë. Vëllai i dha dëshmi instruktorit të tij, i tregoi për sallën dhe i shpjegoi se do ta ndërtonin punëtorë vullnetarë. Si reagoi ky? E solli gjithë klasën në kantier, për të bërë praktikën! Nxënësit ndihmuan për të gërmuar vendin për bazamentin e kolonave, dhe më vonë instruktori dhuroi hekurin për themelet.
Vëllezërit donin ta hidhnin betonin në një shtresë të vetme katrore prej 190 metrash katrorë, një ditë feste kombëtare, dhe që në mëngjes herët erdhën më shumë se njëqind vullnetarë të zellshëm për punë. Por, për ndonjë arsye autoritetet e qytetit kishte mbyllur ujësjellësin! Një vëlla që njihte shefin e repartit të zjarrfikësve, shkoi tek ai njeri dashamirës dhe i tregoi për situatën. Menjëherë ai dërgoi një zjarrfikëse me ujë sa për të përfunduar punën.
Kur përfundoi Salla e Mbretërisë, një i interesuar të cilit i kishin bërë përshtypje vëllezërit dhe puna e tyre, nxori bllokun e çeqeve dhe dha kontribute që ishin pothuajse tamam për të blerë një sistem të ri akustike. Ndërkohë që po vizitonte ishullin Mauriki në dhjetor të vitit 1988, Keri Barberi nga Trupi Udhëheqës erdhi në Reunion për të mbajtur
fjalimin e kushtimit. Salla e parë e Mbretërisë e ndërtuar me metodën e shpejtë, u përfundua në vitin 1996, në Sen-Zhil-le-Ben. Sot, në ishull ka 17 Salla Mbretërie ku mblidhen 34 kongregacione.KU T’I MBAJNË ASAMBLETË QARKORE?
Vepra në Reunion po ecte me ritme kaq të mira, saqë ishte e vështirë të gjeje vende mjaft të mëdha për të mbajtur asambletë. Në vitin 1964, vëllezërit planifikuan asamblenë e parë qarkore të mbajtur në vend. Por, pasi kërkuan për disa muaj,
arritën të gjenin vetëm një vend, një restorant në katin e dytë të një ndërtese në Sen-Deni. Ndërtesa ishte e vjetër, me qira të lartë dhe ishte prej druri. Pronarët thanë se do ta mbante peshën e më shumë se 200 vetave që pritej të ndiqnin këtë asamble.Meqë s’kishin zgjedhje tjetër, vëllezërit e prenotuan restorantin, dhe një burrë dashamirës u dha një sistem akustike me altoparlant. Kur erdhi dita dhe vëllezërit nisën të mbushnin ndërtesën, dyshemeja zuri të kërciste e të rënkonte, megjithatë mbajti. Të dielën pati 230 të pranishëm dhe u pagëzuan 21 veta.
Pak kohë më pas, Lui Nelopi, vëllai që ishte rritur në Sirk-de-Mafat, me bujari ofroi një hapësirë në truallin e tij në Sen-Deni, për të ndërtuar një Sallë Asamblesh të përkohshme. Ndërtesa ishte e thjeshtë, e hapur anash, me skelet druri, çati llamarine dhe mure me gjethe palmash të thurura.
I pari grumbullim që u mbajt atje ishte një kongres krahinor treditor. «Mëngjesin e parë,—kujton delegatja Mirjam Andrjen,—dolëm në shërbim dhe, kur u kthyem, na priste dreka e ngrohtë, një gatim tipik kreol, me oriz, bathë dhe pulë, të gatuar me spec djegës. Për ata që s’ishin mësuar me shijen e specit djegës, kuzhinierët kishin përgatitur rugaj marmaj, një salcë tipike indiane, por më e butë.»
Dora-dorës që shtoheshin të pranishmit, Sallës së Asambleve i bëheshin zgjerime. Ajo përdorej edhe si Sallë Mbretërie. Me kalimin e kohës, familjet që kishin marrë me qira shtëpi të cilat ndodheshin në atë pronë, ikën, dhe Lui ia dhuroi të gjithë truallin kongregacionit. Tani në atë vend ka një Sallë të bukur Mbretërie me tulla, të cilën e përdorin dy kongregacione në Sen-Deni.
Në vitin 1997 u përfundua një Sallë Asamblesh në qytetin La Posesion, në një truall të blerë pesë vjet më parë. Ndërtesa është e hapur anash dhe ka një pishinë pagëzimi të instaluar në podium. Ka një kapacitet prej 1.600 vendesh dhe përdoret të paktën 12 herë në vit për asamble dhe kongrese.
Ngjitur me të është një shtëpi misionare, ku mund të rrinë nëntë veta. Ajo ka edhe një depo literature e një zyrë për territorin e Reunionit.KU T’I MBAJNË KONGRESET?
Para se të kishin Sallën e tyre të Asambleve, vëllezërit merrnin me qira Stadiumin Olimpik në Sen-Pol, për të bërë kongreset krahinore. Gjithsesi, shpesh u duhej të gjenin vend tjetër minutën e fundit, sepse ndodhte të kishte ngjarje sportive ose kulturore të cilave u jepej përparësi. Më vonë, bashkia u kërkoi vëllezërve të përdornin sallën e ekspozitave që ndodhej ngjitur me stadiumin. Kjo zonë, e caktuar për panaire dhe ekspozita, nuk ka vende për t’u ulur dhe as çati, kështu që delegatët duhej të sillnin me vete karrige dhe çadra për t’u mbrojtur nga dielli. Kështu, oratorët që ishin në podium nuk shihnin një turmë me fytyra të vëmendshme, por një masë çadrash shumëngjyrëshe.
Zyra e Reunionit shkruan: «Një herë, bashkia ua dha me qira këtë sallë dy grupeve njëkohësisht. Përveç nesh, të tjerët ishin një grup muzikor nga Martinika që luanin muzikën zuk, një përzierje ritmesh afrikane, rege dhe kalipso. Duke i dhënë përparësi grupit zuk, nëpunësit na ofruan një vend të quajtur «Shpella e francezëve të parë», vendi ku kishin zbarkuar francezët e parë. Ishte një vend i bukur—në sfond kishte shkëmbinj të lartë dhe shumë pemë që bënin hije—por nuk kishte vende për t’u ulur, shumë pak banja dhe as podium.
Por, kësaj here, u kënaqëm që ishim atje, pasi të shtunën në mbrëmje pati një stuhi dhe rrufetë prishën gjithë sistemin
elektrik të stadiumit, duke i dhënë fund koncertit zuk. Ne që ishim nja 5 kilometra më poshtë, nuk patëm dëme nga stuhia. Vendësit shkuan deri aty sa thanë se ishte ‘gjykimi i Perëndisë’ për këtë incident.»PËRMIRËSIME ORGANIZATIVE
Më 22 qershor 1967, u themelua enti ligjor Association Les Témoins de Jéhovah (Shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait). Në shkurt të vitit 1969, në ishull erdhi mbikëqyrësi i parë qarkor për vendin, Anri Zamia, lindur në Algjeri dhe rritur në Francë. Qarku i tij përfshinte gjashtë kongregacionet në Reunion dhe katër në Mauriki, si edhe disa grupe të izoluara. Sot, vetëm Reunioni ka dy qarqe.
Në vitin 1975, në Francë u hoq ndalimi 22-vjeçar i Kullës së Rojës, dhe vëllezërit menjëherë e përdorën këtë revistë në territorin e Reunionit. Deri atëherë kishin përdorur botimin Buletini i brendshëm (frëngjisht). I shtypur në Francë, ky botim përmbante të njëjtin informacion që botohej në Kullën e Rojës, por nuk i shpërndahej publikut. Në janar të vitit 1980, dega e Francës filloi të shtypte një botim francez të Shërbimi ynë i Mbretërisë që u përshtatej nevojave të Reunionit dhe të ishujve të tjerë në atë zonë. Gjithashtu, për dobinë e atyre që flasin gjuhën kreole të Reunionit, janë përkthyer në këtë gjuhë disa botime, si fletushka, broshura dhe librat Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Këto masa të mrekullueshme frymore kanë ndihmuar për përparimin e lajmit të mirë në këtë pjesë të largët të botës.
Po, në hapësirën e paanë të Oqeanit Indian, Reunioni është veçse një pikë e vogël. Por, nga ky ishull është ngjitur te Perëndia një brohoritje e fuqishme lavdie! Kjo na sjell ndër mend fjalët e profetit Isaia: «Në ishuj të shpallin lëvdimin e [Jehovait]!» (Isa. 42:10, 12) Ndërkohë që shpallin këtë lëvdim, Dëshmitarët e Jehovait në Reunion vazhdofshin po aq të palëkundur dhe të besueshëm sa dallgët e oqeanit që vijnë pa pushim në brigjet vullkanike të ishullit!
[Kutia dhe hartat në faqet 228, 229]
VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI REUNIONIN
Vendi
Reunioni, një ishull rreth 65 kilometra i gjatë dhe 50 kilometra i gjerë, është më i madhi i ishujve Maskarene, ku përfshihen Mauriki, Reunioni dhe Rodrigesi. Afër qendrës së ishullit ka tri kaldera të banuara e me bimësi të harlisur, në trajtë cirku ose lugine me mure të pjerrëta, të cilat u formuan nga fundosja e një vullkani të hershëm masiv.
Popullsia
Të 785.200 banorët e ishullit janë kryesisht me prejardhje të përzier afrikane, aziatike juglindore, franceze, indiane dhe kineze. Rreth 90 për qind janë katolikë.
Gjuha
Gjuha zyrtare është frëngjishtja, por gjuha e folur është kreole e Reunionit.
Jetesa
Ekonomia bazohet kryesisht në industrinë e kallamsheqerit dhe të produkteve të tij, si melasa dhe rumi, si edhe në turizëm.
Ushqimi
Ushqimet kryesore janë orizi, mishi, peshku, bathët dhe thjerrëzat. Përveç kallamsheqerit, rritet arra e kokosit, arra liçe, papaja, ananasi, lakra, sallata jeshile, domatet dhe vanilja.
Klima
Reunioni ndodhet pak më sipër Tropikut të Bricjapit, prandaj ka klimë tropikale dhe të lagësht, me ndryshime zonale për sa u përket reshjeve të shiut dhe temperaturave. Ndodhin shpesh ciklone.
[Hartat]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Madagaskar
Rodriges
Mauriki
Reunion
REUNION
SEN-DENI
La Montanj
La Posesion
Lë Por
Sen-Pol
Sen-Zhil-le-Ben
SIRK-DE-MAFAT
SIRK-DE-SALAZI
Silao
SIRK-DE-SILAO
Sen-Ly
Lë Kap
Le Mak
Lez Aviro
L’Eto-Sale
La Rivjerë
Sen-Lui
Sen-Pjer
Sen-Filip
Piton-dë-la-Furnez
Sen-Benua
Sen-Andre
[Figurat]
Fotografi e bërë nga hapësira
Rrjedhë lave
Sen-Deni
[Kutia në faqet 232, 233]
Përmbledhje e historisë së Reunionit
Detarët e hershëm arabë e quajtën ishullin Dina Morgabin (Ishulli Perëndimor). Kur marinarët portugezë e zbuluan në fillim të viteve 1500 këtë ishull ende të pabanuar, e quajtën Santa-Apolonja. Francezi Zhak Proni e mori Santa-Apolonjën për hesap të Francës në vitin 1642, kur internoi aty, që nga Madagaskari, 12 kryengritës. Në vitin 1649, ishullit iu ndryshua emri në Il Burbon, sipas familjes mbretërore franceze. Kur dinastia e Burbonëve ra në vitin 1793, gjatë Revolucionit Francez, ishullit iu vu emri Reunion, për të përkujtuar unionin ose bashkimin e Gardës Kombëtare Pariziane me revolucionarët nga Marseja. Pas disa ndryshimesh të tjera, emri Reunion u vendos përsëri si emri i ishullit në vitin 1848. Ndërsa në vitin 1946, ishulli u bë krahinë administrative e Francës, përtej detit.
Në fillim të viteve 1660, Franca themeloi në ishull një koloni dhe hapi plantacione kafeje e kallamsheqeri, në të cilat punonin skllevër që silleshin nga Afrika Lindore. Pas heqjes së skllavërisë në vitin 1848, Franca solli shërbyes me kontratë, kryesisht nga India dhe nga Azia Juglindore. Popullsia e përzier që ka ishulli sot, vjen kryesisht nga këto grupe. Aty nga fillimi i viteve 1800, prodhimi i kafesë pësoi rënie dhe kallamsheqeri u bë prodhimi kryesor për eksport.
[Kutia dhe figurat në faqet 236, 237]
Nga bodybuilding në pionier special
LYSJEN VESHO
LINDUR 1937
PAGËZUAR 1961
TË DHËNA Dikur ishte i famshëm në bodybuilding. Ka shërbyer si pionier special nga viti 1963 deri në vitin 1968 dhe si plak që nga viti 1975.
NJË ditë të paharrueshme, në vitin 1961, shkova në shtëpinë e shokut tim, Zhanit, që «ta shpëtoja» nga Dëshmitarët e Jehovait. Më kishte thirrur gruaja e Zhanit, nga frika se mos profetët e rremë, siç i quante ajo Dëshmitarët, bëheshin agresivë dhe i sulmonin të shoqin!
‘Po të vënë dorë mbi të,—thashë me vete,—do t’i zhdëp në dru.’ Por ata ishin të këndshëm e të arsyeshëm, dhe nuk dhanë asnjë shenjë agresiviteti. Shpejt u zhyta në një bisedë për kryqin, gjatë së cilës Dëshmitarët më treguan qartë nga Bibla se Jezui kishte vdekur në një shtyllë të thjeshtë.
Më vonë, i pyeta se çfarë donte të thoshte profeti Daniel kur tha se kryeengjëlli Mikael «qëndron» përkrah popullit të Perëndisë. (Dan. 12:1) Dëshmitarët më shpjeguan nga Shkrimet se, në fakt, Mikaeli është Jezu Krishti dhe se ai ka ‘qëndruar’ ose sunduar si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë që nga viti 1914. (Mat. 24:3-7; Zbul. 12:7-10) U mahnita nga këto përgjigje dhe nga njohuria që kishin Dëshmitarët për Biblën. Që nga ajo kohë, sa herë shihja Dëshmitarë, përfitoja nga rasti për të folur me ta rreth Fjalës së Perëndisë. Madje i ndiqja derë më derë dhe bashkohesha në bisedat e tyre. Pas pak kohe, fillova të shoqërohesha me grupin e izoluar që mblidhej në Sen-Andre.
Në mbledhjen e parë që ndoqa, edhe pse nuk dija të lexoja mirë, lexova ca paragrafë nga Buletini i brendshëm, të cilën në atë kohë e përdornim në vend të Kullës së Rojës. Pastaj, menjëherë pas pagëzimit, më kërkuan të drejtoja studimin e librit, sepse nuk kishte vëllezër të tjerë. ‘Po si ta drejtoj studimin e librit?’—pyeta veten. Kur pa ankthin dhe pasigurinë time, Zhaninë Pegu, me dashamirësi, më sugjeroi që ajo të lexonte paragrafët dhe unë të bëja pyetjet për ta. Kështu bëra dhe studimi shkoi mirë.
Në vitin 1963, kur Milton Hensheli erdhi për vizitë në Reunion, i nxiti ata që ishin të kualifikuar, të mendonin për shërbimin si pionierë specialë. Unë doja t’i jepja Jehovait gjithçka kisha, prandaj plotësova kërkesën dhe u pranova si pionier special. Caktimi im ishte qyteti Sen-Andre, ku, me kalimin e kohës, arrita të kisha nëntë studime biblike.
Kongregacioni i sapoformuar mblidhej në shtëpinë e Zhan Nasosë. Kur Zhani theu legenin në një aksident automobilistik, u kujdesa unë gjashtë muaj për kongregacionin. Kjo nënkuptonte të mbaja fjalime, të drejtoja Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit, e të përgatitja raportet për zyrën e degës. E gjithë kjo më dha edhe më shumë përvojë të vlefshme.
Në territor duhej të luftonim me besëtytnitë, që kishin ardhur nga një përzierje e ngatërruar e katolicizmit me hinduizmin. Megjithatë, njerëzit i përgjigjeshin lajmit të mirë. Në fakt, në një familje e pranuan të vërtetën të paktën 20 pjesëtarë. Sot, në zonën e Sen-Andresë ka pesë kongregacione.
[Kutia dhe figurat në faqen 238]
Besimi im u sprovua nga talljet
MIRJAM TOMASI
LINDUR 1937
PAGËZUAR 1965
TË DHËNA Shërben si pioniere që nga viti 1966.
KUR unë dhe kushëriri im, Lui Nelopi, filluam të predikonim në vitin 1962, pothuajse në çdo derë na ftonin të hynim brenda. Njerëzit na servirnin kafe, limonatë e madje edhe rum! Por, pas ca kohësh kleri ndikoi te shumë veta dhe këta ndryshuan qëndrim. Disa na tallnin, nganjëherë duke e shtrembëruar enkas emrin e Perëndisë. Në një qytet, njerëzit na gjuajtën me gurë.
Si pasojë, disa nga ne nuk po e përdornin më në shërbim emrin e Perëndisë. Mbikëqyrësi qarkor e vuri re këtë dhe pyeti përse. Kur ia shpjeguam arsyet, u ndiem pak në turp. Por ai na këshilloi me dashamirësi dhe na nxiti të ishim më të guximshëm. E çmuam shumë këtë, duke i marrë fjalët e tij si disiplinë nga Jehovai. (Hebr. 12:6) Dhe vërtet, pa durimin, mëshirën dhe frymën e shenjtë të Perëndisë, do ta kisha lënë shërbimin si pioniere kohë më parë. Por ja që kam pasur mundësi të kaloj më shumë se 40 vite të çmuara në këtë shërbim.
[Kutia dhe figura në faqet 246, 247]
Jehovai më mbështeti gjatë sprovave
SYLI ESPARONI
LINDUR 1947
PAGËZUAR 1964
TË DHËNA Ndër të parët që u pagëzuan në Reunion. Kaloi tre vjet në burg, ngaqë nuk pranoi të shkonte ushtar.
KUR mora të vërtetën në moshën 15-vjeçare, prindërit më nxorën nga shtëpia. Por kjo nuk ma lëkundi vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait. Fillova si pionier i rregullt në vitin 1964 dhe si pionier special në vitin 1965. Pata edhe privilegjin të ndihmoja për mbikëqyrjen e kongregacioneve në Sen-Andre dhe në Sen-Benua. Së bashku me Zhan-Klod Fyrsinë e bënim rregullisht me biçikletë rrugën për te këto kongregacione, që kishin përkatësisht 12 dhe 6 lajmëtarë.
Në vitin 1967, më thirrën për shërbimin ushtarak. U shpjegova se, si i krishterë, nuk mund të merrja armët. Por ngaqë rasti im ishte i pari i këtij lloji në Reunion, autoritetet as e kuptuan dhe as e pranuan qëndrimin tim. Madje, një oficer më rrahu para 400 rekrutëve dhe pastaj më çoi në zyrë ndërsa çaloja nga rrahja. Vuri mbi tryezë një uniformë dhe më tha ta vishja, përndryshe do të më rrihte përsëri. Ishte rreth 1,8 metra i gjatë e truplidhur dhe para tij unë dukesha i vogël. Gjithsesi, mora guximin dhe i thashë: «Po të më rrihni përsëri, do të bëj ankesë zyrtare, sepse Franca garanton lirinë fetare.» I tërbuar, bëri një hap drejt meje, por u përmbajt. Më çoi te komandanti, i cili tha se do të bëja tre vjet punë të rëndë në Francë.
I bëra të tre vjetët, por në Reunion, dhe puna nuk ishte e rëndë. Pasi më dha dënimin, gjykatësi më ftoi në zyrën e tij. Me një buzëqeshje, më shtrëngoi dorën dhe më tha se i vinte keq, por, si gjykatës, duhej të zbatonte ligjin. Edhe zëvendësdrejtori i burgut u tregua dashamirës me mua dhe e rregulloi që të punoja në dhomën e gjyqit. Madje më shoqëroi edhe në zonën e vizitorëve që të takonte prindërit e mi dhe një pjesëtar të kongregacionit.
Fillimisht isha në një qeli me 20-30 të tjerë, por pastaj më vunë në një qeli për 2 veta, dhe kjo më dha më shumë liri. Kërkova një llambë elektrike dhe, për habinë time, ma dhanë. Normalisht, sendet elektrike janë të ndaluara, sepse të burgosurit mund të orvaten të vrasin veten me elektroshok. Falë kësaj llambe, studioja Biblën dhe arrita të përfundoja një kurs me korrespondencë për llogaritar. Kur u lirova në vitin 1970, një gjykatës u tregua i mirë dhe më gjeti punë.
[Kutia në faqen 249]
Rreziku i cikloneve
Në shkurt të vitit 1962, cikloni Xheni përfshiu Reunionin dhe Maurikin, duke e shndërruar Oqeanin Indian, që rrethon këta ishuj, në një përbindësh shkumëzues që përmbyti zonat bregdetare, sidomos në Reunion. Në Sen-Deni, ndërtesat u dëmtuan, pemët u zhveshën nga gjethet dhe rrugët u mbushën me degë të thyera. Shtyllat elektrike ishin anuar në kënde të rrezikshme dhe kabllot vareshin gjer në tokë. Për çudi, Salla e vogël e Mbretërisë nuk u dëmtua. Cikloni mori 37 jetë njerëzish, plagosi 250 të tjerë dhe la mijëra të pastrehë. Në atë kohë, vëllezërit ishin në një asamble në Mauriki, ishull që nuk u godit aq rëndë. Ndonëse për disa ditë nuk ktheheshin dot në shtëpi, të paktën mbijetuan pa u dëmtuar vetë.
Në vitin 2002, cikloni Dina shkaktoi një shkarje dheu që bllokoi për tre javë rrugën për në Silao. Menjëherë, zyra e Reunionit mori masa për të dërguar një automjet fuoristradë, të mbushur me furnizime për 30 vëllezërit e atjeshëm. Automjeti u bashkua me një karvan prej 15 makinash të tjera, me policinë në krye. Disa pjesë të rrugës së shtruar i kishte përmbytur uji dhe ishin kthyer në lumë, kështu që karvani i makinave u desh të udhëtonte nëpër shtratin e lumit, e pastaj të dilte prapë në rrugë. Sa u gëzuan vëllezërit në Silao kur mbërriti automjeti!
[Tabela dhe grafiku në faqet 252, 253]
KRONOLOGJIA—Reunioni
1955 Në shtator vjen për vizitë Robert Nisbeti.
1960
1961 Një familje Dëshmitarësh vjen nga Franca dhe gjen shumë interes.
1963 M. G. Hensheli nga selia botërore, flet para një auditori me 155 veta.
1964 Mbikëqyrja e veprës kalon nga Franca në Mauriki; 230 veta ndjekin asamblenë e parë qarkore të mbajtur në vend.
1967 Regjistrohet enti ligjor Association Les Témoins de Jéhovah.
1970
1975 Hiqet ndalimi i Kullës së Rojës në Francë.
1980
1985 Numri i lajmëtarëve e kalon shifrën 1.000.
1990
1992 Numri i lajmëtarëve e kalon shifrën 2.000. Dega blen një pronë në La Posesion për zyrën e Reunionit, për një Sallë Asamblesh dhe për një shtëpi misionare.
1996 Përfundohet Salla e parë e Mbretërisë e ndërtuar me metodën e shpejtë.
1998 Mbahet asambleja e parë në Sallën e re të Asambleve në La Posesion.
2000
2006 Në Reunion ka rreth 2.590 lajmëtarë aktivë.
[Grafiku]
(Shiko botimin)
Gjithsej lajmëtarë
Gjithsej pionierë
3.000
2.000
1.000
1960 1970 1980 1990 2000
[Figura që zë gjithë faqen 223]
[Figura në faqen 224]
Adam Lisiaku predikoi një muaj në Reunion, në vitin 1959
[Figura në faqen 224]
Noemi Dyreji, Zhaninë Pegu dhe djali i saj, Kristjeni, rrugës për në Reunion, 1961
[Figura në faqen 227]
Salla e Mbretërisë në Lë Por, 1965
[Figura në faqen 230]
Merreshin me qira autobusë të hapur për fushata predikimi, 1965
[Figura në faqen 230]
Zhozetë Bonkazi
[Figura në faqen 235]
Zhaninë Korino
[Figura në faqen 235]
Duke predikuar në Sen-Pol, 1965
[Figura në faqen 243]
Kleo Lapjeri
[Figurat në faqet 244, 245]
Lui dhe Ana Nelopi dëshmuan në fshatra të izoluara dhe u ushqyen me guava gjatë rrugës
Sirk-de-Mafat
[Figura në faqen 248]
Salla e Mbretërisë e përfunduar, në Sen-Lui, 1988
[Figurat në faqen 251]
Asamble dhe kongrese
Asambleja e parë qarkore në vend u mbajt në një restorant që ishte në katin e dytë, 1964
«Shpella e francezëve të parë», ku u mbajt kongresi krahinor
Vend i përkohshëm mbledhjesh në Sen-Deni, 1965